
NGA LISANDER HOXHA/
Të dashur atdhetar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës,
Vendi ynë, edhe pse ka 30 vite i shkëputur nga regjimi gjakatar i Enver Hoxhës, vazhdon të jetë i vjedhur, i varfër dhe i marrë peng nga disa zagarë dhe zuzarë, të cilëve iu duket vetja ‘padron’ të së ardhmes së shqiptarëve. Keqqeverisjet kanë prodhuar drama familjare të pakonceptueshme prej asnjë populli tjetër europian. Sot, pas 30 vitesh, jemi akoma nën dilemën e ekzistencës ku familjet shqiptare nuk ia dalin dot të ushqehen, të kenë shëndetësi të denjë, arsim cilësor apo edhe të drejta themelore, si liria, prona, jeta etj. Jemi një vend pa drejtësi edhe pse kishte përpjekje serioze për të ribërë sistemin e korruptuar që mbante vendin në agoninë e pritjes së përjetshme. Jeta këtu të ofron shumë pak mundësi për të jetuar dhe punuar ndershmërisht dhe me dinjitet. Prandaj kemi eksode biblike të të rinjve, duke e shpopulluar Shqipërinë dhe shpresën për të ardhmen. Sot, demokracia në Shqipëri nuk përfaqësohet nga standarde dhe themele të qytetërimit, por përfaqësohet nga surretër batakçinjsh të paskrupult, të cilët, në marrëveshje korruptive me njëri-tjetrin, po e mbajnë vendin peng. Këtu nuk bëhen as zgjedhje të lira dhe as nuk na jepet mundësia të çlirohemi nga rrethi vicioz i Oligokracisë. Sot, nga dhjetë më të pasurit e vendit, nëntë prej tyre nuk kanë asnjë profesion apo zanat, përveç ‘hajnisë’. Pasuria publike është kthyer në një copë torte, e cila ndahet mes politikanëve gjobvënës dhe pseudo biznesmenëve, të cilët e faturojnë çdo punë publike disa dhjetra herë mbi vlerën reale. Këta ujqër të korruptuar kanë blerë çdo aset publik, media apo parti politike duke e lënë Shqipërinë nën mëshirën e tyre. Sot, shqiptarët janë të marrë peng me një thes mielli. Aq vlen jeta e një familëje të varfër në Dukagjin, Pukë, Tropojë, Mallakastër, apo edhe në Petrelë të Tiranës. Aq është ndihma ekonomike për të varfrit e vendit tonë. Aq vlerësohen njerëzit nga kupola e atyre që për vete shpenzojnë miliona dollarë në rimobilime banesash, zyrash apo garderobe. Sot, më shumë se kurrë, na mungon demokracia dhe standardet e shtetit ligjor. Sot po jetojmë në një shtet të padrejtë, ku politika investohet për të penguar drejtësinë dhe për pasojë pengmarrja vazhdon pa afat. Shqiptarët janë një popull pro Amerikan dhe pro Europian. Vlerat dhe traditat e popullit tonë janë skalitur nën diktatin e presioneve shekullore, pa të cilat ne nuk do ishim ata që jemi sot. Ndër më kryesoret, sipas meje, mbetet dashuria e popullit tonë për lirinë që është edhe thelbi i demokracisë. Kjo liri sot është e cunguar nga interesat korruptive të politikës së lidhur me krimin e organizuar dhe mungesës së drejtësisë. Këtë lëmsh e zgjidh vetëm demokracia funksionale. Unë besoj fort tek këto vlera dhe jam i bindur se edhe patriotët tanë pertej Atlantikut ndajnë të njëjtin qëndrim me mua. Ndaj sot, vëllezër është koha që t’i kthejmë atdheut tonë borxhin duke u investuar secili prej jush në lobimin më të madh shqiptar kundër korrupsionit dhe pengmarrjes së një grupi hajdutësh të paskrupult. Sot është koha që t’i japim një dorë Shqipërisë duke kërkuar për vendin tonë arritjen e të gjitha standardeve që shqiptarët meritojnë. Ndaj, besoj fort se faktori shqiptar në SHBA do të lobojë pranë administratës Biden, pranë Departamentit të Shtetit dhe kudo të munden që çështja shqiptare të jetë në fokusin e ditës. Pa një vëmendje të shtuar të SHBA-së ne kurrë nuk do të mund të çlirohemi nga pengmarrja e demokracisë. Kush e ndjen veten patriot, sot le ta marrë vesh se jemi në luftë dhe kërkohet kontributi i gjithësecilit prej nesh! Është koha e të rinjve, të cilët duan ta ndajnë përfundimisht Shqipërinë nga Oligokracia! Është koha që të luftojmë për një Shqipëri në Europë, e cila të mos bëjë dallim prej fqinjëve të saj në standarde dhe në nivel të demokracisë! Është koha që t’i kthejmë dinjitetin shqiptarëve dhe t’i çlirojmë nga uria! Është koha të besojmë se ne mund ta bëjmë këtë vend!
Ndaj, thirrja ime për ju është të bashkoheni në aleancën më të madhe qytetare dhe patriotike kundër hordhisë së kusarëve! Të shpëtojmë atdheun nga korrupsioni që e la vendin të varfër, të vjedhur dhe në padrejtësi! Të lobojmë në të gjitha institucionet e partnerëve tanë ndërkombëtar që t’i kemi në krah në këtë përpjekje epike për të mbyllur tranzicionin 30 vjeçar të pazareve dhe padrejtësive! Ne e duam Shqipërinë dhe jemi krenar të punojmë për të!