Kultura nuk ka kufij është shprehja më e drejtë që na shoqëron kudo në takime dhe veprimtari mes dy kulturave tona – italiane dhe shqiptare – në të dyja brigjet e detit Adriatik. Dhe kemi plotësisht të drejtë ta pranojmë dhe ta themi me plot gojë se kulturat e kanë më të lehtë integrimin. Lidhjet me Italinë janë shumë të vjetra dhe sot vazhdojnë të kenë të njëjtën forcë dhe reciprocitet si në të shkuarën. Një vend i vogël si Shqipëria e ndjen nevojën që, në këtë kohë të vështirë të historisë së saj, të ketë mbështetje në Europë, edhe për statusin kandidat për të cilin po flitet shumë kërkohet një mbështetje e tillë. Italia dhe vendet e tjera të fuqishme fqinje janë më të natyrshmet, pasi me to kemi mundësitë më të shpejta për të bashkëpunuar dhe komunikuar. Që nga viti 1990 e deri më sot shumë institucione dhe shoqata italiane kanë dhënë një kontribut të vyer dhe kanë bërë një punë të shkëlqyer në ndihmë të vendit tonë, të popullit, të kulturës, arsimit, të dyja këto si dy shtyllat e së shkuarës, së sotme dhe së ardhmes. Një nga këto shoqata është dhe MYLAND me president z. Francesco Malaspina që bashkë me anëtarët e saj përpiqen të ndihmojnë zonat që kanë ende vështirësi të mëdha në shtegtimet e tyre në vendin e shqiponjave. Por një tjetër veprimtari e ndezi dritën e shkëmbimeve dhe bashkëpunimeve në muajt e parë të këtij viti, një ekspozitë fotografike me pamje nga vizitat e tyre në qytete të ndryshme të Shqipërisë, dedikuar heroit shqiptar të të dy botëve, baronit me titull të plotë mes fisnikëve italianë, Gjergj Kastriotit. Ekspozita ka patur një interes të madh mes të dy komuniteteve dhe një sukses të madh në qytetin e Ferrarës, pasi është vizituar nga shumë italianë dhe shqiptarë që jetojnë në Itali, prandaj i falenderojmë për këtë nsimë që i lidh më shumë urat tona të bashkëpunimit. Me këtë rast presidenti i shoqatës na dha edhe një intervistë ku mësojmë më në detaje të gjithë veprimtarinë e saj.
Pyetje : Një ekspozitë fotografike për Shqipërinë dhe për të kujtuar Gjergj kastriotin; përse keni zgjedhur heroin tonë kombëtar?
Përgjigje : Sepse heroi juaj kombëtar pati një rëndësi të madhe për historinë gjeopolitike të viteve 1400. Lufta e tij iu kundërvu ekspansionit të perandorisë otomane në të gjithë Europën. Në Itali vetëm studiuesit e njohin se cili ishte. Ne po përpiqemi që ta bëjmë të njohur për italianët këtë njeri të madh dhe për vetë rëndësinë që ka patur për historinë e gadishullit italian.
Pyetje : Shoqata juaj vjen shpesh në Shqipëri, cili ishte kontakti juaj i parë me të? Cilat qytete keni vizituar?
Përgjigje : E themeluam shoqatën për promovim shoqëror Myland në vitin 2012, por udhëtimin e parë e bëmë në korrik të po atij viti, bashkë me një grup miqsh të Verilindje 4×4 të Triestes, të apasionuar si ne pas udhëtimeve me mjete 4×4. Në fakt kontaktin e parë me popullin shqiptar e pata në vitin 1991, në kohën e eksodit të madh të vitit 1991, kur 27 mijë qytetarë shqiptarëzbarkuan në brigjet e Puljas. Për të qënë i sinqertë në atë kohë nuk e dija se ku ishte atdheu juaj, por nuk isha i vetmi në Itali. E dija që përtej detit Adriatik ishte Jugosllavia e krijuar nga popuj të ndryshëm dhe Greqia. E pranoj që nuk kisha njohje. Është e vështirë të shkruaj se në cilat qytete kemi qënë. Mund të them se deri më sot kemi vizituar në mënyrë të veçantë Jugun e Shqipërisë dhe kemi vizituar disi edhe Veriun. Synimi ynë është ta vazhdojmë këtë rrugë të njohjes. Sa për ide i kemi vizituar qytetet më të mëdha shqiptare dhe në shumë prej tyre kemi qëndruar për disa ditë : Tiranën, Shkodrën, Durrësin, Krujën, Vlorën, Beratin, Gjirokastrën, Elbasanin, Sarandën, Përmetin, Korçën, Gramshin, Pogradecin, Ersekën, Voskopojën etj. Por ndoshta është kurioze ta dini se kemi vizituar fshatra të rëndësishëm të historisë suaj si Kuçi dhe frashëri, apo të rëndësishëm për nga pejsazhi si Thethi. Fshatra të tjerë të panjohur për turistët e huaj si Progonati, ku mund të admirosh një prej kanionëve më të mëdhenj të Europës. Dardhën në këmbë të malit Tomorr, Lekasin në këmbë të zinxhirrit malor të Ostrovicës, Grabovën në malet afër Gramshit dhe mund të vazhdoj edhe më tej me një listë të gjatë.
Pyetje : Vitin e kaluar ishit në Ersekë dhe më pas çuat ndihma në shkollën e Moglicës. Çfarë marrëdhënie keni me qytetet shqiptare?
Përgjigje : Nëse mendon me drejtuesit e bashkive ku kemi qënë, ju them se gjithmonë kur kemi kërkuar takime me ta, na kanë pritur shumë mirë dhe me shumë prej tyre kemi marrëdhënie të bukura njohjesh. Në Ersekë kemi qënë disa herë për motive të ndryshme. Ushqimi është i shkëlqyer (ne italianët e duam shumë kuzhinën e mirë bio). Ka një muze etnografik shumë të rëndësishëm. Mësojmë shumë për historinë tuaj të lashtë dhe moderne, kur i vizitojmë ato. Është një muze për të cilin tregohet kujdes i madh brenda të cilit mund të shohësh detaje historike me shumë vlerë dhe me rëndësi që i kapërcen kufijtë kombëtarë. Ndoshta e ekzagjeroj disi, por UNESKO-ja duhet t’i vlerësojë që t’i ngrejë në nivelin e Trashëgimisë botërore. Në datën 13 gusht në sajë të interesimit të mikut tonë Rinalt Kasko dhe të kryebashkiakut të Ersekës, ishim të ftuarit e nderit në Festën e Trashëgimisë Kulturore të qytetit. Kaluma një mbrëmje të shkëlqyer në sheshin kryesor, me muzikë dhe shumë njerëz simpatikë që na pritën. Një kujtim që do të mbetet gjithmonë në zemrat tona.
Përse shkuam në Moglicë? Ky fshat gjendet në rrugën e ngushtë me zhavorr që kalon përmes kanionit të lumit Devoll. Kishim kaluar aty edhe herët e tjera, por nuk ishim ndalur. Në maj të vitit 2013 vendosëm të zbulonim diçka më shumë dhe aty njohëm drejtoren e shkollës. Lindi një marrëdhënie besimi dhe në gusht 2012 u kthyem që të sillnim materiale për nxënësit. Sa për kronikë në maj 2013 udhëtimi u organizua nga shoqata Magna Grecia Off-Road. Është një klub të apasionuarish të makinave xhip me seli në Rossano Calabro. Jemi miq me presidentin e saj prej shumë vitesh dhe kur vendosin të bëjnë një udhëtim në Shqipëri, më kontaktojnë. Kemi këtë marrëveshje : ata organizohen duke mbledhur veshje dhe lodra për dhuratë ndaj instituteve që kujdesen për fëmijët dhe unë i shoqëroj duke u vënë në dispozicion njohjen time që kam për Shqipërinë.
Pyetje : Themi shpesh se ngjajmë disi, si ju pritën?
Përgjigje : Kemi ngjashmëri, sidomos me italianët e jugut. Bëhet fjalë për një ngjashmëri estetike, por edhe nga karakteri. Sigurisht kemi tradita dhe zakone të ndryshme. Mos harrojmë se prej 600 vjetësh ju vini në Itali. Besoj se gjaku është përzjerrë disi. Pritja është gjëja e parë pozitive që më ka bërë përshtypje nga ju. Duhet ta pranoj se në vitin 2010, isha pak i shqetësuar. Para se të nisesha, shumë më pyesnin nëse isha i marrë që shkoja me pushime në Shqipëri, një vend plot me hajdutë dhe vrasës, ku të gjithë shëtisin të armatosur dhe papritur mund të hash ndonjë thikë. Por unë dhe miku im Alessandro Caniati, u pamë në sy dhe të vetëdijshëm që në rast rreziku do të mbroheshim me radhë dhe iu bashkuam grupitb të xhipave të Triestes që të bënim këtë udhëtim “ shumë të rrezikshëm”. Etapa e parë ishte qyteti i Gjirokastrës. Në orën 2 pas mesante, ndërsa italianët e grupit, flinin të sigurtë në dhomat e tyre të hotelit, unë me mikun tim ngrinim dolli me rakinë tuaj, të ulur në barin e qendrës historike bashkë me tre djem shqiptarë. Përfitoj nga rasti t’i përshëndet Olsi Zhusti, Iani Muka e Dini Mosho. Në sajë të tyre lindi në dhjetor 2011 “Castle Club 4×4 Gjirocaster”. Ishin shqiptarët e parë që njoha dhe tani janë miq të mirë.
***
Pyetje : si lindi ideja që të flisni me imazhe për vendin e shqiponjave?
Përgjigje : Kur udhëtojmë, marrim gjithmonë me vete makinën fotografike. Edhe pse nuk jemi profesionistë, shumë prej fotografive janë të bukura dhe sugjestionuese. Kështu lindi spontanisht ideja që t’i bëjmë publike disa prej këtyre imazheve dhe t’ua bëjmë të njohur italianëve në lidhje me Shqipërinë. Ekspozita fotografike “ Toka e Gjergj Kastriot Skënderbeut” është diçka më shumë. Kemi patur momente të ndryshme për të folur për shoqatën tonë Myland, për historinë e Kastriotit, për të njohur historikisht të shkuarën tuaj të afërt në regjim, vitet ’90 dhe eksodin drejt Italisë dhe Europës, muzikën tuaj me një mbrëmje që u zhvillua ditën e shtunë më 22 mars me mjeshtërin protagonist në piano Robert Bisha. Organizuam më datën 23 një mbledhje fondesh ku morën pjesë shumë shqiptarë që banojnë në Ferrara. Patëm kënaqësinë të kishim këngëtaren tuaj Yllka Kuqi me këngët e traditës popullore. Është një mënyrë që t’ju falenderojmë për mikpritjen që na rezervoni në çdo udhëtim dhe motivi pse u krijuam si Shoqatë e promovimit social.
Pyetje : Në historinë e shoqatës suaj ka veprimtari të tjera për Shqipërinë?
Përgjigje : E kemi krijuar shoqatën nga viti 2012, prandaj historia jonë është e shkurtër. Kjo ekspozitë fotografike është rasti i parë publik në Itali që të flasim për Shqipërinë dhe Myland. Në Itali kemi edhe projekte në fushën sociale, por jo tek Ju. Me Shqipërinë na lidhin udhëtimet me mjetet tona, ku e njohim vendin tuaj nga ana turistiko-historike, pejsazhin, zbulimin e një kulture të ndryshme nga jona dhe në ndihmë të fëmijëve me struktura të mbrojtura apo shkolla dhe ekspozitën fotografike që mendojmë ta shtrijmë edhe në qytete të tjera italiane. Kërkesat tashmë kanë ardhur.
Pyetje : Prej 23 vjetësh jetojnë në Itali, edhe tek ju, shumë shqiptarë, cilat janë përshtyjet tuaja?
Përgjigje : Unë personalisht nuk kam asnjë përshtypje, pasi nuk i vlerësoj njerëzit nga ngjyra e lëkurës, apo gjuha që flasin. I vlerësoj njerëzit sesi sillen. Mendoj se një qënie njerëzore dallohet nga veprimet dhe jo nga prejardhja. Nëse do të dish se çfarë mendojnë italianët, më vjen keq ta them se ka ende shumë paragjykime ndaj shqiptarëve. Qytetari italian nuk është ende gati që të jetojë në një shtet kozmopolit dhe nuk e vë re se përreth tij ka shqiptarë që me shumë sakrifica janë integruar në strukturat shoqërore italiane. Ka gazetarë, muratorë, avokatë, idraulikë, muzikantë, parukierë, sipërmarrës shqiptarë që jetojnë, punojnë dhe i paguajnë taksat në Itali.
Pyetje : Janë integruar mirë në qytetin tuaj? Si është bashkëjetesa?
Përgjigje : Ferrara është një qytet i vogël, qendra e provincës. Bashkia e Ferrarës ka një popullsi prej 133 mijë banorësh, prej këtyre 1000 janë shqiptarë. Janë integruar por merr vlerë edhe përgjgjia mësipër.
Pyetje : Lexova se që nga dita e parë ka patur shumë vizitorë, si shkoi ekspozita? Pati interes për historinë e shkuar dhe të sotme të vendit tonë?
Përgjigje : Po, duhet të them se pati shumë interes dhe kuriozitet. Numëri i përsonave që e vizituan e kapërceu pritshmërinë tonë. Në 10 ditët e para patëm 800 vizitorë. Mësuam se shumë persona që erdhën synojnë të vijnë me pushime në Shqipëri këtë verë. Interesi për vendin tuaj po rritet, por e kuptuam se lagunat për historinë tuaj të djeshme dhe të sotme janë të mëdha.
Pyetje : Nisma juaj ka edhe një synim të qartë, në ndihmë të popullsisë shqiptare. Udhëtimi i ardhshëm në cilat qytete do të ndalet? Ndihmat kujt do i shkojnë?
Përgjigje : Duhet të sqarojmë disa gjëra : nuk vijmë të kryejmë misione humanitare. Shqipëria nuk është një vend i botës së tretë. Atë që bëjmë në Shqipëri, e bëjmë edhe në Itali. Ndihmën tonë e çojmë në realitete shumë të qarta. Ne nuk bëjmë bamirësi, sepse nuk është formë ndihme, por nëj mënyrë e gabuar në përpjekjet për të bërë diçka të mirë. Do të vazhdomë të bashkëpunojmë me Qendrën Lira në Berat që kujdeset për fëmijët me handicap fizik dhe psiqik dhe me shkollën fillore të Moglicës. Impenjimi ynë konsiston në materialet ndihmëse për veprimtari në to. Nuk shpërndajmë para, por materiale si në rastin e vitit 2013 ku sollëm dy kompjutera, një krevat për masazh fizioterapi, 4 karroca për invalidët, veshje, materiale didaktike, lodra, instrumente muzikore dhe shumë gjëra të dobishme. Do të jem në Shqipëri përsëri nga data 8 -18 maj me miqtë e Magna Grecia of Road. Do të mbërrijmë me traget në Durrës dhe dy kamiona, do të vizitojmë vende ku ka lapidarë të ushtarëve italianë që kanë rënë në territorin shqiptar, Kuç dhe Berat, gjatë Luftës së dytë. Me ne do të jetë edhe Kryebashkiaku i një qyteti arbëresh të Kalabrisë. Po programojmë edhe një udhëtim tjetër në shtator me të njëjtën filozofi turizëm dhe ndihma për fëmijët.
Pyetje : A keni programe të tjera për vitin 2014?
Përgjigje : Kemi edhe ide të tjera që janë në fazën embrionale dhe që do të më pëlqente t’i bëja në Shqipëri, por kur nuk i kemi gjërat e përcaktuara, më mirë preferoj të mos flas. Entuziazmi ynë ndaj vendit tuaj është i madh dhe merita është e personave që kemi takuar dhe që do të takojmë.
Faleminderit Arjan!
Faleminderit Ju dhe miqve tuaj për ndihmën!
Përgatiti Arjan KallÇo