• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një ekspozitë fotografike për shqipërinë në Ferrara

March 24, 2014 by dgreca

Kultura nuk ka kufij është shprehja më e drejtë që na shoqëron kudo në takime dhe veprimtari mes dy kulturave tona – italiane dhe shqiptare – në të dyja brigjet e detit Adriatik. Dhe kemi plotësisht të drejtë ta pranojmë dhe ta themi me plot gojë se kulturat e kanë më të lehtë integrimin. Lidhjet me Italinë janë shumë të vjetra dhe sot vazhdojnë të kenë të njëjtën forcë dhe reciprocitet si në të shkuarën. Një vend i vogël si Shqipëria e ndjen nevojën që, në këtë kohë të vështirë të historisë së saj, të ketë mbështetje në Europë, edhe për statusin kandidat për të cilin po flitet shumë kërkohet një mbështetje e tillë. Italia dhe vendet e tjera të fuqishme fqinje janë më të natyrshmet, pasi me to kemi mundësitë më të shpejta për të bashkëpunuar dhe komunikuar. Që nga viti 1990 e deri më sot shumë institucione dhe shoqata italiane kanë dhënë një kontribut të vyer dhe kanë bërë një punë të shkëlqyer në ndihmë të vendit tonë, të popullit, të kulturës, arsimit, të dyja këto si dy shtyllat e së shkuarës, së sotme dhe së ardhmes. Një nga këto shoqata është dhe MYLAND me president z. Francesco Malaspina që bashkë me anëtarët e saj përpiqen të ndihmojnë zonat që kanë ende vështirësi të mëdha në shtegtimet e tyre në vendin e shqiponjave. Por një tjetër veprimtari e ndezi dritën e shkëmbimeve dhe bashkëpunimeve në muajt e parë të këtij viti, një ekspozitë fotografike me pamje nga vizitat e tyre në qytete të ndryshme të Shqipërisë, dedikuar heroit shqiptar të të dy botëve, baronit me titull të plotë mes fisnikëve italianë, Gjergj Kastriotit. Ekspozita ka patur një interes të madh mes të dy komuniteteve dhe një sukses të madh në qytetin e Ferrarës, pasi është vizituar nga shumë italianë dhe shqiptarë që jetojnë në Itali, prandaj i falenderojmë për këtë nsimë që i lidh më shumë urat tona të bashkëpunimit. Me këtë rast presidenti i shoqatës na dha edhe një intervistë ku mësojmë më në detaje të gjithë veprimtarinë e saj.

Pyetje : Një ekspozitë fotografike për Shqipërinë dhe për të kujtuar Gjergj kastriotin; përse keni zgjedhur heroin tonë kombëtar?

Përgjigje : Sepse heroi juaj kombëtar pati një rëndësi të madhe për historinë gjeopolitike të viteve 1400. Lufta e tij iu kundërvu ekspansionit të perandorisë otomane në të gjithë Europën. Në Itali vetëm studiuesit e njohin se cili ishte. Ne po përpiqemi që ta bëjmë të njohur për italianët këtë njeri të madh dhe për vetë rëndësinë që ka patur për historinë e gadishullit italian.

Pyetje : Shoqata juaj vjen shpesh në Shqipëri, cili ishte kontakti juaj i parë me të? Cilat qytete keni vizituar?

Përgjigje : E themeluam shoqatën për promovim shoqëror Myland në vitin 2012, por udhëtimin e parë  e bëmë në korrik të po atij viti, bashkë me një grup miqsh të Verilindje 4×4 të Triestes, të apasionuar si ne pas udhëtimeve me mjete 4×4. Në fakt kontaktin e parë me popullin shqiptar e pata në vitin 1991, në kohën e eksodit të madh të vitit 1991, kur 27 mijë qytetarë shqiptarëzbarkuan në brigjet e Puljas. Për të qënë i sinqertë në atë kohë nuk e dija se ku ishte atdheu juaj, por nuk isha i vetmi në Itali. E dija që përtej detit Adriatik ishte Jugosllavia e krijuar nga popuj të ndryshëm dhe Greqia. E pranoj që nuk kisha njohje. Është e vështirë të shkruaj se në cilat qytete kemi qënë. Mund të them se deri më sot kemi vizituar në mënyrë të veçantë Jugun e Shqipërisë dhe kemi vizituar disi edhe Veriun. Synimi ynë është ta vazhdojmë këtë rrugë të njohjes. Sa për ide i kemi vizituar qytetet më të mëdha shqiptare dhe në shumë prej tyre kemi qëndruar për disa ditë : Tiranën, Shkodrën, Durrësin, Krujën, Vlorën, Beratin, Gjirokastrën, Elbasanin, Sarandën, Përmetin, Korçën, Gramshin, Pogradecin, Ersekën, Voskopojën etj. Por ndoshta është kurioze ta dini se kemi vizituar fshatra të rëndësishëm të historisë suaj si Kuçi dhe frashëri, apo të rëndësishëm për nga pejsazhi si Thethi. Fshatra të tjerë të panjohur për turistët e huaj si Progonati, ku mund të admirosh një prej kanionëve më të mëdhenj të Europës. Dardhën në këmbë të malit Tomorr, Lekasin në këmbë të zinxhirrit malor të Ostrovicës, Grabovën në malet afër Gramshit dhe mund të vazhdoj edhe më tej me një listë të gjatë.

Pyetje : Vitin e kaluar ishit në Ersekë dhe më pas çuat ndihma në shkollën e Moglicës. Çfarë marrëdhënie keni me qytetet shqiptare?

Përgjigje : Nëse mendon me drejtuesit e bashkive ku kemi qënë, ju them se gjithmonë kur kemi kërkuar takime me ta, na kanë pritur shumë mirë dhe me shumë prej tyre kemi marrëdhënie të bukura njohjesh. Në Ersekë kemi qënë disa herë për motive të ndryshme. Ushqimi është i shkëlqyer (ne italianët e duam shumë kuzhinën e mirë bio). Ka një muze etnografik shumë të rëndësishëm. Mësojmë shumë për historinë tuaj të lashtë dhe moderne, kur i vizitojmë ato. Është një muze për të cilin tregohet kujdes i madh brenda të cilit mund të shohësh detaje historike me shumë vlerë dhe me rëndësi që i kapërcen kufijtë kombëtarë. Ndoshta e ekzagjeroj disi, por UNESKO-ja duhet t’i vlerësojë që t’i ngrejë në nivelin e Trashëgimisë botërore. Në datën 13 gusht në sajë të interesimit të mikut tonë Rinalt Kasko dhe të kryebashkiakut të Ersekës, ishim të ftuarit e nderit në Festën e Trashëgimisë Kulturore të qytetit. Kaluma një mbrëmje të shkëlqyer në sheshin kryesor, me muzikë dhe shumë njerëz simpatikë që na pritën. Një kujtim që do të mbetet gjithmonë në zemrat tona.

Përse shkuam në Moglicë? Ky fshat gjendet në rrugën e ngushtë me zhavorr që kalon përmes kanionit të lumit Devoll. Kishim kaluar aty edhe herët e tjera, por nuk ishim ndalur. Në maj të vitit 2013 vendosëm të zbulonim diçka më shumë dhe aty njohëm drejtoren e shkollës. Lindi një marrëdhënie besimi dhe në gusht 2012 u kthyem që të sillnim materiale për nxënësit. Sa për kronikë në maj 2013 udhëtimi u organizua nga shoqata Magna Grecia Off-Road. Është një klub të apasionuarish të makinave xhip me seli në Rossano Calabro. Jemi miq me presidentin e saj prej shumë vitesh dhe kur vendosin të bëjnë një udhëtim në Shqipëri, më kontaktojnë. Kemi këtë marrëveshje : ata organizohen duke mbledhur veshje dhe lodra për dhuratë ndaj instituteve që kujdesen për fëmijët dhe unë i shoqëroj duke u vënë në dispozicion njohjen time që kam për Shqipërinë.

Pyetje : Themi shpesh se ngjajmë disi, si ju pritën?

Përgjigje : Kemi ngjashmëri, sidomos me italianët e jugut. Bëhet fjalë për një ngjashmëri estetike, por edhe nga karakteri. Sigurisht kemi tradita dhe zakone të ndryshme. Mos harrojmë se prej 600 vjetësh ju vini në Itali. Besoj se gjaku është përzjerrë disi. Pritja është gjëja e parë pozitive që më ka bërë përshtypje nga ju. Duhet ta pranoj se në vitin 2010, isha pak i shqetësuar. Para se të nisesha, shumë më pyesnin nëse isha i marrë që shkoja me pushime në Shqipëri, një vend plot me hajdutë dhe vrasës, ku të gjithë shëtisin të armatosur dhe papritur mund të hash ndonjë thikë. Por unë dhe miku im Alessandro Caniati, u pamë në sy dhe të vetëdijshëm që në rast rreziku do të mbroheshim me radhë dhe iu bashkuam grupitb të xhipave të Triestes që të bënim këtë udhëtim “ shumë të rrezikshëm”. Etapa e parë ishte qyteti i Gjirokastrës. Në orën 2 pas mesante, ndërsa italianët e grupit, flinin të sigurtë në dhomat e tyre të hotelit, unë me mikun tim ngrinim dolli me rakinë tuaj, të ulur në barin e qendrës historike bashkë me tre djem shqiptarë. Përfitoj nga rasti t’i përshëndet Olsi Zhusti, Iani Muka e Dini Mosho. Në sajë të tyre lindi në dhjetor 2011  “Castle Club 4×4 Gjirocaster”. Ishin shqiptarët e parë që njoha dhe tani janë miq të mirë.

***

Pyetje : si lindi ideja që të flisni me imazhe për vendin e shqiponjave?

Përgjigje : Kur udhëtojmë, marrim gjithmonë me vete makinën fotografike. Edhe pse nuk jemi profesionistë, shumë prej fotografive janë të bukura dhe sugjestionuese. Kështu lindi spontanisht ideja që t’i bëjmë publike disa prej këtyre imazheve dhe t’ua bëjmë të njohur italianëve në lidhje me Shqipërinë. Ekspozita fotografike “ Toka e Gjergj Kastriot Skënderbeut” është diçka më shumë. Kemi patur momente të ndryshme për të folur për shoqatën tonë Myland, për historinë e Kastriotit, për të njohur historikisht të shkuarën tuaj të afërt në regjim, vitet ’90 dhe eksodin drejt Italisë dhe Europës, muzikën tuaj me një mbrëmje që u zhvillua ditën e shtunë më 22 mars me mjeshtërin protagonist në piano Robert Bisha. Organizuam më datën 23 një mbledhje fondesh ku morën pjesë shumë shqiptarë që banojnë në Ferrara. Patëm kënaqësinë të kishim këngëtaren tuaj Yllka Kuqi me këngët e traditës popullore. Është një mënyrë që t’ju falenderojmë për mikpritjen që na rezervoni në çdo udhëtim dhe motivi pse u krijuam si Shoqatë e promovimit social.

Pyetje : Në historinë e shoqatës suaj ka veprimtari të tjera për Shqipërinë?

Përgjigje : E kemi krijuar shoqatën nga viti 2012, prandaj historia jonë është e shkurtër. Kjo ekspozitë fotografike është rasti i parë publik në Itali që të flasim për Shqipërinë dhe Myland. Në Itali kemi edhe projekte në fushën sociale, por jo tek Ju. Me Shqipërinë  na lidhin udhëtimet me mjetet tona, ku e njohim vendin tuaj nga ana turistiko-historike, pejsazhin, zbulimin e një kulture të ndryshme nga jona dhe në ndihmë të fëmijëve me struktura të mbrojtura apo shkolla dhe ekspozitën fotografike që mendojmë ta shtrijmë edhe në qytete të tjera italiane. Kërkesat tashmë kanë ardhur.

Pyetje : Prej 23 vjetësh jetojnë në Itali, edhe tek ju, shumë shqiptarë, cilat janë përshtyjet tuaja?

Përgjigje : Unë personalisht nuk kam asnjë përshtypje, pasi nuk i vlerësoj njerëzit nga ngjyra e lëkurës, apo gjuha që flasin. I vlerësoj njerëzit sesi sillen. Mendoj se një qënie njerëzore dallohet nga veprimet dhe jo nga prejardhja. Nëse do të dish se çfarë mendojnë italianët, më vjen keq ta them se ka ende shumë paragjykime ndaj shqiptarëve. Qytetari italian nuk është ende gati që të jetojë në një shtet kozmopolit dhe nuk e vë re se përreth tij ka shqiptarë që me shumë sakrifica janë integruar në strukturat shoqërore italiane. Ka gazetarë, muratorë, avokatë, idraulikë, muzikantë, parukierë, sipërmarrës shqiptarë që jetojnë, punojnë dhe i paguajnë taksat në Itali.

Pyetje : Janë integruar mirë në qytetin tuaj? Si është bashkëjetesa?

Përgjigje : Ferrara është një qytet i vogël, qendra e provincës. Bashkia e Ferrarës ka një popullsi prej 133 mijë banorësh, prej këtyre 1000 janë shqiptarë. Janë integruar por merr vlerë edhe përgjgjia mësipër.

Pyetje : Lexova se që nga dita e parë ka patur shumë vizitorë, si shkoi ekspozita? Pati interes për historinë e shkuar dhe të sotme të vendit tonë?

Përgjigje : Po, duhet të them se pati shumë interes dhe kuriozitet. Numëri i përsonave që e vizituan e kapërceu pritshmërinë tonë. Në 10 ditët e para patëm 800 vizitorë. Mësuam se shumë persona që erdhën synojnë të vijnë me pushime në Shqipëri këtë verë. Interesi për vendin tuaj po rritet, por e kuptuam se lagunat për historinë tuaj të djeshme dhe të sotme janë të mëdha.

Pyetje : Nisma juaj ka edhe një synim të qartë, në ndihmë të popullsisë shqiptare. Udhëtimi i ardhshëm në cilat qytete do të ndalet? Ndihmat kujt do i shkojnë?

Përgjigje : Duhet të sqarojmë disa gjëra : nuk vijmë të kryejmë misione humanitare. Shqipëria nuk është një vend i botës së tretë. Atë që bëjmë në Shqipëri, e bëjmë edhe në Itali. Ndihmën tonë e çojmë në realitete shumë të qarta. Ne nuk bëjmë bamirësi, sepse nuk është formë ndihme, por nëj mënyrë e gabuar në përpjekjet për të bërë diçka të mirë. Do të vazhdomë të bashkëpunojmë me Qendrën Lira në Berat që kujdeset për fëmijët me handicap fizik dhe psiqik dhe me shkollën fillore të Moglicës. Impenjimi ynë konsiston në materialet ndihmëse për veprimtari në to. Nuk shpërndajmë para, por materiale si në rastin e vitit 2013 ku sollëm dy kompjutera, një krevat për masazh fizioterapi, 4 karroca për invalidët, veshje, materiale didaktike, lodra, instrumente muzikore dhe shumë gjëra të dobishme. Do të jem në Shqipëri përsëri nga data 8 -18 maj me miqtë e Magna Grecia of Road. Do të mbërrijmë me traget në Durrës dhe dy kamiona, do të vizitojmë vende ku ka lapidarë të ushtarëve italianë që kanë rënë në territorin shqiptar, Kuç dhe Berat, gjatë Luftës së dytë. Me ne do të jetë edhe Kryebashkiaku i një qyteti arbëresh të Kalabrisë. Po programojmë edhe një udhëtim tjetër në shtator me të njëjtën filozofi turizëm dhe ndihma për fëmijët.

Pyetje : A keni programe të tjera për vitin 2014?

Përgjigje : Kemi edhe ide të tjera që janë në fazën embrionale dhe që do të më pëlqente t’i bëja në Shqipëri, por kur nuk i kemi gjërat e përcaktuara, më mirë preferoj të mos flas. Entuziazmi ynë ndaj vendit tuaj është i madh dhe merita është e personave që kemi takuar dhe që do të takojmë.

Faleminderit Arjan!

Faleminderit Ju dhe miqve tuaj për ndihmën!

Përgatiti Arjan KallÇo

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Arian Kallco, në Ferrara, Një ekspozitë fotografike për, shqiperine

KESHTU E DUE UNE SHQIPERINE !

February 9, 2014 by dgreca

… hebrenj, roma, komuniste, dhe popuj sllave, rus, polak, çek etj. (Vetem ne ish Bashkimin Sovjetik, ma shume se 27 miljone qytetare vdiqen ne lufte, dhe nga vuejtjet e perndjekjet e                                      

 Nga  Sami Repishti */

“Populli i Izraelit nuk do te harroj kurre se gjate diteve te veshtira te Luftes se Dyte Botenore, ata gjeten tek populli shqiptar mbrojtje dhe mikpritje te sinqerte.” (Ezer Weizman, President i  Izraelit)

***

New York City.SHBA. Per mendimin tim, shprehja e Lame Kodres : “une e dua Shqiperine/Per nje stan ne Trebeshine…” ashte shprehje monumentale e nji te merguemi per vendlindjen e tij: e thjeshte por e plote; fisnike e jo arrogante; madheshtore per çdo vend dhe ne çdo kohe. Monumentale! Sot, shkrimtari qe vdiq ne nji kenete te Myzeqese i uritun dhe i perbuzun nga “shoket e idealit”, po te ishte i gjalle, ndoshta do te shkruente: “Nuk dua villa, as pallate/ As ndertesa me dhjete kate…. Leremeni te lire/ Me nje stan ne Trebeshine!”  Keshtu do te fliste ky shqiptar krenar, viktime e “idealeve” te tradhetueme…!

Nji ndjenje krenarie e qenies “shqiptar” e perjetova une me 27 Janar 2014, me rastin  e ceremonies perkujtimore te viktimave te Holokaustit (Shoah ne hebraishte) gjate viteve te Luftes se II Botenore, te mbajtun ne ambientet e Selise Qendrore te Organizates se Kombevet e Bashkueme, ketu ne New York City, SHBA.

Paneli i caktuem dhe i organizuem nga B’nai B’rith International, nji organizate me prestigj te nalte botenor,  dhe Misioni i Republikes se Shqiperise prane OKB-se, diskutoi temen “The Rescue of Albanian Jews” “(Shpetimi i Hebrenjve Shqiptare” nji titull impresiv, por fatkeqsisht, ne mendimin tim, jo ekzakt. Sepse, shqiptaret shpetuen jo vetem hebrenjt me nenshtetsi shqiptare por edhe te huejte qe te friksuem nga persekutimi nazist, erdhen ne Shqiperi ku gjeten strehimin qe u shpetoi jeten. “The Rescue of Jews by Albanians” (Shpetimi i Hebrenjve nga Shqiptaret”) do te ishte ma korrekt, me qene se hebrenjt u shpetuen edhe ne Kosove nga shqiptaret e Kosoves, e Maqedonise.

Ashte nji manifestim i karakterit te popullit shqiptar, dhe i traditave shekullore te mikpritjes –tue perfshi edhe hasmin!- pavaresisht nga vendbanimi i tyne. Dhe ky ashte nji sukses i madh qe nuk duhet harrue.

Sidoqofte, me kete titull u pasunue veprimtaria e “Dites Nderkombetare te Perkujtimit te Holokaustit” qe mbahet per ruejtjen e kujteses se “ zhdukjes” se miljona qeniesh njerezore nga rregjimi shnjerezor nazist- qenie te pafajshme, te pambrojtje, te pafuqishme, gra, pleq, femije, sidomos femije, keto simbole te pafajnise!- kryesisht, krimineleve naziste). Nji shperfillje monstruoze e shenjtenise se jetes se njeriut.

Ne kete katastrofe te paimagjinueshme , kur njeriu zbriti ne thellesite ma te uleta dhe te paprekuna ma pare ne histori, aty ne erresinen e plote ku strehohen tortura dhe vdekja qe tremben nga drita e diellit, humben jeten ne kampet naziste edhe disa qindera vellazen e motra shqiptare (dhe kusherini im, 17 vjeçari Zyhdi Repishti). Holokausti ka qene dje, ashte sot dhe do te mbetet per jete nji disfate morale per te gjithe boten e qytetnueme per arsye te heshtjes se madhe qe vrau, dhe nji njolle e pashlyeshme ne historine e popullit gjerman. Perkujtimi solemn i Holokaustit ka nji qellim qendror: “Heshtja vret. Mos heshteni para krimit. Ngrijeni zanin nalt. Ndaloni doren vrastare”.

Ne kete kuader te ferrit mbi toke, ne kete humnere krimi te ushtruem me metoda “shkencore” ka pase edhe “shkendia” te dashunise se njeriut per njeriun: qenie njerezore te thjeshta, klerike dhe intelektuale te guximshem gjeten kurajon e mjaftueshme me ngrite zanin me nji “Jo!” te fuqishem kunder murtajes naziste, dhe me luftue ate me aktin sublim te “shpetimit” te jeteve se kercenueme, edhe me rrezikun e jetes se tyne. Ky akt tejet njerezor dhe guximtar ngushellon sot boten akoma te tronditun me bindjen se ekziston nji “fryme njerezore” qe afron çdonjenin nga ne “si vellau me vella”, sidomos ne raste te rrezikut suprem. Kjo ashte esenca e solidaritetit njerezor qe u çfaq e forte ne popullin shqiptar gjate viteve te L2B.

Ketu del ne shesh epersia e shpirtit tone mbi egersine e epsheve tona shtazarake per shtypjen dhe torturen, dhe e akteve tona kriminale. Ky akt sublim duket sikur i thote krimit –individual ose i organizuem- “Ndal! Na jemi qenie njerezore te paisuna  me arsye dhe ndergjegje, na nuk lejojme kalimin e krimit mbi koket tona! Na jemi gati ta luftojme me te gjitha kufizimet qe na imponon natyra e jone njerezore, por qe na i tejkalojme tue sfidue rrezikun e vdekjes. E ne se vdesim sot per kete Ndal! historik, ashtu qofte! Qofte bekue vdekja, sepse vdesim te lire nga pesha e pergjegjsise….” Keshtu folen shqiptaret qe me rrezikun e vdekjes, ndihmuen viktimet hebraike gjate L2B.

Keshtu e due une Shqiperine!

Mendime te ketilla me mbuluen kur lexova pershkrimin e ceremonise ne OKB. Me gjithe ftesen, nuk mora pjese per arsye te nji moti shume te ashper. Ftesa qe mora shkruen:

”Ne nji kontrast te jashtezakonshem me ate qe ngjau ne te gjithe Europen, Shqiperia – nji komb me shumice myslimane e okupueme nga Gjermania gjate viteve 1943 dhe 1944 – u ba nji çerdhe strehimi per virtualisht te gjithe popullsine hebraike, dhe te tjere, qe kerkuen nji vend te sigurt gjate viteve te Holokaustit. Si rrjedhim, rreth 2.000 hebrenj u shpetuen nga gjenocidi nazist ne kete vend te vogel, e te ndryshem nga te tjeret”.

“Shqiperi, Shqiperia e ime!” thashe me krenari. Ne vend te pare “Shqiperi, “ perserita, “ti me jep nder, ti me jep emrin shqiptar!”

Tue fole para publikut ne Sallen e OKB-se, Zonja Johanna Nahuman, qe mbijetoi Holokaustin ne saje te ndihmes shqiptare, e pershkroi  keshtu kete fenomen te rralle ne historine e njerezimit:

“…Une ia detyroi jeten time shqiptareve. Po qe se bota do te ishte shqiptare, ne nuk do te flismim sot per Holokaustin”.

Po qe se bota do te ishte “shqiptare”…. Keshtu e due une Shqiperine!

Shqiperia e vogel, e vorfen por fisnike e kreu detyren e saj me sukses. Ashtu si dhe Kosova. Per te huejt ky qendrim spontan, individual dhe kolektiv i organizuem ne grupe vullnetaresh nga vete shqiptaret,- myslimane e te krishtene- per nji kohe te gjate  mbeti nji “fenomen” enigmatik per masat e shumeta e te painformueme. Per ne shqiptaret ka spjegimin e vet.

Ne nji studim timin “Hebrenjt ne Shqiperi: Historia e Nji Mbijetese “ (The Holocaust:Essays and Documents” R.L.Braham, Editor, N.Y.`2009) jam perpjeke me spjegue se qendrimi i shqiptareve ndaj hebrenjve nuk ka  qene “nji akt spontan” (“un acte gratuit” si e quejne françezet) por vazhdimi i nji procesi te gjate, nji akt autentik. Ne historine e popullit shqiptar nuk ka nji rast te vetem ku hebrenjt jane viktimizue nga shqiptaret; nuk ka nji rast te vetem  kur hebrenjt jane debue nga shqiptaret, dhe nuk ka nji rast te vetem qe tregon bashkepunimin e shqiptareve me nazistet gjermane ne te ashtu-quejtunen “zgjidhja perfundimtare” . Anti-semitizmi as nuk ka linde as nuk ashte zhvillue ne Shqiperi. Ai ka qene, dhe mbetet edhe sot, nji “fenomen” i huej per shqiptaret

Vite ma pare , i ndjeri Imzot Fan S. Noli shkruente:” Si Izraeli ashtu e dhe Shqiperia jane dy vende te vegjel. Te dy kane rrenje te thella. Te dy kane nje histori mundimesh dhe vuejtjesh. Dhe te dy vendet kane ruejte identitetin  dhe kulturat e tyne respektive. Keto ngjashmeni formojne nji lidhje te perbashket ne mes te hebrenjve dhe shqiptareve”..

Sot, kudo qendrimi i shqiptareve spjegohet me traditen tone te “Beses”, zemra e Kanunit tone,  si spjegimi ma i zakonshem. Por “Besa” permban edhe “turpin” per shkelsin kur ajo nuk mbahet, si dhe “mikpritjen” si tradite kombetare qe e dallon ate, e qe ne thelb,  ashte “ndihme”, qofte edhe me sakrificat ma te medha per “te huejin”, qe troket ne dere, e qe ne vendin tone quhet “mik”.

Akti fisnik i mbrojtjes se te persekutuemeve ashte aq i vjeter tek shqiptaret sa edhe Testamenti i Vjeter, dhe aq bashkekohor sa edhe vitet e Holokaustit (Shoah) dhe te ekzodit kosovar te viteve 1998-9. Pa dyshim, rasti unik i shqiptareve kerkon nji studim te thelluem psikologjik dhe sociologjik – te individit dhe te shoqenise shqiptare!

Fenomeni i qendrimit shqiptar ne mbrojtje te persekutuemeve dhe   personave qe kerkojne strehim ne kohet moderne, tregohet sidomos nga momentet historike te shekullit te fundit. Shqiptaret e perndjekun nga  serbet e malazezet ne vitet 1877-78, te njohun akoma sot si “muhaxhiret” (refugjatet) ne Kosove, u perkrahen nga  bashke-atdhetaret vendas. I njajti fenomen shihet edhe ne vitet 1878-1920 edhe me shqiptaret viktima te Malit te Zi, Qe nga Nikshipi, Podgorica deri ne Tivar dhe Ulqin, te shperngulunit u strehuen kryesisht ne Shkoder.

Ironikisht, kur ne vitin 1915, ushtria e dobesueme serbe kaloi ne terheqje nepermjet maleve te Shqiperise veriore deri ne Durres dhe Korfuz, ajo  nuk u sulmue nga shqiptaret viktima. Kater vjet ma vone, ne vitin 1919, kur u ri-kthyen si fitimtare ne Kosove,  “shqiptaret” u shperb lyen me  asgjasimin fizik te popullsise, ose “spatrimin etnik”.

Dokument:“Sekretari i Shtetit (Lansing) per A.J.Balfour (Minister i Jashtem Britanik)Paris 18 prill 1919.

“…Ne lidhje me masakrat mbi shqiptaret ne Mal te Zi: Gusinja, Plava, Ipek, Djakova, Podjour dhe Rozhaj kane qene skena te terrorizimit dhe vrasjeve masive nga ana e ushtrive serbe dhe agjentave serbe , politika e te cileve duket se ashte asgjasimi i banoreve shqiptare te krahines”. Me nderime Robert Lansing.”

Mbas vitit 1912, ushtrite e munduna turke nuk u sulmuen nga banoret shqiptare per hakmarrje, sepse ishin te dorezueme (“nuk priten ne bese”). Nderkaq, energjite e shqiptareve u mobilizuen me strehue çamet e perndjekun te vilajetit te Janines dhe Çamerise qe u debuen me dhune nga trupat ushtarake greke dhe banditet greke, te ardhun nga ishulli i Kretes. (1912-1920) dhe ma vone me shpernguljen e tyne te detyrueshme ne Turqi. Por kur ne vitet 1940-44, gjate okupacionit italian e gjerman te Greqise greket e uritun u drejtuen kah shqiptaret per buken e gojes , ata gjeten mikpritjen dhe mbrojtjen qe i shpetoi ata nga uria.  Menjihere mbas kesaj situate, kur greket u kthyen si   fitimtare, shume nga ata greke qe shpetune nga uria me buken shqiptare u angazhuen ne zhdukjen fizike te gjenocidit çam, viktimet e te cilit kerkojne edhe sot te drejtat e tyne te mohueme.

Me 1943, mbas kapitullimit te Italise fashiste, ma shume se 100.000 ushtare italiane mbeten robe ne token tone. Pothuejse te gjithe gjeten strehim ne familjet shqiptare ne te kater anet e vendit. (Me nji perjashtim makaber: qendrimin e komunistve shqiptare qe ekzekutuen robe lufte te pafajshem ne kundershtim me çdo norme nderkombetare)

Gjate viteve te veshtira te rregjimit komunist, lindi spontaneisht fryma e solidaritetit. Megjithe vorfnine e tejskajshme, familjet shqiptare ndihmuen njena tjetren, dhe te gjithe se bashku ndihmuen , familjet qe vuejshin ma shume: te persekutuemet…! Familja ime ashte nji shembull.

Dhe ajo ma e fundit: ekzodi kosovar i viteve 1998-99,. Kur ma shume se  500.000 refugjate kosovare kerkuen strehim ne Shqiperi, ata u priten me nji zemergjanesi te madhe qe çuditi boten mbar, sidomos publikun amerikan…!

***

Nji fak del i qarte edhe nga pershkrimi i percipte i ke tij “fenomeni” shqiptar. Ne mbrendine e shqiptarit nuk fshihet egersia e ushqyeme nga propaganda komuniste, por nji bazament moral i forte- i njohun si  “cilesite burrenore” te shqiptarit: bese, nder, burreni, mikpritje …, bazament qe drejton jetet e ketij populli sidomos ne ditet e veshtira.

Çoroditja e diteve tona, qe na turperon te gjitheve,  nuk ashte “shqiptare”; ajo ashte rezultati i nji ideologjie te çmendun  qe zgjodhi “urrejtjen” si vlere kryesore dhe e perpunoi me metodat ma te rafinueme te “luftes se klasave” e ne  kundershtim me çdo gja qe ishte “kombetare”  cilesi qe justifikojshin krenarine e kombit tone- dhe timen!

 * Shqiptaro-amerikan, aktivist per te drejtat e njeriut.

Filed Under: ESSE Tagged With: Keshtu e due, Sami repishti, shqiperine

AMERIKA NUK DO T’I IMPONOJË SHQIPËRISË SHKATËRRIMIN E ARMËVE KIMIKE TË SIRISË

November 12, 2013 by dgreca

Iniciativa e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për t’i paraqitur Këshillit të Sigurimit propozimin që Siria vet të shkatërrojë armët kimike brenda territorit të saj, e transferon zgjidhjen e këtij problemi në prak të derës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, aty ku edhe e ka vendin dhe njëkohsisht ka mundësi të zgjidhë dilemën përballë të cilës gjëndet qeveria shqiptare në lidhje me këtë çështje./

Nga Frank Shkreli/

Siç është njoftuar dhe komentuar ditë e fundit në median shqiptare dhe botërore, Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar bisedime me Shqipërinë dhe me disa vende të tjera europiane për të ndihmuar në shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë.   Janë bërë komente se Shtetet e Bashkuara do t’ia imponojnë Shqipërisë një gjë të tillë, pasi Shqipëria na qenka ”vasale” e Shteteve të Bashkuara dhe se autoritetet shqiptare gjithmonë i thonë, ”Po” Amerikës për çdo kërkersë që ajo u bën atyre, pa marrë parasyshë interesat e vendit.   E vërteta është se Shqipëria si anëtare e NATO-s është tani në valle dhe si e tillë konsultohet dhe shqyrtohen mundësitë për kontributin e saj për sigurinë e përbashkët të vendeve aleate dhe të paqës në botë.  Por  Shtetet e Bashkuara nuk do t’ia imponojnë Shqipërisë, as ndonjë vendi tjetër shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë.   Ky është dhe duhet të jetë një vendim, ekskluzivisht, i popullit shqiptar dhe i qeverisë që e përfaqëson atë, bazuar në sigurinë dhe interesat kombëtare të vendit.  As NATO as Shtetet e Bashkuara nuk do t’ia imponojnë Shqipërisë shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në territorin e saj, nëqoftse Tirana zyrtare e konsideron një gjë të tillë si diçka që është kundër interesave të saja.   Nuk është në natyrën e NATO-s që t’i imponojë gjëra të tilla një vendi anëtar, as nuk është në natyrën e Shteteteve të Bashkuara që t’i imponojnë një gjë kaq serioze një vendi mik si siç është Shqipëria.  Ështe e pa-imagjinueshme që Shtetet e Bashkuara të tërheqin armët kimike nga Siria për të shpëtuar sirianët dhe t’i dërgojnë ato  në Shqipëri për të dëmtuar shqiptarët.   Siç tha edhe ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu gjatë një vizite dje në Kukës, në lidhje me këtë, nuk është marrë asnjë vendim, por sipas tij, “Gjëja jetike është që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mike e Shqipërisë dhe shqiptarëve”  duke shtuar se, “mirëqenia e popullit shqiptar,  është një ndër konsideratat më të rëndësishme të Amerikës. Dhe kjo përfshin edhe dinjitetin e vendit e të qytetarëve të tij”, tha përfaqsuesi amerikan në Tiranë.

Por siç sugjeron edhe ish-ministri jashtëm i Shqipërisë, Marko Bello në faqen e tij në “Facebook”, se këjo zhurmë e madhe në lidhje me këtë çështje mund të jetë shkaktuar nga zelli i tepëruar i  autoriteteve shqiptare, duke zmadhuar dhe ekzagjeruar situatën.   Këjo situatë bëhet edhe më e vështirë nga mungesa e transparencës zyrtare në lidhje me këtë çështje, pasi në një boshllëk të tillë informacioni, të pavërtetat dhe thashë-e-themet përhapen shumë shpejt dhe bëhen realitet.  Jam i sigurt se qeveria shqiptare, në konsultime me aleatët në NATO dhe me Shtetet e Bashkuara – dhe nëqoftse i kërkohet një gjë e tillë zyrtarisht — do të arrijë vendimin e duhur, në interesin e shëndetit dhe mirëqenjes së qytetarve si dhe  në interesin e kombit dhe të marrëdhënjeve të mira me aleatët dhe njëkohsisht të paqës dhe të një bote pa armë kimike.  Shkaërrimi i armëve kimike në Shqipëri mund të jetë një ndërmarrje tepër e madhe për mundësitë logjistike dhe teknike që ka Shqipëria në këtë fushë, e nëqoftse është kështu, atëherë autoritete qeveritare në Tiranë duhet t’i thonë, JO qoftë dhe mikes më të ngushtë, Amerikës dhe NATO-s, duke thënë në mënyrë transparente për publikun, se nuk kemi mundësi të bëjmë një gjë të tillë, për këtë e këtë arsye.  Jam i sigurt se Shtetet e Bashkuara, NATO dhe Bashkimi Europian nuk do e përdorin këtë refuzim kundër Shqipërisë në të ardhmen.

Por siç ndodhë gjithmonë me probleme të mëdha rajonale ose botërore, janë Shtetet e Bashkuara ato që — në mungesë të të tjerëve, ose kur të tjerët rrinë duar kryq — marrin përsipër zgjidhjen e sfidave ndaj sigurimit botëror dhe në mbrojtje të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, siç është  shkatërrimi i armëve kimike të Sirisë.  Dhe si rrjedhim Uashingtoni akuzohet për motive të mbrapshta që nuk kanë të bëjnë me realitetin.  Armët kimike në Siri janë një problem i madh për të gjithë botën, sepse nëqoftse këto armë bien në dorë të terroristëve dhe personave ose orgnizatave të pa-autorizuara, pasojat janë të pa-parashikueshme për të gjithë.   Si e tillë këjo është një emergjencë — jo vetëm për Amerikën, NATO-n,  Bashkimin Europian, Shqipërinë dhe vendet e tjera me të cilat po bisedohet për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë, por është një çështje edhe  e sigurimit ndërkombëtar, pikërisht një çështje me të cilën, që po të ishte e mbara, do të merrej Organizata e Kombeve të Bashkuara. Ndonëse ishte Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, ai që shtatorin e kaluar miratoi rezolutën për të siguruar dhe për të shkatërruar armët kimike të Sirisë me qëllim që t’i tërheqë ato nga zona e luftës.

Vendimi për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë e ka adresën, jo në Tiranë as në ndonjë vend tjetër të Europës, por tek Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, megjithë shantazhet e Rusisë dhe të Kinës brenda këtij këshilli.  Në lidhje me këtë, agjencia japoneze e lajmeve Kyodo citoi dje Sekretarin e Përgjithëshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon se ai është duke marrë në konsiderim  t’i kërkojë Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të mbështetë një propozim të tijin që Siria vet të shkatërrojë armët e saja kimike, brenda territorit të saj.  “Jam duke marrë në konsideratë që t’i bëjë thirrje Këshillit të Sigurimit që të kërkojë menjiherë transferimin e armëve kimike të Sirisë në qendra të sigurta mbrenda Sirisë ku mund të vendosen dhe ku njëkohsisht mund të shkatërrohen ato armë.”  Ban Ki Moon, sipas agjencisë japoneze të lajmeve, shprehu gjithashtu zemërimin e tij në lidhje me ndasitë dhe përçarjet, si dhe pamundësitë dhe paralizimin brenda Këshillit të Sigurimit për të marrë ndonjë vendim të përbashkët mbi krizën në Siri, ndërkohë që Rusia, aleate e dikatorit sirian Assad dhe Kina kanë përdorur veton ndaj tri rezolutave mbi Sirinë, ndërsa deri tani në atë vend kanë humbur jetën më shumë se 110,000 njerëz.

Iniciativa e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për t’i paraqitur Këshillit të Sigurimit propozimin që Siria vet të shkatërrojë armët kimike brenda territorit të saj, e transferon zgjidhjen e këtij problemi në prak të derës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, aty ku edhe e ka vendin dhe njëkohsisht ka mundësi të zgjidhë dilemën përballë të cilës gjëndet qeveria shqiptare në lidhje me këtë çështje.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: amerika, Frank shkreli, nuk do ta detyroje, per armet kimike, shqiperine

CARRIE HOOPER DËSHIRON TË VIZITOJË SHQIPËRINË

October 18, 2013 by dgreca

HOOPER: “I  DUA SHUMË SHQIPTARËT,  SEPSE KANË NGADHNJYER DHE MBIJETUAR, ME GJITHË KUSHTET  E  RËNDA, GJATË HISTORISË SË TYRE”/

Nga Prof. Murat Gecaj/

Tashmë, janë të njohura shkëmbimet e ndërsjellta të mesazheve ndërmjet njerëzve, të njohur ose të panjohur. Këtë mundësi na e jep një ndër shpikjet më të rëndësishme të njerëzimit, siç është Interneti. Ndër këta, sigurisht,  jam edhe unë, që kam dërguar ose kam marrë mesazhe të shpeshta, në shtete e kontinente të ndryshme të botës, por dhe që kam komunikuar përmes “Skype” etj. Natyrisht, nuk kemi se përse të “mburremi”, as vetë as ndonjë tjetër, nëse shprehemi se, gjatë ditës, dërgojmë ose marrim mesazhe përmes Internetit, nga të njohur ose të panjohur, të cilët jetojnë jo vetëm në vende të ndryshme të Europës, por dhe në shtete të tejera në kontinentet: Amerikë, Kanda, Australi, Afrikë ose Azi.

Pa u zgjatur më tej, dëshiroj t’u tregoj lexuesve, se pikërisht sot, mora një ndër mesazhet, që më duken më interesantë dhe më domethënës. Atë ma dërgonte znj.Carrie Hooper, nga Nju Jorku i SHBA-ve. Më bëri shumë përshtypje se, megjithëse e vërbër, kishte një veprimtari shumë të dendur dhe se, ndër vendet,  që ajo nderon e vlerëson, është Shqipëria jonë dhe, ndër gjuhet e shumta, që ka mësuar në largësi, është gjuha jonë amtare.

Meqenëse ajo më shkruante se e-mailin tim e kishte gjetur përmes kolegut e mikut tim publicist, Dalip Greca, Editor i Gazetës “Dielli”, në New York të Amerikës,   po sot,  i dërgova këtij një mesazh të shkurtër, në përgjigjen e të cilit ishin këto fjalë:

“I dashur Prof. Murat Gecaj! Të gjitha ato, që ju shkruan Carrie Hooper, janë të vërteta. Edhe letrën, në gjuhën shqipe, ajo e ka shkruar 100 për qind vetë. Edhe flet shqip-shkëlqyeshëm. Shkruan dhe poezi shumë të bukura shqip e këndon shqip. Sa për kërkesën e saj, për ta vizituar Shqipërinë, është e mira që ta marrë përsipër ndonjë instituticion shtetëror, sepse ka nevojë për shoqërues…Sinqerisht: Dalipi”.

2.

Për të kënaqur kureshtjen e  lexuesve, letrën që ka shkruar znj. Carrie Hooper, po e publikoj të plotë dhe pa bërë asnjë korrigjim gjuhësor në të. Me këtë rast, e përshëndes atë përzemërsisht, nga kryeqyteti ynë dhe e falënderoj sinqerisht, për tërë atë veprimtari të dobishme dhe, veçanërisht, për dashurinë dhe respektin, që ajo ka për Shqipërinë dhe gjuhën tonë amtare.

Duke marrë parasyshë gjendjen shëndetësore të kësaj mikeje të mirë amerikane, e cila është me gjendje të rënduar shëndetësore dhe, megjithatë, shprehë dëshirën e saj për ta vizituar Atdheun tonë, po u drejtohem  edhe organeve tona të larta shtetërore në Tiranë, por dhe përfaqësuesve tanë diplomatikë në Vashington, që ta shohin me dashamirësi dhe përparësi këtë kërkesë dhe të bëjnë të pamundurën, që asaj t’i plotësohet dëshira, për të ardhur sa më shpejt në Shqipëri.

Ja, letra e znj. Carrie Hooper:

“I nderuar Prof. Murat Gecaj,
Përshëndetje! Unë quhem Carrie Hooper dhe jam nga Elmira të Nju Jorkut në ShBA. E mora emailin tuaj nga Dalip Greca, redaktori i Gazetës Dielli. Kam lexuar shumë shkrimet tuaja dhe më pëlqyen shumë.
Jam amerikane pa asnjë prejardhjeje shqiptare. Jam krejt e  verbër që nga lindja dhe punoj si pedagoge të gjermanishtes dhe  të italishtes tek Elmira College në qytetin tim të lindjes. Më  tej jap piano dhe kanto në shtëpinë time dhe jap koncerte vokale  në vende të ndryshme. Përveç kësaj këndoj në dy kore dhe i bie  pianos. Më pëlqen të mësoj gjuhë të huaja dhe përveç italishtes  dhe gjermanishtes, kam mësuar suedisht, spanjisht, pak  finlandisht, pak frëngjisht, pak rusisht, dhe latinisht.
Para pesë vjetësh fillova ta mësoja gjuhën shqipe pasi kisha një  student nga Shqipëria në kursin tim të italishtes. Në fillim  përdora një libër në brail dhe pastaj dëgjova një kaset me  përralla në shqip. Gjithashtu bleva një fjalor shqip-anglisht që  një grua e transkriptoi në brail për mua. Në verën e vitit 2009  dhe në verën e vitit 2010 ndoqa kurse të gjuhës shqipe tek  Arizona State University në Tempe të Arizonës.
Shkruaj poezi shqip dhe disa nga poezitë e mia janë botuar në  Gazetën Dielli si dhe në revistën Kuvendi që botohet në shtetin e  Michiganit. Më tej kam shkruar artikuj për Gazetën Dielli.  Gjithashtu kam dhënë intervista për Radio Kosovën, për Radion e  diela, një program që transmetohet në Toronto të Kanadasë, për
emisionin Shqiptarët e Amerikës me gazetarin kosovar Qazim Doda,  si dhe për Gazetën Dielli dhe për gazateren Rajmonda Moisiu. Për  më tepër kam kënduar për veprimtari të organizuar nga bashkësitë  shqiptare në Nju Jork, Detroit, dhe toronto. Më tej këndova në  Kishën e Shën Elia në Jamestoën të Nju Jorkut dhe në Kishën e Shën Gjergjit në Boston të Massachusetts-it. Jam anëtare e një  ansambli folklorik, Bashkimi Kombëtar, me drejtor Gjergj Dedvukaj  dhe kam mësuar t’i bie çiftelisë.
Dëgjoj programet e Radio Tiranës, të Radio Vatikanit, dhe të  Radio Marisë, të cilët shoku im më inçizon nga interneti, dhe  lexoj artikuj nga gazeta shqiptare duke përdorur kompjuterin tim  të aksesshëm.
Gjuha shqipe është gjuha ime e preferuar dhe i dua shumë  shqiptarët sepse kanë ngadhënjyer dhe mbijetuar megjithë kushtet  e rënda gjatë historisë së tyre. E adhuroj shumë mikpritjen e shqiptarëve. Do të dëshiroja ta vizitoja Shqipërinë. Nga  Carrie Hooper (e-maili: hoot751@stny.rr.com)”.

Tiranë, 18 tetor 2013

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: carrie hooper, deshiron te vizitoje, Murat Gecaj, shqiperine

SHKO NË SARAJEVË TË KUPTOSH SHQIPËRINË!

August 9, 2013 by dgreca

Në Foto:Ambasadori i Shqipërisë në Bosnje, Flamur Gashi/

Nga Ylli POLOVINA*/

Më 30 korrik, ora 15.30, takimi i ambasadorit shqiptar në Sarajevë, Flamur Gashi, me Pane Shkërbiç, president i Agjencisë për Zgjedhjen dhe Promovimin e Menaxherëve të Bosnjë-Hercegovinës dhe të Europës Juglindore e Qendrore, zgjati afro tridhjetë minuta. Kur më në fund i porsaardhuri nisi të zbriste shkallët për të ikur dhe në oborrin e ambasadës kreu ceremoninë e fundit të protokollit, një foto të përbashkët dhe shtrëngimin e duarve, pikërisht kur bashkë me dy shoqëruesit e bashkëpunëtorët e tij u drejtua për te makina, papritur ktheu rrugë dhe na u riafrua. I gjendur pothuaj rastësisht në atë ngjarje dhe i befasuar nga ajo që pashë gjatë gjysmës së orës së takimit, në fund të bisedës së tij me ambasadorin i pata thënë se për çfarë u bëra dëshmitar, kur të kthehesha në Tiranë, do të shkruaja diçka për gazetën e shumëlexuar “Shqip”. Tashmë, siç duket me një peng për diçka ende të pathënë, Pane Shkërbiç na hodhi të dyve duart në shpatulla dhe mua më tha: “Të lutem një gjë duhet ta thuash nga ana ime për gazetën. Në qoftë se dikush do të më merrte dhe do të më hidhte nga aeroplani me parashutë në Shqipëri, duke mos e ditur ku jam dhe se ku po bie, me atë që pashë gjatë vizitës sime atje, do të thosha se jam ose në Amerikë ose në një shtet perëndimor të Europës”. Pastaj, pa e fshehur emocionin, shqiptoi: “Ta dish, unë e dua shumë sinqerisht Shqipërinë dhe më është krijuar një bindje e jashtëzakonshme për ata njerëz dhe atë vend”.

Dhe, për t’i përcjellë lexuesit jo thjesht një informacion, nënshtetasi boshnjak Pane Shkërbiç është me origjinë serbe. Kur gjatë takimit të tij me ambasadorin e pata pyetur nëse ishte dakord me pavarësimin e Kosovës, më ishte përgjigjur pa mbajtur pezull asnjë rrokje: “Pa dyshim, Kosova e meriton të jetë shtet më vete”. Zoti Shkërbiç para viteve nëntëdhjetë kishte qenë për të gjithë Bosnjë-Hercegovinën shefi i redaksisë së gazetës jugosllave me tirazh të lartë “Osllobozhdenije”. Agjencia që ai tashmë drejton, është një mekanizëm i madh përzgjedhjeje dhe promovimi i nxitësve të biznesit në të gjithë Ballkanin dhe po ashtu të një pjese të madhe të kontinentit. Grupet e saj të punës vëzhgojnë në këto hapësira dhe kanë të regjistruar si kandidatë për t’u seleksionuar dhe vlerësuar me çmime të posaçme plot tre mijë personalitete të këtij profili. Këtë vit, në edicionin e njëzetetetë, i cili u mbajt më 4 korrik, ora 18.00, në hotelin e madh “Holiday” në Sarajevë, ku gjendeshin për t’i bërë jehonë edhe dyqind gazetarë të akredituar në BH, si edhe gjashtë televizione e transmetuan live në të gjithë territorin e ish-Jugosllavisë, u shpallën fitues edhe shqiptarët Flamur Gashi (iu dha titulli “Ambasadori më i mirë”), kryebashkiaku i Prishtinës, akademik Isa Mustafa (si kryetari i bashkisë së kryeqytetit më të mirë për inkurajimin e biznesit) dhe Enver Ferizaj, president i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar. Ky vlerësim i qartë për çfarë përfaqësojmë të spikatur në Ballkan e përtej, përveç të tjerash do të thotë që në një album tepër luksoz të botuar së shpejti nga agjencia e drejtuar prej Pane Shkërbiç dhe bashkëpunëtorëve të tij, i shpërndarë kudo nëpër qendrat e zhvillimit ekonomik të Europës, në një nga faqet hyrëse do të ketë të rreshtuar edhe flamujt e Shqipërisë dhe të Kosovës. Agjencia për Zgjedhjen e Promovimin e Menaxherëve të Bosnjë-Hercegovinës dhe Europës Juglindore dhe Qendrore, e cila e peshon forcën ndikuese dhe autoritetin e saj edhe prej numrit përherë e më të madh të sipërmarrësve, që në edicionet e saj të përvitshme të ndarjes së çmimeve vijnë me avionë privatë, mbulon 40 shtete të kontinentit, përfshi deri tani Gjermaninë, Hungarinë, Austrinë dhe Francën. Si personalitete të vitit, gjithnjë për aftësi të spikatur në nxitjen e klimës favorizuese për biznesin, kanë marrë çmime edhe presidenti malazez, si edhe ai kroat.

Episodi i mësipërm në Bosnjë-Hercegovinë nuk është as i vetmi dhe as më përfaqësuesi i një të vërtete, të cilën jo të gjithë bashkëkombësit tanë e dinë: në këtë vend shqiptarët i çmojnë shumë. Fillimisht je i sigurt se për këtë lidhje të veçantë ka luajtur rol të parë historia e më tej se një mijëvjeçari, pastaj, ndoshta, edhe një fill i lehtë përbashkues i besimit fetar mysliman, patjetër edhe lufta heroike, por edhe e tmerrshme, kundër sulmit serb, në vitet 1992-1995. Dëshmori i parë i saj është inxhinieri Bajram Zenuni, i cili në ditën e fillimit të agresionit, më 2 maj, ndërsa ishte për punën e zakonshme në stacionin e antenave të radiotelevizionit të Sarajevës, mes shpërthimit të papritur të predhave armike që po e goditnin tërbimshëm, u telefonoi eprorëve brenda në qytetin tashmë të tronditur nga nisja e kësaj lufte që do të zgjaste pesë vite dhe me kronikat e saj të dhimbshme do të trondiste tërë botën, duke u thënë se nuk do të lëshonte asnjë centimetër territor nga stacioni. “Jam shqiptar, kishte deklaruar, dhe si i tillë, po të jetë nevoja, do të vdes këtu”. Dhe që po atë ditë ra në mbrojtje të Sarajevës.

Por ajo që na u duk se kishte ushtruar ndikim të posaçëm në këtë imazh mjaft pozitiv tonin në BH, ishte pasviti nëntëdhjetë. Kjo Shqipëri e mbas diktaturës, të cilën ne nga brenda e njohim për problemet që ka në themel, atje ishte adhurim. Të gjithë me të cilët biseduam, sarajevas të thjeshtë apo profesorë, veprimtarë politikë ose fetarë, sipërmarrës apo drejtues të agjencive të njohura turistike, admironin ritmin e lartë të ndryshimit tonë. U dukej si një revolucion zhvillimi, i cili që prej dy dekadash e sidomos dhjetë vitet e fundit, vraponte përpara e nuk donte të lodhej, të ndalte. “Gjithçka ju e kini transformuar, këmbëngulnin ata, e kini përmbysur për mirë”. I habiste energjia e shqiptarëve, lëvizshmëria dhe temperamenti i tyre, prirja drejt modernes, fryma proeuropiane, sensi i paepur kombëtar. Të zënë në befasi nga ky kult shqiptar, përpiqeshim t’u thoshim se vuajmë nga jo pak të meta, se në vendin e tyre, për shembull, vepronte aq fort ligji sa kush nuk i paguante taksat deri ditën e caktuar si kufi mujor, e shembnin ndëshkime të rënda. U kujtonim se në linjën e tramvajit të tyre, ku bileta ishte një markë e gjysmë vendase, kontrollorët po të të kapnin pa biletë të dënonin me një gjobë njëqind markëshe dhe guxoje, po deshe, të mos e shlyeje! Megjithatë sarajevasit nuk jepeshin, Shqipëria u dukej bukuria e dheut, ca më shumë kur në mes futej edhe bregu i pafund i dy deteve tanë të ngrohtë, si edhe ushqimi i shijshëm.

Imazhi ynë i mirë, si një vend me njerëz të zotë, u rrit edhe më 25 korrik, kur në mbrëmje, në stadiumin e Sarajevës, skuadra futbollistike e Kukësit, nëpërmjet ruajtjes taktike të një barazimi, fitoi mbi vendasen. Për fat isha aty në këtë çudi. Kam fiksuar gjithçka, që nga siluetat në fushë dhe loja shumë elegante e ekipit kuksian, deri tek inteligjenca e grupit të tij stërvitës, po ashtu edhe fizionomia tepër pasionante, e përkushtuar dhe e sinqertë e presidentit të klubit, Safet Gjici. Një qytet i vogël shqiptar të mposhte Sarajevën e famshme treçerek milionëshe mu në zemër të Ballkanit! Ishte si në eposin e Mujit dhe të Halilit.

Këto ditë pritet që tenderin e uniformave të policisë së Bosnjë-Hercegovinës ta fitojë një kandidat me ofertën më të mirë. Ai është një shqiptar nga Tirana. Dyqind biznesmenë nga BH ka dërguar deri tani ambasada jonë, në bashkëpunim me autoritetet vendase, në Shqipëri. Në vitin 2010, kur për herë të parë, në muajin gusht, nisi punën në Sarajevë përfaqësia jonë diplomatike, nga 6700 turistë të këtij vendi, të vetëdeklaruar se patën shkuar në vendin tonë, vitin e kaluar shifra kërcyese shkoi në 31 800.

Pamja jonë në “pasqyrën e Sarajevës”, ndërsa kemi boll të meta, por edhe ndaj nesh prej disa mjediseve të huaja ngulmojnë me tendencë jodashamirëse paragjykime negative, mbase na bën mirë. Një vetëvlerësim, qoftë edhe psikologjikisht, na nxit dhe jep besim. Për fat jemi më të mbarë nga sa të prapë mbahemi apo e dimë veten. Sidomos jemi më pozitivë nga sa na vizaton politika jonë me mënyrën dekurajuese se si ajo e zhvillon së brendshmi luftën e saj për rivalitet e kontroll të pushtetit mbi territor. Edhe pse kur qeverisin kanë merak ta zhvillojnë vendin e tyre, në polemikën e përditshme verbale, me gjuhën që përdorin, ta mërzitin Shqipërinë.

Gjatë disa ditëve të qëndrimit në Sarajevë, aty ishte edhe një ekip nga “Top Channel”. Ishte ai i Marin Memës, i emisionit “Shqipëria tjetër”. Nuk e di çfarë theksi do t’i vendosë kur ta shfaqë, në vjeshtë, por edhe ata qenë një risi e bukur. Trupë xhirimi me ritëm e shije perëndimore. Ndërsa Marini vërtiste kudo, për të gjetur detaje, sytë e tij vetëtitës dhe Edmond Sevi i pafjalë rendte pa pushim për ta fiksuar nëpër vapë kamerën e rëndë, shoferi i tyre, Dashnor Koroni, një çast, me një dinjitet të hijshëm, nxori nga xhepi dhe na tregoi teserën e Partisë Demokratike. Marin Mema, kritikues, për shkak të profesionit, i kësaj qeverie tashmë në ciklin e ndërrimit, tek e shihte këtë skenë, e shkëndijonte vështrimin me krenari.

Shqipëria nuk është e bukura e dheut, por aspak edhe e sëmura e Ballkanit. Ajo është e shëndetshmja e gadishullit, më ambiciozja për ndryshim, me sa duket edhe më realizuesja. Por duhet të shkosh në Sarajevë për ta kuptuar dhe ndier këtë.
*(Botuar në gazetën “Shqip” më 5 gusht 2013)

 

Filed Under: Rajon, Reportazh Tagged With: shko ne Sarajevo, shqiperine, te kuptosh, Ylli Polovina

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • Shqipëtarët me besim të pakufishëm se Amerika se do të jetë miku ynë i përjetshëm
  • Eugene Pittard dhe kontributi i tij nё zbulimin e periudhёs sё Neolitit (7000-4500 p.Kr) nё Shqipёri
  • Argjentina një ëndërr e jetuar
  • “Kisha mesjetare e Shën Aleksandrit në Bokion (Pruell-Spiten): Historia dhe arkitektura”
  • 4 Korriku – Meteor i Demokracisë Botërore dhe Dritë Udhërrëfyese për Lirinë e Popujve
  • FEDERATA VATRA: AMERIKË, GËZUAR 4 KORRIKUN, 249 VJETORIN E PAVARËSISË
  • 10 arsye përse ne shqiptarët duhet të duam SHBA-në pa kushte
  • Jehona e Deklaratës së 4 Korrikut të vitit 1776 në SHBA dhe Shqipëria
  • Sotir Kolea, 4 shtator 1872 – 3 korrik 1945
  • Bajroni dhe dy këngë të Folklorit Shqiptar
  • Aty, ku fjala, kënga, vallja, lutjet, gëzimi e hidhërimi bëheshin vetëm shqip!
  • 7 Fakte Tronditëse Ujë me Akull ose me Temperaturë dhome
  • SHKOLLA VERORE SHQIPE NE KROACI, SELCE 2025
  • Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë Dr. Atdhe Hetemi priti në takim Dr. Elmi Berishën, kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA
  • Mësuesit e Shkollës Shqipe në Bavari

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT