• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Papa, shqiptarëve: Skënderbeu nuk është vetëm i së kaluarës

November 19, 2018 by dgreca

1 Papa

Organizuar nga e ngarkuara me punë në ambasadën e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, zonja Majlinda Dodaj, takimi u mbajt në Sallën Klementine në Vatikan, që u mbush me njerëz nga Shqipëria e nga trevat e tjera, ku banojnë shqiptarë, por edhe me arbëreshët e Italisë.

Grupi shoqërohej nga kardinali Simoni, nga pesë ipeshkvij katolikë –  imzot George Frendo, imzot Angelo Massafra dhe imzot Simon Kulli të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe dy ipeshkvij arbëreshë: imzot Donato Oliverio i Eparkisë së Ungrës dhe imzot Giorgio Gallaro i Horës së Arbëreshëve – por edhe nga krerë e përfaqësues të besimeve të tjera fetare nga Shqipëria, nga presidenti i Parlamentit shqiptar e nga ministra e autoritete të tjera politike.Dalloheshin kostumet arbëreshe e ato të veriut shqiptar, veladonët e ipeshkvijve, kapela e kuqe e kardinalit, veshjet për festë të besimtarëve, ndonjë fytyrë kureshtare e Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, artistët me origjinë shqiptare, që njihen tashmë, në të gjithë botën.

Fjalët e Papës Françesku

Duke kujtuar Skënderbeun, Papa Françesku nënvizoi se Heroi kombëtar i shqiptarëve “mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë, aq sa të meritonte titullin ‘Athleta Christi’. Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar”. Por Ati i Shenjtë nuk mbeti në kohët e shkuara. I nxiti shqiptarët për “një impenjim të risuar të të gjithëve – institucione e qytetarë – në favor të zhvillimit të vërtetë e të ekuilibruar, në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të zgjedhin emigracionin”. U foli për “shqiptarinë” e Pashko Vasës, i cili e përdori këtë term për të “treguar identitetin shpirtëror, që i bashkonte gjithë shqiptarët, përtej dallimeve me natyrë fetare. Në Shqipëri – pohoi Papa – kjo bindje i dha shtysë bashkëjetesës paqësore ndërmjet njerëzve, që u përkisnin feve të ndryshme, duke u kthyer me kohë, në bashkëpunim e vëllazërim”. Ati i Shenjtë kujtoi atmosferën e respektit e të besimit të ndërsjelltë ndërmjet feve në Shqipëri – fakt, që e përmendi edhe gjatë udhëtimit të tij apostolik në vend, më 21 shtator 2014. E së fundi, kujtoi martirët e komunizmit dhe Nënë Terezën, shenjten shqiptare të dashurisë, duke u kërkuar të gjithëve të luten për të.

Koncerti në Teatrin Argjentina të Romës

Gjithë grupi i shqiptarëve, pas takimit me Papën Françesku, shkoi në Teatrin Argjentina, në qendër të Romës, ku në orën 20.30, 10 artistë shqiptarë me famë botërore dhanë koncertin me temë “Të bashkuar në muzikë, në kujtim të Skënderbeut”. Dua Lipa, Ermal Meta, Inva Mula, Olen Çezari, Ramë Lahaj, Genc Tukiçi, Eno Peçi, Elhaida Dani, Lorik Cana dhe Erza Muqolli, këngëtarja 8-vjeçare, aq e dashur për publikun francez: këta janë “yjet” shqiptare në koncertin e Romës për Gjergj Kastriotin. Publiku përshëndetet nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.

Nesër, pritja në Urdhërin e Maltës

Nesër, në orën 10.00, delegacioni shqiptar do të pritet në Pallatin Magjistral të Urdhërit Sovran të Maltës, nga Mjeshtri i Madh, frà Giacomo Dalla Torre del Tempio di Sanguinetto. Me këtë Urdhër, Shqipëria ka lidhur marrëdhënie që nga viti 1994.

Në vitin 1968, takimi me Papën Pali VI

Para 50 vjetësh, një grup tjetër shqiptarësh takohej me Papën Pali VI, i cili u shpall shenjt nga Kisha vetëm pak javë më parë. Ishte viti 1968, koha kur komunistët rrënonin kisha e xhami dhe e deklaronin vendin ateist. E siç shkruhet në numrin e parë të atij viti, në Revistën “Shejzat” të Ernest Koliqit, në atë kohë kur vetëm shqiptarët e diasporës mundën ta takonin, Pali VI u lut që e ardhmja e kombit shqiptar të jetë e denjë për të kaluarën e tij.

Në këtë pikë të dy Papët – Pali VI atëherë e Françesku sot – e mendojnë njëlloj. U bëjnë thirrje shqiptarëve të mos flenë mbi dafinat e së kaluarës, por të ndërtojnë të ardhmen, sipas shembullit më të mirë të heronjve të tyre.(Java)

Filed Under: Featured Tagged With: i së kaluarës, Papa, shqiptareve, Skënderbeu nuk është vetëm

MAQEDONIA, DËNIMET DRAKONIKE NDAJ SHQIPTARËVE

December 4, 2017 by dgreca

-Në bankën e të akuzuarve duhet të ulen edhe organet e gjyqësisë dhe të prokurorisë që u shqiptuan dënime me burg të përjetshëm shqiptarëve të pafajshëm, duke u shkaktuar atyre dhe familjeve të tyre – trauma të përjetshme./

1 Xhelal Zejneli

Nga Xhelal Zejneli/Para rreth 6 vjetëve, gjyqësia e Gruevskit dhe e qeverisë së tij, për rastin “Monstra” i dënoi me burg të përjetshëm gjashtë shqiptarë të pafajshëm. Dy prej tyre, mbetën jashtë duarve të policisë dhe të gjyqësisë së ish-kryeministrit. Kryeministri i përtashëm z. Zaev ia bëri me dije publikut faktin se nga përgjimet rezulton se në Maqedoni kemi procese gjyqësore të montuara, me prapavijë politike. U dënuan me burg të përjetshëm, njerëz që nuk kanë pasur asnjë lidhje me vrasjet në liqenin e Smilkovës, që ndodhi më 12.04.2012, me ç‘rast mbetën të vrarë pesë shtetas të Maqedonisë, të kombësisë etnike maqedonase. Lidhur me tragjedinë e sipërthënë, shprehën keqardhje të thellë të gjithë qytetarët e Maqedonisë, përfshi edhe shqiptarët.

Maqedonia e kohës së Gruevskit dhe e qeverisë së tij ishte një shtet thellësisht antishqiptar. Qeveria e tij, me subjektet politike shqiptare në koalicion, i arrestonte shqiptarët, i gjykonte, i torturonte dhe si në asnjë vend tjetër të botës, i dënonte me dënime drakonike.

Të dënuarit e rastit të liqenit të Smilkovës, për dënimet me burg të përjetshëm, pësuan tronditje të thellë shpirtërore, me pasoja të përjetshme. Tronditje të thellë pësuan edhe të afërmit dhe familjarët e tyre. Dhimbja shpirtërore e tyre nuk do të mund të kompensohet kurrë dhe me asgjë.

Tani, gjyqësia e depolitizuar, pafajësisë së tyre sa më parë duhet t’i japë formë të prerë. Pas kësaj, për dënimin e shqiptarëve të pafajshëm, në bankën e të akuzuarve duhet të ulet ish kryeministri Gruevski, bashkë me të gjithë qeveritarët e qeverive të tij antishqiptare. Qeveritë e Gruevskit e shndërruan Maqedoninë në burg për shqiptarët.

Në bankën e të akuzuarve duhet të ulen edhe organet e gjyqësisë dhe të prokurorisë që u shqiptuan dënime me burg të përjetshëm shqiptarëve të pafajshëm, duke u shkaktuar atyre dhe familjeve të tyre – trauma të përjetshme.

Pasi pafajësia të ketë marrë formën e prerë, të dënuarit shqiptarë duhet të kompensohen në aspektin financiar. Me fjalë të tjera, për vitet e kaluara në ferr, pa pikë faji, si dhe për dramën që përjetuan ata vetë dhe familjarët e tyre, të dënuarve të pafajshëm duhet t’u paguhet zhdëmtim apo dëmshpërblim. Kështu veprohet në të gjitha vendet demokratike të botës.

Duhet të zhdëmtohen edhe qytetarët e rëndomtë të cilët, duke qenë të ndërgjegjshëm, dolën në protesta për të kërkuar drejtësi dhe për të luftuar padrejtësinë. Ndonëse kërkuan drejtësi, protestuesit hasën në dhunën e forcave policore të Gruevskit dhe të qeverisë së tij, me subjektet politike shqiptare – partnerë të bashkëqeverisjes.

Subjektet politike shqiptare që ishin partnerë të bashkëqeverisjes që nga viti 2006 deri në vitin 2016, nuk çanin kokën për drejtësi dhe barazi. Preokupim i tyre ishin ruajtja e kolltukëve dhe interesat meskinë – personalë dhe koniunkturalë. Demagogët e tillë – tregtarë flamujsh, nuk janë të denjë të ekzekutojnë himnin kombëtar dhe të ngrenë në qiell flamurin shqiptar. Gjatë bashkëqeverisjes, subjektet politike shqiptare duhet të kenë parasysh faktin që, nga partner koalicioni të mos shndërrohen në  kuislingë dhe në kolaboracionistë.

Drejtësia duhet të ngadhënjejë edhe në rastin e Sopotit si dhe në tragjedinë e Brodecit. Gruevski dhe qeveritarët e tij duhet të ulen në bankën e të akuzuarve edhe për përdorimin shpërpjesëitmor të forcës ushtarako-policore edhe në rastin e Brodecit, duke u shkaktuar tragjedi shqiptarëve.

Që nga viti 1991 deri më sot, pushteti sllavo-maqedonas, i ndihmuar prej kolaboracionistëve shqiptarë, ushtroi dhunë vetëm mbi shqiptarët. Që atëherë, ndaj shqiptarëve u ndoq një politikë diskriminuese, centraliste, monoetnike, represive dhe opresive. Njësoj si në kohën e diktaturës komuniste të Jugosllavisë kominterniste, avnojiste rankoviqiste dhe serbo-komuniste të viteve 1945-1991.

Që nga viti 1991 e këndej, Maqedonia vazhdon të jetë i vetmi shtet në Evropë, me të burgosur politikë. Të burgosur politikë në Maqedoninë dyetnike, janë vetëm shqiptarët. Një shtet me të burgosur politikë, nuk e ka vendin në familjen evropiane.

Pushtetarët sllavo-maqedonas i kanë të ushtruara vrasjet e kurdisura. Në Vreshtat e Rashtakut, më 2 mars 2002, u ekzekutuan me pabesi dhe me gjakftohtësi gjashtë shtetas të Pakistanit dhe një i Indisë, për të cilët thanë se kanë pasur ndërmend të sulmojnë disa nga ambasadat e vendeve të Perëndimit. Në brez të të rinjve të shtrirë për toke, kishin vënë nga një revole, librin e shenjtë të fesë islame si dhe emblemën e UÇK-së.

Të vrarët ishin djem të rinj që kishin përjetuar golgotë, në rrugën e tyre të mundimshme për një jetë më të mirë. Në çastin e vrasjes nga policët e Lube Boshkovskit, këta të rinj pakistanezë ishin të lodhur, të rraskapitur, të pagjumë, të mërdhirë, të etshëm dhe të unët. Për krimin makabër, nuk u përgjigj askush.

Ky farë Lube, pas ndërprerjes së granatimeve ndaj pozicioneve të UÇK-së në malësinë e Sharrit, në mbrëmjen e 25 marsit të vitit 2001, me forcat ushtarake, policore dhe paramilitare sllavo-maqedonase, u ngjit në një fshat rrëzë Sharrit dhe u tha mediumeve:
“I çliruam fshatarët shqiptarë nga terroristët e UÇK-së”. Është e turpshme për çdo shqiptar të fotografohet në të njëjtin resht me brat Luben, siç kishte ndodhur para do kohësh.

Në asnjë vend të rruzullit dhe asnjëherë në historinë e kohës më të re, nuk janë shqiptuar 746 vjet burg, siç ndodhi me të dënuarit e tragjedisë së Kumanovës. Është detyrë e organeve të gjyqësisë që dënimet drakonike ndaj 35 shqiptarëve të tragjedisë së sipërthënë, t’i suprimojnë dhe duke u bazuar në fakte, rastin ta zbardhin me drejtësi.

Gjatë tërë periudhës së pluralizmit, sllavo-maqedonasit kanë ndjekur ndaj shqiptarëve strategjinë bizantine: duke u krijuar shqiptarëve probleme të paqena, i kanë detyruar ata që të merren me to, me qëllim që të shmangen prej problemeve reale të tyre, sikundër janë ato politike, kombëtare, sociale dhe ekonomike.

Qeveria e Zaevit, meqë ka shumicën, sa më parë  duhet ta miratojë Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, madje pa asnjë ndryshim, në mënyrë që t’i mundësojë faktorit politik shqiptar të përkushtohet në rimëkëmbjen dhe zhvillimin e viseve shqiptare, ekonomikisht të degraduara. Ndryshe, shkollat do të mbeten pa nxënës, universitetet pa studentë. Të rinjtë ndërkaq, “për një jetë më të mirë”, do t’i marrin në sy – rrugët pa kthim.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: denime drakonike, Naqedonai, shqiptareve, Xhelal Zejneli

GJON BUÇAJ: VATRA, SHTËPIA E TË GJITHË SHQIPTARËVE

January 1, 2017 by dgreca

Intervistë e z. Gjon Buçaj, Kryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” dhënë bashkëpunëtores të gazetës”Dielli” Marjana Bulku/1-gjon-nikoleta

Pyetje: Çifti Buçaj, simbol mikpritjeje sa herë që “Vatra” çel dyert ju jeni aty me prezencën e përzemërt e bujare që qartazi dëshmon karakterin tuaj, çfarë i keni dhënë Vatrës në këto vite duke qenë drejtues i saj, çfarë ju ka dhënë ajo juve?

Përgjigje: Mikpritja asht nji ndër virtytet e thelbit etnik të shqiptarit, prandej na në “Vatër” përpiqemi t’i presim mysafirët me përzemërsi simbas traditës si dhe me qellim që ata të ndjehen si në shpi të vet; “Vatra”, në të vërtetë, asht shpi e të gjithë shqiptarëvet, prandej edhe quhet “Vatër”, rreth të cilës mblidhen antarët e familjes. Përpiqemi që të jemi të dy së bashku, sidmos kur mysafiri ose ndonji nga mysafirët asht femën.Përsa i përket pjesës tjetër të pyetjes, mund të them se “Vatrës” do të doja t’i kisha dhanë ma shumë, por kohën dhe përpjekjet për t’a ndimue, ia kam kushtue me dashuni, i motivuem kryesisht nga idealizmi atdhetar i paraardhësavet tanë. Kam pasë fatin të kem bashkëpuntorë të përkushtuem për arritjet sado modeste që mund të jenë. Kemi hapë ose rihapë degë në disa shtete të Amerikës e në Kanada dhe, kështu, kemi rritë numrin e antarëve. Në vitin 2012 kemi përkujtue 100 vjetorin e themelimit të “Vatrës” me nji konferencë shkencore dhe me nji darkë kremtimi, ku kanë marrë pjesë ma se 1000 vetë, nga shumë anë të Amerikës, të Kanadasë dhe t’Europës, si dhe nga trojet tona. Atë kremtim e kemi njehë si përkujtim e mirënjohje për themeluesat dhe për ata që e mbajtën “Vatrën” gjatë nji shekulli, në shërbim të çashtjes kombëtare. Me pjesëmarrjen n’atë kremtim të klerikëvet ma të naltë, si përfaqësuesa të besimevet tona tradicionale, kemi dashtë me dëshmue randësinë që “Vatra”, në traditën e trashigueme prej Rilindjes, i jep harmonisë ndërfetare te shqiptarët dhe e çmon si gur me randësi në themelin e ndërtesës së përbashkët të kombit.

Nga “Vatra”, si organizatë vullnetare dhe jo fitimpruse, askush nuk pret ndonji shpërblim material, por vetëm moral: kënaqsinë kur je i vetëdijshëm se, me anë të saj, ke kontribue për interesin kombëtar. Jam i nderuem dhe i lumtun që kam pasë rastin t’ia ndiej atë kënaqsi për kontributin tim sado e vogël.

  1. Ju jeni larguar nga Shqipëria në moshë të re, në vitin 1951, si ka mundësi që gjuha shqipe, traditat kanë mbetur kaq të gjalla tek ju?

Përgjigje: Besoj se kjo mund të spjegohet nga disa faktorë, tue fillue prej karakteristikës së shqiptarit si tradicionalist, cilësi të cilën e ka luftue komunizmi për t’i lëshue rrugë krijimit të “traditave” të reja të ideologjisë së huej që, për afër gjysmë shekulli, helmoi përbamjen shpirtnore të kombit. Qëndresa kundër kësaj ndërhymjeje shkatrruese e spjegon deri dikund egërsinë me të cilën regjimi e nënshtroi tragjikisht kombin, sidomos segmentet e tij, ku kjo qëndresë ishte ma e fuqishme. Përveç asaj, në fatkeqsinë e largimit prej atdheut, kam pasë edhe fatin e mirë me qenë me gjithë familje, antarët e së cilës ishin të moshave të ndryshme. Kudo që na ka hjedhë fati, të rijt i kanë mësue gjuhët e vendit në shkollë ose në punë, por prania e të vjetërve ka ndimue që në shpi të flitet vetëm shqip. Të vjetrit ankoheshin se komunizmi, përveç tjera të zezave, luftonte edhe traditat, prandej besoj se vetvetiu ka lindë dëshira me i ruejtë ato. Kështu asht krijue, në mënyrë spontane, nji lloj mbështjellësi virtual rreth familjes për mbrojtjen e traditave të mira nga tjetërsimi, qoftë me humbjen e tyne ose me depërtimin e veseve këqija të ambjentit rretherrotull. Në këtë kuptim, në kontaktin e parë me njerzit tanë mbas periudhës së komunizmit, asht vrejtë shpesh njifarë ndryshimi, pse na ishim të kohës kur kishim lanë vendin, kurse ata të vitit të takimit.

Nji spjegim tjetër, besoj, vjen nga fakti se atdheun e vlerëson dhe e don ma shumë kur të mungon, e ne na ka mungue për shumë kohë. Atdheu përfshin jo vetëm vendin si kuptim gjeografik dhe popullin, por edhe trashigiminë historike, kulturore e shpirtnore, ku bajnë pjesë edhe traditat dalluese të brumit tonë etnik.

  1. Nëse do bënim një udhëtim në kohë në cilin vit do ndalonit, cilën ngjarje e ruani ende të gjallë?

Përgjigje. Janë shumë, prandej e kam të vështirë të veçoj nji vit ose nji ngjarje të vetme. I kam shumë të freskëta kujtimet dhe të forta mbresat e disa ngjarjeve në vitet e jetës sime: ardhja e komunizmit; vrasja e babës; ikja me familje prej Shqipnije; dy burgosje në Jugosllavi; dalja në botën e lirë; vdekja e vëllaut; martesa; diplomimi në mjeksi; ardhja në Amerikë; shembja e komunizmit; lufta e Kosovës me tragjedinë dhe lavdinë e saj dhe pavarësia; antarësimi i Shqipnisë në NATO; largimi i Nanës nga kjo jetë; qindvjetori i “Vatrës”….. Megjithatë po veçoj vitin 1947, në nderim të kujtimit të Nanës me mirënjohje, kur jam largue prej shpije në kërkim të shkollimit. E vejë me katër fëmij të vegjel, megjithëse në nji familje të madhe me kunetën e kunata ku ndima e kujdesi nuk mungojshin, Nana kishte nevojën e fëmiut ma të madh. Megjithatë, ajo më nxiti e më dha bekimin me shkue larg shpisë, në kërkim të nji ardhmënije që mund të ndërtohej vetëm me shkollim.

  1. Cila është historia më e bukur e jetës tuaj?

Përgjigje: Padyshim harmonia dhe dashunia në jetën familjare, nga ku buron shija për jetën dhe energjia me ecë përpara.

  1. Shqipëria ka përjetuar shumë udhëkryqe, cili mendoni se ia ka kërcënuar seriozisht të ardhmen asaj?

Përgjigje: Kadare thotë se kombi shqiptar ka përjetue dy kataklizma, të cilët ia kanë ndryshue fizionominë: okupimi afër pesëshekullor otoman dhe komunizmi. Të dy këta faktorë kanë qenë okupues, me ndryshimin se ai otoman u imponue dhe u mbajt gjithnji me praninë e kambës së huej, kurse komunizmi u përqafue nga nji pjesë e shqiptarëve të cilët, me porosinë dhe ndimën e anmiqvet shekullorë të kombit, e imponuen dhe e mbajtën me dhunë për afër nji gjysmë shekulli. Komunizmi, i përhapun nga shqiptarët shërbëtorë të këtij okupimi ideologjik, ka mujtë me depërtue edhe në familje, në çerdhet ma intime të shoqnisë shqiptare, ndërsa kamba e huej e okupatorit, qoftë otoman ose e kujdo tjetër, ka mbetë gjithmonë e hueja dhe, si e tillë, nuk ka mujtë me nxanë vend as me damtue si mikrobi i mbrendshëm i sëmundjes komuniste. Me ndryshimin e palcit etnik dhe me izolimin nga bota e civilizimit perëndimor, regjimi komunist e ka kërcnue të ardhmen e identitetit tonë si komb dhe, me politikën vetëvrasëse të internacionalizmit, e ka lanë Shqipninë pa aleanca mbrojtëse për të ardhmen e saj si shtet i pavarun.

  1. Teksa ju sheh bashkë me ”Zambakun e Prizrenit”, zonjen tuaj Nikoleta, nënkupton se lidhja juaj bashkëshortore është inspiruese brenda familjes por edhe jasht saj, dua mendimin tuaj të përbashkët cilat do ishin tre tipare thelbësore që gruaja nënë, zonjë do duhej ti trashëgonte tek bijat, nuset, zonjat përreth?

Përgjigje: Ndershmënia, bujaria dhe përkushtimi për familjen.

  1. Intelektuali dhe patrioti, veprimtari dhe humani Buçaj që jetën e vet e lidh ngushtë me atë të atdheut, cila mendoni se është ngjarja më e bukur që i ka ndodhur ndonjëherë Shqipërisë që sot duket e pashpresë?

Përgjigje: Pavarsia e Shqipnisë, që u realizue në nji moment kritik për ekzistencën e kombit, asht pa dyshim ngjarja ma fatlume, edhe pse përfshiu ma pak se gjysmën e popullsisë dhe të trojevet etnike. Pa atë shqiptarët do të mbeteshin të shpërndamë nën sundimin e anmiqvet, pa forcë dhe pa identitet. Nji pjesë do të asimilohej dhe të tjerët do të zhdukeshin ose do të shpërnguleshin me dhunë. Prandej kombi asht përjetësisht mirënjohës rilindasve që e kapën momentin dhe sakrifikuen edhe jetën për shpëtimin e tij. Por ngjarja ma e bukur që i ka ndodhë Shqipnisë e që unë e kam përjetue, asht shpërbamja e komunizmit. Mjerisht, për nji pjesë të madhe të shqiptarëvet, gëzimi dhe entuzjazmi i asaj ngjarjeje ia kanë lëshue rrugën zhgënjimit e dëshprimit, pse me lirinë nuk erdhi drejtësia as mirëqenja e barabartë, por vorfnija dhe diskriminimi ekonomik dhe politik. Sikur politikanët e tranzicionit të kishin pasë pak nga idealizmi dhe përkushtimi i rilindasve, Shqipnia do të dukej sot ma mirë dhe me shpresë ma shumë për të ardhmen.

  1. Pse po ikin shqiptarët, a e ve kjo në pikpyetje patriotizmin e tyre?

Përgjigje: Ikja në masë e familjevet shqiptare, sidomos në këto vitet e fundit, asht nji akuzë e randë kundër qeverisë që, në krye të rendit të ditës ka blemjen dhe manipulimin e votës në luftë për pushtet dhe për pasunim të paligjshëm, dhe jo krijimin e jetës ma të mirë e ma të drejtë për qytetarët e vet. Për gjeneratën time, motivi për të lanë atdheun ka qenë kërkesa për liri dhe shpëtimi prej përsekutimit, në shumë raste edhe shpëtimi i jetës. Sot, shumica e familjevet që ia këthejnë shpinën atdheut, kanë për motiv nji jetë ma të mirë dhe nji ardhmëni ma të sigurtë që në atdhe nuk e kanë. Vorfnija asht aq e madhe sa, në shumë raste, familjet nuk e kanë të sigurtë as bukën. Mjerisht, edhe shumë të rij që ende nuk kanë krijue familje, nuk shohin shpresë për të ardhmen e tyne, prandej detyrohen ta kërkojnë atë jashtë vendit. Rrjedhimisht, mendoj se largimi i shqiptarëvet sot, ve në pikëpyetje ma tepër patriotizmin e politikanëve të korruptuem, se sa të atyne që largohen. Nuk ka dyshim se komunizmi e ka damtue ndjenjën e patrotizmit, por ky damtim asht shumë ma i dukshëm te klasa politike, e cila asht përgjegjëse për mungesën e krijimit të kushteve ma të mira të jetesës për qytetarët gjatë periudhës së tranzicionit.

  1. Konservator dhe novator, çfarë kanë trasheguar bijtë tuaj nga ju?

Përgjigje: Dashuninë për vendlindjen e prindvet dhe për vendlindjen e tyne, Amerikën, ruejtjen e gjuhës dhe respektin për traditat dhe për historinë tonë, ndershmëninë dhe korrektesën në punë e në shoqni ku jetojnë…..

Qofshi të bekuar

 

Filed Under: Featured Tagged With: E TË GJITHË, Gjon Bucaj, Marjana Bulku, shqiptareve, Shtepia, Vatra

Serbia neomillosheviqiane i ndalon tekstet shqip shqiptarëve

March 2, 2016 by dgreca

Autoritetet serbe kanë kthyer dje në Kosovë 103.222 tekste mësimore të Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës, të dedikuara për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës. Tekstet ishin bllokuar më 10 shtator 2015, dhe që nga ajo kohë janë mbajtur në terminalin doganor në Preshevë.Deputeti i VETËVENDOSJE!-s, Mytaher Haskuka, tha se negociatat në Bruksel nuk kanë sjellë asgjë të mirë për Kosovën edhe në sektorët ku u reklamua se ka rezultate si në sektorin e arsimit. “Sistemi paralel i Beogradit në Kosovë është përforcuar, gjersa në anën tjetër shqiptarët në Preshevë, Medvegjë, Bujanoc nuk kanë përfituar pothuajse asgjë në shtimin e të drejtave për arsim në gjuhën amtare. As diplomat e Kosovës nuk po pranohen në Serbi. Ne patëm thënë që në momentin që janë lejuar të hynë librat nga Serbia nga doganat, më një shkrim të një nëpunësi nga Ministria e Kulturës, në kundërshtim me vendimin e Ministrit të Arsimit, jo vetëm që është vepruar në mënyrë kundërligjore por janë humb gjasat që librat shqip të shkojnë tek nxënësit e Luginës”, theksoi Haskuka, duke shtuar se kjo na tregon që nuk ka ekzistuar ndonjë marrëveshje ndërmjet palëve për tekstet shkollore, dhe se përmes negociatave në Bruksel po shkatërrohet shtetësia e Kosovës dhe shqiptarët e Luginës po mbesin populli më i diskriminuar në Evropë.Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Belgzim Kamberi tha se kthimi i teksteve mësimore paraqet shkelje të të drejtave të njeriut dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Serbi, duke marrë parasysh se Serbia edhe 15 vite pas rënies së Millosheviçit nuk e ka zgjidhur çështjen e zbatimit të të drejtave për arsimim në gjuhën amtare dhe për ruajtjen dhe për zhvillimin e veçorive kulturore, historike dhe identitare minoritare. “Arsimimi nuk mund të ndodhë pa tekste mësimore në gjuhën shqipe dhe as më pak me tekstet e tanishme në fuqi në Serbi, që janë pothuajse të njëjtët me ato të kohës së Millosheviqit. Sigurisht se mbajtja rreth gjashtëmuajshe të teksteve mësimore të Republikës së Kosovës në Serbi në doganën serbe që i kanë kushtuar mbi 70.000 euro buxhetit të Kosovës dhe kthimi i tyre është edhe rezultat i një farse të madhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Arsimit”, u shpreh Kamberi.Ai theksoi se Kosova dhe Lugina e Preshevës u poshtëruan sërish nga Serbia, ndaj së cilës duhet bërë presioni për ndryshimin e planprogrameve dhe teksteve mësimore. “Ministri i Arsimit u mundua që të vendosë masa reciprociteti vitin e kaluar, por kjo gjë ishte e pamundur ngaqë shkonte në kundërshtim me Ligjet e Kosovës. Ligji për Arsimin në Komuna lejon përdorimin e kurrikulave dhe librave shkollor nga Republika e Serbisë.  Komisioni përgjegjës i Republikës së Kosovës që do të vërtetonte nëse tekstet e Serbisë janë në përputhje me legjislacionin e Kosovës. Pra, këtu nuk mund të kemi reciprocitet sepse në njërën anë Republika e Kosovës si rezultat i Pakos së Ahtisaarit lejon përdorimin e teksteve mësimore dhe de factopranon kurrikulat e Republikës së Serbisë për t’u përdorur në shkollat e Kosovës ndërsa Serbia nuk i pranon tekstet shqipe që burojnë nga kurrikulat e Kosovës dhe Shqipërisë”, tha në fund Kamberi.

Gjatë këtyre pesë viteve negociatat e Brukselit nuk normalizuan marrëdhëniet në asnjë fushë përkundrazi Beogradi veçse sa po e shton shtypjen ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc e kontrollin brenda Kosovës lehtësuar nga Qeveria e Kosovës.

 2 mars 2016

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Filed Under: Komente Tagged With: i ndalon tekstet shqip, Serbia neomillosheviqiane, shqiptareve, VETËVENDOSJE

KONFERENCË KUSHTUAR SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI

October 15, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Nga një ftesë që më dërgoi Profesori Viktor Ivezaj i Universitetit Wayne State të shtetit Miçigan në Shtetet e Bashkuara, mësova për organizimin e konferencës së dytë ndërkombëtare, kushtuar shqiptarëve në Mal të Zi. Konferenca e parë mbi gjëndjen e shqiptarëve në shtetin malazez mbi “Historinë, Identitetin dhe Politikat e Pakicës në një Shtet të Ri”, ishte mbajtur në Universitetin e Nju Jorkut më 2012.Në ftesë thuhet se konferenca e këtij viti do të mbahet në sallën historike, “Meadow Brooke Mansion” të Universitetit Oakland në Roçester të Miçiganit, të shtunën me 1 Nëntor, 2014.
Në ftesën e nënshkruar nga profesor Viktor Ivezaj, por e dërguar në emër të bashkpuntorëve të tij, organizuesve të konferencës, profesorit Shinasi Rama i universitetit të Nju Jorkut dhe profesorit Paul Kubicek i universitetit Oakland, thuhet se mbajtja e kësaj konference, pikërisht në këtë moment, është një hap shumë i rëndësishëm për vlerësimin e përvojave shoqërore, politike, ekonomike dhe historike,të pakicës shqiptare në Mal të Zi.
Njoftohet gjithashtu se në këtë konferencë akademike prej prej një dite — e cila sponsorizohet nga Departmenti i Shkencave Politike dhe Enti i Studimeve Ndërkombëtare të Universitetit Oakland, së bashku me disa shoqata shqiptaro-amerikane nga Nju Jorku dhe nga Miçigani — do të paraqesin referatet e tyre akademikë dhe specialistë, jo vetëm nga Shtetet e Bashkuara, por dhe ekspertë të ftuar nga trojet shqiptare në Ballkan dhe nga Europa.(Shikoni orogramin e bashkangjitur).Gjatë punimeve të konferencës, specialistë të fushave të ndryshme mbi gjëndjen e shqiptarëve në Mal të Zi, do të prekin, ndër të tjera, çështje siç janë arsimi, të drejtat e njeriut dhe të kulturës së shqiptarëve në trojet e veta autoktone nën Mal të Zi. Do të mbahen referate mbi subjekte siç janë qeverisja vendase, mbi aplikimin e ligjit ndërkombtar, por edhe rreth rolit që luan ose duhet tëluaj Bashkimi Europian në promovimin e të drejtave të pakicave kombëtare.
Tema e Konferencës së dytë të radhës në Universitetin amerikan Oakland, mbi shqiptarët në shtetin malazez është: “Shqiptarët në Mal të Zi: “Minoriteti — Përball Politikës së Shumicës në një Periudhë të Tranzicionit Demokratik”. Në paraqitjen e paralajmëruar të punimeve të seancave të konferencës, profesorët Viktor Ivezaj, Shinasi Rama dhe Paul Kubicek thonë se megjithëse Mali i Zi ka siguruar sovranitetin e tij si shtet i pavarur, e ardhmja e këtij shteti të vogël duket se do të jetë më e ndërlikuar se ç’mendohej më parë, ndërkohë që përpiqet të bëjë përparim drejt integrimit euro-atlantik, ndërsa në të njëjtën kohë mundohet të krijojë një identitet të ri, të themelojë institucione efektive të administratës qeveritare, të vendosë legjitimitetin politik dhe mbi të gjitha, të ruaj kohezionin shoqëror, gjë që gjatë 20-viteve të fundit, sipas organizuesve të konferencës, nuk ka dalur me shumë sukses. Ndonëse, pas pavarsisë nga Serbia, malazezëtjanë përpjekur të krijojnë identitein e vet si shtet europian me vlera dhe standarde europiane, organizuesit e konferencës thonë se politikanët dhe elitat politike të Malit të Zi, kanë dështuar të pranojnë dhe të merren me mosbarazitë, mospajtimet dhe shqetsimet e komunitetit shqiptar atje, përsa i përket pjesmarrjes së shqiptarëve në institucioneve shoqërore, politike dhe ekonomike të shtetit malazez.Si rrjedhim, ata me të drejtë theksojnë faktin, se gjëja shqetsuese në këtë mes, është vazhdimi i pothuaj të njëjtës politikë që qeveria malezeze ka ndjekur edhe në të kaluarën ndaj popullësisë shqiptare në trojet e veta autoktone, megjithëse shqiptarët në atë shtet kanë shprehur vazhdimisht ankesat dhe moskënaqsitë e tyre në të gjitha fushat e jetës shoqërore, ekonomike dhe politike të atij vendi.
Pritet që referuesit në këtë konferencë të përpiqën të venë në dukje politikën e përjashtimit që gjithnjë ndiqet nga Podgorica zyrtare ndaj shqiptarëve, politikë kjo e cila vazhdon të zhgënjejë komunitetin shqiptar në Mal të Zi.Ekspertë që ndjekin këtë situatë, thonë se gjëndja e shqiptarëve në Mal të Zi, në të vërtetë, nuk ka ndryshuar shumë ç’prej shpërbërjes së ish-Jugisllavisë.Në fakt, thonë ekspertët, shumë prej problemeve me të cilat u përballen shqiptarët e Kosovës para konflikteve të 1990-ave, në të njëjtat probleme po hasin edhe shqiptarët në periudhën e pas pavarësisë së Malit të Zi.Për të arsyetuar këtë qëndrim, ata venë në dukje se komuniteti shqiptar në Mal të Zi vazhdon të jetë viktimë e konfiskimit të tokave të tyre që i kanë pasur prona të veta gjysh pas gjyshi, ndërsa vazhdojnë presionet e asimilimit dhe të emigrimit të detyruar të shqiptarëve nga trojet e veta.Shqiptarët nën Mal të Zi ankohen gjithashtu për mundësi të kufizuara për ta në arsim dhe në punësim si dhe në fushën e zhvillimit ekonomik.Njëherazi, atatheksojnë gjithashtu edhe mungesën e programeve që promovojnë gjuhën shqipe, kulturën dhe trashëgiminë shekullore të shqiptarëve në ato troje.Siç është njoftuar kohët e fundit,si shembull i këtyre presioneve, mund të përmendet edhe shqetsimi për mundësinë e mbylljes së“Kohës Javore”, gazetës së vetme në gjuhën shqipe për shqiptarët në Mal të Zi.Nuk është e qartë nëse është vendosur endee ardhmja afat-gjatë i kësaj gazete të vetme për lexuesit shqiptarë në Mal të Zi.
Kështuqë, shqiptarët në Mal të Zi kanë arsye të jenë të shqetësuar për gjëndjen e tyre politike dhe ekonomike madje edhe ndërkohë që Podgorica përpiqet të adaptojë ligjet mbi mbrojtjen e pakicave në përputhje me standardet europiane, shqiptarët nuk kanë asnjë provë për t’i siguruar ata se — edhe nëqoftse Mali i Zi antarësohet në Bashkimin Europian, bazuar në përvojën e së kaluarës — situata e tyre nuk ka giasë se do të përmirësohet. Përkundrazi, shqiptarët me të drejtë kanë drojë se gjëndja e tyre madje edhe në të ashtuquajturin “bashkim” me Europën, nuk do të sjellë ndonjë përmirësim për ta në të ardhmen. Dhe se në vend të një statusi të përmirësuar për ta, bazuar në standardet europiane, gjëndja e tyre ka giasë se do të përkeqësohet dhe se programet e dyshimta të qeverisë, sa për sy e faqe për botën e jashtme, do të vazhdojnë të fshehin realitetin e gjëndjes jo të kënaqshme të shqiptarëve në shtetin malazez, përfshirë mohimin e lirive dhe të të drejtave të barabarta me malazezët, deri atëherë në një periudhë të ardhëshme, fatkeqsisht ndoshta jo shumë të largët — kur popullsia shqiptare nuk është më një faktor për Malin e Zi.
Organizuesit e kësaj konference, e cila sipas programit duket se do të vlerësojë pothuaj të gjitha aspektet e çështjes shqiptare në Mal të Zi, kanë për qëllim që të diskutojnë problemet të gjithë së bashku — ekspertët nga Shtetet e Bashkuara si edhe studiuesit nga trojet shqiptare në Balkan dhe më gjërë – dhe pastaj të rekomandojnë zgjidhje të mundëshme të këtyre problemeve me të cilat përballen shqiptarët atje, sepse sipas tyre, një shtet multi-etnik mund dhe duhet të veprojë dhe të punojë drejtë një objektivi të përbashkët për të mirën e të gjithëve, pa dallim. Ata shpresojnë që kjo konferencë të japë kontributin e vet duke ofruar zgjidhje nga eskpertë ndaj problemeve dhe ankesave me të cilat përballen shqiptarët në Mal të Zi dhe të japin ndihmën e tyre,nga kjo anë e Atlantikut, ndaj shqetsimeve të tyre, sidomos në lidhje me përfaqësimin e shqiptarëve në fushën politike, shoqërore dhe ekonomike të Malit të Zi. Pritet që referuesit të diskutojnë edhe faktin nëse qeveria malazeze po punon dhe vepron drejt një qeverisjeje më të mirë për të gjtihë, që më në fund, të çojë edhe në një jetë më të mirë edhe për shqiptarët autokton në trojet e veta në Mal të Zi dhe jo në përjashtimin e tyre.
Është kjo një konferencë pra, ku do të flasin ekspertë dhe akademikë të cilët në mënyrë të posaçme janë të interesuar për fatin e shqiptarëve nën Mal të Zi dhe për përmirësimin e jetës së tyre në atë vend. Është ky një rast ku akademikët do të paraqesin analizat e tyre me gjakftohësi, në mënyrë akdemike dhe pa pasione, me qëllim për të identifikuar problemet dhe ankesat reale të shqiptarëve në shtetin malazez dhe si rrjedhim ata me të njëjtën gjakftohësi do tëparaqitin rekomandimet e tyre për zgjidhjet e mundëshme dhe të paanshme, për autoritetet e malit të Zi, por edhe për entete ndërkombëtare të interesuara për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi.
Por në mos asgjë tjetër, atëherë kjo konferencë mund të jetë një rast i mirë për të nxitur një dialog të sinqert midis shqiptarëve dhe qeverisë malazeze, por edhe midis palëve të ndryshme të vetë politikës shqiptare në Mal të Zi, për të diskutuar zgjidhjen e ankesave, në një përpjekje për një të ardhme më të mirë për shqiptarët në Mal të Zi dhe për një trajtim të barabart me qytetarët e tjerë të shtetit malazez. Fundi i fundit, trajtimi i barabart i qytetarve është obligim që shteti i Malit të Zi, si shtet i pavarur ka ndaj shqiptarëve si shtetas të tij edhe në bazë të konventave ndërkombëtare dhe europiane.
Kjo konferencë përbën një hap të rëndësishëm drejtë zbardhjes së gjëndjes aktuale të shqiptarëve në mal të Zi, për të cilin organizatorët duhet të falenderohen, pasi nuk është e lehtë organizimi i një konference të tillë.Fati dhe ankesat aktuale tëshqiptarëve në Mal të Zi duhet t’i bëhen të njohura botës, por sidomos publikut amerikan. Besoj se kjo konferencë do të luaj rolin e vet në këtë drejtim. Me këtë nismë, Profesorët Shinasi Rama dhe Viktor Ivezaj po ndjekin gjurmët e dy profesorëve të mëdhej shqiptaro-amerikanë, Arshi Pipa dhe Sami Repishti, të cilët më 6 Nëntor, 1982 kishin organizuar një konferencë të njëjtë ndërkombëtare, por asaj herë kushtuar Kosovës: “Konferencën Ndërkombëtare mbi Kosovën”, mbajtur tek “University Graduate Center, City University of New York”, me një pjesëmarrje ekspertësh më të dalluar të çështjeve ballkanike të asaj kohe, amerikanë dhe shqiptarë, përfshirë, përveç profesorëve Pipa dhe Repishti, Martin Camaj, Peter Prifti dhe Anton Logoreci.Shpresojmë që konferenca ndërkombëtare e nëntorit në Michigan, mbi gjëndjen e shqiptarëve në Mal të Zi,të ketë të njëjtin sukses siç pati konferenca mbi Kosovën para më shumë se 30-vjetësh. Ajo konferencë pat shërbyer si hap i parë në tërheqjen e vëmendjes së Amerikës dhe më gjërë, mbi gjëndjen e shqiptarëve të Kosovës dhe njëkohësisht shënoi fillimin e asaj që më vonë u quajtë ndërkombëtarizimi i çështjesh së shqiptarëve në Ballkan.
Frank Shkreli

PROGRAMI I KONFERENCËS

Saturday November 1st
WELCOME:
8:30 – 9:00 a.m
.
Welcoming Remarks: Paul Kubicek
Oakland University
Introductory Remarks: Viktor N. Ivezaj,
Wayne State University

PANEL I: ALBANIAN IDENTITY AND MONTENEGRIN POLITICS
9:00 – 10:30 a.m.

Shinasi A. Rama, New York University
History and Identity: Albanians and Montenegrins
Viktor N. Ivezaj, Wayne State University
Human Rights and Ethnic Polarization Among the Albanians in Montenegro
Nail Draga, Cultural Center of Ulqin
Shqiptarët Në Mal Të Zi Në Regjistrimet E Popullsisë (1948-2011)
Chair: Agata Biernat, Nicolaus Copernicus University (Toruń, Poland)
Discussant: Angjell Gojcaj, University of Shkodra

PANEL II: ALBANIAN MINORITY POLITICS
10:30 – 12:00 noon

Agata Biernat, Nicolaus Copernicus University (Toruń, Poland)
The Albanian political activities in Montenegro and the question of Tuzi
Sabina Osmanovic, University of Shkodra
Analysis of the expectations preceding the referendum of the Albanians in Montenegro
compared to the present
Angjell Gojcaj, University of Shkodra
Discrimination of Albanians in Montenegro in Matter of Minorities Rights
Chair: Shinasi A. Rama, New York University
Discussant: Viktor N. Ivezaj, Wayne State University

CONFERENCE BREAK – 12:00 – 1:30 p.m.

PANEL III: EXTERNAL INFLUENCES
1:30 – 3:00 p.m.

Grid Rroji, City University of New York (CUNY)
Albanian Kin State(s) Foreign Policy Towards Albanians in Montenegro: The Failure of the
concept of integration as a definition of National Interest.
Paul Kubicek, Oakland University
The European Union and Minority Rights in Montenegro
Viktor Ivezaj and Shinasi Rama
The Albanian Diaspora and the Albanian Politics in Montenegro
Chair: Sabina Osmanovic, University of Shkodra
Discussant: Angjell Gojcaj, University of Shkodra

3:00 p.m.
CONCLUDING REMARKS: Viktor N. Ivezaj, Wayne State University

Filed Under: Komunitet Tagged With: Frank shkreli, KONFERENCË KUSHTUAR, ne Mal te zi, shqiptareve

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT