Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra në kuadër të Simpoziumit Shkencor të 100 vjetorit të Marrëdhënieve Diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një mbrëmje gala me pjesëmarrjen e shqiptaro-amerikanëve më të spikatur, vatranëve e komunitet shqiptar në New York e më gjërë, dhuroi 15 bursa për studentët e shkëlqyer shqiptarë në Amerikë. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha dhe Drejtori i Fondit të Studentëve Dr. Pashko Camaj drejtuan ceremoninë e shpërndarjes së Bursave duke vlerësuar studentët për arritjet dhe duke premtuar se vit pas viti Vatra do të jetë në krah të studentëve shqiptarë që shkëlqejnë në Universitet Amerikane. Një ndihmë bujare e shumë solidare në shenjë vlerësimi e nderimi për rezultatet e tyre të shkëlqyera, Vatra nderoi studentët shqiptar që përbëjnë krenari kombëtare e Vatrane në Shtetet e Bashkuara. Kjo traditë vazhdon që nga vitet 60, një fond special që iu jepet studentëve shqiptarë që shkëlqejnë në Universitetet Amerikane. Franka Veliu, Mirea Hasanaj, Edma Arizaj, Alesja Beqiraj, Elysia Rukaj, Lorna Floqi, Anthony Evangelista, Kerol Kaskaviqi, Xhesika Shkorreti, Enrik Hoxha, Gezim Imeraj, Zina Nicaj, Ledion Hoti, Xhoi Mishto dhe Matea Spahiu përfituan nga fondi i sivjetshëm studentor. Vatra u uron shumë suksese në rrugëtimin e tyre shkencor, patriotik e vatran duke u bërë një shembull për studentët e tjerë e gjeneratat që vijnë.