
Eris Jashari/
Çka të mveshë si qytetar me të drejtën e të votuarit në një demokraci? Normalisht, janë ligjet dhe procedurat e caktuara që definojnë në detaje se nga cila moshë është e lejuar të votohet, kush ka të drejtë të shprehë vullnetin e tij në kutitë e votimit, rrugët e përfitimit të shtetësisë, mënyra se si votohet, lejimet dhe ndalimet tjera që veç e përmbajtësojnë këtë të drejtë elementare demokratike. Mirëpo, kur kësaj i shtohet edhe kontribuimi në buxhetin e atij shteti, të jepet moralisht e drejta të kërkosh llogari nga përgjegjësit që e menaxhojnë atë, të cilët zgjedhen dhe kontrollohen përmes të votuarit. Vetëm në vitin 2021, në formë të remitencave dhe shpenzimeve tjera janë pranuar rreth 2 miliardë euro nga mërgata, kurse i gjithë buxheti i shtetit është 2.7 miliardë euro (Germin, 2022). A duhet lejuar votimi i diasporës në zgjedhjet vendore në Kosovë?
Nëse veç pak kundrohet në historinë e luftës së fundit e cila është bazamenti i Republikës së sotme, veçse legjitimohet e drejta për gjithëpërfshirje të mërgatës në proceset shoqërore që ngjajnë në vend. ‘‘…diaspora shqiptare kontribuonte për organizimin e jetës paralele në Kosovë, respektivisht për financimin e arsimit dhe të shëndetësisë, si dy shtyllat kryesore për mirëmbajtjen e rezistencës civile dhe të kohezionit demografik shqiptar në Kosovë.’’ (Beha, 2017). Kjo dëshmon edhe më qartazi se e drejta e diasporës për të votuar në Kosovë as që duhet diskutuar. Pra, diskutimi duhet fokusuar në atë se si të përmirësohet kjo e drejtë, si të lehtësohet dhe përçohet në mënyrë sa më efiçiente zëri i atyre që jetojnë jashtë në rezultatet e zgjedhjeve, e pse jo ndoshta edhe në atë se si të përfaqësohen vetë ata në jetën politike duke e prekur politikbërjen në mënyrë konkrete, pra me pjesëmarrje direkte në ulëset e institucioneve gjegjëse.
Korniza ligjore aktuale
Ligji për Diasporën dhe Mërgatën 04/L-095 e parasheh si mërgimtar apo pjesëtar i diasporës dhe mërgatës, çdo person që ka vendbanim apo vendqëndrim jashtë RKS-së dhe që ka lindur apo ka prejardhje familjare nga Kosova (gzk.rks-gov.net, LIGJI Nr. 04/L – 095 PËR DIASPORËN DHE MËRGATËN, 2012). Ky ligj mëton që mërgimtarët kudo nëpër botë t’i përfshijë në kuadër të identifikimit me shtetin e Kosovës. Kjo pastaj shërben si premisë bërthamë nga e cila derivon edhe kontribuimi i tyre në fuqizimin e tij si dhe dëshira për pjesëmarrje jo vetëm në jetën politike, por edhe atë ekonomike, kulturore e kështu me radhë.
Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës 03/L-073 përcakton se votuesi jashtë Kosovës, bën aplikim të suksesshëm nga jashtë saj duke përdorur një nga mënyrat e votimit sipas rregullave të KQZ-së (gzk.rks-gov.net, 2008). Sipas këtij ligji, në nenin 5, të drejtë për të votuar ndër të tjerë, ka edhe ai që banon jashtë Kosovës ose ka lëshuar Kosovën në apo pas 1 janarit 1998, me kusht që t’i plotësojë kriteret e parapara sipas ligjit në fuqi për të qenë qytetar i Kosovës. Pra sistemi zgjedhor e parasheh votimin e diasporës, ku përmes rregullave të KQZ-së mbi Votimin Jashtë Kosovës 03/2013, i përcaktojnë tri mënyra për ta marrë një fletëvotim duke e dorëzuar formularin për regjistrim ose aplikim:
- (a) përmes postës në një nga Kutitë postare të KQZ-së,
- (b) faksit te KQZ-ja, në numrin e shënuar në fund të Formularit për Regjistrim/Aplikim për votim jashtë Kosovës.
- (c) emailit, në emailin zyrtar të Operacionit të Votimit Përmes Postës së shënuar në fund të formularit dhe të publikuar në faqen zyrtare të KQZ-së në internet (KQZ, 2013).
Me këtë rregullore përcaktohet si kriter që votat jashtë Kosovës duhet të pranohen nga KQZ-ja 24 orë para ditës së zgjedhjeve, të cilat arrijnë me postë në adresën postare zyrtare.
Krahasimi me vendet e tjera
Një hulumtim i realizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) dhe Demokraci Plus (D+), ilustron qartazi se si është i rregulluar votimi i qytetarëve që jetojnë jashtë vendeve të tyre respektive si dhe përmes çfarë mënyre votimi shprehin vullnetin e tyre në zgjedhjet e brendshme. Në figurën 1 vërehet se në Kosovë është e lejuar të votojnë diaspora në të gjitha llojet e zgjedhjeve që organizohen, përveç zgjedhjes së Presidentit që është kompetencë e Kuvendit. Karakteristika të njëjta kur vije në pyetje të votuarit në zgjedhje lokale ka edhe në Finlandë, Poloni e Zvicër, ndryshe nga Kroacia, Bulgaria e Belgjika, ku nuk lejohet të votohet as në zgjedhjet lokale e as në referendume.
Figura 1 – Votimi i qytetarëve jashtë vendit sipas llojit të zgjedhjeve (D4D & D+, 2018)
Ka disa metoda të cilat shtetet i përdorin për organizimin e zgjedhjeve jashtë vendit, duke përfshirë votimin: fizik (në ambasada apo konsullata), me postë, me faks, votimin elektronik, nëpërmjet një personi tjetër dhe votimin e parakohshëm (para ditës së zgjedhjeve) që njihet si proxy (D4D & D+, 2018). Krahasuar me vendet e listuara në figurën 2, Kosova është më e kufizuar në këtë drejtim, duke u mundësuar diasporës të votojnë vetëm përmes postës. Kjo në të shumtën e rasteve ka mobilizuar bashkatdhetarët që të marrin udhën qoftë edhe vetëm për ditën e zgjedhjeve, ku kanë shpenzuar kohë, mund e mjete financiare, vetëm që të shprehin vullnetin e tyre fizikisht. Vërehet se Zvicra dhe Armenia kanë bërë hapa përparues në lehtësimin e procedurave të të votuarit, ku është e besuar si formë edhe votimi elektronik. Njëherazi, nëpër shumë vende si Kroacia, Bullgaria e Franca, shihet mundësia e të votuarit në ambasada dhe konsullata si praktika më e mirë për ta bërë një gjë të tillë.
Figura 2 – Praktikat sipas metodave të votimit (D4D & D+, 2018)
Sa i përket shteteve fqinje që e rrethojnë Kosovën, ka llojllojshmëri të rregullativave kur vije në pyetje lejimi i diasporës për të votuar. Në Mal të Zi nuk është e lejuar në asnjë formë të votohet përveç se brenda territorit të tij (Reçica, 2021). Aspak më mirë nuk qëndron as Shqipëria, e cila nuk e ka të rregulluar fare mundësinë e të votuarit në ndonjë formë tjetër, përveç se të votosh fizikisht atje. Në Maqedoni të Veriut në anën tjetër, ka qëndrim krejtësisht ndryshe sa i përket kësaj çështjeje. Mërgata maqedonase voton një ditë më herët se zgjedhjet nëpër konsullatat më të afërta ku jetojnë, dhe votat e tyre që numërohen si një zonë zgjedhore garantojnë tre (3) vende të deputetëve në Kuvend, por që zgjedhja e këtyre deputetëve është e kushtëzuar nëse plotësohet kriteri i votave që duhen për t’u bërë deputet krahasuar me gjashtë (6) zonat e tjera të brendshme (Atanasov, etj., 2022).
Sfidat rreth të votuarit të diasporës
Në zgjedhjet qendrore të parakohshme në qershor 2017, vetëm 20,354 (6.8%) e diasporës ka aplikuar për t’u regjistruar për votim, ku nga to, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar 15,118 aplikacione për regjistrim dhe vetëm 5,949 (30% të aplikacioneve) kanë dërguar fletëvotimet ndërsa nga to 5,246 janë pranuar si vota valide (GERMIN, 2018). Kjo është një humbje e ¾ të votave potenciale në proces, e cila do të duhej të alarmonte institucionet përgjegjëse për të ndërmarrë masa që të evidentohen problemet dhe sfidat që shkaktojnë një dukuri të tillë. Shumë prej votave të bashkatdhetarëve nuk arrijnë me kohë në destinacion, e për pasojë humb edhe efekti i tyre i ligjshëm për ndikim në rezultat të zgjedhjeve.
Kufizimi i afatit kohor për pranimin e votave jashtë Kosovës përmes nenit 96 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregullës Zgjedhore të KQZ-së nr. 03/2013, është në kundërshtim me nenin 45, lexuar bashkë me nenin 55 të Kushtetutës, pasi që nuk përmbushet qëllimi për të cilin lejohet kufizimi (GERMIN, 2020). Këto nene lejojnë që të kufizohen me ligje të drejtat nëse qëllimi i tyre është i arsyetuar mirë. Nëse logjika e kufizimit qëndron në atë se parandalon vonesën në procesin e numërimit të votimit, praktika ka dëshmuar të kundërtën, sepse votat me postë përfundojnë së numëruari në afat të shkurtër pas përfundimit të procesit zgjedhor, kurse certifikimi përfundimtar i tyre ka ditur të zgjasë me muaj, qoftë për shkak të ankesave të ndryshme apo pengesave tjera përgjatë procesit të numërimit.
Argumentet PËR dhe KUNDËR
Debatet rreth lejimit apo ndalimit të votimit të atyre që jetojnë jashtë Kosovës janë të shumta, dhe shpeshherë kanë ditur të mbizotërojnë opinionin e gjerë në të gjitha taborët e shoqërisë, qoftë në mediet televizive dhe tryezat publike të diskutimit ashtu edhe në qarqe private. Secili analizon nga këndvështrimi i vetë, gjë që duhet respektuar, por që qëndrimi zyrtar i shtetit është ai që vlen në fund të ditës dhe se ky qëndrim duhet në vazhdimësi të mbrojë interesin e përgjithshëm të të gjithëve. Në tabelën e mëposhtme, paraqiten disa prej argumenteve për dhe kundër të votuarit të diasporës në Kosovë, të cilat shpërfaqin dy anët e ndryshme të medaljes për këtë çështje:
Për votimit të Diasporës | Kundër votimit të Diasporës |
• Ofron mundësi të barabarta votimi për të gjithë;• U mundëson qytetarëve që jetojnë jashtë shtetit pjesëmarrjen në zhvillimet politike në vendlindje;• Siguron që qytetarët të mbajnë lidhje me prejardhjen e tyre;• Rrit interesimin e diasporës në zhvillimin ekonomik të vendlindjes;• Ofron mundësi për të zhvendosurit dhe emigrantët për të votuar, përfshirë edhe shërbyesit civil, shërbyesit diplomatikë. | • Më pak të prekur nga veprimet e organeve/autoriteteve qeveritare;• Më pak të interesuar, dhe kanë më pak njohuri për problemet e shtetit;• Nuk paguajnë taksa në vendlindje, përse të kenë të drejtë për të vendosur për çështje politike?;• Kostoja e organizimit të votimit jashtë vendit është shumë e lartë;• Ka mungesë transparence në votim. |
Tabela 1 – Argumente pro dhe kundër të votuarit të diasporës në Kosovë
Rekomandimet për reformat e nevojshme
Qeveria aktuale e Kosovës me në krye z. Albin Kurti miratoi ndryshimet për ligjin për zgjedhjet, për t’u mundësuar diasporës të votojë nëpër përfaqësitë diplomatike në vendet ku jetojnë, pa u konsultuar me partitë e tjera politike parlamentare, duke nxitur kështu reagime të ashpra të partive opozitare (Shehu, 2021). Reagime pati edhe nga shoqëria civile e përfaqësuesit diplomatikë ndërkombëtarë, të cilët ishin kundër që një proces kaq i rëndësishëm të kalohet brenda një mbrëmjeje të një së premte, e sidomos pa përfshirje të të gjitha palëve me interes në këtë çështje. Qeveria u tërhoq nga një iniciativë e tillë dhe i hapi rrugë për ta reformuar sistemin zgjedhor në proces të rregullt.
Në plan-programin qeverisës 2021 – 2025, Qeveria e Republikës së Kosovës në pikën 2.17.5 Rritja e rolit të mërgatës në zhvillimin dhe promovimin e vendit ndër të tjera parasheh “… krijimin e mundësive për votim nëpër misione diplomatike.” (Qeveria, 2021). Duke qenë e paraparë në dokumentin që portretizon fushëveprimtarinë dhe synimet kyçe të të qeverisurit përgjatë mandatit të saj, veç se bëhet i ditur qëndrimi i kësaj qeverie kur është në pyetje vota e diasporës. Ndonëse mund të ketë prapavijë politike për përfitim populist një pozicion i tillë, qëllimi primar është eliminimi i shpenzimeve dhe stërmundimeve të kësaj kategorie votuesish, që vullnetin e tyre do ta shprehnin në kutitë e votimit sa më pranë shtëpive të banimit në vendet ku jetojnë e veprojnë.
Janë pesë (5) rekomandime që dalin nga të gjeturat e mësipërme:
- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve KQZ duhet të mbajë një regjistër i cili përfshin të gjithë Kosovarët që jetojnë jashtë vendit;
- ambasadat dhe konsullatat të vënë në dispozicion ambientet e tyre, ku votuesit nga diaspora mund të shkojnë të votojnë;
- të informohet më mirë popullata mbi të drejtën e tyre për të votuar;
- afatet për aplikim dhe votim të zgjaten;
- të ndahen vende të rezervuara në Kuvend për përfaqësim të diasporës.
Përfundime
Konceptimi i demokracisë mbështetet në parimin e “qeverisë nga populli”, që nënkupton se njerëzit qeverisin me veten, marrin pjesë në vendimmarrje duke strukturuar jetët e veta dhe fatin e shoqërive të tyre (Heywood, 2008). Askush nuk mund të mbrojë dhe avancojë në mënyrën më të mirë të mundshme interesat e një komuniteti apo grupi qoftë etnik, fetar, social a kulturor, apo të një grupi të migruar nga vendi i origjinës, se sa përfaqësuesit e zgjedhur prej tyre, si dhe asgjë nuk mundëson më shumë që një shoqëri të përparojë me hapat e duhur se sa përfshirja dhe identifikimi i të gjithëve me proceset shoqërore që ngjajnë në atë vend. Republika e Kosovës ka dëshmuar se ka vullnet dhe dëshirë që qytetarët e migruar jashtë, t’i bëjë të ndjehen si pjesë e pandashme e vetë ekzistencës së saj. Është në interesin e të mirës së përgjithshme që të përqafojë brenda vetes të gjitha grupacionet dhe t’i unifikojë ato me qëllimin e vetëm të një të ardhmeje prosperuese të përbashkët.
Bibliografia
Atanasov, Z., Dimitrievski, D., Krsteska, A., Naumovska, B., Cekiq, A., Bliznakovski, J., & Todorovska, M. (2022, shkurt). SISTEMI ZGJEDHOR IMAQEDONISË SË VERIUT Si të sigurohet përfaqësimi i drejtë në Parlament. (E. Aeti, & J. Ziba, Përkth.) Shkup, Maqedoni e Veriut: Instituti Nacional Demokratik (NDI). Shikuar 26 maj 2022, prej https://www.ndi.org/sites/default/files/WEB%20Final%20Digi%20-%20%D0%90nalysis%20on%20the%20electoral%20model_Alb.pdf
Beha, A. (2017). MES STABILITETIT & DEMOKRATIZIMIT Zgjedhjet, partitë politike dhe demokracia brendapartiake në Kosovë. Prishtinë: Qendra për Kurajë Politike dhe Departamenti i Shkencës Politike, Universiteti i Prishtinës.
D4D, & D+. (2018, tetor). VOTIMI NGA JASHTË Shqyrtimi i politikave dhe rekomandimeve praktike. Prishtinë, Kosovë. Shikuar 22 maj 2022, prej https://d4d-ks.org/wp-content/uploads/2018/10/D4D_Elec_13_SHQ.pdf
GERMIN. (2018, maj). Analizë e shkurtër e politikave mbi votimin jashtë vendit. Shikuar 25 maj 2022, prej germin.org: https://germin.org/wp-content/uploads/2019/01/Analiz%C3%AB-e-shkurt%C3%ABt-mbi-Vot%C3%ABn-e-Diaspor%C3%ABs_Germin.pdf
GERMIN. (2020, mars). VOTIMI NGA JASHTË 2019 Analizë e votimit nga jashtë në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. Prishtinë, Kosovë. Shikuar 18 maj 2022, prej https://germin.org/wp-content/uploads/2020/06/Vota_2019_Shqip.pdf
Germin. (2022, janar 8). KOSOVAPRESS. Shikuar 23 maj 2022, prej kosovapress.com: https://kosovapress.com/shpenzimet-dhe-remitancat-diaspora-i-dha-kosoves-rreth-2-miliarde-euro/
gzk.rks-gov.net. (2008, qershor 15). LIGJI NR. 03/L-073 PËR ZGJEDHJET E PËRGJITHSHME NË REPUBLIKËN E KOSOVËS. Prishtinë, Kosovë. Shikuar 22 maj 2022 prej https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=2544
gzk.rks-gov.net. (2012, korrik 3). LIGJI Nr. 04/L – 095 PËR DIASPORËN DHE MËRGATËN. Prishtinë, Kosovë. Shikuar 22 maj 2022 prej https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=2831
Heywood, A. (2008). Politika. (B. Kraja, Përkth.) Shkodër: Dukagjini.
KQZ. (2013, korrik 2). RREGULLA ZGJEDHORE NR.03/2013 VOTIMI JASHTË KOSOVËS. Prishtinë, Kosovë. Shikuar 23 maj 2022 prej https://web1.kqz-ks.org/wp-content/uploads/2018/01/KQZ-Rregulla-03-2013.pdf
Qeveria. (2021, maj). PROGRAMI I QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS 2021 – 2025. Shikuar 27 maj 2022, prej kryeministri.rks-gov.net: https://kryeministri.rks-gov.net/wp-content/uploads/2021/05/Programi-i-Qeverise-se-Kosoves-2021-2025.pdf
Reçica, V. (2021, shkurt 4). Si voton diaspora në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Kroaci dhe Serbi. Shikuar 25 maj 2022, prej albinfo.ch: https://www.albinfo.ch/si-voton-diaspora-ne-shqiperi-maqedoni-mal-te-zi-kroaci-dhe-serbi/?fbclid=IwAR2c1o27_ly8H1iGX5mbUdCgRByNPogG-xsMyqkYQNk7N_e-qHpCljiGIRE
Shehu, B. (2021, prill 03). Ligji për zgjedhje – mollë sherri për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Shikuar 27 maj 2022, prej dw.com: https://www.dw.com/sq/ligji-p%C3%ABr-zgjedhje-moll%C3%AB-sherri-p%C3%ABr-zgjedhjen-e-presidentit-t%C3%AB-kosov%C3%ABs/a-57090633