(Restaurimi i dy busteve prej mermeri dhe i këmbës prej bronzi)

Shkruar nga Avni Alcani (Restaurator)
Në verën e vitit 2010, gjatë kërkimeve arkeologjike që zhvilloi misioni shqiptaro-franceze në Apolloni, u zbuluan tri objekte shumë të rëndësishme, siç ishin: 1. Busti prej mermeri i të ashtuquajtur “Aristokrati apolloniat”, 2. Busti prej mermeri i një gruaje apolloniate dhe 3. Këmba prej bronzi, si pjesë (fragment) e një statuje gjigande.. Ky ishte zbulimi shumë i madh dhe më i rëndësishmi i vitit, i cili vinte pas gati 50 viteve, që kur ishin zbuluar statujat e famshme të Apollonisë në vitin 1960, gjatë ekspeditës shqiptaro-sovjetike në Apolloni. Zbulimi i këtyre tri objekteve arkeologjike madhështore u konsideruan si një sukses shumë i madh i misionit tonë dhe u pritën me një gëzim shumë të madh nga i gjithë ekipin, që e kremtuan atë si një festë të vërtetë. Zbulimi pati një jehonë të madhe si në Shqipëri, por dhe në botë. Lajmi u transmetua gati nga të gjitha agjensitë dhe mediat më të rëndësishme botërore. Ekipi i arkeologëve shqiptarë dhe të huaj u prit me solemnitet edhe nga ish kryeministri shqiptar i kohës.
Si pjesë e ekipit dhe i ekspeditës arkeologjike, unë e ndoqa hap pas hapi zbulimin e bustit, i cili, fatmirësisht u nxorr në sipërfaqe nga studenti kosovar Arianit Biqinca. Unë pata fatin që t’i restauroja të tria objektet në fjalë. Ky restaurim i rëndësishëm m’u besua prej dy bashkëdrejtuesve të ekspeditës, nga prof. dr. Faik Drini dhe prof. dr. Jean-Luc Lamboley. Këtë detyrë unë e konsiderova si një besim, nderim dhe privilegj shumë të madh, por, në të njëjtën kohë, edhe si përgjegjësi shumë të madhe. Sigurisht që unë isha i ndërgjegjshëm se po merrja përsipër një rrisk të madh, pasi objektet ishin një zbulim i rëndësishëm dhe restaurimi i tyre ishte tepër delikat. Deri në atë kohë unë nuk kisha restauruar kurrë objekte metalike të atyre përmasave (madhësive në volum), sa ç’ishte këmba prej bronzi, pasi kisha restauruar vetëm objekte metalike të imta, siç ishin monedha, fibula, strigila, thika, gozhtë prej hekuri dhe objekte të tjera metalike. Restaurimi i dy busteve ishte më i lehtë për mua, pasi ai nuk kishte pasur dëmtime të mëtejshme dhe as shumë depozitime (smerc) natyrore. Objektet prej mermeri iu nënshtrua pastrimit mekanik dhe larjes me ujë, duke përdorur detergjentë specialë, që m’i kishte siguruar miku im, kimisti dhe restauratori i mirënjohur, prof. dr. Frederik Stamati.
Në përfundim të restaurimeve mora përgëzime nga dy drejtuesit e ekspeditës, si dhe nga pjesa tjetër e arkeologëve shqiptaro-francezë.
Busti i Aristokratit apolloniat dhe busti i gruas apolloniate u transportuan në Tiranë. Busti i Aristokratit ndodhet sot i ekspozuar në Muzeun Arkeologjik të Tiranës, kurse busti i gruas apolloniate ruhet në fondet e këtij muze. Këmba prej bronzi mbeti në Apolloni, e cila është ekspozuar në Muzeun Arkeologjik të Apollonisë.