
NURI GOKAJ: (1947 – 2026):
“Kur ndërron jetë një pedagog gjuhëtar,
largohet ai, por mbetet emri dhe vepra
e tij shkencore pedagogjike, kujtimi
i përjetshëm për mijëra nxënës e studentë,
shembulli i një studiuesi në albanologji.”
***
“Pedagogu i Univresitetit të Shkodrës “L.Gurakuqi”, Nuri Gokaj, ka qenë ndër të parët gjuhëtarë të rinj të viteve 1990, që provoi të njihet me universitete të huaja, nisur nga University of Maryland at College Park, USA 1992-1993 dhe University College, UK London, 1995, ku synoi, në radhë të parë, të përfitojë prej përvojës së madhe të këtyre dy shkollave linguistike, sidomos në lëmë të gjuhësisë së përgjithsme. Arritjet e gjuhësisë anglo-amerikane, me drejtimet e shpallura e të përhapura kudo në botën shkencore, ai i bëri të vetat dhe, me t’u kthyer, i shfaqi, më së pari, në departamentin e gjuhës shqipe të Universitetit të Shkodrës, me një kompetencë e performacë të fituar në auditorët me profesorët amerikanë e londinezë. Ishte i pari lektor që kapërceu kornizat e vjetra të shkollës lindore në këtë disiplinë, përcolli mes studentëve teoritë bashkëkohore të lindjes dhe marrjes gjuhësore tek individi, bazat neurolinguistike, teorinë e komunikimit, pragmatikën në mënyrë të veçantë dhe, brenda një kohe të shkurtër, arrin të hartojë një tekst mësimor universitar, që do të përdorej për më se tre dhjetëvjeçarë në shkollat tona të larta. Prof.Nuri Gokaj ishte për disa vite si lektor i morfologjisë në Fakultetin e Edukimit, drejtues i sprovuar i Departamentit të gjuhës dhe kryetar i komisionit të diplomave në degën e Gj-L. Me punën e tij, disiplina “Bazat e gjuhësisë së përgjithshme”, jo vetëm u promovua si lëndë me program të ri, por u përvijua me dinjitet, duke u kthyer në një dije linguiatike e dashur për masat e studentëve. Ai ishte anëtar i redaksisë së revistës akademike “Gjuha jonë” 1995-1998, si dhe anëtar i komisionit për doktorata në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në këto vite.
***
Nuri Gokaj ka kryer shkollën e mesme pedagogjike “Sh. Juka” dhe më pas Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës; ka punuar mësues në Kamicë dhe Dajç të rrethit të Shkodrës. Falë rezultateve të shkëlqyera në shkollën e lartë dhe angazhimit me punë studimore, përzgjidhet në kualifikimin pasuniversitar në Gjuhësi, Tiranë, 1981-82. Më pas punon një vit në Kabinetin Pedagogjik (1982-83), specialist i gjuhës amtare në procesin e mësimdhënies. Ndërkohë është diplomuar në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1983-1998 emërohet pedagog në Departamentin e Gjuhës, Universiteti ” Luigj Gurakuqi “, Shkodër, ku për disa vite ka lektoruar disiplinat: Gjuhësi të përgjithshme, Morfologji e gjuhës shqipe. Ai është dalluar në stafin e profesoratit për aplikimin e metodave të reja të mësimdhënie dhe pasurimin e kurikulës lëndore në shtrirjen e programeve për degën, sidomos kur u hap Universiteti 4-vjeçar, duke përgatitur cikël leksionesh të reja për Fakultetin e Edukimit dhe atë të Shkencave Shoqërore.
Ka drejtuar Departamentin e gjuhës shqipe në vcitet 1995 – 1998, kur dhe u largua me banim në ShBA.
Tituj shkencorë
- Kandidat i shkencave, 1991, mbrojtur me tezën ” Zhvillimi i gjuhës letrare shqipe në vitet ’20 – ’30 të she.XX “
- Doktor i shkencave, 1993.
- Asistent Profesor Doktor, 1994.
- Anëtar redaksie në revistën akademike “Gjuha jonë”, 1994-1998.
- Anëtar jurie në mbrojtje disertacionesh në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, Tiranë 1994 – 1998.
Kualifikime pasuniversitare në gjuhësinë moderne:
University of Maryland at College Park, USA 1992-1993
University College, UK London, 1995
Botime
▓ Bazat e gjuhësisë së përgjithshme, 1997 (tekst universitar për degën e Gjuhës
e të Letërsisë shqipe)
▓ Tekst ushtrimesh të gjuhës shqipe, 1998, b/autorë T. Osmani, S.Pepa.
Botime nëpër organe shkencore
▲Shënime mbi frazeologjinë në zonën e Dajçit të Bregut të Bunës, Buletin shkencor,
1981, 2.
▲Luigj Gurakuqi – lëvrues dhe studiues i shquar i gjuhës shqipe, Gjuha Jonë,1984, 2.
▲Shënime për leksikun e fjalëformimin në shkrimet e L. Gurakuqit, Buletin shkencor
1985, 2.
▲Vëzhgime për gjuhën ne gazetën Jeta e re, Gjuha jonë, 1987, 4.
▲Shtypi përparimtar për gjuhën letrare në vitet ’30, Buletin shkencor, 1998, 2.
▲Vërejtje për gjuhën e teksteve të gjuhës shqipe e të leximit letrar, Gjuha jonë, 1989, 2.
▲Probleme të zhvillimit të gjuhës letrare shqipe në vitet ’20, Buletin shkencor, 1990, 2.
▲Rreth pikëpamjeve kryesore për formimin e gjuhës letrare shqipe në vitet ’20 të
shekullit tonë, Studime filologjike, 1991, 2.
▲Shënime mbi Fjalorthin e N.Gazullit, Gjuha jonë. 1994, 1-4.
▲Komisia Letrare e Shkodrës – ngjarje me rëndesi historike, Gjuha jonë, 1, 1996,
b/autor me T.Osmanin.
▲Gjuha dhe ligjërimi në shkollë, 1998, drejtues projekti.
▲Justin Rrota – lëvrues i shquar i letrave shqipe, 1995, drejtues projekti.
Kumtesa të botuara
▲Studime të sotme albanologjike në SHBA, Përmbledhja ” Kontribute të albanologëve
të huaj për studimin e gjuhës shqipe “, USH 1996.
▲Pikëpamje dhe qendrime të E.Cabejt për gjuhën letrare shqipe, ” E.Çabej personalitet i
shquar i shkencës dhe kulturës shqiptare, USH , Studime shqiptare 9.”
Po ashtu në përmbledhjet për M.Camajn, J.Rroten, G.Petrotten, Gj. Fishten, K.Gurakuqin, A.Pipen, ka publikuar shkrime analitike.
Interesat shkencore
Pas studimeve pasuniversitare në SHBA, dy ishin fushat e hulumtimit të tij shkencor:
▓ Zhvillimet në gjuhësinë moderne, kryesisht amerikane, në gramatikën gjenerativiste si dhe në semiotike.
▓ Planifikimi gjuhësor si teori dhe zbatim në rastin e shqipes.
Tezë doktorante
Zhvillimi i gjuhës letrare shqipe ne vitet ’20 – ’30 te shek.XX
Zhvillimi dhe lëvrimi i gjuhës letrare shqipe pas Kongresit Arsimor të Lushnjes, 1920, do të hynte në një faze të re; kjo për nevojat e ngutshme të zhvillimit të shkollës, të shtypit si dhe të administratës shtetërore. Gjuha shqipe tashmë fitoi statusin e L1 dhe fillojne hapa për ndërtimin e një politike gjuhësore kombëtare në rrugën e shtruar gjatë Rilindjes Kombëtare shqiptare. Personalitetet kryesore që u morën me përcaktimin e rrugës që duhej të ndiqte shqipja letrare në këtë periudhë, kishin zhvilluar veprimtarinë e tyre atdhetare dhe kulturore në vitet e fundit të Rilindjes dhe kishin ndjeshmëri të lartë atdhetare për rolin e gjuhës amtare në ecurinë e shtetit të ri shqiptar, si një gur themeli i ndergjegjës kombëtare shqiptare.
Një studim i plotë për ecurinë e gjuhës shqipe në vitet e shtetit të pavarur shqiptar ka munguar. Gjuhësia shqiptare e pas Luftes së Dytë Botërore e ka anashkaluar dhe në kapercyell të trajtimit të politikës gjuhësore të shtetit monist, ka theksuar mungesën e aftësisë së shtetit shqiptar të asaj kohe për të pasur një politikë gjuhësore, për një gjuhë zyrtare të shkollës dhe të shtetit. Detyrat bazë të tezës së doktoratës ishin: a pati një politikë të vërtetë gjuhësore në ato vite dhe mbi cilat baza u nis ajo; cilat ishin pikëpamjet jo të njëjta për një gjuhë të përbashkët dhe baza dialektore mbi të cilën mund të ngrihej në një fazë të re; institucionalizimi i gjuhës shqipe përmes shkollës dhe gjuhës zyrtare të shtetit shqiptar; norma drejtshkrimore në botimet e kohës.
Si ngjarja më e afërt historike, Komisia Letare e Shkodrës, do të ishte një platformë e shëndoshë nga u nisën polemikat mbi plotikën gjuhësore që duhej ndjekur dhe hapat për institucionalizimin e saj si gjuhë zyrtare e përbashkët përmes një konvergjence dialektore me bazë të folmen e Elbasanit. Tezën e KLSH e jetësoi më tej Kongresi Arsimor i Lushnjës, 1920. Kongreset e viteve 1922, 1924 u përpoqen ta zyrtarizojnë këtë bazë dialektore në normën drejtshkrimore të shqipes zyrtare.
U hapen rubrika gjuhësore në shtypin e kohës me një përfshirje të gjerë shoqërore me shqetësimin e përgjithshëm për t’i dhënë shqipes ” nji sulm drejt perparimit “. Kundërthëniet ishin për rrugët që duheshin ndjekur sipas binomit unitet : diversitet apo diversitet : unitet. Të parët e shihnin nevojën e një gjuhe letrare me baza të përbashkëta si një nevojë të ngutshme për shkollën e shtetin e sapo formuar shqiptar, se koha nuk pret për një zhvillim të brendshëm të gjuhës derisa vetë gjuha të vinte në atë zhvillim të pranueshem për të gjithë. Në të kundërtën, krahu tjetër theksonte se një gjuhë e përbashkët do të zbehte apo zhdukte pasurinë dialektore, që është pasuria e bukuria e vertetë e gjuhës letrare. Të dyja palët theksonin se duhet ruajtur karakteri popullor i gjuhës letrare, se gjuha e shkruar duhej të bazohej në gjuhën e folur të popullit. Këto qendrime u shfaqen edhe në termilogjine që u përdor për këtë çështje: gjuhë zyrtare, gjuhë letrare e zyrtare e përbashkët, gjuhë e përbashkët, dialekt zyrtar i përbashkët.
Probleme të gjuhës letrare e zyrtare ishin të pranishme edhe në Ballkan e më gjerë në disa vende europiane, të cilat u morën si shembull për gjuhën letrare shqipe si dhe hapat që duheshin ndërmarrë për institucionalizimin e saj në shoqëri, pasi një politike e drejtë gjuhësore ishte ” nga ma të medhajat e nevojave shoqërore dhe shteti, ashtu sikundër shikon drejtësinë, ushtrinë, duhet të shikojë gjuhën e literaturën “. Kjo tingëllon si detyrë e përhershme e shtetit përkundër kujdesit të vazhdueshëm për gjuhën, sidomos në kushtet e sotme kur gjuha shqipe përballet me gjuhë të mëdha, si anglishtja, italishtja etj.
Në frymën e Kongresit të Lushnjes, 1920, u bënë përpjekje për të zgjidhur praktikisht nevojat e gjuhës letrare shqipe: u krijua Komisioni teknik për gjuhën e teksteve shkollore e termilogjinë, u kërkua një Institut kombëtar për ” gatimin e gjuhës shqipe ” si dhe një Komision letrar për ” unifikimin e gjuhës zyrtare “. U përvijua një ndarje në mes të atyre të ” gjuhës së Komisionit ” dhe të ” gjuhes së gjenive “, që promovonin evolucionin e gjuhës derisa të dilte një shkrimtar i shkallës se Dante Aligierit që të sillte gjuhën e përbashket të dëshiruar nga të gjithë. A.Xhuvani, si përfaqësues në zë i një gjuhe letrare e zyrtare, do ta kërkonte zgjidhjen si të natyrshme, ” pasi ” në trajtë të ngultë në punë të formave e të stilit, gjuha shqipe ka nisë prej 9 vjetësh pune, d.m.th. që prej Kongresit te Lushnjës. “
Nën trysninë e këtyre përpjekjeve për institucionalizim të gjuhës letrare, shteti shqiptar doli me një dekret në Janar 1923 që në ” gjithë zyrat me shkrim të akteve zyrtare gjithmonë të përdoret dialekti i Elbasanit, i cili asht pranue si dialekt i përbashkët e zyrtar për shtetin tonë “. Kundërpërgjigja ndaj këtij vendimi zyrtar ishte se duheshin ma parë të dalin veprat gjuhësore normative, si Gramatika dhe Fjalori i gjuhës shqipe. Dhe kjo punë nuk do të vononte për t’u ndërmarrë, sidomos për Fjalorin e gjuhës shqipe u hapen rubrika si dhe nisi puna për mbledhjen në terren të fjales shqipe. Kjo detyrë u pa si një mision per ruajtjen e bazës popullore të gjuhës shqipe si dhe për ruajtjen dhe mbrojtjen e pastërtisë së saj. Pavarësisht përpjekjeve për zgjidhjen e problemit të gjuhës letare shqipe me baza të konvergjencës dialektore, shteti shqiptar i kohës, edhe për shkak të brishtësisë dhe mundësive që kishte, nuk qe në gjendje që ta bejë pjesë të politikës se vet edhe politikën gjuhësore për një bazë të gjerë dialektore të gjuhës letrare shqipe dhe nuk u arrit që gjuha letrare zyrtare të institucionalizohej në shkollë dhe dokumentacionin zyrtar.
Por vetë ecuria e gjuhës së shkruar letrare tregonte se gjuha shqipe kishte hyrë në një etape të re zhvillimi të pandërprerë dhe përdorej tashme në të gjtha subjektet e shkrimit. Pas viteve ’40 – ’50 kjo politikë gjuhësore do të permbysej sipas politikës gjuhësore të shtetit monist që përputhej me interesat e atij shteti klasor.
***
KUMTESA DHE PËRMBLEDHJE BOTIMESH
Pas viteve ’90 u bë e mundur që të rifiguroheshin disa personalitete të rëndësishme të kulturës kombëtare, të cilët, për arsye politike të regjimit komunist, ishin ndaluar të flitej për ta, ose ishte keqinterpretuar veprimtaria e tyre atdhetare, kulturore dhe letrare.
Në sesionet shkencore kushtuar veprimtarisë atdhetare të Gj.Fishtes, J.Rrotes, M.Camajt, N.Gazullit, M.Logorecit, V.Prenushit, K.Gurakuqit, E.Koliqit; si dhe te L.Gurakuqit, H.Mosit apo albanologëve G.Petrota, E.Hamp, deri te personalitete shkencore të kohës si E.Cabej, janë mbajtur kumtesa, (të cilat janë botuar në përmbledhjet përkatëse ) për pikëpamjet, qëndrimet dhe ndihmesat e këtyre personaliteteve të shquara në lëmin e gjuhës letrare shqipe. Grupi i parë anatemohej për një kurs antihistorik, sikur nuk e donin një gjuhë të përbashkët kombëtare dhe këmbëngulnin në ruajtjen e bazave dialektore dhe lokale, siç etiketoheshin shkrimtaret shkodranë dhe revistat ” Hylli i Dritës ” dhe “Leka”. Në të vërtetë, ata i përmbaheshin parimit “jo për hatër të bashkimit, të zhdukim pasuritë gjuhësore të dialekteve ” dhe se “afrimi ka për të qenë ma i plotë në atë gjuhë të njinjijtë që andrrojnë sa e sa, por me kadalë, ma natyrshëm, tue u shkri në nji pasuni të përgjithshme e pasunitë e veçanta pa hupë asgja “, siç shprehej Gj.Fishta, që u cilësue si poeti kombëtar në gjallje të tij. Pjesë e kauzës së tyre gjuhësore do të bëhej ruajtja e pastërtisë së gjuhës, mbledhja e visarit gjuhësor popullor, studimi i letrave të shqipes për ta përgatitur gjuhën e shkruar shqipe në lartësinë e simotrave ballkanike e me tej europiane. Të gjitha këto hulumtime lidheshin me një tezë më të shtrirë mbi zhvillimin e gjuhës letrare shqipe në vitet ’20 – ’30 që do të bëhej tezë doktoranture.
Pas viteve ’90 dhe ndryshimeve politike në Shqipëri, problemi i standardizimit të shqipes, si dhe bazat dialektore të saj u bënë një çështje shkencore e ndjeshme, me dy qendrime të kundërta: qendrimi i parë vazhdonte të mbronte toskërishten si bazën dialektore të gjuhës së përbashkët shqipe; ndërsa nis një lëvizje për rishikim të kësaj baze dialektore si një dhunë ndaj përjashtimit të gegërishtes nga procesi i krijimit të gjuhës së përnashkët letrare. Kështu nisi trajtimi i bazave shkencore të planifikimit gjuhësor të standartit të gjuhës së shkruar dhe trajtimi i rastit të shqipes. Në kuadër të këtij debati kam trajtuar: Planifikimi gjuhësor i shqipes së sotme (Simpozium gjuhësor, Tiranë, 7.4.1995 ); Komisia Letrare e Shkodres dhe reflektime mbi standartin e gjuhës së sotme shqipe.
***
“ Bazat e Gjuhësisë së përgjithshme” i prof.as.dr. Nuri Gokajt, pedagog dhe titullar i kësaj disipline prej disa vitesh në Universitetin “L.Gurakuqi” të Shkodrës, ka pasuruar curikulën lëndore të degës së Gjuhës shqipe e të Letërsisë në Fakultetin e Shkencave Shoqërore. Hartimi i këtij teksti universitar u bë i mundur pas kualifikimeve afatgjata që kreu autori në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar (University of Maryland at College Park, USA 1992-1993 University College, UK London, 1995).
Deri më sot, për universitetet shqiptare që kanë Fakultete të Filologjisë, është teksti i vetëm, i programuar për studentët të gjuhës shqipe dhe të letërsisë. Për shumë vite me radhë, kjo lëndë është zhvilluar mbi bazën e leksioneve të gjuhëtarit rus Zvegincev, nga gjuhësia ruso-sovjetike, që kishte bosht strukturor traditën e fortë staliniane, me pak prurje të shkollave perëndimore, të cilat i nënshtroheshin kritikës së filozofisë materialiste. Gokaj është mbështetur në një bibliografi të pasur me autorë e vepra bashkëkohore nga gjuhësia anglosaksone, frënge dhe gjermanike, për arritur tek një trajtim koherent, drejt qëllimit që interpretimi i fakteve gjuhësore të meritojë atë që quhet humanitas et universitas.
Autori thekson se organizimi i kësaj lënde është rrjedhojë e qëllimeve të saj: sqarimi mbi konceptin gjuhësi si dhe të teknikave kërkimore dhe problemeve në studimet gjuhësore. Kjo ka bërë të mundur të mbahet qëndrim për bazat e gjuhësisë të nisur nga grekët, përshtatur nga romakët e zhvilluar nga shkollat evropiane e amerikane. Gjuhësia moderne deskriptive nis në shek. XIX mbi baza historike, De Sosyri e vendos veprën e tij në model shoqëror, Sepiri merret me modelin gjuhësor…duke theksuar lidhjet gjuhë-kulturë; Blumfieldi nis traditën e përshkrimit empirik, Firth bën studimin e kuptimit sipas situatës kontekstuale, Hjemslev formulon përshkrimin e gjuhës në terma deduktivo-logjikë, kurse Çomski përdor metoda të rrepta formale, që u zhvulluan më tej nga kritika e gjuhësisë pasçomskiane. Këto janë shtyllat teorike mbi të cilat mbahet gjithë ngrehina e librit të autorit, në përbërje të të cilit ka 16 krerë: nga tradita në gjuhësi, përshkrimi i shkollave të ndryshme – nga gjuhësia krahasimtare, gramatikanët e rinj – pastaj me radhë: sosyrianizmi, strukturalizmi, funksionalizmi, shkollat daneze dhe ajo e Londrës, gjuhësia amerikane, psikolinguistika, filozofia e gjuhës, semiologjia, semantika pragmatika dhe neurolinguistika. Disa prej tematikave, si psikolinguistika, pragmatika dhe neurolinguistika, janë trajtime për herë të parë në shkencat tona gjuhësore, duke qenë edhe degë të reja të zhvillimeve botërore në linguistikë.
Libri “Baza të Gjuhësisë së Përgjithshme” është një tekst shkencor i nivelit të lartë, thurur me shembuj të shumtë ilustrues të përdorur në kontekste komunikimi eficentë, cituar me autorë referentë të fushave përkatëse, sjellë për studentët me metoda deduktive, sipas një aparati pedagogjik të përshtatshëm për interpretimin e teorisë dhe mjaft konciz nga ana gjuhësore. Kjo disiplinë ka qenë programuar në vitin e fundit të studimeve të degës, kur ishin krijuar edhe mundësitë e zhvillimit të seminareve me literaturë në gjuhë të huaj, krysesisht në anglisht; kështu që autori, duke qenë edhe lektor i lëndës, ka aktivizuar në një masë të mirë studentë që vinin nga shkollat e mesme të gjuhëve të huaja.
Një nga krerët më të ftilluar të librit është ai i Pragmatikës në gjuhësi, i cili ështrë strukturuar në përbërës analitikë, të bazuar ne burime të drejtpërdrejta shkencore dhe i shtruar didaktikisht pas treguesve pedagogjikë të përvetësimit në shkallë të lartë. Në hyrje ka 3 argumente kryesore rreth të cilëve sillet trajtimi i ligjëratës, dhënia e përkufizimit të pragmatikës, si studimi i aktit të të folurit apo përdorimi i gjuhës në kontekste të ndryshme; ajo i studion përdorimet e ndryshme pas situatave dhe shpjegon rrugët ku konteksti social mund të ndikojë në interpretimin e tij; ajo kapërcen përcaktime të tilla, si: fonema, dialekte, regjistra gjuhe, dhe vështron kryerjen e aktit të kumtimit si një akt shoqëror, drejtuar nga rregullat e marrëveshjes. Në teorinë e pragmatikës njihet ndarja trish, sipas skemës:
e shkëmbimit të mesazhit
Pragmatika funksionaliste
psikolinguistike mbi teorinë e prëceptimit e procesit gjuhësor.
Pas kësaj, autori sjell burimet e lëvrimit të kësaj dege linguistike, si: nga Ç.Morris, Stalnaker, Montague, Jakobson, Fillmore, Levinson etj. Pragmatika është e lidhur me teorinë e komunikimit gjuhësor, që në vetvete është një proces i tejdukshëm, por pragmatika kërkon të japë përgjigje edhe për pyetje si bëhet i suksesshëm komunikimi. …Në dallim nga semantika, pragmatika do të ishte studim i atyre veçorive kuptimore që nuk i kap semantika, zbulim i kushteve të vërteta të përdorimit gjuhësor; pra, ajo mbetet diku në mes të studimit të kuptimit dhe prëdorimit të gjuhës.
Fragment: Teoria e pragmatikës ka identifikuar te parime kryesore të aktit të komunikimit: forcën transmetuese, duke iu referuar folësit se si ai intrepretohet nga auditori; parimet e shkëmbimit të mesazhit, duke iu referuar asaj që auditori pret nga folësi dhe nënkuptimeve, referuar asaj që auditori pret nga folësi dhe nënkuptimeve, duke iu referuar asaj që marrin me mend si folësi e dëgjuesi. Këto tri parime ndikojnë mbi njëri-tjetrin dhe në tërësinë e vlerave të aktit të të folurit…Pas viteve 1950, koncepti më i përhapur i komunikimit gjuhësor ka qenë termi i mesazhit në lidhjen dhënës-marrës-kanal i komunikimit. Komunikimi bëhet i mundur kur marrësi është në gjendje të dekodojë atë çka ka koduar dhënësi. Figura e komunikimit e portretizon gjuhën si një urë në mes dhënësit e marrësit, me anën e së cilës ide individuale bëhen publike me anë tingujsh si mjet komunikimi të mesazhit. Marrësi fillon e dekodon mesazhin në tinguj, kategori sintaksore e semantike. Për gjuhën si sistem sinjalesh del problemi i së vërtetës dhe falsitetit për të zgjidhur drejt supozimin dhe atë që mund të implikohet në mesazh. Çështje të tilla rrjedhin më shumë nga interesat e ngushtimit të alternativave kuptimore për analizën e së vërtetës, për të zgjidhur drejt kuptimin e mesazhit. Sipas pozitivizmit, mund të flitet për pakuptueshmërinë dhe për atë që verifikohet. Për Witgenshteinin “kuptimi është përdorim”, thëniet janë të shpjegueshme vetëm kur janë në lidhje me veprimtarinë ligjërimore. Austin jep idenë që problem themelor për gjuhën është vendosja e kushteve për të vërtetën.
Por në veprën “Si të bëjmë gjërat me fjalët”, Austin thotë që fjalitë nuk ndërtohen vetëm për të nxjerrë të vërtetën, por edhe të realizojnë situata reale. P.sh., në fjalinë “E pagëzoj këtë anije flamur të Perandorisë”, gjeneruar nga Mretëresha, thënia nuk mund të realizohet jashtë disa veprimtarive ceremoniale. Kështu ka një dallim në mes të fjalive deklarative dhe konstative, të cilat kanë nevojë për të vërtetën….
Forca e aktit të të folurit – është synim i folësit, aq sa dëgjuesi mund të dallojë nga konteksti nëpërmjet dy mjeteve të ksëaj force: nënkuptimi, që gjendet poshtë sipërfaqes dhe qartësia në sipërfaqe. Format e nënkuptimit janë tri: deklarative, urdhërore, dhe pyetëse, të cilat, në kontekste të ndryshme janë të ndryshme, si:urdhra, mirësjellje, në formë pyetjeje, etj..
Parimet e shkëmbimit të mesazhit: lidhen me atë çfarë pret dëgjuesi nga folësi dhe cilat janë aftësitë intertpretuese të dëgjuesit; janë pranuar 4 parime bazë për folësin: të jetë i sinqertë në atë që flet; të thotë të vërtetën, ajo që thotë folësi të lidhet me qëllimin e thënies dhe, së fundi, të dhënat e informacionit të dhënësit nuk duhet të lënë jashtë loje gjëra të rëndësishme, p.sh. Sa është ora?
Mund të formulohen disa parime të përgjithshme të drejtimit në shkëmbimin e mesazhit, si: cilësia: thuaj atë që është e vërtetë, mos thuaj atë për të cilën nuk ke informacion; sasia: jep informacion aq sa kërkohet, jep informmacion sipas qëllimit të mesazhit, lidhja e mesazhit: jep të rëndësishmet: mënyra e dhënies: bëhu i qartë e i thjeshtë, shmang ambiguitetin, shmang errësirën e shprehjes, bëhu konciz, shmang proliksitetin, paraqit në rregull; presupozimi: si folësi e dëgjuesi presin të dfinë nga përmnajtja që u afrohet, d.m.th., mendohet që ata duhet të dine para se të fillojë mesazhi, p.sh.: Por Xheni asnjëherë nuk ka dalë shëtitje me një njeri të martuar; kjo thënie nënkupton që dëgjuesi dhe folësi duhet të dine së paku: është një njeri me emrin Xheni, të dy njihen me të, Xheni shkon jashtë me një burrë si dhe një informacion jo aq të qartë se: Xheni është vajzë, nuk është e martuar, se zakonisht nuk del me një burrë të martuar, se është e rritur, se sjellja ne saj është e çuditshme për folës-dëgjuesin. Të gjitha kodet, zhargonet, të folurit me paramendim apo të folurit jo të qartë japin presupozime. Forca e mesazhit është nënkuptimi në kontekst…..(f. 178-185)
***
Zhvillimi i kompetencës komunikative
në moshën 10 – 14 vjeç
Probeme që lidhen me kompetencën komunikative, në këndvështrime të ndryshme, u interesojnë jo vetëm gjuhëtarëve, por edhe antropologëve, filozofëve, sociologëve, psikologëve, semiologëve. Platoni thoshte që vendosa “të strehohem në gjuhë për të shpjeguar thelbin e gjërave”, në Mesjetë modulistët shpreheshin që ka një luftë për lidërship në historinë e shoqërisë njerëzore në mes të logjikës, gramatikës e retorikës (gramatika jep timonin, logjika boshtin, të cilin reorika e stolis). Ndërsa Berkli thoshte që “ne i kemi ngritur vetes një re pluhuri dhe pastaj ankohemi se nuk shohim”. Pa u shprehur për termin e kompetencës gjuhësore, gjuhëtarë e filozofë kanë theksuar se gjuha është mjeti kryesor për komunikimin e botëkuptimit njerëzor, si aksi i pafundësisë dhe kufizimeve tona në marrëdhëniet e krijuara në kuadër të shoqërisë njerëzore.
Megjithëse e ardhur në studimet gjuhësore në vitet ’60 – ’70, me një objekt të pakonsoliduar aq qartë, e lidhur me aspektin funksional komunikativ të gjuhës, ajo u bë problem themelor në sociolinguistikë dhe etnografinë e ligjërimit, por edhe për teorinë e përvetësimit të gjuhës së parë e të dytë, për gramatikën në gjuhësi e semiotikën. Por trajtimi i saj në gjuhësi erdhi nga filozofia e gjuhës, për të shpjeguar aktin gjuhësor si shprehësi të alternativës marrëveshjesore. Në qoftë se Searle e quan akt ligjërimi, Lyons akt semiotik, të tjerë akt retorik njësinë bazë të komunikimit, të gjithë fokusojnë në qëllimet dhe vlerat e gjuhës sipas kontekstit gjuhësor situativ. Kështu njësi bazë e kompetencës komunikative të folësit bëhet thënia, diskorsi, teksti që transmetojnë një mesazh të përfunduar, në vijimësinë dhe perspektivën e tij.
Në gjuhësi ka studime për zhvillimin e kompetencës komunikative të moshave shkollore për gjuhës si: gjermanishtja, anglishtja, rusishtja, ebraishtja, italishtja etj., prej nga janë nyjerrë edhe tipare universale për teorinë e përvetësimit të gjuhës së parë dhe është ngritur baza teorike e kësaj ndërmarrjeje. Për ta vënë plotësisht mbi baza shkencore mësimin e gjuhës amtare në shkollën tonë, sot është e domosdoshme të ndërmerren studime të veçanta për kompetentë të ndryshëm të saj, si: kompetenca fonologjike, leksikore, gramatikore, sistemi ynë i qytetërimit, veçori psikike të moshave shkollore etj.
Përparësitë e studimit të kompetencës komunikative të moshës 10-14 vjeç lidhen me studimet psikolinguistike, ku është provuar se këtu përfundon marrja e modeleve bazë të gjuhës. Pra, do ta quanin një periudhë kritike në zhvillimin gjuhësor të fëmijës, ku edukimi gjuhësor do të përcaktojë strategjinë e mëtejshme të pjekurisë e përsosmërisë gjuhësore. …Kjo shtron kalimin nga studimi i strukturës formale gramatikore në dhënien e përdorimit të natyrshëm të gjuhës sipas nevojave shprehëse komunikative. Është vërtetuar se në moshën 9 – 10 vjeçare ka një ndryshim cilësor të personalitetit dhe zhvillimit gjuhësor të fëmijës, kur konformizmi gjuhësor rrit peshën në aktin ligjërimor. Tani ka pasurim dhe përmirësim të repertorit gjuhësor, një rritje të ndërgjegjësimit në përdorimin e alternativave gjuhësore si dhe shfrytëzim më të gjetur të aftësive gjeneruese të sistemit gjuhësor, të shoqëruara me rritje të aftësive njohëse. Komunikimi nis e bëhet më abstrakt, bie roli i lojës dhe bazë në zhvillimin e kompetencës komunikative bëhet modeli i peer group (i bashkëmoshatarëve). Megjithëse është e vështirë të bëhet një dallim midis moshës 10 – 11 dhe 13 – 14 vjeç, mund të thuehet se në 13-14 vjeç fëmija është më i ndjeshëm për të imituar rolin dhe statusin gjuhësor të të rriturve.
2. Termi “kompetencë komunikative” lindi si kundërvënie me termin çomskian “kompetencë gjuhësore”. Aftësia gjuhësore e folësit nuk matet me kapacitetin e tij për zotërimin dhe gjenerimin e strukturave formale të gjuhës amtare, që gjithsesi janë abstrakte e të kufizuara, po me realitetin konkret të domethënies gjuhësore, me atë që thoshte Firth “rivendosjen e lidhjeve të gjuhës me përdorimin aktual”. Sipas Çomskit, teoria gjuhësore ka për detyrë përshkrimin e gramatikës dhe kjo përbën kompetencën gjuhësore, gjë që, “ka të bëjë së pari me folës-dëgjues ideal, në një bashkësi folëse homogjene, që e njeh gjuhën e vet në mënyrë të përkryer e që nuk ndikohet nga kushte gramatikore të pavlefshme, si kufizime mendore, hutime, humbje të vëmendjes dhe gabime (të zakonshme ose karakteristike në përdorimin e dijës gjuhësore)”…….
Studime të sotme albanologjike në SHBA
Interesimi për gjuhën shqipe në SHBA ka nisur në fillimet e këtij shekulli, kur dhe botohen fjalorët dhe gramatikat e para të shqipes atje si dhe nisin studimet për tipare të sistemit të gjuhës shqipe.Interesat albanologjike të përtejoqeanit patën rritje në vitet ’50 – ’70 kur shqipja mësohet si gjuhë e dytë në Monterej të Kalifornisë si dhe vendoset në disa departamente të gjuhësisë, veçanërisht në Bloomington të shtetit Indiana. Në ditët e sotme shqipja jepet në disa universitete si: në Çikago, Urbana të shtetit Illinois, New York, Karolinën e Jugut, Kaliforni etj. Nga këto qendra të rëndësishme universitare kanë dalë një numër studiuesish të shquar si L. Newmark, J. Bajron, V. Friedman, M.Huld, F. Hubburd, G. Kiçi etj., me studime mbi gramatikën e gjuhës shqipe, me hartime fjalorësh si dhe studime sociolinguistike.
Ndër albanologët më aktivë në SHBA sot janë: E.Hamp dhe V. Friedman. Prof. Eric Hamp, i cili këtë nëntor ka 75-vjetorin e lindjes, i diplomuar në universitetin e Harvardit, më 1954, është Profesor Emeritus dhe Distinguished, tregues që flasin për cilësitë shkencore të tij. Në hartimin e tezës së tij të doktoratës atë e kanë tërhequr veçantitë e sistemit fonologjik të gjuhës shqipe “Vacarizzo albanese.” Sistemi tingullor i një dialekti kalabro-shqiptar,” 1958. Pas studimit të G.S.Lowman për fonetikën e gjuhës shqipe, 1932….Interesat e tij shkencore janë shtrirë në i.e.-indoeuropianistkë, gjuhësi krahasuese, ballkanologji, romanistikë, sllavistikë, keltologji, albanolgji në plan diakronik. Ai ka qenë lektor në shumë universitete të SHBA, të Europës e Azisë; ka bërë studime dialektologjike në kolonitë shqiptare të Greqisë e të Italisë, në Greqi, Irlandë etj. Hamp është i njohur në disa shkolla gjuhësore për interesat e tij mbi greqishten, bullgarishten, rumanishten, maqedonishten, armenishten, gjuhët balto-sllave, serbo-kroatishten. Lista e punimeve shkencore të prof. E.Hampit i kapërcen 1200 tituj. Për veprimtari të dendur në lëmë të gjuhësisë, ai është vlerësuar e nderuar nga shoqata shkencore, akademi, si: Shoqata Mbretërore e Edinburgut, Akademia e Bullgarisë, Shoqata gjuhësore e Parisit, Akademia e Londrës dhe e Irlandës, Shoqata e gjuhësisë italiane etj. Ai ka krijuar respektin e një brezi të ri studiuesish, të cilët i kanë kushtuar botime të ndryshme….E. Hamp është recensionues i studimeve mbi gjuhën, letërsinë e kulturën shqiptare për botimet e G.Petrorës, Dh.Kamardës, S.Mannit, i revistave shkencore të Tiranës e Prishtinës, si dhe i disa studimeve më në zë të gjuhësisë shqiptare në të përkohshmet më të njohura në botën linguistike….
Victor Friedman është aktualisht pasues i pozicionit të Prof. E.Hampit në Universitetin e Çikagos, profesor i gjuhësisë ballkanike dhe i sllavistikës; interesimin për gjuhën shqipe e ka nisur që në studimet e tij të para për gjuhët sllave të Lindjes, duke mbajtur sot kursin e gjuhës shqipe pranë Unversitetit të Çikagos. Në këtë qytet funksionojnë dy burime bibliotekare mbi shqipen: fondi shqip i Regenstein Library, që është biblioteka kryesore e Universitetit të Çikagos dhe koleksioni i librit të rrallë shqip në Newberry Library, një nga më të vjetrat në SHBA, krijuar dhe e mbajtur për qëllime studimi. Ky koleksion librash të rrallë iu është bërë trashëgimtarëve të princit Bonapart dhe njihet me këtë emër. Çikagoja është e mirënjohur për traditën linguistike nëpërmjet takimeve të rregullta vjetore linguistike pranë Universitetit të saj. Viktor Friedman është diplomuar në këtë universitet, dhe si tezë doktorate ka pasur “Kategoritë gramatikoe të mënyrës dëftore në maqedonishte”. Ai është mbajtës i disa pozicioneve të rëndësishme shkencore, si drejtor i departamentit të gjuhësisë dhe të sllavistikës në Chapel Hill për disa vjet, deri sa shkon në Universitetin e Çikagos, aktualisht drejtor i Qendrës për studime të Europës Juglindore dhe të Rusisë në Universitetin e Çikagos, President i Shoqatës amerikane për studime të Europës Juglindore, N/President i Shoqatës për studime shqiptare si dhe i asaj për sllavistikën.
Veprimtaria shkencore e Friedmanit kap 4 vepra të kësaj natyre, 180 artikuj e studime të botuara në të përkohshme linguistike të njohura në SHBA dhe në botë, si 140 ligjërata në takime të ndryshme, si: në simpoziume, kolukiume, takime vjetore të rretheve gjuhësore universitare amerikane dhe europiane. …
Një temë e pëlqyer prej Friedmanit është ajo e gjuhëve në kontakt dhe në konflikt, siç është rasti i marrëdhënieve të shqipes e maqedonishtes me bullgarishten, serbishten e turqishten. Si faktor i rëndësishëm në përcaktimin e identitetit kombëtar, mbrojtja dhe zhvillimi i gjuhës kombëtare është bërë një problem kyç në zhvillimet politike të Ballkanit. Për shekuj, fatet e shqipes e të maqedonishtes kanë pasur ndarë hapësira kufitare, por kanë pasur shpesh edhe fate të njëjta historike. Të ndaluara gjatë pëushtimit turk të të dy popujve, luajtën rol vendimtar në ngritjen e ndërgjegjës kombëtare të popujve të vet: përshkuan një rrugë të vështirë në mes të dy luftërave botërore, me dallimin që gjuha shqipe u bë gjuhë zyrtare e shtetit kombëtar shqiptar, përjashtim pjesën që mbeti jashtë kufijve shtetërorë që vazhdoi të njëjtin status si maqedonishtja. Por secila gjuhë paraqet specifikën e saj si gjuhë letrare. Formimit të maqedonishtes letrare iu desh të ndeshej me dy prirje që pengonin procesin e modernizimit: luftën kundër helenizimit, pasi pati përpjekje antihistorike për të barazuar kombin e gjuhën me besimin dhe prirjes tjetër arkaizuese për të vënë në bazat e maqedonishtes letrare gjuhën e teksteve të vjetra fetare sllave. Në rastin e shqipes letrare problemi shtrohej më ndryshe: arkaizmi paraqitej në prirjen për të shkruar me alfabete të pavarura, të mbështetura në baza fetare, çka u zgjidh në vitin 1908, me Kongresin e Manastirit. Friedman pohon që në rastin e gjuhës shqipe ka pasur një prerje historike të ngjarjeve që çuan në Kongresin e Drejtshkrimit, 1972. Pas vitit 1944 u ndërpre rruga e formimit të standardit të gegërishtes letrare që u zëvendësua me vendosjen e standardit të toskërishtes. Ai e quan një veprim kombëtar aktin e pranimit të standardit të shqipes letrare nga shkrimtarët dhe forcat e tjera në Kosovë e krahinat e tjera ku banojnë shqiptarë në ish-hapësirën e Jugosllavisë, pasi pushteti serb qe i interesuar për të ngritur dy variante të gjuhës shqipe: albanski e shqiptarski në Kosovë. Friedman pohon që shqipja në Maqedoni e Kosovë është gjuhë me status zyrtar ose të ndaluar nën presionin e pushtetit politik sundues, që përpiqet të ngushtojë sferat e përdorimit publik, siç është rasti i shkollave dhe i masmedias. ….
Në analizën e sistemit fonologjik të të dyja gjuhëve ai u drejtohet çështjeve si përdorimi i “ë-së”, shurdhimit të bashkëtingëlloreve të zëshme, asimilimit të grupeve të zanoreve e bashkëtingëlloreve, gjatësia e hundorësisë që e çojnë numrin e fonemave të shqipes 14-19, nga 5-8 të maqedonishtes. Ndryshimet fonemore Friedman i vështron si një dukuri të përbashkët të shqipes e maqedonishtes. Në propblemet gramatikore të shqipes ai rendit kundërvënien e formave e formave foljore të së tashmes e të së pakryerës në gegërisht e toskërisht, disa dukuri aspektore të së shkuarës në gegërisht si dhe përdorimet e formave të së shkuarës në vend të njëra-tjetrës. Problem i përbashkët për shqipen e maqedonishten ka qenë huazimi nga turqishtja e serbishtja, me dallimin që konkurimi i serbishtes si gjuhë sllave paraqiste problemin e mbijetesës së maqedonishtes, ndërsa për shqipen vetëm në Kosovë, si gjuhë nën pushtim. Qëndrimi ndaj turqizmave për të dyja gjuhët ka qenë i njëjtë: pastrimi nga truqizmat dhe kalimi i tyre në organizimin e dytë ligjërimor.
Si politikë gjuhësore për të dyja gjuhët, standardizuesit kanë favorizuar njërin dialekt, siç është vepruar, në rastin e shqipes, me dialektin e Jugut, si dhe u është dhënë përparësi dukurive inovative ndaj atyre konservative…Procesi i standardizimit në gjuhët e Ballkanit ka paralelet e veta me gjuhët e tjera të Europës, por me diversitetin e tij gjuhësor, Ballkani paraqitet si “laborator i gjallë i gjuhëve”. Në krijimin e standardit gjuhësor ballkanik kanë luajtur rol disa faktorë të përbashkët, si: etniciteti, gjuha e folësve dhe besimi; problemi i gjuhës letrare është lidhur me probleme territoriale e të politikës. Pasi merr në analizë formimin e gjuhëve letrare greke, turke, rumune, arumune, shqipe (brenda e jashtë territorit të shtetit shqiptar), serbokroate, bullgare, maqedonishte, arrin në përfundimin që formimi i gjuhëve letrare dhe afirmimi i nacionalizmit ka një serë pasojash. Në rastin e greqishtes e të turqishtes kanë vepruar prirjet për zgjedhje në mes të arkaizmit gjuhësor dhe purizmit për modernizimin e gjuhës, që u shoqërua me reforma gjuhësore, të njohura tashmë si dhe me diskutime të ashpra në mes të forcave kundërshtare. Në formimin e shqipes letrare, ashtu edhe të gjuhëve sllave ka qenë baza dialektore që ka përcaktuar afrimin apo largimin dialektor. Në përgjithësi, në gjuhët letrare ballkanike, me forcë vepruese ka qenë parimi fonetik…Nisur nga teza e Sandfeldit dhe e Jakobsonit për lidhjen gjuhësore ballkanike, që ngrihet sipas huazimeve leksikore me bazë latine e turke, të disa tipareve fonologjike e morfologjike, si p.sh., ekzistenca e shva-së, humbja e paskajores etj.
Friedmani do t’i drejtohej shqyrtimit të disa kategorive gramatikore ballkanike në plan krahasues. Analizën e formave gramatikore të kohëve të mënyrës dëftore si dhe habitore, ai do ta shohë nga këndvështrimi jakobsonian për lidhjet gjuhësore sipas 10 kategorive kryesore gramatikore: gjinisë, numrit, vetës, diatezës, mënyrës, statusit, aspketit, kohës, taxit, evidencimit. Në përdorimin e kohëve foljore për të bëhet i rëndësishëm termi evidencim, nga ku drejtohet burimi i informacionit të thënies……
***
Për bazat e gjuhësisë së përgjithshme
“ Qëllimi i kësaj vepre është t’i japë studentit në një vëllim të thukët bazat e gjuhësisë së përgjithshme. Ky tekst mësimor synon gjithashtu të familjarizojë studentin me konceptet kryesore të gjuhësisë dhe t’i mprehë atij intuitën gjuhësore. Përgjithsësisht autori e arrin këtë nëpërmjet një analize problemore të koncepteve gjuhësore, duke u mbështetur në vazhdën e traditës historike dhe duke mëshuar në mënyrë të veaçntë tek teoria e filozofisë së gjuhës, te metodat e studimit të saj, si dhe tek arritjet bashkëkohore në lëmin e gjuhësisë së zbatuar. Të tria pjesët përbërëse të gjuhësisë, historia, teoria dhe metodat e studimit të saj, autori i ka harmonizuar në një tërësi të vetme, duke u rrekur të paraqesë konceptet shkencore në gjuhën e ligjëratës së auditorit. Kësisoj, libri është sa bindës aq edhe interesant. Konceptet themelore të gjuhësisë janë dhënë duke shmangur stilin pedant, pa rënë në nivelin e gjuhës së popullarizimit shkencor. Teksti është rezultat i përvojës mësimdhënëse të autorit në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, çka pasqyrohet në organizimin e materialit gjuhësor dhe në gjuhën e zhdërvjellët të paraqitjes së lëndës. …
Nga pikëpamja strukturore, teksti është konceptuar në katër nënndarje të mëdha. Fillohet me periudhën e gramatikanëve e filologëve, duke ardhur deri në shekullin e tetëmbëdhjetë, pastaj vazhdohet me periudhën e gjuhësisë historiko-krahasuese, duke përfshirë shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe fillimin e shekullit të njëzetë. Kthesa që solli F. de Sosyri në gjuhësi dhe ndikimi i veprës së tij trajtohen në një temë më vete. Më tej vijon nënndarja e tretë, periudha e strukturalizmit, që përfaqësohet nga katër shkolla: shkolla daneze me përfaqësuesit e saj Hjelmslev dhe Uldal, shkolla funksionaliste e Pragës me përfaqësues Trubeckoin dhe Jakobsonin, shkolla amerikane me dy degëzimet e saj, përfaqësuar nga Sapiri dhe Blumfildi për të parin dhe Harris e Çomski për të dytin. Dhe, së fundi, shkolla filologjike e Londrës me përfaqësues R.Firth, Në nënndarjen e fundit autori trajton marrëdhëniet e ligjërimit në varësi të situatës, temës ligjërimroe dhe veçorive jashtëgjuhësore të kontekstit. Edhe pse autori i trajton ato si koncepte strukturaliste, ai i ka kodifikuar ato në mënyrë të ndjeshme.
Në temën “Pragmatika në gjuhësi” shpjegohet se si kuptimi i fjalës apo i fjalisë varet nga aspektet e ndryshme të kontekstit, si: koha, vendi, marrëdhëniet sociale midis folësit dhe dëgjuesit, si dhe gjykimi i folësit mbi mendësinë e dëgjuesit. Në temën “Psikolinguistika” theksohet studimi i marrëdhënieve të gjuhës me strukturat njohëse, si edhe aspektet e përvetësimit të gjuhës. Ndërsa në temën “Semantika” shtjellohet studimi i kuptimit të fjalëve dhe mënyra sesi fjalët dhe fjalitë hyjnë në lidhje me objektet reale apo imagjinare, si edhe me situatat që ato përshkruajnë. Për veprimtarinë e trurit dhe funksionet e tij gjatë prodhimit, perceptimit dhe përvetësimit të gjuhës, bëhet fjalë në temën “Neurolinguistika”…..( Drita Hado, Gjuha jonë 1- 4/1997, f. 114 – 115)
***