
QSPA/
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët boton librin: “Ziaudin Kodra dhe bota arbëreshe: studime, dokumente dhe tekste”, një përmbledhje kushtuar figurës dhe veprimtarisë së një prej studiuesve më të rëndësishëm të arbëreshëve në Shqipëri. Libri është përgatitur për botim dhe është pajisur me një studim hyrës nga Dr. Jolanda Lila, ndërsa materialet janë mbledhur dhe kompjuterizuar nga familja Kodra.
Libri është i ndarë në dy pjesë kryesore. Në pjesën e parë janë përfshirë kumtesat e mbajtura në simpoziumin shkencor “Prof. Ziaudin Kodra, studiues i vyer i botës arbëreshe”, organizuar nga QSPA më 18 dhjetor 2024 në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Ndërsa në pjesën e dytë janë përmbledhur disa nga studimet dhe shkrimet më të rëndësishme të prof. Ziaudin Kodrës, të shpërndara ndër vite në revista shkencore, gazeta kulturore, por edhe nga parathëniet e veprave apo nga tekstet shkollore që ai ka hartuar. Këtu përfshihen studime mbi poezinë popullore arbëreshe, folklorin, kontributin e arbëreshëve në çështjen kombëtare shqiptare, si dhe analiza për autorët kryesorë të letërsisë arbëreshe. Me interes të veçantë janë edhe shkrimet e tij mbi ekspeditat në ngulimet arbëreshe të Kalabrisë, të cilat dokumentojnë gjendjen gjuhësore, kulturore dhe shoqërore të komuniteteve arbëreshe rreth gjashtë dekada më parë. Ky libër përbën një kontribut të rëndësishëm për albanologjinë dhe historinë e studimeve arbëreshe, sepse rikthen në qendër të vëmendjes një figurë që hodhi bazat e kërkimit sistematik mbi botën arbëreshe.
QSPA, me botimin e këtij libri i paraqet në trajtë të përmbledhur lexuesit të sotëm të gjitha shkrimet kritike të studiuesit Kodra, të cilat përbëjnë jo vetëm një dëshmi të rëndësishme të hapave të parë të zhvillimit të kritikës letrare të studiuesve shqiptarë mbi arealin arbëresh, por këto shkrime mbeten ende aktuale për sa i takon qasjes dhe mënyrës së trajtimit nga ana e autorit.