• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2013

PAPAGAJTE E POLITIKES- NJË KONTRIBUT SERIOZ NË PUBLICISTIKËN SHQIPTARE*

May 24, 2013 by dgreca

-refleksione për librin “Papagajtë e politikës” të Prof. Dr. Ago NEZHA, Mjeshtër i Madh-

Nga Albert R. HABAZAJ**/

Nëqoftëse mund të shprehemi metaforikisht që publicistika letrare shqiptare është Qytet Shkrimor i problemeve politiko – sociale të kohës, me penë të mprehtë dhe gjuhë figurative në Republikën e Letrave, libri “Papagajt e politikës” i gazetarit dhe shkrimtarit të njohur Ago Nezha është një vilë e këtij qyeti, apo thënë më ndryshe,  një pallat me pesë kate në Qytetit Shkrimor të Publicistikës Letrare Shqiptare. Kati i parë emërtohet Inflacioni i vlerave, kati i dytë Dilema e partive, i treti Korrupsioni elektoral, kati i katërt Dialogu qytetar dhe kati i sipërm Krenaria e simboleve. 185 shkrime në 5 kapituj vijnë në librin “Papagajt e politikës” si një kontribut madhor për publicistikën bashkëkohore shqiptare, shkruar nga prof. dr. Ago Nezha, Mjeshtër i Madh.

E quaj nder e detyrim  që për këtë libër të madh, të shprehem në trajtë sa më lakonike, sepse gjithshka e ka shkruar Profesori si një mjeshtër i fjalës së bukur, të pastër dhe të rëndë shqipe në 462 faqe libër: “Personalitet i Shquar i Qarkut të Vlorës”, “Personalitet i Shquar i Labërisë”, Prof. Ago Nezha është për gati 12 vjet, qysh nga 30 nëntori 2001 kryetar i Shoqatës Kombëtare Atdhetare – Kulturore “Labëria”, ndër më të shquarat në Shqipëri për veprimari kulturore atdhetare, saqë mund të themi që edukimin atdhetar e kulturor të brezave e bën shumë herë më mirë se vetë Babashteti. Prof. Nezha është kryetar i kësaj shoqate emërmadhe, ku Kryetar Nderi është akademiku Rexhep Qosja dhe anëtarë Nderi Dritëroi ynë i madh dhe shkencëtari Rexhep Mejdani.

“Papagajt e politikës”, si një prurje e fuqishme e gazetarisë së sotme ndërshqiptare më kujton kontributet e spikatura të Branko Merxhanit, Krist Malokit, Ismet Totos, të Konicës e Nolit, të Halim Xhelos etj., që shkëlqyen në vitet ’20 –’30 të shek. XX dhe që plotësojnë brilantisht antologjinë e mendimit shqiptar. “Papagajt e politikës” është një titull sa  metaforik, aq dhe fatkeqësisht i dhembshëm për banorët e Vendit të Shqipes, siç na quanin të huajt.

Politikë do të thotë arti i të drejtuarit të shtetit; është me burim nga greqishtja –politiké. Papagalli vjen nga burim zoologjik dhe është zog i vendeve të nxehta me sqep të verdhë, të gjatë e të kthyer poshtë me pupla shumë ngjyrëshe, që ka aftësi të shqiptojë fjalë, duke imituar njeriun. Kemi papagall të gjelbër, të kuq. Kemi dëgjuar për papagall që mëson përmendësh, në mënyrë mekanike, që përsërit si papagall, kur thonë…

Me librin që kemi në dorë Prof. Ago Nezha na thotë se s’ka vetëm zogj që imitojnë njeriun, por ka edhe njerëz që imitojnë majmunin politikisht, moralisht, kombëtarisht. Është  fjala për atë lloj specjeje me vetëdije segmentare , të kornizuar në vision, që flet a përsërit në mënyrë mekanike fjalët e një tjetri, pa u thelluar në ato që thotë, si papagall, por që në këtë rast shkakton dëme sociale të pallogaritshme.

Në këtë libër, që unë e klasifikoj publicistikë letrare, me një parathënie emblematike të filozofit dhe sociologut të shquar Prof. Dr. Servet Pëllumbi, redaktuar me përgjegjësi profesionale nga gazetari dhe shkrimtari i njohur Albert Zholi,  ndjej hovin përparimtar dhe demokratik, me të cilin autori Ago Nezha i jep një shtysë pozitive dhe impulse të fuqishme gazetarisë bashkëkohore shqiptare. Ndjej e shijoj në këtë libër një formë të ndërgjegjes sociale dhe të kulturës shpirtërore të një individi, që nëpërmjet  shkrimeve të botuara nuk përfaqëson  më vetëm Ago Nezhën, Dukatin, Nivicën, Vlorën, Labërinë, por më shumë se kaq. Ai përfaqëson zërin shqetësues të intelektualit progresist shqiptar dhe, si pjesë e së tërës, plotëson ndërgjegjen kulturore të komunitetit shqiptar për të shpëtuar nga inflacioni i vlerave nëpër baticat dhe zbaticat e jetës shqiptare, për të respektuar hierarkinë e vlerave; për të kombëtarizuar qytetarisht partitë e paqarta në platformë që gufosin  me fasada boshe meritokracie, nga kopeja e servilëve e dallkaukëve që bëhen ura të korrupsionit elektoral; që nëpërmjet dialogut qytetar dhe etikës së komunikimit të ndjejmë dhe t’i shërbejmë krenarisë kombëtare. Shpesh herë shkrimet e Prof. Agos më duket se kanë ngjyer penën e artit në gurrën kombëtare ku ka pirë ujë të kulluar edhe Çajupi ynë i pashok në satirën e tij realiste, si pikënisje, kuptohet në një trajtë të re, sidomos me fejtonin e njohur “Klubi i Selanikut” (1909), i vetëdijshëm për realitetin e zymtë të jetës në atdhe.

Sentencat e profesorit artikulojnë një elokuencë të shprehuri filozofik dhe shpërndajnë një bërthamë mendimi jetësor të vërtetë e moral, që ngrihen në nivelin e artë të fjalëve të urta, ardhur nga shekujt e mijravjeçarët e anonimatit gurgullues popullor. “Në demokraci jemi të një mendimi, që të mos jemi të një mendimi” e të tjera perla mendimi si kjo thënie e prof. Ago Nezhës e bëjnë më të kthjellët dimensionin filozofik të personalitetit krijues të publicistit të njohur, poetit dhe shkrimtarit të palodhur. Guximi qytetar,  mprehtësia profesionale dhe përgjegjësia kombëtare janë tre piketa rajivëzuese të profilit të autorit, i cili me fjalëformimet e reja që peshojnë e pasurojnë fjalorin e gjuhës shqipe, e stolisin hijshëm semantikën e leksikut shqiptar, jep një kontribut serioz në publicistikën shqiptare.

Duke e pasqyruar jetën mbi bazën konkrete përmes fakteve, veprimeve, perzonazheve politikë, dukurive, ngjarjeve reale e konkrete sociale, duke patur si objekt pasqyrimi pikërisht tipiken faktike e konkrete sociale, në kuptimin e gjendjes ekzistuese mbi bazën e arsyetimit, të krahasimit, të përzgjedhjes së fakteve dhe të tipave socialë vertikalisht sipërorë, libri “Papagajt e politikës” ngrihet në nivelin më lartë përfaqësues të publicistikës së sotme letrare të angazhuar.

* ) Referim në promovimin e librit “Papagajt e politikës” të autorit Ago Nezha, mbajtur në universitetin “Pavarësia”, Vlorë, ditën e premte, 17 maj 2013, ora 11.00

**) Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “ Ismail Qemali”, Vlorë

Filed Under: Kulture Tagged With: Ago Nezha, Albert Habazaj, Papagajte e politikes

DISA NDRYSHIME QE PRITET TE BEHEN NE LIGJIN E EMIGRACIONIT TE SHBA

May 24, 2013 by dgreca

Gazeta “Dielli”, me e vjetra e Botes shqiptare ne botim-  ne sherbim te komunitetit/

Nga Ardian Gjoka – Avokat Emigracioni/

Me daten 21 May, 2013, komisioni i ligjeve te Senatit te Shteteve te Bashkuara te Amerikes(SHBA) kaloi per votim ne Senat projektligjin per disa ndryshime ne ligjin e emigracionit.  Shpresohet qe Senati ta hedhe ne votim ne fillim te muajit Qershor. Ne qofte se ky projektligj miratohet nga Senati atehere qe te behet ligj duhet te miratohet dhe nga Dhoma e Perfaqesuesve dhe te firmoset nga Presidenti.

Ky projektligj parashikon ndryshime te medha ne lidhje me legalizimin e personava qe nuk kane dokumenta dhe ne menyren e emigracionit  ne SHBA ne te ardhmen. Keta jane disa nga ndryshimet:

Legalizimi i Personave qe Nuk Kane Dokumenta Te Rregullta:

Personat te cilet kane hyre para dates 31 Dhjetor, 2011 dhe qe nuk kane dokumenta te rregullta mund te marrin dukument emigrimi te perkohshem 6 vjecar, i cili eshte i rinovueshem. Personat te cilet jane detyruar te largohen nga SHBA,  ne menyre vullnetare ose ne baze te vendimit te gjykates, ose ata persona qe kane hyre  perseri ilegalisht mbas dates 31 Dhjetor te vitit 2011, mund  te kerkojne falje dhe te kualifikohen per document provizor emigrimi nese  provojne  njeren nga keto kritere:

Jane bashkeshort ose femije e/i shtetasit Amerikan ose personit me Green Card;

Jane prind i femijes i cili eshte shtetas Amerikan ose ka Green Card;

Ka qene nen moshen 16 vjec kur ka hyre ne SHBA dhe ka mbaruar shkollen e mesme ne  SHBA; ose

Ka qene nen 16 vjec kur ka hyre ne SHBA dhe  ka qendruar ne SHBA te pakten  tre vjet ne gjashte vitet e fundit.

Personat qe jane aktualisht ne gjyqe ose kane kundrejt tyre vendime per largim nga SHBA, kane te drejte te applikojne per kete dokument provizor emigrimi, dhe te kerkojne mbylljen e ceshtjes se deportimit ose prishjen e vendimit te deportimit qe mund te jete marre ndaj tyre me pare.

Cdo person permi 21 vjec dhe qe do te applikoje per dokument provizor emigrimi duhet te paguaje nje gjobe prej $1,000.00 sebashku me pagesen per hedhjen e kesaj kerkese e cila do te percaktohet me vone nga zyra e emigracionit.

Personat te cilet e marrin dokumentin provizor te emigrimit kane te drejte te  punojne dhe te udhetojne jashte  SHBA per nje periudhe  me pak se 180 dite.

Bashkimet familjare:

Bashkeshortet dhe femijet nen 21 vjec te personit me Green Card  konsiderohen njesoj sikur bashkeshortet dhe femijet e shtetasve Amerikane dhe mund te bashkohen me familjen pa pritur kohe te gjate.

Eliminohen bashkimet familjare mes shtetasit Amerikan dhe vellezerve dhe motrave te tij.

Eliminohen bashkimet familjare mes shtetasit Amerikan dhe  femijeve te tij te martuar qe jane 31 vjec dhe me te vjeter.

Personat te cilet mund te humbin te drejten e bashkimit familjar pas miratimit te ketij projektligji, duhet qe te veprojne shpejte dhe te hedhin kerkesat per bashkim familjar perpara se ky ligj hyn ne fuqi.

Pritet te shkurtohet koha per bashkimet familjare  si rrezultat i rritjes se numrit te vizave qe do te jepen per te gjitha llojet e bashkimit familjar.

Viza per Familjaret E Shtetasve Amerikane dhe Personave me Green Card.

Femijet e pamartur te shtetasve Amerikane dhe te personave me Green Card  ose femijet e martuar te shtetasve Amerikane  te cilet jane nen 31 vjec dhe qe kane kerkesen per bashkim familjar te miratuar kane te drejte te marrin ne ambasade vize V e cila i lejon ato qe te punojne gjate kohes qe jane ne Amerike.

Vellezerit dhe motrat e shtetasit Amerikane, ose femijet e martuar permbi 31 vjec te shtetasit Amerikan, kane te drejte te marrin vize V  me te cilen mund te qendrojne ne SHBA jo me shume se 60 dite ne vit. Keta persona nuk jane te lejuar qe te punojne gjate vizites se tyre ne SHBA.

 

 Shtetesia Amerikane per Personat e Moshuar

 

Personat qe jane me te vjeter se 65vjec dhe qe kane jetuar ne SHBA te pakten per 5 vite pasi  ka marre Green Carten nuk e kane te nevojshme te japin testin e gjuhes angleze dhe te historise se SHBA.

Ndersa keta persona me pak te moshuar perjashtohen vetem nga testi i gjuhes angleze nese plotesojne keto kushte:

Jane me te vjeter se 60 vjec dhe qe kane jetuar per 10 vjet ne SHBA pasi kane marre Green Carten.

Jane me te vjeter se 55 vjec dhe qe kane jetuar per 15 vjet ne SHBA pasi kane marre Green Carten.

Jane me te vjeter se 50 vjec dhe qe kane jetuar per 20 vjet ne SHBA pasi kane marre Green Carten.

Keta jane disa nga ndryshimet qe priten te miratohen nga Kongresi i SHBA.  Per informacine  me te hollesishme ne lidhje me ndryshimet qe priten ti behen ligjit te emigracionit me kete projektligj si dhe  per te diskutuar ceshtje specifike  personale mund te kontaktoni zyren e avokatit Ardian Gjoka, Gjoka Law Firm, PLLC,  nepermjet telefonit (904) 728-8749, e-mail ag@ag-legal.com  ose mund te caktoni takim nepermjet websitit  www.ag-legal.com . Konsulta e pare eshte falas.

 

 

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Adrian Gjoka, e emigracionit, ndryshime ne ligjet

HISTORIA E CA NDRYSHIMEVE

May 24, 2013 by dgreca

Nga Faik Konica/

“Kur vajta me 1913 ne Shqiperi per te shikuar per s’afermi punet, zbulova me hidherim se shumica e madhe e popullit jo vetem qe nuk i shihte me sy te mire idealet t’ona te nje Shteti te perparuar, po s’pelqente as ndihmen qe po na jipej nga rastet dhe nga bamiresit e fuqive te’Evropes. Eshte per cudi dhe gje fare e vertete, se shumica e madhe e popullit te Shqiperise e priti dhuraten e dhene me moskenaqesi, me thartesira dhe me sy te zgurdulluara nga prapamejtime: qe u duk pak me vone nga kryengritjet qe u bene njera-pas tjatres. Duke qene punet ashtu, u kuptua shpejt se qe te mbetej Shqiperia si nje Shtet me vete dhe populli te mbahej me zor i bashkuar qe te hynte ne udhen e disiplines, te punes dhe perparimit, e vetmja fuqi e duhur ish dora e hekurt po shpetimtare e nje diktaturi. Kujtuam nje kohe se diktatorin e gjetem ne personin e Esad Pashe Toptanit. Dhe Esadi kishte me te vertete disa zotesira per te qeverisur, po mosha e tij e shkuar nuk i premtonte ta ndryshoja mendjen e tij pas ndryshimeve te reja qe u bene ne Shqiperi, dhe ashtu fundi ish qe u larguan te gjithe dhe e lane te vetem. Me 1913, u poqa per heren e pare ne Tirane me Ahmet Bej Zogun (qe te perdorim titujt sic perdoreshin dhe zyrtarisht asi kohe). Vura re menjehere fisnikerine te bashkuar me force karakteri qe cfaqej nga sjellja edhe nga fjalet e djalit. U interesova dhe pyeta. Dhe nga sa degjova s’me mbeti asnje dyshim se fati e kish shenuar per te lojtur nje rol me rendesi ne Shqiperin e re. Ne pjekjet qe pata me vone me Mbretin Karol te Rumanise, me Kryeministrin rumun Tito Majersko, me Princin Wilhelm te Wied-it, dhe diplomatet austriake dhe italiane, u permenda emrin dhe posibilitetet e ketij te riu. Mbaj mend nje bisedim qe pata me Turhan Pashane ne Durres pasi plasi kryengritja e Shijakut dhe u rrezua Esadi. I tregoja Turhanit nevojen qe te perdoret Zogu per te zgjidhur krizen. -“Ahmed Beu eshte teper i ri “, m’u pergjigj Turhan Pashai”. -“Vertet” thash’une “Po William Pitt-i u be kryeminister i Inglise kur qe njezet e tre vjetsh, dhe ka qene nje nga me te mbedhenjte kryeministra t’atij vendi”. -“Si fjaloseni keshtu”, me thote Turhan Pashai, – “Mund te barabitim me Pitt-in nje te ri te panjohur?” -“Nuk bej barabitje” u pergjigja une, – desha vetem, me kete shembell, ku ju permend se atje ku ndodhet zotesia, versa s’munt te jete dhe s’duhet te jete pengim”. Me kete menyre, vazhdova se perhapuri mendimin se do t’ish mire, ne dojim te kishim nje Shqiperi te bashkuar dhe te lire, ta perkrahnjim Zogun te merrte nje dite fuqine, se ay kish pervec zotesise dhe kater te mira qe i mungojin Esadit: kuptimin e ndodhjes se re ne Shqiperi pas ndarjes nga Turqia, ndjenjen e kombesise, te mos beret ndryshime ne mes Toskesh e Gegesh, dhe me ne funt deshiren per ta pare Shqiperine ne shkalle Shteti t’organizuar. Noli u bashkua ploterisht me mua ne besimin qe Shqiperia s’munt te qendroje me kembe pa nje diktatori, dhe qe Zogu duket njeriu i duhur per kete rol. Gjurmat e ketyre mendimeve munt t’i gjeni ne shtyllat e “Diellit” ne kohen e luftes dhe pastaj, ku Zogu lavdohet si nje hero, si nje idealist, si nje udheheqes qe munt te barabitet me Anglo-Saksonet, e tjera. Disa nga keto lavdata jane te shenuara nga Fan Noli vete. Kjo politike vazhdoj gjer me 1921 dhe pertej. Me 1922, Fan Noli zuri te lidhet me grupin e Gurakuqit, dhe menjehere mendja e tij e ceket hyri ne nje udhe te ndryshme. Fan Noli filloj te na jape lajme jo te pelqyera per Zogun: qe ky ish bashkuar me reaksionaret, qe ish armik i nje Shqiperie sic e duam ne, qe ka humbur tere influencen, qe s’ka asnje zotesi, qe ushtria anon me “liberalet”, qe duhet ta ftohim popullin ca me teper nga Zogu, e tjera. Une me shoket e Vatres, sic e desh logjika, sic e desh disiplina e grupit t’one, pasqyruam te “Dielli” politiken e re te perfaqesonjesit t’one ne Shqiperi, perfaqesonjes i cili kohet e fundit nuk ish tjater gje, vec se fonografi i Gurakuqit, gjer sa me ne funt dolli sheshit dhe komitaxhi duke shkelur tere programin t’one dhe gjithe idealet tona. Fundi qe nje ckaterrim dhe nje maskarallek pa emer. C’munt te bejim? Dy udhe qene te hapura per ne: vazhdimi i perkrahjes se maskarallekut gjer sa te behej gjak dhe te prishej Shqiperia, – ose te kthyerit ne politiken e pare te Vatres, e cila ka qene te venet perpara te Zogut si kryetar i duhur i Shqiperise. Zume udhen e dyte. Le ta shkurtojme tani ne tre fjale ato qe thame: 1) Fan Noli, une, me Vatren dhe me shoket, qe me 1914 gjer me 1922, kush me shume dhe kush me pake kemi mprojtur mendimin se Shqipera, qe te shtrohet, qe te stabilizohe, e te hyje ne udhen e reformave te qyteterimit, ka nevoje per nje dore te hekurt dhe si ajo dore eshte Ahmed Zogu. 2) Fan Noli, nen influencen e Gurakuqit, dhe me vone nen influencen e frymes bolshevike, u bint dhe na bindi se Shqiperia munt te qendroj ne kembe pa Zogun dhe kunder Zogut. Ngjarjet i dhane pergenjeshtrimin me te plote, dhe Shqiperia u shpu nje qime afer varrit. 3) Une me shumicen e shokeve u kthyhem ahere (ndonese me cape te ngadaleshme se na vinte keq te ckeputeshim fare nga Fan Noli) te programi i vjeter i permbledhur me siper nene numrin 1, kurse Fan Noli u fut thelle e me thelle ne rebelione kundra Shtetit e n’intriga revolucionare. Munt ta vazhdojme bisedimin ne nje numer t’aferm. Po i kemi hedhur ketu mjaft ushqim per mejtim djemurise se kthjellet (se sa per mejhanexhite, maqedhonasit dhe te tjere vagabonde qe tallen fshehtazi me Shqiperine, s’bejme kabull as t’i degjojme) s’di ose harron, por duhet se ketej e tutje ta marre ner sy se Presidenti Zogu nuk eshte heroi i ri i Vatres, por ka qene hero i vjeter i kesaj organizate, i neveritur me 1922-24 nga intrigat e Gurakuqit dhe nen influencen e bolshevismes. Dhe ne qofte se esht e zonja te mejtoje duke thelluar, djemuria e kthjellt le ta gjykoje kush u kthye nga udha-Fan Noli apo une?

(Arkiv-  Gazeta “Dielli”, 6 maj 1926)

Filed Under: Histori Tagged With: Esad Pashe Toptani, Faik Konica, Historia e ca ndryshimeve, Luigj Gurakuqi, noli

KRISTO FLOQI- GAZETARI, POLITIKANI, SHKRIMTARI, JURISTI

May 24, 2013 by dgreca

Me rastin e pervjetorit te lindjes te ish editorit te gazetes Dielli, bashkethemelues i Federates Panshqiptare te Amerikes VATRA, Kristo Floqi/

NGA FIQIRI SHAHINLLARI/

 Si sot, 131 vjet me pare, lindi Kristo Floqi. Ai është nje prej figurave kryesore elitare te fshatit, një nga politikanët, shkrimtarët dhe juristët më në zë të Shqipërisë pas shpalljes së Pavarësisë, në vitet 20 e 30-të, sidomos në kohën e Zogut. Elitat i japin emër vendlindjes, ashtu si edhe vëndlindja u jep nga vetja diçka banorëvë të saj. Floqi i ka dhënë Kristo Floqit mbiemrin dhe Kristua, po ashtu i ka dhënë njohje më të gjërë fshatit. Në regjimin komunist figura e tij ishte pothuajse e harruar, bile, akoma më keq, e degraduar. Në kërkim të fakteve për jetën dhe punën e tij, pyeta edhe ndonjë historian e ndonjë ish udhëheqës të shtetit të diktaturës, por si përgjigje mora ngritjen e supeve dhe përveshjen e buzëve. Me përjashtim të faktit që e kishin dëgjuar emrin e tij, se ai kish qënë avokat në kohën e Zogut dhe i kish shërbyer atij, ata nuk shkonin ose nuk donin të shkonin më tutje. Kur pyeta një historian që studionte në Bibliotekën Kombëtare se ç’lidhje kishte Kristo Floqi me Thanas Floqin ai m’u përgjigj: “Duhet të jenë fis…!” Ky pohim i venitur nuk më bindi.Duke gërmuar në skedarin alfabetik të botimeve shqiptare gjej diku autorët e disa veprave. Në një skedë lexova: Floqi, K. V. Aty pranë,te krijimet e Thanas Floqit gjej: Floqi, Th. V. Të jetë rrastësi gërma “V” që përfaqëson atësinë?-mendova për një çast por ky fakt më ndezi akoma kureshtjen për të gërmuar më shumë në jetën e këtyre dy personaliteteve të spikatur të fshtit tonë.

Pluhuri i kohës kish mbuluar edhe saktësinë e ditlindjes së Kristo Floqit. Kjo vihet re edhe në botimet e më vonëshme, pas vitit 1990 kur shumë problemeve e ngjarjeve të harruara demokracia po u ndizte dritën jeshile në zbulimin e të vërtetave të jetës. Kështu Robert Elsie, autor i librit “Historia e Letërsisë Shqiptare,” botuar në Tiranë më 1977 tek flet me nota pozitive për krijimtarinë letrare të K. Floqit pohon që ai ka lindur në Korçë më 1873…dhe vdiq aty nga viti 1951, pas shtatë vjetësh burgimi. Studiuesi tjetër, Hasan Hasani, në librin e tij: “Leksikon i Shkrimtarëve Shqiptarë-1501-1990” botuar në Prishtinë, pasi vlerëson Kristo Floqin, “cakton” datën e lindjes më 1876 dhe atë të vdekjes më 1949! Këtyre të dhënave kontradiktore e të mjegulluara deri tani u jep përgjigje me një saktësi matematikore vetë Kristo Floqi në autobiografinë e tij që gjendet me shkrim dore në 835 fletë, në Arkivin Qëndror të Shtetit. Ai shkruan: “Kam lindur në Korçë në lagjen “Kantho”(K-ja mund të lexohet edhe si M.-F. SH), më 24/5/1872. Im atë,Vasili, …kish lindur në fshatin “historik,” Floq, 3 orë larg Korçës…

Katragjyshi quhej Thoma ose Toma…” Sa për datën e vdekjes së Kristos dimë që ai pas Luftës së Dytë Botërore u arrestua nga regjimi diktatorial, ashtu si edhe mjaft intelektualë të tjerë që nuk kishin ikur nga vëndi dhe vdiq pas shtatë vjetësh burgimi.Kristoja futet thellë në pemën gjenealogjike të familjes. Ai tregon më tej se nga që Thomai, katragjyshi i vet, ishte nishanlli me armë dhe gjahtar i zoti, perandoria turke e mobilizoi në shërbimin ushtarak në Bitola (Manastir). Oficerët turq e thërrisnin Toma ose Tomço, ndaj dhe fisi më vonë u quajt Tomço ose Tomçollari. Kureshtjen time për ekzistencën e gërmës “V,”që tregon atësinë në skedat që kisha parë: Floqi, K. V. dhe Floqi,Th. V., Kristua e shuan ëmbël, në një mënyrë të tillë që lexuesi ndjen kënaqësi tek lexon në autobiografinë e tij me shkrim dore. Shikoni se me çfarë dashurie shkruan ai për lindjen e një njeriu,vëllait të vet: “…Me t’im ëmë, im atë pati katër djem: Dhimitrin,të parin, i dyti isha unë, i treti Nikollaqi, i katërti Thanasi dhe një çupë Katerina…” Të tjerët kishin vdekur, vetëm Kristua me Thanasin ishin gjallë (F. Sh). Dhe Kristua vazhdon: “…Gjersa u lind Thanasi, unë quhesha djalë i vetëm. Mëma ime kish 10-11 vjet që kish pushuar së pjelli dhe as njeri s’mund të mendonte se do të lindëte tjetër fëmijë. Po mrekullia u bë pas 12 vjet. Dhe kështu, një natë dimri, më 14 Janar 1884, ditën e shtunë, ora 20 e natës, në mes të një të ftohte të madhe e një thëllimi leu im vëlla,Thanasi, i cili mori këtë emër sepse u lind afër kremtes së Shën Thanasit që bie në 18 të Janarit. Thanasi është 12 vjet më i vogël se mua…Edhe sot punon si avokat në Elbasan”Kristo Floqi ishte intelektual poliedrik: politikan, jurist,shkrimtar, përkthyes, botues, hartues tekstesh pedagogjikë e juridikë. Në Arkivin Qëndror të Shtetit gjen materiale për të duke filluar nga viti 1913 deri në vitin 1944. Në rreth 4218 fletë të shkruara njihesh me biografinë e tij e të familjes, me veprimtari zyrtare e shoqërore, krijime letrare, material familjar,letërkëmbime etj. Llojet e dokumantave janë letra, drama,vjersha, fjalorë, studime, dëshmi, çertifikata, përkthime. Gjuha e përdorur është shqipja, italishtja, anglishtja, greqishtja.

Mësimet e para K. Floqi i mori në vendlindje, të mesmet dhe ato universitare në Athinë. U diplomua në drejtësi, profesion që e ushtroi deri në vitin 1899 në Greqi ku edhe i ati, Vasili, merrej me aktivitet tregëtar. Nga ky vit e deri më 1905, ushtroi profesionin në Korçë, në qytetin më të pasur të Shqipërisë së asaj kohe. Me sa duket, për të mësuar turqishten, kaloi një kohë në Stamboll. U aktivizua atje në lëvizjen Kombëtare. I ndjekur nga pushteti turk, emigroi në Sh. B. A. Në Boston Floqi u bë botues i të përjavëshmes “Dielli.” Ishte bashkëthemelues, tok me Faik Konicën dhe Fan Nolin, i Federates Panshqiptare te Amerikes  “Vatra.” Në dimrin e viteve 1912-1913 botoi në Nju Jork të përjavëshmen jetëshkurtër “Zëri i Popullit” Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë u kthye në Atdhe, pranë Ismail Qemalit për të shkruar, të parën në gjuhën shqipe, proçedurën gjyqësore. Kur Vlora u pushtua, Kristua u shpërngul në Shkodër ku ngriti një zyrë juridike që ushtroi veprimtari gjatë Luftës së Parë Botërore. Në maj 1919 nisi botimin e së përmuajshmes “Agimi,” organ i shoqërisë “Vllaznia.” Më 1920 u bë kryetar i gjykatës së Apelit në Shkodër. Më 19 nëntor 1920, kur kryeministër ishte Iliaz Vrioni, Kristo Floqi emërohet ministër i Arsimit duke zëvëndësuar Sotir Pecin në qeverinë e S.Delvinës. Pas disa muajve ai jep dorëheqjen (duke u zëvëndësuar po nga Sotir Peci) dhe kalon anëtar në Këshillin e Shtetit duke shërbyer për një kohë të gjatë në disa qeveri të asaj kohe. Më 17 maj 1925 Kristo Floqi zgjidhet deputet i prefekturës së Korçës.

Dokumentat arkivore tregojnë se K. Floqi ushtroi detyra të ndryshme në avokaturë dhe gjykata shtetërore si në Vlorë,Shkodër, Durrës, Korçë, Tiranë. Ka shkruar tekste juridike,politike e pedagogjike. Ka bërë gjithashtu edhe përkthime nga Sofokliu, Euripidi, Molieri. Ka përkthyer “Konte Ugolini” -Kënga e 38 e Komedisë Hyjnore të Dante Aligerit. Ka hartuar fjalorin

Shqip-Shqip dhe Shqip-Greqisht. Të bie në sy edhe studimi mbi Shën Naumin, shkruar më 1942 dhe që gjendet i daktilografuar.

Po s’ka dyshim se K. Floqi u shqua më shumë në fushën e letrave.Ai ishte njëri nga krijuesit më produktivë të kohës së vet, ndoshta dramaturgu më popullor shqiptar në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë. Popullaritetin ia solli jo aq niveli letrar i veprave të tij se sa kënaqësia e thellë që pjesët e tij i jepnin shikuesve e lexuesve. Më 23 shkurt 1935, ditën e shtunë, “Gazeta e Korçës”shkruan: “Shkrimtari dhe poeti i mirënjohur Z. Kristo Floqi, pas një pushimi të pazakonshëm për pendën e tij të palodhur, i fali literaturës shqipe një vepër të re të bukur, të shkruar në vjershë rreth epopesë së gjashtë dëshmorëve të fushës së Korçës. Kristo Floqi, si njeri i pendës, njihet prej të gjithëve, është shkrimtari më popullor i Shqipërisë dhe prandaj veprat e tij, të pritura aq mirë prej këndonjësve, pothuaj s’kanë nevojë për asnjë rekomandim.

Shënojmë vetëm se “Epopeja e Korçës” ose “Dëshmorët e Rilindjes”është një nga veprat më reprezentativë të shkrimtarit të njohur”Studiuesit letrarë e vendosin Floqin në radhën e shkrimtarëve pjellorë me katër tragjedi me tema historike e kombëtare, me shtatëmbëdhjetë komedi dhe skeçe, me disa vëllime poetike.

Bien në sy dramat: “Fe e Kombësi” -1909, “Karllo Topija” -1916, tragjedia “Pirro Neoptolemi,” -1923 e pjesa me katër akte “Triumfi i Lirisë” -1938. Ndër komeditë më të njohura studiuesit përmëndin “Qerthulli Politik” -1922, “Dhëndërr me Përdhuni”-1912, “Vllazni e Interesë” dhe “E Bija e Bankierit”Kristo Floqi i ka dhënë shumë edhe publicistikës shqiptare.Ai botoi shkrime në gazetën e qeverisë së përkohëshme të Vlorës,“Përlindja e Shqipënisë” (1913). Bashkëpunoi dhe më pas drejtoi revistën “Arbëria.” Shkroi edhe me pseduonimet “Erythrolitos,”“Gjikë Palla,” “Atlanticue” etj. Ai është një nga nismëtarët e parë të shtypit të periudhës së legalitetit me gazetën “Indipendenca shqiptare,”numëri i parë i së cilës qarkulloi më 17 Janar 1925. Gjithashtu Kristua radhitet ndër publicistët e rëndësishëm edhe në kohët e mëvonëshme.Ai shkroi në numërin e parë të gazetës “Bashkimi i Kombit” që doli më 28 Nëntor 1943 dhe vijoi deri më 1944.

Gjatë shqyrtimit të dokumentave, të tërheq vëmendjen një fakt befasues në kontrast me linjën e ngjarjeve historike. Tok me “Autobiografinë” e K. Floqit gjen edhe një çertifikatë mbi dhënien e dekoratës “Urdhëri i Shqipes së Zezë” lëshuar Kristo Floqit nga Vilhelm Vidi, princ i Shqipërisë. Data 19 gusht 1921! A nuk të shokon ky fakt kur e lexon, në daç edhe kur e dëgjon për hërë të parë?! Si ka mundësi-thua-që princ Vidi të vazhdojë të japë dekorata edhe pas shtatë vjetësh të largimit të tij “de fakto” nga Shqipëria? Mirëpo kur i shikon çështjet e problemet pas rënies së shkumës së habisë apo të zemërimit konstaton se në këtë botë jallane ligjet janë ligje. Ato ndjekin proçedura ligjore logjike, jo pasionet qofshin këto edhe të bazuara mbi arsyetimin dhe faktet konkrete. Parë në kontekstin historik e ligjor, princ Vidi, i caktuar nga ndërkombëtarët si princ i Shqiptarëve,nuk ishte larguar “de jure” nga vendi ynë. Le të analizojmë shtruar faktet dhe situatat politiko-historike të dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit të njëzetë. Nga viti 1913 deri më 1921 kur u dha dekorata në fjalë, vëndi ynë ka kapërxyer plot ngjarje të vështira. Pas largimit të Ismail Qemalit dhe Princ Vidit shteti shqiptar ishte i vdekur. Më 23 mars 1913 Konferenca e Ambasadorëve në Londër vendosi për Shqiperinë këta kufij politikë që kemi sot. Mirëpo për shkak të rrethanave të krijuara, në fund të vitit 1913 Shqipëria kish tre qeveri:

Qeverinë provizore të Vlorës, Qeverinë e Shqipërisë së mesme dhe qeverinë “Internacionale” të Shkodrës. Po këtë vit Ismail Qemali u detyrua të largohej nga Shqipëria. Princ Vidi erdhi në Shqipëri më 7 prill 1914 dhe u largua po atë vit më 3 shtator. Shqipëria ishte bërë arenë luftrash për coptimin e saj. Mënjanë ishin grekët, në anën tjetër italianët, më tutje austrohungarezët e sërbomalazezët. Edhe francezët nuk mbetën pa nderhyrë. Në këtë gjëndje amullie ishte Shqipëria edhe gjatë luftës së parë botërore 1915-1918. Më 26 prill 1915 Traktati i Fshehtë i Londrës e copëtonte më tej Shqipërinë.Sipas tij, Vlora i jepej Italisë, Korça e Gjirokastra Greqisë, Shkodra e Kosova Serbisë e Malit të Zi. Me rrethet e mbetura formohej një principatë myslimane. Populli e nuhati këtë “spate” pas kurrizit dhe protestoi në forma të ndryshme. Më 1916-1918 për shëmbull u formua Krahina Autonome e Korçës.

Kështu, deri më 1921 Shqipëria nuk njihej nga kancelaritë perëndimore. Vetëm më 9 nëntor 1921, në Konferencën e Ambasadorëve në Paris, fuqitë e mëdha e njohën zyrtarisht guvernën e Shqipërisë. Ja pse-mendoj unë-princ Vidi ishte De Jure deri atëhere princ i Shqipërisë, paçka se De Facto ishte larguar nga vëndi ynë. Pra ai kishte të drejtë ligjore të jepte dekorata e medalje.

Mungesa e shtetit ligjor të çon në një gjëndje mish mashi. Nga viti 1912 deri më 1928 në Shqipëri nuk ka patur ndonjë institucion me karakteristikat dallonjëse të këshillit të shtetit. Kjo nuk gjendet në qeverinë provizore të Vlorës por as në qeverinë e Princ Vidit më 1914. Edhe Kongresi i Lushnjës nuk pati dispozita ligjore për funksionimin e Këshillit të Shtetit. Për herë të parë u ngrit Instituti i Këshillit të Shtetit me 1 dhjetor 1928 ku kryetar ishte Mirash Ivanaj dhe anëtarë: Ajet Libohova, Kristo Floqi, Dr. Demir Villa, Rasim Kalakulla, Teki Selenica, Benedikt Blinishti e ndihmës Faik Bregu.

Në materialin familjar Kristo Floqi shkruan edhe për Pirro Floqin, të birin e tij. Unë lexova nga poeti Pirro (ndonjëherë shkruante me emrin Pjetër) disa vjersha e vëllime të vogla poetike si vjershën “Bajram Curri” -1941, botuar në kohën kur vetë Pirroja ishte nëpunës në këshillin e shtetit, vëllimin me titull “Vjersha”shkruar kur ishte gjimnazist, “Kosova e Lirë” -1941 etj. Ka edhe vjersha të daktilografuara, disa me përmbajtje fetare. Jorgji Paloli që ka qënë sekretar i K. Floqit në vitët 1933-39 i ka treguar djalit të tij të madh, Paskalit, se edhe Pirrua, i biri i Kristos, pati talent në fushën e letërsisë dhe kjo dukej në shumë vjersha të botuara. Ai karakterizohej si filantrop, humanist. Gjatë rrugës për në shtëpi,atje ku sot është vila “Golden” në Tiranë, ose kur shkonte në zyrë ai ndihmonte të varfërit duke u dhënë pare, madje ndonjërit i porosiste kostum në rrobaqepësi. Më vonë, pati probleme shëndetësore të cilat e degraduan deri në fund të jetës.

Sipas të thënave, K. Kotta, ish kryeministër dhe ministër i brëndëshëm në kohën e Zogut, ka qënë vjehrri i Kristos. Aktiviteti i K. Floqit është i gjërë, i larmishëm. Ai është interesuar edhe për problemet e turizmit dhe të historisë së gjuhës shqipe. Gazeta e Korçës njoftonte më 20 gusht 1933 se “Z. Avokat Kristo Floqi mbajti një konferencë mbi rëndësinë klimaterike të Dardhës dhe mbi vjetërsinë e shkrimit të gjuhës shqipe” Po ai nuk ka qënë vetëm në Dardhë. Rreth vitit 1926, siç kanë treguar të moçmit, ai kish shkuar në Floq e kish mbledhur nga një floqar për çdo fis. Pas takimit ai hëngri drekë të shtëpia e Ashim Zyfkë Dikollit. Çfarë diskutoi ai me floqarët? Deri tani nuk kemi gjë të faktuar. Rrëfimet nga Qamili  i Hajredinit, Osmanit, (gjyshit tim), Jorgji Palolit, Ashim e Kalem Dikollit, Nevruz Hamitit, Hysen Beqirit, Shefket Dikollit, Haki Elezit, Mino Hasankollit, Ramadan Bekollit (gjyshi im nga nëna),Xheladinit (babait tim), Fuat Likës, Zenel Qamilit e me të tjerë floqarë të moshuar që kam mundur të bisedoj, kanë qënë shumë të vlefshme lidhur me historitë e veçanta që ata më kanë treguar. Mirëpo unë i dëgjoja si paraqende, për kuriozitet. Disa i mbaj mënd, disa jo. Ku ta dija unë atëherë se do të vinte një ditë që do të përpiqesha për të shkruar diçka për historikun e fshatit tim? Po ta dija do të kisha pyetur, si unë si Zyfka se çfarë u tha floqarëve më 1926-tën Kristo Floqi kur kish ardhur në fshat? Tani që jam në moshën reale 65 vjeçare, e kuptoj se sa humbasim ne me vdekjen e njerëzve që dinë dhe bëjnë në një farë mënyre historinë e fshatit, të atyre që kanë parë botë me sy, sepse ata dita-ditës bëhen më të vlefshëm me kujtime e mendime në këtë botë që po bëhet, për fat të keq, e njëtrajtëshme.

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: dielli, fiqiri Shahinllari, Kristo Floqi, Vatra

NDEROHEN ISH TE BURGOSURIT E REVOLTES SE SPACIT

May 23, 2013 by dgreca

Presidenti Nishani nderon me Dekoratën “Pishtar i Demokracisë” katër ish-të burgosur, përfaqësues të revoltës në Burgun e Spaçit/

 Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi zotin Demir Pojani, zotin Bashkim Fishta, zotin Luan Burimi dhe zotin Bedri Çoku me Dekoratën “Pishtar i Demokracisë” me motivacionin: “Për kontributin, trimërinë dhe sakrificën e madhe dhënë në kërkim të respektimit të lirive të njeriut, nëpërmjet një prej revoltave më të mëdha ndaj regjimit komunist’’. Duke vlerësuar lart rezistencën e të gjithë të burgosurve që vuajtën persekutimin në Burgun e Spaçit si dhe kurajon e trimërinë e të gjithë atyre që me dinjitet të lartë njerëzor ngritën krye, Kreu i Shtetit theksoi se revolta e tyre do të mbetet gjithmonë simboli i spikatur i anti-komunizmit nëShqipëri, simboli i rezistencës ndaj shtypjes, i rezistencës ndaj krimit shtetëror, simbol i mbrojtjes së dinjitetit të njeriut, dhe aspiratave të një kombi për liri.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Bashkim Fishta, Bedri Coku, dekoron, Demir Pojani, e revoltes se Spacit, ish te perndjekurit, Luan Burimi, presidenti Nishani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 50
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT