• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2013

E FTUAR NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT, CARRIE HOOPER

August 27, 2013 by dgreca

PORTRETE POETIKE SHQIPTARESH NGA AMERIKANIA CARRIE HOOPER/

I dashur Dalip,/
Përshëndetje! Shpresoj të jesh mirë si dhe unë jam mirë. Të bashkëngjitur me këtë letër do të gjesh disa poezi që po t’i dërgoj për botim të mundshëm në Sofrën poetike.  Janë portrete në fjalë të disa shqiptarëve.Disa i njoh mirë dhe për disa vetëm kam dëgjuar ose lexuar por historiat dhe veprimet e tyre më prekën aq shumë sa u frymëzova t’u kushtoja poezi.
Gjithashtu desha të të njoftoja se dhashë një intervistë via email për gazetarin Beqir Sinën që u botua në gazetën Bota sot.  Tani po mbyll duke të uruar gjithë të mirat!

Të fala,
Carrie

            Malësori krenar

(Në kujtim të Simon Dedvukajt, të vrarë në sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, kushtuar edhe familjes së tij)

Një këngë e ndërprerë

Para se të këndohej plotësisht,

Ëndrrat e vrara

Para se të vërtetësoheshin,

Një jetë e vjedhur

Para se të lulëzonte plotësisht.

Zemra të plasura

Nga padrejtësia djallëzore.

Shpirti i tronditur

Nga të githa psetë

Pa asnjë përgjigje logjike.

 Në një çast zjarri,

Një përbindësh i pamëshirshëm

Ty të na rrëmbeu,

Malësor krenar,

Fort punëtor dhe familjedashës.

 Mirëpo thelbin tënd

As tmerri më i egër

S’e vret dot.

Kujtimet familjare

Më të bukura

As zjarri më i llahtarshëm

S’i asgjësojnë dot.

 Nga ne as vdekja

Nuk të largon

Se në gjirin tonë

Pulson prania jote.

Për ne i pavdekshëm je,

Malësor krenar.

 Orëndreqësi

(U frymëzova të shkruaja këtë poezi pas një bisede me një mikun tim, Dashamir Gurabardhin, për babain e tij)

 Një orëndreqës

Besimin e vërtetë

Në Zotin jetonte.

Duke ndihmuar të varfërit,

U pasurua

Ai vetë.

 Shpërblimin e fundit mori

Kur e çoi Zoti

Në shtëpinë qiellore

Duke thënë,

’Eja te gjiri im,

Sherbatori im i përkushtuar.’

 Domëthënien e besimit

Orëndreqësi predikonte

Se besimtarët e vërtetë

Nuk janë ata

Që rregullisht

Vendet e kultit mbushin,

Këngë fetare këndojnë,

Ose lutje krahëshkruara lexojnë.

 Jo, besimtarët e vërtetë

Janë ata

Që të vegjëlit duan,

Që të padëshiruarit mirëpresin,

Që të pafatëve shërbejnë.

 Dëgjoni udhëzimet e Zotit

Të mishëruara

Në orëndreqësin e thjeshtë

Dhe nga ai mësoni

Besimin e vërtetë!

 Për Nënë Terezën

 Një gonxhe ishe

Që në mbarë botën lulëzoi.

Në të gjitha zemrat

Hynia jote kumbon.

Kapërcen të gjitha besimet.

 Me kujdesën tënde ëmërore

Për më të varfërit,

Dhe fëmijët të braktisur në rrugë,

Që guxoje t’i prekje,

Jetoje fejën e vërtetë.

 Në të sëmurët,

Në njerëzit në prag të vdekjes,

Vetë Zotin shikove.

Në ty u mishërua

Fjala dashuria.

 Ti, që quajte veten

Një laps i vogël,

Me veprimtarinë tënde

Shkruaje fjalë të paqes.

Puna jote na mëson

Vetëflijimin dhe shërbimin e vërtetë.

 Prania jote paraqet

Një lutje të gjallë.

Sigurimin Na dhuron

Që Zoti jeton.

 Të falemnderit, o Nënë

Për angazhimin tënd ndaj këtyre

Që lehtë harrohen dhe lihen mënjanë.

Enngjëll njerëzor,

Shenjtore qiellore je.

 

Për Nekën

(shoqes sime të dashur, Neka Dokos, që jeton në Boston në Masaçusets)

 Ti, fëmijë zemërbardhë,

Në humnerën e djallit u rrite.

Bënin sa mundeshin

Forca të këqia

Karakterin tënd

Të lirë dhe të artë

Ta shtypnin dhe ta vrisnin.

 Në udha të padashura të çonin;

Mirëpo as Pushtete të shëmtuara,

As sëmundje shpirtërore

Nuk të tundnin ose rrëzonin.

 E fortë e kryelart qëndrove

Dhe në fund,

Zoti njerëz dashamirë të dhuroi

Që të liruan

Nga burgu i vuajtjeve të tua.

 Për në Amerikën e bukur u largove.

Gjete vetveten

Dhe kur Zoti e donte,

na bashkoi.

 Një thesar i zemrës sime,

Një burim urtësie

Je bërë.

 Më ka mësuar përvoja jote

Që drita ngadhënjen.

Mbetet e gjallë shpresa

Edhe në çastet më të vështira.

Më shumë fuqi ka shpirti

Se më i keqi njeri.

 O motër, perlë e çmuar,

Sa ke pasuruar jetën time!

Bekime ende të panjohura të presin!

Për miqësinë tonë lavdëroj Zotin!

Me gjithë zemrën time të dua!

 Shqiponja e falls church virginia

(Kushtuar shoqes sime të zemrës, Merita Mccormack me dashuri)

 Në një qytet të vogël

Vezullon ti,

Punëtore e pamposhtur.

Për përkushtimin tënd

E palodhshme

Ndaj mëmëdheut,

Jashtë mase krenohem.

 Diktatura djallëzore

Ëndrrat e tua

Të rinisë së pafajshme

Me egërsi shtypën,

Por jo shpirtin tënd ngadhënjyes!

 Shprehet muzika

E zemrës sate

Në meloditë

E poezive të tua.

 Me dashuri ëmrore

Për ata kujdesesh

Që do

Si syrin e ballit.

 Meritën ke

Të quhesh

Një bijë të Zotit.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: carrie hooper, nga amerikania, portrete poetike, shqiptaresh

Nderi (i humbur) i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare

August 27, 2013 by dgreca

NGA FLUTURA ACKA/

Diku nga fillimi i gushtit, tek shoqëroja një grup të huajsh në një udhëtim nëpër Shqipëri, këmbëngula të ndalnim edhe në ishullin e Zvërnecit, me ç’rast edhe në manastirin “Fjetja e Hyjlindesës”. Nga shkujdesja dhe vapa që ishte në zenit, nuk e kisha vënë re një tabelë rregullash në hyrje të urës, ku mes të tjerash kërkohej me lutje që vizitorët të kenë “veshje të hijshme”, gjë që ma kujtoi sapo shkela në lëndinën para kishës, njëri prej mbikëqyrësit aty, i cili më kërkoi t’u hidhja diçka përmbi supeve të mi të zhveshur, pasi veshja ime nuk “shkonte me Nderin e kishës”.

premtova se nuk do të hyja dhe se do t’ia ruaja Nderin kishës, edhe për faktin se kisha qenë edhe herë të tjera, ndonjëherë duke ndeshur edhe me refuzimin e tyre për t’u sjellë rrotull në atë vend që perëndia e ka bekuar me aq bukuri. Por për çështjen e Zvërnecit, dua të ndalem një herë tjetër më gjatë. Kjo ndodhi m’u kujtua këto ditë kur ia bëri beft çështja “kisha e Përmetit”. Dhe akoma më shumë pas meshës së disatë të sajuar në rrugë të madhe nga priftërinjtë e Kishës Ortodokse të Përmetit.
A cënon në fakt nderin dhe autoritetin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptarë incidenti me kishën e Përmetit dhe të tjera ngjarje me prapaskenë urët e zgjatura të zjarrit prej saj? Sa dorëzani dhe përgjegjësi ka në gjithë këto vetë z. Janullatos, emri i të cilit është lakuar nëpër të gjithë spiralen e marrëdhënieve shqiptaro-greke gjatë gjithë tranzicionit shqiptar?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve dhe e të gjitha hamendjeve të ngritura, janë thënë e shpjeguar shpesh, edhe ditët e fundit madje janë evokuar sërish, kështu që unë nuk kam ç’t’i shtoj aq këtij diskursi publik. Pyetja ime si një qytetare e këtij vendi, si një qytetare as ateiste dhe as ritualiste, si mbesë e një ortodokseje të përbetuar, e cila sillej fshehur rrotull mureve të manastirit të Shën Gjonit çdo fillimqershori, është: Përse nuk ikën zoti Janullatos nga drejtimi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare edhe pas gjithë këtyre bëmave që po ndodhin me kishën që drejton ai? Sepse, siç po shkruhet dhe siç po ndodhin ngjarjet, ai nuk po e drejton siç duhet Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare, dhe në demokraci, kur nuk drejton siç duhet, duhet të japësh dorëheqjen dhe të largohesh. Ndryshe je një “diktator”, qoftë edhe në hije, qoftë edhe i veshur me petk fetar, qoftë edhe po të mos e lëçisësh siç duhet gjuhën e një vendi mikpritës.
Unë nuk i lëviz asnjë presje të gjithë mirënjohjes shqiptare mbi kontributin e z. Janullatos në ringritjen e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe i bashkohem asaj pjese të arsyeshme që e nderojnë atë, por besoj ka ardhur një kohë kur vetë z. Janullatos duhet ta bëjë këtë akt (le të gjejë një arsye të përafërt me të Papës, arsye ka sa të duash) dhe ta çlirojë Kishën Ortodokse Shqiptare nga tremba jonë mbi Autoqefalinë të rreme apo të vërtetë. Por që të mos e lë argumentin në mes, po rendis disa nga arsyet përse z. Janullatos, do të duhej ta rishikonte (sa më shpejt aq më mirë në të mirë të të gjithëve) statusin e tij në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare:
– Me incidentin “kisha e Përmetit”, z. Janullatos e përzieu Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare në një incident diplomatik mes dy shteteve dhe vendeve fqinjë, Shqipërisë dhe Greqisë, marrëdhëniet e brishta mes të cilëve shpesh janë agravuar ose qëllimisht ose nga shkujdesja edhe nga faktori Kishë Ortodokse. Ndërhyrja e shtetit grek në marrëdhëniet shtet-kishë shqiptare, cënoi shumë rëndë pavarësinë e pretenduar nga krerët e saj. Nga kjo logjikë, po aq të drejtë do të kishin edhe maqedonët, edhe serbët, edhe rusët, të protestonin për “keqtrajtimin” të sivëllezërve të tyre ortodoksë. Dhe në këtë incident diplomatik, ai (z. Janullatos) ka përgjëgjësi personale, sepse e vuri në dyshim këtë pavarësi dhe nuk e dimë tani më i shërben Zotit apo të zotërve. Kjo do të dojë ca kohë të qartësohet dhe unë lutem që koha të jetë në favor të Nderit të z. Janullatos dhe të Kishës që drejton ai.
– Me incidentin “kisha e Përmetit”, z. Janullatos nuk mundi t’u drejtojë dhe orientojë siç duhet as vartësit e tij (Themollarin me shokë), as delet e tij të perëndisë, por i la të ngrenë krye dhe të venë dorë mbi shtetin, shtetin për të cilin predikon çdo ditë, se duhet mbajtur në këmbë me ligje e rregulla. Nuk është e tepër t’ia ripërsërisim z. Janullatos se shteti shqiptar është shtet laik dhe feja (çdo fe, në një vend si ynë që shquhet për harmoni fetare) nuk ndërhyn në punët e shtetit, e respekton shtetin dhe është transparente me shtetin për të gjitha veprimet e saj.
– Në këto 20 e kusur vite të drejtimit të tij në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, nuk është bërë aq sa duhet (për të mos thënë fare) për nderimin e figurave të ndritura të Auoqefalisë si të Fan Nolit, Visarion Xhuvanit, Papa kristo Negovanit dhe të tjerëve figura të vyera, emrat e të cilëve dalëngadalë po i çrregjistrohen listës së kontributeve në Kishën tonë Ortodokse.
– Në videon e shpërndarë këto ditë (në greqisht) nga z. Janullatos mbi historikun e kishës së Përmetit, qendra kulturore që i është rikthyer tashmë bashkisë së qytetit të Përmetit, që ka një emër shumë simblok për këtë qytet dhe për kulturën kombëtare, cilësohet si një vend ku do të luhet kumar dhe bilardo. Sigurisht, z. Janullatos e di se në një shtet të varfër ka pak para për kulturën, por kjo nuk do të thotë që ta rrënojmë atë për fenë, sikurse as fenë për shtetin, siç ndodhi në diktaturë. Siç edhe e vërejti faqe dheut e gjithë Shqipëria, një kishë e përmasave aq të mëdha sa u nis të ngrihej, do t’u shërbeka vetëm 20 e 30 vetëve (aq ishin në meshën e fundit në rrugë), siç edhe u shërben 100 a 150 vetëve e gjithë ajo bina betoni kitch që u ndërtua në mes të Tiranës.
Megjithatë, për mendimin tim, më mirë ngremë kisha se sa gradaciela që ia kanë marrë frymën Tiranës. Unë do të kisha dëshiruar që ngjitur me kishën të ngrihej edhe një bibliotekë dinjitoze për Tiranën. Në pallatin e kulturës “Naim Frashëri” në Përmet, më e pakta që do të bëhet, do të ngrihet një bibliotekë dinjitoze apo një kurs të rinjsh muzikantë që të ndjekin përvojën e njërit prej gjenive të kabave shqiptare, Laver Bariut. Por z. Janullatos nuk e di këtë, dhe s’është faji i tij që google earth i tij nuk ia kap kuq e zi këtë zonë të Ballkanit. Dhe më tej, pa dashur kurrsesi të përflas Nderin e Kishës Shqiptare, ca punëra që bëhet fshehurazi nën veladon, nuk janë ndonjëherë më të ndershme se kumari, aq më pak se bilardoja, ku shpesh të rinjtë e papunë shqiptarë vrasin kohën, a thua se kanë ndonjë zgjedhje tjetër?
– Me vite, prej Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare është shpallur një betejë e hapur ndaj një prifti të vetmuar në Elbasan, at Nikollë Marku i kishës së Shën Marisë, i cili është përndjekur dhe persekutuar në mënyrë të vazhdueshme prej saj. Edhe drejtuesit e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare janë prononcuar shpesh me fjalë, edhe fyese, ndaj këtij prifti për një fakt fare të thjeshtë: Ai mendon ndryshe nga krerët e Kishës Ortodokse mbi çështjen e pavarësisë së Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, pikëpamje të cilat i shkojnë më afër së vërtetës. Edhe pse i pambrojtur nga shteti, i lënë dhe i përbuzur në devotshmërinë e tij, At Nikollë Marku ka gëzuar simpatinë e besimtarëve që frekuentojnë kishën e tij dhe të shqiptarëve që mendojnë si ai dhe që nuk arrijnë ta shpjegojnë dhe ta pranojnë gjithë atë mllef nga njerëz të perëndisë ndaj njeriut të perëndisë.
– Në kaq vite në drejtimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, z. Janullatos është gjendur shpesh në qendër të debateve, siç edhe ky i fundit mbi kishën e Përmetit, që për fatin e tij të keq, kanë cënuar edhe dashurinë e shqiptarëve ndaj tij. Më mirë se kushdo, ai e di vetë, se pa këtë shpurë politikanësh puthadorës ndaj Greqisë, ai nuk do të ishte aty ku është. Ka ardhur një kohë kur Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare të flasë shqip, dhe që të ndodhë kjo, z. Janullatos duhet të ikë me Nder që të mbetet i Nderuar mes nesh. Ne kemi detyrimin ta nderojmë dhe t’i jemi mirënjohës për çfarë ka bërë deri tani. Tani ka ardhur koha të kthehet në atdheun e tij dhe ta lërë kishën të ecë vetë, e pavarur.
Misioni i Anastas Janullatosit ka mbaruar. Nëse për të shkuar në Evropë, na duhet të falim detin, të shesim dhe blejmë eshtrat e të parëve tanë, të heshtim kur na i ndërrojnë emrat, të detyrohemi të flasim joshqip për një pension europe, më mirë të mos e kemi këtë Evropë, ku duhet të hyjmë pa identitet. Shqiptarët do të dinë t’ia bëjnë të gjitha nderet dhe t’i jenë atij mirënjohës pas largimit z. Janullatos.
Detyrimi fetar dhe i perëndishëm i z. Janullatos është kryer. Ai vetë duhet të ikë, që të mbetet i nderuar dhe të mos i lërë Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare njollën e punëve jopatriotike dhe antishqiptare. Nëse do të qëndrojë deri në fund, i paepur dhe i mbrojtur nga palopolitikanët shqiptarë, na jepet e drejta të besojmë se po ëndërron të na lërë ndonjë kular zvarrë mbi dhe, të tillë që, saç do të na i ngatërrojë këmbët, po aq edhe do të mbledhë mallkimin tonë sa herë të ngatërrohemi me të. Kjo është një zgjedhje e tij (edhe e jona, që ta themi më qartë), e varrosur në ndërgjegjen e tij. Ne kemi të drejtën vetëm t’ia kujtojmë.(kortezi- Shqiptarja.com)

Filed Under: Analiza Tagged With: Flutura Acka, i Kishes Autoqefale, nderi i humbur, shqiptare

Shqipëtarëtë gjithënjë për boten’ e kurrë për vetëhe

August 27, 2013 by dgreca

Nga Sami Frashëri/

Sindekur thamë më siprë, Shqipëtarëtë gjithë-monë janë vrar’ e përpjekurë e kanë çpërkaturë të-tërë faqen’ e dheut me gjak të-tyre; por nga gjaku i Shqipëtarëve të-tjërë kanë fituarë, Shqipëria s’ka parë nonjë të-mirë. Shumë Shqipëtarë janë çquarë e kanë treguarë vetëhenë në dituri e në të-tjerëra gjërëra’ po me këta të-tjerë mburënë e jo Shqipëtarët’ e Shqipëria.

            Me Pyrron’ e me Aleksandrinë mburenë Grekëritë e i quajnë Grekër. Maqedonasitë që, me trimëritë të-tyre muarrë gjithë botënë në pak kohë nuk’ i suallë nonjë të-mirë Shqipërisë, po Grekëritë, q’ishinë armikët’ e tyre, u ranë pas e i rrethuanë, edhe këta fituanë nga gjaku që derdhënë ata. Se Maqedonasitë përndanë nëpër gjithë vendet që muarrë gjuhën e qytetërin’ e Greket, e jo të tyrenë, q’ish shqipja. E-shum’ e botësë edhe sot Maqedonasitë i zënë për Grekër. Vërtet, të mos ishinë Maqedonasitë, gjuh’ e Grekët e qytetëri e tyre dotë mos kish marrë dotë kurrë këtë bujë që ka sot, edhe mbas dotë kish humburë e t’ish harruarë fare; se shkoll’ e Aleksandrisë edhe të-dituritë q’apinë n’Egjyptë në kohët të Ptolemenjët e bënë gjuhën’ e qytetërin’ e Greqet të përndahetë e të dëgjohetë mbi gjithë anët të dheut. Ptolemenjtë q’ishinë fjeshtë Shqipëtarë nga Çamëria e gjithë Maqedonasitë lanë gjuhën’ e tyre shqipenë me nj’anë të-harruarë e të-paditurë, e vunë përpara greqishtënë, gjuhën’ e Dhimosthenit që ka folur aqë kundra Maqedonaset.

            Pas Grekërvet erdhen Romanëtë; edhe këta fituanë shumë nga Shqipëtarëtë: trimëri e Shqipëtarëvet e mendj’ e-tyre shërbente mburrjen’ e Romanëvet e jo të-tyrenë. Shumë njerës trima e të-diturë kan’apiturë edhe në kohët të këtyre në mest të Shqipëtarëvet, po bota i ka njohurë si Romanë e jo si Shqipëtarë.

            Pas Romanëvet u erth radha Tyrqet. Shqipëtarëtë duke përzjerë me Tyrqitë kanë marrë anë në gjithë luftërat që bëninë e që fitoninë këta kundrë gjithhë botësë;  edhe më të-madhenë e më të-miratë punëra i bënin Shqipëtarëtë, po emnrinë e kishinë Tyrqitë, edhhe gjithë bota i dinte Tyrq e njeri s’i njihte si Shqipëtarë. Më të mbëdhenjt’ e më të-mirëtë e Vezirëvet të Tyrqisë ishinë Shqipëtarët, si Sinan-Pasha që ka marrë Jemenë e ka shpënë Fjamrin’ e Tyrqisë gjer në detet t’Indisë, si Qiprilinjtë q’e kanë shpëtuarë mbretërin’ e Tyrqisë nga një rrezik të-math e e forcuanë aqë këtë mbretëri sa van’ e rrethuanë Vjenënë. Edhe shumë të-tjerë njerës të mbëdhenj e burra trima kan’ ardhurë, prej të cilëve Tyrqia ka fituarë shumë, po Shqipëria aspakë.

            Në kohërayt të-pastajme Shqipëtarëtë kanë punuarë e janë vrarë për Tyrqitë e Shqipëtaret’ e e krishtenë për Grektë, për këta dy kombe të cilëtë, as njëri as jatri, s’ua dinë të-mirënë, e ja u çpëblejnë me të-keqe duke përpjekurë për humbjen’ e kombit Shqipëtar. Boçari, Zhavella, Miauli e të-tjerë më të-shumët’ e trimavet që janë përpjekurrë për ngjalljen’ e për dlirin’ e Grequsë kanë qenë fjeshtë Shqipëtarë e jo fare Grekë; po nga timëri e tyre kanë fituaarë shumë Greqia e jo fare Shqipëria. Në syt të botësë lëftonin Greqtë me Tyrqitë, po në të vërtet lëftoninë Shqipëtarët’ e-krishtërë me Shqiptarët myslimanë. Kur muntnin’ ata fitonte Greqia, kur muntninë këta, fitonte Tyrqia; po gjaku që derdhesh nga të-dy anëtë ish gjak  Shqipëtari. Shqipëtarëtë vritenë vëlla me vëlla, të-tjerë fitojnë. Shqipëtari e ka derdhurë gjithnjë gjaknë pa kurcim, po e ka derdhë kot; Kurrë Shqipëria s’ka fituarë nga gjku i Shqipëtarëvet: gjithë-një të-huaj edhe armikë të Shqipërisë kanë fituarë nga ay gjak i vjejturë e i-derdhurë pa mendim!

            Jo vetem me kordhë e me gjak, po edhe me pendë e me ment Shqipëtarëtë kanë shërbëtuarë gjithë-një të-huajtë. Me të mos shkruarë gjuhen’ e tyre janë shtrënguarë greqisht, latinisht, shqahisht, tyrqisht a arabisht; edhe me  emnit të-tyre mburenë të zott’ e këtyre gjuhëve, e Shqiptarëtë pandehenë t’egjër’ e të pa-diturë, gjith’ i qeshinë duke thënë se, ja u ka ngërnë buallica librën’ e tyre. Po Aristoteli m’i madhi i filosofëvet të  Greqis’ së vjetërë ishte Maqedonas, dome-thënë Shqipëtar e jo Grek. Vërtet në Stagjyre, tek ka lindurë ishin edhe ca Greq t’ardhurë, po fytyr’ e Aristotelit që shohim n’agalmët të ti dhe gjuha greqisht q’e ka shkruarë të-përtuarë e jo aqë të-drejtë si dhe miqësia që kish me Filipinë, anëmikn’ e Greqet e të-tjerë shënja tregojnë që ky filosof i-math nukë ish lindurë prej nonjëj nga Greqtë që kishin ardhurë në Stagjyrë, po prej një Stagjyraku vëndës, e ish Maqedonas, do-me-thënë Shqipëtar i fjeshtë.

            Në kohë të Tyrqete kan’ardhurë shumë Shqipëtarë të-diturë që kanë shkruarë libra e vjersha tyrqisht a arabisht. Vetëm vjershëtarëtë Shqipëtarë që kanë shkruarë vjersha tyrqisht janë aqë shumë, sa emënatë e-tyre munt të mbushinë nji librë të-tërë. Jahja-Beu, q’është një nga më të-dëgjuaritë e vjershatarëvet tyrq, është Shqipëtar.

            Shqipëtarëtë e kanë treguarë gjithë jetënë që janë të zottë edhe me kordhë edhe me pendë, edhe me trimëri edhe me ment e me dituri, e Shqipëria ka nxjerrë shumë njerës të-çquarë e me nam të math, po nonjë nga ata s’ka punuarë për Shqipërit, e cila ka mbeturë gjithë-një e-varfërë  e e-padëgjuarë, e me djemt’ e saj mburenë të-tjerë vënde e të-tjerë kombe. Është ndodhuë një Shqipëtar i-zoti të ngjallnjë Egjyptënë, e të bënjë prej këtij vëndi të-humbur’ e të-prishurë, sish-atëherë, një vënd të-pasur’ e të ndrituarë, si është sot. Dhe Mehmet Ali, Shqipëtari i-pamësuarë, u-ndoth i-zoti të shpëtonjë kështu një vënd të-huaj e të-largë; po kurrë një Shqipëtar s’është ndodhurë t’i bënjë Shqipërisë një të-mirë të-këtillë.P’andaj duke mbaruarë këtë fjalë, themi prapë me hidhërim zëmrë që: Shqipëtarëtë kanë punuarë, gjithë-monë për botënë e jo kurrë për vetëhë.

            Vetëm një Skënderbe ka punuarë në kohërat’ e shkuara për Shqipërinë e vetëm ay   është me të-vërtetë mburrje për Shqipërinë.

 Nxjerrë nga “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bënëtë?”

 

Filed Under: Kulture Tagged With: e kurre per vehte, gjithnje per boten, Sami Frasheri, shqiperia

Berisha takon drejtoreshën e BB, shpreh shqetësimin për fatin e administratës

August 27, 2013 by dgreca

Kryeministri Berisha priti sot një grup të Bankës Botërore, të kryesuar nga znj. Ellen Goldstein, Drejtore për Shqipërinë dhe Koordinatore Rajonale për Europën Juglindore dhe Azinë Qendrore.Znj. Goldshtein i tha Kryeminstrit që erdhi në këtë takim për të përcjellë vlerësimet më të larta dhe falenderimet më të përzemërta të drejtuesve të BB dhe të gjithë ekipeve që kanë punuar me qeveritë Berisha për 8 vitet e qeverisjes së fundit e më parë. Ka qenë një bashkëpunim i ngushtë dhe shumë i fryshëm, një partneritet konsekuent dhe i fuqishëm, në reformat e mëdha të ndërmarra dhe që ne shpresojmë, u shpreh ajo, që BB të ketë kontributin e saj nga bashkëpunimi, në arritjet tuaja.

“Ju keni luftuar dhe keni bërë që Shqipëria nën drejtimin tuaj të cilësohet si kryereformatore e ekonomisë. Falë lidershipit tuaj, nuk është aspak tepër të thuhet që Shqipëria ia doli mbanë të lundrojë mbi krizën globale, të mbajë një ekonomi të qëndrueshme e me rritje”, – tha znj. Goldstein.

Kryeministri Berisha e falenderoi znj. Goldstein për bashkëpunimin e gjatë e të mrekullueshëm të Bankës Botërore me qeverinë e tij, si partnere e rëndësishme në arritjet e vendit në këto 8 vjet. Institucioni që ju përfaqësoni dhe zyra e tij në Tiranë , u shpreh Kryeministri, ka qenë gjithmonë një partner eficent e frutdhënës, që i ka dhënë vendit një ndihmë të paçmuar.

Përfaqësuesja e BB i tha Kryeministrit që institucioni i saj do të vazhdojë mbështetjen e qeverisë së re për vazhdimësi e zhvillim të qëndrueshëm, siç ka bërë dhe deri më sot, duke i sugjeruar qeverisë së re si fusha përqendrimi të bashkëpunimit: energjinë, menaxhim financiar, forcimin e konkurueshmërisë dhe shtimin e vendeve të punës, mbrojtja sociale, mbrojtja e ambientit etj..”I kemi sugjeruar qeverisë së re, të krijojë vazhdimësi e të mos fshijë rezultatet pozitive të reformave dhe institucioneve të ndërtuara, por të vazhdohet e çohet më tej investimi në ato fusha e sektorë”.

Kryeministri Berisha u shpreh se socialistët kanë përcjellë mesazhe konfuze në lidhje me biznesin. Deklarata e tyre për të ashtuquajturën vendosje të kriterit të meritës në rekrutim është thjesht një maskim i përpjekjes për të çmontuar administratën shtetërore ekzistuese. Ata po përpiqen me të gjitha format për të larguar nga puna me mijëra e mijëra punonjës e për t’i zëvendësuar ata me militantët që duan të shpërblejnë. Qeveria e re po përpiqet të zhbëjë të gjitha praktikat dhe arritjet e deritanishme. Kështu, deklaratat e tyre për masterplane të reja në bregdet e gjetkë kanë synim mbrojtjen e bizneseve të tyre.

Znj. Goldstein e falenderoi dhe një herë Z. Berisha për gjithë kontributin dhe bashkëpunimin e dhënë në zhvillimet e vendit dhe i kërkoi bashkëpunim po aq të frytshëm edhe si opozitar.

Kryeministri Berisha i ktheu falenderimet edhe njëherë dhe i premtoi se do të qe një opozitar shumë aktiv, në të gjitha momentet e zhvillimit të vendit, si zëdhënës e mbrojtës i interesave të të gjithë shqiptarëve.

Filed Under: Kronike Tagged With: Berisha, drejtorja e Bankes Boterore

PER HERE TE PARE- Përfundojnë planet e detajuara vendore për 26 nën-njësi në Tiranë

August 27, 2013 by dgreca

Për herë të parë që prej vitit 1989, Tirana do të zhvillohet në bazë të një plani të hartuar nga ekspertët më të mirë dhe me konsensusin më të gjerë të mundshëm. Pas miratimit të planit të përgjithshëm rregullues, i premtuar nga kryebashkiaku gjatë fushatës elektorale të 2011-ës dhe që i mungonte Tiranës për 23 vite, Bashkia e Tiranës nisi punën për planet e detajuara vendore. Aktualisht, janë miratuar planet e detajuara vendore të 26 zonave të Tiranës, duke i hapur rrugën zhvillimit të këtyre zonave.

Planet e Detajuara Vendore (PDV) kanë në themel të tyre parime të forta të respektimit të pronës private, mjedisit dhe zhvillimit ekonomik. Qytetarët vendosen në kushte të barabarta përara zhvillimit e në asnjë rast nuk do të lejohet që e drejta e dikujt, të cënojë të tjerët. Këto studime i japin njëherë e përgjithmonë fund zhvillimit kaotik, ku për vite me radhë, fokusi ishte përqendruar tek ndërtimi i pallateve shumëkatëshe që shpërfillin territorin përreth, duke reduktuar hapësirat publike, duke cënuar infrastrukturën rrugore dhe duke mos lënë asnjë sipërfaqe për zhvillimin e institucioneve sociale e arsimore, si ҫerdhe, kopshte apo shkolla.

Të gjithë studimet e miratuara, janë bazuar mbi një përqasje që përcakton si prioritete, nevojat e komunitetit. Në gjitha rastet, zhvillimi i pronës është shoqëruar me përcaktimin e hapësirave për rrugë, institucione arsimore, hapësira rekreative, kënde të lojrave për fëmijë e sipërfaqe të gjelbra kompakte. Në këto studime parashikohet ndërtimi i 4 institucioneve të reja arsimore: 1 ҫerdhe, 2 kopshte dhe 1 shkollë 9-vjeҫare si dhe parashikohet ristrukturimi i institucioneve arsimore, aktualisht prezente në territor e përshtatja e tyre me kërkesat në rritje të banorëve. Hapësirat e gjelbra e rekreative, të përcaktuara mbi bazën e standardeve mjedisore janë vendosur në të gjitha zonat e studiuara.

Të gjithë zhvillimet e reja do të kontribuojnë për realizimin e rrugëve dhe hapësirave të gjelbra kompakte, në shërbim të banorëve. Në të gjitha nën-njësitë e studiuara, territori i përdorur për ndërtimin rrugëve, hapësirave të gjelbra përbën 30-50% të gjithë sipërfaqes së truallit. Për të 26 nën-njësitë e miratuara, të interesuarit për zhvillimin e pronës mund të aplikojnë menjëherë pranë Bashkisë së Tiranës, për t’u pajisur me leje ndërtimi. Procesi për marrjen e lejeve të ndërtimit është shkurtuar nga 365 ditë, në vetëm 45 ditë, duke nisur nga momenti i aplikimit.

Aktualisht, në Bashkinë e Tiranës janë drejt përfundimit planet e detajuara vendore edhe për 10 nën-njësi, ndërkohë që për 15 të tjera, planet po hartohen nga vetë ndërtuesit.

Tabela e PDV-ve të miratuara

Nr Nën-njësia Sip. e nën-njësisë m² Kufiri ( Rrugët që e kufizojnë)
1 5/24 33 962 Rr.”Perlat Rexhepi”; Rr. “Janos Huniadi”; Rr. “Adem Jashari”; Rr. “Sami Frashëri”
2 5/25 46 539 Rr.”Perlat Rexhepi”; Rr. “Janos Huniadi”; Rr. “Ibrahim Rugova”
3 5/28 43 860 Rr.”Kosovarëve”; Rr. “Dora d’Istria”; Rr. “Margarita Tutulani”; Rr. “Sami Frashëri”
4 3/21 12 628 Rr.”Arkitekt Sinani”; Rr. “Ramiz Treni”; Rr. “Ramazan Zakja”
5 10/8 25 730 Rr.”Myslym Shyri”; Rr. “Shyqyri Bërxolli”
6 6/10 83 043 Rr.”Haki Stërmilli”; Rr. “Llazi Miho”;

Rr. “Petraq Leka”

7 8/1 10 678 Rr.”Barrikadave”; Rr. “Dibrës”;

Rr.”Kostandin Kristoforidhi”; Rr. “Qemal Stafa”

8 8/2 31 778 Rr.”Saracëve”; Rr. “Dibrës”;

Rr.”Kostandin Kristoforidhi”; Rr. “Qemal Stafa”

9 8/3 74 506 Rr.”Tafaj”; Rr. “Ali Pashë Gucia”;

Rr.”Saraçëve”; Rr. “Qemal Stafa”

10 8/9 40 419 Rr.”4 Dëshmorët”; Rr. “Riza Cerova”;

Rr.”Dervish Hekali”; Rr. “Thanas Ziko”

11 5/38 54 853 Rr.”Dhimitër Shuteriqi”; Rr. “Tish Dahija”;

Rr.”Robert Shvarc”; Unaza e Re

12 7/25 152 505 Rr.”Frosina Plaku”; Rr. “Ndre Mjeda”;

Rr.”Artan Lenja”

13 9/15 57 051 Rr.”Asim Vokshi”; Rr. “Haxhi Hysen Dalliu”;

Rr.”Ramazan Kasa”; Rr. “Kongresi i Tiranës”

14 9/18 54 937 Rr.”Don Bosko”; Rr. “Estref Frashëri”;

Rr.”Asim Vokshi”; Rr. “Asllan Shahini”

15 9/33 18 051 Rr.”Don Bosko”; Rr.”Asim Vokshi”;
16 7/9 58 850 Rr.”Kavajës”; Rr. “Muhamed Gjollesha”;

Bulevardi “Gjergj Fishta”; Rr. “Shefqet Musaraj”

17 9/7 22 713 Rr.”Barrikadave”; Rr. “Bardhok Biba”;

Rr.”Dervish Hatixhe”

18 7/33 42 510 Rr.”Dritan Hoxha”; Rr. “Muhamed Gjollesha”;
19 4/15 88 665 Rr.”5 Maji”; Rr. “Jorgo Plaku”;
20 10/15 14 242 Rr.”Kavajës”; Rr. “Kont Urani”;

Rr. “Mihal Duri”

21 10/9 45 506 Rr.”Myslym Shyri”; Rr. “Shyqyri Berxolli”;

Rr. “Ibrahim Rugova”; Rr. “Camëria”

22 2/18 158 188 Rr.”Elbasanit”; Rr. “Unaza e re”;

Rr. “Pjetër Budi”; Rr. “Arben Broci”; Rr. “Kadri Kërciku”

23 4/8 60 420 Rr.”Xhanfize Keko”; Rr. “Kahreman Ylli”;
24 7/22 23 144 Rr.”Bab Rexha”; Rr. “Frosina Plaku”;

Rr. “Ndre Mjeda”; Rr. “Stavri Themeli”

25 5/31 72 059 Rr.”Sulejman Delvina”; Rr. “Sami Frashëri”;

Rr. “Margarita Tutulani”; Rr. “Gjik Kuqali”

26 1/38 42 471 Rr.”Ali Demi”; Rr. “Idriz Dollaku”;

Rr. “Shemsi Haka”; Rr. “Myslym Lela”

 

Filed Under: Sociale Tagged With: per 26 njesi vendore, Plane te detajuar, Tirane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT