• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2013

Kosova nis rrugëtimin për në BE

October 29, 2013 by dgreca

Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë nisur takimin e parë në kuadër të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. 

Kryenegociatorja kosovare Vlora Çitku në një konferencë për media bashkë me kryenegociatorin nga Komisionin Evropian Joost Korte thanë se negociata fillimisht do të zhvillohen në katër fusha në atë politike, tregtare, në përafrimin e legjislacionit, si dhe politikave të bashkëpunimit.
Në hapje e takimit të parë të negociatave, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se nisja e këtyre negociatave është meritë e të gjithë qytetarëve, institucioneve dhe partive politike të Kosovës.
Sipas tij, nga ky moment, Kosova po nis rrugëtimin e saj të sigurt drejt BE-së, që do të pasohet më pas edhe me integrimin e saj në NATO.
“Sot është një ditë historike, sepse po fillon një kapitull i ri në procesin integrues të vendit tonë dhe po fillon një proces i ri i cili ndodhë njëherë në historinë e çdo shteti, pra edhe në historinë e Kosovës”, tha Thaçi.
“Po fillon zyrtarisht një proces që shpie drejt anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe ky moment përputhet plotësisht me vizionin tonë për të qenë anëtar i BE-së dhe NATO“, tha Thaçi.
Në konferencë për media e cila është mbajtur në orët e pasdites në Qeverinë e Kosovës, ministrja e Integrimeve Vlora Çitaku tha se mbetet një rrugë e gjatë deri te nënshkrimi i marrëveshjes.
“Dita e sotme është vërtetë historike sepse shënon hapjen e një epoke të re mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Kjo do të jetë një rrugë e gjatë dhe dinamika e këtij procesi do te varet në masë të madhe edhe nga aftësia jonë për të çuar përpara reformat e nevojshme. E reformat shumë më lehtë mund të arrihen kur ka konsensus te plotë”, tha Çitaku.
Bashkimi Evropian synon të përfundojë negociatat për MSA-në me Kosovën deri në pranverën e 2014-ës, ndërsa planifikon ta nënshkruajë atë në verën e atij viti.
Joost Korte, zëvendësdrejtori gjeneral në drejtorinë për zgjerim të Komisionit Evropian tha se marrëveshja “është një mundësi të cilën duhet ta kapë Kosova”.
Pas diskutimeve fillestare mbi liberalizimin e tregut dhe tregun e brendshëm ai paralajmëroi vazhdimin për tri apo katër kapituj të marrëveshjes në takimin e radhës që do të mbahet më 27 nëntor në Prishtinë.
“Sot kemi diskutuar 3 kapituj të marrëveshjes dhe mendoj se për takimin e radhës më 27 nëntor kanë mbetur katër apo pesë kapituj të tjerë. Atëherë do të kemi përmbushur në fakt pothuajse të gjithë draft-marrëveshjen. Në ndërkohë, do të krijohen tri grupe punuese për t’u marrë me këto çështje në aspektin teknik”, u shpreh ai.
Korte hodhi poshtë mundësinë që, për shkak të pesë shteteve evropiane që nuk njohin pavarësinë e Kosovës të paraqiten pengesa në nënshkrimin e marrëveshjes.
Marrëveshja për Stabilizim Asociim me Kosovën, sipas tij, do të nënshkruhet në emër të BE-së.
Nga gjithsejtë 28 vende anëtarë të BE-së, pesë prej tyre, Spanja, Qipro, Sllovakia, Greqia dhe Rumania ende nuk e kanë njohur shtetësinë e vendit.(Kortezi Arton Konushevci)

 

Filed Under: Featured

SHQIPERIA ZBRET 5 SHKALLE

October 29, 2013 by dgreca

“Doing Business”, Shqipëria humbet 5 vende/

Banka Botërore publikoi sot raportin vjetor Doing Business 2014, një vëzhgim mbi lehtësirat e të bërit biznes në 189 vende të botës. Krahasuar me vitin e kaluar kur Shqipëria renditej e 85-ta në klasifikim, këtë herë ajo ka humbur 5 pozicione, duke u renditur në vend të 90-të.
Raporti merr në shqyrtim 10 tregues të cilët lidhen me kompleksitetin dhe kostot e proceseve rregulatore si dhe me kuadrin ligjor dhe institucional me të cilin ndeshet një aktivitet biznesi. Pothuajse të gjithë treguesit për Shqipërinë kanë mbetur të pandryshuar, sipas raportit të këtij viti, dhe vendi përmendet vetëm se ka lehtësuar pagesat për korporatat, të cilat, taksat mbi të ardhurat mund t’i paguajnë tanimë cdo tremujor.
Përkeqësimi i pozicionit të Shqipërisë duket se është ndikuar më së shumti nga përmirësimet e vendeve të tjera, ndërkohë që në ndryshim nga një vit më parë, në listë janë shtuar edhe katër shtete të tjera.
Shqipëria vazhdon të ruajë një vlerësim mjaft pozitiv përsa i përket treguesve që lidhen me marrjen e një kredie apo me mbrojtjen që gëzojnë investitorët, ku ajo është respektivisht në vend të 13 dhe 14, në përmirësim nga viti i shkuar. Ajo është gjithashtu në pozicion të mirë edhe me treguesit që lidhen me zgjidhjen e problemeve të likuiditetit (klasifikohet e 62-ta) apo dhe me hapjen e një biznesi, ku klasifikohet e 76-a, 14 pozicione më keq se një vit më parë e ku rezulton që të ketë një shtim në procedura dhe një rritje të lehtë të kostove.
Ndërkohë që Shqipëria vazhdon të mbetet e fundit në treguesin për lejet e ndërtimit, ashtu si dhe gjatë viteve të shkuara. Një vlerësim negativ sërish edhe për kriterin e energjisë, që mat lehtësinë me të cilën një biznes mund të sigurojë furnizimin elektrik. Shqipëria është e 158-a.
Ndonëse ende në brezin e fundit të klasifikimit, Shqipëria ka përmirësuar pozitën e saj përsa i përket pagesës së taksave, duke u renditur e 146, nga vendi i 160 në të cilin ndodhej vitin e shkuar. Ndërsa ka një përkeqësim të fortë, duke humbur 39 pozicione, në treguesin e respektimit të kontratave, ku nga vendi i 85-të ka shkuar në të 124-in.

Filed Under: Sociale Tagged With: Banka Boterore, shqiperia

ALFABETI I NATËS

October 29, 2013 by dgreca

Nga Vjollca PASKU/

Errësira kalon nëpër sytë e mi.Jam në pyll duke ecur dhe për një çast përpëlit qerpikët.Pikëzat e yjeve rregullojnë  pesëkëndorin në kapelen memece të qiellit.Largësia që më ndan me ta është gjumi i ditës së bardhë.Duke ecur, një grimcë lagështie e epidermës së natës,më qëndron në buzë. Puthje  flagrante e errësirës,që pasohet me të tjera.Kodi i mistereve të territ, lind muskujt e buzëqeshjes të gjuhës së kozmozit.Hijet e pemëve bëhen njësh me errësirën. Në sytë e mëdhenj të bufit  si orë nate,zbulohet kërshëria e ndonjë prej aventurave të zogjve më të vegjël.Gjinkalla sintonizon zërin me karkalecin.Gjarpri si një lëkurë rrëkeje rrëshqet nëpër gjethe dhe vërshëllen moskokçarës.Këndojnë  kuaket e gjoleve për të ndezur bukurine e dashurisë.Brumbujt dhe milingonat lëvizin antenat për të marrë sinjale nga hëna.Një pëshpërim drethke më thotë;’tani do të ndodhë mrekullia’Zëra..të magjishme  u hapën në gjithësi.Polifoni e pangjashme me kordat toksore apo frymore të krijuara nga erërat njerëzore. Ngjizje e tonalitetit të zjarrit, qiellit e tokës, zgjatoheshin në një melodi hyjnore,fuqizuar nga gjithësia.Qelqi i artë i hënës u thye nga diagrami i harpës magjike me një amplitud të lartë sinusoidale. Drita e saj u derdh dhe u përpi nga ajri..Ah…shtoj-za-vallet…këndonin dhe vallëzonin duke formuar një kërthizë  toke,si flakë tempulli. Ajri tërhiqej prej vakumit të frymëmarrjes së tyre, dhe shpupuritej prej krahëve valltare virtuozitetin  mijëvjeçar e krijonte valëzime ajrore.Sytë e shtojzavalleve vështronin si vesa e qiellit.Flokët I kishin të gjatë, si zgjatimi vektorial i reve të bardha mbi  mal, veshur me pëlhurë argjendi, me shalle të gjelbërt natyror.Oh …Bukuri e flakës së virgjër.Bukuri e dritës së pashfaqur e agimit.Bukuri e oqeanit mbledhur në thembrën e horizontit para perëndimit..Jam si në ëndërr..Një copëz dritëhënëze e fshehur u fik në qënien time, duke më dhënë ekstazën e saj.Fluturimi në sytë e mi skanoi gjithë aerodromin e qiellit, gjithë akset e gjerësisë dhe gjatësisë së pyllit, gjithë himnin e natyrës së errët..Ndjeja lumturi…Copëzat e natës u shpërbënë si një duhmë buqete, dhe shtojzavallet ikën rrufe.Agimi menaxhoi grimcat e dritës. Sytë njerëzorë u hapën për të  realizuar ëndrrat e natës. Ajri rimoi frymëmarrjen e ditës.Nuk e di?A do të ishte më mirë të isha një qënie e lumtur e natës, apo një brengë e zhurmës së ditës?

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: alfabeti i nates, esse, Vjollca Pasku

Mos harroni, jemi edhe ne!

October 29, 2013 by dgreca

Nga Reshat   Kripa/Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës/

Shqipëria sot jeton në botën e çudirave. Përse do të thoni ju, të nderuar lexues? Sepse kushdo, i djathtë apo i majtë, politikan apo i paparti (nuk e di nëse mund te ketë në vendin tonë ndonjë që nuk i përket asnjë partie), analist apo gazetar  është përfshirë në vorbullën e kësaj Shqipërie të çuditshme.  Sot, në vendin tonë je i lirë të shprehësh çdo lloj mbroçkullash që të do zemra, të çdo lloj ngjyrash të jenë ato dhe turma, si një kope e bindur, beson ato që i vinë më për shtat. Është për të ardhur keq, por sot vendin kryesor e zenë mashtrimet dhe llafollogjia propagandistike e trashëguar nga regjimi i përmbysur dhe kjo fillon që nga kupola drejtuese dhe deri në shtresat më të ulta të popullsisë.

Një sentencë e njohur thotë: “Oh, drejtësi, drejtësi, shumë krime kryhen nën emrin tënd!” A është e vleshme kjo sentencë për vendin tonë? Unë mendoj se po. Përse? Sepse këtu ekziston demagodgjia e premtimeve të pambajtura dhe më e keqja, ata që premtuan, nuk kanë as pikën e turpit për të përgënjeshtruar thëniet e tyre. Kjo është Shqipëria e sotme.

Flitet dhe çfarë nuk flitet. Flitet që rendi në Shqipëri paska qenë për tokë dhe tani e tutje do të gjejë vendin e merituar. Sa do të dëshironim që një gjë e tillë të realizohej! Madje për këtë u shkarkuan edhe qindra kuadro të nomenklaturës së kaluar. Por  në të vërtetë ne shohim se për çdo ditë në rrugët e vendit ndodhin vrasje nga më të padëgjuarat ndonjëherë. Është herët shpejt për zgjidhjen e këtij problemi, thonë drejtuesit e shtetit. Edhe unë jam dakord me ta. Do të presim dhe do të shohim. Por, nëqoftëse , me kalimin e kohës, asnjë ndryshim nuk do të ndodhë, çfarë do të thonë zotërinjtë e kupolës drejtuese?

Para disa ditësh pesë të rinj të moshës 17-18 vjeç humbën jetën në një aksident automobilistik. Aksidente të tjera po ndodhin në rrugët e  adheut. Të tjerë persona po humbasin jetën. Çfarë po bënë policia rrugore për parandalimin e tyre? Asgjë. Vazhdon e  njejta gjendje si në të kaluarën. Atëherë, çfarë shërbyen zëvendësimet e gati njëqind kuadrove të policisë rrugore Koha tregoi se asgjë.

Solla vetëm dy shembuj të jetës së përditshme dhe mund të vazhdoja edhe më tej. Por nuk dua të zgjatem. Dua të përqëndrohem në problemet që i përkasin shresës time, që unë i përkas, shtresës së ish-të përndjekurve politikë.  Çfarë ndryshimi do të sjellë ndërrimi i pushteteve në Shqipëri për këtë shtresë? Gjatë fushatës elektorale drejtuesit e sotëm bënë shumë premtime. Natyrisht, në rast se do t’i realizojnë këto, kjo do të ishte një tregues se edhe e majta shqiptare është e interesuar për këtë shtresë. Kjo do të tregonte se nuk është vetëm e djathta që i ka përkrahur. Kjo do të ishte një përmbysje e mentalitetit të deri tanishëm dhe kjo do të ishte një gjë e mirë.

Por si paraqitet gjendja reale në vendin tonë? Ne konstatojmë se, në rradhët e të pezulluarve nga puna, një pjesë e mirë e tyre i përkasin pikërisht kësaj shtrese. Unë mund t’i cilësoja me emrat përkatës, por po e le për një herë tjetër, në rast se pala e prekur do e kërkonte një gjë të tillë. Gjithashtu, në rradhët e të emëruarve të rinj në institucionet e ndryshme nuk shohim asnjë të propozuar nga shoqatat e të përndjekurve politikë. Drejtuesit e sotëm mund të shpikin lloj-lloj shoqatash inekzistente që, në përbërjen e tyre, kanë vetëm një individ që nuk përfaqëson asgjë përveç emrit të tij të përlyer. Në rast se ekzistojnë të tilla shoqata do t’ju lutesha të na paraqisnin vendimin e gjykatës që i ka miratuar, përbërjen e saj, degët e rretheve, selitë përkatëse dhe  elementë të tjerë që vërtetojnë ekzistencën e tyre. Për fat të keq, shoqata të tilla me këto  të  dhëna  janë  fare  pak,  për  të  mos  thënë  vetëm  një,  Shoqata  Antikomuniste  e  të Përndjekurve   Politikë   Demokratë  të  Shqipërisë,  anëtare  me  të   drejta   të  plota  e  Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit me qendër në Berlin.

I shkruaj këto se gjatë fushatës elektorale drejtuesit e sotëm krijuan edhe një “grup me të përndjekur politikë” për të hartuar një program për këtë shtresë dhe, në të vërtetë, ky program u hartua dhe u shpallën publikisht shifrat e tij. Më lejoni t’ju paraqes disa pika të këtij programi:

  1. Ngritja  e  masës  së  dëmshpërblimit  financiar nga 2000 lekë për ditë dënimi në 25 euro

ose 3500 lekë për ditë dënimi.

  1. Pagesa në mënyrë të menjëhershme e atyre që kanë  mbushur  moshën 75 vjeç për burrat

dhe 70 vjeç për gratë.

  1. Përfundimi  i  dëmshpërblimit financiar për të përndjekurit politikë në  një periudhë  prej

dy vjetësh.

Këto ishin tre premtimet kryesore të drejtuesve të sotëm. Deri tani, megjithse kanë kaluar gati dy muaj nga marrja e pushtetit nuk kemi dëgjuar asnjë fjalë, në asnjërën nga konferencat e shumta të zhvilluara prej tyre, për këto çështje. As edhe një premtim të vetëm se çfarë do të bëhet në të ardhmen për këtë shtresë. Kjo na lë një shije të hidhur, na lë përshtypjen se gjithshka ishte një demagogji e shpifur, njëlloj si ato të sistemit të përmbysur që u mundua, më kot, të na diskriminonte dhe të na zhdukte fare nga faqja e dheut, por që nuk mundi t’ia arrinte kurrë. Lidhur me sa më sipër, më vjen keq edhe për ata “ish-të përndjekur politikë” që u përdorën si manekinë në duart e mjeshtërve të mashtrimit dhe që sot nuk e ngrenë më zërin.

Pak më sipër citova tre premtimet e bëra nga drejtuesit e pushtetit të sotëm. Por, kërkesat e të përndjekurve politikë nuk janë vetëm këto, madje unë do të thoja se këto do të ishin të fundit e kërkesave të tyre. Para tyre unë do të rendisja ato më themeloret të sanksionuara në Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë të miratuar në vitin 2006, pamvarësisht se sundimtarët e sotëm dolën jashtë salle kur miratohej ajo rezolutë. Le t’i rendisim ato:

Dënoni diktatorin Enver Hoxha si ideatorin, frymëzuesin, drejtuesin dhe ekzekutuesin e sistemit diktatorial komunist në Europën Lindore.

Hapni dosjet e ish-bashkëpuntorëve të Sigurimit të Shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qëndrore e lokale si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruara.

Akordoni një fond për gjetjen e të rënëve nga diktatura komuniste për arsye politike dhe rivarrosjen e tyre në një varrezë të veçantë, si në vendet e tjera të Europës Lindore, ku të afermit të mund të vendosin  një tufë me lule apo të dredhin dy pika lot për kujtim të tyre.

Bëni rishikimin e historisë së Shqipërisë për të paraqitur realitetin e asaj periudhe të manipuluar dhe rishikoni tekstet shkollore të mbushura me propagandën komuniste.

Hapni muzetë në qendrat kryesore të persekutimit politikë dhe ngrini memorialin         qëndror të të rënëve nga diktatura për të cilin ka vite që është marrë vendim nga Kuvendi i Shqipërisë.

Së fundi organizoni konferncën kombëtare me pjesëmarrjen  e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të përndjekurve, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve për krimet e kryera nga regjimi totalitar komunist. Sot shohim që zhvillohen konferenca edhe per romët apo për gejt. Nuk e di nëse këta konsiderohen më të rëndësishëm se të përndjekurit politikë.

Në rast se do të bëni këto, ju do të tregoni se jeni me të vërtetë ashtu siç keni premtuar. Në të kundërt do të mbeteni sharlatanë gënjeshtarë të pamoralshëm që atë që premtojnë sot nuk e kanë për turp ta mohojnë nesër.

Ne jemi në pritje.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Jemi dhe ne, reshat kripa

ROLI HISTORIK I KLUBIT “BASHKIMI” TË MANASTIRIT DREJTË BASHKIMIT SHPIRTËROR TË KOMBIT

October 28, 2013 by dgreca

ME  RASTIN E 105 VJETORIT  TË THEMELIMIT TË KLUBIT  KOMBËTAR  “BASHKIMI” TË MANASTIRIT/

Nga prof. Dr. Vebi XHEMAILI- Profesor  në Universitetin Shtetëror të Tetovës/

 Manastiri si qendër e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare/

 Fitorja e revolucionit xhonturk në verë të vitit 1908, te shqiptarët ngjalli shpresën dhe optimizmin se do të fitojnë të drejtat e kamotshme kombëtare dhe kulturore-arsimore. Para se të vijnë në pushtet, xhonturqit u kishin dhënë shumë premtime si  shqiptarëve, ashtu edhe popujve të tjerë të perandorisë, se nëse vijnë ata në pushtet do t’u japin të drejtat e kërkuara, me kusht që këta t’i ndihmojnë në rrëzimin e pushtetit absolutist të Sulltan Hamitit.

Në lëvizjen xhonturke që nga deceniet e fundit të shek. XIX kishin marrë pjesë edhe shumë patriotë e intelektualë shqiptarë si dr. Ibrahim Temo nga Struga,[1] Dervish Hima nga Ohri,[2] Riza Tevftiku nga Dibra, Ibrahim Pejani (Ipekli), Nexhip Draga i cili vepronte në Shkup, Shahin Kolonja e shumë veprimtarë  të tjerë. Kjo fletë qartë se shqiptarët në fillim e  përkrahën fuqishëm këtë Lëvizje të re, pasi ishin të bindur  se me programin e tyre do të fitonin më shumë të drejta kulturore dhe politike.[3] Populli shqiptar qysh në fillim mori pjesë në lëvizjen e turqve të rinj. Pasi programi i tyre e forconte luftën për autonomi kulturore që njëherit ishte edhe rrugëtimi i Lëvizjes kombëtare Shqiptare në luftë për pavarësi. Kjo lëvizje me të madhe mori dimensione  të gjëra dhe formë të organizuar  nga fundi i vitit 1908.

Ibrahim Temo shpalli krijimin e “Shoqërisë së Fshehtë” që shumë shpejt u njoh si shoqëria “Bashkim dhe Progres”. Ky vetë futi në këtë shoqatë deputetin e Kosovës Ibrahim Efendiun, Nexhip bej Dragën dhe deputetin e Korçës Shahin bej Kolonjën. Shokët e ngarkuan të ngrinte degë të kësaj shoqërie në Ohër dhe Strugë.V.Xh).

Komiteti i organizatës xhonturke “Ittihad ve Terakki” (Bashkim dhe Progres), në dokumentet programore kishte paraparë që për popujt e ndryshëm të perandorisë të jepen të drejtat lidhur me arsimimin dhe kulturën kombëtare, organizimin kulturor e politik etj. Në nenin 16 të programit xhonturk thuhej: “Të gjitha shkollat janë nën mbikëqyrjen shtetërore. Për të mundur që arsimi i shtetasve osmanë të zhvillohet në mënyrë të unifikuar, do të hapen shkolla të përgjithshme dhe publike për të gjitha kombësitë.”[4] Në këtë program, po ashtu ishte paraparë që në kushtetutën e ardhshme xhonturke të parashihej  themelimi i lirë i shoqatave politike. Pra, turqit e rinj u kishin premtuar shqiptarëve se pas marrjes së pushtetit, do të mund t’i realizojnë të drejtat e tyre.

Për këtë qëllim, në Ferizaj më 20 korrik 1908, u zhvilluan bisedime të gjata midis përfaqësuesve të xhonturqve dhe krerëve shqiptarë, duke arritur një marrëveshje që shqiptarët të ndihmojnë luftën e turqve të rinj për përmbysjen e regjimit hamidian, me kusht që t’u plotësohen të drejtat e tyre. Po ashtu, në tubimin e Ferizajt, ishte vendosur që krerët shqiptarë, së bashku me kryengritësit të nisen në drejtim të Shkupit, ku do të bashkoheshin me shqiptarët e krahinave jugore për t’i koordinuar veprimet e mëtutjeshme.[5]

Më 23 korrik 1908 xhonturqit e morën pushtetin, duke proklamuar Hyrijetin. Po në këtë ditë, komiteti i xhonturqve shpalli kushtetutën e re në Selanik dhe në Manastir. Shpallja e Hyrijetit (lirisë) në Shqipëri u prit me gëzim të madh nga i tërë populli shqiptar, i cili shekuj me radhë vuante nën zgjedhën absolute të sulltanëve. Në shumë qytete u organizuan manifestime të ndryshme dhe u organizuan mitingje, në të cilët shprehej solidariteti ndaj xhonturqve.[6] Mirëpo, që në ditët e para pas fitores së revolucionit, xhonturqit, filluan të ngrihen kundër interesave kombëtare të shqiptarëve, të maskuar nën parullën e “osmanizmit”, duke dashur të ruajnë sundimin turk.[7]

 

ROLI DHE VEPRIMTARIA  KOMBËTARE  E KLUBIT “BASHKIMI”  NË ORGANIZIMIN E KONGRESIT TË

ALFABETIT KOMBËTAR NË MANASTIR

 

Pas shpalljes së Hyrjetit (konstitucionit), intelektualët dhe patriotët shqiptarë filluan të organizohen sa më shpejt që t’i realizojnë disa nga premtimet që xhonturqit ua kishin dhënë. Hapi i parë në këtë drejtim ishte hapja e klubeve shqiptare dhe organizimi i veprimtarisë kulturore, arsimore, botuese e publicistike. Ndër klubet e para që u hap në mbarë Shqipërinë Etnike, ishte klubi politik shqiptar “Bashkimi” i Manastirit, më 31 korrik 1908.[8] Pas klubit të Manastirit u hapën klube edhe në Stamboll, Selanik, Janinë dhe në Shkup, si klub arsimor shqiptar.[9] Gjer në fund të viti 1908, klube dhe shoqëri të këtilla kombëtare u themeluan në shumë qytete të Shqipërisë, si në Korçë, Elbasan, Shkup, Shkodër, Vlorë, Janinë, Gjirokastër, Filat, Pogradec, Berat, Tiranë, Durrës, Tetovë, Dibër, Kumanovë, Prizren, Prishtinë e tjerë. Numri i tyre në Shqipëri dhe në qendra të tjera të Perandorisë ku kishte shqiptarë, u ngritën rreth 40 shoqëri patriotike. Ndërsa gjatë viteve 1908-1912, numri i tyre arriti në rreth 80,[10] pa përmendur këtu shoqëritë patriotike që ekzistonin ose ato që u krijuan të reja në gjirin e kolonive shqiptare të mërgimit. Klubet ishin organizata të gjera demokratike. Në to bënin pjesë përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore, që nga njerëzit e rëndomtë të qytetit dhe të fshatit e deri te çifligarët e nëpunësit e lartë shqiptarë. Po ashtu këtu bënin pjesë  edhe ushtarakë të ndryshëm, shpeshherë me grada të larta, që shërbenin në Perandorinë Osmane.

Qëllimi dhe detyrat e klubit “Bashkimi” janë theksuar edhe në shpalljen e tij, ku përveç të tjerash thuhet: “Erdhi çasti i përshtatshëm për historinë tonë, që të fillojmë lirisht e pa pengesa të punojmë për kombin tonë, jo me armë e barut në dorë, por me pendë e letër.” Formimi i këtij klubi politik jo vetëm që bëri jehonë të madhe te shqiptarët brenda dhe jashtë atdheut, por edhe luajti rolin e një koordinuesi të veprimtarisë së mëtutjeshme edhe në vise tjera të Shqipërisë.

Më 30 nëntor të vitit 1908, konsulli austriak nga Manastiri informonte se klubi “Bashkimi” ka dërguar përfaqësuesit e vet për organizimin e komiteteve të fshehta shqiptare në shumë qytet të Shqipërisë dhe Kosovës, si në Ohër, Dibër, Prizren, Gjakovë, Pejë e Prishtinë, Shkup, Korçë, Kolonjë e tjerë.[11]

Rëndësia, funksioni dhe veprimtaria e gjerë politike, e veçanërisht kulturore dhe arsimore e këtij klubi, qëndron në faktin se ai ishte një klub qendror. Lidhur me këtë, Kristo Qiriazi shkruan: “Klubi shqiptar, i cili u hap me ceremoni modeste, ishte faktor shumë i rëndësishëm në shtrimin e çështjeve, problemeve dhe interesave të kombit shqiptar. Ky klub e pati burimin nga qendra politike shqiptare, gjë që me punën e tij zuri të frikësojë qarqet e xhonturqve”.[12]

Që në ditët e para të themelimit, klubit “Bashkimi” në Manastir zunë t’i vijnë letra dhe kërkesa të ndryshme nga brenda e jashtë vendit, duke kërkuar hapjen e shkollave, botimin dhe dërgimin e librave dhe mësimin e gjuhës shqipe. Kështu, më 15 tetor 1908, nga Stambolli dërgohet një letër, në të cilën, pos të tjerash, thuhet: “Edhe shqiptarët kanë dëshirë të mësojnë shqip… se këtu janë shumë shqiptarë dhe duan që të mësojnë shqip… më shumë janë llafosur për të mbledhur të holla për të bërë shkolla e për libra, të mësojnë një çikë gjuhën shqipe…”.[13]

Ky klub, po ashtu kishte marrë iniciativë që nga Bukureshti, Sofja e vende të tjera të sjellë libra shqip për nevojat e shkollave që duhej të hapeshin. Në një letër të Nuçi Naçit, drejtuar në emër të klubit Bashkimi në Manastir shoqërisë Bashkimi në Bukuresht, ndër të tjera thuhet: “Mësoni se këtu puna na vete mbarë dhe shpresojmë se do të vemi dhe më mbarë… për libra jemi fort të shtrënguar, edhe librat (vivllat) që na dërguat s’kanë ardhur… do t’u lutemi që pas këtyre në dërgofshi tjera arka me libra… t’i dërgoni në adresën e z. P. Qiriaz, do të jetë më mirë … “.[14]  Ekzistojnë dokumente të shumta arkivore për veprimtarinë e këtij klubi dhe bashkëpunimin e tij me klubet dhe shoqëritë e tjera jashtë atdheut. Klubi Qendror shqiptar Bashkimi në Manastir kishte korrespodencë të vazhdueshme me shoqëritë shqiptare në Bukuresht, Konstancë, Sofje, Misir të Egjiptit e shumë vende të tjera. Në një letër të dt. 28.9.1908, klubi i Manastirit e njofton shoqërinë Bashkimi në Bukuresht se i ka pranuar 3 arka me libra, të cilët janë shpërndarë në tërë Shqipërinë dhe se presin edhe libra të tjerë. Në bazë të letrës shihet se librat dërgoheshin nëpërmjet Sofjes në adresë të Parashqevi Qiriazit.[15]

Me rëndësi kulturore-historike është edhe një letër e dërguar nga shqiptarët e kolonisë së Varnës në Bullgari, kryetarit të Klubit në Manastir më dt. 9.10.1908, në të cilën pos të tjerash thuhet: “I nderuari z. kryetar i klubit të shqiptarëve Bashkimi  në Manastir z.Feim Be Zavalani”.

Me gëzim të madh lexuam nëpër gazetat Liria dhe Drita për hapjen e një klubi me emrin Bashkimi, të cilit z-ja juaj patët fatin t’i bëheni kryetar dhe i cili paska program të vet e qëllon bashkimin e gjithë shqiptarëve myslimanë e të krishterë me një trupë të bashkuar e të pandarë…zemra e njeriut ndjen një gaz të madh duke parë se shqiptarët murrën udhën e mbarë, udhën e mbrothësisë. Erdhi dita e për na të varfëritë që prinim në erëmirë të mëtohemi për veten tonë e jo për të huaj si gjer tani, shqiptarët pra… zunë të përkujdesen për veten e tyre dhe duke hapur shkolla në mëmëdheun  tonë të gjorë e duke filluar klube, qëllojnë të gjithë dhe me një zë kërkojnë bashkimin e tyre, e cila është e para mënyrë për paravajtje dhe fatbardhësi të çdo kombi… ju shtoftë dhe u madhoftë dëshira juaj që kini për mbarëvajtjen e punëve tonë kombëtare…”[16]

Nga analiza e dokumenteve arkivore, letërkëmbimeve, akteve normative dhe materialeve të tjera lidhur me aktivitetin dhe bashkëpunimin e këtij klubi me klubet e tjera në vend dhe shoqëritë jashtë atdheut, mund të konstatohet; se ky klub, për një kohë të shkurtër ka zhvilluar një varg aktivitetesh të rëndësishme, duke realizuar shumë detyra në planin politik e kulturor-arsimor. Ndër këto, më të rëndësishme janë: Rëndësia, funksioni dhe veprimtaria e gjerë politike, e veçanërisht kulturore dhe arsimore e këtij klubi, qëndron në faktin se ai ishte Klub qendror. Lidhur me këtë, Kristo Qiriazi shkruan: “Klubi shqiptar, i cili u hap me ceremoni, ishte faktor shumë i rëndësishëm në shtrimin e çështjeve, problemeve dhe interesave të kombit shqiptar. Ky klub e pati burimin nga qendra politike, gjë që me punën e tij zuri të frikësojë qarqet e xhon-turqve”.[17]

Ndër këto, më të rëndësishme janë:

– Organizimi dhe mbajtja e kongresit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe, i njohur si Kongres i parë i Manastirit.

– Organizimi dhe koordinimi i veprimtarisë me klubet dhe shoqëritë e tjera, brenda dhe jashtë atdheut.

– Formimi i shoqërisë botonjëse letrare në Manastir.

– Themelimi i shtypshkronjës “Bashkimi i Kombit” në Manastir

– Botimi i gazetës Bashkimi i kombit” në Manastir.

– Botimi i teksteve shkollore në gjuhën shqipe dhe i librave tjerë në gjuhën shqipe.

– Hapja e shkollave shqipe në shumë vende të Shqipërisë, si dhe angazhimi që në disa shkolla turke të futet gjuha shqipe si lëndë mësimore.

– Sjellja e shumë teksteve shkollore nga kolonitë e mërgimit dhe shpërndarja e tyre në Shqipëri etj.

Përveç Klubit “Bashkimi”, me rëndësi është edhe Klubi Shqiptar i Shkupit.

Në bazë të aktit zyrtar, me titull: Rregullorja e klubit shqiptar në Shkup, shihet se ky klub është themeluar një muaj pas klubit Bashkimi, më 1 tetor 1908, në Shkup.[18] Klubi shqiptar i Shkupit, gjatë kësaj periudhe ka zhvilluar po ashtu një veprimtari të  gjerë e të pasur patriotike kulturore-arsimore. Ai u angazhua në hapjen e shkollave shqipe dhe zbatimin e gjuhës shqipe si lëndë mësimi në disa shkolla të mesme në Shkup, bashkëpunoi me klubet e tjera shqiptare dhe me Normalen e Elbasanit, inicioi dhe ndihmoi daljen e gazetës Shkupi etj. Rregullorja ka 8 faqe e 26 nene dhe është shtypur në shtypshkronjë me alfabetin e Stambollit. Sipas nenit 1, “Klubi Shqiptar i Shkupit është një vend mbledhjet shqiptare ku shokët nuk do të shikojnë punë tjetër veç atyre qëllimeve që ka klubi dhe të cilat janë të shënuara me program”.[19]

Klubi i Manastirit, që në mbledhjen e parë të tij, më 23 gusht 1908, vendosi të thërret një Kongres të gjuhës dhe alfabetit, ku thuhej: “T’i japim një mbarim kësaj së madheje nevojë për bashkim të gjithë shqiptarëve me një abc”. Siç njoftonte Gjergj Qiriazi, në vazhdim Shoqërinë “Bashkimi“ të Bukureshtit “Se Manastiri është caktuar për qendër të klubeve shqiptare dhe se me 1-14 nëntor 1908, do të mbahet Kongresi për alfabetin.[20] Për këtë vendim Gazeta “Kombi” do të shkruaj; I pari shkëmb që duhet kapërcyer është i shkronjave”.[21] Deri në këtë kohë shqiptarët kanë përdorur katër alfabete.[22]

Detyra më e ngutshme për shqiptarët pas shpalljes së konstitucionit ishte hapja e shkollave shqipe, që ishte kërkesë primare e krerëve të Lëvizjes Kombëtare që nga Lidhja e Parë e Prizrenit. Te kjo udhëheqësi kombëtare ndihej nevoja e bashkimit të tre alfabeteve, këtë detyrë të shenjtë që nuk ishte fare e lehtë në ato rrethana politike për organizimin e këtij tubimi, siç thamë më lartë, e mori  përsipër klubi politik “Bashkimi” nga Manastiri, më 23 gusht 1908. Ky klub vendosi t’i shpërndajë ftesat në shtator, për Kongresin e caktuar: “T’i japim një mbarim kësaj të madheje nevojë për bashkim të të gjithë shqiptarëve në një abc”.[23]

Kjo nismë e organizimit të Kongresit të Alfabetit nga ana e klubit “Bashkimi të Manastirit ishte mirëpritur dhe përshëndetur prej shumë klubeve e shoqërive shqiptare në vend dhe në botën e jashtme, duke filluar nga klubi i Shkupit, Ohrit, Janinës, Shkodrës, Elbasanit, Bukureshtit, Kajros, Aleksandrisë, Varnës e tjerë.[24] Shtypi përparimtar i kohës do të shkruajë: “Në këtë qytet shqiptar, alfabeti i gjuhës është çelësi i plotësimit të të gjitha nevojave kombëtare të përparimit tonë drejt prosperitetit të kombeve të tjera evropiane”. Po ashtu, duhet veçuar se në këtë qytet, në mbrojtje të të drejtave kombëtare, vepronte që nga viti 1905, Komiteti i Fshehtë Kombëtar, në krye me Bajo Topullin, që në atë kohë ishte mësimdhënës në gjimnazin turk të qytetit.[25] Më 10 maj 1908, konsulli austro-hungarez njoftonte  se në Vilajetin e Manastirit, Lëvizja Kombëtare Shqiptare ua tërhiqte vërejtjen autoriteteve turke me një intensitet më të shtuar se deri atëherë, sidomos me burgosjen e atdhetarëve shqiptarë. Kishin mbajtur në burg Idriz Efendi Gjakovën, mbi 8 muaj, pa e pyetur fare,  pastaj Fehim Zavalanin, Jashar Efendiun, i cili ishte profesor në një shkollë të Manastirit. Po ashtu, administrata turke dëboi edhe një numër të madh veprimtarësh, këtu bënte pjesë edhe Gligor Zilka e tjerë.

Klubi “Bashkimi”, u themelua më 31 korrik  1908 në Manastir, shtatë ditë pas  shpalljes së “Hyrijetit”, në një ndërtesë në qendër të qytetit, ku merrnin pjesë 85 anëtarë, me rastin e themelimit. Ky klub u hap me lejen e pushtetit xhonturk, ndërsa përurimi solemn u bë me 1 shtator 1908, ku merrte pjesë edhe valiu i Manastirit.[26] Në krye të këtij klubi politik shqiptar u vunë atdhetarët e palodhshëm të çështjes kombëtare deri në atë kohë. Për kryetar ishte zgjedhur Fehim bej Zavalanin, i cili sapo ishte kthyer nga internimi. Nënkryetar u emëruan Gjergj Qiriazi dhe Nuçi Naçi, ndërsa  për sekretar Ferit bej Ypi.[27]

Më 30 nëntor të vitit 1908, konsulli austriak në Manastir informonte se klubi Bashkimi ka dërguar përfaqësuesit e vet për organizimin e komiteteve të fshehta shqiptare edhe në Ohër, Dibër, Prizren, Gjakovë, Pejë e Prishtinë.[28]

Pra, pas vitit 1908, me shpalljen e jetës parlamentare të Kushtetutës turke, shqiptarët mendonin se e kanë arritur atë që e kanë pritur – lirinë e përdorimit të gjuhës së nënës. Ata vendosën të punojnë menjëherë dhe për më pak se një vit ishin në gjendje që të themelojnë 24 shkolla të natës me 1.753 fëmijë, 34 shkolla të ditës me 1.850 fëmijë dhe shkolla normale me 145 fëmijë dhe 14 arsimtarë. Këto shkolla u përkrahën prej 66 klubeve nacionale (kombëtare), të cilat kishin 10.000 anëtarë, në krye të të cilit ishte Këshilli pedagogjik i edukimit, i themeluar në Kongresin nacional të mbajtur në Elbasan, në gusht të vitit 1909. Në të njëjtën kohë shqiptarët themeluan 4 shtypshkronja, 17 gazeta që ishin në qarkullim. U themeluan 10 shoqëri të literaturës, 4 të muzikës dhe një shoqëri femërore. Ky përparim është shumë i madh për xhonturqit, të cilët vendosën menjëherë t’i ndalojnë shqiptarët në veprimtaritë e tyre kombëtare.



[1] Ibrahim Murat Dr. Temo 1865-1945, u lind në Strugë, veprimtar dhe personalitet i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

[2] Kristaq Prift, Dervish Hima Tiranë 1993, f. 222-223;  Dervish Hima u lind në Ohër në vitin 1872. Ky i takon brezit të mesëm të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ishte patriot i dalluar, zhurnalist i palodhur dhe armik i përbetuar i pushtetit osman, luftëtar për të drejtat kombëtare shqiptare, për njohjen e Kombit shqiptar, të gjuhës dhe kulturës së tij, për administrim autonom dhe të pavarur të Shqipërisë. Si i tillë, pa reshtur ishte në  ndjekje permanente nga ana e pushtetit osman, si kundërshtarë i përbetuar i tyre u detyrua shpeshherë ta ndërrojë vendbanimin e tij,

[3] Emin Pllana, Kosova dhe reformat në Turqi, vep. e cit. f. 232.

[4] Shukri Rahimi,  Qëndrimi i pushtetit turk ndaj çështjes së alfabetit  ”Gjurmime albanologjike”, Prishtinë 1969, f.13.

[5] Shukri Rahimi,  Lufta e shqiptarëve për autonomi (1897-1912), Prishtinë 1978, f. 141.

[6] Po aty, f. 279

[7] Arsh-Senkeviç-Smirnova. Histori e shkurtër e Shqipërisë, Prishtinë 1967, f. 148.

[8] Historia e popullit shqiptar II, Tiranë 2002, f. 381; Ismet Dërmaku, Rilindja Kombëtare  Shqiptare dhe kolonitë shqiptare  të mërgimit në Rumani dhe në Bullgari, Prishtinë 1987, f. 344.

[9] Historia e popullit shqiptar II, …, f.381.

[10] Historia e Arsimit dhe Mendimit Politik Shqiptar, Tiranë 2003, f.174.

[11]Historia e popullit shqiptar II, f. 383-384.

[12] AQSH,Tiranë. Fondi 65, dosja 169, (shënime të Kristo Qiriazit …f. 23 )

[13] AQSH-Tiranë, Fondi 102, dosja 153, f  1-2. (letrën e dërgon një person me emrin Sefer, në gjuhën shqipe).

[14] AQSH-Tiranë, Fondi 99, dosja 140 , f. 22. (letër e Nuçi Naçit , shkronjës i klubit.)

[15]  Po aty, f. 37 (letër e Klubit Bashkimi të Manastirit…); Ismet Dërmaku, Rilindja Kombëtare Shqiptare dhe kolonitë shqiptare…, 344-345.

[16]  Po aty, Fond 102, dosja. 5, f. 227 (letër e shqiptarëve nga varna…)

[17] AQSH, Tiranë, Fondi 65, dosja 169, (shënime të Kristo Qiriazit …f. 23 )…,

[18] AQSH, Tiranë, Fondi 102, viti 1908, dosja .201 f. 1 (Rregullorja e Klubit Shqiptar në Shkup.)

[19] Po aty,  f. 3; Anëtarë i klubit kishte të drejtë të bëhet çdo shqiptar nga Shkupi  dhe jashtë tij (neni 2). Me nenin 9 përcaktohej numri dhe funksioni i anëtarëve të Pleqësisë. ajo përbëhej prej kryetarit, nënkryetarit, 6 këshilltarëve, një shkrimtari (sekretari) dhe një arkëtari, pra prej 10 anëtarësh. Pleqësia e Klubit mbante dy herë në javë mbledhje të rregullta, kurse sipas nevojës edhe më tepër (neni 10). Vula e klubit parashihej të jetë e shkruar shqip e turqisht, kurse shkrimet  e klubit nënshkruheshin prej kryetarit ose nënkryetarit (neni 12). ndër nenet e tjera të kësaj rregulloreje me rëndësi pedagogjike është neni 22, sipas të cilit klubi parasheh të themelojë një shoqatë e cila duhej të angazhohej në përparimin e gjuhës shqipe, e për këtë do të angazhohej një mësues për të dhënë mësim në gjuhën shqipe gjithë anëtarëve të klubit që s’dinin lexim e shkrim. Anëtarët që s’dinin lexim e shkrim shqip, ishin të detyruar që ta vijojnë këtë mësim. Në bazë të rregullores shihet se ky klub ka zhvilluar edhe aktivitete humanitare e sociale, duke i ndihmuar të varfrit e sidomos nxënësit. kjo çështje ka qenë e rregulluar me nenin 23, sipas të cilit, çdo shqiptar që vjen në Shkup, në klub mund të qëndrojë gratis një javë ditë, e nëse donë me ndejë më tepër duhet patjetër të bëhet anëtarë i këtij klubi.

[20] Letër e Gjergj Qiriazit, Shoqërisë “Bashkimi”,  në Bukuresht, më  24 gusht 1908.

[21] Gazeta “Kombi”, e Bostonit, nr. 99. më 28. viii. 1908

[22] Raport nr. 263, i Ivan Aleksejeviqit, dërguar I. Zinojevit, më 18 tetor 1907; Gegët kanë përdorur deri tani dy alfabete, po ashtu edhe toskët kanë pasur dy.

[23] “Bashkimi” nga Manastiri, më 23 gusht 1908.

[24] Iniciativa dhe organizimi  Mendimi politik e shoqëror i Rilindjes Kombëtare Shqiptare (mbledhje artikujsh nga shtypi), vëll. II 1908-1910, Tiranë 1976, f. 282 -283.

[25] Shukri Radhimi, Lëvizja çlirimtare te shqiptarët gjatë vjetëve, 1905-1908.

[26] Nexhat Abazi, Zhvillimi i arsimit, i shkollave dhe pedagogjik shqiptar në Maqedoni (1830-1912), Tetovë 1997, f. 186; Ali Vishko, Kongreset e alfabetit…, f. 29;     

[27] HHSta, Vjenë, Alfabeti… f. 313-114.

[28] Po aty.

Filed Under: Histori Tagged With: 105 vjetori, i Klubit Bashkimi, Prof. Dr. Vebi Xhemaili, te Manastirit

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT