ME RASTIN E 105 VJETORIT TË THEMELIMIT TË KLUBIT KOMBËTAR “BASHKIMI” TË MANASTIRIT/
Nga prof. Dr. Vebi XHEMAILI- Profesor në Universitetin Shtetëror të Tetovës/
Manastiri si qendër e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare/
Fitorja e revolucionit xhonturk në verë të vitit 1908, te shqiptarët ngjalli shpresën dhe optimizmin se do të fitojnë të drejtat e kamotshme kombëtare dhe kulturore-arsimore. Para se të vijnë në pushtet, xhonturqit u kishin dhënë shumë premtime si shqiptarëve, ashtu edhe popujve të tjerë të perandorisë, se nëse vijnë ata në pushtet do t’u japin të drejtat e kërkuara, me kusht që këta t’i ndihmojnë në rrëzimin e pushtetit absolutist të Sulltan Hamitit.
Në lëvizjen xhonturke që nga deceniet e fundit të shek. XIX kishin marrë pjesë edhe shumë patriotë e intelektualë shqiptarë si dr. Ibrahim Temo nga Struga,[1] Dervish Hima nga Ohri,[2] Riza Tevftiku nga Dibra, Ibrahim Pejani (Ipekli), Nexhip Draga i cili vepronte në Shkup, Shahin Kolonja e shumë veprimtarë të tjerë. Kjo fletë qartë se shqiptarët në fillim e përkrahën fuqishëm këtë Lëvizje të re, pasi ishin të bindur se me programin e tyre do të fitonin më shumë të drejta kulturore dhe politike.[3] Populli shqiptar qysh në fillim mori pjesë në lëvizjen e turqve të rinj. Pasi programi i tyre e forconte luftën për autonomi kulturore që njëherit ishte edhe rrugëtimi i Lëvizjes kombëtare Shqiptare në luftë për pavarësi. Kjo lëvizje me të madhe mori dimensione të gjëra dhe formë të organizuar nga fundi i vitit 1908.
Ibrahim Temo shpalli krijimin e “Shoqërisë së Fshehtë” që shumë shpejt u njoh si shoqëria “Bashkim dhe Progres”. Ky vetë futi në këtë shoqatë deputetin e Kosovës Ibrahim Efendiun, Nexhip bej Dragën dhe deputetin e Korçës Shahin bej Kolonjën. Shokët e ngarkuan të ngrinte degë të kësaj shoqërie në Ohër dhe Strugë.V.Xh).
Komiteti i organizatës xhonturke “Ittihad ve Terakki” (Bashkim dhe Progres), në dokumentet programore kishte paraparë që për popujt e ndryshëm të perandorisë të jepen të drejtat lidhur me arsimimin dhe kulturën kombëtare, organizimin kulturor e politik etj. Në nenin 16 të programit xhonturk thuhej: “Të gjitha shkollat janë nën mbikëqyrjen shtetërore. Për të mundur që arsimi i shtetasve osmanë të zhvillohet në mënyrë të unifikuar, do të hapen shkolla të përgjithshme dhe publike për të gjitha kombësitë.”[4] Në këtë program, po ashtu ishte paraparë që në kushtetutën e ardhshme xhonturke të parashihej themelimi i lirë i shoqatave politike. Pra, turqit e rinj u kishin premtuar shqiptarëve se pas marrjes së pushtetit, do të mund t’i realizojnë të drejtat e tyre.
Për këtë qëllim, në Ferizaj më 20 korrik 1908, u zhvilluan bisedime të gjata midis përfaqësuesve të xhonturqve dhe krerëve shqiptarë, duke arritur një marrëveshje që shqiptarët të ndihmojnë luftën e turqve të rinj për përmbysjen e regjimit hamidian, me kusht që t’u plotësohen të drejtat e tyre. Po ashtu, në tubimin e Ferizajt, ishte vendosur që krerët shqiptarë, së bashku me kryengritësit të nisen në drejtim të Shkupit, ku do të bashkoheshin me shqiptarët e krahinave jugore për t’i koordinuar veprimet e mëtutjeshme.[5]
Më 23 korrik 1908 xhonturqit e morën pushtetin, duke proklamuar Hyrijetin. Po në këtë ditë, komiteti i xhonturqve shpalli kushtetutën e re në Selanik dhe në Manastir. Shpallja e Hyrijetit (lirisë) në Shqipëri u prit me gëzim të madh nga i tërë populli shqiptar, i cili shekuj me radhë vuante nën zgjedhën absolute të sulltanëve. Në shumë qytete u organizuan manifestime të ndryshme dhe u organizuan mitingje, në të cilët shprehej solidariteti ndaj xhonturqve.[6] Mirëpo, që në ditët e para pas fitores së revolucionit, xhonturqit, filluan të ngrihen kundër interesave kombëtare të shqiptarëve, të maskuar nën parullën e “osmanizmit”, duke dashur të ruajnë sundimin turk.[7]
ROLI DHE VEPRIMTARIA KOMBËTARE E KLUBIT “BASHKIMI” NË ORGANIZIMIN E KONGRESIT TË
ALFABETIT KOMBËTAR NË MANASTIR
Pas shpalljes së Hyrjetit (konstitucionit), intelektualët dhe patriotët shqiptarë filluan të organizohen sa më shpejt që t’i realizojnë disa nga premtimet që xhonturqit ua kishin dhënë. Hapi i parë në këtë drejtim ishte hapja e klubeve shqiptare dhe organizimi i veprimtarisë kulturore, arsimore, botuese e publicistike. Ndër klubet e para që u hap në mbarë Shqipërinë Etnike, ishte klubi politik shqiptar “Bashkimi” i Manastirit, më 31 korrik 1908.[8] Pas klubit të Manastirit u hapën klube edhe në Stamboll, Selanik, Janinë dhe në Shkup, si klub arsimor shqiptar.[9] Gjer në fund të viti 1908, klube dhe shoqëri të këtilla kombëtare u themeluan në shumë qytete të Shqipërisë, si në Korçë, Elbasan, Shkup, Shkodër, Vlorë, Janinë, Gjirokastër, Filat, Pogradec, Berat, Tiranë, Durrës, Tetovë, Dibër, Kumanovë, Prizren, Prishtinë e tjerë. Numri i tyre në Shqipëri dhe në qendra të tjera të Perandorisë ku kishte shqiptarë, u ngritën rreth 40 shoqëri patriotike. Ndërsa gjatë viteve 1908-1912, numri i tyre arriti në rreth 80,[10] pa përmendur këtu shoqëritë patriotike që ekzistonin ose ato që u krijuan të reja në gjirin e kolonive shqiptare të mërgimit. Klubet ishin organizata të gjera demokratike. Në to bënin pjesë përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore, që nga njerëzit e rëndomtë të qytetit dhe të fshatit e deri te çifligarët e nëpunësit e lartë shqiptarë. Po ashtu këtu bënin pjesë edhe ushtarakë të ndryshëm, shpeshherë me grada të larta, që shërbenin në Perandorinë Osmane.
Qëllimi dhe detyrat e klubit “Bashkimi” janë theksuar edhe në shpalljen e tij, ku përveç të tjerash thuhet: “Erdhi çasti i përshtatshëm për historinë tonë, që të fillojmë lirisht e pa pengesa të punojmë për kombin tonë, jo me armë e barut në dorë, por me pendë e letër.” Formimi i këtij klubi politik jo vetëm që bëri jehonë të madhe te shqiptarët brenda dhe jashtë atdheut, por edhe luajti rolin e një koordinuesi të veprimtarisë së mëtutjeshme edhe në vise tjera të Shqipërisë.
Më 30 nëntor të vitit 1908, konsulli austriak nga Manastiri informonte se klubi “Bashkimi” ka dërguar përfaqësuesit e vet për organizimin e komiteteve të fshehta shqiptare në shumë qytet të Shqipërisë dhe Kosovës, si në Ohër, Dibër, Prizren, Gjakovë, Pejë e Prishtinë, Shkup, Korçë, Kolonjë e tjerë.[11]
Rëndësia, funksioni dhe veprimtaria e gjerë politike, e veçanërisht kulturore dhe arsimore e këtij klubi, qëndron në faktin se ai ishte një klub qendror. Lidhur me këtë, Kristo Qiriazi shkruan: “Klubi shqiptar, i cili u hap me ceremoni modeste, ishte faktor shumë i rëndësishëm në shtrimin e çështjeve, problemeve dhe interesave të kombit shqiptar. Ky klub e pati burimin nga qendra politike shqiptare, gjë që me punën e tij zuri të frikësojë qarqet e xhonturqve”.[12]
Që në ditët e para të themelimit, klubit “Bashkimi” në Manastir zunë t’i vijnë letra dhe kërkesa të ndryshme nga brenda e jashtë vendit, duke kërkuar hapjen e shkollave, botimin dhe dërgimin e librave dhe mësimin e gjuhës shqipe. Kështu, më 15 tetor 1908, nga Stambolli dërgohet një letër, në të cilën, pos të tjerash, thuhet: “Edhe shqiptarët kanë dëshirë të mësojnë shqip… se këtu janë shumë shqiptarë dhe duan që të mësojnë shqip… më shumë janë llafosur për të mbledhur të holla për të bërë shkolla e për libra, të mësojnë një çikë gjuhën shqipe…”.[13]
Ky klub, po ashtu kishte marrë iniciativë që nga Bukureshti, Sofja e vende të tjera të sjellë libra shqip për nevojat e shkollave që duhej të hapeshin. Në një letër të Nuçi Naçit, drejtuar në emër të klubit Bashkimi në Manastir shoqërisë Bashkimi në Bukuresht, ndër të tjera thuhet: “Mësoni se këtu puna na vete mbarë dhe shpresojmë se do të vemi dhe më mbarë… për libra jemi fort të shtrënguar, edhe librat (vivllat) që na dërguat s’kanë ardhur… do t’u lutemi që pas këtyre në dërgofshi tjera arka me libra… t’i dërgoni në adresën e z. P. Qiriaz, do të jetë më mirë … “.[14] Ekzistojnë dokumente të shumta arkivore për veprimtarinë e këtij klubi dhe bashkëpunimin e tij me klubet dhe shoqëritë e tjera jashtë atdheut. Klubi Qendror shqiptar Bashkimi në Manastir kishte korrespodencë të vazhdueshme me shoqëritë shqiptare në Bukuresht, Konstancë, Sofje, Misir të Egjiptit e shumë vende të tjera. Në një letër të dt. 28.9.1908, klubi i Manastirit e njofton shoqërinë Bashkimi në Bukuresht se i ka pranuar 3 arka me libra, të cilët janë shpërndarë në tërë Shqipërinë dhe se presin edhe libra të tjerë. Në bazë të letrës shihet se librat dërgoheshin nëpërmjet Sofjes në adresë të Parashqevi Qiriazit.[15]
Me rëndësi kulturore-historike është edhe një letër e dërguar nga shqiptarët e kolonisë së Varnës në Bullgari, kryetarit të Klubit në Manastir më dt. 9.10.1908, në të cilën pos të tjerash thuhet: “I nderuari z. kryetar i klubit të shqiptarëve Bashkimi në Manastir z.Feim Be Zavalani”.
Me gëzim të madh lexuam nëpër gazetat Liria dhe Drita për hapjen e një klubi me emrin Bashkimi, të cilit z-ja juaj patët fatin t’i bëheni kryetar dhe i cili paska program të vet e qëllon bashkimin e gjithë shqiptarëve myslimanë e të krishterë me një trupë të bashkuar e të pandarë…zemra e njeriut ndjen një gaz të madh duke parë se shqiptarët murrën udhën e mbarë, udhën e mbrothësisë. Erdhi dita e për na të varfëritë që prinim në erëmirë të mëtohemi për veten tonë e jo për të huaj si gjer tani, shqiptarët pra… zunë të përkujdesen për veten e tyre dhe duke hapur shkolla në mëmëdheun tonë të gjorë e duke filluar klube, qëllojnë të gjithë dhe me një zë kërkojnë bashkimin e tyre, e cila është e para mënyrë për paravajtje dhe fatbardhësi të çdo kombi… ju shtoftë dhe u madhoftë dëshira juaj që kini për mbarëvajtjen e punëve tonë kombëtare…”[16]
Nga analiza e dokumenteve arkivore, letërkëmbimeve, akteve normative dhe materialeve të tjera lidhur me aktivitetin dhe bashkëpunimin e këtij klubi me klubet e tjera në vend dhe shoqëritë jashtë atdheut, mund të konstatohet; se ky klub, për një kohë të shkurtër ka zhvilluar një varg aktivitetesh të rëndësishme, duke realizuar shumë detyra në planin politik e kulturor-arsimor. Ndër këto, më të rëndësishme janë: Rëndësia, funksioni dhe veprimtaria e gjerë politike, e veçanërisht kulturore dhe arsimore e këtij klubi, qëndron në faktin se ai ishte Klub qendror. Lidhur me këtë, Kristo Qiriazi shkruan: “Klubi shqiptar, i cili u hap me ceremoni, ishte faktor shumë i rëndësishëm në shtrimin e çështjeve, problemeve dhe interesave të kombit shqiptar. Ky klub e pati burimin nga qendra politike, gjë që me punën e tij zuri të frikësojë qarqet e xhon-turqve”.[17]
Ndër këto, më të rëndësishme janë:
– Organizimi dhe mbajtja e kongresit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe, i njohur si Kongres i parë i Manastirit.
– Organizimi dhe koordinimi i veprimtarisë me klubet dhe shoqëritë e tjera, brenda dhe jashtë atdheut.
– Formimi i shoqërisë botonjëse letrare në Manastir.
– Themelimi i shtypshkronjës “Bashkimi i Kombit” në Manastir
– Botimi i gazetës Bashkimi i kombit” në Manastir.
– Botimi i teksteve shkollore në gjuhën shqipe dhe i librave tjerë në gjuhën shqipe.
– Hapja e shkollave shqipe në shumë vende të Shqipërisë, si dhe angazhimi që në disa shkolla turke të futet gjuha shqipe si lëndë mësimore.
– Sjellja e shumë teksteve shkollore nga kolonitë e mërgimit dhe shpërndarja e tyre në Shqipëri etj.
Përveç Klubit “Bashkimi”, me rëndësi është edhe Klubi Shqiptar i Shkupit.
Në bazë të aktit zyrtar, me titull: Rregullorja e klubit shqiptar në Shkup, shihet se ky klub është themeluar një muaj pas klubit Bashkimi, më 1 tetor 1908, në Shkup.[18] Klubi shqiptar i Shkupit, gjatë kësaj periudhe ka zhvilluar po ashtu një veprimtari të gjerë e të pasur patriotike kulturore-arsimore. Ai u angazhua në hapjen e shkollave shqipe dhe zbatimin e gjuhës shqipe si lëndë mësimi në disa shkolla të mesme në Shkup, bashkëpunoi me klubet e tjera shqiptare dhe me Normalen e Elbasanit, inicioi dhe ndihmoi daljen e gazetës Shkupi etj. Rregullorja ka 8 faqe e 26 nene dhe është shtypur në shtypshkronjë me alfabetin e Stambollit. Sipas nenit 1, “Klubi Shqiptar i Shkupit është një vend mbledhjet shqiptare ku shokët nuk do të shikojnë punë tjetër veç atyre qëllimeve që ka klubi dhe të cilat janë të shënuara me program”.[19]
Klubi i Manastirit, që në mbledhjen e parë të tij, më 23 gusht 1908, vendosi të thërret një Kongres të gjuhës dhe alfabetit, ku thuhej: “T’i japim një mbarim kësaj së madheje nevojë për bashkim të gjithë shqiptarëve me një abc”. Siç njoftonte Gjergj Qiriazi, në vazhdim Shoqërinë “Bashkimi“ të Bukureshtit “Se Manastiri është caktuar për qendër të klubeve shqiptare dhe se me 1-14 nëntor 1908, do të mbahet Kongresi për alfabetin.[20] Për këtë vendim Gazeta “Kombi” do të shkruaj; I pari shkëmb që duhet kapërcyer është i shkronjave”.[21] Deri në këtë kohë shqiptarët kanë përdorur katër alfabete.[22]
Detyra më e ngutshme për shqiptarët pas shpalljes së konstitucionit ishte hapja e shkollave shqipe, që ishte kërkesë primare e krerëve të Lëvizjes Kombëtare që nga Lidhja e Parë e Prizrenit. Te kjo udhëheqësi kombëtare ndihej nevoja e bashkimit të tre alfabeteve, këtë detyrë të shenjtë që nuk ishte fare e lehtë në ato rrethana politike për organizimin e këtij tubimi, siç thamë më lartë, e mori përsipër klubi politik “Bashkimi” nga Manastiri, më 23 gusht 1908. Ky klub vendosi t’i shpërndajë ftesat në shtator, për Kongresin e caktuar: “T’i japim një mbarim kësaj të madheje nevojë për bashkim të të gjithë shqiptarëve në një abc”.[23]
Kjo nismë e organizimit të Kongresit të Alfabetit nga ana e klubit “Bashkimi të Manastirit ishte mirëpritur dhe përshëndetur prej shumë klubeve e shoqërive shqiptare në vend dhe në botën e jashtme, duke filluar nga klubi i Shkupit, Ohrit, Janinës, Shkodrës, Elbasanit, Bukureshtit, Kajros, Aleksandrisë, Varnës e tjerë.[24] Shtypi përparimtar i kohës do të shkruajë: “Në këtë qytet shqiptar, alfabeti i gjuhës është çelësi i plotësimit të të gjitha nevojave kombëtare të përparimit tonë drejt prosperitetit të kombeve të tjera evropiane”. Po ashtu, duhet veçuar se në këtë qytet, në mbrojtje të të drejtave kombëtare, vepronte që nga viti 1905, Komiteti i Fshehtë Kombëtar, në krye me Bajo Topullin, që në atë kohë ishte mësimdhënës në gjimnazin turk të qytetit.[25] Më 10 maj 1908, konsulli austro-hungarez njoftonte se në Vilajetin e Manastirit, Lëvizja Kombëtare Shqiptare ua tërhiqte vërejtjen autoriteteve turke me një intensitet më të shtuar se deri atëherë, sidomos me burgosjen e atdhetarëve shqiptarë. Kishin mbajtur në burg Idriz Efendi Gjakovën, mbi 8 muaj, pa e pyetur fare, pastaj Fehim Zavalanin, Jashar Efendiun, i cili ishte profesor në një shkollë të Manastirit. Po ashtu, administrata turke dëboi edhe një numër të madh veprimtarësh, këtu bënte pjesë edhe Gligor Zilka e tjerë.
Klubi “Bashkimi”, u themelua më 31 korrik 1908 në Manastir, shtatë ditë pas shpalljes së “Hyrijetit”, në një ndërtesë në qendër të qytetit, ku merrnin pjesë 85 anëtarë, me rastin e themelimit. Ky klub u hap me lejen e pushtetit xhonturk, ndërsa përurimi solemn u bë me 1 shtator 1908, ku merrte pjesë edhe valiu i Manastirit.[26] Në krye të këtij klubi politik shqiptar u vunë atdhetarët e palodhshëm të çështjes kombëtare deri në atë kohë. Për kryetar ishte zgjedhur Fehim bej Zavalanin, i cili sapo ishte kthyer nga internimi. Nënkryetar u emëruan Gjergj Qiriazi dhe Nuçi Naçi, ndërsa për sekretar Ferit bej Ypi.[27]
Më 30 nëntor të vitit 1908, konsulli austriak në Manastir informonte se klubi Bashkimi ka dërguar përfaqësuesit e vet për organizimin e komiteteve të fshehta shqiptare edhe në Ohër, Dibër, Prizren, Gjakovë, Pejë e Prishtinë.[28]
Pra, pas vitit 1908, me shpalljen e jetës parlamentare të Kushtetutës turke, shqiptarët mendonin se e kanë arritur atë që e kanë pritur – lirinë e përdorimit të gjuhës së nënës. Ata vendosën të punojnë menjëherë dhe për më pak se një vit ishin në gjendje që të themelojnë 24 shkolla të natës me 1.753 fëmijë, 34 shkolla të ditës me 1.850 fëmijë dhe shkolla normale me 145 fëmijë dhe 14 arsimtarë. Këto shkolla u përkrahën prej 66 klubeve nacionale (kombëtare), të cilat kishin 10.000 anëtarë, në krye të të cilit ishte Këshilli pedagogjik i edukimit, i themeluar në Kongresin nacional të mbajtur në Elbasan, në gusht të vitit 1909. Në të njëjtën kohë shqiptarët themeluan 4 shtypshkronja, 17 gazeta që ishin në qarkullim. U themeluan 10 shoqëri të literaturës, 4 të muzikës dhe një shoqëri femërore. Ky përparim është shumë i madh për xhonturqit, të cilët vendosën menjëherë t’i ndalojnë shqiptarët në veprimtaritë e tyre kombëtare.
[1] Ibrahim Murat Dr. Temo 1865-1945, u lind në Strugë, veprimtar dhe personalitet i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
[2] Kristaq Prift, Dervish Hima Tiranë 1993, f. 222-223; Dervish Hima u lind në Ohër në vitin 1872. Ky i takon brezit të mesëm të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ishte patriot i dalluar, zhurnalist i palodhur dhe armik i përbetuar i pushtetit osman, luftëtar për të drejtat kombëtare shqiptare, për njohjen e Kombit shqiptar, të gjuhës dhe kulturës së tij, për administrim autonom dhe të pavarur të Shqipërisë. Si i tillë, pa reshtur ishte në ndjekje permanente nga ana e pushtetit osman, si kundërshtarë i përbetuar i tyre u detyrua shpeshherë ta ndërrojë vendbanimin e tij,
[3] Emin Pllana, Kosova dhe reformat në Turqi, vep. e cit. f. 232.
[4] Shukri Rahimi, Qëndrimi i pushtetit turk ndaj çështjes së alfabetit ”Gjurmime albanologjike”, Prishtinë 1969, f.13.
[5] Shukri Rahimi, Lufta e shqiptarëve për autonomi (1897-1912), Prishtinë 1978, f. 141.
[6] Po aty, f. 279
[7] Arsh-Senkeviç-Smirnova. Histori e shkurtër e Shqipërisë, Prishtinë 1967, f. 148.
[8] Historia e popullit shqiptar II, Tiranë 2002, f. 381; Ismet Dërmaku, Rilindja Kombëtare Shqiptare dhe kolonitë shqiptare të mërgimit në Rumani dhe në Bullgari, Prishtinë 1987, f. 344.
[9] Historia e popullit shqiptar II, …, f.381.
[10] Historia e Arsimit dhe Mendimit Politik Shqiptar, Tiranë 2003, f.174.
[11]Historia e popullit shqiptar II, f. 383-384.
[12] AQSH,Tiranë. Fondi 65, dosja 169, (shënime të Kristo Qiriazit …f. 23 )
[13] AQSH-Tiranë, Fondi 102, dosja 153, f 1-2. (letrën e dërgon një person me emrin Sefer, në gjuhën shqipe).
[14] AQSH-Tiranë, Fondi 99, dosja 140 , f. 22. (letër e Nuçi Naçit , shkronjës i klubit.)
[15] Po aty, f. 37 (letër e Klubit Bashkimi të Manastirit…); Ismet Dërmaku, Rilindja Kombëtare Shqiptare dhe kolonitë shqiptare…, 344-345.
[16] Po aty, Fond 102, dosja. 5, f. 227 (letër e shqiptarëve nga varna…)
[17] AQSH, Tiranë, Fondi 65, dosja 169, (shënime të Kristo Qiriazit …f. 23 )…,
[18] AQSH, Tiranë, Fondi 102, viti 1908, dosja .201 f. 1 (Rregullorja e Klubit Shqiptar në Shkup.)
[19] Po aty, f. 3; Anëtarë i klubit kishte të drejtë të bëhet çdo shqiptar nga Shkupi dhe jashtë tij (neni 2). Me nenin 9 përcaktohej numri dhe funksioni i anëtarëve të Pleqësisë. ajo përbëhej prej kryetarit, nënkryetarit, 6 këshilltarëve, një shkrimtari (sekretari) dhe një arkëtari, pra prej 10 anëtarësh. Pleqësia e Klubit mbante dy herë në javë mbledhje të rregullta, kurse sipas nevojës edhe më tepër (neni 10). Vula e klubit parashihej të jetë e shkruar shqip e turqisht, kurse shkrimet e klubit nënshkruheshin prej kryetarit ose nënkryetarit (neni 12). ndër nenet e tjera të kësaj rregulloreje me rëndësi pedagogjike është neni 22, sipas të cilit klubi parasheh të themelojë një shoqatë e cila duhej të angazhohej në përparimin e gjuhës shqipe, e për këtë do të angazhohej një mësues për të dhënë mësim në gjuhën shqipe gjithë anëtarëve të klubit që s’dinin lexim e shkrim. Anëtarët që s’dinin lexim e shkrim shqip, ishin të detyruar që ta vijojnë këtë mësim. Në bazë të rregullores shihet se ky klub ka zhvilluar edhe aktivitete humanitare e sociale, duke i ndihmuar të varfrit e sidomos nxënësit. kjo çështje ka qenë e rregulluar me nenin 23, sipas të cilit, çdo shqiptar që vjen në Shkup, në klub mund të qëndrojë gratis një javë ditë, e nëse donë me ndejë më tepër duhet patjetër të bëhet anëtarë i këtij klubi.
[20] Letër e Gjergj Qiriazit, Shoqërisë “Bashkimi”, në Bukuresht, më 24 gusht 1908.
[21] Gazeta “Kombi”, e Bostonit, nr. 99. më 28. viii. 1908
[22] Raport nr. 263, i Ivan Aleksejeviqit, dërguar I. Zinojevit, më 18 tetor 1907; Gegët kanë përdorur deri tani dy alfabete, po ashtu edhe toskët kanë pasur dy.
[23] “Bashkimi” nga Manastiri, më 23 gusht 1908.
[24] Iniciativa dhe organizimi Mendimi politik e shoqëror i Rilindjes Kombëtare Shqiptare (mbledhje artikujsh nga shtypi), vëll. II 1908-1910, Tiranë 1976, f. 282 -283.
[25] Shukri Radhimi, Lëvizja çlirimtare te shqiptarët gjatë vjetëve, 1905-1908.
[26] Nexhat Abazi, Zhvillimi i arsimit, i shkollave dhe pedagogjik shqiptar në Maqedoni (1830-1912), Tetovë 1997, f. 186; Ali Vishko, Kongreset e alfabetit…, f. 29;
[27] HHSta, Vjenë, Alfabeti… f. 313-114.
[28] Po aty.