• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2014

Mitrovica Veriore përmbyll votimet, fiton Lista Serbe me Goran Rakiq

February 23, 2014 by dgreca

*Goran Rakiq fitues në veri të Mitrovicës/

*Komisioni Qendror i zgjedhjeve ka shpallur rezultatet preliminare për zgjedhjet e se Dieles në veri të Mitrovicës, sipas të cilave ka fituar Lista serbe me kandidatin e saj, Goran Rakiq me 2.700 vota ose 52.6 %./

Nga B.Jashari/ -Komuna e Mitrovicës Veriore, më e reja – e 38-ta e Kosovës, e dhjeta me shumicë serbe, votoi sot në zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetarin e komunës.Janë mbyllur sonte në orën 19:00 të 7 qendrat me 33 vendvotime, të hapura në orën 07:00 për 28 429 votuesit që ishin në listën  përfundimtare. Procesi zgjedhor ka kaluar i qetë dhe pa incidente, është bërë e ditur gjatë ditës nga KQZ dhe raportohet edhe sonte nga qyteti më i madh verior i Kosovës.Ndërkohë që fillon numërimi i votave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka paralajmaruar shpalljen e rezultatave preliminare në mesnatë.Atëherë pritet të dihet se kush do të jetë kryetari i komunës më të re kosovare të Mitrovicës Veriore apo kush do shkojë në balotazh, nga katër kandidatët, dy serbë e dy shqiptarë: Oliver Ivanović, i Iniciativës qytetare “SDP”, Goran Rakić, i Iniciativës qytetare “Srpska”,  Musa Myftari nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Florent Azemi i Partisë Demokratike të Kosovës.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës gjatë ditës ka njoftuar nga ora në orë se krahasuar me zgjedhjet lokale të 3 nëntorit 2013 numri i pjesëmarrjes në votimet e sotme ishte më i lartë, ndërsa sonte priten edhe rezultatet preliminare të daljes së qytetarëve në votim.

Zgjedhjet lokale të Kosovës, të parat në gjithë territorin – në 38 komunat, përfshirë veriun, janë mbajtur në 3 nëntor dhe kanë vazhduar me balotazhin e 1 dhjetorit 2013 dhe me disa rivotime të pjesëshme.Votimet në Mitrovicën Veriore u zhvilluan përsëri sot pasi fituesi, i komunitetit serb, refuzoi të japë betimin duke mos pranuar ligjet e Kosovës, teksa betimin e dhanë të gjithë të zgjedhurit e tjerë në komuna në gjithë territorin e vendit.Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, ka vizituar sot qendrat e votimit në Mitrovicë të Veriut.OSBE i lehtësoi zgjedhjet lokale në katër komunat në veri të Kosovës në pajtim me marrëveshjen e Brukselit, të 19 prillit 2013 në dialogun Prishtinë-Beograd.

KQZ: Mitrovica Veriore votoi 20.72%

Mbi 20 për qind e votuesve morën pjesë sot në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarin e komunës të Mitrovicës Veriore, sipas rezultatit preliminar të saposhpallur sonte nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës.“Duke u mbështetur në raportin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve deri në mbyllje të vendvotimeve, në orën 19:00,  kanë votuar  5 mijë e 890 votues, apo 20.72% e votuesve”,  tha kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka sonte në konferencë shtypi.“Procesi i votimit ka shkuar në rregull dhe nuk kemi marrë ndonjë raportim për parregullësi të mundshme”, shtoi ajo.Kryetarja e KQZ-së falënderoi të gjitha qytetarët e komunës së Mitrovicës Veriore që shfrytëzuan të drejtën e tyre për të votuar, si dhe institucionet që ndihmuan KQZ-në në organizimin e këtyre zgjedhjeve.

Goran Rakiq fitues në veri të Mitrovicës

Komisioni Qendror i zgjedhjeve ka shpallur rezultatet preliminare për zgjedhjet e sotme në veri të Mitrovicës, sipas të cilave ka fituar Lista serbe me kandidatit të saj, Goran Rakiq me 2.700 vota ose 52.6 %.

Menjëherë pas saj është Iniciativa ‘SDP’, Oliver Ivanoviq me 1420 ose 27.7 %. Ndërsa,Partia Demokratike e Kosovë ka marr 565 ose 11.0 %, Kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës ka marr 449 ose 8.7 %.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Mitrovica permbylli, votimet

Superliga/ Tirana fiton 2-1 ndaj Besës në “Qemal Stafa”

February 23, 2014 by dgreca

Gjergji Mima/ -Skuadra e Tiranës ka arritur të fitojë me rezultatin 2-1 përballë skuadrës së Besës së Kavajës, në ndeshjen e zhvillar sot në stadiumin “Qemal Stafa” në kryeqytet, e vkefshme për javën e 20-të të Superligës

Ka qenë Besa ajo që ka kaluar e para në avantazh, teksa në minutën e 13-të, mesfushori Celhaka ka shënuar nga rreth 30 metra.

Por festa e Besës nuk zgjati më shumë se 5 minuta pasi në harkun e 8 minutave Tirana arriti të përmbysë rezultatin me dy gola. Ai që shënon golin e parë për Tiranën është braziliani Gilberto, i cili shfrytëzon nje pasim nga Selemani. Vetëm 3 minuta më vonë është Kërçiku ai që çon shifrat në 2-1. Minutat e mbetura kalojnë qetësisht, por është përsëri Tirana ajo qe qëndron më afër portës të kundërshtarit.

Me këtë fitore Tirana mer një trepikësh me shumë vlera dhe i largohet përsëri fundit të tabelës dukë ia lënë vendin Lushnjës me të cilën ndan vendin e fundit me nga 22 pikë. Besa mbetet në kuotën e 28 pikëve duke qenë kështu brenda objektivave dhe në një pozicion të qetë. Me takimin Tirana – Besa mbyllet dhe java e 20-të e Superligës Shqiptare.

 

 

Filed Under: Sport Tagged With: fiton Tirana ndaj Beses, futboll, superliga

Gazmend Freitag, ekspozon në Vjenë dhe Biennalen Verona

February 23, 2014 by dgreca

* Franz Pfeiffer,  “…tani  hera e parë që mysafirë kemi artistë shqiptarë” /

*“…ne jemi në vazhdimësinë e marrëdhënieve të ngushta mes dy popujve tanë”… horizonte të raja në gjithësinë e artit..

Nga  Hazir MEHMETI , Vjenë/

Piktori ynë z.Gazmend Freitag, çdo ditë me artin e tij përplot shije shkel horizonteve të reja në gjithësinë e artistikes, tani jo vetëm në Austri ku jeton e vepron. Në Biennalen e parë e organizuar në Verona të Italisë mori pjesë me dy piktura të cilat u pranuan si pjesë e botimit të Bineales Verona. Në mesin e piktorëve nga e gjithë bota është krenari të prezantosh, të  jesh pjesë e katalogut ndërkombëtar, të njihesh me artistë të njohur e veprat e tyre nga shumë vende me traditë në artin e pikturës. Biografia e artistit tonë tani është e botuar në disa gjuhë botërore katalogëve të  piktorëve aktiv me vepra të shpërndara e të kërkuara gjithandej globit. Në Vjenë ditë më parë hapi ekspozitën personale, qyteti qendër e artit e artistëve ku kritika e mbrehtë nuk bën lëshime në vlerësimin meritor. Nën iniciativën e organizimin e qiftit austriak menaxher  e dashamirës të artit Ursula dhe Franz Pfeffer  qëndron e hapur u hap ekspozita në ‘‘Galerie Studio 38‘ në ambientet  Klubit Osteria Allora në kryeqytetin  austriak prezantuan poetë, shkrimtarë dhe piktorë. Manifestimin e nderoi edhe  prezenca e z.Wolfgang Bauer përfaqësues nga Kuvendi i Bashkisë së 20-të të Vjenës nga radhët e Partisë Socialdemokrate në Austri. ,        Të pranishmit i përshëndeti Franz Pfeiffer, menaxher i ‘‘Galerie Studio 38‘‘ me seli në Vjenë, i cili theksoi se shoqata që përfaqëson ka një traditë 10 vjeçare në organizime të projekteve artistike, ndërsa kjo ishte hera e parë që si mysafirë kishte krijues shqiptar.       Në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri  “Aleksandër Moisiu” përshëndeti kryetari i saj z.Besim Xhelili, poet.  “Në Vjenë shekuj me radhë janë ruajtur dhe vazhdojnë të ruhen shpata dhe helmeta e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skenderbeu. Prandaj edhe ne jemi vazhdimësi e marrëdhënieve të ngushta mes dy popujve tanë, kësaj radhe edhe në fushën e artit”.

Hapjen solemne të ekspozitës së tij personale e bëri zj. Ursula Pfeiffer, përfaqësuese e “Galeriestudio 38”. Pikërisht këtu i ka lindur ideja e ekspozitës me temën “Impresione Shqiptare” (mbresa shqiptare), ku ajo citoj statment nga faqja portale www.gazmendfreitag.net: “Ky është Gazmend Freitag, njeriu  i cili imazhin tonë e ngritë përmes brushës së tij, qëndrimit të tij prej artisti e njeriu që krijon madhështinë e të bukurën e cila do jeton gjatë.  Vendlindja nuk të lë të qetë, të thërret kudo që je në përkujtimin e peizazheve nga syri i një kohe që nuk harrohet. Dashuria ndaj vendlindjes e mbjellë në shpirt është navigator në çdo cep të globit. Këtë e dëshmon edhe Gazmend Freitag”.   Rreth veprës së piktorit tonë foli edhe zj.Elisabeth Birngruber, bashkëstudiuese me piktorin dhe pianiste.
Autori i ekspozitës z. Freitag i entuziazmuar nga suksesi mes tjerash shtoi: “Janë të ekspozuara 14 eksponate reprezentative të punuara në vaj dhe grafikë. Për herë të parë prezantoj nga repërtuari im vetëm motive shqiptare. Tash unë jam anëtarësuar në “galeriestudio38” në Vjenë, ku më 12 prill 2014 prezantohem në ekspozite kolektive. Organizatorët dhe menaxherët zj. Ursula dhe Franz Pfeiffer janë shumë të zellshëm,  janë  kompetentë dhe me përvojë shumëvjeçare në Vjenë.”
Imazhi ynë i vërtetë, i një populli të lashtë e me traditë shekullore në artë iu ofrua edhe një herë publikut austriak dhe jo vetëm atij.  Shtypi vendor e ka vlerësuar artin e kultivuar nga Gazmend Freitag në shumë gazeta e revista. Bazuar në hapat e Gazmendit dhe energjitë e tij të pashtershme mund të jemi optimist në ofrimin e veprave të reja. Ato nuk janë vetëm të tij por edhe të imazhit tonë të mirë si komb i vlerave shekullore.

Filed Under: Featured Tagged With: ekspozon, Gazmend Freitag, Hazir Mehmeti, ne Vjene

SOJE TË LARGËT…

February 23, 2014 by dgreca

Nga cikli “Takim me arvanitët”/

Nga Abdurahim Ashiku /

Ata ishin pranë e pranë, ulur në karrige të drunjta, me nga një filxhan kafe përpara. Na prisnin, ndaj kishin dalë në qendër të fshatit, aty ku nuk i shpëton syrit asnjë lëvizje, as nga fshati, as nga rruga që zbriste drejt ultësirave të Livadhjasë. Lami mbante në krah të djathtë një shkop me vegjën e çobanit kur kap delen apo qengjin për këmbësh. Jorgoja thjesht qëndronte me qeshjen që pasi merrte ujin e shpirtit e reflektonte atë në buzë e në fytyrë. I fiksova të dy në fotografi siç do fiksoja dy lisa rrënjëthellë në tokë e degëkërkues në qiell. I pari, Lami, ishte “njëqind pa tre” kurse Jorgoja “nëntëdhjetë edhe tre” vjeç…

Lam Qefalain  e përcollëm në një bisedë të re dhe të vjetër, një bisedë në Saranti, kohë më parë, dhe një bisedë në Kukuri, ditë më parë…

Jorgo Qefalain po e përcjellim sot në qendër të fshatit Kukuri, në një bisedë ku shqipen e nxjerr nga shekujt dhe ta ve përpara për ta gjerbur bashkë me kafenë…

*   *   *

Si je me Lamin?

Jam Soji i largët.

Sa vjet je?

Sa vjet jam? Enja dhe një.

Nëntë dhe një?

Jam nani nëntëdhjetë e një.

Sa fëmijë ke?

Tre. Dy vasha dhe një djalë. Po nani janë shumë. Janë njëzet.

Janë njëzet?

Plakën nuk e kam. E kam bartur (varrosur) gruan. Nani kam katër pesë vite që e kam bartur.

E ke bartur…Si edhe Lami?

Po.

Sa vjet ndeje me gruan?

Sa vjet ndenja me gruan? U martuasha ikoshi hronja (njëzet vjeç). Dhe tani kam pesë vjet që e kam bartur. Të bëjmë një llogari. Jesh ikoshi hronja ku u martuash. Deri në eneninda (nëntëdhjetë). Janë evdhominda (tetëdhjetë). Kam pende hronja (pesë vjet) që bëra. Eksinda pente (gjashtëdhjetë e pesë) bëmë me gruan.

Dhe bëre me gruan tre fëmijë?

Tre. Tre fëmijë.

Sa nipër ke?

Nipër kam…

Sa nipër dhe mbesa?

Nipër dhe mbesa? Kam tërë e tërë…Katër ka vajza e madhe. Di ka djali, di vasha, njëra e martuar ka di djelm e një vajzë. Jemi ikoshi ena (njëzet e një) tërë e tërë ikogjenia (familja).

Njëzet e një?

Po, njëzet e një. Jemi tërë ikogjenia nani. Kemi bartur edhe një djalë, na vdiq…

Me se je marrë? Çfarë pune ke bërë?

Ç’ë punë kam bërë? Katër vite bëra stratiot (ushtar), më muarnë në polemi (luftë). Pasandaj erdha këtu bëra me dhen. U bë çoban. Martova familjen. Në evdhominda ena (shtatëdhjetë e një) i shita dhentë dhe vajta në një ergostasio (punëtori) që është në Thivë. Atje bëra dhekapente hronja (pesëmbëdhjetë vjet) dhe mora sintaksë (pension) nga IKA. Edhe rri nani.

Me dhen kush merret tani? Ke dhen?

Jo, fare. Nuk kam më dhen. S’kam të bënj që kur i shita në evdhominda ena. Martova djelm. Mbeta me gruan. Gruan e kish sëmurë, nuk më ndiq dot dhe i shita dhentë. Kështu vajta në ergostasio. Edhe atje mora sintaksën dhe nani rri.

Mbani mend ndonjë këngë apo poezi në gjuhën arvanite?

Nuk e kuptoj

Këngë, që këndonin…

Që këndonin? Unë jesh çoban. Që të gjegjesh vejë por të bëj ato nuk bëj.

Jo, kështu, me fjalë…

Me fjalë thom. E nuk e thom dot. Ki do të marri gjëra po unë nuk di.

Ndërhyn Lami. Ka një këngë.

Kukurati gropa – gropa

i ka vashat po si lopa.

E kam dëgjuar këtë në Salaminë. Atje këndonin:

Ambelaqi gropa – gropa

I ka vashat posi lopa.

Pse e thonë këtë?

I ka të mira. I ka prodhuese.

Qesh me shpirt.

Çfarë pemësh rriten në katund ?

Si?

Çfarë sojesh?

Dardha, molla, migdale (bajame), qerese (qershi), vishna, arrë. Dardhë, kumbula…

Po në pyje, çfarë sojesh ka ?

Pyje?

Dhasos…

A ! Bredh, dushqe…

Me se merren ato që rrinë në katund?

Kanë mbet ca çobanë të pakët se palja (më parë) jeshëm tërë çobanë. Tani janë pakësuar. Janë pesë gjashtë djelm çobanë. Palja më të shumtët jeshën çobanë. Dimrit vejë tërë poshtë në Saranti, në vrri. Nejëm atje. Këtu mbeteshim të pakë. Shkonim me tërë ikogjenjë (familje), me djem të vegjël tërë poshtë.

*   *   *

Ndërsa bisedonim, tek ngrinte e gjerbte kafenë, më tërhoqi vëmendjen një gisht i prerë. Nuk e pyeta. Mendova se ishte nga ato plagë që lidhen me punën e rëndë të çobanit apo në ndërmarrjen ku kishte punuar…

E lexoi vështrimin tim dhe ma tha vetë…

Ishte një “dhuratë” nga Lufta e Dytë Botërore. Avionët gjermanë e kishin bombarduar disa herë fshatin në kërkim të jetëve të partizanëve grekë që për strehë kishin Kukurin, fshatin e vogël midis maleve, larg, një ditë larg më këmbë nga qyteti i Thivës…

Një cifël nga bombat që dogjën e shkatërruar fshatin i kishte prerë gishtin…

Kukuri, 9 gusht 2008

Abdurahim Ashiku 

Nga libri: “Njerëz që i dua vol. 3”

Filed Under: Emigracion Tagged With: Abdurrahim Ashiku, Soje te larget, Takim me arvanitet

Çfarë të ardhmeje do të ketë Kosova

February 23, 2014 by dgreca

Pavarësia e Kosovës në retrospektivë/

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë në mars të vitit 1999 kishte shkaktuar reagimin e ashpër të disa intelektualëve dhe politikanëve në Europë që mbronin tezat serbe dhe orientonin opinionin publik kundër politikës dhe qëndrimeve amerikane.

Lobingu serb, me mbështetjen e Rusisë, ishte i fuqishëm në qarqet diplomatike dhe mediat europiane sa që ishte krijuar një debat i fuqishëm ndërmjet kampit të pro-ndërhyrjes ushtarake për të stopuar gjenocidin e shqiptarëve dhe krizën humanitare dhe kampit të kundërt.

Ndërkaq, askush nuk jepte një prognozë të rezultatit të goditjeve të NATO-s dhe çfarë do të ishte zgjidhja e krizës politike e diplomatike.  Konferenca e Rambujesë kishte dështuar për shkak të palës serbe dhe Rezoluta 1244 e OKB-së ishte ende larg parashikimeve. Çështja e pavarësisë për Kosovën ishte një tabu që asnjë politikan apo diplomat europian nuk guxonte ta konsideronte.  Në atë kontekst, PLL  bëri një fushatë intensive në qarqet diplomatike dhe mediatike në mbrojtje të interesave të Kosovës dhe popullit shqiptar duke kërkuar publikisht edhe njohjen e Pavarësisë të Kosovës si zgjidhja e vetme e krizës.

Në këto ditë të kremtimit të 6-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë të Kosovës, sjellim më poshtë artikullin e botuar më 7 prill 1999 në gazetën prestigjioze belge “La Libre Belgique” nga Z. Sulejman Gjana, sot kryetar i PLL.

Çfarë të ardhmeje do të ketë Kosova

Serbët duhet ta ndajnë mendjen me e njohë pavarësinë dhe sovranitetin e e saj

Nga Sulejman Gjana

Partia “Lëvizja e Legalitetit”

Marrë nga “La Libre Belgique” – 07.04.1999

Goditjet e NATO-s kanë vijuar dhe madje janë shpeshtuar përballë intransigjencës së Millosheviçit dhe vendosmërisë së serbëve për të shpënë deri në fund planin e pastrimit etnik të Kosovës. Duke shpërfillur thirrjet e arsyeshme të bëra nga shumë krerë shtetesh europiane dhe SHBA-së, Sllobodan Millosheviçi është treguar prapë edhe njëherë, e pa dyshim më shumë se kurrë, i vendosur t’u imponojë ligjin e tij kancelerive perëndimore.

Me fushatën e tij të pastrimit etnik, Millosheviçi ka vrarë me një gur dy zogj: ia ka dalë të dobësojë shqiptarët në Kosovë, por ai ka provuar sidomos se ka fuqinë të destabilizojë fqinjët e tij dhe të përmbysë ekuilibret tashmë të brishta të Ballkanit.

Millosheviçi është një strateg i mprehtë dhe një manipulator i jashtëzakonshëm. Dhe për më tepër ai është një komunist i devotshëm. Duke provokuar goditjet e NATO-s, ai mblodhi pas vetes gjithë popullatën serbe, që, ndërkaq, ishte shkëputur prej politikës së tij sidomos për shkak të krizës ekonomike, që vijonte prej kohësh në Jugosllavi qyshkur ndaj saj u vendos embargoja.

Përmbledhtazi, pavarësisht humbjeve materiale që kanë pësuar në aparatin e tyre ushtarak dhe mbi disa ndërtesa zyrtare, serbët shfaqen si fituesit e parë të kësaj ndeshjeje taktike.

Shqiptarët, vetë, po paguajnë çmimin e rëndë duke u dëbuar nga shtëpitë e tyre, që janë shkatërruar radhazi; duke u tërheqë zhag rrugëve në kërkim të një strehe për të siguruar kokën në Shqipëri, në Maqedoni apo në Mal të Zi; duke lënë pas vetes të shkuarën, historinë e tyre. Popullsitë e shpërngulura gjithmonë kanë paguar një haraç të rëndë për përkatësinë e tyre shoqërore, racore apo fetare. Rasti i Shqiptarëve të Kosovës na kujton, në fakt, fatin e trishtueshëm që kanë pësuar viktimat e mizorisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Prandaj është çmeritëse të dëgjosh ngritjen e disa zërave në Europë që kritikojnë aty e këtu ndërhyrjen e NATO-s, duke nxjerrë si pretekst se e drejta ndërkombëtare nuk lejon ta bësh këtë kundër Jugosllavisë. Butësia dhe kortezia ndaj akteve barbare duhet të gjykohet prej popujve të civilizuar me të njëjtën vendosmëri ashtu siç gjykohen dhe autorët e akteve. A mos duhet t’u kujtojmë këtyre individëve që e drejta ndërkombëtare nuk gëzon aspak një forcë hyjnore? Ajo u krijua nga njerëzit për hir të ngjarjeve dhe përvojave të kaluara. Kësisoj, asaj mund t’i bëhen ndryshimet dhe ndërhyrjet e duhura në mënyrë krejt legjitime. Sidomos kur është rasti për t’i ardhur në ndihmë një populli të rrezikuar, (le të kujtojmë që mos-përkrahja ndaj personave në rrezik, dënohet me masa të rënda nga drejtësia në shumicën e shteteve moderne).

Siç e nënvizonte kohët e fundit Aleksandër Adler, konflikti në Kosovë nuk ka asgjë të krahasueshme me konfliktin në Kurdistanin turk, apo gjetiu në botë. Në fakt, turqit gjithmonë kanë dashur t’i kenë kurdët, si qytetarë me të drejta të plota të shtetit të tyre. Kurse Shqiptarët e Kosovës janë konsideruar gjithmonë si qytetarë të kategorisë së dytë. Dhe ata kanë jetuar si në kategorinë e dytë. Kanë jetuar pa bërë zë në apartejdin jugosllav. Janë poshtëruar. Përderisa ata nuk kanë pranuar kurrë ta braktisin truallin e vet, pavarësisht gjithë vuajtjeve që kanë pësuar prej serbëve, ja ku po i shpërngulin sot, sa kohë që nuk janë torturuar përpara se t’i ekzekutojnë. Kemi mbërritur në një pikë pa kthim në Ballkan.

Mes serbëve e shqiptarëve është çelur një hendek i madh dhe ata nuk mund të bashkëjetojnë më mes tyre. Shqiptarët nuk do të pranojnë kurrë të jetojnë nën zgjedhën serbe, qoftë edhe si entitet federal i shtetit jugosllav.

Koha e pavarësisë ka trokitur. Nëse Europa, SHBA, NATO, OKB kërkojnë një paqe të qendrueshme dhe stabilitet në Ballkan e Europë, nëse duan ta ndalin katastrofën njerëzore, ata duhet të vendosin për të njohur pavarësinë e Kosovës e sovranitetin e saj. Ata duhet t’i vënë serbët para faktit të kryer dhe t’i bëjnë të kuptojnë që fushata e tyre në Kosovë nuk do t’ia dalë kurrë të ketë sukses as politikisht, as ekonomikisht, as etnikisht.

Çdo opcion tjetër do të forconte serbët në vendosmërinë e tyre për të zhdukur shqiptarët e Kosovës dhe do të keqësonte katastrofën humanitare viktimat e së cilës janë kosovarët.

Filed Under: Featured Tagged With: cfare te ardhmje, ka Kosova, Sulejman Gjana

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 84
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT