• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2014

Muja ka “të drejtë”

March 15, 2014 by dgreca

Nga Gani Qarri/Nuk është traditë e njerëzve të këtij vendi kjo, askush nuk jep dorëheqje kaq lehtë në këtë shtet…edhe ata që mbajnë mbi supe nga disa dënime,nuk dorëzojnë pushtetin me të parën as vullnetarisht deri në vendimin përfundmitar dhe burgosje. Pse pra u dashka vetëm Ramadan Muja të jap dorëheqje, çfarë bëri ai më tepër se të tjerët që ta dorëzoj qysh në goditjen e parë,postin e fituar me votën e lirë të qytetarëve. Cili funksionar shtetëror apo komunal, veproj deri më tani në këtë mënyrë. Se mos dha dorëheqje Bujar Bukoshi nga pozitat e tij ministrore… Edhe Muja i bjeshkëve tona, si shumë të fuqishëm të tjerë deri më tani, ndoshta edhe për shumë kohë mbetet vetëm i dyshuar, pas parashtrimit të ankesës që planifikon mbrojtja e tij….Kjo tanimë është bërë traditë gjyqësore për shumë raste në Kosovë…

Madje, si ka mundësi që të gjithë bashkëpartiakët e Mujës të ngarkuar me nga dy e tri vepra penale, të dënohen poashtu me vetëm nga dy-tre vjet burgim, apo kohëzgjatje pothuajse të njëjtë sa edhe ajo e Ramadan Mujës me vetëm një precedencë të supozuar. Sikur nuk e di njerëzimi se homologët e tij, bënë vepra shumë më të rënda. Bajrush Xhemajli me kolegët e dehur i mori jetën në lulen e rinisë një djalosh 19 vjeçar, dhe me gjithë dënimin tragji-komik, prej vetëm dy vjet e gjysmë,ai për më tepër se dy vjet pas vendimit të parë, jo vetëm që nuk shkoi asnjëherë në burg por tanimë i erdhi edhe “bakshishi” i radhës nga gjykata, duke zbritur dënimin “kapital” nga 2 vjet e gjysmë në vetëm dy vjet.Kjo është forca ,ky është pushteti,ndaj me sa mend në kokë duhet të jenë ata “misionar” të vetmuar që mund të dorëzojnë aq lehtë pozitën dhe funksionin me të cilin shalojnë ligjin e pjerrin edhe mbi shtetin duke shpëtuar veten nga gjithçka…

Njerëzit pyesin me habi,çfarë nënkupton vendimi i fundit. Asgjë, apo ndoshta edhe një udhëtim më tepër jashtë, i njëjtë me atë të homologut Zharku.
Edhe Bajrushit tashmë mund ti jetë prerë bileta dhe përgatitur valixhet për ikje nga vendi, në mënyrë që të mos e vuaj as dënimin e zbritur.
Xhabir Zharku, tash e sa kohë,kalon vitet i lirë dhe i pa cenuar në Suedi?!
Madje ai, jo për një, por për disa vepra penale ishte dënuar me vetëm dy-tre vjet burgim, të cilat as ato nuk i mbajti kurrë. Përkundrazi, i veshur me kostum të shtrenjtë dhe kravatë të zgjedhur si njeriu “më i pafaj” i pikur nga qielli i paqësor në tokën tonë të varfër, kaloi i lirë përmes dyerve të hapura të Aeroportit “turko-kosovar” me lejen e Hashimit dhe bekimin e Erdoganit, pa therrë në këmbë për në Suedi ku sot bën kokrrën e sefasë.

Ndoshta edhe nga atje ai tani ndjen sesi vendlindjen e thërret që të vij e ta vuaj dënimin,  ndaj edhe heq mërzitë restoranteve të huaja,për lehtësimin e dhembjeve të atdheut me “serenata” patriotike mbrëmjeve të veçanta muzikore,organizuar enkas për te dhe sponsorizuar nga buxheti i Kosovës,me pagën që sigurisht ende merr, njëjtë si ish ambasadori ynë në Shqipëri.

“Mirë” të gjithë, po Sylejman Selimit, ç`ju desh të vinte në Kosovë, apo nuk e dinte ai se çfarë e priste këtu?!
Të paktën,luftëtari i orëve të para, duhej të mësonte nga veprimet e varësit të tij, Xhabirit i cili edhe me grada ishte më i vogël se Komandanti, apo ndoshta Gjeneralin e “lidhën” shokët me tradhti.

Sidoqoftë, para se të vazhdojmë me “arsyetimin” e Ramadan Mujës,kujtojmë se edhe për Sami Lushtakun sikur është kërkuar ndalimi i ushtrimit të “funksionit”.

Megjithatë, sipas shtypit vendor, ai jo vetëm se nuk e la pozitën e “fituar” me ” aq djers e mund” dhe 96 % të votave të “merituara”, por së pari atij i`u mundësua që edhe nga “azili” ku ishte dërguar për precedencë penale të kthehej për pak kohë në objektet e komunës dhe “betohej me tërë qenien, për korrektësi para ligjit”, mënyrë  e “drejtë” kjo të cilën më vonë kërkoi ta shfrytëzonte edhe Oliver Ivanoviqi të cilin tanimë EULEX-i, e ktheu në Mitrovicë ti vazhdoj atje pushimet me flladitje kondicionale nëse nuk është liruar krejt.

 

Sidoqoftë,ajo që është më kryesore, “heroi i popullit” vazhdoi të mbetet kryetar i “nderuar” komune- në Skënderaj, lartmadhëria e të cilit përveç benificioneve tjera, sa herë i ng…. ups nevojitet atij, shfrytëzon edhe “dramafilin” e kryetarit, për të shkuar “urgjent” në Spital.
E po pse u dashka tani të jap dorëheqje vetëm Ramadan Muja pra, i cili për krahasim me të tjerët u dënua vetëm me kusht, padrejtësisht dhe për asgjë, madje po aq “rëndë” sa edhe homologët nga partia, me shumë precedenca penale.

Për aq më keq,kryetari i Prizrenit, gati se u dënua kot dhe siç thotë populli vetëm për një “kerr kashtë” të cilën siç dëshmohet edhe nga gjykimi, nuk e hëngri të gjithën vet, por më tepër i`a hëngrën shokët e këqij e të pa hajr, ata që e morën në qafë edhe Mujën plak.

Dorën në Zemër, ai si kryetar i Prizrenit mjaft ka punuar, bile më tepër se shumë udhëheqës tjerë komunal anë e mbanë Kosovës. Me këto që po them mund të bindet secili, sidomos banorët e trevës sonë, për çka do të bëjë vetëm një krahasim të thjeshtë.

Për shembull, jo vetëm vendlindja ime Demjani që kufizohet me fshatrat e komunës së Prizrenit, por edhe në të gjitha fshatrat hasjane që shtrihen në hartën komunale të Gjakovës, prapambetja në infrastrukturë vërehet kudo, bile që nga paslufta, përveç asfaltimi të rrugës kryesore, pothuajse nuk ka ndryshuar asgjë.

Për dallim nga fshati parë fqinj (pjesë e komunës së Prizrenit) Kushnini, i cili njëjtë si të gjitha fshatrat tjera të kësaj komune, vetëm gjatë udhëheqjes së Ramadan Mujës, ka të rregulluar të gjithë infrastrukturën rrugore, kanalizimet përfshi edhe shtrimin e rrugicave me pllaka deri para dyerve të çdo institucioni dhe shtëpie banimi.

Pra, edhe nëse kryetari  i dënuar detyrohet në këtë hap të vështirë dhe mëse të padëshiruar për te, ai para se të jap dorëheqje duhet që së pari të kërkoj me këmbëngulje shkarkimin e plotë ose të paktën ndalim kandidimin e batakgjiut Eqrem Kryeziu nga LDK, për postin e kryetarit,i cili poashtu pritet të dal para gjyqit për keqpërdorime.

 

Muja këtë duhet ta vej si kushtin kryesor për dorëheqje, ngase po ndodhi rastësisht,që mu meselexhiu Eqrem të vij si kryetar, mund ta degradoj gjithë punën dhe arritjet e deritashme në komunën e Prizrenit.

Pa u zgjatur shumë në fjalë, duhet theksuar fort dhe me zë, se shumica e fshatrave hasjane nën administrimin komunal të Gjakovës, përveç ekonomive private, kanë ngelur si mos më keq, derisa në pjesën e administruar nga Komuna fqinje e Prizrenit që nga fshati Gjonaj, Zymi, Krajku, Romaja, Lugishtë e Hasit, Kushnin e deri në pjesët më të thella malore mbi Pashtrik si Mazrekë e Planejë, e tërë infrastruktura rrugore, ujërat e zeza, përrenj e kanalizime, janë rregulluar që të gjitha në mënyrën më bashkëkohore të mundshme për kushtet tona.

Duke u nisur nga këto sa u thanë më lartë, në Kosovë puna me kryetar e funksionar të dënuar tanimë është bërë modë, ai nuk është i vetëm,ka shumë të tillë këtu, njerëzit sikur i kërkojnë vet ata,  bile ekziston rreziku që me kohë të infektohen edhe komunat tjera të cilat deri më tani nuk patën fatin ti kenë kryetarët e dënuar, dhe tash e tutje të rebelohen edhe ato dhe vejnë si kusht të parë, vendosjen e kryetarëve me vendime dënimi nga njëra prej gjykatave të vendit, kurse  gjithë kandidatët pa precedencë ligjore, të shpallen të padëshirueshëm për poste udhëheqëse dhe funksione komunale apo shtetërore.

Kjo është moda më e re,këto janë prodhimet vendore me të cilat ne duhet të “krenohemi”,ndaj hiq animet partiake,me vet faktin se pozita as opozita, nuk kanë ndonjë kandidat serioz dhe më premtues për mbarëvajtjen e komunës me rrethinë,nuk do të preferoja që Ramadan Muja të dorëhiqej as shkarkohej nga posti i udhëheqësit të cilin,shikuar nga perspektiva momentale dhe rezervat e përgjithshme fraxhile të kuadrove partiake, me gjithë fajësinë e “dëshmuar”,tani për tani edhe nga kandidatët sot për sot-të padënuar,në Prizren ende nuk ka kush ta bëjë si duhet, punën e të parit të komunës….

Cyrih, 15 Mars 2014

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Gani Qarri, Muja ka te drejte

NJË VËSHTRIM MITOLOGJIK MBI FESTAT KALENDARIKE E TRADICIONALE TË VITIT DHE LIRIKËN RITUALE

March 15, 2014 by dgreca

Pjesa II  Rusicat, Shëngjergji, Për të rënë shi në verë, sipas Gjergj Komninos/

nga MSC. Albert R. HABAZAJ/ Studiues/

RUSICAT: Rusicat është festë që bëhet 25 ditë pas Pashkëve. Këtë festë e bëjnë fëmijët e vegjël dhe gratë. Në këtë ditë, në  Polenë të Korçës, gratë formojnë grupe dhe mblidhen në një shtëpi. Aty shtien nga një shumë të vogël të hollash, me të cilat blejnë miell, gjalp, vaj, sheqer dhe të tjera sende që u duhen. Me këto bëjnë lakruar, revani, bakllava, bukëvale dhe të tjera ëmbëlsira që mund t’u pëlqejnë. Përpara se t’i hanë, do të heqin nga një copë për ta shpënë secila në shtëpin’ e vet, se e kanë për mirë, që të hanë dhe njerëzit e tjerë të familjes nga lakrori i rusicavet. Si i hanë këto, këndojnë e lozin valle gjithë ditën. Në këtë diotë fëmijët e vegjël, më shumë vajzat, ngrihen që në mëngjes, me qeska e me shporta në duar dhe venë nëpër shtëpit për të mbledhur miell, gjalp e vezë që të bëjnëdhe ato lakruar për rusicat. Kur venë nëpër shtëpitë, këndojnë këngën e rusicave. Pastaj si i mbledhin këto, i shpien në një familje; aty gatuajnë, e pastaj hanë drekë, duke kënduar e duke hedhur valle. Pas drake çdo grup vesh nga një vajzë të vogël sin use dhe e shëtit nëpër rrugët e katundit. Ndaj të perënduar të diellit dalin jashtë katundit, duke kënduar se do të venë të mbulojnë nënën e diellit. Atje, si rrëmihin me shat një gropë në formë varri, bëjnë fytyra njerëzish prej balte dhe i mbulojnë me dhè në gropat e hapura; pastaj mblidhen rreth gropës, duke vajtuar e duke thënë: “nëno, moj nëno, ardhi dielli e nuk të gjeti”. Pas kësaj ndajnë dhe misra të ziera pranë gropës përs shpirtin e nënës së diellit. Si mbarohet ceremonia, mblidhen së bashku grupet dhe vijnë duke kënduar në katund dhe shpërndahen nëpër shtëpit’ e tyre. Sipas Gjergj Komninos, në Pogradec në këtë ditë këndohet kënga e rusicave, që në librin e Institutit të Shkencave “Këngë popullore lirike”, Tiranë, 1955, ka nr. 35

SHËNGJERGJI: Në rrethet e Korçës, duke gdhirë dita 23 Prill, ditën e Shëngjergjit, të vegjël e të mëdhenj ngrihen herët që të mos i zerë dielli në gjumë e dalin jashtë katundit, ku gjejnë shelgje me gjethe; këputin nga një degë dhe e mbështjellin pas brezit, duke besuar se, kur të prashiten misrat, nuk kanë dhembje mezi; sjellin dhe disa degë të tjera në shtëpi e duke i thurur kurorë i venë rreth tundësit që të jet’ i ftohët bulmeti, kur të mblidhet në verë; u vënë nga një kurorë të gjitha enëvet të bulmetit dhe të ujit. Gjithë ditën mblidhen grumbuj nëpër lagjet dhe peshohen. Në Polenë, ditën e Shëngjergjit, gratë ngrihen që në mëngjes shpejt, marrin enët dhe venë të mbushin ujë. Kur kthehen, u vënë enëvet nga një degëzë shelgu. Shumë të tjerë dalin e shëtisin dhe ku gjejnë ndonjë shelg a plep marrin degëza dhe i vënë në krye edhe në mes. Në Drenovë venë e varen nëpër thanë që të jenë të shëndoshë e të kuq si ajo. Çdo shtëpi do të therë  gjëkafshë: këndes, shqerë a tjatër gjë. Këtë ditë marrin zile dhe dalin  eshëtitin shtëpi më shtëpi o kopësht më kopësht që të trëmbin krimbat që të mos hanë pemët e lulet. Në Tiranë, në këtë ditë, këndohet kënga nr. 36, sipas librit të vjetyër të Komninos, që kemi marrë si burim referimi për njësitë folkorike. Kënga nr. 13, shih f. 270, sipas këtij teksti: “Llazoret ke dera,/ dil se po vjen vera!/ Llaxore, llaxoricka,/Due venë qi t’ban lariska./ po s’ma dhe,/Ka qori/ Të shkoftë plori;/ Ka carani/ T’ shkoftë shegani!” këndohet prej shpatarakëve ditën e Pashkëve e të Shëngjergjit. Pikërisht kjo njësi folklorike është regjistruar në Shëngjergj të malësisë së Tiranës.

PËR TË RËNË SHI NË VERË: Kur bën thatësir’ e madhe në verë të rinjtë bëjnë “dordolec”; veshin një shokun  e tyre me fier e venë me ‘të në shtëpi e këndojnë. Në këtë kohë del nga shtëpia, i hudh dordolecit një qyp ujë në kokët dhe i gostit djemtë me vezë e të holla. Këndojnë këngën nr. 19, shih f. 272, në librin e cituar, sipas këtij teksti: “Dordolec, bjerna shi/ Të na bëhet misri i ri,/ Misri i ri sa trari,/ Të na mbushet hambari”. Kënga nr. 32, f.275, sipas këtij teksti: “Mâ sa i dhemb gjâ caracit,/ Nj’aqi më dhimbt mu;/ O carac, e im vlla,/ Vlla s’të kam e vlla do t’zâj,/ Ethet e mia ty do t’i laj./ O mal i Dajtit,/ Më marsh të ligat e shtatit!/  O mal i zi,/ Më jep shëndet e fuqi!/ O zogu fluturac,/ Marrç të ligat e fukarasë!/ O zogu i zi,/ Marrç të ligat e djalit të ri!” ëshët regjistruar në malësitë e Tiranës dhe, sipas banorëve, janë fjalë thonë plakat, kur yshtin fëmijët.

SHËNIM:  vijon numrat e ardhshëm të “DIELLIT” do të paraqesim fjalorthin e duhur, shënime rreth disa këngëve, gjithë tekstet e këngëve rituale për Ditën e Verës, Llazoret, Kolendrat, vitin e ri etj., si dhe festa të tjera të motmotit,sipas interpretimeve nga studiuesit bashkëkohorë

*) Master Shkencor për Etnologji dhe Folklor, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë.

Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”,

Universiteti i “Ismail Qemali”, Vlorë, Albania.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert, Albert Habazaj, pj 2, veshtrim mitologjike

LAMJA PO IKËN

March 15, 2014 by dgreca

Nga Luan Çipi/Sa u ndava nga Lame Fandi dhe ndofta për shumë kohë. Ai do shkojë për të banuar gjatë në Itali, ku ka djalin dhe ku ka siguruar dhe ca kushte më të veçanta përkujdesjeje jetësore e shëndetësore.Kam shkruar dhe tjetër herë se Lamja (Harallamb Fandi) është miku im i dashur, i adhuruar dhe i respektuar. Mik e bir miku, djali i vetëm i Koços, që ka vdekur ka shumë vjet, për të mos u harruar kurrë, se shumë nga cilësitë e tij të optimizmit, humorit dhe njerzillëkut, ia ka lënë të paprekura trashëgim Lames, birit të tij edhe më të ditur e më të shkolluar. Lamja ynë, është i mirënjohur, jo vetëm në Vlorë ku lindi dhe u burrërua, po edhe në Tiranë, ku kaloi shumë vite dhe ku u ndërthur edhe me karrierën akademike dhe të biznesit farmaceutik. Lamja,  trupmadh dhe tërheqës si i ati, në vizionin e çdo të njohuri, sidomos në qytetin e Vlorës, shfaqet po si ai, burrë i shkathët dhe tepër human, model çiltërsie dhe sakrifice, i gatshëm për të ndihmuar dhe mësuar nevojtarët, që ta kalojnë sa më lehtë çdo lloj vuajtje e halli.Lamja, gjithnjë i qeshur dhe optimist, u bë qysh në të ri, një veprimtar i shquar shoqëror, dhe shpejt u shqua si letrar i pasionuar pas prozës poetike dhe dialogut ekspresiv, si dhe piktor e kritik arti.. Ai studioi dhe përfundoi “Shkëlqyeshëm” Universitetin e Tiranës për farmacist, duke ndjekur njëkohësisht edhe Liceun Artistik për pikturë. Ishte piktura, që e nxiti për të kryer dhe studimet pasuniversitare për kritikë arti. Me punën e bërë ai u shqua jo vetëm në profesionin e tij bazë, po edhe si studiues arti e shkrimtar, sidomos me artikujt kritikë, tregimet dhe dramat, për të cilat është nderuar edhe me çmime në shkallë kombëtare. Harallamb Fandi është dhe autor i të parit libër të botuar në vendin tonë për përdorimin e barnave në shtëpi, si dhe i mjaft teksteve profesionale, mësues dhe pedagog universiteti i shumë brezave farmacistësh, Drejtues Kulture në rrethin e Vlorës, Kryeredaktor i revistës “Farmacisti“ në Tiranë dhe Anëtar Nderi i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë.

Pasi përballoi me sukses një sëmundje dhe operacion të vështirë, që e kreu në Itali, Lamja ynë i dashur, e kaloi me sukses periudhën e rehabilitimit, midis shokësh fëmijërie, këtu në Tiranë.

Takoheshim shpesh me Lamen për të pirë kafe e për të biseduar lirshëm probleme nga më të ndryshmet, ashtu si grupohen pensionistët nga mbarë vendi, që vitet e fundit u ndodhën apo u bashkuan në kryeqytet, më shpesh të ndarë sipas vendlindjes, për të kujtuar vitet e fëmijërisë apo rinise se hershme. Në grupin tonë me Lamen bashkohet ingjjnieri Petraq Karaja, aktori Andon Qesari, matematikani Petraq Truja, mësuesi Milto Shuka, gjeologu Axhem Gjonaj, kritiku  dhe historiani i fotografisë  shqiptare Qerim Vrioni, etj.

Më shumë bisedat sillen rreth ngjarjeve familjare të njeritjetërit, te shqetësimet shëndetësore dhe jepen mendime për lehtësimin e vuajtjeve, halleve, sëmundjeve, dietës, etj., sipas përvojave dhe njohurive të secilit, apo kurioziteteve dhe rrugëzgjidhjeve të mësuara nga interneti. Këto ditët e fundit u bisedua gjatë dhe iu dha shumë shpresë ujit, për vetitë dobiprurëse në përmirësimin e deri kurimin e disa sëmundjeve, po të pihet në sasi te madhe deri ne katër gota njëherazi, herët në mëngjes, duke qenë i vaktë dhe ndalimin e pirjes se tij dy ore pas buke. Po kështu u qëndrua gjatë te dobia e lëvizjeve dhe ecjes ditore me hap të shpejt dhe mbi gjysmë ore çdo ditë. Këtë temë e trajton shpesh me kompetencë Lamja.

Një tjetër temë, thuajse e përditshme janë “shakatë vlonjate”. Janë të famshme “barsoletat shkodrane”. Këtë e pranojnë të gjithë pjesëmarrësit e grupit tonë dhe ato zënë unanimisht vendin e parë. Po, vendin e dytë, nuk e lëmë dhe ndonjëherë, ashtu si në futboll, Vlora del barazim me Shkodrën. Si më kompetent në këtë “zhanër” paraqiten  Petraq Truja dhe Milto Shuka. Vetëm për argument mund të paraqes sot (për mos ta rënduar këtë ditë dhe për t’i lenë radhë ditëve të tjera) vetëm një shaka të treguar, nga më i riu prej nesh, pedagogu kolonel në lirim, Petraq Truja:

Së pari, me lejoni të shpjegohem: pse përmendet grada kolonel dhe ku e gjeti këtë “pllakë” kaq të madhe ai? Grada përmendet, se, kur flasim për vlonjatë, grada është natyra e dytë e tyre dhe natyrisht i paraqet më të rëndësishëm. Petraqi gradën e mori kur e caktuan pedagog të fizikës dhe matematikës në Shkollën e Lartë për Aviator në Vlorë. Atë fillimisht e bënë toger, po, si dihet ajo rritet me kalimin e viteve dhe u mbyll në vitet e fundit si kolonel.

-“Nashua”, nisi shakanë koloneli, ishte vështirësuar nga gjendja ekonomike dhe as që i ushqente dot 5 fëmijët e tij të vegjël, që kokë më kokë, ishin nga 5 deri 15 vjeçar. Më së shumti në sofër shtrohej vetëm bukë thatë. Një shoku i tij që punonte në “Ullishte” i sugjeron që fare lehtë dhe me pak shpenzime, bukës së thatë, mund t’i shtoheshin ca ullinj, që për fat ai i kishte me shumicë të grumbulluara çdo ditë, se i transportonte të fshehura në çizmet e tij kastën të stërmëdha. E mori me çmim të ulur kontingjentin e parë të ullinjve, u hoqi bërthackat, që të ishin më të shijshme, i kripi dhe i kaloi në procedurat e njohura mirë nga vlonjatët, deri sa i përgatiti në ëmbëlsinë  dhe me dozën optimale të hidhërimit. Fëmijët, atë ditë dhe deri sa i mbaruan krejt ullinjtë, që i hanin me grushte, jo vetëm u kënaqën, po nuk kishin të ngopur. Në  fund të javës ullinjtë, që mendohej se do mjaftonin për gjithë muajin, kishin mbaruar, ndërsa ishte ngrënë, sipas hesapit të Nashos edhe dy herë me shumë bukë.

U konsultua Nashua me gruan dhe vendosen që kontingjentin tjetër ullinjve mos t’u hiqet bërthacka, po vetëm sa të çahen për kriposje. Kjo e pakësoi konsumin, se fëmijët vonoheshin, deri sa të ndanin tulin nga berthackat. Megjithatë pas dy javësh edhe kontingjenti i dytë i ullinjve mbaroi, për gjysmën e kohës së llogaritur.

Rrinte e mendonte Çifti varfanjak dhe më në fund e gjetën zgjidhjen: Nuk i çanë ullinjtë me thikë, po i shtypën mbi tavolinë me çekan, duke thyer njëkohësisht e dhe bërthackën e tyre. Tani fëmijët, e kishin të vështirë të pështynin bërthackat e thyera, që në përpjekje për t’i nxjerrë nga goja, u ngelnin midis buzëve dhe dhëmbëve dhe kështu e pakësuan sasinë e ullinjve të konsumuar.

-Do ta mbaj mend këtë ngjarje, tha  Lame Fandi. Nesër nisem për Itali dhe do t’ua tregoj kolegëve të mi pensionist italian, po nuk e di a do më besojnë.

Sa keq që na ikën Lame Fandi, epiqendra e shoqërisë sonë. A thua do mblidhemi sërish për të dëgjuar “shakatë vlonjate”?Këtë do ta shohim, po tani le t’i urojmë shokut tonë të dashur e të pazëvendësueshëm : Udhë të Mbarë, Shëndet e Lumturi!

Tiranë, më 14.03.2014

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Lamja po iken, Luan Cipi

FITUESIT DHE HUMBËSIT NË ZGJEDHJET E ARDHSHME PARLAMENTARE

March 15, 2014 by dgreca

NGA DIMAL BASHA/

Mbase mund të duket se është shumë herët për një parashikim, rrjedhat në zgjedhjet e fundit dhe veprimet dhe deklaratat e disa liderëve partiak më japin të konstatojë se në zgjedhjet e ardhshme LDK merr primatin si pasojë e përcarjes së PDK-së dhe dështimeve të politikave të tyre për tetë vite-së derisa VV vazhdon të qëndrojë kokëfortë për cfardo kompromisi dhe rrjedhimisht nga kjo përfiton AAK që tash e sa kohë duket që është e gatshme të flirtojë me cilendo parti fituese që të jetë pjesë e pushtetit pas një pauze të gjatë në opozitë.

PDK

PDK është munduar që të injoroi përqarjet brenda-partiake me formimin e partisë së z. Limaj dhe z. Krasniqi, megjithatë, edhe vet emra të njohur të partisë pranuan se kjo do të ju shkaktoj dëme në zgjedhjet e ardhshme. Dëmi i dy protagonistëve të Nismës, z. Limaj dhe z. Krasniqi, do të jetë i mjaftueshëm sa për të lënë PDK-në në opozitë. Sidocoftë, faktorë për humbjen e PDK-së nuk është vetëm formimi i partisë së z. Limaj dhe z. Krasniqi, por një rol të madh luan edhe dështimi i politikave të PDK-së pas tetë viteve në pozitë ku 1) qytetarët e Kosovës ende mbesin të izoluar në raport me Evropën me gjithë premtimet e liberalizimit të vizave ku si zavendësim i vetëm ishte “Europe Street” që mbeti rruga e vetme ku qytetarët sot shëtisin pa viza, 2) korrupsioni vazhdoi të mbetet një shqetësim i madh, dhe 3) cka është më me rëndësi, papunësia ende mbetet në nivel depresivë dhe konsumimi i partisë vërehet te vazhdimi i rritjes së pagave në institucionet publike në mungesë të ndonjë plani zhvillimorë të sektorit privatë.

LDK

Deri tani LDK ka pasur shumë probleme që zanafillën e kanë në udhëheqësinë e saj që përbëhet prej një grup penzionerësh të konsumuar në shekullin e kaluar. Tetë vitet e fundit problemet filluan me z. Sejdiu, i cili përpos që ra ndesh me kushtetutën, ishte arsyeja që vendosi të jetë në pushtet me PDK-në dhe funksiononte nën hijen e saj. Edhe atëhere kur planifikuan rrëzimin e PDK-së me tërheqjen nga koalicioni dështoi kur kjo e fundit prap mbijetoi me një pushtet të arrnuar. LDK vazhdon prap ta ketë problemin kryesorë udhëheqësinë e saj dhe kjo u vërejt më së miri në zgjedhjete fundit lokale. Edhe pse kjo parti pati një kthim të befasueshëm në komunat si Ferizaj, Gjilan, e Pejë LDK prap arriti të dal si partia e dytë më e votuar në vend dhe arsyeja pse  nuk doli si partia më e madhe ishte vet kryetari i saj, i cili humbi Prishtinën dhe mbeti tamam sic edhe e mendoi, me duar në xhepa. Megjithatë, unë mendojë se, si rezultat i dështimi të politikave të PDK-së në kombinim me themelimin i Nismës LDK do të merr primatin në zgjedhjet parlamentare, por kjo fitore asesi nuk do të jetë meritë e aftësive të lidershipit partiak që mbetet avazi i shekullit të kaluar.

AAK

Me gjithë entuziazmin pas kthimit të liderit të saj, AAK bëri shumë gabime të njëpasnjëshme. Gabimi i parë ishte pritja madhështore e organizuar nga z. Thaqi me kthimin e tij dhe entuziazmi i qytetarëve që për një moment i dha z. Haradinaj të besoj se ai do të filloj aty edhe ku e la, si kryeministër. Pritja ishte një salltë tjetër e menduar mire politikisht nga z. Thaqi kurse gëzimi i qytetarëve nuk ishte se kishte ardhur “Mesaja” por fitorja e luftës së drejtë të UCK-së. Z. Haradinaj nuk e lexoi drejt asnjërën. Populli pushoi shpejt dhe vazhdoi të vëzhgoj politikat e z. Haradinaj derisa flirtonte me PDK-në kurse z. Thaqi lozi të njejtën lojë deri në atë moment kur z. Haradinaj e mbaroi “muajin e mjaltit” dhe shumë shpejt mbaroi gjithcka. Sot z. Haradinaj po kërkon rrëzimin e po të njejtit pushtet që dikur flirtonte të jetë pjesë e tij dhe sigurisht se këto luhatje kursi brenda një periudhe të shkurtër sollën humbjen e seriozitetit, jo vetëm tek partitë që nuk po e përkrahin nismën e tyre, por edhe në sytë e qytetarëve.Gabimi i dytë ishin zgjedhjet lokale ku qytetarët e ndëshkuan në Gjakovë dhe Pejë për të prishur komoditetin e tepruar të kësaj partie dhe rrjedhimisht e lanë të kuptojnë që neglizhenca ndëshkohet dhe nuk ka më qytet të garantuar që trajtohet si pronë personale pa marrë parasysh statutin e tyre. Ky ndryshim dërgoi një mesazh të qartë se populli e rrespekton sakrifikicën e heronjëve në luftë por tani kërkon luftëtarët e paqës që ofrojnë vende pune dhe zhvillim. Statusi i heroit sot mbetet histori. Këto gabime në kombinim me humbjen e një numri të madh të elektoratit në Pejë e Gjakovë do t’i kushtojnë AAK-së dhe rrjedhimisht do të mbetet partia e katërt më e votuar në vend. Megjithatë, AAK e shef si rastin e fundit për të qenë pjesë integrale e një koalicioni dhe me ngulm do të insistoj që të merr kryeministrinë për të vazhduar ëndrrën e tij në kohën kur la këtë pozitë, mirëpo do të mbetet vetëm një kujtim i  mirë sepse z. Mustafa nuk do të pranon një rokadë të tillë. Me fjalë tjera, AAK nuk do të merr kryeministrinë mirëpo prap do jetë pjesë e qeverisjes së ardhshme pas një pauze të gjatë në opozitë duke përfituar nga refuzimi i VV që të jetë pjesë e qeverisjes.

Vetëvendosje!

Sa të jetë z. Kurti në krye gjithmonë do të jetë i lehtë parashikimi i kësaj partie. Ai beson se ose të gjithë duhet të ju binden politikave të tij ose nuk bëhet ndryshe. Fitoren e mendon vetëm kurr merr gjithcka dhe ckado më pak se gjithcka e shef si humbje sic edhe deklaroi për RTK-në se nëse nuk del si partia më e madhe në vend do të vazhdoj të mbetet në opozitë. Z. Kurti deklarohet se është në kundërshtim me cfardo kompromisi mirëpo është po i njejti, i cili për cudi hasi në kompromis me të gjitha partitë për vendimin që Kosova të mbetet një-zonë zgjedhore. Ky veprim nuk do hamendje se mbetet një kalkulim politikë sepse përndryshe nëse Kosova do të kishte zona të shumta zgjedhore z. Kurti do kishte frikë se VV nuk do të kalonte as pragun duke marrë parasysh se ata nuk kanë bazë të qëndrueshme jashtë kryeqytetit. Sa për kujtesë, VV dështoi në shumicën e komunave jashtë Prishtinës ku në 10 komuna morri më pak se 5% të votave dhe në asnjë komunë, përveq Prishtinës, nuk arriti të shkoj në balotazh dhe arsyeja kryesore mbetet përqendrimi i “trurit” të partisë në kryeqytet.

Suksesi i z. Ahmeti do të shërbej në rritjen e votave në zgjedhjet e ardhshme mirëpo nuk besoj se z. Kurti ishte direkt pjesë e kësaj fitore. Mendimi im është se janë dy faktorë për suksesin e VV në Prishtinë. E para, ishte udhëheqja e një kampanjëtë mrekullueshme nga Dardan Sejdiu, i cili, sipas mendimit tim, me mjeshtri arriti të mbajë nën hije z. Kurti me disa tjerë që kanë kapacitet të irritojnë masat me fjalime inflamuese, dhe e dyta, këtë e ndihmoi sigurisht fuqishëm edhe arroganca e z. Mustafa që nuk nxirrte duart nga xhepat dhe injoronte të gjithë kandidatët nëpër debate.Nuk duhet harruar se VV ka filluar të ndryshojë kurs dhe kanë pushuar qeverisjen në rrugë duke kuptuar se vandalizmet, hudhja e domatëve dhe krijimi i armiqëve nuk sjellin fryte. Gjithashtu mendoj se ka edhe shumë anëtarë të VV që nuk dëshirojnë të mbeten në opozitë përgjithmonë pasi që aktualisht gjasat që të dalin si partia e parë janë shumë të vogla mirepo idetë fikse të z. Kurti po mbajnë peng një parti të tërë që do të dërgojë në skadimin e saj duke qëndruar në opozitë të përhershme. Prandaj, ndryshimin e VV e shoh vetëm te pushimi i z. Kurtit në krye të partisë dhe që rrjedhimisht nënkupton ndryshim të mëtutjeshëm të qëndrimeve dhe hapjes për kompromise që eventualisht rrit gjasat për zgjërimin e bazës elektorale përtej kryeqytetit.

Pushteti i ardhshem

Rrjedhat e tanishme japin sinjale që më bëjnë të konstatojë se LDK do të del si partia më e madhe si pasojë e përcarjes brenda-partiake të PDK-së si dhe dështimeve të politikave të tyre gjatë këtyre tetë viteve derisa VV do të vazhdoj në opozitë që mund të ngushtojë edhe më tej elektoratin në vend, dhe rrjedhimisht nga kjo situatë përfiton AAK që pritet të vazhdojë flirtimin me partinë fituese derisa të jetë pjesë e pushtetit të ardhshëm pas një pauze të gjatë në opozitë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dimal Basha, fituesit dhe humbesit, ne zgjedhjet e radhshme

Eliot Engel: I gabuar paralelizmi mes Krimesë dhe Kosovës

March 14, 2014 by dgreca

Nga Ilir IKONOMI/

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan,  Eliot Engel tha se do të ishte e gabuar të bëheshin paralelizma mes rastit të Krimesë dhe atij të Kosovës, sepse secili nga këto raste është i veçantë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Engel foli gjithashtu për sanksione të mundshme ekonomike kundër Rusisë.

Zoti Engel tha se Krimea është një rast krejt i ndryshëm nga Kosova, sepse në Kosovë bëhej fjalë për një popullsi që duhej shpëtuar.
“Në Kosovë ishte e qartë se bëhej fjalë për një histori të tmerrshme shtypjeje serbe kundër një shumice shqiptare. Atje pati një përpjekje nga diktatori serb i asaj kohe, Sllobodan Millosheviç për të spastruar etnikisht Kosovën nga të gjithë qytetarët e saj shqiptarë, që përbënin 95 përqind të popullatës. Ne nuk deshëm të lejonim spastrimin etnik ose gjenocidin, prandaj NATO-ja nën drejtimin e Presidentit Clinton, ndërmori një fushatë bombardimesh për t’i nxjerrë serbët nga Kosova. Kjo fushatë përfundoi me sukses dhe ne shpëtuam jetë të panumërta njerëzish,” tha zoti Engel.
Ai tha se gjendja në Krime është krejtësisht e ndryshme. Presidenti Vladimir Putin po tregohet agresiv dhe po përpiqet të aneksojë një pjesë të një vendi tjetër, nën pretekstin se shumica e popullsisë në Krime, që është rusishtfolëse, ka nevojë të jetë e lirë, apo se asaj po i shkelen të drejtat në një farë mënyre. Kjo është e gënjeshtërt, tha zoti Engel.
Zoti Engel tha se rasti i Kosovës është i ngjashëm me atë që po ndodh sot në Siri.
“Unë do ta krahasoja Kosovën me Sirinë. Atje kemi një popullatë civile të rrezikuar dhe është e tmerrshme që komuniteti ndërkombëtar në një farë mënyre po i kthen shpinën Sirisë.”
Kongresmeni demokrat nga Nju Jorku tha se zoti Putin duhet të tregohet i kujdesshëm, sepse në Rusi ka shumë rajone të trazuara si Çeçenia, që dëshirojnë të shkëputen. Nëse kjo fillon, tha zoti Engel, atëherë nuk dihet se ku mbaron.
“Ashtu siç mendoj se shkëputja e Çeçenisë nga Rusia nuk do të justifikohej, po ashtu mendoj se shkëputja e Krimesë nga Ukraina dhe bashkimi i saj me Rusinë nuk janë të justifikuara,” tha kongresmeni.
Zoti Engel foli për nevojën që Rusisë t’i vihen sanksione për veprimet e saj:
“Ne duhet të gjejmë mënyra për t’i vënë sanksione Rusisë, aty ku Presidentit Putin i dhemb ekonomikisht. Ai duhet ta kuptojë se ka një çmim që duhet paguar. Ai nuk duhet të mendojë se mund të fusë trupat në Krime, meqenëse Perëndimi nuk ka ç’bën pasi njerëzit me të drejtë nuk e duan luftën. Por ka shumë gjëra të tjera që ne mund të bëjmë për ta goditur ekonominë e Rusisë,” tha zoti Engel.
Kongresmeni tha se SHBA janë të angazhuara që Ukraina të shikojë nga Perëndimi dhe jo nga Lindja dhe kjo bëhet në radhë të parë duke e ndihmuar ekonominë e saj.
“Mashtruesit dhe hajdutët që qeverisnin Ukrainën, duke përfshirë Yanukovichin, i cili ishte një kukull e Rusisë, grabitën para dhe e varfëruan ekonominë e Ukrainës, prandaj ajo ka nevojë për shumë ndihmë.
Presidenti Obama po i bën thirrje Kongresit që të miratojë reforma për Fondin Monetar Ndërkombëtar, të cilat administrata thotë se janë një element i rëndësishëm për të siguruar ndihma për Ukrainën. Por disa republikanë i kundërshtojnë këto reforma, të cilat kanë të bëjnë me kontributin që SHBA dhe vende të tjera japin për këtë institucion financiar. Kongresmeni Engel tha se shpreson që mosmarrëveshja të zgjidhet, sepse Ukrainës i duhet ndihma menjëherë. Ne nuk mund ta lëmë ndihmën të presë, kjo është tepër urgjente, tha ai.

Filed Under: Analiza Tagged With: Engel: I gabuar paralelizmi mes, Ilir Ikonomi, Krimesë dhe Kosovës

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • …
  • 97
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT