• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2014

ISIS bënë spastrim etnik sistematik

September 23, 2014 by dgreca

Bëhet e qartë se intervenimi me trupa tokësore nuk është aktual, por me bomba nga ajri do të jetë vështirë të arrihet një zgjidhje afatgjatë, për më tepër nuk mund të zgjidhet katastrofa humanitare që po ndodh atje/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Ajo e paimagjinueshmja po ndodh përsëri. Këtë e dëshmon Amnesti Internacional në raportin e saj të paraqitur javën e shkuar, duke konstatuar se ajo çka po ndodh në Irakun Verior është spastrim etnik sistematik i grupeve minoritare të vendit. Raporti për spastrim dhe ndjekja sistematike e shtetit islamik ndaj pakicave është përmbledhur në një verë të përgjakshme, ndërsa në anën tjetër tregon vështirësinë e Komunitetit Ndërkombëtar për të parandaluar këtë lloj të tragjedisë.
Të mbijetuarit dëshmojnë për vrasje masive e martesa me dhunë
Të mbijetuarit dëshmojnë për vrasje masive të qindra, ndoshta mijëra, burrave dhe djemve edhe të moshës 12 vjeçare, të cilët janë dërguar në drejtime të panjohura dhe të rreshtuar janë vrarë në mënyrën më brutale. Disa i kishin mbijetuar masakrat pasi që ishin mbuluar nga të vrarit dhe pasi ishin larguar vrasësit ata ishin larguar nga zona dhe më pastaj kishin ikur nëpër male, ku as atje nuk janë të sigurt.
Dëshmia tjetër mjaft trishtuese e përfshirë në raportin e Amnesti Internacional është së gra e fëmijë të shumtë kanë qenë të shtrënguar për të braktisur shtëpitë e tyre, por që janë kapur nga IS që i ka dërguar nëpër shkolla e objekte të mëdha. Të dhënat nga disa që kanë arritur për të siguruar telefona celular tregojnë se femrat janë martuar me xhihadistë, ndërsa ato që nuk kanë pranuar ta bëjnë këtë janë shitur si skllevër. Ka raporte edhe të abuzimit seksual dhe të përdhunimit të grave dhe fëmijëve.
Edhe në mesin e atyre që kanë arritur të shpëtojnë nga egërsia xhihadiste, situata është jashtëzakonisht e vështirë. Nga qershori i këtij viti mbi 830 mijë veta ishin të detyruar të largohen nga zonat që i ka okupuar ISIS, gjë që ka rezultuar me një katastrofë humanitare, vlerëson OKB. Ndihma që duhet ofruar këtyre njerëzve absolutisht është e domosdoshme, por në të njëjtën kohë politikisht e parealizueshme. OKB nuk do të jetë në gjendje të dakordohet për një veprim më të fuqishëm kundër terroristëve të pamëshirshëm.
Ushtria irakiane u shemb si një shtëpi kartoni
Meqë ushtria irakiane u shemb si një shtëpi kartoni, ISIS u duk shumë shpejt në rajon dhe mbrojtja e popullsisë e në veçanti e pakicave dhe grupeve civile ishte jo- ekzistente. Shi për këtë, të shpërngulurit ishin lehtë të kapen dhe po të mos ishin ushtarët Peshmerga të pjesës kurde atëherë terrori shkatërrues do të merrte më shumë viktima. Ndërkaq, në anën tjetër Amensti International vlerëson se marrja e vendimit të qeverisë irakiane për të armatosur milicinë shiite vetëm sa e ka përkeqësuar edhe më shumë situatën. Në një aksion të këtoditshëm të terroristëve të ISIS u pushtuan edhe 16 fshatra në Siri dhe shi për këtë ishin të detyruar që më së 70 mijë sirian të kapërcejnë kufirin dhe të kalojnë në Turqi.Hëpërhë, nevojat janë të qarta: ndihma humanitare, mbrojtja e civilëve nga terroristet e shtetit islamik.
Me bombardime vështirë se do të këtë zgjidhje afatgjatë
Presidenti amerikan, Barack Obama, ka qenë i qartë se intervenimi me trupa tokësore nuk është aktual. Megjithatë, sulmet ajrore amerikane, por edhe ato franceze dhe të aletatëve tjerë po vazhdojnë në përpjekje për të kufizuar ambicien e shtetit islamik për një Kalifat të zgjeruar. Por do të jetë vështirë që me bomba nga ajri të arrihet zgjidhje afatgjatë. Për më tepër nuk mund të zgjidhet katastrofa humanitare: furnizimi me ushqime thjesht nuk arrinë të refugjatët, i cili është aq i nevojshëm. Me një fjalë, me gjithë të vërtetën e frustruar është se edhe pse ka ekzekutime mizore dhe vrasje masive, që sigurisht se ngjall neveri, siç duket nuk pritet ndonjë veprim më i fort. Kjo është më të vërtetë tragjedi.

Filed Under: Opinion Tagged With: Etnik, Isis, spastrim fetar, Xhavit Citaku

Në Dollestown, PA, dy gëzime në një ditë

September 23, 2014 by dgreca

Nënë e bir festuan ditëlindjet së bashku/
Nga Keze Kozeta Zylo/
Festat familjare gjithmonë janë të veçanta ngase sjellin pranë vatrës së të Zotit të shtëpisë këngë, muzikë dhe valle ku së bashku me familjarë, të aferm miq e shokë mblidhen së bashku. Në emigrim këto marrin dhe më shumë kuptim, më shumë vëmendje sepse mungesa dhe largësia e emigrantëve nga prindërit, vëllezërit dhe motrat është tepër e ndjeshme, është mall që djeg.
Është interesant se disa qytete të vogla për vëtë hapësirën gjeografike që kanë i mban dhe më të lidhur shqiptarët me njeri -tjetrin. Këtë kemi ndjerë gjithmonë sa herë që kemi marrë pjesë në qytetin Dollestown të Pensilvanisë ku jeton dhe punon një komunitet i konsiderueshëm shqiptarësh, një qytet që e ka origjinën e emrit më 1745, kur William Doyle ndërtoi tavernën me të njejtin emër. Ftesën e marrë nga Koço dhe Natasha Gaba për të festuar 60 vjetorin e Natashës dhe të të birit të tyre Ivit 35-vjetorin, e pritëm me shumë kënaqesi dhe emocion. Kur them me emocion ndjej se tek ajo familje plot kulturë ka diçka speciale, është një shkollë më vehte me dy prindër ndoshta dhe më mirë se psikologët e certifikuar… Ivi ka qenë një fëmijë në nevojë, me autizëm, por sa herë që e kemi takuar ne kemi parë rritjen, pjekurinë dhe xhentilencën që u dhuron të gjithë miqve dhe shokëve që e duan aq shumë. Ai i priste dhe i përqafonte të gjithë të ftuarit kërcente dhe këndonte krejt normal me ta, ndoshta dhe më mirë se shumë të tjerë që nuk e kanë pasion vallëzimin.
Duke punuar në programin e autizmit në shkollë të mesme në qytetin ku unë jetoj në Staten Island, dhe duke e krahasuar me përvojën time prej gati 8 vjetësh, shikoj dhe prek nga afër progresin e dukshëm të Ivit, sikur të ketë qenë në të gjitha shërbimet e posaçme që vihen këtu në dispozicion të studentëve në nevojë, si terapia e të folurit, lëvizjet fizike, ora e dëgjimit dhe sherbime të tjera që ju plotësohen me ligj nga Bordi i Edukimit. Por Ivi nuk e pati shansin të jetë në këto shkolla, pasi mungesa e dokumenteve që për ironi të fatit ka bërë që të jetë i përjashtuar nga këto programe të posaçme. Por kjo është një temë tjetër e dhimbshme… Përshëndetja e Ivit për të gjithë miqtë ishte një përshëndetje e ngrohtë dhe plot mirësi. Ja psh ai falënderoi në radhë të parë mamanë e tij Natashën që po festonte 60 vjetorin dhe që më ka rritur me shumë përkujdesje, dy gjyshërit e tij në Tiranë, nëna Bylen dhe gjyshi Gimin që nuk kishin mundësi të vinin, por ja më kanë blerë një byzylyk të argjendtë dhe ngriti dorën që i shkelqente bashkë me sytë blu, vazhdoi me tezen e tij Artën Deputeten e Parlamentit e cila na bëri surprizën më të bukur të vitit duke ardhur që nga Tirana posaçërisht për ne. Në këtë kohë Arta shkon dhe e takon dhe me lot në sy përqafohen nën duartrokitjet e të gjithë pjesëmarrësve.
Një falënderim të veçantë vazdhoi Ivi dua t’i bej Andreas dhe sopranos së shquar Lindita Mezini Loles e cila e përshëndeti me këngën e nënës, lule bore etj, TV Alba Life, dhe të gjithë ju që keni ardhur sot dhe na keni nderuar. E dëgjoja me vëmendje, dhe ndjeja se kjo ditëlindje solli veç sfidë, ngase këta fëmijë të dhurojnë një dashuri krejtësisht të veçantë, një dashuri që ju buron në gjithë qenien e tyre. Prindërit e tij dhe vëllai i vetëm Edgari, i cili punon si financier në një kompani amerikane i kanë dhënë gjënë më të shtrenjtë edukimin, durimin, dashurinë, këto nuk mund të blihen në pazar janë dhurata gati nga Perëndia…
Të gjithë e duam Ivin më thoshnin plot gra si Albana, Luljeta Jaho, Arta Bitri e shumë e shumë të tjerë që e kam të pamundur t’i përmend gjithë emrat, ai është shumë i dashur dhe zemërartë.
Por Ivi ka dhe nje aktivitet të dukshëm që nga Shqipëria, ecuria e tij nën përkujdesjen e jashtëzakonshme të prinderve intelektualë bëri që të ketë një zhvillim të shpejtë.
Ivi ka marrë pjesë në Olimpiadën Speciale në vitin 1995, ku fitoi medalje ari në garën 100 metra dhe medaljen e përfaqësimit që e meritojnë të gjithë atletët.
Pas këtij suksesi ai mori përsëri pjesë në vitin 1998 në Lojërat Botërore duke na përfaqësuar denjësisht.
Ivi u përshëndet veçanerisht nga aktori i Hollivudit dhe politikani Arnold Shvarceneger dhëndri i familjes Kennedy.
Motra e presidentit Kennedy, Eunice Kennedy Shriver ka krijuar Olimpiadën Speciale në vitin 1962 dhe sot në të aderojnë 150 shtete nga e gjithë bota.
Ndërsa burri i saj z.Shriver është një ndër themeluesit e Korpësit të Paqes.
Mbrëmja u zhvillua në restorantin “Garden of Eaten” me ushqime të shijshme shqiptare dhe pjesëmarresit u argëtuan nën tingujt e bukur të muzikës shqiptare me një harmoni dhe respekt të vecantë për Natashën dhe Ivin, ku si nënë e bir festuan ditëlindjet së bashku.
Ishte një e dielë e bukur në Dollestown me dy gëzime në një ditë.

21 shtator, 2014
Dollestown, Pennsylvania

Filed Under: Komunitet Tagged With: dy gëzime, Keze Zylo, Në Dollestown, në një ditë, PA

Një shesh me emrin “Selaniku” në qytetin e Durrësit

September 23, 2014 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli*/
Paraditen e datës 22 shtator, në sheshin përbri stacionit të trenit, {Lagja nr.4 e qytetit Durrës} u zhvillua ceremonia për vendosjen e emrit “Selaniku”, këtij sheshi. Në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i bashkisë së qytetit Durrës zoti Vangjush Dako, Kryetari i Bashkisë së Selanikut, zoti Jannis Butaris, Konsulli shqiptar në Selanik Riza Poda, përfaqësues të pushtetit lokal Durrës, përfaqësues të ambasadës greke në Tiranë, qytetarë të Durrësit, emigrantë shqiptarë në Selanik, etj. Emërtimi i këtij sheshi me emrin “Selaniku” ishte një dëshirë dhe inisiativë e kahershme e emigrantëve tanë në Selanik, të cilët në bashkëpunim më Këshillin Bashkiak dhe Bashkinë Durrës bënë të mundur realizimin e kësaj nisme. Mbasi u ekzekutuan hymnet e dy shteteve nga banda e qytetit Durrës, zoti Vangjush Dako, i uroi mirëseardhjen kryebashkiakut të Selanikut në këtë ceremoni të thjeshtë, por me simbolikë të madhe. Në vijim zoti Dako theksoi miqësinë tradicionale midis dy popujve tanë dhe rëndësinë historike, ekonomike dhe kulturore të qytetit të Selanikut në Ballkan. Në të ardhmen ne do forcojmë lidhjet e bashkëpunimin midis dy qyteteve tona tha zoti Dako. Ndërkohë zoti Janis Butaris vuri në dukje se pamvarësisht diversitetit të kulturave, mendimeve apo vështirësive të jetës, asgjë si pengon dy popujt tanë që të jetojnë në paqe dhe fqinjësi të mirë. Do punoj gjithë jetës për të forcuar vëllazërinë midis dy popujve tanë, theksoi zoti Butaris. Më pas nga dy krybashkiakët u zbulua pllaka e mermerit me emërtimin e sheshit të Selanikut. Zoti Luan Zyka, aktivist i shoqatës së emigrantëve shqiptarë në Selanik, theksoi se zgjodhëm Durrësin, për të dhënë një shesh me këtë emër, se është një qytet që ka pranuar herët diversitetin kulturor, është qytet-port si Selaniku dhe ka mjaft emigrantë durrsakë në qytetin Helen. Jam shumë i gëzuar që në Durrës kemi një shesh me emrin Selaniku, thotë zoti Panajot Kurti, i cili kishte ardhur me familjen enkas për këtë ceremoni nga Selaniku. Emigrantët shqiptarë në sajë të dëshirës së mirë të zotit Butaris dhe kolegëve të tij kanë një shesh në Selanik me emrin “Durrësi”, i cili ndodhet pranë stacionit të trenit të këti qyteti. Por mbi të gjitha më gëzon fakti që sot ka ardhur në Durrës vetë zoti Butaris, një mik i shqiptarëve. Zoti Butaris është një politikan vizionar, human dhe bashkëkohor. Për bindjet dhe qëndrimet antiraciale shpesh debaton me politikanë ekstremistë në Greqi, thotë Panajoti. Por mbi të gjithë ai është një njeri fisnik, janë të panumurta rastet që Butaris ka ndihmuar shqiptarët në nevojë. Pikërisht nën shoqërinë e durrsakëve të shumtë emigrantë në Selanik, u përcoll dhe zoti Butaris, që shënoi dhe mbylljen e ceremonisë për emërtimin e këtij sheshi, “Selaniku”, një binjak më sheshin “Durrësi” në Selanik.
* Bashkepunetor i Diellit

Filed Under: Kronike Tagged With: e Durrësit, në qytetin, Një shesh me emrin “Selaniku”, Shefqet Kercelli

PAPA YNË

September 23, 2014 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Nga mënyra si e pranoi ftesën për të vizituar vendin tonë, mua dhe jo vetëm mua Papa Françesku ma krijoi idenë se është ai është me prejardhje arbëreshe. Në Argjentinë ne kemi një komunitet arbëresh nga ka dalë edhe shkrimtari me famë botërore Ernesto Sabatto, autor i kryeveprave si “Mbi heronjtë dhe varrezat”, “Tuneli” e tjerë.
Edhe pse pritshmëria jonë nuk u vërtetua, pasi të dielën nuk e shpalli prejadhjen gjatë vizitës së tij në Shqipëri, unë parapëlqej të mbetem nga ata shqiptarë që nuk heqin dorë nga ideja fikse se Papa Françesku është papa ynë.
Është papa ynë, sepse Papa Françesku njihet botërisht si papa i të vuajturve, i të martirizuarve, i të papërkrahurve, i të pashpresëve. Rallë ndonjë vend tjetër, rrallë ndonjë komb tjetër, në të kaluarën dhe në të sotmen e vet, është mishërim i këtyre katër epiteteve sa vendi ynë, sa kombi ynë. Edhe shtegtimi i tij apostolik për tek Vendi i Shqiponjave, ishte një shtegtim ngushëllues, përkrahës, këshillues dhe nxitës. Papa Françesku iu kërkoi shqiponjave të plagosura apo shqiponjave ‘me krahë të thyera’, siç thoshte dikur Migjeni, t’i përtërijnë flatrat e tyre dhe të fluturojnë lart.
Papa Françesku iu bëri thirrje shqiptarëve, i bëri thirrje kombit shqiptar, i bëri thirrje shoqërisë shqiptare për lartësim, për mobilizim të energjive shpirtërore dhe fizike në mënyrë që të kryejë një hop të madh lartësues, të kryejë, pra një dalje, një shkëputje drejt shpresës. Ati i Shenjtë gjatë vizitës në Shqipëri, duke dalë shumë herë nga teksti, siç e vërejtën edhe reporterët dhe analistët e huaj, e përsëriti: Jeni populli me moshën më të re në Evropë!
Prandaj Papa iu drejtua brezit të ri shqiptar që të bëjë tashi, në kohën e shanseve dhe të shpresave, atë që nuk e bënë brezat e tjerë. Një rini pa plagët e trashëguara nga mijëvjeçarët, pa njollat e modave të sotme, do të ishte në gjendje të lartësonte jo vetëm veten, por edhe vendin, edhe kombin. Iu drejtua pikërisht asaj rinie, e cila, sipas sondazheve aktuale, në masën 95% i shikon shpresat tek emigrimi në vendet perëndimore.
Në këtë aspekt, si në shumë të tjera, Papa Françesku është papa i rinisë, ashtu si Papa Gjon Pali II. Në tri udhëtimet e tjera, në Argjentinë, Brazil dhe në Korenë e Jugut, Papa shënonte atje ditën e rinisë.
Duke ledhatuar shqiptarët në krenarinë e tyre, Papa Françesku, njëherësh ua kujtoi atyre plagët, të cilat janë sa të trashëguara edhe të fituara, sa të së kaluarës së pafat aq edhe të tranzicionit të mbrapshtë, aq edhe të anës së vrazhdë të globalizmit. Pikërisht në një kohë kur dikush në Shqipëri shkrryhet në Olimpet e pasurisë, ndërsa shumica absolute dergjet në kënetat dhe moçalet e varfërisë, Ati i Shenjtë dha mesazhin universal se “globalizimi i mallrave dhe i tregjeve duhet të shoqërohet me globalizimin e drejtësisë dhe të solidaritetit”.
Shqipëria është një vend që ka trashëguar nga e kaluara komuniste hendeqe të mëdha. Këto hendeqe të mëdha janë thelluar tejet frikshëm në periudhën e tranzicionit. Janë thelluar hendeqet në aspektin ndërklasor, në aspektin ndërideologjik, në aspektin ndërkrahinor etj. etj. Dhe janë krijuar plot hendeqe të tjera të reja.
Ngushtimi i këtyre hendeqeve, siç këshilloi Papa, bëhet duke shtrirë traditën tonë të harmonisë ndërfetare në të gjitha dimensionet e tjera të jetës sonë, duke krijuar shpresën, duke ngjallur shpresën e së ardhmes në vetë trojet tona, duke u ballafaquar me të kaluarën tonë, duke praktikuar ndjesën dhe faljen ndërmjet vëllezërve shqiptarë, duke u vëllazëruar, pra, nën shembulin e traditës së vëllezërimit dhe të harmonisë ndërfetare.
Papa Françesku e nënvizoi në mënyrë të veçantë rolin e diasporës në përparimin e Vendit të Shqiponjave, duke vlerësuar se një pjesë e shqiptarëve zgjodhi rrugën e emigracionit për ta ndihmuar vendin e tyre, ndërsa një pjesë tjetër vendosi të rrijë këtu për ta përparuar vendin e tyre.
Nëse në Korenë e Jugut Ati i Shenjtë bëri thirrje për bashkimin e dy Koreve, bashkimin e dy pjesëve të vendit, dy pjesëve të kombit, në Shqipëri bëri thirrje për bashkimin dhe vëllezërimin e shqiptarëve të të gjitha anëve dhe të të gjitha përkatësive nëpërmjet respektimit të idenitetit të secilit. Nuk mund të ketë respekt ndërmjet njerëzve, pa respektuar, së pari, identitetin e tjetrit, porositi Papa Fraçesku.
Me ardhjen e tij, siç e pamë, Ati i Shenjtë, i bashkoi të gjithë shqiptarët, në hapësirën e tyre në Ballkan dhe në diasporë.
Prania e Papës zgjoi emocione të mëdha tek të gjithë shqiptarët, në Atdhe dhe në botë. Por edhe Papa Françesku ishte i emocionuar gjatë gjithë kohës. Tek një natyrë e lexueshme siç është Ati i Shenjtë, kjo u vu re nga reporterët e huaj.
Gazetarët e huaj, në transmetimet e tyre të drejtpërdrejta, duke u ndaluar shpesh në faktin se kreu i Selisë së Shenjtë e zgjodhi pikërisht Shqipërinë, i zgjodhi pikërisht shqiptarët për shtegtimin e tij të parë apostolik në Evropë, jashtë Italisë, thanë se papa e konsideron Shqipërinë kështu si Porta e Evropës. Nga Porta e Evropës, theksuan ata, shtegtimin tjetër Papa do ta ketë në Strasburg, në qendër të Evropës. Pra, vendi ynë, kombi ynë, i postilirianëve, i shqiptarëve është Porta e Evropës, nuk është Evropë dhe Azi, nuk është Lindjen dhe Perëndim, nuk është edhe kështu, edhe ashtu, nuk është as kështu, as ashtu, siç është nënvizuar shpesh deri sot, pa vizion dhe pa mirëdashje – është Porta e Evropës, është çelësi dhe kyçi i Evropës, do të theksoja një tjetër togfjalësh që u përmend shpesh të dielën.
Katolikët shqiptarë, janë të vetmit katolikë të mbijetuar në gjithë Ballkanin e Bizantit dhe të post Bizantit. Vendi i Shqiponjave, trojet shqiptare në tërësinë e tyre, janë e vetmja hapësirë në Ballkan, ku krishterimi perëndimor i përballoi sfidat e të gjitha stuhive dhe rrebesheve, që nga shtegtimi i parë i Shën Palit në tokën tonë, diku nga vitit 46 i erës së re, deri në ditët tona. Ky është një dimension i qytetërimit, tejet i fuqishëm, i pandërprerë dy mijë vjet, që askush tjetër nuk e ka në juglindjen as në lindjen e kontinentit tonë.
Sigurisht, kjo ka ndikuar në mënyrë vendimtare që Papa Françesku, pa asnjë ngurim, ka marrë vendimin për të ardhur në Vendin e Shqiponjave. Kjo flet për një vëmendje të plotë të Vatikanit dhe të Perëndimit ndaj shqiptarëve, vëmendje e cila, nëse ne i shërbejmë këtij vizioni, në të ardhmen do të rritet në mënyrë vendimtare.
Në fjalimet e tij, Papa Françesku përmendi shpesh fjalë të Papës Gjon Pali II të shqiptuara 21 vjet më parë gjatë vizitës së 23 prillit 1993. Papa Gjon Pali II ishte papa ynë. Mendoj se Papa Françesku do ta zhvillojë dhe do ta realizojë vizionin që Papa Gjon Pali II kishte për ne. Edhe për këtë, unë prirem ta thërras edhe Papa Françeskun papa ynë.

Filed Under: ESSE Tagged With: PAPA YNË, Skender Bucpapaj

LAJM MORTORE NGA FAMILJA SYLAJ NE SHBA

September 23, 2014 by dgreca

Me pikëllim dhe dhimbje njoftojmë Farefisin,Miqët, Shokët dhe dashamirët se të Djelën me datën 21 Shtator 2014 ne Norwalk Connecticut të SHBA-ve, në moshën 37 vjecare, ndrrojë jetë më i dashuri ynë,Paul Gjone Sylaj.
Trupi i të ndjerit Paul do të ekspozohet të Ejtën me datën 25 Shtator në
BOSAK FUNERAL HOME
453 SHIPPAN AVENUE
STAMFORD CT 06902
Duke filluar nga ora 2:00 PM deri në ora 9:00 PM
Mesha për të ndjerin Paul Gjone Sylaje do të mbahet të Premten me 26 Shtator në Kishën Katolike ST. Matthew 216 Scribner Avenue Norwalk CT ne ora
10: 00AM
Pas meshës trupi i të ndjerit do të përcillet për në banesën e fundit në Varrezat ST. Johns Cemetery
Richards Avenue
Norwalk CT
E Pikëlluara
familja Sylaj
Gjon Syla me bashkëshorten Halina Sylaj,djemët Toni dhe Lone Sylaj
Axhët Pjetër Sylaj dhe Dode Sylaj
Kërkojmë ndjesë për ndryshime të Datave
Për informata më të hollsishme thirrni në telefonin e familjes Syla 1-203-981-7480

Filed Under: Komunitet Tagged With: Familja Sylaj, Lajm Mortor, Paul Sylaj, SHBA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT