• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2014

Edhe përfaqësuesit e “ Vendlindja thërret” keqpërdorën mjetet

September 24, 2014 by dgreca

Përse mërgata shqiptare nuk organizon aksione të mëdha humanitare?/
NGA XHAVIT ÇITAKU/
Duke u munduar të gjejë përgjigje në këtë pyetje në mesin e mërgimtarëve tanë, kuptova se shkas kryesor për këtë është keqpërdorimi i Fondit të Trepërqindshit dhe atij “ Vendlindja Thërret”,nga persona përgjegjës të cilët në vend që të gjenden në burg tash sorollaten rrugëve, bizneseve por edhe në institucione shtetërore, duke bërë jetë luksoze me djersën mërgimtare
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Mërgata shqiptare e shpërndarë në shtete e kontinente të ndryshme ishte njëra ndër mbështetësit kryesor i të gjitha proceseve të rëndësishme që u zhvilluan në Kosovën e okupuar nga regjimi fashist serb, por edhe jashtë saj. Aktivitet më të qartë dhe konkret ata treguan sidomos gjatë viteve të nëntëdhjeta atëherë kur populli kishte nevojë më së shumti, atëherë kur situata ekonomike ishte aq e rëndë sa që pa ndihmën e bashkatdhetarëve tanë vështirë se do të mund të përballohej. Nuk kursyen mund e djersë që t’iu dilet në ballë gjithë atyre kërkesave të shumta që vinin nga Kosova. Forma më e përshtatshme, më e dobishme, por edhe më e besueshme që do të prodhonte rezultate e efekte të mira në gjithë hapësirën kosovare ishte mënyra organizative në vijën shtetërore, kërkesë kjo që doli nga shumë aktivistë dhe veprimtarë të devotshëm të çështjes shqiptare. Së këndejmi,, ndonëse ishte duke vepruar qeveria në ekzil doli propozimi që të formohet një fond i cili do të udhëhiqej dhe do të kontrollohej nga ministria përkatëse e kësaj qeverie, përkatësisht nga Ministria për Ekonomi dhe Financa. Pas shumë bisedave dhe kontakteve të organizuara u mor vendim që të formohet Fondi i Trepërqindshit, i cili u përkrah dhe u mbështet nga shumica e mërgimtarëve tanë. Ishte i njohur edhe krijimi i Fondit të Ahenit në Gjermani , por ai më vonë u shkri në këtë formë tjetër më organizative që filloi punën mbarë.

Grumbullimi i mjeteve në Fondin e Trepërqindshit ishte impozant

Para se të formohet ky fond vlen të përkujtohet se në shumë shtete u organizua edhe aksioni i ashtuquajtur i Tridhjetpërqindshit, që ishte trilluar kinse për një luftë eventuale që do të mund të fillonte në Kosovë, nga i cili i grumbulluan miliona marka gjermane. Ndërkaq, në fondin e Trepërqindshit, që u zgjerua në të gjitha mjediset ku kishte komunitet shqiptar vazhdoi derdhja e mjeteve për çdo muaj. Thënë konkretisht, bashkatdhetarët tanë ndaninë nga tre përqind të të ardhurave të realizuara në familje, ndërsa nëse nuk ishin të punësuar nga tre përqind të të ardhurave të ndihmave sociale. Rezultatet e arritura në grumbullimin e mjeteve ishin inkurajuese fal angazhimit të madh të anëtarëve të komisioneve, të cilët këtë punë e bënin vullnetarisht. Vullnetarët e këtij Fondi aq mirë e kryenin punën sa që nuk përtonin që të sakrifikojnë edhe shumëçka vetëm e vetëm që populli në Kosovë të mos ndihet i pasigurt për shkak të mungesës së parave. Ashtu siç ishte paraparë me rregullore, anëtarët e komisioneve bënin grumbullimin e mjeteve në ato mjedise ku punonin e jetonin dhe më pastaj ato i derdhnin në llogarinë e Fondit Qendror të shtetit përkatës dhe i vetmi që ishte i autorizuar për t’i tërhequr ato mjete ishte Kryetari i Komisionit Qendror, i cili ato i dërgonte në xhirollogarinë e qeverisë në ekzil. Për çdo pagesë jepej dëshmia për secilin dhurues të këtyre mjeteve. Vite të tëra këtë obligim atdhetar e kryen mbi 70 për qind e mërgatës shqiptare dhe me të drejt mund të konstatohet se nëse dikush mund të pyet se si duhet atdheu atëherë lë të shijoj kurbetin, i cili hap rrugën e mbarë për të punuar e kontribuar për vendlindjen. Nuk është vetëm pagesa e Trepërqindshit që e karakterizoi zemërgjerësinë e bashkatdhetarëve tanë, por janë edhe shumë e shumë shembuj të tjerë që ata sakrifikuan dhe ndihmuan atdheun. Me një fjalë, ata pos pagesës mujore, organizuan edhe shumë aksione të tjera humanitare ku u grumbulluan shuma milionëshe, pastaj ndihmuan familjet e tyre, të sëmuret, ndërtimin e shkollave, të xhamive dhe shumë e shumë raste të tjera që u kërkuan nga mërgata jonë.

Kontribut i madh edhe në Fondin “ Vendlindja thërret”

Me fillimin e luftës në Kosovë u shtrua domosdoja që çlirimtarët të ndihmohen materialisht në mënyrë që liria e synuar të fitohet më shpejt dhe sa më me pak pasoja. Dhe ishin prapë mërgimtarët ata që iu përgjigjën pozitivisht thirrjes për të ndihmuar luftën çlirimtare dhe kësisoj pa ngurrim derdhen mjete të mëdha në Fondin “ Vendlindja thërret” që ishte formuar “ enkas” për këtë qëllim nga LPK-ja. Për dallim nga Fondi i Trepërqindshit ku mjetet derdheshin në xhirollogari, në Fondin “ Vendlindja thërret” parat në të shumtën e rasteve iu dorëzoheshin veprimtarëve të autorizuar dhe më pastaj ato i “ dërgonin” në Fondin qendror. Kjo formë e dhënies kesh të parave ishte aplikuar për shkak se qeveritë e shumë shteteve në fillim nuk lejonin që të “ zyrtalizohet” ndihma për UÇK-në nëse kështu shkurt mund të thuhet. Me shuma të mëdha të grumbulluara, ku nuk kursehej edhe paraja e fundit e bashkatdhetarëve tanë, u bë e mundshme që të sigurohen armë aq të nevojshme për UÇK-në. Pavarësisht se kjo temë e shtjelluar në mënyrë bukur shumë të përgjithësuar nuk ka për qëllim që të flitet për luftën e zhvilluar në Kosovë, doemos do përmendur se shumë mërgimtarë tanë pos ndihmës materiale, lanë jetën “ luksoze” në perëndim dhe ia mësynë vendlindjes dhe së bashku me pjesëtarët e UÇK-së luftuan deri në çlirimin e vendit. Shumë prej tyre dhanë edhe jetën në altarin e lirisë e besa shumë të tjerë u plagosën dhe mbetën edhe pa gjymtyrë të trupit.

Mosmarrëveshjet e pakuptimta e të dy fondeve

Pa asnjë hezitim mund të konstatojmë se mërgata shqiptare ishte aq mirë e organizuar, në rend të parë, se në mesin e saj mbretëronte një entuziazëm, vullnet e krenari për të ndihmuar atdheun, për të fituar lirinë, për t’i dhënë mbështetje kombit që ishte në rrezik të zhbëhet. Ishte e çuditshme, e pakuptueshme dhe e pafalshme sjellja e përfaqësuesve të të dy fondeve që ia kishin vënë “ lakun në fyt” mërgatës shqiptare duke e shtrënguar për herë e më shumë që të ndaj mjete për këto fonde që kishin të njëjtin qëllim: çlirimin e vendit. Fatbardhësisht, edhe pse komuniteti shqiptar në diasporë kishte obligim të madh për të mbajtur edhe familjet dhe të afërmit në vendlindje, këto “ lojra” të përfaqësuesve të Fondit të trepërqindshit dhe “ Vendlindja thërret” nuk i zmbrapsen, përkundrazi ata me të njëjtin ritëm kryenin edhe obligimin atdhetar e patriotik. Megjithatë, mërgimtarët ishin të zhgënjyer me dallimet që ekzistonin ndërmjet faktorit ushtarak dhe politik të vendit, ndërsa në anën tjetër ishin po këta mërgimtar që ua kishin bërë të mundshëm të funksionojnë të dyja palët. Dhe ç’është edhe më keq për këtë as që pyeteshin ata që i mbanin gjallë këto dy subjekte.

Qindra miliona marka gjermane u “ avulluan” pa dhënë askush përgjegjësi

Fondi i trepërqindshit kishte funksionuar mbi një dekadë dhe shi për këtë në të u grumbulluan qindra milionë marka gjermane, të cilat u menagjuan kryesisht nga Kryeministri i qeverisë në ekzil Bujar Bukoshi dhe Ministri për Ekonomi dhe Financa Isa Mustafa . U grumbulluan aq shumë para sa që patën “ luksin” këta menagjerë të parasë mërgimtare që të hapin edhe Bankën e emërtuar “ Dardania” në Tiranë, për të cilën as sot e kësaj dite nuk dihet se çka u bë me të, apo më mirë më thënë humbi pa gjurmë si e tërë. Po t’i kthehemi edhe njëherë mjeteve qindra milionëshe të derdhura nga djersa dhe mundi i bashkatdhetarëve tanë, të cilët edhe tash shtrojnë pyetjen se çfarë u bë me ato para që me mund e djersë i kishin fituar duke punuar edhe punë jashtëzakonisht të vështira vetëm e vetëm që të ndihmohet populli në Kosovë dhe lufta çlirimtare. Çuditërisht nga askush ama nga askush nuk ka përgjigje se ku u tretën ato mjete, në xhepin e kujt përfunduan dhe cili ishte ai që fitoi më së shumti në dëm dhe në kurriz të mërgimtarëve tanë. Pas përfundimit të luftës u mbajt edhe mbledhja e parë e Kuvendit të LDK-së ku ishte i pranishëm edhe Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, ku edhe unë mora pjesë nga mediat, dhe ndër të tjera një kuvendar pati pyetur se çfarë u bë dhe çfarë do të bëhet me mjetet e trepërqindshit, pyetje kjo që iu shtrua direkt Bukoshit. Mirëpo, Bujar Bukoshi as që u “ kuq” të kthej përgjigje dhe kështu kjo temë nga atëherë kaloi në margjina të interesimit, sidomos të organeve më të larta partiake të LDK-së, si bartëse e të gjitha aktiviteteve në këtë drejtim por edhe të organeve shtetërore të Republikës së Kosovës. Me një fjalë, këtu ka vend për përgjegjësi jo vetëm morale por shumë më shumë penale, ngaqë ato para do të duhej të derdheshin në arkën e shtetit e jo të përfundojnë në duart e atyre që ishin përgjegjës që me nikoqirllëk t’i përdorin e t’i shpenzojnë. Do të jetë e pafalshme për këto gjenerata mërgimtare që të mos thirret askush në përgjegjësi dhe që aq keq të përbuzet ajo e mirë e tyre që u dha me vite të tëra.

Edhe përfaqësuesit e “ Vendlindja thërret” keqpërdorën mjetet

Edhe pse nuk kishte jetë të gjatë, Fondi “Vendlindja thërret” arriti që të “ vjel” po ashtu miliona marka gjermane, franga zvicerane e dollar amerikan. Ndonëse nuk mund të krahasohet ky fond me atë të trepërqindshit përkah shuma e mjeteve, megjithatë keqpërdorimi i djersës së punëtorëve tanë ishte shumë më i pranishëm, në rend të parë, se në fillim parat dorëzoheshin në duar të katër pesë individëve të Komisionit Qendror të shteteve përkatëse, që nuk “ përtonin” natë e ditë të shkojnë nga një qytet në tjetrin për të marrë parat e grumbulluara nga mërgata shqiptare. Kjo formë e grumbullimit të mjeteve ishte aplikuar për shkak se shtetet perëndimore në fillim nuk e njihnin UÇK-në dhe nuk lejonin që parat të derdhën në bankat e tyre. Se sa marka e deviza tjera kanë derdhur këta aktivistë në Fondin qendror, që thuhej se ishte në Zvicër, kjo lë të mbetët në nderin dhe moralin e tyre. Pa fije dyshimi mund të thuhet e konstatohet se nderi e morali i shumë prej tyre ishte i kufizuar për shkak të lakmisë që kishin. Edhe këtu ka vend për Prokurorin që të hap rrugë të hetimit ndaj të gjithë atyre që tash nga ato mjete janë bërë multimilioner, që kurrë nuk do t’ia shohin hajrin. Këtë e pret tash e 14 vjet më parë mërgata shqiptare. Ndaj edhe njëherë me anë të këtij shkrimi po i drejtohemi organeve të drejtësisë, policisë e të prokurorisë që të aktivizohen dhe të veprojnë konkretisht aq më shumë për t’iu dalë hakesh mërgimtarëve tanë. A ishte përgjegjësi kryesor Xhavit Haliti me të tjerët nuk mund të definojmë konkretisht sepse parat grumbulloheshin në emër të UÇKsë. Por ky emër përflitet si personi që ishte përgjegjës për këtë Fond. Dihen përgjegjësit e të dyja fondeve vetëm duhet guxim dhe ndjekje penale për të gjithë ata që keqpërdorën mjetet aq të mëdha të mërgatës shqiptare duke aplikuar ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës dhe pikë.

Njëherë u mashtruan

Duke u nisur nga këto mashtrime që iu bënë bashkatdhetarëve tanë, është për të ardhur keq se më nuk po organizohen aksione të mëdha e aq të nevojshme humanitare që aktualisht i duhen sidomos familjeve të varfëra që nuk janë të pakta e posaçërisht të atyre që nuk kanë kulm mbi kokë. Kam kontaktuar shumë mërgimtarë në Gjermani, Zvicër e Suedi më të cilët kam biseduar pikërisht për këtë temë të rëndësishme dhe jam munduar që me ta dhe të tjerët të gjejmë një “ zgjidhje” të pranueshme për mënyrën e grumbullimit të mjeteve që do t’iu dedikoheshin familjeve në nevojë. Përkundër gatishmërisë së tyre për të kontribuar materialisht në këtë drejtim ku do të përshiheshin shumica e mërgimtarëve tanë, përgjigja e tyre ishte negative. Ata thanë: Një herë na mashtruan bile shumë keq, kurrë më. Ja, pra se çfarë bënë këta kriminel që i morën ato qindra milionë para në deviza të ndryshme dhe pa fije turpi tash sorollaten rrugëve, bizneseve e brenda institucioneve të vendit, duke shitur mend se sa patriot ishin . Dorën në zemër, humaniteti i bashkatdhetarëve tanë nuk ka pushuar as sot e kësaj dite ngaqë ata individualisht e në grupe po ndihmojnë vazhdimisht qytetarët e vendit tonë, mirëpo organizimi i ndonjë Fondi të madh hëpërhë është i parealizueshëm. Mallkuar qofshin ata lakmitarë e kriminel që tash me djersën e mundin e mërgimtarëve bëjnë jetë luksoze.

Filed Under: Opinion Tagged With: Edhe përfaqësuesit e “ Vendlindja thërret”, keqpërdorën mjetet, Xhavit Citaku

GAZETARI SPIUN DOREHIQET, PO SPIUNET TANE?

September 24, 2014 by dgreca

Spiunët që pritën Papën/
Nga Nebil ÇIKA/
“Kam zgjedhur të mos e mashtroj Zotin dhe të bëj këtë rrëfim publik. Refuzoj që të bëhem Juda përpara Krishtit, edhe pse ata që po dëgjojnë këtë sot nuk do e kuptojnë saktësisht se çfarë po ndodh,”tha ai të dielën.“U kërkoj falje të gjithëve”. Ai është një nga gazetarët më të njohur në televizion, por edhe në radio. Por Robert Turcescu tronditi opinionin publik në Rumani kur pranoi se për vite të tëra ka punuar si oficer i lartë në shërbimin e inteligjencës ushtarake. Pasi bëri rrëfimin, Turcescu tha se heq dorë nga emisioni i tij në televizionit B1TV. “Po, kam qenë nënkolonel i maskuar. Kam zgjedhur të mos e mashtroj Zotin dhe të bëj këtë rrëfim publik. Sipas BIRN, deklarata erdhi pasi Turcescu publikoi në blogun e tij një regjistër ushtarak dhe dy dokumente për pagesat që ka marrë nga shërbimi inteligjent. Turcescu drejtonte një emision televiziv të quajtur “Nën pyetje”, ku intervistonte politikanët dhe figurat kryesore në Rumani.”
Ky ishte me pak fjalë lajmi që portali i njohur shqiptar “Opozita.com” emetoi për publikun shqiptar që nuk tronditet dot si ai rumun nga një fenomen i tillë. Shqipëria vazhdon të jetë i vetmi vend evropian që nuk ka bërë asgjë gjë për hapjen e dosjeve të sigurimit, ndërkohë që njerëz të njohur si pjesëtar apo spiun të tij, vazhdojnë karrierat politike e profesionale sikur kjo CV e tyre të ishte një bonus e jo e kaluar kriminale. Të bën përshtypje motivimi i autodekonspirimit të gazetarit rumun i cili ndjehet keq para Zotit për këtë pjesë të veprimtarisë së tij ndërkohë që në Shqipëri edhe pse i kanë dekonspiruar të tjerët vazhdojnë të jenë në “majat” e gazetarisë në një rreth vicioz njerëzish, që duket se kanë marrë peng opinionin publik e me sa duket për të qenë këtu, lidhja me Sigurimin e Shtetit është një kusht.
Çështja e punëtoreve dhe bashkëpunëtorëve të shërbimit sekret të diktaturës komuniste dhe aksesi i tyre në politikë, media, diplomaci, drejtësi e shoqëri civile, është vlerësuar dhe vlerësohet si arsyeja kryesore e ngërçit dhe deformimit të demokracisë së tranzicionit, drejt të cilës po vazhdon shumë gjatë. Hapja e dosjeve dhe ligji i lustracionit janë ende një domosdoshmëri dhe duhet të vijë si detyrim ndërkombëtar në kushtet kur politika, administrata, media dhe shoqëria civile janë të kapura e në konflikt interesi me këtë çështje.
Ajo që po ndodh në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më tronditëse kur shikon reagime si ky i gazetarit rumun. Këtu spiunllëku është kthyer në një vlerë dhe pa të karrierat në të gjitha fushat e jetës janë të vështira, pothuajse të pamundura. Kaq dominues është ish-sigurimi i shtetit në jetën tonë sa edhe vizita e Papa Franceskut u kontrollua, u drejtua e u shoqërua nga njerëz të njohur si agjentë apo drejtues të Sigurimit të Shtetit. Meqë jemi tek gazetaria, ish-agjentë publik por edhe të përfolur si spiunë të sigurimit të shtetit që dominojnë opinionin publik, ishin zgjedhur si protagonist kryesor të vizitës së Papës apo shoqërues mediatikë të tij. Nuk kishte cinizëm më të madh kur një shkrimtar e analist i njohur publikisht si spiun i sigurimit, u ftua nga ambasada shqiptare në Vatikan si përfaqësues e protagonist i shtypit e kulturës shqiptare, ndërkohë që të përfolur të tjerë u përzgjodhën si shoqërues dhe përfaqësues të gazetarisë në udhëtimin e Tij, ardhje e kthim. Fakti që Papa Fançesku i dedikoi vizitën e tij martirëve të fesë, viktima të drejtpërdrejta të sigurimit të shtetit, ishte detyrim që të paktën në këtë rast, pala zyrtare shqiptare në politikë e media të mos përfaqësohej nga sigurimi i shtetit, gjë që fatkeqësisht nuk ndodhi. Nuk e di nëse ka cinizëm e paturpësi me të mëdha se kaq.
Por nuk ka si të ndodhë ndryshe. Ata janë prezent në krye të punëve, ku edhe të huajt janë të detyruar t’i pranojnë e të punojnë me ta. Fakti që nuk janë hapur dosjet, nuk përjashton as institucionet fetare, përfshirë këtu edhe Kishën Katolike, ku gjatë vizitës së Atit të Shenjtë, prania kaq hapur e provokuese të Sigurimit mund të justifikohej vetëm me mos reagimin nga ana e saj. Në fund të fundit ky është një hall i madh por edhe përgjegjësi e shqiptarëve që kanë lejuar e janë pajtuar me një situatë të tillë, të tjerët mund të mos e pëlqejnë por nuk u prish edhe aq punë.
Nuk ka se si të pretendosh pastrimin e media-s nga sigurimi i shtetit, kur shumica e pushteteve janë të mbushur e të dominuar nga ta. Në grupin e madh të mikpritësve të Papës ishte vetë shefi i fundit i Sigurimit të Shtetit Garamoz Ruçi, madje përkrah tij nën një çadër shiu me kreun e grupit parlamentar të PD Edi Ploka. Një tjetër hetues i njohur i sigurimit të shtetit Spartak Braho, është kreu i sigurisë kombëtare në parlament. Edhe opozita e “djathtë” nuk duket se është jashtë kësaj valleje. Përgjegjëse politike e morale për mos dekomunistizimin e vendit dhe nxjerrjen e shtetit e shoqërisë apo edhe vetes nga kontrolli e aksesi i Sigurimit, arsye që besohet se i shkaktoi humbjen e madhe në zgjedhje 2013, ajo vazhdon të tregojë të njëjtin qëndrim edhe sot. Mjafton fakti që analistët apo më mirë të themi mbrojtësit mediatikë të opozitës në debatet kryesore gazetareske në vend, janë dy ish spiunë të deklaruar botërisht të Sigurimit për të kuptuar influencën që ish-policia politike komuniste ka edhe në krahun “antikomunist” në politikë e media.
Ka shumë fije të vjetra, lidhje familjare, etj, që i garantojnë ish-sigurimit të shtetit një rol dominues në zhvillimet shqiptare të të gjitha aspekteve. Ky është shkaku kryesor që Shqipëria ka këtë demokraci hibride të pashoqe si në asnjë prej vendeve ish-komuniste të Evropës, ndërkohë që për standarde perëndimore as që mund të bëhet fjalë. Dominimi i spiunëve edhe në një vizitë ku pastërtia morale ka një rëndësi të veçantë, siç ishte vizita e Papës, përveç trishtimit për gjendjen aktuale të politikës, shtypit dhe shoqërisë sonë civile, paraqet edhe një zymtësi për të ardhmen. Për mea culpa, dorëheqje, ngjarje e histori si kjo e gazetarit rumun, as që mund të behët fjalë.

Filed Under: Komente Tagged With: Gazetari spiun, Nebil Cika, Robert Turcescu

UNAZA E RE, E MADHE, E PLAVË-GUCISË

September 24, 2014 by dgreca

Shkruan: Ramiz LUSHAJ/
1.Kjo rrugë e sodit, 25 shtator 2014, që po niston prej Deçanit e shkon në Plavë e prej këndejna merr për në Guci e drejt e në Vermosh e mbasandejna bie në Shkodër, po më përnget si një unazë e trefishtë dhe një e vetme: Gjeo-strategjike. Etno-historike. Turistike.
Kjo Unazë, brenda trinisë të lumenjve Lim-Cem-Drin, si dikur në ato kohna para e mbrapa Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, po e rilidhë Plavë-Gucinë me dy kryeqëndrat e saj sanxhakore e shpirtërore, ekonomike e kulturore: me Pejën (Rrafshin e Dukagjinit) edhe me Shkodrën (Ultinën Bregdetare nga Lezha në Podgoricë).
Tashti ka me u ringjallë krahina e Plavë-Gucisë me qytetet e saj, me luginat e bjeshkët e saj. Si në verë, pothuaj edhe në dimër. Dikur, si në Guci edhe në Plavë, krahinë me mbi 20 mijë banorë, kanë pasë prona tokësore e dyqanet (shitoret) e veta edhe Haxhi Zekë Byberi i Lidhjes Shqiptare të Pejës, edhe Veziri i Shkodrës, edhe Begollët e Pejës, edhe Ali Pashë Gucia e Rexhepagajt, edhe… Kësokohe, thuhej se ishin edhe pesë dyqane florini (edhe me unaza)…, edhe nji sahatxhi…Pa dy fjalë: kishte zhvillim të madh, pasi ishin rrugët e karvajeve prej Peje në Shkodër.
Zoti po e bekon prapë krahinën e Plavë-Gucisë me rrugët e saj, rilindjen e saj, ardhmërinë e saj.
2.Plavë-Gucia, si rrallkush, e mirë/din’ se mungesa e rrugëve në trollin tand të çon rrugëve të botës. Kahmos. Gjithkund. Tashti kjo “Unaza e Madhe” ka me i ba shqiptarët etnik ma trojenik si farë e ngultarë. Shqiptarët kanë me u ba ma të pasur, ma të lumtur, ma të ditun.
Kjo krahinë e bekuar ka pa fillue me u pakë në shqiptarë, me u mplak shqiptarët e këtuhit, me iu mpak’ fuqitë, me e pa bijë e bija, nipa e mbesa ma së shumti në stinën e verës.
Po tashti, Plavë-Gucia, me kit’ Unazë Deçan-Plavë-Guci-Shkodër ka me u “Nusërue”. Për at’ Zot ka me i pasë hije: Vendi është i bukur. Njerëzit janë të mirë.
Kanë me u shtue djepat me djemë. Kanë me ardhë nuset edhe nga larg, pasi miqtë kur kanë angazhime a përnguti kanë me mujtë me ardh’ nga Shkodra e Podgorica, nga Mirdita e Kukësi e Mitrovica, nga Prizreni e Prishtina dhe me e pi hangër drekën në Plavë-Guci e darken tek shtëpia e vet.
E ka pa thanë Fishta i madh se bash këtu rri Ora e Shqypnisë… Tashti e kanë në dorë vet bijtë e bijat e saj me ia mbrri prapë kësaj dite, epoke. Si në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, edhe në kit’ Lidhje të madhe Euro-Atlantike: BE e NATO.
3.
Kjo “Unaza e re” e Plavë-Gucisë është qytetërim modern, bashkëkohor.
Si qytetet e mëdha të botës që kanë edhe unaza të vjetra i ka edhe kjo: Rruga rretherrotull e gategat prej Plave në Rrozhajë e Pejë e Bregut të Drinit (apo Rrugës së Kombit) e në Shkodër e prej atyhit në Podgoricë e Kolashin-Plavë. Ka’i’herë do duhet edhe kjo Unaza e vjetër.
Po tashti e kemi edhe kit’ Unazen e re.
Veç kësaj, e thashë – si në vende me qytetërim modern, janë edhe unazat e brendshme. Unazat e vogla. Po ecë drejt përfundimit Rruga Plavë-Çerem (Valbonë)-Bregut të Drinit-Porti i Shëngjinit (edhe Tiranë, edhe Shkodër). E ka i pasë dy unazat e vogla, ma së forti turistike: Atë, Plavë-Valbonë-Liqeni i Komanit-Shkodër-Vermosh-Guci. Atë, Guci-Plavë-Deçan (Pejë-Rugovë-Junik)-Gjakovë (Prizren)–Tropojë-B.Curri-Valbonë-Plavë.
4.
Kjo Unaza e Madhe e Plavë-Gucisë është me të vërtet e madhe. Të tillë po e ban dhe zhvillimi euro-atlantik, qytetërimi ynë shqiptar bashkëkohor, klima politike euro-ballkanike, etj.
Kjo Unazë e Madhe nuk është vetëm përskej e ndërmjet trinisë së lumenjve Lim-Drin-Cemi, po edhe Plavë-Deçan-Rruga e Kombit-Shkodër-Vermosh-Guci. Pra, një rreth hapësinor tejet i madh.
Kjo Unazë e Madhe është sa kombëtare edhe ndërkombëtare, pasi kalon nëpër tri shtetet e sotme ballkanike: Shqipëria Londineze, Kosova Euro-Atlantike e Mali i Zi (që kurrihere s’po do “e s’po di” me u ba i Bardhë). Gjithkahit kalon nëpër territore etnike shqiptare.
Si kurrnjiherë tjetër, po vjen e madhja Ditë Historike, që kjo Unazë e Madhe njëherash edhe Euro-Atlantike, ka me na i lidh ndërveti Kohnat, Tokat, Zemrat Shqiptare, me rrugët e saj të paqes, zhvllimit, qytetërimit modern.
5.
Sot, më 25 shtator 2014, kur t’ia nisni punimeve të Rrugës Deçan-Plavë dijeni se “Jam në Deçan edhe pa kanë aty në Deçan” e mos më vnoni mungesë se unë kurrë nuk jam i munguar për kilometrat trasetor, shpirtëror, zhvillimor të kësaj rruge të re.
Kjo rrugë është edhe e imja, jo vetëm se jam brenda Unazës së saj të Madhe, se më çon ma shpejt tek trolli im / ynë, tek gjaku im / jonë, drejt progresit bashkëkohor, qytetërimit modern.
Po edhe për disa arsye e realitete të kohës sotme e të nesërme.
Kjo rrugë është kombëtare, ndërshqiptare – rrugë e Kombit tim Shqiptar.
Kjo rrugë është edhe ndërkombëtare, ndërballkanike- rrugë e Ballkanit tim.
Kjo rrugë është edhe Euro-Atlantike – rrugë e të ardhmes tonë të përbashkët në brigjet të Limit e Drinit, të Adriatikut mesdhetar e të Atllantikut ndërplanetar.
Zakonisht, shqiptarçe, kur bajmë ndonjë punë të tillë të madhe, vepër të madhe si kjo Rruga Deçan-Plavë, pasi i përfundojmë ato në kohë të tejzagjatur, fillojmë e thurim edhe legjenda të ndërtimit të saj. Në fakt, kësaj here, më duket se ka ndodh disi ma ndryshe: Vet ndërtimi i kësaj Rruge nga Ëndrra, Projekti e Përurimi i fillimit të saj ishte një Legjendë. Një Legjendë me Rrena e me të Vërteta. Një legjendë aspak legjendare.
Tashti Rruga Deçan-Plavë që e kishim Ëndërr të vjetë e të re, po bahet Realitet prej sodit, 25 shtatorit 2014, në kit’ Rend të Ri Botëror, në kit’ botën e tashtit, Euro-Atlantike. Do të deshiroja që kjo Rrugë të jetë fakt e faktor Kombëtar e Ndërkombëtar, e investuar me ideale të larta e fonde të mëdha, që ky Realitet me dritën e përurimit të mos kthehet në Ëndërr…Zoti e Bekoftë këtë Rrugë e Njerëzit e saj, 25 Shtatorin e Saj / Tonin çdo ditë të saj krejt zhvillim dhe plot qytetërim, jo vetëm për Plavë-Gucinë, po për tri shtetet e Ballkanit.
Në Deçan pa kanë n’Deçan,
më 25 shtator 2014

Filed Under: Reportazh Tagged With: e madhe, E PLAVË-GUCISË, Ramiz Lushaj, UNAZA E RE

Frederik Ndoci:Para Papës këndova shtatë këngë…

September 24, 2014 by dgreca

PERSONAZH/ Flet këngëtari i mirënjohur Frederik Ndoci/
-Para Papës këndova shtatë këngë, e para “Një ditë shprese”/
-Për këtë ditë bëmë 2 muaj prova, të gjithë në mënyrë vullnetare/
-Kori i liturgjisë kishte 200 këngëtarë, i pesë Diogjezave të Katolikëve Shqiptarë/
– Ne qëndruam pranë altarit prej orës 7 e 30 deri në orën 14-00, pra rreth 7 orë/
-Në mes kishtarëve papa u shpreh, është pritja surprizë e jetës sime/
-Mora rreth 1200 mesazhe nga shumë vende të botës/
– të gjithë më shkruanin sot pamë Shqipërinë e vërtetë, 2 miliardë njerëz ju ndoqën live/
Nga Albert Z. ZHOLI/
Këngët e kënduara në meshën e Papës
-Mesha (koncerti) u hap me këngën “Një ditë shprese”, kënduar në Festivalin e 52 të RTSH. Muzika Frederik Ndoci, teksti Agim Doçi.
-Kënga e dytë ishte “Ave Maria” e Shubert, të cilën e këndova së bashku me bashkëshorten time Alisa Baraku. Këtë këngë e kënduam kur Papa doli nga Presidenca.
– Kënga e tertë ishte kënga “Martirët e fesë”, këngë të cilën e këndova kur Papa rrotullohej rreth sheshit “Nënë Tereza”. Edhe kjo këngë është nën kompozimin tim dhe me tekst të Agim Doçit.
-Pastaj ishin katër këngë të ndryshme liturgjike të cilat u kënduan me korin dhe me sopranon e talentuar Marjana Leka. Disa këngë u përsëritën. Kori me 200 vetë ishte nën drejtimin e z. Lukë Mllugja dhe Gjon Shllaku.
***
Frederik Ndoci ishte këngëtari, i cili këndoi plot shtatë këngë para Papës së Vatikanit. Tre prej këtyre këngëve ishin solo apo duet dhe të tjerat këngë kori. Në këtë ditë feste të madhe, ku Papa bëri vizitën e tij të parë zyrtare në Europë, kori i këngëve liturgjike kishte plot 200 këngëtarë, ku Frederiku ishte ai që hapi meshën me këngën “Një ditë shprese”. Kori ishte vendosur në të djathtë të altarit të papës dhe u vendos aty qysh në orën 07:30 minuta të mëngjesit duke qëndruar deri në orën 14:00. Mesazhet e miqve të mijë nga të katër anët e botësh-shprehet Frederiku- i kaluan 1200, ku ata shprehnin konsideratat e mëdha për popullin tonë, për besimtarët tanë. Në këtë vizitë populli ynë tregoi kulturë, emancipim, harmoni e pashoqe fetare mes katër besimeve.
Këngët liturgjike që këndove me korin kishtar në vizitën e Papës, nga kush u organizua?
Unë në meshën që do të drejtonte Papa i Romës në vizitën e 21 shtatorit në Tiranë isha i ftuar, nga Kisha Katolike e Shkodrës për të kënduar 7 këngë. Pra isha ftuar nga Famullitari i Diogjezës sonë i Katedrales së Shkodrës. Famullitari quhet Don Gjovalin Sotaj.
Me kë këngë fillove liturgjinë me korin kishtar?
Unë e fillova me këngën “Një ditë shprese”. Këtë këngë e pata kompozuar 5muaj më parë me tekst të Agim Doçit. Kjo këngë për martirët e fesë është kënduar në Festivalin e 52 të Këngës në RTSH. Kur kishte disa kohë që kishte dalë kënga u hap lajmi se në Shqipëri do të vijë Papa. Që këtu mendova ta këndoj këtë këngë për vetë arsyen se i kushtohej martirëve. Këtë këngë Don Gjovalini e kishte dëgjuar dhe ishte ai që më kërkoi që unë të isha pjesë e korit të bashkuar, duke kënduar edhe këngë solo.
I kujt ishte ky kor i bashkuar?
Ky kor i bashkuar ishte i pesë Diogjezave të Katolikëve shqiptarë, i Shkodrës, i Malësisë së Madhe, i Lezhës, Rrëshenit dhe Tiranës.
Sa vetë kishte kori i liturgjisë?
Kori kishte rreth 200 veta, një kor i kompletuar dhe me zëra të përzgjedhur.
Ju ishit vendosur djathtas altarit?
Po, aty ishte përcaktuar me protokoll vendqëndrimi ynë, të ishte edhe afër altarit, por edhe në largësinë e duhur për të shmangur zhurmat e tepërta.
Për realizimin e kësaj meshe me këngët tuaja a zhvilluat prova?
Sigurisht. Ne bëmë prova të vazhdueshme për dy muaj. Provat zgjasnin deri në tre orë. Provat i kemi bërë edhe në Shkodër, por edhe në Katedralen këtu në Tiranë. Provat i bënim njëherë në dy ditë.
Gjithë kjo punë është bërë në mënyrë vullnetare?
Sigurisht, ishte një punë vullnetare, punë shpirtërore, punë e bërë me shumë dëshirë në emër të dashurisë së pakufishme për Krishtin. Madje dhe shumë pjesëtarë të korit vinin në Tiranë me autobusë.
Kush e drejtonte korin me këngët liturgjike në këtë ditë të shenjtë?
Këtë e drejtonte z. Lukë Mllugja dhe Gjon Shllaku. Z. Lukë është me origjinë nga Mirdita, por banon në Shkodër. Ka mbaruar studimet në Konservatorin e Veronas për kanto dhe është dhe një pianist shumë i mirë. Ai drejton korin e Katedrales së Shkodrës dhe është një profesionist i aftë. Z. Lulë drejtoi gjithë korin e përbashkët me 200 vetë.
Të gjitha këngët liturgjike ishin shqiptare?
Po, të gjitha dhe me këtë sens ishin punuar. Pra liturgjia bëhet në gjuhën shqipe. Kjo as nuk diskutohet.
Një këngë që kemi ne “Ti je në krahët e shqiponjës”, ajo këndohet në çdo liturgji në Shkodër. Në çdo meshë, çdo të diel këndohet në Katedrale. Apo kur ka ndonjë festë. Kjo simbolizon shpirtin e shenjtë, pasi ne jemi vendi i shqiponjave. Madje, nga Vatikani është kërkuar a keni ndonjë këngë liturgjie për shqiponjat dhe ne e kishim gati.
Kush është kënga e veçantë e krishterimit?
Ave Maria. Kjo këngë në simbol të Ave Maria që është nëna e Krishtit. Pra kjo këngë është kënga e gjithë krishtërimit. Një këngë e bukur si himn e Shubertit. Këtë këngë unë e këndova me bashkëshorten time me Alisa Baraku. Kjo këngë u këndua nga ne sapo Papa Françesku doli nga Presidenca dhe u drejtua për në altar. Kënga e dytë ishte për martirët e fesë.
Po kënga “Një ditë shprese” si u cilësua?
Një këngë e bukur që nuk ju dha vendi i duhur gjatë Festivalit të 52 në RTSH, pasi donin që në Festivalin Europian të shkonte një këngë që plotësonte dëshirat e “x” apo “y”-nit.
Cila këngë ishte e huazuar?
Ishte kënga “O zot i madh” një këngë amerikane, e bukur plot drithërimë. Sa orë ndenjët si kor pranë altarit që Papa do të bënte meshën për shqiptarët?
Ne qëndruam qysh prej orës 7 e 30 deri në orën 14-00. Pra rreth 7 orë, ku në këto 7 orë ne kënduam rreth 3 orë. Një prej këngëtareve që ishte pjesë e stafit të ngushtë ishte dhe sopranoja Marjana Leka. Ajo ishte pjesë e këngëve liturgjike.
Gjithë këngët liturgjike u mbuluan nga kori juaj, nuk kishte pjesë të korit të Vatikanit?
Absolutisht jo. Të gjitha këngët liturgjike u mbuluan nga ne për orë të tëra.
Si është sistemi i meshës?
Është fol dhe përgjigju. Pra, Papa fliste dhe kori përgjigjej, apo pjesëtarët, pjesëmarrësit e meshës. Pra edhe flet edhe këndon. Në dy mënyra komunikimi, me të folur të thjeshtë dhe të kënduar. Kemi pasur disa fenomene shumë interesante gjatë meshës një prej tyre është kur prifti thotë, shkëmbeni një shenjë paqeje me këdo që keni rreth e rrotull, pra edhe para edhe mbrapa edhe majtas apo djathtas. Në këto raste je i detyruar ti japësh dorën kujtdo qoftë dhe kundërshtar. Në këso rastesh nuk mund ta shmangësh mosdhënien e dorës. Një fenomen tjetër, ishte që hoxha atë ditë në shenjë respekti nuk këndoi gjatë gjithë ditës në xhaminë e Tiranës. Kjo ishte një ditë solidariteti. Këtë e theksoi edhe Papa, këtë solidaritet, këtë harmoni mes besimeve të ndryshme fetare.
E keni vizituar ndonjëherë Vatikanin?
E kam vizituar në vitin 1993, pasi kam qenë i thirrur nga Papa Vojtila, me grupin që riparuam dhe hapëm kishën e parë në Shkodër në vitin 1990. Hapëm kishën e varrezave katolike.
A more mesazhe për këtë ditë, me këngët e tua tepër sinjifikative?
Nuk mund ta besosh, por di të them se në celular, në FB, në e-mail më kanë ardhur mbi 1200 mesazhe. Këto më erdhën dhe nga miqtë e mi këngëtarë në Itali dhe Amerikë. Në mesazhet e tyre thuhej se gjithë bota sytë i ka tek Shqipëria. Rreth 2 miliardë njerëz ndjekin live vizitën e papës. Nuk e dinim se kush ishte Shqipëria në të vërtetë sot e mësuam ishin mesazhet e tyre.

Nga bisedat që ke bërë me stafin e afërt të papës në këtë vizitë, çfarë ka shprehur Papa për këtë vizitë?
Papa ka ngelur i mahnitur, i befasuar, i mrekulluar. Ai ishte shprehur se Shqipëria është një vend me popull shumë të ri, me harmoni të pabesuar fetare. Martesat mes besimeve të ndryshme fetare është një ndër shenjat e dallueshme nga çdo komb tjetër në Europë. Ardhja e tij ishte një mesazh i madh për Shqipërinë dhe politikën europiane. Kjo vizitë do të thotë që vendi i Shqipërisë është patjetër në Europë pasi në këto 60 vjet për Lindjen ne kemi qenë perëndim, ndërsa për perëndimin kemi qenë lindje.
Cilat janë avantazhet e kësaj vizite sipas jush?
Kjo vizitë tregon se ky shekull është shekulli i kombit shqiptar. Kjo ka filluar me lumturimin e Nënë Terezës, me formimin e shtetit të Kosovës, me liberalizmin e vizave, me hyrjen në NATO dhe me marrjen e statusit të vendit kandidat. Edhe vete qau atë ditë, pra ra shi i imët në formë lotësh. Është tepër domethënëse që Papa vizitën e parë në Europë e bëri në Shqipëri.

Filed Under: Interviste Tagged With: Albert Zholi, Frederik Ndoci:Para Papës, këndova, shtatë këngë...

Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, në mbështetjen e Kongresmenit Grimm

September 24, 2014 by dgreca

STATEN ISLAND NY: Një grup të shqiptarve kryesisht atyre nga zona elektorale, e 11-të, në ishullin e Staten Island, veprimtarë të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, i janë bashkuar dje në Hotelin Hilton Gardens grupeve të tjera komunitare, në një fushat elektorale tipike amerikane – mbledhje – parash (found rising) kongresmenit Michael GerardGrimm. I cili, njëhereshit, është edhe- përfaqësuesi i tyre në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, për rrethin e 11-të të Kongresit të Nju Jorkut, duke shërbyer që nga vitit 2011 nërrethin e 13-të, gjatë mandatit të tij të parë, të këtij qarkut, i cili përbëhet nga Staten Island dhe pjesët veriore të Brooklynit
Grupi i shqiptarëve që përfaqësonte Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Asllan dhe Kapllan Çekiç, Uk Gjonbalaj dhe Marko Kepi, dje në këtë takim kan treguar mbështetjen e tyre, për anëtarin e Kongresit amerikan si mik i shqiptarëve.
Takimi u zhvillua ndërkohë që fushata elektorale në distriktin 11-të të këtij qarkut, i cili përbëhet nga Staten Island dhe pjesët veriore të Brooklynit dhe përfaqëson ata në Kongresin amerikan – është përqendruar tek një “betejë” e fortë në Saten Island – për një mandat tjetër të kongresistit republikan Michal Grim. I cili, është i gjendur përballë sulmeve të demokratëve në këtë zonë elektorale për disa afera korruptive, të cilat ai ka quajtur “sulme politike”
Megjithatë, shqiptarët i dhanë mbështetjen e tyre,
në një takim entuziastë, që të mbështesin ri-kandidimin për një mandat të tretë, kongresistit republikan të Nju Jorkut, Michal Grimm , kandidat i fortë, për të fituar edhe një term tjetër në Kongresin Amerikan.
Shqiptaro – amerikanët, prej se kur filloi kjo fushatë, e në vazhdim, janë parë si në përfaqësim me krerët e organizatave, shoqatave dhe grupve të ndryshme t’i bashkëngjiten kandidatëve, për zgjedhjet e nëntorit, ata që i konsiderojnë si miq të shqiptarve, në këto zgjedhje, pavarësisht se janë republikan apo demokrat.
Zgjedhjet, për disa vende në Kongres dhe Senat do të mbahen javën e parë të nëntoirt( e mart 4 nëntor 2014), duke votuar për kongresmen ose senator, të cilëve u përfundon mandati por që nga shqiptarët e Amerikës, me të drejtë disa prej tyre konsiderohen nga shqiptaret si miq e tyre në Capitol Hill.
Me këtë rast komuniteti shqiptarë është duke mbështetur Michael Gerard Grimm, i cili është përfaqësuesi i tyre në ligjëvensin Amerikan për rrethin e 11-të të Kongresit në Nju Jork.
Kongresisti Grimm njihet prej tyre, si mik i shqiptarëve në Distriktin 11-te, distrikt ky, që përfshin një pjesë të Staten Island e Bruklinit(Bay Ridge, Dyker Heights , Bensonhurst dheGravesend). Kjo pjese gjithshtu, është nga më të banuarat me emigratë shqiptar, të ardhur këtu, dy dekadat e fundit nga Dibra, Struga, Tetova, Gostivari, Ulqini, dhe Malsia e Shqiperia. / Beqir SINA/

Filed Under: Komunitet Tagged With: Kongresmenin Girmm, Lidhja Qytetare, mbështet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT