• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2014

POLITIKA…SI AKSIDENT!

October 22, 2014 by dgreca

Nga Marjana Bulku/New York/
Edhe pse nuk dua të shkruaj për politikën duket se nuk e shmang dot .Jo pak herë në jetën time ”ma ka zënë rrugën”edhe pse jam përpjekur ti jap jetë nga nderi,dinjiteti, pervoja e marrë nga shkollat dhe raportet me njerëzit që jeta më ka dhuruar.Ajo tashmë është shndërruar në një mjet pa zot hedhur për konsum.Jo pak herë kam preferuar ti ”afrohem” asaj përmes disa formateve që shkollat perëndimore ofrojnë,i qasem përmes letërsisë së angazhuar, pikturës ,,,edhe pse ajo është karrikaturë ,por papritur kuptoj se ajo qenka shndërruar në sport, në një lloj sporti që akoma nuk ka as rregulla e as platformë,as strategji ku cdo aksident i mundshëm mund të jetë një lloj kërcënimi jete.Në fakt politika ajo që duhet të shtrojë ”rrugët ” nga ku kalon jeta jonë është shndërruar në tokë të minuar, në bunker, në mister , në aksident nga ku priten vetëm pasoja ndërkohë kur Bismark e konsideronte atë art i zgjidhjes. Po e quaj aksident më mirë (jo rastësisht),,,sepse të gjithë tashmë e kemi parasysh momentin kur ai ndodh ,,,por pasojat i shohim më vonë edhe pse ndodh që mund edhe të mos i shohim kurrë kur ky aksident ka gjymtuar mendjen.Cfarë e udhëheq ekonominë??? Po arsimin, drejtësinë? Ne po shohim shpërthimet si prej eksplozivi në cdo aspekt dhe jo vetëm në ndërtimet me leje/pa leje,pastaj zhurmën që krijohet për ta , debatet pro dhe kundër , shfaqjet se po ndërtojmë gjithpjesmarrjen ku fjalët nuk kanë as forcë dhe as mundësi të shërojnë pasojat që aksidenti politik ka shkaktuar. Biznese të rrënuara, djersë e cuar dëm, ëndrra e projekte gjithashtu , nuk po them para,por vepra të lena peng i aksidenteve politike dhe politikanëve aksidentalë.Trashëgimnija jonë politike është sa e varfër aq dhe e pasur, sa e njohur aq dhe e panjohur ,por ajo ekziston dhe nuk mund tia leme aksidentit politik dhe atë ta shkulë nga themelet në aksidentin-pritë e rradhës.Trashëgimnija jonë ekonomike e ndërtuar me mund dhe djersë është në duar politikash sezonale. Modelet e krijuara po përmbysen para syve tanë si ikonat e shenjta në vitin 67 duke mallkuar të ardhmen pa të ardhme. Duket si luftë për të ndërtuar cfarë? -Ndonjë perandori ?! Duket si një rrugë që nuk të con askund. Si një fat i paracaktuar që të përmbys në mënyrë fatale…
Edhe pse nuk dua të flas për politikën …po e bëj sepse nuk dua që përgojimi i saj të jetë ”axhetacione -propaganda ” e dikurshme që kryqëzonte jetë, njerëz , fate .Sipas një raporti të OKB -së vetëm 57 % e popullsisë së botës mund të quhen plotësisht demokratike nga ku lind dilema ime nëse një popull gëzon demokracinë a është kjo meritë e tij apo e liderëve që zgjedh?!
Politika jonë duket si një aksident ku populli tifoz, viktimizohet, deformohet ,anohet ,duke shkaktuar një kaos jo vetëm politik por dhe shoqëror ,kulturor, që madje ndërhyn edhe në cdo qelizë jete. Dilemë e madhe ; ta refuzosh këtë lloj aksidenti politik, apo ti nënshtrohesh atij ! Duket sikur ka kthyer përmbys edhe bazat mbi të cilat u ndërtuan sistemet politike . Kur Sartori etimologjikisht shprehej …”Demokraci = Demos + Popull+kratis= sundim, pushtet” keqpërdorimi vazhdon , regjimet keqpërdorin konceptet si ajo kafshata e hedhur në turmën e uritur … Nuk e di nëse populli është i etur për demokraci apo nuk ia njeh aspak konturet asaj, si tërësi të drejtash por edhe përgjegjësish nga ku rregulli është djep i cdo lirije.Unë nuk e di se kush i drejton fatet e vendit tonë , edhe pse thellë -thellë mendoj se sejcili duhet të drejtojë jetën e tij, fatin e tij në mënyrë jo aksidentale, as të nënshtruar deri në verbëri kulturore, ekonomike, politike.Askush nuk mund të jetë dhurues i të mirave tona, nuk duhet të jetë,përndryshe prirjet autoritare janë aty, si metastaza të vjetra regjimesh të padrejta që na përndjekin. Ata që drejtuan shkencën duket se duhet ta drejtojnë edhe politikën si jo aksident.Dikur Ajnshtajni fliste për ”antropologji globale”si një sistem vlerash civile ,qytetare, morale dhe juridike…Ishte viti 1947…Ishte vetëm një përpjekje gjeniu drejt qëndrueshmërisë globale. Antropologjia e shumicës në demokraci është e lidhur ngushtë me atë individuale që nuk duhet mbytur kur i shërben jetës ( tri pyetjet e Erisa Zykajt )…që politika aksident të mos përmbysë liri, të drejta ,përgjegjësi, detyra … Edhe pse termi ” aksident” shkakton frikë parandalimi i tij në politikë është i mundshëm, është njerëzor .Si ta shpëtojmë politikën aksident nga pasojat që vazhdojnë të kërcënojnë ardhmërinë ?
Brooklyn, tetor 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: Marjana Bulku, Politika, si aksident

Në përkujtim të 10 vjetorit të Anita Bitrit

October 21, 2014 by dgreca

(Mbresa dhe kujtime nga një tragjedi shqiptare në Amerikë që mori jetën e tri hyjneshave shqiptare)/
Nga Keze Kozeta Zylo/
Ndonëse ka kaluar një dekadë që nga ikja tragjike e artistes së madhe shqiptare Anita Bitrit, përsëri Diaspora, gjithë dashamirësit e Anitës dhe artdashësit e kujtojnë me dhimbje tragjedinë që ndodhi në qytetin ku jetoi në Staten Island, në New York. Ishte një ngjarje tejet e dhimbshme ku u trondit çdo qënie njërezore që e dëgjoi në lajmet amerikane dhe shqiptare, ngase humbën tri jetë njerëzish. Ishin tri gjenerata: Anita, e bija Sibora dhe nëna e saj Hazbija. Ato u mbytën nga gazi, monoksidi i karbonit.
Ditën e shtunë në Brooklyn bashkësia shqiptare e udhëhequr nga Pastori amerikan Steve Galegor dha një përshpirtje në gjuhën shqipe në përkujtim të Anitës, bijës dhe nënës së saj, në 10 vjetorin e tragjedisë së humbjes së jetës së tyre. Pastori amerikan Galegor, i cili të befason me të folurën e bukur të gjuhës shqipe tha se edhe pse nuk kam qenë atë ditë në koncertin e lamtumirës, pasi ishja me shërbim në Tiranë, e përjetova me dhimbje të madhe humbjen e tri krijesave të Zotit që u ndanë nga ne para kohe. Gjithmonë do t’i kujtojmë me dhimbje e dashuri Anitën, Siborën dhe nënë Hazbijen të cilat humbën jetën tragjikisht në mjediset e shtëpisë së tyre në Staten Island në New York tha pastori amerikan Steve Galegor në përshpirtje. Në këtë përshpirtje ishte dhe vëllai i Anitës, Arben Bitri së bashku me të fejuarën e tij Kinon.
Në intervisten që dha për TV Alba Life në New York, ai kujtoi me dhimbje dhe lot në sy tragjedinë e tmerrshme që i ndodhi familjes së tij. Ai vazhdoi se sonte ndodhemi pikërisht në këtë vend të shenjtë në Kishën First Evangelical Free Church në Brooklyn, ku dhjetë vjet më parë të gjithë artistët e Komunitetit, Diaspora, artdashësit e shumtë, së bashku me Qemal Zylon si organizator kryesor në bashkëpunim të ngushtë me artistin e shquar Frederik Ndocin dhe orkestrën mirënjohur “Alba” të udhëhequr nga kitaristi i talentuar Edi Xhani, organizuan një koncert lamtumire në nderim të artistes vlonjate mbarë kombëtare Anita Bitrit. Ai shprehu mirënjohjen e pakufishme në emër të gjithë familjes së tij për nderimin e veprës që i bën Anitës dhe tha se do të punojë së bashku me artistët për të realizuar një dokumentar që trashëgimia e vyer e saj t’u ngelet brezave. Ndërkohë Q.Zylo kujtoi të gjithë bashkëpunëtorët, veçanërisht Frederik Ndocin, Edi Xhanin, ambasadorët e kulturës shqiptare Merita Halilin dhe Raif Hysenin, Vait Hajdarin, Sokol Asllanin dhe Maksim Vathin, artistët e shumtë, dashamirësit, mediat si Adem Belliun për kulturën shqiptare, Dalip Grecën për gazetën “Illyria”, të cilët u ndodhën pranë në vendin e ngjarjes pasi e dëgjuan gjëmën që ndodhi, ngjarje që u publikua në mediat e shumta. Ai shprehu dhe mirënjohjen për të gjithë amerikanët dhe bordin e kishës First Evangelical Free Church, pasi si i punësuar aty për vite me radhë, kujtoi ditën që kjo kishë hapi të gjitha dyertë për të organizuar koncertin e lamtumirës. Ajo që do të më ngelet gjatë në kujtesë vazhdoi ai është se në vendin që u organizua koncerti i lamtumirës, ishte planifikuar me kohë të organizohej ceremonia e një dasme amerikane, por kur bordit i paraqita se me shqiptarët duam të organizojmë një koncert lamtumire për artisten e shquar shqiptare, familjarët dhe Bordi me zemërgjerësinë më të madhe pranuan të shkonin në katin e nëndheshëm, përdhes, (basement siç e quajnë amerikanët) dhe na lejuan që ne t’i bënim nderimet e duhura tri gjeneratave që humbën jetën tragjikisht.
Çdo njeri mbart kujtimet e tij në atë ngjarje tragjike, dhe ne kësi rastesh është e vështirë të ngjesh fjalë ngushëlluese. Personalisht kurre s’do ta harroj telefonatën në kolegj në Brooklyn të Frederik Ndocit i cili me një zë vajtues më dha i pari lajmin e kobshëm për tri gjeneratat të mbytura nga monksidi i karbonit. Tepër e rëndë ishte për vellain e Anitës, Benin jo vetëm tragjedia, por edhe sepse ai se kishte takuar kurrë Siborën, për shkak dokumentash, një ëngjëll që premtonte shumë për të ardhmen, por mjerisht ai erdhi për të përcjellë trupat në Atdhe, në Vlorë. Beni kishte dëgjuar vetëm zërin e saj qindra herë në telefon, dhe shprehjen aq të bukur të mbesës së tij Siborës duke i thënë në anglisht: “I love you Daja”!
Arti i Anitës, këngët e saj, violina e bukur, tekstet muzikore që krijonte, i përkasin fondit të artë të muzikës shqiptare. Nga të gjithë folësit atë ditë ajo u pagëzua si Pop Star i muzikës shqiptare, por mjerisht shpesh herë na duhen histori të dhimbshme si tek kalaja e Rozafës, që të dalin në pah madhështia dhe gjenialiteti i popullit tonë. Nga shpirti atë ditë në ceremoni i dhashë lamtumirën me këtë poezi: Kjo vdekja e zezë/ muret i çanë/ për tri hyjneshat që vdekjen panë/. Tmerruar nga lajmi rrugën mora/ kalova me drita të kuqe vetëtimë/ në cep të rrugës frymën ndalova/ ngriva statujë kur pashë shtëpinë/. Zemra më rrihte si e zënë në faj/ si labe e qava: e mjera e mjera/ ndenja gjatë, por porta s’u hap/ ndeza qiririn dhe e vura tek dera/. Vitet do të ikin dhe shpejt do të kalojnë/ loti i mërgimtarit do të ngelet në derë/ Orkestra “Alba” shpesh do të ekzekutojë/ këngët e tua në tastierë/. More helmin në zemër, ike larg Anita/ ndoshta të gjeje qetësinë/ bashkë me violinën si shelg lotues, le dhe këngën/ dhe me zërin tënd pavdeksinë!
Duke përfunduar në vesh ende kam zërin e vogëlushes, zërin e një ëngjëlli Siborës e cila i këndon mamit të saj si: Jam e bekuar si ty, kënga ime le të jehojë, për mamin le ta dëgjojnë…
Kënga dhe Zëri i Anitës kur këndon me të bijën e saj Siborën në duet duket sikur vazhdon të mbush qiellin si cicërima zogjsh, si zëra në përjetësi!

Tetor, 2014
Brooklyn, New York

Filed Under: ESSE Tagged With: Keze Zylo, Në përkujtim të 10 vjetorit, të Anita Bitrit

DURRËSI-TRE DITE KRYEQYTET I FËMIJËVE TË BALLKANIT

October 21, 2014 by dgreca

Nga Kadri Tarelli/Durres/
Durrësi i lashtë 3000-vjeçar, në ditët 16-17-18 tetor 2014, si rrallëherë në këtë mestetori, të ngrohtë e plot diell, gumzhinte nga zërat e gëzueshëm të fëmijëve shqiptar e të Ballkanit. Me pjesëmarrjen e tyre në festivalin e përvitshëm të emërtuar “Luajmë e vallzojmë”, (Në fillimet e tij quhej “Fest-loja”), këtë herë për të shtatëmbëdhjetin vit, qyteti ynë u shndërua në kryeqytet të fëmijëve. Më pëlqeu të vendos titullin e këtij shkrimi “Kryeqytet i fëmijëve të Ballkanit”, pasi e gjeta në fjalët e z. Myzafer Livareka, përfaqësues i ekipit të Tetovës, i cili u shpreh: “Ne shqiptarët, ma sëpari e njohim Tiranën kryeqytet të të rriturve, ndërsa Durrësi në këto vite asht ba kryeqytet i fëmijëve të Ballkanit”. Ishin 600 pjesëmarrës, të ndarë në 32 grupe, që përfaqësuan gati të gjithë qytetet e rrethet e Shqipërisë, së bashku me grupe të ardhur nga Turqia, Rumania, Bullgaria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i ZI, mes tyre edhe një grup i fëmijëve të komunitetit serb që jeton në Kosovë.
Kjo veprimtari me përmasa kaq të mëdha, u organizua nga QKF. e Durrësit, e mbështetur fuqimisht nga pushteti vendor. Është nderim, njëkohësisht vlerësim i veçantë për pjesëmarrësit e grupeve të fëmijëve nga shtete të tjerë të Ballkanit, që u pritën nga titullarët e Prefekturës, Bashkisë dhe DAR-së së Durrësit.
Vështirësitë, në raste të tilla janë të pranishme, të njohura, mbase edhe të shtuara për këtë vit, sepse krahas programit të ngjeshur artistik me valle nga trevat shqiptare dhe ballkanike, u zhvillua edhe kampionati mbarëshqiptar i futbollit, i përfaqësuar nga 5 ekipe. Mëgjithatë drejtuesit e QKF, ia dolën mbanë me sukses, falë programimit të detajuar të festës, bashkëpunimit të admirueshëm me drejtuesit dhe nxënësit e shkollave 9-vjeçare, njëkohësisht mirëkuptimit dhe mikpritjes së familjeve. Të gjithë e meritojnë një përshëndetje nga e gjithë qytetaria durrsake, sepse së bashku mundësuan këtë festë, duke sjellë në qytetin tonë të lashtë, gëzimin dhe harenë e fëmijëve të Shqipërisë dhe Ballkanit. Gjithëçka erdhi si një buqetë me lule vjeshte, plot ngjyra. Veç t`i shikoje fëmijët e veshur me kostumet kombëtare dhe me flamuj në dorë, kur marshuan në bulevardin e qytetit. Një mrekulli e vërtetë veshjesh e ngjyrash. Aq sa të gjithë kalimtarët e rastit, ndalonin dhe uronin: U lumtë fëmijëve, që na sollën kaq bukuri e gëzim në qytetin tonë!
Për tre ditë me radhë, koncertet u zhvilluan në hollin mahështor të “Amerikan college” të Durrësit, të ndjekur nga qindra qytetarë, prindër e nxënës të Durrësit, që duartrokitën nxehtësisht grupet e valltarëve që ngjiteshin në skenë. Ç`llojshmëri e bukuri kostumesh e vallesh, u shpalosën para artdashësit të shumtë durrsak. Është kjo veprimtari e të vegjëlve, që e çfaqur me pafajësinë dhe freskinë e moshës, e bën të mundur të shijojmë brenda pak orësh e ditësh, folklorin e magjishëm e shpirtin artistik të popujve të Ballkanit.
Në ceremoninë pëmbyllse, ku morën pjesë të gjithë përfaqësuesit e grupeve pjesëmarrëse, drejtues të pushtetit vendor, njëkohësisht dhe plot të ftuar, znj. Lindita Muka, drejtore e DAR, përshëndeti të gjithë të pranishmit, falënderoi nxënësit pjesëmarës, përgëzoi organizatorët, duke uruar suksese në veprimtari të tjera po kaq të bukura e të dobishme. “Për mua, besoj se ky është edhe mendimi i shumicës, nuk ka rëndësi kush del fitues. Të fituar jemi të gjithë, sepse sollëm e shpalosëm kulturë e traditë, krijuam njohje të reja dhe forcuam urat e miqësisë, shkëmbyem përvojë”.
Z. Avni Çuni drejtor i QKF së Durrësit, si nikoqir i kësaj “Dasme me kaq shumë dasmorë”, më në fund i qetësuar, shprehet: Ka kohë që menduam, planifikuam dhe u përpoqëm për këtë takim kaq të madh, që i tejkalon fuqitë dhe mundësitë e QKF që unë drejtoj. I qendroj besnik idesë që lindi që në fillesë këtu e 17 vite të shkuar, dhe që qëndron në themel të kësaj veprimtarie, se “Fëmijët janë më të mirët ambasadorë të paqes dhe miqësisë mes njëri – tjetrit dhe mes popujve të Ballkanit”. Është një mendim fisnik që i vlen dhe u bën zë të gjitha kohëve, ndaj u mundum të bëjmë më të mirën. Tani që gjithçka përfundoi, ndjehem shumë i kënaqur nga gatishmëria e punonjësve të qendrës, njëkohësisht nga mbështetja që gjeta tek pushteti vendor, por edhe tek drejtuesit e shkollave. Mos llogarisni të tjerat, mendoni për një çast vetëm 600 fëmijë, që u shpërndanë nëpër shtëpitë e nxënësve moshatarë, të cilët u pritën me aq ngrohtësi e bujari nga prindërit e tyre, e për të vazhduar deri tek gjetja e një mjedisi sa më të mirë, siç ishte holli i brendshëm në “Amerikan college Durrës”, një mrekulli e vërtetë e artitekturës, që ne na shërbeu aq mirë për të ndërtuar atë skenë fantastike.
Znj. Teuta Musa, drejtore e QKF, Prishtinë, me kënaqësinë e suksesit e bukurisë së kësaj veprimtarie, shprehet: “Edhe ne në Prishtinë kemi mbi dhjetë vjet që organizojmë festivalin e valleve për fëmijë, që e titullojmë “Ylberi i Prishtinës”. Në koncertin e para një muaji të këtij viti, mes grupeve të tjerë, grupi i valltarëve të Durrësit u vlerësua nga publiku prishtinas, si më i miri, duke merituar duartrokitje të zgjatura. I përgëzoj kolegët durrsak për punën që kryejnë. Kështu forcojmë lidhjet mes vedit. Pritshmëria është e madhe, ndaj i uroj suksese për veprimtari të tjera”.
Z. Kujtim Vllamasi, coordinator për sportin pranë QKF. Durrës, i cili u kujdes direkt me organizimin e kampionatit mbarëkombëtar të futbollit, që këtë vit rastisi të zhvillohet njëkohësisht me “Fest-lojën”, i kënaqur e qetësisht rrëfen: “Çdo vit qendra e kampionatit ndryshon. Këtë herë miq të durrsakëve ishin katër ekipe, të ardhur nga Peja, Ulqini, Bujanoci, dhe Tetova. Lufta sportive ishte e bukur, niveli i lojës dhe lojtarëve ishte mjaft i mirë, që tërhoqi e kënaqi mjaft sportdashës. Fituan më të mirët, futbollistët e ekipit të Pejës”.
Në fund, siç është zakon, shpërndahen çmime vlerësimi dhe dhurata. Z. Rexhep Çeliku, artisti dhe valltari ynë shumë i njohur, në emër të juries, vlerësoi nivelin e lartë të përgatitjes së valleve popullore:
Me çmim të III-të, grupi i Tiranës dhe Turqisë.
Me çmim të II-të, grupi Bullgar dhe Prishtinas.
Me çmim të I-rë, grupi i kosovar i Kishnicës, dhe i Korçës.
Me çmin honorifik u vlerësua grupi i valltarëve rumun.
Përgatiti
Kadri Tarelli

Filed Under: Reportazh Tagged With: Durresi, Kadri Tarelli, kryeqytet i femijeve, te Ballkanit, tre dite

BUKURITE SHQIPTARE- Berati, qyteti i çudirave, i një mbi një dritareve

October 21, 2014 by dgreca

*Turistët mahniten me tavanet e drunjta e të gdhendura dhe kërkojnë t’i blejnë…/
*Berati, qyteti i çudirave, i një mbi një dritareve…/
Shkruan: Harallamb Kota-Studiues i letrave shqipe/
Pas katër vitesh, në datën 16 qershor 2014 në shoqërinë e Prof. Dok. Hysen Kordha dhe gazetarit e botuesit të njohur z.Zylyftar Plaku, isha përsëri në qytetin e paraardhësve të mi, në Beratin e dashur të familjeve Kota. Qyteti qëndron hijshëm nën këmbët gjigante të kalasë mitike, ndërtuar me gurë nga mjeshtrit Parthan, midis të cilëve janë dalluar mjeshtrit Kota (gurskalitësit). Në Berat kishim ardhur të promovonim librin tim me poezi dhe kishim ftuar, nxënës të shkollave, punonjës të Bashkisë, Këshillit Bashkiak, Këshillit të Qarkut, historianë, studiues dhe qytetarë të Beratit. I pranishëm në këtë ngjarje me karakter kulturor dhe letrar ishte edhe Kryetari i Bashkisë Berat z. Fadil Nasufi, i cili me praninë e tij, tregoi mbështetje për këto aktivitete kaq të rëndësishme për qytetin dhe rilindjen e ndjenjave artdashëse të qytetarëve beratas. Atë ditë qyteti mitik i Beratit, zhurmonte nga mjeshtrit e rinj gurskalitës. Me çekiçë në duar, ata shtronin shëtitoren e qytetit me gurët e latuar, duke e lidhur më fort historinë e gurtë të kalasë mitike me historinë e gurtë të pedonales së sotme. Në 12 tetor 2014, isha përsëri në qytetin mitik. Berati në kryesimin e z.Fadil Nasufi, kryetar i Bashkisë dhe me mbështetjen e Kryeministrit Edi Rama, ka vite që po merr frymë nga hapësira e gjelbërimi. Po gjallon çdo ditë e më dukshëm nga turistë të panumërt dhe kurioz për të parë dhe zbuluar të kaluarën mitike të qytetit, kishat e tij mesjetare ndërtuar mbi themele tempuj pellazgjik, apo paleokristian, xhamitë e vjetra ndërtuar pas pushtimit otoman dhe ikonat mahnitëse të pikturuara nga Onufri e nxënësit e tij. Shtatorja e Kostandinit të Madh në shpatullën perëndimore të kalasë, i befason dhe i tërheq të mësojnë diçka për arsyen e vendndodhjes në kështjellë. Ciceroni nuk e njeh historinë. Dituria për ardhjen në kala të Shën Palit dhe 300 vjet pas tij’ e Kostandinit të Madh, do sillte më shumë turistë e më shumë të ardhura për qytetin. Shtëpitë në Goricë, Mangalem dhe në Kala, kanë hapur dyert dhe shërbejnë për fjetore. Turistët mahniten me tavanet e drunjta e të gdhendura. Kërkojnë t’i blejnë dhe për këtë qellim afrojnë para në shuma marramendëse. Pronarët e vjetër dhe autoktonë, nuk pranojnë t’i shesin, por i ruajnë për të provuar vjetërsinë e qytetit dhe krenarinë e tyre për vlerat e trashëguara nga të parët. Njëra nga këto familje fisnike qytetare beratase është edhe ajo e z.Ymer Kordha. Ngjitja në kala është biblike, ndërsa kështjella të puq me mitologjinë aq shumë, sa turistë amerikanë, evropianë, australianë, japonezë, etj., qëndrojnë, ecin në rrugët e kalldrëmta, ulen në sokakët e gurtë të portave të drunjta dhe kërkojnë të blejnë shtëpi. Largimi i tyre nga kalaja është mallëngjyes dhe mbresëlënës, kur i sheh aq të dëshiruar për të mos u larguar, apo duke qarë me lot pasi kapërcejnë portikun e madh të drunjtë. Atë ditë në ora 1100, u inaugurua shëtitorja e re, “Pedonalja e Gurtë”. Mijëra banorë të pranishëm gëzonin dhe ndjeheshin krenarë për qytetin e tyre, dhe vlerësonin pedonalen duke ndjerë në plloçat e gurta të shtrojës së saj, vazhdimësinë dhe harmoninë me kalldrëmin e gurtë të rrugëve të vjetra në “Kala”, “Mangalem” dhe “Goricë”.

Filed Under: ESSE Tagged With: Berati, dritareve, Harallamb Kota, i një mbi një, qyteti i çudirave

Prezentim i suksesshëm i kulturës shqiptare

October 21, 2014 by dgreca

Nga XHAVIT ÇITAKU/
SHKSH “ Migjeni” e Borosit po vazhdon me ritmin e saj të begat në organizimin e takimeve kulturore në disa qytete të Suedisë dhe shi për këtë po e forcon edhe më shumë bashkëpunimin edhe me institucionet përkatëse të këtij shteti skandinav. Një mbrëmje kulturore shumë e rëndësishme këto ditë u zhvillua në qytetin e Lidshopingut, mbrëmje kjo që u organizua nga biblioteka e këtij qyteti. Me këtë rast në mënyrë dinjitoze u prezantua kultura, tradita dhe gjuha e bukur shqipe në vite. Vërtetë ishte një mbrëmje e përgatitur bukur dhe ishte kënaqësi të ishte pjesëmarrës i këtij manifestimi kulturor, në të cilin ishin të pranishëm edhe miqë suedezë, ku temë kryesore ishte kultura dhe bashkëpunimi ndërkulturor me shoqata kulturore e institucione të tjera të kësaj fushe që veprojnë në qytete të ndryshme të Suedisë.
Bibliotekës së qytetit iu dhuruan 30 tituj librash në gjuhën shqipe
Anëtarët e Kryesisë së Shoqatës Kulturore Shqiptare “ Migjeni” miqtë suedezë dhe bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Komunën e Lidshopingut i informuan për aktivitetin e pasur e me përmbajtje që po zhvillon kjo shoqatë. Të pranishmit ishin të impresionuar me punën e mbarë që po zhvillojnë anëtarët e kësaj shoqate e posaçërisht botimi i revistës “ Dituria” programi i radios në gjuhën shqipe si dhe kanali i televizionit, po ashtu, në gjuhën shqipe. Për të rinjtë shqiptar u ndanë nga dy ekzemplar të revistës “ Dituria” nga dajlja e saj e deri me tash si dhe 30 tituj librash në gjuhën shqipe që do të vendosen në sirtarët e bibliotekës së qytetit. Po kështu fëmijëve shqiptar të pranishëm në këtë manifestim kulturor iu dhurua nga një libër që iu përshtatët moshës së tyre si dhe nga një flamur shqiptar.
Fletushkë në gjuhën suedeze me shënime karakteristike për shqiptarët
Në këtë eveniment u shfaqen edhe disa sekuenca të filmit dokumentar “ Veshja tradicionale shqiptare në Kosovë” punuar sipas skenarit dhe idesë së Bora Balaj nga “ Bora fashion”, sekuenca këto që zgjuan interesim të madh. Po ashtu për miqtë suedezë ishte përgatitur një fletushkë në gjuhën suedeze me shënime karakteristike për Shqipërinë, Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi.
Interesim të madh të pranishmit treguan për gjuhën shqipe, si një ndër gjuhët më të vjetra, pastaj për kulturën dhe traditën shqiptare, për personalitetet e shquara të kombit shqiptar si për Skënderbeun, Nëna Terezën etj. Është ky një shembull i mirë se si duhet të punohet edhe në mjediset tjera shqiptare.

Filed Under: Mergata Tagged With: i kulturës shqiptare, Prezentim i suksesshëm, Xhavit Citaku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 54
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT