• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2014

Shtatë lulet e Balmont dhe …Spanjolli është këngë

November 15, 2014 by dgreca

KOSTANDIN DIMITREVIC BALMONT/
S P A N J O L L I E S H T E K E N G E/
Nga ligjërimi kërkojmë logjikën, nga kënga – fluturimin. Ligjërimi është ndërtim i arsyeshëm, kënga – shpërthim e çmenduri. Në ligjërim janë pa vend thirrjet, në këngë pëlqehen të gjitha britmat kur ato janë muzikore. Vështrojeni spanjolin si një këngë dhe gjithshka do e kuptoni ne temperamentin e tij dhe në historinë e tij fantastike. Spanjolli ka vetëm një logjikë – logjikën e ndjenjave, ai ka vetëm nje ndërtim – planin e luftës e cila rënon gjithshka, ai i tëri është në vrull, në dëshira. Të vështrojë, të lakmojë, të vrapojë, të rrëmbejë. Ta quajë të huajën si të vetën. Kur i siguron bëhet si më pare, i lire dhe i ngopur.
Gjuha spanjolle është më muzikalja e më e bukura nga të gjitha gjuhët evropiane. Me reflekse prej gjarpëri e përnjëherësh burrërore. Nga pikpamja femërore – dinake, si kalorsiake – e drejtë. E ëmbël si violi e flaut por, befas kthehet në kushtrim daullesh. Kur dashuron lëshon shigjeta me helm. Kur puth – sikur të pret me thikë të mprehtë. Të tilla jane ca lule në Meksikë, atyre nuk u afrohesh dot pa u shpuar e pa u çjerrë.
Në gjuhën spanjolle është gjithë harmonia muzikore e italishtes por, gjithashtu, në ‘të ndihet era përvëluese që ka ardhur nga Afrika, vrulli i egër i hovit arab, i cili e pengon të bëhet xhentil e përjetësisht të kujtojë betejat. Aty gjen, gjithashtu, fllade nga ndikimet e lashta iberike, të cilat na shkëpusin fare nga e sotmja e na çojnë te pamjet dhe agimet e Atllantidës.
Spanjolli nuk ngjet me evropianin. Ai ka diçka që e bën krejtësisht të veçantë. Saktësisht sy që shohin, duar që marrin. Ai ka tërësinë e të qënit i drejtpërdrejtë dhe të prekurit me dorë. Ai ndjen me shpirt ashtu si ndjejmë ne me trup. Puth me fjalë. Anija spanjolle lundron në detet e tharë dhe marinarët shohin ishuj populluar me gra, po burrat ku janë? Burra nuk ka dhe spanjolli me të qeshur e duke u çuditur si fëmijë therret: “Shikoni! Paska gra!” çfarë ka për të bërtitur? Asgjë por, edhe ka diçka. Se kaluan shekuj dhe ishullit i mbeti emri Ishulli i Grave.
Spanjollët nuk ngjajnë me ne. Mua më kujtohen mbresat e një udhëtimi.
Një ditë dimri, në fund të janarit, u nisa nga Hamburgu për në Meksikë me anijen e madhe oqeanike “Princi Ioahim” i shoqërisë “Hamburg-Amerika-Linie” Publiku ish ultra evropian. Gjermanë, gjermanë dhe vetëm gjermanë. Ish një aventurjer italjan, një tregëtar francez nga ishulli i Kubës, disa anglezka me të vegjlit e tyre që zotëronin anijen të sigurt, por pa shumë bujë – dihet, Anglia është mbretëresha e deteve; ishin dhe dy të pakënaqur. Ishin rusë, njëri prej tyre – unë. Ishim të pakënaqur sepse mendonim me naivitetin tone, si do uleshim në anije në Hamburg ashtu njësoj do rrinim deri në Meksikë. Po ne këtu kishim Evropën me klasin më të ulët. Perëndimi i djellit skuqte i trishtuar kur anija lundronte duke shtyrë akujt që plevasnin në detin blu të errët. Pas disa orë lundrimi të vështirë në det, hymë në portin spanjoll, në qytetin Korunjo. Përpara na del një përrallë! Sikur të hidhnim nga trupi uniformën e burgut – kozhupin – fare te zbuluar, ne brodhëm nëpër kopshtin me lule të freskëta, pamë arumet, lule delet laramane, kaltërsinë e mëndafshtë të iriseve, lule të tjera të arta e të kuqe. Në mbrëmje, kur vazhdonte lundrimi, gjithë publiku i huaj i klasit të pare i harroi bisedat e tij të zakonshme, i shtangur, në heshtje shikonte e dëgjonte; në kiç, ku nuk kish dhe aq komoditet, një turmë e madhe emigrantësh spanjollë ish përfshirë nga një argëtim fare fëminor: duke lënë atdheun e vet, mbase për fare, spanjollët gjysmë të grisur këndonin dhe vallzonin nën shoqërimin e kitarës që nuk e ndajnë. Dhe kishte diçka të papersëritëshme, dehëse, të papërmbajtur në këto këngë të shkurtëra, lehtësisht të ndryshueshme, kishte aq shumë bukuri, shumë ndjeshmëri në lëvizjet aq të larmishme në vallet me emërtime të pafund sa që, të mendoje për diçka tjetër kur ata këndonin e luanin, ish e pamundur. Një tregëtar i ri gjerman, shtatlartë e i lidhur, që kish qënë në shëtitje te ata të klasit të parë, kërceu mbi parmakun e shkallëve drejt e poshtë, ia nguli sytë njëcopëherë një spanjollke nishan, duke i falur buzëqeshje me tepëri vetëm për të rrëmbyer një tjetër buzëqeshje prej saj por, më kot: u detyrua t’i thëriste spanjisht: “Përse, sinjora, talleni me mua?” – “Sepse zotëria u përkul kaq shumë sa mënt u shëmb në Spanjë”, – u përgjigj ajo përnjëherësh mes të qeshurave të shumta – dhe pas një sekonde e harroi e përpirë nga lëvizjet harmonike të valles, kurse zemra e gjermanit u shemb në Spanjë si një copë shkëmb nga mali kur gjen një rëpirë e gëzohet që do bjerë në fund e ka ku të mbahet.
Spanjollët të gjithë ngacmimet i lidhin me këngën, si kur janë të gëzuar edhe kur janë të mërzitur. Janë në dashuri – Këndojnë, janë në dëshpërim – fishkëllejnë melodinë, puthin – ndjekin rritmin. Këtë pohon kënga e mëposhtëme:
Kam një zemër, ç’të të them!
Çdo gëzim ma fal ta kem:
“Qaj”- i them – e ze rënkon,
“Dua këngë” – ia fillon.
Për këtë prirje të përgjithshme të spanjollëve për t’i shndëruar ngacmimet e tyre në këngë të krijuar aty për aty, flet në një prej librave te vet mbledhësi i këngëve popullore spanjolle Francisko Rodriges Marin: “Në Spanjë, para së gjithash në rajonin e Andaluzisë ku, si në Sicili, të gjithë flasin me poezi, është vërtet e mahnitëshme ndjeshmëria poetike e popullit sikundër është e jashtëzakonshme lehtësia për krijim. Qytetet dhe fshatrat të gjithë, ku rinia e të dy gjinive në grumbullimet gazmore të netëve – në dimër e ndriçuar nga qiriri klasik, kurse natën nga hëna e argjëndë, dashurohet, zihet, grindet, reciprokisht qesh e lot në duele të pandërprera strofash e tekste këngësh. Zor se mund të ndeshet mendim, për shperhjen e të cilit ata të mos gjenin këngën e duhur. Në qoftë se nuk e dine e improvizojnë, në qoftë se improvizimi është i pagoditur, ai humb sapo hesht goja që e ka thënë, në qoftë se është e qëlluar dhe i përgjigjet një gjëndjeje të posaçme shpirtërore, në qoftë se në këngë mbështillet një mendim original dhe është vepër që e meriton të ruhet, kjo këngë e re është me fat: të nesërmen e përsërit i gjithë fshati, pas dhjete vjetësh e këndon gadishulli e në fund të shekullit e gjen në të gjitha antologjitë e botës.”
Në koleksionin voluminoz prej pesë librash Francisko Rodriges Marin mblodhi gjithë visarin e krijimtarise poetike popullore spanjolle (1882) Nga pikpamja e plotësisë kjo përmbledhje mund të krahasohet me simotrat në Rusi të autorëve Shein dhe Soboljevski por, kjo e Marinit nga pikpamja e vjeljes së urtisë popullore ka edhe vlerën se përmban shumë shënime sqaruese dhe paralele me folklorin portugez, siçiljan dhe të gjithë italisë. Këngët e grumbulluara nga Marin përfshijnë tema dhe shqetësime dominuese. Këngët e djepit, lodrat e fëmijve, gjëegjëzat, mëritë, ndjenja e dashurisë, miratimi, delikatesa, xhelozia, serenatat, urrejtja, përçmimi, pajtimi, këshillat e dashurisë, vallet, këngët historike dhe lokale, e të tjera, e të tjera. Nga kjo llojshmëri unë po marr vetëm një moment – dashurinë – me plotësorin e saj – urrejtjen. Dashuria dhe urrejtja për nga natyra e tyre janë të të njëjtit lloj: Urrejtja është ana tjetër e dashurisë. Njëra është nga Zoti, tjetra nga Djalli, njëra është mbarë, tjetra – e përmbysur(prapë).
Mbaj mend se dikur kam folur për këngët popullore spanjolle kur kam shkruar për herë të parë në librin tim “Maja malesh”.
Këngët e qarta fjalëpakta spanjolle, të shkruara nga autorë anonimë popullorë mund t’i quash “Lulet e të dashuruarve”. Ato janë kaq të mbushura me dashuri, si ajri i pranverës – me aromën e bimëve të lulëzuara.
Mënyra spanjolle e të shprehurit të dashurisë ndahet prerazi nga mënyra qe na karakterizon neve, veriorve. Në vendet veriore tiparet e sendeve janë të mbështjella me tis. Në vendet që ndriçohen nga djelli përvëlues, tiparet e sendeve paraqiten të dukshme, me të gjitha hollësitë, të mëdha e të imta. Kjo e vërtetë përsëritet edhe në natyrën përeth edhe në jetën e shpirtit. Malet dhe fjordet norvegjeze, pyjet dhe rafshirat ruse janë të mjegullt dhe magjikë si shpirtrat e banorve të tyre, shpirtra të trishtuar, plot të çara e gremina e gjithmonë që nuk i thonë të gjitha, gjithmonë me vegime dhe ëndrra të parealizuara. Periferitë me ajër të Napolit, natyra e mbuluar me djellë e Andaluzisë janë të qarta e të dallueshme në bukurinë e tyre – ato janë të plotësuara me të gjitha efektet dritëhije të cilat na mahnisin
me kalimet e shpejta nga zemërimi në zbutje, nga perkëdhelia në xhelozi, që përbëjnë tiparin e bukurisë së egër të jugorëve tanë. Kur veriori është i dashuruar, ai ndjen thjesht bukurinë e gruas që dashuron, ai përjeton vetëm mbresën e faktit që ajo e magjeps. Në qoftë se ai do e përqëndrojë vemendjen në ndonjë detal – do të jenë sytë, përjetësisht sytë, ju thashë – sytë, sepse shpirtrat me anën e syve bëjnë marveshjen e pare – prekin njëritjetrin. Po jugori ç’bën? – Ai vështron krejt fytyrën dhe në çdo pjesë të veçantë të saj ai sheh një fytyrë magjiplotë. Ai vëren se buzët i kujtojnë lulen karajfil, aq të preferuar për spanjollet, goja i kujton petalet e mbyllura, dhëmbët – margaritarët në burgun e koraleve, ai përshkruan hollësisht gjithë fytyrën, duke poetizuar çdo hollësi. Ai flet për sytë. Dhe ju mendoni se sytë nuk janë më shumë se sy? Gabim! Po sytë kanë beben që gjithmonë ndryshon, kanë të bardhin e tyre me damarët bojëqielli që na kujtojnë qiellin e vrenjtur, kanë qepallat si gjilpëra të mprehta, kanë vetullat si harku i hënës së re. Ajo që për veriorin është fillimi e mbarimi, për jugorin shndërrohet në zinxhir të gjatë hallkash; ky i copëzon fillimin dhe fundin, duke plotësuar hapësirën përmidis, pjesëzë pas pjesëze me mbresat e veta.
Këngëtarët anonimë nga mjedisi spanjoll ngjasojnë në këtë pikpamje me figurat më të mira të lirikës së dashurisë.
Vështroni, si e përshkruajnë poetët indianë tipin e femrës së përsosur,me emrin Padmini, grua – lotus(Kamasutram). Ajo është e mrekullueshme, si një lotus i paepur, kënaqësia vetë. Ajo ka shtat të derdhur e këmbë mjelme, zërin e ka si këngë zogu që ndjell një tjetër, zëri i saj i ëmbël pekëmez. Frymëmarrjes së saj i vjen aroma gji e trendelinë, prandaj pas saj fluturon bleta e artë, duke iu rrotulluar sipër si mbi një lule që e tërheq me aromën e mjaltit. Flokët e gjatë të mëndafshtë i lëshohen dallgë – dallgë, ato janë të krehura vetvetiu dhe i rrethojnë fytyrën si hënë e plotë. Sytë, si prerje e artë, i ka feksës, të butë e të trembur, si të gazelës; të zinj si nata, bebëzat i digjen në thellësi të orbitës ,si yjtë në qiellin e errët; qepallat e tyre të gjata i japin syrit veti tërheqëse. Buzët e saj plot ndjenjë janë të trëndafilta, si bohça e lules së paçelur, ose të kuqe si mana mali. Dhëmbët e bardhë i ka si margaritarët e Arabisë, kur qesh ato janë margaritarë të nxjerrë nga koralet. E lehtë si petale në ajër, ajo pëlqen veshjen e bardhë, lulet e bardha, bizhuteri të çmuara e stoli të shumta.
Të njëjtën gjë shohim edhe në “Këngën e Këngëve”, ku poeti i madh mbretëror, i robëruar nga vajza ezmere e shkretëtirës, ngre para nesh në pjesë himnesh fytyrën e të dashuruarës se vet me puthjet më të ëmbla se mushti dhe vera. Edhe Shell, në poemën “Epipsihidion”, i falet atij tundimi kur, duke përshkruar Emili Vivianin në mënyrë ideale, i ngarkon me shumicë figurat njëra mbi tjetrën. Edhe Edgar Poe në fantazinë e tij gjeniale “Liteja”, duke vizatuar femrën prallore krijon poemën e figures së femrës.
Kemi të bëjmë me atë aftësi të shpirtit njerëzor, që unë do ta quaja gëzim shumëplanësh dhe – sado i çuditshëm të duket ky term – do ta quaja edhe kënaqesi të klasifikimit. Kjo aftësi shfaqet tek njerzit e dashuruar, tek njerzit që duan diçka në mënyrë pasionante, të nxitur nga kjo dashuri e veçantë ndaj të dashurit, njohja me të cilin vazhdon pandërprerë dhe aty zbulon gjatë jetës nuanca të reja. Kjo aftësi përbën tiparin e pandashëm të të gjithë popujve që, për nga pasioni i tyre, gjithmonë gjenden në dashuri kozmike. Ne veriorët, fytyrëbardhë, të zbehtë, duke parë natyrën tone, në një farë mënyre jemi njësoj të gatuar, Shohim shelgun, themi – shelg lotues. Bukuroshen tonë të pyllit, mështeknën, e quajmë mështekna e bardhë, kaçurele, nganjëherë e quajmë edhe shtathollë kur e krahasojmë me vajzën e re. Më tutje nuk shkojmë. Na shpërthejnë në ndonjë çast fatlum pesë-gjashtë përcaktorë dhe mendimi verior hyn në qarkun e përsëritjeve. Merrni fantazinë dhe perceptimin indu e do të shihni diçka krejt ndryshe. Çdo bime indusi i jep një varg emërimesh përveç kryesorit. Bambuja nuk është vetem bamboo. Ajo është edhe i eturi per ujë, nyjori, shtatforti, druri i harkut dhe shigjetës, kokra e tërëshërës (për shkak të forms së frutit), pema e frutit majë degës, fara e vdekjes, zhurmëmadhi, zjarrdhënësi, barishtemadhi, dhuruesi i rehatisë, veriga e shpetimit, i adhuruari i mbretërve, armiku i armikut. Në qoftë se ne themi për zambakun e ujit vetemm i bardhë dhe i pastër, indiani per lotusin e shenjtë thotë +shavari i ujit, druri i bletës së zezë, rrënjëziu, gëzimi tokësor, i rituri në ujë, mbulesa e ujit, i mbiri ne ujë, pjella e ujit, i dali nga uji, moçalori, sypërloturi, njëqind- dhe njëmijëfletëshi, shlodhësi i perëndeshës, dhurata e diellit, i dashuri i bukurisë, rrezekapsi i agimit, fletërumbullaku, fletëshumi, e sa te tjera.
Sikurse këto më sipër, mendimi spanjoll zbulon gjitmonë anë të reja tek sendet dhe dukuritë me të cilat mund të ketë të bëjë, bën paralelizma dhe argëtohet me krahasimet e pafund që bën dhe e pasuron sendin a dukurinë here me nje send a object e here me ca te tjerë. Si lind dashuria?
Lind nga shikimi,
Fjala e rrit,
E mëkon xhelozia,
Prej fyerjes jep shpirt.
Kur frymen ka sosur
Një dashuri e re
E çon për ta varrosur.
+- Ky është rrethi vicjoz. Nga dashuria e vdekur lind një e re, ashtu si nga gjethja e zverdhur prej vjeshtës, lind një shpërthim i ri ibërshimi dhe ne flladin e ri te pranverës do të përkunden pa fund gjethet dhe kërcejtë e rinj duke u harlisur me nuancat e përndezura e duke u kapur pas flatrave të ëndrrave.
Në se dashuria ushqehet nga xhelozia ajo duhet të digjet pa u shuar, sepse kemi arritur te pafundësia. Në pus të xhelozisë
U ula pë të pirë,
Thash’ se pija sisë
Por, mbeta i pa ngirë.
Edhe në se ëndrra e dashurisë se, kur dashuria vdes, varrmhësi i saj bëhet nje dashuri e re, po ajo ëndërr kapriçioze thotë se dashuria nuk mund të vdesë. Asaj s’ke ç’i bën.
Brenga brengën vret,
Trishtimi trishtimin,
Me nje gozhdë gozhdën nxjerr,
Dashuria nuk nxjerr dashuri.
Dashuria, ne thelb, për vetveten nuk di asgjë, vetem se e ndjen veten si iskër, përjetësisht luan symbyllka, humb dhe gjendet. Në librin Teori dhe këshilla dashurie gjendet nje strofë përkufizuese:
Dashurinë e quajn’ fëmijë
Që ia mbajn’ syçkat mbështjelle,
Se gjithmonë kush dashuron
Te pasardhësi rri të flerë.
Duke u vetëgudulisur pa mbarim në gjumë, dashuria i jep vetvetes shumë përcaktime. -Dashuria është femijë: kur lind ngopet me pak, kur rritet nuk di të ngopet. –Dashuria është si krimbi: hyn nga sytë, shkon në zemër e të pickon për vdekje. –Dashuria është nje lloj i veçantë krimbi për pickimin e të cilit në asnjë farmaci nuk e gjen ilaçin e shërimit. –Dashuria ështe mole: ushqehet nga ajo që e lind dhe, njëkohësisht, po atë e bren. -Dashuria është merimangë: Pasi lind, ushqehet me helmin e vet. Kurse ne, pasi kemi dashuruar, rrojme duke vdekur. –Dashuria është prap si merimanga: pasi ka hyrë në skutën më të fshehtë të shpirtit, lëshon pezhishkën ashtu, pa u ndjerë sa që edhe më i mënçuri magjistar nuk ia gjen dot fillin as ta çthurë e as ta këputë. –Dashuria është si peshku, prit t’ia pastrosh e t’ia qërrosh gjithe ato hala! –Dashuria është mal i përpjetë thikë, prit t’i ngjitesh në majë; edhe në se ia arrin, nga çzsti në cast mund të biesh në humnerë. –Dashuria është monopat i çuditshem, sa me drejt t’i biesh më shumë ngatërrohesh. –Dashuria është lëndinë e gëzuar, po hyre lajthit nga argëtimet. –Dashuria është si fusha: në thatësirë digjet, po shkoi një vesë lulëzon. –Dashuria është zjarr i pashuar: sa digjet më shumë ndizet. –Dashuria është prush e tym bashkë: prush kur të dyja zemrat dashurojnë, tym kur njera prej tyre vuan. –Dashuria është zjarr i pakuptueshëm: tym nuk ka, vetë zjarri te duket agim i praruar. –Dashuria ca i freskon, ca i përvëlon; cave u jep të pinë, ca i mbyt. –Dashuria është si duhani: i dëmton dhe e pinë; e lënë por, prap e zënë, bile më me force. –Dashuria është lojë kapriçioze: sa e kanë humbur! –Dashuria është shkolla e deziluzionit: sa e sa të mënçur janë zhgënjyer. –Dashuria është një sasi monedhash të perfytyruara, që askush nuk i ka parë e nuk i njeh por, tregëtia vazhdon drugën. –Dashuria është tregëti e bazuar mbi falimentin: kush fiton ai humbet; dhe ne fund, në se ka një sundimtar ky është djalli. –Dashuria është zanat pa shkollë: e di edhe plaku edhe i mituri, profesionalisht, mësuesit më të mire të këtij zanati janë gratë. –Dashuria është një komedi: meqënëse nuk ka komedi të mirë pa bërë prova, dashuria e pare kërkon të dytën, pastaj numuri i tyre rritet. –Dashuria është si hëna: çdo katër javë na bie të kemi një të re. –Dashuria është epidemia më e madhe që ka ekzistuar ndonjëherë ne botë. –Dhe së fundi dashuria është një lloj pazari të cilin, po e zgjate shume, e humbe.
Dashuria ësht’ pazar,
Jep kapar e mos e zgjat-
Po e ktheve
S’të vjen prap.
Po e humbe teli këputet e nuk dridhet më –
Zemra pa dashuri
Si bima pa farë.
Një fatkeq njeri,
Ç’ rron pa e shijuar?
Këngët popullore spanjolle, qofshin soleras trevargëshe, qofshin koplas katërvargëshe apo seguidilat shtatëvargëshe – tre rritmet më të përhapur të krijimtarise poetike spanjolle – gjithnjë janë me ajër, delikatë nga ndjeshmëria dhe pasqyrëza të xhamta nga çapkënëria. Në një seguidilë vajza e xhelozuar i thotë të dashurit:
-Hedh veshtrimin në hënë,
Aty sytë më zënë
Me tjetër dashurohesh,
Lot e ngushëllohesh.
-Kush t’i thotë këto?
-Unë lajmës nuk kam, jo,
Lart, në hënë po të shoh.
Shpirti i dashuruar lidhet me gjithë botën, nga çdo anë mer ngacmime dhe percepton ndikime të fshehta e bëhet i gjithi ajër i tejshkueshem. Kjo imagjinatë hënore e tejpashme e vajzës spanjolle ështe plotdomethënëse në krijimtarinë popullore spanjolle dhe më kujton, ndërkohë, këngën e mahnitshme mongole “Pasqyra”, me të cilën po i përfundoj këto rrjeshta.

K’të kalin korb për ty e kam shaluar,
Shigjetën mpreha, thikën bëra brisk.
E në mu dashtë gjarprin të ndesh rrugës,
Me ‘të në luft’për zemrën tënde ik.
N’ atë pasqyrëz mrekulli, të xhamtë,
Që ma ke blerë në panair në Kjahtë,
Në rrugën e mundimshme më premto
Të m’i dërgosh çfar’ ëndrra sheh çdo natë.
Pa ikur eja të më bësh premtimin:
Çdo natë nga hëna do më shoç pa faj,
Se është ora xham kur vjen shkëlqimi
Dhe thellë do më gjesh në gji të saj.
Çdo mbrëmje do i ndjej un’ syt’ e tu
Sepse me ‘ta ti timit do i qeshësh,
Dhe hëna vetë, kur nata bje këtu,
Me ar do na mbulojë, me harresë.
Un’ Kalin korb çdo nat’ e shoh të ndehur,
Dhe ty të shoh ku lufta bën kërdinë,
Por, më sodit dhe ti pakëz të zbehur
Sesi të dua njësh me perëndinë.
KOSTANDIN DMITREVIC BALMONT (1867 – 1942)

Shtatë lulet
1
Këndon përroi mes pyllit, nuk e di përse.
Në dritë gurgullon, në erësirë fle.
Nën rreze drithëron e më me zë këndon,
Që do të thot’ askujt, askujt nuk i takon.

Dhe ti përher’ kështu ndriçon, pa ditur pse,
Të jesh e tillë të takon, se shoqe s’ke.
Në zë k’të tingull ke nga ky përroi i vjetër
Që murmurit tek rrjedh se s’je e askujt tjetër.

2
Vështroi yj’t në lartësi
Si hedhin drit’ tek unë, tek ti.
Aspak për ne nuk kanë mendim,
Veç, natës pus na çojn’ ndriçim.

Tej horizontit mrekullisht,
Në gjum’ e dritë përjetësisht.
Kush i vështron i nanuris,
Një jetë tjetër sikur nis’

O dashuri, që më je yll,
Kështu ndriço sipër mbi pyll.
Mos më kurse nga zjarri, fryje,
Veç më dërgo pluhur në yje.

3
Ti s’e kuptove, jo, n’boshllëkun e ralluar
Greminë s’jam, as terr, por ëndërr e harbuar,
Njesoj, sikurse ti, plot gaz e i shpenguar.

Humnerat dashuroj, njësoj sikurse pyjet,
Un’ heshtjen përqafoj, të tokës zën’ e vyer,
Nën tokë ç’ka, dhe ditën, qellin, yjet.

Së fundi, të pafundmen unë kur arrij,
I dua lartësitë, në rëpira mbrij,
Pastaj, si trim i çartur, bukurie ndrij.

I lire, por aspak kështu s’kam për të mbetur,
Dhe hijes ku po fle i them:”Më mbaj të mekur.”
Por brof me hov, furi, si zjarr prej zjarrit djegur.

Takimet do i bëjm’ me joshje kreatyre,
Në kaos ku do gjejm’ përsosmeri fytyre,
Ku dritë do lëshosh me vetëtim’ pasqyre.

4
E imja dashuri, o Ljusi, je pranvera!
Esht’ ëmbël të jetosh, të shoh’sh djellin përhera.
Kam qën’ në errësir’, më ish në gjumë shpirti
Kur mjegulla u drodh, pranvera kur trokiti.

Përgjigje pyetja ish e dhimbja vrull me okë
Nga buza kur t’u qesh, nga ari n’ata flokë.
Kur pjergullori shtat mbas meje u mbështet
Pranverës frymen time, oh! ia fala krejt.

Nga ëndërr e praruar ndarja ësht’ e kotë!
Nga Ljusi më të ëmbël s’mund të gjesh në botë.
Burimin pyete, lulet, kush do jet’ m’e bukur?
Njëzëri do të thonë: ajo je ti, o flutur.

5
Kush u përpoq e s’dashuroi qëkur?
Në thellësi planetet digjen zhur.
Po kush u lodh, err’sirën s’e shperndau,
I tiji yll me drite nuk e lau?

Kur rri me ty vështrimi më sheh thelle.
Në beb’zën time ty të mbaj të kthjellë.
N’atë fytyr’ pasqyre, xhamit ngulur,
Jan’ dy kërcej në dashuri të thurur.

Në njërën lule – nat’ e kadifenjtë.
Në atë tjetrën – zjarr që merr përpjetë.
Në flakë ne si asnjë trup qiellor.
Për her’ të parë u treta meteor.

6
Tani, përpara meje shtrirë,
E tëra zhytur në pasion,
E njëjta valë na ka përfshirë,
Në afsh e mjalt’ jemi përpirë,
Mbështjell’ vështrimesh ngrohtësirë
E ngjethja mjegull na lëshon.

Me beze zumë sytë tanë
Mbas pak të kridheshim në ëndërr.
Me drit’ parajse në çdo anë,
Si zogj të njëjtin fat që kanë,
Si dy vegime pran’ e pranë,
Si nuse ti e unë dhëndër.

Gjith fjalët nëpër libra shkruar
Të na bashkonin s’mundnin dot.
Nga njeri tjetri ne të ndritur,
Në qiell zhytur e vërvitur,
Qepallat pakëz fare ngritur,
Të t’ kap mundimi më shkon kot.

7
“ç’mundohesh të gjesh fjalë, vallë, nuk e sheh,
Sa ngrohtë pranë teje jam, o lule e kaltër?
“Me ata sy t’i fyesh miq, armiq nuk je,
Si lule lulezon, ky fat të mban me hatër.

“C’tu dashkan fjalët ty, dhe un’ s’kam zë, dëgjon?
Si ti dhe unë nga ëndrrat fort jam e dërmuar.
E ndjen si marim frymë me dridhje, me passion,
I dashur, nuk e sheh? ne jemi të praruar!”

I përktheu Ligor Sterjo Prifti.

Filed Under: ESSE, Sofra Poetike

KOMBËTARJA SHQIPTARE “TURPËRON” FRANCËN E PLATINSË, SERBËT HANË DAJAK NË BEOGRAD

November 14, 2014 by dgreca

Deschamps: Shqipëria nuk është skuadër e vogël; Cana: Duhet të krenohemi me këtë ekip/
Përfaqësuesja Shqiptare e futbollit ka ka turpëruar Francën e Platinisë, tek ka barazuar me rezultatin 1-1 me Francën në stadiumin “Loute De Lorient”, të Rennes.
Franca nuk e nënvleftësoi për asnëj cast ndeshjen, madje e kërkoi më dhëmë të shtërnguara dhe me nota nervozimi fitoren deri në minutën e pestë shtesë, por shqiptarët luftuan për prestigj; ata nuk e lëshuan lojën deri në sekondat e fundit. Ky ishte një rezultat historikë për kuqezinjtë të cilët kanë arritur të marrin një rezultat pozitiv përballë një kundërshtari i cili ka fituar në të shkuarën kampionatin Europian të futbollit dhe botëror.
Miqësorja e luksit që u zhvillu në në stadiumin e “Loute De Lorient”, 29.376 vendesh në 45 minutat e para të lojës ka dhuruar vetëm 1 gol, atë të Mërgim Mavrajt, i cili përfitojë mjaft mirë nga një kros i Agollit nga e majta e sulmit shqiptarë. Aksioni i golit mund të themi fare mirë ishte një skemë e timonjeri Xhani De Biazi i cili u provua edhe më parë, por që Lorik Cana nuk mundi të shënojë, duke e dërguar topin sipër traversës së portës franceze.
Pjesa e dytë foli për francezët që barazuan rezultatin përmes të sapo të futurit në lojë, Griezman në minutën e 73’.
Barazimi në Francën ndaj skuadrës së Dechamps me rezultatin 1-1 është konfirmim i formës së mirë dhe rritjes së lojës që kuqezinjtë përjetojnë nga ndeshja në ndeshje.
Në përfundim të takimit me Francën, disa prej protagonistët dhanë deklarata për shtyp dhe thanë se barazimi me Francën konfirmon forcën e kuqzeinjëve.
Lorik Cana, kapiteni kuqezi tha se ky rezultat konfirmon formën tonë të shkëlqyer. “Ky rezultat konfirmon rritjen tonë si grup. Është një rezultat që shton besimin dhe na jep krahë për të vijuar rrugëtimin tonë drejt Franc 2016”, theksojë Cana në përfundim të takimit. De Biazi nga krahu tjetër u shpreh tepër i kënaqur nga prezanimi i lojtarëve. “Më shumë se rezultati më pëlqeu reagimi i lojtarëve pas 10 minutave të para të lojës. Jam i kënaqur me të gjithë. Tani kemi Italinë, ku duam sërish një rezultat pozitiv”, përfundojë De Biazi.
Mesfushori Andi Lila nga krahu tjetër tha se jemi një skuadër që duhet të hymë në Europë. “Do të ishte e jashtëzakonshme po të fitonim këtu, por ne tashmë jemi më të vetëdishëm për forcën tonë. Duam të dalim në Europian”, ka thënë Lila.
Shqipëria barazoi me rezultatin 1-1 në qytetin e Rennes përbalël Francës. Golat në takimin e përfunduar në orën 22:45’ u shënuan nga Mavraj në mintëun e 41’ të pjesës së parë dhe nga Griezman në të 73-ën.

Kombëtarja Shqiptare ka arritur një tjetë rezultat mjaft të mirë. Edhe pse një ndeshje miqësore, kuqezinjtë e De Biazit ishin ne avantazh dhe luajten shkelqyer.
Skuadra Shqiptare ka përballuar me sukses presionin francez, por njëkohësisht duke u përpjekur të dalë përpara rezikshëm.Shqipëri aarriti të kryesojë e para 0-1 në miqësoren me Francën. Kuqezinjtë e De Biazit janë duke zhvilluar një ndeshje fantastike dhe arrijnë të udhëheqin fillimisht me meritë 0-1. Mavraj në të 41-tën kaloi kuqezinjtë në avantazh.
Ndërkohë në minutën e 72-të pas një aksioni individual, Antoni Griezman driblon bukur dy mbrojtësa shqiptar nga e majta dhe arrin të mposhtë Berishën duke barazuar rezultatin.
Gjithçka u mbyll 1-1 dhe Shqipëria arrin një tjetër rezultat të kënaqshëm, pas fitores me Portigalinë dhe barazimit me Danimarkën. Gjithsesi Franca arriti t’i marre nje barazim Shqiperise, që udhëhoqi deri në minutën e 72..
Kronika dhe formacionet/
Franca-Shqipëria 1:1 (0:1)
Stadiumi në Rennes.
Gjyqtarë: Gjyqtarë: M. Zelinka, O. Pelikan, K. Mencl (Çekia).
Shënues: Mavraj (40′).
Kartonat e verdhë: Agolli.
Franca: Lloris, Jallet, Yanga-Mbiëa, Digne (Kurzaëa 70′), Varane, Valbuena (Payet 85′), Cabaye (Griezmann 59′), Sissoko (Schneiderlin 80′), Pogba, Benzema, Lacazette (Gignac 69′).
Shqipëria:Berisha, Mavraj, Lila, Hysaj (Villa 85′), Cana, Agolli, Kukeli (Bulku 90+2′), Abrashi (Ajeti 69′), Lenjani (Shala 76′), Memushaj, Cikalleshi (Balaj 90+2′).
***
Didier Deschamps, ka thuru lavde për ekipin kuqezi, pas barazimit 1:1 në ndeshjen miqësore të zhvilluar në Renes.
Didier Deschamps, traineri i përfaqësuese franceze, ka komentuar ndeshjen ndaj Shqipërisë, e cila përfundoi me rezultat të barbarët 1:1. Ai ka lavdëruar ekipin kuqezi.
“Patëm më shumë raste sesa Shqipëria, por ne kemi bërë disa gabime. Shqipëria ra në pjesën e dytë. Ne nuk duhet të dëshpërohemi sepse Shqipëria nuk është skuadër e vogël. Unë kam bërë disa eksperienca në këtë takim, por mos të harrojmë se kemi edhe lëndime”, ka deklaruar Deschamps pas ndeshjes.

***
Cana: Duhet të krenohemi me këtë ekip
Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, ka thënë se të gjithë duhet të krenohen me Kombëtaren shqiptare.
Lorik Cana ka mbetur i kënaqur me paraqitjen e Kombëtares shqiptare në ndeshjen miqësore ndaj Francës, e cila përfundoi baras 1:1. Kapiteni i ekipit kuqezi ka thënë se duhet të krenohemi me këtë ekip.
“Skuadra pe vazhdon rrugën e saj, është duke i përmirësuar gabimet. Po më pëlqen që ekipi po lufton dhe po angazhohet. Duhet të krenohemi me këtë ekip. Por, ekipi jonë po tregoj edhe lojë të mirë, po e mbanë topin. Kemi një të ardhme të ndritur. Ne duhet të rrimë me këmbë në tokë, ti përmirësojmë gabimet dhe të ecim përpara”, ka deklaruar Cana.
SERBIA RRIHET NE BEOGRAD
Danimarka e ka mposhtur Serbinë midis Beogradit me rezultat 1:3, duke e poshtëruar në shtëpi, pa tifozë. Kurse, fitore ka shënuar edhe Portugalia, që mundi Armeninë në minutën e 8- me anë të këpucës së artë, Ronaldos.
Danimarka e ka tronditur Serbinë. Danezët kanë fituar në Beograd me rezultat 1:3, në kuadër të eliminatoreve për euro 2016.
Serbet e mbyllen pjesën e parë me golin e realizuar nga Zoran Tosic në minutën e katërt. Por, në pjesën e dytë danezët rikthyen rezultatin në 1:3. Golat i realizuan Nicklas Bendtner (60 dhe 85) dhe Simon Kjaerit (62)
Kurse, Portugalia e ka mundur Armenin me rezultat 1:0 me golin e Cristiano Ronaldos të shënuar në minutën e 72-të.
GJENDJA NË GRUP
DANIMARKA 7 Pikë
PORTUGALIA 6 Pikë
SHQIPËRIA 4 Pikë
SERBIA 1 Pikë
ARMENIA 1 PIKË

Filed Under: Sport Tagged With: barazon, Kombetarja Shqiptare, ne Beograd, ne France, Serbia rrihet

Politika e jashtme “e çoroditur” e Serbisë

November 14, 2014 by dgreca

Ne Foto: Aleksandar Vulin, i cili ka akuzuar SHBA se i ka dhene urdher Gjykates se Hages te lirojne Sheshelj dhe paralajmerojne rrezimin e pushtetit ne Serbi!/
Serbia po dërgon sinjale kontradiktore, përmes të cilave po shkakton konfuzion në opinionin e brendshëm dhe të jashtëm politik, se ekzistojnë teori të konspiracionit, të cilat synojnë ta përmbysin pushtetin aktual në Serbi.
Aleksandar Vulin, ministër i punës në Qeverinë e Serbisë ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat sipas tij, “kontrollojnë Tribunalin e Hagës”, e kanë liruar nga paraburgimi liderin e radikalëve serb Vojislav Sheshelj dhe se tash “përmes gojës së tij, thonë se do ta rrëzojnë pushtetin serb”.
Ai ka deklaruar se do ta porosisë qeverinë serbe që të mendoj për ndryshimin e kursit të politikës së jashtme.
Deri më tash, askush nga kreu i pushtetit serb nuk është distancuar nga këto deklarata të Vulinit.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, i ka karakterizuar deklaratat e Vulinit si teori të pabaza të konspiracionit. Në reagimin e kësaj ambasade, të cilën e ka botuar e përditshmja serbe “Danas”, thuhet se “nuk ka asgjë të vërtetë” në ato që ka thënë Vulin.
“Gjykata penale ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, është krijuar nën kujdesin e Këshillit të Sigurimit dhe proceset që po zhvillohen aty, janë të mbrojtura nga ndikimi politik”, thuhet në komunikatën e ambasadës së SHBA-së, të cilën e ka botuar e përditshmja serbe “Danas”. Aty, gjithashtu, thuhet se SHBA-të e mbështesin punën e rëndësishme të gjykatës së Hagës, por nuk ndikojnë në vendimet dhe mendimet e tij”.
“Çdo interpretim tjetër, është i pavërtetë”, thuhet në komunikatën e ambasadës së SHBA-ve në Beograd.
Florian Biber, ekspert për Evropën juglindore në Universitetin e Gracit, thotë për Radion Evropa e Lirë se teoria e këtillë e konspiracionit është tipike për politikanin siç është Vulin dhe ajo tingëllon, thuajse ka ardhur nga koka e Vojislav Shesheljit. Sipas tij, ato që ka thënë Vulin, janë ide e çmendura.
Biber shpreh mendimin se kryeministri serb Aleksandër Vuçiq është dashur të distancohej nga deklaratat e Vulinit, por, siç thotë ai, qeveria serbe po luan me sinjale të ndryshme.
“Ai është ministër në qeveri dhe mendoj se do të ishte korrekte që të (Vuçiq) distancohej, por në skenë është loja e kësaj qeverie me sinjale të ndryshme. Ajo po dërgon sinjale se dëshiron të jetë pro-ruse, e përsëri dërgon sinjale se dëshiron të jetë reformatore dhe pro-perëndimore. Në një moment ajo duhet të thotë qartë se çfarë dëshiron të bëj”, ka theksuar Biber.
Ai ka shtuar se qeveria serbe, sidomos, me rastin e kësaj deklarate, duhet të sqaroj se kush qëndron pas saj, Vulini, personalisht apo qeveria serbe.
Ai ka ngritur pikëpyetjen se si qeveria serbe mund të ketë marrëdhënie të mira më SHBA-të në qoftë se një anëtar i saj thotë se SHBA-të po udhëheqin politika përmes të cilave duan ta rrëzojnë pushtetin në Serbi?
“Unë, natyrisht nuk mund ta di se çfarë qëndrimi ka Vuçiq, por është fakt që Vulini është në qeveri dhe se të gjithë e dinë orientimin e tij politik dhe ky është sinjal që Vuçiqi, përveç se dëshiron marrëdhënie të mira me Perëndimin, gjithashtu dëshiron t’i ruaj marrëdhëniet e mira me rrymën pro-ruse konservative”, ka shtuar Biber.
Në anën tjetër, për deklaratat e tij, Vulin nuk ka ofruar asnjë dëshmi.
“Në qoftë Serbia, për gjithë mundin e saj për tu modernizuar, për të ndryshuar, që të jetë më e mirë, më e suksesshme, të jetë e ngjashme me vendet e zhvilluara dhe serioze, e vetmja gjë që marrim janë Rama dhe ofendimet e Shesheljit. Ne marrim promovimin e papenguar të atyre ofendimeve, si dhe kërcënimet se në këtë vend do të rrëzohen pushtetet dhe se do të piketohen si tradhtar të gjithë ata që dëshirojnë të ndryshojnë diçka”.
“Nëse shohim se e gjithë kjo është e ndihmuar nga disa vende, kam thënë, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atëherë, ndoshta është momenti që të mendojmë mirë për prioritetet tona të politikes së jashtme”, ka theksuar Vulin.
Por, lidhur me deklaratat e Vulinit dhe mosreagimit ndaj tyre nga ana e qeverisë serbe, Dushan Laziq nga Forumi për marrëdhënie ndërkombëtare, thotë se ky është një sistem që i huton qytetarët e Serbisë, por edhe botën.
“Kjo nuk është politikë e mirë për cilindo vend, e as për vendin tonë. Vulin nuk ofron kurrfarë dëshmish për çfarëdo që thotë. Ekziston mundësia që mbase Vuçiq i thotë disa gjëra përmes Vulinit. E ka të vështirë të sqarohem lidhur me këtë, sepse i di një varg deklaratash që nuk i përgjigjen Vuçiqit, por ai për këto nuk reagon. Por, unë nuk e përjashtoj mundësinë që inspirimi vjen nga qeveria, gjegjësisht, nga ana personale e vet Vuçiqit”, tha Laziq.
Ai ka shtuar se shumë shpesh në Serbi bëhen veprime në kundërshtim me interesat shtetërore dhe të qytetarëve, por edhe në kundërshtim me interesat racionale të pushtetit dhe se një gjë e tillë, mbetet e pakuptueshme.(Kortezi:Bekim Bislimi RFL)

Filed Under: Rajon Tagged With: "e çoroditur", e Serbisë, Politika e jashtme

Ditë e rëndësishme për Pejën: Hapet pika tregëtare nga LC Waikiki

November 14, 2014 by dgreca

Sot ishte një ditë e rëndësishme për Pejën. Firma globale e supermarketeve LC Waikiki ka hapur një shitore në Qendrën Interex të qytetit të njohur shqiptar.
Lajmin e ka përshëndetur në rrjetin social Facebook, biznesmeni dhe aktivisti shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari.
“Ky është një gërshetim i partneritetit ndërmjet investitorëve nga SHBA, Kosova dhe Turqia”, tha ai. “Është një arritje për Pejën që nëpërmjet përpjekjeve tona, sollëm investitorë ndërkombëtarë për të hapur një aradhë biznesesh dhe për të krijuar qindra vende pune”.
LC Waikiki ka 488 pika tregëtimi në 23 vende të botës dhe do të përhapet tani edhe në Kosovë.
“Fat të mbarë të gjithë”, uroi Bajraktari, që është edhe ish-botues dhe themelues i gazetës “Illyria”, duke premtuar se po vazhdojnë punën që të sjellin edhe më shumë investime nga jashtë në Pejë dhe në Kosovë(r.a illyria)

Filed Under: Komunitet, Rajon Tagged With: Hapet pika tregëtare, nga LC Waikiki

KUJTESE PER KRYEMINISTRIN, PAS FJALES NE PRESHEVE….“MARATONA E ABETARES” NË ATHINË….

November 14, 2014 by dgreca

Nga Abdurrahim Ashiku/ Athine/
Kryeministri ynë foli bukur në Preshevë. Foli për kujdesin që duhet treguar për shqiptarët në Kosovë, Preshevë, Bujanovc, Medvegjë, Maqedoni, Mal të Zi…për detyrimin kushtetues, për atë që në Nenin 8 të Kushtetutës thuhet…
1. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.
2. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet.
3. Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare.
Më bëhet qejfi që foli për ta. E përgëzoj dhe dëshiroj që ta mbaj fjalën…
Veçse mos harrojë që vetëm në Greqi ka një komunitet prej rreth një milionë shqiptarësh “që jetojnë e punojnë jashtë shtetit”dhe që kanë nevojë “për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare.”
Një komunitet të harruar që kujtohet vetëm për remitancat…
* * *
Maratona dhe maratonomaku, vrapimi dyzetë kilometra i luftëtarit për të sjellë në Athinë fitoren e madhe dhe rënia e tij me fjalën “fituam” në gojë, për shqiptarët është njohur më shumë se çdo libër historie me poezinë brilante të Nolit.
Nuk do të flasim për të, për Maratonën historike, por për një lloj tjetër maratone që u është imponuar mësueseve vullnetarë të gjuhës shqipe në Greqi në misionin e tyre atdhetar për tu mësuar fëmijëve, tash anekënd Greqisë, në stere dhe në ishuj, të shkruajnë, lexojnë, këndojnë e recitojnë në gjuhën e nënës së tyre
Fjala është për “Maratonën e Abetares”, udhëtimin e lodhshëm fizikisht, psikologjikisht dhe materialisht të saj për në bankën e nxënësit, një histori që ka nisur para trembëdhjetë vjetësh në Selanik për tu kthyer në një problem që nuk e mban asnjë kandar.
Në Ambasadën tonë në Athinë nga mesi i tetorit mbërritën më në fund abetaret bashkë me fletoret përkatëse. Lajmi është konfirmuar me email-e në adresë të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi dhe, gojë më gojë, në adresë të mësuesve në kurset e mësimit plotësues në të gjithë Greqinë…
Nga një email në adresën time, ndër të tjera veçoj…
…Nëse ju do të keni ndonjëmundësipër tëmbështetur transportin, ose përmes informacioneve që keni, të na orientoni si është procedura për raste të tilla, etj., do ta vlerësonim…
Ambasadës tonë i kanë ardhur dhe i kanë mbetur në “derë” Abetaret. Nëpunësit e saj që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë (dhe nga taksat tona për vula e pasaporta që janë më se dyfishi i asaj që paguhet në Shqipëri) kërkojnë… ndonjë mundësi për të mbështetur transportin, kërkojnë…informacione dhe ndonjë orientim se si është procedura… edërgimit të librave tek mësuesit…
Në qoftë se me të vërtet nuk e dinë (!?)…atëherë do t’i këshilloja të përcjellin një email në ambasadën kosovare në Vjenë… për të mësuar se si librat që vijnë nga Kosova ata i përcjellin me shpenzimet shtetërore në çdo shkollë…
Për përvojën dhe përkushtimin kosovar për dërgimin e librave mësimorë në çdo klasë në shkollat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë kam shkruar me shembuj marrë nga goja e një autoriteti të Ministrisë së Arsimit dhe Teknologjisë të Kosovës dhe të një mësuesi në Vjenë…
…Në Greqi, në tetor, klasat u mbushën me nxënës. Mbi tavolina mungonin Abetaret dhe librat e tjerë sipas kurseve të mësimit të gjuhës shqipe.
Marrja dhe shpërndarja e librave i “mbeti në derë” Lidhjes së Mësuesve me drejtues në qytetin e Korinthit, më se njëqind kilometra larg Ambasadës…
Kryetari i Lidhjes iu drejtua Sh. H. një aktivisti të Lidhjes në Athinë. Ky, pas disa telefonatave më në fund vendosi të japë ndihmën e vet…
Nuk kishte mjet të vetin për të shkuar në Ambasadë e për të marrë librat. Iu drejtua një mikut të vet taksist i cili e la punën dhe u vu në dispozicion të tij. Shkuan në Ambasadë. Mendoi se librat ishin paketuar në kuti sipas listës dhe ishin gati për t’udërguar në adresat e dhëna. U ballafaqua me një grumbull librash në pako pesëshe siç kishin dalë nga shtypshkronja. Pas telefonatave dhe mëdyshjeve vendosi t’i merrte për t’i çuar në KTEL, pikë të shpërndarjes në Athinë. Nuk ishin pak. Ishin rreth gjashtëqind libra me një peshë rreth katërqind kilogram. Iu fut punës bashkë me taksistin dhe i morën librat. Makina u mbush sa mezi bënë vend të ulen…
Shkuan në pikën e shpërndarjes. Nëpunësi u tha se librat duhen futur në kuti mbi të cilat të shkruhet adresa. Shkuan në një pikë shitje dhe morën njëzet kuti. I mbushën dhe u vunë adresat…
Një punë e lodhëshme…
Pas veprimeve financiare librat morën rrugën drejt Kavallës, Kallabakës, ishullit të Tinosit…shkollave në tërë hapësirën greke… Vetëm Kavallës, 1500 kilometra larg Athinës, iu nisën njëqind abetare dhe njëqind fletore pune me peshë rreth 130 kilogram…
Një maratonë e lodhshme, një shpenzim i konsiderueshëm parash dalë nga xhepi i atyre që bëjnë sakrificën e paimagjinueshme për kohën, japin mësim falas për fëmijët mërgimtarë, sakrifikojnë ditën e punës, ditën e pushimeve të shtunat e të dielat, prishin qetësinë familjare, një vlerë që është emërtuar si “Rilindës të kohës sonë”…
“Maratona e Abetareve” 2014…
Mbase është “maratona” e fundit…
Mbase…
Megjithatë unë nuk e besoj.
Shteti ynë e ka marrë me bezdi punën e madhe patriotike të mësuesve të gjuhës shqipe në Greqi…
Kryeministri ynë foli bukur në Preshevë. Foli për kujdesin që duhet treguar për shqiptarët në Kosovë, Preshevë, Bujanovc, Medvegjë, Maqedoni, Mal të Zi…për detyrimin kushtetues, për atë që në Nenin 8 të Kushtetutës thuhet…
1. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.
2. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet.
3. Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare.
Më bëhet qejfi që foli për ta. E përgëzoj dhe dëshiroj që ta mbaj fjalën…
Veçse mos harrojë që vetëm në Greqi ka një komunitet prej rreth një milionë shqiptarësh “që jetojnë e punojnë jashtë shtetit”dhe që kanë nevojë “për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare.”
Komuniteti mërgimtar shqiptar në Greqi, Itali, Gjermani, Zvicër, Angli…në të gjithë botën, i ka sytë dhe veshët tek shteti shqiptar, nuk donë të asimilohet…donë që fëmijët e tyre ta flasin dhe ta shkruajnë gjuhën shqipe me të 36 germat e Alfabetit të Manastirit….
Një zë që nuk duhet të bije në vesh të shurdhër…

Abdurahim Ashiku
Athinë, 12 nëntor 2014

Filed Under: Emigracion, Mergata Tagged With: “MARATONA E ABETARES”, Abdurrahim Ashiku, KUJTESE PER KRYEMINISTRIN, ne Athine, NE PRESHEVE...., PAS FJALES

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 69
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT