• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2014

KRYEMINISTRIT ISA MUSTAFA DHE KABINETIT TË TIJ

December 11, 2014 by dgreca

Nga Harry Bajraktari/ New York/
Kam kënaqësinë t’ ju uroj zgjedhjen tuaj Kryeministër i Republikës së Kosovës dhe njëherësh t’ ju uroj sukses në përmbushjen e shumë detyrave dhe obligimeve që populli i Kosovës pret nga qeveri e juaj.
Në këtë urim dëshiroj t’ i them disa nga prioritetet që mund te jenë të rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj:
Z. Kryeministër, qeverinë tuaj e presin shumë punë të ngutshme që duhet t’ i kryej gjatë mandatit katër vjeçar. Mendoj se detyrat janë të shumta dhe të ndryshme, brenda dhe jashtë Kosovës. Vetëm lufta e pa kompromis në respektimin e normave shtetërore garanton sukses. Dhe, siç thuhet, vetë puna është suksesi. Jam thellësisht i bindur në këtë parim, të cilin e kam aplikuar dhe e aplikoj në biznesin tim.
– Zhvillimi ekonomik është bazë e stabilitetit politik. Krijimi i kushteve për biznese të brendshme dhe tërheqja e investitorëve të jashtëm nga vendet e ndryshme të botës, është një faktor i jashtëzakonshëm për Kosovën. Me ngritjen ekonomike do të kemi një zvogëlim të papunësisë dhe një stabilitet më të madh politik. Në këtë drejtim duhet të gjendet rruga më e lehtë dhe më e volitshme për ta nxjerrë Kosovën nga kjo situatë sociale.
– Nuk mund të ketë zhvillim ekonomik dhe stabilitet politik, nëse nuk zbatohet ligji në të gjithë sektorët shtetërorë, njësoj për të gjithë.
Nuk mund të ketë drejtësi nëse gjykatat janë të varura nga politika ose të ndikuara në një mënyrë apo tjetër nga faktorët politikë.
Drejtësia në Kosovë duhet të lirohet nga këto ndikime, që janë shkatërruese për një shtet demokratik dhe për një shtet të së drejtes.
Gjyqësia duhet të respektojë të drejten e çdo personi, çdo individi dhe ta marrë atë në mbrojtje.
– Pa një luftë frontale për eleminimin e korrupcionit s’ mund të ketë zhvillim ekonomik, drejtësi as gjyqësi, shtet demokratik, e as prestigj në bashkësinë ndërkombëtare. Qeveria e juaj duhet të bëjë çmos që ta fitojë betejën ndaj korrupcionit dhe krimit të organizuar.
Kosova renditet në vendin 110 në raportin “Treguesi i përcaktimit të korrupcionit për vitin 2014″ publikuar nga Organizata Ndërkombetare “Transparency International”, në të cilin janë përfshirë 175 vende të botës. Miqtë tanë janë të befasuar me këtë shkallë kaq të lartë të korrupcionit. Qeveria dhe gjyqësia duhet ta ndalin këtë të keqe në Kosovë që po e gërryen prej dite në ditë.
– Apeloj që populli i Kosovës të organizohet dhe të vetëdijesohet më shumë dhe, nga ata që i ka votuar, të kërkojë përgjegjësi maksimale për punën e tyre.
– Qeveria juaj duhet të punojë më shumë e më shpejtë që Kosova të bëhet anëtare e NATOS, që të marrë liberalizimin e vizave ku edhe qytetarët e saj të lëvizin lirshëm si qytetarët e rajonit, që Kosovë të bëjë hapa përpara në proceset intekruese Evropiane, që të njihet edhe nga më shumë shtete të botës dhe të fitojë betejën për t’ u bërë anëtare e OKB.

Me respekt,
Harry Bajraktari,
10 dhjetor 2014

Filed Under: Editorial Tagged With: DHE KABINETIT TË TIJ, harry bajraktari, KRYEMINISTRIT ISA MUSTAFA

Pesë artistë shqiptarë në Traviatën e Vjenës

December 10, 2014 by dgreca

Pesë artistë shqiptarë në një Traviatë vjeneze.Shqipëria e vogël me talente të mëdha”, ka deklaruar ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e cila është shprehur të jetë krenare me Ermonela Jahon, Saimir Pirgun e Dritan Luca, të cilët kanë qenë të përfshirë në skenë, por edhe dy artistët tjerë që kanë qenë pjesë e Orkestrës Filarmonike të Vjenës.
“Traviata”, e Verdit e cila është prezantuar në Teatrin e Operas së Vjenës, Staatsopera, kurrë më shumë se sa në shfaqjen e fundit nuk ka pasur në një skenë me aq shumë artistë shqiptarë. Krenarë me interpretuesit lirikë të mrekullueshëm Ermonela Jahon, Saimir Pirgu e Dritan Luca, të cilët kanë qenë protagonistët kryesorë në skenë, por edhe dy artistët instrumentistë, pjesë e Orkestrës Filarmonike të Vjenës, Shkëlzen Dolli e Edison Pashko. “Traviata” e Viener Staatsopera do të vazhdojë të shfaqet me Ermonela Jahon dhe Saimir Pirgun edhe në datat 12 dhe 16 dhjetor 2014

Filed Under: Kulture Tagged With: në Traviatën e Vjenës, Pesë artistë shqiptarë

Shehi: Opozita të hyjë në parlament, bojkoti sjell efekte anësore

December 10, 2014 by dgreca

Dashamir Shehu, kreu i LZHK-së, Shehi, pohoi në media se “e enjtja e ardhshme duhet t’i gjejë në Parlament deputetet e opozitës”, duke rikonfirmuar edhe pozicionin e tij/
Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar dhe deputet i Partisë Demokratike, Dashamir Shehi, në një prononcim për mediat sot ka pohuar se duhet të marrë fund bojkoti i Kuvendit, pasi sjell efekte ansore të pariparueshme.
Shehi është shprehur se opozita ka marrë një pozicion që po dëmton vetveten, madje e ka konsideruar bojkotin e Parlamentit dhe të zgjedhjeve lokale (që parashikohet të mbahen vitin e ardhshëm) si një paradoks të vendimmarrjes politike.
Sot, kreu i LZHK-së, Shehi, pohoi në media se “e enjtja e ardhshme duhet t’i gjejë në Parlament deputetet e opozitës”, duke rikonfirmuar edhe pozicionin e tij, madje edhe jashtë grupit të Partisë Demokratike”.(I Vata)

Filed Under: Politike Tagged With: Dashamir Shehu, opozita ne Parlament

Hapja e dosjeve do të spastrojë politikën dhe drejtësinë nga spiunët e Enverit

December 10, 2014 by dgreca

Bisede me z. Simon MIRAKAJ- Kryetar i Shoqatës Antikomunistë të të Përndjekurve politikë/
Kryetari i Shoqatës Antikomuniste të të përndjekurve politikë, Simon Mirakaj, në intervistën për “Telegraf”, sqaron se Ligji i Lustracionit duhet të zbatohet edhe në Shqipëri, sikurse është zbatuar në të gjitha vendet postkomuniste, për tu shkëputur përfundimisht nga e kaluara e zezë komuniste. Rruga e vetme që do të na çojë në BE, thotë zoti Mirakaj, është të heqim dorë nga simbolet e komunizmit. Zbatimi i ligjit të Lustracionit, pohon Mirakaj, nuk ka të bëjë aspak me hakmarrje personale dhe se dosjet do t’i hapin vetëm të interesuarit, dhe se duke mësuar se cilët ishin urdhëruesit, zbatuesit dhe bashkëpunëtorët e atyre që vranë dhe përndoqën kundërshtarët politikë, do të mund të spastrohet politika dhe drejtësia jonë.
– Zoti Mirakaj, çfarë ndryshimi ka në projektligjin e dorëzuar pardje në Kuvend dhe në klimën politike në krahasim nga projektligji që u rrëzua në 2008-n nga Gjykata Kushtetuese?
– Unë doja ta filloj që nga viti 1995, ku ka pasur përpjekje që të hyjë në komision për hapjen e dosjeve, që quhej Komisioni “Mezini” dhe për faktin e ngjarjeve të ’97-s ky komision u mbyll. Më vonë përpjekje pati në 1998, me Komisionin “Bezani”, ku u bënë disa seleksionime, por deri kaq. Në 2008-n u hartua një projektligj, i cili u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese për shkak të konfliktit të interesit, sepse në një nen të këtij projektligji përjashtoheshin edhe gjyqtarët, në krye të Gjykatës Kushtetuese ishte Fehmi Abdiu. Të paktën, atëherë kështu u bë arsyetimi që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese ai projektligj i Lustracionit. Tani në vitin 2014 Shoqëria Civile ka marrë përsipër të hartojë një projektligj të ri për Lustracionin. Nëse ne duam të shkëputemi nga e kaluara, duhet të përballemi me të dhe përballja është që të shfletojmë historinë e së kaluarës, të shohim të zezën të zezë dhe vetëm në rast se ne do të përballemi me të kaluarën, atëherë ne do të shkëputemi prej saj. Ne pretendojmë të shkojmë në Europë, por në Europë nuk mund të shkohet me simbolet e komunizmit.
– Pas 23 vjetësh nga rrëzimi i komunizmit përse ia vlen të hapen dosjet?
– Besoj se e dini që në festimet e 5 Majit, ju patë që në Varrezat e Dëshmorëve në Përmet fëmijët që nderuan me grusht, ky është një simbol i komunizmit. Aq më keq që e bënë fëmijët, që fëmijët, edhe kur u vdesin familjarët, nuk i lejojnë në varreza. Pastaj, në një rast tjetër, kujtimi i Kongresit të Përmetit, ku në atë u hodhën themelet e diktaturës komuniste, ku atje u shfaqën portretet e diktatorit Enver Hoxha. Pastaj, bëhen përvjetorët e krijimit të Brigadave partizane me shallet e kuq dhe me portretet e Enverit. Dhe fatkeqësisht, kjo ndodh në prezencën e qeveritarëve. U desh thirrja e ambasadorit Arvizu, që e cilësoi “monstër” që u hoqën shallet e kuq dhe portreti i Enver Hoxhës nga parakalimi. Unë mendoj, që domosdoshmëria e hapjes së dosjeve vjen edhe nga një fakt tjetër më të rëndë. Nëqoftëse do të ishin hapur dosjet, nuk do të kishim “Qytetar Nderi” një vrasës, sikurse bëjnë Mehmet Shehun e Feçor Shehun. Këto dhe shkaqe e arsye të tjera e bëjnë edhe sot domosdoshmëri hapjen e dosjeve. Bëjmë të gjitha përpjekjet dhe reforma të thella ligjore, të cilat na kushtëzojnë që demokracia jonë t’i bashkohet Bashkimit Europian, ndërkohë, kur nga ana tjetër, i shprehim publikisht mirënjohje diktatorit Evner Hoxhës dhe simbolet e komunizmit. Ky është një paradoks i kohës. Duhet të ballafaqohemi me të kaluarën e zezë komuniste, që historia të mos përsëritet dhe e kaluara të mos më jetë peshë frike, dhimbjeje të vazhdojë të vrasë shpirtrat tanë. Kjo është gjithë filozofia e hapjes së dosjeve. Koha që humbëm nuk mund të zhvlerësojë këtë filozofi.
– A mund të përbëjë rrezik për Sigurinë tonë Kombëtare hapja e dosjeve, siç argumentojnë jo pak?
– Hapja e dosjeve bëhet me ligj. Pra, ky draft i është dorëzuar Kuvendit, dhe dosjet kanë cilësi. Dosje sekrete, dosje tepër sekrete. Çdo gjë sistemohet me ligj. Te ligji i Lustracionit ne nuk po bëjmë ndonjë shpikje. Ligji i Lustracionit dhe hapja e dosjeve janë miratuar dhe janë zbatuar në të gjitha vendet postkomuniste dhe nuk ka ndodhur ndonjë fenomen i çuditshëm, që të trembet dikush se në Shqipëri, nëse hapen dosjet kërcënohet siguria kombëtare, apo për hakmarrje, etj, etj. Hapja e dosjeve do të bëhet me komision. Ligji e përcakton se cilat dosje do të preken.
– Cili është qëllimi final i hapjes së dosjeve të sigurimit të shtetit?
– Këtu nuk është vetëm ky qëllimi që të gjejmë vetëm bashkëpunëtorët e sigurimit. Unë personalisht dhe shtresa e të persekutuarve e njohim mirë atë situatë. Qëllimi i vërtetë i zbatimit të Ligjit të Lustracionit është që administrata publike të pastrohet nga të inkriminuarit, qoftë bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit, me hir apo me pahir dhe, njëkohësisht, të gjithë këta të mos jenë më pjesë e drejtësisë ish gjyqtarët që kanë dhënë dënime politike, ish prokurorët, oficerët e sigurimit. Ne sot kemi në Gjykatën Kushtetuese, në Gjykatën e Lartë, kemi në SHISH njerëz që kanë qenë leva dhe instrumente zbatimi dhe ekzekutimi të diktaturës.
– Në vendet postkomuniste, atje ka tjetër kulturë dhe emancipim demokratik, ndërsa në vendin tonë, ku këto mungojnë, a mund të ndikojnë negativisht në një hapje të dosjeve?
– Absolutisht nuk do të kemi ndonjë rrezik dhe kërcënim të Sigurisë Kombëtare. Duhet të gjejmë edhe ata që i kanë detyruar disa, nëpërmjet dhunës, që të bëhen bashkëpunëtorë të sigurimit. Hapja e dosjeve nuk do të thotë, që të hapen dosjet në rrugë. Çdo qytetar ka të drejtë të hapë vetëm dosjen e vet dhe këtu mbyllet cikli. Nuk ka të drejtë as të fotokopjojë, as të lançojë personat që e kanë dhënë deponime për atë.
– A mund të përbëjë rrezik për imazhin e atyre të dënuarve, që u bënë bashkëpunëtorë të sigurimit, duke spiunuar bashkëvuajtësit e tyre?
– Nuk ka asnjë rrezik dhe unë flas për shtresën e të përndjekurve, që është një shtresë fisnike, që edhe pasi dolëm nga burgjet, nuk kemi dëgjuar për hakmarrje, por secili ndërtoi jetën e vet.
– Sipas jush, a ka ndonjë mangësi ky projektligj i ri i Lustracionit?
– Projektligji është hartuar nga njerëz kompetentë, nga ekspertë të cilët kanë marrë modelin gjerman dhe atë çek dhe e kanë përshtatë. Me atë që kam studiuar unë, nuk ka ndryshime të mëdha më draftin e mëparshëm.
– Nëse ky ligji i Lustracionit do të zbatohet – me në fund, cilat do të jenë të mirat për shqiptarët dhe demokracinë tonë?
– Qëllimi i hapjes së dosjeve nuk është kurrsesi qëllim hakmarrës, por është qëllimi që të ballafaqohemi me të shkuarën dhe të shkëputemi përfundimisht prej saj, të bëhemi pjesë e Europës. Kështu që unë besoj që shoqëria, kësisoj, fiton, fiton edhe demokracia. Qëllimi është që brezit të ri t’i japim mesazhin e paqes dhe ky mesazh jepet duke u shkëputur më në fund nga e kaluara.
– Zoti Miraka, pak më lart thatë që sot është e Majta në qeverisje dhe ka pak mundësi të miratohet ky ligj. Sipas jush, përse e Djathta që qeverisi 8 vjet nuk e miratoi që ta zbatonte ligjin e Lustracionit?
– E djathta në 2008-n e çoi në Kuvend, por më vonë nuk e ngriti më zërin. Unë mendoj që nuk ka qenë një këmbëngulje serioze e së Djathtës. Sigurisht, që të implikuar dhe të inkriminuar, njerëz të sigurimit të shtetit e shërbëtorë të zellshëm të diktaturës ka edhe nga e Djathta, edhe nga e Majta. Skepticizmi im ushqehet sepse ne nëse ne komunizmin nuk e shikojmë si një të keqe të përbashkët, nuk mund të luftohet.
Jam skepticist nëse politikanët duan do që të hapen dosjet
– Sot, pas 23 vjetësh, shumë janë konsoliduar dhe kanë monopol në politikë. Mendoni se ligji i Lustracionit do t’i prekë?
– Unë, edhe pse jam partizan i hapjes së dosjeve, jam skeptik, kjo jo dhe kaq se e Majta është në pushtet. Skepticizmin tim e kam rrjedhojë e një arsyetimi. Në 2006-n u paraqit një rezolutë për dënimin e krimeve të komunizmit dhe e Majta nuk e aprovoi dhe doli jashtë seancës parlamentare. E, megjithatë, tani shikoj pak dritë, që më jep pak shpresë, pasi për këtë ligj kanë folur edhe ambasadori i SHBA-së, i Gjermanisë.
– Faleminderit!
Bisedoi: Jakup B. GJOÇA/
Kortezi:Gazeta Telegraf

Filed Under: Interviste Tagged With: dhe drejtësinë, do të spastrojë, hapja e dosjeve, nga spiunët e Enverit, politiken, Simon Mirakaj

VEPRIMTARITE E PRESIDENTIT NISHANI NE LONDER

December 10, 2014 by dgreca

Presidenti Nishani dekoron personalitete britanike me kontribute të shquara për çështjen shqiptare/
Ne Foto: Kreu i Shtetit Shqiptar vlerësoi me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” Sër Noel Malcolm/
Londër-9 dhjetor 2014/Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani nderoi personalitete të shquara britanike për kontributin e veçantë e të çmuar në forcimin e miqësisë midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, si dhe për promovimin e vlerave historike e kulturore dhe të çështjes shqiptare.
Në një ceremoni të veçantë të zhvilluar në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Londër, Kreu i Shtetit Shqiptar vlerësoi me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” Fort të Nderuarin, Lordin Alan Watson të Richmond CBE; Fort të Nderuarin, Lordin Michael Bates; Sër Noel Malcolm. Me Dekoratën “Nderi i Kombit” zotin Alexander Duma dhe Dekoratën “Nënë Tereza” zotit David Lloyd.
Gjithashtu Presidenti Nishani i akordoi Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” zotit Stephen Nash.
Gjatë ceremonisë së dekorimit të këtyre personaliteteve të nderuara britanike, Presidenti Nishani u shpreh: “Sot, kam kënaqësinë e veçantë që në kuadrin e vizitës sime në Londër, të shpreh në emrin tim dhe të popullit shqiptar, mirënjohjen për disa prej miqve më të mirë që shqiptarët dhe Shqipëria kanë në Mbretërinë e Bashkuar.
Kjo miqësi bazohet në një traditë marrëdhëniesh disa shekullore, për të cilët ne shqiptarët kemi detyrimin që për miqtë që na kanë mbështetur në ruajtjen e identitetit tonë etnik, krijimin e shtetit shqiptar dhe sot për ngritjen e shtetit të së drejtës, të shprehim mirënjohjen tonë më të ndjerë e të thellë.
Kushdo e kujton gjestin e Lord Beaconsfield (Benjamin Dizraeli), që për të mos lejuar copëtimin e trojeve shqiptare, në vitin 1878 dërgoi flotën britanike për të prishur Traktatin e Shën Stefanit. Dhe, me siguri që Shqipëria e dalë nga Konferenca e Londrës në 1913, do të kishte qenë më e vogël se kjo që është sot, nëse Britania e Madhe nuk do të kishte ndikuar për të kufizuar kërkesat e ndonjë fuqie tjetër të madhe, që kërkonte copëtimin e Shqipërisë.
Nuk mund të lë pa përmendur dhe rolin e kontributin e të dërguarve britanikë në thirrjen e Kongresit të Lushnjës dhe në përgjithësi në ndërtimin e institucioneve të shtetit shqiptar në vitet njëzetë. Por dhe ndihmën që Britania e Madhe i dha Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, pa harruar aspak se pas luftës, Britania e Madhe ishte fuqia që bëri përpjekje serioze për ta çliruar Shqipërinë nga diktatura staliniste më e egër në Evropë.
Një ngjarje tjetër shumë e rëndësishme për shqiptarët, pas shpalljes së Pavarësisë, ishte çlirimi i Kosovës nga regjimi i Millosheviçit dhe Pavarësia e saj, që pa dyshim nuk do të kishte qenë e mundur pa ndihmën shumë thelbësore të Mbretërisë së Bashkuar.
Historia e bashkëpunimit mes dy vendeve është e larmishme. Udhëtarë eksplorues britanikë, udhëtuan nëpër Shqipëri dhe u dashuruan më këtë vend, shkruan për këtë vend dhe e bënë të njohur këtë vend në botë. Ata i mbështetën shqiptarët në përpjekjet e tyre për zhvillim dhe pavarësi. Prandaj nuk mund të lë pa përmendur këtu kontributin e Lordit Byron në prezantimin e shqiptarëve përmes poemës së tij të famshme Child Harold’s Pilgrimage, por edhe të udhëtares e antropologes Edith Durham, që me punën e palodhur e titanike për njohjen e çështjes shqiptare dhe pavarësinë e Shqipërisë, mori titullin honorifik “Mbretëreshë e Malësorëve”. Por, mirënjohje e respekt të veçantë meritojnë edhe shkrimtarë e politikanë të tjerë britanikë, të hershëm apo të sotëm, si William Martin Leake, Henry Holland, John Hobhouse, Aubrey Herbert, Owen Pearson, Koloneli Oakley-Hill, David Smiley e shumë të tjerë.
Por sot, përmes dekorimit, dëshiroj të shpreh mirënjohjen për disa prej atyre që aktualisht mbështesin Shqipërinë dhe shqiptarët në përpjekjet e tyre për të qenë pjesë e denjë e vlerave të familjes evropiane dhe euroatlantike. Njerëzit që kam nderin të dekoroj sot, janë ndër ata të cilët, janë angazhuar me pasion dhe përkushtim për të zhvilluar më tej miqësinë e hershme mes dy vendeve dhe dy popujve.
Një prej tyre është Fort i Nderuari Lordi Alan Watson i Richmondit, i cili është Kryetar i Fondacionit të Kembrixhit, Kryetar Emeritus Ndërkombëtar i Unionit të Anglisht-Folësve dhe President i Shoqatës Britaniko-Gjermane dhe shumë institucioneve të tjera. Ai është një mik i nderuar i shqiptarëve dhe me eksperiencën e tij të gjatë e të shumëllojshme si akademik e politikan, ai ka dhënë një kontribut të veçantë për evidentimin e vlerave shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar. Ndjehemi të nderuar që ai e ka vizituar vendin tonë shpesh dhe që është një njohës shumë i mirë i Shqipërisë.
Po kështu, edhe Fort i Nderuari Lordi Michael Walton Bates, Nën-Sekretar Shteti për Çështjet e Brendshme, ka dhënë një kontribut të vyer për njohjen e Shqipërisë. Ashtu si paraardhës të tij britanikë, ai është ndër të vetmit sot, që e ka përshkuar Shqipërinë nga njëri skaj në tjetrin, në këmbë, me rastin e Olimpiadës së Londrës së vitit 2012, duke i dhënë kështu Shqipërisë një vëmendje të madhe në mediat botërore. Si politikan me eksperiencë, ai ka dhënë një kontribut domethënës edhe në jetën politike të Shqipërisë së sotme.
Gjithashtu, historiani dhe gazetari i mirënjohur Sir Noel Malcolm, i cili është dhe President i Shoqatës Anglo-Shqiptare, është një mik tjetër i shquar i shqiptarëve, të cilin kam nderin e veçantë ta dekoroj sot. Kontributi i tij në njohjen e historisë dhe çështjes së Kosovës, meriton një mirënjohje të madhe.
Një tjetër mik i mirë i shqiptarëve është dhe David John Lloyd, i cili meriton plotësisht mirënjohjen e tonë. I dërguar në Shqipëri me detyrë nga Qeveria e Madhërisë së Saj, ai ka asistuar me përkushtim Qeverinë shqiptare në projektet ushtarake dhe të sigurisë. Pas mbarimit të misionit në Shqipëri, ai nuk e harroi atë, por përkundrazi u kthye në një promovues i vlerave historike dhe çështjes shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar. Vendosja e bustit të Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut në Londër, nuk do të kishte qenë i mundur pa përfshirjen intensive dhe shumë bindëse të tij. Për këtë ne i falemi nderit zotit Lloyd.
Një nderim të veçantë meriton dhe zoti Alexander Duma, i cili ka merita të veçanta e të mëdha në rindërtimin e miqësisë shqiptaro-britanike. Ai është një anëtar i vjetër i Shoqatës Anglo-Shqiptare dhe kryetar i saj në vitet 2005-2012. Zoti Duma ka qenë konsull nderi i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar në vitet 1992-94 dhe iniciator i Qendrës për Studime Shqiptare në vitin 1998. Si ekspert në fushën e financave dhe ato ndërkombëtare, gjatë gjithë këtyre viteve ai nuk ka reshtur së promovuari vlerat dhe potencialet e Shqipërisë.
Dhe së fundmi, por jo më pak i rëndësishëm është diplomati i shquar, zoti Stephen Nash, i cili gjatë kohës që ka shërbyer në Shqipëri në emër të Qeverisë së Madhërisë së Saj, fillimisht si i Ngarkuar me Punë e më pas Ambasador, ka dhënë një kontribut të shquar në forcimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve. Ai është personi që hapi përfaqësinë diplomatike britanike në Shqipëri në fillim të viteve nëntëdhjetë dhe vuri themelet e reja të këtij bashkëpunimi.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Të dashur miq,
Shqiptarët ndihen të nderuar të kenë miq të tillë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në botë. Për kontributin dhe aktivitetin e tyre në promovimin e vlerave historike, kulturore dhe nxitjen e bashkëpunimit mes dy vendeve, ata e meritojnë plotësisht mirënjohjen time si Kryetar Shteti dhe të gjithë shqiptarëve. Ju faleminderit!”

Presidenti Nishani merr pjesë në Mëngjesin e Punës në Dhomën e Lordëve të Mbretërisë së Bashkuar/

Presidenti i Republikës Bujar Nishani, ishte i ftuar nderi në një Mëngjes Pune në Dhomën e Lordëve të Mbretërisë së Bashkuar, me ftesë të Fort të Nderuarit Lord Alan Watson të Richmond, një mik i mirë e i nderuar i shqiptarëve dhe Shqipërisë.
Në prezencën e rreth 60 personave të pranishëm, Lordë, anëtarë të Parlamentit britanik, zyrtarë qendrorë e lokalë, si dhe bashkatdhetarë të nderuar me banim në Londër, Presidenti Nishani i njohu të pranishmit mbi zhvillimet në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe angazhimin dhe kontributin e Republikës së Shqipërisë në kuadrin e NATO-s dhe të Aleancës së vendeve kundër të ashtuquajturit Shtet Islamik ISIS.
Në fjalën e tij Fort i Nderuari Lordi Watson i Richond falënderoi Presidentin Nishani për pranimin e ftesës për këtë aktivitet, si dhe vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria, duke u bërë së fundmi dhe Vend Kandidat në Bashkimin Evropian.
Kreu i Shtetit, iu përgjigj edhe interesimit të pranishmëve mbi bashkëpunimin rajonal, rolin e Shqipërisë në rajon, si dhe përpjekjet e të gjitha institucioneve shqiptare për hapjen e negociatave të aderimit me Bashkimin Evropian.
Në fjalën e tij, Presidenti Nishani u shpreh:
“Fort i Nderuar Lordi Uatson,
Të nderuar Lordë,
Anëtarë të Parlamentit Britanik,
Shkëlqesi Ambasador i Kosovës,
Shkëlqesi Ambasador i Shqipërisë,
Të nderuar miq britanikë,
Të dashur bashkatdhetarë,
Zonja dhe Zotërinj!
Së pari dëshiroj ta filloj me një falënderim të veçantë për Fort të Nderuarin Lordin Uatson, i cili pati dashamirësinë për të organizuar këtë mëngjes pune, si dhe ju të gjithëve, Anëtarë të Parlamentit Britanik, Shkëlqesi Ambasadorë, miq britanikë dhe bashkatdhetarë të nderuar, që jeni sot këtu me mua.
Është një nder dhe kënaqësi e veçantë që ta filloj ditën e punës sot, në godinën prestigjioze të Pallatit të Westminster-it, ku prej disa shekujsh, janë negociuar dhe marrë vendime shumë të rëndësishme, jo vetëm për fatin e Mbretërisë së Bashkuar, por edhe të Kontinentit Evropian dhe për Botën mbarë. Por gjithsesi, vendimi për pavarësinë e Shqipërinë është marrë diku gjetkë, jo larg që këtu, në Pallatin e Shën Xhejmsit.
Vetëm pak ditë më parë Shqipëria festoi 102-vjetorin e Pavarësisë së saj nga Perandoria Otomane, shpallur, më 28 nëntor 1912, por dhe nga rreziku i copëtimit si rezultat i Luftës së Parë Ballkanike.
Por, shpallja e pavarësisë nuk mund të zyrtarizohej pa mbështetjen e Fuqive të Mëdha të kohës, ku Britania e Madhe kishte një zë të fuqishëm dhe krijoji infrastrukturën e nevojshme për bisedimet e paqes në Ballkan. Ishte Konferenca e Londrës ajo që përcaktoi kufijtë shtetërorë të Shqipërisë. Vendimi përfundimtar i marrë në Londër reflektonte, pak a shumë, kufijtë e sotëm zyrtarë të Republikës së Shqipërisë.
Vizita ime në Londër, përkon gjithashtu edhe me një ngjarje shumë të rëndësishme dhe të dhimbshme për mbarë botën, përkon me 100-vjetorin e fillimit të Luftës së Parë Botërore. Luftë që solli pasoja shumë të rënda, morale dhe ekonomike, për mbarë njerëzimin. Sot pas 100 vjetësh nga Lufta e Parë Botërore dhe 25 vjet nga rënia e Murit të Berlinit, përsëri kemi një botë, të sfiduar nga e keqja dhe të rrezikuar nga ithtarët e rikthimit të Luftës së Ftohtë.
Pak ditë më parë isha i pranishëm në një Konferencë për Energjinë, ku ndër të tjera theksova se, prej vitesh kemi identifikuar dhe jemi të vetëdijshëm për sfida dhe kërcënime të vazhdueshme sigurie siç janë përhapja e armëve të shkatërrimit në masë, krimi ndërkufitar, terrorizmi ndërkombëtar dhe krimi i organizuar, trafikimi i drogës, qenieve njerëzore dhe armëve, sulmet kibernetike, ndryshimet klimatike, kriza ekonomiko-financiare, madje edhe epidemitë e sëmundjeve si Ebola së fundmi, etj. Këto përbëjnë kërcënime, prej të cilave asnjë vend apo rajon, sado i begatë qoftë, nuk mund të ndihet i pacenuar e të mbetet i paprekshëm.
Përballë sfidave dhe kërcënimeve globale nuk ka rrugëzgjidhje tjetër përveç përpjekjeve dhe veprimeve të përbashkëta e të mirëkoordinuara, forcimit të vazhdueshëm të bashkëpunimit rajonal dhe më gjerë, atij transatlantik. Në këtë drejtim Shqipëria ka dhënë mbështetjen dhe kontributin e saj modest ndaj nismave dhe institucioneve me karakter rajonal, dhe në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut, duke bashkëpunuar me partnerët e saj në vijën e parë të frontit e të përpjekjeve për paqe dhe siguri në botë.
Shqipëria ka dhënë kontributin e saj me trupa dhe ekspertë ushtarakë dhe civilë në misionet e ndryshme në Afganistan, Irak, Çad, Gjeorgji, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë dhe do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë sa herë të nevojitet.
Gatishmëria e provuar e Shqipërisë është njohur dhe vlerësuar edhe nga partnerët tanë si shprehje e përkushtimit dhe devotshmërisë së popullit shqiptar për t`i shërbyer mbrojtjes së lirisë dhe ruajtjes së sigurisë globale. Vendi im e ka e treguar tashmë veten si anëtar i merituar i NATO-s dhe mbetem besimplotë se koordinimi dhe veprimi ynë i përbashkët do të forcohen, ndërkohë që vendet tona do të rrisin akoma edhe më shumë bashkëpunimin në shërbim të sigurisë globale, paqes dhe lirisë.
Sot, një provokim dhe kërcënim i rëndë për jetën dhe vlerat morale të mbarë njerëzimit, pa dallim feje, është edhe ISIS-i. Siç e dini, në më pak se tre muaj, është krijuar një koalicion i madh vendesh, kundër kësaj së keqe, ku Shqipëria është rreshtuar për të dhënë kontributin e saj.
Pak ditë më parë në kuadrin e kontributit për sigurinë globale, Shqipëria u vlerësua si një partnere e palëkundur.
Por vlerësoj se sot, kryefjala e vendeve të lira e demokratike është komunikimi dhe bashkëpunimi. Për këtë arsye dëshiroj të ndaj me ju edhe disa mendime mbi marrëdhëniet dhe bashkëpunimin dypalësh mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Me kënaqësi konstatoj se, në vetëm dy dekada pas rënies së perdes së hekurt në Evropë dhe vendosjes së demokracisë në Shqipëri, marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira. Ato kanë lulëzuar në atë masë që na lejojnë të bashkëpunojmë intensivisht në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, pa përjashtuar as edhe një.
Historia jonë e bashkëpunimit është shumë e larmishme veçanërisht e shtrirë në dy-tre shekujt e fundit, ku udhëtarë eksploratorë britanikë, udhëtuan nëpër Shqipëri dhe u dashuruan me këtë vend, shkruan për këtë vend dhe e mbështetën atë në përpjekjet për zhvillim dhe pavarësi. Prandaj nuk mund të lë pa përmendur këtu kontributin e Lordit Byron në prezantimin e shqiptarëve përmes poemës së tij të famshme Child Harold’s Pilgrimage, por edhe të udhëtares e antropologes Edith Durham, që me punën e palodhur e titanike për njohjen e çështjes shqiptare dhe pavarësinë e Shqipërisë, u quajt nga shqiptarët si “Mbretëresha e Malësorëve”.
Si një vit i shumë koincidencave, më 13 nëntor të këtij viti, Zonja ime dhe unë organizuam një aktivitet të veçantë me rastin e 70-vjetorit të ndarjes nga jeta të Edith Durham, ku njohës të shumtë të saj përkujtuan veprimtarinë e saj në Shqipëri.
Por, me shumë mirënjohje dhe respekt, për kontributin e dhënë për shqiptarët dhe Shqipërinë, dëshiroj të kujtoj gjithashtu edhe shkrimtarë, politikanë e të tjerë të hershëm apo të sotëm, si Henry Holland, Hobhouse, Benjamin Dizraeli, Aubrey Herbert, Ouen Person, Okllay Hill, David Smiley, Juio Emery, Sër Noel Malcom, e shumë të tjerë.
Edith Durham dhe Aubrey Herbert kanë qenë dhe themeluesit e organizatës “Anglo-Albanian Association”, në vitin 1912. Kjo është dhe organizata më e vjetër që merret me çështjen shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar dhe sipas traditës më të mirë britanike, ajo është ende aktive dhe sot, krahas dhjetëra shoqatave të tjera kulturore dhe historike.
Ne shqiptarë jemi mirënjohës për kontributin që Mbretëria e Bashkuar ka dhënë në procesin e demokratizimit të vendit, forcimin e shtetit ligjor dhe të institucioneve shtetërore shqiptare. Mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë domethënëse në fushën e drejtësisë.
Drejtësia shqiptare i është nënshtruar proceseve reformuese thelbësore, krahasuar me atë të trashëguar nga regjimi i kaluar, por që sot kërkon sistemi i drejtësisë duhet t’u përgjigje sfidave të reja të kohës dhe përgatitjes së vendit për të qenë anëtare e denjë e Bashkimit Evropian në një të ardhme jo shumë të largët.
Si President i Republikës dhe përgjegjësive kushtetuese që kam, i kushtoj vëmendje shumë të veçantë reformës në fushën e drejtësisë. E konsideroj këtë reformë si një prioritet të padiskutueshëm për vendin dhe shoqërinë shqiptare, dhe për këtë arsye në fillim të muajit tetor më 6.10.2014 iniciova një takim gjithëpërfshirës, me të gjithë faktorët dhe aktorët politikë dhe institucionalë ku u diskutua mbi nevojën e një reformë thelbësore, gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë. Mesazhet e këtij takimi ishin TRE:
JO korrupsionit në gjyqësor;
JO kapjes së gjyqësorit;
PO reformës tërësore dhe gjithëpërfshirëse në gjyqësor.
Askush, nuk mund ta shpërdorojë këtë nevojë të shoqërisë shqiptare dhe ta fusë në procese vicioze dhe të fragmentuara, jo gjithëpërfshirëse dhe në frymën e Bashkimit Evropian. Mesazhi im ka qenë i qartë se nuk mund të avancohet reforma me debate të personalizuara dhe pa alternativë, pa agjendë punë dhe pa prioritizim të çështjeve.
I një rëndësie shumë të madhe është dhe bashkëpunimi ynë në fushën e ekonomisë dhe tregtisë. Megjithëse kemi një kuadër ligjor dypalësh shumë të mirë për mbrojtjen dhe nxitjen e investimeve, si dhe eliminimin e taksimit të dyfishtë, ende jemi larg shfrytëzimit të potencialeve dhe resurseve që ekzistojnë.
Jemi të lumtur që në Shqipëri janë prezente kompani të mëdha e të njohura botërisht, si British Petrolium, Vodafone, Glaxo Sith Kline, Grimshaw, Deloitte&Touche, Pricewaterhouse Cooper, Ernst and Young, e të tjera kompani që nuk janë më pak të rëndësishme që nuk po përmenden këtu. Prezenca e tyre është si një pasaportë e mirë për të tërhequr edhe investitorë të tjerë potencialë nga Mbretëria e Bashkuar apo vende të tjera.
Siç e dini, British Petrolium është një nga shareholder-ët më të rëndësishëm të projektit më të madh aktualisht për Shqipërinë, që është projekti i transportit të gazit Trans-Adriatic Pipeline (TAP), përmes edhe Shqipërisë, që siguron transportin e gazit nga Kaspiku për jugun e Evropës.
Jam informuar se në fillim të muajit nëntor, këtu në Londër u zhvillua një Forum i përbashkët Shqiptaro-Britanik, i cili mendoj se duhet të pasohet nga forume e konferenca të tjera, si dhe nga kontakte të drejtpërdrejta Business to Business. Tashmë është krijuar një traditë e mirë e forumeve të përbashkëta ekonomike, apo të prezantimit të Shqipërisë në Panairin e Turizmit këtu në Londër, por mendoj se ka ende shumë për të bërë.
Në cilësinë e Kreut të Shtetit do të bëj gjithçka që të ndikoj për krijimin e një klime sa më të mirë biznesi për investitorët britanikë dhe ata të huaj.
Shkolla ekonomike britanike gëzon një reputacion të madh në mbarë botën dhe nga kjo shkollë ka ç’të mësojë dhe Shqipëria. Në dijeninë time janë të shumët studentët shqiptarë që kanë kryer dhe kryejnë studimet e tyre ekonomike në Britani dhe jam i sigurt që ata do të jenë një aset i vyer për të ardhmen e ekonomisë dhe financave shqiptare.
Por, një rol shumë të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe nxitjen e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, është dhe prezenca e konsiderueshme e komunitetit dhe diasporës shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar, Diaspora shqiptare këtu, është një urë lidhëse shumë e mirë mes të dy vendeve.
Unë ndihem shumë krenar dhe i lumtur për rolin dhe kontributin e pjesës më e madhe e shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Shumë prej tyre kanë bërë një karrierë të shkëlqyer në institucione të ndryshme apo artistike, duke e prezantuar në mënyrën më të mirë të mundshme vendin e tyre të origjinës dhe bëhen garancia më e mirë për nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve dhe njerëzve. Por, gjithashtu prekem dhe ndjej keqardhje kur mësoj se individë të ndryshëm, pjesë e komunitetit shqiptar këtu por të papërfillshëm në numër, me veprimtaritë e tyre kriminale prishin imazhin e të gjithë ne shqiptarëve.
Të gjithë ne, Institucionet shqiptare, shqiptarët në Shqipëri dhe kudo që jetojnë duhet të kontribuojmë sa më shumë për çkurajimin e mundësive për veprimtari të paligjshme që shpesh përfundojnë tragjikisht. Sot, jetojmë të lirë dhe mundësitë për të zgjedhur fatet tona janë të panumërta, por e rëndësishme është të zgjedhim rrugën e duhur dhe kështu të mësojmë dhe brezin e ardhshëm.
Dëshiroj që të ndalem pak edhe tek bashkëpunimi rajonal dhe Kosova. Gjithmonë ne shqiptarët kemi dashur të ndërtojmë marrëdhënie të mira me fqinjët, t’i respektojmë ata dhe të ndjehemi të respektuar prej tyre. Por deri para pak dekadash, historia nuk ka qenë shumë bujare me ne.
Fatmirësisht, sot kemi një realitet të ri. Shqiptarët, kudo që jetojnë, janë shumë më të realizuar se kurrë më parë. Prezenca e shqiptarëve në rajon, gjithnjë e më shumë po e demonstron se janë faktor paqeje dhe stabiliteti. Falë projektit evropian dhe euroatlantik, rajoni i Ballkanit Perëndimor sot është një rajon më i sigurt dhe më bashkëpunues. Vendet e rajonit janë pjesë e iniciativave dhe organizatave rajonale, ku shprehin dhe mbrojnë jo vetëm interesat e tyre individuale, por edhe ato rajonale, në frymë mirëkuptimi e bashkëpunimi.
Kosova, falë dhe mbështetjes shumë të madhe të Mbretërisë së Bashkuar dhe liderëve të saj politikë, sot është e pavarur dhe sovrane. Shqiptarët në Kosovë ndihen zot në fatet e tyre. Kosova tashmë është një shtet që ofron ndihmë reale në garantimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan .
Edhe shqiptarët në Maqedoni, si element jetësor i ekzistencës së shtetit të Maqedonisë dhe shqiptarët në Mal të Zi, si element garantues i konstituimit të pavarësisë së këtij vendi, sot si kurrë më parë janë të lirë të shprehin e mbrojnë identitetin e tyre dhe të jenë pjesë aktive e vendimmarrjes politike. Por edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe Bujanovcit, megjithëse ende të margjinalizuar ekonomikisht dhe me të drejta të trazuara arsimore e infrastrukturore, sot janë shumë herë më të vetëdijshëm dhe më të organizuar për paraqitjen në mënyrë evropiane të problemeve dhe shqetësimeve të tyre. Ata sot gëzojnë një vëmendje më të madhe evropiane dhe mbështetje më serioze nga Shqipëria dhe Kosova.
Fort i Nderuar Lordi Uatson,
Dje, pata nderin të pritesha, në Klarence Hauz nga Lartmadhërinë e Tij Princi i Uellsit, me të cilin shkëmbeva mendime lidhur me bashkëpunimin mes dy vendeve tona, kontributin e shumë personaliteteve britanike në promovimin e kulturës dhe historisë moderne të Shqipërisë, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë në dy dekadat e fundit.
Por, shumë interesante e të frytshme kanë qenë edhe takimet e tjera me zyrtarë, përfaqësues të biznesit dhe miq të nderuar britanikë, të cilët më përcollën mesazhe respekti për reformat e ndërmarra nga Shqipëria, si dhe mbështetje për vijimin e tyre.
Sot pasdite, gjithashtu do të kem nderin të dekoroj gjashtë miq të shquar të shqiptarëve, të cilët meritojnë mirënjohjen e tyre, që ashtu si paraardhësit e tyre Lord Bayron dhe Edith Durham, kanë kontribuar për promovimin e çështjes shqiptare, si dhe të vlerave historike e kulturore të shqiptarëve dhe të Shqipërisë.
Fort i Nderuar Lordi Uatson,
Në respekt të agjendës së takimit, por edhe kënaqësisë për të zhvilluar një bashkëbisedim me të pranishmit, dëshiroj ta mbyll këtu fjalën time.
Gjithashtu, dëshiroj t’ju falënderoj për vëmendjen, dhe meqenëse jemi në mbyllje të vitit 2014, ju uroj nga zemra:
Gëzuar Festat e Fundvitit, Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, për ju të gjithë si dhe të dashurit tuaj.
Ju faleminderit!’’!
Presidenti Nishani vendos një kurorë me lule në bustin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut në Londër/
9 dhjetor 2014 – Londër/
Në kuadrin e vizitës në Mbretërinë e Bashkuar, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani dhe Zonja e Parë Odeta Nishani të shoqëruar nga delegacioni zyrtar, vizituan dhe vendosën një kurorë me lule tek busti i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Në praninë e një numri të madh miqsh britanikë dhe bashkëatdhetarësh, nga Ambasadori i Shqipërisë dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Presidenti Nishani u shpreh i lumtur dhe krenar për praninë e bustit të heroit tonë kombëtar në një qytet me histori të madhe e të lavdishme, si ai i Londrës.
Presidenti Nishani falënderoi të pranishmit, si dhe shprehu mirënjohjen për autoritetet e qytetit të Londrës, për miqtë britanikë dhe bashkatdhetarët e nderuar që bënë të mundur vendosjen e këtij busti dy vite më parë, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
“Prania e Heroit tonë Kombëtar, i cili është një simbol në tërësi i një rezistence mbarëevropiane, në një prej shesheve të Londrës është një shenjë e rëndësishme e miqësisë së fortë mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ky bust sjell pjesë të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar, pjesë të rëndësishme të kontributeve që shqiptarët kanë dhënë në hapësirën evropiane prej shumë kohësh.” – u shpreh Presidenti Nishani.
“Natyrisht që sot ne jetojmë në kohë moderne dhe për fat të mirë shqiptarët sot, kudo ku jetojnë, janë shumë herë më të prosperuar, më të arrirë, më të zhvilluar, më të unifikuar në objektiva e në mendime dhe në kontribute për vendet ku jetojnë, ashtu siç është edhe diaspora shqiptare në Britaninë e Madhe, së cilës unë dëshiroj t’i ofroj respektin më të veçantë në emrin tim, në emër të Institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në emrin e të gjithë shqiptarëve për të gjitha ato sakrifica që ata kanë bërë dhe tashmë janë të integruar në shoqërinë e këtij vendi shumë të madh, të kësaj shoqërie të lirë e demokratike, me kaq shumë histori, vlera, tradita dhe zhvillim, por edhe me atë ndjenjën e mikpritjes e të bujarisë që ka ofruar edhe për shqiptarët.” – vuri në dukje Kreu i Shtetit.

Filed Under: Kronike Tagged With: ne Londer, VEPRIMTARITE E PRESIDENTIT NISHANI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 64
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT