Presidenti Nishani dekoron personalitete britanike me kontribute të shquara për çështjen shqiptare/
Ne Foto: Kreu i Shtetit Shqiptar vlerësoi me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” Sër Noel Malcolm/
Londër-9 dhjetor 2014/Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani nderoi personalitete të shquara britanike për kontributin e veçantë e të çmuar në forcimin e miqësisë midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, si dhe për promovimin e vlerave historike e kulturore dhe të çështjes shqiptare.
Në një ceremoni të veçantë të zhvilluar në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Londër, Kreu i Shtetit Shqiptar vlerësoi me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” Fort të Nderuarin, Lordin Alan Watson të Richmond CBE; Fort të Nderuarin, Lordin Michael Bates; Sër Noel Malcolm. Me Dekoratën “Nderi i Kombit” zotin Alexander Duma dhe Dekoratën “Nënë Tereza” zotit David Lloyd.
Gjithashtu Presidenti Nishani i akordoi Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” zotit Stephen Nash.
Gjatë ceremonisë së dekorimit të këtyre personaliteteve të nderuara britanike, Presidenti Nishani u shpreh: “Sot, kam kënaqësinë e veçantë që në kuadrin e vizitës sime në Londër, të shpreh në emrin tim dhe të popullit shqiptar, mirënjohjen për disa prej miqve më të mirë që shqiptarët dhe Shqipëria kanë në Mbretërinë e Bashkuar.
Kjo miqësi bazohet në një traditë marrëdhëniesh disa shekullore, për të cilët ne shqiptarët kemi detyrimin që për miqtë që na kanë mbështetur në ruajtjen e identitetit tonë etnik, krijimin e shtetit shqiptar dhe sot për ngritjen e shtetit të së drejtës, të shprehim mirënjohjen tonë më të ndjerë e të thellë.
Kushdo e kujton gjestin e Lord Beaconsfield (Benjamin Dizraeli), që për të mos lejuar copëtimin e trojeve shqiptare, në vitin 1878 dërgoi flotën britanike për të prishur Traktatin e Shën Stefanit. Dhe, me siguri që Shqipëria e dalë nga Konferenca e Londrës në 1913, do të kishte qenë më e vogël se kjo që është sot, nëse Britania e Madhe nuk do të kishte ndikuar për të kufizuar kërkesat e ndonjë fuqie tjetër të madhe, që kërkonte copëtimin e Shqipërisë.
Nuk mund të lë pa përmendur dhe rolin e kontributin e të dërguarve britanikë në thirrjen e Kongresit të Lushnjës dhe në përgjithësi në ndërtimin e institucioneve të shtetit shqiptar në vitet njëzetë. Por dhe ndihmën që Britania e Madhe i dha Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, pa harruar aspak se pas luftës, Britania e Madhe ishte fuqia që bëri përpjekje serioze për ta çliruar Shqipërinë nga diktatura staliniste më e egër në Evropë.
Një ngjarje tjetër shumë e rëndësishme për shqiptarët, pas shpalljes së Pavarësisë, ishte çlirimi i Kosovës nga regjimi i Millosheviçit dhe Pavarësia e saj, që pa dyshim nuk do të kishte qenë e mundur pa ndihmën shumë thelbësore të Mbretërisë së Bashkuar.
Historia e bashkëpunimit mes dy vendeve është e larmishme. Udhëtarë eksplorues britanikë, udhëtuan nëpër Shqipëri dhe u dashuruan më këtë vend, shkruan për këtë vend dhe e bënë të njohur këtë vend në botë. Ata i mbështetën shqiptarët në përpjekjet e tyre për zhvillim dhe pavarësi. Prandaj nuk mund të lë pa përmendur këtu kontributin e Lordit Byron në prezantimin e shqiptarëve përmes poemës së tij të famshme Child Harold’s Pilgrimage, por edhe të udhëtares e antropologes Edith Durham, që me punën e palodhur e titanike për njohjen e çështjes shqiptare dhe pavarësinë e Shqipërisë, mori titullin honorifik “Mbretëreshë e Malësorëve”. Por, mirënjohje e respekt të veçantë meritojnë edhe shkrimtarë e politikanë të tjerë britanikë, të hershëm apo të sotëm, si William Martin Leake, Henry Holland, John Hobhouse, Aubrey Herbert, Owen Pearson, Koloneli Oakley-Hill, David Smiley e shumë të tjerë.
Por sot, përmes dekorimit, dëshiroj të shpreh mirënjohjen për disa prej atyre që aktualisht mbështesin Shqipërinë dhe shqiptarët në përpjekjet e tyre për të qenë pjesë e denjë e vlerave të familjes evropiane dhe euroatlantike. Njerëzit që kam nderin të dekoroj sot, janë ndër ata të cilët, janë angazhuar me pasion dhe përkushtim për të zhvilluar më tej miqësinë e hershme mes dy vendeve dhe dy popujve.
Një prej tyre është Fort i Nderuari Lordi Alan Watson i Richmondit, i cili është Kryetar i Fondacionit të Kembrixhit, Kryetar Emeritus Ndërkombëtar i Unionit të Anglisht-Folësve dhe President i Shoqatës Britaniko-Gjermane dhe shumë institucioneve të tjera. Ai është një mik i nderuar i shqiptarëve dhe me eksperiencën e tij të gjatë e të shumëllojshme si akademik e politikan, ai ka dhënë një kontribut të veçantë për evidentimin e vlerave shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar. Ndjehemi të nderuar që ai e ka vizituar vendin tonë shpesh dhe që është një njohës shumë i mirë i Shqipërisë.
Po kështu, edhe Fort i Nderuari Lordi Michael Walton Bates, Nën-Sekretar Shteti për Çështjet e Brendshme, ka dhënë një kontribut të vyer për njohjen e Shqipërisë. Ashtu si paraardhës të tij britanikë, ai është ndër të vetmit sot, që e ka përshkuar Shqipërinë nga njëri skaj në tjetrin, në këmbë, me rastin e Olimpiadës së Londrës së vitit 2012, duke i dhënë kështu Shqipërisë një vëmendje të madhe në mediat botërore. Si politikan me eksperiencë, ai ka dhënë një kontribut domethënës edhe në jetën politike të Shqipërisë së sotme.
Gjithashtu, historiani dhe gazetari i mirënjohur Sir Noel Malcolm, i cili është dhe President i Shoqatës Anglo-Shqiptare, është një mik tjetër i shquar i shqiptarëve, të cilin kam nderin e veçantë ta dekoroj sot. Kontributi i tij në njohjen e historisë dhe çështjes së Kosovës, meriton një mirënjohje të madhe.
Një tjetër mik i mirë i shqiptarëve është dhe David John Lloyd, i cili meriton plotësisht mirënjohjen e tonë. I dërguar në Shqipëri me detyrë nga Qeveria e Madhërisë së Saj, ai ka asistuar me përkushtim Qeverinë shqiptare në projektet ushtarake dhe të sigurisë. Pas mbarimit të misionit në Shqipëri, ai nuk e harroi atë, por përkundrazi u kthye në një promovues i vlerave historike dhe çështjes shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar. Vendosja e bustit të Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut në Londër, nuk do të kishte qenë i mundur pa përfshirjen intensive dhe shumë bindëse të tij. Për këtë ne i falemi nderit zotit Lloyd.
Një nderim të veçantë meriton dhe zoti Alexander Duma, i cili ka merita të veçanta e të mëdha në rindërtimin e miqësisë shqiptaro-britanike. Ai është një anëtar i vjetër i Shoqatës Anglo-Shqiptare dhe kryetar i saj në vitet 2005-2012. Zoti Duma ka qenë konsull nderi i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar në vitet 1992-94 dhe iniciator i Qendrës për Studime Shqiptare në vitin 1998. Si ekspert në fushën e financave dhe ato ndërkombëtare, gjatë gjithë këtyre viteve ai nuk ka reshtur së promovuari vlerat dhe potencialet e Shqipërisë.
Dhe së fundmi, por jo më pak i rëndësishëm është diplomati i shquar, zoti Stephen Nash, i cili gjatë kohës që ka shërbyer në Shqipëri në emër të Qeverisë së Madhërisë së Saj, fillimisht si i Ngarkuar me Punë e më pas Ambasador, ka dhënë një kontribut të shquar në forcimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve. Ai është personi që hapi përfaqësinë diplomatike britanike në Shqipëri në fillim të viteve nëntëdhjetë dhe vuri themelet e reja të këtij bashkëpunimi.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Të dashur miq,
Shqiptarët ndihen të nderuar të kenë miq të tillë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në botë. Për kontributin dhe aktivitetin e tyre në promovimin e vlerave historike, kulturore dhe nxitjen e bashkëpunimit mes dy vendeve, ata e meritojnë plotësisht mirënjohjen time si Kryetar Shteti dhe të gjithë shqiptarëve. Ju faleminderit!”
Presidenti Nishani merr pjesë në Mëngjesin e Punës në Dhomën e Lordëve të Mbretërisë së Bashkuar/
Presidenti i Republikës Bujar Nishani, ishte i ftuar nderi në një Mëngjes Pune në Dhomën e Lordëve të Mbretërisë së Bashkuar, me ftesë të Fort të Nderuarit Lord Alan Watson të Richmond, një mik i mirë e i nderuar i shqiptarëve dhe Shqipërisë.
Në prezencën e rreth 60 personave të pranishëm, Lordë, anëtarë të Parlamentit britanik, zyrtarë qendrorë e lokalë, si dhe bashkatdhetarë të nderuar me banim në Londër, Presidenti Nishani i njohu të pranishmit mbi zhvillimet në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe angazhimin dhe kontributin e Republikës së Shqipërisë në kuadrin e NATO-s dhe të Aleancës së vendeve kundër të ashtuquajturit Shtet Islamik ISIS.
Në fjalën e tij Fort i Nderuari Lordi Watson i Richond falënderoi Presidentin Nishani për pranimin e ftesës për këtë aktivitet, si dhe vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria, duke u bërë së fundmi dhe Vend Kandidat në Bashkimin Evropian.
Kreu i Shtetit, iu përgjigj edhe interesimit të pranishmëve mbi bashkëpunimin rajonal, rolin e Shqipërisë në rajon, si dhe përpjekjet e të gjitha institucioneve shqiptare për hapjen e negociatave të aderimit me Bashkimin Evropian.
Në fjalën e tij, Presidenti Nishani u shpreh:
“Fort i Nderuar Lordi Uatson,
Të nderuar Lordë,
Anëtarë të Parlamentit Britanik,
Shkëlqesi Ambasador i Kosovës,
Shkëlqesi Ambasador i Shqipërisë,
Të nderuar miq britanikë,
Të dashur bashkatdhetarë,
Zonja dhe Zotërinj!
Së pari dëshiroj ta filloj me një falënderim të veçantë për Fort të Nderuarin Lordin Uatson, i cili pati dashamirësinë për të organizuar këtë mëngjes pune, si dhe ju të gjithëve, Anëtarë të Parlamentit Britanik, Shkëlqesi Ambasadorë, miq britanikë dhe bashkatdhetarë të nderuar, që jeni sot këtu me mua.
Është një nder dhe kënaqësi e veçantë që ta filloj ditën e punës sot, në godinën prestigjioze të Pallatit të Westminster-it, ku prej disa shekujsh, janë negociuar dhe marrë vendime shumë të rëndësishme, jo vetëm për fatin e Mbretërisë së Bashkuar, por edhe të Kontinentit Evropian dhe për Botën mbarë. Por gjithsesi, vendimi për pavarësinë e Shqipërinë është marrë diku gjetkë, jo larg që këtu, në Pallatin e Shën Xhejmsit.
Vetëm pak ditë më parë Shqipëria festoi 102-vjetorin e Pavarësisë së saj nga Perandoria Otomane, shpallur, më 28 nëntor 1912, por dhe nga rreziku i copëtimit si rezultat i Luftës së Parë Ballkanike.
Por, shpallja e pavarësisë nuk mund të zyrtarizohej pa mbështetjen e Fuqive të Mëdha të kohës, ku Britania e Madhe kishte një zë të fuqishëm dhe krijoji infrastrukturën e nevojshme për bisedimet e paqes në Ballkan. Ishte Konferenca e Londrës ajo që përcaktoi kufijtë shtetërorë të Shqipërisë. Vendimi përfundimtar i marrë në Londër reflektonte, pak a shumë, kufijtë e sotëm zyrtarë të Republikës së Shqipërisë.
Vizita ime në Londër, përkon gjithashtu edhe me një ngjarje shumë të rëndësishme dhe të dhimbshme për mbarë botën, përkon me 100-vjetorin e fillimit të Luftës së Parë Botërore. Luftë që solli pasoja shumë të rënda, morale dhe ekonomike, për mbarë njerëzimin. Sot pas 100 vjetësh nga Lufta e Parë Botërore dhe 25 vjet nga rënia e Murit të Berlinit, përsëri kemi një botë, të sfiduar nga e keqja dhe të rrezikuar nga ithtarët e rikthimit të Luftës së Ftohtë.
Pak ditë më parë isha i pranishëm në një Konferencë për Energjinë, ku ndër të tjera theksova se, prej vitesh kemi identifikuar dhe jemi të vetëdijshëm për sfida dhe kërcënime të vazhdueshme sigurie siç janë përhapja e armëve të shkatërrimit në masë, krimi ndërkufitar, terrorizmi ndërkombëtar dhe krimi i organizuar, trafikimi i drogës, qenieve njerëzore dhe armëve, sulmet kibernetike, ndryshimet klimatike, kriza ekonomiko-financiare, madje edhe epidemitë e sëmundjeve si Ebola së fundmi, etj. Këto përbëjnë kërcënime, prej të cilave asnjë vend apo rajon, sado i begatë qoftë, nuk mund të ndihet i pacenuar e të mbetet i paprekshëm.
Përballë sfidave dhe kërcënimeve globale nuk ka rrugëzgjidhje tjetër përveç përpjekjeve dhe veprimeve të përbashkëta e të mirëkoordinuara, forcimit të vazhdueshëm të bashkëpunimit rajonal dhe më gjerë, atij transatlantik. Në këtë drejtim Shqipëria ka dhënë mbështetjen dhe kontributin e saj modest ndaj nismave dhe institucioneve me karakter rajonal, dhe në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut, duke bashkëpunuar me partnerët e saj në vijën e parë të frontit e të përpjekjeve për paqe dhe siguri në botë.
Shqipëria ka dhënë kontributin e saj me trupa dhe ekspertë ushtarakë dhe civilë në misionet e ndryshme në Afganistan, Irak, Çad, Gjeorgji, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë dhe do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë sa herë të nevojitet.
Gatishmëria e provuar e Shqipërisë është njohur dhe vlerësuar edhe nga partnerët tanë si shprehje e përkushtimit dhe devotshmërisë së popullit shqiptar për t`i shërbyer mbrojtjes së lirisë dhe ruajtjes së sigurisë globale. Vendi im e ka e treguar tashmë veten si anëtar i merituar i NATO-s dhe mbetem besimplotë se koordinimi dhe veprimi ynë i përbashkët do të forcohen, ndërkohë që vendet tona do të rrisin akoma edhe më shumë bashkëpunimin në shërbim të sigurisë globale, paqes dhe lirisë.
Sot, një provokim dhe kërcënim i rëndë për jetën dhe vlerat morale të mbarë njerëzimit, pa dallim feje, është edhe ISIS-i. Siç e dini, në më pak se tre muaj, është krijuar një koalicion i madh vendesh, kundër kësaj së keqe, ku Shqipëria është rreshtuar për të dhënë kontributin e saj.
Pak ditë më parë në kuadrin e kontributit për sigurinë globale, Shqipëria u vlerësua si një partnere e palëkundur.
Por vlerësoj se sot, kryefjala e vendeve të lira e demokratike është komunikimi dhe bashkëpunimi. Për këtë arsye dëshiroj të ndaj me ju edhe disa mendime mbi marrëdhëniet dhe bashkëpunimin dypalësh mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Me kënaqësi konstatoj se, në vetëm dy dekada pas rënies së perdes së hekurt në Evropë dhe vendosjes së demokracisë në Shqipëri, marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira. Ato kanë lulëzuar në atë masë që na lejojnë të bashkëpunojmë intensivisht në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, pa përjashtuar as edhe një.
Historia jonë e bashkëpunimit është shumë e larmishme veçanërisht e shtrirë në dy-tre shekujt e fundit, ku udhëtarë eksploratorë britanikë, udhëtuan nëpër Shqipëri dhe u dashuruan me këtë vend, shkruan për këtë vend dhe e mbështetën atë në përpjekjet për zhvillim dhe pavarësi. Prandaj nuk mund të lë pa përmendur këtu kontributin e Lordit Byron në prezantimin e shqiptarëve përmes poemës së tij të famshme Child Harold’s Pilgrimage, por edhe të udhëtares e antropologes Edith Durham, që me punën e palodhur e titanike për njohjen e çështjes shqiptare dhe pavarësinë e Shqipërisë, u quajt nga shqiptarët si “Mbretëresha e Malësorëve”.
Si një vit i shumë koincidencave, më 13 nëntor të këtij viti, Zonja ime dhe unë organizuam një aktivitet të veçantë me rastin e 70-vjetorit të ndarjes nga jeta të Edith Durham, ku njohës të shumtë të saj përkujtuan veprimtarinë e saj në Shqipëri.
Por, me shumë mirënjohje dhe respekt, për kontributin e dhënë për shqiptarët dhe Shqipërinë, dëshiroj të kujtoj gjithashtu edhe shkrimtarë, politikanë e të tjerë të hershëm apo të sotëm, si Henry Holland, Hobhouse, Benjamin Dizraeli, Aubrey Herbert, Ouen Person, Okllay Hill, David Smiley, Juio Emery, Sër Noel Malcom, e shumë të tjerë.
Edith Durham dhe Aubrey Herbert kanë qenë dhe themeluesit e organizatës “Anglo-Albanian Association”, në vitin 1912. Kjo është dhe organizata më e vjetër që merret me çështjen shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar dhe sipas traditës më të mirë britanike, ajo është ende aktive dhe sot, krahas dhjetëra shoqatave të tjera kulturore dhe historike.
Ne shqiptarë jemi mirënjohës për kontributin që Mbretëria e Bashkuar ka dhënë në procesin e demokratizimit të vendit, forcimin e shtetit ligjor dhe të institucioneve shtetërore shqiptare. Mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë domethënëse në fushën e drejtësisë.
Drejtësia shqiptare i është nënshtruar proceseve reformuese thelbësore, krahasuar me atë të trashëguar nga regjimi i kaluar, por që sot kërkon sistemi i drejtësisë duhet t’u përgjigje sfidave të reja të kohës dhe përgatitjes së vendit për të qenë anëtare e denjë e Bashkimit Evropian në një të ardhme jo shumë të largët.
Si President i Republikës dhe përgjegjësive kushtetuese që kam, i kushtoj vëmendje shumë të veçantë reformës në fushën e drejtësisë. E konsideroj këtë reformë si një prioritet të padiskutueshëm për vendin dhe shoqërinë shqiptare, dhe për këtë arsye në fillim të muajit tetor më 6.10.2014 iniciova një takim gjithëpërfshirës, me të gjithë faktorët dhe aktorët politikë dhe institucionalë ku u diskutua mbi nevojën e një reformë thelbësore, gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë. Mesazhet e këtij takimi ishin TRE:
JO korrupsionit në gjyqësor;
JO kapjes së gjyqësorit;
PO reformës tërësore dhe gjithëpërfshirëse në gjyqësor.
Askush, nuk mund ta shpërdorojë këtë nevojë të shoqërisë shqiptare dhe ta fusë në procese vicioze dhe të fragmentuara, jo gjithëpërfshirëse dhe në frymën e Bashkimit Evropian. Mesazhi im ka qenë i qartë se nuk mund të avancohet reforma me debate të personalizuara dhe pa alternativë, pa agjendë punë dhe pa prioritizim të çështjeve.
I një rëndësie shumë të madhe është dhe bashkëpunimi ynë në fushën e ekonomisë dhe tregtisë. Megjithëse kemi një kuadër ligjor dypalësh shumë të mirë për mbrojtjen dhe nxitjen e investimeve, si dhe eliminimin e taksimit të dyfishtë, ende jemi larg shfrytëzimit të potencialeve dhe resurseve që ekzistojnë.
Jemi të lumtur që në Shqipëri janë prezente kompani të mëdha e të njohura botërisht, si British Petrolium, Vodafone, Glaxo Sith Kline, Grimshaw, Deloitte&Touche, Pricewaterhouse Cooper, Ernst and Young, e të tjera kompani që nuk janë më pak të rëndësishme që nuk po përmenden këtu. Prezenca e tyre është si një pasaportë e mirë për të tërhequr edhe investitorë të tjerë potencialë nga Mbretëria e Bashkuar apo vende të tjera.
Siç e dini, British Petrolium është një nga shareholder-ët më të rëndësishëm të projektit më të madh aktualisht për Shqipërinë, që është projekti i transportit të gazit Trans-Adriatic Pipeline (TAP), përmes edhe Shqipërisë, që siguron transportin e gazit nga Kaspiku për jugun e Evropës.
Jam informuar se në fillim të muajit nëntor, këtu në Londër u zhvillua një Forum i përbashkët Shqiptaro-Britanik, i cili mendoj se duhet të pasohet nga forume e konferenca të tjera, si dhe nga kontakte të drejtpërdrejta Business to Business. Tashmë është krijuar një traditë e mirë e forumeve të përbashkëta ekonomike, apo të prezantimit të Shqipërisë në Panairin e Turizmit këtu në Londër, por mendoj se ka ende shumë për të bërë.
Në cilësinë e Kreut të Shtetit do të bëj gjithçka që të ndikoj për krijimin e një klime sa më të mirë biznesi për investitorët britanikë dhe ata të huaj.
Shkolla ekonomike britanike gëzon një reputacion të madh në mbarë botën dhe nga kjo shkollë ka ç’të mësojë dhe Shqipëria. Në dijeninë time janë të shumët studentët shqiptarë që kanë kryer dhe kryejnë studimet e tyre ekonomike në Britani dhe jam i sigurt që ata do të jenë një aset i vyer për të ardhmen e ekonomisë dhe financave shqiptare.
Por, një rol shumë të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe nxitjen e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, është dhe prezenca e konsiderueshme e komunitetit dhe diasporës shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar, Diaspora shqiptare këtu, është një urë lidhëse shumë e mirë mes të dy vendeve.
Unë ndihem shumë krenar dhe i lumtur për rolin dhe kontributin e pjesës më e madhe e shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Shumë prej tyre kanë bërë një karrierë të shkëlqyer në institucione të ndryshme apo artistike, duke e prezantuar në mënyrën më të mirë të mundshme vendin e tyre të origjinës dhe bëhen garancia më e mirë për nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve dhe njerëzve. Por, gjithashtu prekem dhe ndjej keqardhje kur mësoj se individë të ndryshëm, pjesë e komunitetit shqiptar këtu por të papërfillshëm në numër, me veprimtaritë e tyre kriminale prishin imazhin e të gjithë ne shqiptarëve.
Të gjithë ne, Institucionet shqiptare, shqiptarët në Shqipëri dhe kudo që jetojnë duhet të kontribuojmë sa më shumë për çkurajimin e mundësive për veprimtari të paligjshme që shpesh përfundojnë tragjikisht. Sot, jetojmë të lirë dhe mundësitë për të zgjedhur fatet tona janë të panumërta, por e rëndësishme është të zgjedhim rrugën e duhur dhe kështu të mësojmë dhe brezin e ardhshëm.
Dëshiroj që të ndalem pak edhe tek bashkëpunimi rajonal dhe Kosova. Gjithmonë ne shqiptarët kemi dashur të ndërtojmë marrëdhënie të mira me fqinjët, t’i respektojmë ata dhe të ndjehemi të respektuar prej tyre. Por deri para pak dekadash, historia nuk ka qenë shumë bujare me ne.
Fatmirësisht, sot kemi një realitet të ri. Shqiptarët, kudo që jetojnë, janë shumë më të realizuar se kurrë më parë. Prezenca e shqiptarëve në rajon, gjithnjë e më shumë po e demonstron se janë faktor paqeje dhe stabiliteti. Falë projektit evropian dhe euroatlantik, rajoni i Ballkanit Perëndimor sot është një rajon më i sigurt dhe më bashkëpunues. Vendet e rajonit janë pjesë e iniciativave dhe organizatave rajonale, ku shprehin dhe mbrojnë jo vetëm interesat e tyre individuale, por edhe ato rajonale, në frymë mirëkuptimi e bashkëpunimi.
Kosova, falë dhe mbështetjes shumë të madhe të Mbretërisë së Bashkuar dhe liderëve të saj politikë, sot është e pavarur dhe sovrane. Shqiptarët në Kosovë ndihen zot në fatet e tyre. Kosova tashmë është një shtet që ofron ndihmë reale në garantimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan .
Edhe shqiptarët në Maqedoni, si element jetësor i ekzistencës së shtetit të Maqedonisë dhe shqiptarët në Mal të Zi, si element garantues i konstituimit të pavarësisë së këtij vendi, sot si kurrë më parë janë të lirë të shprehin e mbrojnë identitetin e tyre dhe të jenë pjesë aktive e vendimmarrjes politike. Por edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe Bujanovcit, megjithëse ende të margjinalizuar ekonomikisht dhe me të drejta të trazuara arsimore e infrastrukturore, sot janë shumë herë më të vetëdijshëm dhe më të organizuar për paraqitjen në mënyrë evropiane të problemeve dhe shqetësimeve të tyre. Ata sot gëzojnë një vëmendje më të madhe evropiane dhe mbështetje më serioze nga Shqipëria dhe Kosova.
Fort i Nderuar Lordi Uatson,
Dje, pata nderin të pritesha, në Klarence Hauz nga Lartmadhërinë e Tij Princi i Uellsit, me të cilin shkëmbeva mendime lidhur me bashkëpunimin mes dy vendeve tona, kontributin e shumë personaliteteve britanike në promovimin e kulturës dhe historisë moderne të Shqipërisë, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë në dy dekadat e fundit.
Por, shumë interesante e të frytshme kanë qenë edhe takimet e tjera me zyrtarë, përfaqësues të biznesit dhe miq të nderuar britanikë, të cilët më përcollën mesazhe respekti për reformat e ndërmarra nga Shqipëria, si dhe mbështetje për vijimin e tyre.
Sot pasdite, gjithashtu do të kem nderin të dekoroj gjashtë miq të shquar të shqiptarëve, të cilët meritojnë mirënjohjen e tyre, që ashtu si paraardhësit e tyre Lord Bayron dhe Edith Durham, kanë kontribuar për promovimin e çështjes shqiptare, si dhe të vlerave historike e kulturore të shqiptarëve dhe të Shqipërisë.
Fort i Nderuar Lordi Uatson,
Në respekt të agjendës së takimit, por edhe kënaqësisë për të zhvilluar një bashkëbisedim me të pranishmit, dëshiroj ta mbyll këtu fjalën time.
Gjithashtu, dëshiroj t’ju falënderoj për vëmendjen, dhe meqenëse jemi në mbyllje të vitit 2014, ju uroj nga zemra:
Gëzuar Festat e Fundvitit, Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, për ju të gjithë si dhe të dashurit tuaj.
Ju faleminderit!’’!
Presidenti Nishani vendos një kurorë me lule në bustin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut në Londër/
9 dhjetor 2014 – Londër/
Në kuadrin e vizitës në Mbretërinë e Bashkuar, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani dhe Zonja e Parë Odeta Nishani të shoqëruar nga delegacioni zyrtar, vizituan dhe vendosën një kurorë me lule tek busti i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Në praninë e një numri të madh miqsh britanikë dhe bashkëatdhetarësh, nga Ambasadori i Shqipërisë dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Presidenti Nishani u shpreh i lumtur dhe krenar për praninë e bustit të heroit tonë kombëtar në një qytet me histori të madhe e të lavdishme, si ai i Londrës.
Presidenti Nishani falënderoi të pranishmit, si dhe shprehu mirënjohjen për autoritetet e qytetit të Londrës, për miqtë britanikë dhe bashkatdhetarët e nderuar që bënë të mundur vendosjen e këtij busti dy vite më parë, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
“Prania e Heroit tonë Kombëtar, i cili është një simbol në tërësi i një rezistence mbarëevropiane, në një prej shesheve të Londrës është një shenjë e rëndësishme e miqësisë së fortë mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ky bust sjell pjesë të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar, pjesë të rëndësishme të kontributeve që shqiptarët kanë dhënë në hapësirën evropiane prej shumë kohësh.” – u shpreh Presidenti Nishani.
“Natyrisht që sot ne jetojmë në kohë moderne dhe për fat të mirë shqiptarët sot, kudo ku jetojnë, janë shumë herë më të prosperuar, më të arrirë, më të zhvilluar, më të unifikuar në objektiva e në mendime dhe në kontribute për vendet ku jetojnë, ashtu siç është edhe diaspora shqiptare në Britaninë e Madhe, së cilës unë dëshiroj t’i ofroj respektin më të veçantë në emrin tim, në emër të Institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në emrin e të gjithë shqiptarëve për të gjitha ato sakrifica që ata kanë bërë dhe tashmë janë të integruar në shoqërinë e këtij vendi shumë të madh, të kësaj shoqërie të lirë e demokratike, me kaq shumë histori, vlera, tradita dhe zhvillim, por edhe me atë ndjenjën e mikpritjes e të bujarisë që ka ofruar edhe për shqiptarët.” – vuri në dukje Kreu i Shtetit.