• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2015

LIBËR NGA SIRTARI-AUTPORTRETI ORIGJINAL I AUTORIT NË KËRKIM TË NJOHJES SË THELLË TË VETVETES

January 23, 2015 by dgreca

Shkruan:Mikel GOJANI*/
Romani “Iluzione në sirtar”,botuar nga shtëpia botuese “Toena”,është njëri ndër romanet më interesant dhe më të lexuar të shkrimtarit, por edhe në letërsinë bashkëkohore shqipe. Vetë tema dhe motivi i romanit ka bërë që lexuesi shqiptar të jetë kureshtar ta lexojë këtë roman.

Një rrëfim në vetën e parë për fatin e artistit dhe të letërsisë në acarin e diktaturës

Libri “Iluzione në sirtar” i Fatos Kongolit është një formë interesante për të shkruar për veten, por njëkohësisht edhe për të tjerët. Në rrëfimin e shkrimtarit ngjarjet zhvendosen në hapësirë dhe në kohë. Shkrimtari ka rrëfyer për ato gjëra ku i dhembte më tepër, aty ku shpirti ka qenë më i trazuar ato ngjarje kanë lënë gjurmët e veta. Prandaj pyetjet janë përqendruar më së shumti në ato tela të dhimbjes së shpirtit të shkrimtarit, aty ku dridhen më tepër dhe mu për këtë, në përgjigjet e vetë shkrimtarit, ngjarjet, personazhet marrin lirshmërinë e paraqitjes. Pra, një lirshmëri para vetvetes dhe të tjerëve. Kjo rrjedh edhe nga korrektësia dhe sinqeriteti që ngërthehen në ndjenjën e çiltër të shkrimtarit. Libri “Iluzione në sirtar”, është një rrëfim për vetveten dhe të tjerët, për turbullirat dhe trazimet e botës shqiptare gjatë fundshekullit 20 dhe fillimit të shekullit 21. Gjatë tërë të të rrëfyerit të ngjarjeve në roman memoria e shkrimtarit në lëvizje duke pasqyruar ngjarje dhe moment tepër interesante nga jeta e shkrimtarit, por edhe të njerëzve të tjerë që kanë bashkëjetuar kohën me shkrimtarin. Në këtë roman portretizohet fati i njeriut, kësisoj njëherësh edhe fati i shkrimtarit, një fat me plot krajate dhe moment të tjera tepër interesante të jetës së tij dhe të njerëzve, duke u fokusuar kryesisht ndaj padrejtësive të botës njerëzore, ndaj një realiteti të egër e të veçantë në jetën shqiptare. Libri është një dëshmi tronditëse për dramën vetjake dhe të Shqipërisë njëkohësisht dhe është nga ato dëshmi që janë shfaqur rrallë në botën e letrave shqipe. Kësisoj, një libër i tillë mund të quhej ndryshe edhe “libri i shumë dëshmive autentike”. Në lajtmotivin që përshkohet në pasthënien e këtij romani, thuhet se romani “Iluzione në sirtar është i ndërtuar mbi ty motive të ndërthurur, jeta e shkrimtarit dhe rruga e tij e vështirë drejt letërsisë, ky “pothuajse roman”, me personazh qendror vetë autorin, na sjell pamje të papërsëritshme epokash, të djeshme dhe të sotme. “Dhe një varg protagonistësh të letrave shqipe, të kulturës, arteve, politikës etj., ashtu siç i ka njohur autori,që nga fëmijëria e hershme e më vonë, në kohë të qeta e të trazuara,gjatë periudhës së diktaturës e pas rrëzimit të saj. Është një autoportret origjinal dhe i sinqertë. Për herë të parë Kongoli i kthehet këtu disa episodeve nga më të rëndësishmit dhe më traumatikët në jetën e tij. Një libër i veçantë, i pari në letrat e sotme shqipe,ku autori kërkon të shoh thellë në vetvete, për t’i bërë më të kuptueshëm librat e tij përmes zbërthimit të vetvetes”.
Denduria e madhe e ngjarjeve dhe përjetimeve që kanë marrë jetë në libër
Në romanin “Iluzione nga sirtari”, vetë shkrimtari Kongoli është kryepersonazhi i veprës dhe duke prezantuar vazhdimisht ngjarje reale, ai kthehet në një narrator. Të krijohet përshtypja se është përpjekur të mos i shpëtojë asgjë nga ajo e kaluar e hershme,por edhe e mëvonshme. Kjo gjë krijohet nga denduria e madhe e ngjarjeve dhe përjetimeve që kanë marrë jetë në libër. Por shkrimtari ka ditur që në atë lumë ngjarjesh të përjetuara, të veçojë ato më të rëndësishmet, ato gjëra që e kanë prekur, ngacmuar më tepër dhe kishin zënë vend në kujtesën e tij. Natyrisht që kryepersonazhi është në qendër dhe rreth tij lëvizin ngjarje e personazhe të tjerë, por shkrimtari përveçse ndriçon marrëdhëniet e tij me këto personazhe, ku ka prezantuar në mënyrë mjaft realiste dhe pa nuanca. Pra, siç e potencuam edhe më lart, shkrimtari Kongoli në optikën e tij ka përfshirë sekuencat më ekskluzive që ka rrokur memoria e tij dhe ato ka bërë përpjekje për t’i venë në letër, sepse sikur edhe ai vetë e ka ndier si borxh ndaj vetvetes, njerëzve dhe realitetit që ka rrethuar.

Përjetimet më të hidhura fatet e këqija të shumë kolegëve viktimë e ideologjisë ekstreme
Autori Kongoli në vijim vë në pah edhe shumë ngjarje të tjera interesante. Kongoli shkruan edhe për librin e tij të parë të botuar më 1972 me tregime të titulluar “Shqetësime të ngjashme”, më nxitjen e kritikut Rinush Idrizi, i cili në atë kohë ishte redaktor në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, kështu që edhe botues i këtij libri ishte po kjo shtëpi botuese. Libri u prit mirë,po ashtu edhe u vlerësua pozitivisht nga kritika letrare e kohës. Moment tjetër të rëndësishëm autori paraqet edhe vitin 1970 kur vjen si redaktor i të përjavshmes “Drita”, organ i LSHASH, ku gjeti figura të shquara të letërsisë dhe kulturës shqiptare, si Nasho Jorgaqin, poetin Viktor Qurkun, Abdurrahim Myftiun, Frida Idrizin, Thoma Frashërin,Vasil Melon, Moikom Zeqon e të tjerë. Goditja e disa krijuesve, si e Fadil Paçramit, e Todi Lubonjës dhe i shumë të tjerëve që ndodhën pas Festivalli të 11 të këngës në Radio – Televizion, ishte një përjetim i hidhur dhe tragjik për shkrimtarin. Arrestimi dhe dënimet e ashpra më burg,përveç këtyre dy të parëve, pasuan edhe me arrestime dhe burgosje të një vargu tjetër të shkrimtarëve dhe artistësh të njohur,ndër të cilët edhe dramaturgun Minush Jero, regjisorin Mihal Luarasin, piktorët Edison Gjergo, Maks Velo, Ali Oseku etj., frikësimi i të tjerëve, krijimi i një klime terrori midis krijuesve dhe artistëve,dëshmuan se kjo organizatë nuk ishte një mbrojtëse e anëtarëve të saj,mirëpo që u vu në shërbim të persekutorëve dhe u bë vetë persekutorë. Shembulli më i fundit në atë “gjueti shtrigash’, ka qenë edhe “linçimi” i një prej figurave më emblematike të letërsisë shqipe, Petro Markos. Shkak për “linçimin” e Markos u bënë dy veprat e tij, romani, “Një emër në katër rrugë” dhe drama “Niku i Martin Gjinit”, botuar në revistën “Nëntori”. Largimi për një kohë nga gazeta “Drita”, shkuarja në kryerjen e stazhit të kandidatit të partisë, kthimin e sërishëm në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”paraqesin moment të rëndësishme në jetën e shkrimtarit. Kthimi në këtë shtëpi mundësoi vazhdimin e angazhimi të tij në krijimtari letrare. Më 1978 botoi librin e dytë me tregime, të titulluar “Tregim”, që u prit jashtëzakonisht mirë dhe vlerësimet për këtë libër ishin shumë pozitive, “një libër i freskët dhe me shumë jetë”. Moment i hidhur në jetën e autorit është edhe shuarja e atit të tij, që i lë zbrazëtirë të pakompensueshme në jetën e tij. Moment prapë tepër i ndjeshëm për shkrimtarin dhe që ka lënë vrragë të pashlyeshme në jetën e tij, doemos është edhe dënimi i një kolegu në vitin 1981, që, sipas tij me rastin e këtij dënimi ai ishte përlyer” dhe, siç shprehet ai s’mund të jem i larë”.
Libri “Iluzione në sirtar”, ka ngjallur reagime pro dhe kundër për rrëfimin e një episodi nga më të vështirët e jetës së tij autorit. Në vitin 1981, ai dëshmon në gjyq ndaj ish kolegut Hysenil Dume në ndërmarrjen letrare “8 Nëntori, i cili u dënua me 8 vjet burg. Është një periudhë e zymtë politike për vendin, po aq edhe për autorin.
Periudha e tranzicionit me plot iluzione dhe zhgënjime…
“Periudha 20-vjeçare e tranzicionit ka qenë padyshim një periudhë plot iluzione dhe zhgënjime, sepse realiteti që pasoi ishte një realitet i egër nga pikëpamja njerëzore. Kështu është rrëfyer kjo epokë nga ana a autorit. Periudhë kjo që ka prodhuar konfliktin e madh i cili është ekspozuar në shumë shtresa të shoqërisë, por më i ashpër ishte ndaj botës së artistëve dhe letrarëve, gjatë regjimit komunist. Pra, kemi identifikimin e sundimit të egër të pushtetit, kur sigurimi operonte në hapje dosjesh, listash etj., ku u vunë në vrojtim gati e gjithë inteligjencia…” Duke e shoqëruar Fatos Kongolin në këtë rrëfim nga fillet e jetës së tij, pastaj rinia studentore, jeta trevjeçare në Kinë, angazhimet si mësues, pastaj në Fabrikën e metalurgjisë, angazhimet në gazetën “Drita”, në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, deri tek angazhimet dhe aderimet e tij gjatë fillimeve të demokracisë përkrah Partisë Demokratike, e ndiejmë peshën e kohës dhe mënyra se si ajo rëndon. Ndiejmë vuajtjen e fjalës, në formën e heshtjes, si frikë e skalitur në ndjenjën e cilitdo individ që ka jetuar ato kohë me ato esenca të trishta. Në romanin, “Iluzione në sirtar”, autori ngërthen jetën e një njeriu të dinjitetshëm, kur njeriu u shndërrua një vlerë e pavlerë; ngërthen jetën e një shkrimtari, i cili u përkul para atyre stuhive të kohës për të mos u thyer shpirtërisht as moralisht. Shkrimtari Fatos Kongoli përmes romanit “Iluzione në sirtar” ka bërë që përmes të të rrëfyerit të tij, realiteti dhe e vërteta të marrin status shumë të veçantë dhe tepër meritor. Sepse shkrimtari Kongoli ka zgjedhur vetes këtë rrugë të vështirë: rrëfimin real dhe të vërtetën të cilës nuk i është shmangur as atëherë kur është bërë fjalë për Fatos Kongolin….
Kështu, dhe krejt në fund lirisht mund të konstatojmë se romani “Iluzione në sirtar”, te autorit Fatos Kongoli, si gjithë romanet tjerë, lexohet me kureshtje dhe me një frymë.
*(Disa aspekte rreth romanit “Iluzione në sirtar”, autor Fatos Kongoli, botoi “Toena” Tiranë 2012)

Filed Under: ESSE, LETERSI Tagged With: (Disa aspekte rreth romanit “Iluzione në sirtar”, autor Fatos Kongoli, Mikel Gojani

“ Trepça” ngriti një sistem të tërë objektesh pune e studimi

January 23, 2015 by dgreca

Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Gjiganti kosovar “ “Trepça” ishte eksportuesi më i madh në ish- Jugosllavi dhe në llogaritë e saj derdheshin mjete të mëdha devizore. Sado që prej tij mbetej pak në Kosovë ai ishte, megjithatë, boshti qendror i zhvillimit të përgjithshëm dhe sidomos të atij ekonomik të Kosovës. “ Trepça” me 21 mijë e 500 punëtorë ngriti një sistem të tërë objektesh pune dhe studimi. Objektet më të rëndësishme të saj në Kosovë, pos minierave në Stantërg, Kishnicë, Hajvali dhe Novobërdë, kishte arritur të ngriste edhe këto objekte: fabrikën e baterive industriale në Pejë, , “ Metalikun” në Gjakovë, “ Famipën” në Prizren, fabrikën NI CD të baterive në Gjilan, fabrikën e akumulatorëve në Mitrovicë, fabrikën e municionit të gjuetisë në Skenderaj, fabrikën e llamarinës së zinkuar në Vushtrri, fabrkën e bojërave dhe llaqeve në Vushtrri, , fabrikën e paisjeve për procesin e prodhimit në Mitrovicë, shkritoren dhe rafinerinë në Zveçan, Metalurgjinë e plumbit dhe të zinkut në Mitrovicë. Po ashtu, Trepça ka pasur institutin e vetë për zhvillim, Qendrën elektronike, Organizatën për furnizim të materialeve dhe shitjen e mallrave, laboratorë modern, Qendrën mjekësore dhe sistemin e transportit. Po ashtu pasuria e saj shtrihej edhe në pjesët tjera federale të ish- Jugosllavisë, si në Mal të Zi, Vojvodinë, Bosnje Hercegovinë e më së shumti në Serbi.
Në kulmin e prodhimtarisë serbët pushtuan “ Trepçën”
Siç mësuam unë dhe kolegu im Ymer Avdiu nga bashkëbiseduesit tanë Azizi Abrashi, Nysret Magjera dhe Dr. Safet Merovcinë nëntor të vitit 1999, gjatë vitit 1988, do të thotë në vitin e fundit kur punuan shqiptarët, ky gjigant shënoi kulmin e prodhimtarisë më të suksesshme, rrugë kjo që u ndërpre nga pushtimi klasik serb. Atë vit në Trepçë u arritë që të prodhohen dy milion e 100 mijë tonë xehe, koncentrat zinku 80 mijë, koncentrat plumbi 120 mijë tonë dhe pirit 120 mijë tonë. Plumb të rafinuar u prodhuan 103 mijë tonë, argjend 126 mijë kilogram, ari 242 kilogram, legura të plumbit 30 mijë tonë, bizmut 115 mijë kilogram dhe acid sulfurik 30 mijë tonë.
Metarlugjia e zinkut kishte realizuar 49 mijë e 500 tonë zink elektrolit, 6 mijë tonë legura të zinkut dhe 2 mijë tonë zink oksid, tre mijë tonë zink pluhur,145 mijë tonë acid sulfurik dhe 180 mijë kilogram kadmium. Kështu ishte në të gjithë kolektivat tjerë punues të këtij gjiganti që ia kishin lakmi edhe shumë partner të jashtëm me të cilët kishte kontakte afariste dhe bashkëpunim tjetër me interes. U bënë përpjekje të shumta që edhe në kushte okupimi kjo shtyllë e rëndësishme disi të shpëtohet. Kësisoj, në kuadër të mbrojtjes së kësaj pasurie të madhe që rrezikohej të gllabërohej, punëtorët e “ Trepçës”, sipas dispozitave të atëhershme në fuqi, këtë gjigant asokohe e shndërruan në shoqëri aksionare. Mirëpo, as kjo e as grevat nuk bënë punë, Sepse Serbia mu për shkak të pasurisë e pushtoi ushtarakisht dhe me akte arbitrare e shpalli pronë të Serbisë. Shqiptarët i largoi nga puna dhe pasi vetë nuk mund të prodhonte filloi eksploatimin e vrazhdë dhe krijoj situata të mjegulluara duke i futur kompanitë multinacionale në lojë.
Gjatë kohës së pushtimit serb prodhimi ishte katastrofik
Në të gjitha ndërmarrjet e Trepçës, deri në pushtimin përfundimtar serb më 1989, prodhimtaria dhe kapacitetet e saj përpunuese ecnin me hapa të sigurt drejt një të ardhme më të mirë të banorëve të Kosovës. Me kapacitet disponuese deri në vitin 1989 bruto- produkti vjetor ishte rreth v250 milionë dollarë, ndërkaq eksporti në pesë vitet e fundit ishte 140 milionë dollarë. Çmimi i metaleve të ngjyrosura ka qenë drejtpërsëdrejti i varur nga Bursa, mirëpo për shkak se Trepça kishte arritur të ngrisë kapacitetet përpunuese kjo dukuri jo e favorshme ishte eliminuar në masë të dukshme. Deri në këtë vit është arritur, bie fjala, që të prodhohen mbi 2 milionë e 100 mijë tonë xehe. Mirëpo këtë tempo të afarizmit të suksesshëm nuk arriti ta mbaj udhëheqja serbe, sepse ajo dëboi me dhunë të gjithë punëtorët shqiptarë. Thënë me gjuhën e ekspertëve shfrytëzimi i minierave pa punëtorë shqiptarë nuk ishte i mindur në masë çfarë janë frikësuar të gjithë, por ai eksploatim ka qenë shumë i vrazhdë.
Për dhjetë vjet kapacitet në Trepçë janë shfrytëzuar10- 18 për qind dhe ky ishte prodhim më karastrofik në gjithë historinë e saj. Është punuar vetëm me koncentrate të importuara ngaqë minierat kosovare nuk kanë qenë në veprim, por atje janë shfrytëzuar vetëm shtyllat mbajtëse që shërbenin për sigurimin e horizonteve, duke e rrezikuar në këtë mënyrë tërë xeheroren nga një shëmbje e përgjithshme që do të kishte pasur probleme të mëdha në riaktivizimin e sërishëm të saj. Prodhimi i dhjetë vjetëve mund të krahasohet me një vit prodhimi kur punonin shqiptarët.
Aventura që dëmtonin edhe shëndetin e banorëve
Më tej mësuam se duke mos pasur mundësi që pa punëtorë shqiptarë të aktivizojnë ndërmarrjet e Trepçës, udhëheqja e dhunshme serbe e kontrolluar drejtpërsëdrejti nga regjimi në Beograd, u hyri disa aventurave që ishin jo vetëm në dëm të këtij gjiganti, por edhe të shëndetit të banorëve të Kosovës. Sipas Dr. Safet Merovcit, kjo udhëheqje fantome ka lejuar firmën greke Militeanosit që të përpunojë koncentrat në rafinerinë dhe shkritoren e Zveçanit, dyshohet, me sasi jashtëzakonisht të lartë të zhivës dhe arsenit. Pos në Trepçë askund tjetër në botë nuk kishte mundur të ndodhte një gjë e tillë për të rrezikuar në masë aq të madhe banorët e një vendi e më së shumti shqiptarët që përbënin 95 për qind të numrit të përgjithshëm. Dyshohet që koncentrati që është përpunuar në Zveçan është importuar nga Kolumbia, të cilin askush në botë nuk e përpunon për shkak të sasisë së madhe të zhivës dhe arsenit.
Shkatërrimet e objekteve të ndërmarrjeve të Trepçës pas luftës u dukën kudo. Serbia plaçkiti më të madhe makineritë dhe paisjet më moderne. Ndërkaq edhe ato që mbetën ashtu siç i la okupatori shumica prej tyre u shitën dhe fatkeqësisht asnjera prej tyre nuk e pati fatin që të vazhdoi me prodhimtari për çfarë ishte e ndërtuar dhe e planifikuar. Dhe tash shtrohet pyetja se si do të funksionoj gjiganti ynë pa ato objekte të domosdoshme përcjellëse për t’i sjell dobi dhe zhvillim më të hovshëm vendit tonë. Edhe pas 15 vjetësh të përfundimit të luftës gjendja e Trepçës mbeti pezull, ndoshta bukur shumë me fajin e faktorit ndërkombëtar, mirëpo edhe institucionet tona nuk ishin të vendosura për ta kthyer këtë gjigant në gjirin e saj dhe kështu përfundimisht të përfundoi kjo odisejadë e panevojshme që u zhvillua deri me tash. Është e kuptueshme se çdo nguti mund të sjellë pasoja të paparashikueshme, mirëpo, a nuk mjaftuan 15 vite që i gjithë materiali i nevojshëm të përgatitet dhe prona që i takon me të gjitha dispozitat ligjore edhe të atëhershme edhe të tashme të kthehet në qeverisje të plotë të institucioneve kosovare. Dialog nuk mund të këtë në asnjë mënyrë me Serbinë për pasuritë e saj, por duhet të këtë bisedime për të kthyer gjithë atë që ka plaçkit dhe që ka investuar Trepça në këtë shtet fqinjë.

Filed Under: Analiza Tagged With: sistem objektesh, studimi, Trepca, Xhavit Citaku

Ndërroi jetë heroi i kombit Kapidan Ded Gjon Marku

January 23, 2015 by dgreca

Shkruan: Mr.sc.Nue Oroshi/
Pikërishtë sodë me 23 Janar 2015 nga Shkodra mora lajminë se ka ndërruarë jetë djali i katërt i Kapidan Gjon Marka Gjonit, Kapidan Dedë Gjon Marku. Kapidan Dedë Gjonë Marku një jetë të tër i bëri ballë tmerritë dhe diktaturës komuniste. Klyshtë e rusisë dhe të serbis Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe shum tradhtarë tjerë të kombitë shqiptarë nukë arritën ta bëjn për vete pinjollin e katërt të derës së kapidanëve të Mirditës Kapidan Dedë Gjon Marku. Madje gjithmonë më silleji në mendje një dialogë i Kapidan Dedë Gjon Markut, me një mirditorë të kuqë që pasiqë kishte filluarë diktatura komuniste, ti haji bijtë e vetë edhe ky Mirditorë kishte përfunduar në burg.
Dhe kurë u takua me Kapidan Dedën aji i tha. “Dedë qenke zbardhurë i tëri”. E Kapidani ju përgjigjë, “U zbardha se smujta me u skuq”.
Kapidan Dedë Gjon Markun për her të parë e takova në Shkodër, në Sesioninë e tretë Shkencorë që e mbajtëm në Shkodër ne vitin 2005. Ishte një burr i qetë i menqur, edhepse kishte kaluarë një jetë të tër na kalvarin komunistë, aji e ruante kthjellësin e mendjesë. Aty e shohë se edhe i ndjeri atdhetari Mentor Quku, kishte një respektë të veqantë për kapidan Dedën, i cili në një prononcim për kontributin e Derës së Gjomarkajve studiuesi Mentor Quku do të thotë këto fjalë “emri i derës se Kapidanit te Mirdites esht nje emer i madh i cili për fat të keq në Historin e Shqiperis, gjatë periudhës se diktatures komuniste ka qen i përbaltosur i fshim nga historia i ngarkuar me epitete negative, un mendoji se historiografia shqiptare ka një obligim që me ndriquar kontributin kombëtar të kësaji familje, me dokumente me fakte dhe me argumente. Kapidan Deda mori pjesë në sesionin shkencorë që e mbajtëm në vitin 2005 në Shkodër, dhe porosiste që të shkruhet vetëm e verteta. Vetëm ato ngjarje që kanë ndodhur pa i zmadhuar, por edhe pa i humbur dhe fshehur të vërteten historike.
Më pasë në vitin 2012 së bashku me TV e Prizrenit, e realizuamë filmin dokumentar me titull Kapidanët e Mirditës një histori lavdie e persekutimi, që ësht filmi dokumentar i parë për Kontributinë Kombëtare të Familjes së Kapidanëve te Mirditës. Shtylla kryesore ne kët Dokumentar ishte pikërishtë Kapidan Ded Gjon Marku, si dhe e motra e ndjera Bardha Gjomarku heroin e papërkulur, qe stoikisht ju beri balle diktaturës komuniste
Aji përveqë të tjerash na tha: Kur Kapidan Marku dhe Lleshi kanë filluarë qëndresen antikomuniste me armë un si ma i riu që isha kam mbetur me familje, pasiq isha student. Në Shkodër kan hy forcat partizane me 26 Nentor 1944, tri ditë mbasë jamë burgosur, ndersa un jam liruar ne marsin e vitit 1990, mbasë 46 vjetësh. Gjat kësaji periudhe 16 vjet i kam ba burg të rand, 30 vjet i kam ba internim por edhe internimi ka qen një burg i vërtet.
Studiuesja Fatbardha Mulleti Saraqi ka bër një studimë, të veqant për Kapidan Dedë Gjon Markun. Ajo në shkriminë e saj Kapidanë Ded Gjon Marku një jetë nën stuhinë Komuniste, do ti përshkruanë disa momente të jetës së Kapidan Dedës në kët mënyr:
Kur e liruan nga burgu nuk arriti të takohej me familjen sepse e riarrestuan. Është mbajtur për tre vjet i izoluar nga sigurimi i shtetit në Tiranë.
Në jetën e tij periudha më e vështirë ka qenë hetuesia, ja si e tregon Kapidan Dedë Gjonmarkaj:- “Piketonin njerëzit që do të dënoheshin. Gjendeshin denoncuesit, këto mund të ishin nga kasta e kuqe ose dhe njerëz të thjeshtë apo dhe nga shtresa e të përndjekurve politik. Kjo zbatohej nga hetuesit.
Këtu përdoreshin lloje të ndryshme të torturës duke filluar nga ato psikologjike e deri tek torturat trupore që ishin të shumëllojshme.
Kur i burgosuri arrinte të dilte në gjyq, aty mbaronin torturat e hetuesisë, dënimi ishte faza tjetër e vuajtjes. Mandej vazhdonte jeta prej skllavi në burgjet e diktaturës komuniste, skllevërit shqiptarë që ishin cilësuar të “deklasuar”, armiq, fëmijë armiqsh, shfrytëzues”. Nga viti 1950 – 53 i bënin presion që t’i shkruante letër babait (që ishte jashtë atdheut), donin ta bënin vegël të sigurimit, për ta dërguar me aktivitet, për diversion në radhët e diasporës (në Amerikë).
Tre vjet nën tortura, pa ushqim, pa u la, ka qenë gati duke vdekur, iu fry trupi dhe u bë me anemi të theksuar. Me gjithë torturat që i bënë, ai qëndroi i fortë dhe nuk pranoi të bëhej bashkëpunëtor domethënë vegël e sigurimit të shtetit komunist.
Kur e panë që anemia kishte përparuar, atëherë e vunë në ushqim, mandej e nxorën në gjyq dhe e dënuan për herën e dytë, shtatë vjet heqje lirie, gjoja për tentativë arratisjeje!! Gjatë kësaj periudhe nëna e motrat që ishin të internuara, nuk e dinin ku ishte djali i tyre. Kapidan Deda tregon: – “Ka qenë periudha më e tmerrshme e jetës teme. Mbasi më dënuan për herë të dytë, shtatë vjet, më dërguan në burgun e Gjirokastrës. Atëherë më lejuan me i shkrue letër familjes, për me i tregue se ku ndodhem… Ato nuk dijshin se ku jam…”
Ka provuar burgun e Vlorës, Shkodrës, Tiranës, Gjirokastrës dhe Burrelit. Ka punue në të gjitha kampet e shfarosjes, ku të burgosurit shfrytëzoheshin si skllevër, si në kampin e Zadrimës, në punimin e digës në Baçel e Naraç.
Mbas rënjes së Komunizmit rinis jeta e këputur e Kapidan Dedes, i cili duhet të permbush edhe një mision tjetër të rrëfeji për të gjitha ato përjetime nëpër burgjet, dhe kampet e përqëndrimit komunst burgje të cilatë ju ngjanin atyre te mesjetës me emrin paluri, pasiqë ishin burgje të ndërtuara me një qëllim të veqant që shumica e të burgosurve të vdesinë aty. Kapidan Deda na thotë se pasiqë, kemi dalë nga burgu elementi i djatht, ishte i shkatrrume. Shoket me te mir ishin pushkatuar kam ra 22 vjeq kam dal gati 70 vjeq. Mbas pes vjetesh burg tre vite kam qen i izoluem. Kur kam dal preji izolimit kur e kam par veten ne pasqyr jam tmerruar kur e kam par veten. Pshtum kot.
Dy gjana i kemi pa nëper burgje dhe kampe të përqendrimit se sa posht bjen karakteri i njeriut dhe se sa lart ngritet karakteri i njeriut. Un kam pa nje qen që kishte kap një zorrë te qejve që i prenin, ku në një anë e ka kap zorrën qeni ndërsa ne anën tjeter i burgosuri, se kush ta merr i pari zorrën e lopës me hanger. Por kam par edhe akte heroizmit, ku qindra vet duke shkuar per tu pushkatuar kanë brohoritur Rrnoft Shqipëria, Posht Komunizmi, Posht Komunizmi.
Me la përshtypje të jashtzakonshme se si e plasonë lajmin njëri ndër historianët më të mirë që ka sodë Shqipëria prof.dr.Romeo Gurakuqi, pinjolli i Gurakuqve të mëdhenjë, ne mesë tjerash do ti thotë edhe këto fjalë“ Sot vdiq Kapidani Deda i Gjoni të Markagjonit, përfaqesuesi i brezit të vjetër të Familjes Princore të Mirdites. Shqipëria zyrtare ka 70 vite që ose i ka shkatërruar familjarisht përmes burgosjeve, internimeve dhe dezinformimit publik, e propagandës denigruese për trathtira qe ato nuk ia kanë bere kurre Shqipëris, ose i kane harruar. Akuzues ishin shitësit e Shqipëris e Kosoves tek Serbia e Rankoviqit dhe Titos, tek Stalini dhe Mao Ce Duni“.
Deri më tani ësht e vetmja Shoqata e Intelektualëve mbarë Shqiptarë Trojete e Arbrit, e cila në 12 sesionet e mbajtura deri më tani në shtatë akademit dhe në botiminë e 11 veprave enciklopedike me fakte shkencore ka botuarë dhjetra punime për kontributin kombtarë, të Familjes Princërore të Kapidanëve të Mirditës, ku në mesinë e punimeve të botuara ësht edhe punimi për Kapidan Ded Gjon Marku. Konkretishtë më së shumti rrethë Aktivitetitë kombtarë të kësaji familje kanë botuarë punimetë e tyre studiuesi Tomë Mrijaj, i cili ishte njëri ndër bashkpuntorët më të afërt të legjendës së kombit shqiptarë Kapidan Ndue Gjon Marku, studiuesja Fatbardha Mulleti Saraqi, e cila si një bletë puntore mblodhi dëshmitë e përjetimeve të familjesë së Kapidan Gjon Marka Gjonit, disa punime i bëri edhe studiuesi Idriz Lamaj, si dhe autori i këtyre rreshtave Nue Oroshi.
Pa harruarë studimet e profesorëve të nderuarë Ernest Koliqi, e Zef Valentini, si dhe studimet e Tahir Kolgjini, të botuarë në revistatë Shejzatë dhe në lajmëtarin e të Mërguemit që ishte organ i Bllokut Kombtar Independent. Studiuesja Fatbardha Mulleti Saraqi do ta jap edhe bilancin tragjik te kësaji familje atdhetare ku do të shkruanë „Dy djemtë e familjes Mark e Sandër (Llesh) Gjon Markagjoni të vrarë në vitin 1946 – 47 në moshën 33 dhe 27 vjeçare. 40 (dyzet) vjetë burg, 254 (dyqind e pesëdhjetë e katër) vjet internime dhe tre nana të shtrenjta vdiqën në internim. Iu shtetëzuan pronat, konfiskim i çdo gjëje, rrafshim i kullave të familjes në Orosh – Mirditë, atje mbetën vetëm gurët.
Për afro 50 vjet vazhdoi tortura, burgjet, internimet dhe denigrimi i familjes me anë të radios, librit, artit skenik, filmit, televizorit… deri në pafundësi, shpifje, arti i gënjeshtrës në stadin më të lartë.
Kët shkrim të shkurtër kushtuarë Kapidan Ded Gjon Markut do ta perfundoji pikërishtë me fjalët e ti që mi tha gjatë intervistës që bëra me ta në vitin 2012, ku ndër të tjera tha“ Te gjith ata që i kanë shpetuar periudhës Komuniste pa u njollosë ta dini se janë njërëzit ma të mir të Shqipëris. Ata jo vetëm që ishin njerëzit më të mirë të Shqipëris por edhe ishin dhe mbetën udhërrefyesit Kryesorë të një Shqipërie Evropiane, ku për kët Shqipëri Evropiane dhe Etnike, Familja e Kapidanit të Mirditës kishte sakrifikuarë më së shumti ndërsa Kapidan Ded Gjon Marku kishte bër 46 vjetë burgje dhe internim.. Historia e Shqipëris nukë mundë të shkruhet pa kontributin kombtarë dhe atdhetarë për pesë shekuji me radhë të derës së kapidanëve të Mirditës, pjesë e kësaji historië tani ësht edhe Kapidan Ded Gjon Marku.Heroi i kombit shqiptarë që për 46 vjetë të plota sfidoji diktaturën komuniste duke i qëndruarë me besnikëri atdhetarizmitë shqiptarë dhe duke mbetur trashëgimtarë i denjë i derës së Kapidanëve të Mirditës.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ded Gjon Marku, heroi i kombit shqiptarë Kapidan, Mr.sc.Nue Oroshi, nderroi jete

KOMANI NËN SYRIN E KARL PATSCH

January 23, 2015 by dgreca

Opinion nga Gëzim Llojdia/
1.Në disa këndvështrime,Komani është krejt pasuri.Rryma nga hidrot,liqeni ujorë dhe më tej endet nëntoka si pasuri e lashtësisë.
2.Në verën e vitit 1923, Profesori i Universitetit të Vjenës Karl Patsch, një ndër historianët , që ka njohur dhe vizituar disa nga qendrat arkeologjike shqiptare në atë vit është gjendur në Tiranë dhe sipas gazetës :”Shtypi” , ka kontribuar mjaftë për organizmin e muzeut kombëtar . Duke ju referuar kësaj ngjarje siç ishte ngritja e muzeut kombëtar , Patsch ka dhënë për reporterin e gazetës një intervistë ku historiani i njohur sjell fakte dhe dokumente të reja për historinë e këtij vendi . Patsch shprehet për të kaluarën e lashtë dhe shumë të ndryshme .Gazeta :”Shtypi” e Diel 3 qershor 1923 .Muzeu kombëtar . Karl Patsch e ka vizituar vendin tonë shumë më herë .Ai ka shkruar edhe libra . Bisedim me Z. Karl Patsch .z. Doktor Karl Patsch profesor i Universitetit të Vjenës, që gjindet përkohësisht ndër ne për organizmin e muzeut ,sado që është tepër i zënë me punë e mundohet nate e dite na bëni nderin të na dëftonte në një bisedim të gjatë,programet e Muzeut Kombëtar.
Profesor Patsch me atë mirësi që i dallon njerëzit e naltë, na thanë ndërmjet të tjerave .
Shenjat e Lumnisë në Veri:Shqipëria ka pasë kohë të kalueme ,shumë të lashtë e shumë të ndryshme . Shenjat e kësaj janë ruajt edhe sot shifen nadej këtej mbi tokë ,nën tokë ,sikurse na tregojnë shumë gjetje të cmueshme . Krejt rrethi i Shkodrës dhe ana e lindjes së liqenit të saj ka vorre e kështjella prej kohës thrako-iliriane .Shumë më për kulturën janë gjetjet afrë qytezës Kalaja e Dalmacisë .Shka mund të gjenden ndër vorre na tregojnë rrënimet e banuara prej Dom Ndre Mjedes .të këtij miku të kuptueshëm vjetërsish .
Në kështjellën e Shkodrës janë gjetë copa murresh prej kohës kur këtu sundojshin mbretërit ilirë e më vonë romakët .Murret e reja të kështjellës me prygjet etyre janë prej kohës së Venedikut e kanë qëndruar kundër luftimeve të osmanëvet në shekullin XV. Grykat e puseve që gjinden sot në disa shtëpia private të qytetit janë prej kësaj kohe . Pasurinë e kishave të Shkosrqa së athershme e dëshmojnë rrënimet e sotme ashtu edhe Kisha e Madhe e këshjellat dhe kishët e Zojës së Shën Vlashit në kështjellë .Si në Shkodër ashtu edhe ndër viset e tjera shofim shenjat e kulturës së Shqipërisë si rënimet e kishave në shekujt byzantin, romak, e gotik .Një kuvend Bendiktinësh shumë i rëndësishëm kje Shën Sergit afër Bunës , ku gjindej një vend tregtije shumë në zë me tragetarë prej të gjitha anët e botës .
Sot na dëshmojnë këtë madhëri vetëm disa rrënime murresh në katundin e Shirqit ,këto rrënime kanë kaq rëndësi të madhe ,sidomos shkrimet gjinden ndër to sa që Qeveria Shqiptare do të shpenzonte shumë e sa më parë të mirrte masat e duhura për rojen e tyre ,përpara se ti përpijë Buna .
Në Lesh ku vdiq e u vorrue Skënderbeu shifen ende sot rrënimet e murreve të qytetit të cilat në një kohë rrethojshin qytetin grek e mbi qytet Mali i Shelbuemit ,janë gjetur themelet e Arkolissos ku Dionisi i Sirakuzës kishte kryevendin e sundimit të tij në Adriatik . Kah veriu i Lezhës në fushën e Giadrit afër katundit Vig shef rrënimet enjë kështjelle romak . Kah jugu i Lezhës At Shtjefën Gjecovi një rrëmimtar i vlefshëm vjetërsish gjeti një vend të kohës të kohës romake ku qiti në shesh prej vorresh armë, e sende . Stolisje shumë interesante .
3.Një histori më të saktë sjellë arkeologu shqiptarë Dr.Prof.Neritan Ceka në librin Ilirët thotë:Quhet e Komanit, për shkak se kjo kulturë u zbulua për herë të parë afër fshatit Koman të Pukës, në vitin 1892, nga konsulli francez në Shkodër, Degrand; dhe pikërisht në një varrezë në vendin e quajtur Kalaja e Dalmacës.Degrand gjeti në varrezë një numër të madh sendesh zbukurimi dhe armësh; dhe gabimisht kujtoi se kishte ndeshur në një vendbanim pellazgësh.
Më pas, arkeologë dhe studiues të tjerë, si P. Treger dhe konsulli austriak në Shkodër T. Ippen i cilësuan varret si ilire dhe vunë në dukje ngjashmërinë e objekteve me gjetje në varreza të tjera në Bosnjë, por edhe me sende zbukurimi të malësorëve të zonës.
Italiani Ugolini i bëri një analizë më të imtë materialit dhe dalloi aty objekte me origjinë kelte, me origjinë bizantine dhe origjinë romake; por edhe të tjera me origjinë “barbare”.
Më pas, arkeologu gjerman H. Bulle gjeti objekte të ngjashme në një varrezë në Afjona të Korfuzit.Pas Luftës II Botërore, arkeologu shqiptar Hasan Ceka mbrojti tezën se varreza e Komanit i përkiste mesjetës, dhe bartësit e asaj kulture nuk ishin ilirë, por arbër. Më pas, kjo tezë u çua përpara nga Skënder Anamali dhe të tjerë arkeologë shqiptarë.
U konstatua se në varrezat mungonin objekte avaro-sllave, por ndesheshin, mes të tjerash, objekte kelte dhe ostrogote.
Më pas elemente të ngjashme me ato të kulturës së Komanit u gjetën edhe në Shurdhah, në Lezhë, në Bukël e në Prosek të Mirditës, në Krujë, në Radolisht afër Strugës (Maqedoni) dhe gjetiu. Në përgjithësi, është konstatuar se në këto varreza nuk ka pasur sllavë, as gjurmë të kulturës sllave; ndërsa nuk mungojnë elemente kelte dhe ostrogote.

Filed Under: Opinion Tagged With: E KARL PATSCH, Gezim Llojdia, KOMANI NËN SYRIN

Enver Hoxha: Aprovoj ekzekutimin

January 23, 2015 by dgreca

Terrori komunist, dokumentet që botohen për herë të parë/
Bisede e Admirina Peci me studiuesin Enver Kushi/
Një letër e shkurtër, konçize e me përmbajtje makabre njëkohësisht, me shkrimin e Enver Hoxhës dhe nënshkrimin e tij në fund të saj, dëshmon se si ka miratuar diktatori në 12 mars të 1945 pushkatimin e 9 intelektualëve. Hoxha rendit emrat e të nëntëve dhe në fund kërkon ta njoftojnë për datën e ekzekutimit të tyre. Ky është një dokument i rrallë nga të paktat dëshmi arkivore e të dokumentuara që vërtetojnë urdhrat e drejtpërdrejta të diktatorit për ekzekutime masive dhe në rrugë zyrtare.
Dokumenti që botohet për herë të parë nga “Shqiptarja.com” është marrë në Muzeun Historik kombëtar mes dhjetëra dokumentesh, fotografish e dëshmish që do të ekspozohen për herë të parë me hapjen e Pavijonit të Terrorit Komunist, vetëm pas pak ditësh. Punonjësit e muzeut I gjemë në punë e sipër, ndërsa shkëpusim për pak çaste studiuesin Enver Kushi i cili na tregon hap pas hapi gjithë dëshmitë surprizë të këtij pavijoni.
Më në fudn po ngrihet në këmbë ky pavion i shumëpërfolur, me një koncept krejt të ri dhe materiale ekskluzive…apo jo?
Është e vërtetë, në këtë ambient ku ne po punojmë sot, ka qenë një pavijon i ndërtuar që në vitin 1996. Para dy vitesh, ky pavijon u mendua që të zhvendosej në katin e tretë. Me ardhjen në krye të Muzeut Historik të prof. dr. Luan Malltezit, u shpejtuan procedurat për ta rindërtuar sa më shpejt këtë pavijon. Kjo për shumë arsye: e para, ai e kuptoi që ky pavijon ishte shumë i kërkuar nga vizitori vendas dhe nga ai i huaj. Të huajt janë shumë të interesuar për periudhën mes viteve 1945-1990. Ngjarjet, fenomenet, gjendja e vendit, drama, terrori, krimet, vrasjet, etj. Ai krijoi një grup pune me muzeologë, pjesë e të cilit ishte edhe vetë Malltezi. Pjesë e grupit ishte edhe drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme Kastriot Dervishi, të cilin e falënderojmë së tepërmi, sepse ishte një burim shumë i rëndësishëm për dokumente dhe fotografi. Gjithashtu, dua të falënderoj edhe z. Agim Musta, nga ish të përndjekurit politikë, autor i disa librave shumë serioze. Krijuam dosjet përkatëse, pra u bë konceptimi i përgjithshëm dhe u mendua të fillojë me vitin 1945, kohë kur u formuan organet e diktaturës komuniste.
Një nga këto ishte ministria e brendshme, nga arkivat e së cilës kanë dalë shumë nga këto dokumente. Mund të na tregoni si janë renditur dhe cilat paraqesin më shumë interes?
Siç dihet, diktatura komuniste për rreth 50 vjet, e ka pasur Ministrinë e Brendshme armën e vet vrastare. Në një nga këto stenda që po shohim, ku duken rrënjët e asaj që më vonë u quajt Ministria e Brendshme, këtu ka dokumente që dalin për herë të parë në publik: si filloi veprimtarinë kjo ministri, me informacionet e kohës, me krimet e vrasjet dhe me gjyqet e famshme. Këtu kemi një dokument që publikohet sot për herë të parë. Ky dokument i marrë nga Ministria e Brendshme bën fjalë se si organet e diktaturës ndiqnin këmba-këmbës personalitete të mëdha të vendit si dhe të huaj. Konkretisht edhe Harri Fullzin, e ndiqnin ku shkonte, kur dilte nga zyra e tij, ku pinte kafen, me kë takohej. Këtu kemi një komunikatë të “Drejtorisë së mbrojtjes së popullit” e vitit 1946, ku jepen të dhënat mbi internimet, burgosjet gjatë viteve 1945 dhe 1946.
Është folur shpesh për rezistencën antikomuniste si dhe për opozitën shqiptare. Por, pak e dinë që në Shqipëri që më 1945, me vendosjen e sistemit komunist, pati një reaksion, u kundërshtua ky vendim. Kundërshtimi më i madh mbërriti nga veriu i vendit, i cili rezulton të jetë edhe më i godituri. Këtë e them me bindje, i bazuar mbi dokumentacion. Në këtë stendë kemi të vendosur portretin e Prenk Calit. Ai ishte një nga ata patriotë që kishte një të kaluar mëmëdhetare. Ishte një nga mbrojtësit e Vermoshit dhe falë tij Vermoshi sot është në hartën e Shqipërisë. Më pas, këtu kemi të paraqitur një nga kryengritjet që mund të quhet si një nga më të mëdhatë e kohës, kryengritja e Postribës…
Po ky dokumenti këtu për çfarë flet? Është me shkrimin e Enver Hoxhës, apo jo?
Po, ky është një dokument shumë i rëndësishëm, të cilin jemi përpjekur ta zmadhojmë. Është me firmën e Enver Hoxhës. Përkon me çlirimin e Tirana më 17 nëntor 1944, kur forcat partizane hyjnë në kryeqytet. Është një telegram urgjent, ku Enver Hoxha i drejtohet Dali Ndreut: “Të organizohen burgjet dhe fushat e përqendrimit, të burgosen të gjithë ata elementë të akuzuar me faje të mëdha, me tradhti të madhe dhe bashkëpunim të rreptë me okupatorin”. Ky dokument publikohet për herë të parë.
Vend të rëndësishëm se zënë edhe proceset e para gjyqësore…Këto janë foto nga gjyqet…
Po janë tre procese të mëdha gjyqësore: më 1 mars 1945 në Kinema “Kosova”, i quajtur “Gjyqi special”, i dyti më 1-12 shkurt 1946, gjyq i cili dënoi me vdekje ish-regjentin Patër Anton Harapin, Lef Nosin dhe Maliq Bushatin dhe gjyqi tjetër është më 17 qershor 1946 ndaj anëtarëve të grupimit “Bashkimi shqiptar”.
Është material interesant dhe nuk ka qenë i trajtuar në pavijonin e parë. Në këtë atmosferë është edhe ky dokument që tregon se në vitin 1946 Kuvendi popullor i kohës ka miratuar ligjin “Mbi formimin e partive politike, shoqatave kulturore profesionale” dhe “Mbi mbledhjet politike”. Pikërisht, pas daljes së këtij ligji u formuan disa organizata. Por, menjëherë ato parti politike të formuara dhe organizatat u goditën rëndë nga sistemi komunist. Po përmend grupin socialdemokrat. Në krye të këtij grupimi ishte një nga gratë më të kulturuara të kohës. Shkrimtare, eseiste, kritike arti, e cila u kap dhe u arrestua bashkë me shokët e vet u dënua me burg. Më pas u internua deri në veri të vendit. Kjo ishte Musine Kokalari, bashkë me Suat Asllanin, Musa Dizdarin, etj. Këtu ëshët paraqitur edhe vendimi për ta. Pak më tutje kemi “Procesi gjyqësor ndaj organizatës Bashkimi shqiptar” më 1946. Një organizatë tjetër ishte “Bashkimi demokrat”, formuar më 6 nëntor 1946, me drejtues Sami Qeribashin, Shaban Ballën, Profi Çokon dhe Tut Manikun. Ata u dënuan në mënyrat më ekstreme. Pra, në Shqipëri ka pasur një opozitë jo të paktë, një opozitë që vazhdoi gjatë 50 viteve.
Jo thoni opozitë. A kemi ëktu ndonëj dokument ku ata e shfaqin hapur mospajtimin tyre me rrugën ku e futi Shqipërinë Enver Hoxha?
Do u tregoj një dokument shumë të rëndësishëm, i cili publikohet për herë të parë. Është një zë nga më të fuqishmit, një letër drejtuar Enver Hoxhës nga Edip Tërshana. Letra mban datën 22 nëntor 1947 dhe publikohet për herë të parë. Po ta lexosh me kujdes, konkludon se është ndoshta nga letrat më të forta, më kurajoze që një personalitet kundërshton regjimin komunist. Ai shkruan: “Enver, ideali kombëtar më ka ba që jam kundra lëvizjes nacional-çlirimtare. Unë isha në Dibër krijuesi i saj. Lëvizja nacional-çlirimtare është një tradhti ndaj atdheut, jo vetëm që hoqi dorë nga Kosova e Dibra, por sot nga Pushteti Popullor, Shqipëria është nën robërinë e Belgradit, politikisht dhe ekonomikisht. Sot, organizatorët sllavë janë ata që drejtojnë punët shtetnore dhe para shtetnore. Kjo është tradhti. Sot politika e jashtme e juej sllave ka shkaktuar që të gjithë të jenë kundër nesh. Humbëm shumë miq. Kjo është tradhti.” Në një stendë tjetër, kemi vendosur një moment nga të shkrimet e Tërshanës, ku ai thotë që: “Jam kundër thënieve që jemi bijtë e Stalinit, sepse e ulin shumë poshtë rininë, aq poshtë sa që ku e përmend Stalinin të gjithë ngrihen në këmbë”.
Folëm për gjyqet dhe të dënuarit? Po persekutorët, ku janë?
A ka rast më të pastër se Nevzat Haznedari? Ja tek është prokurori Haznedari, një nga ekzekutorët më të përgjakshëm, që ka vrarë dhjetëra e qindra vetë. I shkrirë mbi foton e tij është edhe akti për pushkatimin e një pjese të anëtarëve të organizatës “Bashkimi demokrat”, me nënshkrimin e Haznedarit. Dokumenti tregon se cilat kanë qenë fjalët e fundit të të pushkatuarve. Për shembull, Sami Qeribashi ka thënë: “Më në fund, t’u plotësua dëshira, o prokuror! Edhe ti një ditë do ta paguash si unë!”…
Një pjesë e mirë e këtyre të dënuarve u kalbën burgjeve të komunizmit… Si është ilustruar jeta e qelive? Kemi dokumente?
Ka mjaft dokumente dhe dëshmi, por do të më pëlqente të veçoja këtë grafikë e cila po ashtu publikohet për herë të parë. Është marrë nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme. Autori i saj është Aristidh Qendro, i burgosur. Vini re elementet. Jep një pamje, i torturuar, gjysmë i vdekur. Më tutje është profili i tij, autoportret. Duket edhe një dritare. Prej saj shihet një dallëndyshe, një metaforë e goditur, pasi dallëndyshja sjell lajme, gëzimin e jetës, më pas duket një zog, i cili fluturon i lirë, ndryshe nga vendi ku gjendet i burgosuri. Ka elementë nga gjelbërimi: është një pemë dhe ca lule. Nga dritarja e qelisë vjen shumë dritë, e cila të mbush me shpresë për jetën, të tregon se jeta ekziston dhe duhen forca për të përballuar atë gjendje të mjerueshme. Jeta vazhdon. Kjo grafikë është bërë në burg. Ka shënimin “Tiranë burg 24.4.1945”.
Pse u dënuan dhe u vranë kaq shumë intelektualë?
Sepse ata ishin të parët që nuk u pajtuan me rrugën ku po hynte Shqipëria. Këtu kemi një trakt, i lëshuar nga “Organizata e veprimit Shqipnija”. Përmbajtja e tij është shumë interesante, sepse i drejtohet djalërisë shqiptare, e cila është mashtruar dhe gënjyer. Trakti paralajmëron për katastrofën që do i vijë Shqipërisë dhe djalërisë shqiptare.
Ajo që ka ndodhur në Shqipëri, mbase nuk ka ngjarë në asnjë vend tjetër të botës. Janë vrarë qindra intelektualë, kapacitete të kulturës shqiptare, njerëz të shkolluar në kryeqytetet më të mëdha të Evropës, Paris, Vjenë, Berlin, Romë, Athinë. Ishin njerëzit më të kulturuar të kohës. Në këtë stendë paraqiten ish-ministra, ish-oficerë të lartë, juristë, krijues, të gjithë këta të pushkatuar. Në këto stenda kemi paraqitur intelektualë të burgosur, ku mes të tjerëve shoh mikun tim, ish-profesorin Ramadan Sokoli, i cili bëri jo pak vite burg. Po kështu edhe dy vëllezër të tij, edhe motra e tij. Flas për prof. Sokolin, sepse kur ishte gjallë më ka treguar një fakt shumë të hidhur e të dhimbshëm për një nga miqtë e tij, të quajtur Qemal Draçini, i cili mbaroi studimet në Itali, një nga eseistët më të mëdhej do të thosha unë, poet, kritik, pedagog. Si duket, prof. Sokoli ka qenë ngjitur me qelinë e tij, në kohën kur ka vdekur Qemal Draçini në moshën 28 vjeçare. Prof. Ramadan Sokoli më ka treguar që dëgjonte britmat e tij të dëshpëruara nga dhimbjet e rrahjeve dhe torturave të vazhdueshme që i bënin. Këtu kemi të paraqitur dom Ndoc Nikajn, i burgosur, një nga romancierët e parë shqiptarë, Et’hem Haxhiademin, një nga tragjedianët shqiptarë, nga të vetmit që lëvroi këtë gjini në letrat shqipe, ish kryetar i bashkisë së Elbasanit, etj.
Dhe në fund flasim pak edhe për vrasjet në kufi, një nga kapitujt më të dhimbshëm të kësaj kohe…
Po, në pavijonin që po ndërtojmë tani, kjo çështje zë një vend më të plotë dhe trajtohet më mirë. Në fillim të viteve `90 doli një ligj i Kuvendit Popullor, ku kalimi i atdheut nuk quhej më tradhti ndaj atdheut. Ata që tentonin mund të dënoheshin vetëm me burgim, por jo me vrasje. Pas vendosjes së këtij ligji, dhjetëra të rinj vërshuan drejt kufirit. Edhe nëse i kapnin, të paktën menduan se nuk do të vriteshin, gjithnjë sipas ligjit të miratuar. Por, përkundrazi. U vranë dhjetëra të rinj nga 18, 20, 25 dhe 30-vjeçarë. Këtu kemi të paraqitura dokumente të kohës, të cilat publikohen për herë të parë. Ato janë në formë kronikash, si p.sh. “Datë 14. 6. 1990 Në postën kufitare të hanit të Hotit, nga kontrolli i kryer në pengesën e klonit, u konstatua një grup me një granatë dore luftarake. U njoftua posta kufitare. Qëlloi në ajër për të ndaluar, por nuk ndaluan. Atëherë qëlloi dhe vrau Pëllumb Pëllumbin nga Shkodra….”, etj. Këtu kemi të ekspozuara foto tepër të rënda, makabre. Kemi një fotografi të një djaloshi nga Korça, Sokol Lika, i vrarë në moshën 18 vjeçare. Nga fotot duket që plumbin e ka marrë prapa kokës dhe është i mbuluar me gjak, i vrarë në maj 1990.
Janë dëshmi që besoj do të plotësojnë më së mirë hartën e makabriteteve që kane ndodhur në 50 vite diktaturë dhe vizitorët e këtij pavijoni do të gjejnë tashmë një panoramë të pasur të kësaj të vërtete të dhimbshme.(Shqiptarja-arkiv)

Filed Under: Featured Tagged With: Enver Hoxha: Aprovoj ekzekutimin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 68
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT