• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2015

CARRIE HOOPER, E DASHURUAR ME SHQIPERINE DHE GJUHEN SHQIPE

February 19, 2015 by dgreca

Profesoresha amerikane, Carrie Hooper: Ëndrrat e mija; Dua ta ndaj me njerëz të tjerë pasionin tim për Shqipërinë, gjuhën shqipe dhe të këndoj me Inva Mulën në skenën shqiptare./
(Intervistë me profesoren, artisten amerikane që flet, këndon dhe shkruan shqip ndërsaështë edhe e vërbër që në lindje)/
Bisedoi Raimonda Moisiu/
Eshtë vetëm 37 vjece dhe e verbër që nga lindja, por kjo nuk e ka penguar aspak, Pedagogen e gjermanishtes dhe të italishtes, njohëse e 9 gjuhëve të huaja mes tyre edhe gjuhën tonë shqipe, sopranon dhe poeteshën shqipfolëse, vajzën e talentuar amerikane Carrie Hoooper të ecë në rrjedhën e jetës drejt dijeve dhe promovimit të vlerave që ajo atribuon.
Ka krijuar kontakte miqësie e dashamirëse me botën shqiptare në Diasporë, të cilat sic shprehet edhe vetë shqipfolësja amerikane, kanë qënë një ndihmesë e mrekullueshme e profesionale për mësimin dhe perfeksionimin e gjuhës shqipe shumë mirë, me saktësi gramatikore, letrare dhe rrjedhshëm në të folur e shkruar. Talenti, aftësia, kontributi i saj është shëmbulli më njerëzor i dashurisë për jetën dhe universalen. Për këtë ajo po ashtu është vlerësuar shumë nga komuniteti shqiptaro-amerikan.
“E papritura më e bukur për “Kuvendin” në këto dhjetë vjet – do të shprehej botuesi i revistës “Kuvendi” në Michigan, z.Pjetër Jaku- Një vajzë amerikane që dinte gjuhën shqipe më mirë se një shqiptar i ardhur me arësim të mesëm në Amerikë, që dinte Historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, që fliste me aq respekt për shqiptarët. Ishte Carrie Hooper” Që prej asaj dite vajza amerikane, poetesha shqipfolëse është bashkëpunëtore e rregullt e revistës “Kuvendi”
Ndërsa Producenti i Pasqyra Shqiptare, Toronto Kanada, z.Ilir Lena, në një kontakt telefonik me amerikanen e verbër shqipfolëse do të shprehej:
“Jam shumë i cuditur, por edhe shumë i entusiazmuar nga shqipja Juaj. Shqipfolëse shumë e mirë me saktësi gramatikore. Shëmbull i shkëlqyer jo vetëm për amerikanët por edhe për shqiptarët, brezin e parë që po humbasin shqipen. Ju jeni amerikane dhe jo shqiptare, nuk kini lidhje gjaku, e megjithatë flisni shqip shumë mirë, jeni një mesazh shumë i mirë për ata prindër shqiptarë që ngurojnë t’u flasin shqip fëmijëve, gjuhën amëtare, gjuhën e vet. Shpresoj ta kenë marrë këtë mesazh nëpërmjet Ju!Gjuha shqipe në familje duhet të transmetohet në brezat”.
Gazeta “Dielli” në SHBA-s, në një artikull të vecantë me titull: “Carrie Hooper, poetesha që adhuron kombin shqiptar”,- krashas botimit të poezive të saj në gjuhën shqipe shkruan:” Carrie Hooper është një talent i rrallë; ajo ka një pasion të jashtzakonshëm për gjuhët. Ka mësuar deri tani 9 gjuhë, mes tyre edhe gjuhën tonë të ëmbël, gjuhën shqipe. Carrie shkruan në gjuhën shqipe jo vetëm në prozë, por edhe poezi.’
Mbas prezantimit që më bëri mikja dhe kolegja ime Merita Bajraktari McComarck me artisten dhe poeten Carrie Hooper, unë bisedova në telefon me të për më shumë se një orë dhe më pas via internet zhvillova këtë intervistë. Jam emocionuar, entusiazmuar mahnitur nga forca dhe fuqia e shpirtit, e talentit, aftësisve të saj për të folur e shkruar gjuhën shqipe aq saktë nga ana gramatikore, letrare, rrjedhshëm, ngrohtësisht dhe ëmbëlsisht. Po kush është Carrie Hooper, sfidat, ambicjet dhe aftësitë e saj ajo do të na i rrëfejë në këtë bisedë të ngrohtë e miqëesore.
-Zonjusha Carrie, është kënaqësi tejet e vecantë të bisedoj me ju në gjuhën shqipe. Jeni diplomuar në Universitetin Mbretëror të Muzikës në Stokholm dhe pedagoge e gjuhës gjermane dhe italishtes. Cilat janë disa nga kujtimet e mbresat tuaja të asaj periudhe?
Së pari duhet të sqaroj se në fakt nuk u diplomova nga Shkolla Mbretërore e muzikës në Stockholm por kalova një vit atje si bursiste Fulbright pasi kisha kryer studimet në ShBA. Pasi mbarova shkollën e mesme kreva studime për bachelor në kanto te Mansfield University në Mansfield, Pennsylvania jo larg qytetit tim të lindjes, Elmira, New York. Kalova mirë atje dhe mësova shumë. Meqenëse Mansfield University është universitet i vogël, kisha mundësi t’i njoh studentët e profesorët në një nivel më personal. Verbëria nuk më pengonte dhe profesorët kuptonin mirë nevojat e mia si e verbër. Kisha shumë mundësi për të kënduar dhe t’i bie pianos si dhe t’i shoqëroja studentët të tjerë me piano të cilët studionin kanto ose një vegël muzikore tjetër.
Në këtë kohë fillova të mësoja gjermanisht dhe kështu u ndez interesi im për të mësuar gjuhë të huaja. Kisha mësuar frëngjisht në shkollën e mesme por në atë kohë nuk kisha interesin për gjuhët që e kam tani dhe prandaj nuk e mësoja mirë frëngjishten. Por kur fillova të mësoja gjermanishten, që nga dita e parë e dija që desha të bëhesha pedagoge e gjermanishtes.
Pasi mora Bachelor nga Mansfield University në vitin 1997, mora një master në gjermanisht nga State University of New York at Buffalo në vitin 1999. Pastaj mora një master në kanto nga i njëjti universitet në vitin 2001.
Në atë kohë fillova të mësoja suedisht sepse drejtori i orkestrës së universitetit erdhi nga Suedia dhe kisha dëshirë të flisja suedisht me të. Për ta ushtruar gjuhën dëgjova Radio sweden që transmetohej në radion e valëve të shkurtëra. Radio Sweden kishte transmetime në anglisht si dhe në suedisht. Në transmetimin anglisht një herë në muaj kishte programi In Touch Ëith Stockholm që ua jepte dëgjuesit mundësinë të bisedonin me suedezë për të ditur më shumë për Suedinë ose aspekte të jetës suedeze. Bisedat që bëheshin në telefon, transmetoheshin gjatë programit. Unë desha të dija më shumë për situatën e të verbërve në Suedi dhe prandaj në nëntor të vitit 1999 ia dërgova një email programit. Radio Sweden më vuri në kontakt me Ulrika Norelius, studente tek Universiteti Mbretërore e Muzikës në Stockholm në Suedi. Biseda jonë u transmetua në radio në dhjetor të vitit 1999 dhe që nga atëherë Ulrika dhe unë mbanim kontakt. Ajo më tregoi për një program tek Universiteti Mbretërore e Muzikës në Stockholm ku të huaj mund të studionin atje për një vit. Ngaqë isha e interesuar të dija më shumë për muzikën suedeze, në veçanti këngë suedeze, vendosa të aplikoja për programin në Stockholm. Shkolla më pranoi dhe aplikova për një bursë Fulbright për t’i finanzuar studimet atje.
Studiova në Suedi nga gusht 2001 deri në qershor 2002. Kisha mësime për kanto gjatë të cilëve mësoja shumë këngë suedeze. Gjithashtu ndoqa kurse për mësimdhënien e kantos. Për më tepër këndova në një korin ei një kishe suedeze. Kisha edhe mundësinë të këndoja për klube rotarianë në Suedi dhe Gjermani dhe këndova edhe në një koncert në Berlin që ishte pjesë e një jave aktivitetesh të organizuara nga komisioni gjerman Fulbright për të përkujtuar vjetorin e dyzetë të bursës Fulbright. Gjatë asaj jave në Berlin takova një cift amerikan që po jetonte në Hungari meqenëse burri ishte bursist fulbright atje. Nëpërmjet lidhjes me ta m’u dha mundësia të këndoja dy koncerte në Hungari: një te shkolla e të verbërve dhe një në një kishë në Szeged. Koha në Suedi ishte e paharrueshme dhe u njoha me shumë njerëz të dashur me të cilët mbaj kontakt deri më sot.
-Kur e keni kuptuar se ju kishit dhuratë për të kënduar me një zë të tillë të bukur?
Gjithmonë më pëlqente të këndoja. Këndoja në korin e shkollës si dhe kor fëmijësh dhe pastaj korin e të rriturve të kishës sime. Në moshën 15-vjeçare gruaja e pastorit ndihmës të kishës sonë më dha mësime për kanto si një dhuratë për ditëlindjen dhe që nga ajo kohë fillova të zhvilloja teknikën e zërit. Së pari doja të studioja për piano por kur mësova për operan në shkollë fillova t’i dëgjoja operat që u transmetuan në radio dhe kjo më prymëzoi të studioja për kanto. Mendoja që doja të isha këngëtare lirike profesionale por më vonë zbulova që kisha më shumë dëshirë të bëhesha pedagoge. Mirëpo më pëlqen të japë koncerte.
-Në formimin tuaj si këngëtare soprano cfarë ndikimi kanë shfaqur artistët e famshëm si Domingo, Shirley Verret, Pavaroti e të tjerë.
Më pëlqen të dëgjoj këngëtarë si Pavarotti dhe Domingo por nuk mund të them se më kanë ndikuar në zhvillimin tim si këngëtare. Nuk ka qenë qëllimi im të këndoja si dikush tjetër, por të zbuloja zërin tim të veçantë.
-Ku keni lindur. Na tregoni pak në lidhje me prejardhjen e familjes tuaj?
Kam lindur në Elmira, New York që ndodhet në pjesën jugore të shtetit të New Yorkut afër kufirit me Pennsylvania. Familja ime është me prardhje angleze në anën e nënës dhe angleze dhe gjermane në anën e babait.
-A ka DVD ose rregjistrime në repertorin tuaj të tanishëm që ju besoni se keni bërë një punë të mirë për kapjen e zërit?
Vitin e kaluar shoku im Timi më ndihmoi të inçizoja disa këngë shqiptare, disa këngë nga Shqipëria dhe disa këngë që kompozova unë me tekste në shqip. I rashë pianos elektrike dhe këndova. Regjitruam këngët në kaset dhe pastaj një burrë që e njeh Timi i transferuan këngët në cd. Janë inçizuar edhe disa koncerte që kam dhënë.

-Ju jeni amerikane dhe jetoni në Elmira New York, SHBA. Ju flisni 9 gjuhë të huaja. Mes tyre, ajo që mua më mrekulloi e befasoi, ju flisni shqipen rrjedhshëm, gjuhësore dhe letrare. Si keni arritur ta mësoni këtë gjuhë. Cilat kanë qenë kontaktet e para me gjuhën shqipe? Ku qëndron forca e inteligjencës emocionale dhe shpirtërore për të mësuar gjuhën shqipe?
Fillova të mësoja shqip në tetor 2008 pasi kisha një student nga Shqipëria në kursin e italishtes që i dhashë. Duhej të kërkoja shumë për të gjetur një libër në brail ose audio por në fund gjeta një libër në brail nga Biblioteka e të verbërve në Angli, Colloquial Albanian nga Isa Zymberi. Pasi e mbarova librin e Zymberit, lexova një libër audio me përrallë shqiptare që mora nga Biblioteka e të verbërve në Suedi. Për më tepër bleva një fjalor shqip-anglisht që një grua në qytetin tim më transkriptoi në brail. Tani lexoj artikuj nga gazeta shqiptare duke përdorur një kompjuter me një tastaturë dhe një display braili. Gjithashtu dëgjoj programe nga Interneti me laptopin tim të aksesshëm. Më parë shoku im Timi më inçizoi programe nga Interneti në kaset që më dërgoi. Dy verat e kaluar ndoqa kurse në gjuhës shqipe tek Arizona State University.
Kam ushtruar shqipen jo vetëm duke e dëgjuar por edhe duke folur me shqiptarë. Kontaktet e para ishin studenti tim nga Shqipëria si dhe një studente tjetër tek universiteti ku jap mësim. Kam edhe kontakt me një studente te Cornell University dhe jemi takuar dy herë për të folur shqip. Telefonova disa universitete për të pyetur nëse kishin studentë shqiptar. Një punonjëse në laboratorin e gjuhëve te Boston College më vuri në kontakt me Kishën e Shën Gjergjit në Boston. Telefonova te kisha dhe rashë në kontakt me At Artur Liolinin. At Arturi më ndihmoi të gjeja shqipfolës duke u dërguar një email disa njerëzve në të cilit shpjegoi kush isha dhe se isha e interesuar të flisja shqip. Një shok i shokut tim Timit më vuri në kontakt me një suedez, Ullmar Qvick, që flet shqip. Ullmari më vuri në kontakt me gazetën Illyria në qytetin e Nju Jorkut. Nëpërmjet gazetës rashë në kontakt me kishën Zoja e Shkodrës në Hartsdale, New York. Prifti atje më dërgoi dy cd me muzikë krishtlindjes si dhe një cd me urata të Nënë Terezës. Ky material ma dha mundësinë të dëgjoja edhe më shumë shqip. Më tej u njoha me disa shqiptarë në Arizonë me të cilët mbaj kontakt. Njoh edhe dy shqiptarë në Huntsville, Alabama, që punojnë në një kishë luterane.
Forca për të mësuar shqipen, për të bërë gjithçka vjen nga Zoti. Kam besim shumë të fortë te Zoti dhe pa këtë nuk do të mund të bëja asgjë. Të gjitha dhuratët e mia vijnë nga Zoti dhe e falënderoj dhe e lavdëroj për bekimet e tij.
-Ju jeni edhe poete. Shkruani poezi në shqip. A ka pasur diçka të pazakontë që iu hapi rrugën për tu bërë poete shqipfolëse? Si e vlerësoni gjuhën shqipe?
Më pëlqen sfida të shprehem në një gjuhë tjetër. Gjuha shqipe është e bukur dhe muzikore dhe është e lehtë të rimoj fjalët. Gjuha shqipe është gjuha ime e preferuar nga të gjitha gjuhët që kam mësuar. Dua ta flas, ta dëgjoj, dhe ta shkruaj.
-Mund të na recitoni ndonjë poezi shqipe tuajën?
Kam shkruar poezinë O popull i dashur për të shprehur ndjenjat e mia ndaj shqiptarëve që i dua me gjithë zemrën. E shkruajta pasi kisha qenë në Boston në tetor për të kënduar në Kishën e Shën Gjergjit. U preka thellë nga mikpritja dhe dashuria e shqiptarëve ndaj meje dhe kur u ktheva në shtëpi, u frymëzova të shkruaja këtë poezi.
O popull i dashur,
Që unë për zemër kam,
Një fëmijë të Shqipërisë
Në shpirt dhe zemër jam.
Menjëherë më keni pranuar
Dhe mirëpritur me dashuri.
Mes njerëzve kaq të ëmbla,
Ndiej që jam në shtëpi.
E dua vendin tuaj
Me malet e lumenjtë e tij,
Me natyrën e tij tërheqëse,
Ah, sa madhështi!..
– Ju këndoni edhe shqip. Ka qenë tepër emocionuese kur kam dëgjuar të kënduar nga ju, Hymnin e Flamurit shqiptar. Cili ka qenë emocioni kur e keni kënduar për herë të parë?
Ndjeva krenarinë të mund ta këndoja një këngë kaq të fort që pasqyron luftën e gjatë të shqiptarëve për lirinë e tyre. Zemra ime qan për kombin shqiptar kur mendoj sa shumë kanë vuajtur shqiptarët gjatë shekujve të kaluar.
-Mund të na thoni sa këngë shqip këndoni? Si keni arritur t’i mësoni ato? Kush është kompozitori i tyre?
Këndoj trembëdhjetë këngë shqip: Himni i flamurit, Për ty, atdhe, Luleborë, Çobankat, E dua Shqipërinë, O bilbil, o more i mjerë, Në zaman t’njasaj furie, As aman, o trandafili çelës, Kroi fshatit tonë, Kur më vjen burri nga stani, Pranvera me një lule jo nuk vjen, Kur pata një lule të bukur, dhe Moj e bukura More. Shumicën e këngëve e kam në cd të ndryshme dhe i mësova duke dëgjuar inçizimet kurse këngë të tjera kam mësuar duke i dëgjuar në kompjuter. Meqenëse mund të jetë e vështirë të kapësh fjalët, shqiptarë të ndryshme më kanë dhënë fjalët për këngët që doja t’i mësoja.
-Bota e artit dhe muzikës shqiptare i ka dhënë artit botëror sopranon me famë botërore, shqiptaren Inva Mula. A keni dëgjuar për të? A do dëshironit të këndonit me Inva Mulën në skenën shqiptare?
Po, kam dëgjuar për Inva Mulën dhe e kam dëgjuar duke kënduar. Ka zë shumë të bukur dhe është këngëtare shumë e zonjë. Do të dëshiroja të këndoja me Inva Mulën në skenën shqiptare. Do të ishte një nder të madh.
-Cili është momenti më i paharrueshëm që ju ka bërë të ndjeheni e lumtur në kontaktet me gjuhën shqipe, por edhe me komunitetin shqiptar në Diasporë?
Do të thosha që momenti më i paharrueshëm ishte kur udhëtova në Boston për të kënduar në Kishën e Shën Gjergjit në tetor të vitit 2010. Qëndrova te Neka Doko, një shqiptare shumë e dashur dhe mikpritëse dhe kisha shansin ta njihja nga afër familjen e saj. Koncerti në Kishën e Shën Gjergjit shkoi mirë dhe njerëzit atje më mirëpritën me shumë dashuri. Kurrë nuk do të harroj fjalët e At Arturit i cili më tha: Kjo është kisha juaj.
-Duke qënë e huaj në origjinë, por edhe shqipfolëse e shkëlqyer, mesazh ky shpirtëror qytetar dhe intelektual, për komunitetin shqiptaro-amerikan, do të dëshironit të jepnit mësim në gjuhën shqipe?
Do të dëshiroja shumë të jepja mësim në gjuhën shqipe. Dua ta ndaj me njerëz të tjerë pasionin tim për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe.
-Çfarë do tu sugjeronit shqiptarëve të Amerikës për të trashëguar gjuhën, traditat dhe kulturën shqiptare në tokë të huaj? Pra, mesazhi juaj për Diasporën shqiptare.
Është e rëndësishme që shqiptarët të ruajnë gjuhën e tyre dhe ta flasin sa më e bukur. Kam dëgjuar shumë shqiptarë që flasin shpejt por duke folur shpejt, humbet qartësia dhe pengohet komunikimi. Prandaj, shqiptarë, flisni ngadalë dhe merrni kohën e duhur të formoni fjalët plotësisht. Nuk dua të them që dialektet janë të këqia, përkundrazi krijojnë shumllojshmëri dhe janë shumë interesante por në të njëjtën kohë njerëz kanë nevojë të zotërojnë gjuhën letrare dhe të komunikojnë mirë në çfarëdo situate. Është e rëndësishme që prindërit t’u mësojnë fëmijëve gjuhën shqipe si dhe traditat dhe kultura shqiptare sepse gjuha, kultura, dhe traditat i jep popullit identitetin e tij dhe e bashkon kudo që të jetojë. Jepuni fëmijëve mundësinë të shkojnë në Shqipëri.
-Dëshironi të shtoni diçka?
Kam bërë shumë prezantime për Shqipërinë gjatë vitit e fundit. Në këto prezantime flas për Shqipërinë dhe eksperiencën time duke mësuar gjuhën. Më tej këndoj disa këngë shqiptare. Kam bërë prezantime te takimet e klubeve Rotary dhe Kuwanis në Elmira dhe dhashë një prezantim tek Elmira College ku jap mësim në gjermanisht dhe italisht. Në shtator dhashë një prezantim në Kishën e Shën Elia në Jamestown, New York. Disa nga poezitë e mia janë botuar në gazetën Dielli në New York dhe revistën Kuvendi në Michigan.
Suksese dhe Faleminderit
Bisedoi Raimonda Moisiu

Filed Under: Interviste Tagged With: bisede me Carrie Hooper, Raimonda Moisiu

“MOS HARRONI JU, QË UNË JAM SHQIPTAR !”

February 19, 2015 by dgreca

NDERIM PËR BINDJET E TË TJERËVE/
1944-“MOS HARRONI JU, QË UNË JAM SHQIPTAR!”/
“ÁT ANTON HARAPI O.F.M.ASHT MENDJE DIALEKTIKE,QI SHKRUEN KRYARTIKUJ,NDËR TË CILLTË DISA JANË KRYEVEPRA.DIJA E THELL, ARSYETIMI I LIDHUN, ANALIZIMI I HOLL, STILI I PESHUEM, DALLOJNË GJITHË SHKRIMET E TIJA. MUND TË JETË I THATË, I FTOFTË,POR
AI ASHT I DREJT’ E I PAFAJSHËM. Don Kolec PRENNUSHI-(Hylli i Dritës, 1936, fq. 583.Shkoder)/
NDERIM PËR BINDJET E TË TJERËVE
Më falni për guximin: Due të përballoj çeshtjen ma delikate në jetën Shqiptare.
Kush e kishte zanë besë?.. Antagonizmi fetar qiti kryet dhe mizorisht u fut edhe ndër ateistët e ditës. Egërsitë e bame në Jug, midis djelmënisë shqiptare, vetëm pse muhamedanë e kristianë, janë fakte që nuk lanë me luejtë, por janë prova të tmerrshme për jetën tonë fetare, shoqnore e kombtare.
Përsa di unë deri më sot, kjo çeshtje kurrë nuk kjé përballue kjartë e mirë, sa herë kjé kallë, menjëherë edhe kjé mbulue si gaca nën hi. T’i mbetët hatri kujt të duejë, unë due me e thanë mendimin tem haptas; marrë në shumicë, muhamedani shqiptar asht fanatik, ortodoksi fanatik, katoliku fanatik, e këta jo për besim, se sa për inat e për parti. Ndër çastët ma të vështirë të jetës sonë kombtare, njëmend se shpëtuem format e bashkimit shoqnor e të qetësisë ndër elementa, porse në fund të punës mbeti një tharm, një fond rryme e partie, sa me të trembë e demoralizue.
Tue prekë me dorë plagën, vjen pyetja: A do të mund të rrojnë në qetësi tre elementat fetarë ndër né? Ateistët me të gjithë skeptikët, indiferentët, natyralistët, aventurierët e oportunistët, thonë se jo: Né shqiptarët nuk mund të rrojmë të qetë, as nuk mund të formojmë shtet, për pa i zhdukë të gjitha besimet, pse besimi i shqiptarit asht shqiptarizma!
Këta shpresoj t’i përballoj njëherë tjetër, këtyne tash po u thom vetëm se Shqipnia nuk asht vend i pa Zot; e se shqiptarët as nuk janë, as nuk duhet të jenë të patënzonë.
Fjalën këte herë e kam me besimtarët e tre elementave.
Pa kontenstim né jemi një komb, një shtet e një popull me një shpirt, me një gjuhë e me një histori, e po të ishim edhe të një besimi, patëm me kenë edhe ma të bashkuem, ma homogjen, dhe as nuk patëm me bjerrë mund e kohë për t’u kuptue ndër shumë punë. Por fakti asht ky, se né jemi pra muslimanë, ortodoksë e katolikë, e si të tillë duem të rrojmë në një harmoni vllaznore. Unë thom se për këte punë nuk asht nevoja me shue besimet, pse po të duem, mund të rrojmë vllaznisht, sikurse kemi shembullin ndër sa shtete të tjera të qytetnueme.
Pra, tezën time e vé kësodore: Shqiptarët, po të jenë vërtetë të qytetnuem e nacionalistë të sinqertë, besues edhe përnjëmend në një Zot të vërtetë, nuk ka se si të mos rrojnë vllazënisht shoq me shoq; përkundrazi, derisa të mos kenë kulturën njerzore në shpirt, ndërgjegjen kolektive kombtare, e derisa t’u mungojë kultura fetare, ata kanë me kenë të damë e të pëçamë, jo pse janë tri besimesh, por pse nuk kanë bazat e jetës shoqnore, kombtare e fetare.

PENGIMI I MADH: FANATIZMI

Pengim i madh për jetën shoqnore, pra, për qetësinë e vllaznimit tonë, asht fanatizmi, i cili asht një turp për personin, turp për besimin të cilit i përket personi e turp për jetën shqiptare. Besimi që mbahet për pasion, pra me fanatizëm, nuk asht besim i arsyeshëm, as faktor i jetës; ai nuk nalton por poshtnon, e ma tepër rrënon se sa trajton.
Besimi në një Zot të vërtetë, Ati i të gjithë njerëzve, nuk do ta shtojë antagonizmin, por do ta pakësojë; besimi do ta zbusë njeriun për ndjesi e jo ta egërsojë, do t’i rregullojë prirjet e instiktit, ndër të cilat asht egoizmi, që don të justifikohet me shkakun e besimit.
Këtu asht nevoja ta dalloj njeriun fanatik nga njeriu me karakter: Të dy ngulin kambë për një bindje të vetën, të dy tregojnë fuqinë e vullnesës deri në kulm, por me këte ndryshim, se njeriu me karakter ngul kambë për një parim të arsyeshëm, ndësa fanatiku don t’i rrijë asaj së vetës arsye e pa arsye: Njeriu me karakter tregon një zotësi morale, ndërsa fanatiku dëshmon një dobësi personale, pse ai, edhe po ta shohë të paarsyeshme atë të vetën, nuk asht i zoti ta mundë pasionin dhe egoizmin; brutalisht mund të jetë i fortë, por njerëzisht asht i ligësht, karakteri moral ka caqet e arsyes, fanatizmi nuk ka cak, ai të verbon, të shtyn deri në vés e në egërsi. Fanatizmi asht antinjerëzor, prandej edhe antifetar e antishoqnor.
Pra, për të rrojtë vllaznisht nuk asht nevoja të hjekim besimin, por kusht i parë asht të hjekim fanatizmin në besim.
Shqiptari mund të zbutet tue marrë kulturën vërtet njerëzore, kulturën e shpirtit, domethanë nuk mjafton të ketë sjelljen e mirë, paraqitjen e njerzishme, format e përshtatshme , mënyrët e hijshme, e në shpirt të rrijë i egër, por duhet të jetë edhe përnjëmend në veté, ashtu si mbahet e duket përjashta, atëherë ka me u ba i zoti të rrojë në harmoni me vllaznit e vet shqiptarë të çdo kondicioni shoqnor edhe të çdo besimi.
Ngjitas me kulturën njerzore, shqiptari do të marrë kulturën fetare. Kaloi koha që ta mbajmë besimin pse na e kanë lanë të parët, pse ashtu e kemi gjetë, pse besojnë të tjerët, ase për një çdo tjetër arsye të jashtme sot duhet të dijmë çka të besojmë dhe pse të besojmë lypet ta justifikojmë; nëmose para vetés, besimin tonë. Por nuk mjafton kaq: Besimin nuk do ta mbajmë as për etiketë, as për një gja vetëm teorike; besimi duhet të jetë faktor i jetës; parimet e besimit duhet të përftojnë në bindje të plotë, ndjesi të gjalla, lëvizje, shprehje, fjalë e punë, drejtue në një sistem jete. Kjo domethanë kulturë fetare.

TË RROJMË SHOQNISHT E VLLAZNISHT

Jo se kërkohet prej shqiptarëve kristjanë e muslimanë të jenë të gjithë Shenjtën e Peigamberë, por po deshëm të jemi komb e shtet, lypet me doemos të jemi në atë shkallë kulture njerëzore e fetare, sa mjafton të rrojmë shoqnisht e vllaznisht.
Pa kulturën njerëzore, nuk jemi pjekun të rrojmë si njerëz e si shokë; pa kulturën fetare, besimi nuk na formon për jetë, por ma tepër na pengon.
Kam pa muslimanë dhe kristjanë që me vetmohim mbërrijnë deri në heroizëm për të mbajtë ramazanin e kreshmët, por prejse nuk e kanë kulturën fetare, ata me atë vepër, sado heroike, nuk shfaqin një madhni shpirtnore të cilën nuk e kanë, pse qëndresa e tyne, të shumtën e herës, bazohet, thjesht, në një zakon, në një traditë, në një moskuptim të jetës fetare që e zhvleftëson motivacionin edhe veprën e tyne.
Një kusht tjetër që rrjedh prej kulturës së shpirtit, asht nderimi për bindjet e të tjerëve. Po t’ia bajmë dignozën shpirtit të shqiptarit në skajin ma të fundshëm, kemi për të gjetë këte fenomen të çuditshëm: Kush nuk mendon si unë, thotë, ai asht kundërshtari im. Ky paravendim antishoqnor shfaqet jo vetëm në lamën fetare, politike e shoqnore, por edhe deri në lamën ditunore.
Më ka ra rasti për vjetë e vjetë të marr pjesë ndër shoqni, mbledhje, nisma e shkoqitje çeshtjesh ndër shqiptarë, edhe do të thom se, me pak ndryshime e me forma ku ma shumë e ku ma pak egoiste, si ndër njerëz me shkollë, kam gjetë e prekë me dorë se mjaft me tregue kush një mendim a parim të kundërt apo edhe të ndryshëm, për me u shikue shtrembët e me u ba shenjë antagonizmi e luftimi.
Shkakun e këtij fenomeni të paarsyeshëm prap e gjejmë në gabimin trashanik, pse shqiptari edhe po të mbahet se ka kulturë, kujton se me ndjekë arsyen e një tjetri, asht dobsi. Historia e djeshme e trysnia e sotshme na e vërtetojnë këte përbindësh të individualizmit egoistik.
Për të rrojtë vllaznisht nuk lypet të mendojmë të gjithë me një kokë, as nuk kërkohet të kemi të njejtat parime ase të jemi të pagabueshëm, por medoemos duhet t’ua njohim të tjerëve të drejtën e arsyetimit e të bindjes, por në atë mënyrë si kërkojmë që të tjerët të respektojnë mendimet tona. Do ta dijmë se secili njeri, edhe pa dashtë, mund të ndjekë një rrugë a një parim të gabuem, prandej, sikurse nuk duem të na përbuzë kush né edhe po t’ jemi gabim, ashtu as né mos të përbuzim askënd. Themeli i shoqnimit, prandej, edhe i harmonisë shoqnore midis shqiptarëve, qofshim edhe besimesh së ndryshme, asht në mbajtjen e sinqertë të parimit: Mos i ban kujt, shka nuk don me ta ba kush ty; banu të tjerëve si kërkon me ta ba ata ty. As në këte pikë besimet nuk pengojnë, por e kanë detyrë të ndihmojnë.

SHKAQET E DASISË

Mbasi vumë kushtet pa të cilat nuk ka si mbahet jeta shoqnore e fetare, vijmë ndër parime: E parimisht secili besim ka dogmat e veta, por dogmat nuk ndrrojnë, prandej, sikurse besimet janë të papërshkueshme me njeni-tjetrin për shkak të dogmave, ashtu besimtarët, në themel të dogmave, nuk kanë si afrohen e puqen njeni me tjetrin.
E ja se dasia asht e detyrueshme, shqetësimi i domosdoshëm. Nuk ka si shkohet jeta vllaznisht! Kështu arësyetojnë ata që besimet i kanë ferrë në sy!
Problemi vërtetë asht i vështirë, por zhvillimin e vet e gjen të plotë ndër tri parimet që janë: 1. Intoleranca dogmatike, 2. Toleranca shoqnore-qytetare, 3. Toleranca shoqnore-politike.
Nuk e kemi shqip fjalën tolerancë, por i afrohet kuptimit me bartë, me durue, si bie fjala na durojmë e bartim (kemi tolerancë) kur na fyejnë fëmijtë, i dejuni, i marri, i gabuemi, por nuk barim, as nuk durojmë kurrsesi (jemi intolerantë) kur ndokush me të mendueme na merr nderin.
Parimisht lypet ta kemi e ta mbajmë intolerancën teorike-dogmatike, due me thanë që në punë të besimit secili ta mbajë bindjen për atë dogmë që ndërgjegja ia urdhnon për të drejtë, as mos të durojë t’i thotë tash zi e tash bardhë një parimi, të cilin e ka për ideal të parë.
Intolerancë! Fjalë e fortë, fjalë që nuk baret as nuk durohet, pse nuk ban as nuk duron as sa të zitë e thoit. Fjalë që me të parën përshtypje tregon fanatizëm, mentalitet të ngushtë, regres, mosafrim me kurrnjë mënyrë. Por edhe fjalë e sinqertë e arsyeshme, e drejtë: E vetmja fjalë e mënyrë për me zhvillue problemin shoqnor-fetar.
Ja edhe arsyeja e thanies sime: Një besimtar, i cili lavdohet se besimi i tij asht i vërtetë, po nuk desh me mohue veten edhe besimin e vet kundrejt një çfardo kredoje tjetër, do të përgjegjet me një “jo” kategorike të preme.
Indiferenti fetar, prejse ai vetë nuk mban kurrnjë besim përnjimend, thotë se besimet janë njënjë të vërtetë, si t’ ishin besimet etiketa e kostume të ndryshme, të cilat vlejnë njënjë për të plotësue një nevojë të jetës. Po kjé si njëna dogëm tjetra, edhe pse të kundërta, atëherë asht njënjë si e vërteta si e kundërta, atëherë Zoti asht “hartuesi” i gabimit, i rrênës, dhe i përçamjes.
Duen me thanë se kjo intolerancë dogmatike nuk baret, nuk durohet në një shtet, në një popull, pse asht tepër refraktare, e ngushtë e fanatke.
Lëne, e për njëherë ashtu po e zamë, edhe po i vemë për bazë të kundërtën, due me thanë tolerancën dogmatike. Në këte themel, bie fjala, Krishti kjé a s’ kjé Zot, Muhamedi kjé a s’ kjé Profeti i Zotit, në këte rast për mue do t’ ishte një për një; unë bart e toleroj të thohet në daç kështu, në daç ashtu: Si Krishti e Muhameti të kenë pasë punë me Zotin, si të kenë punë me djallin, si të kenë kenë hipokritë e mashtrues, si të kenë kenë të ndershëm e të drejtë.
Kush nuk e sheh këte dobësi mendore a morale? Njeriu, të cilit i vjen era njeri, mosbindjen kurrë nuk e tregon për bindje dhe atë për çka asht i bindun se asht gabim, kurrë nuk e pranon për të vërtetë. Kjo nuk asht vetëm një detyrë e fetarit, por një detyrë e secilit njeri të ndershëm e të arsyeshëm.
Në emën të së vërtetës, pra, e për hir të sinqeritetit: Luftë çdo gabimi, kudo që t’a gjejmë, edhe ndër kërkime shkencore, edhe ndër interpretimet e dogmave.
Për këte intranzigjencë ideale, shpirtnore, teorike jemi të paditun na besimtarët, sidomos na katolikët, ndësa këte intolerancë e gjejmë edhe ndër njerzit e ditunisë, të artit e politikës, për shka u përket parimeve të tyne. Këta, e dijmë të gjithë, se as sa çon miza në krah nuk lëshojnë në sistemin e vet porsi bazë.
Këte po e thomi në lamën parimore e ideale, pse mandej tjetër gja asht praktika si për shkencëtarë, e si për besimtarë.

NJË FORMË E INTOLERANCËS: POLEMIKA

Në formën e intolerancës asht polemika, e cila po kjé serioze, ditunore, e paanshme, e bashme ndër sfera të nalta, vërtetë ndrit, nalton e trajton. Rrallë më ka ra me pa ndër shqiptarë polemikë pa pasion. Me nivel kulture njerzore e fetare që kemi, thom se polemika nuk asht për né. Edhe po patëm arsye e të drejtë në çeshtje, kurrë nuk kemi arsye e të drejtë të kapërcejmë caqet e njerëzisë, të shajmë shoqi-shoqin, të përdorim rrênën, të falsifikojmë historinë, të shtijmë në punë motive të ulta, të polemizojmë me pasion.
Tjetër mandej asht toleranca shoqnore, qytetare, praktike. Nëpër këte parim, na dallojmë kjartë se tjetër asht gabimi e tjetër gabuesi, tjetër asht përsoni e tjetër asht vepra: Personin e falim, veprën e gabueme e dënojmë; këté e mënijmë; atë e bartim, këté nuk e durojmë. Ky asht parim bazë që na shoqnon: Me kurrnjë gabim as kompromis as shoqni, por me të gjithë atdhetarët edhe të jenë të gabuem, afrim, dashni, vllaznim.
Natyra na mëson këte parim: Ajo me gjithë ndryshime e kontraste, e patrandshme mban një harmoni të çuditshme; jeta njerzore na imponon: Si, bie fjala, ndër né të marrunit me ndoré, besa, mikpritja, kjé se shumë herë e mbrojmë si fajtorin si të pafajin.
Këte shoqni që na mëson natyra, na imponon jeta; po njëkëte na urdhnon besimi, cilido të jetë. Shpirti i shqiptarit, me gjithë besimet e ndryshme, e ndien fuqishëm se një i njëjti Zot i vërtetë asht Zoti i muhamedanëve, Zoti i ortodoksëve e Zoti i katolikëve. Në saje të një Zoti, Babë i mirë, i drejtë për të gjithë, na jemi vllazën, pse jemi të gjithë bijtë e një Zoti që na ka falë. Pra, Zoti i të gjithë néve, e na të gjithë të Zotit. Në themel të këtij imperativi na jemi një. Ja, pra, se kurrgja nuk vllaznon ma fort se Zoti.
Zoti asht visari i përbashkët i të gjithë Shqiptarëve pa ndryshim.
Në themel të këtij parimi rrjedh toleranca fetare, e cila mbështetet në kuptimin e kjartë: Muhamedani i biri i Zotit, kristjani i biri i Zotit, pra, vllazën; mbështetet ndër ndjesi të sinqerta : Porsi vllai për vllain të ndjejmë njeni për tjetrin; mbështetet në nderimin reciprok për bindjet fetare të shoqi-shoqit: Për kurrnjë arsye nuk kemi të drejtë të përbuzim kënd; porsi me të drejtë kërkojmë të na kuptojnë, ashtu kemi detyrë t’i kuptojmë të tjerët. Kjo tolerancë fetare kështu e naltueme deri në fisniki, sa asht e bukur, aq asht e vështirë. Kush e ushtron këte asht me të vërtetë i madh. Toleranca qytetare – shoqnore e gjenë plotësimin e zbatimin e vet në tolerancën shtetnore-politike. Statuti themeltar i njeh e i respekton njëpërnjë të tria besimet në Shqipni; shteti njëmend asht afetar, d.m.th. asnjanës, por jo antifetar, as ateist, as indiferent; shteti shqiptar e njeh Zotin, por nuk anon për kurrnjë besim ma fort se për tjetrin; hartuesit e Statutit u shtynë deri në ma të naltën shkallë të lirisë e të të drejtave të besimit: Ata pranuen tri besimet në themel të barazimit të plotë; para shtetit e zyrtarëve të tij nuk ka as ndryshim, as pengim ndër të drejta të kurrnjë elementi; të gjitha ligjët, masat, vendimet dhe mënyrat zyrtare synojnë aty: Të forcohet e të sigurohet sa ma mirë qetësia fetare në Shqipni. E tanë puna mbetët ndër zyrtarët, sa ata punojnë apo jo me shpirtin e këtij parimi e me drejtësi.
Pra, për me mbajtë qetësinë midis elementave fetarë: 1. Duhet të kemi për bazë të vërtetën kundrejt parimeve. E vërteta nuk lot: Intoleranca teorike-dogmatike; 2. Duhet të kemi dashninë e sinqertë midis përsonave: Toleranca shoqnore-qytetare; 3. Duhet të mbahët drejtësia me ndërgjegje ndër ligjë e ndër zyrtarë: Toleranca shtetnore-politike.
Arsyeja e këtyne udhëzimeve asht kjo: Na duhet të rrojmë së bashku, jo si përdhuni, por me vetëdashje; këte punë do të na e thotë mendja, do ta duejë vullnesa, do ta ndjejë shpirti; mendjes do t’i flasë e vërteta, vullnesën do ta vendosë e drejta, ndjesitë do t’i shtyjë dashunia. Toleranca qytetare asht një virtyt, për ushtrimin e të cilit krejt njeriu, ndër të gjitha fuqitë kryesore do të jetë i prekun e i tërhjekun. E tanë puna asht këtu: Me dijtë me kenë të zotët ta bartim shqiptarin, jo si të huej, por si vlla.
Kështu, pra, nuk janë besimet ato që e shqetësojnë jetë vllaznore në Shqipni, por gabimet, pasionet e padrejtësia e besimtarëve shqiptarë janë ato që krijojnë çeshtjen fetare në vendin tonë.

PENGESA QË DUHEN KAPËRCYE

E mjaft me teori. Kush don, ja ka marrë vesh me kaq, ja nuk ka me marrë vesh kurrë. Tash të vijmë tek praktika. E praktika asht kjo: Me muhamedanët nuk bahet, ortodoksët janë grekomanë, katolikët janë italofilë. Kështu që nuk mbetet kush shqiptar, as nuk mbetet kund shpresë për Shqipni; kështu nuk bajnë për Shqipni as Ismail Qemali as Bajram Curri pse janë muhamedanë, as Gërmenji as Negovani pse janë ortodoksë, as Gurakuqi as Ded Gjo’Luli, pse janë katolikë; kështu kemi ardhë ndër përfundime qesharake e do të vemi ndër konsekuenca rrënimtare!
Për të rrojtë vllaznisht na shqiptarët do t’i mbajmë, thamë, disa kushte, do t’i vendojmë disa parime, por edhe do t’i hjekim disa pengesa.
Pengesa e parë, për shërimin e kësaj plage të kobshme që e shqetëson jetën ndër shqiptarët, asht gabimi i madh i disa udhëheqësve të cilët duen ta mbulojnë edhe ta mohojnë plagën, e cila, mjerisht, ekziston dhe do të shkojë në gangrenë po nuk u shërue me dorën e një kirurgu të aftë e të ndërgjegjshëm. Çka asht gabim e kalbësinë, fanatizëm e pus, ves e dobësi, lè të qitet në shesh, lè të thohet kjartë, pa ia shikue hatrin askujt. Pse ta mohojmë? Një pjesë e mirë, muhamedanë a kristjanë, ortodoksë e katolikë nuk shikohen me sy të mirë; një antagonizëm shoqnor qendron në mes tyne; ata nuk kanë mbërrijtë endè t’i rregullojnë relatat fetare, shoqnore e civile që do të kenë.
Duhet ta pohojmë botnisht, se për mungesë kulture jemi këtu. Ky do të jetë hapi i parë i përmirësimit: Ta njohim e ta ndiejmë sa duhet këte plagë shqiptare.
Me e shikue hollë, aty ku duket se ndeshen muhamedanë e kristjanë, nuk hyjnë në lojë parimet dogmatike; ato populli nuk i din, as nuk i merr aq në kujdes; sigurisht as për hatër të Krishtit, as për hatër të Muhamedit sot nuk ban kush parti as nuk ngre ngatërresa.
Shkaku i parë do të kërkohet ndër faktorë historikë, ndër tradicione mënie midis elementave; na trashiguem ekzaltime, përbuzje, paragjykime e zemërime kundrejt shoqi-shoqit; me këta lindim, me këta rritemi, me këta edhe vdesim. Vetëm koha e kultura mund të na çrranjosë. Do të kalojë edhe ndonjë brezni që muhamedani ta harrojë tradicionin e të parëve, ta zhdukë krejt idenë “kaurr”, ashtu për një predispozicion të bamë petk, si kristjani i sotëm edhe i nesërmi kenë e pa kenë për çdo punë që nuk i bie për shtat, ka me kujtue e me u ankue: Po më bahet e padrejtë pse jam ortodoks, pse jam katolik. Me atë masë që të marrim kulturën e shpirtit e të hjekim shkaqet e pretekstet, po me atë masë kanë me u dyndë edhe këto rê të helmueme.

FAKTORI PSIKOLOGJIK

Edhe faktori psikologjik ka të bajë shumë me këte dasi shpirtënsh. Shqiptari si tip asht madhështor. Ai ndien për vete edhe përtej se duhet. Mirëpo kjo veti instiktive që kohët e kalueme ndihmoi shumë për me shpëtue shpirtin, gjuhën, zakonet e traditat tona, nëse kjé fat i madh asohere, sot, për jetën tonë kombtare mund të bahet rrezik i parë. Kam pa e shoh përditë shqiptarë edhe me kulturë, të cilët nuk janë të zotët të çveshen prej vetës së vet, ata e dijnë fare mirë çka do me thanë jetë e përbashkët e jetë individuale, i kuptojnë kjartë kontrastet e sakrificat që lypen për me u kapë me jetën e vërtetë shoqnore, megjithëkëte, hir e pa hir, duen të bajnë të vetën; duen vetëm ata me kenë të mendshëm, ata gjela që këndojnë. E po gjetën injorantë, trashamanë, hipokritë, servilë, fanatikë, po edhe njerëz në të mbarë e pa të keq, more t’i shfrytëzojnë pa dhimbje, pa shpirt, edhe ngrehen kapadainj, udhëheqës, pionjerë a shka po di unë. E ja klanet, partitë prej nga rrjedhin dasitë e kontrastet shoqnore: Hallet shqiptare. Këta njerëz të besueshëm, mandej, si ta kenë ba një grimë pozicion me taktikë vërtetë djallëzore, sa herë t’u nevojitet, mjaft ta prekin apo sa ta çekin sustën e besimit, se janë gati një turmë për t’i ndjekë; e ja, se me njëherë qiti krye çeshtja e besimit ndër shqiptarë me mëni, me shpifje, me dasi, grindje e luftime.
Ku asht faji? Sigurisht nuk asht zelli i besimit, por asht zekthi i egoizmit. Unë, së mbrami, nuk i ve faj fare muhamedanit apo kristjanit pse asht fanatik; ai nëmose asht i sinqertë; fajin e parë pse shqiptari ka mbetë fanatik e ka hoxha, prifti a popi, këtyne – po nuk patën vetë aq kulturë njerzore edhe fetare, sa me u dalë për vete e me ua dhanë të tjerëve – u do hjekë e drejta të mësojnë. Por fajin pse fetari e ushtron fanatizmin e ka ai liberali universitar, i cili, që me sa macja e qeni, nuk e beson as Krishtin as Muhamedin, por formon klane për Dinin si për Fenë e Krishtit, jo pse i intereson Dini a Feja, por pse me atë formë – gjen kush e ndjek për me kenë ai në krye. Derisa të mos zbulohen e të mos qiten sheshit këta njerëz të rrezikshëm nuk ka qetësi në Shqipni!

INTELEKTUALË TË KACAGJELUEM

Prapë fjalën e kam me gjysmakët, intelektualët e kacagjeluem; Çeshtja e besimit ndër né nuk studjohet si duhet e sa duhet. Me një lehtësi të pandërgjegjëshme i bihet nëpër té, merret nëpër kambë, shahët e poshtnohet njeni a tjetri besim. Nuk do, nuk di ose nuk del kohë me e studjue thëmelisht çeshtjen e besimit, nuk ké të drejtë me folë, as me dhanë gjykim. Po fole në këte rast, ké qitë tharmin e shqetësimit, jé atentator i vllaznimit, i rrezikshëm për besimin e për shtetin; sikurse do t’ ishem unë mizor po të jepja receta baresh vetëm pse diku kam lexue diçka apo i kam pa ndër reklama fletoresh.
Ambienti, dispozitat atavike të trashëgueme, shpirti refraktar, botkuptimi i ngushtë, rritja familjare mbrenda një rrethi plot paragjykime e sa shkaqe të tjera këso dore bajnë që, përgjithësisht, muhamedani shqiptar disi e ndjen veten ma afër muhamedanit, ashtu ortodoksi afron ortodoksin, katoliku katolikun; këte e sheh dhe e njeh ma shumë se të vetin, ndërsa atë tjetrin e mban si të huej. Nuk asht besimi që ia detyron këte sjellje, por asht shpirti i klanit antishoqnor i paformuem që e shtyn të rrojë me vllaznit e vet si me të huejtë. Fakti asht se jemi të formuem kështu; detyra e sejcilit asht të naltohemi mbi vetén e mbi klanin e rrethit tonë e të kapemi në jetën e vërtetë shoqnore. Mos të më thotë kush se nuk asht e vërtetë, se unë jam tue e teprue; shkoni e hyni ndër shtëpia private, ndër rrethe intelektuale e dita me ditë keni me gjetë se po në ketë mënyrë e me këto dispozita bahen mbledhje të përzemërta, sajohen klane, vendosen punë edhe me randësi, as nuk po e çoj ma gjatë për mos me e zbulue të gjithë vobeksinë e shpirtit tonë të kufizuem.
Mos t’i lavdohemi shoqi – shoqit për atdhetarizëm, për kulturë e për kontribute, as mos t’ ua vejmë kandarin mungesave e dobësive të njenit e të tjetrit element, pse sejcili element ka kontributet e veta e ka edhe dobësitë ndër besimtarët e vet; mos të lavdohet kush se porsi element asht ma shqiptar se tjetri! Superioriteti i besimtarëve, edhe në lamën atdhetare – kulturore, do të tregohet me fisnikinë e ndjesive, me naltësinë e jetës, me zemër të gjanë e me zotësi për ta mundë të keqen me të mirë.
Nuk asht numri as pasunia që e ban superioritetin kulturor e kombtar, por personalitetet që me cilësitë e nalta morale e me zotësi ditunore janë ata, që bajnë pikën e gravitetit në një popull. Derisa të jenë kush që kujton se myslimanët shqiptarë janë Shqipnia, apo se vetëm kristjanët janë nacionalistët e vërtetë, nuk kemi bashkim kombtar, nuk kemi jetë vllaznore, na jemi thikë e brisk.
Historia asht histori, dhe do të mbetet histori! Jeta e Krishtit e vepra e krishtënimit, si dhe jeta e Muhamedit e vepra e muhamedanizmit janë të dokumentueme botnisht. Na shqiptarët as nuk mund t’ ua hupim, as nuk mund t’ ua shtojmë dritën, as hijet dy besimeve. Ashtu edhe historia e ortodoksisë dhe e katoliçizmit nuk ka mbetun vetëm te né shqiptarët. Prandej, historia ja mos të prekët aspak, ja nuk ka kush të drejtë t’a falsifikojë e t’a sajojë vetë, për pa shkaktue zemërime, shqetësime e polemika, që nuk ndërtojnë, por prishin e rrënojnë.
Mos të rrijmë tue njehsue e tue theksue shka na dallon, por ma fort të ngrehim për shka na bashkon: Na bashkë e kemi një Zot në të cilin besojmë, kemi dhjetë urdhnimet që Ai na ka vue, kemi detyrë morale, shtetnore e kombtare të perbashkëta, kemi historinë, kemi idé, ndjesi, jetesë, zakone, kangë, festa, shpresë, shpirt, interesa, gjuhë e të tjera visare e nevojë, nëpër të cilat ne jemi një në mënyrë të pandashme. Në vend që të shikojmë në çka e ku të ndeshemi, të shikojshim e të anojshim me kujdes në ate çka përpiqemi. Shumë puna e mirë pat me u ba, shumë qetësia pat me u gëzue!
A nuk mund të përmbahemi pa e vu në veprim atë shpirtin kundërshtar që e kemi në palcë e në lëkurë? Ta kundërshtojmë terrorizmin, imoralitetin, luksin e alkoolin, vesin, dhunën, pasuninë e padrejtë etj., e jo, të kapemi për punë feje. Të na mbushet mendja mirë, se sikurse nuk janë fajtorë myslimanët pse janë shumicë në Shqipni, ashtu nuk kanë ma pak të drejtë kristianët, vetëm pse numri i tyne asht ma i vogël.

TË HUEJT KURRË NUK E KANË DASHTË BASHKIMIN TONË

Të huejt nuk e kanë dashtë vërtetë bashkimin e shqiptarëve; ata si njëherë përherë kanë veprue për të krijue e për të mbajtë në Shqipni një gjendje kaotike, përçamjesh e dasishë, që të dilnin në përfundim se shqiptarët nuk e kanë ndërgjegjën e përbashkët të kombësisë e të shtetit, nuk janë një popull, nuk e ndiejnë sa duhet nevojën e solidarësisë shoqnore! Me mënyra e taktika të ndryshme, për këte qellim shtinë në punë e përdorën sa herë edhe ndikimet fetare.
Vetëm bindja intime e tanë popullit shqiptar në një drejtim të vetëm, tue u naltue mbi të gjitha brêngat e vështirësitë tona të mbrendshme, vetëm ky hap fisnik do të mund ta përballojë mjaftueshëm këte sulm e këte rrezik.
Këte kontrast jete ndër né e ushqen fort edhe heterogjeniteti i familjes shqiptare. Derisa nana vetë të rritet me një mendësi antishoqnore e t’i rrisë fëmijët vetëm për katër muret e shtëpisë, derisa familja shqiptare mos të shpirtnohet vetë tue marrë poezinë e madhninë e jetës e grueja mos të ketë formue ndërgjegjen për misionin e naltë që ka në familje dhe në shoqni, shqiptarët kurrë nuk kanë për të kenë elementa të aftë për jetën e përbashkët, jo për shkak të besimit, por pse pa pasë edukatën familjare në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, né nuk mund të jetojmë si na përket as si person, as si kolektivitet.
Besimtarë, të çdo feje të jeni, në emën të besimit tuej po ju thom: Shtërngonju, se një mision i madh u endèt përpara. Ju për detyrë e ndërgjegje e për urdhën të Atij Zot që besoni, duhet ta shpëtoni Shqipninë, tue u tregue vërtetë vllazën, jo me forma e për dukë, por me bindje e me ndjesi, me sakrifica e me jetë të shkueme në themel të përpjekjeve vërtetë vllaznore.
A e duem një Shqipni me të gjithë Shqiptarët? Të marrin fund njëherë e përgjithmonë fjalët e frazat: Muhamedanët refraktarë! Katolikët antishqiptarë! Ortodoksët grekomanë! Kemi pasë, po, mjerisht, muhamedanë, ortodoksë e katolikë të dobët, dhe kemi pasë e kemi muhamedanë, ortodoksë e katolikë vërtetë shqiptarë, të vërtetë e të mëdhej, por as muhamedani nuk ka arsye të rrijë sherbez, as kristiani nuk do të kujtojë veten të marrun nëpër kambë.
Me gjak të vét e shuguroi Lterin e Atdheut katoliku, ortodoksi e muhamedani: Gjeçovi e Gurakuqi, Çerçiz Topulli e Bajram Curri, Gërmenji e Negovani nuk kanë ndryshim, por janë një në mendim e një në vendim, në vepër e në vdekje. Ata e kryen detyrën e vet, tue e vulosun me gjak atë shka jemi: Vllazën të një gjaku!
Mirditasit e dukagjinasit, kosovari e dibrani, kurveleshasi e kolonjari, për vjet e vjet hoqën keq me ruejtë të njëjtën gjuhë, të njëjtin shpirt, të njëjtat zakone shqiptare, ngase ata kjenë një në sakrificë e në drejtim, në saje të tyne trashëguem visarët tona kombtare.
Me gjak e ndasi jemi ngopë. Kemi provue edhe se shka asht kthetra e huej. Jemi rysë tashma me të gjitha provat e egoizmit vetjak e kolektiv të partive, dhe kemi pa e prekë me dorë se një popull i përçamë me grindje të mbrendshme asht i gjykuem me mbarue. Rreziku që na rri mbi krye të bjerrim Shqipninë, idealet e interesat që na rrijnë përpara, gjamët e shpirtit shqiptar e aspiratat e të gjithëve për gjithshka asht për të mbarë e të mirë, vlerë e nderë për popullin e kombin, për historinë trashëgim të breznive shqiptare, janë arësye e shkaqe që na imponojnë të lidhemi e të mbahemi nji ballë i çeliktë pa ndryshim besimi, partie, krahine a privilegji. Do të ishte një tradhëti e naltë për brezninë tonë që tashti këtij blloku të çimentuem t’ia ndezim bombën e dasisë me shkëndinë e përçamjeve fetare.
Prite, Zot, që populli ynë besnik e fisnik, për shkak të besimit fetar mos ta ketë ma besimin shoqnor njëni me tjetrin; në vend që të bashkohet më një, të përçahët trish; jo, mos e thantë Zoti që shqiptarët besimtarë, në vend që t’i afrojë dashunia, t’i përçajë mënia, e po njata çka duhet të na afrojë, besimi në një Zot të vërtetë, të na shtijë grindjen e armiqësinë; jo, kurrnjë mos pritshim t’ ia mërrijmë asaj ditë, kur për shkak të dasive, të shkrihemi porsi krypa në uji e të zhduket prej fytyrës së dheut Vatra Shqiptare, mos të jehojë ma ndër kombe zani i Arbnorëve.

TË HEQIM DORË NGA ÇDO NDRYSHK ZEMRE

Sot në këte krizë të tmerrshme besimtarëve të të tré elementave na përket, për hatër të Zotit e të Shqipnisë, të heqim çdo ndryshk zemre, t’i japim dorën shoqi – shoqit e të vllaznohemi në Atë Zot që besojmë e në Atë Shqipni që e duem me gjithë zemër.
E po e patën detyrë besimtarët një herë, kleri shqiptar, muhamedan, ortodoks e katolik, dhjetë herë ma tepër e ka detyrë të shtërngohët doradoras, e pa vonesë të dalë në lamën e luftimit për t’ ia shpëtue shqiptarit besimin në një Zot, shpresën në një Shqipni.
A sot, a kurrë, të mobilizohemi për Fé e Atdhé!
Ja, ky asht besimi e kjo asht Shqipnia që po na zhduket ndër duer.
Bashkimi i tré klerëve në ketë drejtim e veprim asht leva ma e fuqishme për të sigurue bashkimin e shpëtimin. Nuk shpëton, jo, sot as Xhamia pa Kishën, as Kisha pa Xhaminë, por as njena as tjetra pa Shqipninë.
Të ngrihemi në kambë! Për një Zot të vërtetë për një Shqipni të lumtun, na jemi vllazën!”
Korçë, Korrik 1944.
*Marrë nga libri: “Çashtja e elementavet fetarë në Shqipni”, Tiranë, 1944, fq. 5 – 22.
**Shenim nga Fritz Radovani: Materiali i At Anton Harapit O.F.M., botue në vitin 1944, më asht dhurue nga Prof. Ndue Zef Toma, i cili e ka redaktue, pa ndryshue asnjë fjalë nga origjinali.
Nënvizimet janë të Autorit, simbas origjinalit, për të cilin, Ju lutëm, të mos bani ndryshime.
Melbourne, Nandor 2014.

Filed Under: ESSE Tagged With: “MOS HARRONI JU, Peter Anton Arapi, QË UNË JAM SHQIPTAR !”

LETËR E VEHBI SKËNDERIT NGA PARAJSA PËR 20 SHKURTIN

February 19, 2015 by dgreca

Poemë nga ELIDA BUÇPAPAJ*/
do të kisha arritur/
nga fundi i botës/
sot më 20 shkurt /
23 vjet /
pas asaj dite/
kur Zoti kishte zbritur në/
Tiranë për të mbjellë/
tek rinia/
trimërinë dhe/
shpresën/
e jetës/
tonë të vrarë/
për së gjalli/
në mënyrat
më të përbindshme
të tokës tonë
që pikon
në vend të shiut
lot

do të kisha marrë
avionin
trenat
do ta kisha kaluar
Adriatikun dhe Jonin
me not
do të kisha zbritur
rendshëm
shkallëve të qiellit
nga fryma
do të isha bërë
rishtas

do të kisha ecur
pa u ndalur
me ditë e muaj
natën e ditën
do t’u kisha hypur
kuajve të stuhisë

do të isha bërë 20 vjeç
si ata djemtë e vajzat
më 20 shkurtin 1991
që sot janë dyzetë
e ca vjeç
të gjithë të zhgënjyer
si unë

do të kisha ardhur
edhe i vdekur
nëse nuk do të më
kishin vrarë
të gjallë
dalë e ngadalë
pronarët e lirisë
sikur liria të ishte
jo shenjtore
por prostitutë

do të isha aty
i pari
me mish e kocka
me kocka e shpirt
nëse
nuk do të më
kishte rivrarë
prapë për së gjalli
diktatura e tranzicionit
duke i zëvendësuar
torturat reale
me plumbat
abstraktë
të indiferencës
shurdh-memece
nën breshëritë
e kryetitujve
ku shfaqej
Mesia
ndërsa mëkatonte
si satanai
pa vrarje ndërgjegjeje

ishte një vrasje e ngadaltë
e pabesë
heshtas
për njëzetë vite rresht
pa plumba
me këngët e sorrave
duke i nxjerrë të tepërt
poetët
nga dheu që i lindi
nga qielli e dielli
që i mbuloi
e u dha frymëzimin
edhe në kohën e kolerës

ju u bëtë shpirti binjak
me persekutorët
që i mbajtët rreth vetes

ju ishit artileria e rëndë
e antilirisë
me skuadrën e pushkatarëve
që i shkrepin karikatoret
e të vrasin me heshtjen
kriminale

unë do të isha aty
i gjallë apo i vdekur
nëse Tirana
do të merrte frymën
që Zoti i dha rinisë
atë 20 shkurt
23 vjet më parë
kur unë u futa mes atij oqeani
shpresash njëzetëvjeçare
i gatshëm të vdisja
nga plumbat
që mezi prisnin urdhërat të shtinin
nga tarracat
tek muzeumi
tek 15 katëshi
tek pallati i kultures

ju e mashtruat rininë
e mashtruat Tiranën
i mashtruat poetët
që besojnë të parët
por që e ndjejnë
po të parët tërmetin e
zhgënjimit
andaj rebelohen
të parët

ju ishit falls
ju shitës
ambulant sloganësh
ju ishit falls
si paret falls
me të cilat nuk blihet asgjë
aq më pak liria

ishit një iluzion
që shkrumboi
miliona ditë
shqiptarësh

tani i pafuqishëm
të ripërsërisësh skenarin
e dramës që luhet
për 23 vjet
unë që prehem
diku në Zvicër
jam shumë më i fuqishëm se ti

sepse duke i patur të gjitha çelësat
në duar
me to u hapën
zgafellat e urrejtjes
sikur nuk na mjaftoi koha
kur na detyruan
të urreheshim
pa asnjë tjetër
rrugëzgjedhje

rrugët tona tashmë
janë të ndara
një herë
e përgjithmonë
unë do të vazhdoj të rend
si shpirt i lirë
pas rinisë
që nuk njeh kurrë plakje
që nuk njeh kurrë vdekje
që rilind
20 vjeçarë
çdo 20 shkurt

ti s’je ndalur
duke i zvarritur shqiptarët
sa herë ka ardhur 20 shkurti
për 23 vite rresht
nëpër tranzicionin
makabër

shumëzoji
23 vite me 5 milionë shqiptarë
sa milenarë jete bëjnë

tashmë një kapitull
i historisë
është mbyllur
si dështim i përkryer
i poetëve dhe popullit

tani asnjë dhe askush
nuk do të të mundë
të imitojë më
këta 23 vjet tërheqjezvarrë
të gjithë
dishepujt e tranzicionit
majtas apo djathtas
tash e mbas janë
buratinë letre
përpara oqeanit
të rinisë

sa për mua
nëse do të rilindja
nga universi i hirit
apo do të ngrihesha nga varri
i baladave
bashkë me të gjithë
shpirtrat e poetët
që i dhanë shpirtin
këtij vendi
për ta bërë më të mirë
s’do bënim gjë tjetër
veç do t’i bashkoheshim
rinisë
për të përsëritur
20 shkurtin…

(E shkruar më 20 shkurt 2014. Kjo poemë është përfshirë në librin poetik të Elida Buçpapajt “Anticirkland”, Onufri,2014)

Filed Under: LETERSI Tagged With: Elida Buçpapaj, leter, parajsa, VEHBI SKËNDERI

“Kisha ortodokse serbe” në Prishtinë-Muze i holokaustit shqiptar!

February 18, 2015 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
Së pari objekti në fjalë nuk është kishë , sepse nuk i ka elementet që e vërtetojnë këte.
Nëse ne e dijmë se çka donin serbët , ndërtesa e pa përfunduar nuk e plotëson fundin e dëshirës së tyre. Ata mendonin që me shqiptar të Kosovës çdo gjë përfundoi dhe menduan që me ndërtimet e “kishave” të reja pravosllave t`i legjitimojnë dhe ato të vjetrat që ishi të gjitha shqiptare , si të vetat. Atyre me orientimin tonë të pa menduar mirë , po iu ndihmojmë që të dalin para botes se janë të parët e kësaj ane , sepse ne gojë e me shkrim po themi që historia e jonë fillon pas shekullit të 16-të.
Por bota e civilizuar vepron ndryshe , ata nuk humbin asgjë nga kujtesa : “Muzeumi në territorin e ish-kazermës Dosin në qytezën belge Mechelen në veri të Brukselit, ku në kohën e pushtimit gjerman kalonin trenat për në kampet e shfarrosjes, hapi portat për publikun të shtunën (01.12.2012). Ekspozita synon të nxjerrë në pah se si njerëzit u detyruan të përjashtojnë e madje të shfarrosin njerëz të dhe grupe njerëzish të tjerë.
Kampi SS i grumbullimit midis viteve 1942 – 1944 ishte epiqendra e deportimit të organizuar nga gjermanët nga Belgjika dhe veriu i Francës. Vetëm prej këtej, sipas të dhënave të muzeut, janë deportuar për në Aushvic-Birkenau rreth 25.500 hebrej dhe rreth 350 sinti e romë, shumica e të cilëve u vranë.( http://www.dw.de/muzeu-i-holokaustit-dhe -drejtat-e-njeriut )
Po shkruhet :”Kisha Ortodokse Serbe “Sveti Nikolla” (“Shën Nikolla”) e cila është e ndërtuar brenda oborrit të Universitetit të Prishtinës në kohën e regjimit të Millosheviçit, shumë herë është bërë temë diskutimi, herë për ndërtimin e imponuar nga regjimi, e herë për ndërtimin e paligjshëm.
Përderisa shumë shpesh është thënë se ajo duhet të rrënohet për shkak se nuk është e legalizuar, fati përfundimtar i saj do të vendoset pas pesë shkurtit. Nëse askush nuk aplikon për regjistrimin e këtij objekti, pas këtij afat, ai do të trajtohet si të gjitha objektet e tjera.”
Ky objekt ka dhe një problem tjetër. Për të paraqitur kërkesën për regjistrim, sipas nenit 16 të ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me numër 04/L-188, Kisha Ortodokse duhet të ketë të bashkangjitur edhe pëlqimin e Universitetit të Prishtinës.
“Nëse aplikuesi i një njësie të ndërtuar pa leje në një ndërtesë në bashkëpronësi të ndërtuar me leje, paraqet një kërkesë për t’u përfshirë në regjistrin komunal të ndërtimeve pa leje, aplikacionit duhet ti bashkëngjitet pëlqimi i pronarëve i cili duhet të jetë i verifikuar tek organet kompetente”, thuhet në këtë nen. Ok , shumë mirë .
Por pse të rrëzohet . Pse nuk e bëjmë një muze , muze të holokaustit shqiptar ? A kemi fakte? Sa të duam, Kemi artistë , kemi arkitekta, kemi ide dhe ajo më e madhja e kemi ende të freskët luftën , masakrat, dhunime dhe përdhunimet A mjafttojnë këto për një muze ?

“Kisha ortodokse serbe shume e brengosur per fatin e njerezve dhe popave te tyre ne Kosove e Metohi. Para disa ditesh ne Kongresin amerikan eshte promovue monografija “Trashigemija e Krishterimit ne Kosove e Metohi: Qendra historike e shpirtnore e popullit serb” e zgjeruar dhe e plotesuar me nje botim libri ne anglisht dhe disa prkthyes kerkonin qe te ndalet shkatrrimi dhe demolimi i faltoreve ne Kosove e Metohi dhe qe te mbrohen manastiret e kishat serbe -lajmronte ABC NEWS dhe gazeta New York Post.
Libri eshte paraqitur ne biblioteken e Kongresit amerikan neWashington dhe ne promovim e ati libri Haris Grant udheheqesi i paraleles per librin e Evropes tha se eshte ndere per biblioteken ta kete nje liber te rralle kulturore te monografise historike te krishterimit serb. Publikimi i ketij libri me pare qenka bere ne Univerzitetin e Beogradit ne institutit Hierarhise se Kishes Ortodokse per Ballkan.”
Si t`i kundërvehemi kësaj ?
Historikisht shqiptarët nuk kanë rrënuar objekte të kultit,e aq më pak ato të kultit të krishter të cilat janë pushtuar dhe uzurpuar nga të ardhurit e më vonëshëm , shumë të vonëshem historikisht .. ATO ISHIN DARDANE..
Historia e jonë nuk fillon në shek 15, as 16 -të epokës së re , por dikur më herët kur “
“ lindi dielli dhe hëna “(Dhimiter Pilika ) .
Prandaj ndërtimi i një muzeu të holokaustit shqiptar nga serbet , më së i nevojëshëm.
Tjetra , ne Kosovë kishim shqiptar ortodoks.ata ose mëshifen nga ne ose kanë ikur.
Le të jetë objekt edhe si siguri për ata që duan të kthehen në trungun e vjetër kombëtar.
Por së pari , muze!

Fahri XHARRA 18.02.15 , Gjakovë

Filed Under: Analiza Tagged With: “Kisha ortodokse serbe” në Prishtinë-Muze, Fahri Xharra, i holokaustit shqiptar!

Hirësia e tij, Aleksandër, nga Argjentina, uroi Kosovën në Ditën e Pavarësisë

February 18, 2015 by dgreca

Buenos Aires Argentina : Hirësia e tij Aleksandër, Kryepeshkop i Kishës Ortodokse të Shqiptarëve të Diasporës në Amerikën Latine, e thënë ndryshe pasuesen e kishës së Nolit, por në pjesën jugore të kontinentit – aty ku kjo kishë, ka komunitetet e veta në Argjentinë, Brazil, Kili, Uruguai,nuk e harron gjakun e tij shqiptar.
Më 17 Shkurt, në 7 – Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Kryepeshkopi Aleksandër, ka gjetur një mënyrë të veçantë për të uruar Kosovën – në ditën e pavarësisë së saj. Ai madje nga një përrua me emrin “Kosovë”, në Ushuaia, provinca e Tierra del Fuegos, në Patagoni të Argjentinës, ka postuar në rrjetin social face book, një set me fotografi, me flamurin kuq e zi, dhe shkabën me dy krena, dhe një tabel ku sinjalistike ku shkruhet Arroyo – Kosova – të cilin ai e ka postuar si një “kartolinë me një urim të veçantë për shtatë vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”.
Më poshtë në postimin e tij – Hirësia e tij Aleksandër, shkruan se : “Urime për të gjithë vëllezërit e mi dhe motrat e shqiptarëve të Kosovës, sidomos pasi shumë miq kam atje në ditën e Pavarësisë së Kosovës së lavdishme, të gjithë ju jeni në zemrën time. Kosova një popull dje, sot dhe përgjithmonë shkatrroi zinxhirët e robërisë. Të gjithë shqiptarët, në bot ë në se ne jemi të bashkuar, kemi për të ndërtuar Kombin e Madh dhe shtetin që quhët Shqipëria. Vetëm ajo Shqipëra, ka atë që na bashkon, që na integron. Çeshtja e Popullit të Shenjtë Shqiptar, nese shtyhet,vazhdon përndjekja, populli nuk papërmbahet, e kuqe dhe zi : Rrno Kosova! Rrno Kombi Shqiptarë! Rrno sa malet e Shqiperise! Shqipëria! Rrno ftë populli shqiptar – me lavdi përgjithmonë! Zoti e beko ftë Shqipërinë dhe Shqiptarët kudo që janë” thotë Kryepeshkopi Aleksandër” në postimin e tij në face book me rastin e 7 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës./Beqir SINA/

Filed Under: Kronike Tagged With: Buenos Aires, e kosoves, Hiresia Aleksander, Pavaresine, uron

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT