• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2015

MË VRANË, POR KËNGA KA MBETUR. S`VRITET DOT AJO

February 18, 2015 by dgreca

Copa dhembje në 43-vjetorin e varsjes nga UDB-ja të poetit Alush Canaj/
NGA AVDUSH CANAJ/
Nata po ikte e trishtuar .Këtë trishtim po ia përcillte edhe ditës së 15 shkurtit të atij viti,(1972), plot lot e dhembje. Ti hape sytë. Fole. Tregove të vërtetën me një zë të mekur.
Ah, ata më vranë. Ata ma mbushën kupën e helmit. M`u vërsulën cerberë e ujqër ta pij.
Pije, pije, pije!
Dhe… e pita. Deri në fund.
Ndodhi krimi makabër.
Vrasja mori fund.
Ata duatrokitën. Ashtu duhet.Ashtu.Brohoritën si në kor: Vdekjeve poetëve.Të gjithëve kështu, kështu, kështu…
Fajtor ishte kënga. Kishin frikë nga ajo. I tmerronte dashuria për Arbërinë. Isha në gjendje të vdes për të e të ringjallem si feniksi.
Ta dini mirë edhe këtë:
Cerberët përmes lakejve të tyre, do të lansojnë, me siguri, të pavërteta.Si gjithmonë. Për atë e për këtë. Kinse për ndonjë roman të lexuar, për filozofinë e Niçes, për ndonjë dashuri të pafatë, të tradhëtuar… Mos u besoni! Ata duan të dalin me duar të pastra nga krimi.
E vërteta është kjo. Që u thashë.
Ata më vranë. Më vranë, por kënga ka mbetur. S`vritet dot ajo.
Tash… tash…po shkoj… Po fluturoj mes yjesh… Nënë, baba,vëlla…
Kënga… ajo më bënë të pavdekshëm, të pavdek…shëm…të pavdek…
Mos biiiiiiiir!
Vëllaaaa!
Moooos!
ME HIJEN E POETIT NË SHETI
Kur dola mbrëmë në qytet, më doli para hija jote. Para Teatrit po më prisje, si gjithmonë. Me flokët kaçurela si prej dielli , me shikim të ëmbël e krenar.
Më the se të ka marrë malli për një sheti, qendrës së qytetit, si dikur, me ty Latif K.,kur ishim në gjimnaz. Shokë të një klase.
Kujtove vitin 1970.
Pata shkruar një poezi për Nënën Tonë të Madhe. Për Nënën Shqipëri. Më rrihte zemra për të, ditë e natë. Isha në gjendje të bëjë çdo gjë për hirë të Saj. Na patën ndarë pa të drejtë nga prehëri i Saj. E vunë një mur në mes, Të madh. Me gjemba. Të mos e shohim Nënën, e, as Ajo të mos na shoh në. Bijtë e vet.
Ndoshta të kujtohet. Në një orë letrare lexova vargjet për Të. E pata shkruar më një frymë dhe plot frymëzim. Titullin ia pata vënë: NËNA SHQIPËRI.
Atje larg në Veri
Nëna ime Shqipëri.
Si ylber me shtatë ngjyra,
Lule e çelur, më e mira!
E kam dritë, e kam xhan.
Korbat e zezë prej saj më ndanë.
Oh, sa keq! U bubu!
Ajo pas malesh, unë këtu.
Zog do bëhem të fluturoj,
Nënën time ta takoj,
Ta puth në faqe si dikur
T`i them në prehër: U bëra burrë!
Ujq e dhelpra më vijnë pas,
Dashuri e Nënës do t`i vras!
Salla e stërmbushur me nxënës e sudentë, madje edhe qytetarë, sikur eksplodoi nga duartrokitjet. Nga zjarri ndezur shpirtëror që përjetuan, të gjithë u ngritën në këmbë.
Të kujtohet ty, o Latif K., ai nallbani nga Përlepnica, me plisin borë? Ai vinte në këmbë nga katundi në çdo orë letrare. Axha Hysen ishte. Hysen Shabani. Doli e më përqafoi para të gjithëve.
E di, e di.Të tha me krenari:
Ti i duhesh kësaj Toke të bekuar. Kënga e fyellit tënd do të dëgjohet larg. Do ta dëgjoj edhe Nëna Jonë. Të lumtë, o bir!
Sërish duartrokitje të mëdha. Fishkëllimë.
Po, po. Pikërisht kështu ishte. Si mos të kujtohet,vëllaçko! Eh, jetë, o jetë!
Ishte kohë e rëndë. Me gjemba. Nën kthetra të pushtuesit. E cerëberë kishte shumë. Në çdo hap. Edhe në orë letrare cerberët e dresuar mirë nga UDB-ja.
Pasi mbaroi ora letrare H., m`u afrua e më tha: Ç`bëre , ore kështu?!
Asgjë të keqe. Lexova poezinë. S` e kam shkruan unë. Zemra, i thashë.
Por…, nisi të më thotë diçka, unë e ndërpreva në çast.
Deti kos u bëftë! Poezia është ndjenjë.Shpirtë.Art është poezia, e kupton ti?
Ai uli kokën dhe iku me të shpejtë. Shkoi atje ku duhej. Te ai, që ia kishte dhënë detyrën për ta kryer.
Eh, Latif K., Latif K! Të nesërmen, në ag të ditës, më thirrën te ajo dera e madhe. Po e di ti, në UDB. E dinin krejt ngjarjen. Ma lëshuan përpara edhe inçizimin
Desha ta pyes edhe më tej, më humbi hija e poetit, Alush Canaj .Shokut tim. Si nëpër mjegull më tha:Të kërkoj falje! Po më thërrasin në një orë letrare në Parajsë, Rexhep Elamzi e Bajram Qerimi.
SHPIRTI YT NËPËR VARGJE BËNË DRITË
Kur të mbuluan më pikëllim, Yt vëlla , nën shiun e lotve, u betua se do ta vazhdoj këngën tënde të lënë në gjysmë.
E mbajti fjalën ani pse i kushtoi shtënjtë.
Sot me harpën e tij na falë melodi të blerta, por gjithmonë me dhimbje. Me dhimbjen për Ty.
Ti jë çdo varg të tij. Në çdo strofë.
Je në bibliotekat tona më Valsin tënd. Me miqtë e tu shkrimtarë. Me Beqën , që i lotoi shpirti për Ty.
Para cerberëve tha:
Alushin e vranë po ata që i vranë më vonë Rexhep Elmazin e Bajram Qerimin. Dhe s`i levizi qerpiku Beqës së madh.Të tjerët futën kokën nën këmbë.
Shpirti Yt nëpër vargje bën dritë. Në këngën tënde. Në artin tënd.
E dimë përmendësh melodinë e këngës Tënde. Përmallshëm e këndojmë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Avdush Canaj, MË VRANË, POR KËNGA KA MBETUR. S`VRITET DOT AJO

NE PRITJE TE NJE FTESE PER KONCERT NE TIRANE

February 18, 2015 by dgreca

Bisedë me Ardita Statovcin, pianisten e madhe shqiptare nga Kosova/
Nga Abdurahim Ashiku/
Kam biseduar në jetën time me shumë njerëz, por biseda me Ardita Statovcin ishte e jashtëzakonshme. Ishte një çast që nuk do ta harroj kurrë. E bukur, në moshën e luleve të jetës, (vetëm 29 vjeçe) me një buzëqeshje prej nga kroi i pastër i zërit të saj rridhte, si rrjedhin krojet në natyrën e virgjër të maleve shqiptare.
Ajo që më befasoi tek Ardita Statovci është SHQIPJA e saj, Gjuha Shqipe në një pastërti që edhe studentët e Gjuhë –letërsisë, edhe akademikët e Drejtshkrimit të Gjuhës Letrare Shqipe, do ta kishin zili, do të ulnin kokën me respekt. Ardita Statovci vetëm katërmbëdhjetë vjet ka qenë në takim të përditshëm me gjuhën shqipe, vetëm në moshën fëminore, madje me gjuhën shqipe në dialektin e Kosovës, në gegërisht, kurse 15 vjet të tjerë të jetës i ka kaluar (dhe vazhdon ti kalojë) me gjuhën gjermane, angleze, franceze, italiane… ku ka studiuar dhe jep koncertet e saj të mrekullueshme. Në bisedën me të, në asnjë rast, nuk dëgjova të përziejë asnjë fjalë gjermanisht ku ka kaluar pjesën më të madhe të jetës, dhe ku jeton edhe sot.
Një shembull ky që të bën ta nderosh dhe respektosh më tepër se për duart e shpirtin e saj mbi tastierën e pianos, për Gjuhën Shqipe…
Në tej; biseda me Ardita Statovcin më 4 gusht 2011 në hollin e hotel ERALD në Prishtinë. Dhe në fund; një biografi e jetës dhe krijimtarisë së saj marrë nga klikimi në Google me emrin Ardita Statovci, vlerësime për artisten – publikuar në shqip, anglisht, gjermanisht, në gjuhët që lexuesi njeh.
Abdurahim Ashiku
Mund të prezantoheni?
Quhem Ardita Statovci. Jam nga Prishtina, pra nga Kosova. Kam lindur në Prishtinë. Në moshën 15 vjeçare shkova në Austri, përkatësisht në Salzburg, në universitetin e njohur të muzikës Mozarteum për të studiuar. Kam mbaruar studimet atje. Edhe studimet e magjistraturës. Më vonë kam studiuar edhe në Universitetin e Indianës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tek pianisti i dëgjuar legjendar 87 vjeçar Menahem Pressler. Në Itali kam studiuar në Academinë Pianistike në Imola tek Franco Scala dhe Boris Petrushansky. Dhe tani mbaj koncerte në vende të ndryshme të Evropës, Amerikës e kështu me radhë.
Mund ta kujtoni koncertin tuaj të parë?
Po. Me këtë rast do t’ju tregoja një përjetim shumë të bukur, ndoshta një nga koncertet më të mëdha në atë kohë kur isha fëmijë. Ky profesion kërkon vazhdimisht paraqitje para publikut, kjo do të thotë që nuk ishte ashtu detyrimisht hera e parë që paraqitesha para publikut. Fitova çmimin “Talent i Kosovës” në moshën 8-9 vjeçe sa isha. Duhej kaluar një garë, garë muzikore e kam fjalën, konkurse siç i quani në Shqipëri, përndryshe…
Garë është fjalë shqipe kurse konkurs…
Epo bravo. Edhe unë dakordohem….përndryshe nuk ishte e lejuar që fëmijët kaq të vegjël të merrnin pjesë. Nga shkolla e muzikës ishin fëmijë nën moshë. Mësuesja ime insistoi që unë të merrja pjesë. Me të vërtetë e fitova çmimin “Talent i Kosovës”. Koncerti mbahej në “Sallën e Kuqe” e cila konsiderohej më e mira. Salla është e madhe dhe në sytë e mi si fëmijë më dukej gjigante, më dukej e pafundme. Ishte një publik i tërë që mbushte sallën. Ishte një ndjenjë e papërshkueshme. Më kujtohet që pata luajtur një vals të Shtrausit që e njihja edhe nga filmat vizatimor me Tomin dhe Xherrin. Luajta edhe një tokakina nga Kavalevski që në atë kohë ishte shumë e vështirë për duart e njoma të një fëmije. E tëra ishte një mrekulli dhe ende, disi ende, e kam atë ndjenjën e paraqitjes.
Si u ndjetë me fitimin e çmimit dhe si ndikoi ky në të ardhmen Tuaj?
Që kur kam filluar pianon e deri sot ishte një proces shumë i natyrshëm, u zhvillua në një nevojë të përditshme, një punë njësoj sikur sportisti, pra me orë të tëra për të mbajtur, si të themi hapin qoftë ky për koncertimin, pastaj për memorien sepse të gjitha gjërat interpretohen përmendësh. Çmimi ishte një sadisfaksion, pranimi i punës të një fëmije të vogël atëbotë. Ishte fantastike që më jepej rasti të paraqitesha në një sallë gjigante me gjithë ata njerëz. Dhe deri më sot i gjithë procesi ka vazhduar shumë natyrshëm; me koncertet, me studimet.

Ishit ulur në piano. Si ishte…
Vaj halli ishte. Por kjo e tregon se njeriu kërkon vullnet, disiplinë, mund edhe në kushtet janë si janë. Ishte në se nuk gaboj Blutmer që edhe para dy viteve e kemi pas atë piano edhe pse atë korpusin rezonues e kishte çarë për mesi. Këto ishin kushtet e Kosovës që nuk kishte në fakt të tjera. Por tani e ka një më të mirë në Sallën e Kuqe.
Kur ikët nga Kosova?
Në vitin 1997.
Dhe u vendosët ku?
Në Salzsburg, në vendlindjen e Moxartit.
Moxarti i madh që vdiq në varfëri të plotë, u varros në një varr masiv nga bashkia, siç e tregon edhe filmi për jetën e tij të shkurtër…
Ashtu është.
Unë e kam parë filmin, e kam librin mbi jetëshkrimin e Moxartit, kam ndjekur në vitet ‘60’të operat që janë dhënë në teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë, operat më me zë në botë, nuk kam lënë shfaqje pa parë. Megjithëse nuk mund të them se kam vesh të hollë muzike, përsëri i kam ndjekë atëherë dhe, edhe sot, i ndjek vazhdimisht në filmat biografikë për kompozitorët e mëdhenj. Kam një numër të konsiderueshëm CD të cilat i përdor në çaste qetësimi shpirtëror.
Bravo, shumë mirë….
Më fal se fluturova pak në vitet e rinisë time, pesëdhjetë vjet të shkuara. Atëherë vazhdojmë me udhëtimin tuaj në Salzburg. Si iu duk Salzburgu një vajze të re kosovare ?
Kur shkova në Salzburg isha vetëm 15 vjeçe. Shkova drejt në një nga universitetet më me famë botërore, „Mozarteum“ në Salzburg të Austrisë. Aty gravitojnë njerëz nga të gjithë kontinentet. Ishin një numër shumë i madh kolegesh nga e gjithë bota. Në klasën e profesorit tim ishin nga Japonia, Korea Jugore dhe Kina. Ata janë njerëz me disiplinë të hatashme. Ata janë mësuar që fëmijë të punojnë jashtëzakonisht shumë. Dhe ata duan të kenë jo arritje të shkëlqyeshme por të shkëlqyeshme- të shkëlqyeshme të themi kështu, të shkallës së lartë, të jashtëzakonshme, kështu që automatikisht vihesha në konkurrencë me një botë të tillë. Nuk ishin vetëm aziatët që ishin në atë universitet. Kishte edhe nga Afrika e Jugut, nga Australia për të mos folur për vendet e tjera të Evropës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Amerikës Latine etj. Ishte një sfidë kur vije nga një vend që nuk kishte mundësinë e shkollave të zhvilluara, shkollën e zhvilluar pianistike siç është shkolla ruse, shkolla gjermane apo franceze. Ishte shumë sfiduese përkundër punës në këtë fushë ku nevojitet shumë edhe tradita e mbledhur me kohë. Përderisa austriakët, gjermanët po themi e kanë Bahun, babanë e muzikës që kishte lindur në vitin 1685 që do të thotë se po flasim për shekullin e 17-të, ne si Kosovë në shekullin 21 luftojmë për lirinë e censurës. Ishte shumë sfiduese, por e kisha si qëllim parësor, që e kam edhe sot dhe që kjo ishte ajo që më mbante të vazhdoj edhe më tutje.
Patët vështirësi që ti kaloni gjithë këto aziatë…?
Nuk ishte e lehtë, kjo kur vjen nga mentaliteti shqiptar që e kemi një edukatë bujare dhe zemërgjerë. Unë që në familje dhe vetë jam mësuar të kem kujdes edhe për të tjerët, larg egoizmit që patjetër të jem e para dhe të kem pianon më të mirë për të studiuar. Në këtë aspekt nuk ishte e lehtë për mua. Përderisa kolegia koreane, në rrafshin shoqëror mund të jetë shumë e dashur, kur vjen puna në se të dyja ndodheshim në të njëjtin autobus për të shkuar deri tek portieri i universitetit për të marrë çelësin për tu ushtruar në piano, ajo do të vraponte nga autobusi deri tek portieri për të marrë pianon më të mirë. Kjo për mua ishte e pakonceptueshme, Ne ishim mësuar si shqiptarë të kemi kujdes ti ndihmojmë të tjerët e kështu me radhë. Kjo ishte një vështirësi si ta them censure në se shikohet në rrafshin social. Me kohë i mësova edhe këto.
Mësove të vraposh?
Jo nuk u mësova të vrapoj, mësova të zgjohesha edhe më herët nga se duhej, për të pasur rastin.
Vetë kompozoni?
Jo detyrimisht. Para se të interpretosh vepra muzikore duhet ti kesh analizuar gjerë në aspektin e harmonisë, të analizës muzikore, në aspektin politiko-shoqëror që lidhet me vitin e kompozimit dhe pse është kompozuar. Është e njohur etida revolucionare e Shopenit. Kur u kompozua kjo po ndodhte kryengritja e Varshavës. Ai ishte i sëmurë dhe nuk mund të merrte pjesë në Kryengritje. Ajo çfarë bëri, ajo çfarë ai mund të bënte për ta përkrahur këtë kryengritje, ishte kompozimi i etidës revolucionare të dymbëdhjetës që është një ndër pjesët më të popullarizuara në fushën e muzikës. Mua më është dashur të jap provimet e kompozimit me kompozitorë shumë të njohur. Në Salzburg kam mësuar bazat e kompozimit por unë jam interprete, unë merrem me kompozimet e bëra.
Mbas shkollës cilët ishin hapat tuaj në botës e muzikës?
Krahas studimeve, magjistraturës e kështu me radhë, koncerteve, koncertualet që është qëllimi qenësor i pianistes ose studentit që studion piano, tërë kohës kisha mbajtur edhe koncerte. Pasi përfundova në Salzburg edhe magjistraturën koncertet u intensifikuan dhe paraqitjet koncertale nëpër vende të ndryshme të botës. Më rastisi fati i mirë që të punoja me pianistin legjendar 87 vjeçar Menahem Pressler në Indiana University në Bloomington në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një masterplan të shkurtër në Vermond të SHBA dhe kështu në vijim të shkoja në Universitetin e Indianës ku punova intensivisht duke krijuar një përvojë të mrekullueshme. Pressler është një pianist që përkundër namit që ka, punon natë e ditë. Përveç që udhëton aq shumë ende punon dhe ushtron gjithë kohës.
Pas Amerikës kam qenë në Itali ku vazhdoj të shkoj herë pas here në Parkun e Akademisë së njohur Pianistike në Imola, një ambient i mrekullueshëm që tregon se si mund ta ruajmë edhe trashëgiminë kulturore. I gjithë aktiviteti pianistik zhvillohet në një kala të qytetit që nga jashtë të duket vetëm si monument ku mund të shkojnë turistët. Është një derëz e vogël me një zile dhe brenda dhomat me piano. Për mua është me të vërtetë shumë e veçantë.
Në çfarë skenash keni luajtur?
Në shtete të ndryshme; në Gjermani, Austri, Francë, Maqedoni, Spanjë, Itali, Kosovë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumë e shumë vende të tjerë.
Në cilën skenë keni ndjerë krenarinë e të qenit kosovare?
Gjithkund. Në biografinë time kudo kam thënë se quhem Ardita Statovci, lindur në Kosovë, në Prishtinë, jam shqiptare…
Ndonjë emocion të veçantë në shfaqjet tuaja ku kanë marrë pjesë edhe shqiptarë, emocion që ka lindur nga prania e tyre?
Koncerti si i tillë është një emocion në vetvete. Nuk mund ta dish përpara se çfarë do të ndodhë. Varet edhe nga disponimi momental i publikut në qoftë se e shikon në rrafshin e psikologjisë së muzikës që nga disponimi momental i publikut se si e percepton çfarë po dëgjon nga interpreti dhe varet thjesht edhe nga momenti. Kjo është edhe bukuria e muzikës së gjallë. Një CD kurrë nuk mund ta arrijë atë efekt që ka muzika e gjallë, pra CD është ai moment që është dhënë një herë dhe këtë mund ta dëgjosh edhe njëzet herë. Interpreti në skenë, edhe në se luan të njëjtën vepër, dhe në se e luan shtatëmbëdhjetë herë ajo do të jetë shtatëmbëdhjetë herë ndryshe. Kurrë nuk ka mundësi të përsëritet i njëjti interpretim, me ato emocione në të njëjtën mënyrë. Secili koncert ka një veçanti.
Unë gëzohem natyrisht kur ka shqiptarë që u interesojnë këto lloj koncertesh, marrin pjesë dhe emocionohen edhe ata, emocionohem edhe unë. Janë momente të bukura.
Dëshironi të luani në Athinë?
Greqia është një vend ku ende nuk kam pasur koncert. Por në se më lejohet të them edhe Shqipëria…

Edhe në Shqipëri nuk keni luajtur?
Po, nuk kam luajtur. Nuk kam pasur ndonjë rast deri tani për të dhënë koncert në Shqipëri.
Unë desha që një ditë të ishe në Athinë në një sallë të madhe ku të kishte edhe shumë shqiptarë emigrantë…kurse ju nuk paskeni shkuar ende në Shqipëri, nuk paskeni marrë një ftesë nga Shqipëria…
Kështu është. Në Maqedoni, në Shkup kam mbajtur koncert ku ka pas shumë shqiptarë, në Kosovë kuptohet kurse në Shqipëri nuk më është dhënë rasti ende akoma. Edhe në Itali ku ka shqiptarë kam dhënë po në Shqipëri, në shtetin Amë!? Është me të vërtetë një mundësi e bukur…
Një ëndërr…
Qesh me shpirt…
Megjithatë unë do të dëshiroja të ishe edhe në Athinë, t’ju dëgjoja në një intervistë në televizionet greke, gjë që e kanë bërë dhe e bëjnë me respekt për artistët shqiptarë, të takoheshit me instrumentistë “violinë e parë” shqiptarë që kanë mbushur deri në 65 për qind orkestrat simfonike të Athinës dhe Selanikut.
Po. Kam dëgjuar që orkestrat simfonike greke kanë në gjirin e vet 65 për qind shqiptarë. E di.
Kam dëgjuar dhe më pas kam intervistuar në Irodhion e lashtë Vaso Tolen në ditën kur u dha Opera “Eumenidet”, operë që fitoi çmimin e parë në konkursin mbarëbotëror për hapjen e lojrave olimpike Athina-2004, operë ku këngëtarë të mëdhenj nga të pestë kontinentet këndonin shqip. Kam dëgjuar dhe më pas kam intervistuar tre instrumentistë shqiptarë të orkestrës së Selanikut që luanin në teatrin e madh antik në shkëmbinjtë e Akropolit, në Irodhio, instrumentistë që ishin “violinë e parë” e orkestrës. Në Athinë ka shumë instrumentistë, balerinë shqiptarë që kanë kapur qiejt e interpretimit.
Po kam dëgjuar shumë për ta dhe dëshira ime është që një ditë të luaj bashkë me ta.
Jeta juaj familjare si lidhet? Nëna, një profesoreshë e nderuar që unë pata kënaqësinë ta dëgjoj në Seminarin e 7-të Mbarëkombëtar për Gjuhën Shqipe në Diasporë” në një leksion brilant për veshjen popullore shqiptare…
Do t’ju tregoj por pa modesti edhe për faktin se jeni në Athinë. Vij nga një familje shkencëtarësh. Jemi tri vajza. Unë jam më e vogla. Babai im ishte personalitet publik shqiptar Profesor Doktor Ejup Statovci, rektor i Universitetit të Prishtinës. Pikërisht gjatë atyre viteve kur punonim në ato shtëpitë shkolla 1991-1997. Ai tani ka vdekur…

T’ju ketë lënë jetë, të jeni krenarë për të…

Faleminderit! Nëna ime, siç e patë edhe në ligjëratën sot, Profesor Doktor Drita Halimi-Statovci është etnologe. Etnologjinë e kemi traditë në familje. Gjyshi, Kadri Halimi, ishte etnologu i parë shqiptar në Kosovë. Nëna merret me këtë profesion. Është edhe një kushërirë e familjes Halimi që vazhdon me këtë profesion. Kemi bërë kështu një traditë të etnologjisë në familje. Dy motrat e mija, njëra është ekonomiste kurse tjetra është inxhiniere e informatikës, kurse unë jam pianiste. Ky është formacioni i familjes.

Ata kanë ndonjë dell muzikor?

Jo, jo. Janë admirues të mëdhenj të muzikës. Të gjithë luajnë, ose kanë luajtur, përfshirë edhe babanë, pianon, ai madje ka luajt edhe violinën. Nëna ime dhe dy motrat kanë mësuar pianon në shkollën e muzikës dhe kjo u bë e nënkuptueshme edhe për mua që të shkoja në shkollën e muzikës. Ata janë adhurues të mëdhenj të muzikës edhe pse mbahen modestë, janë njohës shumë të mirë të muzikës.

Jeni vajza më e vogël me dy motra më të mëdha. Jeni teze?

Po. Të dyja nga motrat e kanë nga një djalë. Kjo do të thotë se kam nga dy nipa.

Po vetë si je?

Shumë mirë. (Qesh me shpirt)

Faleminderit shumë. Ishte një kënaqësi e madhe për mua. Besoj se do të jetë kënaqësi dhe mburrje edhe për lexuesin emigrant në Greqi që kanë një artiste të madhe si Ju.

Ju faleminderit edhe ju!
* * *
Shënim:
Intervistën me pianisten e madhe Ardita Statovci ia përcolla menjëherë drejtorit të atëhershme të Teatrit të Operës dhe Baletit me shënimin që ta ftojnë shqiptaren e madhe në një koncert në Tiranë si një plotësim të ëndrrës së saj…
Nuk mora përgjigje.
Dhe tash katër vjet që nga ajo kohë nuk kam dëgjuar që Ardita të jetë ftuar në Tiranë…
Abdurahim Ashiku, Athinë 17 shkurt 2015

FRAGMENTE NGA JETA E NJË PIANISTJE TË MADHE….
Si njihet në botë ARDITA STATOVCI…
Ardita Statovci është pianiste shqiptare. Lindi në Prishtinë, Kosovë më 2 mars 1982 si vajza më e re e dy profesorëve të Universitetit të Prishtinës. Që nga mosha tetë vjeçare ajo filloi të vijojë mësimet në piano tek prof. Hadije Gjinali në shkollën e ulët të muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, duke kryer vitin e dytë dhe të tretë në një vit shkollor – gjë që e përsëriti edhe në klasën e shtatë dhe të tetë të shkollës fillore që e ndoqi paralel me shkollën e muzikës. Dy herë është shpërblyer me Çmimin “Talenti Kosovar”. Në moshën 13 vjeçare ajo u transferua në klasën e Lejla Haxhiu-Pula në shkollën e mesme të muzikës “Prenk Jakova”. Në moshën 14 vjeçare ajo u paraqit në koncertin e saj të parë solistik, ndërsa në moshën 15 vjeçare u pranua në Akademinë e Arteve në Prishtinë, Universiteti i Prishtinës dhe më 12 Tetor 1997 ajo u paraqit në koncertin e saj të parë në Austri nën patronazhin e Shoqatës për Teatër Muzikor në Vjenë.
Menjëherë pason pranimi i saj (pra në moshën 15 vjeçe) në Universitetin me famë botërore „Mozarteum“ në Salzburg të Austrisë, ku në vitin 2004 ajo diplomon në klasën koncertale të prof. Christoph Lieske. Gjatë studimeve të saj muzikore kreu shkollën e mesme kur ishte vetëm 16 vjeçare. Në gusht të vitit 1999 në Wolfsegg, Austri, për një periudhë mjaft të shkurtër realizon pjesën solo në piano dhe udhëhoqi performimin e parë të Baletit Come Una Danza të Richard Adamas, të kompozuar nga Kurt Rapf me rastin e 25 vjetorit Jubilar të Seminarit të Baletit të Shoqatës për Teatër Muzikor, duke shënuar një sukses sensacional, gjë që e përsëriti në gusht të vitit 2000 me Játékok nga G. Kurtág dhe me 2001 me “Humoreske” nga Schumann (gjithashtu në koreografi të Adamas).
Që nga viti 1997 Shoqata për Teatër Muzikor – Vjenë, një numër i anëtarëve dhe përkrahësve të kësaj shoqate e kanë përkrahur Ardita Statovcin në shkollimin e saj artistik në Austri. Më 2004 u shpërblye me bursë nga “Internationale Stiftung Mozarteum”. Kreu masterkurse me Menahem Pressler, Peter Donohoe, Stefan Arnold, Cyprien Katsaris, Thomas Larcher, Dubravka Tomsic, Elisabeth Leonskaja, Norman Shetler, Riccardo Risaliti, Paul Badura-Skoda, Carmen Piazzini si dhe të tjerë. Statovci ka bërë TV dhe radio inçizime të shumta.
Koncertoi në vende të ndryshme (Kosovë, Austri, SHBA, Zvicër, Itali, Maqedoni, Spanjë, Kroaci, Francë, Angli, Bosnjë,Hungari, Gjermani etj.), si soliste me orkestër, me recitale pianistike si dhe me muzikë kamertale. Në vitin 2005 ajo fitoi në Yehudi Menuhin Live Music Now Salzburg. Në vitin 2005 pëkrahet nga Rotary Club, Salzburg. Me 2006 fiton çmimin “Bösendorfer Preis” Mozarteum, Salzburg.
Në dhjetor të vitit 2007, përfundon studimet e magjistraturës ne Universitetin MOZARTEUM në Salzburg (Austri), në klasën e prof. Christoph LIESKE, me ç‘rast juria internacionale unanimisht i jep vlerësimin maksimal.
Në prill të vitit 2008 iu nda bursa “Fohnstipendium” (bursë e paraparë për artistë tejet të talentuar në Austri).
Në vitin 2008 doli CD-ja e saj (inçizim live në Salzburg) me vepra nga Brahms-i, Beethoven-i dhe Dutilleux.
Për arritjet e saj të jashtëzakonshme si absolvente e Universitetit Mozarteum u shpërblye me bursë një vjecare (2008/09) nga Qeveria Federale Austriake për shkencë dhe hulumtim (BMWF), për te vijuar studimet posdiplomike në Itali, në Academinë Pianistike në Imola tek Franco Scala dhe Boris Petrushansky.
Në vitin 2009 Ardita Statovci studioi me pianistin legjendar Menahem Pressler në Indiana University në Bloomington/SHBA.
Po ashtu në 2009 ajo u shpërblye nga Ministria Austriake Federale Për Arsim, Art dhe Kulturë me “Bursë shtetërore” që është një bursë speciale për artistët e rinj të suksesshëm.
Ardita Statovci së fundi është nominuar nga “Steinway & Sons” si Ariste e Re e Steinway-it.
Pianistja e re kosovare Ardita Statovci, është ftuar për të interpretuar si soliste në vend të ikonës së pianizmit botëror, Martha Argerich-it, nën dirigjimin e njërit nga dirigjentët më të mëdhenj të kohës së sotme, Claudio Abbado-s, e shoqëruar nga orkestrat “Gustav Mahler Chamber Orchestra” dhe “Mozart Orchestra”.

Filed Under: Interviste Tagged With: Ardita Statovci, FTESË, koncert, ne Tirane

Qasje- Shqetësim me arsye

February 18, 2015 by dgreca

Nga Cenë Pushkolli/
Derisa Serbia në Kushtetutën e saj Kosovën e sheh si pjesë përbërëse të saj, dialogut nuk do ti kisha dhënë hapësirë as që kisha pranuar të bisedojë me serbinë. Zyrtarët e Kosovës të të gjitha niveleve institucionale si hapë të parë për me dialoguar me serbinë do të duhej që ajo(lexo: Serbia) fillimisht të kërkojë të falur për atë se çfarë i ka bërë Kosovës dhe popullit të saj gjatë luftës 98/99, të tregojë se ku janë (të gjallë apo të vdekur) robërit e luftës, pastaj të kryente obligimet ndaj fondit pensional të Kosovës, ti kthente të gjitha dokumentet kadastrale dhe jo vetëm ato, aty, ku i ka plaçkitur, atëherë kur të gjitha këto punë do ti kryente Serbia, atëherë do të pranoja të dialogojë me Serbinë. Bile-bile në fillim të bisedimeve do të kërkoja nga Serbia që menjëherë të heq dorë nga përkrahja dhe mbështetja e strukturave paralele të vendosura nga Serbia, pra të heq dorë prej të gjithë atyre që i kundërshtojnë institucionet e Kosovës, pastaj të vazhdojë dialogu
Qytetarët e Kosovës si ata pa pozita shoqërore si ata që merren me analiza të ndryshme janë të një mendimi: Me dialogue me çdo këndë madje edhe me Serbinë nëse është në interes të Shtetit të Kosovës, por në asnjë mënyrë të mos bisedohet me askënd pra as me Serbinë nëse preken interesat shtetërore të Kosovës. Ajo(lexo: Serbia) për pa i kryer të gjitha ato që u than më sipër, madje edhe pasi ti ketë kryer në asnjë mënyrë të mos bisedohet se si do të organizohet rregullimi i brendshëm dhe ai i jashtëm i Shtetit të Kosovës.
A ka kuptim dialogu Kosovë-Serbi në këto kushte? Në këto kushte dhe rrethana jo se jo, por nëse Serbia fillimisht do ti bënte të gjitha ato që u than më sipër, atëherë bisedimet do të kishin kuptim. Po, po dialogu do të kishte kuptim nëse do të bëhej vërtetë dialog i mirëfilltë, pra dialog me interes shtetëror, respektivisht dialog vetëm me karakter nacional. Marrëveshje të tilla do të ishin në të mirë të vendit e të popullit të saj. Marrëveshje që do të përfitonin edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës. Këto dhe marrëveshje të tilla të ngjashme i japin frymë dhe gjallëri dialogut me Serbinë. Përndryshe në rast se edhe më tutje dialogohet me serbinë për çështje të brendshme dhe të jashtme të Kosovës, nëse edhe më tutje dialogohet me serbinë pa pëlqimin e parlamentit të Kosovës jemi të bindur se pavarësisht se kush qëndron në anën e Kosovarëve të dialogimit është baras me tradhti kombëtare. Këtë që po e themi kemi parasysh këtë element: Në bisedimet e fundit të datës 9 shkurt na bindën se nuk pati vetëm dialog ndërmjet delegacionit të Kosovës e të Serbisë, por në ato bisedime i lejuan serbisë që të kërkojë kushte favorizuese për popullatën e vet, gjë që drejtpërsëdrejti Kosovës, Serbia iu përziu në punë të brendshme, pra ajo i diktoi Kosovës se si mund të organizohet në fushën e drejtësisë. Pas këtyre bisedimeve të dyja palët(lexo: Kosova dhe Serbia) deklaruan në mënyra çfarë atyre politikisht u duhet. Mjerisht Kosova mbante qëndrimin se me këto bisedime Kosova ka arritur që ta shtrijë sovranitetin në fushën e drejtësisë edhe në pjesën tjetër të Kosovës (lexo: pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës.
Për të gjitha këto që u thanë deri më tash një është e sigurt, se me shkaun njëherë e përgjithmonë duhet ti ndajmë rrugët tona. Ne me serbinë mund të bashkëpunojmë vetëm atëherë kur ajo do ta njihte Shqipërinë Etnike, në kuadër të së cilës do të ishte edhe Kosova. Por për ta ribërë Shqipërinë Etnike fillimisht Kosova duhet të ndryshojë Kushtetutën e saj tek pika e organizmit të referendumit në mënyrë që populli i Kosovës të ketë mundësi të deklarohet se a dëshiron të rikthehet në “gjirin” e nënës Shqipëri. Ndonëse për Ribashkim Kombëtar nuk të pengon aspak Kushtetuta e Kosovës, Kushtetuta e Kosovës sipas nenit 3 të saj e pamundëson bashkimin me një shtet tjetër ose pjesë të shtetit tjetër, e pra derisa kjo (lexo: bashkimi kombëtar) qenka i ndaluar, Ribashkimi Kombëtar fare nuk përmendet, rrjedhimisht për Ribashkim Kombëtar, Kushtetuta nuk na pengon. Ndërkaq Kushtetuta e Shqipërisë Bashkimin Kombëtar nuk e pengon, përkundrazi i jep të drejt për Bashkim Kombëtar. Çka pra do të duhej të bënte Shqipëria Londineze? Ajo, pra klika politike e saj në krye me presidentin Nishani duhet që të tregojnë pak më shumë pjekuri politike si dhe dispëonim e dëshirë për me e jetësuar Kushtetutën e saj.
Rilindasi ynë i shquar dhe i pa vdekshëm dikur kishte pas thënë: ”Për Shqipërinë, ditë të mira do të vinë, lumë kush të rrojë e ta shohë… (Naim Frashëri), unë do të thoja: Lumë ai politikan shqiptar qoftë i Shqipërisë Londineze qoftë i Kosovës Historike, apo i Iliridës, respektivisht trojeve të tjera shqiptare, që do të angazhohej menjëherë dhe pa hezitime të punohet rrethe Ribashkimit Kombëtar.
Zaten ditëve të fundit dy kryeministrat shqiptar kur prenë shiritin e krijimit të rrethanave të reja doganore e bënë një hapë që domethënien e ka te Ribashkimi Kombëtar. Në këtë shkrim jo pa dashje i kam lënë pa i përmendur dobësit e politikanëve të ndryshëm me shpresë se ata do të kthjellen një ditë dhe do të punojnë në interes Kombëtar.
Cenë Pushkolli
cenpushkolli@hotmail.com

Filed Under: Analiza Tagged With: Cenë Pushkolli, me arsye, Qasje-, Qasje- Shqetësim me arsye, Shqetësim

Shpërbërja e Kombit tim

February 18, 2015 by dgreca

Nga Aurel Dasareti, USA/*
Ngjarjet dhe historia duhet të thuhen realisht që të mësojmë, e jo të rrejmë vetveten dhe sërish të pësojmë.
Apeloj te atdhetarët: Të mos keni aspak mirëkuptim dhe keqardhje për këta aventuristë të pandërgjegjshëm sepse ashtu nxisni dhe motivoni tjerët të ikin në askund. Gjendemi në rrezik vdekjeje të shpërbërjes së vetvetes. Do të luftojmë s`bashku që askush më të mos kërkojë fatin jashtë trojeve arbërore, përndryshe do të mbetemi edhe pa territor edhe pa popull.
***
Kalemxhinjve (që e gjejnë veten në përshkrim):
Urdhërimi i parë i komunikimit është: MOS Gënjej!
Kosovën e ka kapluar çrregullimi politik dhe konfuzioni. Nuk kemi kohë. Bëhu më i qartë që të mos keqkuptohesh. Nëse nuk ke aftësi për këtë, nuk ka asnjë logjikë të shkarravitësh kot. Pa hipokrizi, jo servil dhe puthador nëse duash të tregosh diçka, ose qërohu. Ti nuk mundesh të kontribuosh duke u frikuar se dikujt do t`ia prishësh qejfin dhe se pastaj pronari i portalit nuk do t`i boton plehrat.
***
“Emigrantëve” të përkohshëm:
Ju vuani nga një ndijim a përfytyrim i rremë që i shfaqet një njeriu kur është i sëmurë rëndë, kur është në kllapi, kur është tronditur shumë shpirtërisht etj. O“emigrant” taze, mos u bën një viktimë! Duhet vetëm për të gjetur një zgjidhje tjetër, më të mirën nga situata. Jepi fund ndjenjës së keqardhjes për veten tënde! Mos ik me bishtin nën vegë o “burrë i fortë, trim, i besës e fisnik”.
Është lehtë të fillosh një aventurë por vështirë ta mbarosh me sukses. Të gjithë do të dëboheni nga vendi “pritës”; nuk duan të ndajnë me ju hise nga kasa shtetërore e tyre. “Eksodi nga Kosova dhe abuzimi me të drejtën gjermane të azilit duhet të ndërpriten menjëherë dhe në mënyrë efektive“, – kanë thënë gjermanët. Dhe, grupin e parë me 30 pasagjerë kosovarë e dëbuan për në Prishtinë. Fukarenjtë e vërtetë nuk kanë shumë mijëra euro si ju që të “emigrojnë”. Fëmijët e juaj qajnë nga dhembja fizike/psikike dhe tmerri që ju ua keni sjellë në këtë dimër të ftohët nëpër baltat e Serbisë-Hungarisë. Prej ku i morët lekët të paguani kontrabandistët? Si u njoftuat me trafikantët? Si nuk u frikuat të kaloni nëpër Serbi?! Xhelatit që vetëm në gjenocidin e fundit masakroi 20.000 vëllezër dhe motra të juaja? Serbia i ka në listën e zezë të gjithë ata që luftuan kundër saj në vitet 1998-99, pse nuk u arrestoi juve? Juve bile u jep edhe pasaporta?! Përgjigja është e qartë. Ju vuani nga çrregullimi i personalitetit. Jeni tjetërsuar. Askush nuk e kupton misterin e pakuptimtë të ikjes në kope. Nuk kam më shumë keqardhje për ju se për të tjerët që janë më të varfër se ju por nuk e braktisin atdheun. Mbrojnë dinjitetin.
Ishte Amerika me presidentin Bill Clinton që çliroi Kosovën, të mos ia dorëzoni më kurrë Serbisë. Çka tani?
***
Sundimtarëve të Kosovës:
Jeni shkaktarët kryesor të tragjedisë kombëtare në at pjesë të trojeve shqiptare. E kuptoni vetëm forcën. Ju despotë të korruptuar të tipit arabik.
Krimi i organizuar është një term që përdoret në një aktivitet të themeluar kriminal që zgjat me kalimin e kohës – shpesh me role të qartësuara – dhe synon fitime ekonomike dhe / ose marrjes së pozicioneve të pushtetit në shoqëri.
Ju sundimtarë nuk i burgosni shoferët kontrabandist të autobusëve që ngarkohen me milet analfabet. Është e papranueshme që kriminelët të cilët paraqesin kërcënim fatal për Kosovën dhe interesat gjithë-shqiptare të jenë në gjendje të ecin lirisht rreth e përqark.
Dëshira njerëzore për liri është diçka zanafillore që e gjejmë që tek kafshët e fëmijët e vegjël. Në fushën politike, ndërkaq, liria kthehet në një çështje problematike, sepse, liria e pakufizuar e çdo individi, e bën të pamundur bashkë-jetesën njerëzore. Kur jam i lirë të bëj çka dua, atëherë jam i lirë t’u vjedh të tjerëve lirinë e tyre.
***
Pronarëve të pseudo-mediave – Buburrecave:
Kur psikologët e mirëfilltë marrin pjesë në debatin publik (si për shembull vogëlsia ime), është shpesh për të shpjeguar se pse është ashtu siç është, ose ishte ashtu siç ishte. Pa doreza, pa hipokrizi, me ndershmëri; një lopatë e quajnë për një lopatë. Njohuritë psikologjike aplikohen për të kuptuar ngjarjet: dhunën dhe konfliktin; dhe nga koha në kohë të ngjarjeve të lumtura. Duke shpjeguar ngjarjet sociale psikologët mund të krijojnë një pasqyrë më të plotë, të tregojnë lidhjet e mundshme dhe ndoshta i bëjnë ato më të kuptueshme…
Këto gjëra duheshe t`i dini edhe ju buburreca neo-komunistë të pseudo-mediave. Ju nuk respektoni aspak të Drejtën Ndërkombëtare për Shprehjen e Lirë. Nuk i botoni artikujt e mi sepse nuk u konvenon vetëdijesimi i Kombit tim. Konflikt interesi kjo. Nëse arsyetoheni se kinse letrat e mia nuk kanë kualitetin e duhur, atëherë dilni haptas me kundër-argumente bindëse, ju liliputë. Nëse arsyetoheni se nuk u kam dërguar fotografin time mos u mërzitni aspak, nuk jam aspak buburrec si ju (O i keq o i shtremt je ti). Kur është terr buburrecat lozin lirisht.
***
Nuk është e mjaftueshme vetëm të bëhet pyetja “Kush duhet të qeverisë a të drejtojë”, por pasi t`i shkarkojmë nga pushteti despotët dhe të zgjedhim më të mirët prej më të mirëve të gjejmë mënyrë “Si të kontrollohen ata që drejtojnë”, apo më saktë, “Si t`i organizojmë institucionet politike në mënyrë që t`i ndalojmë qeveritarët e këqij a të pazotë të na bëjnë shumë dëm”.
Problemi i parë i Shqipërisë Natyrale është demografia, rreziku i shuarjes (zhdukjes) së kombit.
Shqipërinë e shpëton vetëm vetëdijesimi kombëtar:
1. stimulimi i natalitetit
2. ndalja e emigrimit
3. kthimi, riatdhesimi i emigracionit
4. hapja e vendeve të punës
***
Çka ka për të ndodhur tani me “kosovarët”? Kjo është një pyetje që nuk mundem t`i përgjigjem, sepse çfarëdo që të them, ngjarjet do ta kalojnë.
*Ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Filed Under: Editorial Tagged With: Aurel Dasareti, Shpërbërja e Kombit tim

Baza Ushtarake e Kepit të Palit, gatishmëri dhe operacionalitet në Adriatik

February 18, 2015 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/
Baza Ushtarake e Durrësit i ka fillesat e saj që në krijimin e Flotës Shqiptare më 25 dhjetor 1925, pasi dy anijet e para që u blenë në Itali u bregëzuan në portin e Durrësit, nga ku nën drejtimin e Kapidan Ahmet Kapidanit filluan ruajtjen e kufirit detar shqiptar. Mbas clirimit u krijua një Komandë e vogël marine me komandant fillimisht zoti Celo Arëza dhe pastaj Kapiten Stavri Cika. Baza Ushtarako Detare Durrës{BUD}, u krijua mbi Bazën e Flotiljes së 66-të Luftarako-Detare si rezultat i riorganizimit të FLD, në tetor 1964. Në ditët e para të v.1965, mbrëmjen e 4 janarit, anijet dolën nga baza e Sazanit në një mot të trazuar dhe në agimin e datës 5 janar 1965 u bregëzuan në molin lindor të portit të Durrësit. Komandant i kësaj Flotilje u caktua Dashamir Ohri. Në maj të v.1971, mbas kryerjes së punimeve disa vjecare në Kepin e Palit, filloi zhvendosja e anijeve nga moli lindor i Portit në këtë bazë. Nga ky vit baza mori formë të plotë me infrastrukturë dhe anije, duke qenë një nga bazat më të rëndësishme të FLD. Në vite në këtë bazë kanë punuar, stërvitur e jetuar me qindra kuadro, detarë e specialist, të cilët e kanë mbajtur lart emrin e marinarit. Kuadro dhe mjete detare të asaj kohe kanë marë pjesë në stërvitjet më të rëndësishme të zhvilluara në rang Flote Luftarake, ndërsa marinarë të shërbimit të detyrueshëm mbas lirimit kanë plotësuar ekuipazhet e anijeve të Transportit Detar. Mbas viteve ’90 baza u bë protogoniste e aktiviteteve të para bashkëpunuese me Flotat Partnere të NATO-s, që nga zbatimi i embargos ndaj ishJugosllavisë deri tek stërvitjet e para paqeruajtëse, ku detarët tanë u vlerësuan për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar. Ngjarje me rëndësi për efektivin e Bazës ishte Vizita e ishSekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, të ndjerit Manfred Vërner, në mars 1993. Kjo ngjarje shtoi kurajon dhe vendosmërinë e detarëve për të arritur treguesit e standartet e Flotave Aleate. Në riorganizimin e këtij viti{1993} ishBUD-i u emërtua Distrikti i I-rë Detar i Forcës Detare, strukturë e cila u angazhua gjerësisht në zhvillimin e stërvitjeve të përbashkëta me strukturat e tjera të Forcave tona të Armatosura dhe me anije të vendeve anëtare të NATO-s për mbi dy dekada. Vitin e kaluar në këtë bazë u zhvillua finalja e stërvitjes “Albanian-Lion-2014”, me pjesmarrjen e trupave Shqiptare, Britanike dhe të FSK. Ndërkohë, në zbatim të misionit të tyre, efektivat e Distriktit Detar Durrës kanë zhvilluar dhjetra operacione kërkim-shpëtimi dhe të zbatimit të ligjshmërisë detare, kryesisht në zonën e tyre të përgjegjsisë, nga derdhja e Semanit deri në atë të lumit Buna. Zhvillimi, transformimi dhe modernizimi i Bazës ka ecur paralel me zhvillimin e Forcës sonë Detare. Gjatë këtyre viteve struktura e bazës ka ndryshuar dhe i është përshtatur koncepteve të reja për zhvillimin e Forcës Detare në projekte afatshkurtëra, afatmesme dhe afatgjata. Aktualisht ajo funksionon si bazë detare, ku një personel kuadro dhe detarë profesionistë, bashkë me mjete detare të nevojshme kryejnë detyrat e caktuara dhe janë të gatshëm për cdo emergjencë ose fatkeqësi detare në rajonin e caktuar detar.
Punë, përkushtim e fillim të mbarë për zbatimin e detyrave të vitit 2015
Në një ditë të zakonëshme, baza zgjohet nga përhumbja e natës. Kuadrot dhe detarët i drejtohen anijeve të tyre për të provuar gatishmërinë ose për ti bërë shërbimet e radhës. Dikush sapo është kthyer nga lundrimi i radhës dhe con në vend pajisjet dhe mekanizmat para se të largohet, të tjerë kryejnë punime e riparime të ndryshme në godinat apo infrastrukturën e shtrirë të kësaj baze. Komandant i ri i Bazës, Kapiten i Rangut të III-të Besnik Cami, është caktuar në këtë detyrë fundvitin e kaluar. Ai vjen në këtë punë mbas një eksperience disa vjecare në det e kualifikimi të admirueshëm si kuadër. Kam shërbyer dhe më parë në këtë bazë, thotë komandant Besniku, ndaj tani përgjegjsia ime është e dyfishtë, duhet të përmirësoj shumë gjëra në këtë bazë, që më duken sikur janë lënë në harresë. Si Komandant i Grupit të II-të të Anijeve, bashkë më kolegët e mi së pari, tregojmë kujdes për gatishmërinë dhe mirmbajtjen e anijeve, thotë kapiteni. Kjo për faktin se nga dhjetori i vitit të kaluar dhe këto dy muaj të vitit 2015, anijet tona kanë patrulluar thuajse cdo ditë nga Semani deri në derdhje të lumit Buna. Jo thjesht prej grafikëve patrullues, por dhe për shkak të fatkeqësive detare, Anija “Iliria”, P-131, “Lissus”, P-133, P-04, P-01,{Archangel}, Motovedeta 118, 110, kanë patrulluar rregullisht për zbatimin e ligjshmërisë detare, verifikim, ndalim e gjobitje të peshkimit të paligjshëm, monitorim të trafikut detar, kontrolli i hyrje daljeve të anijeve të ndryshme, por dhe operacionet e kërkim-shpëtimit në fatkeqësitë detare të fundit. Kështu vetëm në muajin dhjetor të v.2014, nga anijet e kësaj baze u përshkuan rreth 1244 milje lundrime. Pamvarësisht vështirësive, janë shtuar përpjekjet për eleminimin e difekteve të ndryshme në anije, për ti pasur ato të gatshmë për lundrim. Masat janë shtuar dhe për sigurinë e bazës dhe objekteve, krahas të tjerave, teknikët Lek Ndoi, Iljaz Kotobelli, etj, kanë siguruar ndricimin 100% të objekteve. Për realizimin e detyrave të shumta të këtij viti, ku përfshihen dhe disa stërvitje me partnerët e huaj janë përfshirë të gjithë kuadrot dhe detarët e bazës, por do vecoja kuadrot Edison Hoxha, Silvan Boni, Haki Stafa, Fredi Mara, Sabri Idrizi, etj. Gjithashtu pjesë e punës në bazë është përgatitja dhe kualifikimi i kuadrove dhe personelit, marrja e të drejtës lundrimore nga oficerët e rinj, psh. N/lejtnant Alban Ademaj dhe Jetnor Balla, por dhe shkëmbimi i përvojës së fituar nga kuadrot që kanë studjuar në akademitë e NATO-s, kryesisht në SHBA. Është fakt që me riorganizimin e ri, jeta në bazën e Kepit të Palit është gjallëruar. Për këtë ka ndikuar ndjeshëm Vendimi i marë nga Ministri i Mbrojtjes, Qeveria dhe Parlamenti shqiptar për thellimin e kanalit hyrës në basenin e bazës, i cili nuk është thelluar ka disa vite, duke vështirësuar hyrje–daljet e anijeve në Bazë. Vendimi i Qeverisë dhe caktimi i fondit për këtë projekt të vecantë ja ka shtuar besimin dhe përkushtimin në punë efektivit të bazës. Ata po punojnë intensivisht që baza në vitin 2015, të risë ndjeshëm kapacitetet operacionalë e prezencën e saj për cdo emergjencë detare.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Baza Ushtarake e Kepit të Palit, dhe operacionalitet, gatishmëri, në Adriatik, Shefqet Kercelli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT