Nga Fadil LUSHI/
Ne, në kuadër të këtij shkrimi, do të ndërtojmë një paragraf që u dedikohet shtëpiakeve greke dhe turke, në veçanti atyre që banojnë në apartamentet pa ashensor, por që në hyrje të ndërtesës kanë “bakallin dhe bakalleshën paksa të moshuar”. Ata që i kanë vizituar banoret e këtyre hapësirave dhe që i njohin për së afërmi, thonë se e kanë paksa të theksuar “dembellëkun mediteran”(!?). Dhe, përkundër këtij “dembellëku”, ato janë shtëpiake të mira dhe të vyeshme…, kujdesen për të tjerët dhe nuk u hyjnë në “gjynah”. Ato në të gdhirë të çdo “sabahu”, gjegjësisht çdo mëngjes, përdorin shportën prej thuprash dhe me litar. Fillimisht në shportën prej thuprash fusin listën e produkteve që u nevojiten si dhe monedhat dhe e lëshojnë para derës së “bakallit”, kurse ky i fundit e “kryen” porosinë dhe ua kthen shportën shtëpiakeve…, “kusurin e mban për vete”(!?).
E gjithë kjo shportë e shtëpiakeve greke dhe turke (e cila tre herë në ditë lëviz poshtë e lartë) më krijon përshtypjen se i përngjan atij tranzicioni politik shqiptar të stërzgjatur, të sikletshëm, të bezdisshëm, atij ndërkalimi makiavelist, atij tranzicioni që nuk kurohet dot kollaj, atij tranzicioni që për kryefjalë ka krimin e organizuar, atij tranzicioni ku mezi mbijetojnë “axhaminjtë e moshuar”(!?). Kjo shportë me litar më ngjan me atë tranzicionin e vakive a meseleve të zeza, tranzicionin a ndërkalimin e skandaleve politike, atë ndërkalimin e vjedhjeve, atë ndërkalimin e antiligjeve, atë tranzicionin “futje hundë” në privatësinë e qytetarit, politikanit, atë ndërkalimin e fishekzjarrëve, bombave dhe tritoleve “të kurdisura”, atë tranzicionin e domateve, “patateve, specave, domateve, patëllxhanëve, trangujve dhe lakrave” të kalbura që kultivohen në Maqedoninë Lindore, atë “tranzicionin e ajrit të ndotur të Tetovës”, atë tranzicionin e “kallashit” nga Kosova dhe të tjerave “xharie” të ardhura nga Shqipëria, Serbia, Ukraina dhe Bullgaria, këtu në fshatrat shqiptare të Maqedonisë Perëndimore (!?). Është një tranzicion grotesk dhe dramatik…, ku qeni nuk njeh të zotin, ku jetojnë njerëz të hutuar dhe të çorientuar në kohë dhe hapësirë, ku prindërit nuk kanë “haber” se kah “degdisin” fëmijët e tyre, ku mësuesi nuk shqetësohet hiç fare për sintaksën e shqipes së denigruar. Është një ndërkalim të cilit i mungojnë shembuj korrektë karshi autoritetit të qytetarit dhe shtetit…, është një tranzicion i mbushur plot e përplot me shembuj që llafosin atë kaptinën e zbehtë të pushtetmbajtësve…, është një tranzicion që njerëzve më shumë u solli “zullume”, sesa ndryshime pozitive…, është një ndërkalim tejet i stërlodhur nga “vend-numëro!?”…,një tranzicion ku njerëzit kur nuk kanë çka të bëjnë, atëherë “prodhojnë cinikun, fodullin, inatçorin, folk-patriotin, doktorin e dijes së blerë dhe thashethemexhiun provincial”…, një ndërkalimi që i mungon dritarja…, që i mungon ajo dera dalëse, që i mungon edhe ajo “…, vrima e fundit e kavallit“. Ky tranzicion a ndërkalim, qoftë ai të jetë politik, ekonomik, kulturor e tjerë, kështu siç frymon, të duket si ajo baxhoja vjeshtake e braktisur nga ana e barinjve me pagë(!?).
Në kuadër të këtij tranzicioni do të “lindë” edhe fenomeni i përgjimeve a survejimeve (pavarësisht se ato janë të brendshme a të jashtme), në të cilin do të përfshihet gjithsecili shtetas, pavarësisht funksionit që bart, pavarësisht se është figurë publike apo diç tjetër. Toptan do të goditen në mënyrë idiotike pavarësisht se çështja e privatësisë i takon drejtësisë, pavarësisht se përgjimi “është jashtë normave bazë të së drejtës”. Do të përgjohet edhe lidershipi i partisë politike dhe, kur ai do të jetë në shënjestër, atëherë në këtë proces do të përfshihet edhe elektorati bashkë me votën e tij të lirë respektivisht deliberative. Do të përgjohen edhe ca përfaqësues të “miletit pa brekë” (siç do të thotë Mitrush Ku-teli), të cilët në këto “vakte e pa vakte” (mëtojnë) t’ia kthejnë fjalën titullarit të “hyqymetit-qeverisë dhe dovletit-shtetit!?”…, do të përgjohen edhe ata njerëz të cilët kur duan t’i shqetësojnë “shtrigat e fqinjëve”, aq shumë do të bërtasin e ulërasin, sa që s’do t’u mbetet “takat” t’i mbajnë pordhat, erërat e të cilave do të kundërmojnë “gjithë mëhallën e haxhi babës!”.
Në gjithë këtë “proces përgjimi” që hetohet në mëhallët e vilajeteve të Gadishullit Ilirik në veçanti në Republikën e Maqedonisë…, vihen në shënjestër edhe titullarët e rendeve të privilegjuara, titullarët e Akademisë së Shkencave e të Arteve, nuk do të lihen mënjanë as titullarët e bashkësive fetare, as “kodoshët”, as njerëzit që punojnë në Ministrinë e Punëve Botore, as ata njerëz anonimë apo ata që kanë mbetur pa “nam e nishan”, as titullarët gjegjësisht pronarët e “livadheve të pakositura shqiptare”, as njerëzit që u është bërë mendja havele, as “titullarët a pronarët e mejhaneve, nuk do të kursehen as titullarët e berberhaneve, as të kumarhaneve gjegjësisht kazinove politike të Shkupit, as të hamameve orientale e ca edhe aksidentale(!?)”, as të shoqatave joqeveritare, të cilat ashtu “padrejtësisht fusin hundë” në punët e pushtetarëve, në punët e “kryeshefave të kuzhinave ku zihet çorbë e thartë”, në punët e ca “qebaptoreve të Bit Pazarit”. Në këtë ndërkalim “bozë” nga përgjimi nuk do të kursehet as politikëbërja e partive politike të mëhallëve tona, një politikëbërje që kalon momente të vështira, të padefinuara, nuk do të kursehen as politikanët sidomos ata a ato, të cil(a)ët me hir a pa hir ndërtojnë një kapitull të ri krize të brendshme, një recidivizëm të rrezikshëm, një kapitull pa perspektivë…, do të përgjohen edhe ata që “vetëndihen shehërli, katundarë, intelektualë a edhe…”
Njohësit e mirë të teorisë së demokracisë thonë se shteti e ka për detyrë dhe me ligj ta mbrojë privatësinë e gjithsecilit…, dhe lëre që nuk e bën këtë, ai me përgjime “futet në jetën private dhe kur ti, unë dhe ai, nuk do ta vëmë gishtin mbi fajtorin, atëherë neve na mbetet të hamë këmbët tona, hajt të mos themi të hamë…(!?)”. Të gjithë ata që janë përgjuar, çuditërisht kanë një reagim të zbehtë, mospërfillës dhe mbase pak të vonuar…, ca të tjerë fare nuk bëjnë përpjekje që ta kundërshtojnë këtë pisllëk…, ndërkaq ai “inatçori i paplakur politik gjegjësisht ideatori i përgjimeve ka heshtje vrastare”.
Se bomba e z. Zaev shpërtheu krejt rastësisht…, se sa është e gjatë lista e njerëzve të përgjuar, mbetet për t’u parë, se përgjimet do t’i quash incident, budallaki, zallamahi dhe, në instancë të fundit, edhe veprim prej “axhamie” nuk është me rëndësi, me rëndësi është pyetja se ç’i duhej këtij shteti “ky azganllëk, ky luks i tepërt dhe perandorak(!??)”. Nëse ne nuk kemi të drejtë në këtë kundërshtim, atëherë neve na mbetet që t’u “dalim zot qenve dhe zagarëve endacakë të beut”, të cilët “padrejtësisht” mëtojnë t’i quajnë edhe si “lavire bulevardesh(!?)”.
P.S. Rroftë mbretëria e arsyes…, poshtë mbretëria e errësirës!
Archives for February 2015
Vipat shqiptarë dhe poetët shqiptarë
Nga Ilir Levonja/
Facebook-u na ka dhënë mundësi të mëdha. Të paktën në komunikim. Mirëpo në të njëjtën kohë na lë dhe disa pezme, ose shije jo të këndshme. Sidomos me rastin e vipave. Në fillim e nisin me një akaunt të thjesht. Pastaj në web me administrator e tjerë. Në të njëjtën kohë të kërkojnë t’i ndjekësh. Gjithmonë të kërkojnë por asnjëherë nuk të japin. Qoftë dhe për mirësjellje. Qoftë dhe për t’i thënë ndjekësve, njerëzve, një xhest të mirsjelljes. Si falenderim që i ndjekin. Nga ana tjetër më bën përshtypje, ose siç thashë edhe më sipër, pra më lë në pezm, më lë shije jo të këndshme. Kur veendosin nga një foto dhe një tekst të lëmuar poeti a shkrimtari të huaj. Sepse më duket vetja si ajo nëna e dhembshur që kujton bijët, bijat, këngët, apo përpjekjet e tyre për tu lartuar etj. Për të kapur aspiratat e memorjes së vendit të vet. Dhe rri e gjëmoj në heshtjen time…, u shuan poetët tanë, u shuan zërat tanë, u shuan fjalët plot metafor e mjalt metaforash të shpirtit poetik shqiptar? Nuk kam asgjë me të huajt. Dhe as që do e shkruaja këtë artikullopinion nëse në muret e tyre do gjeja tek-tuk, apo hera-herës një zë prej letërsisë shqipe. Asesi nuk do ndihesha. Por një herë nuk i pashë. Vetëm emra të huaj, biles në këtë modë është dhe ndërfutja e emrave aspak të dëgjuar, mjaft të jetë i huaj, sepse përmes kësaj strategjie u thua të tjerëve se je me kulturë të madhe. Në fakt je me kulturë megallomane, me atë soj lloji kulture që po ia bjerr shpirtin atij vendi sa gjysma e gishtit të vogël. Ndonjiherë marrin edhe fragment të tërë, ta zëmë nga një libër i zakonshëm, i një shkrimtari të huaj dhe e thyejnë copash duke e prurë si poezi të jashtëzakonshme. Thua se me metafora trëndafilash nuk ka poezi në letërsinë tonë. Ka sa të duash, me mijra ditë poezi. Po kështu nuk mund të tregohesh i kulturuar. Që ke kulturë të madhe. Përshembull, s’mund të tregohesh i kulturuar që ke kulturë të madhe, duke përcjellur vargje të Nexhip Ejupit. Lirikut nga Elbasani. Ndryshon puna me një emër si Çengizi. Nga Mongolia. Sipas vipave njerëzit çojnë mendjen atje dhe thonë, ka kulturë të madhe tjetri. (Çengizi është askushi, një trill.)
Para disa javëve botova një artikullopinion në lidhje me letërsinë në pluhur. Ja këtë desha të thoshja. Pluhurin që u hedhin vipat përditë e përditë, poetëve tanë. Kemi plot të tillë, poetë, plot zëra, plot shkrimtarë nga kultura e jonë…, që flejnë nën hirin e zjarrit të vipave. Dhe u kërkojnë like njerëzve. Dhe njerëzit vrapojnë. Ka kaq shumë emra sikur nga katër rreshta tu kujtojnë hera-herës, në ato faqet e tyre me administratorë. Që vetëm presin prej teje. Do e kishim më njerëzore këtë të përditshmen tonë. Por edhe vipat do të ishin vërtet vipa.
Gjithsesi, me që nuk e bëjnë ata …, po u sjell unë disa strofëza, thjesht për të prekur, shijuar, ndjerë vetveten. Pasi jemi shqiptarë për së pari.
a)
Bari ma tregoi ëndrrën e vet:
majat më të larta e hëngrën qiellin e zjarrtë
e shtegu i rrezeve kërkon veten në breg,
e bregu bregun pas bregut në breg.
(D.Mehmeti)
b)
Si t’ia bëjmë?
Dita na la
Iu prenë gjunjët e ra përmbys.
Ç’faj të lëmë?
Qielli u tha.
Ofshamën tënde në ç’det ta mbys?
(D. Gjergji)
c)
Ulu këtu, pranë meje,
të presim bashkë edhe një herë,
ardhjen e mëngjesit si atëhere;
bashkë të presim hapjen e qiellit,
te ndajme bashkë ardhjen e Diellit.
(A. Lifschin)
ç)
Ti ike e para
malli akuzon,
ndërsa dimri dorovit
furtunat me borë.
(B. Trebicka)
d)
Me kërkue është art si me puthë diellin
Me lundrue nëpër natën e braktisur, oh!
Nga hëna bythprapë e ngjyrat e errëta
O natë e vetmuar me sy gjysmëqorrë.
(N. Ukaj)
dh)
sa shumë që duheshim
atë mbrëmje me borë
si s’ta bëra me dorë
si s’ma bëre me dorë
kur luanim qiellorë
me djallëzoren ironi
si s’ma bëre me sy
si s’ta bëra me sy
(A. Gojçaj)
e)
Atëhere po largohem unë
dhe ngrihem, eci kuturu,
larg vendeve që vegimin tënd
m’a sjellin më pranë se kurrë.
(I. Kurti)
f)
I pashpirtë ky dimër edhe pse i butë
Pa cicërima e zogj nën çati,
Ngryset e gdhihet njeriu i urtë,
Ngrohur e ftohur me frymën e tij.
(J. Margjekaj)
g)
Ti hyn në të djeshmen time,
humb rrugën si ai që ka humbur kujtesën.
Unë hyj në të ardhmen tënde,
Humb rrugën si ai që në pyll s’ka kaluar asnjëherë.
Sa do doje të kishe në duar të djeshmen time!
Sa do të doja të kisha në duar të ardhmen tënde!
(Xh. Spahiu)
Dhe me që jemi në fund dimri, një tjetër zë brilant;
gj)
Po del dimni me shkop n’dorë,
Gjeth e bar i ka kositë:
Qet ballkoni pjalm me borë,
E plak-shkreta, tue mërdhitë,
I thot’ vedit me za pak:
– Struku, struku i shkreti plak.
(N. Mjeda)
E plot e plot të tjerë… Jetë e mirësi për ju zëra të bukur, ju drunjflorinj, gjethe art, e fruta plot nga letërsia jonë.
Visar Zhiti: Nuk i kam kërkuar asgjë Presidentit
Rreth orës 11:00 të ditës së sotme, Visar Zhiti, i propozuar nga qeveria për ambasador në Vatikan, pati një takim me Presidentin Bujar Nishani, që ka deklaruar se do e refuzojë kandidaturën e tij.
“Nuk pati asnjë gjë të re, ato që janë thënë në shtyp,” tha Zhiti pasi doli.
“Më thirri dhe ato që kishte për të thënë me shkrim, m’i tha me gojë”.
“Nuk i kam kërkuar asgjë Presidentit,” tha Zhiti.
“Shqipërisë time i kam shërbyer edhe në burg, kur nuk donte Shqipëria. Në burg kam qenë edhe me priftërinjtë e Vatikanit, me priftërinjtë e burgosur. Kemi bërë dhe festa e kungime të fshehta”.
“Më vjen keq për vendin që ka njerëz kaq të dobët që nuk kanë interes të parë vendin por interesat e tyre vetjake”
“Dal duke thënë o Zot mëshiroje Presidentin se nuk e di çfarë bën”, theksoi Zhiti.
Presidenti Nishani nderon personalitete të shquara të Kosovës
Presidenti NISHANI dekoroi Ahmet Krasniqin (pas vdekjes) Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”./
Kreu i Shtetit vlerësoi me Dekoratën “Nderi i Kombit” pas vdekjes veprimtarët e shquar, luftëtarët, ushtarakët, atdhetarët: Salih Çekaj, Zahir Pajaziti, Tahir Zemaj, Agim Ramadani, Ekrem Rexha (Drini), Indrit Cara, Luan Haradinaj, Bekim Berisha (Abeja), Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, Smajl Hajdaraj.
Dhe me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Enver Malokun, Xhemal Mustafën, Shaban Manajn, Latif Berishën, Ukë Bytyqin si dhe me Titullin “Për merita të veçanta civile” Ismet Rracin, Agim Hajrizin, Haki Imerin.
Me rastin e 7-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani vlerësoi sot gjatë një ceremonie të veçantë të organizuar në mjediset e Pallatit të Brigadave personalitete të shquara me kontribute në luftën për çlirim dhe pavarësi të saj.
Presidenti Nishani i akordoi intelektualit elitar, i dëshmuar me publikime të rëndësishme profesionale, por edhe artistike; Oficerit madhor, kërkuesit shkencor të teorisë dhe praktikës në artin e luftës; Njërit nga ideatorët dhe projektuesit e bërthamave të strukturave të para institucionale ushtarake; Ministrit të parë dhe themeluesit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, Ahmet Krasniqit (pas vdekjes) Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Kreu i Shtetit vlerësoi me Dekoratën “Nderi i Kombit” pas vdekjes veprimtarët e shquar, luftëtarët, ushtarakët, atdhetarët: Salih Çekaj, Zahir Pajaziti, Tahir Zemaj, Agim Ramadani, Ekrem Rexha (Drini), Indrit Cara, Luan Haradinaj, Bekim Berisha (Abeja), Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, Smajl Hajdaraj.
Dhe me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Enver Malokun, Xhemal Mustafën, Shaban Manajn, Latif Berishën, Ukë Bytyqin si dhe me Titullin “Për merita të veçanta civile” Ismet Rracin, Agim Hajrizin, Haki Imerin.
Në fjalën e rastit Presidenti Nishani u shpreh:
“I nderuar Zoti Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë,
I nderuar ish-President Sejdiu,
I nderuar zoti Zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës,
I nderuar zoti Kryetar i Bashkisë së Tiranës,
Të nderuar ish-Kryeministra,
Ish-Ministra, Deputetë, Parlamentarë, miq dhe të ftuar!
Historia botërore e veçmas historia evropiane ka dëshmuar se, historitë e popujve të vegjël kanë kaluar nëpër portat e tragjedive të mëdha. Ky vlerësim i përgjigjet edhe historisë së popullit shqiptar, që si rrallë ndonjë popull është ballafaquar me robërinë e rëndë dhe iu desh të kalojë rrugë të gjata e me sakrifica të jashtëzakonshme për mbijetesë.
Kështu flasin faktet historike nga lashtësia ilire e deri në ditët e sotme, plot me ngjarje e kthesa të mëdha, ndër të cilat më e shquara ishte epoka e Skënderbeut, kur Shqipëria e vogël, ngadhënjeu plot 25 vjet radhazi ndaj perandorisë më të madhe të kohës, për t’ia rikthyer shpresën e qëndresës për mbijetesë popullit shqiptar, i cili nga shkëlqimi i shpatës së Skënderbeut, u vesh me krenari dhe vetëbesim për ta vazhduar udhën e lirisë, e cila, siç e dimë të gjithë, ishte e gjatë dhe me sakrifica të mëdha. Mirëpo, pikërisht në sakrificat e mëdha, qëndron edhe krenaria jonë e veçantë kombëtare, që, gjithnjë e gjithmonë bëri lufta të drejta dhe të pastra çlirimtare, dhe kurrë lufta robëruese.
Të nderuar pjesëmarrës në këtë ceremoni, vëllezër dhe motra,
Në faqet e historisë se kombit shqiptar, kapitulli më i veçantë i krenarisë kombëtare është Kosova, martirja heroike, që, ndonëse ka kaluar nëpër portat e tragjedisë së madhe, si feniksi, me shekuj është ringjallur nga hiri dhe nuk është ndalur deri në kurorëzimin e fitores së plotë, duke u bërë shtet i lirë dhe i pavarur.
Sot, kur Kosova shënon 7-vjetorin e Pavarësisë, e kujtojmë me krenari qëndresën heroike të Adem Jasharit, i cili, me mënyrën e flijimit historisë sonë kombëtare ia pasuroi faqet dhe me një akt qëndrese legjendare, unike në historinë botërore, si për nga forma ashtu dhe për nga përmbajtja e saj.
Historianëve u përket që ta bëjnë vlerësimin, por, le të më lejohet edhe mua ta konsideroj unike në historinë e re botërore edhe filozofinë politike dhe vizionaritetin e strategjisë çlirimtare të Dr. Ibrahim Rugovës, i cili ia imponoi njerëzimit doktrinën e re të mposhtjes së robërisë, duke u përcaktuar për ‘luftën paqësore’ për çlirim me porosinë për ‘mbrojten e pragut të shtëpisë’ që koha e vërtetoi se ishte çelësi efikas për realizimin e kauzës kombëtare të Kosovës. Dhe, pikërisht këtu vjen në shprehje tradita luftarake shqiptare, e cila reflekton veprime paraprakisht të konceptuara strategjike, siç është qëndresa heroike e Kullës së Jasharajve në Prekaz, që sikurse Oso Kuka në Kullën e Barotit, e kishte të prerë vendimin: për së gjalli të mos lejohej cenimi i pragut të shtëpisë! Ky guxim nuk është i rastit, por vazhdimësi e heroizmit tradicional të Drenicës, nga Isa Boletini e Hasan Prishtina, Azem Bejta e Shaban Palluzha e deri te Aziz Zhilivoda dhe pinjolli i familjes së tij, Heroi i Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqi.
Ky heroizëm u shpreh fuqishëm edhe nga heronjtë e ri të luftës së fundit çlirimtare, që lartësuan namin e Kosovës anembanë: si komandantët Agim Ramadani, Zahir Pajaziti, Sali Cekaj, Tahir Zemaj, Luan Haradinaj, e Smajl Hajdaraj, si Fehmia dhe Xheva, veprimtarët dhe luftëtarët atdhetarë Ukë Bytyqi, Ismet Raci, intelektualët atdhetarë misionarë të demokracisë dhe shërbestarë të devotshëm të idealeve liridashëse: Latif Berisha, Xhemail Mustafa, Enver Maloku, e deri te Indrit Cara nga Kavaja, që u flijua për çlirimin e Kosovës; Bekim Berisha-Abeja që me emrin e tij na bën të gjithëve të ndihemi krenarë.
Për çlirimin dhe lirinë e Kosovës u flijuan bijtë dhe bijat më të mira, që me punën dhe jetën e tyre janë vlerat e lavdisë dhe krenarisë së përjetshme të kujtesës historike, që, kam besimin e plotë se do të ushqejë brezat e ardhshëm për jetësimin e idealeve të tyre, sot dhe nesër.
Kjo ceremoni e sotme dekorimi, le të jetë një shenjë nderimi dhe respekti për të gjithë ata që kanë dhënë jetën për liri, demokraci, të drejta dhe prosperitet të kombit shqiptar!
Kjo ceremoni dekorimi, le të jetë edhe mesazhi ynë për të gjithë shqiptarët, se ne i vlerësojmë dhe respektojmë ata që luftuan për ditë më të mira të kombit tonë si dhe të gjithë miqtë dhe aleatët e shqiptarëve që iu bashkuan në këto sakrifica kombit dhe përpjekjeve shqiptare!
Zoti i bekoftë të gjithë ata burra dhe gra që kontribuuan për të mirën, zhvillimin, lirinë dhe demokratizimin e shqiptarëve! Ju faleminderit!”
DITËLINDJA, “DIELLI” U BË 106 VJEÇ
Gazeta më e vjetër e Botes Shqiptare, që vazhdon të botohet në Amerikë, Dielli,mbetet një monument i gjallë i gazetarisë shqiptare dhe i kulturës tonë Kombëtare, që sjell 105 vite histori të shqiptarëve të Amerikës. Në Gjoksin e Diellit ka shumë histori, ka dhe një cmim të tretë në konkursin e shpallur nga Organizata COMMON COUNCILL FOR AMERICAN UNITY, ku morën pjesë 1000 gazeta që botoheshin në Amerikë në gjuhë të huaja, por asnjë vleërsim nga shteti shqiptar, qoftë dhe simbolik. Në Kuvendin e ardhshëm të Vatrës, që mendohet të mbahet me 28 prill 2013, në përvjetorin e 101 të themelimit të Federatës, redaksia e Diellit do të kërkojë botimin si të përdyjavshme, për ta rikthyer në një periudhë jo shumë të largët në të përjavshme, për të realizuar kështu ringjalljen e plotë.
***
Gazeta më e vjetër e Botës Shqiptare, me emrin simbolik “Dielli” te Dielen e 15 Shkurtit kishte ditëlindjen, me 15 shkurt mbushi plot 106 vjet. Gazeta”Dielli” u themelua në Boston prej Shoqërisë atdhetare Besa-Besë dhe ka si ditëlindje datën 15 shkurt 1909. Më 11 mars 1912, mbasi shoqëritë shqiptare të Amerikës vendosën që të federohen në Vatër (dita zyrtare e themelimit të Vatrës 28 prill 1912, dita e njohjes nga Shteti i Massachusetts, 10 qershor 1912) Dielli u bë pronë e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra dhe nisi të dalë dy herë në javë. Me 18 Nëntor 1914, Gazeta nisi të botohet tri herë në javë dhe më 9 nëntor 1915 u bë e përditshme nen drejtimin e Kostë Çekrezit. Natyrisht është kjo koha më e artë e Vatrës dhe gazetës së saj Dielli. Historishkruesit e Vatrës dhe të Diellit e kanë bërë tashmë publik faktin se Dielli erdhi si nevojë shpirtërore dhe informuese për shqiptarët e Amerikës në një kohë të vështirë.
Mëkëmbsi i Mit’hat Frashërit, i shumëdturi Hasan Dosti, është shprehur se “Vatra” dhe “Dielli” na zgjuanë iden’ e zjarrit e të dritës, që do të thotë flakë patriotizmi dhe rreze kulture. Këtyre simbolizmave u janë përgjegjur edhe realitetet”.
Kronika e lindjes së Diellit, është e njohur: Me mbylljen e gazetës “Kombi” të Sotir Pecit në Boston me 10 Janar1909, diktohej nevoja e një tribunë kombëtare për të luftuar për të drejtat e Kombit shqiptar, ndërkohë që ishte mbyllur tashmë dhe Albania e Faik Konicës. Kur qe hapur Kombi me 6 qershor 1906 numri i shqiptarëve sipas regjistrave të kohës ishte rreth 7 mijë,ndërkohë që kur u mbyll gazeta e Pecit, numri i shqiptarëve së paku kishte shkuar në dhjetë mijë. Pa gazetën kombi emigrantët shqiptar kishin mbetur si në shkretëtirë, në terrin e padijes e mosinformimit. Nevoja për një gazetë u bë më emergjente kur xhon turqit burgosën Dervish Himën sepse i gjetën Flamurin e Shqipërisë në gji dhe asnjë gazetë në Shqipëri nuk guxoi që të shkruante e ta mbronte atdhetarin nga frika e represionit turk. Atëhere Konica në Londër dhe Noli në Boston ranë në ujdi për botimin e një gazeta shqip në Amerikë. Deri në atë kohë dy patriotët nuk njiheshin përsafërmi me njëri-tjetrin, por ishin të njohur në distancë duke lexuar shkrimet e njëri-tjetrit në shtypin e kohës si dhe nga letërkëmbimi. Me përpjekjet e të dy kolosëve të mendimit shqiptar të asaj kohe u ndez ky kandil kombëtar, siç e cilëson ish editori Refat Gurrazezi, kandil që ndriçon ende edhe sot në SHBA falë kontributit të shqiptarëve të Amerikës.
- « Previous Page
- 1
- …
- 29
- 30
- 31
- 32
- 33
- …
- 70
- Next Page »