• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2015

XHEVAHIR SPAHIUT NE 70 VJETORIN E LINDJES

March 2, 2015 by dgreca

Nga Përparim Hysi*/
XHevahir Spahiut*/
Xhevahir Spahiu! Xhevahir SKRAPARI!/
Tek ti është Poeti; është dhe luftëtari./
Në një anë Poeti, në tjetrën Njeriu/
Me gërmë të madhe: Xhevahir Spahiu!/

I përbuze dredhat, mbroje veç të drejtën/
Në rrugën e sheshtë kërkoje “përpjetën”/
Ndaj u “rebelove” dhe shkove në Vlorë/
Nuk të trembi ndjekja: s’pyete për terror./

Kupolë e Mesjetës dërgoi “kapuçinjtë”
Mbi kurrizin tënd varda ranë shkopinjtë.
Të goditën, Xhevo, me grusht harbutërisht
Ty që ishe ëngjëll; je Budë e je Krisht!

Krisht për fjalë të lirë ( pa shtypje e dhunë)
Që të ndihemi mirë( si ti,edhe unë)
Farën e urrejtjes mbolle për pushtetin
Seç e le rehatin, se zgjodhe Poetin!

Dhe gatove vargje në magje revolte
Helm për diktatorët, pjellë të çdo epoke.

* e botuar në librin tim “Regëtimat e dashurisë” f.185

Fier, 3 prill 1997

Lutje ZOTIT! *

( Miqësisht, Xhevahir Spahiut)

O ZOT! Të lutem, ktheja “Fjalën” Poetit!
Se Poetit i duhet fjala.
Fjalën hiqua atyre që Parlamentit
Na mbushën me përralla.

Përralla me mbret mu në mes të ditës
Kurse Poeti fjalën e ka me kursim
Atyre ua hiq,se janë pa kokrrën e kripës
Kurse Fjala e Poetit është krejt si rubin.

I duhet Fjala Poetit, o Perëndi
Se Poeti është tribun pa bërë fushatë
Në vargje Poeti mëkon dashuri
Dhe vret ne fjalën e tij njerëzit me shpirtin natë.

Emrin e ka Xhevahir… dhe është xhevahir
Në vargje i tillë: i tillë dhe me zemër
E presim të kthehet si djalë i përtërirë
Dhe ç’shkruaj, e ëdshiroj me zemër.

Nuk e dua vetëm unë, po janë me mijëra
Se të të duan me mijëra, nuk është pak
Mu në veshin tënd, Perëndi, kjo fjalë, imja
Që të vijë e të na flasë , Xhevua Fjalëmjaltë.

* me rastin e paralizës
Botuar tek libri im”Njerëz që dua” f.51

Florida, 27 prill 2009

Xhevos për 70-vjetorin e Ditëlindjes*

70-vjet për ty? A s’janë fare pak?
Ku të gjejmë një tjetër me vargun e mjaltë.
Kur të shoh të qeshur tek kafe “Evropa”
Më hipën një gaz, sa dua të marr “hopa”

Hopa si çunak, aq më hipën shendi
E, i bardhi fat! Sakaq më ik helmi
Helmi që dikur buzën seç na qepi
Por Zoti të pa, dhe t’u kthye shendi.

Rreziku i zi, iku pak nga pak
Kur të shohim Xhevo, sikur marrim flakë
Jo vetëm unë ( të gjithë sa të njohin)
Zënë e të qafojnë sikur zemrat ngrohin.

Ti vetëm buzëqesh… e ku ka më bukur?
Të shohim të qeshur dhe ndihemi të lumtur
Mbushe 70-vjet! Të mbushësh një shekull
Me Fjalë e me varg, gjuha pret hekur.

E, mor Xhevahir! Si emri dhe vargu
Kur të lexojmë, valë na bëhet gjaku
O Poet i bukur që sot ke DITËLINDJEN
100-vjet gëzim ( bashkë dhe me familjen)

* enkas për 70-vjetorin e lindjes

Tiranë, 1 mars 2015
* Poezitë e mia kushtuar Xhevahir Spahiut

Filed Under: LETERSI Tagged With: 70-vjetorin, e lindjes, perparim Hysi, XHEVAHIR SPAHIUT NE

FËMIJA DHE “VIGANI LIBERATOR”

March 2, 2015 by dgreca

“Nëno moj m’a qaj në Vlorë/
Ku të dha liri, kurorë/
Shpirt’i bardhë si dëborë/
Ti s’i dhe as varr për hor”/
FAN S. NOLI/
Shkruan:EUGJEN MERLIKA/
Isha shumë i ri kur u njoha me emrin e Luigj Gurakuqit, nëpërmjet bisedave të nënës e të gjyshes sime. E para ruante një kujtim të mjegulltë të figurës së një burri të pashëm e shumë të dashur, që vinte në shtëpinë e saj si mik i babait. N’atë shtëpi me qira të Barit të vjetër, ku banonte Sotir Gjika me gruan dhe të dy fëmijët, Aleksandrin dhe Elenën, vinin mjaft miq e shokë të babait, por kujtesa fëminore e një pesëvjeçareje kishte regjistruar Luigjin, Mustafain dhe Lin Kamsin. Fëmija ishte afruar më shumë me zio Luigin, sepse ai bisedonte më shumë me të, futej në botën e saj të lodrave, e përkëdhelte më shumë.
Atë mbrëmje kobzezë të 2 marsit 1925 ajo nuk donte të flinte, priste zio Luigin, mbasi ai i kishte premtuar një kukull. Fjalët e fundit që Luigji i tha atyre , me të cilët ishte në tryezën e restorantit “Cavour”, ishin këto : “Do të ngrihem sepse do të shkoj t’i çoj kukullën që i kam premtuar vajzës së Sotirit.” Një njeri i keq nuk e lejoi xhaxhin e dhëmshur t’i dhuronte kukullën Elenës, mbasi ndërpreu jetën e tij me tre të shtëna të mallkuara revolveri. Elena fjeti vonë atë natë, por të nesërmen, kur mori vesh gjëmën e madhe të Shqipërisë qau shumë.
Në funeralin, që u zhvillua mbas një jave, babai i saj i sëmurë ishte i pamundur të shkonte dhe në vend të tij foli nëna e saj, mësuesja Angela Quarta. Kjo histori, që kishte në vetvete të gjithë elementët e një përralle me njeriun e mirë, me përbindëshin dhe fëmijën e pafajshme, m’u ngul në tru shpejt duke fiksuar në të përfytyresën e një zotnie, që kishte qënë një nga themeluesit e Shtetit shqiptar, të cilën e plotësova më vonë, jo vetëm me tregimet e njerëzve të dashur, por edhe me librat e ndryshme të shkollës apo jo të saj.
Sot, në nëntëdhjetë vjetorin e largimit të Tij nga jeta tokësore, figura e tij merr shëmbëllimin e një njeriu të afërt, që është mes nesh e na kujton se ky Atdheu i ynë, për të cilin ai flijoi jetën e Tij, kjo Shqipëri që qe për Të nusja imagjinare, nuk sendërtoi idetë e tij, por mbeti gjithmonë në mes të rrugës, mes dy botëve, “të asaj që nuk don të vdesë e të tjetrës, e pafuqishme të lindë”. Shqipëria që ëndërruan Gurakuqi dhe shokët e tij, për shumë arsye të të metave tona e të fatalitetit historik, që na dhuroi “shekulli i shkurtër”, nuk arriti të gjejë rrugën e saj normale drejt një zhvillimi që do të mbante për udhërrëfyese demokracitë e Perëndimit. Ajo rrugë qe shumë e gjatë dhe tepër e ashpër sepse, kryesisht, pagoi pasojat e një patologjie mijëvjeçare të rracës sonë : paaftësi ose mungesë dëshire për të kuptuar njëri tjetrin, pazotësi për t’u bashkuar përparë rreziqeve, miopi politike, poshtërimin e nxjerrjen jashtë loje të njerëzve më të ndershëm e më të zotë, për të vënë në krye të paaftët e të pandershmit.
Ministri i parë i arsimit i Shqipërisë së pavarur u mundua të ravijëzojë një Vend ku të zotëronte “Mbretnimi i ligjës dhe i drejtësisë”, ku “Administrata të jetë si një maqinë e lehtë, të ketë pak nëpunës, por të zotët, nëpunës të paguar mirë por të marrun me konkurs”, ku ekonomia të bazohet mbi “konkurencën e lirë” duke shmangur monopolet, ku harmonia shoqërore të mbështetet mbi parimin “Besime të lira në Shtet të lirë, mostrazim i Shtetit në çâshtjet besimtare, nderim i njeni tjetrit për besimin e shoqi shoqit.”.
Shkodrani i madh ishte i vetëdijshëm për vështirësitë që hasnin bashkatdhetarët e tij në sendërtimin e këtyre synimeve. Ishte vetëm 26 vjeç djalë kur shprehte në “Albania” të Faik Konicës këto bindje : “Na, deri sot, kena kenë kot për nji gjuhë shqipe, pse kjo nuk na ka rrnue njeti veç në mênde të disa entuziastëve ; kena folë kot për nji komb shqiptar, pse ky nuk e ka diftue kurrë sheshit vetvedin me gjithë ato cilësí të nevojshme, qi i napin gjallnì e fuqì ndjenjës kombtare. Deri më sot nuk jena kenë tjetër veç Toskë e Gegë të damë politikisht e të damë edhe me gjuhë, me idhnime e përçarje ndër vedi, të cilat shumë herë jena mundue me i ba edhe mâ të mdhaja e të thershme tuj u këqyrë me sŷ të keq e tuj i u kundërshtue njeni tjetrit.”
Është diagnoza e një të riu që nuk strehohet në fantazitë joshëse të së “mirës virtuale”, por që sheh të vërtetën në sy e ka kurajën t’a përballojë atë me të gjithë mjetet që i jep mprehtësia e mëndjes, vullneti për ndryshim, qartësia e objektivave, largpamësia në trajtimin e dukurive. Mbas pak vitesh djaloshi Gurakuqi u bë poet e politikan, mësues e shkrimtar, diplomat e luftëtar, prijës e flamurtar, duke i vënë të gjitha këto cilësi në shërbim të një synimi të vetëm : Shteti shqiptar i lirë, i pavarur dhe në një hap me të tjerët. Ndihmesa e Tij u bë vendimtare në fatet e kësaj Shqipërie, së cilës i qëndroi mbi krye në ditën e lindjes së saj, e të cilën e mori për dore në peripecitë e panumurta të ecjes e të rritjes, ndërmjet intrigave e lakmive të të huajve e prirjes së shqiptarëve për t’a kthyer në një çiflik të secilit prej tyre. Në këtë kontekst Ai mbeti simbol i pastërsisë morale të politikës dhe pika e riferimit më e besueshme e klasës drejtuese.
Në vitet përcaktuese të rrjedhës historike të Vendit 1921 – 24, qëndrimi i Tij është shumë i përmbajtur. Nuk miraton atentatin e Beqir Valterit në Parlament kundër kryeministrit Zogu, madje i shkon këtij në shtëpi për një vizitë solidarizimi, nuk miraton t’ashtuquajturin “revolucion demokratiko – borgjez” të qershorit 1924, kundërshton zgjedhjen e Nolit Kryeministër. Por natyra e Tij e butë, e hapur e bujare i jep përparësi marredhënieve me kolegët, shmangies së kundërshtive me ta, pranimin e vendimeve edhe kundër bindjeve, cilësi që zbulojnë një politikan të rracës, por që për kohën u quajtën si të meta për t’u kritikuar. Në jetën e Tij politike pati shumë miq e ndjekës, pati edhe kundërshtarë, por ajo që e dallonte në veçanti ishte respekti që gëzonte edhe tek kundërshtarët, tregues i një shtati moral e intelektual të rrallë.
Luigj Gurakuqi ishte një njeri me kulturë të thellë e horizont shumë të gjërë. Ndihmesa e Tij në çështjet e gjuhës, si Kryetar i Komisisë letrare të Shkodrës më 1916, i vuri bazat studimeve shqiptare, sidomos në drejtim të krijimit të gjuhës letrare kombëtare që, simbas mendimi të Tij “do të rrjedhë prej dialekteve ma të mëdhaj të Shqipnisë e nuk do të jetë tjetër veç t’afritunit bashkë e të derdhunit e tyne në nji”. Komisia letrare vendosi që “Dialekti i Elbasanit të merret si gjuhë shkrimi”, madje edhe përsa i përket ortografisë. Fatkeqësisht kjo pikëpamje, e përkrahur shkencorisht nga gjithë albanologët e huaj dhe autoritetet gjuhësore shqiptare, u rrëzua nga një “kongres drejtshklrimi”, në të cilin partia komuniste imponoi zgjedhjen e saj tepër të diskutueshme.
Gurakuqi katolik, liberal e demokrat, në çdo qelizë të tij, ishte një idhtar i shtetit laik, në të cilin të gjithë qytetarët duhet t’ishin të barabartë para ligjit. Në panoramën politike të kohës së tyre, së bashku me Fishtën kundërshtuan krijimin e një partie politike katolike në një Vend me tre besime, duke vërtetuar largpamësi e kah përgjegjësie shtetërore e kombëtare. Mbas 70 vitesh, të tjerë njerëz, vite dritë larg tyre, përsa i përket koncepteve e horizontit, i krijuan ato në Shqipërinë e kalesës…..
Humbja e parakohëshme e Luigj Gurakuqit dëmtoi shumë jetën politike të Vendit tonë. Armiqësia mes Zogut dhe Opozitës në emigracion erdhi duke u shtuar. Kjo qe e keqja më e madhe për Vendin. Një Gurakuq i gjallë mund të kishte qënë një faktor pozitiv në krijimin e një atmosfere bashkëpunimi në dobi të Shqipërisë. Nëse ka patur ndonjë llogari në synimin e vrasjes së Tij, ajo ka qenë thellësisht e gabuar, mbasi humbja e Tij ishte një humbje për Shqipërinë, madje edhe për kundërshtarët e Tij.
Figura e Luigj Gurakuqit, me kalimin e kohës, lartësohet më shumë. Komunizmi e trajtoi me një farë realizmi, i njohu atësinë e shtetit shqiptar, si bir i zgjedhur e besnik i Plakut të Vlorës, edhe se i vuri në dukje “kufizimin klasor” në veprimtarinë politike. E veçoi nga rrethi i miqve e bashkëpuntorëve, që patën fatin të jetojnë, duke i injoruar këta në rrëfimin e ngjarjeve historike e duke mos kursyer poshtërimin dhe asgjësimin e të gjitha formave, për qëndrimet e tyre antikomuniste. Historiografia komuniste i njohu Gurakuqit meritën e pjesëmarrjes në Qeverinë e Nolit, të cilën ajo pëlqen t’a quajë si paradhomën e komunizmit enverian. E vërteta është se në të ka patur disa elementë të asaj sfere politike, por trashëgimia më e denjë nga ka marrë ushqimin socializmi shqiptar është rebelimi filoturk i Haxhi Qamilit, kundër të cilit Luigj Gurakuqi dhe atdhetarët e vërtetë shqiptarë të kohës luftuan me armë në dorë, edhe duke humbur.
Gurakuqi ka qenë ati shpirtëror i demokracisë embrionale shqiptare, një personalitet me përmasa kontinentale, një idealist nga më të kulluarit e kombit tonë. Vlerësimin më të mirë të Tij, ndoshta, e ka bërë kolegu Fan Noli, jo vetëm me elegjinë monumentale “Syrgjyn vdekur”, por edhe me përgjigjen që i jep mik armikut të tij, Faik Konicës : “Z. Faik Konica është i mëndjes që kam qenë vegla e Gurakuqit. Nuk e besoj. Por edhe sikur të jetë e vërtetë, e kam dhe do t’a kem për nder. Ishte mjaft i madh sa të kishte vegla si mua.” Fjalë fisnike që nderojnë atë që i shpreh dhe atë të cilit i drejtohen, një shëmbull i shkëlqyer i njohjes dhe respektit të vlerave, gjë e rrallë në jetën politike shqiptare.
Duke u kthyer tek imazhi i Gurakuqit, i krijuar në rininë time të parë, më del para sysh një burrë fisnik e i pashëm, që pëlqehej nga gratë, por që në larpamësinë e Tij, e quante martesën si një gabim që përcaktonte fatkeqësinë e familjeve të pjesëmarrësve të politikës. Pyetjeve që i bëheshin në këtë drejtim Ai u jepte vetëm një përgjigje : “Jam martuar me Shqipërinë”. Gjyshes time i thonte shpesh : “Caje, të ka marrë më qafë Mustafa. I kam thanë qysh kur : mos u marto, se nuk bâhet politikë në Shqipni, tue pasë familje!” Sa thellë e kishte njohur mjedisin e politikës së Vendit të Tij, sa të sakta qenë porositë e Tij. “I pëlqente djathi me krimba” më thoshte gjyshja, ndërsa nëna ime tregonte një episod të rrëfyer nga nëna e saj. Luigji kishte miqësi me një grua jo të bukur, e cila shkonte në qiellin e shtatë, kur ai e lëvdonte. Gjyshes sime italiane, që e ngacmonte për komplimetat që i bënte asaj Ai i përgjigjej : “Grave të bukura i bâjnë komplimenta të gjithë. Por edhe ato që nuk janë të tilla kanë nevojë për to.”
Altruizmi i Tij nuk njihte kufij, bënte pjesë në ADN-në e Tij si njeri, si intelektual, si Burrë Shteti, një shembull për t’u ndjekur, një Shqiptar me Sh të madhe, një Njeri, vepra e të cilit është një nga stolitë e rralla të kujtesës historike të Kombit tonë.
Është për t’ardhur keq që “demokracia” e re shqiptare e ka lënë pak në hije, madje është e papranueshme që shteti shqiptar e organet e tij të kulturës, përcjellin me indiferentizëm shkatërrimin nga koha të shtëpisë së Tij, një objekt që duhej të hynte me të drejtë të plotë, në pasurinë muzeale të trashëgimisë sonë kulturore e historike.
Mars 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: “VIGANI LIBERATOR”, Eugjen Merlika, FËMIJA DHE, Luigj Gurakuqi

Pranoni një falenderim të trishtë timin

March 2, 2015 by dgreca

Falenderimet e mia dhe mirënjohjen time më të thellë SHTËPISË SË LIRISË SHQIPTARO-AMERIKANE në Washington, anëtarëve të saj që nga më i largëti dhe më i panjohuri e deri tek miqtë e bashkëvuajtësit, të gjithëve ju, për mbështetjen e dhënë, kurajon, të gjithëve ju që m’u gjendët pranë dhembjes time më të rëndë e të gjithjetshme për mua, në tragjedinë time familjare, që deshët të qëndroj ende dhe deshët të më shikonit dhe atje ku më propozoi shteti, ambasador në Vatikan, si të thuash në një si mundësi më tepër për të folur dhe me Zotin tani, që më braktisi, por Zoti siç thotë Naimi ynë, është dhe brenda në krahëruar në formën e besimit…
Shtëpia e Lirisë më ka dhënë shumë, më ka thirrur në gjirin e saj dhe librat e mi, burgologjitë, i ka përuruar në metropolin botëror, në New York. Ju bëtë që unë të besoj se kam shpjeguar shumëçka, që vujatjen e kam kthyer në vlerë njerëzore, pavarsisht nga pengesat që nuk më ndahen as tani, që i sjell e kaluara, që i prodhon e tashmja…
Por nuk po zgjatem, tani unë jam i tjetër jete prej nate, i braktisur prej jetës time të dikurshme, dritës së saj, ndjehem pa qiell, mu përmbys mbi krye, dhe nga toka e atdheut kam veç pak vend, një varr që më thërret… më ka mbetur dhe dëshira për të gjithë ju për një jetë më të mirë, ndjesë nëse kam harruar nga ato që duhet të thosha, ndjehesh jashtë botës, jashtë vetes, hije që përvijohet nga drita juaj…
Mbarësi kudo, në familje dhe punë,
i dikurshmë Visar Zhiti

Filed Under: Komente Tagged With: Pranoni një falenderim, të trishtë timin, Visar Zhiti

Një Europian i llojit të posacëm

March 2, 2015 by dgreca

“Ne ju duam, Zotëri,dhe jo pse e duam Ismailin , por me ju së bashku edhe Shqipërinë e bjeshkëve dhe legjendave, të rapsodëve dhe të bardëve ,Shqipërinë e rezistencës dhe okupimeve të vazhdueshme, Shqipërinë e të vdekurve dhe të gjallëve që nëpërmjet magjisë së shkrimeve kanë hyrë në historinë e përjetshme botërore( Séance du lundi 28 octobre 1996 Académie des Sciences morales et politiques.) “ . I madh je, zoti KADARE!
Ishte kjo nata ,kur ismail Kadares iu nda çmimi anëtarë i përjetshëm i Akadamisë së Shkencave politike dhe morale (Académie des Sciences morales et politiques , Paris, Francë)
“Urdhëroni Zotëri e zëni vend në mesin tonë , sepse duke ju zgjedhur juve, ne jemi përcaktuar për një Europian të vërtetë , por një Europian të llojit të posacëm, një Ballkanas e cili edhe më shumë se kjo është edhe një Shqipëtar , përfaqësuesin eminent të një kombi dhe një kultureje më autentike të Ballkanit. “ . Fjalë të zgjedhura të njreiut të madh dalë nga një popull i madh !
Kadarenë duhet ditur të lexohet !
. Përderisa japonezët e lexojnë Prillin e thyer, norvegjët e lexojnë Kush e solli Doruntinën ? , derisa Baskët e lexojnë në gjuhën e tyre Urën me tri harqe , të gjithë në një çast flasin shqip , dhe mundohen ta kuptojnë dhe përjetojnë jetën politike shqiptare.
Ky Ballkan, dmth. malet e thyera ; gadishulli morfollogjija e të cilit është e një origjinaliteti shqetsues, tokë e udhëve kaluese të hapura dhe e klimës së tepruar dhe erërave të egra , e kryqëzuar nga stepat e vrazhdë me butësinë e brigjeve të lumenjëve, udhëkryqi i qytetërimeve. Shpërnguljet dhe pushtimet janë munduar të lëne shtresat etnike , të përziera nga fiziku njerëzor , i komplikuar nga nga karakteri njerezor dhe social. Pelazgët. ilirët , grekët dorik , Romakët , Gotët , Bizanti, Hunët , Bulgarët dhe turqit aty janë takuar dhe kanë luftuar. Të gjthë i kanë lënë gjurmët , por askush nuk ka mundur ta bashkojë Ballkanin. Por gjuha fenomen natyror , në jë shtrierje të madhe shqiptare ka dhënë shembull.
Por të gjitha këto i mësuam nga Kadareja , të cilin e kemi në mesin tonë , u tha në natën e të Hënës së fundit të Tetorit 1995 , në Paris . E madhe ajo natë! (por pa kryetarin e shtetit shqiptar ?)
Ju, Zotëri e keni treguar se sa e fuqishme është etika dhe politika nga mesazhi letrar , i cili pushon në guximin dhe talentin e juaj. vendi i juaj është në mesin tonë – u tha atë mbrëmje .
Por kë po e pranojmë sonte në mesin tonë ?- M. ALAIN PLANTEY (Président de l’Institut, Président de l’Académie). Romansierin më të madh të kohës sonë, që do të ulet në mesin e bashkëpunëtorëve të jashtëm të Akademisë sonë . Zotëriu Plantej ( Plantey ). pastaj e vazhdoi ” Nëvitin 1989 , Ismail Kadare ishte zgjedhur anëtar me correspondence në ektorin e historisë dhe gjegorafisë të Akademisë sonë. Një njeri i romaneve në sektorin e gjegrafisë dhe historisë ? Po , ishim plotësisht të bindur që puna e juaj ishte e pandarë nga gjeografia e një vendi që Ptolomeu i pari e quajti Albanoi . një fjalë që ai mendonte vendin me male të cilat e zënin dy të tretat e territorit , atu ku u mëshefen jo vetëm të gjitha rezistencat kundër pushtuesve , por mëshifej dhe ruhej , vallja , zakonet dhe muzika dhe më thelbsorja gjuha shqipe.
Ju Zotëri, jeni i tokës së shqipeve ! Ju i lëvizni shekujt duke e shkruar DAULLET E SHIUT, dhe e shihni Gjergj Kastriotin i quajtur Skënderbe , princin e Shqipërisë dhe të Epirit në fikjen morale dhe ushtarake te dy salltanëve.
Kadare: ” Jam i sigurtë që kur flistni për Shqipërinë e keni gjithmonë parasyshë anijet e mbushura me varfnjake duke kërkuar ikje,. Por ju qe e keni pasur lirinë , ju e keni pranuar pa ngurrim të uleni rreth tavolinës sonë të varfër për të shijuar ushqimin shpirtëror që e kishte parë dritën në skllavëri.
“Shqipëtarët , mashkatdhetarët e mi. e kishin humbur Europën në dy raste tragjike, në shek e 15-të , sikur edhe të tjerët në Ballkan që ranë ndër okupimin ottoman ; dhe së dyti pas luftës së dytë botërore në kthetrat e komunizmit”
Për më shumë lexoni http://www.asmp.fr – Académie des Sciences morales et politiques.

Fahri Xharra, 2.03.15
Gjakovë

Filed Under: Komente Tagged With: Fahri Xharra, i llojit të posacëm, Një Europian

Gjykime,dënime, ikje, kërcënime, ç`po ndodhë vërtetë në Kosovë?!

March 1, 2015 by dgreca

Nga Gani Qarri/
Mjerisht, ne si popull kemi ardhë në një gjendje të tillë tragji-komike sa që nuk di njeriu ç`të bëj më parë, të qaj apo të qeshë me shqiptarët. Askush nuk mund të provojë ato që ndjejnë dhe përjetojnë ata. Blerim Kuqi arrestohet dhe dërgohet në burgun e Kleçkës për ekzekutim. Akuzohet si “dezertor e spiun i pushtetit serb!”
Gjykimi i shpallur nuk ishte çka-do-punë!…madje hiq më pak se “Dënim me vdekje – pushkatim!”
Gjykatësi i rastit makabër përdorë ligjet serbo- jugosllave për dënimin e “bashkëluftëtarit” thërret edhe familjen e të dënuarit, shqiptar, Babain dhe Nënën e tij që të “hallallshiten” për herë të fundit me të birin e dënuar nga një “shqpfolës” me kodet penale të ligjeve serbo-jugosllave!
Është shkruar (I.Z) se të dënuari-it, i shpëtoi fati nga një konfrontim i papritur me forcat e pushtuesit, me ç`rast do të ikte edhe vet “gjykatësi” me librat e ligjeve serbe në dorë, të cilat i shërbenin për dënimin e shqiptarëve me vdekje. Madje, pa asnjë mahi apo fare pa shaka, atë do ta pasonin “trimërisht” edhe ekzekutorët “sy-patrembur” me pushkët e ngritura për të vra, jo armikun por bashkëkombësit e vet.
Kështu mbijetuan ata që prisnin radhën e ekzekutimit, për ç ‘gjë me siguri atëbotë do të fliste gjatë e përsëriste shpesh në lajmet e saj alla-serbçe, edhe Hajrije spikerica, të cilën për çudi, asnjëherë nuk u dëgjua që “sokolat” e tillë, ta kenë dënuar qoftë edhe në mungesë.
Të gjitha këto ndodhnin nga frymëzues të përçarjeve politike dhe udhërrëfyes të vrasjeve ndër-shqiptare, sjellje me të cilat “kadinjët” e sojit, në vend se ta luftonin, me dënime si këto, e ndihmonin drejtpërsëdrejti pushtuesin.
Në burgjet e vendosura katundeve nga “sokolat”si ky, aty ku ndiheshin zot të përkohshëm, bënë kërdi edhe për zënka personale.
Ata tradhtuan ëndrrën e shqiptarëve për liri, dhe shkelën me të dy këmbët mbi idealet e luftës çlirimtare duke e kthyer atë në kampanjë vrastare ndërmjet shqiptarëve, dhe lënë plagë të hapura të cilat ende nuk po gjejnë shërim, në këtë vend.
Madje, “ekzekutuesi” i kodeve serbe për dënimin e shqiptarëve me vdekje, provokon edhe sot, derisa kokë më vete, në gungat e së cilës ndoshta numërohen shpirtrat e të dënuarve pa faj, deklaron hapur dhe në mënyrë publike, se ushtarët si Blerim Kuqi, gjatë luftimeve kundër Serbisë, ai vet i dënonte me vdekje, sipas kodit penal serbo-jugosllav.
Për çudi, këso gjykimesh, ky “jurish-jurist” sillte mu atëherë kur edhe pushtuesi me po të njëjtat ligje, kishte dënuar një popull të tërë me vdekje dhe shfarosje, kohë në të cilën kërkohej që të gjithë shqiptarët e veçanërisht udhëheqësit “sokola” të shquheshin në mbrojtjen e popullsisë së pambrojtur me të cilën forcat e pushtuesit luanin si donin, që nga masakrimet deri te përdhunimet publike, derisa “sokoli i jakovës”, fatkeqësisht merrej me dënimin e ushtarëve të lirisë, të cilët ndoshta ende detyrohen të heshtin si puna e Blerim Kuqit.
Ndaj, edhe nuk është fare çudi ,nëse thirren “dobrovolca” edhe “sokolat” si ky me përvojë jugosllave, në gjykatën speciale, për sqarime të paktën mbi mënyrën e dënimit të shqiptarëve me ligjet serbe, i cili për ndryshim nga koha e komunizmit, në pamundësi për ti quar në Tivar për pushkatim si paraardhësit e tij, ai i dënonte ata vet dhe aty për aty -me vdekje, gjithmonë sipas ligjeve penale serbe!
Hajde patriotizëm, hajde….
Dënime me vdekje për bashkëkombësit!… sipas kodit penal “jugosllav” ekzekutoheshin shqiptarët, në luftë?!….
Po ku kishte ligje jugosllave, sidomos sa i takon dënimit të shqiptarëve, ato që të gjitha ishin modifikim i kodeve penale të Serbisë.
Por, kush i porosiste këto dënime? Serbia me ligjet e secilës ai ndante “drejtësinë” kurse Kosovën përdorte vetëm si vend kamuflim për të mbuluar ndihmën e hapur që i bënte pushtuesit me gjykime si këto, apo si mund të arsyetohen veprime të tilla, të cilat për një „Sudi“ me nam bile edhe “kryesori” i “luftës” siç na paska qenë ai, nuk duhej të ishin tërësisht të pa ditura dhe as krejt të pa qëllimta.
Fatkeqësisht njerëz të tillë, mbytën drejtësinë në vend dhe quan deri aty gjendjen sa ndërkombëtarët të kërkojnë formimin e gjykatës speciale vetëm për Kosovën, me mbajtje gjykimesh jashtë saj, nga droja e përzierjes së serishme e „sokolave” në punë ligjesh të cilat ka kohë që janë çrrënjosur nga ta dhe nuk ekzistojnë më fare në Kosovë, aq sa drejtësia nuk kap të dënuarit dhe ligji lë të lirë autorët e krimeve të „pazbuluara”, rast i vetëm dhe unikal në tërë bashkësinë evropiane.
Kësaj i thonë, luaje macë kokën e buallit-18 kg.-rëndë, e po të jetë, kodra-kodra si e “sokolit” dhe me “gunga” të mbushura përplot kode penale serbo-jugosllave, zot-ruana, mund të peshojë shumë më tepër, dhe bëhet jo vetëm e palëvizshme por edhe e pa-prekshme dhe tepër e rrezikshme për shqiptarët e Kosovës!
Ndaj si dënimet me kodet penale serbe, ashtu edhe gjendja kaotike në vend, dëshmojnë katërçipërisht se jo të gjithë “sokolat” luftuan për “liri, por për pushtet dhe pasuri, për të cilat ata nuk “dënuan” vetëm kundërshtarët e konkurrentët, por vranë edhe ardhmërinë e Kosovës në tërësi, kështu edhe 15 vite pas lufte, me dhjetëra mijëra shqiptar, detyrohen të ikin nga atdheu i vet, duke kërcënuar edhe me vetëvrasje, nëse vendet evropiane i kthejnë në shtetin ku sundon “sallamadia” e “sokolave” të “historisë”.
Athua vallë u bë mjaft, apo deri kur kështu, në Kosovë ?!

Filed Under: Analiza Tagged With: c'po ndodh, Gani Qarri, ne Kosove

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 76
  • 77
  • 78
  • 79
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT