• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2015

Karroca simbolike e Ismail Qemalit vendoset në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë

June 29, 2015 by dgreca

Nga Harilla Koçi/Vlore.-Karroca simbolike, me të cilën udhëtoi Ismail Qemali gjatë rrugëtimit të tij drejt Vlorës, në nëntor të vitit 1912, u vendos të dielën në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë në qytetin e Vlorës.

Me këtë rast, në mjediset e këtij Muzeu u organizua një ceremoni për të improvizuar mbërritjen e kësaj karroce me ideatorin dhe Kryeministrin e Pavarësisë së Shqipërisë, ku ishin të pranishëm qytetarë dhe përfaqësues të institucioneve, gazetarë, artistë etj. Mes të ftuarve ishte edhe zoti Behar Selimi, ish deputet në Kuvendin e Kosovës dhe ish gjeneral i Policisë së Kosovës, si dhe pjesëtarët e Ansamblit Folklorik “Lidhja e Prizrenit”, nga Prizreni.

Në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, Istref Dobi, e cilësoi eveniment plotësimin e relikeve të këtij objekti, me një element të tillë sikurse është karroca simbolike, që solli në Vlorë Ismail Qemalin, në ato ditë të lavdishme të nëntorit të 1912-ës, për të organizuar Kuvendin Kombëtar dhe Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Ai falenderoi firmën “Shehaj Metal” që realizoi ndërtimin e karrocës, të ngjashme me atë që shfaqet në filmin “Nëntori i Dytë”, si dhe zotin Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH-së, që mbështeti realizimin e këtij projekti.

Po ashtu, të pranishmit i përshëndeti edhe zoti Behar Selimi që u ndal tek rëndësia që ka për të gjithë shqiptarët, Shpallja e Pavarësisë Kombëtare në 28 Nëntor të vitit 1912.Ansamblet folklorike “Lidhja e Prizrenit”(Prizren) dhe “Ismail Qemali”(Vlorë), dhanë një koncert për të pranishmit.

Karroca simbolike e Ismail Qemalit, do të qëndrojë në oborrin e godinës së Muzeut Kombëtar të Pavarësisë. Në këtë shesh, janë vendosur edhe bustet e anëtarëve të Qeverisë së Pavarësisë.

Filed Under: Histori Tagged With: Ismail Qemali, Karroca, ne Muzeun e Pavaresise

Kosova drejt ushtrisë, diplomojnë kadetët e FSK-së të brezit 2015

June 29, 2015 by dgreca

 Nga Prishtina: Behlul Jashari/

PRISHTINË, 29 Qershor.-Bëhen të gjitha përgatitjet për ushtrinë e Kosovës. Në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj u zhvillua sot ceremonia solemne e diplomimit të kadetëve të Qendrës së Studimeve Universitare (QSU) të Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK),  brezi 2015. Ministri i Ministrisë së FSK-së, Haki Demolli,  e vlerësoi këtë ceremoni si një ditë të veçantë në jetën dhe karrierën e të diplomuarve, por edhe si një ngjarje të shënuar për FSK-në.“Diplomimi dhe gradimi i 11 kadetëve të Qendrës së Studimeve Universitare  të FSK-së, në gradën e nëntogerit, është një ditë tejet e rëndësishme dhe e shumëpritur, jo vetëm për kadetët e diplomuar, familjet e tyre, por edhe për Ministrinë dhe FSK-në në përgjithësi. Është ditë në të cilën po bëhet kurorëzimi i një pune të gjatë dhe tani pas 4 viteve angazhimi, sakrifice, këmbëngulësie, po e realizoni ëndrrën tuaj, duke u bërë solemnisht oficerë të karrierës në uniformën e FSK-së, që është uniformë e shenjtë dhe shumë e çmuar për popullatën e Republikës së Kosovës”, u shpreh ministri Demolli.

Ai vlerësoi shkollimin e kadetëve në Qendrën e Studimeve Universitare të FSK-së. “Doktrina e stërvitjes dhe shkollimi i kadetëve tanë bazohet në tërësi  mbi njohuritë dhe shkencën ushtarake, të ngjajshme me ato të ushtrive tjera bashkëkohore, duke zhvilluar njëkohësisht studime paralele edhe në institucione civile, konkretisht në Universitetin Amerikan të Kosovës”, tha ai.

Ministri Demolli tha se Ministria ka bërë të gjitha përgatitjet për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK).

Kadetët në mënyrë të veçantë i ka përshëndetur dhe përgëzuar, në gjuhën shqipe, komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjenerali Thimoty Orr.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, duke iu drejtuar kadetëve, tha se,  “ju po bëheni pjesë e FSK-së, në një kohë shumë të rëndësishme për Kosovën”.

Pas leximit të urdhrit për gradimin e 11 kadetëve në gradën e nëntogerit solemnisht iu dhanë certifikatat oficerëve të rinjë të FSK-së.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rama i dorëzoi nëntoger Shpend Hajdinit çmimin “Kadeti më i mirë i brezit 2015”. Kadetët e sapodiplomuar dhanë betimin solemn para komandantit të Qendrës së Studimeve Universitare, kapiten Avni Kiqina.
Kadetët e FSK-së kanë kryer studimet në Qendrën për Studime Universitare dhe në Universitetin Amerikan të Kosovës. Atyre sot edhe u janë caktuar detyrat, të cilat do t’i kryejnë në njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, kadetet e FSK, Kosova drejt Ushtrise

Enigma e Hymnit të Federatës “VATRA”

June 29, 2015 by dgreca

Nga Dalip Greca*/

Ne Foto:Banda Muzikore e Vatres, qe me 1920 udhetoi ne Shqiperi dhe me pas u kthye ne Bande e Shtetit Shqiptar/

Federata Panshqiptare e Amerikës ka Hymnin e saj, që në vitet ’20 të shekullit të shkuar. Por saktësisht; kur dhe në ç’rrethana u krijua ky Hymn, nuk gjejmë të dhëna të plota. Në dy historitë e Vatrës, të botuara deri tani, mungojnë këto të dhëna. Nuk ruhet as ndonjë interpretim i incizuari këtij Hymni,(Me rastin e 100 vjetorit te themelimit te  Vatres, maestro Zhani Ciko, do t’i jepte jete Hymnit te Vatres,tek do te realizonte ehde CD, qe tashme ndodhet ne VATER, e sjelle si dhurate nag ish Kryeminstri Sali Berisha)  edhe pse kompozitori i tij, ka vdekur relativisht vonë, në vitin ’76 të shekullit të shkuar dhe ai i ka pasur mundësitë e ruajtjes së incizimit. Vetë Kompozitori gjatë të gjithë jetës u mor me muzikë dhe tregëtimin e pllakave muzikore, kishte dhe kompaninë e tij të prodhimit dhe tregëtimit të incizimeve muzikore; ai nuk na ka lënë ndonjë shënim se ne cfare rrethanash e kompozoi Hymnin dhe kur e kompozoi atë. Ne kohethemelimin e Vatres kompozitori ndodhej ne Rumani.Duhet të jetë një bashkëpunim i viteve ’20 i kompozitorit me autorin e vargjeve, i cili ka jetuar ne SHBA deri aty nga viti 1931. Dimë vetëm faktin se kompozitori iu bashkua Bandës së Vatrës, kur ajo shkoi në Shqipëri pikërisht në vitin 1920.

Është i njohur fakti qe Banda e Vatrës, në vitin 1920, shkoi në Shqipëri dhe i shërbeu shtetit shqiptar, madje shoqëroi dhe Komisionin Ndërkombëtar të Kufijëve në fillimin e mbërritjes së tij në Shqipëri.Bashkë me Bandën e Vatrës shkuan në Shqipëri edhe djemtë e shqiptaro-Amerikanëve për të mbrojtë Atdheun.Trupat mbrojtëse ishin stërvitur në SHBA.Fillimisht Vatra kishte marrë me qera një sallë të madhe në Boston dhe atje mblidheshin vullnetarë nga qytete dhe katunde të ndryshme të Neë Englandit për t’u stërvitur ushtarakisht. Komandanti i trupave vullnetare ishte Aqif Përmeti, i cili shkoi në Shqipëri së bashku me vullnetarët në kohën e Luftës së Vlorës. Sipas Petro Ktonës, ishin 200 vullnetarë që u nisën drejt Shqipërisë. (P. Ktona ”Misioni i Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA dje dhe sot”, New York 1978).Aqif Përmeti nuk u kthye më në SHBA, ai hyri në shërbim të ushtrisë shqiptare si oficer i larte dhe i shërbeu Kombit.U gradua gjeneral dhe më 1945 u egzekutua nga Qeveria Komuniste e Tiranës.

Autori i tekstit te Hymnit ishte prefekti i parë i Vlorës

Le të kthehemi tek Hymni; per t’iu pergjigjur pyetjes se cilët janë autorët e tij, duke shpresuar se së shpejti do të saktësojmë edhe kohën kur u kompozua e kur u egzekutua për të parën herë ai.Teksti i Hymnit të Vatrës është shkruar nga Refo Çapari, një figurë e njohur për kohën.Historiani i njohur çam Ibrahim D Hoxha dëshmon se Refo Çapari vinte nga familja shumë e njohur Çapari e Çamërisë.Tashmë,që nga viti 2006 kemi një monografi që i kushtohet familjes dhe fisit Çapari, një nga katër dyert më të mëdha e më të rëndësishme në Çamëri. Gjatë 150 vjetëve të vazhdimësisë së saj të pandërprerë, kjo familje lëshoi mjaft rrënjë, duke krijuar kështu një pemë madhështore shumëdegëshe. Prej saj dolën plot prijës luftarakë, politikanë, diplomatë dhe burra të tjerë të zotë, ku ndër brezat e fundit u dallua Refo Çapari, i cili u shqua në përdorimin e penës.(IH)

Sjellim këto të dhëna informuse për autorin e vargjeve të Hymnit të Vatrës, Refo Çaparin (1884-1944); ishte një politikan i njohur shqiptar për kohën dhe njëkohësisht udhëheqës po aq i njohur fetar. Çapari kishte krijuar personalitetin e tij duke shërbyer si i pari prefekt i Qarkut të Vlorës dhe biograf i parë i Ismail Qemalit. Ai konsiderohet të jetë i pari përfaqësues i Besimit Bahá’í në Shqipëri.
Refo Çapari ka lindur në veriperëndim të Greqisë, Çamëri. Në fund të viteve 1900 Çapari ishte diplomuar nga shkolla e ligjit të Stambollit. Pas Deklaratës së Pavarësisë shqiptare me 28 Nënëtor 1912, Çapari u bë i pari prefekt i Qarkut Vlorë. Gjatë Luftës së Parë Botërore ai kishte emigruar në SHBA, ku ishte konvertuar në Besimin Bahá’í, ç’ka sipas arkivit Bahá’í, i takon vitit 1928. Mësojmë po ashtu se në vitin 1931 ai u kthye në Korçë, ku ka përkthyer tekstet Bahá’í në gjuhën shqipe. Në 1938 Çapari filloi botimin në Korçë dhe Tiranë të revistës Bahá’í “Pendë supreme” (shqip: pena siprore).
Përkthimi i parë i publikuar i letërsisë Bahá’í në gjuhën shqipe “Fjalët e Fshehura”,është përkthyer nga Refo Çapari (Arkivi i Qendrës Botërore Bahá’í).
Në një letër të dat 19 gusht 1933, Refo Çapari shpall botimin në shqip të librit të Esslemont “Bahá’u’lláh-u dhe një epokë të re”. Refo ishte martuar me Fiqrije Çapari, nënë e dy vajzave, e cila u gjet ne Prizren shumë vite pas vdekjes së Refos.

Mendohet se Çapari ka ardhur në SHBA në vitet 1914-15 dhe është kthyer më 1931, ndërkohë që kompozitori i Hymnit, pasi kishte shkuar në Shqipëri me Bandën e Vatrës kishte ardhur në SHBA më 1926.Se kur dhe nëç’rrethana lindi bashkëpunimi për Hymnin e Vatrës ende nuk mund ta themi me saktësi, veçse njihet bashkëpunimi i tij me Vatrën.Nëse Hymni i Vatrës është egzekutuar për të parën herë pas kthimit të kompozitorit Asllani nga Shqipëria në SHBA, do të jetë më lehtë që të përcaktohet koha e bashkëpunimit.

Kompozitori , muzikant i shquar nga Leskoviku, i diplomuar në Stamboll dhe Bukuresht

Kompozitori i Hymnit është një muzikant që kanë lënë gjurmë pas, jo vetëm në pentagramin ku janë vendosur notat, që kanë muzikuar Hymnin e Vatrës, por diçka më shumë. Kompozitori që muzikoi vargjet e Hymnit të Vatrës quhej Ajdin Asllan.Në shënimet e lëna në një album festiv, në ato që Vatra botonte me urime dhe me fotografi të vatranëve dhe në tërësi të shqiptarëve të Amerikës,gjejmë gjurmët e jetshkrimit të tij. Pikërisht në Albumin festiv të vitit 1953-54, kompozitori i Hymnit ka lënë disa shënime biografike që hedhin dritë në jetën e tij. Përmes atyre shënimeve informohemi se Ajdin Asllan, kishte lindur në rrethinat e Leskovikut me 12 mars 1895. Studimet i pat kryer në shkollën turke dhe greke të vendlindjes, pasi shkollë shqipe nuk kishte përreth. Mësimet shqip dhe ndjenjat atdhetare, siç shprehet në shënimet e veta biografike, Ajdini i mori prej prindërve, të cilët i përcollën ndjenjat kombëtare dhe dashurinë për gjuhën shqipe.Ndërkohë që mësimet e gjuhës shqipe ai i mori privatisht prej patriotit Stefan K. Postenani, që ishte nga Postenani, Katundi i krahinës së Leskovikut(shënim i tij).

Pas luftës Ballkanike, Ajdin Asllani dhe familja e tij u gjendën në një kolonë të gjatë refugjatësh, që u detyruan të linin trojet dhe vatrat e të parëve pas sulmeve të grekëve, që dogjën dhe shkatërruan fshatra të tërë.Familja u vendos në Stamboll të Turqisë. Prindërit pasi u sistemuan në Stamboll, vendosën që ta shkollonin të birin.Dëshira e tij ishte muzika, prandaj prindërit e regjistruan në shkollën e muzikës, e cila i jepte përveç njohurive teorike edhe mundësi praktikimi.Djali kishte talent dhe prindërit e mbështetën. Më 1915 Ajdini, që tashmë ishte 20 vjeçar e la Turqinë dhe shkoi në Bukuresht të Rumanisë, ku emigracioni shqiptar ishte i më i madh në numër, tepër i organizuar dhe vendimtar për formësimin e çështjes kombëtare së bashku me komunitetin shqiptar në Turqi dhe Egjypt. Ajdini edhe në Bukuresht vijoi studimet për muzikë. Në shënimete veta ai shkruan se në Bukuresht “punoja në varjete për të nxjerrë harxhet dhe për të plotësuar praktikën për të cilën kisha aq shumë nevojë.”

Nga Rumania, instrumentist në Bandën”Vatra” në Shqipëri

Në Bukuresht Ajdinit i dhanë kurajo dhe e ndihmuan shumë shqiptarët, por ai veçon ndihmën që i dhanë “Vëllazëria korcare”, Peço Korça dhe Themistokli Bozhani.Tashmë ai ishte plotësuar me njohuri muzikore dhe fryma kombëtare ishte bërë pjesë e shpirtit dhe ndërgjegjes së tij.Ndërkohë emri i Federatës Panshqiptare të Amerikës kishte pushtuar zemrat e djalërisë shqiptare.Ajdini dëgjon se Banda Kombëtare që kishte krijuar Vatra në SHBA së bashku me vullnetarët e stërvitur në Amerikë, po shkonin në Shqipëri.Edhe atij i rrahu zemra nga krenaria dhe devocioni kombëtar. Mori rrugën dhe shkoi në Shqipëri dhe iu bashkëngjit bandës. Këtë moment, vetë Ajdini e përshkruan kështu:” Më 1920, kur Banda “Vatra” shkoi në Shqipëri bashkë me vullnetarët, me zjarrësinë që kisha për kombësinë t’onë dhe për vendlindjen time vajta në Shqipëri, ku pa humbur kohë mora pjesë në Bandën Vatra, që në atë kohë u emrua Banda Presidenciale.”Ajdin Asllani qëndroi në radhët e Bandës së Vatrës deri në vitin 1926, moment kur merr rugën e gjatë për këndej Atlantikut.Pra u vendos në Amerikë.Nuk hoqi dorë nga pasioni i tij, muzika, ajo përbënte profesionin e tij. Përë gjatë të gjithë kohës e ushtroi profesionine muzikantit duke u bërë pjesë e orkestrave të ndryshme ose duke i drejtuar ato. Pa kaluar shumë vite ai krijoi orkestrën e vet.Madje për më shumë se 25 vjet ai arriti që të ketë kompaninë e vet, me të cilën prodhonte dhe tregtonte pllaka muzikore.Kompaninë e tij e kishte pagëzuar me emrin”Balkan Phonograph Record Co.”, ku prodhonte pllaka në gjuhën shqipe dhe gjuhët e tjera të Ballkanit.Në shënimet e shkurtra biografike, ai ndjehet krenar që është shqiptar dhe e thekson me dorën e shkrimin e tij se: ”Jam danga nga Postenani i Leskovikut”. Kypohim ka shumë rëndësi pasi janë bërë përpjekje që krijimtarinë e tij t’ia atribojnë tjetërkujt kombesie, vecanerisht asaj greke.

Trashëgimia në SHBA: Rekorde Shqiptare, regjisor “Leskoviku”

Gjenden CD që vërtetojnë autorsinë e Ajdin Asllanit me pseudonimin ”Leskoviku” .Në to shkruhet:”Muzikë shqiptare-Regjisor Ajdin Asllan-Leskoviku”. Ka shumë mundësi që ai përdorte pseudonimin muzikor”Leskoviku”.Gjate kerkimeve të mia kam gjetur dhe kam shijuar krijime të tij si “Valle me Klarinetë dhe llautë “si dhe “Valle devollitçe me gërnetë”.Sipas shënimeve shoqëruse në klarinetë luan vetë instrumentisti virtuozë, që lunate në disa instrumente, Ajdin Asllan.Kompozitori i Hymnit të Vatrës kishte lindur me 1895 dhe ndërroi jetë në SHBA më 1976. Ai ishte një multi instrumentist që kishtë lënë gjurmë në jetën muzikore të emigrantëve nga shumë vende të Ballkanit.Është e vërtetuar se ai ishte mjeshtër në shumë instrumente si: Klarinetë, Oud, llautë, lauto, ishte njëkohësisht instruktor dhe pronar i pavarur. Orekstra e tij ishte pjesë e skenave të klubeve të natës dhe ishte shumë i kërkuar nga komunitetet shqiptare, turke, greke, madje dhe armene në Avenunë e 8-tënë Neë York City nga mesi i shekullit 20-të deri në vitet ’60.

Ka të dhëna se Ajdin Asllan në vitet ’30 dhe ’40 të shekullit të shkuar ka bërë disa incizime që i dhanë famë. Dikur, ai ka pasë dhe një dyqan të njohur, që tregtonte pllaka me muzikë ballkanike. Dyqani ishte në 42 Rivington në anën e ulët dhe me pas, përfundimisht u vendos në 27 street, mes avenusë 7 dhe 8. Prodhimet e tij shënoheshin me inicialet me etiketën “Me-Re-Rekorde Shqiptare.”

Le të kthehemi tek Hymni i Vatrës. Vargjet shprehin shpresën se lindja e Vatrës do të shkallmojë errësirën dhe skllavërinë, do të sjell një diell plot shkëlqim. Hymni bën thirrje për bashkim rreth Vatrës.

Ja vargjet e plota:

HYMNI I VATRËS

Vëllezër u dërmua

Errësir’ e Skllavërisë.

Lindi me dirsë nderi,

Një djellë plot gëzim

Vatra kështjell’ e dashur,

E mëmë Shqipërisë

Me dashuri na mblodhi,

Rreth Shkabës në mërgim.

Për dashuri dhe për bashkim,

Rreth Vatrës të pa ndarë!

Bashkohuni me një mejtim,

Si burra shqiptarë!

*(Dielli-Arkiv)

Filed Under: Histori, Vatra Tagged With: Ajdin Asllan-muzika, dalip greca, Hymni i vatres, Refo Capari, teksti

DITA E PARE E ALARMIT NE GREQI

June 29, 2015 by dgreca

GREQIA NË ALARMIN E SHPËRBËRJES DHE RRËNIMIT…/

Shënime në ditën e parë të kapitullimit të Greqisë/

Nga Abdurrahim ASHIKU-ATHINE/

Banka Evropiane vendosi për të ngrirë fondet drejt bankave të Greqisë ku sistemi financiar grek gjendet pranë rrënimit…
Sot në mëngjes qepenat e hekurt të të gjitha bankave në Greqi kanë rënë përtokë si në një ditë të madhe zie.
Flitet që kështu do të qëndrojnë deri më 6 korrik, të hënën pas referendumit popullor të nxitur nga Qeveria Cipras.
Radhë të gjata pranë bankomateve në shpresë të tërheqjes së “bukës së ditës”, vetëm 60 euro. Kjo në rastin e lumtur kur në sirtarët e bankomatit ka para…
Në disa bankomatë radha ishte shthurur, ishin mbaruar paratë…
Radhë të gjata për karburant në të gjitha pikat e shpërndarjes. Ke të drejtë të marrësh vetëm 20 euro benzinë, me para të thata në dorë. Kartat e kreditit nuk kanë vlerë…
Dyndje në aeroporte nga turistët në kthim urgjent drejt vendbanimit të tyre në të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian…
Alarm në sistemin zyrtar të turizmit. Zëdhënës deklarojnë se për turistët nuk ka kufi pagesash nga bankomatët…
Greqia është në kolaps. Greqia është deklaruar e rrënuar ekonomikisht.
Po kush paguan për këtë gjendje të Greqisë?
Pamja që zotëronte sot Athinën (dhe të gjithë Greqinë), nga vëzhgimi i thjeshtë me sy, tregon se ata që e paguajnë janë njerëzit e thjeshtë, ata që rrinë në radhë për “bukën e ditës”, për “benzinën e ditës”, për shpenzimet për energjinë elektrike, ujin, qiranë…
Në radhë për 60 euro-t e “bukës së ditës” nuk sheh ata që e iniciuan dhe e çuan në këtë derexhe Greqinë, që ia ulën kokën dhe ia thanë të ardhmen.
Greqia nuk sheh të ardhme. Ajo është në kaos. Është para një referendumi ku sido që të votojë, t’i thotë “JO” apo “PO” shpresat i ka të shuara.
Evropa, nëpërmjet “zërave të kamur” është e pranishme në të gjitha dritaret e vogla të televizioneve greke.
Tjerr lesh për të nxjerrë fill në furkë pa bashkë.
Gjendja e tanishme në Greqi, rrënimi ekonomik e shpirtëror i saj, është në baraspeshe midis politikës greke dhe evropiane, midis marrësve dhe dhënëseve të parave, të miliardave.
Evropa kërkon paratë që ka dhënë. Greqia refuzon që t’i japë. Nuk ka ku t’i marrë. Taksat, uljet e pagave dhe të pensioneve, rritja e TVSH për produktet e domosdoshme që mbajnë jetën gjallë kanë një kufi prekjeje. Evropa këmbëngul që këto të ulen, që populli të paguajë dhimbshëm ndërkohë që ata që e çuan Greqinë në këtë derexhe, të pasurit, miliarderët, paratë e krimit dhe të korrupsionit, të vjedhjes së madhe të fondeve akorduar ndër dhjetravjeçarë, janë ngrirë në banka të njohura për hermetikshmërinë e tyre dhe dyert e dritaret e mbyllura.
Evropa i ka dhënë paratë por nuk ka kontrolluar kurrë ku shkuan dhe si u përdorën, nuk ka kontrolluan se si ato u rikthyen në bankat nga ishin marrë në llogari private të pushtetarëve. Nuk kontrolloi se në Greqi djali apo vajza, për 15-20 vjet nga vdekja e prindit merrte pensionin e tij. Nuk kontrolloi se në Greqi askush nuk paguante taksë për shtëpinë, për pagën që merrte, për sipërfaqet e mbjella me ullinj, vreshta, drithëra, pambuk, duhan, agrume…
Ishte jashtë vëmendjes së donatorëve evropianë kontrolli ndaj parave në adresë të zhvillimit të bujqësisë dhe blegtorisë ku një pronar me 10 ullinj shkruante se ka njëmijë, një blegtor me 10 dele shkruante se ka pesëqind…
Evropa që këto në vendet e veta i mat këto me mikrometër nuk e kërkoi dhe nuk e kontrolloi që kjo gjë të bëhet edhe në Greqinë anëtare e Bashkimit Evropian, anëtare e Evropës së Bashkuar, pjesë e të njëjtit sistem monetar, euros.
Greqia livadhisi si deshi, shiu në lëmë pa grurë, mori dhe nuk dha, vodhi ditën me diell…
Populli grek ka hyrë në një tunel pa grykë dalje, udhëton në errësirë pa një qiri të ndezur.
Evropa, nga sa shoh e dëgjoj nga zërat që më vijnë në ekranin e vogël nga Brukseli, është në alarm.
Një personalitet i saj fton popullin grek të votojë “PO” ?!
Njëqind vjet të shkuara një filozof botonte një libër, librin me titullin “Mbi parullën e Shteteve të Bashkuara të Evropës”. Konkluzioni i tij ishte se një Evropë e Bashkuar në kushtet e kapitalizmit është utopi…
Evropa u bashkua…
Evropa po shpërbëhet…
Greqia është hallka e parë e zinxhirit të saj të dobët bashkues…
Mbas saj mund të këputen hallka të tjera…
Mbase hallkën greke, në ditët në vijim, Evropa e pasur do të mundohet ta saldojë me një pikë çeliku apo bronzi.
A do të mbajë?
Dyshoj…
Shpresoj…
Shpresa është e vetmja dëshirë njerëzore që nuk vdes…
Ndërsa ndjek fytyrat dhe zërat në ekranet e vegjël të televizioneve grek mendimi më ndalet tek një e katërta e shqiptarëve, tek mërgimtarët që në këtë rrënim të Greqisë e ndjejnë veten si “kalit kur e godasin në kokë”. Nuk di nga të shkojë…

Abdurahim Ashiku

Athinë, 29 qershor 2015

Filed Under: Rajon Tagged With: Abdurrahim Ashiku, athine, Kriza greke

TARAZHI I MIRDITES ME KABINET MODEL PER MUZIKEN

June 29, 2015 by dgreca

NGA AHMET ZANI*/

Në një fshat të Mirditës nxënësit ë shkollës 9-vjeçare do ta nisin programin mësimor nën tingujt e himnit të flamurit, mbase jo në tërë shkollat e vendit dhe mund të ishte harruar. Ky ritual ma mjaft ndjenja patriotike, por dhe në ndjenjën e mësiesve të kësaj shkolle të një fshati të vogël asnjëherë nuk do të harrohet. Një shkollë me një numër të vogël nxënësish janë të apasionuar të këndojnë këtë himn madje me ndjenjë nga tërë fëmijët. Por jo vetëm kaq pasi nxënësit do të futen nëpër klasat e tyre në kabinetin e muzikës aty ku mësuesi Nikoll Tusha ka një kabinet shumë të veçantë aty sërish nxënësit do të rikëndojnë dhe një herë tjetër himnin kombëtar. Kësaj radhe himni do të këndohet me instrumentat popullor të shoqëruara nga mësuesi dhe intrumentisti Nikoll Tusha.

Por kush është njeriu që ka ngritur këtë kabinet me shumëllojshmëri të veglave muzikore në këtë shkollë të Tarazhit.

E njohur nga kultura e gurrës së këngës popullore krahina e Mirditës është e larmishme historikisht në këngët popullore ku kanë dalë një mori këngëtarësh dhe artistë, ndërsa vlerat janë të ruajtura në tërë zonën e Mirditës. I ndjeri poeti Gjok Beci mjeshtër i madh nuk mund të harrohet për mjeshtërinë e poezisë.

E ndërsa gjurmët e poetike do të kalojnë nndër breza Nikoll Tusha prej 40 vitesh punonjës në sektorin e kulturës në Mirditë dhe mësues në shkollën e Tarazhit po lëshon këmbana të kulturës bashkohore të ndërthurura me atë të historisë ku vlerat, tradita por më së shumti instrumentat e tij janë një provë dhe vlera të çmuara në njërën nga klasat e shkollës.

Kabineti i muzikës është ndërtuar në vitin 2011 në prag të 100 vjetorit të Pavarsisë së vendit dhe me shumë përkushtim ka arritur të vendosë një mori veglash muzikore nga më të hershmet dhe deri tek të sotmet.

Tusha me shumë pasion do të mundë të tregojë në detaje për tërë instrumentat që figurojnë në klasën tashmë si kabinet. Është me karakter funksional ( mësimi për nxënësit do të marrë trajtën me tërë temat ilustruese) dhe karakter muzeal, me materiale të vjetra. Ky kabinet është konceptuar në tre pjesë si postrat ilustruese, ku janë disa foto nga artistë vendas nga thuajse të gjitha kohërat, si ndejshmëri e këngës nga këngëtarë të njohur. Janë dhe notat mozikore të solfezhit që mund të spjegohet mësimi në një pentagram për ngjyrat e muzikës kudo si në vendin tonë por në çdo shtet të botës, pasi janë të njëjta notat e muzikës, pasi siç thuhet në një këngë për fëmijë: gjuhën e muzikës e njeh gjithë bota. Temat mësimore janë objekte të muzikës moderne dhe relike si mundësi në përvetësimin e proçesit të arritjes dhe përvetësimit nga nxënësit. Temat muzikore arrihen të spjegohen me audio dhe video si njohuri profesionale të një kabineti të tilla që arrin përmasat të një pasurie të madhe kulturore.

Stendat e konceptuara vijnë të përgatitura në funskion të programit mësimor dhe objektet muzikore  janë nga më të vjetrat si ( briri, poliku etj.) dhe deri tek instrumentat e kohës si kitara,  organo, pa harruar traditën mirditore si sharkia, çiftelia e temperuar, çiftelia e zakonshme, çeftelia për fëmijë etj.

Në mirditë është kënduarkënga e polikut, ndërsa në këtë kabinet kjo i përket reth viteve 1700.

Për vlerat e këtij kabineti muzikor do të flasin kolegët, miqtë e  Nikollës, duke e vlerësuar njeriun që po përçon tek brezat traditën e kulturës në këngë dhe instrumenta popullorë nga më të hershëm.

Ky është një kontribut personal me vullnetin e tij për profesionin e muzikës dhe instrumentit, pa ndihëm e institucuioneve apo dhe nga komuniteti i zonës. Ndonëse dhe pak kohë i kanë mbetur këtij artisti që ka një jetë të tërë në përçarjen e traditës muzikore, pai një ditë ai do të lërgohet nga këta nxënës dhe kjo shkollë nga mosha e pensionit. Kabineti i ndërtuar nga vullneti i tij a thua do të përçohet nga ndonjë pasardhës si mjeshtri Nikoll Tusha nga Tarazhi i vogël i Mirditës.

* Bashkëpunëtor i Diellit, Shqipëri

 

Filed Under: Sociale Tagged With: Ahmet Zani, kabinet muzike, Tarazhi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 79
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT