• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2015

Kadetë Amerikanë dhe nënoficerë shqiptarë njohin kulturën dhe gjuhën e përbashkët

June 13, 2015 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/U zhvillua më datën 12 qershor, në Ministrinë e Mbrojtjes,  ceremonia e realizimit të programit tre javor për shkëmbimin kulturor dhe gjuhësor midis ushtarakëve të dy vendeve. Mori pjesë dhe Ambasadori i SHBA, Donald LU.

Në kuadër të planit të bashkëpunimit midis Forcave tona të Armatosura dhe Ushtrisë Amerikane, në Komandën e Doktrinave dhe Stërvitjes si dhe disa reparteve të FA, nga data 20 maj deri më 12 Qershor u realizua Programi i Shkëmbimit Kulturor dhe Gjuhësor i Përbashkët, i Kadetëve Amerikanë dhe ushtarakëve Shqiptarë. (CULP 2015). Ky program i vecantë ka tre vjet që zhvillohet në vendin tonë dhe bazohet në tre drejtime kryesore:-asistencë humanitare, trajnim i përbashkët ushtarak, si dhe trajnim i gjuhës angleze. Cdo vit në të janë përfshirë dhjetra ushtarakë shqiptarë dhe amerikanë, ndërsa sivjet rreth 23 kadetë amerikanë, (midis tyre dy shqiptaro-amerikanë) dhe 34 shqiptarë të njësive e reparteve të ndryshme të FA, të cilët për një periudhë afro dy mujore, ndoqën këtë program gjithpërfshirës. Programi i zhvilluar këtë vit, përfshiu dhënie asistence në zona e vende specifike të Shqipërisë, si jetimore, klinika, shkolla për fëmijet me aftësi të kufizuar; trajnime të përbashkëta ushtarake si dhe mësim të gjuhës angleze për terminologjinë profesionale ushtarake. Gjithashtu, një aspekt tjetër i këtij program ishte dhe shkëmbimi i njohurive kulturore dhe qasje drejt kulturës shqiptare, e cila u realizua nëpërmjet vizitave kulturore në vende te ndryshme  të Shqipërisë.  Përsa i përket  dhënies së asistencës humanitare, programi filloi me punën konkrete për përmirësimin dhe zbukurimin e godinës së Qëndrës Sociale për fëmijët romë ”Shtëpia e ngjyrave”, në Tiranë (ARSIS). Për këtë u punua konkretisht për sistemimin e ambjenteve të jashtme, lyerje fasadash dhe mjedise të brendshme, rregullime të brëndshme etj. Fillimisht në mjediset e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, u zhvillua një takim i kadetëve amerikanë me SHSHPFA, Gjeneralmajor Jeronim Bazo. Në takim morën pjesë dhe drejtuesi i programit CULP 2015, N/kolonel Priester, Zv.shefi i Zyrës së ODC, Major Richard Kartcher, Komandanti i KDS, Kolonel Ruzhdi Kuçi, koordinatori për palën shqiptare, N/kolonel Behar Mara etj. Nëpërmjet një bashkëbisedimi tepër miqësor midis kadetëve amerikanë dhe Gjeneral Bazo-s, u dha një panoramë e përgjithshme me konceptin e arsimimit profesional ushtarak shqiptar, programin pilot, bashkëpunimin dypalësh midis Gardës së New Jersey dhe FA të RSh, rekrutimi i të rinjve në radhët e FARSH, lidhja e ushtrisë me shoqërinë civile etj. “Jam i privilegjuar të diskutoj me ju, tha gjeneral Bazo, të ndaj mendime e ide me ju, sikundër më vjen mirë e ndjehem krenar që në radhët tuaja ka dhe shqiptarë”. Drejtuesi i këtij programi, N/kololonel Priester, në këtë takim shprehu falenderimet e tij për mbështetjen e ofruar nga FA shqiptare në realizimin me sukses të këtij programi me përfitime të ndërsjellta për të dy vendet, në drejtim të ndërgjegjësimit kulturor, rritjes së aftësive ushtarake dhe gjuhësore etj. Programi u bazua në kuadër të kurrikulave të Korpusit Trajnues të Oficerëve Rezervistë, ku trajnimi për ndërgjegjësimin kulturor merr një rëndësi të vecantë. Ai siguron mundësi që liderët e ardhshëm të kultivojnë aftësitë e tyre drejt mjediseve të ndryshme kulturore, për të vlerësuar dhe respektuar ide të ndryshme, tradita dhe njerëz të ndryshëm. Gjithashtu, nëpërmjet njohjes së kulturave të ndryshme të zhvillojë një partnership të ngushtë me partnerët  e aleatët si Shqipëria. Sic më njofton N/kolonel Behar Mara, kordinator i këtij programi për këtë vit, gjatë tri javëve të qëndrimit në Shqipëri, kadetët patën mundësinë të njihen nga afër me kulturën shqiptare, historinë, gjuhën shqipe si dhe Forcat e Armatosura të RSH. Njëkohësisht ata u stërvitën së bashku me ushtarakë të Forcave të Armatosura. Në këtë kuadër kadetët amerikanë zhvilluan një varg vizitash në reparte dhe qytete te ndryshme të vendit tonë. Fillimisht ata vizituan mjediset e batalionit të Forcave Speciale të Forcës Tokësore (FT), ku u njohën me strukturën, misionin dhe detyrat specifike të batalionit të Forcave Speciale. Më pas miqtë nga SHBA kryen një vizitë të shkurtër në Muzeun e Forcave Speciale, ku u informuan shkurtimisht me historikun, stërvitjet e ndryshme si dhe misionet e zhvilluara nga ky efektiv.
Studentët amerikanë vazhduan vizitën e tyre në mjediset stërvitorë të bfs, ku ndoqën nga afër edhe në një demonstrim të kryer nga batalioni i Forcave Speciale dhe Forcat Speciale RENEA, (Reparti i Neutralizimit të Elementit të Armatosur). Gjithashtu kadetët amerikanë zhvilluan një vizitë në Bazën Ajrore Farkë, ku u njohën me historikun, misionin, detyrat, strukturën, aktivitetin aktual, modernizimin dhe planet e zhvillimit të kësaj Baze. Në vijim të programit kadetët amerikanë vizituan dhe Komandën e Forcës Detare ku u njohën me detyrat dhe misionin e kësaj Force. Më pas studentët amerikanë zhvilluan një vizitë në bordin e anijes “Iliria”, ku u njohën me kapacitetet dhe me të dhënat e taktike- teknike të anijes. Në përfundim të cdo vizite, drejtuesi i ekipit  të kadetëve amerikanë N/kolonel Priester, u shprehu ushtarakëve shqiptarë, falënderimet e tij të përzemërta, për pritjen dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve tona. Krahas programit me ushtarakët shqiptarë grupi i kadetëve amerikanë zhvilloi vizita në qytetin e Tiranës, Krujës, Durrësit, Vlorës, etj, ku u njoh me historinë, muzeumet dhe bukuritë e vendit tonë. Ndërkohë theksojmë se realizimi i objektivave të këtij programi pati kujdesin e drejtuesve ushtarakë të gjithë niveleve e Forcave. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral-major Jeronim Bazo gjatë takimeve me kursantët amerikanë ka shprehur mbështetjen e FARSH për bashkëpunimin e suksesshëm midis dy vendeve. Gjeneralmajor Bazo vlerësoi programin e përgatitjes së oficerëve të rinj shqiptarë, një projekt i nisur me Gardën Kombëtare të New Jersey. Oficerët e certifikuar gjatë këtij programi tashmë janë duke shërbyer në radhët e Forcave të Armatosura si dhe duke drejtuar e stërvitur trupat sipas modelit të përfituar në SHBA. Ky kurs është vijim i bashkëpunimit të ngushtë dhe të suksesshëm midis FARSH dhe Gardës Kombëtare të Nëw Jersey. Mbas mbylljes me sukses të këtij programi, në auditoriumin e Ministrisë së Mbrojtjes, më datën 12 qershor, u zhvillua një ceremoni e veçantë, ku vec 23 kadetëve amerikanë dhe nënoficerëve shqiptarë, morën pjesë dhe Zvendësministri i Mbrojtjes, z.Petro Koçi, Ambasadori i SHBA në Tiranë, z.Donald Lu, Zvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, Gjeneralmajor Viktor Bërdo, Drejtorë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA etj. Zvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, në përshëndetjen e tij, ndër të tjera, u shpreh: “Po i drejtohem kadetëve amerikanë dhe po ju them, se vërtet ju vini nga universitete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, por pas një përvoje 3-javore këtu, shpresoj të ktheheni me një opinion unik e të përbashkët për Shqipërinë dhe shqiptarët, se Shqipëria është një vend i bukur, se qytetarët e saj janë mikpritës dhe evropianë që vlerësojnë se, SHBA,-janë aleati më i rëndësishëm gjeostrategjik për shqiptarët. Pjesmarrësit në këtë ceremoni i përshëndeti edhe ambasadori i SHBA në Tiranë, z.Donald Lu. “Suksesi i kësaj vizite nuk do të kishte qenë e mundur pa mikpritjen e jashtëzakonshme të shqiptarëve, – nënvizoi ai, – prandaj më lejoni t’ju shpreh falënderimet më të veçanta. Shqipëria është e njohur për mikpritjen dhe njerëzit e saj miqësorë. Jam informuar se disa të rinj amerikanë kanë pasur një përvojë të mrekullueshme për shkak të mbështetjes tuaj. Ata janë argëtuar shumë gjatë qëndrimit dhe udhëtimeve që kanë zhvilluar me ju. Jam shumë i lumtur që dy prej kadetëve amerikanë janë shqiptare etnikë. Ata përfaqësojnë atë që është më e mira e lidhjes mes dy vendeve tona”. Ai u tha  kadetëve se, shumë prej jush do të kthehen në Shqipëri pas disa vitesh për t’u ritakuar me miqtë që keni bërë gjatë qëndrimit tuaj këtu. Ju jeni aleatë të NATO dhe mund të shërbeni krah për krah me njëri-tjetrin kudo në botë. Në fund të ceremonisë Zvendësministri Koçi dhe Ambasadori LU, shpërndanë certifikatat për kadetët amerikanë dhe ushtarakët shqiptarë që u dalluan në përvetsimin e këtij programi.

Shënim:-Njoftoj lexuesit e gazetës “Dielli”, se cdo shqiptar ose shqiptaro-amerikan, që ka pasur të afërm, pjestar të familjes ose vetë personalisht në Ushtrinë amerikane apo programe të përbashkëta me të, mund të bëhet pjesë e librit më të ri “Bashkëpunimi ushtarak SHBA-Shqipëri, gjatë shekullit të XX-të”. Mund të më kontaktojë në adresën time të emailit:- shefqetkercelli10@gmail.com. Faleminderit për mirëkuptimin!

Filed Under: Kulture Tagged With: adete amerikane, gjuhe e kulture, Shefqet Kercelli, shqiptare

Mijëra protestues kundër diskriminimit të shqiptarëve në Shkup

June 13, 2015 by dgreca

Mijëra shqiptarë sot protestuan në Shkup në organizimin të lëvizjes politike “BESA”/

Protesta ka nisur nga parku i Çairit duket përfunduar në urën “Goce Dellçev” disa metra larg Qeverisë.Protestuesit brohorisnin “Stop dhunës ndaj shqiptarëve”, “Ali tradhtari”, “Besa –Besë besën e kemi dhënë!, “UÇK” , etj në shoqërimin edhe të këngëve patriotike.
Marshi protestues u sigurua edhe nga dhjetëra aktivistë të Lëvizjes “BESA” dhe shoqatave të tjera pjesëmarrëse në protestë.
Anëtari i Këshillit Koordinues të Lëvizjes BESA, Skender Rexhepi deklaroi se prania e një numri kaq të madh dëshmon se Këshilli Organizativ e bëri mirë punën duke treguar se shqiptarët dinë të bashkohen për të mbrojtur të drejtat e tyre.
“Këshilli organizativ e ka bërë këtë protestë sepse nuk do të ketë më shkelje të shqiptarëve. Mjaft më me vrasje burgosje, pse mos jemi bashkë dhe të jemi me popullin. Deri sa do përmbushen kërkesat tona ne nuk do të ndalemi. Ky shtet duhet të formatohet dhe të jetë i barabartë”, deklaroi Rexhepi në skenën e ngritur pranë urës disa metra larg Qeverisë.
Në këtë protestë me moton “Protestojë Shqip” u kërkua dorëheqja e Qeverisjes aktuale, zbardhja e të gjitha të vërtetave për shqiptarët dhe kërkesa për një marrëveshje të re në Maqedoni. Protesta u vlerësua tejet masive nga organizatorët dhe se në përkrahje të saj ishin dhjetëra shoqata dhe thirrje të personaliteteve publike shqiptare. Protestës nuk i`u bashkëngjitën dy partitë e tjera RDK dhe Lëvizja për Reforma në PDSH e Ziadin Selës, për shkak të mosmarrëveshjeve midis tyre. (INA)

Filed Under: Kronike Tagged With: mijera, protesta ne Shkup, shqiptare

SHENJTI PORTUGEZ I SHQIPTARËVE

June 13, 2015 by dgreca

Nga Eugjen MERLIKA/

“Ne të lutemi o Zonja jonë, o shpresa e jonë ! Ti që je Ylli i detit na ndriço ne, të përplasur nga stuhia në detin e jetës ; Na ndriço në molo e n’orën e fundit na mbro me ngushëllimin e pranisë tënde, që të mund të arrijmë të gëzuar lumturinë pa fund.Këtë nder të na dhurojë Ai që ti e mbajte në prehërin e bekuar dhe i dhe qumështin me gjirin Tënd të Shenjtë. Atij nder dhe lavdi në shekujt e përjetshëm. Amen!”

Lutje Virgjëreshës Maria nga Shna Ndou

Që nga thënia e Marksit “Feja është opium për popullin” e deri në vetëshpalljen e Shqipërisë si i pari dhe i vetmi shtet ateist në planet, kaloi më shumë se një shekull. Qe një shekull që punoi për të realizuar, nëpërmjet luftërave botërore, sistemin komunist në botë. Një nga pikat më nevralgjike të strategjisë së tij qe lufta kundër besimevet fetare. Në Shqipëri ajo u shfaq në përmasa e mizori të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër të Evropës. Martirizimi i klerit shqiptar, sidomos i atij katolik, nuk i pati zili aspak Neronit, mbasi i tejkaloi në cilësi e sasi mizoritë e tij.

U mbyllën të gjitha objektet e kultit, klerikët u përndoqën, herë herë edhe me çmimin e jetës së tyre dhe dy breza shqiptarësh e këmbyen emrin e Zotit me atë të Enver Hoxhës. Objektet e kultit u kthyen në pallate sporti, në shtëpi kulture socialiste apo stalla lopësh e një pjesë e mirë e tyre u shemb, duke groposur veprat artistike. Mbas 1990 ato u ringritën e shqiptarët rifituan të drejtën të luteshin hapur. Pas komunizmi nuk u tregua dorështrënguar me rivendosjen e besimeve fetare, sepse ata nuk rrezikonin perspektivat e paracaktuara mbizotëruese në jetën ekonomike e politike të Shqipërisë demokratike për kastën e komunistëve të rinj.

Ndërmjet kishave, të shembura nga furia djallëzore e organizatave të Enverit, qe edhe ajo e Shna Ndout në Sebaste, Laç. Nga ajo kishë kishte mbetur vetëm një shkëmb i lëmuar nga buzët e njerëzve. Ai vënd u kthye në një simbol të shpresës e të qëndresës. Pushteti i komunistëve i përdori të gjitha format e trysnive për të zhdukur nga përfytyresa e shqiptarëve atë vend të shenjtë dhe nga zemrat e tyre atë figurë madhështore të botës së krishterë. Por asgjë, as propaganda, as kërcënimet, as policët e ushtarët e rrjeshtuar, nuk qenë në gjëndje të ndalonin vargun e gjatë e të pashkëputur të shqiptareve e të shqiptarëve që, çdo 13 qershor, shkonin për të nderuar kujtimin e Shenjtit e për të kërkuar ndihmën e Tij. Studjuesit e kësaj dukurie, unike në sistemin terrorist të Shqipërisë komuniste, ende nuk kanë përcaktuar motivin e vërtetë të thyerjes së regjimit përballë vullnetit të një populli, për të shfaqur haptas besimin në një nga shenjtët më të shquar në gjithë historinë e Kishës katolike. N’atë dështim të regjimit gjakatar, sigurisht, ishte fryma hyjnore që shfaqej, në gjithë shkëlqimin e saj, e që shprehej nëpërmjet mrekullive të “Shenjtit të mrekullive”.

Shna Ndou i Padovës (kështu njihet Ai në letërsinë kishtare) kishte lindur në Lizbonë të Portugalisë më 15 gusht 1195. Dita e lindjes së Tij, nga një familje fisnikësh, përkonte me festën e Ngjitjes në qiell të Virgjëreshës Mari, Nënës së Jezu Krishtit. Maria Teresa Tavera, një pasardhëse e familjes mbretërore të Asturias, e quajti lindjen e fëmijës, që mori emrin Fernand, një dhuratë të Virgjëreshës dhe që së vogli e edukoi atë me kultin e saj. Fëmija i lutej çdo ditë Virgjëreshës e, në moshë të vogël, i premtoi asaj virgjërinë, për të qenë një adhurues i saj i përhershëm. Që herët u shfaq fuqia e Tij për të kryer mrekulli. Ai u rrit mes librave e lutjeve, duke patur në qendër të shpirtit të tij dashurinë për Jezu Krishtin dhe Nënën e Tij.

Tre parimet, mbi të cilët mbështetej formimi i mbrendshëm i Fernandit, ishin : përvujtëria, dlirësia dhe mëshira, të njëjtat mësime kryesore të Jezuit për ndjekësit e Tij. Në moshën 15 – vjeçare Fernandi u largua nga familja dhe u fut në një monastir të agostinianëve, që ngrihej mbi një kodër buzë lumit Tago. Në qetësinë e tij, djaloshi i zellshëm u formua në shkollën e Shën Agostinit, duke studjuar veprat e Tij, por edhe vëllimet e Biblës, komentet e thella të Etërve të Kishës mbi to, veprat bashkëkohore enciklopedike. Mbas dy vitesh Fernandi u largua nga kodrat e lulëzuara të qytetit të lindjes, për të gjetur strehë në abacinë e Shën Kryqit të Koimbrës, kryeqytet i atëhershëm i Portugalisë e qyteti universitar më i famshëm i saj.

Simbas njërit prej biografëve të Tij, Rigauld, “ atje Fernandi bëri përparime të shpejta në përsosmërinë dhe në studimin e Fesë, në të cilën arriti në majat më të larta. “ Në kronikat e abacisë Fernandi “ishte një njeri i famshëm, i ditur dhe i shenjtë, i pajisur me njohuri të mëdha letrare e i kurorëzuar me merita të lavdishme.”

Në Koimbra Fernandi qëndroi nëntë vjet. Mbas tyre Ai u njoh me përvojën e Shën Françeskut të Asizit, nëpërmjet pesë martirëve që u vranë në Marok, dhe vendosi të hyjë në Urdhërin e Fretërve minorë. Përballë jetës akademike të kanonikut agostinian Fernandi parapëlqeu atë të thjeshtën të Sh. Françeskut, duke ndërruar emrin në Anton (Ndue) e duke kërkuar mbrojtjen e eremitit të madh e Shenjtit me të njëjtin emër, që kishte jetuar në kuvendin e Oliveras. Por edhe qëndrimi në këtë kuvend qe i shkurtër dhe Antoni 25-vjeçar vendosi të largohet nga atdheu e të niset për në Marok, për të përhapur atje mësimet e Ungjillit. Nuk arriti të sendërtojë misionin që i vuri vetes sepse, sapo zbriti në Marok, e zunë ethet e malarjes, nga të cilat u shërua mbas disa muajsh.

Mbas shërimit u nis me anije për t’u kthyer në Spanjë, por një stuhi e fuqishme e detyroi anijen të zbarkonte në Siqili. Këtu filloi veprimtaria baritore e Tij, që u zhvillua në shumë qytete të Italisë si Montepaolo, Cefalû, Noto, Lentini, Forlí, Rimini, Vercelli, Bologna, në të cilët Ai shpalosi gjithë pregatitjen e Tij fetare e intelektuale, duke marrë titullin “Baba i shkencës”, siç e quajti kardinali francez Montfort, arqipeshkvi i Boulogne-s. Të gjitha predikimet e Tij shoqëroheshin shpesh edhe me mrekulli të papara, që kishin krijuar tek njerëzit e thjeshtë një adhurim e besim të jashtzakonshëm. Madje vetë Shën Françesku, krijuesi i Urdhërit të ri të Kishës n’atë periudhë, e quante atë “më të diturin e bijve të Tij” dhe e dërgoi me mision në Francë më 1224, ku herezia kundër krishterimit ishte përhapur shumë.

Në Francë Ai shpalosi dijen, përkushtimin e talentin e Tij të spikatur në mjedise të molepsura, duke kundërshtuar herezinë e mungesën e besimit që kishte pllakosur Francën e jugut, duke predikuar në Montpellier, në Tuluzë, në Velay, në Lingadoca, Limoges, Arles. Në Limoges vuri në dukje edhe njëherë aftësinë e Taumaturgut, kur një furtunë e madhe po detyronte njerëzit e shumtë, jashtë kishës të largoheshin. Por Doktori i shkencave i siguroi se ata nuk do të lageshin, dhe ashtu ndodhi. Mbas tre vjetësh pune të një dobie të jashtzakonshme për ripohimin e doktrinës dhe kthimin në rrugën e drejtë të shumë heretikëve, Ai u largua nga Franca e cila, së bashku me Shën Dominikun, e konsideron ende një nga bamirësit e saj më të mëdhenj, një apostull e çlirues të jashtzakonshëm.

Në kthim Atë Antoni zbriti në Siqili e mandej, në udhëtimin drejt Umbrias, u ndal në Romë, në javën e Pashkës. Predikimet e Tij në kryeqytetin papnor u dëgjuan me shumë entuziazëm nga mijra pelegrinë, madje edhe nga vetë Papa Gregori IX, që e quajti Atë “Arka e gjallë e Biblës”. Pastaj Ai u shpërngul në veri-lindje të Italisë e ushtroi veprimtarinë ungjillore në gjithë bregdetin e Gjirit të Triestes, që nga Aquilea, Venediku, Gorizia dhe Udine. Në Vareze themeloi kuvendin, ndërsa në Ferrara, në një ceremoni kishtare, kreu një mrekulli që mbeti si një nga kryeveprat e Tij. Një grua fisnike, bashkëshortja e patricit Obizzi, akuzohej për tradhëti bashkëshortore nga i shoqi që nuk donte të njihte as fëmijën e tij. Gruaja kërkoi ndihmën e Taumaturgut. Ai, që i besonte asaj, “mbasi i dëgjoi të dy, mori fëmijën në krahë, ngriti sytë nga qielli dhe tha : N’emër të fëmijës hyjnore të përgjërohem o vogëlush, të thuash publikisht, me fjalë të qarta e pozitive, se cili është autori i ditëve tuaja.

Atëherë fëmija, edhe se ishte në shpërgënj, u kthye nga i ati dhe shqiptoi qartë këto fjalë : Ja babai im!” Kjo mrekulli u pasqyrua në një basoreliev të Donatellos dhe në nje reliev të lartë të Lombardos, pranë varrit të Shenjtit. (Eugenio Pilla : “Il Santo” F. 172)

Atë Antoni u dërgua në Firence për të paqtuar guelfët e gibelinët, kaloi në Bolonjë, Milano, Verona e Mantova, por qyteti që zgjodhi për jetën dhe fundin e saj, ishte Padova, në të cilin mbylli sytë më 13 qershor të vitit 1231, në moshën 36-vjeçare, mbasi kishte përballuar një tiran gjakpirës si Eselino III da Romano, duke bërë t’i bjerë në gjunjë e duke i treguar se nuk i trëmbej asnjë pushteti tokësor. Ai la edhe disa vepra të shkruara si “Panegjirikët e Shejtëvet”, “Bisedë mbi psalmet”, “Biseda mbi kohën”. Pa mbushur njëmbëdhjetë muaj nga ndërrimi jetë, Papa Gregori IX, me kërkesën e fuqishme të besimtarëve, e shpalli Shenjt Antonin e Padovës.             

Kjo ishte, me pak penelata, figura e Shenjtit që u bë kaq i dashur për breza të tërë shqiptarësh, që u dha atyre kurajon për të përballuar vështirësitë e jetës, ndërmjet tyre edhe për të sfiduar diktaturën më mizore. Ajo kurajë e kishte zanafillën në vargun e mrekullive që i Plotfuqishmi, Jezui dhe Virgjëresha i jepnin mundësi Atij të kryente për njerëzit, mrekulli që vazhduan me shekuj në të gjithë botën, fatmirësisht edhe në Shqipërinë tonë. Françeskanët erdhën në Shqipëri rreth vitit 1241, dhjetë vjet mbas ngjitjes në qiell të portugezit të shquar, që me kultin e Tij, u bë një nga përbërësit më të rëndësishëm të jetës fetare e shpirtërore të popullit tonë.

Kisha e Shna Ndout në Sebaste u ndërtua rreth vitit 1300 dhe u shkatërrua më 1971. Në të shërbyen shumë rektorë e meshtarë, ndër të cilët emra të shquar të kishës e kulturës shqiptare si Atë Shtjefën Gjeçovi, Atë Mati Prenushi, Atë Klement Miraj, Mons. Robert Ashta, Atë Zef Pllumi etj.

Prandaj ajo kishë e bukur, e rindërtuar në kodrën e Laçit nuk resht kurrë së prituri njerëz të gjitha besimevet, duke pohuar në vazhdimësi gjithësishmërinë dhe përjetësinë e mesazhit hyjnor.

Qershor 2015Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika, i shqiptareve, Shenjti Portugez

Sot shqiptarët e Maqedonisë në protestë kundër Gruevskit

June 13, 2015 by dgreca

FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKES”VATRA” KA SHPREHUR PERKRAHJEN E SAJ DHE KA KERKUAR DEMONSTRIM QYTETARIE/

Në Shkup sot pasdite do të mbahet marshi protestues gjithëshqiptar në organizim të Lëvizjes “BESA”, ndërsa me një përkrahje të gjërë të dhjetëra shoqatave shqiptare, shoqatave të diasporës dhe përkrahjeve të personaliteteve të ndryshme publike.

Në këtë protestë me moton “Protestojë Shqip” do të kërkohet dorëheqja e Qeverisjes aktuale, zbardhja e të gjitha të vërtetave për shqiptarët dhe kërkesa për një marrëveshje të re në Maqedoni janë 3 kërkesat kryesore të protestës së sotme me moton “Protestoj Shqip”, transmeton Ina.

“Ky është një marsh shqiptar, pa emblema partiake dhe asnjëri nga subjektet që e mbështesin atë nuk e ka primatin e protestës. Për këtë arsye edhe njëherë i ftojmë të gjithë shqiptarët e Maqedonisë, që nesër të dalin bashkë me familjet e tyre për t’i shprehur fuqimisht kërkesat e kësaj proteste. Protesta e nesërme do të ketë vetëm 3 mesazhe, dorëheqja e qeverisë antishqiptare, të inkriminuar dhe të korruptuar Gruevski dhe Ahmeti, zbardhja e të gjitha të vërtetave shqiptare në Maqedoni dhe kërkesa për një marrëveshje të re për Maqedoninë.”, deklaruan nga Këshilli Organizativ i Protestës.

Diten e djeshme Federata Panshqiptare e Amerikes”VATRA” ka shprehur solidaritet me protestuesit dhe ka kerkuar qytetari e kulture protestimi.(Shih deklaraten ne Dielli)

Filed Under: Rajon Tagged With: protesta ne Shkup, sot

FAKTI TRONDITES: 45. 333 banorë u larguan nga Kosova në 2014-tën

June 13, 2015 by dgreca

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin mbi “Vlerësimin e Popullsisë 2014”, sipas të cilit banorë rezidentë në Kosovë janë 1 804 944 persona, krahasuar me vitin 2013, që ishte 1 820 631 banorë.Sipas ASK-së, publikimi ofron të dhëna statistikore mbi popullsinë (demografinë) në nivel vendi dhe komune. ASK-ja do të vazhdojë ta bëjë këtë vlerësim, çdo vit, me qëllim që të sigurojë serinë kohore të treguesve demografikë mbi ndryshimet në nivel territorial.

ASK thotë se baza e të dhënave për ta vlerësuar numrin e popullsisë për vitin 2014 është marrë nga numri i vlerësuar i popullsisë rezidente në Kosovë në fund të vitit 2013, lindshmëria, vdekshmëria dhe lëvizjet e popullsisë së Kosovës për periudhën 01 janar – 31 dhjetor 2014.“Përkundër një shtimi natyror prej 23 922 banorëve, popullsia rezidente e Kosovës u zvogëlua për 15 687 banorë, për shkak të emigrimit (largimit) të theksuar në vitin 2014. Popullsia rezidente e Kosovës për vitin 2014 (31 dhjetor) vlerësohet të jetë 1 804 944 banorë, krahasuar me vlerësimin e vitit 2013, që ishte 1 820 631 banorë.

Shtimi natyror i popullsisë në Kosovë gjatë vitit 2014 ishte 23 922 banorë. Numri i lindjeve me banim rezident në Kosovë për vitin 2014 ishte 32 087 lindje, kurse numri i vdekjeve ishte 8 165. Gjatë vitit 2014, 45 333 banorë janë larguar nga Kosova (numri i emigrantëve kosovarë), ndërsa numri i personave që kanë imigruar (ardhur) në Kosovë ishte 5 720 banorë. Bilanci i migrimit për vitin 2014 ishte -39 613 persona”, thuhet në një komunikatë për media të ASK-së.Në këtë publikim janë përfshirë edhe lëvizjet e brendshme të popullsisë nga një komunë në tjetrën, ku numri i përgjithshëm është 9 466 banorë. /Kosovapress/

Filed Under: Rajon Tagged With: 45.333 kosovare, u larguan

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • …
  • 79
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT