Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin mbi “Vlerësimin e Popullsisë 2014”, sipas të cilit banorë rezidentë në Kosovë janë 1 804 944 persona, krahasuar me vitin 2013, që ishte 1 820 631 banorë.Sipas ASK-së, publikimi ofron të dhëna statistikore mbi popullsinë (demografinë) në nivel vendi dhe komune. ASK-ja do të vazhdojë ta bëjë këtë vlerësim, çdo vit, me qëllim që të sigurojë serinë kohore të treguesve demografikë mbi ndryshimet në nivel territorial.
ASK thotë se baza e të dhënave për ta vlerësuar numrin e popullsisë për vitin 2014 është marrë nga numri i vlerësuar i popullsisë rezidente në Kosovë në fund të vitit 2013, lindshmëria, vdekshmëria dhe lëvizjet e popullsisë së Kosovës për periudhën 01 janar – 31 dhjetor 2014.“Përkundër një shtimi natyror prej 23 922 banorëve, popullsia rezidente e Kosovës u zvogëlua për 15 687 banorë, për shkak të emigrimit (largimit) të theksuar në vitin 2014. Popullsia rezidente e Kosovës për vitin 2014 (31 dhjetor) vlerësohet të jetë 1 804 944 banorë, krahasuar me vlerësimin e vitit 2013, që ishte 1 820 631 banorë.
Shtimi natyror i popullsisë në Kosovë gjatë vitit 2014 ishte 23 922 banorë. Numri i lindjeve me banim rezident në Kosovë për vitin 2014 ishte 32 087 lindje, kurse numri i vdekjeve ishte 8 165. Gjatë vitit 2014, 45 333 banorë janë larguar nga Kosova (numri i emigrantëve kosovarë), ndërsa numri i personave që kanë imigruar (ardhur) në Kosovë ishte 5 720 banorë. Bilanci i migrimit për vitin 2014 ishte -39 613 persona”, thuhet në një komunikatë për media të ASK-së.Në këtë publikim janë përfshirë edhe lëvizjet e brendshme të popullsisë nga një komunë në tjetrën, ku numri i përgjithshëm është 9 466 banorë. /Kosovapress/