• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2015

Demarkacion,pazare apo kontrabandim

August 26, 2015 by dgreca

Nga Gani Qarri/
Athua vallë nuk paska pushtuar mjaft toka tonat ngrehina xhuxhe malazeze dhe ende nuk qenka ngopë, duke u rritur panatyrshëm me grabitjen e hapsirave shqiptare,që nga Ulqini e Tivari,Podgorica,Tuzi e Malësia, Kollashini,Plava e Gucia deri te Rozhaja, por iu dashkan edhe 12 mijë hektar tjerë-tokë shtesë, male,bregore dhe kullosa të bjeshkëve më të bukura të Kosovës, që ti shpronësoj dhunshëm dhe poshtëroj në mënyrën më të ulët mu ata të cilët qindra vite luftuan trimërisht dhe u bënë ballë pareshtur orekseve të pashuara pushtuese sllavo-malazeze, si rugovasit trima dhe bashkëkombësit tanë tjerë,pronarët autokton dhe legjitim të këtyre trojeve!?
Një nga shprehjet më të vlerësuara të ish-presidentit amerikan, Abraham Lincoln, përkufizohet në ketë mënyrë: “Nëse doni ta njihni karakterin e një njeriu, epni atij pushtetin”
Pikërisht këtu, bënë konak e patrazuar, tash e qindra vjet, dobësia kryesore e prijësve tanë kombëtar e shtetëror, ku ata jo vetëm thjeshtë tregojnë veten, por thënë realisht, shumica e udhëheqësve shqiptar, pothuajse dështojnë plotësisht.
Tanimë, është fshehtësi e njohur botërisht për të gjithë ne, se si tradicionalisht, që nga Hamzai e këndej, një pjesë jo e vogël e udhëheqësve të hapësirave tona etnike, për vite e dekada bënë emër dhe fituan grada, pikërisht duke shitur interesat e kombit dhe pjesët më të bukura të atdheut.
Edhe pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, nga Fuqitë e Mëdha më 1878, për dorëzimin e Plavës dhe të Gucisë ,Malit të Zi, ishte Populli Shqiptar ai që kundërshtoi me forcë dhe vendosmëri, çfarëdo ndryshimi kufijsh në dëm të tokave të tij.
Kjo u bë shkak, që atëbotë të caktohej një tubim i krerëve të Dukagjinit, Gjakovës dhe atyre të Malësisë, në vendin e quajtur, “fushat e Bajram Pashës” për marrjen e hapave të nevojshëm në mënyrë që të organizohet mbrojtja e këtyre trojeve.
Por Riza beg Kryeziu, babai i Cana begut të “famshëm”dhe ish prijës i Gjakovës, i dërguar nga organet pushtuese otomane si bashkëpunëtorë i tyre, për të prishur tubimin dhe përçarë shqiptarët në mes veti, që në fillim të fjalës së tij, shprehet se shqiptarët nuk munden dhe as nuk duhet ti kundërvihen pushtimit të Plavës e Gucisë nga Mali i Zi sepse Stambolli paska vendosur për dorëzimin e tyre, vetëm atëherë, kur nuk ka pasur rrugëdalje tjetër, ndaj ai me bashkëpunëtorë, janë kundër konfrontimit me malazezët dhe nxjerrjen e telasheve të reja Perandorisë.
Populli i dëshpëruar nisë të mallkojë e shajë Riza beg Kryeziun dhe kërkon që ai të zbres nga bina, e në vend të tij, e të flasë dikush tjetër. Pas kësaj ngjarjeje, në binën e improvizuar ngjitet patrioti i mirënjohur, Ali Ibër Neza, i cili,gëzon të gjithë atdhetarët e vërtetë që kishin ndarë mendjen për ti dalë zot vendit, me fjalët e thëna dhe vendosmërinë e treguar, duke u shprehur plot ideal dhe energji kombëtare:
Vëllezër- ne do ta mbrojmë Plavën dhe Gucinë!.
E sa i takon Riza begut, mos çuditeni me të, sepse vetëm gruaja e tij, i mbanë mbi “tre kilogram dukat të turkut në qafë” do të vazhdonte Ali Ibra, ndaj Rizai frikohet se po hyni në luftë pa “izën” e turkut, do ta humb të gjithë pasurinë.
Kurse ne, nuk kemi asgjë, përveç këtij trolli të begatë, e atë do ta mbrojmë deri në fund dhe kurrë nuk ia lëshojmë tokën tonë, Karadakut (Malit të zi)pa u derdh gjak për këtë vend.
Neve asnjëherë nuk na ka ndihmuar e dhënë armë- mbreti as Perandoria, por gjithmonë kemi luftuar burrnisht me gjithqka kemi mundur…
Ndaj edhe sot, secili prej nesh, ka nga diçka, asnjë nuk jemi krejt pa armë, ja unë për shembull, kam pushkë e kobure por edhe sopat e këmesë te shtëpia, ndaj vet do të luftoj me pushkë, Djalit do t`ia jap Koburen, Gruas sakicën, kurse Çikës sime këmesën dhe kështu do të luftojmë të gjithë së bashku, derisa të vdesim,por asnjë pëllëmbë të tokës sonë, nuk do t`ua lëshojmë malazezve pa gjak.
Turma e entuziazmuar nis të urojë Ali Ibër Nezën dhe mallkoj tradhtarë e beglerë, si bashkëpunëtorë të pushtetit otoman. Riza beg Kryeziu, i turpëruar,fillon të ndihet keq, dhe tani tenton ta ulë e nënvlerësoi qëllimshëm problemin e vërtetë kombëtar duke u munduar ta zhvlerësoj dhe jap kahje krejt tjetër edhe tubimit, sikur mos të ishin në pyetje pjesë të vlershme të atdheut,që duhej të kalonin dhunshëm nën sovranitetin e një shteti pushtues, si ai malazez.
Ndaj,me bindjen se edhe vet dielli ndrinte vetëm për të, ai fton bashkëpunëtorët dhe mbështetësit e tij për të lëshuar këtë tubim me arsyetimin banal, se; “Opinga e Katundit, e mundi Begun e Shehrit”!.
Mjerisht, historia jonë e dhembshme, edhe në këtë shekull ,sërish po përsëritet për të keq,për faktin se edhe “beglerët” e rinj, edhe pse të ardhur rishtas në “shehër” (qytet), në vend se para BE-s, dhe Bashkësisë Ndërkombëtare të kërkojnë korrigjimin e kufijve në dobi të trojeve shqiptare të pushtuara me forcë dhe padrejtësisht nga shtetet hegjemoniste fqinje, qysh nga koha e Kongresit të Berlinit, ata u falin atyre pa asnjë ndrojtje edhe dhjetëra mijëra hektar tjerë- tokë arbërore, nga pjesa e tejrrudhur-po nga këta akter-kavaler, e atdheut tonë të gjymtuar.

Kështu, vetëm një ditë para fillimit të samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor në Vjenë të Austrisë, më 26 gusht 2015, Mali i Zi, paralajmëron se Marrëveshjen (për ne të dëmshme) kufitare, do ta nënshkruajë me Kosovën, sipas së cilës pjesë të konsiderueshme të vendit, nën Çakor në Grykën e Rugovës dhe te Kulla afër Rozhajës,për mbrojtjen e të cilave, në të kaluarën, disa herë ka shkuar gjaku përrua, tani në mënyrë të vullnetshme, “bujarisht”,dhe me vetëm një nënshkrim sa hap e mbyllë sytë, do të falen dhe futen si në një ëndërr të keqe, nën sovranitetin malazez nga vet shqiptarët.

Athua vallë nuk paska pushtuar mjaft toka tonat dhe ende nuk qenka ngopë me grabitjen e trojeve shqiptare republika malazeze,duke filluar nga Ulqini e Tivari,Podgorica,Tuzi e Malësia, Kollashini,Plava dhe Gucia,e deri te Rozhaja, por iu dashkan edhe 12 mijë hektar tjerë tokë shtesë, male e kullosa të bjeshkëve të Kosovës, që ti shpronësoj dhunshëm rugovasit trima dhe bashkëkombnsit tanë tjerë, pronar autokton dhe legjitim të këtyre trojeve!?
Madje, kjo po ndodhë para syve tanë, pa bërë asnjë kundërshtim të dukshëm, sado formal nga pala shqiptare, përkundër humbjes së gjithë këtij territori, përderisa vetëm për një të ashtuquajtur asociacion të komunave serbe, shkohet për bisedime edhe me përfaqësuesit evropianë, deri në Bruksel,ndërsa politik-bërësit e Kosovës, në mënyrë të pashembullt, falin tokat e atdheut për pesë pare dhe atë nga dhjetëra mijëra hektar për një herë,dhe me vetëm një nënshkrim.

Ç`është kjo? Demarkacion, shitje apo plaqkitje?!

Dhembja bëhet edhe më madhe kur dihet se vetëm për të jetësuar një të ashtuquajtur “asociacion komunash”, serbët në veri, ka disa vite që kanë bllokuar Urën mbi Lumin Ibër dhe sot e asaj dite ,përkundër qindra premtimeve boshe, ende nuk lejohet heqja e barrikadës së mbjellë me “hithër të Serbisë”, të cilat vazhdojnë ta “djegin” të drejtën e shqiptarëve për lëvizje të lirë në tërësinë (e “garantuar”) territoriale të Republikës së Kosovës, edhe në veri!

Sot u deklarua,sikur qenkan pajtuar për heqjen e saj,por vetëm pas arritjes së qëllimit final dhe nënshkrimit të marrveshjes nga pala shqiptare në Bruksel,për krijimin e “asociacionit të komunave serbe”.

Ndaj shqetësimi rritet edhe një herë më tepër, për faktin se vetëm para pak ditësh Josip Manoliq, një ish-funksionar i lartë kroat, deklaroi se në udhëheqjet e shteteve të dala nga ish-Jugosllavia, si në Kosovë , FYROM dhe Serbi, ende ka një numër të konsiderueshëm të bashkëpunëtorëve të UDB-së, të cilët edhe sot mbajnë pozita të larta institucionale në të gjitha këto shtete.

Mjerisht, kjo shqetëson pa masë, ngase ka shumë paqartësi në këto histori nënshkrimesh e marrëveshjesh të pa qarta për opinionin publik.
Një skenar i ngjashëm u luajt edhe në një rast të më hershëm,me FYROM-in, kur megjithëse administrata,ushtria dhe policia serbe ishin përzënë nga Kosova rreth dy vite më parë, sllavo-maqedonët më 2001,lidhën një marrëveshje më Serbinë për përvetësimin e një pjesë të territorit të Kosovës.

Madje, mjerisht kjo nuk ishte e gjithë e keqja, tragjedia e vërtetë ndodhi pikërisht atëherë, kur edhe liderët shqiptar, u pajtuan me një marrëveshje të tillë antishqiptare të dy shtetveve hegjemoniste fqinje dhe me dorën e tyre,nënshkruan pa asnjë hezitim, aneksimin e mbi 2500 hektarëve tokë të vlershme të Kosovës, nga shteti sllavo-maqedon.

Këto vendime të çuditshme të politik-bërësve aktual, jo vetëm se po krijojnë situata të paqarta e tejet dëshpëruese,por po lënë pa mend dhe vrasin çdo fije shprese të bashkëkombësve se këtu ende ka të ardhme për familjet dhe fëmijët e tyre!

Nënshkrime të tilla të mjegulluara, nuk janë thjeshtë vetëm akte ndëshkimi ndaj pronarëve por dhe tradhti e paskrupullt kombëtare, ndaj është koha e fundit dhe momenti vendimtar që dikush të marrë rolin e Ali Ibrës dhe përfundimisht të ngrihet e mbrojë tokat tona,pronën dhe të drejtat e shqiptarëve në këto troje.

Vende të shenjta me plot kronika të qëndresave më të përgjakshme kombëtare, që njeh historia, nuk meritojnë tu hiqen kaq lehtë nga dora shqiptarëve dhe të shiten aq lirë, falen apo dorëzohen në këtë mënyrë të turpshme malazezve

Mjerisht politik-bërësit aktual edhe një herë më tepër po dëshmojnë se me zhvendosje të tilla marramendëse të “megjëve” ndërshtetërore, në shtrirje kaq shumëkilometërshe dhe tejet të mëdha hapësinore, në brendësi të thella të atdheut tonë, duke tkurr pariparueshëm, kufijtë e Kosovës, për plotësimin e orekseve të pafund të vendeve hegjemoniste sllave, po vihen plotësisht në shërbim të ish pushtuesve të tokave tona dhe rrezikojnë drejtpërdrejtë tërësinë territoriale dhe hapësirën tonë tokësore e kombëtare.

Ata,ndoshta padrejtësisht ëndërrojnë se me kalimin e viteve, lëshimet e tyre, do të trajtohen vetëm si mashtrime të thjeshta në momente të caktuara politike, të cilat edhe si të tilla, mund të jenë mjaft tragjike, por tradhtitë historike që me, apo pavetëdije po bëjnë, mbeten gjithmonë të dënueshme, të pandreqshme dhe fatale për kombin tonë!
E shitja sado e kamufluar e pjesëve të vendit nga kushdo qoftë, falja apo tjetërsimi i hapsirës etnike të atdheut, është dhe mbetet, përgjithmonë tradhti e lartë kombëtare, dhe nuk do të mund ti shpëtoj për kohë të gjatë, gjykimit.

Historia gjithmonë ka dëshmuar se këto troje ishin tonat-shqiptare, ndaj me namin që lanë politikanët aktual, me lojëra “demarkacionesh” dhe vizatime “kufijsh” sipas dëshirës së lirë të ish vendeve pushtuese dhe hegjemoniste fqinje, lind pyetja; athua vallë deri ku do të arrijnë dhe ku do të mund ti ndalojnë shqiptarët kufijtë e Serbisë nesër, pas demarkacionit që duhet të ndodhë edhe me këtë shtet, nëse vazhdohet me falje të tilla territoresh kombëtare në stil të gjerë, siç është bërë fatkeqësisht, tanimë traditë e politikanëve aktual, kur dihet se pretendimet më të mëdha territoriale ndaj tokave tona dhe Kosovës në përgjithësi, i ka pikërisht Serbia?!
Ndaj, është koha e fundit që dikush të ngrihet, jo për të na dhënë këshilla pa-mbulesë dhe ofruar siguri false mbi kronikën e hidhur të nënshkrimeve të tilla të dyshimta , siç bëjnë sot shumë pushtetarë aktual, por të sqaroi përfundimisht se çfarë në të vërtetë po ndodhë me trojet tona, mbrojë realisht ato dhe gjithë atë që neve na takon, si dhe tu jap fund historive të pa-qarta, që vazhdimisht rrezikojnë shqiptarët, të tashmen dhe të ardhmen e tyre, shënoi mundësisht sa më drejtë , qartë dhe arsyeshëm kufijtë duke treguar kujdesin më të madh të mundshëm dhe maksimal ,sidomos tek ata me shtetet e pangopura hegjemoniste sllave.

Gani Qarri Cyrih, 26 gusht 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: demarkacioni, Gani Qarri

Xhamitë e Çamërisë dhe kishëza e Dhërmiut

August 26, 2015 by dgreca

Nga Gëzim Zilja/
Ka një debat të çudtshëm këto ditë të pasqyruar në shtypin shqiptar për një kishëz në Dhërmi, e cila ligjërisht është ndërtim pa leje. Kjo kishëz u rrënua plotësisht gjatë shekujve dhe mbi të pas viteve 90-të është ndërtuar një si biçim ngrehine një katëshe me blloqe dhe e pasuvatuar, që shërbeka si vend ku falen dhërmijasit. Kjo kishëz-haur është ndërtuar mbi rrënojat e kishës së Shën Thanasit pa marrë leje nga askush, duke e konsideruar objekt kulti ku njerëzit e asaj ane shkojnë e falen. Nga qeveria shqiptare është menduar që kjo kishë të rindërtohet dhe të sillet në gjendjen që ka ka qenë qindra vjet më parë si një objekt kulti. Deri këtu nuk ka asgjë për t’u shqetësuar përkundrazi. Po gjithmonë do të gjenden andej dhe këndej kufirit surratqenë dhe antishqiptarë që do ta bëjnë qimen tra dhe do të kërkojnë sherr atje ku nuk ka shkaqe për të ndodhur ndonjë gjë e pazakontë.Çudia në të vërtetë është kur kjo ngjarje e stisur merret ‘’seriozisht’’ nga qeveria greke që me anë të zëdhënësit të saj të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kostandinos Kutras, kërkonte sqarime nga qeveria shqiptare lidhur me këtë incident dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave greke. Reagimi i Ministrisë së Jashtme shqiptare ishte i menjëhershëm, duke e cilësuar deklaratën e zëdhënësit Kutras, të nxituar dhe ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë. Ndërkaq filogrekët e Dhërmiut, po shprehin solidaritet të plotë për mbrojtjen e kishës-haur.
Por janë dy pika që nuk duhen anashkaluar në këtë mikro-betejë të stërpërsëritur dhe të shplarë me provokacione dhe mohim të drejtash.
E para: në Dhërmi ka njerëz të besimit ortodoks që falen si gjithë besimtaret në objektet e tyre të kultit por jo pakica greke e minoritarë. Në Dhërmi jetojnë shqiptarë njëzetekatër karatë dhe jo pakica greke. Shqiptarë të konvertuar në grekë për një pension apo një pjatë supë mund të gjesh edhe sot edhe nesër. Këta palo-njerëz ia kanë shitur shpirtin parasë (jo grekut) e nuk e kanë për gjë të krijojnë incidente e protesta false, mjafton të paguhen. Këta lapanjozë i sheh rëndom në raste të tilla duke bërë trimin e besimtarin e devotshëm, por të gjithë e dinë që ata përdoren nga qarqe shoviniste sa herë u nevojiten. Përdorimi i fjalëve ‘’të mbrohen të drejtat e pakicave’’, është një hile e vjetër greke, ashtu si dhe ato të tjerat me varreza ushtarësh imagjinarë, që mbushen me kocka të gjithfarëllojshme. Ky fakt nuk duhet t’i kishte shpëtuar zëdhënësit shqiptar të Ministrisë së Punëve të Jashtme që duhet të theksonte që në Dhërmi nuk ka pakica greke.
E dyta: është rasti të përmendim që në krahinën e Çamërisë gjatë këtyre shtatëdhjetë viteve është bërë kërdia me varret e xhamitë e myslimanëve. Pa marrë leje, pa respektuar të vdekurit e të gjallët, varrezave çame u është vënë buldozeri për të hapur tokë të re, për ndërtime vilash, hotelesh, kurse xhamitë nuk duken më gjëkundi. Ministria e Jashtëme shqiptare është në dijeni por nuk është ndjerë me ato arsyet idjote që sot ta shpifin, se grekët po na mbajnë me bukë, se kemi atje gjysëm milioni refugjatë, se nuk është çasti për polemika e servilizma të tjera që të kallin krupën. Disa vjet më parë deputeti çam Dashamir Tahiri, foli për një fakt rëqethës. ‘’Në Volë’’ deklaroi ai ‘’ mbi një varrezë çame është ngritur një hotel, dhe fadromat i shpërndanë kockat gjithandej’’
A nuk do të ishte normale që të thirreshin të afërmit andej dhe këndej kufirit e të bëhej një transferim i kësaj varreze në një parcelë tjetër? Po objektet e kultit, xhamitë e çamëve të besimit mysliman pse janë rrafshuar? Nuk mund të ketë dy standarde në të drejtat dhe liritë njerëzore. Konventat ndërkombëtare e shprehin shumë qartë këtë gjë. Ndoshta ishte një rast i përshtatshëm për krerët e PDIU-së të bënin një deklaratë të paktën sa për të shplarë gojën. Por si duket krerët janë të zënë me kërkesat për një kompozim të ri të qeverisë Rama, ku çamët në pozicione ministrash e drejtuesish të japin kontributin e tyre shembullor si në qeverinë Berisha.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe kishëza e Dhërmiut, Gezim Zilja, Xhamitë e Çamërisë

Kosovë-Dokument: Marrëveshja për Asociacionin-Bashkësinë e komunave me shumicë serbe

August 26, 2015 by dgreca

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 26 Gusht 2015/ Qeveria e Kosovës publikoi sot Marrëveshjen për Asociacionin-Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, të arritur mbrëmë në Bruksel në raundin e 28-të kryeministror Kosovë-Serbi. Ky është teksti i plotë, i sapodërguar, përkthyer në gjuhën shqipe:
Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore
Korniza ligjore
1) Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë themelohet si një Asociacion/Bashkësi i komunave siç parashihet me Marrëveshjen e Parë, Ligjin mbi Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe Ligjet e Kosovës.
2) Në bazë të Marrëveshjes së Parë, e cila njeh karakterin e tij të veçantë, Qeveria e Kosovës do të aprovojë një dekret drejtpërdrejtë të aplikueshëm, i cili do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Bashkësia/Asociacioni do të jetë entitet legal i definuar nga statuti i tij, që do të përbëhet së paku nga elementet e mëposhtme:
3) Statuti do të aprovohet nga kuvendi themelues të përbëra nga anëtarët e votuar të kuvendeve të komunave pjesëmarrëse.
Objektivat
4) Në përputhje me Marrëveshjen e Parë, Asociacioni/Bashkësia do ti ketë objektivat e tij kryesore në ofrimin e funksioneve dhe shërbimeve publike për:
a) fuqizimin e demokracisë lokale;
b) ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale;
c) ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit;
d ) ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale;
e) ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural;
g) aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë;
h) zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore;
i) promovon, shpërndanë, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore;
j) ofron shërbime për anëtarët e tij në përputhje me Ligjet e Kosovës;
k) vlerëson ofrimin e shërbimeve publike të anëtarëve të tij dhe banorëve të tyre në mënyrë që të përkrah Bashkësinë/Asociacionin në formësimin e qëndrimeve të interesit të përbashkët për pjesëmarrje në punën e autoriteteve qendrore;
l) bën monitorimin kur kërkohet për zbatimin e objektivave të tij;
m) vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare.
5) Bashkësia/Asociacioni do të ushtrojë kompetenca tjera shtesë siç mund tu delegohen nga autoritetet qendrore.
Struktura organizative
6) Asociacioni/Bashkësia do ti ketë organet si në vijim:
a) një kuvend si trup suprem, i përbërë nga përfaqësues të emëruar prej anëtarëve të zgjedhur nga kuvendet e komunave pjesëmarrëse. Kuvendi do të ketë të drejtë të miratojë amendamentet e statutit, rregulloren e punës dhe të gjitha rregulloret e nevojshme dhe udhëzimet administrative në pajtim me statutin dhe ndërlidhur me objektivat e tij.
Të gjitha amendamentet e statutit, rregullorja e punës dhe të gjitha rregulloret e nevojshme dhe vendimet e aprovuara nga kuvendi do të jenë të aplikueshme për anëtarët e tij, përveç nëse njëri nga anëtarët formalisht merr vendim tjetër.
b) një president, i cili do ta përfaqësojë Bashkësinë/Asociacionin përfshirë pran autoriteteve qendrore dhe jashtë Kosovës. Presidenti do të ndihmohet nga zëvendëspresidenti. Presidentin dhe zëvendëspresidentin do ti zgjedh kuvendi në mesin e anëtarëve të kuvendeve komunale pjesëmarrëse dhe kryetarëve të komunave të tyre.
c) një këshill i përbërë nga më së shumti 30 anëtarë nga banorët e komunave pjesëmarrëse, përfshirë të gjithë kryetarët e komunave pjesëmarrëse; Këshilli është një trup këshillëdhënës i cili jep udhëzime për punën e Asociacionit/Bashkësisë.
d) një bord i përbërë nga 7 anëtarë të votuar në kuvend nga mesi i kryetarëve të komunave dhe banorët e komunave pjesëmarrëse, përbërja e saktë do të definohet në statut, me të drejtë të marrjes së vendimeve të nevojshme për menaxhimin ditor të Bashkësisë/Asociacionit. Anëtarët e bordit do të përkrahen në punën e tyre nga kolegjiumet profesionale të përbëra nga ekspertë, të ndara në mbulimin e atyre fushave të cilat bien nën objektivat dhe detyrat e Asociacionit/Bashkësisë. Statuti do të definoj numrin e kolegjiumeve profesionale dhe detyrimet e tyre ndaj anëtarëve të bordit.
e) një administratë e udhëhequr nga shefi i administratës i cili emërohet nga dhe i raporton bordit, që do të ndihmojë punën e Bashkësisë/Asociacionit posaçërisht të bordit dhe të presidentit. Stafi i administratës do të përfitoj nga statusi i të punësuarve, në përputhje me Ligjet e Kosovës, duke përfshirë Ligjin e punës dhe Ligjin mbi shërbimin civil duke u mundësuar atyre të ushtrojnë detyrat e tyre administrative. Anëtarët e Asociacionit/Bashkësisë mund të vendosin të përdorin një numër të të punësuarve për të përkrahur Bashkësinë/Asociacionin në përmbushjen e objektivave të tij.
f) një zyre e ankesave me mandat të shqyrtimit të ankesave që kanë të bëjnë me objektivat e tij.
7) selia e Bashkësisë/Asociacionit do të përcaktohet në statut.
Marrëdhëniet me autoritetet qendrore
8) Asociacioni/Bashkësia do të punojë me autoritet qendrore në bazë të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe ndarjes së informatave.
9) Asociacioni/Bashkësia do të promovoj interesat e komunitetit serb të Kosovës në relacionet me autoritet qendrore.
10) Asociacioni/Bashkësia do të ketë të drejtë të propozoj, në përputhje me Ligjet e Kosovës, amendamente për legjislacionin dhe rregulloret tjera relevante për përmbushjen e objektivave të tij.
11) Asociacioni/Bashkësia do të ketë të drejtë të inicioj apo të marr pjesë në procedurat para gjykatave kompetente duke përshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, kundër çfarëdo akti apo vendimi të cilitdo institucion e që ndikon në ushtrimin e fuqive të Asociacionit/Bashkësisë në përputhje me statutin e tij.
12) Asociacioni/Bashkësia do të ketë të drejtë të nominoj përfaqësues në organet/trupat kompetente të qeverisë qendrore duke përfshirë Këshillin konsultativ për komunitete. Në përmbushje të funksionit monitorues të paraparë me marrëveshjen e parë, përfaqësuesi i Asociacionit/Bashkësisë do të ketë të drejtë qasjeje në informata nga autoritetet qendrore në përputhje me Ligjet e Kosovës.
13) duke vepruar në emër të Asociacionit/Bashkësisë, katër kryetarët e komunave veriore do ti ofrojnë Ministrisë së Brendshme një listë të kandidatëve për nominim si komandant i policisë regjionale, siç përcaktohet në nenin 9 të Marrëveshjes së parë.
Kapaciteti legal
14) Asociacioni/Bashkësia do të pajiset me kapacite të nevojshme legale sipas Ligjeve të Kosovës që të ushtroj objektivat e tij, duke përfshirë të drejtën e posedimit të pronës së luajtshme dhe të paluajtshme, të bashkëpronësisë së kompanive të cilat ofrojnë shërbime lokale në kuadër të fushëveprimit të Asociacionit/Bashkësisë dhe të lidhë kontrata, përfshirë kontrata të punës.
15) në bazë të Marrëveshjes së parë Asociacioni/Bashkësia konsiderohet i themeluar, pas miratimit të dekretit, për qëllimin e objektivave të tij.
Buxheti dhe përkrahja
16) Asociacioni/Bashkësia do ta ketë buxhetin e tij, i cili do të administrohet në përputhje me parimet e transparencës e llogaridhënies dhe dispozitave të Ligjit mbi prokurimin publik.
Këto parime posaçërisht do të vlejnë për kanalizimin e fondeve, përfshirë ato në 17d.
shpenzimet do të jenë subjekt i auditimit nga autoritet kompetente, përfshirë Auditorin Gjeneral.
17) Asociacioni/Bashkësia do të financohet nga:
a) kontributet e anëtarëve të tij;
b) të hyrat dhe të ardhurat nga shërbimet e ofruara prej Asociacionit/Bashkësisë, kompanitë e tij, apo të nxjerra nga asetet e tij të luajtshme dhe të paluajtshme;
c) transferet nga autoritet qendrore;
d) kontributet, grantet, donacionet si dhe përkrahja financiare nga asociacionet dhe organizatat tjera vendore dhe ndërkombëtare si dhe nga Republika e Serbisë; Bashkësia/Asociacioni do të lirohet nga detyrimet dhe taksat në kryerjen e objektivave të tij, në të njëjtën formë sikurse komunat pjesëmarrëse.

Dispozitat e përgjithshme dhe përfundimtare
18) Asociacioni/Bashkësia do të jetë i hapur për cilëndo komunë tjetër, me kusht që anëtarët të pajtohen.
19) Asociacioni/Bashkësia mund të shpërbëhet vetëm me vendim të kuvendit të tij të miratuar me shumicën e 2/3 të anëtarëve të tij.
20) Asociacioni/Bashkësia do të ketë të drejtë të ketë simbolet e tij zyrtare (stemën dhe flamurin), në përputhje me Ligjet e Kosovës.
21) Statuti i Asociacionit/Bashkësisë do të hartohet nga Ekipi Menaxhues dhe do të paraqitet në Dialogun e Nivelit të Lartë brenda 4 muajve nga dita e arritjes së marrëveshjes së këtyre parimeve elementeve, me lehtësim sipas nevojës, duke përfshirë atë të Ministrisë së Qeverisjes Lokale. Statuti do të vërtetohet me dekret pas marrëveshjes në Dialog. Cilido amendament që do të prezantohet nga Asociacioni/Bashkësia do të vërtetohet me dekret dhe do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.
22) Brenda një viti nga aprovimi i statutit të Asociacionit/Bashkësisë, do të bëhet shqyrtimi i implementimit të tij duke përfshirë ato në lidhje me nenin 5 të Marrëveshjes së Parë.( përkthim jo-zyrtar)

Filed Under: Komente Tagged With: bashkesine e komunave, Dokument, Marreveshja per asociacionin

SHTEGTIMI I KARVANIT

August 26, 2015 by dgreca

Ramadan Pasmaçiu.*/
Shkurt jeta dhe vepra./
U lind në Berat, më 26 shkurt 1938. Shtatëvjeçaren e kreu në vendlindje. Pas mbarimit të shkollës së mesme, më 1957 vijoi studimet për gjuhën e letërsinë shqipe në Fakultetin histori–filologji.
Pas diplomimit, u emërua drejtor i shkollës në Shëngjergj të malësisë së Tiranës. Me pas punoi gazetar dhe u shqua si shkrimtar me botimin e një seri librash për fëmijë dhe të romaneve për të vegjël e të rritur.
Eshtë vlerësuar me disa çmime të para. Për romanin në katër vëllime “Udhëve të fëmijërisë”, mori çmimin e madh “Migjeni.” Por, gjatë veprimtarisë së vet, si shumë shkrimtarë të tjerë, ai u bë pre e përndjekjeve të fshehta e pabesive, deri sa e larguan nga revista “Yllkat”, e krijuar prej tij, dhe kështu mbeti pa punë. Pastaj emrin e këtij shkrimtari të dashur të fëmijve, u orvatën ta hiqnin, edhe nga librat shkollore. Pas vendosjes së demokracisë, krijimtaria e tij mori një vrull të ri. Me një prozë të përkryer në këto vite, ka botuar disa libra të nivelit të lartë ideo – artistik, në trajtimin e temave shoqerore dhe atdhetare, siç janë vëllimi me tregime “Lira”, “Xhaxhi Sili”, “Dashuria e Nënës”, “Mësuesja” “Maratonomaku”, “Kush rron duke Shpresuar”; romane, si “Përtej kohes”, “Shtjellat e Bardha”, “Flaka e Shpresës” etj. Ky roman me 640 faqe, është vlerësuar nga lexuesi i gjerë, nga historianë e shkrimtarë, ndër ta, Luan Malltezi e Sadik Bejko.
Më 2012 me rastin 100 Vjetorit të Pavarësisë, për krijimtarinë e tij të çmuar, Ramadan Pasmaçiu, meritoi titullin “Nderi i Qarkut të Beratit” dhe dekoratën “Mirënjohje e Prizrenit.”
Nëse dëshironi të shijoni ëmbëlsinë e bukurinë e shprehive të rrjedhëshme shqipe në nëndialekte, me tërë thesaret e saj, mbi njëqint vjet përpara në jug të Shqipërisë, i gjeni në romanin “Flaka e Shpresës.” Japim vetëm tri pjesë të zgjedhura.
—————

SHTEGTIMI I KARVANIT

I
Karvani me nëntë kuaj gjithësej, shpinte e binte njerëz në rrugën Berat-Janinë. Edhe ata të dy, Sefe Lara e Sifi Garunja, tok me shtatë të tjerë, ndofta, po shkonin për atje.
Qiraxhiu, xha Lazëmi, një burrë i thyer, po kockëfortë, i thinjur, fytyrëvrarë, vetullfshesë e me sy të vecërr, të egër, ishte fjalëpakë. Nuk lidhej në muhabet me udhëtarët, veç e ngiste kalin me vështrimin përpara, duke thithur çibukun thellë e duke e nxjerrë tymin me shtëllunga.
Atë ditë ai nuk e drejtoi karvanin nga ana e Drobonikut, që të kalonte në Gllavë, Ballaban, Këlcyrë e Tepelenë, por sa la pas Urën e Goricës, mori djathtas, për në Sinjë, për të dalë në Mallakastër.
Qiraxhiu, edhe pse ca si nursëz, qenkej njeri shpirtmirë e nuk sillej keq me udhëtarët! E ndalonte karvanin në çdo çesmë, a burim, që gjenin udhës.
“Pini ujë, freskohuni, mbushni dhe paguret!”- u thoshte- sikur ata të ishin të vegjël dhe duheshin mësuar.
Në një kurriz kodre mbi Hekal, u shfaqën befas ca xhandarë. Kishin bërë një postobllok në mes të rrugës. Njëri prej tyre një skërfyell i gjatë si shufër arixheshke, u foli ashpër: _Ku shkoni! Zbrituni kuajve!
Të gjithë u hodhën në tokë. Xha Lazëmi, që udhëhiqte, u doli përpara e i tha:
-Eshte karvani im ky. Ketë punë bëjë unë. Bie e shpie njerëz tutje-tu! Qiraxhi hesapi!
-Nga vini?
-Nga Fieri!
-Ku shkoni!
-Në Janinë!
-A, jo xhanëm!- Ai iu kthye udhëtarëve: I keni korçanet e kokës?
-Po qysh s’i kemi!
-E mora vesh! Po ç’dreq ju shtyn të shkoni deri në filifistun?
-Unë kam një mik atje dhe dua ta pjek!- tha burri lëkurëhollë që bezdisej udhës nga mizat.
-Po ti?- pyeti xhandari Sefen.
-Unë bashkë me këtë- ia ktheu Sefja duke treguar Sifin do vemi të porosisim ca mall për një saraç tonin!
-Edhe këtë e mora vesh! Po ndonjë armë të fshehur keni me vehte?
-E ç’na hyjnë në punë armët neve?- folën udhëtarët përzjerë.
-Mbylleni! Mjaft folët!- Ai iu drejtua prapë qiraxhiut- Tani qysh t’ia bejmë, që të vinë me ju edhe dy nga ne deri në Tepelenë?
-Ç’të them! Zotrote e shikon që kuajt janë zënë!
-Qepe dhe dëgjomë! Ky i holli të hipë në vithet e këtij kalit, tek është ky me pak bark! Kështu na lirohet një kalë! Edhe këta të dy hollakë janë, le të bëhen bashkë! Ja, de, kuna dalin dy kuaj të zbrazët!
-Punë që s’bëhet ajo, xhandar efendi! Më lodhen e më ngordhin kuajt ashtu!
-E po, kur e paske atë merak, e anavasim ndryshe ne! Dy nga ju të ecin në këmbë dhe të ndërrohen me shokët aty- këtu, sa të arrini Tepelenën!
Sefe Lara nuk i la rradhë qiraxhiut të fliste.-Iu afrua xhandarit dhe i tha si në vesh:
-Unë s’e kam për gjë të eci mbi opinga gjer ku thua zotrote! Edhe ky shoku im, do të bëjë si do të bëjë tok me mua! Ja merreni kalin tim dhe të këtij! Veç kam një merak!
Ca burra, që u këmbyen në Qafën e Koshovicës dje pas dite, na thanë të hapim sytë, se qenkan dukur komitë këndej! E ja, na dolën edhe neve! Ku t’ju fsheim? Me kokën s’bëhet shaka!
Xhandari mblodhi buzët, u rrudh e ia nguli sytë Sefes:
-Ore, jezit, i ke sagllam këto që thua ti, apo të stisura?
Sefa tundi kokën.
-S’jam nga ata unë! Nuk torolisem me xhandarin e dovletit, se ia kam taksur ymrin Padishahut që dhjetë vjeç!
I qofsha falë!
-Mirë, mirë, po bëj be njëherë, të të dëgjojmë!
-Për Shën Pjetrin!
-Kaur qenke!?
-Kaur, por me besë!
Xhandari e shikoi ngultas Sefen, heshti dhe iu afrua xhandarëve të tjerë. Seç bisedoi me ta me zë të ulët. Pas pak, erdhi e u foli të gjithëve me inat:
-Ikni, ikni! Thyeni qafën!

II
Grykën e Tepelenës, përfund mureve të Kalasë së Ali Pashës, karvani e kaloi qetë.
Ishin ende orët e para të mëngjesit dhe jo, veç që dielli s’kishte filluar të nxehet, po edhe nga lugina vinte një puhizë e lehtë dhe sa më s’bëhej e ëmbël.
-Po na shkoi mbarë, drekën do ta hamë në Virua, nën Gjirokatër! Eshtë mirë atje!- u tha udhëtarëve qiraxhiu.
-Ty të kemi të parë këtu e ti e di ç’bën!- ia ktheu Peçi.
Xha Lazëmit nuk i pëlqente ta lëvdoje, ndaj nuk i dha përgjigje Peçit. U koll nja dy herë dhe priu përpara pa folur.
Sa e lanë Tepelenën pas dhe dolën te Uji i Ftohtë, ai u ndal, i zbriti kalit dhe e ngriti zërin:
-Do ta bëjmë një shplodhje të shkurtër këtu, si thoni?
-E bëjmë, ore, poqysh!- iu përgjigjën udhëtarët gati me një gojë.
-Mos harroni të mbushni paguret, se s’kemi më ujë si ky përpara! Bëjnë edhe kafe në atë ngrehinën e vogël më të mëngjër! Edhe çorbë kanë, edhe paça, edhe mish të pjekur! Dëgjuat? Shkoni në daçi! Hani ndonjë gjë, po shpejt ama!
Ishte një vend i bukur shumë. Me hije e me fresk që ç’të thoshje! Degët e gjera të rrepeve të moçëm frynin për lezet. Fresku të shtynte të merrje frymë pa u ngopur. Hija e madhe-e madhe, sa edhe një tabor të tërë ushtarësh e përfshinte. Në një anë- fëshfëritja e gjetheve, në anën tjetër- gurgullima e ujit të akullt e të kulluar qelq, që lëshohej vrundull nga sipër! Lëre-lëre, të qepej goja nga magjepsja!
Peçi u shmpi, hapi krahët dhe e thithi ajrin me gjithë gjoks.
“O Zot, kur të më vijë ora, te ky vend më bjer të më dalë shpirti!”- tha nëpër dhëmbë. E hodhi kasketën në një breg të vogël me bar jeshil, flaku dhe xhaketën përmbi të dhe s’u përmbajt. U turr me vrap si djalë i ri, dhe e futi zverkun te rrjedha e furrishme nën lugjet e drunjta.
Sefja e Sifi s’ia ndanin sytë dhe qeshnin. Edhe ata ndiheshin jo më pak të gëzuar, për më shumë se, siç kishte thënë xha Lazëmi në vakt dreke do të kishin në sy Gjirokastrën e Çerçiz Topullit.
-Ku e ke atë?
-Në gji, o Sefe, në gji e kam!
-Vëre prapë nën samar, se s’u dihet këtyre anëve!
Sefe Lara kalonte andej për së pari herë dhe kundronte me afsh gjithçka përreth, pyjet, malet, luginat… Pas një çasti, e pyeti Sifin -A nuk të duket edhe ty ajo gryka e lumit si e Gjorovenit?
-E, ngjan një çik vërtetë, por është më e mbledhur, më e thellë, më me shumë ujë dhe me pemë më të larta brigjeve.
-E marr vesh, e marr. Po për Kalanë e Aliut ç’thua?
-E madhe, e lartë! Ta merr mendja.
-Po jona?
-O lëre! Ç’e zë në gojë! Ajo ha bukë veç! Botën të bredhësh, s’e gjen.!
-Edhe unë ashtu kam dëgjuar…Po sikur të vemi ta provojmë atë çorbën te ai konaku?
-Kam hall se mos prishim urine e drekës!
-E po, shkojmë e pimë nga një kafe! Hajt, tymi t’i dalë!
…Sa vunë kafen në buzë, qiraxhiu thirri:
-Mblidhuni, ore, se do të ikim!
Sefja doli në prag me filxhanin në dorë.
-Ja, edhe një çikë, o xha Lazëm, se na dogji buzët kjo! Apo ta lëmë fare?
-Jo, jo, pijeni rehat, se s’përmbyset bota!
Sjellja dashamirëse e qiraxhiut i nxitoi edhe më ata të dy. U dukën sakaq, tek dolën, u lëshuan drejt kuajve e u kërcyen sipër.
Xha Lazëmi s’u bëri zë. U vu ne krye dhe e ngau kalin e tij përpara.
…Karvani zhvendosej pa zhurmë drejt Gjirokastrës, diku nëpër udhë të ngushta me zhurina, a me dhe të ngjeshur, e diku- në vede të hapura me gurë e me pellgje të cekët, prej ujërave që vinin nga rrjedhat e bregoreve.
Herë-herë dëgjoheshin rrahjet e patkonjëve, shkrofëtima e ndonjë kali të karvanit, cicërimat e zogjëve fluturakë e të mëllenjave në zabele dhe krakërimat e sorrave të egra.
Kuajt ecnin urtë njëri pas tjetrit. T’i shikoje së largu, të jepnin shëmbëllimin e një gjëje të gjallë e të gjatë me një shpirt, që dridhej e nxirrte bark, sa aty-këtu, duke përshkuar udhën e ngushtë, ku me kurrize e ku me tatëpjeta të buta.
Udhëtimi po shkonte pa u penguar e pa të papritura. Me ç’dukej do ta arrinin dosdo Viruan në vakt dreke.
Peçi tani kalëronte në mes të Sifit e të Sefes. Syrin e kishte pishë e jo të përgjumur. Qendronte si kalli mbi samar dhe, bëj e ç’bëj, e hidhte ndonjë fjalë, sa te Sifi e sa te Sefja. Ishte në qejf dhe e donte pak muhabet. S’i vije dot faj. Thoshje se ashtu ngulte këmbë t’i bindte ata që as i vinte mendja për gjumë. Ta hiqnin merakun se mos rrëzohej nga kali si të djeshmen.
…Tashti kishin në të djathtë dy kodra të gjelbëruara përballë njera-tjetrës. Rrëzës së tyre niste udha për Kardhiq. Çdo gjë po shkonte mirë e bukur. Udhëtarët ndiheshin ende të freskët, ndonëse kishin lënë prapa goxha rrugë. Siç thoshte qiraxhiu, pas ndonja dy-tre orësh, do t’ua kapte syri Gjirokastrën si në pllëmbë të dorës.
-Të kënaqka jeshili i këtyre kodrinave- i tha Sefja Peçit. Të ketë lepuj e dhelpra këtej?
-Ka, ore, poqysh! Sa të duash! Veç ujq të mos ketë, thuaj! Atyre kush ua bën hallin!
-Ç’punë kanë ujqërit në behar kaq afër rrugës!?
-Për ujqërit me dy këmbë them, jo për ata me katër!
-Të paska zënë frika, më duket, or Peçi!
-Jo, hiç! Gjersa jam me ju, as që trembem fare, por që ta dish, të thashë! Se i njoh mirë unë ç’vende janë këto!
I kam kaluar edhe herë tjetër
Fjalët e Peçit sikur zgjuan shejtanin që flinte! Befas, nga ca gëmusha, u degjua një gërthitje:
_ -Qendroni tek jeni, more! Ju kam vënë në si me kobure të gjithëve!
O t’jua krej trutë në shesh, po lëvizët!
Xha Lazëmi ia tërhoqi frerin kalit dhe bëri t’i zbriste, po s’arriti
Zëri i egër prapë sokëlliu.
-Mos xërmo nga kali ti, more, plaku stafidhe, se të ikën koka, dëgjove? Nuku qesh u’, po çë thom e bëjte!
-Si zë i njohur ky!- tha Sifi.
-Eshtë ai i mbrëmshmi, i mushkës qorre!-ia ktheu Sefja, teksa lunxhjoti thirri ashpër:
-Kreni nga xhepat ç’para kini, lëshojini në dhe, dhe thieni qafën, mos t’ju shoh më! Përndrishe, ju përlau vdekëla!
Qiraxhiu shikoi i ngrysur gëmushat dhe s’lëvizi. Po edhe udhëtarët heshtën e s’lëvizën.
Peçit i iku fytyra. Fryma sa s’iu pre. Ishte gati t’i lëshonte te këmbët e kalit nja tre-katër metelikë, po s’ia mbante të dilte përpara të tjerëve. I tha Sefes në vesh:
-Qenka i poshtër shumë! Ne e falëm, ai del e na zë pritë!
-Pritën e tij e përmjer unë! Se nuk është trim, po gjysmë bythe burrë! – iu përgjigj Sefja. S’bën nga ato që thotë! Por, na di si veten, prandaj kërkon të na shtjerë frikën! Ja shikomë mua tani!
Sefe Lara u hodh me vrull nga kali në tokë. Futi dorën në hejbenë e tagjisë, nxori revolverin me kurrizin kthyer gëmushave, e vuri në brez nën setër e filloi të ecte ballas, pa iu dridhur qerpiku, drejt lunxhjotit.
-Mos hidh asnjë çap nga u’, more, se ike si qeni në rrush!- uluriti lunxhjoti.
-Pa hë! Të shohim ç’burrë je!- ia ktheu Sefe Lara dhe nxitoi hapin.
Xha Lazëmi u shqetësua e i foli Sefes të kthehej, po ku e dëgjonte më ai!
Sifi nuk ndihej! Ishte i sigurt te Sefja. Kishte aq vjet komit. Nuk qe për t’u mësuar. Dinte ç’bënte.
-Ktheu pas, more, se o ta vërvis kokën në hava, të thaçë! Ktheu, more, mos më fut në gjinah!
Sefe Larës sikur nuk i vinin në veshë ato kërcënime.
-Ktheu, se o t’i thiej kokallat! A ke të vogjël në shtëpi, a nuku ke? S’të vjen keq t’i lënç udhëvet? O të t’i shqiejnë mishrat korbat e ulqërit, i nxiri ti!
Zëri i lunxhjotit tanimë sikur fërgëllinte! Sikur po fundosej. Tingëllonte si lutje e jo kërcënim!
Sefe Lara e hoqi revolverin nga brezi dhe e drejtoi nga gëmushat.
-Çohu e dil që aty, se s’të them dy herë!- dhe i hodhi edhe tre hapa përpara.
Lunxhjoti u ngrit dhe u duk i tëri në këmbë, duke u dridhur si purtekë. Varur në gishta mbante vërtetë një kobure.
-Aman, more, mos e përliej dorën me mua mavrinë, se nuku ka fishekë kjo imja. Shihe! E ndrishkur është!
Sefja nuk foli më. E vuri revolverin e vet nën setër, e kapi lunxhjotin nga zverku, e tërhoqi zvarrë dhe e çoi përpara karvanit.
-Ja, ky është trimi, që donte të na vriste! Ç’ti bëjmë?
-Ma bjer pak këtu!-ia ktheu qiraxhiu. E kur Sefe Lara ia çoi, ai ia nguli sytë e buzë-e-hundërrudhur lunxhjotit, ia mbështeti gishtin e madh në ballë, e shtyti tutje dhe shfryu. Këtë e ka vrarë Perëndia, duket!- tha- ia kanë çukitur trurin sorrat! Ikim, se u bëmë vonë!

III
Xha Lazëmi e priu karvanin në të djathtë e u ndal në ca hije. Kishin arritur në Virua. Ç’vend! Të linte gojëhapur! Me tërë ata drurë të gjelbëruar e sheshe me bar. Përpara- një si liqen i vogël, që vetëtinte nën diell. Ujëra të kulluara lëshoheshin nga bregoret e veshura me shkurre, mare e dafina dhe gurgullonin lehtë. Gjethet e pemëve fëshfërinin dhe flladi i ëmbël ta shtonte jetën.
-Një orë, do të rrimë këtu!- tha qiraxhiu- Ç’lodhuni dhe hani drekën! Në atë dyqanin atje keni plot gjëra! Tek po u jepte kuajve të pinin, atij ju qas një djalë nën të tridhjetat dhe i foli i ndrojtu:
-E mo, qiraxhi, ç’vete, mirë?
-Qysh do Zoti!
-Mos keshe gjë nja di vende për Janinë?
-Të shoh, pa të them! Prit një herë!
-Pres, mo, po çë, si nuku pres!
Si kaloi ndonja gjysmë ore, Xha Lazëmit iu afruan Sefja e Sifi.
-Hë, po shkoni? – i pyeti ai buzagaz, sa i vuri re. -Pas katër ditësh do të më keni prapë këtu! Por, në mbaruat punë më parë dhe gjeni me se ktheheni, mos më prisni!
-Mirë, xha Lazëm! Hajt, faleminderit shumë prej teje e pjekshim shëndoshë!
Ata, i dhanë dorën, e zunë në qafë, dhe filluan të përshendeteshin me të tjerët. Megjithëse kur ishin nisur, s’njiheshin fare, rruga e gjatë i kishte miqësuar. Po u vinte keq që ndaheshin. Prekëse ishte, sidomos, ndarja me Peçin. Ai i përqafoi të dy njëherësh dhe s’po shkulej dot prej tyre. Kur i lëshoi, sytë i qenë lagur.
-Nuk do t’ju harroj!- u tha- Ju më shpëtuat jetën! Po të isha rokullisur në atë rrëpirën, do ta kisha lënë kullotën përgjysmë! Ta dini se dua shumë t’ju pjek prapë, që të rrimë bashkë më nge! Te dyqani i kripës, nën Mangalem, pyesni për mua! Po erdhët, do të ma bëni zemrën mal!
-Do të vimë, or Peçi, se na përpoqi ylli me ty!- ia kthyen ata të qeshur dhe iu vunë në këmbë asaj cope rruge, që u kishte mbetur gjer atje lart, te sheshi i Gjirokastrës.
Ec e ec. Shpejt në sytë e tyre dha ballë kalaja.
Si një trup i rëndë përrallor, i gurtë, i lartë, e i stërmadh, me gjoksin e gjerë si një shpat gjigand i gdhendur me dorën e Zotit, e me kryet në tisin e reve të hirta.
Dhe kodrave-shtëpitë e mëdha strehëdala, me mure guri të bardhë, të skalitur, ngjeshur e ngjeshur në brinjë të njera-tjetrës, që nga majat e gjer poshtë, në rrafsh.
Me dritaret të plota e me kafaze si ato të Beratit.
Me çardakët gjithë lule e dritë e me çatitë e pjerrëta mbuluar me pllaka nga të malit.
Së sipërmi- e hirtë dhe e paqme Gjirokastra!
* Fragment nga romani, “Flaka e Shpresës.” i shkrimtarit Ramadan Pasmaçiu,Nderi i Qarkut të Beratit./
DRIER
Tiranë 2012
*Pergatiti:Agim Xh. Dëshnica

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Xh Deshnica, Ramdan Pasmaciu, Shtegtimi i Karvanit

DON PASHKO MUZHANI

August 26, 2015 by dgreca

Në 100 vjetorin e lindjes…/
NE FOTO: DON PASHKO MUZHANI (1915 – 1995)/
Nga Fritz RADOVANI/
■Don Pashko Muzhani asht le me 31 Janar 1915 në fshatin Mushan të Shkodres.
Kur ishte dhjetë vjeç familja e Tij erdhi në Shkoder ku, Pashkoja, mori mësimet e para.
Në vitin 1931 ndjekë Seminarin Papnuer të Arkidioqezit të Durrësit, prej ku, me 1937 ka vazhdue studimet e nalta në Propaganda Fide në Romë, dhe me 29 Qershor 1942 ka thanë edhe Meshen e Parë. Porsa erdhi në Shqipni u emnue zevendësfamullitar i Tiranës pranë Don Shtjefën Kurtit. Vazhdon famullitar në Zheji deri në vitin 1947, kur e marrin me krye sherbimin ushtarak… Një nga mënyrat e zhdukjes së disa klerikëve katolik…
■Me daten 25 Gusht 1948, arrestohet diten që do të lirohej nga sherbimi ushtarak, pra kështu Don Pashko fillon Kalvarin 15 vjetë si “armik i Popullit”, tue u akuzue se “ka mësheh një pistoletë nder fletët e Ungjillit”… Kush ka vizitue në Shkoder mbas vitit 1970 “Muzeun Ateist”, të ngritun nga R. Alia ka pasë mundësi me e pa aty të ekspozueme. Autori i këtij krimi që ka futë revolverin në fletët e preme të Ungjillit, ka shkue në Moskë dhe mbasi ka krye studimet atje, asht kenë kryeredaktor i gazetës “Bashkimi”, si një “sherbëtor besnik i sigurimit shtetit”… emnin e të cilit, Don Pashko, nuk e ka tregue as mbas viteve 1990, mbasi kështu i kishte premtue kur e “ka falë” kriminelin e vet.
Don Pashko bani dhjetë vjetë burg nder kampe shfarosje dhe u lirue në mars 1958. Nuk Ju dha e drejta me sherbye si Klerik edhe pse Argjipeshkvia e Durrësit e emnoi në Zheji sepse, nuk firmosi “Statutin e Kishës Katolike” të 1951. Mos me rrezikue njerzit e vet punoi punë të randa dhe banoi në shtëpinë e Shaqe Kadares, pranë Kishës së Arrës së Madhe. Edhe pse ishte i sëmurë mbas vitit 1991 porsa u rihapën Kishat, Don Pashko shkoi nder disa Kisha të shkatrrueme të Durrësit, ku ndihmoi edhe rindertimin e tyne.
Ka vdekë në vitin 1995 në Famullinë e Tiranës, i knaqun nga vizita e Papës Gjon Pali II në Shqipni në Prill 1993, kur pat fatin edhe me u takue me Papen në Shkoder.
■Don Pashko Muzhani ishte nder Klerikët e nderuem të Kishës Katolike Shqiptare dhe për këte Ai asht perndjekë edhe mbas dënimit me akuzen fallco të “mbajtjes së armës”. Motivacioni i Imz. Vinçenc Prennushit kur emnoi Don Pashkon pranë Dekanit Tiranës, Famullitarit Don Shtjefen Kurti (i pushkatuem në vitin 1971), ishte ky: “…Jam kah ta porosis e due të gjejë me ty, ky meshtar i ri i Arkidioqezës sonë nji drejtues të përzemert, nji Famullitar gjithë dashni e gjithë kujdes; i sigurt se edhe Don Pashkoja ka me dijtë me i pergjegjë asaj mirsije e ka me të dalë krah i djathtë nder të gjitha veprimet e shumta qi lypë ajo Zyrë. Shndet e bekim…” (Imz. V. Prennushi, 6 Gusht 1942, Nr. 348/42, Tiranë).

■Ishte viti 1966 kur hapa Ekspoziten e pikturës (ndoshta e vetmja) pranë Klubit Vllaznia.
Në një mbasdreke të bukur nga fundi i muejt qershor, ishe krejt vetem kur shoh në hymje të Ekspozitës tre Klerikë të njohun që po vinin me vizitue buzagaz… Po u printe piktori i njohun, i lauruem në Siena t’Italisë At Gegë Lumaj, dhe mbas Tij Don Nikoll Mazrreku, letrar i madh dhe artist i vertetë. I treti ma pak i njohun per mue ishte Don Pashko Muzhani, fjalëpak dhe i saktë në gjykimet artistike. Ndoshta, ajo vizitë e asaj ditë ishte nder ma të bukrat dhe ma mbreslanset per mue, mbasi rezultati i “provimit” para Atyne artistëve mbet i pashlyeshem pergjithmonë në kujtesen time. Shenimi në librin e pershtypjeve ishte ky: “Nji ekspozitë dinjitoze nder të paktat që kemi vizitue në qytetin tonë historik, me punime grafike prej piktorit Fritz Radovani. Firmat”.
Mbas pak ditësh erdhën edhe në shtëpi per urime… Në shtëpi u knaqën kur ua tregova punimin e “Krishtit të vdekun”, një grafikë e punueme në vitin 1961 dhe, që në vitin 1993, u vendos në kopertinen e librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 – 1990” që Ju dhurue Papës Gjon Pali II, me rasën e vizitës në Shkoder. Kalueme orë të bukra!
■Me datën 28 Qershor 1966 ishim per darkë naten e Emnit tek Prof. Petro Fundo, ku perveç tre Klerikëve të siperm ishte edhe Don Mark Hasi, Prof. Gasper Ugashi dhe disa vetë të tjerë që koha pasuese nuk na dha mundësi me u mbledhë kurrma bashkë!
■Ndoshta, Ju duket e pabesueshme…Po, per orë të tana që kalueme në atë darkë tek Profesor Fundo, mësallat që kishim perpara na u nevojitën me fshij lotët nga humori i hollë e i mrekullueshëm i At Gegës, “thumbave” të Don Nikollit, seriozitetit Don Markut dhe ironisë së Don Pashko Muzhanit! Prof. Gaspri dhe Fundo i hoqen fare gjyslykët…
■Asht vështirë me u shlye nga kujtesa kujtime të këtilla!
■Ishin Burra të mëdhej e të dijtun, prej të cilëve mësueme shumë!
Melbourne 2015.

Filed Under: Histori Tagged With: DON PASHKO MUZHANI, Fritz radovani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 89
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT