Liderët e Ballkanit, diskutime për ekonominë dhe sigurinë/
Forumi, i cili do të organizohet nën kujdesin e kancelarit austriak Faymann dhe asaj gjermane Merkel do ketw kwtw program:
Në ditën e parë të Samitit, më 26 Gusht, rreth orës 13:00, parashikohet një panel diskutimi mes ministrave të Integrimit dhe atyre të Jashtëm me temë “Mosmarrëveshjet bilaterale në Ballkanin Perëndimor”. Ky panel do të pasohet nga nënshkrimi i një marrëveshjeje me karakter kulturor mes Austrisë dhe Kosovës. Dita e parë e samit do të mbyllet me një ndeshje futbolli mes dy ekipeve që do të quhen “E ardhmja e BE-së” dhe “Ekipi i BE-së”. Në fushën e blertë austriake ekipin e të “Ardhmes së BE-së” do ta përfaqësojnë kryeministri Edi Rama me dy ministrat e tij Arban Ahmetaj dhe Ditmir Bushati, nga Bosnja ministri Crbadak, nga Kosova Hashim Thaçi, nga Maqedonia kryeministri Gruevski dhe Serbia kryeministri Vuçiç. Ndeshjen do ta arbitrojë komisioneri Hahn.
Dita e dytë e Samitit do të nisë me diskutimet për ndërtimin e autostradës Nish-Prishtinë-Durrës, ku në panel do të jenë kryeministri Rama, ai serb Vuçiç, komisioneri i Bankës Europiane të Investimeve Hoyer, komisioneri Hahn dhe presidenti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Chakrabati.
Në orën 10:30, ministrat e Jashtëm të rajonit do të diskutojnë tre çështje: bashkëpunimin rajonal, emigracionin dhe dialogun fetar, përfshi anti-ektremizmin. Paralelisht me këtë takim do të zhvillohet edhe ai i ministrave të Ekonomisë, nën drejtimin e ministrit austriak të Ekonomisë, Mitterlehner. Në përfundim të Samitit, kancelari austriak Faymann, kancelaria gjermane Merkel, përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme të BE-së, Federica Mogherini, dhe kryeministri serb Aleksandër Vuçiç do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.
Archives for August 2015
Përfundoi “Skena Verore” Ulqin 2015
ULQIN:Në Sheshin më të bukur të Kalasë përfundoi “Skena Verore”,edicioni i 27-të njofton, nga Ulqini në rrjetin social facebook Ismet Karanaga. Ai thotë se ky manifestim tradicional kulturor është hapur në fund të Korrikut dhe ka zgjatë deri me 20 Gusht. Mbi 20 ditë, për çdo natë ka pasur programe teatrale, letraro – muzikore dhe ekspozita të piktoreve të njohur nga Mali i Zi dhe Shqipëria.
Më tej ai informon se “Skena Verore” Ulqin 2015 ka pasur suksesë.
“Duke pasur parasyesh mungesën e mjeteve finansiare për hartimin e një programi më kualitativ, duhet të jemi të kënaqur më ato se çka është prezentuar në këtë Skenë. Përveç “Kalimerës Poetike” me të cilën ka filluar “Skena Verore” ka pasur edhe pjesë te tjera të cilat kanë lënë mbresa tek shumë dashamirësit të artit dhe tek mysafiret, të cilët pushojnë në qytetin e Ulqinit.Mbresa të veçanta ka lënë Maestro Ramazan Peku më orkestrën e tij, dhe sopranja e njohur Ulqinake Gjylije Pelinku”, thekson Karanaga.
Në fund ai shkruan se me këtë koncert festiv është mbyllur edhe “Skene Verore” 2015. Drejtori i Qëndrës për Kultur Dr. Nail Draga ka dhënë një kontribut të veçantë me praninë e tij për çdo natë, çka është për t’u lavdruar./B.S/
KRYETARI I VATRES PRITI SEKRETARIN SHKENCOR TË INSTITUTIT TE HISTORISË TË KOSOVËS
Të Premten me 21 Gusht 2015, Kryetari i Vatrës, Dr. Gjon Bucaj, priti në Selinë e Vatrës, sekretarin Shkencor të Institutit të Historisë të Kosovës, Mr. sc. Arben Arifi. Në takim ndodheshin edhe anëtarët e kryesisë së Vatrës, Marjan Cubi dhe Dalip Greca.
Kryetari i Vatrës i uroi mirëseardhjen mysafirit dhe e informoi për veprimtaritë dhe qëndrimet e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra. Ai shfaqi qëndrimet e Vatrës për rishkrimin e Historisë pa ndikime ideologjike dhe vlerësimin e figurave kombëtare, duke hequr dorë nga trashëgimia e historisë komuniste, që i trajton nacionalistët si bashkëpunëtorë të fashizmit e nazizmit an block, pa sjellë në fokus kontributin kombëtar, ndërkohë që bashkëpunëtorët për 50 vjet me armiqtë sllavë, trajtohen si patriotë! Ka ardhur koha, tha dr. Bucaj, që historianët dhe institucionet që merren me historinë tonë kombëtare të jenë të pavarur nga politika dhe të zhveshur nga ideologjia komuniste. Edhe Shqipëria, edhe Kosova, kanë nevojë për bashkëpunim të ngushtë dhe ndërtimin e një platforme kombëtare dhe shkrimin e plotë të Historisë.
Mysafiri nga Kosova, falenderoi për mikpritjen dhe informoi për punën që po bën Instituti i Historisë në Kosovë. Ai shfaqi pikëpamje të përbashkët me kryetarin e Vatrës në drejtim të pavarësisë së Institucioneve, vecanërisht të atyre që merren me hartimin e Historisë.Në vendet me demokraci të zhvilluar, politika dhe shteti kërkojnë këshilla nga historianët dhe institucionet, ndërsa në mentalitetin shqiptar, këto institucione vetëm emërohen apo urdhërohen nga politika. Z. Arifi tha se Instituti po punon me projekte të detajuara për shkrimin e Historisë.
Instituti i Historise ka organizuar tryeza shkencore, konferenca, dhe simpoziume për ngjarje dhe personalitete të rendësishme të historisë kombëtare. Në këto organizime kanë marrë dhe marrin pjesë studiues jo vetëm shqiptarë por edhe të huaj. Instituti i Historisë në kuadër të veprimtarisë së vet shkencore ka vënë bazat e bashkëpunimit nderkombëtar me institucione simotra në rajon dhe më gjërë.
Instituti i Historisë aktualisht është i fokusuar në: Historia e Kosovës, Historia e Luftes, dhe Gjenocidi serb ndaj shqiptarëve 1877-1999. Nuk kemi ende, tha ai, një Histori të plotë të Kosovës.
Sekretari i Institutit të Historisë së Kosovës z. Arifi dhe kryetari i Vatrës dr. Gjon Bucaj ranë dakort për një plan konkret bashkëpunimi mes Vatrës dhe Institutit.
Z. Arifi i dhuroi bibliotekës së Vatrës librat:
1- ARBËRORËT- NDËRMJET KISHËS PERËNDIMORE DHE ASAJ LINDORE GJATË SHEKUJVE XI-XV të autorit GJON BERISHA
2-Librin e iNstitutit të Historisë-Prishtinë”KOSOVA” 39
3- Dokumente Diplomatike të Qeverisë Shqiptare Për Demonstratat e Vitit 1981 Në Kosovë-Përgatitur nga Sabit Syla
4- Ali Hadri, Jeta dhe Vepra
Editori i Diellit, Dalip Greca,i percolli mysafirit nga Kosova dokumente e fotografi, qe pershkojne rrugen 103 vjecare te Vatres dhe rrugen 106 vjecare te Gazetes Dielli.
***
KUSH ËSHTË ARBEN ARIFI?
Arben Arifi, u lind më 06. 04. 1973 në Grabanicë-Klin, Shkollën fillore “Azem Bejat” e përfundoi në Grabanicë, ndërsa gjimnazin e përfundoi më 1987në Klinë. Në vitin akademik 1999/2000 filloi stundimet per Master në Fakultetin Filozofik-Dega e Historisë në Universitetin e Prishtinës. Në këtë fakultet magjistroi më 22.03.2004, me temën: “Nekropolët në Kosovë ne shek. V- XV”.
Në vitin akademik 2004/2005 në Universitetin Piérre Mèndes France- Grenoble II, fillon studimet Master në periudhën e Antikës, ku edhe mbron temën e masterit më 25. 03. 2007, me temën: “ Sistemi i fortifikimeve ne Kosovën Veri-Perëndimore”.
Vazhdon studimet e doktoraturës ne Universitetin Paris IV– Sorbonne me temën «Kosova (Dardania) gjatë kalimit nga Antika e vonë në Mesjetën e hershme».
PËRVOJA E PUNËS :
• Gjurmime arkeologjike, Salzkogől të Austrisë gusht-shtator 2001, Universiteti i Prishtinës në Vlashnjė (2002).
• Butrint me Institute of World Archaeology (Britani e Madhe) dhe Institutit Arkeologjik të Shqipërisë (2002, 2003, 2004).
• Apolloni, Misioni Arkeologjik Francez 2005.
• Ulpiana 2006, 2007.2008, 2009, 2010.
• Kryetar i OJQ-se Shoqatës se Historianëve të rinj në Fakultetin Filozofik dega e Historisë në Prishtinë (2001- 2003), Ruajtja e trashëgimisë kulturore (Departamenti i Kulturës – UNMIK, 2002)
• Që nga 01.09.2007, punon në Instituti e Historisë-Prishtinë.
FUSHA DHE PERIUDHA E INETERESIMEVE SHKENCORE:
Arben Arifi, merret me Historinë e Antikës se vonë dhe e mesjetës se hershme.
KUMTESA DHE PJESMARRJE NË KONFERENCA, SIMPOZIUME, SESIONE DHE TRIBUNA SHKENCORE NË KOSOVË :
• Sistemi fortifikues mbrojtës në Dardani në kohën e Justinianit. Në simpoziumin shkencor “Gjurmëve të perandorit Justininan“ Prishtinë 2008.
• Kalaja e Radacit, në simpoziumin shkencor “Kalatë e Kosovës” , Pejë 2008
• Arben Arifi &Luan Tetaj, Deklarata Kushtetuese dhe Kushtetuta e Kaçanikut në shtypin e kohës. Kumtesë me rastin e 20-vjetorit të shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, mbajtur më 2 korrik 2010 në lokalet e Fakultetit Filologjik në Prishtinë.
PUNIME SHKENCORE TË BOTUARA :
• Fortifikime të antikës së vonë e mesjetës së hershme në Kosovën veriperëndimore. Revista “Kosova” nr. 29/30, Prishtinë 2008
• Shkrimet e Ali Hadrit për iliret., “ Ali Hadri jeta dhe vepra“, Prishtinë 2009.
SHQETESIM PER VENDLINDJEN- A ËSHTË RASTËSI NDOTJA E FSHATRAVE SHQIPTARE NË PLAVË GUCI?
* Vallë, si është e mundur, që në dy vendbanimet emblematike të Plave Gucisë, në fshatin Martinaj dhe Vuthaj, bëhet një degradim i ambientit dhe në të dy rastet ky degradim ka marrë bekimin e shqiptarëve,… se kinse përfaqësojnë interesat e popullatës?/
* Në Martinaj ndërtohet një deponi e egër nga shteti malazias… Në fshatin Vuthaj vendoset dhe i jepet leja e punës një fabrike të industrisë së drurit mu në qendër të fshatit dhe pranë lumit Gerla duke shëmtuar pamjen piktoreske të Vuthajve…./
NGA ESAD GJONBALAJ/
Viteve të fundit jemi dëshmitarë të një fushate sistematike të dekurajimit të shqiptarëve të Plavë Gucisë për të qëndruar në trojet e tyre stërgjyshore.
Kjo fushatë e orkestruar nga qarqe antishqiptare për fat të keq nganjëherë në valle ka përfshirë edhe bashkëkombësit tonë të cilët me vetëdije apo pa të , dëmtojnë interesat e përgjithshme të shqiptarëve autoktonë të Plavë Gucisë.
Fushata e orkestruar si pasojë ka synuar dekurajimini e vendorëve për të qëndruar në vendlindje por edhe dekurajimin e diasporës që me kapitalin e tyre të japin një impuls të ri ringjalljes dhe faktorizimit të shqiptarëve në aspektin ekonomik.
Kjo fushat siç e cekëm ma lart merr përmasa të mosmarrëveshjeve dhe zënkave në mes të vetë shqiptarëve dhe si rrjedhojë ka sjellë demoralizimin e investitorëve potencialë, duke krijuar një klimë jo të këndshme për investime, klimë e cila rëndon perspektivën e mbijetesës dhe qëndrimin e shqiptarëve në vendlindjet e tyre. Ambiciet dhe apetitet e individëve të ndryshëm të mbështjella me petkun partiak dhe me mbështetjen e pseudomilitantëve naivë, sjellin një degradim të parimeve elementare të fisnikërisë së malësorëve të kësaj treve.
Vallë, si është e mundur, që në dy vendbanimet emblematike të Plave Gucisë, në fshatin Martinaj dhe Vuthaj, bëhet një degradim i ambientit dhe në të dy rastet ky degradim ka marrë bekimin e shqiptarëve,… se kinse përfaqësojnë interesat e popullatës?
Në Martinaj ndërtohet një deponi e egër nga shteti malazias duke mos respektuar asnjë kriter minimal për deponit , ku mbeturina të llojllojshëme hidhen ne natyrën e pa prekur nga dora shkatërrimtare e faktorit njeri.
Kjo deponi rëndon dhe e banë të pa mundur mbijetesën e banorëve të fshatit edhe pse kundër ndërtimit dhe funksionimit të saj u rezistua ashpër nga martinasit, mirëpo implementimi i këtij projekti të egër u bë me dhunë policore nga shteti malazias.
Në fshatin Vuthaj vendoset dhe i jepet leja e punës një fabrike të industrisë së drurit mu në qendër të fshatit dhe pranë lumit Gerla duke shëmtuar pamjen piktoreske të Vuthajve, rrezikuar ekzistencën e gjallesave në lumin Gerla, uji i të cilit përdoret edhe për si uj i pishëm, por edhe ndot rëndë ambientin e shtëpive të banorëve, që jetojnë rreth këtij ndotësi të ambientit mu në qendër të fshatit.
Nuk është reagimi ynë qëllim i pengimit të veprimtarisë së këtij biznesi por duhet të ketë kritere të ushtrimit te veprimtarisë e jo në mënyrë të egër të vendoset zona industriale mu në mes të fshatit pa përfillur fare vullnetin e banorëve .
E që ironia të jetë ma e madhe e tërë kjo bëhet në një shtet të ashtuquajtur ekologjik me emrin Mali i Zi, i zi në fakt nga mbeturinat që ky pseudoshtet ka prirje të veçantë për të sajuar si në aspektin politik dhe shoqëror me strategji të qarta antishqiptare.
Ambasadori Delawie: SHBA kanë qenë miq të palëkundur të Kosovës që prej hapjes së Zyrës Informative në vitin 1996
-Jahjaga: Së bashku do të thellojmë partneritetin dhe miqësinë permanente mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës/
-Ambasadori i ri i SHBA-ve, Greg Delawie dorëzon letrat kredenciale dhe shëtiti më këmbë shesheve të Prishtinës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 21 Gusht 2015/ Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, sot pasdite dorëzoi letrat kredenciale në pritjen me ceremoni solemne shtetërore te presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, bashkë me të cilën edhe shëtitën më këmbë shesheve të Prishtinës, pasi dhanë edhe deklarata për mediat.
Brenda takimit, pas ceremonisë zyrtare të dorëzim-pranimit të letrave kredenciale, Presidentja Jahjaga i dëshiroi mirëseardhje dhe punë të mbarë ambasadorit Delawie, dhe më pastaj biseduan për çështje të aktualitetit në Kosovë, sundimin e rendit dhe të ligjit, forcimin e luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe ekstremizmit, rrugën evropiane të Kosovës dhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Presidentja Jahjaga dhe ambasadori Delawie theksuan rëndësinë e partneritetit dhe të miqësisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe SHBA-së dhe nevojën e zgjerimit të bashkëpunimit. Ata thanë se përparimi në fushën e sundimit të ligjit do të ndihmojë vendin edhe në hapjen e perspektivës ekonomike dhe krijimin e një klime të mirëbesimit për investime të huaja.
Ambasadori i ri i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, e falënderoi Presidenten për mikpritjen e ngrohtë dhe theksoi rëndësinë e thëllimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Ambasadori Delawie fillimisht me mirëdita të gjithëve, duke folur edhe shqip.
“Faleminderit Presidente Jahjaga për mikpritjen e veçantë që ju dhe stafi juaj na ofruat sot. Kam nderin që përfaqësoj presidentin Obama dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtu në Kosovë. Jam krenar që po i bashkohem listës së gjatë të zyrtarëve amerikanë që mund t’ju quajnë juve – dhe Kosovën – miq”, u shpreh ai.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës , vijoi ambasadori Delawie, kanë qenë miq të palëkundur të Kosovës që prej hapjes së Zyrës Informative në vitin 1996.
“Tash, përderisa po bëhemi gati që me zell ta shikojmë ndërtimin e ambasadës së re gjatë mandatit tim, bashkëshortja ime Vonda, fëmijët tanë, Torrence dhe Fred dhe unë jemi shumë të lumtur që jo vetëm do ta kemi rastin t’i shohim vendet historike dhe kulturore në Kosovë, por edhe t’i shijojmë bukuritë e saj natyrore. E kam në plan që të zhytem në këtë menjëherë gjatë kësaj fundjave”, tha ai.
Po ashtu, vijoi ambasadori Delawie, i pres me padurim bisedat me prijësit qeveritarë, grupet afariste dhe me shoqërinë civile. E di se do të dëgjoj shumë për sfidat e shumta me të cilat përballeni, por edhe idetë tuaja të mira për vazhdimin e partneritetit tonë të fuqishëm përmes së cilit mund të arrijmë edhe më shumë suksese dhe të arritura.
“Jam i bindur se, duke punuar së bashku, udhëheqësit kosovarë mund ta vazhdojnë ta çojnë përpara sundimin e ligjit ta forcojnë sigurinë rajonale, të ndërtojnë institucione të fuqishme demokratike dhe ta vazhdojnë punën e rëndësishme për të ofruar mundësi ekonomike për të gjithë”, theksoi ai.
Po ashtu, tha ambasadori amerikan, pres me padurim t’i takoj të rinjtë e Kosovës, për të mësuar nga brezi i prijësve të ardhshëm rreth sfidave me të cilat përballet vendi.
“Ishte kënaqësi dhe nder që mora pjesë në këtë ceremoni sot, e cila shënon fillimin zyrtar të punës sime me Qeverinë e Kosovës. Mezi po pres që t’ia filloj punës. Ju faleminderit shumë”, përmbylli deklaratën ambasadori Delawie.
Presidentja Jahjaga tha se, kishte nder të jashtëzakonshëm që t’i uroj mirëseardhje në Kosovë, ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie dhe familjes së tij, dhe t’i uroj punë të mbarë në detyrën e re në Kosovë.
“Së bashku, z. Ambasador, ne do të thellojmë partneritetin dhe miqësinë permanente mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, u shpreh ajo.
Presidentja e Republikës theksoi se, kemi kaluar një rrugë të gjatë për ta bërë Kosovën shtet dhe se, sot shteti ynë është promovues i paqes, sigurisë dhe stabilitetit, një demokraci e re dhe dinamike, në përpjekje të vazhdueshme për t’u përmirësuar, për t’u shndërruar në vend ku sundon rendi dhe ligji.
“Ambasador, në këtë rrugëtim populli i Kosovës ka gëzuar besimin e shtetit tuaj dhe mbështetjen e tij të pakursyer për t’i realizuar idealet dhe vlerat tona të përbashkëta. Kosova mbetet e palëkundur në këtë përkushtim. Përparimi i Kosovës është i jashtëzakonshëm. Natyrisht, neve na presin shumë punë për ta bërë këtë përparim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm”, u shpreh Jahjaga.
Ajo theksoi se, përpjekjet tona të përbashkëta kam besim se do ta mundësojnë ndërtimin e shtetit gjithëpërfshirës, dhe shtetit të së drejtës, që hap perspektivën për secilin qytetar, pa dallim dhe që e afron shtetin e Kosovës drejt qëllimit për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
“Kosova ka dëshmuar se është shtet që i kupton seriozisht obligimet e veta ndërkombëtare dhe që jemi partnerë të rëndësishëm në konfrontimin e sfidave globale që kërcënojnë sigurinë tonë të përgjithshme. Mbetet synim i ynë që të bëhemi pjesë e pandashme e organizatave dhe mekanizmave ndërkombëtarë për ta dhënë kontributin tonë në axhendën e përbashkët”, tha Jahjaga.
Ne, vijoi Presidentja kosovare, kemi treguar përkushtimin për ndërtimin e marrëdhënieve të mira në rajon dhe i kemi hapur rrugën bashkëpunimit përmes dialogut dhe përmes arritjes së marrëveshjeve për ta bërë paqen të qëndrueshme dhe për t’i hapur perspektivën tërë rajonit.
“Ambasador Delawie, më lejoni që edhe njëherë t’ju shpreh mirëseardhjen time, në emër të popullit të Kosovës dhe të institucioneve të saj, duke u përkushtuar gjithnjë në partneritetin dhe miqësinë, vlerat dhe idealet që dy vendet tona i ndajnë së bashku”, tha në deklaratë Jahjaga.
Presidentja Jahjaga dhe ambasadori i SHBA-së, Delawie, bën një shëtitje në qendrën e qytetit të Prishtinës ku vizituan edhe panairin “Java e Mjedrave” që promovon prodhimin vendor dhe që mbështetet nga USAID-i.
Ambasadori amerian derisa ecte në sheshet Ibrahim Rugova, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e Nëna Terezë, ku vizitoi edhe panairin e mjedrave që promovon prodhimin vendor dhe që mbështetet nga USAID-i, u mirëprit e përshëndet përzemërsisht nga shumë qytetarë, edhe duke u takuar me shtrëngime duarsh.
Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa pret sot në takim ambasdorin e ri të SHBA-ve, Greg Delawie, i cili ka mbërritur dje në Prishtinë.
Ambasada Amerikane në Prishtinë në 30 mars njoftonte se, Presidenti Obama ka nominuar Greg Delawie-n që të shërbejë si ambasadori i ardhshëm i SHBA-ve në Kosovë.
Në fjalën në ceremoninë e betimit si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, në 24 korrik 2015, Delawie mes tjerash është shprehur: “Besoj që qytetarët e Kosovës e ndajnë vizionin tonë. Aspiratat e tyre e përfshijnë Kosovën si shtet demokratik, shumetnik, të njohur dhe në paqe me fqinjët e vet, me një qeveri që funksionon mirë dhe që e zbaton sundimin e ligjit dhe që është e lirë nga korrupsioni. Edhe ata e dëshirojnë një Kosovë që është në rrugë të qëndrueshme drejt anëtarësimit në institucionet kryesore evropiane. Dhe ata dëshirojnë një Kosovë ku me arsye mund të presin të gjejnë vende pune që do t’u ofrojë familjeve të tyre të ardhme pozitive”.
Në 6 korrik, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në takimin e lamtumires e dekoroi ambasadoren e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson me Urdhrin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Ibrahim Rugova”, për kontribut të veçantë për ndërtimin e paqes, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e humanizmit në Republikën e Kosovës.
SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, para mëse 19 viteve, në 6 qershor 1996, që u bë nga Nënsekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, shënonte vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.
“Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës është festë për kosovarët dhe përjetohet si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen”, raportoja nga korrespondentura e ATSH në Prishtinë atë ditë të lume gëzimi para 19 viteve..
Në 6 prill 2008 Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë, ndërsa më 18 korrik, po atë vit historik të shpalljes së pavarësisë, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë amerikane për Republikën e Kosovës.
Në 5 maj 2015, në Prishtinë u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishin të pranishëm përfaqësuesit e institucioneve më të larta kosovare, si dhe të ambasadave në Kosovë.
“Ky moment shënon fillimin e ndërtimit të shtëpisë tuaj të përhershme në Kosovë, në shtetin tonë të ri qytetarët e të cilit u janë përjetësisht falënderues dhe mirënjohës për rolin e guximshëm dhe historik që keni në bërjen e Kosovës shtet”, theksonte presidentja e Republikës duke iu drejtuar ambasadores së SHBA-ve.
- « Previous Page
- 1
- …
- 25
- 26
- 27
- 28
- 29
- …
- 89
- Next Page »