• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2015

Kush është Milovan Drecun-i?

December 26, 2015 by dgreca

Nga Bardhyl Mahmuti/
Nga serbët e parë që reaguan kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen e Asociacionit të Komunave serbe, reagimi i Milovan Drecun-it zuri vend të rëndësishëm në mediet e Kosovës. Fatkeqësisht të gjitha publikimet që iu bënë reagimit të Milovan Drecun-it u shoqëruan me sqarime vetëm për funksionin e tij si Kryetar i Këshillit të Kuvendit të Serbisë për Kosovë.
Funksioni që ushtron aktualisht Milovan Drecun-i është domethënës për të kuptuar vazhdimësinë strukturore të regjimit të Millosheviqit. Këtë temë e kam trajtuar më gjerësisht në librin tim «Mashtrimi i Madh». Në këtë reagim të shkurtër po sjell vetëm disa fakte që do t’u ndihmonin atyre që nuk e dinë se kush është ky person për të kuptuar se Milovan Drecun-i nuk mund të dilte me qëndrim tjetër. Për më tepër, faktet që do t’i sjell janë tejet bindëse për të potencuar se gjithmonë kur përmendet ky person Portalet dhe mediet në gjuhën shqipe duhet ta shoqërojnë lajmin më RIKUJTIMIN se vendi i këtij krimineli është në burg!
Po rikujtoj se gjatë agresionit ushtarak serb mbi Kosovën Milovan Drecun-i ishte gazetari për çështje ushtarake i Radio Televizionit të Serbisë. Në këtë cilësi a volli pareshtur vrer dhe nxiti në maksimum urrejtjen kundër shqiptarëve. Në veçanti u shqua për “intervistën ekskluzive” me Bekim Mazrekun, të riun që e kishin torturuar tmerrësisht derisa e kishin detyruar të pranonte se gjoja kishte marrë pjesë në ekzekutimin e civilëve serbë në Kleçkë. Akuza për gjoja djegien e kufomave të civilëve serbë në «Krematorin e Kleçës» është akuzë e shpërndarë në përmasa shumë të mëdha te gazetarët e huaj që vinin në Media Centarin e krijuar nga regjimi i Millosheviqit, pikërisht nga Milovan Drecun.
Krahas shpërndarjes së gënjeshtrës për «Krematorin e Kleçës» një rol të rëndësishëm luajti në shpërndarjen e gënjeshtrës se gjoja në fshatin Reçak nuk ishin vrarë civilë shqiptarë por “ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilëve, me udhëzime të instruktorëve amerikan dhe britanik, ua kishin hequr uniformat, i kishin veshur me tesha civilësh dhe i kishin gjymtuar për të krijuar përshtypjen se kishte ndodhur një masakër”.
Për të gjitha nxitjet dhe gënjeshtrat që kishte bërë kundër shqiptarëve gjeneralkoloneli famëkeq serb Nebojsha Pavkoviqi e dekoroi me dekoratën më të lartë që ndonjëherë kishte marrë ndonjë gazetar.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe tërheqjes së forcave serbe Bekim dhe Luan Mazreku, pasi ishin dënuar në procesin e montuar gjyqësor nga 20 vjet burg, u liruan nga Gjykata Supreme e Serbisë si të pafajshëm.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë u ndriçua në tërësi akti gjenocidar i kryer në fshatin Reçak.
Për përgjegjësitë në krimet e kryera në Kosovë, gjeneralkoloneli famëkeq serb Nebojsha Pavkoviqi u dënua nga Gjykata ndërkombëtare e Hagës me 22 vjet burg. Ndërsa, njëri nga të dekoruarit e tij, Milovan Drecun-i, i cili kishte marrë pjesë në nxitjen e akteve të dhunës, në montimin e proceseve kundër vëllezërve Mazreku dhe në fshehjen e gjurmëve të gjenocidit, nuk u dënua.
Po rikujtoj se më 1 korrik 2009, në Gjykatën për Krime Lufte në Serbi, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë dorëzoi padinë kundër gazetarëve të «Radio Televizionit të Beogradit», të «Radio Televizionit të Novi Sadit» si dhe kundër gazetarëve të gazetave «Politika», «Večernje Novosti» dhe të gjithë atyre që gjatë shpërbërjes së Federatës Jugosllave u vunë në shërbim të propagandës luftënxitëse.
Me këtë padi penale, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë akuzoi gazetarët, që i shërbyen kësaj propagande, se duke manipuluar me mediet, ndikuan në përhapjen e urrejtjes ndërnacionale dhe ndërfetare, në nxitjen e diskriminimit dhe të armiqësive, me çka kanë krijuar parakushtet psikologjike për dhunën dhe për krimet më brutale.

Për këtë arsye, ky asociacion kërkoi nga Gjykata për Krime Lufte në Serbi që në përputhje me nenin 145 të Kodit Penal të Republikës Federative të Jugosllavisë të dënoheshin këta gazetarë për vepër penale të organizimit dhe të nxitjes së kryerjes së gjenocidit dhe të krimeve të luftës.
Në mesin e gazetarëve, që u paditën për manipulime mediatike në funksion të nxitjes së krimeve në Kosovë, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë akuzoi edhe Milovan Dracun-in, gazetarin e çështjeve ushtarake e politike të Radio Televizionit të Serbisë
Akuza e Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Serbisë për manipulime mediatike në funksion të nxitjes së krimeve, për përhapjen e urrejtjes ndërnacionale dhe ndërfetare, si dhe për nxitjen e diskriminimit dhe të armiqësive nuk pati asnjë pasojë negative për Milovan Drecun-in. Përkundrazi, ai pati vetëm privilegje!
Pas veprimtarisë së gjatë aktive në kuadër të partisë së Milošević-it, në qershor të vitit 2011 u anëtarësua, në Partinë Përparimtare Serbe të kryesuar nga Kryeministri aktual i Serbisë, Alеksandar Vuçiqi. Po i sjell për lexuesin që nuk është i informuar se bëhet fjalë për partinë politike të themeluar nga presidenti aktual i Serbisë, Tomislav Nikoliqi, që ka qenë nënkryetarë i Partisë Radikale Serbe të Vojislav Sheshelit.
Në vend që të përgjigjet për pjesëmarrje në krimet e kryera në Kosovë, ai në cilësinë e kryetarit të Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovë vazhdon logjikën e përhapjes së urrejtjes dhe nxitjes së armiqësive kundër shqiptarë. Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë insiston që ky kriminel të merr dënimin e merituar. Fatkeqësisht mediet tona i japin hapësirë qëndrimeve të këtij krimineli i cili i cilëson Kushtetutën e Kosovës dhe Qeverinë e saj si “të ashtuquajtura” dhe kërkon ndryshimin e Kushtetutës për t’ia mundësuar Serbisë kthimin në Kosovë!

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmuti, kush eshte, Milovan Drecun-i?

GËZUAR KRISHTLINDJEN

December 26, 2015 by dgreca

Vjollca Tiku Pasku/

Mes bardhësisë ndihem një flok bore,/
si një ëndërr e bardhë që bie nga qielli,/
buzëqesh e luaj me mjekrën e dimrit të çalë,/
teksa puthem e shkrihem me tokën ngadalë./

Muzikë kristalesh nga lira e paqes qiellore,/
kërcehesh në fishkëllimën e erës lozonjare,/
herë në tufëza bashkë si dritëza të reja nate,/
herë veç e veç si petale rënë nga duart e engjëjve./

Në perdet e fshehura të reve të larta,
zgjidh siparin për një urim me borë,
Gëzuar Krishtlindjen për mbarë njerëzimin,
drita e Krishtit ju dhëntë bekim.

Vjollca Tiku Pasku

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: GËZUAR KRISHTLINDJEN, Vjollva Tiku Pasku

Doli nga shtypi Antologjia poetike”Pena e Lirise”

December 26, 2015 by dgreca

Aktiviteti I Klubit Letrar,,Arif Shala,,ne Kanade u kurorezua me suksese me rastin e botimit te Antologjise Poetike,,Pena e Lirise,,qe I kushtohet heroit Arif Shala nga Drenica.Sheremet Ajazi,kryetar i klubit te krijuesve shqiptare thote per gazeten ,,Dielli,,se klubi yne u formua ne Prishtine ne vitin 2005 dhe tashme ne gjirin e vet ka 130 anetare nga te gjitha trevat tona etnike dhe diaspora shqiptare Kanade-SHBA.Zeri i krijuesve u degjua ne shume manifestime kulturore si dhe ka kordinuar botimin e nje seri te veprave letare-historike per Kohen shqiptare ne diaspore dhe atdhe,thekson zeshem Ajazi.
Ne botimin e Antologjise poetike,,Pena e Lirise,,jane prezentuar krijimet poetike te kohes shqiptare te Kosoves,ku nje pjese te jetes e vuri ne sherbim te akuzes Arif Shala,i njohur ne popull si Hoxhe Avdia nga Sankofci i Drenices,per te cilin sherbimi policor serb me te hetuar veprimtrine e tij kombetare dhe angazhimi i tij kunder shpernguljes ne Turqi dhe per Lirine e Kosoves,ia zuri priten ne vitin 1946 per ta vrare dhe varrimin e tij e pati ndaluar per pjesemarrjen e popullit te Drenices.Vetem ne saje te zerit liridashes dhe kombetar te Arif Shales,sipas kronikave te kohes,nga Drenica nuk pati shperngulje per ne Turqi dhe amaneti i tij me porosine e Shaban Palluzhes qe lufta te shkoj deri ne fund per lirine dhe bashkimin e Kosoves me Shqiperine nuk e ndali pushken e veprimtarit dhe poetit Arif Shala.
Faqeve te para te Antologjise i paraprine mendimi i Prof.dr.Muhamet Pirraku,bashkevendas i Arif Shales ku nder te tjera pati thene:,,Ore te LNDSH-se flamur ne Drenice,burra me bese-eminence e shqiptarise,yje te pashuar ne altar te Shqiperise,,.Autori i kesaj antologjie Sheremet Ajazi,ka perzgjedhur me kujdes disa nga krijimet e Arif Shales te shkruara ne Kohen kur Drenica kallej flake nga dora vrastare e Serbise nga permbledhja ne doreshkrim,,Krisma e pushkeve te lirise.
Ne pjesen e dyte te faqeve antologjike kane zene vend poezite e shkruara nga uatore te trojeve shqiptare dhe diaspora neper bote:Abdyl Shkodra,Ali Ali Dema,Cerkin Ismajli,Nezir Prokshi,Dibran Fylli,Ali Berisha,Rabije Bytyqi,Rudi Berisha,Aurora Vela,Arbnor Shala,Besnik Gashi,Drita Fejza,Sheremet Prokshi,Isuf Sahitaj,Zeqir Dobruna,Donika Hoxha,Gentrit Ajazi,Ferat Ferati,Elizabeta Rexhepi,Hajdin Rama,Hamdi Gruda,Imer Ajazi,Rexhep Ajazi,Sheremet Ajazi,Shqipe Hasani,Sanije Ahmeti,Skender Karaqica,Xhafer Dvorani,Valentina Ahmeti,Vlora Berila,Iliriana Ismaili,Ismet Tahiri,Izet Hajdini,,Magbule Qyqalla-Bublaku,Merita Berisha,Mehmet Shala,Muhamet Luma,Nazif Ajazi dhe Sabri Kadriu.
Antalogjia eshte botuar ne Prishtine ne nje tektnike standard te kohes,Redaktor Dibran Fylli dhe Recensent Nezir Prokshi te botuar me shpenzimet e autorit Sheremet Ajazi,nipi i Arif Shales me vendbanim te perkohshem ne diasporen shqiptare ne Kanade.

Skender KARACICA

Filed Under: LETERSI Tagged With: "Pena e Lirise", Doli nga shtypi Antologjia, poetike, Skender Karacica

Detarët shqiptarë festojnë 90 vjetorin e krijimit të Flotës Luftarake

December 26, 2015 by dgreca

Nga “Elco-ot” Amerikanë të Luftës së I-re Botërore, tek “ARChangelat” e 2010, Dhuratë e Departamentit të Shtetit të SHBA/
Nga Shefqet Kërcelli/
Eshte festuar keto dite 90 vjetori i Flotes Luftarake Shqiptare. Më datën 23 Dhjetor 2015, në molin numur 4 të portit të Durrësit, u zhvillua një ceremoni festive me rastin e 90 vjetorit të krijimit të Flotës Luftarake Shqiptare. Në këtë event të rëndësishëm jo vetëm për detarët por gjithë popullin shqiptar, morën pjesë ish kuadro dhe detarë që kanë shërbyer në Flotën tonë Luftarake, veteranë, përfaqësues të shoqatës “Adrijon” dhe institucioneve detare të vendit, efektiva të Forcës Detare, qytetarë të Durrësit dhe përfaqsues të medias. Gjithashtu festën e detarëve me uniformë e nderuan me pjesmarrjen e tyre, Ministre e Mbrojtjes zonja Mimi Kodheli, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneralmajor Jeronim Bazo, deputetë të Komisionit të Sigurisë e Mbrojtjes, atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë, etj. Atmosferës festive në sheshin e molit 4, ju shtua dhe bregëzimi në këtë mol i dy anijeve tona patrulluese, “Iliria” dhe “Lissus”. Mbas ekzekutimit të Hymnit Kombëtar, Gjeneralbrigade Ylber Dogjani, Komandant i Forcës Detare, i uroi detarëve shqiptarë festën e 90 vjetorit dhe bëri një rezyme të shkurtër të historisë së Flotës sonë Luftarake nga dita e krijimit. Më pas zoti Dogjani evidentoi dhe detyrat që kryejnë efektivat e Forcës Detare në zbatim të misionit të tyre, si ato të kërkim-shpëtimit, ashtu dhe ato për zbatimin e ligjshmërisë detare e kundër trafiqeve të ndryshme, të cilat janë evidente dhe kërkesë e kohës. Ndërsa Ministre e Mbrojtjes zonja Mimi Kodheli, në fjalën e saj theksoi se, “Është nder dhe kënaqësi e vecantë për mua të uroj detarët shqiptarë në këtë jubile të madh të 90 vjetorit të krijimit të Forcës sonë Detare. Populli shqiptar ka një traditë të spikatur të detarisë, përgjatë gjithë historisë shekullore, të vërtetuar e dokumentuar nga mjaft studjues vendas e të huaj. Në çdo periudhë, epokë apo ngjarje historike, roli i detarëve shqiptarë në Adriatik e Jon, ka qenë prezent, për vetë pozicionin gjeografik të vendit tonë. Sigurisht, në këtë histori të ndritur periudha mbas krijimit të shtetit shqiptar zë vend kryesor. Gjatë kësaj rruge shekullore, ku bashkohet kontributi i disa brezave, përfshihet dhe roli i pazvëndësueshëm i detarëve me uniformë, të cilët në vite, me sakrifica, vështirësi, guxim e heroizëm, duke u përballur me dallgët e detit, gjatë lundrimeve pa fund, ditë e natë, në mot të qetë e të trazuar, kanë shkruar historinë e tyre të lavdishme, si pjesë integrale e historisë së Popullit Shqiptar. Sot ne nderojmë dhe respektojmë aktin heroik të dy ekuipazheve të anijeve “Shqiponja” dhe “Skënderbeg”, të cilët me përvojën e tyre si detarë, më 25 dhjetor 1925, filluan patrullimin në ujërat tona, në emër të një qëllimi të madh, ruajtjes së kufirit detar të shtetit shqiptar. Në shtypin e asaj kohe shkruhet se dy anijet e bregëzuara në Currila u përshëndetën nga qytetarët e Durrësit dhe pasi u larguan një milje nga bregu, bënë tre të shtëna me topa. Nga ajo ditë e shënuar, Flota jonë Luftarake ka njohur transformime dhe zhvillime të rëndësishme, me uljet e ngritjet e saj, por duke ruajtur cdo kohë substancën e popopullit tonë, si popull detar”, theksoi zonja Kodheli. Në fund të fjalës përshëndetëse zonja Kodheli tha se, “Flota jonë Luftarake Detare, në këto 90 vite ka pasur zhvillime të rëndësishme në varësi të strategjisë dhe politikave të sigurisë të ndjekura nga shteti ynë. Efektivat e Flotës sonë Luftarake Detare në këto 90 vite janë dalluar për profesionalizmin, kulturën, vullnetin e përkushtimin në kryerjen e misionit fisnik për mbrojtjen e kufijve dhe zbatimin e ligjshmërisë detare, duke bashkëvepruar me strukturat e tjera të shtetit shqiptar. Detarët tanë shkruan me mund, djersë, gjak e sakrifica të panumurta, historinë e ndritur të Forcës Detare Shqiptare. Ndaj mundi, sakrificat dhe vështirësitë e kaluara në qindra lundrime, stërvitje apo operacione në hapësirën tonë detare nuk harrohen kurrë nga populli ynë dhe do përcillen nga brezi në brez. Dhe njëherë ju uroj: Gëzuar 90 vjetorin, ditën e krijimit të Forcës Detare!Respekt dhe mirënjohje për të gjithë detarët shqiptarë, me dhe pa uniformë, të cilët në shekuj janë hedhur mbi valët e detit, me të drejtën që i jep pozicioni gjeografik i vëndit të shqiponjave! Është gjë e bukur që festa e detarëve përkon dhe me festat e fundvitit! Ndaj gjej rastin t’ju uroj: Gëzuar Krishtlindjet dhe Festën e Vitit të Ri 2016! Suksese të mëtejshme në detyrat e përditëshme, shëndet e mbarësi në familjet Tuaja! Gjithashtu pjesmarrësit i përshëndeti dhe gjimnazisti Elio Cami, i cili shjegoi dhe ëndrrën e tij për tu bërë marinar si i ati.
Theksojmë se data 25 dhjetor 2015, u caktua si dita e krijimit të Flotës Luftarake, në një Vendim të Qeverisë Meksi, në Korrik të vitit 1992. Kjo erdhi si rezultat i një punë kërkimore, hulumutuese dhe shkencore në arkivat e shtetit shqiptar nga kryesia e Historianëve Ushtarakë, nën drejtimin e të ndjerit. Prof. Dr. Gjergj Titani. Pjesë e këtij komisioni isha dhe unë, ku ne si grup, me kujdes, bazuar në dokumenta autentike, propozuam të gjitha Festat e Forcave, Armëve e Shërbimeve, të shtrira në afate kohore që nga themelimi i Ushtrisë Shqiptare më 4 dhjetor 2015. Në përkujtim të këtij jubileu të madh për detarët shqiptarë, le të hedhim një vështrim të shkurtër të historisë së Flotës sonë Luftarake, bashkë me lexuesit tanë.
Në arkivat e Mbretit Zog shkruhet se, më 24.06.1928, u krijua Komanda e Marinës në Durrës, me komandant, kapidan Ahmet Kapidani, dhe u mblodhën rekrutët e parë për këtë armë. Po këtë vit në bazë të një marrëveshje ndërmjet qeverisë së asaj kohe dhe qeverisë italiane u sollën nga Venecia 5 (pesë) MV “Antisomergibile” të tipit “Elco” Amerikan, të cilat ishin përdorur gjatë Luftës së I-rë Botërore. Gjatë periudhës së Luftës së 2-të Botërore, pothuajse u rrënua gjithçka nga këto anije. Ndaj, çlirimi i vendit e gjeti Flotën Shqiptare në gjendje të mjerueshme, me pothuajse të gjitha anijet të mbytura në portet, bregdetin shqiptar, italian dhe dalmat. Ndërkohë fillimi i vitit 1945, shënoi përpjekjet e para për riorganizimin dhe ringritjen e Forcave Detare. Kështu më 23 shkurt 1945, pranë Komandës së Përgjithshme të UNÇLSH, u krijua Seksioni i Marinës Luftarake me shef seksioni, Kapiten i 1-rë, Abdi Mati. Nga dokumentacioni i kësaj komande vlejnë për tu përmendur urdhërat për thirrjen e oficerëve të marinës në detyrë, urdhër nr.44. dt.30.03.45, për riorganizimin e kantiereve të riparimit dhe funksionimin e kapitenerive të porteve nën kujdestarinë e seksionit të marinës, urdhëri nr.82. dt.04.05, “Për rikthimin e barkave shqiptare që ndodheshin në Itali”, etj.
-Më 15 gusht 1945, u bë përurimi i hedhjes në ujë të dy motoskafeve trofe me numër MS-10 dhe MS-12. Këto motoskafë u armatosën me mitraloz të lehtë dhe filluan patrullimin në ujërat tona bregdetare.
-Mbas viteve 60, u shënua fillimi i një etape të re zhvillimi të FLD, me pajisjen e tyre me silurhedhës e më vonë me Minaheqëse, Gjuajtësa Detarë, Nëndetëse dhe anije ndihmuese të llojeve të ndryshme. Për këtë u shfrytëzuan edhe konjukturat politike të kohës. Bëhet fjalë për lidhjet e bashkëpunimin në shumë fusha me vendet e ishkampit socialist, që i shërbyen dhe strategjisë e gjeopolitikës të këtij kampi.
-Mbas viteve 90, me mbështetjen e partnerëve tanë te NATO-s, veçmas SHBA, si dhe nën kujdesin e qeverisë dhe popullit shqiptar, Forca Detare ka bërë hapa para për realizimin e misionit kushtetues, mbrojtjen dhe zbatimin e ligjshmërise detare, mbajtjen në kontroll të kësaj hapësire nëpërmjet Sistemit të Ri të Vëzhgimit të saj si dhe krijimin e kapaciteteve te nevojshme operacionale për planifikimin dhe zhvillimin e operacioneve humanitare në ndihmë të komunitetit. Duke mbajtur një prezencë të përhershme dhe aktive në det, Forca Detare është tashmë një aktor i rëndësishëm dhe i vlerësuar nga opinioni, shteti shqiptar dhe partnerët tanë. Ndërkohë anëtarësimi i vendit tonë në NATO, solli nevojën e një teknologjie ndërvepruese e efikase me partnerët e FD dhe hartimin e një plani modernizimi racional, mbështetur në burimet ekonomike që afronte shteti shqiptar. Ky plan transformimi pёrfshiu modernizimin e FD me sisteme, pajisje e mjete detare, të shtrira në plane afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, ku prioritet ka qenë kompletimi me mjete të reja që kryejnë misionin e Rojes Bregdetare. Në dekadën e fundit pajisja e FD me katër anije patrulluese të mëdha, në kuadër të zbatimit të kontratës me Kompaninë Hollandeze “Damen Shipyards”; me Motovedeta të shpejta “Archangel”, Dhuratë e Departamentit të Mbrojtjes së SHBA dhe anije antindotje që u blenë në Itali, ndërtimi i Sistemit të Vëzhgimit tё Hapësirës Detare nga firma prestigjioze Amerikane “Lockheed-Martin”, pajisja me sisteme tё vёzhgimit natёn dhe sistemin AIS të anijeve të Rojes Bregdetare, përmirësimet infrastrukturore të vendbazimeve detare, etj. janë hapa konkretë në zbatim të këtyre politikave zhvillimore të Forcës Detare. Në këtë kuadër projekti më i rëndësishëm për modernizimin e FD, ishte nënshkrimi më 13 nëntor 2007, i marëveshjes për pajisjen e FD me 4 anije Patrulluese STAN PETROL-4207. Ky projekt bëri të mundur që 6 vjet më parë më 5 Shtator 2008, në molin Nr.5 të Portit të Durrësit të bregëzohet anija ”Iliria”, (P-131), një trashëgimtare e denjë e ”Liburnes” dhe ”Lembes” ilire. Në vijim më 14 Maj 2009, filloi ndërtimi i anijes ”Oriku”, (P-132), e cila u lëshua në ujë më 13 shtator 2011 dhe më 3 dhjetor 2012 u lëshua në ujë anija e tretë, (P-133) ”Lissus”. Ndërkohë më 8 prill 2014 u lëshua në ujë anija e katërt, ”Butrinti” (P-134), që shënoi dhe përfundimin e këtij projekti.
Modernizimi i FD me pajisje, sisteme dhe anije për të zëvendësuar teknikën e vjetër me teknikë moderne e bashkëkohore, të ndërveprueshme me NATO-n, me qëllim rritjen e kapaciteteve operacionale për realizimin e misionit dhe detyrave të përcaktuara në ligj, janë hapa konkretë në zbatim të këtyre politikave zhvillimore e transformuese të këtyre viteve të fundit. Theksojmë se historikisht, përbërja, struktura dhe mjetet që kanë pasur në dispozicion Forcat Detare kanë ecur paralel me zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit dhe mundësitë financiare të shtetit shqiptar, një mbështetje e cila ka qenë e vazhdueshme në këto 90 vite të ekzistencës. Krahas modernizimit është punuar për arësimimin dhe kualifikimin e kuadrove e personelit të anijeve si brenda dhe jashtë vendit. Gjatë këtyre 25 viteve, vetëm në SHBA, janë kualifikuar në shkolla dhe akademi të ndryshme detarie mbi 100 kuadro detarë të rangjeve të ndryshme, me një kosto miliona dollarë.
Sigurisht që anëtarësimi i vendit tonë në NATO, e bëri evident ndryshimin dhe reformimin e Forcës Detare, përmirësimin e legjislacionit detar, konsolidimin e strukturave, modernizmin dhe pajisjen me mjete të kohës, etj. Forca jonë Detare ka pasur një bashkëpunim të frutshëm me Komandën e Komponentit Detar të NATO-s në Napoli dhe Northwod, Angli, me Flotën e 6-të të SHBA në Mesdhe si dhe me Flotat partnere të vendeve anëtare të NATO-s, duke zhvilluar projekte të rëndësishme që kanë shtuar aftësitë dhe kapacitetet e tjera opracionale. Në këto vite FD ka bërë hapa para në realizimin e misionit kushtetues, mbrojtjen dhe zbatimin e ligjshmërise detare, mbajtjen në kontroll të kësaj hapësire nëpërmjet Sistemit të ri të Vëzhgimit të Hapësirës sonë ujore dhe zhvillimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit. Zhvillimi e transformimi, kjo është simbolika e Forcës sonë Detare në këtë 90 vjetor.
Është fakt që ky përvjetor i 90-të i gjen Forcat Detare më të afta, më të pjekura dhe të maturuara, me një personel të motivuar e të aftë profesionalisht, me mjete të reja dhe infrastrukturë moderne. Zhvillimi dhe transformimi është karakteristikë kryesore e Forcës sonë Detare, e cila tashmë është një partnere denjë e Flotave të NATO-s. Vetëm gjatë këtyre viteve të fundit, efektivat tona kanë zhvilluar një sërë stërvitjesh të përbashkëta me vendet e NATO-s, brenda dhe jashtë vendit si:-“Adriatik-Phiblex”, “Adrijon-Livex”, “Albanian-Lion”, si dhe ato për zbatimin e ligjshmërisë detare dhe SAR, në bashkëpunim me Forcat e tjera të Ushtrisë dhe Institucionet tona detare si “Durrës-SAR-Ex”, “Vlora-SAR-Ex”, “Shqiponja e Lumtur”, “Delfini”, “Imponimi”, “Joni”, etj. Moto e detarëve tanë është, gatishmëri, aksion, prezencë dhe kontroll të hapësirës sonë detare gjatë gjithë kohës. Nën këtë moto ekuipazhet e anijeve të gatshme në vite kanë zhvilluar një sërë operacionesh humanitare nga jugu në veri, duke u vlerësuar nga opinioni dhe komuniteti ynë. Në zhvillimin e këtyre operacioneve Forca Detare bashkëpunon ngushtësisht me institucionet e tjera detare me interesa në det, si Kapiteneria e porteve, Policia Kufitare, Antikontrabanda Detare, Inspektoriati i peshkimit, Inspektoriati i mjedisit, Delta Forc, etj, në kuadër të QNOD. {Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare}. Natyrisht personeli i kësaj Force është i ndërgjegjshëm se në të ardhmen ka plot sfida e detyra konkrete, që kanë të bëjnë me transformimin dhe modernizimin e Forcës Detare si dhe monitorimin efikas të situatës detare, për të cilat detarët tanë kanë paracaktuar vizionin, objektivat e synime të qarta.
Shënim:-Të nderuar lexues, Historinë e plotë të Forcës Detare Shqiptare e gjeni tek “Antologjia e Detarisë Shqiptare”, vëllimi i 2-të dhe i 3-të.

Filed Under: Histori Tagged With: 90 vjetori i Flotes Luftarake Detare, Shefqet Kercelli

Era magjike e Sokol Demakut

December 26, 2015 by dgreca

Shkruan:Viron Kona/*
Janë të shumta ata shqiptarë që, jo vetëm janë integruar në shtetet ku kanë emigruar, por edhe kanë mundur të prezantojnë përpara kombeve dhe popujve të tjerë vlerat e tyre intelektuale, atdhetare dhe krijuese, duke u afirmuar me vepra dhe cilësi të shkëlqyera humane, shkencore, sportive, letrare e artistike. Veçanërisht pas hapjes me botën dhe asaj ikjeje të madhe pas vitit 1991, por edhe gjatë dhe pas atij gjenocidi të egër serb mbi Kosovë, shumë shqiptarë u shpërndanë nëpër botë për mbijetesë, sikurse edhe në kërkim të një jete më të mirë, teksa vlerat e kombit tonë u bënë përherë e më të njohura, më të dukshme, më rrezatuese përpara opinionit botëror.
Ndodhi edhe me shqiptarët që emigruan në Suedi e ku jeton sot një komunitet prej afro 60 mijë vetë, kryesisht nga Kosova. Natyrisht që ka qenë edhe mirëpritja dhe kushtet e favorshme që ka krijuar shteti suedezë, të cilat iu mundësuan shqiptarëve atje të shfaqin dhe të afirmojnë vlerat e tyre, të organizohen në shoqata social-letrare-artistike-sportive, si dhe qendra kulturore me qëllim ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe të traditave…Në qytetin Borås, i njohur dhe i famshëm si qyteti i tekstilit, shqiptarët kanë prezantuar vlerat e tyre si qytetarë dinjitozë, punëtorë dhe të përkushtuar ndaj jetës, e, përpos të tjerave kanë afirmuar edhe vlerat gjuhësore, kulturore, artistike dhe të traditës. Mund të shkruhet për shumë individë prej tyre, si dhe për veprimtaritë që ata kryejnë, por kësaj here po ndalem te një emër i shquar në diasporë, te drenicasi nga Kosova Sokol Demaku, njeriu që me përkushtim dhe sakrifica të jashtëzakonshme, i ka vënë gjoksin jetës, duke e përballuar atë me dinjitet, pa u thyer nga vështirësitë, gjithnjë duke i kthyer shpresat në besim. Ai, jo vetëm mundi të përvetësojë mirë gjuhën suedeze, por edhe arriti të kryej studimet në universitetin e Goteborgut për mësuesi`, ndërkohë që e ka treguar veten edhe si krijues, gazetarë, poetë e përkthyes, duke merituar deri edhe anëtarësimin në Lidhjen e Shkrimtarëve Suedezë. Ndërkaq, Sokol Demaku, është i njohur në Borås si një qytetar që pasqyron vlera të arta të popullit shqiptarë, si një organizator i shkëlqyer veprimtarish kulturore dhe social-artistike e letrare, si një mësues i dalluar në shkollën “Fjardingskolan” të qytetit, ashtu dhe një njeri human e nismëtar për krijimin dhe themelimin në qytetin Borås të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”. Ndërkaq, ai bashkë me kolegë të tjerë, është edhe ndër themeluesit e revistës “Dituria”, radios “Dituria” dhe televizionit shqip “Dituria”… Vlerat e Sokol Demakut shfaqen tufë, por mes tyre rrezaton me një ndriçim tepër të veçantë poezia e tij…
Autor i rreth 20 botimeve, në prozë e poezi, kohët e fundit Sokol Demaku na gëzoi me lajmin e bukur të botimit në suedisht të përmbledhjes poetike “Kjo erë magjike” (“Den magiska vinden”). Libri ka 65 poezi, pothuaj të gjitha në origjinal në suedisht, vetëm një apo dy prej tyre janë të përshtatura nga shqipja. Vëllimi është botuar në kuadër të redaksisë së revistës “Dituria” në Borås të Suedisë dhe është shtypur në shtypshkronjën Tryckt hos: “Exakta Print / Sjuhäradsbygdens Tryckeri AB”. Poezia emblemë “Kjo erë magjike” (“Den magiska vinden”), që pagëzon librin është dhe lajtmotivi kryesor i këtij vëllimi që përhap flakën e dashurisë dhe të mallit për mëmëdheun e që shprehet aq emocionues në vargjet: “Të lutem oj erë,/të ngrehësh lartë,/peshën e mallit…”
Vargjet e “Erës magjike” shprehin ndjenjat e holla të shpirtit dhe të zemrës së poetit Demaku, shprehin mallin për atdheun, për Kosovën, për Shqipërinë që ai i viziton për vit, dashurinë dhe nderimin e tij për bashkëkombësit dhe trojet shqiptare të ndara padrejtësisht. Në vargjet poetike ai shpreh respekt dhe mirënjohje për suedezët, mirëpritës të mrekullueshëm, paqësor, të mençur dhe të dashur…
Sokol Demaku na befason përherë me atdhetarizmin e tij, me iniciativat e vrullshme dhe interesante. Kam shkruar disa artikuj për këtë poet të zjarrtë të shqipes, që, duke u mbështetur në tabanin kombëtar, me anë të librave, poezive dhe artikujve të tij, u dërgon vazhdimisht lexuesve mesazhe jete, harmonie dhe paqeje, shpalos përherë qëllime dhe dëshira të bukura, shpërndanë pranverë dhe blerim plot freski në mjediset dhe zemrat shqiptare. Kurdoherë ai rrezaton punë dhe pasion të jashtëzakonshëm, mirësi dhe dashuri njerëzore, vërtetësi dhe stil befasues, elegant dhe origjinal.

Sokoli ecën vazhdimisht me hap të sigurt e të vendosur, mendja e tij prodhimtare gjeneron përherë ide të reja, ndërkohë që ai nuk i lë ato të ngurosura në salla mbledhjesh apo në flet-programe, ai i zbaton ato, i vë në jetë me guxim krijues, me forcë dhe dëshirë, me punë të palodhur e përkushtim.
Urime për gjithçka bën Sokol Demaku! Qofsh përherë si lisi që lartësohet pranë shtëpisë tënde,(lisi më i madh dhe më i lashtë i qytetit të Boråsit), i cili në thelb është një Ante`, që e merr fuqinë nga toka e begatë suedeze, rritet nën vërshimin e erërave të ftohta veriore, por edhe në vështrimet dhe kujdesin e vazhdueshëm të familjes shqiptare Demaku.
Nga takimet e shpeshta me Sokolin, si në Suedi ashtu dhe në Shqipëri, mendoj se kam arritur t`i njohë shpirtin këtij njeriu, jehonat e zemrës, rrymat brenda tij, sikurse edhe brengat që ai i rrëfen kur vjershëron poezi. Janë brenga atdhetarie, brenga malli për vendlindjen dhe njerëzit që ka lënë atje, janë brenga malli edhe për një gur, edhe për një krua, për qenin besnikë; për fushën e lojërave dhe shkollën ku mësoi ABC-në shqipe, e, mbi të gjitha për njerëzit e mirë e të dashur, që kanë sakrifikuar mbase më shumë se çdo popull tjetër në botë për lirinë, pavarësinë, për kombin dhe atdheun; janë brenga që shprehin dashurinë për tokën e begatë shqiptare, për Drenicën dhe tërë Kosovën, Shqipërinë dhe gjithë trojet shqiptare, janë brenga dhe dashuri që shprehen deri edhe me “lotë”: Tårärord av sorg,/tårarär ordom frälsning,/tårarär ord av anden,/de beskrivervår själ,/de ärfrälsning av vårakänslor.(Lotët janë fjalë dhimbjeje,/janë fjalë lirimi,/lotët janë fjalë shpirti,/që përshkruajnë shpirtin tonë,/janë liri e ndjenjave tona).
Janë këto ndjenja që Demaku i mban përbrenda tij, por që nëpërmjet vargjeve me bukuri dhe figuracion poetik ia prezanton lexuesve si rrjedha të pastra kroi, ato janë ndjenja të tejdukshëm e transparent si vesa e mëngjesit…Poeti i konsideron lotët si “fjalë” dhimbjeje, i vlerëson poetikisht si “fjalë lirimi”, por edhe si “liri e ndjenjave”. “Lotët”, një poezi metaforike, sa e ndjerë artistikisht, aq edhe filozofike, ajo bart brenda saj një jetë të tërë njeriu, që ka kaluar nëpër shtigje jete të vështira, duke i përballuar ato me guxim të rrallë. Kush njeh jetën dhe vrullet e brendshme të Sokol Demakut, kupton se ato gjallërojnë dhe vlojnë brenda shpirti të tij poetik dhe atdhetar, duke shfaqur më të mirën për njerëzit dhe mjedisin, më të bukurën, ashtu si lulet në pranverë që shfaqin freski dhe ngjyra magjike të ylberit, që përhapin në natyrë aromat e këndshme, që mbajnë brenda tyre nektarin dhe gjallërinë për të lëshuar frute dhe bimë të reja, për t`i dhënë ritëm e gaz jetës….Janë ndjenja poetike që na bëjnë mirë të gjithëve, na bëjnë më të shëndetshëm shpirtërisht, më të bukur fizikisht, na zbukurojnë zemrat dhe shpirtrat tanë, na bëjnë më të ndjeshëm ndaj halleve, problemeve, vështirësive që kalojnë njerëzit, na bëjnë më solidarë, më miqësor me ta, ashtu siç në fakt është edhe poeti Sokol Demaku…
Njeriu mund të bëj jetë ndryshe, ai mund të shikoj edhe hallet e tij, të mbyllet në guaskën e vetë personale apo familjare, t`i shikoj gjërat nga dritarja e shtëpisë. Zgjedhja është e drejtë e gjithkujt, secili mund të bëj atë që do me jetën e tij. Por ja që ka edhe njerëz që veprojnë ndryshe, që, pa i detyruar askush, marrin përsipër edhe të ndihmojnë të përgjithshmen, të punojnë pa u lodhur duke iu përkushtuar njerëzve që i rrethojnë, familjes, bashkëkombësve, atdheut dhe kombit. E, Sokoli, është nga ata njerëz që sakrifikojnë e dhurojnë, përpiqet dhe punon pareshtur, shndërrohet në luftëtarë të së drejtës, të vërtetës dhe harmonisë, por ai di edhe të tregojë respekt dhe mirënjohje, duke punuar me respekt e përkushtim në shkollën “Fjardingskolan”, (shkollë ku fliten 32 gjuhë) e ku prej vitesh ai jep mësim…
Si kudo, edhe atje e duan shumë Sokolin: e duan nxënësit, mësuesit, drejtuesit… -Sokol! Sokol! – i thërresin në emër fëmijët e “Fjardingskolan” dhe e rrethojnë me dashur mësuesin e tyre të dashur e gjithnjë të qeshur, teksa ai i përfshin në krahët e mëdhenj e të hapur, duke u dhënë ngrohtësi dhe dashuri prindërore, duke u thënë fjalë të ngrohta, edukuese dhe nxitëse që ata të mësojnë, të bëhen të ditur dhe të zotë, të duan prindërit, shoqet dhe shokët, të duan mësuesit dhe atdheun tyre të bukur…Kështu e respektojnë Sokolin edhe rektori i shkollës Per Kettisen, mësuesit e shumtë….E duan bashkëkombësit shqiptarë, e duanë bashkëqytetarët suedezë, kudo, jo vetëm në Boras, por edhe në Goteborg, në Stokholm, në Vimmerby, në Malme, në Lund…E duan shkrimtarët dhe artistët, anëtarë të shoqatës “Papa Klementi XI Albani”, ku Sokoli është anëtar i saj; e nderojnë mësues, nxënës e drejtues edhe në shkollat shqiptare në Prishtinë e Drenicë, në Tiranë e Durrës…E njohin dhe duan ta kenë pranë edhe shkrimtarët dhe gazetarët shqiptarë në Athinë e Bukuresht, ashtu dhe stafi i radios që jep emisione shqipe në Bullgari… Janë këto vlera që zhvillohen natyrshëm veçanërisht te intelektualët e spikatur, te njerëzit që kanë vuajtur në jetë, që ruajnë krenarinë dhe dinjitetin, që kanë mbajtur gjithnjë peshë duke shënjuar rrugën edhe për të tjerët, ndaj dhe respekti për ta është i përhershëm… Veprat flasin.
Te poezia “VAD ÄRPOESI “(Çka është poezia), poeti bën një zbërthim filozofik të kuptimit të poezisë. Ai e shpjegon atë duke e hamendësuar edhe si “ajri që ne thithim”, edhe si” nektar i shpirtit”, edhe si “ushqim për zemrën” , apo “lot syri…”VAD ÄRPOESI:Luftenvi andas,/nektarav själen,/mat för hjärta,/ellerögat tårar,/kanske,/även en,/och den andra. (Çka është poezia: Ajri që ne thithim,/Nektar i shpirtit,/Ushqim për zemrën,/Apo lot syri,/Ndoshta,/Janë edhe,/Njëra dhe tjetra.)
Shpirti i poetit trazohet me zjarrin, duke kumbuar veçanërisht me vargjet e poezisë “Denmagiska vinden”(Era magjike):Åh, söta magi,/som blåsertillorkan,/taskyfall,/ochuppdaterasliv,/följmig,/hållmin hand,/släpper inteditt hår,/den storakonsten.(Era magjike:O e ëmbla magji,/që fryn si murrlan,/dhe sjellë furtunë,/e mbushë jetën,/dhe mua më përcjellë,/më mban për dore,/por unë nuk lëshoj flokun tënd,/atë pikturë të madhe).
Te poeti Sokoli Demaku është e dukshme modestia, ai është njeriut që bën shumë, por që qëndron vazhdimisht në hije, duke pasur merakun dhe pasionin jo të duartrokitet vetë, por të promovojë gjithnjë veprimtari të reja argëtuese dhe edukuese, që i japin më shumë kuptim jetës, e bëjnë atë më të bukur e me vlerë. Kam në shtëpi qindra fotografi nga Sokoli, ashtu kanë edhe shumë miq të tij, ndërsa ai vetë shfaqet vetëm në pak prej tyre, sepse është ai që bënë pa u lodhur fotot për të tjerët, që t`i gëzojë, që ata të kenë kujtime nga vizitat në Suedi, në shkollën “Fjardingskolan”, në Qendrën Kulturore Shqiptare “Migjeni”, në redaksitë e revistës, radios dhe televizionit “Dituria”, në biblioteka, qendra shkencore, sociale-kulturore…kudo. Kurse, ftesa në shtëpi, është e zakonshmja për Sokolin, ai të fton fare natyrshëm, teksa atje të presin me bujari, buzagaz dhe me çiltërsi bashkëshortja e Sokolit, Sabria dhe familja Demaku, gjithnjë të merakosur dhe të përkushtuar për ta pritur sa më mirë mikun që u ka ardhur, që ai të ndjehet si në shtëpinë e tij…
Janë cilësitë e shkëlqyera dhe virtytet e rralla që e prezantojnë Sokol Demakun gjithnjë pasionant dhe të vrullshëm, ngulmues dhe vërshues për arritje më të mira, më të bukura që u shërbejnë, emocionojnë dhe frymëzojnë njerëzit. Me shpirt të lirë dhe të zhdërvjellët, me energji përherë pozitive ai të tërheq në vatrën e tij krijuese, të vjen në ndihmë me gjithçka të mirë e të prodhuar nga mendja e freskët dhe humane. Sokoli nuk do lajka dhe lëvdata, por në gjithçka bën e vepron në rrugën e jetës, shikon nëse u shërbeu të tjerëve, nëse rruga dhe mundi i tij u vlejti atyre, nëse ua lehtësoi vështirësitë, ua zbuti dhimbjet, ua forcoi guximin, ua shtoi energjitë dhe forcën…
Të falënderojmë Sokol, o mik i mirë dhe i dashur, për shembullin që na jep në jetë, për mesazhet poetike që na dhuron me sinqeritetin, me ndjenjën dhe mirësinë tënde! Urime për vëllimin poetik “Era magjike”! Sjelltë kjo “erë” të tjera vepra artistike, që shprehin shpirtin dhe zemrën tënde të bukur!
*(Duke medituar rreth vëllimit poetik të Sokol Demakut “Den magiska vinden” (Era magjike)
* Ne Foto:Sokol Demaku

Filed Under: LETERSI Tagged With: Era Magjike, shkruan Viron Kona, Sokol Demaku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 94
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT