Archives for December 2015
95-VJETORI I PRANIMIT TË SHQIPËRISË NË LIDHJEN E KOMBEVE
*Më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u bë anëtarja e 43 e Lidhjes së Kombeve/
* Nga mohimi gati total – pranimi i njëzëshëm, pa asnjë votë kundër/
* Shpresa për zgjidhjes e statusit të minoritetit të çamëve/
*Themelimi dhe qëllimet e Lidhjes së Kombeve/
Shkruan: Adil FETAHU*/
Lidhja e Kombeve, apo Lidhja e Popujve, si pararendëse e OKB, u themelua nga fundi i Konferencës së Paqes, të mbajtur në Paris, më 28 prill 1920. Atë e themeluan shtetet fituese të Luftës së Parë Botërore. Statuti parashikonte tri kategori të shteteve anëtare: 1) shtetet-anëtare themeluese (32 shtete); 2) shtetet (neutrale) të ftuara për t’iu bashkuar Lidhjes pasi të hynte në fuqi Traktati i themelimit (13 shtete); dhe 3) shtetet anëtare që do pranohen më vonë. Gjatë gjithë kohës së ekzistimit të Lidhjes së Kombeve, numri i anëtareve të saj ka ndryshuar vazhdimisht, për shkaqe të ndryshme: për shkak të përjashtimit, ose për shkak të humbjes së subjektivitetit të shtetit, por edhe për shkak të humbjes së besimit dhe heqjes dorë nga anëtarësimi. Thelbi i Statutit të Lidhjes së Kombeve ishin “14 pikat” e presidentit amerikan, Vudrov Vilson, ndonëse vet ShBA-të nuk e kishin ratifikuar aktin e themelimit as ishin bërë themeluese. Lidhja ishte menduar të ishte një organizëm botëror që do garantonte sigurinë dhe paqen ndërkombëtare, kufizimin e armatimit, garantimin e pavarësisë dhe integritetit territorial të të gjitha shteteve, të mëdha e të vogla, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mënyrë paqësore, sanksionimin e shteteve të cilat hyjnë në luftë duke shkelur normat e statutit të Lidhjes. Shpejt u pa se qëllimi kryesor i themelimit kishte qenë dominimi i fuqive të mëdha, se Lidhja u tregua e paaftë për të ndalë konfliktet, sidomos ato që shpërthyen në vitin 1939, prandaj konsiderohet se Lidhja veproi prej vitit 1920 deri më 1939, por që shpërbërja e saj përfundimisht u bë në prill të vitit 1946, pasi që pas Luftës së Dytë Botërore ishte themeluar (në San Francisko) Organizata e Kombeve të Bashkuara (1945).
Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve
Prej shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë (1912), deri me përfundimin e Konferencës së Paqes (1919), territori i Shqipërisë ishte i pushtuar nga ushtritë e hueja: Serbi, Mali Zi, Greqi, Itali, por edhe Francë e Gjermani, kështu që ishte rrezikuar shpërbërja dhe copëtimi midis shteteve fqinje. Ekzistonin marrëveshje të hapta e të fshehta për copëtimin e Shqipërisë midis shteteve fqinje dhe fuqive të mëdha. Për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, Komisioni Ndërkombëtar për caktimin e kufijve të Shqipërisë londineze, e kishte ndërprerë punën dhe kufijtë në terren nuk ishin caktuar. Shqipërinë si shtet, as qeverinë e saj nuk e kishin njohur shtetet e mëdha, kështu që ishte një pre e lehtë për lakmitë e shteteve fqinje, të cilat e mbanin të pushtuar, vetëm prisnin ta “legalizonin” aneksimin e pjesëve të saj. Në kohën kur në Konferencën e Paqes në Paris (1919), bëheshin pazaret e presë së luftës, ku si kurban kryesor ishte Shqipëria, në Lushnje u mbajt Kongresi për Shpëtimin Kombëtar (21-31 janar 1920), në të cilin morën pjesë mbi 50 delegatë nga të gjitha krahinat e vendit. Kongresi zgjodhi një qeveri të kryesuar nga Sylejman Delvina, ministër i jashtëm Mehmet Konica, ndërsa ministër i brendshëm Ahmet Zogu. Kështu, Kongresi i Lushnjës rrëxoi qeverinë e Durrësit, të kryesuar nga Esat Pashë Toptani. Por, duket se nota protestuese e ShBA-ve që ua kishte dërguar fuqive të mëdha (6 mars 1920), pati ndikim vendimtar për mbrojtjen e Shqipërisë nga copëtimi. Në notë thuhej: “Presidenti amerikan, Wilson, ripohon se nuk është e mundur të aprovojë asnjë plan që i jep Jugosllavisë shpërblime tokësore nga krahinat e Shqipërisë…”.
Shqipëria nuk ishte pjesëmarrëse në asnjërën anë të Luftës (për shkak se ishte e pushtuar), prandaj nuk mund të konsiderohej as si fituese as si humbëse e luftës, kështu që shpresonte se Konferenca e Paqes jo vetëm se do ia njihte e konfirmonte pavarësinë, por se edhe do të ndreqte padrejtësitë, duke ia kthyer tokat e pushtuara (Kosovën dhe Çamërinë). Me shpresë se Lidhja e Kombeve e sapothemeluar, do t’ia garantonte ekzistencën dhe mbrojtjen e integritetit territorial, Shqipëria bëri kërkesë zyrtare për pranim në Lidhjen e Kombeve (tetor 1920). Kërkesën e paraqiti Pandeli Evangjeli, që ishte përfaqësues i Shqipërisë në Konferencën e Paqes, ndërsa Qeveria e dalë nga Kongresi Kombëtar i Lushnjës, e kishte caktuar Fan Nolin kryesues të Delegacionit. Noli e kishte formuluar një memorandum që ia bashkëngjiti kërkesës, ashtu siç dinte ai, për të argumentuar statusin dhe sovranitetin e shtetit shqiptar me akte ndërkombëtare, prej njohjes nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913) dhe Protokolli i Firancës, e deri ato ditë. Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve (Erik Durmman) kërkoi aktet me të cilat dëshmojnë konstituivin e Shqipërisë shtet i pavarur, dhe pasqyrën e forcave ushtarake e detare. Ministri i jashtëm, Mehmet Konica, iu përgjigj se Vendimi i Konferencës së Ambasadorëve në Londër është akt ndërkombëtar që vërteton pavarësinë e Shqipërisë, ndërsa Protokolli i Firencës (17 dhjetor 1914), i nënshkruar dhe shpallur nga fuqitë e mëdha, ka përcaktuar kufijtë e shtetit. Pas shqyrtimit të dokumentacionit, u formua një komision dhe pastaj një nënkomision për shqyrtimin e kërkesës. Me qenë se shumë prej delegatëve e kundërshtonin pranimin e Shqipërisë, Komisioni nuk miratoi ndonjë propozim-vendim, veçse çështjen ia kaloi Asamblesë së Përgjithshme për të vendosur.
Në mbledhjen e Asamblesë, të mbajtur më 17 dhjetor 1920, i pari që mori fjalën ishte juristi i shquar nga Afrika e Jugut, lordi Rober Cecil, i cili ishte raportues në mbledhje, dhe që mbrojti në mënyrë të brilante argumentet e kontinuitetit të ekzistimit dhe statusit të shtetit shqiptar. Falë zgjuarsisë dhe lotimit të Nolit, dhe fjalës së lordit Cecil, në Asamble u bë një kthesë aq e madhe, sa që të gjithë diskutuesit tjerë pas tij (përfaqësuesit e Kanadasë, Australisë, Perandorisë Britanike, Indisë, Italisë, Rumanisë, Francës, përkrahën kërkesën e Shqipërisë. Kur kryesuesi i Asamblesë e kishte hedhur çështjen për votim, të gjithë (35) përfaqësuesit e pranishëm të shteteve anëtare të Lidhjes së Kombeve kishin votuar për pranimin e Shqipërisë, pa asnjë votë kundër. Me aktin e pranimit në Lidhjen e Kombeve, Shqipëria u rendit në radhët e shteteve të lira e të pavarura të botës.
Kështu, më 17 dhjetor 1920, dmth. para plot 95 vjetëve, u bë anëtarja e 43-të e Lidhjes së Kombeve, dhe këtë status e ka ruajtur deri në shuarjen e asaj Lidhje, pas themelimit të OKB-së (1945), por për shkaqe dhe arsye të ndryshme, Shqipëria u bë anëtare e KB tek në vitin 1955, dmth. dhjetë vjet pas themelimit të kësaj OKB që është tash.
Anëtarësimi në Lidhjen e Kombeve, nuk e zgjidhi problemin e çamëve
Anëtarësimi në Lidhjen e Kombeve ishte ngjarja më e rëndësishme dhe arritja më e madhe politike e diplomatike e Shqipërisë pas aktit të shpalljes së pavarësisë, bile ndoshta ishte edhe më i rëndësishëm se vet shpallja e pavarësisë të cilën nuk ia njihte bota as fqinjët. Sepse tash kishte marrë garancione ndërkombëtare për sovranitetin dhe kufijtë që ia kishte caktuar Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Edhepse shumica e territoreve me popullsi shqiptare kishin mbetur jashtë kufijve të shtetit shqiptar, tash ai shtet mund të ngrinte zërin në forumet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave elementare të shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve. Një angazhim të veçantë shteti shqiptar pati në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të pronës dhe të minoritetit të çamëve, por nacionalizmi dhe klerofashizmi grek nuk përfillte as aktet ndërkombëtare sa u përket të drejtave të shqiptarëve, derisa i zhbiu nga Çamëria të gjithë shqiptarët myslimanë dhe asimiloi shqiptarët e besimit ortodoks. Në ballafaqimet e Shqipërisë me Greqinë në Lidhjen e Kombeve, përfaqësuesi shqiptar kërkonte respektimin e të drejtave politike, ekonomike, arsimore e kulturore të çamëve, sikur që shteti shqiptar respektonte për minoritetin e vogël grek në Shqipëri. Një përpjekje të madhe bëri në Lidhjen e Kombeve, kundër shkëmbimit të çamëve myslimanë me grekët e Turqisë. Noli zotohej në Këshillin dhe në Asamblenë e Lidhjes, për respektimin e të drejtave të minoritetit grek, sipas traktateve ndërkombëtare, dhe këtë e kërkonte nga pala greke. Por, përfaqësuesi i shtetit grek, me makinacione procedurale e diplomatike, asnjëherë nuk u zotua për të drejtat e shqiptarëve në Greqi. As Lidhja e Kombeve asnjëherë nuk e pengoi administratën greke në brutalitetin e saj kundër çamëve, ndërsa shteti shqiptar ishte i pafuqishëm ta ndalonte atë brutalitet. Prandaj, çamët u detyruan të lënë vatrat dhe pronat e tyre, e të shpërngulën në Turqi e në Shqipëri. Dhe as sot e kësaj dite nuk e kanë të zgjidhur problemin e të drejtave të mohuara nga shteti “demokratik” grek. Për çështjen e çamëve, edhe OKB-ja, edhe organizmat e BE-së janë bërë të shurdhër e mospërfillës, sikur edhe Lidhja e Kombeve.
Sidoqoftë, dita e pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve është një datë e shënuar, që duhet ta kujtojmë, jo vetëm për aktin e pranimit, por për përpjekjet dhe mençurinë e negociatorëve në kushtet dhe rrethanat më të pafavorshme. Po të kishim sot një Fan Nol, një Mehmet Konicë, një Pandeli Evangjel, një Mehdi Frashëri, një Hil Mosi, e personalitete tjera patriotike e me kulturë të gjërë, të cilët dit[ bënë çmos derisa e bënë Shqipërinë anëtare të Lidhjes së Kombeve, do i kishim punët ku e ku ma mirë se që i kemi.
* Fan S. Noli kryesoi delegacionin Shqiptar ne gjeneve. udhetimin e sponsorizoi Federata Panshqiptare e Amerikes VATRA
GORA DHE NJERËZIT E SAJ
NGA PËLLUMB GORICA/
Krejt rastësisht më ra në duar gazeta “Beslidhja Gorare”. Organ i Shoqatës Kulturore Atdhetare të krahinës Gorë, Korçë. U befasova për shkrimet interesante dhe ridimensionimin e ri të kësaj gazete për t’i paraqitur në një kënd më të gjerë vlerat atdhetare të kësaj krahine. Ajo ka vite që botohet, si një nisëm e bukur buruese nga shpirti i banorëve plot vlera. E mbushur me copëza reale të jetës së njerëzve të njohur e të thjeshtë dhe të gjitha këto gërshetuar me foto artistike e natyrën mbresëlënëse, që të bëjnë për vete menjëherë. Po e them që në krye, se është guxim të marrësh përsipër të botosh një gazetë, në një kohë të tillë kur realiteti i kësaj bote komerciale dhe të ashpër globale, në rendjen e tij ka një indiferencë dhe shpërfillje, që nganjëherë për çudi shkon në mendime absurde. Ndryshueshmëria midis mendimit dhe realizimit është larg sa ç’është dëshira nga e realja. Por, duhet të guxosh që të bësh diçka e të vlerësohesh. Për fat të mirë, mendimeve progresiste u bëhen gjithmonë pararojë njerëzit adapt, duke gjetur mjetin e duhur për të revokuar traditat, historinë, vlerat, Besimi në vetvete është edhe një aftësi e njeriut që shmang të kundërtat, duke sfiduar opinione, paragjykime. Të nderosh kulturën, thesaret, punën, njerëzit, përpjekjet për liri, pavarësi, arsim, dije, kulturë, patriotizëm, etj, është detyrë tepër fisnike. “Beslidhja Gorare” tashmë është në pjesën e atyre gazetave që e duan të vërtetën, që promovojnë vlerat, ndonëse, përmes modestisë ajo pasqyron historinë e kulturën shpirtërore të krahinës së saj. Natyrisht dhe botimi i saj është mirëpritur dhe ka lënë mbresa në opinionin e gjerë publik, të nisjes së një rrugë të gjatë e pa kthim. Këtu besoj se duhet gjetur shkaku se përse u prit me aq kuriozitet kjo gazetë e vogël e modeste krahinore, duke bërë bujë, pa harruar vështirësitë. Është koha kur sot duhen propaganduar ato, përballë sfidave, që po fshijnë gjithçka pa mëshirë; si të kaluarën e largët, ashtu edhe të tashmen, sepse tek e shkuara dhe e sotmja janë ngulur thellë dhe ushqehen rrënjët. Kështu, në sajë të patriotizmit dhe atdhedashurisë, që rreh në zemrat e banorëve të saj, Gora në çdo etapë të zhvillimeve kombëtare, ka qenë pjesë përbërëse dhe faktor i rëndësishëm i ngjarjeve historike. Ngjarjet e zhvilluara aty e kanë bërë atë të njohur sa më tepër që kalojnë vitet me dëshmitë, dokumentat, dimensionet e legjendave që ngjajnë si të reja. Njëkohësisht për të gjitha këto ngjarje historike, ajo s’harron edhe figurat historike që kanë marrë pjesë me kontributin e tyre të pazëvendësueshëm dhe ndikimin e padiskutueshëm, duke luajtur rol të rëndësishëm si në jetën e krahinës, por edhe në lëvizjet patriotike e ngjarjet historike të kombit. Figura të tilla si: Kajo Babjeni, Ismail Derdusha, Xhelo Selca, Feim Zbogji, Ismail Strelca, Tosun Derdusha, Fetah Goca, Koci Plovishti, Cane Lozhani, Pasho Krushova, Pasho Kolaneci, Asllan Dolaneci, Telha Senishti, Teki Kolaneci etjer e kanë nderuar krahinën e Gorës.
Lashtësinë në krahinën e Gorës e dëshmojnë një numër i konsiderueshëm zbulimesh arkeologjike, mjaft dokumenta të vlefshme historike si dhe një numër i madh toponimesh. Të dhënat për historinë e hershme flasin se në këto troje ka jetuar fisi i Desaretëve, që lidhet me hershmërinë dhe autoktosinë e tyre. Por, historia e kësaj treve ka njohur nëpër shekuj mjaft pushtime, shkatërrime, djegie, shpërngulje, epidemi etj, duke u shndrruar kështu edhe në një shesh lufte mes ushtrive pushtuese. Shumë ndryshime kanë ndodhur në emërtimet, ndarjet administrative, por edhe të juridiksioneve. Këto ndryshime i ndesh edhe në toponimet e mikrotoponimet, të cilat dëshmojnë edhe për vendosjen e ardhacakëve (vllehëve). Por, Gora shquhet edhe për një florë dhe faunë të pasur, e cila pasqyrohet me një reliev të kombinuar me lartësi malesh, përrenj, pllaja, qafa, brigje, kodra. Krahina e Gorës dallohet për temperamentin e saj punëdashës. Blegtoria prej pyjeve dhe kullotave ka qenë mjeshtëria kryesore, sepse banorët përjetë kanë jetuar me mundin dhe me djersën e tyre. Në jetën e përditshme, në Gorë dhe nga gorarët lëvrohen ndenja të bukura për traditat, dashurinë, fisnikërinë, respektin e punës e sa ndenja të tjera të shpirtit njerëzor. Gorës dhe gorarëve asnjëherë nuk ju ka munguar bujaria, dhe mikpritja me krahinat fqinje dhe banorët e tyre, të cilën e ndjen edhe sot, të fortë e të patundur, si dikur gjyshërit e tyre me burimin e gëzimit të sinqertë të jetës, bisedave të ngrohta njerëzore, humorit shpotitës që t’i shkul të qeshurat nga thellësia e kraharorit, nga këngët, që duket sikur nuk shterojnë kurrë. Traditat, që ndër vite e deri më sot kanë ndryshuar e po ndryshojnë në funksion të zhvillimeve në raport me kushtet social ekonomike, kanë tretur çdo ditë e më shumë gjurmët e tyre shekullore. Si bartës të një tradite të pasur kulturore kanë thurur veshjet e tyre me karakteristika të veçanta. Festat e shumta popullore e familjare, si pjesë të kulturës së tyre i kanë bërë gorarët të shquhen. Fejesat, dasmat, dhe lindjen e fëmijëve, ata i kanë konsideruar si ngjarjet më të gëzuara të jetës së tyre, ndaj dhe i kanë kryer gjithmonë me rite të ndryshme, dolli, këngë, lojëra. E kjo u shfaq edhe në ditën e kulturës gorare, të cilën ata e kanë kthyer në traditë. Por, duke u mbledhur shpesh për të qenë pranë njëri –tjetrit me fjalën, këngët e vallet kanë përcjellë jehonën e vendlindjes së tyre, Gorës me histori, kulturë, natyrë e miqësi. Është fakt, që shumica e banorëve të Gorës këto 20 vitet e fundit janë shpërndarë në Shqipëri, por edhe nëpër shtetet e Europës deri në Amerikën e largët. Të detyruar të largohen nga vendi i tyre në kërkim të diçkaje më të mirë, mes vështirësive e mungesës së kushteve më elementare të jetës. Sa më shumë që kalojnë vitet kujtimi dhe malli shtohen për të kaluarën. E kur vitet ikin herë pas here është shkruar në faqet e gazetës “Beslidhja Gorare” me ndjenja të përjetuara e cila po lexohet dhe është mirëpritur, çka përbën padyshim një ndjenjë krenarie për gorarët. Pesë vite më parë me kënaqësinë jo vetëm kur u organizuan, por me gazetën ku komunikojnë, gorarët komentojnë t’u sjellë gëzime edhe të tjerëve e sigurisht ndjehen të lidhur ngushtë. Ndaj, kur lexojnë gazetën “Beslidhja Gorare” mësojnë më shumë për krahinën e tyre, duke marrë informacione të shumta për vendbanimet, ngjarjet, figurat patriotike, kohët e errëta, por edhe histori interesante të ditëve të sotme. Këtu sakrificat dhe kontributet nderohen e nuk harrohen, pa i hiperbolizuar ato, por të shkruara thjesht e bukur në episode, portrete, studime pa tejzgjatje, me një stil të ngrohtë. Një kontribut i veçantë e vlerë shpirtërore që i ngjan unikes në trajtimin e vëzhgimeve të jetës dhe hollësive të saj për gorarët, në hapësirën e duhur të kësaj gazete, duke kryer kështu një mision të rëndësishëm e natyrisht me efektin e vet. Kështu mund të shkruajmë për sesionin shkencor të realizuar për Beslidhjen gorare, të pesëmbëdhjetë kapedanëve të kësaj krahine më 1906. Plot intelektualë gorarë, të respektuar dhe të nderuar e midis tyre edhe Bujar Vila, Bashkim Jahollari, Elisabeta Kamberi, Bujar Bujari, Besim Shyti, Arben Roko, Haki Tahirllari, Adrian Tahiri, Bardhi Skënderi, Kujtim Gora, Albana Tahiri, Abedin Gora, Syrja Jahollari, Gentian Pere, Islam Bakollari, Fari Muçollari, Zane Llazi, Guri Mersinllari, etj, kanë sjellë diçka të re në botëkuptim dhe koncepte. Arti dhe kultura e kësaj krahine vjen e shkruar edhe prej penave krijuese të gazetarëve, poetëve, shkrimtarëve gorarë, të cilët sjellin vazhdimisht mushtin e krijimtarisë së tyre si: Koçi Tahiri, Ymer Nurka, Ergert Cenolli, Celnik Petriti, Zydi Kroi, Agron Agolli, Kozeta Zavalani, Bektazh Konica, Lumturi Ymeri, Nexhip Bashllari, Bardhi Sejdarasi, Qazim Muska etj. Koçi Tahiri për kontributin e tij si drejtues i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Beslidhja Gorare” dhe gazetës me të njëjtin emër, patjetër meriton respekt të veçantë. Koçi është një burrë energjik dhe me një vrull si askush tjetër nga Gora. Ai është njëri nga ata gorarë që e ka dashur librin, kulturën, duke u bërë kësisoj autor i kryesor i botimit të saj dhe pesë librave. I njohur për këto aftësi dhe komunikimin që ka me të gjitha moshat, ka reflektuar kulturë përmes portretit gjurmëlënës, duke derdhur kontributin e tij më së shumti veçoritë e krahinës me shpirtin e dashuruar për vendlindjen. Në bisedë me të sigurisht mëson për vështirësitë, angazhimet shoqërore të shoqatës, por edhe të gazetës, e për më tepër që ajo botohet çdo muaj. I shfleton faqet e kësaj gazete, që të tërheqin me tematikën, pasqyrimin e jetës së krahinës, respektin për figurat e ngjarjet që kanë lënë gjurmë në ndërgjegjen e kohës, si një dritare revokuese e traditave më të mira të saj. – Ne kemi vlera të shumta si krahinë- pohon Koçi me një krenari të ligjshme,- e duke revokuar ato ne jemi të përqendruar me misionin tonë. Ndaj, gazeta “Beslidhja Gorare” është më afër banorëve të krahinës. Ne mburremi me Gorën dhe kemi pse të mburremi se aty të çlodhen sytë nga gjelbërimi, të mbushen mushkëritë me ajër të pastër, të zgjerohet zemra nga kënaqësia për madhështinë e vlerave -të thotë me modesti
Cilido që është gorar, kënaqet me emrin e mirë të krahinës, me bukurinë e panoramat e saj, romantikën, traditat, përpjekjet për mbijetesë në kohëra dhe shpirtin e tyre, gazetën “Beslidhja Gorare”. Sigurisht është e pamjaftueshme të vlerësosh në këto pak radhë, të shkruara nxitimthi për Gorën, këtë krahinë të njohur e traditave luftarake dhe gazetën e tyre. Nuk mund të mos ndjehesh i kënaqur kur e përmend dhe vlerëson meritat, vlerat e tyre. Kjo tregon se sa mirënjohës do të jenë brezat që do të vijnë e do të shërbejnë për të ardhmen, duke ja rritur emrin më shumë e më mirë kësaj krahine.
Ndërron jetë ish ushtari i UÇK-së
Ka ndërruar jetë ish ushtari i UÇK-së, Fatmir Memet Begu. Lajmin e kanë bë të ditur përmes rrejeteve sociale miq dhe ish bashkëluftëtarë të tij.“Me indinjim të madh pranuam lajmin mortar per vdekjen e luftetarit trim e sypatrembur te UÇK-së, atdhetarin dibran e mbarëkombëtar, Fatmir Memet Begu. Dhimbjen e ndajme sebashku me familjen e nderuar, Begu dhe shpirti i tij le të prehet në paqe, atje ku rrjedhin lumenj të mrekullueshem, në Xhehnet ( Parajse ) dhe lavdi veprës së ndritur të tij. Lavdi!”, kanë shkruar miqt e tij në facebook.
KOHA E MORRAVE
Nga KOLEC TRABOINI/
Duke parë flakët e bunkerit të madh në mes të Tiranës, më 8 dhjetor 2015, Sokol Mirajt seç ju kujtua koha e morrave. Në fakt kishte dëgjuar për morrisjen e partizanëve te mardhur përmes dimrit e të ftohtit kur nga Shqipëria shkuan matanë kufirit për të ndihmuar vëllezërit e tyre ideologjikë jugosllavë. Por thënë hapur për të shtruar me zjarr e plumb shqiptarët e Kosovës që e kishin mendjen veç për nacionalizëm e bashkim me Shqipërinë. Ashtu siç ishin larë e pa larë u plasi morri dhe shumë i fshiu. Një morr i keq që nuk u shqitej njerëzve të cilët ku mbilleshin nuk korreshin, stan në stan e skërkë në skërkë. Madje disa i zu tifo, lanë frontin ku gjermanët më shumë iknin vetë se i ndiqnin kundërshtarët. Kësisoj partizanët u kthyen për në Shkodër në Spitalin Civil, ku shërbente doktor Karagjozi, që bëhej copë për t’i shpëtuar prej kësaj epidemie të keqe. Por që të zhdukej tifo duhej më parë të zhdukej morri. Po si ta zhduknin. Morri po të hyri në veshjet e trupit nuk ikën më. Këto ishin tregime që kishte dëgjuar, ndaj të cilëve ishte shpesh indiferent, por kur e dërguan ushtar në Kam të Tropojës, ku flinim në një hangar prej dërrasash me dyshek prej kashte, atëherë Sokol Miraj i kuptoi akoma më mirë historitë me morra.
Morri ishte një insekt i vogël që mezi ta zinte syri, ishte i përhimët por edhe rozë, barkun e kishte të zi. I pështirë sa më nuk bëhej. I grinte të shkretët rekrutë të rinj, por çfarë të bënin. Nuk dinin si të shpëtonin prej tyre. Gjallesat e vogla futeshin në vendet më të ngushta të rrobave dhe nuk shiheshin. Kur trupi binte në qetësi, pra kur rekrutet flinim, ata dilnin e i pickonin e u thithnin gjakun. Çfarë torture. U ankuan në komandë, por një farë komisari u thoshte se kur të bëhej morri sa ju, atëherë po, keni të drejtë të ankoheni dhe komanda do të marrë masa e do ta gjejë një zgjidhje. Kësisoj komisari u dukej si të ishte aleat i morrave, ndaj dhe e quanin komisar “Ali Morri”. Më së fundi Komandant Kanani, pogradecar ky, që ishte diçka më i arsyeshëm, u dha leje të shkonim në përroin më të afërt të repartit, të merrnim me vete kazanët dhe atje të hidhnim rrobat në ujë të valuar. E bënë disa herë atë punë, por morrat shtoheshin. Ca thoshin kishin bërë vezë. Ngordhnin morrat e vjetër e dilnin nga vezët morra të rinj, por edha ata ishin morra. Sojsëz. Madje më të këqij se baballarët e tyre morra. S’kishte gjë më të keqe se kur të pllakoste morri në dimër.
Aty nga marsi, kur ende kishte borë pllajave, morën rroba të reja nga kapteri i kazermimit dhe me kazanin e madh shkuam drejt lumit, përposh Helshanit, aty ku ndahej Tropoja me Kukësin. Ndaluan pranë një ure, një vendi që quhej Va Spas e që tashmë e ka përmbytur liqeni i hidroçentralit të Fierzës. Dy nga rekrutët e rinj vendosën të mos i lanim rrobat. Punë e kotë -thanë. Rekrutët e tjerë i shihnim se kishin kryqëzuar duart e nuk po bënin gjë prej gjëja ndaj i pyetën. Po ju more, nuk keni morra ju? Kemi, thanë ata të dy njëzëri, e çfarë morrash. Na është bërë morri sa gishti. Njëri nga ata Futi dorën nën këmishë e atje ku i kruhej më shumë kapi një morr. Ishte më i bëshmi, thua ishte kryetari i morrave të këmishës së ushtarit. E kapi fort dhe e fluturoi drejt flakëve të zjarrit që kishin bërë rekrutët e tjerë. Veç kur papritur morri që hodhi drejt zjarrit, sapo u fut në mes të flakëve pëlciti… puf. Të gjithë qeshën me të madhe. Nuk kishin të pushuar.
Atë çast ata të dy, që e kishin bërë me fjalë më parë, u zhveshën dhe nisen ti hedhin rrobat në zjarr. Këmishët, qaforet, pecet e këmbëve madje edhe brekët e gjata.
Paf-puf-paf….pëlcisnin morrat në flakë. Kështu bënë edhe rekrutët e tjerë. U lanë me ujin e ngrohtë të kazanit duke i hedh njeri-tjetrit me sapllakë. U thanë, u veshën e nisën të ndjehen më mirë.
Do ti që nuk po kruheshin më. Po kjo i përket një kohe të largët. Ishte kohë diktature. Diktaturë komisarësh. Diktaturë morrash.
Kur po shihte flakët që dilnin nga bunkeri në ndërtim i Ministrisë së Brendshme që e ndezën ish të përndjekurit politike të regjimit komunist ne shenje proteste ndaj Qeverise, Sokol Mirajt ju kujtua koha e morrave dhe tha me vete, a mos vallë në vitin 1991 nuk i dogjëm kapomorrat e kuq, ndaj vazhdojmë të kruhemi edhe sot e kësaj dite. T’i kishim djegur morrat edhe vezët e tyre nuk do të pillnin kaq shumë morrat e rinj. Shihte flakët dhe ju kujtuan edhe morrat e partizaneve. Sa shumë morri ka gëluar në këtë vend, mendoi. I kanë pirë gjakun njerëzve me një babëzi të pa cak. Lubi paskan qenë.
Ndaj edhe sot e kësaj dite vazhdojmë të jetojmë kohën e morrave, mendoi Sokol Miraj, ndërsa përqaste kohët e shkuara me të sotmen. Ca thonë se më i keqi ishte morri i kuq. Mundet por edhe ata morrat e zinj që i pickonin pa mëshirë në dimrat e egër në jetën e tij prej rekruti në Malësi të Gjakovës nuk ishin të pakët. Eh, more komisar Ali Morri, se ç’mu kujtove në këto ditë të ftohta dhjetori. Morrat janë morra kudo ku ndodhen sepse kudo që na gjejnë na pickojnë. Ndaj duhen flakëruar puf-paf-puf për të shpëtuar nga pickimet e tyre të lemerishme. Se thënë të vërtetën, po bëre kompromis me morrin, siç u bë në vitin e përmbysjes së madhe të morrisjes, me sentencat marroke, jemi kundërshtarë por vëllezër, të piu morri.
Sikur t’i kishin përvëluar ca kapomorra në 1992 nuk do të kishim as bunkere sot e një çerek shekulli të përmbysjes së diktaturës, filosofoi Sokol Miraj dhe vazhdoi: por as portreti i kryemorrit të kuq, nuk do t’ na shfaqej si kukudh në bulevard. Në fund të fundit ka një të vërtetë, duan apo nuk duan andej nga Evropi, kur nuk i djeg morrat, kruhesh tërë jetën.
Dhjetor 2015
- « Previous Page
- 1
- …
- 38
- 39
- 40
- 41
- 42
- …
- 94
- Next Page »