• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2015

DJALI NGA HOTI – NJE NGA LIBRAT ME TE MIRE PER FEMIJE

December 29, 2015 by dgreca

Rrefimet e librit “Djali nga Hoti” i Kolec Traboinit vijne ne periudhen kohore 100 te viteve me pare. Ata jane mbeshtetur ne hartimet shkollore te babait te tij Palok Troboini ish-nxenes i shkolles Tregtare Italiane, i cili solli permes Dalmacise flamurin qe u ngrit ne Deciq me 6 prill te vitin 1911. Shkrimet vijne nga viti 1905 me disa modifikime e plotesime sic e ka zakon Kolec Traboini me penen e tij te lehte si gjeth e me peshe tonelata. Libri i thjeshte edhe per kompozimin, ilustrimin dhe ne teresi grafiken e perdorur, eshte nje model per kohen. Faqet e librit te impresionojne, te shetisin ne tablote e bukura natyrore te malesive, te stineve te vitit, ne galerite e personazheve qe jane te moshave te ndryshme, ku mbizoteron Palok Troboini i ati i Kolecit, nena Nora dhe mesuesi i italishtes Andrea Skanjeti burri i Motres Tone. Personazhet e librit jane bashkemoshatare, kryesisht te vuajtur, por te ndershem. Jane rrefime per femije, qe me shume mjeshteri e pa u dukur, ne fundin e se cilit, cilido lexues i jep dicka te vlefshme per jeten, kurdo e kudo qe i nevojitet.
Do t’i thosha edhe Ministres se Arsimit se duhet qe ky liber te plotesoje bibliotekat e shkollave, sepse eshte nje nga librat me te mire per femije. Mos t’ju dridhet fare dora per ta futur ne katalogun e librave te leximit jashte klase. Deshiroj qe ky propozim te mos mbetet ne vesh te shurdher. Lexim te kendshem.

FAIK XHANI
mesues

Filed Under: LETERSI Tagged With: Djali nga Hoti, Kolec, Palok Traboini

Karrika bosh në “darkën e gabuar”

December 28, 2015 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/
Kur lexova se një pjesë e mire emrash të dëgjuar në gazetarinë shqiptare, kishin refuzuar darken e Ramës, mendova se tek pritja e Metës shifra do të ishte dyfish. Por me sa po shoh tani, nuk është e tillë. Madje Iliri po flet plot qetësi dhe dashuri. Tekstualisht, “Gjithnjë ka vend për tu përmisuar, ju uroj vit të mbarë, gezuar në familjet tuaja dhe natyrisht të dominojnë lajmet me pozitive dhe shpresojmë të japim lajmin e çeljes së negociatave, që do ishte lajm i mire për të gjithë ne.”-tha ai. Ah, ky lajmi i negociatave. Të njëjtat fjalë edhe kur ishte në qeveri me doktorin. Me siguri të njëjtat do thojë edhe në qeverinë e ardhshme me Bashën. (Atëherë kur të mos jetë më qelbësirë.) Ndërkohë po pres statutin e radhës. Jo nga frëngjia e LSI-së, por nga ajo e doktorit. Veç, kësaj here të vrasin veshët e shpirtit ato…, fjalët e Lutfiut. Atij gazetarit të qetë, që i tregoi mbrëmë Ramës. Listën me shumicë të kolegëve të pa paguar. Por mbase ky, konstatim, nuk është tregues informal. Në Shqipëri nuk ka punë të pa paguar. Asesi. As mos e ço nëpër mend. Aq më tepër në një banket me disanjo prej kuponësh tatimorë. Me gabime drejtshkrimore që çuditërisht i kanë shpëtuar shpurës së ndjeshme të Kryeministrit. Sidomos kur dalin nga Presidenca. Një darkë e madhe dhe e vakët. E gabuar do thoshte Ismail Kadareja. E ftohtë si në sallonet e Moskës.
Megjithatë se si të vjen shkarasi, se si të vërtitet një vraje. Rroga për muaj të tërë pa paguar. Në sallë punëdhënësit pine…, kushedi se çfarë vere. Pak ditë më parë kishin dhënë urdhër të bombardonin me tituj Presidentin. Për një mbrëmje gala. Për një banket si ky. Tituj të tillë…, ”Shpenzime të tepruara të Presidentit”.
I urti President i vendit tim. As në Vlore, bash në vend themelimin e shtetit amë. Aty ku ka sajuar Enveri një shtëpi pushimi. Rezidencë qeveritare i thonë. As aty nuk e pranuan. Kushedi as atij, nuk i kanë dhënë rrogën? Ka vajtur në bankë e ka tërhequr paradhënie. Ashtu siç tha ai, gazetari për kolegët.
Pak apel miqësor, për hatër të një bote të madhe me emra si ai Branko Merxhanit. Si i Petro Markos, Godellit, Zavalanit, Çikës, Pecit etj. Sot memoria e artë e Shqipërisë. Të gjithë ata në internime e dënime përfunduan. Por në atë ekonimi të brishtë, të asaj kohe. Me satrapër…, me pushtues, me kuislingë a ku di unë se çfarë. Nuk bën asnjë ditë punë të pa paguar. Eshtë tragjike sot. Të dëgjosh këtë fakt. Aq më tepër përballë kamjes së një Kryeministri, apo Kryetari Kuvendi. Shqipërisë i ikin për vit me qindra. Nëse nuk u paguajnë. Ikni…, lërini pronarët të shkruajnë. I ndihmon edhe Kryeministri. Nuk është gjëm ikja. Pavarsisht këngëve të folklorit. Të ikur nuk do të mbushni xhepat me ato që shkruani. Të paktën do të bëni si u thotë shpirti. Gjëm është puna e pa paguar. Dhe gota e shampajnjës përballë shakave të kripura të Kryeministrit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Karrika bosh, në "darkën e gabuar"

MAKINA E MBULUAR

December 28, 2015 by dgreca

Tregim nga Hasan KOSTRECI/
Gjatë jetës njeriu kalon shumë ndodhira, por disa prej tyre të ngelin në mëndje dhe kurrë nuk harrohen. Kjo që po tregoj është e shumë dekadave përpara, kur unë isha në atë kohë djalë i ri dhe punoja si mësues në rrethin e Gramshit…..
Qe një ditë e ftohtë Janari dhe qielli i nxirrë tregonte se së shpejti do t’ia niste shiu. Nga qëndra e qytetit të Elbasanit, deri tek Ura e Shkumbinit, sëbashku me Vasilin, të shoqen e tij, Zamirën si dhe djalin gjashtë vjeçar, Gjergjin, e morëm gati me vrap dhe nga që u djerrsitëm, u mbështetëm mbas një peme që të mbroheshim, sadopak prej erës që vinte nga gryka e lumit. Kthenim kokën herë pas here mbrapa që të shihnim mos vinte ndonjë makinë, por deri tani asgjë.
– Nëna më gatoi ca petulla që t’i kishim për rrugës, prandaj dhe u vonova – u justifikua gruaja e shokut tim dhe na nxorri përpara një gazetë të bërë si kaush.
– Do presim edhe ca, ndryshe do e lemë për nesër – u përgjigj Vasili.
– Ti edhe mundesh, sepse dy orët e para i ke bosh, kurse mua më duhet që të jem patjetër në orën tetë në shkollë – e kundërshtoi Zamira.
– Nuk i ke edhe aq mirë punët me drejtorin. Ç’farë ka ai me ty? – e pyeti ai.
– Ndonjëherë mirësjelljen, ju burrat, e keq kuptoni – iu përgjigj ajo dhe nuk e zgjati më atë bisedë.
Ata kishin gati dhjetë vjet martuar, patën bredhur për një kohë fshatrave dhe vetëm këto dy vjetët e fundit qenë transferuar në qëndër, por për kohën që flas, Gramshi ishte një qytet fare i vogël; vetëm me një rrugë kryesore, katër a pesë dyqane, një restorant, një kinema gjithashtu të vogël, ku banorët dhe sidomos mësuesët, shumica të ardhur, shkonin për të parë ndonjë film, që disa herë ndërpritej, si dhe shtëpia e kulturës, ku ata e kishin të detyruar të aktivizoheshin. Bile Zamirën, nga që kishte zë dhe këndonte bukur, e patën futur të merrte pjesë edhe në estradën e krijuar rishtaz, ndërsa djalin, nga që ende s’i kishte mbushur gjashtë vjeçët, e çonin në kopësht.
– Po vjen, më duket, një zis me targë Elbasani, por qënka i mbuluar – tha Vasili dhe i doli përpara – jemi për Gramsh – iu drejtua ai shoferit, i cili kur e uli shpejtësinë dhe ndaloi, e njohëm që ishte xha Sotiri i uzinës së Çekinit, një burrë i moshuar, i gjatë dhe me flokë të thinjura.
– Vëndet përpara deri në Gostimë, i kam të zënë – tha ai dhe u drejtua më shumë nga çifti – por nëqoftëse qëndroni dot mbrapa, hipni – shtoi dhe zbriti e hapi pak cepin e mbulesës prej mushamaje që të shikonin.
– Si thua? – iu drejtua Vasili të shoqes.
– Kam hall më shumë për djalin se mos turbullohet, por tjetër nuk kemi për të gjetur, prandaj hipim – iu përgjigj ajo dhe e ndihmuar nga i shoqi, një dorë e vuri tek spondi, ndërsa me tjetrën mbajti fustanin, që prej erës, iu ngrit përpjetë. Mbas saj hipën djalin dhe në fund unë me Vasilin.
– Vetëm ju lutem, mos bëni zhurrmë dhe rrini qetë – na porositi shoferi dhe u orvat sikur të na thoshte edhe diçka tjetër, por Vasili e ndërpreu.
– Mos kij fare merak – i tha ai dhe atëhere xha Sotiri uli përsëri mbulesën, i lidhi dy cepat mirë që të mos hapeshin dhe u largua.
Në karroceri qe errësirë dhe një llambushkë e vogël e vendosur në krye, bënte fare pak dritë. Duke ecur dhe u mbajtur me kujdes anash u ulëm në disa dërrasa të vendosura paralel, të cilat shërbenin si sedilje, por era e pluhurit të rrugës përzierë me gazin e pa djegur që vinte prej skapamentos dhe nuk kishte nga dilte, të zinte frymën. Mbasi u ambientuam sadopak, vumë re se në krye dhe të ulur me fytyrë nga ne, ishte edhe një çift, ndofta burë e grua, të cilët po rrinin në heshtje.
Makina, nga që ishte e lartë, kur u nis, lëkundej shumë dhe nëpër gropa, të dukej sikur nga çasti në çast do përmbysej. Përjashta shiu filloi të binte i rrëmbyeshëm dhe në vëndet ku mbulesa e mushamasë qe e grisur, futej edhe brënda.
– Si ndjehesh? – e pyeti përsëri Vasili të shoqen.
– Deri tani mirë, por më vonë, nuk di – iu përgjigj ajo dhe mbështeti kokën tek supi i tij, ndërsa djali nga që u mërzit, nisi të vijë vërdallë e të luajë. Unë, për një moment, mbylla sytë dhe fillova të mendohem.
– Palltua që qepe tek rrobaqepësi, të rrinte bukur – dëgjova Vasilin që i pëshpëriti në vesh të shoqes dhe ajo si shpërblim për komplimentin, i afroi atij buzët që ta puthte.
Shiu përjashta akoma vazhdonte dhe duke goditur mbi mbulesën e mushamasë, të krijonte një farë melankolizmi, por njëkohësisht të bënte edhe për gjumë.
– Ai xhaxhi atje nuk më le që të kaloj edhe në rreshtin e fundit – e prishi atë heshtje i biri i tyre, Arbeni, i cili u ankua për çiftin në ballë që po e pengonin të luante.
– Po a e dëgjove shoferin, kur na porositi që të mos bëjmë zhurrmë? – i tha atij e ëma dhe u mundua ta ulë, por ai nuk e dëgjoi.
– Hajde, se do të vë të dëgjosh një muzikë të bukur – u orvat këtë herë Vasili dhe nxorri nga çanta një radio me bateri nga ato që kishin filluar kohët e fundit të montoheshin në Durrës dhe kur djali dëgjoi zërin e Prashqevi Simakut të shoqëruar nga një kor fëmijësh, u afrua dhe sëbashku me to filloi të këndojë edhe vetë. Prej bubullimave dhe rrufeve që shkreptinin përjashta, nuk kishte rrezik që t’i dëgjonte kush, bile as shoferi përpara, prandaj filluam edhe neve me zë ta shoqërojmë, ndërsa vetëm çifti në ballë, për çudi, nuk bënte as dhe një lloj reagimi, por vetëm na vështronin dhe qëndronin në heshtje.
– Ç’pate? – e pyet e ëma mbas pak djalin, kur ai nisi përsëri të luajë, por diku u pengua dhe ra.
– Mos kalo edhe njëherë këtu! – iu drejtua fëmijës këtë herë burri i ulur në fund, që deri tani pat qëndruar në heshtje, por e ngriti zërin si shumë, sa habiti edhe prindërit.
– Fëmijë është fundja dhe nuk duhet që të mërzitemi – ndërhyri Zamira, por kur i vajti atij pranë dhe u përkul ta ngrinte, shtangu dhe iu muarr fryma, sepse shtrirë përpara këmbëve të saj, pa një arkivol të vogël, që të linte të kuptoje se ishte i një fëmijë.
– Çfarë ke? – e pyeti Vasili dhe fiku radion, por në këtë moment edhe makina kish ndalur dhe kur shoferi hapi fundin e mbulesës së mushamasë dhe në karroceri hyri drita, edhe ai u habit, kur në duart e çiftit që u ngritën për të zbritur, pa një arkivol të vogël mbuluar përsipër me një copë të kuqe. E humbëm edhe ai dhe unë njëkohësisht dhe nuk dinim ç’të bënim, por meqënëse për të kërkuar falje, nuk ishte momenti, u hodhëm menjëherë në tokë dhe sëbashku me xha Sotirin, i ndihmuam që të ulnim xhenazenë.
– Fëmija juaj? – i pyeti ata i pari Vasili dhe të dy u dhamë atyre dorën.
– I plasi apandesiti dhe infeksioni qe aq i madh, sa doktorët thanë, që nuk i bëhej dermani – na u përgjigj këtë herë gruaja dhe ia dha përsëri të qarit.
– Të rroni vetë dhe të na falni, për pakujdesinë që treguam – u tha gjithashtu edhe Zamira dhe me sy të përlotur, i përqafoi , por kur ktheu kokën, ndeshi me vështrimin e shoferit, cili, diçka, si duket kuptoi dhe heshti.
– Ta shpërblefshim në gëzime – iu drejtuan ata burrë e grua xha Sotirit, kur po ndaheshin dhe i shoqi u mat që ta paguante, por shoferi e kapi nga dora dhe e ndaloi.
– Në asnjë mënyrë – e kundërshtoi ai. Blijini diku qirinj dhe lutjuni për mua.
U rreshtuam sa ishim, përfshirë edhe dy pasagjerët e ulur përpara dhe dorë më dorë e kaluam arkivolin deri tek një karrocë që priste më tutje. Qe një moment tepër emocional, sa edhe Arbenin i vogël, mori një qëndrim serioz dhe s’po fliste. Vetëm mbasi ata u larguan, ndezëm të katërt nga një cigare dhe në heshtje po i pinim.
– Duhet të na kishe thënë – I tha xha Sotirit, Zamira, kur hipëm në kabinë dhe u nisëm.
– Kishit me vete edhe djalin dhe mendova se nuk do ndjeheshit mirë – iu përgjigj ai mbas një heshtje dhe psherëtiu – por Zoti, për diçka që s’e di dhe e bën pa dashje, të fal dhe nuk ta quan mëkatë – shtoi dhe si të krishterë, përjashtuar mua, megjithëse besimi fetar në atë kohë qe i ndaluar, bënë me dorën e djathtë kryqin.
Shiu në këtë moment pat ndalur, qielli u hap, por rrëketë e zbritur nga mali, e kishin dëmtuar mjaft rrugën ku po kalonim, prandaj duke u lëkundur sa majtas djathtas makina e lartë dhe e mbuluar e uli shpejtësinë dhe po ecte ngadalë…..

Filed Under: LETERSI Tagged With: Hasan Kostreci, MAKINA E MBULUAR, Tregim

Kosova, vit me kohë të humbur

December 28, 2015 by dgreca

-Kryetari Kuvendit të Republikës, Kadri Veseli: Kosova kalon një vit të vështirë me kohë të humbur, pret një tjetër/
-Vizioni ynë është integrimi euroatlantik, ndërsa partneriteti ynë është bota perëndimore, tha në vazhdim kryetari Veseli, ndërsa shtoi se dëshmia më e mirë e kësaj janë liria, pavarësia dhe shtetndërtimi ynë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 28 Dhjetor 2015/ Kosova ka kaluar një vit të vështirë me kohë të humbur dhe pret një tjetër, tha kryetari Kuvendit të Republikës, Kadri Veseli në pritjen e fundvitit për gazetarët e akredituar dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.
Në pritjen ku ishte edhe korrespondenti në Kosovë i gazetës Dielli, kryeparlamentari Veseli e konsideroi vitin 2015 një vit i vështirë, si për funksionarët institucionalë, ashtu edhe për përfaqësuesit e mediave, ndërsa falënderoi për përkushtimin e dëshmuar si media të lira dhe raportimin korrekt mbi zhvillimet në vend.
“Duke lënë anash të gjitha mospajtimet politike në mes pozitës dhe opozitës, duhet të pranojmë se këtë vit, Kosova u ballafaqua me testin e funksionimit si shtet demokratik dhe ligjor. Duhet të jemi realistë, këtë test, ende nuk e kemi kaluar. Kuvendi i Kosovës u ballafaqua me një situatë të paprecedent, jo vetëm për parlamentarizmin tonë, por edhe më gjerë”, theksoi kryetari Veseli.
Ai tha se pengimi i punës së Kuvendit me veprime jo parlamentare ka shkaktuar dëme në shumë drejtime: është dëmtuar demokracia parlamentare e Kosovës, ende e brishtë, është dëmtuar imazhi i Kosovës te partnerët ndërkombëtarë dhe te qytetarët, me praktikën e thyerjes së ligjeve pikërisht në vendin ku miratohen ligjet.
“Është humbur kohë dhe energji në një axhendë tërësisht negative dhe depresive, duke lënë anash interesin më primar të qytetarëve të Kosovës – zhvillimin ekonomik, duke lëkundur, në të njëjtën kohë, partneritetin me miqtë dhe mbështetësit e shtetit tonë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera perëndimore”, u shpreh kryeparlamentari Veseli.
Është e qartë, vijoi ai, se në vitin që po vjen, duhet të bëjmë, saktësisht, të kundërtën e këtij bilanci negativ.
“Pra, jo bllokadë e pozicione rigjide, por dialog në mes pozitës dhe opozitës, për të gjitha shqetësimet e ngritura, dilemat dhe dyshimet. Jo argumente të forcës fizike, por fuqi të argumenteve politike në Kuvendin e Republikës së Kosovës, jo qëndrime arrogante karshi partnerëve ndërkombëtarë, por thellim i partneritetit me ta”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Vizioni ynë është integrimi euroatlantik, ndërsa partneriteti ynë është bota perëndimore, tha në vazhdim kryetari Veseli, ndërsa shtoi se dëshmia më e mirë e kësaj janë liria, pavarësia dhe shtetndërtimi ynë.
Duke folur për raportet e Kuvendit me mediat dhe publikun në përgjithësi, kryetari Veseli theksoi se që në fillim të punës së tij si kryetar i Kuvendit, është udhëhequr nga platforma e transparencës parlamentare.
“Transparenca është parim demokratik, por ky parim nuk mund të përmbushet pa punën e mediave të lira dhe organizatave të shoqërisë civile. Në këtë drejtim, raportin e Kuvendit me media dhe shoqërinë civile, e kam parë vazhdimisht si raport partneriteti. Jam i lumtur që pas 1 viti të punës, të konstatoj se zgjerimi i qasjes së mediave në punën parlamentare dhe krijimi i hapësirave të reja për prezencën e shoqërisë civile në punën e Kuvendit të Kosovës, i ka ndihmuar shumë zhvillimit të parlamentarizmit”, theksoi kryetari Veseli, duke shprehur përkushtimin që në vitin që po vjen, të ecet më tutje në këtë drejtim.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha transparenca institucionale është angazhim i përditshëm dhe ka shumë gjëra që duhen ndryshuar dhe bërë më mirë.
Në solemnitet, në emër të komunitetit të gazetarëve, foli kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekirja Shabani, ndërsa nga shoqëria civile, përfaqësuesi i Institutit Demokratik të Kosovës – KDI-së, Albert Krasniqi. Shabani dhe Krasniqi çmuan bashkëpunimin midis gazetarëve dhe shoqërisë civile në njërën anë, dhe Kuvendit të Kosovës, në anën tjetër, duke theksuar, njëkohësisht, përkushtimin për ta thelluar më tej këtë bashkëpunim, në funksion të kultivimit të mëtejmë të demokracisë parlamentare.
Kuvendi i Kosovës prej më shumë se tre muajsh, nga fillimi i sesionit vjeshtor me seancën e 17 shtatorit, bllokohet nga opozita, në kundërshtim të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, edhe me gjuajtje gazi lotsjellës në seanca e jashtë tyre, pas të cilave zhvillime ka pasur edhe deputetë opozitarë të arrestuar.
Në 17 dhjetor, Kuvendi i Kosovës ka përmbyllur seancat plenare për vitin 2015 me emërimin e 8 anëtarëve-drejtorëve në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
“Aktulisht nuk kemi asnjë çështje në pritje për shqyrtim në seancën plenare të Kuvendit. Shkojmë në pushimin, të cilin e kemi dimëror”, është shprehur në përmbyllje të seancës së fundit në këtë vit, kryeparlamentari kosovar Veseli.
“Në të njëjtën kohë, kishim dëshiruar që të kthehet normaliteti për të gjithë deputetët në Kuvendin e Republikës së Kosovës. I përshëndesim organet e rendit dhe të drejtësisë për punën e tyre dhe shpresoj se do t’i lirojnë të kthehen në familjet e tyre, veçanërisht para festave të fundvitit, kolegët tanë deputetë”, tha kryeparlamentari Veseli në seancën në sallë alternative pa opozitën.
Pas zhvillimeve me gaz lotsjellës në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se, “numri total i deputetëve opozitarë të arrestuar në datën 14 dhjetor është nëntë, ndërsa numri total i deputetëve të arrestuar është 13”.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, kosova, Veseli Kadri, vit me kohe te humbur

Kosovë-FSK, e ardhme e ndritshme

December 28, 2015 by dgreca

-Presidentja Jahjaga priti oficerin Ismajl Hoxha, i cili mori çmimin “Shpata e nderit” nga Akademia Mbretërore Ushtarake e Britanisë së Madhe/
PRISHTINË, 28 Dhjetor 2015/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe tre kadetët që morën pjesë në Akademinë Mbretërore Ushtarake të Britanisë së Madhe, Ismajl Hoxha, Fitore Fazliu dhe Besfort Kruma.
Presidentja Jahjaga e përgëzoi komandantin e FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama për suksesin që ka arritur oficeri Hoxha gjatë studimeve një vjeçare në Akademinë Mbretërore Ushtarake të Britanisë së Madhe.
Presidentja Jahjaga theksoi se shpërblimi i oficerit Ismajl Hoxha me “Shpatën e nderit” si studenti më i mirë i Akademisë Mbretërore Ushtarake të Britanisë është porosi e qartë për të ardhmen e ndritshme të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ajo theksoi se nderimi i oficerit Hoxha është vlerësim shumë i rëndësishëm jo vetëm për të edhe për institucionin e FSK-së edhe për Republikën e Kosovës.
Presidentja Jahjaga tha se suksesi i oficerit Hoxha, është motiv shtesë për angazhim edhe më të madh të të gjithë oficerëve të tjerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: oficerin Ismail Hoxha, Presidentja Jahjaga, priti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 94
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT