• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2016

ÁT PASHKO GJADRI S.J. – KONICA NË NJË LETËRKEMBIM PATRIOTIK TË PANJOHUN

January 27, 2016 by dgreca

NGA KOLEC CEFA*/
Vitet 1877-1954 caktuen kufijtë kohorë të hapsinës jetësore të këtij meshtari jezuit shqiptar, ndërsa permbajtjen e percaktoi fundi i çthurun e i pafuqi i pushtimit turk në Shqipní e fillimi i egër i pushtetit komunist. Edhe pushtimi i vjeter, edhe pushteti i ri, kaluen pa lavdi, tue lanë prapambetje të gjithanshme, plagë të thella e mbi të gjitha zvetënim moral ndër njerëzit. Por edhe aty, njerëz si Át Gjadri formuen karakter të fortë, shprehën ndjenja njerëzore, dëshmuen atdhetarizëm të flaktë, zotnuen kulturë të gjanë, e punuen me zell e vullnet të paperkulun. Zotnonte pesë gjuhë të hueja: latinisht, greqisht, italisht, gjermanisht, anglisht.
Dr. Pjeter Pepa në veprën voluminoze shenon: “Ka qenë profesor në Seminarin Papnor në retorikë e në humanitet, ka qenë profesor në Kolegjen Saveriane, se ka veprimtari të pasun në Misionin Shetitës ndër malsitë tona, si: Pult, Shalë, Shosh, Dushman, në Malsi të Madhe, Mirditë, etj. sidomos me falje gjaku, me ndihma e bamirësina, aty ku gjendja materiale, shpirtnore e kulturore ishte ma e vështirë”.
Pushtimi i gjatë, i lodhun e tashma i liberalizuem turk e lejoi të bahej meshtar katolik; pushteti shqiptar komunist ia ndaloi veprimtarinë fetare, shoqnore, kulturore. E filloi veprimtarinë e hapun si bashkëpunëtor i revistës me emën “Albania”. Shkroi edhe shumë artikuj të shperndamë në organe të ndryshme, por e ndërpreu ndër burgjet e komunizmit shqiptaro-sllav. Në moshë mjaft të thyeme provoi nëperkambjet, perbuzjet, keqtrajtimet, diskriminimet in odium fidei e torturat çnjerëzore.
Një jetë plot vuejtje, por me ideale të paperkuluna, plot shqetësime, por edhe plot shpresë.
Ky njeri, me atë potencial të madh shpirtnor e kulturor u arrestue dhe “u gjet fajtor” per “krime kundër shtetit”, u dënue dhe provoi tortura në moshën madhore, sa, kur doli nga burgu, pas pak muejsh vdiq.
Edhe sot jehona e këtij emni të frymëzon respekt per ideale të nalta, ndjeshmëni per vlera morale, perkushtim per veprimtari shoqnore.
Át Gjadri, i urtë e i butë, i dashun e i virtytshëm, i ditun e patriot, i shkroi këtë letër Konicës së “Albanisë”:

Fort i dashuni atdhetar,

Oh, sa kënaqet zemra jonë, kur posta na bie Albanien e cila pernjimend âsht shkrue në gjuhë të fortë e të kullueme e i del lighirtorit (lexuesit) një shkollë e vertetë per gjuhen e per interesat e atdheut të vet.
T’perhapet “Albania” sidomos në Shkodër e jo vetem nder katolikë, por edhe nder zotnitë tjerë e punet e Shqyperisë shpejt kishin me u mirësue, jo me luftë e gjak, por me paqe e me të mira.
Por mjerisht anmiku i Shqyperisë perpiqet gjithsesi që mos të bashkohena e mos të lidhena per lulzim të kombit tonë si u lidhne babat tonë në kohën e të dashtunit Skanderbegut.
Po (ndoshta âsht kjo nji anderr e jeme) unë kujtoj se të gjithë shqiptarët do t’i ngulin sytë në këtë Diellin e Shqypnís, në daçin me dalë prej territ që i mblon, do t’ia mësojmë qyshë në vocërri jetën e punët e tij e sidomos dashuninë që mbajti per dheun e vet. Por këto punë i di Zotnia jote ma mirë se na, e tjetër qellim nuk patme tue të shkrue këtu, veçse të shfrejmë me nji mik të dashun dhimben e zemres sonë per mjerime të Shqypnís.

Dhe pergjigjja që mendojmë ne e Faik Konicës:

Shumë i nderuari bashkatdhetar

E kam lexuar me interesin më të madh letrën, që Ju kini pasur mirësinë të më shkruani dhe do ta botoj të perkthyer shqip, kuptohet, pa treguar autorin. Mendimet tuaja janë të drejta, mësimet tuaja patriotike.
Per fat të keq, atdheu ynë vuan nga një sëmundje e çuditshme: të gjithë njerëzit te ne kërkojnë të urdhërojnë dhe asnjë nuk do të bindet.
Shqiptarët kanë humbur sensin e të bindurit dhe, sa kohë të vazhdojnë kjo prirje anarkike, është vështirë të bëhet diçka.
Ne duhet të luftojmë e mënyra më e mirë per ta bërë është të veprojmë gjithmonë me shpirt bashkimi e mirëkuptimi.
Unë do të pranoj me kënaqësi gjithmonë sugjerimet tuaja e këshillat tuaja dhe ju lutem, i dashur bashkatdhetar, të kini besim në devocionin tim.

Faik Konica
22. IV. 1906
(Origjinali âsht frengjisht, perkthimi imi. Letra gjindet në AQSH, në dosjen e Bazhdarit, botohet per herë të parë.
*(Botoi Dielli, 18 Shtator 2015. Ribotim me rastin e vitit te Konices)

Filed Under: Komente Tagged With: Át Pashko Gjadri S.J, Kolec Cefa, Konica, leterembim i panjohur

Agim Xh. Dëshnica në Sofrën Poetike të Diellit me 4 poezi malli

January 27, 2016 by dgreca

KATER POEZI MALLI/
Nga Agim Xh. Dëshnica/
GJURME, HIJE, DHIMBJE/
Poetëve të lirisë/

U zgjova në ditë me dritë,/
pas yjesh të shuar/
e ëndrrash nëpër natë./
Në qiell lart, dielli mbërdhi,/
në tokë ngricë, zbardh gjithkah./

Drurë të zymtë,/
me shtatin e epshëm/
krahët hapur në ajri/
majat e dridhshme,/
përkunden, dremisin e zgjohen,/
buzë rrugësh, në parqe e pyje/
e tok me erën,/
vërshëllejnë melodi thëllimesh./

Gushëkuqë të trembur,
bredhin degë më degë.
Po bylbylat me ligjërime
nga humbën kështu?…

Ecin mendimet,
në mjegull e borë.
Kujtime, kujtime,
gjurmë e hije,
gjurmë, gjurmë,
mall largësish,
dhimbje, dhimbje,
ikin e kthehen me turfullimë.

SHI NE PRANVEREN E VONUAR

Re, re, re, hiqen zvarrë
në shtegun e humbur të yjeve
me pelerinën e zymtë
të dimërimit.
Bie shi ëndërrimesh,
lot përmallimi,
kur tej dritares hetoj
pranverën e vonuar,
ndiej zhurmërimë oqeani,
zëra të largët,
kushedi se ku,
kushedi se ku…

Bie shi, bie shi, bora-akull
fle në skuta hijesh të ngrira,
rrjedhin ujra nëpër drurë,
çuditërisht të zhveshur!
Në gji gemash të lagur,
gonxhet struken e ankohen,
si ferishtet në djep,
asnjë lule, asnjë gjeth…

Shi, bie shi mendimesh,
mbi shtëpinë e ngrohtë,
muret e drunjtë spërkat,
si zog i hutuar çukit
në qelqet e dritares.

Mbrëmja troket në derë
me kujtime muzgjesh,
me trishtime, kur hëna
mbytej në mjegullnajë.

Bie shi, bie shi,
mbi shark bredhash e pishash,
psherëtijnë, kanë mall, presin
kthimin e bukurisë së luleve,
ashtu si unë erë vjollcash,
larg nga brigjet e dhimbjes sonë.
———

KAM MALL

Kam mall për malin, pishën e lartë,
lëkundje majash lisash të gjatë.
zëra mbi Jon e bredhërimë,
krojet e pastër e mërmërimë.

Për cicërima ndër degë,
aroma lulesh në shesh e breg
kur ngjyejnë rrezet qiellin në bruz
e shuhen ngadalë në muzg.

O ÇAMËRI! ÇAMËRI!

O Çamëri! O Çamëri!
Gjallon ndër këngë e histori,
me frymë ilirësh e pahepur,
nga fati mizorisht e ndjekur
me trazira kufijsh, veri-jug,
në paqen e trojeve, si askund.

Çamëri! Çamëri!
Nga fluturoi ajo lavdi?
Suljotët me shpata në sylah,
dyfekët hedhur krah më krah,
me jataganët hark nën sqetull,
me fustanella, feste mbi vetull,
derdhën gjak veç për të huaj
e humbën vendin, lirinë tuaj.

Ikën, ngjitet drejt veriu karvani,
tej mjegullnajës, u zhduk vatani.
Thërret poeti, Çamëri!
Krisma, gjak e tym i zi,
mure, dritare, porta pa jetë,
varen ndër degë, pa zogj foletë.
Ku shkoni, vatrat, ku i latë, ku?
Tokat djerrë e ullishtat prush,
stane rrafsh e bagëtinë vrarë,
pa zot livadhe e lulet tharë?

Çamëri-Shqipëri e prerë!
Folë shqip, shqip e na bëj nder,
sa kohë kështu, pa dritë e dije,
pa këngë, pa rite lashtërije,
pa ligje, pa prona e larg punës,
pa libra, me dhunë ndaj gjuhës.

Streha e djepit, pragu i shenjtë
lisat e hijet e kroi-shkretë,
ju ftojnë të shkoni në ato anë,
tek toka, të parët jua lanë,
Jo, mos trokitni në derën tuaj!
E bukura shqipe -gjuha juaj!

Drejtësi! Mos hesht, kërko!
Kanune, tapi e libra shfleto!
Për njerëz nga vatrat të dëbuar,
rimkëmb ligjet, jetën e munguar!

Nga Prespë e kaltër e gjer në Artë,
Filat, Janinë, Dodonë e lashtë,
tek zbret Thyami* e rrjedh në Jon,
me dallgët tok në breg jehon:
Çamëri, Çamëri! Liri e Jon!
———–

Ps:
*Thyami- emri ilirian i lumit (sot Kalama),
nga vjen emri çam e lidhur me të emri Çamëri.

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Agim Xh Deshnica, me 4 poezi malli, ne Sofren Poetike te Diellit

Hipokrizia shtetërore

January 27, 2016 by dgreca

Nga Reshat Kripa*/
Një zhurmë e madhe mbuloi vendin tonë këto ditë me rastin e pesëvjetorit të vrasjes së katër qytetarëve gjatë protestës që opozita e atëherëshme socialiste zhvilloi në kryeqytet. Kjo zhurmë filloi me shfaqjen që dha kryeministri shqiptar për familjarët e të rënëve në atë ditë të zezë të 21 janarit 2011 dhe me vendosjen e tufave me lule në pllakat përkujtimore për nder të tyre ku kryeministrit gati sa nuk i “rridhnin lotët” nga dhimbja e madhe që ndiente. Çuditërisht, në atë çast mua m’u kujtua kur ky kryeministër, dikur kryetar bashkie i kryeqytetit, këndonte së bashku me një grup të njohur: “Zhurmë, shumë zhurmë”. Atëherë ai nuk e duronte dot zhurmën kurse tani na qenkësh bërë një zhurmërues i madh. Edhe shoqëruesit e tij nuk ishin më grupet e njohura të këngëtarëve por një numër i mediave të shkruara dhe atyre vizive si dhe një numër i madh personalitetesh dhe analistësh.
E gjithë kjo zhurmë më solli ndër mend fjalët e një epitafi që e kisha lexuar dikur në pllakën e një varri:
Këtu prehet hipokriti,
Gojë mjalt e trup përlyer,
Që s’tha fjalë pa lezet,
Që s’u prish në muhabet,
Dhe s’e ndyri kurrë gojën,
Me ata që kish nevojën!

Duke kujtuar këto vargje mua më dukej sikur hipokrizia e nje individi kishte marrë përmasa të jashtëzakonshme duke u ngritur në sistem dhe duke u shndërruar në hipokrizi shtetërore. A thua u dhimbte aq shumë shpirti këtyre për këta katër fatkeqë që ranë viktimë e një aventure të çmendur të drejtuesve që për vete u fshehën në godinën e një miku dhe vështronin se si vriteshin simpatizantët në vend që të ishin në krye të tyre?
I pushtuar nga këto mendime para syve më dilnin edhe ngjarje të tjera të ngjashme me këtë. Ato kishin ndodhur më parë duke kaluar në heshtje dhe asnjë nuk kujtohet më për to. Më 26 korrik 1996 një dorë e zezë shtiu mbi Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve të paharruarin Bujar Kaloshi, birin e një familje të madhe patriotike nga Dibra, i lindur dhe rritur në kampet e tmerrshme të internimit nga regjimi totalitar. Kush e vrau? Kanë kaluar pothuajse njëzet vjet dhe autori ende nuk dihet dhe, sipas gjasave, as që ka ndërmend të zbulohet. Përse? Mos vallë pse ishte i përndjekur politikë? A nuk ishte edhe ai bir nëne si këta të 21 janarit?
Vrasja e Bujar Kaloshit ishte preludi i një ngjarje jashtëzakonisht tragjike që do të ndodhte pas gjashtë muajsh, viti i zi 1997. Dhjetra të vrarë pa llogaritur qindra të zhdukurit nëpër valët e Adriatikut apo rrugëve të emigrimit. Më tepër nga të gjithë, përsëri e pësuan të përndjekurit politikë. Më lejoni të përmend emrat e disave prej tyre: Gjergj Mehmeti, Besim Manoli, Gëzim Shabani, Valter Harizi, Lutfi Rapaj, Ridi Hamzaraj së bashku me nënën e vetë Nadjate Hamzaraj e të tjerë dhe këta vetëm nga vendlindja ime, Vlora. Po në krahinat e tjera? Nuk mund të rri pa përmendur emrat e Bashkim Shkurtit në Lushnje dhe Edi Shehut në Gjirokastër. A u krijua ndonjë komision për zbulimin e fajtorëve të kësaj katastrofe? Asnjë. Edhe një komision paralmentar që u ngrit nuk nxorri asnjë përfundim. Po prokuroria a i zbuloi vrasësit e të siperpërmendurve? Deri më sot ato kanë ngelur enigmë.
14 shtatori i vitit 1998 ishte një ngjarje e ngjashme me atë të 21 janarit. Përsëri të shtëna me armë. Përsëri të vrarë. Skënder Kalenja vritet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me një plumb të ardhur nga Kryeministria, njësoj si kishin vepruar paraardhësit e kriminelëve në ditët e nëntorit 1944 kur i kishin vrarë të atin. Në mbrëmje, jo më shumë se dhjetë metra larg Ministrisë së Brendëshme vritet Adem Shehu i cili lihet i plagosur për minuta të tëra pa i dhënë ndihmën më të vogël. Edhe këtij gjashtëdhjetë vjet më parë komunistët i kishin vrarë të atin, ish komisar i batalionit partizan “Baba Abaz”. Uka nga Macukulli kishte ardhur të shpërndante ftesat e dasmës, por nuk mund të ikte pa marrë pjesë në protestë. Ftesat e dasmës u shndërruan në pluimba që i morën jetën. Përsëri heshtje. Askush nuk u mundua të zbulonte shkaktarët e këtij krimi. Përse? Askush nuk jep përgjigje.
E pra, ja që paska patur edhe ngjarje të tjera kriminale që nuk kanë gjetur zgjidhje. Përse kryeministri nuk kujtohet për to? Përse, si piktor, nuk bënte të paktën një pikturë për nder të Bujar Kaloshit, rënë në krye të detyrës, apo vallë sepse atëherë ai ishte rreshtuar përkrah kundërshtarëve të pushtetit? Përse nuk shkruante dy rreshta për ngjarjet tragjike të vitit 1997 dhe atë të shtatorit 1998 ku edhe të rënët ishin në krye të detyrës? Mos vallë kishte frikë dhe druhesh ta prishte me ata që më vonë do ta thërrisnin nga Franca për ta bërë kryetar bashkie?
Më vjen keq për familjarët e të rënëve që ranë viktimë e hipokrizisë shtetërore. Le ta ruajnë dhimbjen në zemrat e tyre, ashtu si po e ruajnë edhe familjarët e të rënëve të cituar më sipër dhe të mos bien pre e manovrave politikë të demagogëve që kanë pushtuar atdheun.

*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë

Filed Under: Opinion Tagged With: hipokrizia shtetrore, reshat kripa

Kosovë-Konkretizohet bashkëpunimi me Luginën e Preshevës

January 26, 2016 by dgreca

-Memorandumi mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit të Kosovës dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës është një hap i parë drejt ndërkomunikimit më aktiv kulturor, në funksion të njohjes dhe promovimit të kulturës mbarëkombëtare/
-Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës nesër në Strazburg takim me përfaqësues të Komisionit të Latë për të Drejtat e Njeriut, ku do të diskutohet për të drejtat e shqiptarëve në Luginë, për gjendjen ekonomike e sociale/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 26 Janar 2016/ Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Qeverinë e Kosovës, Kujtim Shala ka pritur sot në takim kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Jonuz Musliu, kryetarin e Preshevës, Ragmi Mustafa dhe atë të Bujanocit, Nagip Arifi.
Ky takim pason vizitën zyrtare që ministri Shala ka zhvilluar në Luginë të Preshevës dhe ka nënshkruar Memorandumet e Bashkëpunimit me Komunën e Preshevës dhe të Bujanovcit.
Me këtë vizitë, fillon faza e intensifikimit të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve ndërmjet MKRS-së dhe përfaqësuesve politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Në këtë takim, u nënshkrua një Memorandum Bashkëpunimi mes Ministrisë kosovare të Kulturës, Rinisë e Sportit dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar, nëpërmjet të cilit synohet të krijohen kushte për bashkëpunim në politikat, programet dhe aktivitet kulturore dhe rinore në Luginën e Preshevës.
Në takim, përfaqësuesit e Luginës, e falënderuan ministrin Shala për vizitën që i ka bërë kësaj pjese, por edhe për mbështetjen që u ka dhënë shqiptarëve.
Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës e vlerësuan si historike vizitën e ministrit Shala si dhe nënshkrimin e Memorandumeve të Bashkëpunimit që janë të parat të këtij lloji.
Ndërsa ministri Shala u shpreh se Ministria kosovare e Kulturës, Rinisë e Sportit po punon gjithnjë e më shumë për promovimin dhe afirmimin e kulturës shqiptare në mbarë hapësirat nacionale. Në këtë drejtim, ai u shpreh se Memorandumi mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit të Kosovës dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, është një hap i parë drejt ndërkomunikimit më aktiv kulturor, në funksion të njohjes dhe promovimit të kulturës mbarëkombëtare.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Jonuz Musliu, ka bërë të të ditur për median se pas vizitës sot në Prishtinë, të mërkurën e 27 janarit do të udhëtojnë për në Strazburg, ku në një takim me përfaqësues të Komisionit të Latë për të Drejtat e Njeriut do të diskutohet për të drejtat e shqiptarëve në Luginë, për gjendjen ekonomike e sociale.

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, Kosovë-Konkretizohet bashkëpunimi me, Luginën e Preshevës

Kosova ka pasur sukses në përmirësimet e qëndrueshme në mjedisin e sigurisë

January 26, 2016 by dgreca

-Deklaron Komandanti i Komandës së Forcës së Përbashkët në Napoli, Admirali i Marinës Amerikane, Mark Ferguson/
-Rreth 5,000 trupa nga Forca e Kosovës (KFOR) të udhëhequra nga NATO, nga 31 shtete vazhdojnë të punojnë në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurtë si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 26 Janar 2016/ Komandanti i Komandës së Forcës së Përbashkët në Napoli, Admirali i Marinës Amerikane, Mark Ferguson, vizitoi Forcën e Kosovës (KFOR) dhe zyrtarë të lartë në Kosovë.
Vizita e tij përfshiu takime me Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, Peshkopin e Rashkës-Prizrenit, Teodosije Sibaliq, kreun e Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjeneral lejtënant Rrahman Rama.
Gjeneral majori i ushtrisë italiane Guglielmo Luigi Miglietta, komandant i KFOR-it, priti Admiralin Ferguson në Shtabin e KFOR-it në kampin Film City. Ai u informua nga stafi i selisë së KFOR-it për zhvillimet e fundit në situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë, si dhe në rajonin e gjerë të Ballkanit.
Qëllimi kryesor i vizitës së Admiralit Ferguson ishte për të diskutuar me udhëheqësit kryesorë për sigurinë dhe përpjekjet për stabilizim në Kosovë.
Komandantët diskutuan për rëndësinë e pranisë së KFOR-it në ruajtjen e një mjedisi të sigurtë në Kosovë. Aftësia e KFOR-it për të punuar në mënyrë konstruktive dhe të paanshme si dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet vendore dhe organizatat ndërkombëtare, mbetet një prioritet jetik për sigurimin e stabilitetit në rajonin e Ballkanit, thekson komunikata e sapodërguar.
“Me fillimin e vitit të ri, unë pres për të vazhduar punën me partnerët për të ruajtur një atmosferë të qetë dhe të sigurtë për të gjitha komunitetet në Kosovë”, tha Admirali Ferguson. “Kosova ka pasur sukses në përmirësimet e qëndrueshme në mjedisin e sigurisë në sajë të shumë banorëve të saj të përkushtuar dhe besnikë”, theksoi ai.
NATO-ja udhëheq një operacion në mbështetje të paqes në Kosovë që nga qershori i vitit 1999 në mbështetje të përpjekjeve më të gjera ndërkombëtare për të ndërtuar paqen dhe stabilitetin në rajon.
Rreth 5,000 trupa nga Forca e Kosovës (KFOR) të udhëhequra nga NATO, nga 31 shtete vazhdojnë të punojnë në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurtë si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, bën të ditur njoftimi i KFOR.

***

Admirali Ferguson: SHBA-të edhe në të ardhmen do ndihmojnë FSK-në/
PRISHTINË, 26 Janar 2016/ Ministria e FSK-së në njoftimin e dërguar bën të ditur se, Komandanti i Forcave të Përbashkëta në Napoli, admirali i Flotës Ushtarake Detare të SHBA-ve, Mark E. Ferguson III, u prit sot në një takim pune nga Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës -FSK, gjenerallejtënant Rrahman Rama. Admirali Ferguson shprehu kënaqësinë për vizitën e pritjen dhe theksoi se SHBA-të edhe në të ardhmen do ta ndihmojnë FSK-në. Ai shoqërohej nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Guglielmo Luigi Miglietta
Njoftimi thekson se, gjeneral Rama falënderoi admiralin Ferguson për ndihmën e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po japin për Kosovën, e në veçanti për Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke theksuar bashkëpunimin e mirë me Gardën Kombëtare të Ajovës.
Me këtë rast Komandant Rama vlerësoi lartë edhe bashkëpunimin e mirë me KFOR-in që po zhvillohet në shumë fusha.
Ai e njoftoi admiralin Ferguson, me të arriturat e përgjithshme të FSK-së, në të gjitha fushat, bashkëpunimin që ka me shumë shtete si dhe pjesëmarrjen në ushtrime dhe trajnime rajonale dhe ndërkombëtare.
Po ashtu gjenerallejtënant Rama e njoftoi admiralin Ferguson me zhvillimet aktuale në FSK, duke u fokusuar tek procesi i transformimit në Forcat e Armatosura të Kosovës./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Admirali i Marinës Amerikane, Behlul Jashari, Mark Ferguson

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 87
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT