• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2016

Fadil Berisha – fotografi më i mirë për vitin 2015 për Revistën Sherri Hill

January 24, 2016 by dgreca

Fotografi me famë botërore – Fadil Berisha është “Fotografi Numër 1 për vitin 2015” nga lista Top Pageant Photographers for 2015 from the Pageant Planet -“The Number One photographer for 2015, list of Top Pageant Photographers for 2015 from the Pageant Planet”./
Nga Beqir Sina – New York/
NEW YORK CITY : Sherri Hill – një nga revistat më të njohura të modës dhe fotografisë në Shtetet e Bashkuara , ka nxjerr në vend të parë fotgrafin me renome botërore, Fadil Berisha – I pari ndër 10 fotografët më të mirë për vitin 2015 në Shtetet e Bashkuara.
Kjo revistë për të treguar rëndësinë e fotografisë, shkruan se çdo vajzë në konkursin e bukurisë Miss, e di fort mirë – se një foto e mirë e saj – mund të përcaktojë atë në shumë këndëvështrime – pavarësisht, se ajo çfarë mendojnë njerëzit për bukurinë e saj para kunkurimit.
Gjyqtarët – por edhe publiku, simbas Sherri Hill -para se të vlersojnë bukurinë tuaj – shohin foton tuaj – edhe para se ata ndonjëherë nuk u njohën, dhe publiku gjithashtu nuk u njeh – por, kur merr për të parë fotografinë tuaj realizuar në revistat apo broshurat e fletëpalosjet e programit – para se të ju shoh në skenën e madhe të bukurisë, çdo njeri është i përcaktuar në bukurinë tuaj .
Dhe, mbasi ju të keni fituar, kurorën e bukurisë – Misse dhe do të jeni duke dhënë autografe në kartat dhe fletë-palosjet me fotografinë tuaj, në mediat sociale, dhe postuar në faqen e internetit fotografitë – natyrisht që fotot tuaja duhet të jenë të përsosura!, shkruan revista Sherri Hill, e cila i kushton një rëndësi të jashtëzakonëshme fotografisë dhe atij që e bënë fotgrafinë, që ajo të jetë sa më e bukur dhe sa më e përsosur.
Sepse, shkruan për konkursin e bukurisë, revista Sherri Hill – ju si një bukuroshe dhe me nji ëndërr për t’u bërë një Misse dhe fituar kurorën e bukurisë, bëheni!? vetem : “Duke pasur një fotograf të shkëlqyer, një mjeshtër të vërtet të fotografisë, tek i cili keni besim dhe që e di çfarë do të thotë një fotografi e mirë në “pageant look” e cila është çelësi për marrjen e kurorës së “Mbretëreshës së Bukrurisë” në çdo kokursë bukurie .
Ndërkohë, duke shpallur për çdo vjet fotografët më të mirë të viti në SHBA, revista prestigjoze e modës me bazë në New York, shkruan se për vitin e kaluar :”Ne kemi nxjerrë një listë të disa prej fotografëve më të mirë në vitin 2015. Por, shton revista duke pasur kaq shumë fotografë e fotogarfi të tyre të mahnitshme, është e pamundur që të përfshijmë të gjithë ata, që konkuruan, por ne e kemi “ngushtuar” listën e tyre, deri në atë që ne e quajm 10 fotografët mjeshtër të fotografisë së bukur, për disa që ne besojmë me të vërtetë se u dalluan këtë vit për fotografitë e tyre të mahnitshme të Miss-eve dhe Top modeleve, në faqet e revistës tonë Sherri Hill.
Njëri prej tyre, madje dhe në vend të parë, shkruna Cherri Hill, për top fotografin e konkursit tonë, është mjeshtri i fotografisë – fotografi i famshëm Fadil Berisha, një fotograf shqiptaro amerikan, i njohur dhe partner në projektin “Tregime – Histori Suksesi Shqiptaro – Amerikan”.
Ai është fotografi me famë botërore – Fadil Berisha, i cili tani është “Fotografi Numër 1 për vitin 2015” nga lista Top Pageant Photographers për 2015 nag përzgjedhja “Konkurentet e Palentit – Pageant Planet” -“The Number One photographer for 2015, our of a list of Top Pageant Photographers for 2015 from the Pageant Planet..
Fadil Berisha – me origjinë nga Tropoja – Shqipëri, arratisur dekakda më parë prej regjimit komunistë, së bashku me familjen e tij – jeton e ushtronë veprimtarinë e tij artistike, prej vitesh në New York, ku ai edhe ka studion e njohur “Studio Berisha” në New York, themeluar në vitin 2006.
Ai ka dhënë një kontribut të madh në promovimin e vlerave artistike të bukurisë së mrekullueshme shqiptare, në botën artistike amerikane, duke promovuar kudo bukurinë e vajzave shqiptare Miss-eve dhe bukuritë natyrore të vendit tonë .
Fadili, është fotografi zyrtar dhe eskluzivë për çdo vajzë që është në kërkim të një Top modele së vlersimit më të lartë, ose një Miss Universe, apo Miss World apo Miss Kosova dhe Miss Albanian.
Ai ka punuar me revista dhe broshura – kartolina bukurie të shumta, dhe shumë prestigjoze në SHBA – duke përfshirë emra të famshme fituese të kurorës së bukurisë si ; Serena Buçaj Miss New York – 2016, Olivia Jordani, Miss USA 2015, dhe Nia Sanchez, Miss USA 2014.
Fadili gjithashtu punon edhe me revistën Sherri Hill.
Ju mund të shihni më shumë nga puna e tij në rrejtin social facebook ose në faqen e internetit www.fadilberisha.com.
Revista prestigjoze Sheri Hill në fund për ta bërë me joshse fotografinë edhe më të bukur, duke pasur një fotograf i cili është i njohur me madhështin e tij, të fotografisë së mahnitshme – natyrisht, që do të jetë e veçantë, edhe për ju dhe mund të bëjë që ju të ndiheni mjaft komode përball aparateve fotografike, të cilat bëjnë fotografi që janë çelësi e suksesit tuj për krijimin e fotove që bëjnë realizimin e ëndrrave tuaja, një Misse e ardhshme, shkruan Sherri Hill.

Filed Under: Komunitet, Kulture Tagged With: Beqir Sina, Fadil Berisha, fotografi, më i mirë për vitin 2015, për Revistën Sherri Hill

Korruptimi i zgjedhjeve që mbajnë peng të gjitha pushtetet

January 24, 2016 by dgreca

Shkruan:Dr. Rita Loloçi/
Që nga zgjedhjet e para të 31 marsit 1991 e deri ta to të fundit që sollën në qeverisje “Rilindjen”, pra koalicionin Partia Socialiste-Lëvizjen Socialiste për Integrim, me përjashtim të ndonjë raundi zgjedhor deri diku të pakontestueshëm, të gjitha kanë marrë pas damkën e një procesi thellësisht të korruptuar, ku grabiten vota majtas dhe rrëmbehen djathtas dhe që raportet e OSBE listojnë një varg parregullsish.
Natyrisht se kjo situatë vjen para së gjithash me gjendjen aktuale të partive shqiptare, të konceptuar kryesisht si shpk, pra si prona të lidershipit, që pak merakosen për demokracinë e brendshme të tyre, zakonisht zgjedhja e forumeve bëhet sa për të kaluar radhën dhe personazhe politikë që hynë në politikë në vitet nëntëdhjetë vijojnë të jenë si statuja të murosura edhe në 2016.
Nuk do të ishte shumë e favorshme për të ëprmenduar edhe shkaqe të tjera që i destinojnë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe ato për qeverisjen vendore që të jenë pa standard, jo të lira, jo demokratike, madje në disa raste edhe të shoqëruar me kurbanë njerëzorë. Po ashtu nuk do të qe e nevojshme që kalsa politke shqiptare dhe institucionet e brishta të saj të bënin një shpikje për t’i thën ndal një herë e mirë zgjedhjeve të kontestuara dhe të korruptuara, të cilat në këtë mënyrë marrin peng të gjitha pushtetet e tjera.
Ashtu si në çdo vend tjetër demokratik zgjedhjet s’ka pse të zhvillohen më si më parë me një KQZ qëndrore që ndahet mes partive, me struktura të tjera vartëse poshtë saj dhe deri kontrollues e numërues votash po nga detashmente militante të subjekteve parlamentare. Ka ardhur koha që edhe në Shqipëri ato të zhvilloheshin nën administrimin e Ministrisë së Brendshme, të një strukture të veçantë që mund të quhej edhe Institucioni i Administrimit të Zgjedhjeve (IAZ). Nuk ka asnjë dyshim se vetë ky dikaster vijon të mbetet më i anatemuari si nga Partia Socialiste ashtu edhe nga Partia Demokratike (ai vazhdon të kritikohet sot e kësaj dite ashpër edhe për shkak të drejtimit dhe të ndryshimit rrënjësor të strukturave të policisë), megjithatë një ditë duhet bërë kapërcimi i madh që ky të jetë institucioni i vetëm për zgjedhjet.
Rishikimi i Kodit Zgjedhor, ribërja apo rimbajtja e trupës së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, përfshirja e partive politike në procesin e numërimit dhe të certifikimit të zgjedhjeve nuk do të sjellë gjë tjetër veç ato dukuri që janë vërejtur në zgjedhje të tjera. Pikërisht teksa po diskutohet ligji i ri zgjedhor është koha që ligjvënësit e majtë apo të djathtë të përgatisin një ligj dhe infrastrukturë për zgjedhje me standard, të lira, të fshehta dhe demokratike.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Rita Loloci, Korruptimi i zgjedhjeve, që mbajnë peng, të gjitha pushtetet

VATRA DHE VITI I FAIK KONICËS

January 23, 2016 by dgreca

TA NDIHMOJMË TË GJITHË FEDERATËN VATRA PËR TË KURORËZUAR DENJËSISHT VITIN FAIK KONICA/
Nga Thanas L. Gjika/
Federata Panshqiptare e Amerikes VATRA e shpalli vitin 2016 Viti Faik Konica , edhe per arsyen pse viti 2016 përbën 120-vjetorin e themelimit të revistës Albania, revistës më të rëndësishme të Rilindjes sonë kombëtare. Me këtë revistë u ushqyen gjithë intelektualët shqiptarë të kohës, të cilëve ua kemi borxh krijimin e Shqipërisë së pavarur.
Faik Konica është një nga themeluesit dhe veprimtarët më aktivë të shoqërisë Vatra, ai e pagëzoi këtë shoqëri që në themelimin e saj. Vatra është pjellë e dyshes gjeniale Konica-Noli, ajo është shoqëria patriotike kulturore që ka luajtur rolin më të madh për ruajtjen e territoreve tona në fund të Luftës së Parë Botërore, për njohjen e problemit të Kosovës dhe të çlirimit të saj.
Viti 2016, Viti Faik Konica, nuk duhet menduar thjesht si viti kur shoqëria Vatra do të ndihmojë finaciarisht botimin dhe promovimin e dy romaneve të panjohur të Faik Konicës, të zbuluar e përgatitur për botim prej studjuesit Fotaq Andrea. Ky vit duhet menduar si viti kur të gjithë ne bijtë e diasporës shqiptare të Amerikës duhet të mendojmë e të angazhohemi për ta ngritur shoqërinë Vatra në nivele të rinj, me synimin që ajo të luajë një rol edhe më të ndjeshëm në mbarë jetën shqiptare.
Sot, të gjithë ne shqiptarët, si ata që kanë ardhur para vitit 1990 dhe ne të ardhurit pas këtij viti, kemi arritur të tregojmë se jemi të aftë të përshtatemi me sukses në atdheun e ri dhe të shfaqim aftësitë tona. Sejcili ka mundur ta tregojë veten duke u marrë me bisnes, duke ndërtuar a blerë shtëpi, duke u shkolluar e kualifikuar në universitetet e këtij vendi. Sejcili sipas prirjeve e talentit të vet ka shkruar e botuar vepra me artikuj, studime, poezi e prozë, ka dhënë koncerte, ka realizuar shfaqje, ose filma, ka treguar se është bir i denjë i një populli të lashtë që është shquar e shquhet për karakterin e vet krijues e jo imitues, për sedrën e shëndoshë e jo të sëmurë, etj.
Megjithë këto arritje duhet të kuptojmë më mirë çështjen themelore: si individë kemi qenë e jemi ende të dobët, të bashkuar rreth Vatrës do të jemi më të fortë.
Për të realizuar forcimin tonë nuk na duhet të ngrejmë male mbi kurriz, as nuk na duhet të pengojmë planet tona private për përmirësimin e jetës sonë. Mjafton të hedhim një hap fare të vogël me një kosto minimale: të anëtarësohemi në shoqërinë Vatra. Ky anëtarësim kushton vetëm $ 100,00 (njëqind dollarë) në vit. Kjo shumë, që është vërtet e vogël për sejcilin prej nesh, në fakt është me vlera të mëdha për të ardhmen e shoqërisë Vatra dhe të prsetigjit të diasporës sonë. Është me vlera të mëdha, sepse numëri i shqiptarëve të punësuar dhe të pensionuar në SHBA arrin sot rreth 100.000 vetë, të cilët po të paguajnë kuotën e anëtarësisë në Vatër prej 100 dollarësh, mblidhet një shumë vjetore prej rreth $ 10,000.000.00 (dhjetë milion dollarë). Kjo shumë mundëson kthimin e shoqërisë Vatrës në një institucion që mund të realizojë shumë projekte kulturore, artistike e shkencore për zhvillimin dhe përmirësimin moral e kulturor të çdo shqiptari që jeton në diasporë dhe në atdhe. Të gjithë shqiptarët që do të ndihmojnë Vatrën për të marrë mbi vete misionin e gjallërimit tonë, do të ndjehen krenarë, sepse shumë shpejt ata do të nderohen më shumë prej rrethit të tyre familjar e shoqëror. Ky respekt ndaj tyre do të vijë duke u shtuar sepse kushdo e vlerëson njeriun fisnik që ndihmon lulëzimin e velerave morale e kulturore të popullit të vet.
Ecja e popullit tonë drejt qytetërimit modern varret vetëm në shumën qesharake prej 100 dollarësh në vit dhënë prej çdo shqiptari të punësuar e të pensionuar në SHBA. Jam i bindur se të gjithë e kuptojmë se nuk duhet kursyer një shumë kaq e vogël për një qëllim kaq të madh. Këtë, ndoshta nuk duan ta kuptojnë vetëm ata emigrantë që i ka marrë mbrapsht emigrimi, vetëm ata që kujtojnë se janë më të nderuar duke u hequr sikur janë grekë pa pasur gjak grek, ose ata që hiqen se janë bërë amerikanë e nuk janë më shqiptaro-amerikanë.

Filed Under: Vatra Tagged With: DHE VITI, I FAIK KONICËS, Thanas L Gjika, Vatra

Kujtesa dhe aleatët e një gjaku me të

January 23, 2016 by dgreca

Shkruan: Dr. Agron Tufa*/
1. Parafjalë
Kujtesa si organ psikologjik i përjetimit të kohës mbetet e vetmja ndërmjetëse, që na garanton unitetin e thelbit të qenies, identitetin, të projektuar në një shkallë vetënjohje individuale dhe kolektive. Por kujtesa si organ psikologjik individual apo shoqëror gjendet në kushtet trysnie të përherëshme, që në përvoja ekstremale e relativizon, e deformon, e transformon apo e çorodit krejtësisht psikikën njerëzore, po të merren parasysh dramat individuale dhe kolektive.
Para pak kohësh me ra të kuvendoja me Valer Dyrzin, një artist i mbijetuar nga burgjet dhe kamp-burgjet e komunizmit. Duke hamendësuar trysninë e përvojave të tij, e pyeta: “si ballafaqohesh me kujtesën tënde në jetë dhe në krijimtari”. Ai m’u përgjigj në mënyrë lakonike e kuptimplote: “po bëhen 25 vjet që fle në dy krevate”. “Në ç‘kuptim?”, – thashë”. “E thjeshtë fare”, tha. “Përfytyro: bie të fle në krevatin tim, në apartmentin tim, më pas gjithë natën endem në krevatet e qelive dhe kapanoneve të burgjeve. Habitem fort kur më del gjumi dhe e shoh veten në krevatin e apartamentit tim ne Milano”.
Ky dyshtresim paralel përvojash e sqaron vetevetiu marrëdhënien e tij me kujtesën dhe mund ta marrim me mend, çfarë frymëzimesh i sjell atij muza e kujtesës, Mnemozina.
Doza e hidhur e fatkeqësive, që i ra për short shoqërisë shqiptare, në mënyrë të veçantë përgjatë pjesës së dytë të shekullit XX, i ka pjekur frytet e helmëta në kujtesën individuale dhe kolektive. Me rënien formale të komunizmit në Shqipëri, doli në pah dhe njeriu me kujtesë të shkalafitur…
2. Marrëdhëniet e shtetit dhe shoqërisë ndaj krimeve të komunizmit dhe viktimave të tij
Qëndrimi i klasës politike shqiptare ndaj të shkuarës dhe krimeve e pasojave të komunizmit në Shqipëri, përgjatë këtyre 25 viteve ka qenë shpërfillës. E ashtuquajtura e djathta shqiptare, e përdori retorikën antikomuniste vetëm si maskë, për të fituar elektorat në shtresën e viktimave të regjimit, duke u marrë regullisht votat dhe, me kalimin e kohës, në mandatet e dyta e të treta, duke mos i përfaqësuar ata në asnjë nivel politik e administrativ.
Në thelb, të dyja partitë e mëdha politike shqiptare, e majta, Partia Socialiste (ish-PPSH e Enver Hoxhës) dhe e djathta, Partia Demokratike, vijnë prej një origjine të përbashkët të liderëve dhe krerëve drejtues; përveç trashëgimtarëve direkt të piramidës komuniste, pjesa dërrmuese e aktorëve politikë të së djathtës, sidomos pas mandatit të saj të parë në pushtet, përfaqësojnë si klasë atë tipologji të intelektualit të indoktrinuar të fundviteve 1980, përgjithësisht formate teknicienësh e teknokratësh konformistë.
Nëse socialistët vetëm në verë të vitit 1991 ndryshuan thjesht emrin, por jo eksponentët e asaj partie – shtet të diktatorit Enver Hoxha (PPSH), Partia Demokratike, që duhej të shprehte opozitën, përfshiu elitën e zyrtarëve më të sukseshëm të intelektualëve të formuar gjatë komunizmit, ish sekretarë partie, nga ata që F. Dostojevskij i quan “intelektualë me uniformë”.
Lideri i demokratëve, Sali Berisha, që kur mori pushtetin me 1992, mbahet mend për frazën pseudohumaniste që e përsëriste shpesh, gjoja në emër të pajtimit kombëtar: “Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”! Për ironi, “vuajtësit”, ende vuajnë, ndërsa “fajtorët” kanë bërë karrierë marramendëse në piramidën e politikës dhe pushtetit, në Parlament, në qeveri, në sistemin e drejtësisë në të gjitha shkallët, në oligarkinë ekonomike etj.
Ata trashëgojnë gjithë institutet, akademinë, Qendrat e dijes dhe arsimit, duke diktuar linjën e perceptimit zyrtar.
Prandaj sot kemi mbërritur në një situatë ku hipokrizia, cinizmi dhe dyfishësia karakterizojnë marrëdhënien e shtetit dhe politikës përballë rreth 30% të shtresës së popullsisë shqiptarë, që janë ish të Përndjekurit Politikë. Atyre askush, asnjëherë nuk u adresoi as edhe një “më fal” të thjeshtë. Për ta, pavarësisht se nuk u hakmorën asnjë rast, duke besuar verbërisht tek Drejtësia, drejtësi nuk u vu asnjëherë, qoftë dhe simbolikisht.
Pëkundrazi, koha kalon dhe mbi këtë shtresë fyerjet, cinizmi, provokimi dhe dyfishësia shtohen në pikat më të ndjeshme, të cilat po i përmbledh më poshtë:
1. Mbahen Rezoluta në Parlament (në frymën BE apo KiE) për Dënimin e Krimeve të Komunizmit, por nga ana tjetër rezolutat nuk kalojnë kurrë në ligje të veçanta për dënimin e diktatorit Enver Hoxha dhe hijerakëve të udhëheqjes komuniste. Enver Hoxha dhe ministrat e kohës së tij vazhdojnë të mbajnë ende gradat dhe titujt e diktaturës, por edhe titujt jugosllave, sovjetikë e kinezë;
2. Nuk bëhet asnjë përpjekje për gjetjen e eshtrave të të pushkatuarve nga diktatura në vendet e ekzekutimit të tyre; Përpjekjet që marrin flakë mediatike për një hop të shkurtër, harrohen shpejt.
3. Me dëmshpërblimin e ditëve të burgimeve politike, ndonëse ligji është miratur që në vitin 2003, ende sot në vitin 2016 luhen komedi.
4. Nuk u kthejnë pronën dhe pasurinë e konfiskuar;
5. Nuk ka memoriale për rezistencën antikomuniste. Mungojnë librat, tekstet shkollore/universitare, filmat artistikë e dokumentarë, muzetë, që të dëshmonin përvojën e persekutimit komunist.
6. Kjo shtresë fyhet me karrierën marramendëse politike e administrative të ish-persekutorëve të tyre.
7. Të mbijetuarit nga burgjet e diktaturës fyhen përmes kremtimeve e jubileve të bujshme dhe përkujtimeve zyrtare e shtetërore të ish-hierarkëve të komunizmit.
8. Tekstet e linjës zyrtare të Historisë dhe Letërsisë, që formojnë perceptimin e shkollarit dhe universitarit nuk janë dekomunistizuar. Kanonin në këto tekste e bëjnë ende po ata historianë të diktaturës.
9. Nuk ka asnjë vëmendje shtetërore për përkujtimin e ngjarjeve të rezistencës antikomuniste, përkujtimin e ngjarjeve të përgjakshme e tragjike, siç janë revoltat në ish-burgjet komuniste. Edhe kur ndodh një ndonjë gjë e tillë nga një segment i shtetit, përkujtime të tilla nuk përcillen nga mediat, nuk përbëjnë diskurs të rëndësishëm shoqëror.
10. Fyerja thellohet kur ende sot, rrugët, sheshet, institucionet, gjithë hapësira publike mban emrat e ish persekutorëve të tyre. Kjo hapësirë vazhdon të mbetet ende e pa dekomunistizuar.
11. Mediat e shkruara dhe vizive vazhdojnë përditë me sagën narrative mbi “bëmat” e udhëheqësve komunistë dhe Enver Hoxhës, duke ndërtuar për këta kriminelë një perceptim publik të një ”eposi romantik”, apo diçka analogjike me ikonën e stampuar të Che Gevarës.
12. Qindra burgje e kampe internimi të punës së detyruar janë fshirë nga faqja e dheut, pa asnjë shenjë. Mbi ta janë vendosur tashmë projekte bujqësore e industriale. Ndërkohë që ato pak burgje, të braktisur në mëshirën e fatit rrënohen çdo ditë në gërmadha, pa i funksionalizuar në të mirë të kujtesës muzeale.
Qasja e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit
Pak fjalë mbi Institutin që unë drejtoj ende dhe punën tonë me memorien në këto katër vite. Me një staf shumë të vogël, për të përballuar një gamë të madhe detyrash dhe në mungesë absolute të mbështetjes buxhetore për projektet (qeveria u kufizua vetëm në pagesën e rrogave të stafit),
Instituti ynë u përqendrua në një strategji sa më pragmatike dhe u vu në kërkim të gjetjes së mbështetjes financiare të projekteve në orgnizatat e huaja e vendore.
Projektet ku jemi të përqendruar më së shumti ne, janë:
1. “Fjalor Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist”, një seri voluminoze që shkon, përafërsisht, në 12 vëllime, i realizuar me ndihmën vendimtare të Konrad Adenauer Stiftung. Në këtë projekt në u nisëm nga ideja, se pas çdo lufte apo katastrofe civile, gjëja më e arsyeshme është hartimi i një inventari të saktë me qytetarët e vrarë e të dëmtuar. Fjalori paraqet tre kategori qytetarësh të persekutuar politikisht nga regjimi komunist, sipas akteve gjyqësore të dënimit, apo pa gjyq:
a) të pushkatuarit
b) të dënuarit me burg
c) të internuarit.
Çdo zë në “Fjalor…” paraqitet detyrimisht me ndërmjetësinë e “dëshmisë penale”, si akt i dënimit politik nga shteti komunist. Që në gërmat e para, gjatë punës së hartimit të “Fjalorit”, ndeshëm në parregullsinë e dokumentimit në arkiva dhe dosje. Mungonin kryesisht emrat e qytetarëve të pushkatuar pa gjyq, sipas listave të zeza në periudhën 1944-1953, e cila është dhe periudha kur Partia Komuniste e Shqipërisë implemntoi medotat sovjetike të kohës së “terrorit të madh” stalinist.
Kjo e çonte katërfish, sipas llogarive tona, numrin e qytetarëve të pushkatuar nga diktatura.
2. Kolana memuaristike “Ad Memorandum”, që përfshin një seri me memuaret më të zgjedhura të intelektualëve shqiptarë që vuajtën burgjet dhe internimet komuniste, kryesisht kujtime, ditare, epistolare.
3. Kolana e bisedave videofilmike me të mbijetuarit nga diktatura komuniste, e cila parashikon dhjetra vëllime dhe ka nisur të botohet si sëri vëllimesh nën titullin “Zërat e mbijetesës”.
4. Konkursi “Si i morën gjyshërit tanë”, narrativa e zgjedhur sipas konkursit me klasat e larta të gjimnazeve të Shqipërisë që do të zbatohet këtij viti me Gjimnazet e Shqipërisë.
5. Seria me studime dhe dëshmi dokumentare nga arkivat e shtetit, që shoqëria shqiptare nuk i njeh. Studimet prekin periudha të Historisë së Shqipërisë nën diktaturë dhe janë botime monografike e tematike, siç e tregojnë dhe titujt: “Kryengritjet e para antikomuniste 1945-1948”;
“Gjyqi special mbi intelektualët”;
“Sistemi i triskëtimit”,
“Konfiskimi i pronës private dhe grabitja e arit”,
“Gjenocidi mbi kulakët”;
“Gjenocidi mbi besimet fetare dhe ndalimi i fesë me Kushtetutë”;
“Krimet e komunistëve gjatë Luftës së dytë Botërore”;
“Instalimi dhe funksionimi i Sigurimit të Shtetit”,
“Falsifikimi i veprës letrare e shkencore gjatë komunizmit”;
“Tortura dhe shantazhi psikologjik në hetuesitë komuniste”;
“Mbi Koloboracionizmin”;
“Burgjet dhe kampet në Shqipërinë komuniste”;
“Vrasjet në kufi gjatë vitit 1990″;
“Lufta Civile në Shqipëri 1943-45”;
“Bashkimi Demokrat Shqiptar dhe Musine Kokalari sipas dosjeve të diktaturës”, etj.
6. Kolana me veprat e rëndësishme nga letërsia botërore të përkthyera në burgjet dhe kampet e internimit (këtë vit po përgatitim veprën e plotë të Dostojevskit të përkthyer në burg), përkthime të cilat kanë një histori dhe qarkullonin të kopjuara me dorë nga burgu në burg, shpesh të shkruara në qeli në letra cigarjeje.
7. Ngritja e një muzeu me sendet personale dhe punimet arstistike të ish të burgosurve politike.
8. Worshop-e me studentët, nxënësit e gjimnazeve, mësuesit e lëndëve të Historisë së Shqipërisë dhe Letërsisë Shqipe gjatë regjimit komunist dhe dogmës së socrealizmit.
9. Paraqitja e një Draft – Marrëveshje për një Platëformë të Përbashkët Kombetare me Ministrinë e Arsimit mbi edukimin shkollor dhe hyrjen në curriculat mësimore të një lënde të veçantë “Shqipëria nën diktaturën komuniste”, njohjen e rinisë shkollore – universitare me Krimet e Komunizmit nëpërmjet memuaristikës, fakteve dokumentare, Albumeve nga burgjet dhe Kampet e internimit, dokumentarë dhe materiale të tjera filmike. Për fat të mirë kemi gjetur një mirëkuptim me Ministrinë dhe tashmë është firmosur zyrtarisht kjo Platformë.
10. Prodhimi i filmave dokumentarë mbi aspekte të ndryshme të persekutimit komunist, duke synuar një komunikim sa më të shpejtë, të lehtë e tërheqës me brezat e rinj.
11. Ngritjen e disa pllakave memoriale në vendet ku kanë qenë burgjet apo kampet e vdekjes së punës së detyruar.
12. Konferenca tematike e diskursive mbi shtembërimin, falsifikimin e fakteve historike, gjendjen e teksteve shkollore dhe simboleve komuniste.
Diktatura në Shqipëri ka rënë, së paku formalisht, që nga viti 1991. Shoqëria shqiptare u ndesh më pas, me me aspektin më të vështirë të një diktature të egër, siç ka qenë regjimi komunist shqiptar, – me trashëgiminë e saj, të aktorëve të saj, të institucioneve dhe mendësisë së saj. E kaluara kriminale e aktorëve të saj politikë e shoqëror ka vazhduar të përdoret si rekrutim politik e si instrument shantazhi nga qeveritë e ndryshme. Mungesa e transparencës, mungesa e një trubunali ku të vendosej drejtësia, ka çuar në përhapjen e një epidemie morale që nxit korrupsionin dhe krimin ekonomik e politik në dëm të së ardhmes së qytetarëve shqiptarë.
Mungesa e higjenës mendore e shpirtërore të klasës politike shqiptare, standardet e dyfishta, hipokrizia dhe intrigat e tradhëtuan veten në një gjest domethënës në vitin 2012, kur lideri i partisë në pushtet propozoi radhazi kanditatin për Presidentin e ri të Republikës, dhe të tri herët kandidati u tërhoq nga gara në prag të votimit, për shkakun e thjeshtë, se partia kundërshtare zotëronte dosjen e implikimit të tyre në shërbim të Sigurimit të Shtetit komunist.
Kjo mbase është arsyeja, se pse Shqipëria është i vetmi shtet, ku dështoi Ligji i Lustracionit. Dhe s’kish si të ndodhte ndryshe, kur tërë sistemi gjyqësor dhe organet kushtetuese të drejtësisë janë mbushur me figurat gjakatare të diktaturës, kontrollohen prej tyre apo prej bijve të tyre.
Jehona e gjatë e diktaturës vazhdon në Shqipëri dhe dalja e shqiptarëve prej saj, me sa duket shënon njëkohësisht dhe hyrjen në një diktaturë të një tipi tjetër, e cila nëmos jo aq e egër sa diktatura moniste, është një tip diktature demagogjike dyjare, ordinere e vulgare, që stimulon një moçal shoqëror ku qelbën të tria kohët.
Ne patëm rastin të shohim se si në fund të vitit 2015 pushteti politik dekoroi pikërisht figurat më të errëta që kanë ushtruar gjatë komunizmit torturat më të egra e më çnjerëzore mbi të burgosurit politikë.
Në Shtëpinë e Harrimit nuk mund të bujë ndërgjegjia. Bujtësi do të përballet me të shkuarën e krimit, sepse kujtesa e krimit nuk mund të shlyhet me asnjë spektakël narrativ. Krimi i shpërfillur dhe shpërfillja e krimit asgjësojnë çdo formacion moral të vetëdijes.

Megjithatë nuk dua ta paraqes kaq zi gjendjen. Detyra e kujtesës nuk mund të quahet e dështuar, përderisa në forma të ndryshme, individuale apo të organizuara në shoqata botohet përditë narrativa e tmerreve të diktaturës, mbahen tubime shkencore-përkujtimore, mbahet gjallë kujtesa për martirët, për data të përgjakshme kryengritjesh, bëhen filma dokumtarë, botohen monografi etj.
Ata janë aleatët e kujtesës, që mbajnë gjallë përvojën tonë të hidhur e traumatike të diktaturës, edhenë kushtet e tendencës për ta ricikluar hijen e diktaturës, përmes simboleve, portreteve, dekorimeve dhe estetizimit të rrezikshëm të objekteve muzeale.
Kujtesa e viktimës është e detyruar të riprodhojë kujën e saj, duke krijuar një narrativë ishullore, jo aq të njohur në publik, ndërsa kujtesa e restauruar e xhelatëve, krijon narrativën dominuese me pedagogjikën e vet të mashtrimit dhe alibisë, duke likuiduar të parën.
Vend të tretë për marrëdhëniet tona me të vërtetën, nuk ka.
Por aleatët e kujtesës shtohen. Brezat e rinj të gjimnazeve dhe universiteteve, po përfshihen gjithnjë e më fort në rishqyrtimin e të kaluarës tonë komuniste; ata po njihen me fakte, po shkruajnë diploma, po mbrojnë teza masteri e doktoraturash, po bëjnë filma dokumentarë.
Aleatët e kujtesës nuk janë vetëm midis shqiptarëve. Ata na vijnë nga bota dhe ndërgjegjia qyetetare e Europës, për të na dhënë ndihmë e më fort se kaq, kurajë.
* Drejtor i ISKPK , shkrimtar , pedagog

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Agron Tufa, e një gjaku, Kujtesa dhe aleatët, me të

Dimri i Madh i Vetmisë së Shkrimtarit

January 23, 2016 by dgreca

Nga Rudolf Marku/
1.Fjala vetmi është njëra ndër fjalët që shfaqet me intensitet të pavullnetshëm në krijimtarinë e Ismail Kadaresë, që në tituj poezish të hershme, në tituj librash dhe në rreshta esesh, poezish dhe në labirinthet e komplikuara të prozës së tij. Siç na e kujton vetë Ismail Kadare herë pas here, shkrimtari është njëri ndër njerëzit më të vetmuar të racës njerëzore. I ndryrë vullnetshëm në muret e burgut të dhomës, i rrethuar nga pirgje librash dhe letrash, shkrimtarit i duhet t’i kalojë orët e ditëve dhe të netëve para fletës së bardhë, a para shkëlqimit të akullt e të pashpirt të ekranit kompjuterik a të laptopit, duke shkruar, korrigjuar, duke ndërtuar botëra dhe fate njerëzore, më të vërteta se bota dhe fatet njerëzore që janë jashtë dritareve të shtëpisë, në rrugë të madhe… Vetmia e Shkrimtarit është njëri ndër subjektet më të rrahur e të diskutuar. Heminguej, në fjalën e mbajtjes me rastin e marrjes së “Nobelit”, i kujtoi Botës se “Writing, at it’s best, is a lonely Life. Një tjetër shkrimtar i njohur amerikan, John Steinbeck, bashkëkohës i Heminguejit, po ashtu i pëlqente të fliste për vetminë e Shkrimtarit, si për një Fatalitet a Nëmje. Për psikologët që janë të gatshëm t’i japin një shpjegim logjik çdo gjëje, ajo që supozohet si vetmi e shkrimtarit është përqendrimi, kontrolli mbi një botë të imagjinuar, kontroll të cilin nuk mund ta kemi kurrë në jetën reale…Vërtet?
Për shumë shkrimtarë të mëdhenj,Vetmia është Liria e tyre e vetme. Franc Kafka është njëri ndër shkrimtarët më të vetmuar të shekullit XX. Lev Tolstoy merrte arratinë në moshën 82-vjeçare, për të ecur i vetmuar rrugëve të fshatrave tërë baltë të Rusisë, për të vdekur në një stacion të braktisur trenash. Po ashtu edhe TS Elioti, dhe sidomos George Orwell dhe J.D.Salinger. Për shkrimtarët që njohën tmerrin e komunizmit, vetmia e krijuesit ishte dhe Atdheu i vetëm i tij. Në një bisedë me filozofin Isaiah Berlin, Pasternaku pat treguar se si në vitin 1935, me këmbënguljen e Andre Malraux, u mbajt në Paris Kongresi Antifashist i Intelektualëve të Majtë. Dhe po me këmbënguljen e Malraux pranë autoriteteve sovjetike, u ftua të merrte pjesë Pasternaku, jo nga pikëpamjet e tij, të cilat ishin tepër të dyshimta për sistemin sovjetik, se sa thjesht nga këmbëngulja e Malraux, i cili i këshillonte udhëheqësit komunistë se pjesëmarrja e Pasternakut do i bënte mirë imazhit të Stalinit…Në kongres merrnin pjesë shkrimtarë të njohur të Perëndimit, Dreiser, Gide, Aragon, Malraux, Auden, Forster, Rosamond Lehman. Mes kureshtjes së pjesëmarrësve e merr fjalën Pasternaku. Të gjithë janë të bindur se shkrimtari që vjen nga Moska do të flasë më me forcë kundër fashizmit. Për çudinë e shkrimtarëve perëndimorë, Pasternaku thotë: “E kuptoj se kjo është një mbledhje e shkrimtarëve për t’u organizuar në rezistencën kundër fashizmit. Sa për veten time, kam vetëm një gjë t’ju them: Mos u organizoni. Organizimi është Vdekja e Artit. Ajo që vlen është vetëm Pavarësia personale. Në vitet 1789, 1848, 1917, shkrimtarët nuk u organizuan as pro diçkaje dhe as kundër diçkaje. Ju lutem, mos u organizoni!”.
Pavarësia personale realizohet përmes Vetmisë. Realiteti shqiptar duket se ka qenë herët, shumë herët, kundër pranisë së Shkrimtarit a Intelektualit. E gjithë jeta e Faik Konicës është një arratisje, një ikje e vazhdueshme, një vetmi ecjesh dhe largimesh. Migjeni është njëri ndër vetmitarët e mëdhenj, po ashtu Fishta dhe Mjeda, dy poetë të mëdhenj që e kaluan jetën e tyre si famullitarë katundesh shqiptare. Një vetmitar i madh është Jeronim de Rada. Lasgushi jetoi gjithë jetën në një arratisje të vetimponuar në Poradec, ashtu si dhe Martin Camaj në Mynih dhe Ernest Koliqi në Itali. Të vetmuar, tmerrësisht të vetmuar kanë qenë gjithë jetën e tyre eruditi dhe përkthyesi i shquar, Petro Zheji, Frederik Reshpja dhe Ndoc Gjetja, skulptori i talentuar, Janosh Paço dhe piktori Abdurrahim Buza, ashtu siç janë të vetmuar sot Fatos Arapi, Zija Çela, Fatos Kongoli, Preç Zogaj,Visar Zhiti, Nasi Lera dhe Bardhyl Londo, po të përmendësh vetëm disa sysh. Duket se vetmia e shkrimtarit shqiptar ka qenë gjithnjë në proporcion të drejtë me talentin e vet dhe me Famën e vet. Sa më i talentuar dhe sa më i njohur, aq edhe më i vetmuar!
 
2.
Krijimtaria e Ismail Kadaresë e ka merituar prej vitesh çmimin “Nobel”, dhe kjo nuk përbën më asnjë sekret për njohësitë e mirë të letërsisë. Padyshim, Ismail Kadare është njëri ndër shkrimtarët më autoritarë ndër të gjallët në botë. Vepra e tij i ka folur dhe vazhdon t’i flasë me një zë sa origjinal, aq dhe të fuqishëm njeriut të sotëm modern, i cili shpeshherë ndodhet përballë udhëkryqesh të vështira dhe çoroditëse zgjedhjesh. Dhe i ka folur dhe vazhdon t’i flasë nga një vend dhe nga një gadishull të mbushur me tragjedi njerëzore, që shpeshherë paraqiten jo si vendet më të zhvilluara të Europës, dhe u ka folur sidomos nga një vend që paragjykohet- me dashje dhe padashje- në mediat e botës, duke u bërë pre e ca stereotipeve të mendësisë së klasit të katërt. Dhe në krijimin e këtyre stereotipeve kemi kontribuar dhe vazhdojmë të kontribuojmë dhe ne me një zell të frikshëm…Ai ka ditur dhe vazhdon të dijë që t’i flasë lexuesit në botë dhe lexuesit të vendit të vet me të njëjtin autoritet.
Por kjo nuk e bën Ismail Kadarenë që të mos jetë shkrimtari më i vetmuar i letrave shqipe. Vetmia duket se është, më tepër se fizike, një gjendje shpirtërore. Sidomos kur vjen fjala për shkrimtarët. Çfarë e bën të vetmuar Ismail Kadarenë? Keqkuptimi me vendin e vet dhe me bashkëkombësit e vet. Ajo që ai do ta quante Mosmarrëveshja. Ligësia agresive me të cilën ai ka qenë dhe vazhdon të jetë i rrethuar (ne që duam të flasim keq për Nënë Terezën dhe për Skënderbeun, si mund ta kursejmë Kadarenë?); injoranca rrënqethëse e një lexuesi të palexuar, që shtiret sikur ka lexuar; kritiku letrar, pa shije, katundar, gjykatës; kolegët ziliqarë dhe mediokër, të cilët e detyronin Dhimitër Paskon (Kutelin) të thoshte se letërsia shqipe është një Fushë me gjarpërinj, sepse kur shkruan keq, të shajnë si i patalentuar, ndërsa kur shkruan mirë, nuk ta falin se shkruan më mirë; sekretarët e djeshëm të Partisë dhe Sekretarët e sotëm të Partive; shtirja dhe agresivitetit i shpifjeve dhe i gërmimeve arkeologjike të liga në jetën personale të shkrimtarit; gëzimi pervers i dëshirës së liliputëve për të rrëzuar njeriun e madh, dhe mbi të gjitha, ay trishtim i madh i shkrimtarit se kombi të cilit i përket dhe të cilin e artikulon, shkon me hapa pas në kohë, i kaptuar nga skleroza historike dhe nga pamundësia për të njohur vetveten, se ndjenja vetëshkatërruese e kombit sa vjen e bëhet gjithnjë e më e fuqishme, se Testamentet e shkrimtarit duket sikur bien në veshë të shurdhët. Shenjë e keqe kjo, kur Kombi mbyll veshët përpara Profetit të vet!
Kam lexuar ditët e fundit “Vjedhja e ëndrrës mbretërore” dhe “E penguara”. Do të mjaftonin vetëm këta dy libra dhe asnjë nga librat e tjerë të autorit, që emri i Kadaresë të ketë po atë shkëlqim që ka edhe sot. Dhe njerëzit e ligj duan të na mbushin mendjen se Kadare, pas viteve ’90 nuk ka krijuar vepra aq të fuqishme sa ato të parat! Duke harruar se në Letërsi ka poetë që janë Poetë kur shkruajnë poezi; ka prozatorë që janë prozatorë kur shkruajnë prozë. Por ka dhe poetë dhe prozatorë që janë poetë dhe prozatorë të shquar, madje edhe kur nuk shkruajnë.
Në fund të fundit, Vetmia e Kadaresë na kujton gjithnjë atë thënien e Poetit se Talenti i Madh nuk të lë të jetosh. Por nuk të lë as edhe të Vdesësh!

Filed Under: Featured Tagged With: Dimri i Madh i Vetmisë së Shkrimtarit, Ismail Kadare, Rudolf Marku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 87
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT