Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Qeveria e Kosoves ne mbledhje/
-Pritet raporti final për përmbushjen e rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian lidhur me liberalizimin e vizave nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës-
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Janar 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvillon sot në mesditë mbledhjen e 70-të, të tretën në vitin 2016, pas dy mbledhjeve brenda ditës së 8 janarit.
Vitin e ri qeveria e Kosovës e nisi me vendimin për rritjen e pensioneve të kontributdhënësve nga 140 në 158 euro si bazë fillestare, në mbledhjen e parë ku kryeministri Mustafa kërkoi nga ministrat dinamizim të punës së qeverisë, sidomos në Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik, plotësimin e plotë të rekomandimeve të fundit që kanë mbetur lidhur me liberalizimin e vizave, në çështjen e zbatimit të Marrëveshjes me Bashkimin Evropian për Stabilizim Asociim, si dhe për përgatitjet e ligjit për pagat.
Në fillim të kësaj jave, kryeministri Mustafa ka mbledhur përfaqësuesit e institucioneve të ngarkuara për finalizimin e përmbushjes së rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Përfaqësuesit e institucioneve u dakorduan që deri në ditën e sotme, 15 janar, të përgatitet raporti final lidhur me përmbushjen e rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, që më pas rezultatet konkrete t’i raportohen institucioneve relevante të BE-së.
“Bashkimi Evropian nuk e ka më asnjë arsye politike që Kosovës mos t’i jap liberalizimin e vizave”, tha dje kryeministri Mustafa, në takim me kryetarët e komunave.
Në dinamikën e axhendës, po dje, pasdite kreu i qeverisë kosovare zhvilloi një takim tjetër për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare asetit më të rëndësishëm strategjik të Kosovës – Trepçës, ku u shpreh “i bindur se zgjidhja e këtij problemi do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike të Kosovës, përmes rritjes së eksporteve, përmes krijimit të një potenciali të zinxhirit prodhues, me vlerë të shtuar, të rritjes së punësimit dhe të rigjallërimit ekonomik të vendit”.
Qeveria e Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, vazhdon punën në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.
Archives for January 2016
SKAVICA – tradhëtia më e madhe kombëtare në historinë e Shqipërisë
Shkruan:GERI SELENICA/*
SKAVICA – tradhëtia më e madhe kombëtare në historinë e Shqipërisë, kryevepra e artit qeverisës të Edi Ramës
(rënia e shkencës dhe sundimi i pseudo artit)/
Uji dhe energjia janë dy elementët kryesorë të jetës. Mirëmenaxhimi i tyre është menaxhimi i jetës dhe i kombit. Marr shkas për këtë analizë nga Vendimi i Qeverisë për dhënien me konçesion një firme private të HEC Katundit të Ri (Skavicës).
Por ç’është HEC Skavica:
-Lumi Drin ka 50% të rezervave ujore të Shqipërisë dhe energjia e marrë në Drin është 3 – 4 herë më e lirë se në Vjosë dhe shumë më e lire se në lumenjtë e tjerë.
-HEC Skavica është vepra energjitike më strategjike dhe rezervuari ujor më i rëndësishëm i Shqipërisë (më i madhi në Europë), 7 miliardë m3 ujë.
-Liqeni i Skavicës (sipërfaqe 100km2, gjatësi 100km) do të ndyshonte pozitivisht klimën dhe ekosistemin në Shqipëri duhe zhdukur krejtesisht rrezikun e thatësirës, me efekt të ngjashëm me atë të digës së Aswanit në Egjipt;
-HEC Skavica disiplinon përfundimisht problemin e përmbytjeve në ultësirën Shkodër/Lezhe. Në se nuk do të ishte kaskada e Drinit, në 7.1.2016 Drini kishte prurje 3’000m3 në sekondë dhe Shkodra do të qe krejtësisht e përmbytur;
-HEC Skavica me digë të madhe 485m është i vetmi varjant zyrtar i aprovuar me vendim Qeverie të vitit 1961 dhe është ratifikuar në 2 marrveshjet e ujrave me Jugosllavinë të vitit 1956 dhe 1961 (që janë ende të vlefshme me Maqedoninë);
-Si pasojë e shpyllëzimeve është përshpejtuar mbushja e digave me aluvione. Konkretisht HEC Fierzës i është mbushur 20% e rezervuarit me aluvione dhe jetëgjatësia e tij është rreth 50 vjet. Ç’ka e bën të domosdoshme nevojën afat gjatë të një rezervuari më të madh në rrjedhën e sipërme, si HEC Skavica.
Krejt për arsye korruptive nga qeveria e vitit 2003, në pamundësi që një investitor privat (TGK) të bënte HEC Skavicën zyrtare, konsideroi edhe 2 varjante më të vogla (studimi Sogreah), por që zyrtarisht s’u aprovuan kurrë.
a – Varjanti maksimal është ende në fuqi me digë 220m, me lartësi liqeni në 485m, 390MW, me prodhim 2 miliardë MWh/vit, me rezervuar ujor 7 miliardë m3 ujë.
b – Varjanti i mesëm është deri në kufirin me Maqedoninë në lartësinë 445m dhe do të krijonte një rezervuar ujor 3 miliardë m3 (43% e varjantit të madh).
c – Varjanti minimal (i aprovuar së fundmi nga qeveria) është me 2 HEC-e të vegjël me rezervuarë ujorë në total 5 herë më pak se varjanti maksimal.
Problemi kryesor i ketij vendimi të qeverisë nuk është korrupsioni, por rrugëzgjidhja inxhinierike. HEC Skavica nuk është një HEC normal (pasi fuqia e tij gjeneruese është më e vogel se e Fjerzës dhe Komanit), por është një rezervuar ujor strategjik kombëtar, 3 herë më i madh se Fjerza ose 2 herë më shumë se e gjithë kaskada e Drinit.
Problemet inxhinierike e menaxheriale që krijon HEC Katundi i Ri janë:
1 – Ndërtimi i tij e bën absolutisht të pamundur ndërtimin e HEC Skavica e Madhe, duke shkatërrur përfundimisht pasurinë më të madhe ujore kombëtare prej 7 miliardë m3 ujë.
2 – Fuqia e instaluar në HEC Katundi i Ri (57MW) e kthen Drinin e Zi në një përrua, duke shkaktuar humbje të mëdha energjitike (200 milionë euro në vit).
3 – Për të rritur efiçencën energjitike, kaskada e Drinit kërkon një menaxhim të integruar nga një operator (KESH), ç’ka rrit efiçencën energjitike në 10%.
4 – Duke qenë se HEC Skavica është një rezervuar ujor dhe jo një HEC i zakonshëm nuk mund t’i jepet një konçesionari, që ka interes të prodhojë energji, ndërsa KESH ka interes të ruajë energji. Dmth kanë dy qëllime krejt të kundërta. Pra ky model eshte kundër interesit publik. Për këtë arsye janë tërhequr investitorët më të fuqishëm në Europe (ENEL, RWE, EVN).
5 – Faktikisht është dhënë HEC Ashta me konçesion. Por dhënia me konçesion edhe e hidrocentralit të sipërm të kaskadës e fut KESH-in në një sanduiç midis dy privatëve dhe e bën shumë të pa menaxhueshme kaskadën e Drinit. Interesi publik e do që Skavica të jetë vetëm pronë e KESH-it.
6 – Në se do të binim dakord që do të bëheshin 2 ose 3 HEC-e të vogla, Katundi i Ri është vendi më i mirë për të ndërtuar HEC dhe e ul shumë interesin potencial për HEC-et e tjera të vogla mbi Drinin e Zi. Pra faktikisht në vend të HEC Skavicës së Madhe mbi Drinin e Zi do të mbetej vetëm HEC Katundi i Ri!!!
7 – VKM nr.1068, dt 23.12.2015 ka shkelje juridike, pasi qeveria duhet të shfuqizojë VKM-në e vjetër, pastaj të marrë një vendim të ri me të njëjtin objekt.
8 – Qeveria nuk ka bërë dëgjesa publike me popullsinë e Dibrës dhe të vlerësojë seriozisht ndikimin social e ambjental të gjithë varjanteve, sipas standarteve më të larta të përcaktuara nga “Hydropower Sustainability Assessment Protocol” (http://www.hydrosustainability.org/). Në fakt Skavica e Madhe përmbyt 10% të Dibrës dhe popullsia është e terrorizuar nga kjo ide. Por me një vizion të përpunuar me ekspertë nga më të mirët në botë, një liqen i madh do ta bënte Dibrën Zvicër.
9 – “Procedura e juridike” e dhënies me konçesion një firme “mike” të një aseti publik është më se e mirënjohur në Shqiperi. Qeveria po e çon në ekstrem traditën korruptive të qeverive pararendëse, por për mua kjo është dytësore në këtë rast. Unë jam në dijeni që qeveria shqiptare ka marrë propozime (bile ka firmosur Letra Mirëkuptimi) për ndërtimin e Skavicës së Madhe si pronë e KESH nga 3 kompanitë më të mëdha në Kinë dhe në botë (PowerChina, GeZhouBa dhe Norinco), që i propozuan qeverisë shqiptare (KESH-it) financimin 100% të Skavicës së Madhe (1 miliardë euro), me një kredi të butë 35 vjeçare, 7 vjet ‘grace period’ dhe në vazhdim 2% në vit interes. Por qeveria shqiptare edhe pas më shumë se një viti nuk i ka kthyer asnjë përgjigje propozimeve kineze. Disa ministra ma kane thene troç që Rama ja ka premtuar Skavicën turqve. Pra turqit kanë pasur 2 vjet kohë që të përgatisin “Propozimin e Pakërkuar”, kur që çdo firmë tjetër s’është lejuar të marrë pjesë. Tani Ministria e Energjitikes mund ta bëjë ‘tenderin’ e “brenda ligjit”.
KESH është shprehur me shkrim kundër dhënies me konçesion të HEC Katundi i Ri, pasi dëshëron që Skavicën ta ndërtojë e administrojë vetë, por qeveria e ka parë të arsyeshme të mos e marrë parasysh pozicionin e KESH, por të AKBN (të dy inxhiniereve partiake paeksperiencë)!!!
10 – Nga ana politike, për vetë rëndësinë strategjike, HEC Skavica kërkon një konsensus të plotë midis forcave politike kryesore, pasi flasim për një vendim me efekte shekullore në ekosistem, ekonomi dhe shoqëri.
Për motive të tilla janë bërë dhe do të bëhen shumë luftera, kështu që një vendim kaq strategjik politik kombëtar nuk mund të merret nga dy mësuesa (vizatimi dhe anglishte), stimuluar nga avujt e alkoholit të verërave 50’000 euroshe dhe nga shoqëria galante në hotelet luksoze të Stambollit!!! Mungesa e seriozitetit e profesionalizmit në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, nga ana e kryeministrit Rama, janë shumë të qarta, që nga politikat ekonomike ekstreme anarshiste e neoliberale, që nuk kanë pikë lidhje me politikat socialdemokrate apo me zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë. Por Skavica është qershia mbi tortë e vizionit dhe menyrës së qeverisjes së Edi Ramës, sepse tregon paaftesine totale në planifikimin strategjik kombëtar, në inxhinieri dhe në ndërtimin e shtetit, tregon shterpësinë e vizionit të tij ekonomik, si dhe është vazhdimësi e metodave të tij korruptive dhe naive të thithjes së investimeve të huaja, që deri më sot i kanë rezultuar krejtesisht jo produktive (pasi ka zero investime). Në se do të qe thjeshtë korrupsion, si pjesa më e madhe e metodave të tij qeverisëse klienteliste e konçesionare (edhe më ekstreme se qeveritë e mëparshme), nuk do të na kishte ndezur llambën e kuqe, pasi ai vetëm këtë metodologji di prej 15 vitesh. Por shkatërrimi i asetit më strategjik të ekonomisë kombëtare, shkatërrimi i punës më të madhe inxhinierike të bërë për dekada të tëra, HEC Skavica, është një vijë demarkacioni, që ka pasoja të pariparueshme kombëtare për breza të tërë, të cilën edhe ai vetë me ministrat e tij, nuk arrijnë ta kuptojnë për shkak të formimit, edukimit dhe moralit të cunguar. Imagjinoni: Edi Rama “Laboratorin Hidraulik” (që e ka çdo shtet) do ta kthejë në “Qendër Arti” (ndërkohë që në një pjesë një miku i tij i ngushtë deputet “socialist” ka ndërtuar një pallat). Ndërsa modelimet e shkarkimit të ujrave inxhinierët e KESH-it po mundohen t’i modulojnë në qiell të hapur tek “Bregu i Lumit”!!!
EDI RAMA me AFERËN SKAVICA s’është thjesht një “KRYEGRABITËS“ i burimeve natyrore (dmth. merr atë që të leverdis sot pa menduar për nesër), siç është bërë traditë politike ketu, por ai ka kaluar VIJËN E KUQE të INTERESIT STRATEGJIK KOMBËTAR. Strategjikisht shkatërrimi i rezervës më të rëndësishme ujore të Shqipërisë është TRADHËTIA ME E MADHE KOMBËTARE në historinë e Shqipërisë, shumë më e madhe se falja e Shën Naumit Jugosllavisë apo tentativa për dhënien e detit Greqisë.
*E dergoi per Diellin Kolec Ndoja
Presidentja Jahjaga:Reçaku është dhimbje dhe krenari; fundi i një epoke të rëndë dhe hegjemoniste
Fjalimi i Presidentes Jahjaga në akademinë përkujtimore në 17-vjetorin e Masakrës së Reçakut/
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga vizitoi sot fshatin Reçak të Shtimes, në 17-vjetorin e Masakrës së Reçakut.
Ajo vendosi kurore lulesh në Kompleksin Memorial në Reçak dhe nderoi viktimat.
Presidentja Jahjaga mori pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të shtatores së ambasadorit Uiliam Uoker, që do të ndërtohet afër kompleksit në Reçak.
Gjithashtu, Presidentja Jahjaga mori pjesë në akademinë përkujtimore, që u mbajt në Shtëpinë e Kulturës në Shtime.
Në fjalimin e mbajtur në këtë akademi, Presidentja Jahjaga tha:
I nderuar kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli,
I nderuar kryetar i komunës, Naim Ismaili,
Miku ynë, i nderuari ambasador Uiliam Uoker, i cili na nderon jashtëzakonisht shumë me prezencën tuaj sot këtu, jo vetëm në Reçak, jo vetëm në Shtime, por gjithë Kosovën dhe gjithë popullin e Kosovës. Në emër të të gjitha institucioneve dhe të gjithë popullit të Kosovës shpreh falënderimin tim më të thellë.
I nderuar ambasador Minxhozi,
Të nderuara familje të dëshmorëve,
Të nderuar qytetarë,
Zonja dhe zotërinj,
Në çdo përvjetor me dhimbje dhe krenari kujtojmë më të dashurit tanë, njerëz të pafajshëm të vrarë në mënyrën më mizore – viktima të krimit kundër njerëzimit. Çdo përvjetor është dhimbje e sërishme, një kujtesë e pashlyer e juaja, banorë të Reçakut, dhe e të gjithë neve në Kosovë që e ndjejmë dhimbjen bashkë me ju.
Reçaku, shënoi kthesën e madhe historike për Kosovën duke forcuar bindjen e bashkësisë ndërkombëtare se ndërhyrja për të shpëtuar një popull nga gjenocidi, ishte e paevitueshme.
Reçaku është fundi i një historie të dhunës, të krimit dhe të vrasjeve dhe dëshmon sakrificën e madhe të gjeneratave të tëra për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Ai është gurë themeli i ndërtimit të shtetit të ri të Kosovës.
Reçaku është dhimbja dhe krenaria; fundi i një epoke të rëndë dhe hegjemoniste; është forca dhe guximi; vullneti për ta bërë një Kosovë më ndryshe – të qytetarëve të lirë dhe të pavarur! Njerëz të barabartë me këdo në botë!
Reçaku është një rrëfim i pandarë i një miqësie të përjetshme me SHBA-në dhe një lidhje e fuqishme me vendet e BE-së.
Të nderuar të pranishëm,
Përvjetorët në Kosovë kanë histori të dhimbjes po aq sa e dhimbshme është vetë historia e këtij vendi, që ka bërë përpjekjet e sakrificën e jashtëzakonshme në rrugën për liri dhe pavarësi. Përvjetorët shënojnë krenarinë e popullit, kujtimin e pashlyer për njerëzit e tij, ndajnë dhimbjen për ata që kanë rënë dhe mbi të gjitha janë përkujtuesi më i mirë se e kaluara nuk mund të përsëritet, sepse e tashmja ndërtohet në paqe dhe mirëkuptim për të ardhmen më të mirë për gjeneratat e ardhshme.
Është obligim yni që ta përmbushim amanetin e atyre që kanë sakrifikuar për një Kosovë më ndryshe – ku gërmadhat e luftës të mbesin pjesë e pashlyer e historisë; ku Atdhe është toka e të gjithëve që jetojnë në të pa dallim; ku perspektiva për të gjithë është shteti i qytetarëve dhe ku e ardhmja ndërtohet bashkërisht, në demokraci, liri dhe barazi.
Është zotim i të gjithëve për ta përmbushur vizionin e bërjes së shtetit të së drejtës – ku unë dhe ti – qytetarë të Republikës – kemi shanse dhe të drejta të barabarta, po aq sa edhe obligime për ta pasur shtetin e pakorruptuar dhe të fortë ekonomikisht. Është përkushtim yni për ta bërë një tokë të premtuar, një shtet të zhvilluar e të përparuar në të cilin secili do të gjejë perspektivën e tij pa patur nevojë që ta kërkojë diku tjetër.
Dhe zhvillimi ynë varet nga vetë ne, po aq sa varet edhe rruga jonë drejt integrimeve nga puna dhe angazhimi ynë, nga pjekuria jonë për të gjetur mënyrat e bërjes së shtetit, bazuar në ligj dhe në Kushtetutë. Po aq sa dallimet tona politike të jenë pjesë e rivalitetit politik dhe jo armiqësisë politike dhe po aq sa dialogu të jetë themeli i zgjidhjeve për problemet. Ne kemi arritur deri këtu duke kaluar sfida dhe probleme; vite të rënda të përballjeve edhe në skenën e brendshme dhe posaçërisht atë ndërkombëtare. Ne jemi në gjysmë të rrugës për ta bërë shtetin – pjesë të pandashme të kombeve të lira dhe prandaj nuk mund të ndalemi dhe as të pushojmë; nuk mund të rikthejmë historinë dhe as të sfidojmë miqësitë.
Paqja ndërtohet me mund dhe ajo nuk mund të humbet. Gjuha jonë është gjuha e dialogut dhe jo e dhunës; është shtrirja e dorës së mirëkuptimit dhe jo e përplasjes; është përpjekje për të gjetur zgjidhje pa prekur shtetin, pa sfiduar institucionet dhe pa rrënuar themelin e tij.
Në këto sfida politike do të na duhet që sërish të ulemi dhe të flasim, dhe të gjejmë zgjidhje të përbashkëta – me gjuhën e dialogut.
Kosova është amaneti i gjeneratave të tëra! Dhe ne nuk mund ta humbim shansin për ta bërë të plotë atë. Për ta bërë shtetin e krenarisë për të gjithë ata që sakrifikuan, për ne që sot po e ndërtojmë dhe për gjeneratat e reja që do ta gëzojnë.
Në çdo përvjetorë, përkundër dhimbjes dhe pikëllimit, ndjehemi krenar për historinë tonë, për të gjithë ata që nuk kursyen asgjë për të realizuar ëndrrën shekullore për Kosovën shtet të pavarur e sovran.
I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë dëshmorët!
Kosovë, në 17 vjetorin e masakres së Reçakut homazhe dhe akademi përkujtimore
*Njofton Korrespondenti i Diellit ne Prishtine, gazetari Behlul Jashari/
-Në Kosovë, edhe pas mëse 17 viteve pas luftës, sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, janë ende 1229 të pagjetur nga 6027 personat që nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidentoheshin të zhdukur, të lajmëruar nga familjarët, menjëherë pas luftës së përfunduar në 12 qershor 1999/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Janar 2016/ Me homazhet që kanë nisur në Kompleksin Përkujtimor dhe me një akademi në mesditë, kujtohet sot në 17 vjetor masakra në Reçak, fshat i Kosovës në komunën e Shtimes, ku në 15 janarin e vitit 1999 forcat serbe rrëmbyen nga shtëpitë e tyre dhe ekzekutuan mbi 40 banorë civilë.
Homeazhe në Kompleksin Përkujtimor të Reçakut bëjnë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili edhe mban fjalë rasti në Akademinë përkujtimore në Shtëpinë e Kulturës në Shtime.
Pjesëmarrës në përkujtime, si edhe në vitet tjera të pasluftës, është edhe ambasadori amerikan William Ëalker, i cili derisa ishte shef i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, në vizitën në vendin e masakrës e cilësoi atë krim kundër njerëzimit.
Ndërsa, rreth dy muaj pas masakrës së Reçakut, aviacioni i NATO-s, në ndërhyrjen shpëtimtare për popullin e Kosovës, filloi bombardimet kundër caqeve të forcave kriminale serbe, të cilat zgjatën 78 ditë, deri në kapitulimin e Slobodan Milosheviçit, kreut shtetëror në Beograd, i njohur edhe si “kasapi i Ballkanit”, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.
Në Kompleksi Përkujtimor Masakra e Reçakut, në Murin e Përkushtimit janë skalitur në mermer fotografitë e 44 martirëve-dëshmorëve.
Masakra e Reçakut është një nga dëshmitë rrënqethëse të krimeve në luftën e fundit në Kosovë, kur forcat serbe vranë, masakruan, por edhe zhdukën, më shumë se 12 mijë shqiptarë, e në fushatën e gjenocidit e spastrimit etnik rreth një milion i dëbuan, shumicën drejt Shqipërisë.
Në Kosovë, edhe pas mëse 17 viteve pas luftës, sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, janë ende 1229 të pagjetur nga 6027 personat që nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidentoheshin të zhdukur, të lajmëruar nga familjarët, menjëherë pas luftës së përfunduar në 12 qershor 1999. Të zhdukur ende të pagjetur janë 173 femra, 1056 meshkuj, 104 nën moshën 18 vjeçare, të cilët konsiderohen fëmijë sipas konventave ndërkombëtare dhe legjislacionit të Kosovës.
Duke kujtuar dhimbjet e heroit të Reçakut – Ambasadorin William Walker
Nga Beqir SINA – New York/
17 – vjetori i një prej ngjarjeve të përgjakshme në fshatin Reçak të Shtimes, masakrës kur forcat serbe, vranë 45 civile shqiptarë qytetarë të Kosovës.
NEW YORK : Dita e sotme shënon 17 – vjetorin e një prej ngjarjeve të përgjakshme në fshatin Reçak të Shtimes, masakrës kur forcat serbe, vranë 45 civile shqiptarë qytetarë të Kosovës. Ish shefi i Misionit vëzhgues të OSBE-së, ambasadori William Walker, këtë ngjarje, me të parë në cilësinë e vezhguesit ndërkombëtar, e pati cilësuar pamëdyshje si një “krim kundër njerëzimit”.
Masakra e Reçakut – më pas do të njihet si një nga ngjarjet kryesore, që ka shënuar një kthesë të madhe qysh në atë kohë, në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë e asaj kohe dhe Kosovën, duke i paraprirë të gjitha tyre çfarë ndodhën – që çuan deri tek fushata e 78 ditore e bombardimeve ajërore të NATO-s.
Kosova, e lirë dhe e pavarur sot po e kremton me pietete këtë ngjarje, duke mbajtur ceremoni të ndryshme përkujtimore në nder të viktimave të pafajshme.
Sot, njofton Bota sot, nga Prishtina përkujtohet sakrifica e Reçakut, dhe nderohet lart figura e William Walker
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga duke folur në akademinë përkujtimore për masakrën e Reçakut se Reçaku shënoi kthesën e madhe historike për Kosovën duke shënuar bindjen e bashkësisë ndërkombëtare që ndërhyrja është e domosdoshme.
Sipas saj Reçaku është fundi i një historie të dhunës dhe dëshmon sakrificën e madhe të gjeneratave të tëra.
Jahjaga tha se Reçaku është gurthemeli i shtetit të Kosovës dhe fundi i një epoke të rëndë hegjemoniste.
Po ashtu Jahjaga duke përshëndetur ish-ambasadorin e OSBE-së në Kosovë William Walker tha se Reçaku po ashtu është një rrëfim i pandarë i një miqësie të përjetshme me SHBA-të dhe një lidhje e fuqishme me Bashkimin Evropian.
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe Kryeparlamentari Kadri Veseli, kanë nderuar sot viktimat e Reçakut.
Presidentja bëri zbulimin e bustit të William Walker, i cili ishte bërë faktor që masakra e Reçakut të marrë vëmendjen ndërkombëtare.
Kjo masakër ishte cilësuar nga Walker si krim kundër njerëzimit.
Walker i cili sot ka qenë i pranishëm në Reçak është shprehur i lumtur se kjo masakër kujtohet në këtë mënyrë.
“Jam shumë i lumtur t’i shoh shumë njerëz këtu. Nuk e dija sa mirë përkujtohej Reqaku, por e di se ai e përkujton, unë e përkujtoj, por të shohësh kaq shumë fëmijë dhe njerëz këtu është shumë mbreslënëse dhe jam shumë i inkurajuar nga kjo”, tha Walker.
Në akademinë përkujtimore që po mbahet në Shtime, shkruan Bota sot, po marrin pjesë edhe krerë tjerë të shtetit, familjarë të dëshmorëve dhe personalitete tjera.
Duke kujtuar dhimbjet e heroit të Reçakut – Ambasadorin William Walker
Shqiptarët e Amerikës, sidomos ish luftëtarët e Batalionit Atlantiku, me luftëtar djemt e vajzat shqiptare nga nga Shtetet e Bashkuara e kan kujtuar për çdo vjet këtë ngjarje – me mikun e tyre të madh ish-Ambasadori Uilliam Uokër (William Walker), kryetar i OSBE-së në Misionin e Verfikimit të Kosovës në vitet 1998-1999.
Kurse, nga përkujtimet e shqiptarëve të Amerikës, në këtë 17 vjetor ua sjell dhe një kujtim nga Vatranët, të cilët në Bethesda – Maryland morën pjesë më 27 tetor 2007 në ceremoninë mortore në vdekjen e bashkeshortes së tij Aldeize Nery Walker.Kan qenë 9 vjet më parë një grup vatranësh, nën/kryetari i Vatrës, z.Agim Rexhaj, Zef Balaj, Sejdi Hysenaj, Zabit Bytyçi, Harry Bajraktari, Rrustem Gecaj, e Musli Mulosman, të cilët, në emër të Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA, shoqërisë më të vjetër në SHBA-së, Vatrës famëmadhe, i dorëzuan mikut të shqiptarëve një telegram ngushëllimi heroit të Reçakut, mikut të madh të shqiptarëve Ish-Ambasadori Uilliam Uokër (William Walker), kryetar i OSBE-së në Misionin e Verfikimit të Kosovës në vitet 1998-1999, ku në mes të tjerave thuhej se me këtë rast e përkujtojmë me dhimbje, edhe Masakrën e Reçakut. “Ata thanë se Perkujtojme me mall dhe dhimbje të madhe 45 dëshmorët e 15 janarit 1999, ditën kur rregjimi anti-shqiptar serbo-sllallvë në emër të urrejtjes masakroi 45 njerëz të pambrojtur dhe pafajshëm, mes tyre fëmijë, gra dhe pleq, vetëm e vetëm se kishin bërë një faj – që ishin shqiptarë. Me këtë rast thonë ata na lejo zoti Ambasador Walker, të shprehim edhe një herë ngushëllimet tona për humbjen e gruas suaj, njeriut të zemrës, zonjës Aldeize Nery Walker, e cila po shkon në jetën e amnueshme.”
Ish Ambasadori Uilliam Uokër (William Walker), kryetar i OSBE-së në Misionin e Verfikimit të Kosovës në vitet 1998-1999, është nga radha e atyre miqve të shqiptarëve, i cili vjen nga sferat më të larta të politikës së SHBA-ës.
Ambasdori Walker, ka qenë dhe mbete besnik i mbështetjes së plotë për pavarësinë e Kosovës.
Ai është një ndër ata, i cili është shprehur zyrtarisht se: “Nuk kam asnjë besim se udhëheqja aktuale serbe ka nxjerrë mësimet e duhura nga koha e Millosheviçit. Nëse ata(sërbët) kërkojnë që një popull t’i përkasë shtetit të tyre, atëherë ata të mos bëjnë çdo gjë që është e mundur për ta poshtëruar, për ta shtypur dhe për ta çrrënjosur nga faqja e dheut atë popull”.
Për mendimin e ish Ambasadorit Uilliam Uokër (William Walker), thuhet se çdo përpjekje e bashkësisë ndërkombëtare për ta rilidhur Kosovën me Serbinë, sado të dobëta të jenë këto lidhje, pavarësisht se federata nuk është më, pavarësisht zgjerimit të autonomisë, nuk ka asnjë shans për sukses. Kosova është e pavarur – sovrane dhe aspirante e bashkësisë ndërkombëtare dhe aspiron për tu bërë anëtare e familjes së madhe europiane.
Stuhia e Zjarrtë që erdhi pas Raçakut
Duke deklaruar skenën në Raçak «si skena më e tmerrshme» që ai kishte parë ndonjëhere, William Walker, shefi i Misionit Nderkombëtar të Verifikimit në Kosovë, mund të ketë menduar se ai po bënte një gjykim të drejtpërdrejtë dhe njerëzor të një realiteti të ashpër. Në atë kohë, duke ju folur gazetarëve në 16 Janar, ai ishte duke qëndruar përpara një grupi prej më se 20 trupash në një luginë të ngushtë. Ku mbi 45 trupa u gjenden mbi një kodër në këtë fshat të vogël në pjesën jugore të Kosovës, në mes tyre 3 gra, një fëmijë 12 vjeçar dhe trupi i një plaku 80-vjeçar.
Më 15 janar 1999, forcat serbe ekzekutuan 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, 25 km në jug të Prishtinës.Ish shefi i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, Wiilliam Walker pasi vizitoi vendin ku u bë masakra, tha se ajo që kishte parë ishte ngjarja më trishtuese në jetën e tij. Zoti Walker e cilësoi këtë ndodhi si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Në këtë masakër të forcave serbe u ekzekutuan 45 civilë shqiptarë. Viktimat e asaj masakre, tronditën botën. Për shkak të deklaratave të tij, që nxitën më pasë reagimin ndërkombëtar për të ndalur dhunën ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë, ish- qeveria e asj që ashtuquhej atëhere “Jugosllavi”, e cila u shkërrmoq, e shpalli zotin Walker “person non grata”.
Pas rreth dy muajsh, nga masakra e Reçakut, NATO filloi sulmet ajrore kundër caqeve serbe që zgjatën 78 ditë. Ndërsa ish presidenti i asj që ishte mbetje e “Jugosllavisë”, i cilësuar ndërkombëtarisht si kryekasapi i Ballkanit Sllobodan Millosheviq – u akuzua nga Tribunali i Hagës, për krime kundër njerëzimit në Kosovë, përfshirë këtu edhe masakrën e Reçakut, u mbajtë në burg dhe nuk arriti të dënohet, pasi ai vdiq në burg pa pritur përfundimin e procesit gjyqësor, në një qeli të saj.
Mirpo, ja që dhimbjet janë dhimbje e hidhërime. Pjesë pandarë e jetës sonë. Edhe në një hap, të parë nga shqiptarët si hapi i fundit për pavarësinë e Kosovës – kur, po shënohej 9- vjetori i Masakrës së Reçakut, e cila, i hapi rrugën e fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s, kundër objektivave e caqeve serbe, heroi i Reçakut, miku i madh i shqiptarëve, kaloi një nga momentet më të hidhura të jetës së tij. Në moshën 59 vjeçare, atij 3 muaj më parë i vdiq bashkëshortja, zonja Aldeize Nery Walker . Ajo qe e lindur në Mandus të Amazonës në Brazil më 16 shtator 1948. Bashkëshortja e Ambasadorit William G. Walker (Uilliam Uolkër), ka ndërruar jetë në 23 tetorë 2007. Zonja Aldeize Nery Walker, vdiq pas një lufte dyvjeçare me sëmundjen e pashërueshme dhe vdekjeprurëse, atë të kancerit në kokë. Gruaja e Ambassadorit William G. Walker, e ndjera Aldeize Nery Walker, ishte një nënë, shembullore dhe e e devotëshme e katër fëmijëve Douglas Walker, Christopher Walker, Gordon Walker dhe Gillian Turner. Gjyshja e Madeline dhe Julia Turner. Ishte ajo që la pas vetes babanë Vivaldo Suarez De Souza dhe nënën e saj Maria Hortensia Nery De Souza.
Pikëllim i madh për vdekjen e bashkëshortes, “shoqes”, “dashurisë”, njeriut që nuk iu nda as në të mirë e as në të keq…
Megjithëse, kjo ishte një humbje e rëndë, e quajtur personale për Ambasadorin William Walker, shqiptarët e Amerikës, i u gjenden pranë dhe ndanë së bashku me të, atë pjesë të dhimbjes e hidhërimit që u takonte atyre me këtë rastë. Sipas traditës sonë, thuhet se në raste të tilla se: “Miku i mirë njihet në kohë të vështirë”. Ky kod i pashkruar moral i shqiptarve, ndoshta ka shtyrë edhe disa grupe shqiptarësh, të udhëtonin atë ditë me orë dhe klimoetra të tëra, nga shtete të largëta të SHBA-s, si nga Teksasi, Nju Jorku, e Nju Jersi, e tjer, për të marr pjesë në atë ceremonin mortore të zhvilluar në mjediset e shtëpisë mortore “Pumphrey Funeral Home” në rrugën Wisconsin Ave të qytetit Bethesda, në shtetin Maryland.
Patjeter, qe vdekja e saj ishte nje humbje e rëndë për ish diplomatin e shquar e të guximëshm, i cili në vitin 1999, i ngarkuar me drejtimin e Misionit Verefikues në Kosovë, i bëri të ditur botës mbarë krimet e rënda sërbe, duke i dhënë “dorë” NATO-s, se gjendeshin prova për ndërhyrjen ushtarake kundër serbëve dhe se ajo ishte e domosdodshme dhe plotësisht e justifikueshme. Aldeize Nery Walker, një veprimtare e njohur e të drejtave të njeriut, zyrtare e emigracionit. Së cilës, shqiptarët e Amerikës i dhanë lamtumirën e fundit, së bashku me bashkëshortin e saj, ish ambasadori amerikan në Salvador e Brazil, William G.Walker, nënën e babai i saj, fëmijët, nipat e mbesat, miq dhe dashamirë, kolegët e koleget të saj, njerëz të njohur të istitucionve të larta amerikane nga CIA, dhe Departamenti i Shtetit, njerëz të artit dhe kulturës.
Pjesëmarrës në ceremonin mortore, ishin edhe një grup përfaqësuesish të Federatës PanShqiptare të Amerikës Vatra, dhe veprimtar të komunitetit :nën/kryetari Agim Rexhaj, Zef Balaj, Sejdi Hysenaj, Zabit Bytyçi, Lumi Hadri, Florim Krasniqi, Harry Bajraktari, Rrustem Gecaj e Musli Mulosmani, të cilët, vendosën edhe një kurorë me lule të freskëta.Një grup luftëtarësh – ish anëtarët të Batalionit luftarak nga Amerika, Atlantiku, dhe ish- drejtori Egzekutivë i KKSHA, zoti Avni Mustafaj, si dhe përfaqësues nga disa organizata e shoqata të tjera, në diasporë, të cilat shprehen ngushëllime,e vendosën kurora me lule.
Ajo ishte gruaja e ambasadorit Walker – mikja jonë
Ambasadorin William Walker, gjatë ceremonisë së funeralit të bashkëshortes së tij – foli për jetën bashkëshortore, marrëdhëniet e mira, dashurinë, dhe sakrificat e gruas së tij – duke e quajtur atë si një grua burrëreshë, siç i themi ne shqiptarët. Pos, pjestarëve më të afërt të familjes në këtë ceremoni – një vend i veçantë tek fjalimet e lamtumirës, i u dha edhe shqiptarëve.
Folën: njeriu më i afërt nga shqiptarët me ambasadorin William Walker, veprimtari e biznesmeni i suksesshëm Florin Krasniqi, veprimtarët e aktivistët dalluar të komunitetit z. Harry Bajraktari znj. Lumi Hadri e Nora Kelmendi.
Në vitet e fundit, ndonëse në pension, ambasadori Walker, i ka qendruar pranë komunitetit shqiptarë në SHBA, i cili gjithmonë e ka pritur ngrohtë duke i shprehur mirënjohje për shëmbullin e tij. Nga ana e vet ambasadori Walker ka mbetur luftëtari i një të ardhme më të mirë për Kosovën e shqiptarët. Pjesmarrja e shqiptarëve në këtë moment të vështirë për mikun që u u gjend në çastete më të vështira për popullin shqiptarë, ishte një tjetër shprehje humane e bujare e mirënjohjes sonë për guximin që ai tregoi për ne.
Pjesëmarrja e shqiptarve në atë ceremoni mortore, la mbresa të thella nga fakti që aq shumë shqiptarët e Amerikës, e mbajnë mend atë që ndodhi nëntëvjet më parë. Atmosfera ishte prekëse, pikëlluese dhe ndjehej tek çdonjeri fryma e ndarjes së përbashkët të dhimbjes dhe hidhërimit të përbashkët.
- « Previous Page
- 1
- …
- 46
- 47
- 48
- 49
- 50
- …
- 87
- Next Page »