• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2016

VEZE KUNDER KRYETARIT TE KOMISIONIT TE KUFIRIT SHTETEROR

January 12, 2016 by dgreca

Kosovë-Përsëri goditje me vezë/
-Qeveria dënoi sulmin ndaj kryesuesit të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror/
Prishtinë, 11 janar 2015/Qeveria e Republikës së Kosovës në një komunikatë për media e dënon ashpër sulmin qyqar të grupeve parapolitike brenda tre partive opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Nismës për Kosovën, kundër Murat Mehës, kryesues i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.
“Aktet e ulëta dhe të dhunshme të kryera nga aktivistët e tre partive opozitare, të cilët po hedhin ‘molotovë’ mbi policët dhe institucionet e vendit, po dëmtojnë pronat private dhe po lëndojnë qytetarët dhe gazetarët, janë veprime që kanë për synim zhytjen e vendit në anarki, duke mos kursyer tashmë as jetën dhe shëndetin e njerëzve”, thuht në komunikatë.
Më tej shtohet se, pas djegies së planifikuar të institucioneve një ditë më parë, tashmë aktivistët e tre partive po sulmojnë qytetarët e vendit me qëllim që të mbjellin frikë dhe mundësisht të provokojnë reagime dhe konflikte ndërmjet qytetarëve të vendit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës fton qytetarët që të mos bien pre e këtyre provokimeve, por që të bashkuar të refuzojnë skenarët e errëta të cilët po synojnë t’i zhbëjnë të gjitha sukseset e arritura në Kosovë për dekada të tëra, me të vetmin qëllim realizimin ambicieve politike”, thekson komunikata.
Qeveria e Kosovës fton organet e rendit që të marrin masa për kapjen e kryesve të këtyre sulmeve qyqare dhe parandalimin e përsëritjes së veprime të tilla të ulëta, të dirigjuara nga selitë e tre partive opozitare.
“Qeveria e Republikës së Kosovës me këtë rast shpreh vendosmërinë e saj të plotë, për të punuar në realizimin e synimeve të qytetarëve të Kosovës për zhvillim ekonomik dhe integrime evropiane, me mbështetjen e qytetarëve të vendit dhe në partneritet të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian”, përfundohet në komunikatë./b.j/
….
Goditet me vezë Murat Meha
Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje e goditën me vezë sot Murat Mehën, Kryetarin e Komisionit qeveritar për caktimin e vijës kufitare të Kosovës me Malin e Zi.
“Ai si Kryetar i atij komisioni, ka bërë lëshime të mëdha, me ç’rast mbi 8 mijë hektarë tokë të Kosovës ia ka dhënë Malit të Zi. Si rezultat i marrëveshjeve të tilla që dëmtojnë rëndë sovranitetin e Republikës së Kosovës, shteti jonë tash e sa muaj është në krizë të thellë politike. As pas konstatimeve të ekspertëve se marrëveshja për demarkacionin është gabim, ky milioner i qeverisë së kosovës nuk reflektoi.
Aksionet dhe protestat tona nuk do të ndalen, deri në tërheqjen e marrëveshjeve të dëmshme, dhe deri në largimin e kësaj qeverie. Deri atëherë, përgjegjësit për këto dëme nuk do t’i lëmë të qetë”, deklaroi VV.

Filed Under: Komente Tagged With: goditje me vezë, Kosovë-Përsëri

DIJANA TOSKA, KRIJUSJA E PROJEKTIT TE HIMNIT TE NENE TEREZES

January 12, 2016 by dgreca

Nga Liliana Pere/
Profili Dijana Toskes/
Dijana Toska është një emër i përveçëm në jetën publike e shoqërore në Kosovë dhe Maqedoni. E lindur në Shkup dhe e shkolluar për juriste në Prishtinë, karriera e saj fillon me gazetarinë ku edhe u profilua në një figurë me ndikim publik dhe impakt shoqëror e intelektual. E edukuar në një familje përparimtare, Dijana Toska ishte nisur në rrugët e jetës me idenë se bota që na rrethon është refleksion i sjelljeve dhe prirjve tona. Kjo aksiomë i shërbeu asaj të bëhet ekzemplar i vetëpërgjegjësisë, duke i shërbyer atyre kauzave që e bëjnë njeriun faktorin e ndryshimeve pozitive në shoqëri.
Me emrin e Dijana Toskës lidhen një mori ngjarjesh e suksesesh.Është autore dhe producente e debateve të shumta televizive, e emisioneve dokumentare edhe e filmit të parë dokumentar në Kosovën e pasluftës “Lugina e dhembjes dhe e shpresës – Bllaca”.
Në opinion mbahet mend si gazetarja më elegante e të gjitha kohërave në televizionin e Prishtinës dhe RTK dhe si lobiste e të drejtave të njeriut.
Është nderuar nga VOA me mirënjohje për kontribut të jashtëzakonshëm dhe dekoruar me ÇMIMIN, ”Mbretëresha Teuta”.
Ka botuar librin – “Maqedonia në gazetarinë time”, një vepër e veçantë që regjistron në mënyrë precize radiografinë e viteve nëntëdhjetë në Maqedoni, vite këto të cilat u foksuan mjaft profesionalisht në një kronikë të gjatë gazetareske të Dijana Toskës.
E edukuar në frymën e tolerancës dhe mirëkuptimit ndërnjerëzor, me punën dhe formimin e saj Dijana Toska ka sjellë në shoqëri edhe modelen e veprimatares që prodhon ide dhe i bën ato pronë e gjithë shoqërisë. Ky altruizëm sublim u vërejt së fundmi edhe me rastin e projektit të “Himnit të Nënës Terezë” dhe Shtëpisë së Nënës Terezë në Prishtinë, ide këto që u lançuan në publik nga Dijana si rrugëtregues se kah duhet të lëviz shoqëria shqiptare. Ky mesazh i dërguar nga ajo u pranua mjaft mirë nga publiku dhe nga segmente të ndryshme diplomatike, politike, kulturore vendore e ndërkombëtare.
Ajo, po vazhdon ta mbindërtojë profilin e saj me elanin e pashuar të një feniksi që do të jep dritë në zonat e pandiçuara të mendjes dhe shoqërisë njerëzore.
Lutem ndiqni bashkebisedimin.
***
E dashur Znj.Toska, a mund të na jepni një panorame tuajën të shkurtër: për lexuesit tanë: kur keni lindur, ku, dhe cfare paraqet ne kontekstin historik, ne te kaluarën dhe sot qyteti i lindjes për ju?
**
Kam lindur më 26 prill 1961në Shkupin e bukur.Eshtë kryeqyteti dhe qyteti më i madh i Maqedonisë.Eshtë qendër diplomatike,politike,kulturore e akademike. Gjatë periudhës ilire ishte kryeqendër e Dardanisë.
Shkupi është qytet modern, me të kaluar historike dhe të begatshme.I njohur qysh në kohën e lashtë nga Romaket me emrin Skupi, ndërkohë qëhistorianët shkruajnë se ngjarjet më të rëndësishme në historinë e tij janë shënuar qysh në vitin 518.
Ura e gurit është një ndër monumentet historike, e ndërtuar në shekullin XV e cila lidh brigjet e lumit Vardar.Pastaj, Kalaja e Shkupit, Bit pazari, Kurshumli-Hani, Hamami i Daut Pashës ështe galeri arti…Politika sërbe e jugosllave në rrjedhën e viteve të regjimit të tyre bëri ç’shqiptarizimin masiv të qytetit.
Sot,Shkupi është ndarë në dysh dhe ka humbur bukurin e të jetuarit me dinjitet, sidomos për shqiptarët.
**
Znj.Toska, Familja eshte strehëza dhe foleja e ngrohtë e gjithësecilit, desha te mësoj unë dhe lexuesi kush është ajo dhe sa jeni e përkushtuar ndaj saj?
Babai i ndjerë,Ilmi Toska, nëna Mira, tre vëllezër,dy motra e nënte nipër.
Familja është ajo që i dhuroj denjësisht tërë preokupimin e qënies sime.Ajo është pjesa më e bukur e jetës sime, e ëndrrave të mia, engjëlli im mbrojtës i frymëmarrjes sime. Ajo ndikoi shëndetshëm në rininë dhe në pjekurinë time.Prandaj,për shëndetin e tyre lutem bashkë me zotin për cdo ditë.
**
Znj.Toska,a mund të na tregoni për shkollimin tuaj dhe më pas ne investimin tuaj per t’u rritur profesionalisht, si vazhdoji jeta juaj në rrjedhën profesionale?
**
Shkollën fillore e të mesme i kam kryer në Shkup.Fakultetin juridik dhe avokatin në Prishtinë më 1984.Në karrierën time mbi 30-vjeçare kam punuar gazetare, korrespodente, drejtore, producente eprogrameve politike dhe bashkëpunëtore e agjensive të ndryshme të lajmeve vendëse endërkombëtare në Televizionin e Prishtinës dhe Radio Televizionin e Kosovës, në VOA, Rilindje,Lajm, ligjëruese në Akademinë Policore nëVushtrri.Përfaqësuese rajonale e KEN-Knowlegde Economy Network me seli ne Bruksel dhe ICPE.
Autore dhe producente e debateve të shumta televizive, e emisioneve dokumentare edhe efilmit të parë dokumentar në Kosovën e pasluftës “Lugina e dhembjes dhe e shpresës – Bllaca”.
Kryetare e bordit të Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit në GJi,JETA/VITA, si dhe drejtore ekzekutive e OJQ-së Litlle People of Kosova, e cila në vitin 2013 fitoi Çmimin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Veprimtare dhe lobiste e të drejtave të njeriut, për çka dhe kam fituar mirënjohje të ndryshme.
Mirënjohje edhe nga VOA- për kontribut të vazhdueshëm e të jashtëzakonshëm të
transmetimeve të VOA në gjuhën shqipe dhe shumë vite të shquara të shërbimit ndaj çështjes sëmediave të lira dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Ballkan.
E dekoruar dhe me ÇMIMIN, ”Mbretëresha Teuta”, për kontributin e dhënë në promovimin dhe fuqizimin e rolit të gruas shqiptare në botë për vitin 2015 nga Klubi i femrave shqiptare të Kroacisë.
**
E dashur Dijana, ju keni një karrierë të lakmueshme., qe flet per nje pune dhe përkushtim te madh nga ana e juaj. A jeni larguar ndonjëherë nga Maqedonia dhe ky largim a ka ndikuar në punën tuaj profesionale?
**
Meqë shqiptarët nuk kishin mundësi të studionin në gjuhën e tyre amtare u detyrova pas mbarimit të gjimnazit më 1979 të largohem nga Maqedonia për ti vazhduar studimet në Kosovë.
Herën e dytë më 1984,pasi që u shpalla nacionaliste nga sistemi komunist, e më pas më 1996 sërish si korenspodente e VOA-as, kur sigurimi shteteror i Maqedonisë më morri akreditimin dhe më krijoi tronditje të mëdha familjare e profesionale.
Prandaj,karrierën time prej gazetareje e drejtuan fuqi të tjera, duke më shndërruar në një nomade, herë në atë anë e, herë në këtë anë të kufirit, por pa dëshirën time. Si në çdo profesion, edhe në gazetari, njeriu mëson dhe zhvillohet në ecje e sipër, kurse unë, për një kohë relativisht të shkurtër, mësova shumë gjëra që, ndoshta, nga ndonjë pozicion tjetër nuk do t’i kisha ditur. Mësovase ndonjëherë profesioni të bëhet barrë në jetë, por jo rrallë, pa problemet që t’i shkakton profesioni, nuk mund ta njohësh anën e padukshme të jetës. Thjeshtë, gazetaria për mua ishte dhe mbetet rreze rentgeni, që depërton atje ku nuk mund të depërtojë syri i thjeshtë, ndonëse për këtë ajo paguan edhe çmimin e saj. Ndonjëherë më të lartë e, ndonjëherë, më të ulët. Unë pagova (dhe për këtë ndjehem krenare) çmimin e mospërkuljes para mentalitetit policor të një politike,që nuk arriti të reformohej, në njërën anë dhe, e ngritjes së dinjitetit profesional në kushtet e mospërfilljes së fjalës publike në Maqedoni, në anën tjetër.
**
E dashur Dijana Toska, karriera juaj u zhvillua duke punuar dhe guxuar, duke provuar shumë pozicione, paqesore dhe me guxim e ndergjegjesuar mes dy stacioneve, Shkup-Prishtinë, ishte dashuria për profesionin apo familjen që i bashkonte këto dy qytete?
**
Stacionet e autobusëve dhe të trenave nuk janë, thjeshtë, pika prej ku shkojnë e vijnë njerëzit. Aty ndodhin edhe drama njerëzore. Fatet e individëve udhëtojnëçuditshëm dhe rastisin të struken për një moment në ndonjë qoshe të stacioneve. Edhe muadisa herë më kishte ndodhur të isha strukur në vetminë time dhe të pritja autobusin, që do të më kthente nga Shkupi në Prishtinë. Ky nuk ishte një udhëtim i zakonshëm. Nuk po ndodhte vetëm udhëtimi fizik imi, por më shumë se kaq. Po prehej si me thikë shiriti i një udhëtimi profesional. Po e leja Shkupin e ëndërrave të mia rinore, aty ku, më vonë, realizova edhe vetveten në përmbushjen e misionit të vështirë prej gazetareje dhe po i kthehesha Prishtinës, aty ku fillova ngritjen time profesionale e intelektuale.
Shkupi dhe Prishtina gjatë gjithë kohës ngelën tek unë dy stacione, që i lidhë një fije e padukshme dhe, sa më shumë që tentoj ta tërheqë atë fije, ajo bëhet edhe më e fortë dhe më e pashkëputshme. Asnjëherë nuk arrita ta kuptoj se dashuria për profesionin dhe përkushtimi për familjen i bashkonte këto dy qytetet, apo natyra ime kërkimtare provonte të nxirrte në pah dy anët e një trupi, që fuqishëm forconte zhvillimin tim ndër vite. Sido që të jetë, unë isha pjesë e sagës ballkanike, që të gjithëve na bënte të qanim dhe të qeshnim, si dhe me lotët e zemërimit tonë gatuanim shpresat për një të nesërme më të mirë.
Është e vërtetë se ajo e nesërme erdhi, por sa u bë mirë, sidomos për ne që kishim sakrifikuar shumëçka të shtrenjtë tonën, mbetet të analizohet, sot, e sidomos nesër, nga ata që do të vijnë pas nesh.
**
Znj.Toska, cili ështe roli i gruas në shoqëri ne luften e vazhdushme per te formuar identitetin social professional, me vlerat qe ato kane, dhe i burrave në vecanti ne kontekstin e barazis gjinore, a mendoni se përvec meshkujve të cilët i paragjykojnë vlerat e grave të ketë ndikuar edhe religjioni nëse me religjion nënkuptoni besimin në njerëzimin?
**
Duhet pranuar se femra shqiptare, në të shumtën e rasteve, e ka pranuar rolin e saj stereotip dhe ka mbetur ajo që është kërkuar nga shoqëria që të jetë. Por, shikuar historikisht, gjithmonë kanë ekzistuar femra, të cilat i kanë thyer këta kufinj të padukshëm, të imponuar nga koha, rrethi dhe tradita. Me vendosmërinë dhe luftën për të fituar të drejtat e tyre është ndërtuar një tretman i ri civilizues i identitetit të femrës.
U kam thënë haptas se ata burra, që kanë guxim barazinë gjinore ta trajtojnë si aspiratë kombëtare, i kisha respektuar e vlerësuar si demokratë që, parasëgjithash, dijnë të çmojnë vlerat shoqërore. E të tillët janë edhe patriot, që ia duan të mirën shtetit dhe angazhohen që shteti i tyre të bëhet pjesë e civilizimit.
Disa burra kanë paragjykime antifeministe, sipas të cilëve, anatomia është fati i femrës.Ata nuk duan të kuptojnë se ne jemi të ndryshëm seksualisht, por të barabartë si njerëz.Seksi nuk ka ndikime në karakterin e as në personalitetin e njeriut. Individualiteti social i njeriut nuk është i lidhur apo i kushtëzuar me atë seksual. Roli shoqëror i gruas nuk është i lidhur me seksin, por me sistemin shoqëror. Vetëm injoranti mund ta paragjykojë femrën si të dobët, pa kaçik për punë të “burrave”
**
Një debat i filluar kahmoti nga burrat e botës, por doli të jetë i dështuar. Dolën injorantë në vlerësime e paragjykime.Shumë gra të fuqishme në botë, me rezultatet që arritën, duke qenë në poste udhëheqëse shtetërore, dëshmuan se çështja e seksizmit-diskriminimit të gjinive s’është asgjë tjetër veç racizëm.Me mijëra gra sot në rruzullin tokësor sfidojnë çdo punë dhe problem që u paraqitet.Secila prej tyre e din se çka kërkon nga jeta, sepse e ka kuptuar jetën në mënyrë më reale e praktike se shumica e burrave të botës.Sa i përket religjionit, më lejoni ta citoj neurologen italiane, fituesen e çmimit Nobel, Rita Levi Mancini, e cila me një rast pati thënë: Asnjë religjion i kuptuar drejtë nuk e margjinalizon gruan para burrit. Por gratë patjetër duhet ta kuptojnë se vlera e tyre qëndron mbi normat që i diktojnë burrat dhe shoqëritë konsumuese.
Indira Gandi, në kohën e saj, në pyetjen e një gazetari rreth përcaktimit të saj religjioz, ishte përgjigjur: varet nga ajo çka mendoni me fjalën religjion. Është e vërtetë,se unë nuk i vizitojë tempujt, e as nuk iu lutem zotrave. Mirëpo, nëse me religjion nënkuptoni besimin në njerëzimin, në vend të zotrave, do të insistojë që njeriu të bëhet më i mirë dhe më i lumtur, atëherë unë jam religjioze.
**
Znj. Dijana. Gazetaria e mbështetur në fakte është një lobim i suksesshëm pro ose kundër një dukurie a procesi i cili ndikon drejtpërdrejt në krijimin e opinionit të gjërë, qoftë për të mirë apo të keq., ju jeni autore e librit,“Maqedonia ne gazetarin time”,cka ju shtyri të shkruani këtë libër?
**
Ndoshta ishteedhe një dëshirë në ndërdijen time për të lënë gjurmë për një lloj gazetarie të zhvilluar në një kohë vendimtare politike për popullin shqiptar, ku jorrallë, raportet i tejkalonin primesat profesionale dhe anonin nga nacionalja, pastaj, kushtet në të cilat raportonim, të cilat mund të jenë të paimagjinueshme për kolegët e mi të kësaj kohe, ideali, guximi dhe, më kryesorja ndoshta, një përpjekje për të dëshmuar se, për një pjesë të gjeneratës sime, gazetaria ishte një dashuri me të cilën dhe për të cilën sfidohej e tërë qenja njerëzore, intelektuale e kombëtare.
Më duket se jemi gjenerata e fundit, që kemi punuar në këso kushtesh, të cilat do të jenë të paimagjinueshme për një brez të ri gazetarësh të shekullit 21.Unë pata atë lloj fati të punoj në dy sisteme krejtësisht të kundërta me njëra-tjetrën, në atë komuniste e në sistem demokratik në transicion, që kërkonin impenjim secila e më rëndë e secila në mënyrën e vet.Prandaj, them me këmbëngulje, se shkollë më e mirë e gazetarisë se ngjarja nuk ka.Ajo të mëson ta peshosh fjalën, të meson se si ta vlerësosh, mënyrën se si ta thuash, nga cilat këndvështrime ta trajtosh, si ta ndërtosh mozaikun, me një fjalë, si ngjarja që mund ta zhvilloj sensin e të qenit analitik, asgjë tjetër nuk mund ta ketë këtë ndikim të drejtpërdrejtë në formësimin e personalitetit të një gazetari.Gazetaria e mbështetur në fakte është një lobim i suksesshëm pro ose kundër një dukurie a procesi i cili ndikon drejtpërdrejt në krijimin e opinionit të gjërë, qoftë për të mirë apo të keq.
Lajmi është një mall që duhet ta shesësh në treg.Dhe sa më të mirë e ke mallin, më kualitativ, paketimin cilësor, marketingun e zhvilluar, pashmangshëm tregun ndërkombëtar e ke të garantuar. Fundja, për mua të zhvillosh gazetari të besueshme, të rezatosh në raportet tua sigurt, guxim e korektësi, ky është kulmi që mund të arijë një gazetar në profesionin e tij, e jo titulli, të cilin asnjëherë në jetën time nuk e kam lakmuar. Dhe, natyrishtë kushti i parë është ta duash profesionin, dhe këtë dashuri nesër do ta gjesh kudo që do të sillesh nga respekti që do ta gjesh në public. U përpoqa që gazetarisë sime në Maqedoni t’i jepja imazhin, shpirtin dhe përkushtimin tim, gjithëçka që kisha investuar profesionalisht në tërë këto vite në personalitetin tim prej gazetareje.Jeta ime është porosia ime.
**
Znj.Dijana Toska, Libri dhe puna juaj si gazetareeshte vleresuar shume,. Ju ne stilin tuaj gazetaresk keni një angazhim te qartë për demokraci dhe solidaritet, dhe gjithmonë në mbrojtje te të drejtave te njeriut e karakterizuar me diturinë dhe sinqeritetin dhe vertetesinë e informacionit, por kjo eshte dhe nje sfide intelektuale njekohesisht. A mund të na veconi dicka?
**
Përurimi ishte një manifestim kulturor,tejet dinjitoz dhe me pjesëmarje të personaliteteve të njohura nga Kosova,Maqedonia e Shqipëria sipas vlerësimeve nga mediume të shumta të cilat e përcollën këtë ngjarje. Po u a percjell vetëm disa nga vlerësimet e shumta që u thanë, gjatë përurimit, në media,recenzentët, kritikët…
Emin Azemi: Ky libër, aq sa është një shirit i incizuar memorjesh për një kohë e një proces, po aq është edhe traktat në formë manuali për metodën e punës së një gazetareje model.
Gert Ahrens,Ambasador:Si njëra nga ajo kohë e një numri tejet të vogël të intelektualeve shqiptare, Dijana Toska bashkon shqiptarinë e saj me angazhimin e qartë për demokraci dhe për të drejtat e njeriut.Bisedat e mija me të gjithnjë kanë qenë të karakterizuara me diturinë dhe sinqeritetin e saj, prandaj, jo vetëm që ishin burime të rëndësishme të informacionit, por edhe sfidë intelektuale për mua.
Nano Ruzhin,Ambasador:E armatosur intelektualisht me të gjitha këto vlera universale, Dijana Toska u imponua si dëshmitare e vërtetë e, ndonjëherë, edhe e ashpër e tranzicionit të rëndë maqedonas. Dijana Toska kishte kauzën personale dhe akoma e ka, por ajo, parasëgjithash, është luftëtare për multietnicitetin dhe për demokracinë.Sot po e kritikon edhe shoqërinë, në të cilën jeton, me të cilën në mënyrë të vërtetë e plotëson rolin e intelektualit të angazhuar e me përvojë. Detyrë e intelektualit është të tregojë për dobësitë dhe parregullsitë edhe me çmimin të humbë nga simpatitë e pushtetit.
**
Znj Toska, Në esencë ju mbetet konsekuente e hapur, kritike, direkte dhe me shumë ndjenjë për humor. Për fat të keq, pak ka në Ballkanin e sotëm si Dijana Toska. Edhe sot nuk e keni a humbur sharmin dhe ashpërsinë e dikurshme të gazetarisë Nga intervistat e shumta që keni zhvilluar ju ka ngelur ndonjë porosi në mendje?
**
Po sigurisht,me knaqësi rikujtoj porosit e Presidentit Rugova,Fehmi Aganit,Mahmut Bakallit…Por ishte aktivistja e madhe e përmasave botërore, Kristinë Von Khol të cilën e kujtoj me respekt të thellë.Paslargimit të saj nga Shkupi, në mars 1994, pas një qëndrimi disa ditësh, ku ishte marrë me fatin e të rinjve shqiptarë të Kosovës, që po i iknin gjahut të soldateskës serbe.E ruaj me xhelozi porosinë impresionuese që mikja ime nga Vjena ma la: “Ti ndiqe lirinë që kaq shumë e do. Mos u ndal para kritikave, rrëmujave e ndërskamëseve, që t’i krijojnë ndonjëherë edhe ata që më së paku e pret. Përpiqu t’i sfidosh duke pasur gjithnjë në mendje se në beteja të rënda zhurmë bëjnë vetëm ata që mbeten në publik, e jo lojtarët. Këtë mos e harro kurrë, mikja ime”.
**
Znj .Toska, së fundi po realizoni një projekt gjenial.Si ju lindi ideja të bëni një Himn për Nënën Terezen, a mund të na thoni si ndihet Dijana duke qenë pjesë integrale e këtij projekti madhor ?
**
Në dhjetor të vitit 2014 në Shkup po mbahej simpoziumi kushtuar 100 vjetorit të vdekjes së pagëzuesit të Nënës Tereze, Dom Zef Ramaj. Nga kumtesat e paraqitura ndjeja krenari për veprimtarinë dhe civilizimin që ishte zhvilluar në qendër të Shkupit 200 vjet më parë, nga familjet shqiptare. Ndërkohë tek unë rritej zemërimi se neglizhenca e moskujdesi i duhur ndaj figurave tona të shquara të historisë jo rrallëherë është interpretuar gabimisht e përvetësuar nga popujt tjerë. Pati tendenca të tilla edhe ndaj Nënës Tereze, duke qenë e lindur në Shkup, të thuhej se është me kombësi maqedone. E frymëzuar nga kjo ngjarje, propozova të bëjmë himnin e Nënë Terezës. Vendosa për poezinë “Lamtumirë” të shkruar nga Nënë Tereza në anije kur ajo po largohej më 1928 për në Kalkutë.Muzikën e kishte realizuar kusheriri i saj, Lorenc Antoni me kërkesë të Don Lush Gjergjit, pak para vdekjes së tij.
Me 5 janar 2015, shkova në Katedralen në Prishtinë, takova, Don Lush Gjergjin, biografin e Nënës Tereze, për t’ia paraqitur projekt idenë për Himnin dhe shtëpinë e Nënë Terezës që të filloj të ndërtohet në Prishtinë.
Misioni i intelektualit është polidimensional, por jo të gjithë intelektualët kanë shansin të identifikojnë ato vlera që, nuk janë vetëm personale, por edhe kolektive-kombëtare. Është e kuptueshme që çdo intelektual i mirëfilltë, në një moment historik për kombin, ka dëshirë të reflektojë, të realizojë ndoshta një ëndërr të tij që do të vuloste dhe linte gjurmë për brezat që do të vinë.Ky moment ishte pikërisht tani në prag të shenjtërimit të Nënës Tereze. Një ide timen desha t’ia fal kombit dhe shtetit tim, desha të jemi të bashkuar dhe në këtë hapërim hyjnor kombëtarë ti falënderohemi bijës sonë për lavdinë universale që na e dhuroi.Kam shkrirë gjithë kapacitetin tim intelektual,moral, kombëtar që idesë time t’i jap udhë deri në përmasat e sensibilizimit gjithëkombëtar…Ndjesia ishte e veçantë, por nuk arrita ti gëzohem shumë, ngase humba Babën tim pikërisht në momentin kur kisha më së shumti nevojë ta kem pranë dhe ti shijojmë bashkarisht, tingujt e Valsit Hyjnor.Kjo është jeta dhe sakrifica e një intelektuali të ndërgjegjshëm,ti sfidojë dhembjet shpirtërore dhe ti përfundojë me sukses obligimet morale njerëzore.Tërealizoj një ëndër të tij për kombin e tij, të krijojë një testament që do të shërbente si kod moral i bekimit të njerëzimit.
**
E dashur Dijana Toska, Valsi Hyjnor do të arrijë të interpretohet në Vatikan në ditën e shenjtërimit të Nënës Tereza ikonës grandioze me përmasa botërore, duke përmbushur nje detyrim moral per te ndricuar vepren humane dhe punen e saj te shenjte ?
**
Po natyrisht.Ne na e dhuroi zoti Gonxhen para 105 vjetësh. Jemi duke jetuar dhe shfrytëzuar ende namin e saj, por pa bërë përpjekje si komb për ta vazhduar më tutje veprën e saj.Edhe pse, si komb kemi kapacitet, madje në momente historike e të rëndësishme për kombin kemi dëshmuar edhe unitet e solidaritet.
Kemi rastin historik si komb dhe shtet që ta dëshmojmë veten dhe të hapim një faqe të ndritur të historisë sonë drejt shtatorit te vitit 2016 në Vatikan, kur miliona njerëz nga rruzulli tokësor do të përcjellin shenjtërimin e Nënës Tereze. A ka identifikim më të madh për popullin shqiptar që Himni të interpretohet LIVE dhe Shqip.
Jemi popull i bekuar të cilit kjo reklamë i vjen aq natyrshëm sa që çdo popull tjetër në botë kishte për ta dëshiruar. Por, dihet se projektet e mëdha, sado të kenë për bazë entuziazmin dhe altruizmin individual, nuk mund të realizohen nëse në ballë të tyre nuk qëndrojnë institucionet shtetërore. Kosova e ka shansin si shtet ta dëshmojë pikërisht sensin e shteformësisë përmes ikonës grandioze me përmasa botërore – Nënë Tereza, duke i dhënë asaj mbështetjen që e meriton, në të gjitha aspektet.
**
Znj.Toska,nëse flasim për religjionin,a do të duhej që ky himn të jetë edhe një thirrje për kapërcimet fetare,sidomos tani kur vendet tona po monitorohen nga faktori ndërkombëtar e konsideroni si shans që nëpërmjet këtij projekti të kuptojë bota se Nëna Terezë, ka prejardhjen nga ky popull i vogël, si e perceptoni ju bamiresinë në shekullin e XXI ?
**
Nëna Terezë është figurë universale e dashurisë, e unitetit në mes të popujve e racave, e dashurisë ndaj njeriut, çfarëdo përkatësie qoftë fetare, racore, etnike …Me Himnin e saj ne si komb vetëm mund ta vulosim tolerancën fetare që mbisundon me shekuj mes nesh dhe të dëshmojmë se disa thirrje të individëve janë më shumë raste aksidentale të importuara nga jashtë për qëllime të caktuara.Shqiptarët historikisht kanë demonstruar në praktikë tolerancën fetare, kurse dëshmia më e fortë për këtë është pikërisht figura e Nënë Tereze, e cila tashmë konsiderohet si aset kombëtar për gjithë shqiptarët, pa dallim përkatësie fetare.
Miliona njerëz në botë ndoshta për herë të parë do ta kenë rastin ta dëgjojnë gjuhën e ëmbël amtare të Nanës Tonë, përmes poezisë,Lamtumirë, që shkroi me dorë të vetë në gjuhën shqipe dhe përmes Himnit që bijtë e bijat e sajë e bënë në shenjë dashurie e nderimi për jetën e veprën e saj. Prandaj, ky është një rast historic dhe i papërsëritshëm në historin e kombit shqiptarë.
Zhvillimet teknologjike kanë ndikuar në tjetërsimin dhe largimin e njeriut nga njeriu.Si kurrë më parë në këtë shekull ne kemi nevojë për kujdes e dashuri ndaj njëri tjetrit.Fatkeqësisht njeriu modern sot nuk ka një vision të qartë për veten dhe botën edhe përkundër stërngarkimit me informacione të ndryshme.Kisha dashur që kjo vepër artistike të riprodhohet dhe shfrytëzohet për të mirën e njerëzimit në të gjitha mënyrat e mundshme.Të jetë një ndihmesë për një vision më të qartë për botën, sepse ndonjëherë vetëm edhe një tingull i mjafton bukuris së njerëzimit.Valsi Hyjnor do të jetë një dhuratë përnjerëzimin nga shpirti shqiptarë si dëshmi e dashuris sonë të madhendaj njerezimit,paqës,tolerancës, dashurisë dhe vetëm dashurisë.
**
E dashur Znj.Toska.Vetëm një organizatore e shkëlqyeshme mund ti mbledh rreth vetes 200 artistë nga të gjitha trojet shqiptare. Si i ja arritët dhe cfarë e karakterizon bashkëpunimin tuaj me kolegët?
**
Nën dirigjimin virtuoztë maestros, Bujar Llapaj, orkestrim të rafinuar të kompozitorit,Genc Tukici, interpretimit shpirtëror të divës tonë kombëtare,Inva Mula, violinistes së mirënjohur nga Maqedonia,Sihana Badivuku,nën përcjellje të orkestrit gjithëkombëtarë dhe korit të Filharmonisë së Kosovës të udhëqur nga Baki Jashari,fjalët e Nanës Tonë,bijat e bijtë e saj i shndëruan në vepër muzikore.
Figura unifikuese dhe mbresëlënëse e Nënës Tereze, u shpreh simbolikisht edhe në vetë përbërjen e ekipit që u morr me realizimin e himnit. Artistë, producentë e organizatorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Diaspora të mbledhur rreth kësaj ideje artistike, e bëjnë porosinë që shpreh ajo, më madhështore dhe më reflektuese për botën. Imazhi i kësaj vepre artistike do të jetë një ‘’biometri’’ për gjithë ato gjenerata shqiptarësh të shquar të cilët në rrethana e kohë të ndryshme nuk arritën të kenë komunikim normal me botën e qytetëruar. Nëna Tereze dhe vepra e saj humane po e shpërfaq edhe njëherë talentin dhe zgjuarsinë e artistëve shqiptarë në dioptrinë më të lavdishme“
Ky tesatament moral i njerezimit që kombi shqiptarë do tia dhurojë botës u bë realitet,falë përkushtimit,dashurisë dhe sakrificës që tregoi gjithë ekipi realizues.
Sic e dini, Himni është regjistruar dhe jam tepër e kënaqur e krenare,si me përmbajtjen dhe mesazhin që vet kompozimi përçon. Është qëndisur dhe i është përshtatur jetës dhe veprës e sidomos namit që gëzon Nana jonë në botë – atë universal, fetar e kombëtar.
Me 5 shtator në Katedralen e Nënës Terezë në Prishtinë, në ditën ndërkombëtare të bamirësisë të shpallur nga OKB-ja, me një concert madhështor u përurua, Himni i Nënës Tereze.
Shpresoj se do të jemi krenar për jetë e mot si komb, sa herë e kudo që do të interpretohet në botë.

Faleminderit, Liliana Pere përintervistën dhe punën e palodhur e të shkëlqyer që bën me Org e GSHB për njohjen e vlerave tëgrave shqiptare që lanë gjurmë me punën dhe profesionin që ushtruan në botë.
Ju faleminderit, Ishte një kënaqësi intervista me Ju.

Ju faleminderit e dashur Dijana Toska. Gazetarja e suksesshme me multidimesione profesionale dhe atdhetarie te mirë Keni guximin e shqiponjes, bukuri dhe qytetari te veçante. Je nje penë e forte e lakmueshme dhe impresionuaese per vërtetesinë dhe trajtimin professional te informacionit, ezauroni gjithmone culture. Jeni nje model i shkelqyer i veprimatares që prodhon ide dhe i bën ato pronë te gjithë shoqërisë. Ky altruizëm sublim u vërejt së fundmi edhe me rastin e projektit të “Himnit të Nënës Terezë” dhe Shtëpisë së Nënës Terezë në Prishtinë,si dhe ne krijimtarinë tuaj. Ju uroj suksese nga zemra. Faleminderit

Liliana Pere
Ing Informatic
President: International Organization.
” Albanian Woman in the World
Peace Missionary & Honorary Advisor of DMPP

Filed Under: Interviste Tagged With: DIJANA TOSKA, flet, KRIJUSJA E PROJEKTIT TE HIMNIT, Liliana Pere, TE NENE TEREZES

Ekuilibri shoqëror dhe autoritarizmi burokratik

January 12, 2016 by dgreca

Nga Entela KASI/
(mbi reagimet që janë bërë rreth qëndrimit tim publik)
Institucionet në përgjithësi, në shoqërinë e sotme globale e cila është në lëvizje të vazhdueshme teknologjike, dhe për më tepër në shoqërinë shqiptare e cila është një mjedis i rrëshqitshëm, gjëja e parë që këshillohet është nevoja për ekuilibër.
Si mund të vendoset ky ekuilibër, ndërsa forcohet autoritarizmi burokratik?
Vendosja e balancës në mjedisin social kulturor edhe më gjerë është një proces, i cili përfshin jo vetëm institucionet por krejt shoqërinë shqiptare, dhe po ashtu opinionin publik.
Në këtë proces, institucionet i mbyt klasa politike dhe fuqia e saj. Reflektimi i opinionit publik e gjen veten nën vorbullën e politizimit në skajet më ekstreme. Liria e mendimit kufizohet nga kuadratet në të cilat e vendosin ndasitë dhe divergjencat false në këtë shoqëri postkomuniste.
Në fakt, media ka nevojë për inkurajim, dhe për më tepër kurajë intelektuale kanë të gjithë ata që sjellin në vëmendjen e publikut çështje të shoqërisë shqiptare në zhvillim.
Shoqëria shqiptare ka në kujtesën e saj akte rebelimi të dhunshme të cilat e kanë kthyer prapa në kohë. Mendimi i pavarur intelektual, degët e së cilit priten si pyjet, ka nevojë për frymëmarrje, ndërsa ne na përmbyt pikërisht akti barbar kur iu kundërvumë natyrës, njëri pas tjetrit secili.
Mendimi publik nuk ka nevojë për akte heroizmi, pasi besoj se të gjithë ne së bashku nuk kemi hyrë në një fushë beteje për të kërkuar lavdi, dhe as për tu ankuar. E rëndë do të ishte për të gjithë ne nëse do të dorë-hiqeshim nga liria, e nëse në vend të saj do të zgjidhnim të bëheshim shërbëtorë të pushteteve politike dhe interesave meskine të klasës politike në Shqipëri.

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe autoritarizmi burokratik, Ekuilibri shoqëror, ENTELA KASI

Homazhe për këngëtarin David Bowie në New York

January 12, 2016 by dgreca

Fansat kryejnë homazhe për këngëtarin David Bowie, në qytetin e New Yorkut, jashtë ndërtesës së banesës së tij/
Nga Beqir SINA New York City
So – Ho Manhattan NYC : Vdekja e David Bowie u njoftua në orët e hershme të mëngjesit të 11 janarit, dhe që atëherë jashtë banesës së tij është hapur një memorial ku fansat e tij luten, ndezin qirinjë dhe vendosin buqeta me lule dhe lënë shënime prekse . Sot gjatë gjithë ditës jashtë shtëpisë së tij në Lafayette Street,në pjesë e poshtme të qytetit të Nju Jorkut, lagjen So-Ho, dhe në mbarë botën, përfshirë edhe në qytetin e tij të Brixton, Angli, dhe atë në Los Anxhelos, ka pasur homazhe.
Në New York City, fansat e tij kanë qenë të shumtë duke vendos lënë lule dhe qirinj jashtë shtëpisë, nga e cila ai u nda me gruan. Çifti fillimisht kishte planifikuar për të jetuar në Los Angeles, por u zhvendos këtu në Nju Jork në vitin 1992 në lagjen e njohur East Village, aty ku ka mbetur edhe shtëpia e tyre primare.
Nikki Sinclair, një 47-vjeçar fans i Bowie nga Anglia, erdhi në prej andej të vendos një tuf me lule në memorialin SoHo. “U zgjova këtë mëngjes dhe pashë Facebookun tim dhe unë thjesht nuk mund të besoj atë, kur mësova vdekjen e tij” tha Sinclair. “Muzika e tij ka luajtur një rol të rëndësishëm në adoleshencë time” tha ai.
Sinclair, shpjegoi simpatin e tij të veçantë për këngën “Ndryshime” të Bowie.
“Unë mendoj se albumi i tij ndikjoj tek mua që unë u rrita homoseksual dhe transeksual në një kohë prej qëndrimeve më pak tolerante të asaj periudhe. Dhe, kështu atë që bëri Bowie, duket se më tha:” Ja ku jam. Kjo është e ndryshme. Unë jam ndryshe. Pra, çfarë? ‘ Dhe kjo ishte novatore. Pa të nuk ka asnjë George Michael, asnjë Boy George. Nuk ka Steve Strange. Dhe ne nuk do të kemi lëvizur përpara për ta bërë atë në rregull për dikë si unë, sot. Kështu që unë thjesht mendoj se kemi borxh një të madhë, mirënjohje për Bowie, i cili të gjithë jetën e tij e shtyu në kufijtë e “Ndryshimit”. Ai nxorri një album vetëm pak ditë më parë, ai madje e bëri vdekjen e tij një art “.
Vdekja Bowie (ai ishte duke u trajtuar për kancer për 18 muajt e fundit) u konfirmua nga publicisti e tij Steve Martin. Edhe pse disa detaje të tjera janë siguruar, kjo deklaratë u përhap me anë të Facebook ku zyrtarisht u shkrua se : “David Bowie vdiq në mënyrë paqësore sot i rrethuar nga familja e tij, pas një beteje të guximshme 18 mujore me kancerin. Ndërsa, shumë prej jush do të ndajnë me ne këtë humbje, ne kërkojmë që ju respektoni privatësinë e familjesë gjatë kohës së pikëllimit tonë “

Filed Under: Kronike Tagged With: Beqir Sina, Homazhe për këngëtarin David Bowie, ne New York

Sajmir Strati në Canale 5

January 12, 2016 by dgreca

nga Xhevair Lleshi/
Juve s’jua ka zënë derën ndonjë fatkeqësi, por edhe e mira jo dhe aq, sepse po të qe ndryshe nuk do të flisnim kështu bashkë, na tha i panjohuri. Ne po vrisnim mendjen për të gjetur ndonjë ngatërresë, nga ato për hiçmosgjë, që ia behin papandehur dhe më pas ta bëjnë kokën lëmsh me të mosqenat e famshme. E, pra, mua ma ka zënë derën edhe e mira, edhe e keqja. Nuk po kuptoja asgjë. Ne sapo kishim ardhur tek Sajmir Strati në shtëpinë botuese «Planet» në Fier. Njeriu i panjohur që fliste me kaq siguri ishte roja tek porta. Agimi, i zoti i shtëpisë, ishte kujdesur shumë për anën e jashtme të gjërave: një portë (madje e gjelbër), një zyrë dhe goxha e mirëmbajtur, një sekretare, sallat e punës, studioja grafike. Dhe unë ndala pak. E pashë fort në sy. Vendosur para kompjuterit. I qeshur, por ama me një të qeshur fantastike, dukej që atje tej, pastaj edhe i çiltër në bisedë. Flokët të lidhur pas, në formë topi. Kaq mjaftonte.
«Erdhe?»
«Po.»
«Gonia apo Toshi?»
«Jo, as njëri e as tjetri.»
«Për ekspozitën?»
«Jo.»
«Ja njëri ndryshe nga ne!»
Dhe u takuam. E mori vesh menjëherë se vija nga «Uegen» dhe se doja të bëja ndarjen e ngjyrave për fotografitë e librit «Ëndrra e vdekjes sime» të tim biri, Genturit. Edhe ky e paska një shqisë më tepër, mendova. Mos vallë ndonjë gisht këmbe a dore më shumë? Ndonjë sy në ngjyrë ndryshe nga tjetri? Jo. Asgjë prej tyre, por thjesht një shqisë më tepër. Ndoshta një shqisë që një sy i pavëmendshëm nuk e sheh dot…
Ky ishte takimi i parë dhe unë pata fatin të njihja një njeri të madh, aq sa edhe të thjeshtë. Sigurisht nuk thonë kot që madhështia, dhe vet talenti i fuqishëm burojnë nga thjeshtësia…
Sajmir Strati! Më tej u takuam në ekspozita, në punën me librat, në festime dhe në dritëhijet e teatrit të Fierit. Kurdoherë i njëjti ton, e njëjta thellësi. Dhe një ditë…
Një ditë, çfarë?
Sajmiri nuk ishte më në studio. Nuk e gjeta atje. Ishte larguar. Ishte ndarë nga e zakonshmja, nga e përditshmja. Kishte marrë këmbët në krahë dhe pat ikur me fëmijët dhe gruan, që kurrënjëherë nuk u ndanë prej tij. Krahë për krahë. Slogan? Përkundrazi, jetë.
E prita për vite të tërë të kthehej. Fytyrën e tij ia vizatonte buzëqeshja e ngrohtë, sepse ajo mbahej mend gjatë. Dhe pikërisht ajo buzëqeshje ma pruri para syve në rrugët e Tiranës. Përqafim i ngrohtë. M’u ngjit edhe mua buzëqeshja e madhe dhe fisnike. Ç’ka ndodhur me ty? E zakonshmja, ajo që të gërryen, të vret, të largon nga tjetri. Ajo ma humbi gjithë kohën e çmuar. Ajo dhe më dëboi. Ju nuk kini për ta besuar kurrë.
Mund të ndodhte që ta kisha takuar krejt rastësisht në Fier, në Berat, apo në Tiranë. Dhe jam i bindur se do të më rrethonte njëlloj me buzëqeshjen e tij dhe idetë që i buronin vetiu. Pimë nga një gotë me Sajmirin dhe më çuditi kur tha se po bënte disa orë që priste për të marrë lejen e një studioje. Kot e ke, i thashë. Studion e krijon ti vetë, ku të duash, edhe në mes të rrugës. Dukej i qetë, mendonte dhe vetëm gjuante se mos i rrëshqiste rrezja e dritës dhe në ç’kënd përthyhej atje tej. Syri i piktorit. Po edhe imagjinata e jashtëzakonshme e konstruktorit. Sepse Sajmiri kishte lindur për të bërë gjëra të mëdha. E mbaj mend se si shpërtheu një ditë atje në sallën e makinerisë në «Planet»: Unë, vëllai im, nuk i duroj dot këto, unë kam ardhur për të bërë gjëra të mëdha! Ti, iu drejtua dikujt që ishte shumë i gjatë, as që e merr dot me mend se ç’vizion kam unë. Nuk janë ëndrra këto, janë vizion! Merr vesh? Jo. Epo më mirë atëherë. Se po ta kuptoje do të ishte e tmerrshme!
Të kujtohet? – e pyeta duke e parë në sy. E kishe ditur! Doja, sigurisht, po për të ditur, kurrë! Ta them hapur, asnjëherë nuk e kam menduar se do të përfshihesha në këtë vorbull ku jam i njohur në mbi tetëdhjetë vende të botës, ku më presin të njohur e të panjohur, ku diskutojmë si të barabartë. Se për mua çdo gjë vlen më shumë se sa është realisht. Ja, merr gozhdët, CD, lëvozhgat e vezëve, tapat e shisheve të verës, … të gjitha ato që konsiderohen hedhurina, gjëra të kota. Merr ç’të duash. Të gjitha prodhojnë vepra të mëdha arti. Të gjitha për mua janë vlerë dhe krijojnë fytyrën e së bukurës, madje edhe estetikën e botës. Aty të urrejtshme, atje më tej të mrekullueshme. E, pra, a nuk është këtu thelbi i jetës? Gozhdët ta thonë hapur madje edhe me sy të ëmbël se ç’mund të bëhen…
Në çdo rast ka pasur një vështrim zhbirues, edhe kur nuk shfaqte përqendrim a një kujdes të kapshëm për veten dhe sidomos për ato që fliste. Dhe erdhën tek ai sukseset e mëdha dhe bota përditë e më tepër zvogëlohej. Më këto raste kishte diçka prej vuajtjes edhe kur shfaqej mes sjelljes ekstravagante dhe me një energji të pashoqe, po edhe atëherë kur dukej i lodhur dhe i ndrojtur. Mëngët përherë përthyer, bereta e kthyer paksa mënjanë, shoqëronte buzëqeshjen në një kënd 45 gradë dhe hijezonte mendimin e rastit, duke krijuar një profil krejt ndryshe. Diçka e menduar. Nuk e kam ngacmuar kurrë, pse nuk u vesh njëherë ndryshe, me kostum, që do të ishte krejt e zakonshme për një tjetër, këmisha pa kravatë, një xhakavento, doemos një shall klasi gjithnjë i verdhë dhe firmato, këpucët gjithnjë brenda një shijeje, në dukje si e huaj për çdo moment, herë-herë madje sikur nuk i shkonin trupit të tij. Dhe ai kurdoherë të përgjigjej me një lëvizje të syrit.
Me një lëvizje nervozizmi ai dukej sikur pushtonte gjithë botën dhe kjo nuk i vinte prej asaj manie që pushton nganjëherë kot së koti të mëdhenjtë e artit, fudullëkut. Madje këtë ndjenjë nuk e duronte dot. Dhe mërzitej së tepërmi. Dhe kurdoherë, ta themi hapur, ai njeri ishte dhe është nën freskinë e emocionit. Ai, emocioni, i bën veri, e përqafon, e shtrëngon fort, nganjëherë edhe e mban lidhur, shpesh i duket se diku tej qajnë ato, sirenat e Odiseut, dhe e shtrëngojnë të mos kthehet në Itakën e tij. Çfarë zeje zotëronte dhe zotëron ky njeri me një dukje të zakonshme, por që sa hap gojën, sa të rrëshqet vështrimin e syrit, fiton një përmasë tjetër, kthehet tek e vërteta e tij. Pastaj lëre të vrapojë brenda ëndjes së tij që i vjen kryesisht nga fryma. Sajmirin e ngre peshë entuziazmi dhe nuk bie kurrë në kurthin e nostalgjisë. Ai e ndiente dhe e ndien menjëherë se është bir i suksesit dhe e ruan atë si të ishte frymë perëndie. Atij nuk i prish punë ajo që shpreh ti. Ai e kap idenë në ajër dhe je i lutur të mos tjerrësh gjatë dhe për më tepër kot. Nuk e ka duruar kurrë harresën si rrugëzgjidhje dhe hile, as edhe të thënit e asaj që quhet fjalë e mirë. Si njeri i madh dhe i veshur me cilësi që të tjerë nuk i kuptojnë dhe s’mund t’i kuptojnë dot, ai nuk e njeh as provincialin dhe as huqet e tij. Po më tregonte një ditë, teksa nën ritmin e bukur të shiut të Tiranës, po më thoshte ç’i kish ndodhur pak kohë më parë. Siç i vijnë zakonisht njerëz për ta takuar, i pat ndodhur që ta kërkonte një koleksionist i shquar arti nga New York-u. Por Sajmiri nuk dinte gjë, ashtu si nuk do të dinte nëse do ta takonte papritur e pa kujtuar në mes të rrugës. Vetëm se dikush i telefonoi nga Rogneri dhe e mori vesh si ishte puna. Sajmiri, mbesa dhe bashkëshorti i saj si dhe koleksionisti njujorkez. Vetëpërmbajtje, durim, madhështi, pa kurrfarë kompleksi, pa ndonjë mendim hibrid të kallur diku nga ndonjë krimb. Se, sigurisht, ka plot krimba dhe se duhet të jesh i vëmendshëm ndaj tyre thjesht se mos i shkel. Ka njerëz, sigurisht, që artistin e kuptojnë me vonesë, po për këtë ndjesi i vetmi që s’ka faj është artisti. Unë doja që koleksionisti të kuptohej mirë me mua, ndaj dhe mora mbesën me anglishte të kulluar, se të kuptuarit e gjërave kanë patjetër rëndësinë e tyre. Përherë kështu ndodh. Amerikani kishte vajtur më parë në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe kishte kërkuar atje një punë timen. Natyrisht atje s’mund të gjente dot një punë timen dhe njujorkezi i pat kërkuar një adresë timen, një telefon, të cilin e rastisi në Rogner. Por koleksionistin e tmerronte fakti që drejtori i Galerisë dukej indiferent ndaj meje, ndaj mosnjohjes dhe i nxitur nga mungesa e skrupujve po shkonte sërish në Galeri, me sa duket për të bërë njohjen time me drejtorin! As mund ta merrja me mend. Sigurisht drejtorin e njihja, edhe ai patjetër më njihte. Dhe në ballafaqim me të koleksionisti e prezantoi me mua, «i hoqi veshin» pse nuk kishte aty një punë timen, sepse i dukej e pamundur që një piktori mozaikist si unë (!) t’i prozvalej e drejta për t’i pasur punët në ballë të vendit të tij. Kjo kishte vetëm një emër: mungesë respekti, mosmirënjohje!…
Dhe gjatë kësaj pranvere do të jetë ekspozita e tij në New York, ashtu si do të jetë gjatë shtatorit në Sankt Peterburg…
S’ka faj Sajmiri, fajin e ka talenti i tij i madh. Po edhe besimi i tij. Për të nuk ekziston ndonjë mëri e fshehur, as hi kujtese, as megalomani, as shtirje. Nuk i njeh këto dhe nuk i bëjnë ferk. Ai të vështron në sy. E gjej nën ethet e përgatitjes së albumit të veprave të tij, nën pushtetin e detajeve dhe yshtjen e menaxhimit të kësaj pune, nën urtinë e sqimës dhe doemos i pasuruar me një ëndërrim të thellë dhe pak të trembur. Ai ende nuk është vënë nën trysninë çmimeve të mëdha që ka fituar, në shtypjen madhështore të rekordeve të tij. Sajmiri është rekordmen. Nëntë rekorde Guinness. Me hapësira të mëdha. Me gjetje fantastike. Nuk është nën rrotë, jo! I jashtëzakonshëm! Nuk u kthye njëherë mbrapsht, nuk mbeti kurrë pa ide dhe me to ndërtoi atë, veprën e madhe që do të bënte, e përshkruar kurdoherë nga një poezi e brendshme e fisnike. S’ke ku shkon gjëkund pa poezinë. Dhe Sajmiri është nga ata artistë që këtë ndjesi e ka kurdoherë me vete. E bart, nuk e lëshon kurrë, por unë mendoj se është pikërisht kjo, poezia, që e ka vënë përfund dhe ai ndihet me krahë dhe kurdoherë i plotësuar, i ndjeshëm, i hollë, fin, elegant dhe me dukjen e tij të përhershme heminguejane. E megjithatë, si Diogjen i vetvetes, ai kurdoherë është në kërkim, sepse ideja i shfaqet fillimisht si një errësirë dhe brenda saj do t’i duhet të shohë elementet me një rrezatim të dobët kobalti, po që për të me një dritë të jashtëzakonshme, gjë që ia ka dhënë prej kohësh ajo, shqisa e tetë.
Kur punoj, thotë Sajmiri, më duket sikur jam kredhur në një guvë, por jo si eremit, si ky që jam, si artisti, se ky i uruar s’mund të jetë eremit. Kurdoherë njeri, sepse dhe atë kërkoj gjithmonë tek vetja, i ngrohur në diellin e tij. S’ka më të brishtë se dielli njerëzor. Diell që prodhon rryma të ulëta, brenda natyrës dhe kërkimit. Lidh, atje në guvën e punës plot fije të padukshme, nën pushtetin e ngjyrave, brenda mozaikut, brenda ylberit mahnitës, me durimin që më shoqëron kurdoherë, brenda përbrenda mahnitjes si ndjenjë e shkaktuar, përherë në një mjegull që është rrotull meje enkas për të më ndihmuar që drita e fortë të mos m’i marrë sytë. Zoti, lëvduar qoftë, ai m’i krijon të gjitha, e di…
Dhe njerëzit kureshtarë e rrethojnë kurdoherë me vështrimet që kryqëzohen jo me të, por me veprën që bën, guralec pas guraleci, copëz lëvozhge veze pas copëzës tjetër, me durimin e atij që lutet e përgjërohet për shpirtin e tjetrit. Ta them unë: i harron krejt, edhe armët që mund të kërcasin rreth teje si më Nëntëdhjeteshtatën, si nën pushtetin e një përmallimi të befasishëm. Edhe ngjyrat e fytyrës sime, nën xiglimin e syve, njëtrajtësohen me ngjyrat që ndryshon herë pas here vetë mozaiku im, nën nxitjen e fortë të rrjedhës së gjakut tim. Aty pulson dhe damari i artistit. More, mos harro, mund të dukesh nganjëherë edhe si shenjt, është, mos guxo ndryshe, ta them unë, edhe përmasë shenjti, sepse frymën ta ka dhënë Ai, nën dritën e asaj shqisës së tetë që ti e përmend si gjetje.
Po. Parandjenjat gjithnjë i kam parë të forta, por vetëm për veprën që krijoj, nën pushtetin e madhërishëm të krijimit, nën shtypjen e tij. Kur parandjenjat nuk mashtrojnë të lejojnë të ecësh, madje këndojnë me muzikalitetin e shpirtit tënd gjatë gjithë rrugëtimit të krijimit, nuk ta copëtojnë dritën, ngjyrën, përsosmërinë. Hyu është me ty, të fanepset thjesht me atë që ti do, aty me dritat e dobëta që të tjerët nuk i dallojnë dot, po që për ty kanë fuqi të pabesueshme. Gjithnjë nën një kaos të ndritshëm e që pastaj del me shkëlqimin e mermerit të paspartuar ngadhënjyeshëm, duke ecur në po atë mugëtirë. Jo, nuk bëj shaka, të them të vërtetën nën pushtetin tim paqtues.
A dëgjoj zëra brenda vetes? Herë-herë po, dëgjoj. Por ama kur jam në kulmin e punës. Atëherë kur jam lodhur paq. Me t’u ndalur zërat, që edhe ata ngjajnë së tepërmi me rrymat e ulëta, i thërras vetes, a ndoshta është dikush tjetër, se ne kurdoherë jemi nën pushtetin dhe magjinë e krijimit, dhe menjëherë dalim së andejmi, me dridhje të lehtë emocionuese. Pra, kemi lënë punën. Atë çast bëhet heshtje, sikur ngrin diçka në ajër. A do të jem në gjendje ta rifilloj dhe bash të vijoj tek mendimi ku e kam lënë, domethënë aty ku kam lidhur një nyjë? Po pse poeti, për shembull, nuk është në gjendje ta vijojë më figurën e ndërprerë, sepse kur nuk e hedh një gjë, nuk ecën më tej me mendimin tënd, nuk mund ta përjetosh atë aq thellë e në po atë mënyrë fantastike. Me siguri të nesërmen, në çastin e rifillimit, duhet një gjetje e re, një frymëzim i ri, një aureolë tjetër krijuese, një valë e shtysë që të motivon, të shtyn të krijosh së pari mugëllimin e lindjes, që krijohet nën shtypjen dhe ritmin e trokashkës së mullirit tënd fantastik e gjithnjë në lidhjen e atyre që unë po i quaj rryma të dobëta, por me dritë mahnitëse, të paparë. Drita e fillimit, e rikrijimit, nuk zvarritet, ajo vjen. Po s’qe ajo, mos fillo. Ka një kadencë tjetër edhe shpirti yt, një ritëm që ka ardhur vetiu dhe ndien tek rrjedh gjaku në damarët e tu, dhe ndien që s’mund të përmbahesh: ke filluar, më saktë ke rifilluar. Dhe mendimi të pret në sajdinë e bukur dhe trishtuese njëherit të çastit ku e ke lenë. Të vjen keq, po edhe ndihesh i fryrë nga epërsia e padukshme. Po bëhesh avull, po mjegullon, po mbyllesh në kafazin e mendimit tënd, që rrok hapësira të tjera të përmasave të papërfytyrueshme.
Të jesh duke krijuar, as që mendohet se mund të biesh në prehrin e një kafeje. S’mund të ndaloje gjatë provave Pëllumb Kullën, s’mund të bëje dot një shenjë kur Kadri Roshi interpretonte sepse ai ishte aty tjetërsoj, në një gjendje ekstaze, duke u marrë ma ashkun, me frymën, me një dritë të tjetërfartë, me një lloj magjie. S’mund të them dot asgjë më tej. Heshtja le të më lërë pa gojë.
Po, po. Mozaiku është koreografi. A nuk shfytyrohesh, por me një elegancë kaotike, gjatë interpretimit vallëzues? Dukesh sikur fryhesh, sikur je kockë e lëkurë, sikur shtrembërohesh nga dhimbjet që shfaq (se janë dhimbjet e brendshme shpirtërore që shfaqen ashtu, duke na dhënë thelbin e madhërishëm të imagjinatës), nën salton mortale të krijimit tënd, të ngjyrave, të dritës dhe hijes. Po, të hijes. Ajo është aty, kurdoherë me ty. Se pushteti i krijimit i lë gjërat të bëhen vetë, madje edhe të prishen vetë, domethënë me duart e tua, me harmoninë e koreografisë së lëvizjeve të mozaikut tënd, teksa mpaket e rritet, teksa bëhet flu e davaritet, ndërsa humbet e tretet e pastaj lind sërish nën një mugëllim tjetër, duke qenë e pranishme gjithnjë ajo trokashka e mullirit tënd…
Nuk ma nxë goja ta zë mendsh mundimin. Ai ka qenë, është e do të mbetet mundim i bukur. Nuk është fjalë në erë. Jam i bindur që jo. Sepse pas kësaj që them vjen pushteti i etheve dhe kur ato të rrëmbejnë s’ka më frymë tjetër. Aty është dhjata ime, dëshira e të kënduarit tim, të shpërfilljes dhe të lëvizjeve që bëj. Padukshëm dhe dukshëm, derisa të arrij t’i them gjërat e asaj që unë di më mirë. Ky rrëmbim prej etheve të krijimit janë një dritë e parë askund tjetër veç në shpirtin tënd, nën fisnikërinë e dritës nga ato, rrymat e ulëta që ndez e xiglon shpirti i njeriut. Vetëm shpirti i njeriut e askush tjetër. S’ka falje, s’ka lutje, s’ka përgjërim që e ndal. Unë për vete me të do të jem. Edhe kur mezi e rregulloj shapkën time të kthyer anash nën hijen dyzetepesëgradëshe të mërzisë për të tjerët dhe të hijes së mendimit tim. E kam kthyer andej nga vjen edhe mendimi i krijimit, pikërisht nga ana e majtë, duke ruajtur hijshëm fisnikërinë tërbuese të emocioneve. Duhet në atë anë dhe pikë. Nuk tundohem dot prej gjërash të tjera. Dhe dritën e jashtme që më turbullon ma sjell ky shall i verdhë që më hijeshon sadopak mjegullën, tymnajën, zhbirimin, thellësitë dhe vetë hapësirat ku mund të jem. E kam bindur veten për të gjitha këto, se pa u bindur vetja nuk ka krijim, nuk ka tjetërsim shpirtëror, nuk ka as rifillim magjie. Plus t’i zotërosh pastaj të gjitha këto. Madhështore. Një fuqi harbuese. Xhind. Por jo nga ata që njohim. Ky është djalli vet: të nanurit, të kreh, të puth, të përvëlon prej një nxehtësie çudibërëse, të ndritshme dhe tmerruese ndërkohë. Këto çaste më duket se vuaj. Nuk është se më bëhet, jo. Pastaj mund të kthehet çdo gjë në fiksim dhe fiksimin unë nuk e dua…
Ju mërzita? Ndoshta. Por ky jam unë. Kur jam nën ritmin e mozaikut, atëherë po, kurse këtu, duke folur me ty, jam krejt një tjetër, por e vërteta është se magjia e krijimit për herë të parë më rrëmbeu edhe këtu. Ky është efekti i fjalës, i ngacmimit, i frymës, i damarit që më gjete. E, kësisoj nuk kam më faj. Jam bërë me sa duket tjetër njeri. Dhe më vjen marre, po e them si Frederik Reshpja, që kur u nisa për në Greqi për të shëruar tim bir nga sytë (kjo ishte vepra ime e parë që kam bërë) dhe kësaj ia arrita, duke larë fytyrën time me djersë e krijim, atëherë kam ndjerë një plotësim të madh. Domethënë unë isha në gjendje të imagjinoja mendueshëm rreth sendeve e gjërave që na rrethojnë dhe ato bëhen motivi jo thjesht për të kënduar së brendshmi po për të ngjallur brenda vetes shpirtin e krijimit. Dhe ai zjarr do mbajtur gjallë, do ndihmuar me dru, me fije të holla, ashkla, me frymë, me shpuzë, me pak hi pse jo, me vatrën tënde të ngrohtë dhe kjo është, ta them sikur të isha plak, vatra e shpirtit!…
Do ta nisim bashkë, Xhevair, do shkojmë në të gjitha qytetet shqiptare ku janë plotësimet e mia shpirtërore, kudo, nga Kallarati i shkëndijave të gjyshërve e deri në Pejë e Mitrovicë, në Preshevë, në Ulqin, e në Artë, kudo ku ka shpuzë e zjarr për ta prurë mirë tek mozaikët e mi dhe librat e tu. Me nurin e së nesërmes dhe të bukurisë së madhërishme që ekziston veç në shpirt. Ja kaq dua. Dhe kudo do lë buzëqeshjen bashkë me albumin si gjurmën e pavdekshme të shpirtit tim… Dhe sa të fitoj rekordin e dhjetë guinness do të jem patjetër në Canale 5, dhe po të jetë Xherri, sigurisht me të! Të garantoj. Me të gjitha rekordet e mia, me të gjithë vëmendjen time, me imagjinatën që ma ka falur Hyu i madh.

Filed Under: ESSE Tagged With: Sajmir Strati në Canale 5, Xhevair Lleshi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • …
  • 87
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT