Nga Ahmet ZANI/
Pas çdo shiu dhe shkarkimesh nga hidrocentrali i Shkopetit, rruga e kombit në afërsi të Skurajve në Milot gërryhet nga prurjet e shumta në Lumin Mat. Vetem në harkun kohor të 1 muajit në të pakten 4 raste është dashur ndërhyrje emergjente për të penguar vërshimin e rrjedhes së lumit në bazamentin e rrugës. Problematike e fundit i përket 1 ditë më parë dhe i referohet shkarkimeve deri në 800 metër kub për sekonde nga hidrocentrali i Shkopetit. Rritja e nivelit të lumit vuri sërish në alarm autoritete. Në të pakten 5 pika të ndryshme u desh ndërhyrja e firmes mirembajtese të rrugës për të penguar vërshimin e ujit dhe duke shmangur gërryerjet e mëtejshme të sajë. Përgjegjesi i punimeve në firmën mirembajtese të rruges Eduart Bardhoci thotë se ndërhyrja ka qenë e shpejtë, por kjo pikë mbetet një problem. Sipas Bardhocit në gati 1 km të rruges së kombit në Skuraj gërryerjet janë të vazhdueshme dhe se situata mbahet nën monitorimin e tyre. “Në rreth 1 km rrugë këtu në afërsi të fshatit Skuraj është krijuar një problematike shumë e madhe. Sa here kemi shkarkime nga hecet e për pasojë rritje të nivelit të lumit këtu ka gërryerje. Kemi nisur një ndërhyrje tjeter prej dy ditesh për shmangur rrezikun, pasi rrjedha e lumit i është afruar trasesë së rrugës. Në ndihmë na kanë ardhur edhe forcat e ushtrisë dhe deri tani kemi hedhur me qindra metërkub gur dhe inerte” u shpreh Eduart Bardhoci Firma Kontraktuese Probleme në rrugen e kombit ka patur edhe në afërsi të Fanit.Përshkak të reshjeve të shiut ka patur rrëshqitje të dheut,ndërsa vazhdon të ketë probleme me rrëshqitjen e gurëve.
Archives for February 2016
Agjencia Kosovare e Privatizimit publikon listën e uzurpatorëve
PRISHTINË, 15 Shkurt 2016-B.Jashari/ Agjencia Kosovare e Privatizimit sot ka publikuar në faqen e saj të internetit listën e uzurpatorëve aktualë dhe uzurpatorëve të mëparshëm të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore.
Publikimi i këtyre listave është kërkuar nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës në takimin me Bordin e Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit më 29 janar dhe drejtuesit e Agjencisë më 12 shkurt 2016. Kryetari i Kuvendit ka theksuar shqetësimin e tij lidhur me çështjen e pronave të uzurpuara, një problem ky mjaft shqetësues, i cili kishte përcjellur punën e Agjencisë që nga viti 2002.
Agjencia Kosovare e Privatizimit paraprakisht ka konsultuar Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, e cila ka dhënë opinionin ligjor se publikimi i të dhënave me emrat e uzurpatorëve aktualë dhe të mëparshëm të cilët i kanë shfrytëzuar apo aktualisht i shfrytëzojnë pronat e ndërmarrjeve shoqërore nuk paraqet shkelje të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.
Agjencia Kosovare e Privatizimit deklaroi se është e përkushtuar në zbatimin e ligjit, mbrojtjen dhe administrimin në mirëbesim të pronës shoqërore.
Listat e publikuara periodikisht do të azhurnohen, përderisa ftohen palët e interesit që në rast të vërejtjeve në saktësinë e shënimeve të publikuara të dërgojnë me shkrim vërejtjet e tyre në zyret rajonale të Agjencisë.
Ndërkohë, sipas kërkesës së Policisë më 15 janar 2016, Agjencia sot njoftoi me shkrim paraprakisht edhe Policinë e Kosovës – drejtorinë përkatëse me listën e pronave të uzurpuara në pronësi shoqërore dhe pronave të shitura me uzurpatorë.
Presidentja e Maltës, vizitë në Kosovë
– Pritja ceremoniale bëhet në orën 10:00 në Sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë/
PRISHTINË, 15 Shkurt 2016-B.Jashari/ Presidentja e Republikës së Maltës, Marie Louise Coleiro Preca, mbërrin për vizitë në Kosovë, ku nesër paradite Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga i organizon pritje zyrtare.
Pritja ceremoniale bëhet në orën 10:00 në Sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë, ndërsa pas takimit mbahet konferencë shtypi.
Axhenda e dërguar bën të ditur se, Presidentja e Maltës Marie Louise Coleiro Preca do takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, si dhe me kryeministrin Isa Mustafa.
Në Valletta, në qershor 2015, Presidentja Marie-Louise Coleiro Preca, ka pritur në takim zëvendëskryeministrin e ministrin e Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi gjatë vizitës në Maltë.
Me atë rast Presidentja e Republikës së Maltës tha se Kosova është një shtet që po dëshmon përkushtim të madh për integrim në familjen e madhe evropiane dhe përkrahja e shtetit maltez, i cili ndër të parët ka njohur pavarësinë e Kosovës, nuk do të mungojë edhe në të ardhmen.
Kosova, Strategji Kombëtare për Zhvillim
-Kryeministri Isa Mustafa: Strategjia është e destinuar për të mundësuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe është hartuar nga qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim dhe në përkrahje të plotë nga Zyra e Bashkimit Evropian/
-Shefi i Zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar: Besoj se Kosova ka arritur në një fazë në të cilën është e aftë që të përballet me problemet e veta/
-Ministri kosovar i Financave, Avdullah Hoti: Strategjia Kombëtare për Zhvillim është një dokument i gjallë, i cili do të plotësohet gjatë procesit të implementimit/
PRISHTINË, 15 Shkurt 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, kanë bërë sot lansimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2016-2021. Ky projekt është finalizuar përmes projektit të financuar nga BE-ja, “Mbështetje për politikat e Kosovës dhe planifikimin strategjik”, në vlerë prej 2.585.000 euro. Projekti ka përfshirë mbështetjen për përgatitjen e Programit të Reformave Ekonomike 2016-2018 dhe programet e IPA II. Strategjia Kombëtare për Zhvillim është e përqendruar në katër shtylla: kapitali njerëzor, sundimi i ligjit, infrastruktura dhe konkurrueshmëria.
Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, kryeministri Mustafa foli për rëndësinë e hartimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, e cila është aprovuar në mbledhjen e qeverisë së Republikës së Kosovës, në 22 janar të këtij viti.
“Strategjia është e destinuar për të mundësuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe është hartuar nga qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim dhe në përkrahje të plotë nga Zyra e Bashkimit Evropian”, tha kryeministri, duke falënderuar për mbështetje Zyrën e Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit e vendeve të BE-së të pranishëm në ceremoni.
Kryeministri Mustafa tha se esenca e kësaj Strategjie është që ajo e kapërcen mandatin e kësaj qeverie duke përfshirë një periudhë kohore deri në vitin 2021.
“Ne me këtë Strategji kemi bërë të qarta orientimet tona, edhe pozicionin tonë se zhvillimi ekonomik, promovimi i punësimit dhe rritja e mirëqenies, do të jenë themeli i qeverisjes së mirë të vendit për këto katër vite të mandatit të kësaj qeverie, dhe se të gjitha këto bazohen në iniciativën private, në konkurrencën e tregut të hapur, si forca kryesore që sigurojnë prosperitet ekonomik dhe zhvillim”, tha kryeministri Mustafa, duke prezantuar në detaje përmbajtjen e kësaj strategjie të rëndësishme për Kosovën.
Ndërsa, lidhur me temat aktuale në vend, kryeministri Mustafa tha se nuk ka temë më të rëndësishme politike për këtë vend se sa zhvillimi ekonomik, hapja e vendeve të reja të punës, ardhmëria e Kosovës në Bashkimin Evropian.
“Vetë fakti që ne po punojmë fuqishëm në këto fusha, flet që fuqishëm jemi të përcaktuar që qeveria ta bëjë punën e vet deri në fund të këtij mandati, dhe se institucionet e Republikës së Kosovës do të funksionojnë dhe të konstituohen sipas mandatit të Kushtetutës”, tha kryeministri Mustafa.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, njëherësh përfaqësues special i BE-së, Samuel Zhbogar, ka thënë se është i kënaqur që po e bashkëlanson Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, dokument i parë i këtij lloji në Kosovë, i mbështetur nga BE-ja, si një prej dokumenteve më të rëndësishme për Kosovën dhe udhërrëfyes për zhvillimin e ekonomisë kosovare.
“Besoj se Kosova ka arritur në një fazë në të cilën është e aftë që të përballet me problemet e veta. Është e nevojshme që të gjitha palët e interesuara në Kosovë të bashkojnë forcat për të drejtuar Kosovën në një rrugë të zhvillimit më të fuqishëm ekonomik. Kjo është po ashtu e vetmja mënyrë për të tejkaluar krizën aktuale politike, pasi interesi kombëtar duhet të vihet mbi të gjitha interesat tjera. Instrumentet sikurse Strategjia Kombëtare për Zhvillim, Programi i Reformave Ekonomike dhe Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim, janë mjetet e duhura për të adresuar çështjet e Kosovës dhe për të ecur përpara”, tha Zhbogar.
Ministri kosovar i Financave, Avdullah Hoti, tha se Strategjia Kombëtare për Zhvillim është një dokument i gjallë, i cili do të plotësohet gjatë procesit të implementimit. “Qëllimi i këtij dokumenti është orientues për qeverinë në planifikimet e ardhshme buxhetore. Ne qysh tash po punojmë në kornizat afatmesme të shpenzimeve bazuar në këtë strategji. Ne presim që bizneset të marrin parasysh në planet e tyre afatgjate orientimet e qeverisë të dhëna në këtë Strategji. Presim nga partnerët zhvillimorë që të marrin parasysh prioritetet që i ka vendosur qeveria përmes kësaj strategjie, e po ashtu edhe bankat zhvillimore, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankën Botërore, USAID-in dhe partnerët tjerë që na kanë mbështetur deri tash në rrugën e zhvillimit të Kosovës”, tha ministri Hoti, duke paralajmëruar tryeza tematike për fushat specifike të strategjisë.
Qemajl Marmullakaj, drejtor i Zyrës për Planifikim Strategjik në Zyrën e Kryeministrit, duke prezantuar Strategjinë Kombëtare për Zhvillim tha se ky është një dokument udhërrëfyes për planifikim të politikave dhe një dokument që qeveria e Republikës së Kosovës e harton për herë të parë. “Strategjia Kombëtare për Zhvillim si proces ka filluar gjatë vitit 2014, duke bërë analizimin e dokumenteve strategjike në dispozicion që përfshijnë një mori dokumentesh nga institucionet qeveritare apo edhe mekanizmat ndërkombëtarë, duke marrë parasysh edhe praktikat më të mira ndërkombëtare, të cilat kanë qenë të krahasueshme me Kosovën”, tha Marmullakaj.
IM NIP DHE KOSOVA E PAVARUR
Emocione që më vijnë e nuk mund t’i mbajë për vete…/
Nga Abdurahim Ashiku/
E diele, 17 shkurt 2008 ! Athina është nën pushtetin e dëborës dhe akullit. Bora ka kap edhe bregun e detit, edhe ishujt, deri në jugun ekstrem të gjeografisë së saj, brigjet jugore të Kretës…
Unë jam ngrirë përpara ekranit ku sinjali, pasi ngjitet lart e lart në qiell, vjen e ulet i qartë në xhamin e kristaltë. Shtyp butonat duke e kaluar sinjalin herë në njërin stacion e herë në tjetrin, herë në Shqipëri e herë në Kosovë, herë në stacionet e vendit ku jetoj e herë në stacionin më prestigjioz të botës, CNN. Kërkoj Kosovën, kërkoj Prishtinën, kërkoj Thaçin e legjendës së UÇK –së, kërkoj Krasniqin zëdhënës të saj, kërkoj Sejdiun e gandistin ballkanik Rugova…
I gjej. Më vijnë ndryshe.
Thaçi nuk është më ai i Rambujesë, ai që udhëtonte nga kështjella mesjetare franceze në drejtim të kështjellës shekullore të qëndresës shqiptare, maleve të Drenicës së Azem Galicës e kullës së bërë shoshë nga plumbat të Adem Jasharit, për tu dhënë e marrë qetësi luftëtarëve të lirisë…
Zëri i Krasniqit nuk ka më tingullin e zërit të luftës e të luftëtarëve të UÇK –së, nuk bie erë baruti e plagësh të rënda të një populli që shkulej me gjithçka nga trojet e veta shekullore…
Edhe Sejdiu më vjen ndryshe. Nuk vjen më me zërin e Rugovës që kërkonte paqe kur vendin e kishte mbuluar tymi i armëve dhe pluhuri i zinxhirëve të tankeve…
Njeri pas tjetrit ngjiten në tribunë, me dinjitetin e njerëzve që kanë marrë mbi shpatulla nderin dhe përgjegjësinë e shpalljes së një akti të madh, shpalljes së Pavarësisë së Kosovës…
E përjetova tërë ditën këtë ngjarje të madhe. E përjetova me emocion dhe krenari. Kufijtë e shqiptarëve shkuan atje ku e kishin vendin. Shqiptarët, për herë të parë, pas një shekulli e ndjenë se shtylla e tyre kurrizore po merrte formën e saj natyrore, se malet përmes të cilëve e kishin ndarë ishin bashkuar. Bashkimi i maleve të ndarë nga tërmetet njerëzore është diçka e madhe, diçka që i bën sfidë kohëve. Shqiptarët e Kosovës i bashkuan malet. I bashkuan jo me lutje, por me pushkë. Nuk i bashkuan vetëm. I bashkuan me ndihmën e dy aleatëve të mëdhenj, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian…
Nuk kam derdhur ndonjëherë lot gëzimi sa kam derdhur atë ditë…
Nuk do t’i shkruaja këto radhë në qoftë se një zë i largët, një zë fëminor, nuk do të më ngucte. Këtë thjesht se lotët e mia të gëzimit nuk ishin vetëm të miat, ishin vetëm disa pika që atë ditë derdheshin në detin e madh të emocioneve mbarëshqiptare.
Ishte im nip, Gurjoni që në vjeshtë mbush katër vjet jetë. Ishte zëri i tij fëminor “Gëzuar gjysh !“ dhe Kosova Republikë !“ që m’i përzjenë emocionet. Atë fjalën “Republikë“ nuk e përtypte dot, edhe pse vajza ime Erblina i vinte në ndihmë.
Gurjonit i duhet kohë ta kuptojë çastin e sotëm, përjetimin e gjyshit dhe të gjithë “gjyshërve shqiptarë“ për momentin historik. Do ta kuptojë kur të rritet dhe të shkojë në shkollë, kur të mësojë gjeografinë e botës ku jeton, kur mësuesi do t’i thotë se Kosova është shteti më i ri i Evropës së Bashkuar…
Në kohën dhe shoqërinë që ai do të jetojë, historia e stërgjyshit të tij, Haki Shehut që një natë shtatori të vjeshtës së parë të vitit më të mbrapshtë të historisë shqiptare, vitit 1913, do të kalonte Drinin e Zi në koshat e kalit së bashku me motrat e vëllezërit duke lënë vatrën e vet në zemrën shqiptare, Dibrën e Madhe, do t’i duket si një përrallë…
Gurjoni, edhe në këtë moshë, teksa shihte flamuj e njerëz të gëzueshëm, teksa dëgjonte fjalën e madhe të ditës “Gëzuar !” e “Kosova, Kosova !“, gëzohej dhe kërcente, gëzohej dhe shqiptonte fjalët e reja, gëzohej dhe mësonte historinë e re të shtetit më të ri në botë, histori që niste atë ditë, më 17 shkurt 2008…
- « Previous Page
- 1
- …
- 42
- 43
- 44
- 45
- 46
- …
- 91
- Next Page »