– Pritja ceremoniale bëhet në orën 10:00 në Sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë/
PRISHTINË, 15 Shkurt 2016-B.Jashari/ Presidentja e Republikës së Maltës, Marie Louise Coleiro Preca, mbërrin për vizitë në Kosovë, ku nesër paradite Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga i organizon pritje zyrtare.
Pritja ceremoniale bëhet në orën 10:00 në Sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë, ndërsa pas takimit mbahet konferencë shtypi.
Axhenda e dërguar bën të ditur se, Presidentja e Maltës Marie Louise Coleiro Preca do takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, si dhe me kryeministrin Isa Mustafa.
Në Valletta, në qershor 2015, Presidentja Marie-Louise Coleiro Preca, ka pritur në takim zëvendëskryeministrin e ministrin e Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi gjatë vizitës në Maltë.
Me atë rast Presidentja e Republikës së Maltës tha se Kosova është një shtet që po dëshmon përkushtim të madh për integrim në familjen e madhe evropiane dhe përkrahja e shtetit maltez, i cili ndër të parët ka njohur pavarësinë e Kosovës, nuk do të mungojë edhe në të ardhmen.