• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2016

GAZETA”RILINDJA” E KOSOVES, 71 VJET HISTORI…DHE INTERVISTA ME PRESIDENTIN RUGOVA

February 11, 2016 by dgreca

***Kryetari i Këshillit Drejtues e Kryeredaktori i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, Behlul Jashari, për festën e Ditës së Rilindjes 12 Shkurt 2005 i dhuroi Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Pllakatin e Jublileut të 60-vjetorit të gazetës së parë të Kosovës Rilindja/
Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova para 11 vitesh: Gazeta Rilindja duhet t’i ketë të drejtat që i takojnë/
– Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Do të keni përkrahjen tonë/
Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI, Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 11 Shkurt 2016/ Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në këtë 12 shkurt do të duhej të festonte 71-vjetorin. Por, s’ka festë shumë vite. Në këtë 21 shkurt bëhen 14 vjet nga dëbimi i kundërligjshëm e i padrejtë nga Pallati Rilindja që i bëri UNMIK gazetës Rilindja ndërmarrje shoqërore. Ishte mbyllje detyrimisht e gazetës dhe ndërmarrjes. Ishte edhe dëbim kolektiv dhe i dhunëshëm nga puna i gazetarëve dhe punëtorëve të tjerë të gazetës historike Rilindja. Shkelje shumë e rëndë e të drejtave, rast i pashembullt në botën e lirë e demokratike.
Gazeta Dielli në SHBA, më e vjetra në gjithë botën shqiptare, e themeluar nga personalitetet e mëdha të kombit Fan Noli e Faik Konica, e cila feston në këtë 15 shkurt 107 vjetorin, është në përkrahje për të drejtën dhe ridaljen e Gazetës Rilindja të privatizuar në procesin e ligjshëm të udhëhequr nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, në përkrahje për zgjidhjen edhe të gjithë çështjes së Ndërmarrjes Shoqërore Gazetare Rilindja e punëtorëve të saj.
Duke ritheksuar mbështetjen, Gazeta Dielli riboton intervistën ekskluzive të Presidentit Historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova të para 11 viteve, dhënë në jubileun e 60-vjetorit gazetës tradicionale Rilindja.
Presidenti Rugova në intervistë theksonte: “Unë Ju përgëzoj për këtë përvjetor Jubilar, pra 60-vjetorin e Rilindjes, dhe dëshirojmë që kjo gazetë sa më shpejt të konsolidohet. Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Ne duhet të kemi edhe mjete të informimit të formave të ndryshme, mund të gjejë, ta ketë atë formën të një informacioni dhe prezentimi të çështjeve shtetërore, nëse nesër do ta pranojë Rilindja apo dikush tjetër. Dhe, gjithsesi do të gjendet në mozaikun e masmeriumeve të Kosovës. Ne do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe do të ndihmojmë në këtë plan dhe do t’ju përkrahim. Rilindja është një gazetë që është një pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës në përgjithësi. Natyrisht, tash edhe Rilindja duhet të gjendet në këtë çështjen e tregut të mediumeve. Dhe, duhet t’i ketë ato të drejtat që i takojnë si shtëpi botuese, ose si shtëpi informacioni. Sepse ishte një gjigant i masmediumeve, i botimeve për atë kohë, e sot, tash, duhet ta gjejë rolin e vet si gazetë, e të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës. Prandaj, do të keni përkrahjen tonë dhe do të shikojmë gjitha mundësitë administrative si do të ecin.
Pra, Urime edhe një herë dhe Gëzuar!”.
Intervista e plotë është kjo:
Mbi titull: INTERVISTA EKSKLUZIVE E PRESIDENTIT TË KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA, GAZETËS RILINDJA NË JUBILEUN E 60-VJETORIT, BOTUAR MË 12 SHKURT 2005
Titulli në faqen 1 e 2: PAVARËSIA E KOSOVËS ËSHTË E MIRA E TË GJITHË QYTETARËVE DHE DO TA QETËSOJË RAJONIN
Titulli në faqen 3: Shumë institucione ndërkombëtare e kanë kuptuar se Pavarësia e Kosovës duhet të bëhet sa më shpejt
Titulli në faqen 4: Rilindja ka ndihmuar dhe do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës
***
Kosova dhe populli i saj janë sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e Pavarësisë, të jemi një antar i bashkësisë së kombeve të botës së lirë, ka theksuar Presidenti Rugova në një intervistën ekskluzive në jubileun e 60-vjetorit të gazetës Rilindja.
“Edhe bashkësia ndërkombëtare, shumë institucione të ndryshme ndërkombëtare,kanë kuptuar se Pavarësia duhet të bëhet edhe të realizohet sa më shpejt, çfarë do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës”, ka deklaruar z. Rugova.
“Unë insistoj, edhe nstitucionet e Kosovës, që sa më parë të njihet Pavarësia e Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë, direkte, pra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Unioni Evropian, që pastaj do ta njihnin edhe fqinjët tanë. Kjo është rruga më e mirë, edhe më e drejtë, edhe më më e shëndetshme për situatën në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, tha presidenti Rugova në intervistën për gazetën Rilindja.Presidenti i Kosovës vlerëson se njohja e Pavarësisë do t’i rregullonte edhe marrëdhënet e brendshme. “Edhe për minoritet, grupet etnike, është edhe një fitore, është edhe një përfitim nga Pavarësia”, tha z. Rugova.
Pavarësia e Kosovës do të kishte efekt pozitiv edhe për të gjithë fqinjët tanë, ka theksuar z. Rugova dhe ka shtuar se “këtë, një pjesë e fqinjëve, pjesa më e madhe, kanë filluar ta kuptojnë.”
“Njohja sa më e shpejtë e Pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, ka
deklerësuar z. Rugova.
——————–
Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive për gazetën Rilindja të jubileut të 60-vjetorit, i vlerëson lart zhvillimet dhe proceset që shpiejnë drejt statusit final – Pavarësisë së Kosovës, për çka ai pret njohje të drejtpërdrejtë nga SHBA-të dhe BE-ja, e mandej edhe nga vendet fqinje e të tjera. Me këtë rast Presidenti Rugova priti në Rezidencën e tij kryetarin e Këshillit Drejtues dhe kryeredaktorin e Rilindjes, Behlul Jashari, i cili ia dhuroi Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të kësaj gazete tradicionale të Kosovës, të punar me ar e argjend nga argjendarët e Prizrenit, qytetit historik ku më 12 shkurt 1945 doli numri i parë i gazetës së parë të Kosovës. Presidenti Rugova dha përkrahjen e plotë për
të drejtën dhe ridaljen e Rilindjes duke e vlerësuar “pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar dhe do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës”. Presidenti Rugova uroi për Jubileun e gazetës Rilindja, e cila gjatë gjashtë dekadave, është në jetën dhe në familjet e kosovarëve.
RILINDJA: Z.President, Pavarësia e Kosovës, nga një vizion e kërkesë e dëgjuar fillimisht nga Ju para më se 15 vjetëve, për çka populli i Kosovës në shtatorin e vitit 1991 u deklarua edhe me referendum me 99, 87 për qind të votave, tashmë është bërë çështje debati apo edhe angazhimi ndërkombëtar. Në Bruksel, në konferencën “Kosova drejt statusit final”, u tha se ka ardhur koha që statusi final i Kosovës nuk mund të presë më, ndërkohë që Grupi Ndërkombëtar i Krizave, edhe në Raportin më të ri për Kosovën, zgjidhje sheh Pavarësinë. Si i vlerësoni këto zhvillime?
PRESIDENTI RUGOVA: Këto zhvillime të fundit i vlerësoj pozitive, sepse që gjashtë vjet pas luftës në liri, ne kemi bërë progres, prandaj edhe bashkësia ndërkombëtare, shumë institucione të ndryshme ndërkombëtare, kanë kuptuar se Pavarësia duhet të bëhet edhe të realizohet sa më shpejt, çfarë do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës. Dhe, natyrisht, atë që e përmende ti, prej një vizioni, prej një vullneti, që ishte i popullit, dhe që u vërtetua më 1991, pastaj periudhat që erdhën më vonë, ishte një çështje që u ngrit dhe u avancua me organizimin tonë që e bëmë, që u organizuam si popull, si shoqëri, si shtet. Dhe, jemi sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e Pavarësisë së Kosovës, që Kosova dhe populli i saj më në fund të jetë një anëtar i bashkësisë së kombeve të botës së lirë.
RILINDJA: Ky vit është paralajmëruar si Vit i Kosovës, shumë i rëndësishëm, madje edhe vendimtar. Çka do të sjellë vera, mesi i këtij viti, kjo kohë e caktuar nga komuniteti evroatlantik për Vlerësimin Gjithpërfshirës të Standardeve dhe çështjen e Statusit final të Kosovës?
PRESIDENTI RUGOVA: Shikoni, unë insistoj, edhe institucionet e Kosovës, që sa më parë të njihet Pavarësia e Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë, direkte, pra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Unioni Evropian, që pastaj do ta njihnin edhe fqinjët tanë. Kjo është rruga më e mirë edhe më e drejtë, edhe më e shëndetshme për situatën në këtë pjesë të Evropës dhe të botës. Ndërsa është pikëpamja tjetër, apo rruga tjetër ndërkombëtare, që të bëhet një vlerësim i progresit në Kosovë, i normave, apo që u thonë standarde, por ato janë, unë them, më shumë norma ndërkombëtare prioritare për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Dhe, natyrisht, tash do të jetë një vlerësim i kohëpaskohshëm. Ju e dini, Këshilli i Sigurimit ka bërë një vlerësim në fund të nëntorit, pastaj do të ketë edhe vlerësime të tjera, edhe vlerësimet që do të shkojnë gradualisht, edhe që do të thuhet se Kosova i ka përmbushur normat që janë paraparë dhe të bisedohet për Pavarësi, unë nuk po them statusi final me eufemizëm apo me diçka tjetër. Po, unë mendoj se kjo rruga që të njihet drejtpërdrejt është shumë më e mirë e më efikase dhe do të qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës, edhe po punoj në këtë rrugë, në rrugën e parë më shumë jam përqendruar, natyrisht edhe në rrugën e dytë që së bashku me bashkësinë ndërkombëtare këtu në Kosovë t’i avancojmë këto çështje.
RILINDJA: Që të arrihet me kohë dhe suksesshëm në cak, a ka edhe një fuqizim të dinamikës në ecje dhe prioritete në përmbushjen e Standardeve? Dhe, cilat janë prioritetet?
PRESIDENTI RUGOVA: Është stabiliteti politik, si për çdo vend që duhet të integrohet në Bashkimin Evropian, pastaj mbrojtja e minoriteteve apo e grupeve etnike, apo si doni t’u themi, dhe është edhe një reformim i administratës së përgjithshme, një reformim i pushtetit lokal, që kërkohet nga shumë vende për integrim në Bashkimin Evropian. Dhe ne, siç e dini, kemi filluar në këto çështje të punojmë që nga viti i kaluar, pastaj sivjet më shumë, është një dinamikë më e madhe e Qeverisë së re, natyrisht edhe e UNMIK-ut, sepse ne, së bashku me UNMIK-un, duhet t’i ecim këto punë, dhe me kalimin e kompetencave, duhet të zhvillohen këto më shumë. Po punojmë, pra, që të arrijmë dhe të bëhet një vlerësim pozitiv për afrim në Bashkimin Evropian sa më shpejt.
RILINDJA: Grupi i Kontaktit, që takohet rregullisht edhe në Prishtinë, ka theksuar domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së serbëve kosovarë në procesin politik në Kosovë, duke e vlërësuar këtë si rrugën më të mirë për zgjidhjen e shqetësimeve të ligjshme të tyre. Nga diplomatë perëndimorë krijimi i një shoqërie tolerante dhe multietnike shihet si një standard përmbyllës i të gjitha standardeve për Kosovën. Ju vazhdimisht angazhoheni dhe bëni thirrje që serbët e Kosovës të marrin pjesë në procese dhe të integrohen në institucionet e në shoqërinë kosovare. Si i vlerësoni zhvillimet në drejtim të këtyre kërkesave e qëllimeve?
PRESIDENTI RUGOVA: Shikoni, sa u përket komuniteteve, në këtë rast serbëve, ne i kemi vendet e rezervuara në Parlament për të gjitha minoritetet – 20 vende, 10 i kanë serbët, në Qeveri minoritetet tash i kanë 3 ministri – 2 serbët, një të tjerat. Ata duhet t’i marrin këto vende, dhe kanë filluar t’i marrin një grupacion i bashkësisë apo i minoritetit serb, dhe kjo është ajo jeta demokratike që mund të zhvillohet edhe brenda tyre, por edhe brenda Kosovës, dhe shpresojmë se do ta kuptojnë dhe do të marrin pjesë edhe në Parlament, ku një grupacion merr pjesë, dhe duhet edhe ata të vendosin të integrohen në shoqërinë e në shtetin e Kosovës. Prandaj, kjo është edhe e ardhmja e tyre. Dhe, ne nga ana jonë, i kemi kryer obligimet, edhe natyrisht si njerëz edhe si politikë, ne insistojmë dhe tregojmë gjithnjë e më shumë vullnet të mirë, por edhe ata duhet të tregojnë një vullnet të mirë për të punuar në institucionet e në shoqërinë e Kosovës.
RILINDJA: Ju vazhdimisht theksoni garancitë për të drejtat dhe interesat e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Në një Kosovë të ardhme me standarde të plotësuara që çojnë në integrimet evroatlantike dhe me status pavarësinë, që është vullnet i shumicës dërrmuese, çfarë do të jenë të drejtat dhe garancitë për të gjithë qytetarët, për të gjitha komunitetet?
PRESIDENTI RUGOVA: Do të jenë sipas normave ndërkombëtare, që janë paraparë në kuadër të Unionit Evropian, të OKB-së, pastaj edhe të normave tona brenda Kosovës – do të thotë garanci dhe mundësi të zhvillimit edhe të ruajtjes së identitetit të tyre. Prandaj, ne edhe në këtë gjendje që jemi, pra nën mbikëqyrje, nën administratë ndërkombëtare, kemi bërë mjaft. Sot, gjuhët e të gjitha komuniteteve përdoren në Kosovë edhe zyrtarisht edhe praktikisht, pastaj mos të flasim për mundësitë e ndryshme, në emisionet edhe në Televizionin Publik të Kosovës, radiot private, tekstet, shkollat. Plus, ne edhe i financojmë ekstra, për shembull, për komunitetin serb vendbanimet e tyre, që kanë buxhet special nga komunat përkatëse. Dhe, jemi mjaft tolerantë, që me kohë ata do të kuptojnë dhe do të fillojnë integrimin e tyre.
RILINDJA: A ka vend për frikën se Pavarësia rrezikon interesat e ndonjë komuniteti në Kosovë, siç mundohen ta paraqesin disa qarqe e propaganda?
PRESIDENTI RUGOVA: Jo, jo, s’ka frikë, sepse bashkësitë etnike, komunitetet, apo minoritetet, duhet të pranojnë edhe vullnetin e shumicës. Natyrisht, si shumicë, pra si shumicë shqiptare, ne do të kujdesemi të bëjmë një shtet me norma demokratike, me norma integruese të brendshme dhe me garantimin e të gjitha të drejtave.
Natyrisht, s’dua ta komentoj një propagandë negative që bëhet për një komunitet a tjetër, se ka frikë, etj. Por, mos ta harrojmë, është frika e shumicës, momentalisht, e shumicës shqiptare për të ardhmen. Prandaj, me njohjen e Pavarësisë do të hiqet kjo frikë dhe marrëdhëniet njerëzore do të relaksoheshin, do të ishin shumë më të lehta, sepse të gjithë e kemi përjetuar luftën, situatat e rënda, humbjet, etj. Dhe, unë po them, njohja e Pavarësisë do t’i rregullonte edhe marrëdhënet e brendshme. Edhe për minoritet, grupet etnike, është edhe një fitore, është edhe një përfitim nga Pavarësia. Në shtetin e Kosovës nesër do të jenë, edhe sot janë, deputetë, ministra, nuk mund të bëhen lehtë. Prandaj, janë edhe përfitimet praktike, njerëzore, që edhe ata do t’i kenë dhe do të jenë të garantuara.
RILINDJA: Ju vlerësoni se Pavarësia e Kosovës është edhe në të mirën e vendeve fqinje, se do ta qetësojë rajonin. Si janë kuptuar dhe pritur këto mesazhe Tuajat në fqinjësi?
PRESIDENTI RUGOVA: Në fqinjësi, me Shqipërinë kemi marrëdhënie të mira, siç e dini, të gjithë shqiptarët në këtë pjesë të Evropës dhe të botës, janë deklaruar për Pavarësinë e Kosovës, do të thotë e përkrahin vullnetin politik.
Me Maqedoninë, kemi marrëdhënie të mira në ngritje e sipër, edhe atje tash ka mendime më pozitive se, nuk iu pengon Pavarësia e Kosovës. Mali i Zi në heshtje, ne kemi marrëdhëine të mira në qarkullim, etj.
Ndërkaq, për Serbinë dihet, ata i kanë ato pretendimet e tyre, ngarkesat historike, etj., që dëshirojnë të dominojnë, etj. etj. Por, do të ishte mirë edhe për vetë Serbinë që, ata do të merreshin me punët e veta dhe nesër ne të gjithë si vende të pavarura, pra Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi nëse do veç apo bashkë me Serbinë, Serbia, Bosnja, të integrohemi, të jemi në Unionin Evropian, dhe kjo është zgjidhja më e mirë, edhe perspektiva e të gjithëve, do të kishte efekt pozitiv për të gjithë fqinjët tanë. Këtë, një pjesë e fqinjëve, pjesa më e madhe, kanë filluar ta kuptojnë.
RILINDJA: Ju lutem, çfarë janë tash marrëdhëniet e Kosovës me vendet fqinje dhe si i shihni në të ardhmen marrëdhënet e një Kosove të pavarur me fqinjët e saj, shtetet e tjera në rajon?
PRESIDENTI RUGOVA: Po, gjithsesi, me njohjen e Pavarësisë do të ndërtojmë më lehtë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe do të ndërtojmë. Unë thashë, me Shqipërinë janë të mira, me Maqedoninë janë në ngritje e sipër, me Malin e Zi ka marrëdhënie, me Serbinë momentalisht janë të bllokuara, sepse është një vend që nuk i njeh dokumentet e Kosovës, nuk e njeh ende atë që ka ndodhur pas vitit 1999, pas ndërhyrjes së NATO-s. Do të ndërtojmë marrëdhënie të mira me të gjithë, pastaj pas njohjes së Pavarësisë, është shumë më lehtë, sipas normave ndërkombëtare të fqinjësisë së mirë dhe të interesit reciprok.
RILINDJA: Marrëdhënet e realiteteve të reja mes Kosovës dhe Shqipërisë, edhe sipas shumë vlerësimeve, janë bërë shembull për rajonin. Ky zhvillim erdhi pas thyerjes së kufirit të hekurt që ekzistonte një periudhe të gjatë të kufizimeve të mëdha dhe ndalimeve të marrëdhëieve dhe komunikimeve. Si e shihni të ardhmen e këtyre dy vendeve, jo vetëm në marrëdhëniet e tyre, por edhe në integrimet evroatlantike?
PRESIDENTI RUGOVA: Po, ne gjithsesi do të kemi gjithnjë e më shumë marrëdhënie të mira me Shqipërinë në të gjitha fushat. Ju e dini, tashmë kemi edhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë, pastaj, marrëveshje të ndryshme për bashkëpunim ekonomik, kulturor, etj., dhe gjithsesi do të ndikojë pozitivisht ndërtimi, nuk është e tepërt ta themi, i Autostradës Prishtinë – Durrës, që do të hapte edhe një lidhje tjetër të Kosovës me botën. Dhe, gjithsesi synimet tona, të të dy vendeve, janë integrimi në Bashkimin Evropian, pra Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera, dhe kjo është perspektiva dhe në këtë plan po punojmë me të gjithë.
RILINDJA: Ju lutem, edhe një pyetje që ka të bëjë me të ardhmen: Si e shihni zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve edhe në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës? Në fillim të viteve 90-të, këto çështje ishin të përfshira në Dokumentin e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, që Ju e udhëhiqnit, dhe vlerësohet se në realitetet e reja janë apo do të jenë në proces të realizimit.
PRESIDENTI RUGOVA: Ai është një dokument i rëndësishëm, si i themi Dokumenti i tri opcioneve që ishin atëherë. Dhe, natyrisht, koha e vërtetoi se opcioni për Kosovën e pavarur doli zgjidhja dhe mori legjitimitet gjithnjë e më të madh edhe tek ne edhe në botë. Dhe, siç e dini, atje, në atë dokument, insistohet që shqiptarët në Maqedoni të jenë element i shtetit të Maqedonisë, që ka filluar të realizohet, pastaj shqiptarët në Mal të Zi të kenë administratën e vet dhe të gjitha të drejtat, e po ashtu edhe në Luginën e Preshevës. Tash ka progres edhe në Mal të Zi, në Luginë të Preshevës gjërat po shkojnë më ngadalë, por ka një progres të vogël në këto çështje dhe natyrisht do të insistohet që të realiziohen. Pra, ky ishte ai vizioni që e patëm atëherë dhe që po funksionon. Dhe, mund të them, ishte dokumenti që shqiptarët e kuptuan se duhet të organizohen, duhet të forcohemi gjithkund aty ku jemi. Sot, edhe njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës.
RILINDJA: Z. Presidenti, Ju falenderojmë shumë për këtë intervistë për gazetën tradicionale të Kosovës “Rilindja”, që në këtë 12 Shkurt ka Ditën e Jubileut të 60-vjetorit. Kemi edhe një falenderim të madh për përkrahjen Tuaj për krijimin e kushteve për punën e “Rilindjes”, të drejtën legjitime të saj.
PRESIDENTI RUGOVA: Unë Ju përgëzoj për këtë përvjetor Jubilar, pra 60-vjetorin e Rilindjes, dhe dëshirojmë që kjo gazetë sa më shpejt të konsolidohet. Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Ne duhet të kemi edhe mjete të informimit të formave të ndryshme, mund të gjejë, ta ketë atë formën të një informacioni dhe prezentimi të çështjeve shtetërore, nëse nesër do ta pranojë Rilindja apo dikush tjetër. Dhe, gjithsesi do të gjendet në mozaikun e masmeriumeve të Kosovës. Ne do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe do të ndihmojmë në këtë plan dhe do t’ju përkrahim. Rilindja është një gazetë që është një pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës në përgjithësi. Natyrisht, tash edhe Rilindja duhet të gjendet në këtë çështjen e tregut të mediumeve. Dhe, duhet t’i ketë ato të drejtat që i takojnë si shtëpi botuese, ose si shtëpi informacioni. Sepse ishte një gjigant i masmediumeve, i botimeve për atë kohë, e sot, tash, duhet ta gjejë rolin e vet si gazetë, e të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës. Prandaj, do të keni përkrahjen tonë dhe do të shikojmë gjitha mundësitë administrative si do të ecin.
Pra, Urime edhe një herë dhe Gëzuar!
RILINDJA: Shumë faleminderit Z.President.
***
SHENIM-ME RASTIN 12 SHKURTIT 2016, DITËS SË 71-VJETORIT TË GAZETËS TRADICIONALE TË KOSOVËS RILINDJA: 14 VJET DËBIM DHE MBYLLJE, SHKELJE E RËNDË E TË DREJTËS, E PASHEMBULLT NË BOTËN E LIRË E DEMOKRATIKE/
Me rastin e 12 shkurtit 2016, ditës së 71-vjetorit të numrit të parë të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja dhe 21 shkurtit të 14-vjetorit të dëbimit të kundërligjshëm, të padrejtë e të dhunshëm të kësaj gazete nga Pallati Rilindja që i bëri UNMIK përkujtojmë:
Në 23 majin e vitit 2014, pjesë e vendimeve të qeverisë ishte edhe vendimi përfundimtar i shpronësimit për interes publik të ngastrave kadastrale në të cilën ndodhen objektet e Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja, e në këtë kuadër Pallati Rilindja tash ndërtesë qeveritare.
Pas shpronësimit dhe në kuadër të procesit të ligjshëm të privatizimit pritet e kërkohet edhe ridalja e gazetës së përditëshme tradicionale të Kosovës Rilindja, e cila ka nisë të dalë në Prizren para 71 vitesh, në 12 shkurt 1945. Gazeta historike e Kosovës Rilindja, e cila ka filluar të dalë në frymën e Konferencës së Bujanit e me anagzhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, është mbyllur detyrimisht me dëbim të kundërligjshëm e të padrejtë nga Pallati i saj në Prishtinë nga administrata e UNMIK para 14 vitesh në 21 shkurt 2002. Pas kësaj date gazeta Rilindja ka dalë me numra protestues të jashtëzakonshëm, të kohëpaskohshëm.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave protestues para 7 viteve, në 30 dhjetor 2008, me numrin e festës së Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”, krahas titullit “Ministri Bajrami: Qeveria do të përkujdeset për Pallatin dhe për punëtorët e Rilindjes, e gatshme ta ndihmojë daljen e gazetës”.
Ky paralajmërim ishte si rezultat i këtij premtimi dhe të drejtës së ligjëshme, duke besuar se Rilindjen do rifillojë të dalë e pёrditshme edhe para privatizimit me statusin qё ka tё ndёrmarrjes shoqёrore, pas pёrfundimt tё rinovimit tё Pallatit Rilindja qё u bё.
Me rastin e rifillimit të punëve për rinovimin e Pallatit të Rilindjes, më 7 nëntor 2008, ministri i atëhershëm i Administratёs Publike, Arsim Bajrami edhe në konferencën e shtypit me atë rast theksonte premtimin për zgjidhjen e ligjshme që do duhej të bëhej edhe për gazetën tradicinale të Kosovës Rilindja.
“Pallatin e Rilindjes përkohësisht e merr Qeveria nën pëkujdesje, ne do të kemi përkujdesje edhe ndaj punëtorëve të Rilindjes. Punëtorët e Rilindjes i kemi pasë pjesë të procesit…” , theksonte ministri Bajrami.
Punimet për rinovimin e Pallatit të Rilindjes rifilluan pasi ai ishte lënë si gërmadhë nga e ashtuquajtura “zhveshje e brendshme”, pas vendimit të qeverisë së Kosovës të datës 15 shkurt 2005 për ndërprerjen e punimeve që po zhvilloheshin – anulimin e kontratës për renovim “për shkak të paqartësive juridike në lidhje me pronësinë dhe menaxhimin e objektit”. Kjo pasoi insistimet e vazhdueshme të Rilindjes dhe të Agjencisë Kosovare të Mirbesimit (tash Agjencisë Kosovare të Privatizimit) për pronësinë, si dhe përgjigjen në letrën zyrtare të Rilindjes me shkresë poashtu zyrtare përkrahëse të kreut të UNMIK-ut, kryeadministratorit, Harri Holkeri, në 3 nëntor 2003. Holker në letërën dërguar gazetës Rilindja shkruante edhe se, “UNMIK-u do të bëjë gjithë çka është e mundur për të gjetur lokale alternative në mënyrë që kompania juaj të rifillojë punën në sektorin medial”, duke mbështetur edhe në të drejtën e pronësisë, të shkelur nga kryeadministratori para tij, Hans Haeekerup, në kohën e të cilit gazeta e përditëshme tradicionale e Kosovës Rilindja u dëbua nga Pallati i saj.
Meqë edhe pas rinovimit të Pallatit nuk u përmbushën premtimet dhe nuk u bë zgjidhja e duhur e ligjshme për Rilindjen, kjo gazetë iu drejtua atëherë zëvendëskryeministrit dhe ministrit edhe aktual të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili në përgjigjen me shkresë zyrtare tё datёs 2 maj 2012, shprehte sigurime institucionale në emër të qeverisë dhe personale “pёr zgjidhje tё drejtё dhe ligjore tё problemit tё objektit dhe tё punёtorёve tё Rilindjes”…
Në letrën zyrtare të 12 shkurtit 2014 drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja, mes tjerash, ka theksuar:
“Emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse 70 viteve, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.
Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin, madje pa asnjë ndërprerje dhe në objektet ku kanë qenë.
Por, në rrethanat tona kur Pallatin Rilindja e ka marrë qeveria dhe duhet ta kompensojë, ne privatizimin e gazetës nuk e lidhim me objektin. Kush e blenë gazetën – të drejtën për të qenë trashëgimitar i ligjshëm i emrit dhe traditës së Rilindjes, siguron vetë lokalet e punës”.
…..
Korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli, Behlul Jashari, ishte kryeredaktor i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit të kundërligjshëm e të padrejtë nga Pallati i Rilindjes nga administrata e UNMIK-ut.

Filed Under: Histori Tagged With: "RILINDJA" E KOSOVES, 71 VJET HISTORI...DHE INTERVISTA ME, Gazeta, PRESIDENTIN RUGOVA

Sekretari Kerry, tre mesazhe, takime vetëm me Ramën dhe Bashën

February 11, 2016 by dgreca

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry nuk do të qëndrojë shumë gjatë në Tiranë të dielën, por mesazhet e tij do të jenë shumë të rëndësishme. Zyrtarisht, shefi i diplomacisë amerikane vjen në Tiranë për të shënuar 25-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Dhe si në çdo festë, një falenderim nuk ka për të munguar nga aleati më i madh strategjik i Shqipërisë, i cili, si në rastin e ujgurëve, i është gjendur amerikanëve për të zgjidhur edhe një tjetër problem delikat të saj, strehimin e anëtarëve të opozitës iraniane, që gjenden nën mbrojtjen amerikane në kampin “Liria”, në Irak. Çështja e muxhahedinëve iranianë është pika e parë e axhendës së sekretarit amerikan të Shtetit dhe mësohet se ai do të falenderojë qeveritë e Shqipërisë që, në të kaluarën dhe tani, kanë marrë përsipër të strehojnë anëtarët e opozitës iraniane. Disa vjet më parë, qeveria e kryeministrit Berisha mori përsipër të strehojë mbi 200 muxhahedinë, ndërsa tani qeveria e kryeministrit Rama ka rënë dakord të marrë përsipër strehimin edhe të 1 mijë iranianëve të tjerë, nga rreth 2.800 që janë aktualisht në kampin “Liria” në Irak. Kjo është një çështje që ka marrë paraprakisht edhe dakordësinë e opozitës në Shqipëri. Dhe jo rastësisht, në axhendën e takimeve të sekretarit amerikan të Shtetit, të paktën deri tani, janë përfshirë vetëm dy persona, kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha. Por këta dy persona janë gjithashtu edhe dy personat më të lartë politikë në vend, ndaj me ta, John Kerry ka në axhendë të diskutojë edhe rëndësinë e reformës në drjetësi. Kjo është pika e dytë e rëndësishme e axhendës së Kerryt në Tiranë. Burime diplomatike dhe politike konfirmuan se kjo pjesë e mesazheve që prek drejtpërsëdrejti politikën e brendshme në Tiranë është e detajuar dhe e mirëmenduar për mënyrën sesi do të artikulohen mesazhet. Por Kerry ka edhe një pikë të tretë shumë të rëndësishme. Kosova do të jetë një nga temat që ai do të diskutojë me kryeministrin Edi Rama, duke i kërkuar një rol më aktiv të Shqipërisë, veçanërisht pas zhvillimeve shqetësuese në Kosovë, në prag të protestës së paralajmëruar të opozitës, në përvjetorin e tetë të pavarësisë dhe të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Burime të qeverisë thone se me këtë ka lidhje edhe darka e së premtes në Tiranë mes kryeministrit Rama dhe ministrit të Jashtëm kosovar, Hashim Thaçi. Edi Rama e përmendi këtë fakt në një postim në Twitter po atë natë, gjatë darkës së mbajtur larg vëmendjes së mediave. Por, megjithëse disa ditë larg, efekti i vizitës së sekretarit Kerry u ndje që të mërkurën, kur me një shpejtësi të rrufeshme, projektligji i Byrosë së Hetimit, nga një mister, u kthye në një realitet konkret.

Filed Under: Komente Tagged With: axhenda, kerry ne Tirane

Takimi me ambasadoret, zgjedhje e presidentit te Kosoves

February 11, 2016 by dgreca

-Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim Ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, Ambasadorin e Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, si dhe Ambasadorin e Norvegjisë, Jan Braathu/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 11 Shkurt 2016/ Zgjedhja e presidentit të Kosovës do të jetë proces plotësisht kushtetues, demokratik, transparent dhe inkluziv. Kështu tha sot kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, cituar në njoftimin e dërguar nga takimet e veçanta me Ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, Ambasadorin e Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, si dhe Ambasadorin e Norvegjisë, Jan Braathu
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim Ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, Ambasadorin e Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, si dhe Ambasadorin e Norvegjisë, Jan Braathu.
Në këto takime u bisedua për proceset aktuale politike në vend, krizën nëpër të cilën po kalojnë raportet në mes pozitës dhe opozitës, me theks të veçantë reflektimin e tyre në punë e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Ambasadorët theksuan domosdoshmërinë që të hiqet dorë nga përpjekjet që përmes dhunës të diktohen vendimet politike, duke përfshirë këtu edhe zgjedhjet, sepse kjo bie në kundërshtim me parimet demokratike. Përpjekje të tilla janë duke e dëmtuar shumë imazhin e vendit dhe përparimin e Kosovës në zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin demokratik të shtetit, thekson njoftimi dërguar nga Kuvendi.
Kryetari Veseli nga ana e tij theksoi se vazhdon të besojë dhe angazhohet që fryma e dialogut dhe komunikimit në fund do të dominojë mbi të gjitha tendencat destruktive politike.
Në këto takime u bisedua edhe rreth procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të Republikës së Kosovës. Ambasadorët kërkuan që ky proces të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, ndërsa Kryetari Veseli theksoi se procesi i zgjedhjes së Presidentit të Kosovës do të jetë plotësisht kushtetues, demokratik, transparent dhe inkluziv, përfundon njoftimi.
Kuvendi i Kosovës ende nuk ka mbajtur asnjë seancë plenare në sesionin pranveror, duket në pritje të një zgjidhje për krizën politike, që po vazhdon nga fundvera e vitit të kaluar.
Në 22 janar 2016, Kryesia e Kuvendit të Kosovës mbajti mbledhjen e parë për sesionin pranveror, në të cilën ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, por nuk u përcaktua ndonjë datë për seancë plenare.
Opozita, e cila ka kërkesë edhe shpërndarjen e Kuvendit e shpalljen e zgjedhjeve të parakohëshme, ka ritheksuar se “thirrja eventuale e seancave plenare nuk i kontribuon zgjidhjes së krizës politike”, ndërsa ka paralajmëruar protestën e ardhëshme për në ditën e festës së 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës -17 shkurt, në Prishtinë.
Ndërkohë, Kuvendin e Kosovës e presin shumë punë, përfshirë zgjedhjen e Presidentit të Republikës, pasi Presidentes aktuale i kalon mandati pas më pak se dy muajsh, në 6 prill. Sipas Kushtetutës “zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”. Kushtetuta përakton edhe se, “nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh”.
Në 8 shkurt 2016, nuk kishte ndonjë marrëveshje, liderët ritheksuan qëndrimet e mbajtura deri tash, edhe pasi Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga zhvilloi një takim të përbashkët me drejtuesit e subjekteve politike parlamentare, për të diskutuar tejkalimin e gjendjes së krijuar në vend. Në tryezën e përbashkët të dialogut ishin liderët e dy partive më të mëdha të maxhorancës së koalicionit qeverisës, i LDK – kryeministri Isa Mustafa dhe i PDK – zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, dhe në këtë përpjekje të tretë të Presidentes që nga fundvera 2015, për herë të parë ishte edhe një nga tre liderët e opozitës, kryetari AAK-së, Ramush Haradinaj.
Derisa nuk ishin së bashku në tryezën te Presidentja Jahjaga, tre subjektet opozitare kanë bërë një deklaratë të përbashkët, ku theksojnë se “më 17 shkurt edhe një herë qytetarët e Kosovës do të bashkohen në një protestë mbarëqytetare” dhe se “zgjidhja janë zgjedhjet”.
Në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit 2015 me Serbinë, veçmas asaj për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, tre subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë dhe Nisma, me gjithësej 31 deputetë në parlamentin 120 anëtarësh, kanë organizuar protesta, aksione simbolike e manifestime, si dhe kanë bllokur Kuvendin e Kosovës edhe me hedhje gazi lotsjellës në sallën e seancave plenare e jashtë saj, ndërsa në këto zhvillime kishte edhe të arrestuar, përfshirë 13 deputetë opozitarë, të cilët ndërkohë janë liruar.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, takim me ambasadoret, Veseli

Paralizim i veprimeve të dobishme

February 11, 2016 by dgreca

Siç dukët dëshira për të vënë në dyshim faktin, që çdo politikan arrin ta kuptoj e miratoj vetëm ato ndjenja e veprime që qëndrojnë afër idealeve të tyre, që në të vërtetë në momentin aktual është diçka e “marrë” dhe alogjike/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Pavarësisht fjalëve që përsëritën papushim sa herë që këtë e kërkon nevoja e ragimit, kritikës, sugjerimit, këshillës, që nganjëherë, mund të jenë edhe të mërzitshme , apo edhe një shembull i padobishëm, megjithatë, gjithsecili po mundohet, po përpiqet që sado pak të ndikoj që me shkrime, opinione, analiza dhe forma tjera t’i kthej në rrugë të drejt liderët tanë politik, sepse kjo mënyrë e të vepruarit nuk i shkon për shtati mendësisë popullore e aq më pak rregullave e normave juridike. Nuk po bëjnë punë as “parimet” dhe veprimet e këtyre lakmitarëve për pushtet, ngaqë ata nuk po vërejnë se shteti për ta sikur tërësisht është i “ huaj” . Mirëpo, siç dukët dëshira për të vënë në dyshim faktin, që çdo politikan arrinë ta kuptoj e miratoj vetëm ato ndjenja e veprime që qëndrojnë afër idealeve të tyre, që në të vërtetë në momentin aktual është diçka e “ marrë” dhe alogjike. Tek njerëzit e zakonshëm mund të ndryshosh shumë gjëra, por vetëm nëse u flet me gjuhën që ata e kuptojnë, mirëpo siç dukët nga veprimet e politikanëve tanë mund të ndodh që ata kanë trashëguar një traditë “ mijëvjeçare” “ kapadaillëku”, në vend që do të duhet të ndodhte e kundërta. Njerëzit e këtij niveli të shkollimit, jo të gjithë, do të duhej të ishin besimtarë, bujar, bashkëpunues, por edhe patriot për t’i shërbyer sa më mirë popullit, i cili për këtë arsye ka dhënë votën. Pra, sjellja e tyre nuk duhet të jetë “ luftarake”, por duhet të jenë mbrojtës i të “ dobëtëve” dhe “ kalorës” të së drejtës, me një fjalë “Don Kishoti”. Nuk ka gjë më mirë sikur këta lakmitarë për pushtet të kishin dhënë shembulin si njeridashës, shpirtmirë dhe miqësor e jo të ndodh e kundërta, të urrehen, të xhelozojnë të hakmerren ndaj njeri- tjetrit. Ky polarizim kaq i thellë ndërmjet dy blloqeve ka çoroditur, ka prishur baraspeshën politike, ka paralizuar veprimet e dobishme në favor të gjetjes së rrugëve adekuate në drejtim të zgjidhjes së problemeve e mosmarrëveshjeve aktuale, sepse po vjen në shprehje kryenëçsia që po i bën të pabindur dhe të paarsyeshëm këta politikan. Ata në shpirtin e tyre janë shumë të trazuar e në anën tjetër shpërfillës ndaj kërkesave të shumta për të hapur rrugën e funksionizimit të institucioneve të shtetit e sidomos të Parlamentit, organin më të lartë ligjdhënës të vendit tonë. Do të duhej ta kishin një shqetësim shpirtëror dhe një parandjenjë të asaj që do të duhej t’i pllakoste më vonë. Ka të ngjarë. Por më i besueshëm me dukët hamendësimi se tek këta politikan pasqyrohet një ndrydhje se çfarë do të përjetojnë nëse ata nuk zgjidhen në postet që i ëndërrojnë. Dhe k jo trysni shpirtërore po i bën që ata të vuajnë dhe hera- herës, të humbin vetëbesimin dhe fuqinë e veprimit, kuptohet konform normave juridike dhe aktit më të lartë Kushtetutës.
Parlamenti do të duhej të ishte pikëkthesë e rëndësishme në jetën politike dhe shoqërore
Në të parë, liderëve tanë ju duket një ngjarje e vogël bllokimi dhe mbarëvajtja e Parlamentit të Republikës së Kosovës, por që po bën buj në opinionin e brendshëm e për shumë në atë të jashtëm. Në të vërtetë, Parlamenti do të duhej të ishte një pikëkthesë e rëndësishme në jetën politike, por edhe shoqërore sepse për herë të parë në historinë më të re të Kosovës ky organ e ka mundësinë që vetë të vendos e të sjell e miratoj ligje që po vlerësohen me standarde ndërkombëtare. Mirëpo, siç dukët lidrëve tanë po iu mungon parapërgatitja shpirtërore apo aftësia e nevojshme gjykuese, të cilët për shkak se nuk po i japin rëndësi se çfarë mund të ndodh me këtë ngërç institucional, vendin e kanë futur në një fazë të “ re” apo më mirë më thënë në një pikë më të dobët të funksionimit të sistemit institucional në përgjithësi. Veprimet e tyre shpesh po janë të çoroditura, që po prishin baraspeshën e të qenit politik si dhe po paralizojnë veprimet e nevojshme karshi situatës së krijuar.
Liderët duhet të zgjohen nga ëndrrat edhe pse pak si vonë
Mungesa e një bashkëpunimi të mirëfilltë pozitë- opozitë, vetëm sa po e ndryshojnë trajtën e të vepruarit kryeneç dhe asgjë më shumë. Kjo përplasje me realitetin sigurisht se po i kushton shumë shtrenjtë qytetarit, ngaqë politikanët tanë po ua vështirësojnë jetën, sidomos, gjeneratave të tashme, por jo edhe familjeve të tyre. Liderët tanë duhet të zgjohen nga ëndrrat, edhe pse pak si vonë, dhe të zbresin në tokë, të çlirohen nga lakmia e tepruar për pushtet, nga urrejtja, nga hakmarrja, kundrejt gjithëçkaje që është deshtake. Pra, gjërat duhet të kuptohen seriozisht dhe të gjykohen mirë e drejtë. Fërkimet e të gjitha llojeve, mungesa bashkëpunuese, keqkuptimet edhe për gjëra më të thjeshta, janë dukuri bashkëshoqëruese jo normale në këtë kohë për çdo këmbim mendimesh, idesh dhe për çdo veprim aq të ndieshëm në gjithë hapësirën kosovare. Është zor të themi se mos vallë janë këto “ pasojë” e papjekurisë shpirtërore, politike e shoqërore, apo në radhë të parë i “ zvetënimit” moral të tyre, që me kërkesat e tyre të “ pathemelta” po ia rëndojnë aq shumë jetën e qytetarëve dhe shtetit që ai të rritët e zhvillohet shëndetshëm. Në këto rrethana të krijuara askujt nuk po i shkon ndërmend të lëshoj pe, të bëhet bujar, të “ sakrifikoj” , të ndihmoj në ndërtimin e institucioneve të vendit dhe të gjitha lëshimet eventuale dhe dobësitë të tejkalohen aq sa është e mundur së bashku.
Asosacionit serb nuk duhet t’i lejohet marrja e kompetencave të komunave
Lidhur me asosacionin serb tashmë Kushtetuesja ka dhënë verdiktin dhe më askush nuk mund të punoj e veproj jashtë atij vendimi. Mirëpo, me duhet të them se në atë formën cfarë ishte paraparë me marrëveshje shihej qartë se ky asosacion merrte kompetencat e komunave, që pa dyshim se është në kundërshtim të plotë me aktin më të lartë juridik të vendit. Me sa me kujtohet, në marrëveshje është thënë edhe kjo se “ Zajednica” do të formohet në frymën e Kushtetutës dhe kështu duhet të jetë dhe pikë. Po ashtu, me kujtohet edhe deklarata e ish- presidentit serb Tadiq, i cili pati thënë ndër të tjera se nuk duhet të gëzohemi aq shumë se, megjithatë, asosacioni do të formohet konform ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Mendoj se rreth hartimit të statutit rolin kyq do të duhej ta kishte opozita, e cila besoj se do të ishte konstruktive në këtë drejtim. Po ashtu, edhe rreth demarkacionit opozita duhet të ofroj ekspert të saj dhe të punohet bashkërisht në eliminimin e gabimeve eventuale që do të mund të jenë evidente rreth përcaktimit të kufirit me Malin e Zi.
Sa është ëmbël më qenë në pushtet?!..
Me këtë rast me duhet të përkujtoj një shembull konkret se sa i ëmbël është pushteti, se sa ëmbël është të kesh një vend udhëheqës në politik. Një ish-koleg- gazetar në vitet e tetëdhjeta u zgjodh në një post të rëndësishëm në një komunë. Pas një kohe e takova me të dhe e pyeta: Pse u largove nga profesioni i gazetarit? Ai u përgjigjë: E nuk e di ti sa mirë ish me kanë udhëheqës. Me këtë po i kuptoj edhe liderët opozitar që ishin në pushtet e që sërish me të gjitha forcat po mundohen të kthehen aty ky iishin më parë, por edhe ata të pozitës që i kanë privilegjet e të qenit udhëheqës. Megjithatë, një gjë dihe se marrja e pushtetit bëhet vetëm me anë të votës dhe asesi në mënyra tjera.
Liderët sidomos të opozitës duhet të kenë maturi- situata mund të dalë nga kontrolli
Se si dhe në çfarë mënyre do të reagoj e veproj opozita, ajo vendos vetë. Mirëpo dhuna jo që është e pajustifikueshme, por është edhe e dënueshme. Pos kur është ndërruar sistemi në shtetet komuniste, në raste të tjera kurrë nuk është përkrahur ai që me dhunë ka marrë pushtetin. Mirëpo, ajo që me brengos mua është fakti se duke patur parasysh protestat e deritashme dhe përfundimin e tyre të dhunshëm, druaj, druaj shumë se situata mund të përkeqësohet shumë dhe të shkaktohen trazira të paparashikueshme. Në asnjë mënyrë nuk mendoj që të kundërshtoj këtë formë më demokratike të të shprehurit të pakënaqësive mirëpo përvoja e deritashme ka dëshmuar se ende nuk jemi të “ pjekur” që protestat të përfundojnë qetë ashtu siç i ka hije një populli të civilizuar. Në këtë frymë duhet të angazhohen edhe liderët opozitar, të cilët duhet që mospajtimet dhe kundërshtimet e tyre të shpalosin në Parlament, por edhe të kërkojnë mënyra të qarta për tejkalimin e tyre. Çdo eskalim i situatës do të jetë një barrë e rëndë për secilin lider politik, ndaj edhe kahet e aktivitetit të tyre duhet të orientohen që paqja të mbretëroj në gjithë hapësirën kosovare e të mos bëhemi horë para opinionit sidomos atij ndërkombëtar, të cilët mund të na fajësojnë se ne nuk dimë të mbajmë e të krijojmë shtet. Maturia tash për tash është gjëja më e mirë që mund të ndodh.
Dhe krejt në fund. Një qytetar u shpreh kësisoj: me keqardhje me duhet të them se jemi të detyruar të shohim me tmerr e neveri se si njerëzit që dëshirojnë të bëhen dikushi po mundohen të shqyejnë dhe të shkelin me këmbë shoqi- shoqin vetëm e vetëm se për të gjithë nuk ka vende udhëheqëse.

Filed Under: Analiza Tagged With: i veprimeve, Paralizim, te dobishme, Xhavit Citaku

NATO, plane për rritjen e pranisë në Evropën Lindore

February 11, 2016 by dgreca

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s tha se rritja e pranisë së aleancës në Evropën Lindore i dërgon një “sinjal të qartë” çdo agresori të mundshëm. Duke folur sot në Bruksel në prag të një takimi dy-ditor të Ministrave të mbrojtjes të NATO-s, zoti Jens Stoltenberg, iu referua qartë Rusisë dhe tha se “NATO-ja do t’i përgjigjet si një e vetme çdo agresioni kundër çdo aleati.” Që nga marrja e Krimesë nga Rusia rreth dy vjet më parë, aleanca ushtarake perëndimore ka qenë gjithnjë e më e shqetësuar se Moska mund të pushtonte me shpejtësi Poloninë apo shtetet baltike. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtmeruse Maria Zakharova tha të mërkurën se shtimi i pranisë ushtarake të NATO-s në krahun lindor të saj, më i madhi në Evropë që nga Lufta e Ftohtë, është një faktor destabilizues që synon të frenojë Rusinë.
Sekretari i përgjithshëm i Aleancës tha nga ana e tij se ministrat e mbrojtjespo shqyrtojnë kërkesën e Turqisë që NATO-ja të ndihmojë për të ngadalësuarfluksin e emigrantëve drejt Evropës. {Sh.K}.

Filed Under: Rajon Tagged With: NATO, në Evropën Lindore, plane për rritjen e pranisë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • …
  • 91
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT