• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2016

Vërshimet – deri kur ma kështu ?

March 9, 2016 by dgreca

Nga arch. Ylber Vokshi -Ylli/

 Nevojitën të reshura shiu ma të dendura që në Kosovë të kemi vërshime me pasoja të mëdha materiale e në disa raste edhe me viktima në njerëz,si në fshatin Kushavec-Dol të Gjakovës ku një individ humbi jetën. Nuk kaluan as dy muaj kur në Janar patëm vërshime shqetësuese në disa rejone të Kosovës si në Malishevë, Shtime,Lipjan,Drenas, Suharekë dhe në disa rrethe tjera. Organet ekzekutive shtetërore të nivelit qendror (Qeveria) dhe ati lokal (Komunat),u pajtuan vetëm me konstatimet e dëmeve që i kishte shkaktuar kjo dukuri e rrezikshme e natyrës e asgjë tjetër.

Nga qyteti i Pejës dhe regjionet tjera me 7 Mars na vijnë lajme shqetësuese se atje jeta normale urbane është paralizuar,ka vështirësi të mëdha në funksionim të aktiviteteve të përditshme në qytete, që përkon me pasoja të mëdha jo vetëm materiale. Ishin imazhet televizive nga të gjitha anët e Kosovës që treguan se cilën situate të tendosur mundet të krijon një ditë me shi, e përcjell me dëme të mëdha materiale të cilat po iu shkaktohen banorëve,pa përjashtim si në fshatra dhe qytetet tona. Kryeqyteti këtë herë kaloi ma lehtë,kryetari mobilizoi shtabin emergjent dhe si shenjë solidariteti i ofroi ndihmë Komunës së Pejës.

Zëdhënësi i Komunës së Pejës na informon se vërshimet në Pejë u evituan të jenë me pasoja ma të mëdha këtë herë,pasi ekipet nga shtabi i krijuar i emergjencës arritën të rrënojnë dy ura të bizneseve të ndërtuara mu mbi kanalin e Çakolicës,i ndërtuar në vitet e shtatëdhjeta për bartjen e ujërave të bjeshkëve,potenciale për vërshimin e qytetit. Kjo e tregon një të vërtetë të hidhët se në Kosovë,si rezultat i lejimit të veprimeve të tilla nga vetë ne, kemi dame të mëdha nga vërshimet dhe dukuritë tjera që i krijon natyra.

Pyetja elementare që duhen parashtruar vetvetes është përse e kemi pru veten në situatë të tillë, kur duhemi të frikohemi nga reshjet e rëndomta të shirave. Realiteti i ynë këtë po e vërteton, në këto vite ndërtimet e shumta janë përcjell me mangësi të mëdha teknike, posaçërisht në trajtimin profesional të ujërave atmosferike, si nga objektet e ndryshme të ndërtuara,po ashtu edhe nga sheshet publike,hapësirat private dhe publike si dhe rrugët komunikuese urbane dhe ndër urbane. Natyra din të dënoi shumë keq dhe rëndë,për fat tonin këto vite nuk ka pasur ndëshkime të tilla,edhe se në mënyrë  të turpshme jemi duke vepruar kundër saj.

Këtë herë prognozat e Agjencisë Evropiane për paralajmërimin e hershëm të vërshimeve dhe menaxhimin e tyre, e cila përmes Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK),i paralajmëroi të gjitha komunat në Kosovë,nuk ishin tërësisht të sakta. Për fatin tonë na “shpëtoi”nga sanimi i pasojave ma të mëdha që pa na shkaktojnë këto vërshime,që në rastin tonë po na përsëriten sa herë që ka shira ma të rrepta,pasi me mos punën tonë kemi krijuar teren të përshtatshëm për këtë. Ky duhej të ishte paralajmërim shumë serioz për të gjithë ne që jemi në limitet kritike me kohën, duhemi të ndërmarrim veprime konkretë të cilat do të na kushtojnë shumë,pasi që e kemi neglizhuar këtë problematike që 17 vite,për të evituar ndonjë katastrofë eventuale të natyrës që na kërcënon në çdo moment.

Ky institut na del vetëm me konstatime shterpe,shumë herë të përsëritura se “Këto vërshime janë pasojë e infrastrukturës së dobët që e ka pothuaj gjithë vendi. Prishja e shtratit të lumenjve dhe prerja e pyjeve në të kaluarën nga faktori njeri e ka sjellë këtë situatë, e cila do të na përcjell edhe më tutje.” A është e mjaftueshme kjo qasje e një institucioni shtetëror të nivelit qendrorë pas kalimit të stuhisë,sigurisht se jo, por askush nuk brengoset për këtë.

Janë dëshpëruese shpjegimet në opinion të Drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin i Emergjencave e cila vepron në kuadër të Ministrisë të Punëve të Brendshme (MPB). Pas 17 vite tenton të na shpjegon kompetencat e nivelit lokal dhe ati qendror,edhe se rregullativa ligjore që e mbulon këtë fushë ekziston që nga pas lufta, e definuar me ligje që nga viti 2006 ,e modifikuar,plotësuar në vitin 2013.  I kanë përpiluar edhe disa dokumente si “Sistemin e integruar të emergjencave për menaxhimin e rreziqeve” dhe “Planin e reagimit kombëtar”. Shtrohet me të drejtë pyetja sa është punuar në operocionaizimin,zbatimin e tyre në praktikë,deri me sot nuk kemi vërejtur diçka të tillë nga ana e pushtetit ekzekutiv (AME).

Të dy nivelet i kanë përgjegjësitë dhe obligimet mirë të definuar,por fati i keq i të gjithë neve është se ato nuk janë përfillur asnjëherë deri me tani. Komunat kanë autorizime vetëm për territorin e vet,kurse niveli Qendror – Qeveria ka obligime dhe përgjegjësi shumë ma të mëdha, pasi përfshinë tërë terrorin e shtetit,për atë ata edhe ekzistojnë e jo për “sy e faqe”. Mungon bashkëpunimi i sinqertë profesional i të dy niveleve,i cili ende vuan nga sindroma paternaliste e të kaluarës,që sot në botën e civilizuar është i tejkaluar, Si kanë vepruar dhe po veprojnë disa koka të krisura me mentalitet klanor,me përkrahje politike e jo profesionale,qartë po vërehet vitet e fundit. Mu këtu qëndron thelbi i problemeve të shumta në Kosovë që gjithsesi duhet tejkaluar në shekullin e 21-të,jo vetëm në fushën e emergjencave.

Në një territor prej afro 11 000 km2 të lejosh të ndërtohen mbi 350 000 ndërtime pa leje, është çmenduri të cilën askush nga profesionistët e paktë Kosovar nuk ka mundur ta imagjinoi. Janë këto bomba të kurdisura që kërcënojnë të shpërthejnë në çdo moment,pengojnë në mirëvajtjen normale të jetës pa rreziqe në zonat urbane dhe rurale në Kosovë. Ata që e dinë rëndësinë e planifikimit te territorit, lutën që mos të kemi fatkeqësi tjera të mëdha natyrore,për evitimin e të cilave kërkohet punë profesionale dhe shpenzim i madh i mjeteve materiale, të cilat në kushte normale do ti destinonim për projekte zhvillimore të shtetit, e kështu …

Të gjithë ne duhet të bindemi një herë e përgjithmonë se përpilimi dhe zbatimi Dokumenteve realiste Hapësinore dhe Urbane në nivelin lokal dhe qendrorë është parakushti kryesor për të parandaluar të gjitha fatkeqësitë natyrore që munden me atakuar territorin e vendit tonë. Ato dokumente duhet ti shërbejnë qëllimit të vetë,e jo të na shërbejnë si dekor në raftet  e Drejtorive Komunale të Urbanizmit dhe të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor të Kosovës,ashtu si kanë shërbyer deri me tani. Ka ardhur koha dhe domosdoshmëria për të ndryshuar qasjen ndaj kësaj problematike,u tepruar së tepërmi,prandaj pyetja që ma së shumti e bëjnë banorët e Kosovës është deri kur ma kështu ?

Neve banorëve të thjeshtë të Kosovë na mbet vetëm ti lutemi natyrës që të mos na ndëshkoi ma shumë, se sa po na ndëshkojnë faktorët vendimmarrës në Kosovë, në të gjitha sferat e jetë, kryesorja është tendenca për zhdukjen e dinjitetit dhe respektit njerëzor që e ka karakterizuar popullin Shqiptarë me shekuj.

Prishtinë                                                                             arch. Ylber Vokshi -Ylli

09.03.2016                                                                             arkitekt i pavarur

ylberv@gmail.com

 *Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: arch. Ylber Vokshi Ylli, kur ma kështu ?, Vërshimet - deri

Kosovë-Qeveria miraton buxhetet e komunave veriore

March 9, 2016 by dgreca

 Foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari: Qeveria e Kosoves ne mbledhje, 9 mars 2016/

Kosovë-Qeveria miraton buxhetet e komunave veriore/

-Pas riaprovimit nga Kuvendi Komunal i Zveçanit në përputhje me Qarkoret Buxhetore për vitin 2016 të lëshuara nga Ministria e Financave, qeveria e Kosovës sot miratoi kërkesën për aprovimin e buxhetit 2016 për këtë komunë.  Në mbledhjen e 2 marsit, qeveria kosovare ka miratuar buxhetet komunale për vitin 2016 për Mitrovicën Veriore, Zubin Potokun dhe Leposaviçin/

-Kuvendi kosovar mblidhet nesër në një seancë tjetër plenare me 18 pika në axhendë,  një prej të cilave është shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit për Integrime Evropiane lidhur me Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 9 Mars 2016/ Në Kosovë të gjitha 38 komunat, përfshirë edhe ato të veriut me shumicë serbe, kanë të miratuara buxhetet për vitin 2016. Kjo u konstatua sot në mbledhjen e qeverisë, ku u vendos miratimi i buxhetit për vitin 2016 edhe për komunën e Zveçanit pas riaprovimit nga Kuvendi Komunal në 29 shkurt 2016, në përputhje me Qarkoret Buxhetore të lëshuara nga Ministria kosovare e Financave.

Në mbledhjen e 2 marsit, qeveria ka miratuar buxhetet komunale për vitin 2016 për komunën e Mitrovicës Veriore, të Zubin Potokut dhe të Leposaviçit, pas riaprovimit të këtyre buxheteve nga ana e kuvendeve komunale të këtyre komunave poashtu në përputhje me Qarkoret Buxhetore të Ministrisë së Financave të Kosovës.

Mitrovica veriore, Zubin Potoku, Leposaviçi e Zveçani janë katër komunat e veriut nga 10 sa ka gjithësej në Kosovë me shumicë serbe, të cilat edhe me buxhetet integrohen.Në mbledhjen e sapombajtur qeveria kosovare miratoi edhe vendime të tjera  nga përgjegjësitë e saj kushtetuese dhe ligjore, përfshirë ndarjen e mjeteve financiare për Kuvendin e Republikës së Kosovës, për nevoja të blerjes së skanerëve.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin sipas të cilit do të obligojë të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të përdorin Sistemin Elektronik të Shpronësimit, në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë është aprovuar edhe Rregullorja për Riintegrimin e Personave të Riatdhesuar dhe Menaxhimin e Programit të Riintegrimit. Miratimi i kësaj rregulloreje është edhe plotësimi i njërit nga kriteret e marrjes së rekomandimit pozitiv për liberalizmin e vizave. Kjo rregullore ka për qëllim që të ndihmojë dhe të mbështesë riintegrimin e qëndrueshëm të personave të riatdhesuar në Republikën e Kosovës, si dhe të mbështesë zbatimin e Strategjisë për Riintegrim  të Personave të Riatdhesuar. Ajo, po ashtu, definon organet kompetente vendimmarrëse, zbatuese dhe koordinuese, dhe gjithashtu përcakton edhe procedurat dhe kriteret për përfitimet dhe ndihmën që gëzojnë të riintegruarit. Me këtë rregullore personat e riatdhesuar mund të jenë përfitues të ndihmës dhe mbështetjes në asistencë për vetëpunësim, përkatësisht financim i planbizneseve, pavarësisht datës së largimit të tyre. Kjo rregullore ka rëndësi edhe në rrafshin e përshpejtimit të rekomandimit, përkatësisht marrjes së datës për liberalizimin e vizave, u tha në mbledhjen e qeverisë. Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi sot mbledhjen e 78-të me 9 pika në axhendë, të 11-tën në vitin 2016, të cilin e nisi me dy mbledhje brenda ditës së 8 janarit.

Sot ishte mbledhja e tretë e qerverisë, nga ajo e 2 marsit, pa zëvendëskryeministrin e parë e ministrin e Jashtëm, në dy mandatet e kaluara kryeministër,  Hashim Thaçi, pasi ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në qeveri, pas zgjedhjes President Republike. Presidenti i ri do marrë dertyrën pas më pak se një muaji, në 7 prill, me dhënien e betimit në Kuvendin e Kosovës, i cili e zgjodhi në 26 shkurt, me 71 vota të gjithësej 120 deputetëve.

President i ri i Kosovës u zgjodh kryetari që nga fillimi e deri tash i PDK-së, Hashim Thaçi, sipas marrëveshjes së koalicionit të dy partive më të mëdha kosovare, që në 8 e 9 dhjetor 2014 i dha fund situatës së “ngrirë” dhe mundësoi konstituimin e Kuvendit e zgjedhjen e qeverisë gjashtë muaj me humbje kohe pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit, e që si rezultat i saj lideri i LDK-së, Isa Mustafa, u bë kryeministër.

Qeveria e koalicionit PDK-LDK, ku përfshihen edhe komunitetetet pakicë, vazhdon punën në vitin e saj të dytë, si edhe Kuvendi i Kosovës, përballur me kundërshtime të opozitës, e cila është shprehur e ka protestuar edhe kundër zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Në 4 mars 2016 opozita e bashkuar kosovare ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën që konteston zgjedhjen e Presidentit në seancën e kaluar të Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi kosovar mblidhet nesër në një seancë tjetër plenare me 18 pika në axhendë,  një prej të cilave është shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit për Integrime Evropiane lidhur me Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, e komunave veriore, Kosovë-Qeveria miraton buxhetet

Bloomberg nuk do kandidojë për president i SHBA

March 9, 2016 by dgreca

Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, pronar i grupit mediatik që mban emrin e tij, dhe një prej njerëzve më të pasur e me më shumë influencë në SHBA, Michael Bloomberg, ka deklaruar se nuk do të hyjë në garën për Shtëpinë e Bardhë. Bloomberg po shqyrtonte mundësinë të sfidonte Donald Trumpin e Hillary Clinton duke u përfshirë në garën për president të Shteteve të Bashkuara si kandidat i pavarur. 73-vjeçari që shërbeu për tri mandate si kryebashkiak i qytetit më të madh amerikan tha se me kandidimin e tij, vota popullore do të ndahej dhe se do të shkonte drejt një situate ku Kongresi duhej të vendoste për Presidentin e ri ë SHBA-ve. Dhe duke qenë se Kongresi kontrollohet në të dy dhomat nga republikanët, ekziston mundësia që me kandidimin tim të çojë në Shtëpinë e Bardhë Donald Trumpin ose Senatorin Ted Cruz dhe ky është një rrezik që nuk dua ta marr përsipër”, shkroi ai në një letër të publikuar në faqen e tij. Bloomberg ka kritikuar ashpër fushatën e kandidatit republikan, Donald Trump dhe demokratit Bernie Sanders, duke thënë se po përçajnë Amerikën me demagogjinë e tyre. 73-vjeçari, dikur një republikan që më vonë u deklarua i pavarur, shqyrtoi mundësinë e kandidimit edhe në vitin 2008, por braktisi përpjekjet pasi nuk arriti të sigurojë shumë mbështetje.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Bloomberg nuk do kandidojë, për president i SHBA

KOHA E MEDIOKREVE

March 9, 2016 by dgreca

Periudha posmoniste e njohur si e tranzicionit dëshmoi në mënyrë transparente gjendjen e përgjithshme shoqërore, duke përfshi edhe  krizën morale ku sinonim janë mediokrit  të cilët  janë bërë  virus shoqëror  për çdo mjedis në hapësirën etnogjeografike shqiptare, ku përjashtim nuk bëjnë as shqiptarët në Mal të Zi./

Shkruan: Dr.Nail  Draga/

Ne mjedise të ndryshme në periudhën e tranzicionit në vendet e ish kampit socialist janë duke u manifestuar kriza të ndryshme. Te gjithë jemi dëshmitarë se janë  te pranishme kriza ekonomike dhe ajo politike, por, vitëve të fundit është duke u manifestuar me të madhe një krizë e cila pothuaj është bërë epidemi shoqërore, e ajo është kriza morale. Nuk ka dilemë se kjo  është kriza me e rrezikshme nga vet fakti se për ta shëruar ate  duhen dekada të tëra.

Në vitet e para të pluralizmit, duke mos pasur përvojë  në qeverisje dhe në politikë në subjektet e ndryshme janë përfshi dhe angazhuar individ të ndryshëm të cilët qellim parësor kanë pasur përfitimet personale në momentin e caktuar. Ishte kjo kategori e cila ne ndryshimin e sistemeve  kishte shprehi për t iu përshtatur rrethanave të reja për përfitime personale. Por, poashtu, në gamën e gjerë të individëve të tillë bën pjesë edhe një kategori që janë mediokrit, por shumë të zhdervjellë për të arritur objektivat e tyre.

Me termin mediokër kuptojmë personat të cilët  janë me aftësi të kufizuara, që nuk shquhën për ndonjë zotësi, ose për ndonjë cilësi të veçantë. Por, janë pikërisht këto të cilët janë bërë të shumtë dhe të depertueshëm në veprimtaritë e ndryshme shoqërore për të arritur qellimin e tyre, apo  të personave e klaneve me të cilët bashkëpunojnë.

Nëse në fillim pjesëmarrja e një kategorie te tillë ishte e papërfillshme sepse kishim të bënim me militantë dhe një populizëm të turmave, me kalimin e kohës medokrit u bënë  virus shoqëror, duke u bërë dukuri shqetësuese. Kjo kategori ishte e pranishme kudo, por në veçanti në subjektët e koalicioneve të shumicës qeverisëse. Dhe s ka si të jetë ndryshe se para dhe gjatë zgjedhjeve lokale apo qendrore, mediokrit kanë pozicion të veçantë me strategji të veprimit, për të arritur objektivat e tyre. Për hir të së vërtetës, mediokrit kanë qenë të pranishëm edhe në monizëm, por me një mundësi kufizuese me mimikri veprimi, ndërsa në rrethana të reja në pluralizëm  morën përmasa   tjera, duke dëshmuar vetën se si janë në realitet.

Sa me e madhe të jetë kriza politike e ajo ekonomike mediokrit  marrin  përmasa të gjëra në të gjitha veprimtaritë si në kulturë, sport, art e sidomos në politikë. Eshtë pikërisht politika si ajo lokale e qendrore ku përmes lidhjeve e klaneve  të ndryshme  depertojnë kudo, e madje mendojnë  se  dijnë çdo gjë, duke u bërë sinonim i antivlerave shoqërore.

Mediokrit po ashtu profil të veprimit të tyre kanë lidhjet, nepotizmin, madje bëhën sekser për të kryer punë të ndryshme, në lidhje me struktura të ndryshme të administratës, nga më të ultit e deri më të lartit.

Nuk duhet anashkaluar edhe një  cilësi të veçantë të tyre që është  qasja ndaj   shpifjeve kundër  të tjerëve, sidomos ndaj personave me vlera, nga vet fakti se nuk janë afër tyre me asnjë cilësi profesionale dhe njerëzore.

Edhe pse janë të tillë, ashtu si janë ata nuk ngurrojnë madje të marrin guximin të vlerësojnë, të gjykojnë e madje të propozojnë individ në poste të ndryshme kadrovike. Nuk ka si të jetë ndryshe sepse vetëm me persona identik  ata mund të manipulojnë dhe të përfitojnë në forma të ndryshme.

Dhe në situata të tilla të krizës shoqërore dhe ekonomike, ku vlerat morale janë zbehur shumë, mediokrit për fat të keq paraqesin shumicën, ndërsa vlerat kanë mbetur në pakicë, apo thënë me gjuhën e politikës vlerat kanë mbetur  opozitë e shoqërisë në përgjithësi.

Janë pikërisht këto rrethana kur në politikë janë angazhuar në mënyrë aksidentale një numër i konsideruar individësh, të cilëve iu mungon kapaciteti profesional, demokratik e ai moral. Madje të tillët janë vendosur në vende udhëheqëse, ku si meritë kryesore kanë përkatësinë dhe degjueshmërinë partiake. Andaj më të drejt themi se vetëm në politikë askushi mendon së bëhët dikushi.

Por, duke analizuar periudhën e tranzicionit disa individ meritojnë respekt  të veçantë  të cilët dëshmojnë profesionalizëm, guxim dhe qasje parimore, por për fat të keq numri i tyre është shumë i vogël, të cilët edhe pse janë asete shoqërore janë  me ndikim të kufizuar.

Pra kemi të bëjmë me kohën e mediokrëve  që është fatkeqësi shoqërore për kohën tonë dhe brezat që do të vijnë pas nesh. Është koha kur  dominojnë antivlerat e jo vlerat  shoqërore e deri kur mbetet çështje për diskutim.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: DR. NAIL DRAGA, KOHA E MEDIOKREVE

Nen hijen e tejzgjatun te krimeve te Stalinit…!

March 9, 2016 by dgreca

Nga  Sami Repishti/

Ridgefield, CT. USA.-Pak dite ma pare, ne Shqiperi u perkujtue nji nga ditet ma te zeza e ma kriminale ne historine bashkekohore te vendit tone: masakra e 26 shkurtit 1950. Viktimave te pafajshme, deshmore te demokracise, lavdi dhe paqen e perjeteshme qe aq shume e meritojne!

Ate dite fatale, 22 intelektuale me pergatitje arsimore perendimore dhe figura te shqueme te shoqenise shqiptare u ekzekutuen pa gjyq, pa faj, pa mbrojtje. Qellimi i zyrtareve te Partise Komuniste Shqiptare, -krijese artificiale e agjenteve titiste jugosllave,- me ne krye kriminelet Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, ka qene me manifestue botenisht dhe ne menyre te pakthyeshme, besnikerine e pakufishme te “liliputeve” komuniste shqiptare per “kolosin” e Bashkimit Sovjetik  satrapin aziatik J.V.Stalin, “koka e kampit te madh socialist”, simbol i sistemit te padrejtesise, i dhunes se perditeshme, dhe i çfarosjes masive te kundershtareve politike.

Masakra e 26 shkurtit 1950 ka qene akti publik i nenshtrimit pa kushte, pa hezitim, pa rezerva ndaj Bashkimit Sovjetik e  “udheheqsit” te ketij kampi, J.V.Stalin. Frazeologjia e nenshtrimit pa kushte nuk ashte origjinale shqiptare. Ne Statutin e Partise se Re Komuniste Jugosllave (staliniste) parti klandestine pro-sovjetike, lexohet:

Neni 1. Partia e re Komuniste Jugosllave do te punoje pa kondita, pa rezerva, pa hezitim per Bashkimin Sovjetik”; dhe

Neni 2. Partia e re Komuniste Jugosllave do te luftoje pa kondita, pa rezerva, pa hezitim per Bashkimin Sovjetik”. Keshtu e deshi Stalini!

Mbas prishjes se marredhanjeve Tito-Stalin, per Shqiperine komuniste kjo ka qene periudha e nenshtrimit te plote ndaj autoritetit te padiskutueshem te Moskes. Vendi i jone ishte thjeshte nji satelit!

Me prishjen e marredhanjeve, qershor 1948, edhe udheheqja e Partise Komuniste Shqiptare, e drejtueme nga kriminelet Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu e sherbetoret e tyne besnike, perfitoi nga rasti dhe doli jashte tuteles jugosllave, ku ata, dhe P.K.Sh. e kishin rreshtue Shqiperine qe ne ditet e luftes “nacional-çlirimtare”. Ish antifashisti mendje-ndritun, Profesor Gjergj Kokoshi, i  denuem ne vitin 1947 me njizete vjet burgim, si anetar i grupit (fiktiv) te deputeteve, perseriste ne burgun e Burrelit:”Ne jemi ma te poshter se fashisti Mustafa Kruja. Ai nuk e solli Italine fashiste; ai e pranoi dhe i sherbeu okupatorit. Por na e çliruem Shqiperine me 28 nandor dhe me 29  ia dorezuem Titos peshqesh”. Profesor Kokoshi vdiq ne burg!

****

Tri vjet ma pare, u botue studimi i historianes se mirenjohun Anne Applebaum,(autore e librit “Gulag”, fituese e çmimit prestigjoz Pulitzer)  me titull “Perdja e Hekurt- Shtypja e Europes Lindore -1945-1956” ku ajo dokumenton tmerret e terrorit stalinian, te makines vdeksore staliniane, e ideume dhe e manovrueme nga vete J.V.Stalini “…per shtypjen dhe kolonizimin e Europes Lindore ne dekadat e para te mbas L2B”. Gjithçka e dokumentueme, gjithçka arkivore si rezultat i punes kerkuese te panderpreme, intervista me te mbijtuemet, dhe perfundime plotesisht bindese.

Aty gjejme informatat tashti te dokumentueme mbi tankset sovjetike qe trasportojshin ne Poloni, Hungari, Rumani, Bullgari, Cekosllvaki dhe Gjermani Lindore agjentet e stervitun sovjetike, misioni i te cileve ka qene me krijue nji “kordon” shtetesh diktatoriale rreth Bashkimit Sovjetik dhe krejtesisht nen urdhnat e Bashkimit Sovjetik.  Per nji sukses te plote te kesaj ndermarrje duheshin “kuislinget e kuq” , “fasada e turpshme” e krimineleve fanatike e injorante njikohesisht, nji perziemje e rrezikshme dhe eksplozive qe, na shqiptaret, njohim shume mire. Keshtu u arrijte krijimi i nji klase politike bashkepunetoresh te indoktrinueme dhe te pa skrupull, te gatshem me sherbye interesat e padronit sovjetik.

Prishja e marredhanjeve me Titon ka qene thjeshte revoltimi jugosllav kunder ketij dominimi brutal sovjetik, nji akt historik qe nderon. Pavaresia e vendit zuni rradhen e pare mbi ideologjine., nji parim themelor qe “sub-sateliti Shqiperi” nuk e aplikoi kunder Titos!

Ne Shqiperi, gjate viteve 1944-48, nji fenomen i tille u perjetue me padronet jugosllave. Çdo gja u diktue nga Beogradi, dhe çdo kundershtim u denue pa meshire. Çdo pengese e akt mosnenshtrimi te plote ndaj Jugosllavise u zhduk me egersine e forces brutale te Sigurimit te Shtetit. “Pa Jugosllavine e Mareshalit Tito, as qe mund te mendohet pavaresia e Shqiperise”, deklaronte  nxanesi i Miladinit, E. Hoxha.

Kjo atmosfere e krijueme nen presionin e instruktoreve jugosllave dhe e zbatueme me besnikerine e nji qeni te stervitun, nga ish-kuislinget e kuq komuniste shqiptare te atyne viteve ashte pergjegjse para historise per krimet e panumerta dhe te pafaleshme qe u kryen ne kurriz te nji populli qe kundershtonte. Ishte pjesa ma koshiente e popullsise: popullsia e Veriut anti-sllav e figurat e shqueme te levizjeve patriotike te Jugut u bane objekti i pare i çizmes shtypese “partizane” qe vrau pa pyet, dogji pa ndergjegje shtepi e fshate te tana kudo qe kalonte dhe mbushte burgjet e kampet e internimit, sidomos keto te fundit, me pleq, gra e femije ”reaksionare”….per 45 vjet me rradhe! E llahtareshme!

Kleri, sidomos kleri katolik shqiptar, u ba objekti i dyte. Kjo qender rezistence shekullore qe mbajti te gjalle me shekuj “frymen shqiptare”,  e refuzoj shkeputjen nga Perendimi me lidhjet e panderpreme fetare e kulturore, diga ma e forte kunder invadimit sllav te trojeve tona, u shue ne sherbim te binomit “Fe e Atdhe”.

Intelektualet e pakte te arsimuem ne qendrat universitare europiane me formim demokratik, dhe shpresa ma e madhe e vendit tone per nji ri-hymje ne Europe, u korren rradhe mbas radhe, vetem per bindjet e tyne politike, per qendrimet e tyne pro-demokraci, e per mospranim te konformizmit te detyruem qe kerkonte “Nena Parti!” Ky teater terrori u percaktue, metaforikisht, nga stalinisti ma i bindun i Europes Lindore, hungarezi Matias Rakosh: ”opozitat ne fushen politike, ekonomike, kulturore dhe shoqenore duhet te shkaterrohen si mish i grire ne maqine…” Dhe,  ashtu u veprue!

Kesaj perçudnie makabre i mbante ison kuislingu shqiptar:

“Te asgjesohen pa meshire nacionalistet dhe reaksionaret shqiptare, brenda dhe jashte atdheut, pa treguar as me te voglen tolerance. Enver Hoxha”. (Arkivi i F.A.-Dosje 45,v.1944)

Anne Applebaum tregon se ”thikat” per nji coptim te tille u mprehen para mbarimit te L2B ne qendrat speciale sovjetike, veçanerisht per stervitjen e komunisteve te Europes Lindore. Ne kete menyre, me “çlirimin” e ketyne vendeve, agjente te besueshem do te ishin te afte me marre ne dore sherbimet e fshehta policore ne çdo vend te “çliruem”. Hapi i dyte ishte marrja ne zotnim e mjeteve te informimit: radio-stacionet, gazetat, revistat e tjera si mjet i plotefuqishem per propaganden e perditeshme, dhe indokrinimin e popullsise. Hapi i trete, ishte persekutimi dhe eliminimi i te gjitha institucioneve te pavaruna, qe nga grupet e rinise, shoqatat bamirese, shkollat private, kishat e sidomos shkaterrimi i partive politike rivale.

Metoda te njejta u perdoren edhe nga “kuislinget” komuniste shqip- tare nen drejtimin e agjenteve te stervitun jugosllave ma pare, dhe sovjetike ma vone. Fatkeqsisht, egersia e tregueme ne shtypje dhe persekutim ka pase vule shqiptare….hakmarrjen! Pikesynimi? Eliminimi i çdo pengese ne menyre sa ma te plote dhe sa ma shpejt. Arsyeja? Pergatitje per “Luften e Trete Botenore”: luften e fundit, luften finale, boten internacionale! Dokumentacioni i arkivave sovjetike konfirmon kete teze.

Kete pershtypje kam pase edhe une gjate hetuesise 14 mujore ne dhomat e Sigurimit. Qartazi, kapiteni hetues, injorant e fanatik, perseriste para meje materialin e “konferencave edukative”. “Ju krenoheni me bomben atomike amerikane, Per se shpejti, Bashkimi Sovjetik do te prodhoje bomba edhe me te medha, edhe me shume”. “Ju prisni fillimin e nje lufte te trete boterore qe te liroheni nga burgu. Ju nuk dilni te gjalle nga burgu…Sa per luften e trete, ajo do te filloje kur t’a duam ne…. dhe do te jete fitorja e jone finale…”

Mandej me gjestin e nji inkuizitori superior mbi viktimen e dermueme, shtonte: ”Por me pare, do te spastrojme terrenin…te mos kemi kokeçarje me vone…e ju… do te ju eliminojme pa meshire!” Natyrisht, une i ri njizete vjeçar ishe i pa afte me kuptue randesine e bisedes se kriminelit hetues.

Ne fakt, satrapi aziatik J.V.Stalin pergatitej me leshue nji ofensive drejte Perendimit me 200 divizionet e vendosuna ne Europen Lindore.. Por efekti i fjaleve te hetuesit me ashte ngule ne kujtesen time. Sot, mund te them me nji perqindje te madhe se “grirja me maqine” rakoshiane pa meshire e udheheqesve vendore e politike te Veriut te Shqiperise ashte krye me instruksione nga jashte, kunder nji mase popullore historikisht anti-serbo-malazeze.

Qendresa e Kelmendit dhe “Levizja e Malesise se Madhe” (1945) dhe nji vit ma vone “Levizja e Postribes (1946) u shfrytezuen per pastrimin radikal te elementit  demokratik, nacionalist, te kulturuem: qindera, ndoshta mijera te vrame pa faj e pa gjyq per tmerrin e popullsise lokale. Nuk ashte per t’u çudite qe kjo popullsi e viktimizueme e shikoi ardhjen e “brigadave partizane” si nji pushtim te Veriut nga Jugu. Komandantet e brigadave komuniste mbajten nji qendrim te ketille…!

Ne Europe, ne pergjithesi, u perjetue ringjallja e imperializmit rus me okupimin e tokeve polake, shtetet baltike, territore finlandeze, sllovake  e rumune etj. Ne nivel te dyte, ne Ballkan, u perjetue themelimi  i nji Jugosllavie te dyte artificiale dhe mohimi i se drejtes se shqiptareve per vete-vendosje. E gjitha kjo me aprovimin e “kuislingve te kuq” te Tiranes.

[Çuditerisht, natyra e imperialzimit rus u njoh ma shume se 150  vite ma pare. Gazeta The New York Daily Tribune shkruente: “Politika ruse nuk ndryshon. Metodat, taktika, manovrimi mund te ndryshojne, por ylli polar i politikes ruse – sundimi mbi te gjithe boten- ashte nji yll i fiksuem. Ka vetem nji rruge qe duhet ndjeke ne marredhanjet me Rusine, dhe kjo rruge ashte rruga qe nuk njeh friken (fearlessness).“ Autori? Karl Marx!(The NYTimes, 10 maj 1972, f.43]

Ashpersimi i gjendjes se mbas-luftes ne Shqiperi u shkaktue edhe nga tirania e çmendun e kryekriminelit E.Hoxha; tragjedia e jone kombetare mori perpjestimet e njohuna edhe per faktin se ish udheheqes te Luftes Nacional-Çlirimtare pranuen nenshtrimin e vendit ndaj “Partise”, qe efektivisht ishte “partia e njeshit” pa demokraci te mbrendshme. “Kendezi i Gjirokastres” nuk lejonte nji te dyte!

Ma ne fund, pa aftesia e sistemit te ekonomise se kontrollueme rigorozisht, dhe ringjallja e kryenaltesise kombetare prodhuen pakenaqsi, sidomos ne klasen punetore qe perfaqsonte justifikimin e vete sistemit. Rregjimi u shemb nga pesha e rande e krimit, se keqes se grumullueme nga pa aftesia me fitue mendjet dhe zemrat e popullsise, dhe me mbushe stomaket e shtresave te gjana te popullsise me buken e perditeshme. Ndergjegjsimi i nji situate te ketill kritike detyroi M.Gorbaçevin e B.S. me permbajte ego-n e imperializmit rus, me shkarkue barren e rande ekonomike te vendeve te deshtueme socialiste, e me kerkue “mirekuptimin” per nji sistem me mendime te hapuna (glasnost) dhe me forma organizative bashkekohore (perestrojka).

Po koha per nji korrigjim kishte kalue. Deshira per liri ishte e papermbajteshme. Ajo qe filloi me 1980 me punetoret ne Gdansk te Polonise, perfundoi me bashkimin e Gjermanise, e ndryshimet drastike ne jeten politike te B.S.,- sidomos pa aftesia me mbajte te “bashkueme” 16 republikat e perandorise se B.S.

Shembulli i B.S. ashte historikisht prova ma e mire se shtypja totalitariste perfundon ne disfate, dhe se pasioni i natyrshem per liri triumfon. Ajo qe na mbetet ashte te studjojme natyren e diktatures, te zbulojme “sekretet” e saj, dhe te punojme qe ajo te mos perseritet kurre.

Kurr ma 22 shkurte te tjera n Shqiperi.

Per 25 vitet e te ashtuquejtunit “trazicion” nga diktatura ne demokraci, na vuejme akoma rrjedhimet e hijes se tejzgjatun te sistemit kriminel stalinian qe ka trullose mendjet tona. Fjalet e gazetarit shqiptar Kim Mehmeti: “Nuk ndertohet parrizi me  muratoret e ferrit” duhen kuptue mire.

Sepse, kete”mashtrim” qe perjetojme ne Shqiperi e paguejme sot shume shtrenjte.

Filed Under: Analiza Tagged With: Nen hijen e tejzgjatun, Sami repishti, te krimeve, te Stalinit…!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT