• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2016

Ulen tensionet në Shkup, tërhiqet vendimi për kryqin

March 5, 2016 by dgreca

Ne Foto:Pamje nga protestat kundër ngritjes së kryqit në Butel, 3 mars./

Bashkimi Demokratik për Integrim ka njoftuar arritjen e marrëveshjes për tërheqjen e vendimit për ngritjen e kryqit në Butel të Shkupit.Me këtë janë larguar edhe barrikadat dhe tendat e vendosura dy ditë më parë nga zyrtarët e partisë së Ali Ahmetit për të penguar punimet për ngritjen e kryqit të lartë 56 metra.

Marrëveshja e arritur ka evituar një përplasje mes dy grupeve, atij të udhëhequr nga BDI-ja që kundërshtonte ngritjen e kryqit dhe një grupi tjetër të maqedonasve që doli në mbrojtje të tij, por konfrontimi u parandalua nga forcat e shumta të policisë speciale, të cilat deri në mesnatën e së premtes kanë qëndruar mes deri grupeve deri në shpërndarjen e tyre të plotë.

Marrëveshja, siç bëri të ditur nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, është arritur me ndihmën e përfaqësuesve ndërkombëtar, por edhe në komunikim me institucionet ku bën pjesë edhe BDI-ja si pjesë e Qeverisë.

“Në komunikim me faktorin ndërkombëtar si dhe me institucionet jemi marrë vesh që të jetë një zgjidhje në frymën e marrëveshjes së Ohrit dhe duke respektuar parimin e Badenterit, apo votimin e dyfishtë pasi vetëm në këtë mënyrë mund ti shërbejmë marrëdhënieve të mira ndëretnike dhe ndërfetare”,deklaroi Mexhiti.

Ai tha se vendimi për largimin e tendave është marrë për të mos nxitur tensione të mëtejme, pasi të shtunën besimtarët ortodoks shënojnë një festë fetare dhe shumica e tyre duhej të kalonin pikërisht pranë vendit ku ata po protestonin.

Nga ana tjetër, nga komuna e Butelit, por edhe zyrtarë tjerë të partisë VMRO-DPMNE, të ish -kryeministrit Nikolla Gruevski kanë thënë se nuk do të heqin dorë nga ndërtimi i kryqit, por pa treguar format se i do të realizojnë këtë projekt që ka nxitur reagime të shumta.

Partitë opozitare dhe njohësit e çështjeve politike dhe të marrëdhëniet ndëretnike, tensionet e ngritura nga dy partitë në pushtet i kanë quajtur lojë për pikë politike dhe zhvendosjen e vëmendjen nga zhvillimet tjera në vend, në veçanti nga hetimi i nisur nga prokuroria speciale ndaj zyrtarëve të dy partive të dyshuar për veprime të ndryshme kriminale.

“Mendoj se është një manifestim i një dyfytyrësie të një partie politike shqiptare që është në pushtet. është një absurd i llojit të vet pasi nuk është regjistruar në asnjë demokraci botërore që një parti që është pjesë e pushtetit të protestoj kundër vendimeve të po atij pushteti”.

“E gjithë kjo ka efekte përcjellëse që janë menduar mirë nga partnerët e koalicionit. Një efekt i tillë është shpërqendrimi i vëmendjes së opinionit nga hetimi do të thosha edhe historik i korrupsionit në Maqedoni pasi nuk ka ndodhur deri më tani të ketë një hetim të paanshëm dhe profesional sikur ky që po zhvillohet nga prokuroria speciale“, thotë analisti Xhelal Neziri.

Aktivistja e të drejtave të njeriut, Mirjana Najçevska, thotë se vendimet për vendosjen e simboleve ishin të paligjshme ndërsa veprimin e partive në pushtet e quan gjithashtu të palogjikshëm, pasi dy partitë, sipas saj, problemet duhet t’i zgjidhin në institucione dhe jo të dalin në rrugë.

“Nëse nisemi nga fakti se BDI dhe VMRO DPMNE janë pjesë e qeverisë atëherë kjo nënkupton se çdo problem duhet a shqyrtojnë në kuadër të institucioneve. Si mund të flasim për koalicion qeveritar, si mund të flasim për institucione kur pikërisht drejtuesit e tyre dalin në rrugë për të matur forcat. Vlerësoj se dy partitë me vetëdije shumë të lartë nxisin tensione ndëretnike dhe ndërfetare me qëllimin e vetëm ikjen nga përgjegjësia për veprat e bëra kriminale“, thotë Najçevka.

Ajo vlerëson se asnjë vendim nuk mund të merret jashtë normave të përcaktuara me ligj. Sipas saj , asnjë simbol nuk mund të vendoset pa respektimin e mendimit të opinionit, pa respektimin e ligjit, pa respektimin e parimit të Badenterit, që është normë e paraparë me marrëveshjen e Ohrit.

Tensionet për vendosjen e kryqit pasuan një vendim të mëparshëm të BDI-së për vendosjen e një simboli me shqiponjën, në komunën e Çairit, të banuar kryesisht me shqiptarë.

Filed Under: Komente Tagged With: për kryqin, tërhiqet vendimi, Ulen tensionet në Shkup

Dyqind Petritat e Elbasanit

March 5, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja-Florida/

Në sallën e pallatit të sportit në Elbasan. Shqiptarët panë një nga shfaqet më të turpshme. Më për ibret të Zotit kur thonë vetë ata. Megjithëse edhe Zotit ia kanë lëruar nënën. E kanë shfronëzuar. E kanë bërë Kryetar Partie. Madje të stazhionuar si ajo vera e vjetër e bujtinave nga koha e Bizantit. Nga ajo kohë ku njëri e sjell të shtjellëzuar. Praruar, bukur rrëfyer. Aq sa çfarë është e vërteta, na bën ta shtrëngojmë stilin shqip. Frymëzimin shqip, apo verbëzimin shqip…, me adhurimin e syve të atij që ngordh për diellin. Tjetri na thotë, mbylli sytë o qorr. Mbylle gojën o memec.

Shqiptarët në Elbasan …, panë kaq hokatar pikërisht një nga aktet e varjes në litar. U mbresuan dhe iu ngjeshën Njëshit me më shumë dashuri. Për më shumë prosperitet. I dhanë besën Partisë. Arkitektit të kauzës. Duke u çmendur nga gëzimi i sharjeve në kor.
Aq sa për gjynah të jetës, se si kurrë nuk arrijnë ta kuptojnë…, që sa frushëllehen, shqyhen, gëlthasin. Vare në litar, në litar qelbësira.
Të lumtur se po kënaqin Kim Jongun. Janë duke varur veten e tyre.
Mirë e për llaftari. Mirë e përgjithmonë.
Në fakt historia e grupimeve, e partizimeve etj. Eshtë errësira e galerive plot myk. Lagështirë dhe sigurisht, streha e lapurekëve të natës. Një lloj skute ku e fut veten shoqëria e magjepsur mga Njëshi. Nuk është e rastësishme që një emër si Enver Hoxha ndenji dyzetë e pesë vite në pushtet. Shumë nga ne, shumë nga kalemxhinjtë ia ngjeshin kallmës së thikës në fyt. Krimit pa kufi…, dhunës ideollogjike. Nomeklaturës, diktaturës apo luftës së klasëve. Kurrë asnjëherë shqiptarët nuk e kuptuan. Nuk e çuan nëpër mend. Nuk e pranuan se, Enver Hoxha nuk ishte i vetmi. Por me shokë shumë. Me fishkëllyes shumë. Me dyqind Petrita.
Asnjë diktatorë nuk rri në këmbë i vetëm, aq e kaq gjatë. Pa minidiktatorët rreth tij. Dhe kauzës së tyre për shfarosjen e njëri-tjetrit. Ndaj sot nuk është e rastësishme që në Shqipëri, të gjithë shajnë Enverin. Të gjithë kanë larë duart me krimet e Enverit. Të gjithë hiqen anti Enver. Të gjithë dënojnë në kor komunizmin.
Ashtu sikur edhe vetë ata, vetë të mrekullaurit pro Enverit. Nuk kanë për gjë të qeverisin me një ”demaskonjës” të Enverit. Madje ta bëjnë Kryeministër. Edhe pse botës perëndimore. Apo të ashtuqujtuarës, botës demokratike shqiptare. Ai u kanë thënë me testament se Lufta Nacional Çlirimtare, ka qënë një luftë civile.
Enveristët e votuan atë, pikërisht për këtë. Strategjinë e vëllavrasjes.
Në Elbasan, dje…, nuk ishte as kapitulli i parëmbëdhjetë. As ai i fundit. I shout që dha Kim Jongu i shqiptarëve.
Dhe e dini, kështu është tek ne. Në salla partish, ndeshet një grafoman. Përshembull një nga gorgat e Librazhdit. Një sekretar partie. Me një Universitet. Dhe ne kënaqëmi, pa e kuptuar asnjëherë se lumturia e fyerjeve, na kthen në shëmbëlltyra të mjera. Në mjeranë. Por gjithmonë urraja, grushti tek ana e kokës, internacionalja. Mund jo një por njëqind Universitete.
Rasti Blushi është ndoshta një nga shancet më të rralla. Që i vjen një shoqërie. Por edhe një force të gjallë. Një Partie politike.
Edi Rama nuk urren, demaskon, apo përpiqet ta poshtërojë Blushin. Jo për fronin e Partisë. Fronin ai ka të kurorëzuar. Madje e ka hipotekuar. Për këtë të jetë i sigurtë çdo mjeran socialist. Dhe çdo ramistë i nevrikosur. Nuk fiton Rama por tradita e pjesëmarrjes në krim të përbashkët. Rama dhe socialramistët e urrejnë për shkak të gjenisë. Janë marrëdhëniet midis gjenisë dhe antigjenisë. Kushedi sa herë që përplas dyert në shtëpi se pse nuk shkruan aq bukur sa Blushi. Pse nuk i shiten librat me shpejtësinë e dritës si Blushi. Pse Blushi e sjell sikur me ndodhur sot, kulturën e vjetër, nga koha e Bizantit. Të shqiptarëve…, me po ato nofka, prroçka, derte, e triumfe personale. Bash njashtu, si kryebizantini në civil’llëkun e shokëve. Të tipit nga Librazhdi që i çon goja lëng kur shikon Kim Jongun e vet. Tek bën shakara. Tregon barsaleta me ta futur. Përmbi mjerimin, zyrat sociale etj. Strategun e asaj shoqërie. Të transformuar … Simbiozë . Apo siç e quajti ai populli i rrugës. Shoqëri që dje rrinim në radhë për qumësht, kurse sot për çertifikata, letra, rroga, pensione, dokumenta.
Aferim për sukseset. Aferim që na gajase me të tallur Blushin.
_____________
Shqiptarëve për tu zgjuar nga përgjumja.
Blushi tha pak a shumë, ”ju më fërshëlleni mua, që, nuk kam as pushtet. Dhe jo këtë që e ka varfëruar Shqipërinë”.
Nuk është asgjë më shumë. Veç konstatimi mbi faktin e hidhur se diktatorët i bën pjesëmarrja. Përfshirja në grup, në faj. Edhe e vetë shoqërisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dyqind Petritat, e Elbasanit, Ilir Levonja

POETI LIRIK HIQMET MEHMETAJ

March 5, 2016 by dgreca

Nga Qatip MARA-New York/

Poeti lirik Hiqmet Mehmataj ka lindur  në Drashovicë të Vlorës, aty ku fillon porta ‘Lumit të Vlorës’ e lodrojnë ujërat e kristalta të Shushicës.Në kohën e fëminisë  Hiqmeti dallohej për zgjuarësi, fliste  me mençuri, çdo veprim e kryente me maturi. Me duar të arta e mendje hollë u dallua në shkollë. Shkrimi tij i dorës ishte  kaligrafi, bukurshkrim që e kishin zili. Ishte i talentuar kishte zell për të pikturuar.Nëna e tij gufonte e gëzuar që djalin e kishte të zgjuar. Me merak kërkonte djalin ta arsimonte. Pasi kreu shkollën 7-vjeçare në  Drashovicë,vazhdoi mësimet në shkollën pedagogjike 2 vjeçare Tiranë..Nisi punën e  nderuar me pasion duke arsimuar brezin e ri.Vazhdoi  shkollën për t’u diplomuar në normalen e Elbasanit  zgjeroi shumë njohuri ,u diplomua për Mësuesi. Rifilloi punën si mësues në vendlindje. Me performancë të kualifikuar ishte mësues i admiruar Gjithë njerëzit e respektonin dhe nga goja nuk e lëshonin. Sjellja e tij ishte model i kulturuar edhe ligësinë e kish gjunjëzuar. Me pasion duke studjuar  vijoji studimet e larta,dega Gjuhë-letërsi.Emërimin drejtor shkolle e mirëpriti me përgjegjësi. Me thjeshtësi e korrektësi drejtoi shkollën me aftësi. Ishte racional në gjykime shumë i matur në veprime.    Fshati Drashovicës, lumi Shushicës , stina e pranverës, cicërima e zogjve,bukurie e vashës, jeta me prindët e tij , e frymëzuan për poezi. Krijimtaria e tij përbën në thelb aktivitetin e palodhur të një krijuesi të vullnetshëm e të pareshtur në punën e tij krijuese në shërbim të kulturës, moralit, edukimit dhe fisnikërimit shpirtëror të brezave.Thelbësore te krijimtaria e Hiqmetit është  gjithashtu fryma e saj popullore e cila e përshkon atë tej e ndanë, duke i dhënë “liçencën“ e komunikimit të përgjithshëm masiv. Hiqmeti është i kuptueshëm për të gjitha moshat. Poezite e tij janë si receta me ilaçe që u jep të sëmurëve mjeku.Në këtë  krijmtari  Hiqmet Mehmetaj e ka drejtuar  penën në hallet e dertet e njerëzve të ditëve tona, në prapësitë e marrëzitë e kohës në të cilën jetojmë…

Hiqmet Mehmetaj poezinë e gatuan me brumin e magjes së vet…E njeh mirë gjuhën e gurrës popullore, veçanërisht ligjërimin e trevës së Labërisë, frazeologjinë e saj, urtësinë e saj. Dhe, në atë mori pasurish, si nikoqir i kujdesshëm, di të mbledhë e të shoshitë fjalën para se ta hedhë në letër. Qëmton, si bleta nektarin, fjalë e shprehje të lëna, e që, kur të na marrë malli t’i gjejmë, duke shfletuar  poezinë e tij..

Lirikat e tij dallohen për frymën e dashurisë , janë me figura artistike dhe metafora të goditura  duke nxjerrr vargje pafund në dedikim të ndjenjës më të bukur : Dashurisë së shëndetshme dhe njerëzores.Ato janë krijuar me finesë ,harmoni në varg , kanë muzikalitet- .

Poeti Hiqmet Mehmetaj  është  shumë modest , me një shpirt të madh, i ndjeshëm,që vetëm dashuron të bukurën ,të mirën -njerëzoren..Për herë të parë me vargjet poetike të poetit Hiqmet Mehmetaj jemi ndeshur në këngët e bukura  polifonike të Drashovcës në vitet ’70 , ku autori me thellësinë e shpirtit të tij nisi të thur vargjet e para, si një nevojë shpirtërore të jetës së banorëve ku lindi dhe u rrit.

Duke lexuar poezinë e Hiqmet  Mehmetaj kupton se shpirtin e poezisë së tij e ka mbrujtur kënga e Labërisë, embëlsinë ia ka dhënë vargu i poetit  të shquar të Labërisë Ali Asllani.   Duke lexuar disa nga poezitë e këtij poeti si :”Lida moj të marrtë lumi”, “Salushe medet u çmënde”, “Gjitonia shkon e s’më flet”,  etj shikon që në lirikën e Hiqmet Mehmetaj ka një  origjinalitet  me vargje konçize, me figuracion të pasur dhe me mendim të fuqishëm poetik. Bukuria e jetës   jepet shumë natyrshëm, në poezitë “Drashovicë gurë stralli”, “Qani fusha, brigje, male”, “Do këndoj për labërinë”,  “Shqipëri pse s’të zë gjumi”, “Vëllait emigrant” etj, të cilat me forcën e vargut të tyre filozofojnë për jetën dhe botën në  zonën e Labërisë.

Krijmtaria poetike e Hiqmet Mehmetaj tregon se autori  është njohës i mirë i poezisë labe dhe me mjeshtëri artistike ka ditur të thotë zërin e tij me kolorit në vargjet poetike e tërë frymëzim.Për  vëllimin “ Endrrat e trëndafilit” .

Dritëro  Agolli  ka shkruar : “ Lirikat e Hiqmet Mehmetaj janë të sinqerta dhe kanë thjeshtësinë e këngës. Ato nuk janë rritur në serrat e librave, por në livadhet e natyrës. Me këtë dua të them, se autori e ka asimiluar pasurinë shpirtërore të popullit dhe si nektar  e ka shpërndarë në vargjet e tij dhe ky nektar i ka dhënë çiltërsinë e natyrshme jashtë skemave libreske”

Qatip Mara

New York 3 mars 2016

Filed Under: LETERSI Tagged With: POETI LIRIK HIQMET MEHMETAJ, Qatip Mara

Çdo çast në jetë është i rëndësishëm

March 5, 2016 by dgreca

(Duke lexuar librin e Sokol Demakut: “Edhe filozofia e jetës e ka kuptimin e saj”)/

 Shkruan Viron Kona/

1.E kam lexuar edhe më parë librin “Edhe filozofia e jetës e ka kuptimin e saj”, shkruar nga Sokol Demaku, por, kësaj here, u ndala të hedh disa shënime, sepse ndjeva se duhej të shprehesha. Duke e rilexuar me kujdes, u vura në mendime, vlerësova dhe solla në vëmendje ide dhe përfundime që më impresionuan, e, që, krahas kënaqësisë estetike, libri ofron mesazhe që  vlejnë në jetë, në përditshmërinë e jetës së njeriut, pasi jeta jetohet çdo çast, çdo ditë, muaj e vit. Çdo kohë është e shtrenjtë për njeriun, ikën dhe nuk kthehen më.

Libri nis me një shënim interesant të autorit, ku ai i kumton lexuesit se  vëllimi që ka përpara është një “Përmbledhje meditimesh dhe recensione librash…”, por që, sipas mendimit tim, me përmbajtjen dhe mesazhet e vyera, libri i kalon këta kufij, ai nuk i vlen vetëm një rrethit të kufizuar njerëzish, por të gjithëve. Kjo, sepse, mendimet e Demakut, të thëna dhe të shprehura thjesht dhe bukur, kanë freskinë  e jetës së përditshme, ato këshillojnë besim e shpresë, nxitin te  njeriu përfytyrime të bukura, frymëzojnë dhe tregojnë rrugë të  drejta dhe të ndriçuara, ato pasurojnë konceptin dhe vizionin, e ndihmojnë njeriun të lehtësojë e zbut hallet e vështirësitë, të zgjidhë me natyrshmëri situatat e komplikuara.

 “-Njeriu,-shkruan autori i librit,- përmes leximit pasuron së pari fjalorin e tij e pastaj zgjeron dhe horizontin  njohurive…Sa më i varfër dhe sa më i prapambetur të jetë rrethi ku njeriu lind, rritet dhe edukohet, aq më të pakta janë forcat, objektet e dukuritë që e rrethojnë, sepse aty nuk ka zhvillim as mendor e as shkencor…” Është kjo një thënie, së cilës do t`i shtoja edhe shembullin e njohur të bretkosës në fund të pusit, e  cila prej atje poshtë nga fundi i pusit ku ndodhet, shikon vetëm një copë qiell, për atë, bota është vetëm ai pus i ngushtë rrethor dhe “copa” e qiellit që duket sipër…

Interesant shfaqet mendimi se, “intelektuali jeton në dy botë, atë të ideve dhe atë të realitetit konkret…”, duke na kujtuar kështu rolin e veçantë të intelektualëve të vërtetë, siç ishin për shembull përfaqësuesit e rilindjes sonë kombëtare, të cilët me veprën e tyre vunë në lëvizje dhe e nxorën nga letargjia shekullore, e zgjuan kujtesën e popullin tonë të  lashtë, e nxitën dhe e frymëzuan atë në rrugën e lirisë dhe të pavarësisë…

Ndërkaq,  Demaku  zbërthen drejt idenë se “Nuk mjafton vetëm të shkruash apo të lexosh sipas rregullave të thata. Shumë më  e rëndësishme është se çfarë veprimi ka shkrimi, çfarë porosie ka shkrimi dhe si e sa mund t`u ndihmojë njerëzve ai shkrim në jetën e përditshme, në realizimin e pozitives në jetë…” Një mesazh ky më se i qartë për ata që shkruajnë, por edhe për ata që lexojnë, në mënyrë që të zgjedhin në “detin” e botimeve ato vepra që vlejnë e frymëzojnë, që i ndihmojnë në jetë, që, me përmbajtjen dhe mesazhet e tyre emetojnë energji pozitive, pa mbetur vetëm në bukurinë e jashtme, si statujat e një  kopshti të pa realizuara artistikisht, që, as lëvizin, as flasin, por, janë të ngurta dhe pa jetë, tregojnë veçse shterpësi. Po aq origjinale tingëllon edhe ideja se “Përmes  shkrimeve tregohet natyrë  e vërtetë e njeriut…” një temë kjo që kërkon analiza dhe diskutime shkencore të veçanta. Duke zbërthyer artistikisht mendime  dhe ide  filozofike mbi çka njeriu përjeton në jetë dhe në natyrë, Sokol Demaku mendoj se ka plotësisht të drejtë kur jep këshillën e vyer se duhet të lexojmë, pasi “Leximi mpreh mendjen dhe zbut shpirtin!”

2.Autori ia arrin qëllimit që i ka vënë vetes me këtë libër origjinal, kur gjatë leximeve letrare artistike, nxjerr përfundime filozofike. Kështu vepron ai me analizën e librit  “30 vjet lumturi” të shkrimtares Dhurata Ramadan Lezo, e cila mbështetur në përvojën e saj krijuese, ka sjellë në një vëllim tregime të   ruajtura prej kohësh në shpirtin  saj krijues, si të dojë të na thotë mes të tjerash se “Dashuria është thesar kujtimesh”. Duke analizuar 30 tregimet e librit të kësaj autoreje, Demaku arrin në përfundimin se “Kjo botë nuk është e përjetshme, prandaj jepi vlerë e kuptim çdo ditë”, ndërkohë që kësaj thënie i përgjigjet edhe tingëllima tjetër se  “Krijimtaria e saj shpreh optimizëm, filozofinë e jetës dhe dashurinë ndaj njeriut e, këto ne mund t`i quajmë edhe parimet elementare në krijimtarinë e saj.”

Në vijim autori shkruan për një doracak të  mirëseardhur për emigrantët në Suedi, i shkruar nga i mirënjohuri Ibrahim Egriu. Pasi flet për jetën interesante dhe kontribuuese të z. Egriu, si në vendlindje ashtu dhe në Suedi, z. Demaku nënvizon se me atdhetarinë dhe arsimdashjen, ai ka fituar respektin e bashkëkombëseve shqiptarë në mërgatë. Mes të tjerave, është me shumë vlerë angazhimi i z. Egriu në  hartimin e librit  “Mësim fillestar shqip-suedisht”, që është një “ndihmesë e madhe për emigrantët e rinj shqiptarë në Suedi”.

Autori ndalet dhe komenton vlerën që ka për arsimimin e fëmijëve shqiptarë në mërgim libri i mësuesit Hamdi Arifaj, me banim në qytetin Falkenberg të Suedisë. “Të mësojmë së bashku”, – titullohet ky libër, të cilin pata fatin ta përshëndes edhe unë kur u përurua në prill të vitit 2013 në qytetin Boras, të Suedisë. “Të mësojmë së bashku”, – u përshëndet ngrohtësisht nga të gjithë diskutantët dhe u komentua si një sukses i merituar i autorit dhe i intelektualëve shqiptarë për mësimin e gjuhës amtare nga fëmijët shqiptarë. Libri ka një paraqitje dinjitoze, me ilustrime tërheqëse të punuar nga vetë z. Arifaj, dhe, siç thekson z. Demaku, libri ka vlera praktike… Si te komenti për doracakun e  z. Ibrahim Egriu, ashtu dhe për librin e  z. Hamdi Arifaj, Sokol Demaku flet për ta me dashuri dhe respekt të madh, i bindur se të tillë libra u shërbejnë nxënësve shqiptarë në shkollat suedeze për mësimin me themel të gjuhës shqipe, por ata ndihmojnë edhe për të formuar një kulturë të plotë për vendlindjen apo vend origjinën e tyre shqiptare…

Koment i bënë Sokol Demaku vëllimit poetik-satirik  “Te ura e gjyshës” të Nehat Jahiut, i cili, veçse është një poet dhe prozator me ndjenja të mëdha, është edhe një arsimtar dhe edukator brezash në Iliridë. Te poezitë e Jahiut, Demaku vlerëson fort momentin frymëzues dhe kërkesën poetike të autorit, si thirrje për vetëdijesim ndaj realitetit, duke tërhequr vëmendjen e lexuesit te veset e njerëzve dhe qëndrimet kritike dhe demaskuese ndaj tyre, gjë që ai e bën bukur dhe bindshëm nëpërmjet  vargjeve poetikë.

Tërheq vëmendjen në libër nderimi që Sokol Demaku i bën emrit të mirënjohur dhe veprës së atdhetarit Sadulla Zendeli-Dajës, i cili, siç dihet…“në vjeshtën e vitit 1966, u shtrëngua të lërë vendlindjen dhe kërkoi strehim në Suedi…” Duke qenë se për S. Z. Dajën, si edhe shumë të tjerë, edhe unë kam shkruar artikuj, madje edhe një libër që i dedikohet posaçërisht emrit dhe veprës së tij, dëshiroj ta përshëndes idenë dhe mendimet me vlerë të Sokol Demakut si për informacionin e gjerë që i ofron lexuesit për këtë personalitet të kombit shqiptar, ashtu dhe duke u uruar të dyve jetë të gjatë dhe vepra të tjera të ndritshme në dobi të atdhetarizmit, arsimimit, përparimit dhe jetës.

 

Me një theks të veçantë, Sokol Demaku ndalet në librin e  tij tek një personalitet i madh i kulturës, arsimit, letërsisë dhe artit,  i cili nga njëra faqe në tjetrën lartësohet si një lis i fuqishëm. Bëhet fjalë për “Mikun e madh të shqiptarëve”, suedezin e shquar Ullmar Kvik (Qvick. Është shkruar shumë për Ullmarin, shumë e më shumë do të shkruhet në  të ardhmen, gjithnjë ai do të jetë në piedestalin e nderit, veçanërisht për ne shqiptarët, ndërkohë që në librin e  Demakut nënvizohen ndjenjat e thella të respektit dhe të mirënjohjes për mikun e vërtetë, që i është gjendur dhe i gjendet pranë popullit shqiptar. Dëshiroj t`i kujtoj lexuesit me këtë rast thënien e famshme të Ullmar Kvikut: “Unë, nëse do të jetoja edhe një herë, do të punoja me shqiptarët dhe për shqiptarët”.

Vijon libri me komentin dhe analizën e bukur dhe me klas që Demaku  i bënë poezive të Flora Dervishit dhe librit “Mes enigmave”, e ku thekson se “vargu i saj i jep shpirt, i jep jetë çdo qyteti dhe vendi të trojeve tona”.

Autori i jep hapësirë veprës së Fetah Bahtirit: “Dritë, ngrohtësi, optimizëm, libër dokumentar për shkollën shqipe në strehimoren Svenshogen, Suedi 1991-1994”. Nga komenti i ngrohtë dhe frymëzues që  bën Sokol Demaku, mësojmë se kjo  është një vepër me shkrime autoriale dhe dokumentare nga përvoja e vetë autorit Bahtiri, ku përfshihen studime dhe dokumente që i kushtohen punës dhe arsimit në mërgatë, si dhe punës dhe angazhimit e sakrificës së mësuesve, prindërve dhe nxënësve shqiptarë. Mbetet i skalitur në kujtesën e lexuesit  nënvizimi i Fetah Bahtirit në pasthënien  librit, ku ai shkruan: “Posaçërisht jam i lumtur që gjatë viteve 1991-1994 nuk ka pasur asnjë, po përsëris, asnjë fëmijë shqiptarë në strehimoren Svenshogen që nuk ka ditur përmendsh Himnin e Flamurit Shqiptar.”

Në vijim, Demaku bën një koment të frymëzuar për vëllimin “Zonja nga Borasi” dhe, e mbyll librin me artikullin “Koktej letrar nga Jorgo Telo kushtuar kombit Shqiptar”, ku ndalet te libri i tij i kohëve të fundit   “Tung shpresarta Kosovë!” -Ai, –thekson z. Demaku, – me mjeshtëri di dhe mund të hyjë në shpirtin e lexuesit, njashtu edhe të kolegut apo poetit”, e  “nëpërmjet personazheve tipikë, ngre lart vlerat e mira të njeriut”.

Duke bërë këtë inkursion në librin  “Edhe filozofia e jetës e ka kuptimin e saj”, theksoj se Sokol Demaku është mikpritës në kuptimin e plotë të fjalës, ai me kolegët, jo vetëm i mirëpret me  dashuri gazetarët, poetët, shkrimtarët dhe çdo krijues  në revistën “Dituria”, në radion zë ëmbël “Dituria” dhe në televizionin po me këtë emër të artë, por, i kushton secilit prej tyre kohën e  nevojshme, duke u ndalur gjerësisht në krijimtarinë e ofruar, duke respektuar punën dhe vlerat e atyre që shkruajnë. Sokol Demaku e di se, ata që shkruajnë, nuk i detyron kush, ata e bëjnë këtë të shtyrë nga ndjenja të zjarrta dhe pasione të mëdha, nga dëshira për të respektuar e zbuluar të drejtën dhe të vërtetën, për të mbrojtur të pacenuar lirinë; ata sakrifikojnë nga vetja  e tyre kohë dhe energji, por edhe përveshin krahët dhe kanë kurajën e ndeshjes me pengesat regresive dhe frenuese. Sokol Demaku e ndjen dhe e kupton drejt këtë të vërtetë, sepse ai është njeri me kurajë, është njëri nga krijuesit,  madje, nga ata në krye.

Duke lexuar librin e Sokol Demakut bie në sy se jeta dhe vepra e këtij njeriu përshkohet nga një filozofi e qartë, ndihen në të ngrohtësia dhe dashuria vëllazërore, ndjenjat e mëdha  të nderimit dhe të respektit për njeriun e punës. Demaku  e kupton qartësisht përmbajtjen dhe vlerat e filozofisë, e di se ajo është dije,  e pandarë nga formimi dhe botëkuptimi i njeriut, nga veprimet, nga mënyra se si njeriu orienton dhe udhëheq veten në jetë dhe sesi ndikon tek të tjerët. Ai kupton drejt se “Idetë e mëdha lindin në shpirtra të mëdhenj”, ndaj di t`i nderoj njerëzit e dijes dhe të kulturës, të artit dhe të shkencës, të punës dhe të mendimit të mençur popullor. Sokoli i fton me gaz e  ngrohtësi krijuesit në sofrën e tij filozofike, ashtu sikurse edhe në atë poetike, të komunikimit dhe informimit, të artit dhe të traditës, ai ulet kuvendon e bashkëbisedon ëmbël e me respekt të ndërsjellët me ta, duke ndarë shqetësimet dhe bashkuar gëzimet, duke shpleksur hallet për t`u dhënë rrugëzgjidhje, vepron pa paragjykime, gjithnjë si pjesëtar modest i  një familje  të madhe  krijuese.

Gëzimet e jetës janë të shumta, sikurse dhe dëshpërimet e njeriut gjithashtu, sepse, jeta nuk mund “të kaloj vaj”, sepse, edhe qielli nuk është gjithnjë i kaltër, ka edhe re, ka dhe vetëtima  e bubullima. Edhe deti nuk është gjithnjë i qetë, ka edhe dallgë të larta e stuhi, ka dhe cuname… Kjo është jeta jonë, duam apo nuk duam, disa gjëra janë të pashmangshme, çështja është që jetën ta jetojmë, duke thithur më të mirat e saj, duke shfaqur talent dhe durim, dashuri dhe humanizëm, paqe dhe harmoni, por dhe duke vepruar pa u lodhur dhe pandërprerë në dobi të ndryshimeve pozitive.

Njeriu po tregon se ka mundësi të jashtëzakonshme. Ai, ashtu siç ndryshon rrjedhat e lumenjve dhe e shndërron ujin e tyre në dritë, ashtu shfrytëzon erën duke ngritur mullinjtë elektrikë, si për të fituar energji, edhe për të luftuar ngrohjen globale. Ai po eksploron me seriozitet detet dhe oqeanet, që zënë 71 për qind të rruzullit tokësor, duke zgjeruar mundësitë e shfrytëzimit në dobi të jetës… Por, ai, është sot i aftë të vërë në shërbim të tij, jo vetëm tokën dhe detet, por edhe hapësirën mbi të cilën vërtiten sot qindra e qindra satelitë dhe stacione kërkimore e shkencore, fluturojnë anije kozmike…

Krijuesit e çfarëdo lloj drejtimi, qofshin ata të shkencave sociale e shkencore, qofshin ata të kulturës, të letërsisë dhe të artit…, janë të “ngarkuar” me energji pozitive, prandaj ata duhen dashur dhe respektuar më shumë nga shoqëria, ata janë të ndjeshëm dhe  e kanë nevojën e një mbështetje dhe inkurajimi, ata e ndihmojnë pa interes njeriun dhe jetën…

Leximi i librit “Edhe filozofia  e jetës e ka kuptimin e saj” të bën të meditosh, të nxit mendime dhe ide, të rrit respektin për njerëzit e penës, intelektualët e vërtetë, që vetësakrifikohen, që në vend të “shpatës” përdorin penën e mprehtë, ata nuk zhurmojnë, por në heshtje nxitin, frymëzojnë dhe ndihmojnë ndryshimet pozitive. Për krijuesit janë të papajtueshme brimat, egërsia dhe barbaria. Siç thoshte Herodoti  “E keqja nuk shërohet me të keqen”, prandaj, ata dinë t`i zgjidhin gjërat ndryshe, me dashuri dhe humanizëm, me mendim të artë dhe dituri deri edhe me sakrifikim. Qiriri, bën dritë duke djegur vetveten; Udhëheqësi që çanë rrugën në dëborë, lë gjurmë që të tjerët të ecin pas tij… Mes këtyre njerëzve ndodhen edhe krijuesit. Më shumë vëmendje dhe respekt ndaj punës dhe modestisë së tyre, sepse, dihet, “Bën më shumë zhurmë një pemë që bie, sesa një pyll që rritet…”

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: “Edhe filozofia e jetës e ka kuptimin e saj”, Sokol Demaku, Viron Kona

KU E DHA JETËN ZENEL GJOLEKA?

March 5, 2016 by dgreca

Nga Idajet JAHAJ/ Zenel Gjoleka, Tafil Buzi, Rrapo Hekali e Çelo Picari përbëjnë katërshen e famshme të kapedanëve të Shqipërisë së Jugut (Kurveleshit e Mallakastrës) në gjysmën e parë të shekullit të XIX. Ata drejtuan lëvizjet e mëdha popullore që i paraprinë Rilindjes Kombëtare e që u bënë aq shqetësim për Portën e Lartë.

Ku e dha jetën kryetrimi Gjoleka?
 Labëria ra në sërë
Mbenë gratë me lesh stërrë!…
 Rrallë mund të ndodhë në jetën sociale të një populli – një dert, kuje e zi e tillë masive për individin e shquar. Këtë e bën heroi, jeta e të cilit është shkrirë plotësisht për jetën dhe idealet e përbashkëta e kolektivitetit. Zenel Gjoleka ishte bir i dashur i çdo dere, prandaj u nxinë edhe flokët e grave për vdekjen e tij:
 …Mbajnë zi p’r ata të mjerë
Që nxiruan Labërinë,
Për Gjolek, Hodo Alinë
Mbenë lark nga vendi inë[1]
Me karadakas u grinë
Për të ruajtur kufinë.
 
Më 1852 malazestë sulmuan Shkodrën, nga veriu dhe jugu i liqenit të saj. Udhëheqësit e rezistencës popullore lëshuan kushtrimin dhe kërkuan ndihmë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Ndihmat nuk vonuan, edhe nga Bregdeti, Himara, Dhërmiu, Vunoi, Qeparoi, Lumi i Vlorës, Kurveleshi, etj.
 
Shqipëtarët u lëshuan
Se ish lufta në kufi,
Nga gjithë anët shkuan
Me Gjolekën në Mal të Zi.
 
Kapedani lab pasqyrohet me epizëm të rrallë:
 
Karadak bëhet sefer[2]
Vjen Gjoleka serasqer
Me karadakas u ther
………………
Dërgon Vlladikë[3] qafiri:
-Ju karadakas sa jini,
Qafën e Kërstiqit ziri,
Vjen Gjoleka, po t’i bini!…
 25 vjet luftë kish bërë ky kryetrim. Ishte bërë tmerri i hordhive otomane që vinin valë-valë për të nënshtruar Jugun. Tani, edhe vdekjen e dha atje, në vijën e shenjtë, kufirin verior të Atdheut. Vajtojca labe e qorton:
 Gjolekë, të rëntë pika,
Të mbet koka në Vlladika!
Po kush ish Gjoleka i famshëm?
Disqet orale të këngëve të popullit e pasqyrojnë atë me nota të theksuara epike e liriko-elegjiake. Rrallëkujt populli i ka kënduar ashtu, me një pafundësi ndjenje e krenarie:
Që pa i dirsur mustaqja, kur ishte ende 18 vjeç, Zenel Gjoleka, ky djalë i ri kuçiot, zbatoi udhëzimin e Tafil Buzit (nga mërgimi) për vrasjen e Kaftanazit turk në Janinë, duke i marrë kështu hakën Ismail Vlorës (gjyshit të Ismail Qemalit) të cilin turqit e kishin vrarë me të pabesë në Janinë (1829):
 Dërgon Gjolekë spanoi:
-Tafil Buzit të m’i thoi,
Gjoleka s’e turpëroi,
Kaftanazin ç’e martoi,
Nëpër dyzetmijë shkoi!…
 Ai u bë udhëheqësi kryesor i kryengritjeve të viteve 1830-1850 që u bënë në Jug të Shqipërisë, sidomos asaj të vitit 1847, “më e madhja që nxori ky vend” sipas historianit grek Arvantinoit.
Atë vit “edhe ujët e lumit Shushicë” u bë i kuq nga gjaku i të vrarëve” – thotë gojëdhëna e popullit.
Kjo kryengritje pati jehonë të madhe edhe në Evropë. “Heroi i ditës kudo është Zenel Gjoleka” – shkruan një historian francez i kohës.
Lira popullore bashkëbisedon me trimin, si në legjendë:
 Kini parë a s’kini parë,?
Si Zenel Gjolekë labnë?
Me njëmijë kapedanë…
O Gjolekë, a derëzi
Qish nuk t’u tremp ai si[4]
Me një goxha Rumeli?
 Vajtojca e ledhaton me krenari:
 
O Gjolekë trëndafili,
Mua s’ma priste fiqiri
Të bëneshe kaq i miri
Sa të të kërkon veziri…!
I bën portretin e saktë kaçakut kryengritës, të tmerrshëm e simpatik:
O Gjolekë, lab i Kuçe,
Fustani mbi gju hajduçe,
Pall’ e larë me cullufe
Dyfeku me dyzet strufe.
…Pall’ e larë vetëtimë,
E shkreta i rrih pëqinë…
 
I flet, sikur i drejtohet legjendës, hyjnisë mbrojtëse të vegjëlisë:
O Zenel, të keqen – o,
Hipi balashit[5] e shko,
N’ato male më qëndro,
Pashallarët m’i shkurto,
Dhe nizamët[6]m’i lësho…
 
Jeta e trimit kaloi në luftë. Përfytyra e vargut e ngrin si në film:
Ç’është ai që si veriu
Nga gryk’ e Kuçit arriu?
Shtatëqind pas vetiu
Është Gjolek mandileziu,
Gjithë një jetë majë doriut,
Turqit me pallë ç’i griu,
Palla në dorë ç’i ngriu!…
 
Më në fund monumenti moral:
Sa rroi’ palla s’iu ter,
I erdhi vdekja me nder.
 
Dhe kryemotivi:
U trete, Gjolekë, u trete,
Sos u përpoqe për vete.
Po për gjithë vilajete.
Pse lufton, a derëzi,
-Sos për mua a për ty,
Po për gjithë Shqipëri!
 
“Për gjithë Shqipëri!”.
Kjo thënie – aforizëm qëndron në themelet e formimit dhe unifikimit të kombit. Është deviza e një kalorësi të madh të lirisë, i cili e shkriu tërë jetën dhe më në fund e dha edhe atë nga njëri skaj i Atdheut në tjetrin, pikërisht atje në vijën e shenjtë…
 


[1] nga vendi ynë (krahina)
[2] luftë
[3] komandanti I malazesve
[4] Trajta dialektore: qysh, sy…
[5] kalit
[6] bijtë e popullit shqiptar

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Idajet Jahaj, KU E DHA JETËN, ZENEL GJOLEKA?

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 74
  • 75
  • 76
  • 77
  • 78
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT