• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2016

Nekrologjia” e një legjende shqiptare në Amerikë

April 13, 2016 by dgreca

Beqir SINA – New York/

Boston, nga “ëndrra Amerikane” fama e madhe, tek mbyllja e restorantit, dhe shembja e restorantit të famshëm të Bostonit Anthony’s Pier Four/

BOSTON MA : Mediat e Bostonit në Shtetet e Bashkuara, njoftuan lajmin e kobshëm dhe dhanë kumtin 3 vjet më parë se restoranti i famshëm i Bostonit dhe për një kohë të gjatë, dhe ikona e restoranteve në Amerikë, Anthony’s Pier 4, do të mbyllej përgjithmonë. Kjo, mbasi fëmijët e “hajrit” e shitën restorantin e famshëm të babait, të tyre, pronën e tij, që me sa mund e djersë, ai arrti t’a vëjë, këtë , pronë, si një kurbetçi i ardhur nga Korça, në Amerikë, në moshën katër vjeçare me prindërit e tij.Restoranti  Anthony’s Pier 4 Pier 4, ishte hapur  në vitin 1963 nga vet Anthony Athanas, afaristi dhe patrioti i dalluar i komunitetit shiptaro-amerikan, i cili ndërroi jetë në vitin 2005, në moshën 93 vjeçare.

Historia e tij me këtë biznes ishte e një jetë, që është quajtur ndryshe edhe ”ëndërra amerikane”, e realizuar me punë të rëndë dhe dedikim ndaj familjes, pronës dhe vendit të tij.Ai vdiq në Boston, dhe është konsideruar si një nga njerëzit më të shquar të komunitetit shqiptar të Amerikës. Anthony Athanas, ishte një nga bisnemenët më të famshëm të Bostonit, por në komunitetin shqiptar të Amerikës, ai do të mbahet mend më shumë si patriot i shquar, që punoi pa u lodhur për të ndihmuar bashkëkombësit e tij në Shqipëri edhe në Kosovë.Ndërsa gruaja e tij Ester Athanas, një grua e shquar e komunitetit shqiptaro-amerikan, vdiq më 1 nëntor 2004 në moshën 91-vjeçare në shtëpinë e saj, mbas një jete martesore prej 64 vjetësh bashkëjetese me zotin Anton. Në vitin 1940, Esteri, 28 vjeç, u martua me Anton Athanasin. Anthony Athanas ishte një figurë qendrore në organizatën panshqiptare Vatra dhe bashkëthemelues i organizatave të tjera shqiptaro-amerikane.Ai vdiq në shtëpinë e tij në Swampscott pas një beteje tre-vjeçare me sëmundjen e alcajmerit. Antoni Athanas, ishte themeluesi i një prej restoranteve që u bë më pas më me emër në rangun e restoranteve të Amerikës –  dhe ishte pagëzuar me emrin Anthony’s Pier Four.Kryetari i Bashkisë së Bostonit e quajti Athoni Athanasin, një traditë në vetvete, pasi ky restorant, tha ai u kthye në një mikpritës të mijra takimeve politike dhe ishte shumë bujar në mbështetjen për komunitetin.

Sekretari i Shtetit – ish Senatori i Maseçustiti, miku i Athanasit, John Kerry u shpreh kur vdiq legjenda shqiptare në Amerikë, se :”Anthony Athanas jetoi ëndrrën amerikane dhe për asnjë minutë nuk harroi se nga kishte ardhur. Me një prejardhje të thjeshtë nga Shqipëria, Antoni mundi të realizojë ëndrrën e çdo imigranti duke punuar dhe arritur të bëhet një institucion kombëtar,” tha senatori Kerry.

I lindur në Shqipëri më 28 korrik 1911, Athanasi imigroi me familjen e tij në New Bedford në vitin 1915. Në fillim ai shiste fruta dhe zarzavate, shiste gazeta dhe ndizte zjarrin e furrave në kuzhinat e restoranteve. Në vitin 1937 hapi restorantin e tij të parë dhe vazhdoi pastaj me restorante të tjerë, më i famshmi i të cilëve u bë Anthony’s Pier Four.

Anthony Athanas do të mbahet mend sidomos për ndihmën bujare që i dha komunitetit shqiptar të Amerikës dhe kontributin për bashkatdhetarët e tij në Shqipëri dhe në Kosovë.

Nuk ka shqiptar në Boston, por edhe përtej tij që të mos ketë një kujtim nga ky restorant apo nga vetë Anthony Athanas, bashkëpunëtori i ngushtë i Fan Nolit, udhëheqësi dhe sponsorizuesi i dikurshëm i ‘Vatrës’ dhe një nga figurat historike të diasporës sonë në SHBA.

Ndonëse jo rrallë i injoruar dhe përbuzur nga njerëzit që u kishte shërbyer më shumë, (figurat si Athanasi janë vështirë të palosen e të mbyllen brenda një komuniteti), ai do të mbetet përgjithnjë në kujtesën dhe historinë e Shqiptarëve të Amerikës.

Restoranti “Anthony’s Pier 4”, i njohur si vendi ku darkuan presidentë amerikanë e shumë njerëz të shquar të artit e kulturës, ku u mbajtën shumë takime të komunitetit e ngjarje personale të shqiptaro-amerikanëve, pati shënuar rënie që kur Anthony Athanas ishte gjallë, ndërsa pas vdekjes së tij duket se shpresat për ringritje qenë shuar njëherë e mirë.

Gazeta shqiptaro-amerikane “Illyria” me kryeredaktorin e saj Ruben Avxhiu, i kushtojë një shkrim historikut të këtij restoranti, që ka qenë ndër të preferuarit e elitës së Bostonit për dekada me radhë.

Ajo shkruante se “Gjysëm shekulli më parë, kur Anthony Athanas vendosi të hapte restorantin e tij të radhës, “Pier 4”, ai zgjodhi një zonë të pabanuar e të shkretuar. Me mole e skela të vjetra, ku asnjë mjet lundrues nuk ndalej më.

Një nga anektodat më interesante të kohës, tregon për Fan Nolin, mikun e ngushtë të Athanasit, që ishte tmerruar nga ideja dhe u lutej miqve që ta shpëtonin Athanasin nga ky gabim i madh. Kush do të shkonte të hante në atë vend? Po i hidhte Anthony të gjitha paratë e fituara në një pellg që sillte veç dështim.Po çfarë nuk shihte dot gjeniu i kulturës shqiptare, e dallonte syri i gjeniut të biznesit dhe guximtarit nismëmarrës.Ky vend gati “ekzotik” në krahasim me pjesët e qytetëruara të Bostonit shumë shpejt u kthye në një sekret të vogël, të cilin që të gjithë e dinin”, shkruan gazeta.Familja Kennedy, duke përfshirë edhe Presidentin John Kennedy, apo presidentë e politikanë të tjerë, artistë si Liz Taylor e Lisa Minelli, regjizori Hitchock janë vetëm një ilustrim i vogël i dhjetra njerëzve nga më të shquarit e botës amerikane që kanë darkuar në këtë lokal, për gjysëm shekulli.

Në vitet e fundit, me ripërtëritjen e komunitetit shqiptar në Boston e rrethina, “Anthony’s Pier 4” ishte bërë përsëri një nga vendet e preferuara për dreka e darka solemne, festa gëzimi e përkujtimore të dhimbshme.

Gazeta The Boston Globe njoftonte se restoranti i famshëm i Bostonit Anthony’s Pier Four, do të mbyllej përgjithmonë në muajin gusht- 2013. Restoranti i njohur, pronë e familjes Athanas, u hap në vitet 60 nga shqiptari i mirënjohur Antoni Athanas, i cili vdiq në vitin 2005 në moshën 93 vjeçare.

Zoti Athanas erdhi nga Shqipëria në Amerikë në moshë fare të vogël dhe pasi hapi disa restorante në periferitë e Bostonit, bleu një truall buzë detit të cilin më vonë do ta shndërronte në atë që ai e quajti Anthony’s Pier Four.

Restoranti u bë mjaft i njohur për menunë e pasur dhe verërat e zgjedhura dhe në vitin 1981, ai ishte njëri ndër 5 më të suksesshmit e Amerikës.

Xha Antoni, siç u bë më vonë i njohur pronari i tij, krijoi miqësi me disa ndër njerëzit më të shquar të Amerikës, të cilët vinin shpesh këtu për mjedisin që zoti Athanas u krijonte dhe natyrisht për ushqimin e mirë. Mes tyre kishte presidentë, aktorë dhe artistë me emër.

Komuniteti shqiptar do ta mbajë mend restorantin për takimet e rëndësishme që ka mbajtur këtu ndër vite, në sajë të bujarisë së pronarit Antoni Athanas.

Djemtë, e zotit Athanas, që trashëguan pronën e babait të tyre që u bë i famshëm me këtë restorant, i thanë gazetës The Boston Globe, atëhere se ata mund të hapinin një restorant tjetër, një variant më të vogël të Pier Four-it, në njërën prej ndërtesave të reja që do të ngrihen në atë vend ku ishte dikur një restorant i famshëm që tani nuk do të jetë më.

Mirëpo vetëm 8 vjetë nga vdekja e pronarit të Restorantit të famshëm në Boston, i themeluar nga shqiptari i famshëm Anthonu Athanas në vitin 1963, njoftuan lajmin  e “trishtueshem”, se dje se restoranti me emrin Pier Four Restorant Anthony – është shembur.

Dhe tani do të na mbeten vetëm kujtimet “ se na ishte një herë një Restorant i famshëm në Boston, i kurbetqarit shqiptar nga Korça, që u bë i famshëm, Anthony Athanas, quhej lindi më 1911 dhe vdiq më 1985 në Amerikë”.

Njoftimin për shembjen e tij e njoftoi zyrtarisht Bashkia e Bostonit këtë të martë, e cila tha se mjetet e rënda e kan shembur plotësisht restorantin e njohur  “Athony’s Pier 4”.

E cila ka qenë pronë e Shqiptarit Anthony Athanas, i cili e ngriti restorantin e tij në vitin 1963, ku me pjatat e shijshme të përgatitura tërhoqi mjaft klientë të njohur, si Riçard Nikson dhe familjen Kenedi.

Por edhe gangsteri i famshëm i Bostonit, Xhejms Bolxher ishte një klient i rregullt i restorantit të shqiptarit, i veçantë jo vetëm në ushqime, por edhe në mikpritje, tradita që mesa duket shqiptari nuk e ka lënë pas.

Me ndarjen nga jeta të Anthony, restorantin e trashëgoi djali i tij, i cili vendosi ta shiste truallin tek një sipërmarrës. Restoranti i “Athony’s Pier 4” nga fillimi i viteve 1980 arriti në një fitim rreth 12 milionë dollar në vit dhe ishte restoranti më fitimprurës në Shtetet e Bashkuara, por i mbyllur në gusht 2013.

Anthony Athanas, ishte një shqiptar i lindur në Korçë, në vitin 1911 dhe emigroi bashkë me familjen. Në vitin 1938, ai bleu restorantin e parë në Massachusetts, i cili në vitet ’50 u bë një nga restorantet me fitimprurëse në SHBA, me 1 milion dollarë në vit. Ai vdiq në vitin 2005 në moshën 93-vjeçare.

Antoni Athanas – shqiptari dhe amerikani i famshëm/

Më 21.05.2005 Ilir Ikonomi i Zëri i Amerikës, dha kumtin se vdiq në Boston një nga njerëzit më të shquar të komunitetit shqiptar të Amerikës, Anthony Athanas. “Ai ishte një nga bisnemenët më të famshëm të Bostonit por në komunitetin shqiptar të Amerikës do të mbahet mend më shumë si patriot i shquar që punoi pa u lodhur për të ndihmuar bashkëkombësit e tij si në Shqipëri edhe në Kosovë” tha Ikonomi, i cili e vizitoi disa herë këtë restorant dhe na solli kronika të bukura nga Bostoni .

Anthony Athanas ishte një figurë qendrore në organizatën panshqiptare Vatra, tha ai andaj Zëri i Amerikës intervistoi kryetarin e athereshem të Vatrës, Agim Karagjozi, sot Presidenti i përjetshëm Nderi i Vatrës.

Zëri i Amerikës: Zoti Karagjozi, ju si kryetar i Vatrës, si e keni njohur zotin Athanas, ç’mund të na tregoni për njohjet tuaja të hershme me të?

Agim Karagjozi: Antoni Athanasin e kam njohur shumë herët, qysh në vitet e para që kam ardhur në Amerikë, në fillimin e viteve 60. Antoni Athanasi në atë kohë ishte “the rising star” – ylli që po shkëlqente në Vatër. Ai ishte shumë i afërt me Kristo Athanasin, i cili në atë kohë konsiderohej si “Babai i Vatrës”. Por në skenë doli Antoni Athanasi, njeriu i ri, njeriu i dinamizmit, që solli një gjallëri të re në Vatër, shumë i përkushtuar, me mbështetje të jashtëzakonshme financiare dhe me veprimtari dhe me punë. Ishte ai që ngjalli shpresa të reja për Vatrën dhe sigurisht ishte puna që bëri në ato vite Antoni që Vatra është e gjallë sot.

Zëri i Amerikës: Antoni Athanasi ishte njeri shumë i zënë me biznesin e tij. Si arrinte ai të kontribuonte edhe me veprimtaritë për Vatrën?

Agim Karagjozi: Antoni Athanasi kishte ndjenja shumë të thella shqiptare. Ai i kishte marrë ndjenjat në radhë të parë nga familja e tij. Ai ka ardhur në Amerikë në moshën tre-vjeçare. Kishte një familje shumë atdhetare – i ati i tij ishte atdhetar. Pastaj, pasi u rrit, u njoh me Nolin dhe me Konicën dhe i admironte të dy ata, por sidomos Nolin.

Antoni Athanasi ishte një dishepull i Nolit dhe u frymëzua shumë thellë nga veprimtaria, puna, kultura dhe idealizmi i Nolit. Athanasi i përkiste një familjeje që u përzu nga grekët në vitin 1913 kur u bënë masakrat, pra ishte një familje e vuajtur dhe kjo e shtynte të përpiqej për t’i shpëtuar shqiptarët nga rreziqet e fqinjëve.

Ai kishte një krenari dhe ndjenja të thella shqiptare prandaj e gjente kohën, sado i zënë që ishte. Kishte edhe kapacitetin financiar dhe moral që t’i kushtohej Vatrës, e ndjente këtë si detyrë. Antoni Athanasi ishte trashëgimtari i Nolit në Vatër, ishte ai që i siguroi jetën Vatrës për shumë dekada.

Ai ishte edhe një amerikan i shquar, gëzonte një reputacion shumë të madh në Amerikë, ishte ndoshta njeriu më i suksesshëm në biznesin e restoranteve. Ishte një filantropist i pakursyer që ndihmonte në shumë anë. Kështu, ai në Boston është një nga figurat më të nderuara dhe njihet në të gjithë Amerikën si një figurë e shquar.

Restoranti i tij Pier 4 është një nga restorantet më të mirë ku vijnë njerëz nga të gjitha anët e Amerikës. Antoni Athanasi është bërë një legjendë në Amerikë. Ka qenë shumë i aftë dhe shumë dinamik, njeri që nuk harxhonte kohën kot me fjalime të gjata. Edhe në mbledhjet që bënim ne kur bisedoheshin çështjet e ndryshme – ju e dini si e kanë zakon shqiptarët që i zgjasin bisedat – ai i binte shkurt dhe hynte drejt në temë. Ishte tamam njeriu me vetitë e individit të suksesshëm, kishte veti natyrore dhe ishte njeri i rrallë.

Zëri i Amerikës: Sot në Shtetet e Bashkuara vijnë shumë emigrantë të cilët ëndërrojnë të bëhen të njohur, të krijojnë bizneset e tyre dhe të pasurohen. Çfarë mund të mësojnë ata nga Antoni Athanasi?

Agim Karagjozi: Ata mund të mësojnë këtë gjë, që me talent dhe me përkushtim dhe me punë të pakursyer mund të arrihet çdo gjë. Antoni ishte për t’u habitur. Ja se ç’tregonte ai në një rast: kur arriti të ketë restorantin e tij të parë, një restorant fare i vogël, ai punonte aty fare i vetëm. Rrinte te banaku dhe thërriste me zë të lartë, gjoja sikur po i jepte porosinë gjellbërësit.

Në fakt, ai nuk kishte gjellbërës, por pasi thërriste porosinë, vraponte vetë në kuzhinë që të përgatiste gjellën për t’ua sjellë mushterinjve. Ishte njeri me kapacitet, me talent, punëtor, i zgjuar, i gjallë, i zoti dhe nuk e harxhonte kohën kot. Si rrjedhojë e kësaj, erdhi koha kur ai arriti të ketë në Boston katër restorante. Ai ndërtoi restorantin Pier-4 në Boston, i cili është gati si një monument në Amerikë, një vend pelegrinazhi ku shkojnë njerëz nga të gjitha anët e Amerikës për të ngrënë një drekë a një darkë.

Njerëzit shkonin atje edhe thjesht për dëshirën që kishin për të takuar Antoni Athanasin, sepse ai rrinte në restorant ditë e natë, nga ora 6 e mëngjesit e deri në mbrëmje kur mbyllej. Ai rrinte atje për të pritur e përcjellë vetë mysafirët. Njerëzit kishin një ndjenjë krenarie dhe kënaqësie që të takonin Antoni Athanasin. Nuk ka personalitet amerikan që të mos ketë qenë në restorantin e tij, qoftë personalitete politike apo të artit, njerëz të Hollivudit e të tjerë. Në restorant do të gjesh të gjitha fotografitë e këtyre njerëzve të shquar.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Beqir Sina, ne Amerike, Nekrologjia” e një legjende shqiptare

Galaktika Poetike “ATUNIS” e ARIANITA HOXHES

April 13, 2016 by dgreca

Poetët janë paraprijës të agimeve zbardhëllim, janë muza dhe shpirti i ëndrrave shpresërim, janë fryma dhe muzikaliteti i fjalës shenjtërim, janë koloriti më i ndritshëm i qënësisë tonë qytetërim!Arianita Hoxha ka lindur në qytetin e Tiranës. Që në fëmijërinë e saj të hershme   përjetonte me gëzim perëndimet mahnitëse të diellit buzëmbrëmje, qartësinë e malit të Dajtit në ditët e kthjellta të dimrit dhe entusiazmin e pa harruar të festave vjetore. Me nostalgji kujton sot ngrohtësinë e familjes së saj, një familje që e quan të bekuar prej fatit ku mbretëronte dashuria e pa fund . Kujton sot kur teksa priste të ikte mamaja në punë, i ulte  motrat në divanë e bëhej modele me veshjet e mamasë. Ëndërronte të bëhej piktore, por shpejt u bind se mes vizatimit të saj nuk lindi ai filing i bukur si premtim për të ardhmen. Por shpejt ëndrra e saj do të merrte jetë nëpërmjet  poezisë. Poezia ishte mrekullia që iluminoi kujtimet e Anitës.  Poezia e saj e parë ” Për ty nëna ime “  fitoi çmimin e parë në konkursin e poezisë mes shkollave të kryeqytetitpër moshat 11-12 vjeç.  Në vitet që do të pasonin  poezia e saj do të ngrihej dhe do të prekte të tjera konfiguracione letrare. Ajo thotë me gëzim se janë 73  shtete nga të gjitha kontinentet dhe ku për çdo shtet janë me dhjetra qytete nga ku artëdashës të poezisë lexojnë rregullisht poezitë e  saj. Shpesh mrekullohet ! Sapo i poston  poezitë në blog, shikon të hyjnë vizitorë edhe deri në pesë shtete të ndryshme në botë në të njëjtën minutë. E gjitha e gëzon,i shton ndjesinë dhe ndërgjegjësimin se poezia sot është mënyra më e mirë për të komunikuar idetë  me njerëz që nuk i njohim personalisht.

Poezia për Arianitën është dëshmitare e ditëve, orëve, stinëve dhe netëve të saj . Poezia është mrekullia që i krijon mundësinë të ndodhet kudo dhe në çdo moment, mundësia për të thënë një fjalë të vetme, një fjalë e njohur dhe e përbashkët për të gjithë por që askush nuk mundet ta thotë më bukur dhe më fort se poezia. Poezia është shtëpia e saj e dytë diku thellë një pylli të bukur ku ajo  shpesh e ndjen veten fëmijë, herë prind e herë mik! Shpesh mendon  si do të ishte jeta e saj  pa poezinë dhe përgjigjen e gjen gjithmonë tek poezia.

Komunikumi saj behet nëpërmjet bllogspotit  http://anitahoxha.blogspot.com.

 

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Arianita Hoxha, Galaktika poetike

Kosova në takimet e FMN dhe BB në Uashington

April 13, 2016 by dgreca

UASHINGTON, 13 Prill 2016/ Delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga Ministri i Financave Avdullah Hoti, po merr pjesë në takimet e rregullta vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, të cilat po zhvillohen në Uashington D C.

Njoftimi i sapodërguar thekson se, përveç pjesëmarrjes në sesionin plenar të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore delegacioni i Kosovës do të zhvilloj takime edhe me zyrtarë të lartë të FMN-së dhe BB-së, me zyrtarë të Departamentit të Thesarit Amerikan dhe përfaqësues të Departamentit të Shtetit Amerikan, homologë të vendeve të ndryshme,  si dhe me përfaqësues të institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: dhe BB në Uashington, Kosova në takimet e FMN

Kosovë-Misioni i OSBE-së, promovim dialogut mes komuniteteve

April 13, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari: Kryeqyteti i Kosovës Prishtina, pranverë 2016/-Në Republikën e Kosovës me gjithësej 38 komuna, 27 janë me shumicë shqiptare, ndërsa 10 komuna janë me shumicë serbe,  5 prej tyre të reja. Një komunë është e banuar me shumicë nga komuniteti turk/

 PRISHTINË, 13 Prill 2016-B.Jashari/ Misioni i OSBE-së ndihmon komunat në Kosovë që të promovojnë dialogun mes komuniteteve. “Me ndihmën e Misionit të OSBE-së në Kosovë, komunat Prishtinë, Graçanicë, Shtime, Lipjan, Fushë Kosovë dhe Obiliq do të nënshkruajnë sot një deklaratë që ka për qëllim avancimin e dialogut dhe bashkëpunimit mes komuniteteve”, thekson njoftimi i dërguar.

 Bëhet e ditur se, “me këtë deklaratë, komunat zotohen që të rrisin ndërveprimin në mes të komuniteteve të ndryshme që jetojnë në këto komuna përmes zbatimit të projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta”.

 Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger, dhe kryetarët e komunave Prishtinë, Graçanicë, Shtime, Lipjan, Fushë Kosovë dhe Obiliq, do të flasin në këtë ngjarje, e cila zhvillohet në mesditë në kryeqytetin e Kosovës.

 Një nga këto komuna, Graçanica, banohet me shumicë nga komuniteti pakicë serb. 

Në Republikën e Kosovës me gjithësej 38 komuna, 27 janë me shumicë shqiptare, ndërsa 10 komuna janë me shumicë serbe,  5 prej tyre të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Martti Ahtisaari – emisarit special të OKB-së.

Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.

Një komunë, Mamusha, është e banuar me shumicë nga komuniteti turk, një nga minoritetet tjera në Kosovë. Këtë komunë gjatë ditës së sotme do ta vizitojë kryeministri kosovar, Isa Mustafa.

Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 %  serbë, 1.08 % turqë, etj.

Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.

Filed Under: Komente Tagged With: Kosovë-Misioni i OSBE-së, mes komuniteteve, promovim dialogut

U shënua tetё vjetori i hartimit tё Kushtetutës sё Republikës sё Kosovës

April 13, 2016 by dgreca

Prishtinë, 12 Prill 2016 – Nё njё ceremoni tё organizuar nga Ministria e Drejtёsisё, me rastin e shёnimit tё tetё vjetorit tё hartimit tё Kushtetutёs sё Republikёs sё Kosovёs, ku pjesёmarrёs ishin Presidenti i ri i Republikёs sё Kosovёs, Z. Hashim Thaçi, Kryeministri i Republikёs sё Kosovёs, Z. Isa Mustafa, Kryetarja e Gjykatёs Kushtetuese Znj. Arta Rama Hajrizi dhe pёrfaqёsues tё institucioneve vendore dhe ndёrkombёtare.
Me kёtё rast Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, falënderojё tё pranishmit pёr pjesëmarrje nё kёtё ceremoni, duke e vlerёsuar kёtё pёrvjetor si tё rendësishёm pёr sistemin e drejtësisë dhe Republikёn e Kosovёs.
‘’Pas 17 shkurtit tё vitit 2008, konsiderojё qё data mё sublime pёr Republikën e Kosovës është data 9 Prill 2008 dhe sa herё tё përmendim Kushtetutën e Kosovës, kujtojmë ata burra dhe gra qё kanё rёnё dhe tёrё ajo sakrificё e tyre ёshtё reflektuar nё Deklaratёn e Pavarёsisё dhe Kushtetutën tonё” tha Ministri Kuçi.
Duke shprehur mirënjohjen e tij pёr anëtarët e hartimit tё Kushtetutës, Ministri Kuçi përmendi dy personalitete, tё cilët nuk janë mё nё mesin tonё, znj. Nekibe Kelmendi dhe Z. Ramadan Kelmendin tё cilët ishin anёtarё tё kёtijё komisioni dhe theksoi se ne kemi qenё tё vetёdijshёm qё kur tё bёjmё Kushtetutën, nuk do tё bёhet vetëm pёr gjeneratën tonё, por edhe pёr gjeneratat qё do tё vijnë. Ndёr tё tjera Ministri Kuçi pёrmendi se ka qenё me fat qё ka punuar me tё gjithё pёr tetё vite dhe qё sё bashku kemi ndёrtuar arkitekturën e drejtësisë dhe tani mё kemi njё sistem funksional tё drejtësisë, i cili ka nevojё tё ngritët edhe mё shumё mbi bazamentin e tijё. Ministri Kuçi po ashtu pёrmendi edhe ndihmёn e veçant qё kanё ofruar partnerёt ndёrkombetarё, Shtetet e Bashkuara tё Amerikёs dhe misionin e EULEX-it nё Kosovё, me tё cilët tha se do tё vazhdojmë bashkëpunimin edhe mё tej. Nё fund Ministri Kuçi pёrshёndeti tё gjithë juristёt dhe bёri thirrje qё ta lexojmë dhe rilexojmë Kushtetutën e Republikёs sё Kosovёs, nё mёnyrё qё tё krijojmë mё pak hapёsirё pёr komentime dhe shumё mё shumё pёr zbatimin e saj me bindje ndaj Kushtetutës, sepse ky ёshtё akti themeltar, ёshtё besimi jonё dhe besimin tonё do ta kthejmë nё praktik.
Presidenti i ri i Republikёs sё Kosovёs, Z. Hashim Thaçi në paraqitjen e tijё tё parë publike, pas betimit dhe ceremonisë së inaugurimit, tha se Kushtetuta e Kosovës i ka rrënjët në kompromisin e Vjenës dhe krijimin e mekanizmave mbrojtës për komunitetet jo-shumicë. Kosova është Republikë sovrane dhe e pavarur, falë këtij kompromisi dhe nuk është e moralshme që sot ne t’u ikim obligimeve tona, 8 vjet pasi që kemi fituar rezultatin më të shenjtë dhe më të madh të historisë sonë, shtetin tonë të pavarur.
“Si president do t’i inkurajojë partitë politike, shoqërinë civile dhe institucionet e Kosovës që t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme, që të realizojnë ëndrrën e krenarisë për shtet dhe të forcojnë edhe identitetin shtetëror”, ka thënë Presidenti Thaçi.
Ndërsa, çështje tjetër e ngritur nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi, ishte edhe mbrojtja e Kushtetutës në publik. “Duhet ta rikthejmë besimin qytetar tek institucionet legjitime. Me punën tonë duhet të rrisim besimin qytetar tek shteti ynë”, është shprehur presidenti Thaçi, duke u zotuar se si president i vendit, do t’u ofrojë përkrahje të palëkundur në pesë vitet e ardhshme.
Ndёrsa Kryeministri i Republikёs sё Kosovёs, Z. Isa Mustafa nё fjalёn e tij para tё pranishmëve tha se Kushtetuta e Kosovës, jo vetëm në mënyrë simbolike, por edhe në formë përmbajtjesore është sinonim i veprimtarisë, luftës dhe përpjekjeve të shumë gjeneratave për liri dhe pavarësi.
“Në faqet e saj përvijojnë idetë dhe vlerat nga veprimtaria patriotike e shumë burrave dhe grave të Kosovës, nga përkushtimi dhe flijimi i shumë të burgosurve politikë, studentëve, minatorëve të Trepçës, Kushtetutës së Kaçanikut, luftëtarëve të UÇK-së, dëshmorëve dhe martirëve, intelektualëve dhe shumë dijetarëve tanë. Për më tepër Kushtetuta sublimon përkushtimin e Presidentit Historik, dr. Ibrahim Rugova dhe të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Kushtetuta jonë në formën e saj specifike, po ashtu, pasqyron arkitekturën e shtetit tonë, të ideuar nga shumë gjenerata dhe të vulosur nga përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Kryeministri Mustafa.

Filed Under: Komunitet Tagged With: sё Republikës sё Kosovës, tetё vjetori i hartimit, tё Kushtetutës, U shënua

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT