• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2016

PENGU I NJE GRUAJE

April 11, 2016 by dgreca

LIBRAT E ISMETE SELMANAJ LEBA, LITERATURE NE UNIVERSITETET E PALERMOS/

NGA DR. LILIANA  PERE/

Ismete Selmanaj Leba – n e njoha rreth një vit më parë, në prill 2015,  kur sapo kishte dalë  në treg në Itali romani i saj “Verginità Rapite”. Një grua sa e thjeshtë po aq edhe  madhështore me punën e saj në artin e të shkruarit. Nje vlere per letërsinë dhe historinë shqiptare. Në atë kohë kishte publikuar në shqip dy romane të suksesshëm.

Në vitin 2013 boton në shqip nga shtëpia botuese Dudaj librin “Gjembi dhe trëndafilat” që mori pjesë në Panairin e Librit “Tirana 2013”. Një vit më vonë, në nëntor 2014, publikon me të njëjtën shtëpi botuese romanin “Kokat e dy lejlekëve të purpurt”, që rezultoi si libri i tretë më i shitur në Panairin e Librit në nëntor 2014 në Tiranë.

U takuam më pas me Ismeten në Tiranë, tashmë edhe si një anëtare e Organizatës që unë drejtoj: “Gruaja Shqiptare në Botë – GSHB – Albania Woman in the World”. Më tregoi për jetën e saj folem gjatë, dhe për librat që kishte publikuar.

Libri “Verginità Rapite” (Virgjëri të vjedhura) flet për periudhën gjatë viteve të regjimit komunist në Shqipëri dhe atë të tranzicionit. Historia e romanit i ka fillimet e saj në fundin e vitit 1979. Një vajzë 15 vjeçare, Mira, nxënëse e shkëlqyer që ëndërron të bëhet pediatre, pëson një përdhunim barbar nga sekretari i Partisë së shkollës. Përveç tmerrit të përdhunimit, Mirës i duhet të përballet  edhe me “opinionin” që e quan atë fajtore për çfarë ka ndodhur. Me dhembje të paimagjinueshme  ndahet me forcë nga e vetmja krijesë që solli në jetë. Jeta e saj do të jetë vazhdimisht në shënjestër të ish-sekretarit të Partisë, i cili edhe pas rrëzimit të diktaturës, është sërish në majat e politikës shqiptare. Ishte i pacenueshëm më parë dhe vazhdon të jetë ende më i fuqishëm dhe hakmarrës se kurrë.

Por Mira nuk dorëzohet…. Arrin me një forcë të jashtëzakonshme të ngrihet nga balta ku e hodhi dhuna e pamëshirshme dhe bëhet si një nënë e dhembshur për gratë e vajzat e dhunuara, hap dyert e shtëpisë së saj duke mbjellur vetëm dashuri e mirësi.

Shkon deri në Kosovë dhe sheh me sytë e saj tmerret që ka kaluar populli martir i Kosovës.

  Ka një peng të madh në zemër që e mundon por edhe i jep forcë se s’duhet të ndalet. Sheh me trishtim Shqipërinë dhe i duket si një grua me dhembje lindjeje qe po zgjasin pothuajse 20 vjet, pa mundur të sjellë në jetë demokracinë.   

Këto ditë ka  dalë në qarkullim në Itali një libër i ri i saj me titull  “I bambini non hanno mai colpe” (Fëmijët asnjëherë nuk kanë faj), nga shëpia botuese Bonfirraro që shpërndan librat e saj në të gjitha libraritë Mondadori në Itali.

Një arritje e jashtëzakonshme për këtë autore shqiptare durrsake që banon në Sicili prej gati 24 vitesh.

Në qendër të trilerit është pedofilia, një nga plagët më të shëmtuara të njerëzimit rreth së cilës rrotullohet jeta e katër personave, tanimë burra, të lidhur nga një fat i hidhur në të kaluarën që ka kushtëzuar  totalisht jetët e tyre.

Historia romanit nis në një fshat të vogël në veri të Shqipërisë. Gjergji dhe vëllai i tij Sokoli, janë dëshmitarët e vetëm të vdekjes së babait të tyre kur ishin vetëm 12 dhe 11 vjeç. Sikur të mos mjaftonte kjo, do ta gjejnë veten në kurthin e Kanunit dhe të gjakmarrjes sepse gjyshi akuzon nusen dhe nipërit për vdekjen e djalit të tij.

Në emër të Kanunit kërkon gjakun e të birit. Rrugëzgjidhja e vetme që kanë dy vëllezërit dhe mamaja e tyre që mos të vriten, është që të ngujohen. Vendosin atëherë me ndihmën e një vëllai të nënës së tyre të largohen nga fshati dhe vendosen në një qytezë të vogël. Si vazhdon jeta e tyre duke jetuar gjithmonë me frikën se mos i vrasin? Shumë e vështirë…ishte gjithçka shumë e vështirë në Shqipërinë pas komuniste që po kërkonte të ngrihej në këmbë pas errësirës së diktaturës.  Jeta e tyre pëson një kthesë të papritur kur në parkun e qytetit ku banojnë gjendet trupi i pajetë i një personi me një të kaluar të dyshimtë. Në fakt, personi në fjalë, disa vite më parë, ishte denoncuar nga prindërit e një fëmije për abuzim seksual kundrejt fëmijës së tyre. Denoncim i tërhequr më pas  në mënyrë jo të qartë. Në të njëjtën kohë, shfaqet papritur në qytet një burrë misterioz që ndjek dy vëllezërit si hije. Kush është ky person dhe çfarë kërkon prej tyre?

E shkuara dhe e tashmja e dy vëllezërve gërshetohen në një triler shumë të vështirë per t’u zgjidhur edhe për shefin e policisë, Andi, një investigator shumë i zoti.

Libri është një vepër letrare e plotë që i ka rrënjët shoqërore në Shqipërinë pas komuniste së cilës i duhej të përballej me shumë probleme.

Pas një gjumi letargjik të gjatë pothuajse gjysmë shekulli u zgjua nga gjumi Kanuni i Lek Dukagjinit, më konfuz e më i pamëshirshëm se më parë.

Vrasjet në emër të Kanunit janë në rend të ditës. Mëritë e vjetra filluan saktësisht aty ku i pati shtypur regjimi i Hoxhës me grusht të hekurt…por tanimë pa rregulla.

Gjaksit nuk ndalen më as para fëmijëve e grave. Sot, njerëzit vriten edhe për një fjalë të tepërt, për një metër tokë, për një vështrim të vëngër.

Por tragjedia më e madhe që prek Ismete Selmanaj në këtë triler spektakolar që të lë në ankth deri në faqen e fundit, është ajo e fëmijëve të ngujuar dhe pedofilisë.

Një temë që autoren e  ka prekur si grua e si nënë e tre fëmijëve.

‘’Ajo që  shkruhet në  këtë roman është një denoncim i fortë kundrejt këtyre fenomeneve, një thirrje e fortë për shoqërisë shqiptare  për t’i dhënë fund këtyre turpeve shoqërore’’.

Ismete Selmanaj ka lindur në Durrës dhe që e vogël ka pasur pasion letërsinë duke shkruar vazhdimisht dhe ka fituar disa çmime në konkurset letrare të kohës.

Në vitin 1991 diplomohet në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit.Por pasioni për letërsinë nuk e lënë kurrë mënjanë.

Në vitin 1992 është transferuar me familjen në Itali në provincën e Messina –s ku dhe banon aktualisht.

Pas vështirësive të viteve të para të emigrimit, e gjeti veten pikërisht tek pasioni i hershëm; letësia. Dhe ishte një sukses i menjëhershëm  dhe i plotë.

Për plagën e pedofilisë dhe të ngujimit, ka shkruar edhe vetë Ismetja  një artikull për një gazetën investigative Internacionale Flip News – Free Lance International Press.

Një artikull i pritur mjaft mirë nga lexuesit si i guximshëm dhe si një denoncim i pamëshirshëm i këtyre fenomeneve të urryera.

Pas publikimit të librave të saj në Itali  kanë shkruar shumë gazeta lokale dhe një nga gazetat më të rëndësishme në Itali, “Corriere della sera” e quan një shkrimtare brilante.

 Blogu  mbi publikimin e librit të saj të ri, u radhit në vendin e parë  në Siçili.

 Parathënien e të dy librave e ka përgatitur profesor Matteo Mandalà, pedagog në Universitetin e Palermos.

‘’ Si libri “Verginità Rapite”  edhe  “I bambini non hanno mai colpe”, janë futur si libër studimi në Universitetin e Palermos, ‘’

Ismete selmanaj ,autorja ka qenë e ftuar në disa seminare me studentët. Gjithashtu e ftuar për të komentuar historinë e librit “Verginità Rapite” autorja ka qenë në disa takime në dhjetëra shkolla të mesme të Siçilisë.

Në 13 maj të 2016, autorja do të marrë pjesë në Salone Internazionale del Libro në Torino, një nder e krenari për këtë autore shqiptare dhe për Shqipërinë.

Duke i uruar suksese në këtë rrugëtim gjithmonë në ngjitje, presim ende vepra të tilla të vlerësuara në në nivel akademik dhe mund të themi me plot gojën që Ismete Selmanaj Leba është krenaria e letërsisë shqiptare përtej kufijve.

Është për t’u admiruar impenjimi i saj për të sjellë një copë të historisë së Shqipërisë në Itali duke theksuar vlerat më të larta të popullit tonë; besën, mikpritjen, faljen.

Virtyte që heronjtë dhe herionat e librave të saj i kanë të mishëruara duke u bërë burim frymëzimi për të rinjtë e sotshëm dhe pse jo…duke u  treguar  edhe rrugën  që duhet të ndërmarrin.

Dr. Liliana Pere

President: International Organization.

Albanian Woman in the World

Peace Missionary & Honorary Advisor of DMPP

 

Filed Under: Interviste Tagged With: DR. LILIANA PERE, E ISMETE SELMANAJ LEBA, LIBRAT, LITERATURE NE UNIVERSITETET E PALERMOS

Kompleksi i dhunës, nga realitet psiko-fizik, tek pasojat paranojake

April 11, 2016 by dgreca

Nga Dukagjin HATA /

Për dukurinë komplekse të dhunës, si një aspekt psiko-emocional, social, etik dhe shpirtëror, i shmangies së vetëdijshme të njeriut nga normaliteti, është shkruar shumë, qyshkurse në botën tonë ka filluar shkrimi dhe deri sot, në këtë kohë të integrimit dhe realitetit gjeo-politik global. Janë të ndryshme qëndrimet dhe vlerësimet ndaj këtij fenomeni negativ moral dhe shoqëror, por një pikë i bashkon të gjitha këndvështrimet: dënimi i dhunës dhe marrja e masave që ajo të frenohet e pengohet sa të jetë e mundur. Ky është një qëndrim konstant i shoqërive dhe shteteve në të gjitha kohërat, që kurse njeriu u shkëput nga pavetëdija kolektive mbi të mirën dhe të keqen dhe u grupua në komunitet, mbi bazën e principeve territoriale dhe vetive të karakterit human të popujve e kombeve.

Problemi i dhunës, në të gjithë shtrirjen e saj mitologjike dhe historike, në tërë gjërësinë e përmasave ku shfaqet e vepron kjo dukuri shumëplanëshe e negativitetit njerëzor, në të gjitha kohët dhe hapësirat botërore, konsiderohet si një çështje e hapur dhe gjithmonë e pranishme në mendimin global. Me të është mbushur dëng  fantazia estetike e popujve të mëdhenj e të vegjël, veprat letrare më të shquara, filmat dhe krijimtaria elitare e shpirtit njerëzor, duke prodhuar histori nga më të ndryshmet që, me kohë, kanë fituar kuptime, simbolika dhe mesazhe të reja.

Dhuna ka qenë dhe mbetet promotori i mundjes së të dobëtit nga më i forti, i klanit më pak i fuqishëm nga klani superior, i klasave më pak të mbrojtura nga klasat shoqërore më të forta. Në themel të saj historikisht janë vënë instinktet më të ulëta të species humane, ajo që me të drejtë psikoanalisti i shquar Erik From e quan “mendja kolektive agressive”. Në këtë sens, dhuna ka ushqyer kronikat e përgjakura të revolucioneve, ku nuk ka pasur të fituar, konfrontimet midis midis sekteve e feve, midis qytetërimeve dhe mënyrave të ndryshme të jetesës, në kohë dhe hapësira të ndryshme të botës sonë.

Mesjeta e largët, me inkuizicionin dhe dominimin e genit harbut, gati të kthyer në institucion, ka qenë epiqendra e këtij shpërthimi vullkanik të mbrapshtisë njerëzore, por Mesjeta është përsëritur, në forma e mënyra nga më të kamufluarat, në të gjitha kohët, bile vazhdon të jetë aktuale dhe kërcënuese edhe në kohën tonë të modernitetit. Përderisa mafia dhe klanet kriminale janë ende një realitet veprues në botën tonë, përderisa institucionet, siç thotë Kafka, nuk sjellin liri por një soj skllavërimi, përderisa të dobëtit janë të zbuluar në ëndrrën e tyre për një jetë të lirë e të sigurtë, kronikat për dhunën nuk kanë të sosur, por dhe masat ndaj saj vazhdojnë të jenë në rendin e ditës së kombeve e popujve.

Por, nëse dhuna, siç themi shpesh, është instinkt natyror dhe kusht për dominim dhe afirmim mbi tjetrin e pra, kusht i ekzistencës fizike, nuk mund të lejojmë që ky instinkt të mbisundoj akoma në jetën e njerëzimit, pasiqë pulsimet e tilla, agresiviteti ekstrem, i shoqëruar me ushtrim të dhunës, pavarësisht nga prania gjithnjë e më agresive në jetën tonë, nuk vlejnë as për relika muzeale.

Ku të kërkojmë guximin dhe formën më të sukseshme për të çrrënjosur dhunën? «Edukimi fillon njëzet vjet para se të lind fëmia» dhe ky është burimi më begatshëm për t’iu shmangur dhunës”. Kjo nuk është një tezë e re, as e panjohur, thjeshtë duket një tezë e neglizhuar dhe që nuk merret seriozisht nga edukatorët e shpirtit tonë.

Hobarti, një psikofilozof i shquar amerikan, themelues i rrymës së Shentologjisë, aq e njohur në botën fetare dhe laike, flet për aberracionet  (devijimet psikike) që lindin tek fëmijët në barkun e nënës së tyre, si rezultat i mënyrave jo dhe aq paqësore, me të cilat i përballojnë ato problemet individuale gjatë barrës. Shopenhauri tregon për trysninë e mjedisit social kolektiv, si indikator i përpunimit të sjelljes së pavetëdijshme të fëmijës, që nis sapo ky fëmijë të jetë në fazën embrionale në barkun e nënës shtatzënë.

Një edukim i brezave, i bazuar në parime të shëndosha humane « prodhon» një  njerëzim me vlera dhe ndjenja cilësore, që mënjanon dhunën fizike dhe verbale. Është gjithashtu e rëndësishme, rrëfen psikolgjia moderne bashkëkohore, që për çdo fëmi, për çdo adoleshent të mësoj të qeverisë agresivitetin e vet në atë mënyre që të mos shndërrohet në dhunë.

Sot dhuna në Shqipëri është një çështje kapitale e shoqërisë sonë dhe vjen nga të gjitha segmente e saj, por më e rëndë është dhuna e drejtpërdrejtë që vjen nga bota e keqbërjes dhe krimit.

Bota e krimit ka vënë përballë shoqërisë shqiptare një arsenal të tërë mjetesh e praktikash dhune, që nga fjalori i dhunshëm, vrasjet, shantazhimet, deri te kërcënimet dhe dhuna, me pasoja të rënda për shëndetin fizik dhe mendor. Për fat të keq, vetë politika, që duhet të jetë arti i bashkërendimit dhe bashkëjetesës demokratike, në këtë vend është kthyer në një art përjashtimi, dhune e shantazhimi, duke u kthyer në një antimodel social e shoqëror.

Për fat të keq, ka ndodhur në disa fushta elektorale, kur situata është rënduar dhe palët politike, të egërsuara e të stresuara nga ethet e fitoreve apo humbjeve të supozuara, janë hedhur në sulm ndaj njëra tjetrës, në sulme të aramatosura e me pasoja tragjike, pa llogaritur koston morale të këtyre akteve anakronike, mesjetare.

Peizazhi mbarëshqiptar, nga zonat urbane në ato rurale, është mbushur dëng  me zhurmënajën e zënieve, grindjeve, mërive, sherrnajave, hakmarrjeve e gjakmarrjeve, vringëllimës së pisqollave, plagosjeve dhe vrasje mafioze. Gjuha e forces, e promovuar nga grupet kriminale, shpesh me mbështettje politike, kanë si fjalë kyçe: vdekje, shkatërrim, degdisje, plumba ballit, pengmarrje etj.
Natyrisht që përgjegjësitë penale janë indivdiuale për persona që manifestojnë gjuhën e dhunës e të gjakderdhjes, por motivimi është nga lartë-poshtë, vjen duke u përshkallëzuar nga piramida në bazë. Kjo ndodh pasi lidershipi politik i dy partive kreysore në çdo prononcim publik, mediatik apo tribunal, nuk lënë rast pa kërcënuar politikën përballë, me një gjuhë që bie erë dhunë dhe terror politik.
Shoqëria shqiptare, megjithë përpjekjet për t’u çliruar nga pjesa e saj më e keqe, vazhdon të endet në një tranzicion të pashpirt, ku keqbërja, vjedhja, mashtrimi, vrasjet, trafiqet etj janë dëshmi vepruese e një realiteti tejet të trishtë, i cili ushtron një presion të fortë mbi normalittein tonë.

Kur flitet për presionin e botës së krimit, mbi dëmet e shkaktuara prej saj në indidvidë dhe shtresa të ndryshme sociale, në këtë tranzicion shqiptar të vështirë, analistët, opinionistët dhe ekspertët rëndom llogarisin vetëm zinxhirin shkak pasojë në rrethin e pasojave dhe traumave fizike, pa hyrë në një aspekt tjetër që është po kaq dramatik dhe klithës, që është aspekti psikologjik, trysnia psikolgjike me pasoja të rënda në shëndetin psikik të këtyre inidividëve, por sidomos të fëmijëve dhe adolishentëve.

“Shëndeti mendor” dhe psikologjia e mendimit dhe sjelljes së atyre që përjetojnë trauma të përjetimit të ngjarjeve kriminale, dëmotohen rëndë dhe duhen vite të tëra diagnostikimi e rehabilitimi për të shmangur avragimin e mëtjeshëm të pasojave në sjelljen sociale qoftë inividuale qoftë shtresore.

Në fakt, ne jetojmë në një ambient tejet të ngarkuar nga ana psikolgjike dhe shpirtërore, ku nga “ndotja psikologjike”, për shkak të lajmeve të rënda që përcjell përditshmëria e vrasjeve dhe krimeve të rënda, dëmtohen mjaft sidomos fëmijët dhe adolishentët, që janë viktima permanente të këtij realiteti agresiv.

Kronikat e shtypit të shkruar dhe mediave televizive që fokusojnë vrasjet dhe aktet e tjera të shëmtimit moral e psikik të shoqërisë, përcillen me alarm nga fëmijët dhe adolshentët, të cilët e shohin këtë si një dimension kërcënues dhe jo rrallë pësojnë kriza e trauma të rënda.

Sapo kishte hyrë për gjashtëmbëdhjetë vjeç, kur Erind Gasa, tanimë shtatëmbëdhejtëvjeçar, nxënës në vitin e dytë në gjimnazin “Ismail Qemali”, teksa po kthehej aty rreth orës katër të mëngjesit nga festimet në ditëlindjen e një shoku të klasës, ndesh rrugës, dy-treqind metra larg shtëpisë së tij, me një skenë dhune ekstreme, në kohën kur po kryhej vrasja e bujshme, pranë një lokali në Rrugën e Elbasanit, nga K. Xhuvani. Ngjarja e rëndë, ku u vranë nga plumbat katër persona, ngjarje që ai e pa me sytë e tij tek ndodhte, e shokoi adolishentin E. Gasa, i cili u largua me shpejtësi nga frika dhe terrori i çastit. Pas kësaj ngjarje, Erindi, anëtar i ekipit të futbollit “Olimpik”, do të pësonte dëmtime psikike; ai u mbyll në vetvete, u bë më i heshtur dhe pësoi traumë, e cila shoqërohet me ankth në gjumë, trembje të beftë dhe shpesh shpërqëndrim të vëmendjes, por ndodh që ka dhe gjendje depresive e haluçinacione.

Fëmijët e adolishentët, për të keq, në Shqipëri janë objekte dhe subjekte dhune; mbi to ushtron dhunë prindi, mësuesi, bashkëmoshtari, më i rrituri, ushtrojnë dhunë mjetet e informimit publik, mediat e shkruara dhe televizive me presionin e informimit të botës së krimit, që përcillet prej tyre herë herë si shqetësim e herë herë si traumë.

Për fat të keq, psikologët në shkollat tona janë thuajse inekzistentë ose ekzistojnë vetëm formalisht, pasi nuk kanë përgatitjen dhe profilin e duhur për të përballuar fluksin e problmeatikave të mprehta psikike me të cilat ballafaqohen sot fëmijët dhe adolishentët, në një realitet trysnie të vazhdueshme mbi to, e cila shkakton depresion dhe trauma individuale e kolektive të këtyre shtresave shoqerore, qe kane aq shume nevoje per doren e piskologut dhe perkujdesje psikike.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dukagjin Hata, Kompleksi i dhunes, pasojat

Java e Bibliotekës në Kosovë 2016

April 11, 2016 by dgreca

Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë/

-Organizime së bashku Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë/

-Edicioni XIV: Biblioteka dhe dokumentimi i realitetit historik të Kosovës/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 11 Prill 2016/ Java e Bibliotekës në Kosovë 2016 hapet solemnisht nesër, në 12 prill, me një veprimtari të zhvilluar në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë, ku do marrë pjesë e flasë edhe Persida Asllani, drejtore e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.Sipas axhendës së dërguar, fjalë rasti do mbajnë edhe Fazli Gajraku, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Mark R. Naylor, zëvendësdrejtor për marrëdhënie me publikun në Ambasadën Amerikane në Prishtinë. Dhënia e mirënjohjeve dhe e shpërblimeve është poashtu në axhendën e hapjes së edicionit XIV me temën “Biblioteka dhe dokumentimi i realitetit historik të Kosovës”.

Në vazhdim mbahet konferencë shkencore me temë “Ismail Kadare – leximi dhe interpretimi”, organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, e më pas zhvillohet prezantimi “Një rol i ri për bibliotekat: mbledhja, ruajtja dhe shkëmbimi i rrëfimeve gojore të bashkësisë”, ku referues do jetë Alexandra Kelly nga Biblioteka Publike e Nju Jorkut.

Ekspozita “Qytetet e Kadaresë” organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë pasohet edhe me aktivitetet tjera të saj me promovime botimesh profesionale dhe bibliografike.

Në 13 prill, aktivitetetet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës nisin me prezantimin “Hartimi i projekteve në fushën e rrëfimeve gojore në bashkësi: mjetet dhe praktikat më të mira”, ndërsa vazhdojnë me tre sesionet – “Dokumentimi i realitetit historik në Kosovë: qasje antropologjike dhe sociologjike”, “Metodologjia e mbledhjes dhe angazhimi i bashkësisë në projektet e rrëfimeve gojore” dhe “Dokumentimi i realitetit historik të Kosovës – e tashmja dhe perspektiva”.

Ndërsa, në Ferizaj, organizuar nga Biblioteka Rajonale hapet ekspozita “Ferizaj në shkrimet e viteve 1990-1999”.

Në 14 prill, në Prizren, organizuar nga Biblioteka Rajonale zhvillohet prezantimi “Metodologjia e mbledhjes dhe angazhimi i bashkësisë në projektet e rrëfimeve gojore” dhe  sesioni “Dokumentimi vizual i traditave dhe i ngjarjeve historike”. Një aktivitet tjetër është “Dhjetëvjetori i Këndit Amerikan në Prizren”.Në 15 prill, “Dita e Donacioneve” zhvillohet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Në Pejë, organizuar nga Biblioteka Rajonale, zhvillohet sesioni “Bibliotekat, sfidat dhe e ardhmja e tyre”, e më pas hapet Biblioteka e Shkollës së Mesme Teknike “Shaban Spahiu”.

Në 16 prill, zhvillohen aktivitete të organizuara nga Këndi Amerikan në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës: “Punëtori mbi të drejtat pronësore të gruas në Kosovë”, sesionet “Hulumtimi antropologjik në Kosovë – pikëpamja e antropologut vendas dhe e antropologut të huaj”  dhe “Narracionet për monumente: rrëfime dhe legjenda”. Në përfundim bëhet përmbyllja e Javës së Bibliotekës në Kosovë 2016.

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, Java e Bibliotekës, në Kosovë 2016

Po afron 113 vjetori i lindjes së Ernest Koliqi

April 11, 2016 by dgreca

Nga Marieta Shatro/Ernest Koliqi lindi në Shkodër me 20 Maj 1903, në nje familje te njohur patriotike. Shkollën e filloi në vendlindje në kolegjin Saverjan të Jezuitëve, për ta përfunduar më 1921 në Bergamo dhe në Milano të Italisë, ku kreu studimet e mesme. I përgatitur me njohuritë më të përparuara të kohës, u kthye menjëherë në Shqipëri ku, dy vjet më pas, së bashku me Atë Anton Arapin dhe Nush Topallin, themeloi gazetën “Ora e Maleve”që drejtohej nga Luigj Gurakuqi.
Në vitin 1924 mori pjesë në shoqërinë patriotike “Bashkimi”, themeluar nga Avni Rustemi. Për t’i shpëtuar forcave zogiste, emigroi pesë vjet në Jugosllavi. U rikthye në Shqipëri më 1929 dhe filloi punën si mësues në Vlorë e në Shkodër. Më 1937 u diplomua në Universitetin e Padovës me tezën “Epika popullore shqiptare”. Tërhoqi vëmendjen e albanologëve Jokël e Lambert.Më 1939 u emërua ministër i arsimit. Mblodhi në kabinetin e tij studiuesit dhe shkrimtarët më të spikatur, me të cilët zhvilloi një veprimtari mjaft të dendur. Po në 1939 u emërua titullar i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë në Universitetin e Romës.Në vitin 1940 organizoi në Tiranë Kongresin e Studimeve Shqiptare.Në 1941-1942 dërgoi në Kosovë 200 mësues dhe dha një numër të madh bursash studimi.Në 12dhjetor 1941 hapi shkollën e parë të mesme në Kosovë.Më 1944 u largua në Itali, ku u emërua drejtues i Institutit të Studimeve Shqiptare, krijuar më 1957 nga vetë Koliqi, në vend të Katedrës së Gjuhës Shqipe pranë Universitetit La Sapienca të Romës.
I nderuar nga e gjithë bashkësia shqiptare në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij vdiq në Romë më15janar 1975.
Pra, klasiku i fundit i brezit letrar të viteve ’30, mbylli sytë përgjithmonë 41vjet më parë në shtëpinë e tij të thjeshtë, në Fiano Romano (Romë), i dënuar të rrinte larg Shqipërisë me akuzën si bashkëpunëtor i fashizmit. Vdiq me dëshirën e zjarrtë, të paplotësuar, të kthehej rishtas në Shkodër, të dëgjonte prapë këmbanat e Kishave, të shkelte përsëri në pragun e shtëpisë së moçme të Koliqëve në lagjen Gjuhadol. Të gjitha këto dëshira i shprehu me frymëzim të jashtëzakonshëm në poezinë “Bijës sime”, botuar në ‘Shęjzat’, që tingëllon si Testament poetik
Krahas ndihmesës së tij në fushën e publicistikës e të arsimit, ai njihet si prozator, poet, përkthyes, kritik, studiues i letërsisë. Revista “Shęjzat”, rreth së cilës mblodhi emrat më të shquar të diasporës, mbetet një monument i vërtetë i publicistikës shqipe.
E nisi krijimtarinë me vjersha, të cilat i botoi në gjuhën italiane, në të përjavshmen studenteske “Noi giovani” të Bergamos. Gjatë mërgimit në Jugosllavi, botoi poemthin “Kushtrimi i Skanderbeut” me përmbajtje patriotike; më 1929, “Hija e maleve” e më 1935 “Tregtar flamujsh”, kushtuar jetës në Shkodër.
Me vlerë të madhe është edhe përkthimi i: “Poetëve të mëdhej të Italisë”. Më pas botoi “Kangjellat e Rilindjes” (1959) dhe romanin “Shija e bukës së brume” (1960), ku ndjehet fuqimisht malli i mërgimtarit për tokën e vet.
Meritoi medaljen e artë të Shoqërisë “Dante Aligheri”; “Yllin e artë për merita të shkollës”; ishte anëtar efektiv i Akademisë së Mesdheut”, Anëtar nderi i qëndrës ndërkombëtare për studimet shqiptare në Palermo etj.
Disa vjet më parë arbëreshët e Frashinetos, duke dashur të nderojnë kujtimin e Ernest Koliqit dhe të vënë në dukje kontributin e jashtëzakonshëm që dha në studimin e traditave arbëreshe, i vunë emrin e tij Shkollës së tyre të mesme shtetërore. Vepra e tij, e ribotuar disa herë në Shqipëri dhe jashtë saj, vijon të ndiqet me interesim të madh nga lexuesi.
A mund t’i mohohet Koliqit të madh kryevendi që zë në letërsinë shqipe?
Në 113 vjetorin e lindjes, Ernest Koliqi riduket në kujtesën e atdheut të vet me atributet e shkrimtarit, themeluesit të tregimit modern shqiptar, poetit, romancierit, eseistit, përkthyesit, gazetarit, dramaturgut, mbledhësit dhe studiuesit të palodhur të folklorit, veprimtarit të shquar në fushën e politikës e të kulturës së shekullit XX brenda e jashtë Atdheut.
Do të duhej, prandaj, shumë hapësirë dhe kohë për të ndriçuar plotësisht figurën e tij vigane, pa harruar se është edhe vëllai i kardinalit të parë shqiptar, Mikel Koliqit. Po mjaftohemi, të kujtojmë vetëm një nga poezitë e Koliqit, në të cilën ndjehet fuqimisht gjithë malli për vendlindjen, që nuk mundi ta shihte sa qe gjallë e nuk po e shikon as për së vdekuri, ndërsa trupi i tij do të mund të pushojë në paqe vetëm kur të rikthehet në Shkodër, mëngjeset e së së cilës i kujton kështu:

Kendojnë bashkë në mengjese pesë kumbonare,
kendojnë në ajri mbi Shkoder ende fjetë:
mbi Maranaj qet vetllen kureshtare
agimi e hjedh në liqe synin e qetë.

Perhapë lajmin e zgjimit rrezja e parë
të parat përshëndetje dridhen në heshti të letë,
e shpejt në at lavdi dielli, qi e veshë fare
Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.

E ai diell prendvere i ri shprazet në shtepija
udha e lulishta tue ngjallë ngjyra e shkendija,
tue mbshtjellë gjithshka si nji tis ari, i hollë:

skaj në skaj si lum gzimi tue rreshqitë
në syt e vashave, qeshë, e mbush me dritë
kaçurrelat e tyne kur shkojnë në shkollë.

Më 1965 në editorialin”Politika dhe Kultura”shkruan për atdhedashurinë”Si mund t’i thotë vetes”atdhetar”ai bir Shqipeje që për arsye shkalle shoqërore,feje a krahine e shikon shtrembër dhe me urrejtje bashkëkombësin e vet,thua se Shqipëria nuk është çerdhe e përbashkët,por llogorja ku fati na dënon të kalojmë jetën.Pra vetija e parë e një atdhetari qëndron në dashurinë për vëllezërit e një gjaku e të një gjuhe.Mos urre edhe nëse nuk të pëlqen…po je më i shkolluar ndriçoje,po je më i pasur ndihmoje…Duke përbuzur bashkëkombasit,ti mohon mundësinë e bashkëjetesës kombëtare,vërteton fjalët e të huajve që s’na duan dhe që trumbetojnë se shqiptarët s’janë të zotë t’i krijojnë vetes një atdhe.”
“Veprimtaria politike e cila nuk ndriçohet prej kulturës nuk është gjë tjetër,veçse një lojë kote,që argëton ata që e lozin,por pengon ecjen e kombit mbi udhën fatale të historisë.”
Ernest Koliqi  mbetet një nga figurat më elitare te letërsisë shqiptare.Vepra e tij duhet të njihet nga të rinjtë dhe të jetë pjesë e teksteve shkollore .

Filed Under: Histori Tagged With: Po afron 113 vjetori i lindjes së të Madhit Ernest Koliqi

Bashkëjetesa e pamundur e Papës me Enverin

April 11, 2016 by dgreca

Nga Sulejman GJANA/Kryetar i PLL/

Para disa netësh, teksa po kaloja nëpër bulevardin kryesor të Tiranës, në orët e vona të natës, në kthim nga një vend ku më pëlqen të qëndroj i qetë për të medituar, lexuar e punuar, ndesha bustin e Papës Françesku, që u përurua para disa javësh, dhe instinktivisht ndalova para tij.

Ndalova nga kureshtja, duke e ditur se Papa përfaqëson një fe monoteiste që unë e respektoj, edhe pse jam mysliman dhe e deklaroj me krenari përkatësinë time fetare. Madje ky fakt nuk më pengon aspak që të respektoj dhe vlerësoj fetë e tjera monoteiste. Përkundrazi, jam i bindur se feja ime më stimulon ta bëj një gjë të tillë, sidomos në vendin tonë ku harmonia fetare është realitet dhe baza e njësimit kombëtar.

Ndalova gjithashtu për ta soditur bustin, që, edhe pse nuk jam kritik arti, nuk ma shkul bindjen se cilësisht lë shumë për të dëshiruar, sidomos kur e krahasoj me ato të Papës Gjon Pali II në Paris, Madrid apo Abixhan, atë të papës Urbain II në Chatillon-sur-Marne, apo me veprat e autorëve shqiptarë me famë europiane e më gjerë si Radovan Albanezi i Kroacisë, Miho Tivarasi, Andrea Aleksi, Maestro Donati, Francesk, Gjon e Jeronim Albanezi, Mark Bazaiti, Viktor Karpaçi, Onufri, Kostandin Shpataraku, Kostandin dhe Joan Grabovari, Kolë Idromeno, Murat Toptani, Naxhi Bakalli, Ibrahim Kodra, etj..

Ndalova po ashtu sepse përtej Papës Francesku, unë i përkas gjeneratës që i ka përjetuar përpjekjet dhe kontributet madhore të Papës Gjon Pali II në shembjen e diktaturave komuniste në Poloni, në Europën Lindore dhe Shqipëri. Diktatura këto që shkatërruan miliona jetë njerëzore, e që përfaqësuan të Keqen e Njerëzimit në kohërat moderne… diktatura ndër të cilat ajo shqiptare ishte sumumi i antivlerave par excellence, me të cilat u luftua dhe u mohua deri edhe ekzistenca e Krijuesit, në “sfidë me të cilin” kjo diktaturë krijoi Njeriun e Ri, si një qenie hibride pa moral, pa shpirt, pa komb, pa fe dhe pa atdhe.

Tashmë dihet nga të gjithë se Enveri dhe PPSH përdorën edhe “artistët-ndihmës të partisë për krijimin e Njeriut të Ri”.

Por fatkeqësisht pas ndryshimit të sistemit, një ndër paradokset ilustrues të “ndryshimit” që solli pluralizmi katovician ishte edhe ruajtja e hierarkisë dhe e pushtetit real në artet pamore, të hierarkëve më të lartë të artit të realizmit socialist. Athua se këta nuk kishin qenë ndihmësit më të zellshëm të PPSH, por ishin reformuar sipas stilemës: edhe artin komunist, edhe artin “demokratik” e bëjnë po këta; edhe komunizmin, edhe demokracinë e përjetësojnë në art vetëm këta, s’ka të tjerë!!?

E në vijim të kësaj logjike të mbrapshtë i bie që: edhe të Majtën, edhe të Djathtën në Shqipëri e bëjnë dhe e përfaqësojnë vetëm këta, në të gjitha fushat.

Ndaj tek po sodisja bustin e Papës Francesku dhe vendin e përzgjedhur për vendosjen e tij, nuk u habita aspak dhe menjëherë u kujtova dhe u binda se ishte pikërisht kontributi i këtij takëmi pushtetmbajtësish të përjetshëm në art, që kishin ideuar dhe rekomanduar pozicionimin e bustit ngjitur me ansamblin pseudoskulpturor të murit prej betoni, rrethuar me kanale të mermerta dhe me një të ashtuquajtur “kambanë paqeje” mbi krye. Marifet i pështirë ky, me të cilin ideuesit dhe realizuesit e murit dhe “Kambanës së Paqes”, nëpërmjet bashkëshoqërimit të saj me bustin e Papës, kërkonin thjesht legjitimimin konceptual, logjik dhe moral të së parës, si “vepër arti”.Them kështu sepse nuk mund të ndërtohet kurrfarë bashkëshoqërimi me logjikë dhe simbolika të “paqes” dhe “kambanës” së “krishterë” me një figurë madhore të Krishterimit, ndërkohë që e para është thjesht simbolika skulpturore e rebelimit komunist të armatosur të vitit 1997, me gëzhojat e armëve të të cilit ideuesit dhe vetë ish ministri i Kulturës i kohës, Edi Rama, pranuan dhe u vetëlëvduan publikisht para 17 vitesh se derdhën “Kambanën e Paqes”.

Soditjes time mbi bustin e Papës nuk mund t’i shpëtonte kurrsesi sfondi, Piramida e Enverit, e vendosur dhe e mbetur aty si një dëshmi e së Keqes dhe e antivlerës njerëzore, me të cilën shqiptarët ende nuk kanë arritur të shkëputen.

Kryeministri ynë piktor e di mirë se artet epokale (skulptura, pikura dhe arkitektura), qysh nga lashtësia e hershme, janë përdorur për të nderuar, lartësuar e përjetësuar hierarkinë tokësore në rivalitet me idhujt paganë dhe ato të feve politeiste.

Ndaj dhe faraonët egjiptianë, të cilët e konsideronin veten Perëndia mbi tokë, i ndërtuan piramidat si varre të përjetshëm në të cilët varroseshin të shoqëruar nga suita e skllevërve që u kishin shërbyer në të gjallë.

Enveri që vetëpandehej Keops, Ramses, Tutmes, Tutamkhamon e Amenofis, si dhe Nexhmija, Ramizi, dhe të tijtë që e pandehnin të tillë, jo rastësisht caktuan dhëndërrin e të bijën që t’i projektonin si varr një piramidë. Të cilën e mbushën me të gjitha takëmet që Enveri kish mbajtur qysh në të gjallë, pa harruar xhaqetat, qillotat dhe këpucët inglize, deri edhe çorapet e leshit që mbante në Progonat (në kohë të luftës), krahas orës, busullës prej komandanti, e deri edhe çorapet e arnuara të gjirokastritit “nikoqir” që kursente “paratë dhe pasurinë e popullit”.

Natyrisht që ata që i ndejtën rrotull dhe që i shërbyen, krahas 4 milionë shqiptarëve-skllevër, Enveri nuk pranoi t’i merrte me vete. Të parët i la jashtë të vazhdonin dinastinë e “Tutmesit” komunist, kurse 4 milion shqiptarët i la jashtë si “skllevërit e dinastisë”, bash në varrin e hapur gjigant prej 28 mijë km katrorë, që në të gjallë të tij e me urdhër të tij kish përpirë dhjetëra mijëra të pafajshëm, kundërshtarë të njimendtë e të supozuar.

E meqë nuk pranonte të mumifikohej si Lenini në “Mauzoleumin Lenin” të Rusisë, ngaqë mumifikimi do ta shndërronte në lugat të zi për vizitorët dhe do t’ia zvogëlonte shtatin nja 50 cm., urdhëroi qysh në të gjallë që babai i kryeministrit aktual t’i realizonte një shtatore gjigante prej mermeri, i ulur në fron si Buda, por me pozicionin e duarve si Abraham Linkolni në statujën e famshme.

Të gjitha ia kryen siç dëshironte dhe, pas disa vitesh, shqiptarëve u mbeti Piramida si simbolikë e pushtetit të përjetshëm të tij e të të tijve, tashmë të “reformuar, demokratë-proletarë pa proletariat… dhe properëndimorë!?”.

Ajo piramidë, që simbolizon pushtetin komunist në mes të kryeqytetit, u thotë shqiptarëve dhe botës se gabojnë nëse mendojnë se mendësia dhe pushteti i komunistëve në këtë vend kanë perënduar. Siç u tha shqiptarëve dhe botës edhe ceremonia madhështore e 21 shtatorit 2014 për nder të ardhjes së Papës në Shqipëri, ku rreshtimi i fotove të 40 martirëve të kishës Katolike në bulevard (në atë bulevard që mban akoma emërin e vrasësve të këtyre martirëve…) u shit si të ishte vepër e alienëve, dhe jo e baballarëve të pushtetarëve të sotëm!!!

Madje me simbolikën më të fundme me bustin e Papës dhe Piramidën, neokomunistët në pushtet duan të na kumtojnë se ata vetë, Krishterimi dhe Demokracia, bashkëjetojnë në Paqe bashkë me kambanën e derdhur me gëzhojat e rebelimit komunist, dhe bashkë me ato të kishave katolike e ortodokse, sidomos me Katedralen Katolike aty pranë (përtej Lanës).

Paskëtaj nuk kisha dhe nuk kam më asnjë mëdyshje për synimin djallëzor të ideatorëve të këtij paralelizmi ndërmjet Kambanës së Paqes, Papës dhe Piramidës, për të bashkëshoqëruar me sukses në bashkëjetesë të përhershme vlerat dhe antivlerat, të Mirën dhe të Keqen.

 

Por nuk mund të mos e pyetja vehten se ku e marrin këtë guxim komunistët e konvertuar në demokratë, që jo vetëm nuk e shembën atë Piramidë, por arrijnë edhe të vendosin bustin e Papës para saj… Natyrisht për ta legjitimuar moralisht Piramidën, dhe përtej kësaj metafore për të ngulitur në mendjen e shqiptarëve idenë se e Mira bashkëjeton normalisht me të Keqen, madje edhe më tej: se diktatura komuniste ishte po aq e mirë sa edhe Papa dhe mbarë sistemi i vlerave që përfaqëson Shenjtëria e Tij.

 

Por kjo është e papranueshme dhe ndodh sepse në Shqipëri, përgjatë 25 viteve të fundit, nuk është bërë sa duhet për t’u ndarë nga e kaluara komuniste dhe për të mbyllur zezonën e asaj plloje.

 

Kameleonizmi politik i komunistëve nuk është fenomen vetëm shqiptar, por retushimin dhe përshtatjen e legjislacionit, vendimmarrjes, sjelljes dhe qëndrimeve politike me standardet demokratike, e kanë bërë hapur vetëm ish komunistët shqiptarë në Europën e sotme, e megjithatë ia kanë dalë mbanë.

 

Në të këtë çmenduri ata kanë guxuar deri të hedhin në votim në parlament e të rrëzojnë me vota kartat ndërkombëtare të nënshkruara dhe standardet demokratike të gjithëpranuara, duke kapërcyer dhe anashkaluar Brukselin, Strasburgun, Këshillin e Europës dhe Komisionin e Venecias.

 

Për të vërtetuar këtë fakt mjaftojnë ligjet për tokën, sabotimi i hapjes së dosjeve dhe i lustracionit, sabotimi i Dekriminalizimit dhe Reformës në Drejtësi, mashtrimet që u janë bërë ish të burgosurve, ish të përndjekurve, pronarëve legjitimë, emigracionit politik shqiptar të para ‘90-ës, etj..

 

Për të gjitha këto arsye, bashkëjetesa midis simboleve të Papës, atij të rebelimit komunist dhe Enverit e enverizimit nuk munden dhe nuk duhet të vazhdojnë më tej.

 

Për ndërprerjen e kësaj marrëzie dhe fillimin e njëfarë normaliteti, për mendimin tim, duhet të niset me shembjen e Piramidës së Enverit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Enveri, Papa, Sulejman Gjana

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT