Rusia dhe kërcënimi i saj ndaj vendeve anëtare të Aleancës, ka qenë kryefjala e ditës së parë të punimeve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që mbahet në Tiranë. Në çeljen e punimeve të kësaj Asambleje, Presidenti i saj, Michale Turner, e ka renditur këtë çështje, ne prioritetet kryesore te Aleancës. “NATO sot përballet me një mjedis të ri ku Rusia e sheh aleancën si kundërshtare dhe do shikojnë si do e trajtojmë këtë kërcënim, apo edhe kërcënimet bërthamore të saj”, u shpreh Turner. Një ditë më parë, presidenti rus, Vladimir Putin, cilësoi si provokim vendosjen e sistemit te raketave ne Rumani. Në samit doli në pah përplasja mes Armenisë e Azerbajxhanit të pranishëm në takimin e Tiranës. Në qendër është Nagorno-Karabaku ku dy vendet përplasen ushtarakisht.Terrorizmi, kërcënimi nga ISIS dhe refugjatët ishin disa nga pikat e diskutuar gjatë samitit. Për Bruno Tertrais, drejtuesit të Fondacionit për Kërime Strategjike, këto dy çështje nuk duhet të ngatërrohen mes tyre. “Terrorizmi natyrisht është kërcënimi më i dukshëm dhe më i rëndësishme që shkakton ISIS. Disa në Europë do të shtonin dhe migrimin, por 3 gjëra nuk duhet të harrojmë. Së pari, migrimi nuk shkaktohet nga ISIS, por shkaktohet nga një konflikt për të cilin regjimi sirian është përgjegjës. Së dyti, migrimi është më shumë dështim, se sa sukses i ISIS. Ajo që do ISIS është që të gjithë myslimanët të vijnë, të jetojnë, të luftojnë në tokat e të ashtuquajturit Kalifat dhe jo të largohen prej tyre. Së treti, migrimi natyrisht që mund të jetë destabiluzues dhe natyrisht që është i tillë dhe shikojmë efektet e veta të drejtpërdrejta politike në Austri, por nuk çon dhe nuk do të na çojë në kohën e Hitlerit”, u shpreh Bruno Tertrais.
Archives for May 2016
Familja Gashi, 30-vjetori i arratisjes nga Shqipëria
Mergata ne Suedi- SHSHKSH “ Papa Klementi i XI Albani”, Sesion Shkencor në Universitetin e Lundit
Aktivitete në shërbim të kombit dhe atdheut/
Mbajtja e sesionit të pestë shkencor në ambientet e Universitetit të Lundit është një nder i madh jo vetëm për shoqatën e shkrimtarëve, por edhe për vendin tonë, Republikën e Kosovës, aq më shumë kur kihet parasysh fakti se ky tempull i dijes dhe shkencës së shpejti kremton 350 vjetorin e punës
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Në ambientet e Universitetit të Lundit të Suedisë sot u mbajt sesioni shkencor i pesti me radhë i organizuar nga SHSHKSH “ Papa Klementi i XI Albani”, në të cilin u trajtuan tema të rëndësishme lidhur me aktivitetin shumëvjeçar të zhvilluar të mërgatës shqiptare në këtë vend skandinav si dhe të një pune të madhe që po bëjnë krijuesit e këtij asosacioni në botimin e librave të shumtë të zhanreve të ndryshme si dhe në fusha të tjera të rëndësishme të artit e kulturës, në të cilat tashmë ata kanë bërë emër. Pos krijuesve të shumtë që erdhën nga vende të ndryshme evropiane, në këtë eveniment mori pjesë edhe Frederik Shyberg, prorektor dhe dekan i fakultetit Ekonomik, nënkryetari i Komunës së Lundit , Holger Radner , Naim Mehmeti, ambasador i Maqedonisë në Mbretërinë e Danimarkës, Besnik Camaj, nënkryetar i Lidhjes së krijuesve Shqiptarë për Mërgatë, krijues dhe profesor i inxhinierisë kompjuterike në Universitetin e Cyrihut të Zvirës. Emërues i përbashkët i të gjitha temave të shtjelluara në këtë eveniment ishte se mërgata shqiptare është një thesar i çmuar i qytetërimit të kombit shqiptar, e cila me mençuri, me shkathtësi të mendjes dhe me një freski të shpirtit diti aq mirë që të lartësoj aq bukur kulturën, historinë e traditat shqiptare edhe në dhe të huaj. Thënë konkretisht, komuniteti shqiptar jo vetëm në skandinavi, por edhe gjithandej i vendosur në të gjitha kontinentet ishte jashtëzakonisht mirë i organizuar dhe dha kontribut të madh në sensibilizimin e situatës së rëndë në kohën e okupimit klasik nga Serbia, në grumbullimin e mjeteve në Fondin e Trepërqindshit, mbajtjen e familjeve në Kosovë, në shërimin e të sëmurëve dhe zgjidhjes së shumë vështirësive në të cilat gjendej populli i Kosovës dhe së fundi edhe me pushkë në dorë luftoi për çlirimin definitiv të Dardanisë. I gjithë ky sukses i mërgatës shqiptare në Suedi, sot po kurorëzohet me dy numra të rinj të librit i titulluar “ Thesari Kombëtar i mërgatës shqiptare” në Suedi”. Sesionin e pestë shkencor në emër të Kryseisë dhe kryetarit Hysen Ibrahimi, e shpalli të hapur Prof. Osman Ahmetgjerkaj, kurse e drejtoj këtë sesion me sukses znj. Saranda Iséni.
Përkrahja e ndihma e popullit suedez për komunitetin shqiptar është e madhe
Një fjalë rasti me këtë rast e mbajti Hysen Ibrahimi, kryetar i kësaj shoqate, i cili ndër të tjera foli rreth punës së madhe që po bënë ky asosacion në fushën e krijimtarisë dhe në mbledhjen e materialeve rreth aktivitetit e punës së madhe atdhetare, kulturore, humanitare që ka bërë komuniteti shqiptar vite me radhë, aktivitet ky që po përmblidhet në librat të titulluar “ Thesari Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”. Më pas ai shtoi se njeriu krijues është dëshmia më e mirë i prezentimit të kulturës së një kombi dhe më të drejt mund të thuhet e konstatohet se libri i parë identifikues është fjalori, ndaj edhe mund të themi se libri i parë indentifikues i shqiptarëve të Suedisë është ” Thesari Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”. Dhe me të drejt mund të thuhet se çdo faqe e këtij libri është biografi, që dëshmon se shqiptarët me origjinë Ilire janë populli ndër më të vjetrit në Evropë dhe si të tillë ata u pritën shumë mirë nga populli mik suedez. Në të vërtetë, tha në vazhdim Hysen Ibrahimi suedezët iu siguruan kulm mbi kokë komunitetit shqiptar, hapi shkollat në gjuhën shqipe,, ndihmoi shumë në pavarsinë e Kosovës duke e ndihmuar edhe materialisht, sikundër edhe hapi dritarët e informacionit nga mediat e këtushme për sensibilizimin e situatës së rëndë që mbretëronte në vendin tonë, gjithnjë lejoj mbajtjen e protestave, ka mundësuar punësimin e mijëra shqiptarëve, hapi rrugën për shkollim në shkolla të larta e fakultete, ndërsa në vitin 2008 Suedia ishte ndër vendet e para që pranoj pavarësinë e Kosovës. Në fund ai tha se Shoqata e jonë propozon popullit mik të Suedisë t’i ndahet çmimi nobel për paqë, mikëpritje, tolerancë dhe respektim të të drejtave të njeriiut.
Naim Mehmeti, ambasador nga Maqedonia në Mbretërinë e e Danimarkës, lavdëroi përkrahjen e mbështetjen në të gjitha format që shteti suedez i dha komunitetit të këtushëm shqiptar dhe ndihmës së pakursyer materiale sidomos për Kosovën.
Lundi qendër terheqëse shkencore në Evropën Juglindore
Nënkryetari i Komunës së Lundit, Holger Radner, fjalimin e tij e filloi me një urti të vjetër shqiptare: Pullat i rrinë mirë xhaketës së vjetër duke e ndërlidhur këtë me qytetin e e vjetër të Lundit , i cili është gati për të marrë një hap të ri, ku do të jetë shumë i rëndësishëm qepja e një pulle ari në aspektin zhvillimor në mënyrë që të mbetët një qendër terheqëse shkencore në Evropën juglindore, ku do të investohen rreth 25 miliardë korona suedeze. Andaj dua të them se ky qytet do të këtë nevojë si kurrë më parë për këto pulla ari dhe aty jeni edhe ju të dashur pjesëmarrës të këtij evenimenti. Kultura, arti dhe letërsia janë gjerat më të çmuara që ne kemi ngaqë nëpërmjet tyre i kmei marrë çelësat e dyerve për të tashmën dhe të ardhmen. Në jetojmë në një kohë të trazuar, por Suedia sikundër edheShqipëria dhe shqiptarët kanë bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe në fusha të tjera. Ne duhet të kujdesimi dhe të ushqejmë përvojat e brezave të mëparshëm dhe të shkojm me hapa të sigurt përpara. Ai foli edhe fjal miradije për Shoqatën e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptar në Suedi duke konstatuar se me veprimtarinë e saj ajo po mban gjallë kulturën dhe historinë shqiptare. Dhe frymëzimi më i mirë për këtë mision të rëndësishëm që keni marrë është edhe emri i shoqatës ” Papa Klementi i XI Albani. Ai zbriti historin si një Papë i shkolluar, mbrojtës i artit dhe i shkencës, promotor i bibliotekave dhe ruajtës i arkitekturës romake, përfundoi ai. Ndërkaq, Frederik Shyberg, prorektor dhe dekan i Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Lundit foli rreth historikut të këtij tempulli dhe punës së suksesshme në fushën shkencore- kërkimore. Pos tjerash ai shtoi se për shkak të një konkurence të madhe në botë, në këtë universitet vijnë për çdo vit mijëra bashkëpunëtor për të punuar në projektet ë përbashkëta në fusha të ndryshme të shkencës dhe të dijes. Ai permendi edhe një koleg të tij shqiptar që punojnë së bashku dhe nga njëherë edhe ai e ndien vetën shqiptar. Po ashtu, edhe në projektin e madh investiv, që kap shumën e 25 miliardëve, është i angazhuar edhe një ekspert shqiptar. Fjalë miradije tha edhe për student të komunitetit shqiptar që studijojnë në degë të ndryshme.
Librat “ Thesari Kombëtar…” vlerësohen si një enciklopedi
Prof.Fetah Bahtiri, Nënkryetar i shoqatës, beri një rikapitullim të përmbajtjes së librave numër pesë e gjashtë. Ai me këtë rast shtoi: Duke lexuar dhe përpunuar materialet që janë të përfshira në Thesarin kombëtar të mërgatës shqiptare në Suedi numër 5 dhe 6, vërej se, sikur edhe në numrat e mëparshëm, edhe në këta dy numra fjala është për një synopsë të aktivitetit dhe veprimtarisë së bashkatdhetarëve tanë në mërgatën shqiptare, e në këtë rast me theks të veçantë në Suedi në shërbim të atdheut. Them kështu për arsye se para njëzet e pesë vjetësh, për shembull, të pakët kanë qenë suedezët që kanë pasur njohuri se ku ndodhet Kosova, e edhe më të pakët kanë qenë ata që kanë pasur dijeni për problemet e Kosovës së okupuar dhe të sunduar nga Serbia.
Por, ndodhi mrekullia! Ndodhi një Vis major. Vis major ishte ardhja e shqiptarëve të shkolluar, të aftë, të përkushtuar që t´i shërbejnë atdheut dhe popullit të vet dhe sa shqiptarë erdhën në trojet suedeze, gati po aq ambasadorë të Kosovës u ndodhën dhe vepruan këtu, duke falënderuar në radhë të parë mirëkuptimit të shtetit demokratik suedezdhe popullit të tij. Ne iu përvishëm punës vrullshëm dhe Suedia e kuptoi shpejt të vërtetën për Kosovën. Shi, tani për këtë veprimtari intelektualërt shqiptarë, anëtarë dhe joanëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi po shkruajnë e po shkruajnë shumë libra dhe dokumentarë duke ndriçuar ngjarjet dhe të vërtetat. Mbi të gjitha qëndron libri Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi, të cilin shumë kritikë letrarë, historianë, doktorë shkencash, akademikë nuk kanë ngurruar ta quajnë enciklopedi.
Kur e nisëm këtë punë në vitin 2011 ne e kemi pas paraparë që t´i nxjerrim 10 numra me materiale e dokumente të ndryshme nga kjo veprimtari. Ja! E kaluam gjysmën e rrugës! Gjer më tani i kemi botuar katër numra dhe, që në fillim të qershorit do të dalin nga shtypi edhe dy numra – numri 5 dhe numri 6. Secili numër më i pasur se tjetri, secili numër më i mirë se i mëparshmi!…
Kësaj radhe në mbi njëmijë faqet e Thesarit… numër 5 dhe 6 ka shumë materiale nga rrugëtimi i veprimtarëve drejt çlirimit dhe lirisë së plotë të Kosovës.
Dua t´i përmend dhe të ndalem pakëz vetëm në dy shkrime: një fragment nga libri im ”Ambasadorët dhe Shërbëtorët” me titullin
”DEMONSTRANTËT TAKOHEN ME KRYEMINISTRIN E SUEDISË, GÖRAN PERSSON.
ÇKA I THANË ATIJ? KËRKOHET NDËRHYRJA E NATO-S EDHE ME TRUPA TOKËSORE”
Fjala është për një demonstratë të madhe të shqiptarëve në qytetin Uddevalla, e cila u mbajtë më 25 mars 1998 kur demonstrantët me këmbëngulje e detyruan Kryeministrin e Suedisë të takohet me ne me ç´rast atij iu dorëzua një letër shumë domethënëse për gjendjen në Kosovë, me kërkesat e shqiptarëve për veprimet të cilat duhej t´i ndërmerrte qeveria suedeze. Letra jepet në original.
Me qenë se në Thesarët kombëtar dëshirojmë ta përfshijmë e tërë gjeografinë shqiptare, kësaj radhe e kemi një shkrim interesant për Kalanë e Ulqinit, për historikun e saj, për mbrojtjen e saj nga dy familje shqitare në kohën moderne kur me këmbëngulësinë e këtyre dy familjeve, Kalaja e Ulqinit nuk u tjetërsua dhe mbeti ashtu si kishte qenë gjatë historisë. Shkrimi është i ilustruar edhe me fotografi të cilat flasin shumë. Kështu, pra, pas përfshirjes së shumë vendeve, krahinave, shteteve, i erdhi radha edhe Malit të Zi që të jetë i pranishëm në Thesarët tanë.
Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi është duke prodhuar shkrimtarë të rinj, krijues të rinj, artistë të rinj! Në Thesarët tanë mund të hasni shkrime të suksesshme edhe nga shumë autorë të cilët janë frymëzuar e ndihmuar nga Shoqata dhe kanë arritur suksese. Kemi disa shkrimtarë që veprimtarinë e shkruarjes së librave e kanë filluar si anëtarë të Shoqatës dhe pastaj kanë dalur edhe me tituj librash në prozë dhe në poezi. Në numrat 5 dhe 6 të Thesarit kombëtar hasim shkrimtarë të rinj që për herë të parë dalin me krijimet e tyre artistike.
Pra, mund të nënvizoj se Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi është duke e kryer misionin e vet në mënyrë të përkyer. Dhe e tëra kjo duke iu falënderuar shtetit suedez i cili na jep mundësi dhe na ndihmon në zhvillimin e veprimtarisë sonë.
Çdo sesion është arritje e madhe e shoqatës
Viron Kona, krijues nga Shqipëria dhe anëtar nderi i kësaj shoqate,ishte i emocionuar që ky sesion po mbahet në palestrën e Universitetit të Lundit dhe se, jo thjeshtë se çdo sesion shkencor është një arritje e madhe e shoqatës, por edhe sepse ky sesion shkencor mbahet në Lund, njëri ndër qytetet më të vjetër të Suedisë, me një histori mbresëlënëse 1000 vjeçare, qytet ku mbajt në 1658, Traktati i Roskilde, apo kur në 4 dhjetor 1676 u zhvillua Beteja e Lundit; qytet me një Katedrale të ndërtuar rreth 1000 vjet më parë, me një universitet të themeluar në vitin 1666, e ku sot studiojnë mbi 40.000 studentë të cilët përbëjnë edhe më shumë se një të tretën e popullsisë; qytet pretendent për t`u bërë një nga kryeqytetet kulturore të Evropës.
Me këtë rast, edhe unë, si anëtar nderi i shoqatës kam kënaqësinë t`ju përgëzoj juve për organizimin e sesionit shkencor në këtë qytet historik dhe kulturor, por veçmas znj. Saranda Iseni, mikeshën dhe zonjën e nderuar dhe të respektuar të shoqatës sonë, besoj edhe të të gjithë mërgatës shqiptare. Kontributi i saj është vijim i tërë asaj pune të shkëlqyer kulturore e atdhetare, të përkushtimit të saj të plotë në shërbim të punëve dhe detyrave të shoqatës.
Gjithashtu, një urim të veçantë kam për Këshilli Organizativ, që do të angazhohet me organizimin e zhvillimin e këtij sesioni të rëndësishëm shkencor. Aq më tepër që ky sesion do të mundësoj edhe botimin e veprës tjetër të ndritur “Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare” 5.
Ndërkaq, përpjekja juaj për organizimin e sesionit të pestë Shkencor në Lund, përkon edhe me vizitën në qytetin Universitar të Lundit në tetor të këtij viti 2016, të Papa Françeskut, figurë e ndritur botërore, por edhe vazhdues i madh i punëve të përndritshme të Papës dhe shqiptarit të madh Papa Klementi XI Albani, emrin e të cilit ka nderin ta mbajë shoqata jonë.
Si u arritë që të mbahet ky sesion në ambientet e këtij tempulli shkencor!
Të arrishë të organizosh një tubim të tillë në ambientët e këtij tempulli shkencor është një nder i madh jo vetëm për këtë asosacion, por edhe për vendin tonë, Republikën e Kosovës. Kontribut të jashtëzakonshëm në këtë drejtim dha Saranda Iseni, nënkryetare e shoqatës dhe ish-studente e shkëlqyer e këtij Universiteti, e cila është bërë një juriste e njohur dhe një pedagoge e respektuar në Shkollën e Lartë Teknike në qytetin e Malmos. Po ashtu, edhe informacionet që i kishte udhëheqja e universitetit rreth punës së suksesshme që po zhvillon Shoqata e Krijuesve Shqiptar në Suedi sidomos rreth integrimit të komunitetit vshqiptar në shoqërinë suedeze dhe nxitjes së të rinjve shqiptar për të studijuar në shkolla të larta e fakultete, ishte vendimtare që këtu të lejohet të mbahet ky eveniment me rëndësi të veçantë. Pra, ishte një privilegj për këtë shoqatë, që do të mbahet gjatë mend.
Donatorët ndihmojnë më të madhe aktivitetin e Shoqatës së shkrimtarëve
Rrahman Rrahmani, anëtar i kryesisë, foli rreth ndihmës së madhe që donatorët dhanë për mbarëvajtjen e aktiviteteve të shoqatës me theks të veçantë në botimin e librave “ Thesari Kombëtar..” por edhe në sigurimin e materialeve të nevojshme si dhe pagesën e qirasë për zyre. Thënë konkretisht, vazhdoi ai, po të mos ishin biznismenet shqiptar botimi i këtyre librave, që në fokus ka punën e dobishme atdhetare të zhvilluar me dekada nga mërgata shqiptare, kjo do të ishte e pamundshme. Pra, ndihmë materiale dhanë: Vëllazëritë Halim, Qazim dhe Robert Hoti, Mursel Shkupolli, Albert Jashari, Burim Muharremi, Naim Latifi, Mr. Fadil Geci, Drita Nikoliqi-Binaj, vëllezërit Sebat e Qamil Aliti, Haki Ademi, Mentor Duraku, Bujar Zhuri. Në këtë kontekst do përmendur edhe ndihmën e madhe të institucioneve të shtetit suedez si dhe të ish-ministrit të Diasporës, Ibrahim Makolli.
Do theksuar se në fund të këtij evenimenti u mbajt një orë letrare në të cilën krijimet e tyre i paraqitën disa poet që tashmë kanë bërë emër në letërsinë shqipe. Tri krijimet e para u shpërblyen nga juria.
DEMOKRACIA, TË DREJTAT E NJERIUT DHE ROLI I SHTYPIT TË LIRË
Nga Frank Shkreli/
Të ënjtën që kaloi në Budapest të Hungarisë, Zëvendës Sekretarja Amerikane e Shtetit për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, Sarah Sewall mbajti një fjalim mbi demokracinë, të drejtat e njeriut dhe mbi rolin e shtypit të lirë në mbrojtjen e këtyre të drejtave. Diplomatja amerikane ishte ftuar në kryeqytetin hungarez nga Shoqata e Gazetarëve të Hungarisë për të marrë pjesë në festimet me rastin e 120-vjetorit të themelimit të kësaj shoqate. Fillimisht, ajo foli për marrëdhëniet e ngushta dhe historike amerikano-hungareze të cilat, tha ajo, tejkalojnë marrëdhëniet midis dy qeverive, duke shtuar se ndonëse me kulturë dhe histori të ndryshme, këto dy kombe ndajnë një histori të bazuar në mbështetje të lirive themelore të njeriut. “Ashtu si themeluesit e Amerikës, edhe hungarezët kanë qenë të vetdijshëm gjatë historisë se liria sigurohet me një vendosmëri të patundur për ta mbrojtur atë, jo vetëm nga kërcënimet e jashtme por edhe nga presionet e brendshme.”
Demokracia nuk është një sistem i lehtë, në të vërtetë siç ka thënë edhe Winston Çurçilli, mund të jetë sistemi më i keq i qeverisjes, me përjashtim të gjithë sistemeve të tjera që janë provuar gjatë historisë e të cilat kanë dështuar mizorisht. Por, ndryshe nga sistemet e tjera, është provuar se demokracia është një sistem që më së miri mbron sundimin e ligjit dhe mbi të gjitha garanton mbështetjen e të drejtave themelore të individit. Demokracia e vërtetë është një sistem që për nga natyra, jo vetëm duhet të garantojë dhe të mbështesë të drejtat bazë të njeriut për të gjithë, por është gjithashtu një sistem i cili mundëson njëkohsisht edhe zhvillimin e një ekonomie më të forte dhe më të begatë, nga e cila përfiton shumica e popullit.
Çdo shtet demokratik madje edhe Shtetet e Bashkuara me një histori të gjatë të sistemit demokratik, janë ndeshur shpesh me sfida të mëdha të mbrendshme dhe të jashtme të cilat kanë kërcënuar zhvillimin demokratik të tyre, me një histori nganjëherë politikash të tmershme e të gabuara me të cilat, theksoi diplomatja amerikane në Budapest, si komb, “ne nuk jemi krenarë”. Por në çdo rast, Shtetet e Bashkuara, theksoi ajo, u ballafaquan me këto forca të errëta gjatë historisë së saj dhe si përfundim, demokracia amerikane doli më e fortë dhe më e drejtë se përpara, për të gjithë. Ndonjëherë, shumica demokratike mundë të humbë rrugën nga vlerat e saja demokratike, por duke mbrojtur të drejtat e individit, demokracitë e vërteta mbrojnë njëkohsisht të drejtat e pakicave nga abuzimi i tyre prej shumicës, u shpreh Sarah Sewall.
Dhe kur shumica shkelë të drejtat e individit, ose kur autoritetet publike nuk përfillin dhe njëherazi abuzojnë kompetencat që u kanë besuar atyre zgjedhësit, përfshirë problemet me korrupcionin, atëherë qytetarët natyrisht kanë nevojë për gjykata të pavarura ku të kërkojnë drejtësi. Por diplomatja amerikane nënvijoi në Budapest, me rastin e 120-vjetorit të themelimit të Shoqatës së Gazetarëve të Hungarisë se qytetarët, që të mund të mbrojnë të drejtat e tyre si individë dhe si grup dhe që të mund të mbajnë përgjegjës udhëheqsit e tyre politikë, nbi të gjitha ata kanë nevojë gjithashtu për një media të lirë, sy patrembur dhe të pavarur.
“Shtypi i lirë” theksoi diplomatja amerikane Sewall para gazetarve hungarezë, “është një mburojë e fortë dhe jetike kundër abuzimit të pushtetit” nga autoritetet qeveritare dhe shtetërore, prandaj liria e shtypit dhe pavarësia e tij janë shpeshëherë në shënjestër të forcave dhe aktorëve anti-demokratikë të cilat dëshirojnë të konsolidojnë pushtetin e tyre dhe të evitojnë llogari-dhënjen para qytetarëve. Ajo shtoi se sfidat dhe problemet me të cilat përballet liria e shtypit, janë në të vërtetë sfida ndaj vet demokracisë dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut.
Zëvendës Sekretarja Amerikane e Shtetit për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, Sarah Sewall i siguroi gazetarët hungarezë se edhe për amerikanët mbrojtja e lirisë së shtypit dhe e të drejtave të tjera bazë të njeriut është gjithmonë një luftë e vazhdueshme, por janë përpjekje që ia vlejnë, nënvijoi ajo, pasi më në fund ato na bëjnë të vetdijshëm ndaj përfitimeve që vijnë nga sigurimi i vlerave demokratike dhe nga institucionet politike të bazuara në këto vlera, përfshirë edhe dinamizmin e zhvillimeve ekonomike dhe stabilitetin politik në vend. Janë sistemet demokratike, shtoi ajo, ato që sigurojnë se stabiliteti dhe begatia e një vendi i kanë rrënjët në respektimin e të drejtave bazë të njeriut dhe në aspiratat e popujve për liri. “Kjo është arsyeja”, komentoi diplomatja amerikane, “që institucione ndërkombëtare siç janë Bashkimi Europian dhe Aleanca NATO pohojnë se fuqia jonë i ka rrënjët jo vetëm në interesat tona të përbashkëta, por edhe në vlerat tona të përbashkëta që mishëron demokracia liberale.”
Në fjalimin e saj para gazetarve hungarezë, Sarah Sewall përmendi ish-kongresmenin amerikan me origjinë hungareze, Tom Lantos i cili tërë jetën e tij ia kushtoi luftës në mbështetje të të drejtave të njeriut dhe të lirive të tjerëve, përfshirë edhe të drejtat e shqiptarëve kudo. Ajo citoi ish-kongresmenin Lantos të ketë thënë se, “Ne jemi mbrojtësit e këtij qytetërimi në të cilin jetojmë dhe se nga ky angazhim nuk mund të heqim kurrë dorë.” Diplomatja amerikane Sarah Sewall përfundoi fjalën e saj duke u thënë gazetarve hungarezë se sfidat me të cilat është përballur ish-kongresmeni Lantos dhe gjenerata e tij gjatë nacizmit dhe komunizmit, as që kanë krahasim me sfidat me të cilat përballemi ne sot. Por ajo u tha gazetarëve hungarezë se si qytetarë, është përgjegjësia e të gjithë neve — pikërisht e kësaj gjenerate — të ritheksojmë vendosmërinë tonë në mbështetje të lirisë në këtë periudhë që jetojmë, cilat do qofshin sfidat me të cilat përballemi. Ajo citoi Presidentin Obama të ketë thënë se, “Bekimet e lirisë duhet të sigurohen, të mbrohen dhe të ripërtriten nga çdo gjeneratë.”
Këshilla të mira këto për çdo shoqëri e sidomos për shoqëritë post-komuniste — përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën – përfaqsuesit e të cilave – para popullit të vet dhe të huajve — shpeshëherë pohojnë një gjë e veprojnë krejt ndryshe. Megjithë pretendimet e disa prej tyre se ata besojnë në vlerat e përbashkëta demokratike me vendet perëndimore të cilave deklarojnë se duan tu baskohen, historia e këtyre 25-viteve të fundit ka treguar, jo vetëm një mospërfillje të vlerave të përbashkëta demokratike perëndimore, por në shumë raste është venë re një shkelje flagrante e këtyre vlerave. Historikisht këto vlera janë kërcënuar dhe po kërcënohen vazhdimisht nga aktorë të mbrendshëm dhe të jashtëm. Është detyra e shtypit të lirë e të pavarur që t’i identifikojë dhe t’i luftojë në opinionin publik aktorët e mbrendshëm dhe të jashtëm të cilët me veprimet e tyre, minojnë vlerat demokratike, të drejtat e njeriut dhe institucionet që janë krijuar për t’i mbrojtur ato të drejta dhe vlera të përbashkëta me botën përëndimore. Ky është roli që duhet të luaj media dhe shtypi i lirë në një vend që pretendon të jetë demokratik. Një media që nuk demaskon këta aktorë, të mbrendshëm dhe të jashtëm, të cilët rregullisht minojnë vlerat dhe institucionet demokratike dhe si rrjedhim pengojnë zhvillimin e mirëfilltë të një shoqërie demokratike – ajo media nuk meriton ta quaj veten as të lirë dhe as të pavarur.
Ndahet nga jeta gazetari Ramadan Bizga
Sot më datën 28 Maj të 2016 në Athinë është ndarë nga jeta gazetari i njohur i sportit Ramadan Bizga nga një infarkt në zemër. Nuk mund të gjej fjalë të shprehemi nga tronditja . Komuniteti Shqiptar humbi një nga figurat më të dashura në emigracion. Ngushëllime familjes dhe u prefhtë ne paqe të plotë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 8
- 9
- 10
- 11
- 12
- …
- 93
- Next Page »