Archives for May 2016
LAMTUMIRË XHEVAT NDREU!
*Qindra bashkëatdhetar ne Nju Jork, i dhanë lamtumirën e fundit nje atdhetari dhe vatrani te perkushtuar, pjestar i nje Familje te madhe dhe fisnike e cila ka qenë gjatë gjithë historis së tyre, një nga dyert kryesore të krahinës së Dibrës…/
*Xhevat Ndreu, ndërroi jetë me 6 Maj 2016, në moshën 77 vjeçare dhe u varros me 8 Maj në varrezat qytetare – Laurel Grove Memorial Park në Totowa, New Jesrey/
STATEN ISLAND NY: Xhevat Ndreu lindi në fshatin Sllovë – Peshkopi, më 20 Maj 1939, vdiq më 6 Maj 2016, në Staten Island New York . Ishte i biri i Xhetan dhe Ahmedie Ndreu, biri i njërës prej familjeve më në zë në atë krahinë dhe gjithë Shqipërinë, e njohur si Ndreu i Dibrës.Ai ishte bir, i një nga familjet, që do bëhej ne rrjedhen e viteve, edhe simbol i Dibrës, dhe i mbarë Kombit shqiptarë, siç ka qenë ajo e kreshnikut qe i kendohet edhe kenga ne te gjithe Shqiperine, Kenga e Elez Isufit, për çështjen Kombëtare.Pra i perket Familja Ndreu, e cila , kan qenë gjatë gjithë historis së tyre, një nga dyert kryesore të krahinës së Dibrës.Xhevat Ndreu, vete rridhte nga një familje e madhe e fisnike dhe ishte djali njëri prej gjashtë fëmijëve të patriotit të përmendur, Xhetan Ndreu.Xhevati më 1969 martohet me Zenepe Ndreun, vajzën e Rasim Sinës, vajzen e një verpimtari të njohur të diasporës shqiptare në SHBA, dhe një familje të njohur në krahinën e Dibrës.
Nga martesa e tyre, ata kan dy djem Adriatikun dhe Emilianon, të dy të martuar, dhe katër fëmijë, tre vajza dhe një nip të vogël.Xhevat Ndreu ishte nga ata burra te rralle shqiptar, qe i kishte te dyja “Burrnine dhe Mencurine”.Xhevati Ndreu, vdiq të Premten, më 6 Maj 2016, pas një sëmundje të rëndë, dhe të shkurtër, duke ndërruar jetë në spitalin “ Staten Island University Hospital”, në SI New York.
Prane tij i qendruan deri në momentet e fundit, të jetës, bashkëshortja Zenepeja, dy djemtë, Adriatiku dhe Emiliano, së bashku me dy nuset e tyre, nipat e mbesat e tij, të gjithë të afërmit, nga SHBA, por edhe miqtë e dashamirët e tij, qe erdhen nga Tirana.
Ai, u lind në 20 Maj 1939 në Sllovë, Peshkopi, dhe ndërroi jetë me 6 Maj 2016, në moshën 77 vjeçare.
Shkollën fillore, dhe 8 vjeçare, Xhevati i kreu në vendlindjen e tij në Sllovë. Ndërsa, shkollën profesionale e kreu në degen e karpantieris në qytetin e Peshkopisë.
Jeta e kësaj familje me kontribut të madh historik në çështjen kombëtare shqiptare, me ardhjen e komunistëve në pushtet, më 1944 mori rrokulli, te jashtzakoshme sidomos, mbas pushkatimit te Dali Ndreut dhe Lirie Gegës, (1956).
Disa vjet më pas, të pushkatimit të çiftit Ndreu, një “ortek” i fuqishëm interrnimesh, burgosjesh dhe shpërguljesh me forcën e policisë, goditi 5 dekada më parë Familjen 115 anëtare të Ndreut të Dibrës,familjen e madhe, fisnike dhe patriotike të Ndreut të Dibrës.
Përfshirë, dhe atë të Xhetan Ndreut, dhe 6 fëmijëve të tij, që kishte ai me dy grat e tij, Petritin, Mirushin, Donikën, Remziun, Xhevatin dhe Maunshaqen.
E cila, së bashku dhejtra anëtar të kësaj familje, në 1964 interrnohen fillimisht në kampin e interrnimit në Shtyllas, Fier, dhe dy vjet më pas i dërgojnë në kooperativën bujqesore Zharraz, dhe, atje përkohësisht, për t’i risjell si të interrnuar politik, në Shtyllas, përsëri se bashku me shumë familje të tjera nga e gjithë Shqipëria.
Në Shtyllas, Xhevati, jetonte, ndërsa në Levan punonte si marangoz, aty ku kreu edhe shkollën e mesme (natën1974) me djemtë e xhaxhait të tij dhedisa kushurinjët e tjerë.
Në interrnim fati e solli edhe të martohet, më 1969, teksa i bashkon fati me Zenepe Sinën, të bijën e Rasim Sinës,
Lindin dy fëmijë, Adriatikun dhe Emilianon, të cilët me largimet masive të 1991, kaluan në Itali dhe më pas erdhën në SHBA, ku jan të martuar dhe jetojnë edhe sot e kësaj dite – si Shqiptaro Amerikan.
Xhevati, me Zenepen me ardhjen e demokracisë, rënien e regjimit komunist, ashtu si dhe qindra familje të interrnuara, u larguan nga Shtyllasi, dhe u vendosën në Tiranë, duke u përfshirë qysh në fillim, në mënyr aktive, në lëvizjen demokratike, për ndryshimin e sistemit, shëmbjen e komunizmit së bashku me ish bashkëvujatësit e tyre, nga Shtyllasi, dhe të afërmit e tij, edhe ata nga kampet e interrnimit, me miq e shok, nga e gjithë Shqipëria.
Në vitin 1991, me fitoren e demokracisë, Xhevati u lidh dhe bashkpunoi me disa anëtarë të familjeve më të mira, nga Shqipëria, Kosova, dhe trojet shqiptare, ne Tirane , të cilet, gjithashtu, kishin kaluar kalvarin e rëndë të vujatjeve dhe të persekutimit të egër komunist, dhe me Xhevatin, u ben shok e miq.
Me ndryshimet e mëdha, që ndodhën, në Shqipëri, gjatë kohës që jetoj në Tiranë, ai punoi në administratën e Ministrisë të Punëve të Jashtme, së bashku me disa prej pjestarëve nga Familjet më në zë në Shqipëri, Kosovë e viset shqiptare, ku dha kontributin e tij ne demokratizimin e Shqiperise.
Vëllai i tij i madh Remzi Ndreu, ka qenë deputet në Parlamentin e Shqipërisë, nga Partia Bashkimi Kombëtar, me kryetar Isa Ndreun.
Xhevati me ardhjen në Amerikë, gjeti rrënjët e tij, dhe u kthye në origjinën e familjes Ndreu, duke u përfshirë në te gjitha veprimtaritë e Vatrës, patriotike shqiptare.
Aty, ku gjenerata i këtyre shqiptarëve në mërgim patjetër, që kujtohet sot, e kësaj dite, si një gjeneratë e veçantë dhe shumë e nderuar e respektuar në të gjitha drejtimet, që ka lënë gjurmë jashtëzakonisht të pashlyera, për të gjitha gjeneratat e shqiptarëve në saj të këtyre burrave.
Ndërkohë, që për shumicën e mërgimtarëve, është pakasa e vështirë të mendohet se mund të rikthehet në diasporën tonë, një brez burrash të tillë : kaq atdhetar, patriotë, demokratë e me aq përkushtim për kombin tonë, pasi edhe vetë kohërat ndryshuan.
Mirpo, padyshim, që ata janë shumtë, dhe duhet shkruar shumë per secilin prej tyre, ua kemi “borxh” per ate cfare bene ata per kombin shqiptare e ceshtjen shqiptare ne diaspore.
Një nga figurat e diasporës ndër vite, është edhe kushuriri i Xhevat Ndreut, njeriu më i afërt i tij, këtu në diasporën shqiptare, vatrani i dëshmuar dhe i përkushtuar Jonuz Ndreu, i cili e afroi dhe e lidhi me Vatren dhe organizatat e tjera patriotike në diasporë.
Jonuz Ndreu, është djali i Cen Elezit dhe nipi i Elez Isufit(Arushës së Malit). Nuzi(Jonuzi), është biri i denjë e njërës prej familjeve më të mëdha shqiptare e njohur si – Familja e Derës së Madhe së Ndreut të Sllovës(Dibër) ose e familjes që përbënte njërën prej “Shtatë Malet e Dibrës”.
Jonuz Ndreu, njihet nga të gjithë në diasporë sepse ai ka dhënë një shembull të pakrahasushëm të shqiptarit shëmbullor, patriotë, atdhetarë, demokratë, familjar, mik e shok i mirë i te gjithe shqiptarve te Amerikes.
Kur, flasim për Xhevat Ndreun në Amerikë, flasim edhe Jonuz Ndreun, me të cilin Xhevatin e shikonim në çdo aktivtet kombëtar, se bashku me nipat e tij ne Amerike.
Jonuz Ndreu, megjithse tani eshte në pension dhe kushte shendetsore jo fort te mira, mbetet njeri me kurajo te fort, një nga simbolet e disaporës shqiptare në Amerikë, në rrjedhën e viteve. I cili, teksa pecillte njeriun me te dashur te tij, tha se i ka mbetur ende shumë për të bërë në jetë, në familje e shoqëri ashtu si gjithmonë i proukupuar, e’i angazhuar, në të gjitha aktivitetet kombëtare.
Ndersa, me vdekjen e parakohëshme, dhe të papritur, ai la në pikëllim të thellë, gruan Zenepe Ndreun, dy djemtë Adriatikun dhe Emilianon, me nuset e tyre Linditën dhe Alda, si dhe mbesat Vanessa, Gracie, nipin Leonardo, dhe mbesën e vogël Emanuela .
U percoll me një respekt të veçantë me të gjitha nderimet, nga familja Ndreu, nga të afërmit e tij, dhjetra veprimtar e lider të komunitetit, (n/kryetari i Vatrës, Agim Rexhaj, anetari i Kryesise dhe arketari i vatres, Marjan Cubi, arkatari, anëtar i Kryesise dhe President i Fondit te Studenteve Mithat Gashi, anetaret e Keshillit Zef Balaj, Ramiz Muja dhe Uk Gjonbalaj, legalisti veteran, anetar i Keshillit te Urteve te VATRES z. Musli Mulosmani, editori i Diellit Dalip Greca si dhe producenti i ACTV Adem Belliu, kryetari i KSHA Haxhi Dauti dhe Kalosh Sela, veprimtari Musa Paçuku dhe Adem Haxahj), te cilet morën pjesë në shërbimet Funerale të kryera të Shtunën më 7 Maj 2016, në Shtëpinë Mortore të Xhamisë “Albanian Islamic Cultural Center”, e cila ndodhet në Staten Island, NY .
Ndërsa, lutjet fetare u kryen nga Imamët e xhamisë në Staten Island dhe Garfild, deri në përcjelljen për në banesën e fundit – varrimin e tij , i cili u krye me pjesmarrjen e më shumë se 300 vetëve, të Dielën me 8 Maj 2016, rreth ores 12:00 të mesdrekës në varrezat qytetare – Laurel Grove Memorial Park në Totowa, New Jesrey.-/B.Sina/
***
Buqetë lulesh për “Mother’s Day”
Nga Mimoza Dajçi/Organizatat e Grave Shqiptare – Amerikane The Women’s Organization “Hope & Peace” dhe “Marigona” u takuan në New Jersy me rastin e festës së bukur të nënave amerikane, e cila i dedikohet nënës së Anna Jarvis nga Filadelfia, vdekur vite më parë të dielën e dytë të muajit maj, e që Presidenti Willson njëherësh mik i madh i shqiptarëve e ka njohur ligjërisht këtë ditë si “Mother’s Day” në SHBA në vitin 1917.
Mysafiret nga Bronx-i, Queens e Brooklyn u pritën nga Shoqata “Marigona” në Lokalin klas e luksos në Westvood të New Jersy-t. E ftuar nderi ishte Pastoria nga New York-u Que English, e cila kandidon për zgjedhjet e ardhshme si Senatore e New York-ut. Ajo ka mbështetjen maksimale të Partisë Demokratike ku aderon prej vitesh. Que English është një femër e zgjuar, humane dhe aktiviste e të drejtave të njeriut në SHBA. Ajo ka merita të veçanta edhe për të drejtat e gruas e fëmijëve dhe bën një punë të jashtëzakonshme për parandalimin e trafikimit të qënieve njerëzore. Que English ka disa vite që bashkëpunon me Organizatën e Gruas “Hope & Peace”, duke e mbështetur në shumë nisma e fushata me karakter human e paqësor, si pranë Kombeve të Bashkuara në New York ashtu edhe për suportin që i jep anëtareve të kësaj organizate për zgjidhjen e çështjeve juridike ku janë përfshirë për kujdestarin e fëmijëve, divorcit etj.
Në këtë takim ku nuk munguan ushqimet e mrekullueshme të natyrës shqiptare dhe amerikane, u fol për të drejtat e gruas në Amerikë, Shqipëri, Kosovë, Strugë, Shkup, Çamëri e treva të tjera shqiptare si dhe për një bashkëpunim të mirë mes dy organizatave e motrash shqiptare në të ardhmen. Nuk munguan bisedat, kujtimet, recitimet, këngët kushtuar nënave në gjuhën shqipe anglisht dhe në gjuhën filipine – gjuhë që e flet motra medicinale Shawnee Motos. Po ashtu këngë për nënat u kënduan nga Fëllënza Pollozhani dhe Drita Çarçani. Buqeta me lule te fresketa ju dhuruarn zonjave aktive në komunitet si Pastor Que English, Drita Çarçani, Sabije Dervishi, Dita Lekaj dhe Shawnee Motos.
Gjatë këtij takimi që mori ngjyrat e një atmosfere feste të këndshme një mesazh të ngrohtë urimi u erdhi grave shqiptare edhe nga Miss New York-u, Serena Buçaj, e cila së bashku me nënën e saj znj. Kristina Buçaj i uronte nënat shqiptare për Festën e bukur të “Mother’s Day”. Pritet që së shpejti Serena të konkurojë për Miss Amerika në Las Vegas. Urojmë që vajza e bukur dhe inteligjente shqiptare Serena Buçaj të dalë Miss Amerika.
Fjalën në këtë drekë bujare e mikpritëse shtruar me aq kujdes nga pronarët e Restoranit “Benvenuti” në New Jersy, e morën Kryetarja e Shaqatës “Marigona” znj. Sabije Dervishi – autore e 7 librave artistik, Gonxhe Meta, Pastor Que English, Fllënxa Pollozhani, Emine Beqiri , Mimoza Dajçi, Drita Çarçani, Gazmenda Tapija, Leta Mirakaj, Dita Lekaj, etj.
Për ironi të fatit, ndërkohë që nën tingujt melodioz të muzikës së Frank Sinatrës e Elvis Presley ne festonim ditën e nënave, lajmet në shqip njoftuan se: “Një nënë e re në Pejë të Kosovës dhunohej nga i shoqi në ato momente.
Kjo festë tradicionale për nënat amerikane shpresojmë që të ligjërohet edhe në Shqipëri e Kosovë, pasi i dedikohet nënave – lindjes së jetës, trimëreshave, nikoqireve dhe edukatoreve me të mira të fëmijëve në botë. Gjithashtu nga kjo tryezë motrat shqiptare nëpërmjet fotos së tyre të përbashkët uruan për “Mother’s Day” të gjitha nënat në mbarë rruzullin tokësor.(Foto nga aktiviteti)
Çamët nuk ishin bashkëpunëtorë me fashistët dhe as me nazistët
Presidenti Nishani: Çamët nuk ishin bashkëpunëtorë me fashistët dhe as me nazistët. Çamëria, në luftën e madhe antifashiste, kontribuoi materialisht dhe moralisht.
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani zhvilloi sot në Institucionin e Kreut të Shtetit një veprimtari kushtuar “Kontributit të popullsisë çame në Luftën e Dytë Botërore” në kuadër të 71-vjetorit të fitores historike të koalicionit ndërkombëtar kundër nazifashizmit. Në këtë veprimtari ishin të pranishëm Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë dhe njëkohësisht Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, drejtues dhe anëtarë të “Shoqatës Çamëria” si Nënkryetari i saj Dritan Sejko, familjarë të Heroit të Popullit, Ali Demi dhe të dëshmorëve të lirisë, si dhe të të internuarve nga Çamëria në kampet e përqendrimit e të shfarosjes në masë, studiues, historianë dhe publicistë.
Pasi theksoi se “kjo fitore historike e dëshirës, vullnetit dhe sakrificave të popujve liridashës e kurorëzuar më 8 maj 1945, ka në themelet e saj edhe kontributin e shqiptarëve jo vetëm brenda territorit të Shqipërisë, por edhe jashtë këtyre kufijve”, Presidenti Nishani, vuri në dukje se: “Fatmirësisht dhe në saje të etjes për liri dhe mosnënshtrimit historik të popullit tonë ndaj asnjë lloj pushtuesi, Shqipëria dhe bijtë e bijat e saj atdhetarë, ditën me mjaft largpamësi të rreshtoheshin në anën e drejtë të barrikadës, krah për krah me ato shtete dhe vende të cilët edhe sot e kësaj dite, pas gati shtatë dekadash, janë partnerët dhe aleatët tanë të palëkundur dhe besnikë në NATO.”
“Edhe pse një vend i vogël, Shqipëria dhe i gjithë kombi shqiptar u bënë kontribuues të denjë në mbështetje të antifashizmit evropian dhe mbarëbotëror duke treguar një shpirt të paepur për liri dhe demokraci. ‘Pema e lirisë nganjëherë duhet vaditur me gjakun e atdhetarëve dhe të tiranëve!’ – ka thënë dikur ish-Presidenti amerikan Tomas Xheferson. Dhe shqiptarët këtë e vërtetuan me shembullin e tyre. Është ky kontribut i pamohueshëm që na bën sot krenarë faqe botës duke u ndierë të barabartë mes popujve liridashës dhe paqedashës.” – u shpreh Presidenti.
“Heronjtë dhe dëshmorët e kombit tonë brenda dhe jashtë kufijve të shtetit shqiptar janë dëshmia autentike e një rezistence solide dhe një vulosje me gjak të lirisë së atdheut tonë të dashur, edhe pse vlerësimi për ta u bë në mënyrë të pjesshme dhe të pamerituar nga shtetet fituese, ngaqë Shqipëria fatkeqësisht mbeti në kampin e Lindjes komuniste në raport me Perëndimin demokratik. Historiografia kombëtare dhe ajo ndërkombëtare do të duhej të ishte më e thelluar në vlerësimin potencial të kësaj lufte antifashiste, pa anshmëri dhe me gjakftohtësi, pa politizime dhe në funksion të daljes në dritë të të vërtetave, të kontributeve mbarëshqiptare të një kombi që ka prosperuar gjithnjë në shekuj për lirinë e kombit të vet ndaj pushtimeve.” – nënvizoi Presidenti Nishani, duke shtuar se: “Është ky rast që meriton vëmendjen e veçantë për të përshëndetur dhe shprehur mirënjohjen të gjithë atyre luftëtarëve të lirisë, heronjve dhe dëshmorëve të kombit, si dhe atyre që u internuan në kampet e përqendrimit dhe të shfarosjes në masë në Itali e Gjermani. Gjaku i të rënëve për liri ka ngjyer flamurin tonë kombëtar si dëshmi e një lufte të paepur të shpirtit shqiptar për liri dhe demokraci.”
Duke iu drejtuar përfaqësuesve të pranishmëve në këtë ceremoni përkujtimore të 71-vjetorit të fitores mbi nazifashizmin, Kreu i Shtetit i falënderoi në emër të shtetit shqiptar “për kontributin që keni dhënë si antifashistë në luftën e përgjakshme për lirinë e Atdheut!” “Kontributi juaj i rëndësishëm është i madh, me pjesëmarrjen e mbi një mijë luftëtarëve çamë në Çetën dhe më pas në Batalionin Çamëria, në radhët e ushtrisë nacionalçlirimtare shqiptare, si dhe në batalionin ‘Ali Demi’ në radhët e ushtrisë së ELLAS-it grek. Një respekt të veçantë e meritojnë ata djem e vajza të Çamërisë që luftuan në formacionet partizane edhe jashtë kufijve si në rastin e pjesëmarrjes jo vetëm në brigadat luftëtare në Shqipëri, por edhe në batalionin e katërt të regjimentit 15 së bashku me formacionet antifashiste në Greqi. Janë këto kontribute që na bëjnë të shprehim mirënjohje të thellë ndaj të gjithë pjesëmarrësve dhe veçanërisht ndaj Heroit të Popullit Ali Demi dhe dëshmorëve të shumtë nga Çamëria që dhanë jetën që shqiptarët të ishin të lirë. Të bashkëbisedosh në këtë 71-vjetor të fitores mbi nazifashizmin, me pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në këtë luftë heroike, si dhe me pasardhës të familjeve që kontribuuan në luftën antifashiste, është njëherazi edhe një vlerësim dhe mirënjohje, ndaj te gjithë atyre qe sakrifikuan gjithçka ne përpjekjet e rezistencës antinazifashiste.”
“Është e njohur dhe një nga epopetë më të lavdishme, lufta 55 ditore e Konispolit në vitin 1944 në muajt gusht e shtator që batalioni “Çamëria” dhe pjesëtarë të çetave “Ali Demi” e të tjera, që organizuan, drejtuan dhe fituan një betejë, ku u ranë heroikisht në fushën e nderit mbi 40 partizanë çamë. Janë të shumtë dëshmorët, ndër të cilët do të përmendja dhe nderoja Heroin e Popullit Ali Demi dhe mbi 230 dëshmorë të tjerë, emrat e të cilëve janë të skalitur në kujtesën historike të kontributeve të komunitetit çam, në anën e antifashizmit në Luftën II Botërore. Është ky momenti të veçoj këtu edhe disa pjesëtarë të këtij komuniteti si Hajri Fetahu, Mezan Jonuzi, Nuri Emin Zane dhe Osman Zenel Taka, Bejaz Muhamet Muho e të tjerë të internuar në kampet e përqendrimit dhe shfarosjes në masë në Itali dhe në Gjermani.” – u shpreh Presidenti i Republikës.
“Përfundimi i Luftës II Botërore në favor të koalicionit të madh antifashist ku shqiptarët kishin vendin dhe kontributet e tyre, edhe shqiptarët e Çamërisë kanë nderin që të krenohen për këtë investim në shërbim të lirisë dhe demokracisë dhe të respektimit të të drejtave si ato të hebrenjve pas kësaj lufte botërore. Çamët nuk ishin bashkëpunëtorë me fashistët dhe as me nazistët. Ata, as u bënë pjesë e masakrave që u bënë në Çamëri. Çamëria, në luftën e madhe antifashiste, kontribuoi materialisht dhe moralisht. Me qindra të rinj çamë u hodhën në radhët e ELLAS-it, kur EAM-i lëshoi kushtrimin e luftës për liri. Me zgjerimin e luftës antifashiste kundër okupatorit gjerman, popullata çame u hodh pa rezerva në një luftë totale kundër okupatorit dhe formoi Batalionin e 4-t të Regjimentit të 15-të të ELLAS-it. Nga popullsia e vogël e Çamërisë dolën më tepër se 500 luftëtarë që luftuan me trimëri dhe vendosmëri kundër okupatorit nazifashist. Gjaku i Heroit Kombëtar Ali Demi dhe i dëshmorit Bido Sejko, gjaku i dëshmorëve Muharrem Myrtezai, Ibrahim Hallumi, Hysen Vejselit etj. që u derdh së bashku me atë të partizanëve grekë në Qafat e Qeramicës, dëshmon konkretisht për këtë fakt.” – theksoi Presidenti në fjalën e Tij.
Në përmbyllje, Presidenti Nishani u shpreh: “Në këtë ditë të shënuar të 71-vjetorit të fitores mbi nazifashizmin, shqiptarët si komb në përgjithësi, dhe bashkësia çame në veçanti, gjenden përkrah aleatëve të mëdhenj antifashistë me kontributin e tyre të pakontestueshëm dhe të nderuar në historinë e kombit shqiptar! I përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra e heronjve shqiptarë prej ngado që vinin dhe kudo ku bënë sakrificat më sublime për liri dhe për vlerat e demokracisë, përfshirë edhe ata çamë!”
FOTAQ ANDREA, STUDJUES DHE ZBULUES NË FUSHËN ALBANOLOGJIKE,ANTOLOGJIST E PËRKTHYES I NIVELEVE TË LARTA
Nga Thanas L. GJIKA/
(Ese për frankofonin shumëdimensional Fotaq Llazi Andrea)/
Në Shqipërinë e shekullit të XX-të, si edhe në vendet e tjera ballkanike, gjuha frënge ka qenë gjuha më e përhapur si gjuhë e politikës shtetërore. Këtë pozitë frëngjishtja nuk e humbi as kur gjuha ruse u bë gjuha e huaj më e njohur midis pushtetarëve komunistë të formuar në Bashkimin Sovjetik dhe as kur gjuha italiane u bë gjuha e huaj më e përhapur, për shkak të televizionit italian që shihej fshehtas në Shqipërinë e etur për Perëndimin gjatë regjimit komunist. Mirëpo, me gjithë këtë privilegj që kishte frëngjishtja mbas Luftës së Dytë Botërore (LIIB), frankofonët e shquar nuk ishin shumë. Midis njohësve të thellë të frëngjishtes dhe përkthyesve cilësorë dalloheshin Jusuf Vrioni me përkthimin në frëngjisht të romanit Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur të I. Kadaresë që në vitet ’60, si dhe më pas, të krejt veprës së këtij autori të shquar shqiptar; Vedat Kokona me Fjalorët e tij dhe me përkthimin e një vargu autorësh klasikë francezë; Misto Treska, me përkthimin në shqip, ndër të tjera, të romanit Të Mjerët të Viktor Hygoit; Hamit Kokalari e Kolë Luka, në sektorin e përkthimeve albanologjike e letrare, etj.
Në vitet ’70, do të shfaqej një brez i ri përkthyesish në ekipin e Jusuf Vrionit, që përkthenin nga shqipja në frëngjisht. Ndër ta dhe Fotaq Andrea, një djalosh i lindur në Delvinë më 1953 dhe i rritur në Laprakë të Tiranës në familjen e një mjeku infeksionist. Ky filloi të shquhet këta dy dhjetëvjeçarët e fundit edhe si studiues e gjurmues në fushën albanologjike, krahas hartimit të veprave antologjike në përmasa të mëdha, si Libri i artë i prozës franceze, Arbëreshët e Italisë dhe Pena të arta franceze për shqiptarët. Zbulimet dhe studimet e tij i ka përqendruar kohët e fundit rreth jetës e veprës së Faik Konicës dhe Dora d’ Istrias, duke nxjerrë në dritë dimensionet sa më të vërteta të këtyre dy figurave të shquara, të Dora d’Istras si princeshë e kulturës evropiane dhe të Faik Konicës si shkrimtarin e mendimtarin modern të letërsisë shqiptare.
Gjithçka që ka arritur Fotaq Andrea janë rezultat i punës së tij këmbëngulëse si studiues i palodhur e i talentuar dhe i dashurisë së tij për Letrat franceze dhe albanologjinë.
* * *
Pas disa përmbledhjesh të vogla antologjike për moshat e reja, si Mrekulli njerëzore – përralla fabula, legjenda nga bota, që njohu sukses te brezi i ri shkollor me një tirazh tepër të lartë, kur u shpërngulën në Shqipëri së bashku me prindërit rreth 300 mijë fëmijë nga Kosova gjatë Luftës. Andrea botoi antologjinë e tij të parë në përmasa të mëdha Libri i artë i prozës franceze, që njohu dy botime, në vitet 2000 dhe 2002. E veçanta e këtij libri me 430 faqe është se përmbledh mbi 150 autorë francezë të të gjitha periudhave historike, shkollave dhe rrymave letrare, nga rrëfenjat popullore dhe fabliotë e famshme franceze të Mesjetës, me Kalorësit e Tryezës së rrumbullakët dhe Tristani e Izolta në qendër, deri të autorët modernë, si Marsel Prust, Andre Malro, nobelisti Zhan Mari Lë Klezio, filozofi Alan (Emil Ogyst Shartrier), Zh. P. Sartrë dhe Albert Kamy, duke kaluar nëpërmjet krejt plejadës së shkëlqyer të shkrimtarëve klasikë dhe iluministë francezë, ku bien në sy emrat e ndritur të Hygoit, Balzakut, Lamartinit, Apolinerit, Mopasanit, Alfons Dodesë, Shatobrianit, Panjolit, Bodëlerit, etj. etj. Për vetë ndërtimin e antologjisë me 10 kapituj, që përbëjnë në vetvete 10 libra, me një diapazon të gjerë interesi letraro-kulturor për tërë moshat shkollore, kjo antologji do të bëhej që në fillim mjaft e dashur për të rinjtë dhe do të njihte sukses kur 26 gjimnazistë të “Petro Nini Luarasit” do të mbanin një sesion të posaçëm letrar dhe do të botonin më 2003, referatet dhe kumtesat e tyre në librin Përballje me Librin e artë të prozës franceze. Botimi i këtij libri me 180 faqe nga të rinjtë gjimnazistë për vlerat e antologjisë së Fotaq Andreas shënonte një ngjarje të veçantë te rinia shkollore e kryeqytetit. Por siç shprehet vetë studiuesi Andrea, suksesin më të madh, ai do ta njihte në promovimin që i bëri librit të tij te shkolla 8-vjeçare “Ramazan Jerani” në prani të drejtorit të shkollës, poetit Jorgo Papingji. Një vajzë 14-vjeçare kishte zgjedhur për recitim në takimin e autorit me nxënësit prozën poetike Nderim tërë nënave të botës. Me zë të dridhur artistik, nxënësja filloi të recitonte: Bij të nënave që i keni ende gjallë, mos harroni se nënat tuaja do vdesin një ditë… Qofshi çdo ditë të ëmbël me nënat tuaja. T’i doni ato më shumë se ç’ kam dashur unë vetë nënën time. Dhurojuni çdo ditë nga një gëzim, këtë po ua them unë, në emër të dhembjes sime, me keqardhjen më të thellë në këto çaste të zisë sime… Nderim për ju, nëna të të gjitha vendeve… Nëna të mbarë tokës, Zonja të nderuara nëna, ju përshëndes të dashurat e mia flokëthinjura. E teksa nxënësja recitonte, Fotaqit iu mbushën sytë me lot dhe do t’i vinin në mendje çastet tepër të dhembshme kur përkthente këto rreshta duke ngashëryer për humbjen tragjike të nënës së tij dhe kur shpirtërorja pleksej ngushtë me profesionalen tek i rrëshqisnin gishtat mbi tastierë si lotët në faqe. Përkthimi del nga shpirti, shprehet Andrea, andej nga buron vetë arti.
Jusuf Vrioni, mentor i Fotaq Andreas
Kush pati rast ta njihte Jusuf Vrionin, intelektualin europian të niveleve të larta, nuk mund të harrojë elegancën e tij të shumanshme: në pamje e sjellje, në biseda e përkthime dhe në çdo hap të jetës, me të cilat ai na pushtonte që në lidhjet e para. Jusuf Vrioni ishte një i burgosur dhe i internuar gjatë regjimit komunist, por për shkak të aftësive të tija si frankofon, iu imponua diktatorit. Duke qenë se ai ishte numëri një, që mund të përkthente me nivel të lartë veprat e diktarit në frëngjisht, ky u deturua ta shkelete parimin e luftës së klasave ndaj frankofonit Vrioni dhe ta emëronte përkthyes të veprave të tij në frëngjisht.
Fotaq Andrea ka pasur fatin e mirë të punonte në vitet 1975-1980 në sektorin e përkthimeve nga shqipja në frëngjisht në Shtëpinë Botuese 8 Nëntori bashkë me mjeshtrin Jusuf Vrioni. Përveç aftësive të tija personale dhe zotërimit të thellë të frëngjishtes, kur lexon veprat e Andreas të përkthyera nga frëngjishtja, ose të hartuara drejtpërderejt në shqip, nuk ka si të mos dallosh ndikimin e elegancës Vrionase, të cilën ai e ka përvetësuar gjatë bashkëpunimit me mentorin e tij.
Kjo elegancë bie në sy në punën Fotaqit si antologjist, ku e përzgjedh dhe e ndërton veprën si një buqetë lulesh të shumëllojshme, ku plekset brenda një emri edhe autori, edhe përkthyesi. Andrea, pasi përktheu me sukses tre libra të Albert Kamysë dhe Shkrime rreth dënimit me vdekje të Viktor Hygoit, e në mënyrë të veçantë një ndër kryeveprat e Letrave frënge, Gargantua-në e klasikut të madh frëng Fransua Rable, do t’i hynte përgatitjes së antologjisë Pena të arta franceze për shqiptarët (1332-2007), botuar më 2007 dhe ribotuar më 2009. Këtë antologji, ai e çel me përkushtimin: Në nderim të kujtimit të Mjeshtrit të Madh të përkthimeve në frëngjisht dhe Përçuesit të vlerave shqiptare nëpër botë, Jusuf Vrionit. Librin e mbyll po ashtu me shkrimin Mirëdita fisniku Jusuf Vrioni, ku i thur himn karakterit fisnik të mentorit të tij, të cilin e quan me respekt profesor, duke e portretizuar me dashuri si një përkthyes erudit, me potencial të fuqishëm intelektual e profesional, me shije të hollë, si njeri i Letrave dhe i Kulturës në shkallë sipërore. Dhe për të dytën herë, Andrea do t’i rikthehet, pas disa viteve, kujtimeve për profesorin e tij Vrioni, me shkrimin: Ai ishte i pari, ai ishte mbi të gjithë ne, botuar në librin e Eshref Ymerit Përkthimi – një histori pasioni.
Këtë radhë Fotaqit i shfaqet figura e Mjeshtër Vrionit si një ikonë, shembull profesionisti të përkryer dhe Njeriu fisnik, që na çeli, – vë në dukje ai – dritaren e lirisë shpirtërore, portat e dashurisë për gjuhën frënge, për të depërtuar në thelbin e saj, në vetë qelizat e brendshme të kulturës dhe të qytetërimit frëng. Diplomën e përkthyesit, thotë Fotaqi, e mora në Universitetin Vrioni, me të cilin punova e bashkëpunova për vite të tëra. Dhe vetë Vrioni do t’ia shpërblente Andreas, aq ngrohtësisht, tërë atë punë të përbashkët kur i dhuroi librin e tij Botë të Fshira – Kujtime të një Europiani, me përkushtimin: Për Fotaqin, këtë libër të gjorë, që thotë aq shumë pak gjëra, në kujtim të çasteve aq të ngrohta vëllazërore gjatë një pune shpesh tepër delikate, Vëllazërisht e atërisht, – Jusuf Vrioni, Paris, 10 nëntor 1998. Kjo lidhje e dy brezave, siç e përshkruan me hollësi Andrea, ishte mbi të gjitha shpirtërore, kur në halle e vështirësi, përkthimi bëhej në të tëra kohërat, për një kategori të caktuar intelektualësh, mjeti shpëtimtar, duke ndjekur postulatin “Je traduis, donc je vis” (Përkthej, pa jetoj)1.
–Ti tani, je një përkthyes i talentuar, mos iu ndaj përkthimit! – ishte këshilla atërore e Vrionit për Fotaqin që në vitet e para të demokracisë, dhe nxënësi ndoqi këshillën dhe rrugën e mësuesit të tij, pa iu ndarë një çast pasionit për përkthim dhe pasionit për hulumtim e zbulim.
Antologjia Pena të arta franceze, me dy ribotimet e saj, do të gjente jehonë të gjerë brenda vendit dhe në diasporë. Në Wikipedia u theksua që në fillim: Pena të arta franceze për shqiptarët, përbën kulmin e tij (të Fotaq Andreas) në lëmin e zbulimit dhe publikimit të muzave dhe temave me substrat shqiptar tek krijuesit francezë. Është një vepër e vlerësuar nga një radhë akademikësh vendas ndër më të njohurit dhe mbi të gjitha, një vepër e formatit akademik, që mund të ishte tipik produkt i një institucioni shkencor e jo thjesht i një individi. Është një vepër me përmasa kombëtare, që hap një portë deri dje gjysmë të hapur në raportet shqiptaro-franceze në fushën e krijimtarisë letrare dhe të historisë dokumentare.
Në promovimin e librit mes studentëve të Fakultetit Histori-Filologji (nëntor 2009), ku ishte i ftuar edhe konsulli francez Z. Chaffaurt, autori lexoi dy letra që kishte marrë nga Ministri i Jashtëm i Francës Bernard Kouchner dhe nga prof. Sami Repishti, të cilët ngrinin lart vlerat e kësaj vepre që përbën një pasuri kombëtare në Letrat shqipe të përkthyera. Po ashtu, autori theksoi se kjo vepër përmban ajkën historike të letërsisë frënge për kombin shqiptar dhe se atij i ishin dashur shtatë vjet punë hulumtuese e këmbëngulëse në rreth njëzet burime arkivore dhe biblioteka, duke fotokopjuar rreth 8.000 faqe. Konsulli francez nga ana e tij, duke u ndalur gjatë në vlerat e librit, përfundoi me buzëqeshje: kjo vepër do duhej tashmë edhe për publikun francez kështu siç është përgatitur në shqip, apo me fjalë të tjera “do duhej “përkthyer” në frëngjisht…
E veçanta e antologjive të Andreas është se ato janë të gjitha të ilustruara dhe përbëjnë në vetvete edhe një lloj albumi me vepra artistike e grafike; dhe kjo për vetë faktin se Andrea është edhe koleksionist i grafikës historike me temë shqiptare. Mjaft të kujtojmë këtu se ai ka hapur deri tani në Shqipëri e Itali tre ekspozita me tematikën Shqiptarët në shekuj, duke bashkëpunuar ngushtë me koleksionistin e antikuareve Dritan Muka në Kanada. Nga ana tjetër, vlen të theksohet se në të gjitha rastet, autori e ka bërë promovimin e librave të tij mes nxënësve e studentëve, për ta afruar kështu sa më shumë librin te një publik i gjerë. Nga vetë mënyra e ndërtimit, me tematikë të larmishme dhe shkrime koncize, antologjitë e tij janë të këndshme, lexohen me një frymë, nuk kanë moshë e publik të përcaktuar, janë sa shkencore dhe popullore, për më tepër që janë të huajt, emra të nderuar që flasin për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Pas antologjisë Pena të arta franceze për shqiptarët do të pasonte, si një vëllim i dytë i saj, antologjia tjetër e përmasave të mëdha Arbëreshët e Italisë, 1413-2007 (me 75 autorë francezë), botuar më 2012 me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë nën kujdesin e profesorëve Francesco Altimari, Luan Malltezi e Sherif Delvina. Ky libër i kushtohet diasporës shqiptare në Itali, e cila ruajti me fanatizëm gjithçka të vyer historike shqiptare, thelbin e vetëdijes kombëtare, gjuhën, kulturën dhe kujtimin e epokës së lavdishme skënderbejane. Andrea e promovoi librin në Kozenca të Italisë, ku çeli ekspozitën e tij “Shqiptarët në shekuj”, ndërkohë që në Muzeun Historik Kombëtar çeli për 100 vjetorin e Pavarësisë ekspozitën “Arbëreshët në histori” me rreth 450 riprodhime veprash artistike që shfaqin botën historike shqiptare në Itali që me stradiotët e parë të gardës skënderbejane.
Andrea, hulumtues, zbulues e studiues
Për vite me radhë, Andrea ka qenë mjaft aktiv në mediat shqiptare, brenda dhe jashtë vendit, duke i furnizuar me artikuj e ese pas hulumtimeve në fushën albanologjike, të cilat nuk kanë reshtur një ditë. Këto ditë shtëpia botuese EDFA po përfundon botimin e librit të tij Gjurmime shqiptare në Letrat franceze, vëllimin e parë, ku përfshihen një pjesë e këtyre shkrimeve si dhe përkthime nga albanologë të shquar francezë. (Në parantezë, veprën Kujtime nga Shqipëria e Epërme të Alexandre Degrand (1901), i cili pati zbuluar që në shekullin XIX Kulturën e Komanit, Andrea parapëlqeu ta përkthejë të plotë, dhe sot e ka dorëzuar për botim). Në veprën e tij Gjurmime shqiptare në plan të parë shfaqet zbulimi madhor: objekti i pestë fizik që ka qenë në pronësi të drejtpërdrejtë të Kryeheroit shqiptar dhe të familjes Kastrioti, pas shpatës, përkrenares dhe dy kodikëve të njohur: Libri i Uratave dhe enciklopedia Libri i Skënderbeut. Ky zbulim, që u krye në bashkëpunim të ngushtë me Dritan Mukën, përqendrohet rreth kodikut Libri i Petrarkës, i cili përmban dy emblema kastriotase të dëmtuara, ku bie në sy simboli i luanit ngritur në këmbë, po ku është shuar përballë tij (me dashje e paragjykim) simboli i shqiponjës kastriotase me yllin e Davidit mbi krye. Mbështetur në argumentet shkencore të prof. Robert G. Calkins të Universitetit Cornell të Itakës (USA), që hedh, që më 1972, idenë se ky kodik duhet të ketë qenë në pronësi të Skënderbeut, Andrea shkon edhe më larg në argumentet e tij historike e heraldike, duke vërtetuar idenë madhore të Prof. Kristo Frashërit se Figura e Skënderbeut nuk duhet parë ngushtë si figura e një Luftëtari me beteja të lavdishme, por si figura e një Burri shteti, me kancelari të zhvilluar në nivele europiane, me diplomaci të gjallë, rrethuar nga bashkëpunëtorë e humanistë të shquar, e domosdo edhe me bibliotekë të pasur, duke u nderuar me kodikë të rrallë të kohës dhe emra të nderuar të Rilindjes europiane, siç ishte Francesco Petrarka, libra që domosdo Skënderbeu i lexonte, si ato rreth artit ushtarak të kohës së tij, ashtu dhe Pirron e Plutarkut apo vargjet më të bukura të poezisë së Petrarkës. Këtë zbulim, Andrea e paraqiti në Konferencën shkencore të Institutit Alb-Shkenca, që u botua në shqip nga ANASH, Approching Science më 2008, si dhe në frëngjisht në revistën prestigjioze Studia Albanica të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Në fillim të vitit 2012, me rastin e çeljes në forumin Zemra Shqiptare të rubrikës “Shqipëria bën pa secilin nga ne, po nuk bën dot pa Gjergj Kastrotin”, krahas emrave të nderuar që do të shpreheshin me zjarr për figurën e Skënderbeut, si Ismail Kadare, Neki Lulaj, Enver Bytyçi, Ilia Karanxha, Lis Bukuroca, Ndue Ukja, Sami Repishti, Fahri Xharra, Gjon Keka, Kozeta Zylo, Visar Zhiti, etj. Fotaq Andrea, duke goditur pseudo studiuesit që përpiqen të “çmitizojnë” figurën e Kastriotit të madh do të shkruante: Identiteti i kombit shqiptar është i lidhur ngushtë me figurën emblematike të Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Në tërë kohërat, Shqiptarët e vërtetë kanë për flamur lavdie, krenarie dhe shqiptarie emrin e tij… Në ka pasë, në ka e në do ketë komb shqiptar, ai është i lidhur historikisht e përjetësisht si mishi me thoin me figurën e Skënderbeut, Heroit tonë kombëtar, është i mishëruar njëherë e përgjithmonë në vetëdijen tonë shqiptare, si dy krerët dhe dy flatrat e shqiponjës sonë, Gegëri e Toskëri, me dy dialektet e tyre kryesore të gjuhës shqipe, që bëjnë një e vetëm një… Po e përfundoj, vijon Andrea, me revoltë kundër atyre që cenojnë Heroin tonë kombëtar, nderin dhe lavdinë tonë, me fjalët: të gjithë ata që mohojnë Skënderbenë tonë janë të tredhur, të pjerdhur, antishqiptarë, pemë pa kokrra, gomarë pa koqe. Një revoltë e tillë u komentua gjatë nëpër forume.
Zbulime të tjera po aq të rëndësishme të hulumtuesit Andrea ishin disa portrete të panjohura të Skënderbut nga piktorë të shquar botërorë, si Skënderbeu i Giorgiones, i Ticianit, Guercinos, Landon-it, C. Weigel, J. Schrenck, Seltener, Charles Guenot, Paul Nocquet – ky i fundit, me porosi të Faik Konicës, zbukuroi ballinën e revistës Albania me portretin e Skënderbeut në një stil mjaft origjinal (sot këtë ballinë të revistës Albania, Fotaq Andrea e disponon me ngjyra në një riprodhim të bukur). Por në mënyrë të veçantë Skënderbeu i Rembrandit ishte një nga zbulimet e tij më pasiononte, kur shkoi drejt e në Muzeun e Nansisë për ta parë nga afër dhe për të vërtetuar tërë hipotezat e ngritura. Studimi i tij i hollësishëm për këtë vepër të shquar u përkthye në disa gjuhë dhe u botua nga mjaft revista shkencore e forume interneti.
Gjurmime shqiptare përmban edhe një mori shkrimesh mjaft interesante, artikuj e studime që kanë bërë jo pak bujë, si “Grurë nga Vlora për popullin e uritur të Parisit“; “Orientalet“ e Viktor Hygoit dhe figura e Ali Pashë Tepelenës“; “Fustanella shqiptare përfaqëson nderin, dinjitetin dhe krenarinë tonë kombëtare – Letër Presidentit të Republikës Alfred Moisiu”; Figura e bukuroshes arbëreshe në disa vepra të artit evropian; Albanuaja, kapela historike shqiptare dhe stradiotët shqiptarë në shekujt XV-XVII (Andrea vë në dukje se këtë kapele shqiptare e kanë mbajtur dy mbretër të Francës, Henri II dhe Henri IV, duke sjellë ilustrimet përkatëse). Po ashtu, artikuj të tjerë mund të përmendim: Origjina shqiptare e trotuareve të Parisit; Shqiptari, ky Sizif – Fat tragjik në mbijetesë shekullore; Amazonat shqiptare; Festa e luleve për Skënderbeun; Shqipëria në NATO, një kontribut me zanafillë të lashtë; Edit Durham, Xhonturqve, në gusht 1911: Ju e humbët përgjithnjë Shqipërinë; Rekord botëror në tatuazh në shekullin XIX – Shqiptari Gjergj Aleksandër Kostandini; Një kryevepër e bukurisë femërore shqiptare pas një historie të rrallë; Moj Shqiptarka këmbëlehtë – romancë franceze e vitit 1833, etj. Tërë këto shkrime kanë stil të këndshëm, gjuhë të pasur me figuracion artistik dhe mbi të gjitha kuadër të caktuar historik që ngre lart vlerat shqiptare nëpër botë.
Fotaq Andrea dhe Faik Konica
Kulmi i zbulimeve të Andreas do të arrihej në dhjetor të vitit 2010, kur piketon, gjen dhe vërteton praninë e dy romaneve të panjohura të Faik Konicës, shkruar rreth viteve 1908-1909 në frëngjisht dhe botuar më 1911 me pseudonimin Jean de Kroïa (Gjoni i Krujës), titulluar Martesa e Lejlës dhe Sotiri e Mitka. Fillon në këtë mënyrë për Andrean, nga viti 2011, aventura Konica. Për të vërtetuar gjithçka në mënyrë shkencore, ai i hyn studimit me hollësi të revistës Albania, të epistolarit të gjerë të Konicës, artikujve dhe veprave që rilindësi i madh kishte botuar në gjuhë të huaja, hulumton në Arkiva e biblioteka të Francës e Belgjikës, hyn në lidhje të ngushtë me studiuesin Sherif Delvina, pinjoll i familjes Konica-Delvina, i cili, me personalitetin e tij, me erudicionin dhe vizionin modern që ka për shoqërinë shqiptare, fiton simpatinë dhe miqësinë e ngushtë të Andreas. Prof. Delvina e orienton tanimë Andrean në shumë drejtime, e ndihmon me zbulimet që kishte bërë ai vetë, duke i dhënë edhe pemën gjenealogjke të familjes Konica-Delvina.
Nga kjo periudhë, zbulimet e Andreas për Konicën nuk do reshtin: vërteton me dokumente arkivore praninë e djalit të Konicës që quhej Henrik Lohengrin bej Konitza, duke botuar edhe një letër të tij drejtuar Fan Nolit; nxjerr në dritë fakte të reja nga jeta shoqërore e Konicës, miqësinë e tij me Apolinerin, Paul Nocquet e veçanërisht me shkrimtarin amerikan Benjamin de Casseres, duke vërtetuar se si Konica u bë përçues i letërsisë dhe i kulturës avanguardiste europiane në Amerikë; po ashtu, Andrea zbulon fakte nga jeta private e Faikut, bashkëjetesën e tij me dy mikesha, në kohë dhe vende të ndryshme; rrethanat e konvertimit të papërfunduar të Faik Dominik Konicës; zbulon, përkthen dhe boton në shqip esenë e Konicës Mbi Edukimin, artikullin e tij të parë Shqipëria dhe Turqit; zbulon dhe boton Hartën koniciane të trojeve shqiptare në gjuhën shqipe, si harta e parë në llojin e vet; ngre lart vlerat e mini-enciklopedisë Kalendari i Maleve,(1900-1901) si vepër më vete po e Faik Konicës. Nga ana tjetër, Andrea ndërton dhe përgatit për botim, me një hyrje të gjatë, Letrat e Faik Konicës drejtuar Apolinerit (libër në proces), çel te Tirana Observer rubrikën Fletore Koniciane, duke botuar gjer tani 20 numra me fakte të reja nga jeta dhe vepra e Konicës, si dhe rubrikën Faik Konica dhe realiteti ku Andrea boton me pseudonimin Monet Maneshi mbi 30 shkrime të Konicës, paraprirë nga kritikë e ashpër politiko-shoqërore për zhvillimet e sotme në Shqipëri, etj.
Tanimë për Andrean, Konica është një minierë e vërtetë ari, kur ai sheh tek personaliteti i tij, te jeta dhe vepra e tij, mendimtarin modern dhe eruditin shqiptar të paarritshëm, gjithëpërmasor e novator, që ka ëndërruar e punuar për një shtet e komb modern shqiptar të prirë drejt Europës perëndimore të zhvilluar. Dhe sa më shumë punon në këtë drejtim, ky studjues bindet që shpesh Konica është paragjykuar e keqinterpretuar nën optikën brutale “bardhë e zi”, shkëputur nga “fryma e kohës”, ose duke rendur drejt “ekzotikes koniciane”, nuk është depërtuar në thelbin e mendimit politiko-shoqëror konician.
Në shkrimet për Konicën, Andrea larton figurën e rilindasit nën shembullin e Apolinerit, i cili, duke përdorur një figurë të shkëlqyer mitike e ka quajtur Faik Konicën një kolos që mishëron në vetvete dyfishimin e Argusit me Briareun2, që do të thotë të bashkosh gjigandin mitologjik Argus me njëqind sy, nga të cilët pesëdhjetë i rrinin hapur përherë, me gjigandin Briare, i cili kishte njëqind krahë dhe pesëdhjetë koka. I ndërgjegjshëm se është mjaft e vështirë për të përcaktuar përmasën enciklopedike të Konicës, dobësinë apo prirjen parësore që ai kishte për këtë a për atë fushë, për letërsinë, artet, historinë, gjuhësinë, kritikën letrare, bibliografinë, përkthimologjinë, folkloristikën, gazetarinë, e gjer te shkencat shoqërore e humane, si psikologjia, sociologjia, pedagogjia etj., studiuesi Andrea ngulmon për ta parë Faik Fisnik Konicën, siç e quan ai, si gur themeli dhe nismëtar të guximshëm në tërë këto fusha të lëvruara me sukses prej këtij Rilindasi të Madh, i cili zbuloi flamurin e Skënderbeut dhe solli të gjallë kujtimin e tij për të mbrujtur shqiptarët me patriotizëm dhe me ndjenjën e lirisë e të pavarësisë. Dhe jo vetëm kaq, por Andrea nxjerr në pah se tërë këto lëndë të bukura, Konica do t’ ishprehte me gjuhë të bukur shqipe, e mbi të gjitha, duke na i shfaqur në nivele bashkëkohore, me hapin e mendimit estetik e filozofik të kohës dhe me një botëkuptim të përparuar perëndimor.
Shpallja e vitit 2016 VITI FAIK KONICA prej shoqërisë “Vatra” të Amerikës në kuadrin e 120-vjetorit të themelimit të revistës madhore Albania, ishte nismë e nxitur prej studiuesit Andrea, të cilin Vatra do ta ketë të pranishëm në gjirin e saj për të promovuar dy romanet e panjohura të Faik Konicës zbuluar prej tij, si dhe për të çelur një ekspozitë me faksimile dokumentesh dhe vepra arti të veçanta kushtuar figurës së Konicës.
Andrea dhe Dora d’Istria
Prej vitesh Andrea ka arritur të mbledhë një material të pasur bibliografik e artistik për Dora d’ Istrian, duke përkthyer gati krejt esetë e saj për popujt e Europës, si dhe duke qëmtuar në epistolarin dhe në librat e saj gjithçka për shqiptarët, për historinë, kulturën dhe gjuhën e tyre, e në radhë të parë për origjinën e hershme shqiptare të familjes së madhe Gjika. Andrea e ka trajtuar figurën e saj me disa ese e artikuj, duke filluar nga viti 2007 dhe aktualisht ka paraqitur për botim vëllimin e parë të veprave të saj titulluar Dora d’ Istria, princeshë e kulturës evropiane, që zënë rreth 800 faqe libër, të cilat po pasohen nga një vëllim i dytë me shkrime të Dora d’Istrias kryesisht për shqiptarët. Andrea ka botuar gjer tani dy jetëshkrime të Dora d’Istrias shkruar prej Armand Pommier dhe Charles Yriarte, ka marrë pjesë në Sesionin shkencor të Fondacionit Saadi Shirazi (shkurt 2009) me kumtesën Dora d’ Istria dhe bota perse, po ashtu, në Sesionin shkencor Dora d’Istria dhe përmasa evropiane e kulturës shqiptare, organizuar në Tetovë në maj 2011, ku Andrea mbajti kumtesën Përmasa europiane e veprës së Elena Gjikës si dhe përshëndeti këtë sesion me artikullin Moda Dora d’Istria në Paris dhe disa episode të panjohura nga jeta e Elena Gjikës. Ai solli në këtë mënyrë fakte të reja nga jeta e kësaj humanisteje të shquar europiane, bashkëpunimin e saj me Garibaldin dhe arbëreshët, duke shfaqur edhe idenë e qarqeve politike franceze të shekullit XIX për të zgjedhur Dora d’Istrian si kryetare të “Federatës ballkanike” (ide që mbeti në gjendje projekti të parealizuar). Në bashkëpunim me piktorë shqiptarë në zë, si Anastas Kostandini, Artan Shabani, Vehap Kokalari, Llazar Taçi, i ndjeri Milto Jorgji, Agim Janina, etj. studiuesi Andrea ka ngulmuar për një paraqitje artistike sa më tipike e sa më shqiptare te kësaj figure erudite, duke kërkuar që ajo të ilustrohet artistikisht në takimin e saj me De Radën, me poetin amerikan Longfelow, me Humboldin e madh dhe me mbretin e Prusisë, etj. Janë nga veprat më të bukura artistike që ilustrojnë shkrimet e Andreas për figurën e Dora d’ Istrias, vepra të artistëve shqiptarë që janë përdorur jo vetëm në sesione shkencore, por në radhë të parë në dokumentarin Elena Gjika – Dora d’ Istria, pararendëse e Europës pa kufij, realizuar me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë nga regjizori Engjëll Ndocaj, ku Andrea pasqyron gjatë jetën dhe veprën e humanistes shqiptaro-rumune.
Fotaq Andrea si diplomat
Në shtator 1997, Andrea emërohet Përfaqësues i Përhershëm shqiptar në Këshillin e Europës (KiE)3 – organizata më e vjetër evropiane me seli në Strasburg, ndërkohë që profesori i tij Jusuf Vrioni emërohet Përfaqësuesi shqiptar pranë UNESCO-s në Paris.
Vitet 1997-2000, ishin tepër të ngjeshura në ngjarje të mëdha, në Shqipëri e Ballkan. Në diplomacinë europiane shumëpalëshe, sidomos në KiE ku Andrea u emërua ambasador, duhej përmirësuar mbi të gjitha imazhi i Shqipërisë pas rënien së shtetit më 1997. Në atë kohë përfaqësuesi rus “me të drejtën e shtetit të madh kontributor në KE këndonte këngën e gjelit për të denigruar shqiptarët e Shqipërisë e të Kosovës dhe për të mbrojtur si përherë serbët. Shpejt pasuan ngjarjet e rënda të vitit 1998 me vrasjen e Azem Hajdarit, përplaset e egra, deri edhe me armë, të klasës politike shqiptare dhe më pas Lufta e Kosovës dhe ndërhyrja ushtarake e NATOS.
Puna në këto vite pranë KiE-së ishte jo vetëm me përgjegjësi, por edhe shumë e ngjeshur dhe e tensionuar. Dëshmojnë në këtë drejtim mbi 1.500 fakse të protokolluara në Ministrinë e Punëve të Jashtme dërguar prej ambasadorit shqiptar, që raportonte me hollësi për mbledhjet politike të Komitetit të Ministrave të KiE-së, ku ai e merrte fjalën në emër të Shqipërisë dhe hidhte poshtë akuzat sidomos ruse që e konsideronin UÇK-në si organizatë terroriste. Njohja e thellë e gjuhës frënge dhe bagazhi i gjerë në fushat socio-kulturore e etno-historike e ndihmonin atë të ishte mjaft aktiv e me vizion të veçantë diplomatik. Krahas mbledhjeve politike 2-3 herë në javë në Komitetin e Ministrave, ambasadori Andrea mbante dhe konferenca në Universitet, jepte intervista, bënte takime në krejt zonën e Alzasës, organizonte fushata për mbledhje ndihmash për Kosovën, ndërkohë që këmbëngulte për nënshkrimin dhe ratifikimin nga ana e Shqipërisë të mbi 30 Konventave dhe Protokolleve europiane. Gjatë kësaj periudhe, në cilësinë e ambasadorit të Shqipërisë në KiE, Andrea shquhet si ideator për krijimin e grupeve të punës lidhur me hartimin e “Strategjisë kombëtare për Fëmijën, Gruan dhe Kulturën në Shqipëri”, mbështetur nga Komiteti i Ministrave të KiE-së; si koordinator për reformat e institucioneve demokratike në Shqipëri; për decentralizimin e pushtetit lokal nëpërmjet një serie seminaresh e konferencash; për realizimin e tryezave të punës lidhur me Paktin e Stabilitetit në Evropën Jug-lindore, konkretisht në Shqipëri e Kosovë; si iniciator për futjen e Shqipërisë në Fondin e Zhvillimit Social të KiE-së, në GRECO e në marrëveshje të tjera të Këshillit të Evropës; si organizator për grupet e punës në Komitetin e Ministrave të KiE-së lidhur me krizën e Kosovës, si dhe të konferencave rajonale në Alzasë e Lorrenë për sensibilizimin e opinionit publik francez lidhur me çështjen e Kosovës. Nga ana tjetër, ky ambasador i Shqipërisë do të ndërmerrte drejtpërdrejt nismën lidhur me disa veprimtari kulturore në Strasburg dhe në Këshillin e Europës për propagandimin dhe vizibilitetin e vlerave shqiptare, konkretisht çeljen e ekspozitës për Nënë Terezën nga tre piktorë shqiptarë, organizimin e një vizite pune të Jusuf Vrionit në Komisionin e Venecias, të vizitës së veteranëve frankofonë shqiptarë në Strasburg, të vizitës së nxënësve të një shkolle tetëvjeçare fshati në KiE, si dhe të një ekipi futbolli të të rinjve “Iliria Viking”, etj.
Por mbi të gjitha, ambasadori Andrea shquhet për përgatitjen e dosjes së plotë drejtuar Presidentit Meidani lidhur me heqjen e dënimit me vdekje në Shqipëri, si kusht i ndërkombëtarëve për realizimin e angazhimeve dhe detyrimeve të Shqipërisë ndaj Këshillit të Europës. Në këtë drejtim, ai u angazhua drejtpërdrejt duke përkthyer e botuar gjatë atyre viteve librin Para gijotinës të Albert Kamy-së, me parathënie të Bronislav Gueremek – ish ministër i punëve të jashtme të Polonisë. Ky libër përmban edhe një vlerësim publik të Lord Russell Johston (ish-Kryetar i Asamblesë parlamentare të KiE-së) për ambasadorin Andrea4. Këtë vlerësim publik të një personalitetit të lartë, Andrea e konsideron me të drejtë si një diplomë më shumë për të në fushën e diplomacisë. Ky vlerësim publik për punën e tij në fushën diplomatike u kurorëzua edhe me Pllakën e argjendtë që iu dha ambasadorit Andrea nga Komiteti i Ministrave, në mirënjohje për punën e kryer në KiE. Heqja e dënimit me vdekje ishte një çështje tepër delikate për kushtet e Shqipërisë në fund të shekullit XX, kur lulëzonte krimi dhe në psikologjinë e popullit e të pushtetarëve mbisundonte mentaliteti se “dënimi me vdekje në Shqipëri nuk mund të hiqet për shkaqe historike, si gjakmarrja”. Në këtë mes, duke respektuar Konventat evropiane dhe politikën e KiE-se për heqjen pa kushte të dënimit me vdekje, ambasadorit tonë iu desh shpesh herë të përplasej egër me autoritetet e vendit të vet, të cilët nuk e honepsnin kundërshtimin dhe deklaronin hapur në KiE se kriminelët do varen në shesh të Tiranës. E megjithatë, në Shqipëri, dënimi me vdekje u hoq.
Aktivizimi shumë i gjallë i ambasadorit tonë në Komitetin e Ministrave të KiE-së, bëri që ky organ i lartë i organizatës më të vjetër evropiane të diplomacisë shumëpalëshe ta zgjidhte Fotaq Andrean, që në muajt e parë të veprimtarisë, në funksionin e Raporterit për shoqërinë civile europiane dhe për Organizatat Jo Qeveritare (OJQ-të) kombëtare e ndërkombëtare, detyrë të cilën ai e kreu me sukses përmes takimesh me shoqërinë civile në disa vende të Europës.
Në kulmin e veprimtarisë së suksesshme diplomatike, kur ende nuk i kishte mbushur tre vjet në detyrë si afati minimal për tërheqjen e një ambasadori, ambasadorit Andrea iu komunikua nga Tirana kthimi në Ministrin e Punëve të Jashtme në një detyrë të re, sepse zëvendësohej me dikë tjetër. Kuptohej që dikush i kishte vënë syrin postit të tij. Eprorët duhej të plotësonin hatëret dhe interesat e ngushta meskine, kur administrata dhe klasa politike shqiptare as që pyeste për meritokraci e dinjitet shtetëror. Në rastin e tij, nuk respektohej as minimalisht statusi i nëpunësit, pale i diplomatit. Sigurisht, shumëkush u habit nga një zëvendësim i tillë i papritur, e mbi të gjitha vetë administrata e lartë e KiE-së që nuk mungoi të interesohej e të kundërshtonte, por Tirana zyrtare e mashtroi se gjoja kishte nevojë për Fotaq Andrean në detyrën e re: emërohej Drejtor i Arkivit të M.P.J.-së– një sajesë e kotmëkotshme, për ta hequr qafe. Dhe nuk ishte vetëm rasti i tij në këtë heqje aq të papritur. Hiqej, po në atë periudhë, nga detyra e ambasadorit shqiptar në Madrid eruditi i madh Zef Simoni, i vlerësuar aq shumë nga bota dhe njerëz të letrave si Kadareja. Politika dhe administrata shqiptare e drejtuar nga palo politikanë të rinj e të papërgjegjshëm, që nuk kishin punuar asnjë ditë në administratën shtetërore, por që nga bankat e shkollës u emëruan politikanë e shtetarë të zotë, filluan e vijuan të masakronin gjithçka shtetërore e administrative për interesa të ngushta vetjake, duke parë vetëm mbushjen e shpejtë të xhepave nga pseudo-kapitalistë të rinj “afaristë”, të pasuruar edhe këta me vjedhje e krim dhe që kërkonin, jo vetëm të mbanin e të kontrollonin medoemos tërë fijet e pushtetit për të shtuar si e si fitimet, por edhe poste diplomatike për përkrahësit dhe këpucëlëpirësit e tyre. Kështu, ambasadori Andrea u viktimizua dhe u detyrua të ulte kokën e t’i rikthehej përsëri profesionit të përkthyesit, profesion që kishte mbajtur në mbijetesë edhe Isuf Vrionin, Zef Simonin, Aristidh Ristanin, etj.
Andrea publicist e përkthyes
Pa u ndalur gjatë në fushën e publicistikës, ku Andrea ka qenë mjaft aktiv në mediat e shkruara dhe në revistat shkencore Sociologjia dhe Perla, theksojmë se ai ka botuar rreth njëqind artikuj me tematikë të larmishme si dhe ka hedhur në internet dy përkthime : Për Europën, nga Robert Shuman, njëri nga baballarët e themelimit të Europës së Bashkuar, si dhe librin Jodhuna, një shpjegim për fëmijët e mi, nga Jacques Semlin. Në të njëjtën kohë, përkthimi dhe botimi nga ana e tij i librit Korrupsion të Pierre Lascoumes (2002), shoqërohet nga një parathënie e gjatë e studiuesit Andrea, që merr në analizë korrupsionin në Shqipëri si dukuria më tipike e shoqërisë dhe e klasës politike shqiptare gjatë tranzicionit demokratik.
Ashtu si disa shokë të tij me të cilët ka punuar e bashkëpunuar si Edmond Tupja e Viktor Kalemi, Fotaq Andrea, është një përkthyes që dallon për përkthime nga shqipja në frëngjisht dhe nga frëngjishtja në shqip. Krahas antologjive që përmendëm më sipër dhe dy antologjive të reja që kanë parë dritën e botimit kohët e fundit Përralla perse e arabe – 2 vëllime dhe Antologji e përrallës frënge, Andrea ka përkthyer e botuar edhe romanin historik Shqiptarka dhe urrejtja e saj të Pierre Chanlaine, si dhe romanin tjetër historik të Leon Cahun Hasan Jeniçeri – historia e një shqiptari më 1516. Kjo vepër – të cilën e botoi më 2005 –, përbën edhe pikënisjen e studiuesit Andrea për t’u orientuar drejt Faik Konicës, i cili që herët kishte huazuar si pseudonim emrin e personazhit kryesor të këtij romani: Thrank Spirobeg, duke qenë mik i ngushtë i orientalistit të shquar Cahun, me të cilin kishte bashkëpunuar në Paris për vite të tëra. Por vetë Andrea, nëse do të shtrëngohej të vinte gishtin mbi përkthimin e tij më të mirë në shqip, do të përzgjidhte romanin Gargantua të Rabëlesë, libër tepër i vështirë që e përktheu nga gjuha e vjetër frënge e vitit 1534. Në përkthimin e kësaj vepre, Andrea i vuri si qëllim vetes të pasqyronte gjuhën e bukur të Rablesë, këtij klasiku të Letrave frënge, cilësuar si Mjeshtri i saj hyjnor, me një gjuhë shqipe disi të vjetër, por të bukur e të pasur për të përballur këtë kryevepër të letërsisë botërore. Po ashtu, edhe përkthimi i tij i fundit Legjendat e Mesjetës, që kanë në qendër “Kalorësit e Tryezës së rrumbullakët të mbretit Artur”, karakterizohet nga një bukuri dhe ëmbëlsi e veçantë e shqipes së tij.
Në përkthimet nga shqipja në frëngjisht, Fotaq Andrea që herët ka dhënë kontributin e tij kur punonte si përkthyes në Shtëpinë botuese me ekipin e Jusuf Vrionit, por më pas, i prirë për t’i hyrë më të vështirës në përkthime, ai dha në frëngjisht librin me fabula të fabulistit të talentuar Ferit Lamaj Dhelpra e Trojës, libër që u vlerësua me çmimin ndërkombëtar Çmimi La Fonten. Tek mori pjesë në Konferencën Eposi i kreshnikëve, monument i trashëgimisë kulturore shqiptare, Prishtinë, gusht 2010, me kumtesën e tij Vështrim historik i këngëve heroike shqiptare në Letrat franceze, Andrea u zotua të përkthente në frëngjisht dokumentarin Lahutari i fundit në kuadrin e përgatitjes së dosjes Eposi i Kreshnikëve, vlerë e trashëgimisë botërore gojore për t’u marrë nën mbrojtje nga UNESCO. Andrea kujton këtu vështirësitë tepër të mëdha që hasi në përkthimin në frëngjisht të këtij filmi, kur detyrohej të përkthente një gjuhë gegërishte mjaft të rëndë në gojën e pleqve 80 vjeçarë, që flisnin me dialekt të lashtë plot hundorëzime, si të shëmbeshin, thotë Fotaqi, vetë shkëmbinjtë e moçëm nga lartësitë e maleve të Rugovës. Andrea ia arriti edhe këtij qëllimi dhe filmi u shfaq gjithandej, deri edhe në Pekin. Këtë vështirësi në përkthim, Andrea e hasi po ashtu edhe te Përrallat shqiptare në frëngjisht, një antologji që ai ndërtoi me përralla të zgjedhura nga visaret e kombit tonë, të cilën e ka në fazë të fundit përpunimi. Vështirësia përkthimore në gjininë e folkloristikës e të fabulës është e njohur nga të gjithë, dhe kërkon vullnet e durim, këmbëngulje e pasion të veçantë për t’ia dalë mbanë.
Ndërkaq, në prill 2015, ai botoi në Francë librin Guri i shpirtit – Kronika shqiptare, një përmbledhje me 14 tregime të tij të zgjedhura, shkruar gjatë viteve 1997-2004. Këtu ai pasqyron periudhën e tranzicionit të dhimbshëm demokratik shqiptar. Kohët e fundit, duke analizuar një për një këto tregime të tij në frëngjisht, prof. Anton Papleka, me një ese të gjatë, e krahason stilin e Andreas me stilin e Migjenit tek shkruan: Fotaq Andrea, vazhdues i traditës migjeniane.
Një kontribut më vete përbën përkthimi i tij i librit të Sami Repishtit Dialektika e rendit dhe e rebelimit tek Andre Malraux (Onufri 2011), ku Andrea, me një shkrim përmbledhës për vlerat e veçanta të kësaj vepre rinore të profesor Repishtit, shfaq potencialin e fuqishëm intelektual të këtij personaliteti të shquar të botës shqiptaro-amerikane që na mahnit me freskinë dhe forcën e mendimit të tij… E në këtë forcë të madhe shpirtërore – vijon Andrea -, Repishti student i ngre himn nënës së vet dhe gjithë nënave të përvuajtura të Shqipërisë, që me dashurinë e tyre mbanin të ndezur flakadanin e jetës dhe vetë optimizmin për të.
Si intelektual me interesa të gjera Andrea bashkëpunon dhe me shkollat e larta të Shqipërisë për përkthime veprash për programe mësimore si libri i historianit të shquar amerikan Moses Finlay Demokracia e lashtë greke dhe demokracia moderne.
E mbyllim këtë ese për Fotaq Andrean me projektet e tij për të studiuar së shpejti jetën dhe veprën e rilindasit Sotir Kolea, pa iu ndarë Konicës, Dora d’ Istrias, përkthimit të veprës së Rablesë Pantagrueli si dhe hulumtimeve në fushën e albanologjisë.
Do të shtonim se Andrea është studjuesi e hulumtuesi më i përgatitur për të gjurmuar e mbledhur dhe shkrime të penave franceze për arbërorët e Greqisë, të cilët ashtu si arbëreshët e Italisë kanë vlera të mëdha për kulurën tonë arbërore-shqiptare. Një vepër e tillë si volum i dytë i antologjisë Arbëreshët e Italisë, 1413-2007 duhet kryer sa më parë sepse arbërorët e Greqisë janë drejt asimilimit të plotë dhe nuk mbrohen e nuk studjohen nga institucionet shkencore të shtetit grek.
- « Previous Page
- 1
- …
- 71
- 72
- 73
- 74
- 75
- …
- 93
- Next Page »
