• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2016

Kotzias pritet me protesta në Tiranë ….

June 6, 2016 by dgreca

Hyn nga dera dytësore në Ministrinë e Jashtme/

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikolas Kotzias u prit me protesta në Tiranë. Shoqata Çamëria” dhe PDIU mblodhën dhjetëra simpatizantë përpara Ministrisë së Jashtme, duke e vonuar ardhjen e eskortës së tij. Bllokimi i hyrjes detyroi ministrin Bushati të dilte jashtë dhe të komunikonte me kryetarin e PDIU dhe nënkryetarin e parlamentit Shpëtim Idrizi, i emëruar në këtë detyrë pas marrëveshjes për koalicion me Edi Ramën. Mes protestuesve ishte edhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Abaz Hado, edhe ai në detyrë si pjesë e marrëveshjes PS – PDIU. Policia solli forcat “Shqiponja” për të lejuar hyrjen e eksortës së Kotzias. Pavarësisht angazhimit policor, Kotzias hyri nga dera dytësore e Ministrisë së Jashtme. Protestuesit kërkuan zgjidhjen e çështjes çame. “Ne kërkojmë të drejtat tona sipas Konventës së të Drejtave të Njeriut”, u shpreh Hado. Athina thotë se nuk ekziston një çështje e tillë. Një ditë më parë Ministria e Jashtme greke i quajti të papranueshme deklaratat që kryeministri Rama bëri mbi Çamërinë, në kongresin e PDIU-së aleate.

Filed Under: Kronike Tagged With: Kotzias pritet, me protesta, ne Tirane

Udhëtim me shqiptarët e suksesshëm në Britani

June 6, 2016 by dgreca

“Udhëtimi im” është revista më e fundit me shqiptarët më të suksesshëm në Britaninë e Madhe, të cilët janë promovuar në një ceremoni të zhvilluar në “Regent’s University” të Londrës. Mes shqiptarëve të suksesshëm ka biznesmenë, avokatë të niveleve të ndryshme, publicistë e njerëz të artit e teknologjisë, madje edhe lektorë e profesorë në universitetet e njohura angleze, si ai i Oksfordit, apo universitete të tjera britanike. Njëri prej tyre është Golë Nashi, lektor në Universitetin e Hertfordshire në Watford. “Jemi mësuar që shqiptarët këtu në Britani t’i shohim vazhdimisht në kronikën e zezë. Ky aktivitet është diçka shumë pozitive, pasi nxjerr në pah vlerat e vërteta të komunitetit shqiptar në Britani, duke i parë nga një këndvështrim shumë pozitiv për arritjet e mëdha, e që janë bërë nder i Shqipërisë në Britani”, tha Golë Nashi, lektor në Universitetin Hertfordshire. “Unë jam Aqif Neli dhe në vitin ’98 jam shpërngulur me familjen time në Britani. Me gjithë pritjen shumë të mirë të autoriteteve angleze, ne kemi kalur vështirësi, por në sajë të mundësive që krijon ky vend kam arritur të kem kompaninë time, një kompani të suksesshme, që punëson mbi 60 shqiparë dhe që vazhdon të rritet dita-ditës”, tha Aqif Neli. Drejtori i gazetës “The Albanian”, promovueses së shqiptarëve të suksesshëm të Britanisë, Petrit Kuçana thotë për Top Channel se, në këtë botim ka shqiptarë me histori që i kalojnë kufijtë e të besueshmes. “Vetëm për pak momente të imagjinojmë sesi ishte një emigrant, që dikur, ndoshta nga vitet ’97, ishte në bregdetin shqiptar dhe me skaf do të largohej drejt brigjeve të ëndrrave. Erdhi në Britani, krijoji kompaninë e tij dhe ka të punësuar britanikë, teksa konkurron denjësisht me kompani britanike. Ashtu siç kemi pedagogë që japin leksione në univeritetet britanike, apo arkitektë e avokatë, por edhe ‘barrister’ që përfaqësojnë Mbretëreshën në gjyqet britanike. Kemi edhe shkencëtarë shqiptarë, shpikjet e të cilëve publikohen në revistat gjermane. Si dhe personazhe të fushave të ndryshme të jetës, me të cilët natyrisht të gjithë jemi krenarë”, tha Petrit Kuçana, drejtor i gazetës “The Albanian”. Ky botim promovues i gazetës më të madhe të komunitetit shqiptar në Britani “The Albanian”, e cila që prej 12 vitesh del në Londër, tenton të evidentojë shqiptarët që kanë arritur në majat e profesioneve të tyre, duke u bërë shembull për emigrantët e rinj, në kushtet kur media dhe politika britanike po përdor, shpesh me të drejte e më së shumti duke spekuluar politikisht, emigrantët shqiptarë si e keqja dhe një ndër shkaqet se përse britanikët duhet të votojnë në referendum pro daljes së vendit nga BE-ja.SH.K

 

Filed Under: Mergata Tagged With: e suksesshëm, në Britani, Udhëtim me shqiptarët

Veseli në Vjenë: Kosova, mundësi e jashtëzakonshme për investitorët

June 6, 2016 by dgreca

Kryeparlamentari Veseli hapi Forumin ekonomik “Kosovo, a market full of opportunities”, i cili po mbahet në Vjenë: Diaspora kosovare dhe ndërmarrjet austriake tashmë kanë një destinacion të ri të investimit në Kosovë/

VJENË, 6 Qershor 2016/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në kuadër të vizitës në Austri, bëri sot hapjen e Forumit ekonomik “Kosovo, a market full of opportunities”, e cila po zhvillon punimet në Vjenë, me pjesëmarrje të mbi 100 bizneseve të ndryshme.

Kreu i Kuvendit tha se diaspora e Kosovës në Austri dhe ndërmarrjet austriake tashmë kanë një destinacion të ri të investimit në Kosovë, e cila ofron mundësi të jashtëzakonshme për investitorët.

“Institucionet e Kosovës janë të gatshme t’i mbështesin investitorët nga Austria që vijnë në Kosovë. Ne kemi ndërtuar bazë të mirë ligjore dhe politika fiskale që përkrahin një klimë të favorshme për çdo ndërmarrësi”, theksoi Veseli.

Po sot, kryetari i Kuvendit të Kosovës, i shoqëruar nga ministrat e resorëve ekonomikë e financiarë të Qeverisë së Kosovës, zhvilloi një takim të veçantë me përfaqësues të Odës Ekonomike Austriake.

Duke i konsideruar të shkëlqyeshme marrëdhëniet politike midis Vjenës dhe Prishtinës zyrtare, Veseli tha se pret që këto marrëdhënie të shndërrohen në këmbime ekonomike.

“Kosova ka çka t’u ofrojë investitorëve. Resurse të mira natyrore, kapacitete humane, si dhe politika fiskale, që e bëjnë Kosovën një vend të mirë për investime”, theksoi kryeparlamentari Veseli./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: investimet, në Vjenë: Kosova, Veseli

VATRA dhe Çështja Çame

June 5, 2016 by dgreca

Çështja Çame, plagë e dhimbshme në trupin e kombit shqiptar,- peshë e rëndë në ndërgjegjen e kombit grek/

1 Gjoni1

NGA GJON BUÇAJ/

Përshëndetja e mabjtur ditën e Shtunë 4 Qershor 2016, në Kongresin e PDIU, në Tiranë/

Ju falënderoj për nderimin që i keni ba Federatës Panshqiptare të Amerikë “VATRA” me ftesat bujare Kryetarit të saj të Nderit, zotit Agim Karagjozi dhe mue, për të marrë pjesë në këtë Kongres. Kam kenaqsinë të jem sot mes jush dhe t’ju sjell përshëndetje të përzemërta, si nga zoti Karagjozi me keqardhjen që nuk mund të vinte për shkak të moshës, ashtu nga Kryesia dhe nga antarët e VATRËS, bashkë me urimin që Kongresi i juej të dali me suksese në dobi të interesavet kombëtare.

Partia e juej, si entitet politik i intergruem në sistemin elektoral, ka antarë e mbështetësa të ndryshëm, megjithatë ajo identifikohet si subjekt çam. Prandej programi i juej konsiderohet, vetëvetiu, me detyrë të dyfishtë, atë të angazhimevet për trajtimin e çashtjevet kombëtare në përgjithësi, si dhe detyrën e përpjekjevet për zgjidhjen e Çashtjes Çame në mënyrë veçantë.

Mbi këto detyra, mue si përfaqsues i VATRËS, të cilën kam nderin aktualisht t’a kryesoj me vetëdijen e përgjegjësisë së randë, që e ndaj me bashkëpuntorë dhe me këshilltarë dashamirës, më përket të sjell para jush këtu sot, në vija të shkurta, disa nga mendimet dhe brengat kryesore të saj.

Në vorbullën politike të këtyne 25 vjetve të tranzicionit të pambarim, dallohen me dritë dy arritje të mëdha: ndërtimi i “Rrugës së Kombit” dhe anëtarsimi i Shqipnisë në NATO. Por vërehet mungesa e madhe e disa realizimeve të  randësishme, mungesë që pengon shkëputjen nga trashigimia e randë e diktaturës komuniste, si edhe perforcimin e pozitës  ndërkombëtare të Shqipnisë dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të saj. Realizimet e mungueme janë kryesisht: dënimi i krimeve dhe i kriminelëve të komunizmit, hapja e dosjeve të Sigurimit dhe Ligji i Lustracionit, damshpërblimi dhe integrimi i shtresës së ish të përndjekunve politikë, kthimi i pronës së konfiskueme te i zoti legjitim, lufta e njimendtë kundër korrupsionit, reforma e sistemit gjygjësor dhe atij zgjedhor, e tjera. Si rrjedhim, ka ardhë rritja korrupsionit, rritja e papunësisë, thellimi i vorfnisë dhe krijimi i kulturës se krimit. Largimi i mija familjevet pa shpresë, drejt fatit të pasigurtë, asht padi e randë kundër sistemit që burgosë fukaranë për vjedhje të energjisë elektrike për të ba darkën, ndërsa mbron dhe mban në gji kriminela të njohun dhe hajna milionash.

Kongresi i juej po zhvillohet në nji kohë kur klasën politike shqiptare e presin vendime dhe veprime të nji randësie jetike për të ardhmën e Shqipnisë dhe të kombit shqiptar në përgjithësi. Rrethanat ndërkombtare janë të favorshme për shqiptarët sot ma shumë se sa ndonji herë tjetër në të kaluemen. Prandej elita politike aktuale e ka për detyrë sublime të angazhohet me përkushtim maksimal, për t’a shfrytëzue këtë fat para se të kalojë, për përparimin e vendit dhe për zgjidhjen e problemeve të kombit tonë të ndamë padrejtësisht në gjashtë shtete ku, jashtë Shqipnisë e Kosovës, shqiptarët sundohen nga të huejt që u mohojnë edhe të drejtat ma elementare.

Gjeneratat e ardhshme do t’a gjykojne eltën e sotme, nuk do të pyesin sa pasuni grumbullove, sa mjeshtri tregove në blemjen dhe manipulimin e votës, por do të pyesin se çka bane për atdheun e për kombin kur e pate në dorë. Mirëpo për të qenë në gjendje me i dalë zot efektivisht kësaj detyre, klasa politike duhet urgjentisht të bajë nji këthesë të domosdoshme që e imponon interesi jetik i kombit. Ma mirë vonë se kurr!

Asht fat i madh që miqt tanë, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkueme, po angazhohen seriozisht me e ndimue Shqipninë që t’a bajë këtë këthesë historike realitet, tue fillue me reformën e sistemit gjygjësor. Ambasadori Lu ka thanë nji të vërtetë shpresëdhanëse: “Reformën në drejtësi nuk e duan ministrat dhe deputetët kriminelë”. Te çohen më kambë kriminelat që e pengojnë reformën! …. Askush nuk ngrihet, prandaj  reforma do të kalojë, sepse pengimi i saj asht krim dhe kush e pengon asht kriminel.

Për nji njeri, i cili vjen mes nesh me pasion të sinqertë për të mirën tonë, si Ambasadori Donald Lu, nuk mund të ketë vi të kuqe, por mireseardhje. Ai vjen për t’a ngritë dhe nderue sovranitetin e shqiptarëvet, jo për ta cenue, prandej le t’i jemi thellësisht mirënjohës.

Nji tjetër problem i të gjithë shqiptarëvet që pret zgjidhje tash ma se 70 vjet, asht Çashtja Çame, nji plagë e dhimshme në trupin e kombit shqiptar, por edhe nji peshë e randë në ndërgjegjen e kombit grek. Si entitet çam dhe si forcë politike, juve ju përket të kordinoni dhe të harmonizoni aktivitetet dhe të shtyni shtetin dhe qeverinë shqiptare që të angazhohen për të drejtat legjitime te Çamëvet, pranë shtetit grek dhe pranë autoritetevet përkatëse ndërkombëtare.  Edhe na jemi të gatsheëm, si gjithmonë, t’a ndimojmë dhe t’a përkrahim cashtjen pa kursim, me mënyrat dhe mubndësitë që ka Vatra.

Greqia dhe Shqipnia, dy shtete kufitare me fate të ndërlidhuna, kanë nevojë të përbashkët për paqë dhe marrëdhanjë të mira fqinjësie, mbi baza të drejtësisë dhe të respektit reciprok. Por nuk mund të ketë marrëdhanje të tilla as paqë, pa zgjidhjen e drejtë të problemit çam. Kjo temë ngritet lart në rendin e ditës të shqiptarëvet në këto dit që Tirana do të presë ministrin e jashtëm të Greqisë. Fatkeqsisht parapamja për bisedime produktive nuk asht optimiste, tue pasë parasyshë deklaratat e ministrit Kotzias, me pretendime absurde në dam të Shqipnisë. Pala shqiptare duhet t’a kryejë  detyrën me korrektesë por me vendosmëni për kërkesat çame që mbështeten në të drejtat njerzore dhe në normat e konventavet ndërkombtare të nënshkrueme edhe nga shteti grek. Mbajtja e gjendjes së luftës me Shqipnine nuk asht vetëm absurditet i Greqise, por edhe nji abnormalitet i papranueshëm në mes dy shtetevet antare të NATO-s. Prandej Greqia t’a hjekë këtë status menjiherë, ose të paditet juridikisht në Forumin përkatës.

Sado që synojmë integrimin në Europë, nuk mund t’u nënshtrohemi shantazheve në dam të interesave kombtare, edhe pse të vonohemi. Këtë qendrim, simbas mendimit tone, duhet të mbajnë Shqipnija edhe Kosova.  Le t’urojmë dhe të punojmë të gjithë së  bashku për zgjidhjen e drejtë të Çashtjes Çame dhe për dit ma të mira për popullin tonë të lashtë e fisnik!

Tiranë, 4 qershor 2016

 

Filed Under: Editorial, Vatra Tagged With: Gjon Bucaj, Kongresi i PDIU

SHPËTIM IDRIZI: ÇËSHTJA ÇAME DO TË ZGJIDHET! PËR KËTË BETOHEMI!

June 5, 2016 by dgreca

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka zhvilluar kongresin me delegatë nga e gjithë Shqipëria. Në këtë kongres ishin të pranishëm kryetari i PDIU-së, z.Shpëtim Idrizi, Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama, deputetët e PDIU-së, përfaqësues të partive politike në Kosovë e Maqedoni, Kryetari i Federates Panshqiptare te Amerikes”VATRA” Dr. Gjon Bucaj, si dhe shumë figura të tjera politike e historike brenda dhe jashtë vendit.

Në fjalën e tij para delegatëve në kongres, z.Idrizi u shpreh se PDIU është parti e gjithë shqiptarëve kudo që janë dhe që po rritet nga dita në ditë.

“PDIU nuk është PDIU e udhëheqësisë aktuale, nuk është parti e kryetarit që ju keni zgjedhur, dhe as vetëm e grupit parlamentar. PDIU-ja është e të gjithë juve, e rinisë, e gruas, e shqiptarëve kudo që janë! Kush besoi në ëndërrën tonë të djeshme, që sot është realitet, do të jetë dëshmitar i një PDIU-je të nesërme shumë më të fortë, shumë më të madhe, shumë më të pushtetshme dhe të përgjegjshme në ushtrimin e pushtetit që do të marrë nga vota. Ju do të shikoni në zgjedhjet e ardhshme sesi kjo që them do të shndërrohet në realitet përfaqësimi, aktivizmi, fytyrash dhe mendjesh të reja!”, u shpreh kryetari i PDIU-së.

  1. Idrizi theksoi para anëtarëve se çështja çame nuk ka kthim pas dhe për këtë ai u betua se ajo do të zgjidhet.

“Sot çështja çame nuk është çështja e shqiptarëve të Çamërisë, por është çështja e çdo shqiptari, kudo që ndodhet, është çështje kombëtare shqiptare, pa dallime krahinore. Sot, kjo çështje hidhet në tryezën e bisedimeve me palën greke, me emër dhe me mbiemër, pa kurrfarë kompleksi. Nisi të ndodhte në vitet e para të pluralizmit, por u hesht më vonë! Krejt ç’ka kemi arritur është nderim për të vrarët dhe porosi e përjetshme për të rinjtë! Ndaj sot kam krenarinë që t’ju them në emrin tuaj dhe të qindra e qindra mijëra shqiptarëve:  Ne e kemi fituar betejën me Kohën e Harresën! Sot kjo është një çështje që nuk ka kthim pas dhe për këtë Ju siguroj ju në këtë sallë, Politikën Shqiptare, Shtetin Grek dhe partnerët ndërkombëtarë: Çështja Çame do të zgjidhet! Për këtë betohemi! Sepse ajo është çështje e të drejtave themelore të njeriut”, tha z.Shpëtim Idrizi.

Në fjalën e tij Kryeministri i Shqipërisë z.Edi Rama tha se çështja çame do të zgjidhet.

“Çështja çame po faktorizohet, por shqisa e forcës së verbër po tretet ashtu si në çdo organizëm mbijetuesi, po forcohet shqisa e forcës së shembullit që duhet të na bëjë më të urtë, jo kokulur, por më të urtë në vendosmërinë tonë për të këmbëngulur në një të drejtë të mohuar në kaq shumë vite. Derisa fqinjët kërcënonin se nëse hapej ky muhabet do iknin nga tavolina, sot ka ndryshuar shumë. Jo vetëm që nuk ikin, por kanë kuptuar se për ne, kjo nuk është një çështje revanzhi, por dinjiteti. Do të duhet kohë por pa asnjë dyshim është hapur rruga, sepse kam besuar se vendit tonë nuk i duhet një kozmopolitizëm pa thelb, por i duhet një patriotizëm modern. Kjo qeveri hapi me seriozitet një çështje që të gjithë bënin sikur nuk e shikonin. Jemi në një luftë me Greqinë dhe në një traktat paqeje. Faza e re e marrëdhënies ku duam të shkojmë përfshin heqjen e ligjit të luftës. Një standart të ri, që nënkupton se ka vdekur ajo kohë kur fqinji i pasur tregon se çfarë është e mundur dhe e pamundur” – tha Kryeministri Edi Rama.

Ndërsa deputetja Mesila Doda u shpreh para delegatëve se fuqizimi i familjes shqiptare duhet të jetë një prioritet për këdo.

“Kjo kohë gjatë së cilës kemi takuar shqiptar të gjithë trevave nga veriu në jug, na ka shërbyer të përballim me njerzit të vërtetat për të cilat kemi luftuar ne nuk jemi stepur asnjë çast. Ne nuk kemi ngritur gishtin kundra ndokujt, nuk kemi sharë e urryer kënd por kemi kërkuar, një Shqipëri të ndarë nga e kaluara, kemi kërkuar një familje të fortë e të mbështetur si fuqia e vërtetë që do sjellë ndryshimin. Vizioni ynë ka në qendër një familje, burrë grua fëmijë dhe nuk besojmë se shteti duhet të ndihmojë as ekonomikisht apo ti hapë rrugë ligjërisht llojeve të ndryshme të bashkimeve homoseksuale. Në rrugën tonë u bashkuan e u prononcuan lider të partive të tjera, na vjen mirë që u bashkuan në vizionin dhe në shqetësimin tonë. Familjen duhet ta mbrojmë të gjithë, ndaj diskursi i sotëm i shtuar politik rreth kësaj kauze, veç i jep vlerë vizionit tonë, ne mbrojmë familjen, mbrojmë martesën e nje burri dhe një gruaje dhe kjo është kauza jonë e sotme dhe e nesërme. Padyshim do duhet jo thjesht ta tutelojmë me fjalë por të sjellim iniciativa konkretë për mbështetje ekonomike të familjes. Duke filluar qysh nga fëmija i tretë familja duhet të ndihmohet me subvencion të veçantë nga shteti”, u shpreh znj. Mesila Doda.

Në kongresin e PDIU-së, Ramush Haradinaj dhe Visar Ymeri, dy nga krerët e partive opozitare kosovare, u shprehën se shqiptarët duhet të bashkohën, ndërkohë që u bënë apel qeverive të dy vendve të bëjnë më shumë për shqiptarët në të gjitha trevat.

Ndërsa avokati i çështjes Çame Karim Kahn, i dorëzoi kryetarit të PDIU-së, z.Shpëtim Idrizi studimin e fizibilitetit për zgjidhjen e çështjes çame. Z.Kahn u shpreh se është e patolerueshme që një çështje kaq e madhe në zemër të Europës të ngelet pa u zgjidhur.

Në këtë kongres delegatët votuan për anëtarët e Këshillit Kombëtar të PDIU-së.

Filed Under: Analiza Tagged With: BETOHEMI!, DO TË ZGJIDHET!, PËR KËTË, SHPËTIM IDRIZI: ÇËSHTJA ÇAME

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • 65
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT