• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2016

Lajme nga Stambolli

July 16, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Minutë pas minute, lajmet që vijnë nga Turqia flasin për rritjen e numrit të të arrestuarve dhe të viktimave. Ndërkohë një dalldi e madhe njerëzore po flirton fort me mbrojtjen e demokracisë në vend, gati të ekzaltuar. Fotot në webet e botës janë një dëshmi e ftohtë. Ushtarë të gjunjëzuar dhe njerëz të irrituar përsipër. Tanke të braktisur ku hokorija ka vetëm një emër, fitore. Ata janë kryesisht mbështetës të fortë të Erdoganit. Që sipas të gjitha të dhënave rreth përkrahësve të tij, vijnë nga zonat rurale të Turqisë. Andej nga buron dhe sundon pushteti në vend, apo diktati modern i Rexhep Taip Erdoganit. Një ekstazë që po aludon, për kthimin e dënimit me vdekje. Nga ana tjetër janë edhe njerëz të thjesht që sigurisht nuk duan që vendi i tyre të përfshihet nga kaosi dhe anarkia.

Kjo e gjitha për shkak të të ashtuquajturit grusht shteti, që në Turqi janë një histori normale. Sidomos pas shtetit laik, që krijoi Qemal Ataturku, njeriu reformator dhe krenaria e aktuale e vendit.
Mirëpo është grushti më pak i rezistueshëm, në raport me traditën. Me ato që kanë ndodhur midis shtabit të ushtrisë dhe qeverive. Nga kjo aludohet madje dhe akuzohet drejtpërdrejtë Erdogani si një ideator. Ndërkohë që vet qeveria e ka shenjuar menjëherë Fetullah Gylenin dhe lëvizjen me emrin e tij si autor. Kur ky i fundit, nga Amerika njofton se dënon ashpër çdo përpjekje apo inisiativë të marrjes së pushtetit përmes një grushti shteti.
Çfarë është pra e gjitha?
Ka me dhjetra arsyetime. Megjithatë pika më e nxehtë është
rreziku i rënies së sekularizmit shtetëror. Pra që shtetit turk nga një shtet laik, po kthehet në një shtet fetar. Kjo kryekëput në kundërshtim me amanetin kushtetues të Qemal Ataturkut.
Dhe tjetra kapja e javashtë, por me hapa të sigurtë e pushtetit absolut prej Erdoganit. Ai vjen nga një parti e rrëzuar njëherë kësisoj. Dhe kjo i jep të drejtën klanit sekular të mendojnë se rreziku nuk ka mbaruar. Kapja e tij, tashmë, është realitet.
Ajo që në dukje po bëhet ne votë. Por faktet thonë se është një votë e fituar përmes dhunës, dëbimeve, burgosjeve që sigurisht nuk janë mjete të demokracisë së vërtetë. Eshtë një votë që po përdorë besimin fetar për interesa të pushtetit personal. Një praktikë e mbështetur në shtresat e ulta, shtresa të cilat, pavarsisht forcës perandorake të shtetit turk, janë një botë e dytë shumë e shumë më poshtë nga niveli i luksit të pallatave presidenciale. Dhe në historinë e njerëzimit dihet se revolucionet, qofshin të buta apo ato të natyrës me ekstazë, pankarta, marshime, dominohen prej prurjesh nga ky soj.
Nisur edhe nga situata në rajon, shteti islamik, Siria në luftë civile prej kaq vitesh. Iraku, Libia etj…, ku përvoja tregoi se rrëzimi dhe ekzekutimi i diktatorëve si Sadam Huseini, apo Momar Gedafi, rezultoi fatal në prishjen e paqes në rajon. Dhe se vendet e lindjes, nuk e kanë akoma të qartë konceptin e demokracisë. Në një apo tjetër mënyrë, duan të bëjnë demokraci me ligjet patriarkale. Luftrat e brëndshme fetare në vendet arabe, që janë në buzë shpërthimi. Shto edhe prag falimentimin e Greqisë etj…, i japin Erdoganit shancin e artë. Ndaj sot njerëzit e shohin si babain e paqes. Ndofta komoditetin e një lloj Putini në Bosfor.
Megjithatë, përpos sa e sa të vërtetave. Më e hidhura është situata në Stamboll. Kaosi, anarkia dhe viktimat. Njerëz që mendojnë se i shërbejnë demokracisë, që vriten në emër të saj, pa e kuptuar asnjëherë se kanë ngritur në qiell, një tjetër diktator.
Po ne shqiptarët çfarë lidhje kemi me realitetin turk?
E para kemi qënë pjesë e Turqisë kur jemi pushtuar prej saj. Dhe e kemi ndihmuar atë të pushtojmë vetveten. Të pushtojmë edhe të tjerët. Kjo është edhe epoka e pashallarëve që ne i shohim akoma me adhurim.
E dyta kemi përfituar besim fetar prej saj. Dhe e kemi ndihmuar atë në fetarizimin tonë.
E treta jemi justifikuar me ‘të si një mbrojtëse e jona për shkak të dyndjes së sllavizmit. Duke përdorur metodat e saj në pushtime territoresh, për të sunduar keq vetveten. Jo si shqiptarë, jo si raca më vjetër. Por herë si turq të rinj, herë si sllavë, herë si grek.
E katërta, po e imtiojmë atë…, po i shërbejmë asaj. Në praktikat politike të Erdoganit. Në praktikat fetare të antisekularizmit shtetëror, duke vetmuar e hallakatur, dasuar shqiptarin e fustanellës. Me atë të çallmave dhe ferexheve.
Kjo po ndodh përditë.
Dhe ne përditë po vrasim veten tonë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Lajme nga Stambolli

ATJE KU SHTRESAT NË NEVOJË GJEJNË NDIHMË DHE SHPRESË

July 16, 2016 by dgreca

Në Qendrën Sociale Multidisiplinare të Bashkisë Tiranë/

Nga Enver Memishaj/*

Kur trokita tek dera e drejtoreshës së Qendrës Sociale Multidisiplinare, të Bashkisë Tiranë, prisja të më dilte përpara ndonjë fytyrë e vrejtur, që të më shikonte me përçmim, sikur kishte në dore jetën time. Por nuk ndodhi kështu. Një zë i bukur femre më ftoi të hyja brenda. Para meje qëndronte një vajzë e re me një buzëqeshje që të mbushte plot optimizëm.

  • Haj, hajde, më tha ajo. Urdhëroni uluni.

S’kish si ndodhte ndryshe, punës i ishte gjetur njeriu i përshtashëm. Alma Tandili, drejtoresha e kësaj Qëndre ishte, diplomuar në vitin 2004, për punë sociale, master në komunikim dhe në vitin 2008 kishte fituar doktoraturën, për punë sociale..

Kishte filluar punë në këtë Qendër, në janar të këtij viti dhe siç morëm vesh i kishte ndryshuar fytyrën për mirë kësaj Qendre të shtresave në nevojë. Kishte arritur rezultate të lavdërueshme. Me ardhjen e sajë në krye të kësaj Qëndre stafi drejtues i kishte kthyer sytë nga njerëzit, nga ata njerëz që kanë nevojë, pasi janë braktisur nga fati, apo rrethana të ndryshme jetësore, e shoqërore.

Në këtë Qendër tashmë shtresat në nevojë gjejnë ndihmë, shpresa e optimizëm për të ardhmen.

 

Cili është qëllimi i krijimit të Qëndrës Sociale Multidisiplinare?

Sot, një nga plagët e shoqërisë sonë është thellimi i hendekut ndërmjet shtresës së pasur dhe të varfërve, këtë fakt e theksoi në një dalje publike edhe z. Bujar Leskaj, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Data 23 shkurt është vendosur si Dita Botërore e Drejtësisë Sociale. Qendra Sociale përkrah kauzën sociale për solidarizim dhe barazi. Të gjithë së bashku mund të hedhim një hap drejt humanizmit dhe ndërgjegjësimit ndaj padrejtësive. Qëllimi kryesor i kësaj dite është garantimi i lirive dhe të  drejtave themelore të njeriut në mënyrë të barabartë për të gjitha grupimet sociale pa dallim gjinie, moshe, race, etnije, feje, kulture apo paftesie njerezore.

Kështu Qendra Sociale Multidisiplinare, shkurt  QSM, ka për mision përmirësimin e cilësisë së jetës të kategorive në nevojë, duke ndërtuar një sistem shërbimesh sociale me bazë komunitare gjithë përfshirës me një shtrirje sa më të gjërë territoriale, të gjitha falas.

Pra siç shihet QSM është fytyra e vërtetë e një shteti human dhe demokratik. Pa këtë shërbim nuk mund të flasim për shoqëri humane dhe demokratike.

Rezultatet e shërbimeve gjatë 6 mujorit të parë 2016, nën drejtimin e Alma Tandilit.

Drejtoresha e re, nuk gjeti kushte të përshtatshme për kryerjen e detyrave funksionale për të cilat ishte krijuar kjo Qendër, prandaj së pari ajo u interesua, mori masa dhe arriti të përmirësojë kushtet e punës.

Kështu u përmirësuan kushtet për të zhvilluar terapi me fëmijët, duke siguruar edhe mjetet e punës për këtë qëllim, të moshuarve iu sigurua shërbimi kafesë, u zgjidh problemi për furnizimin me energji elektrike, me ujë etj., plotësoi  dosjet dhe evidencat e frekuentsve të cilat i gjeti me mangësi, siguroi kontakte me 11 partner dhe bëri vlerësimin e punës për nëpunësit e Qendrës.

Pasi zgjidhi këto probleme drejtoresha i ktheu sytë dhe i mbajti gjithmonë nga njerëzit e varfër nga ata që luten dhe i mbajnë sytë nga shteti dhe që tek Alma Tandili gjejnë buzëqeshjen, fjalën e ngrohtë, përkrahjen, ndihmën dhe shpresën për të ardhmen.

Gjatë 6 mujorit, nën drejtimin e Alma Tandilit, Qendra si asnjëherë më parë, ka kryer, në ndihmë të shtresës në nevojë 30 aktivitete, ose për çdo muaj 5 aktivitete, çka flet për aftësinë e konpetencën profesionale të drejtoreshës, por edhe vlerësimin dhe ndjenjat njerzore që atë e udhëheqin në punën e përditshme.

Më 11 shkurt  u bë trajnim dhe informim mbi mundësinë e perfitimit të granteve në fillimin e një biznesi social. Fituesit e granteve, 35 të rinj nga kurset profesionale, do te mbeshteten dhe monitorihen nga ekspert të kontratuar nga Bashkia e Tiranes.

Më 22 shkurt të moshuarit kaluan një ditë argëtuese në ambjentet e komplepsit FAFA në Durrës së bashku me fëmijët me problem të shëndetit mendor të cilët marrin terapi pranë Qendrës. Ata luajtën anës detit, ngjyrosën, shkruajtën emrat me plastelin, kërcyen dhe shijuan drekën e sponsorizuar nga z. Fatos Cerenishti.

Me datën 1 mars, 30 gra, festuan bashkarisht ditelindjen e një frekuentueses së Qendrës, festimi ditëlindjeve të të moshuarve ka vazhduar gjatë gjith 6 mujorit.

Në festat e 7-8 marsit, u bë një urim i veçantë për frekuentuesit e Qendrës, urime që sollën atmosfere dhe gjalleri të 65 grave pjesmarrëse. Sa më shumë dashuri dhe respekt për  këtë  moshë.

Më datën 1 prill  në prani të mbi 120 frekuentuesve, u zhvillua  aktivitet në kuadër të Dites Ndërkombëtare të Autizmit. Njëmbëdhjetë ditë më vonë në prani të 20 fëmijëve dhe prindërve u zhvillua aktiviteti tjetër nga Lions Club Tirana  “Autizmi flet, ndriço blu”, me pjesmarrjen e Logopedistes Kleona Caushi. Shoqëria artistike “Buzëqeshja” dha shfaqen teatrale për fëmijët e Qendrës “Masha dhe Ariu”

Në ditën ndërkombëtare për Fëmijët në  Situatë Rruge,  u zhvillua aktiviteti “Unë mbroj fëmijët”.

Kështu kanë vazhduar aktivitetet njera pas tjetrës:

Takim me 15 prindërit e fëmijëve që marrin terapi. Diskutime rreth problematikave që ata kanë.

Me 130 pjesmarrës është zhvilluar aktivitet me rastin e festës së Pashkëve.  Më 19 maj është shtruar drekë bamirësie nga Baba Mondi.

Më  9 qershor u bë aktivitet për fëmijët e Qendrës. Hapja e sallave të terapive me mjetet e reja si dhe u shtrua një kokteil për të pranishmit.

Fëmijëve me nevoja të veçanta u janë shpërndarë 20 pako, dhurata nga Big Market, po kështu u shpërndanë pako për 70  familje  në nevojë dhuratë nga ALSAR dhe është bërë vleresim socio-ekonomik i familjeve që banojnë tek Bregu i Lumit.

Më datën 15 qeshor në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Abuzimit me të Moshuarit, në prani të 110 frekuentuesve u zhvillua  aktivitet në ndihmë të kësaj shtrese.

Po kështu gjatë këtij 6 mujori janë bërë një sër trainimesh nga Arsis për “Vlerësimi i qendrave sociale multidisiplinare në varësi të bashkisë”, nga shoqata “Ndihmë per fëmijët”, trajnohet ekipi i terrenit, nga Adriatic IPA”Monitorimi dhe Vleresimi”.

Trajnimet kanë vazhduar me: “Menaxhim rasti”, ”Puna me Fëmijët në Situatë Rruge”, “Drejtimi dhe Menaxhimi”, “Vlerësim Rasti”, “Etika ne Punë” etj.

*     *    *                                                                                                                                                Drejtoreshës i kërkuam të na tregonte se cili nga nëpunëst ishte dalluar gjat 6 muajve që ajo drejtonte këtë Qendër. Por, Dajana Hoxha, terapistja e Qendrës, diplomuar në Gjermani dhe që i jep shkëlqim kësaj Qëndre me qytetarinë, inteligjencën dhe aftësitë profesionale, nuk e la në baltë drejtoreshën:

– Gjatë ushtrimit të detyrave tona primare është barazia, na tha ajo, ne trajtojmë shtresën në nevoj pa asnjë dallim, pra edhe stafi është i barabartë dhe nuk mund të bëjmë dallim.

U largova nga ajo qendër duke menduar se sa të drejtë kishte pasur Gato Kukeli, ajo që më nxiti të shkruaj për këtë Qendër, kur më tha:

-Nënë Tereza nuk ka lindur nga hiçi, ky truall ka pasardhëset e sajë të denja e një prej atyre është edhe Alma Tandili…

Faleminderit dhe nderime z. Alma në emër të gjith atyre njerëzve që i ndihmon dhe u jep shpresë për të ardhmen.* Foto-Dielli arkiv

 

 

 

 

Filed Under: Sociale Tagged With: Enver Memishaj, Qendrën Sociale Multidisiplinare, të Bashkisë Tiranë

”TRE PIKESH” I SË RESË FRESKIDA PLEPI

July 16, 2016 by dgreca

Duke shfeltuar librin e parë me poezi të të resë shkodrane Freskida Plepi, botuar nga Kompania botuese “Helena Kadare”/

”TRE PIKESH” I SË RESË FRESKIDA PLEPI NA VJEN SI NJË DHURATË PËR LEXUESIN/

”Si n`pafundësi tu u mundu me kuptu fillimin/

E tue mos pasë mundsi imagjinatet për fundin…”/

                                                   autorja/

Shkruan:Sokol Demaku/

Të lexosh autor të rinj të moshës së autorës Freskida Plepi sot është diçka e cila të plotëson atë çka njeriu edhe tek autor të rryer nuk do ta gjejë dhe nuk do ketë mundësi ta përjetoj.

Është kënaqësi të lexosh vargje të një autore të re e cila ka mbushur tetëmbdhjetë pranvera e me vargun e  saj të pjekur të jep ndjenjen e një poetje e cila veq ka arritur zenitin e saj në thurjen dhe renditjen e vargut me aq guxim dhe ndjenjë.

Poetët janë ata të cilët çdo herë i paraprijnë jetës dhe ndjejnë gjëratë tër cilat shfaqen dhe përshfaqen në natyrë dhe në univers, ngjarje apo më mirë të themi fenomene të cilat kanë një këndveshtrim tjetër në jetën e përditshme. Edhe poetja jonë për të cilën po flasim  këtu kundron çdo gjë në jetë, në natyrë, në univers por edhe në vet njeriun,. Në vet kohën dhe se fundmi edhe në vet vetën. Është një inovatore e fjalës së shkruar e cila shef dhe zbulon të metat e individit por edhe të kolektivit  në tërsi dhe thotë kështu në vargun e saj:

”Errsin, asht kur don me ken

Errsin, asht për të verbërin edhe për at që s`don me pa

Errsin, asht për të dekmin por dhe për atë që jetën s`e d0n

Errsin ka gjithkush, i pasun a i vorfën kjoftë!

Errsina asht e dhimbshme, errsina t`kallxon shpirtin

Errsina t`shemb trimnin anipse pahiri!

Lum aj që mundet errsinën me kthye n`dritë!”

 

Në kuadër të vargut të saj sa të psurë me metafora por edhe me ndjenja të sinqeritetit të jetës që jetojmë ne sot, autorja edhe pse e re vëren dhe ndjen atë e cila sot është nguliturë në shpirtin dhe jetën e njeriut, e që kjo bënë apel përmes vargut të saj errsira dhe e keqja të zhduken nga jetët tona, nga shpirtërat tanë kur thotë:

 

Ngule, ngule atë shaptë jete

Ngule thellë që të mos shkulet.

Ngule e më thuaj shpresën

Ngule e ma zhfuk yryshin veç keq me ba!

Ngule e ma fshij ambëlsinë,

Ngule e ma rrxo mirësinë

Por, mos ma cëno dashnin e t`mrekullueshmes NANË!

 Kur errësira bëhet pjesë e jetës, kur ajo është e dendurë në shpirtin e njeriut, kur zhurma të paralizon e të shurdhon  e asgjë nuk degjon, por edhe gjërat e liga vëhen në ne funskion të jetës atëhere edhe pabesitë dhe thashethemet tundin themelet e jetës dhe njollosin çdo gjë pozitive ajo thotë:

Eh, po shkoj apo jam verbuar

Mos gjë po e capo jam paralizuar,

Ah po, e di jam duke folur, por s`më

Dëgjojnë veshët e shurdhër të botës,

Të botës dashakeqëse mbuluar pabesisht,

Njollosur nga frika.

Jam lodhur duke folur me botën që dëgjon kur ka nevojë

E shurdhohet kur nuk e prek leverdisja.

 Sot në ditët bashkëkohore jeta është bërë e padurueshme per njeriun e rendomt, për njeriun punëtor, Ku njeiru nuk është njeri, ku njeriu ka humbur shpirtin, ai tani është një monstër. Argëtimi është bërë frikë, kjo është një karakteristikë e vargut e që çdo gjë është skeleteizuar dhe paraqet diçka që nuk përkon me njeriun e këtë do kuptojmë kur poetja thotë:

Ulur dimnit afër shporetit kupton diçka,

Kupton se hija e tij s`nxen,

E hija e tija asht pra, prej tij del.

Njashtu asht dhe nieri, hija e tij nuk ka shpirt.

E sot bota asht mbush n`hije, n`hije të pabesis,

T`pa burrnis, n`hije t`pasinqerta

Pra kjo është se kur zgjohesh je i rrethuar nga hije të kobshme, nga skelete te themi disonaurësh apo me demona të shemtuar e që nuk njeh as veten tuaj. E mendoj se mjaft fuqishëm, ky varg na ben që të ngrisim zërin dhe të bertasim me terë fuqin në zhdukjen e tyre.

Por kurajo është një virtyt shumë i rëndësishëm në jetë dhe se mendoj se poetja edhe pse në moshë e re e gjenë veten në vargun e  saj dhe njeriut i jepë kurajo për të vazhdua jetën kur thotë:

Rrafshoje me fines në majën më lartësuese të botës

Lartësoje egërsisht atje ku ngjyrat shkrihen n`perfeskion

Zbuloje pafundësisht sepse fundi nuk ka fund

Shko atje ku shpejtësia vrapon ngadal

Jetës jepi jetë deri ne sekondin e  fundit.

Kam mësuar se njerzitë harrojnë shpeshëherë se çfarë u thua, se çfarë bisedo me ta dhe se çfarë të mire njeriu ka bërë për ta. Por njeriu me ndjenjen e ti mban në vete misterin e lig, atë mister që i duhet forcë, i duhet kreativitet ta zhdukë, ta fundosë mu në terrin e natës kur ai është aktiv dhe mundohet të fus frikën tek njeriu.

Tu thur natën ç`jerren yjet tu bërtit

Don edhe errsina me t`kaplu

Hana ashtu si gjys t`thrret men dej

N`prehen t`vet.

Misteri i nats t`ban m`u ndie keq.

Sa do që t`mundohesh frika e nats

Ka me t´pushtu,

Forcën e saj s`mundet kush me e m`posht

Po0r, o njeri mendo se ka me dal edhe dita

Lene friken t`jetojn larg n`fole t`vet.

Qe të jesh vetëvetja do të thotë të jesh ndryshe nga të tjerët, por secili nga ne është ndryshe dhe është vetëm një në jetë. Por nga njëherë njeriu ndihet si një gladiator dhe gjendet në një duel të pafundm, përball intrigave, përballë panjerëzive, përball të egerve të cilëve truri fare nuk u punon, ai është jashta funksioni dhe njeriu vjen në dilemë dhe dyshon dhe thotë në vete vërtetë janë njerëz apo shtiren si të tillë, e poetja në vargunbe  saj thotë:

E ça asht truni?

Ça asht?

Asht thjesht i cop rrudh

Rrudh që n`disa njerz asht pa dredha

Asht e drejt.

N`figurativitet thuehet që ka njerz pa tru,

Njerz pa rrudha.

Po në mos paçin tru njerzt kan me pas zemër.

T`i drejton zemra edhe rrudhat e trunit…

 Sa e perçudme është gjendja e njeriut me gryksin e tij sepse ai më këtë do çdo gjë në jetë dhe me këtë ai zhbenë dhe zhdukë çdo gjë nga fdaqja e dheut dhe autorja edhe pse e re, edhe pse ende në moshë jo madhore e ndjen këtë dhe benë apel tek njeriu dhe e pyet ate:

Po pse o njeri pse

Pse tenton t`prishësh qetsin n`bot

Pse mundohesh me lëndu veten dhe

Ata që t`rrethojn

Pse t`mirën e rrafshon me ligsin tande

E ni tendenc me u ba dikush zgjedh

Rrugën që t`hyn n`balt.

Por edhe pse e re në moshë, edhe pse ende në fillim të jetës së saj me vargun, ajo ndjen një ndjenjë optimizmi dhe ndjen si në ëndërr se do vi ajo kohë, do vi ai moment që i ligu do bie nga lartësia që ka dhe se edhe atyre që e mbeshteten dhe e ndihmuan në këtë ka me ju dhumbsurë. Është sa e fuqishme kjo ndjenj e njet ë reje e cila sa ka marrë hapat e parë në vargëtim  dhe se e ndjen këtë nbë shpirtine  saj rinor se do vij dita dhe koha e te kuptohet ligësia e njeiut nga njeriu kur thotë:

Ka me ardh dita kur kem e ra prej fronit

E aq shum ka me t`dhimt

Ke me u pendua aq fort për gjanat që

Kujtove që t`jepshin vler:

Ndoshta s`ka me t`met ma kush me t`mbeshtet

Ndoshta ma mire do ishte me kuptu

Para se me t`përball e vona…

 Pas këtij optimizmi të poetës së re Freskida Plepi na vjen lutja e saj në vargun  përplotë dhëmbje për njeriun që ai të lirohet nga të ligat që kanë rrembye shpirtine  tij, që ai të largoj frikën nga shpirti i tij, të ikë nga ky dhe se edhe tokës i është zenë gryka dhe fryma nga prania e tij me të gjithë të këqiat dhe të ligat që i ka sjelle në te kur ajo thotë:

O njeri, ço o njeri

E prej vedit heke tutën

O njeri, ço o njeri

E nxjerre at që ke prej shpirtit

Ço o njeri ço

Edhe toka t`marrin frym prej

Prandis tande

Ço fuqishëm o njeri

E damart le ta ndezin gjakun

Një përmbledhje poetike e të resë shkodrane Freskida Plepi, që besoj se ja vlen të lexohet dhe analizohet në detalje sepse ka vlera njerëzore ne vargune saj. Ka vlera të cilat sot nuk janë në vet nejriun e që njeriu ka nevojë për to sot. Poezit janë në stil të veqnatë shkruara dhe men je dialekt të veçant çka e bënë edhe më interesant leximin.

Filed Under: LETERSI Tagged With: ”TRE PIKESH” I SË RESË FRESKIDA PLEPI, Sokol Demaku

KLAUDIA MALAJ: EMRIN GAZETARE MA DHA NJOHJA ME TERRENIN…

July 16, 2016 by dgreca

 Nga: Prof. Murat Gecaj/ 1.Jemi takuar rastësisht, gjatë veprimtarive kulturore e letrare në kryeqytet. Por, më e rëndësishmja për mua ishte kur, një vit më parë, bëmë bashkë një Bisedë të ngrohtë, në studion e Radio-Tiranës. Ajo i kushtohej librit tim “Për ju, krijuese”, për të cilën përsëri të falënderoj përzemërsisht! Pra, si i kujton ti këto takime tonat?

-Ne jemi njohur më mirë, pikërisht nga takimi në Radio-Tirana, ku unë ju ftova në emisionin “Kohë Vere”, në rubrikën “Kopertina- Kohë për të Shfletuar”. Më pas,  jemi takuar në disa  përurime librash. Ju, profesor,  keni qenë aty pjesëmarrës dhe i papërtuar për t’i ndjekur veprimtaritë dhe, më tej, për të publikuar, në shtyp e në Internet, shkrime rreth përurimit të librave, ku keni qenë pjesëmarrës.

 2.Ti, Klaudia,  ke redaktuar edhe libra. Janë tre, tashmë, të redaktuar nga ti.. Ç’mund të na thuash edhe për këtë përvojë me përgjegjësi?

 -Po, unë kam redaktuar tre libra, deri më tani. Këta libra janë: “Prostitutë më bëri nëna” dhe „Pesh’ore Shpirti“, nga autorja Bukurije Bushati dhe „Ditari im“, nga motrushja ime e vogël (ne kështu i themi njëra-tjetrës), një vajzë shumë e talentuar, vetëm 8-vjeçe dhe që shkruan poezi, Sibora Huda. Mund ta quaj privilegj faktin, që ma besojnë një pjesë të shpirtit të tyre, disa autorë krijues, por sigurisht është edhe përgjegjësi. 

 3.Je gazetare e re, që provove punën në Radio-Tirana dhe, tanimë, në gazetën ditore “Telegraf”…Cilat janë përshtypjet tua dhe a je ndeshur me vëshirësi në profesion, përveç kënaqësive, që të jep ai?

-Unë jam përballë me profesionin, që në fund të vitit të parë të Fakultetit. Pra, kjo ndodhi para 4 vjetësh, me gazetën kulturore- javore, “Intervista”, shumë cilësore edhe serioze. Po gjatë asaj kohe, fillova të shkruaja në gazetën “Tirana Observer”, e cila tashmë është vetëm online. Me pas, përjetova kënaqësinë e gazetares  në TVSH, te emisioni “Kolor”. Qendrova aty 6 muaj dhe, pa u shkëputur asnjë ditë nga puna, kalova në Radio-Tirana, në departamentin e emisioneve social-kulturore, ku vazhdoj prej një viti e gjysëm. Aktualisht, aty jam autore dhe moderatore e emisionit “Format” e, në shtator, ky emision bën një vit, që nga fillimi i tij. 

Po kështu, po mbushet rreth një vit, që i jam bashkuar edhe stafit të një ndër gazetave më të njohure në Shqipëri, “Telegraf”. Aty kam sektorin e politikes, të cilën nuk e mbaj vetëm unë. Plus edhe dy rubrika të tjera: “Specialisti shpjegon: Fadil Kepi” dhe “Psikologjia”. Mund ta them, me plot gojë, që është krenari për mua të punoj me zotin Fadil Kepi. Është njeri korrekt, shumë i zoti e, nga ai, kam mësuar edhe unë mjaft, tashmë, për legjislacionin e pensioneve. Tani, gjatë verës, po kështu, kam nën përkujdesje gazetën javore, “Tendenca Verore”, po në “Telegraf”. 

Por, mund të them se unë, përditë, ndeshem me vështirësi dhe përditë mësoj shumë, nga punët që kryej. Gjithashtu, më është dashur të ndjek edhe shkollën e lartë…Pra, siç shihet, jam rritur njëkohësisht edhe në profesion edhe në Fakultet. Emrin „gazetare“ ma dha punë në terren, njohja me jetën e përditëshme.  Fakuteti më mësoi si të jem e kujdesshme, mos të gaboj në një shkrim ose në daljet mediatike. Më mësoi të bëj pyetjen e duhur, për të marrë përgjigjen që dëshiron. Kjo është „arma“ e gazetarit, pyetja. Po nuk formulove  pyetje të mira, nuk do të kesh një shkrim ose emision cilësor.

4.Në jetëshkrimnin tënd dhe siç e tregove më lart, kam lexuar se ke publikuar në disa gazeta. Për çfarë tematike ke shkruar?

-Në gazetën „Intervista“ kam realizuar disa intervista, por edhe materiale të tjera të tematikës së saj. Te „Tirana Observer“ e nisa me disa komente dhe analiza. Për hirë të së vërtetës, këtu e kam gjetur veten më mirë dhe kjo gjë më ka pëlqyer më shumë. Ndërsa te „Telegraf“, në të cilën jam aktualisht, merrem me çështjet politike të ditës, siç edhe e theksova edhe më lart. Përgatis edhe intervista të ndryshme, shoqërore e kulturore. 

Për mendimin tim, duket pak si hallakatje të bësh shumë gjëra, njëkohësisht. Por kështu kupton, se ku je më mirë dhe ku ti jep më shumë. Kështu, unë e kam kuptuar, se ku jam më mirë dhe çfarë dua të bëj: pra dua politikën. Dhe për këtë e falenderoj pafundësisht drejtorin e gazetës, zotin Engjëll Musai, i cili më caktoi në një drejtim të tillë edhe më ka besuar goxha. Por nuk duhet lënë pa përmendur që edhe ndihma e drejtorit, ndaj meje, ka qenë shumë e madhe dhe mbeshtetëse. 

5.Ndoshta, duhej të pyesja më parë: A mund të na tregosh diçka për familjen, shkollimin tënd etj.?

-Unë kam një vëlla, dy vjet më të vogël se veten, i cili quhet Klajdi. Dy prindërit e mrekullueshëm kanë ditur të më bëjnë kjo, që jam  sot. Dua të shtoj këtu, se babai im është ndjekësi më i rregullt i emisionit tim „Format“, në Radio-Tirana. Ndërsa mami e Klajdi, jo. Por, edhe pse nuk e ndjekin, më japin ide për emisionin. Megjithatë, janë krenarë për sukseset e mia, të arritura deri më tani.

6.Një krijues e re dhe e talentuar, siç je ti, zakonisht, thurë edhe poezi ose shkruan skica e tregime…A është e vërtetë kjo edhe për ty dhe a mund të presim ndonjë libër me poez,  nga ti?

-Unë kam nisur të shkruaj që e vogël, pa ndonjë qëllim dhe as nuk e kuptoja çfarë shkruaja. Por nuk i kam ruajtur poezitë e para. Mbaj mend se, kur kam shkruar poezinë e dytë, e kam grisur të parën. Dhe kështu e bëja me disa. Sepse poezia e radhës më dukej më e bukur, se e shkuara. Pastaj i ruajta disa, pastaj prapë i grisa. Ndërsa nga viti i dytë i Fakultetit fillova të kujdesesha për to. Pra, po, do jetë një libër nga unë. Por, se kur do të botohet ai, nuk e them të saktë, as vetë!? (ha,ha).  

7.E di që do ta “lavdërosh” (ha,ha) gazetën, ku punon, pra “Telegraf”-in…Çfarë mendon se është më e pëlqyer në faqet e kësaj gazete dhe a do të dëshiroje të kishte ndonjë rubrikë të re ose të ndryshonte diçka aty?

 -Meqë e dinit, që do ta lavdëroj, pa thonjëza të vëna, them se “Telegraf” është një gazetë e kompletuar. I ka të gjitha rubrikat, që i duhet një botimi të përditshëm. Është gazetë serioze dhe me një staf drejtuesish shumë të aftë.

 8.E fundit, në radhën e pyetjeve të mia: A mos kemi “harruar”(ha,ha) ndonjë gjë pa diskutuar bashkë, në këtë Bisedë modeste, për të cilën të falëndroj përzemërsisht? Gjithashtu, të urojmë mbarësi e frymëzime të reja, shoqëruar me një fat, si në punën e përditëshme gazetareske dhe në krijimtarinë poetike!

-Faleminderit shumë për këtë bisedë. Kemi mjaft për të thënë, por më mirë pa treguar çdo gjë, sesa t‘i zbulojmë të gjitha!

Tiranë, 16 korrik 2016

Filed Under: Interviste Tagged With: gazetare, Klaudia Malaj, Prof. Murat. gecaj, terreni

Turqi, grushti ushtarak ka dështuar

July 15, 2016 by dgreca

Sic tregojnë pamjet e drejtëpërdrejta televizive nga Stambolli dhe Ankaraja, tentative për grushtshteti pas më shumë se katër orësh ka dështuar. Këtë e ka njoftuar edhe Agjencia shtetërore e Inteligjencës në Turqi, e cila ka lajmëruar publikisht se tentativa për grusht shtet në Turqi ka dështuar.

Në anën tjetër, edhe kryeministri i Turqisë ka thënë se deri tani, çdo helikopter i ushtrisë që do të shihet duke fluturuar do të goditet.

Presidenti Erdohan u bëri thirrje qytetarëve që tadlin në rrugë dhe të mbrojnë shttein dhe demokracinë. Ai paralajmëroi daljen së shpejti në shesh.

Filed Under: Kronike Tagged With: Grushti i shtetit, ka dështuar, Turqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 90
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT