• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2016

’’ Trojet e Arbrit’’: Rikthimi i heronjëve të vërtetë të kombit

September 8, 2016 by dgreca

Shoqata e Intelektualëve Gjithshqiptarë ’’ Trojet e Arbrit’’ ka më shumë se dymbëdhjetë vjet më radhë ku është duke e bërë ndriçimin e historiografisë shqiptare me fakte shkencore. Rikthimi i heronjëve të vërtetë të kombit shqiptarë në vendin e duhur aty ku e kanë vendin është prioritet i ’’ Trojeve te Arbrit ’’. Sepse duke mos e harruar të kaluarën nuk na përsëritet e ardhshmja. Në kuader të planit të punëve tona përveç aktiviteteve shkencore kemi vendosur që ta bëjmë një hap më tutje ku do iu propozojmë Kuvendeve Komunale të qyteteteve: Prishtinë , Pejë , Prizren,Ferizaj, Gjakovë , Istog , Skenderaj , Mitrovicë dhe Drenas që të rikthehën në lapidarë heronjët e vërtetë të kombit shqiptarë. Fillimisht kemi vendosur që propozimet për rikthimin e heronjëve kombëtarë t’i bëjmë në nëntë qytete të Kosovës, më pas në të gjitha trojet etnike shqiptare.

Kuvendeve Komunale iu japim këto propozime:

  1. Në Prishtinë të emrohët një shesh me emrin e Profesor Ymer Berishës si dhe në atë shesh të ngritet një lapidar i profesor Ymer Berishës;
  2. Në Pejë të emrohët një shesh me emrin e Profesor Bedri Pejanit, si dhe në atë shesh të ngritet një lapidar i profesor Bedri Pejanit;
  3. Në Prizren të emrohet një shesh me emrin e Marie Shllaku si dhe në atë shesh të ndërtohet një lapidar i Marie Shllaku;
  4. Në Mitrovicë të emrohet një shesh me emrin e Xhafer Deves si dhe të ndërtohet në atë shesh një lapidar i Xhafer Devës;
  5. Në Skenderaj të emrohet një shesh me emrin e Shaban Polluzhës si dhe të ngritet në atë shesh një lapidar për Shaban Polluzhën;
  6. Në Gjakovë të emrohet një shesh me emrin e Halim Spahiut dhe në atë shesh të ndërtohet një lapidar për Halim Spahiun;
  7. Në Ferizaj të emrohet një shesh me emrin e Gjon Sereqit dhe të ndërtohet një lapidar i Gjon Sereqit në atë shesh;
  8. Në Drenas të emrohet një shesh me emrin e Mehmet Gradicës si dhe të ndërtohet në atë shesh lapidari i Mehmet Gradicës dhe
  9. Në Istog të emrohet një shesh me emrin e Bajram Gashit si dhe të ndërtohet në atë shesh lapidar i Bajram Gashit.

Duke u nisur nga fakti se ende disa gjëra sa i përket heronjëve të vërtetë të kombit shqiptarë janë lënë në mjegullnaj dhe ende një pjesë e shqiptarëve nuk mund të bëjnë dallimin në mes të herojëve të vërtetë të kombit shqiptarë atëherë më këto propozime ju bëjmë me dije se këta nëntë heroj të kombit të përmendur më lartë së bashku me mijëra të tjerë, janë heronjët e vërtetë të kombit shqiptarë. Prandaj meritojnë një kujdes më të madh nga shoqëria shqiptare se mjaftë janë përbuzur në kohën e komunizmit pansllavist që i riokupoj tokat shqiptare me ndihmën e serbëve dhe rusëve.Shoqata e Intelektualëve Gjithshqiptarë ’’ Trojet e Arbrit ’’ në një afat të shkurtër kohor do t’iu drejtohët edhe zyrtarisht këtyre nëntë kuvendeve komunale në mënyrë që të bëhet aprovimi i këtyre propozimeve dhe të rikthehën një herë e përgjithmonë në vendin e duhur herojtë e vërtetë të kombit shqiptarë. Tetë nga këta nëntë heronj të kombit shqiptarë u vranë në luftë kundër ideologjisë pansllavisto – komuniste ndërsa Xhafer Deva po ashtu luftoj me të gjitha forcat kundër ideologjisë ruso- serbe. Shumicës së këtyre heronjëve sot e shtatë dekada me radhë ende nuk iu dihen varrët. Ata mbetën të vrarë, me plumb, të vrarë për dhjetra vjet përmes propagandës staliniste, ku i vetmi faj i tyre ishte se e dështën Shqipërinë e bashkuar dhe të orjentuar drejtë perëndimit.

Në emër të SH.I.GJ. ’’Trojet e Arbrit’’

Nue Oroshi Kryetar

Besim Morina Nënkryetar

Filed Under: Komente Tagged With: i Heronjeve, rikthim, trojet e Arberit

DY LUFTËTARË MARTIRË NGA PLAVË-GUCIA

September 8, 2016 by dgreca

SELMAN FAKU PRELVUKAJ E PULEC HIMA AHMETAJ, DY LUFTËTARË MARTIRË NGA PLAVË-GUCIA
-Në 70 vjetorin e vrasjes së tyre nga serbo-malazezët në bjeshkën e Memës /
NGA RAMIZ LUSHAJ/
1.Historia i njef të asht’ e të palctë Kasemçukajt. Rrem genetik i Prelvukajve, bark më veti i tyne.
Nga kjo derë e fisme është gjyshja e Bruno Selimajt të Nokshiqit. Bjeshka i thoshin, një emën burimor shqiptar. Ajo është motra e legjendave të trimnisë, Selman Faku Kasemçukaj. Ky luftëtar i Shqipërisë Etnike është pesë herë i njoftun: si Selman, si i Kasemçukaj, si i Prelvukaj, si i Martinaj, si Plavë-Gucias.
 Një fakt: i fismi Jakup Jahelezi i Dragobisë, mbi 90 vjeç, i emigruem në Nju Jork, e përveçon Selman Fakun me thanien e thuktë: “S’kam pa djemë ma trima në jetën teme”.[1]
2.Kasem Çukaj i trimnisë, sipas pemës gjenealogjike, ishte vet i katërti vlla, sëbashku me Metën, Latifin e Omerin. Tre prej tyre pjesmarrës ballor në Luftën panshqiptare e ndërkombëtare të Nokshiqit (1879-1880).
Vet Kasem Çukaj i pati gjashtë djemë: Butin, Salihin, Brahimin, Rekun, Elkun e Fakun. Gjashtë kreshnikë. Si në Eposin e Kreshnikëve. Secili histori e lavdi të shkruar me mend e pushkë, me sakrifica e gjak.
Tre prej tyre: Brahimi, Buti e Salihi, janë martirë të kombit shqiptar.
Prof. dr. Zekeria Cana ishte në shtator 1995 në fshatin Martinaj, në kullën e të moçmit mbi shekullor, Sylë Prelvukajt, i cili e kishte përjetue pushtimin sllav genocidial të Plavë-Gucisë nga tetori i 1912-tës deri në nëntorin e 1913-tës, kohë e njohur në histori edhe me emrin e tragjedisë “Masakra e Previsë”. Ky i rrëfen historianit edhe për një nga dajët e Bruno Selimajt: “Brahim Kasemi dhe dy burra të tjerë që nuk pranuan ndrrimin e fesë u pushkatuan në vend. Varret i kanë mbi fshat pranë themeleve të kishës së vjetër katolike”.[2]
Historiani tjetër, i vuthjani R. Dedushaj, tek vepra “100 Vjet Luftë” dëshmon se djalin e Kasemçukajve, Brahimin – vet i tretë, e kanë vrarë Vasojeviçët si hakmarrje shovene ndaj trimave e trimnive të Prelvukajve në mbrojtje të Plavë-Gucisë në vitet 1854-1880.
Dy djemtë e tjerë të Kasem Çukajt, Butin dhe Salihin, i kanë pushkatue malazezët në Masakrën e Previsë.[3] Nuk iu dihen as vorret.
Kësokohe, në Previ, në këtë masakër ende të pazbardhur plotërisht dhe të padënuar ndërkombëtarisht u pushkatua nga Martinajt edhe Arif A. Balidemaj, Hysen Delia, Mujë Gali, Bajram Haxhia e në Greben Nezir Cufi e Zekë Haxhia. Ka edhe të tjerë. Ne kaq dijmë. Trolli i vet Martinajve mund të dëshmojë ma tepër.
3.
Një telegram i 27 marsit 1913 i nënshkruem nga Krahinari i Pejës, J. Plamenac, drejtue për në Çetinën e Krajlit, direkt për ministrin e Brendshëm Plamenac, i ban atij me dije se “sot në Martinaj iu vu zjarri 11 shtëpive kaçake” (Dok. nr. 488). Historianët listojnë se u dogj edhe kulla e Kasemçukajve të Prelvukajve. Krimineli i atij zjarri të përflakshëm e të përgjakshëm ishte kapiteni Vuksan Dragoviq, antar i Gjykatës Ushtarake në Plavë-Gucinë e sapopushtuar nga mbretnia e Malit të Zi, një mbretni – protektoriat i kahershëm i Perandorisë Ruse.
Kësokohe, Selman Faku i Kasemçukajve, përndryshe: vllai i gjyshes së Bruno Selimajt, ishte vetëm dy vjeç. Djalë i vetëm. Një grua e atyhit e mori në mbrojtje deri në vetsakrificë. E fshehu në një kullë, në dimit e saj. Ai iu shpëtoi kontrollit e ndëshkimit sllav dhe asaj jete shumë të vështirë të kohës së Masakrës së Previsë, një nga masakrat ma të mëdha ë ma tragjike në historinë e botës antike e moderne. Ndoshta kjo situatë e rëndë e me rrethana të ashpra në vite rritje e lanë atë disi trupshkurtër.
Selman Faku Prelvukaj i Martinajve, banor i Gucisë, luftëtar i lirisë për Plavë-Guci, për Shqipëri Etnike, veçanarisht gjatë Luftës së Dytë Botërore e në vitet e para të sundimit të shumëfishtë komunist në Malin e Zi (Jugosllavinë Avnjoiste) e në Shqipërinë Londineze, u shqua si Luftëtar i Lirisë Kombëtare Shqiptare.
4.
Ai, Selman Faku i Martinajve kishte me veti edhe një shok të pa shoq, Pulec Hima Ahmetaj i Vuthajve. Si rrinë shqiponja me dy krena në Flamurin Kombëtar Shqiptar ashtu qëndruan këta të dy sëbashku në Plavë e Guci me rrethina vrrini e bjeshke deri në Malësi të Gjakovës (Tropojë), Malësi të Madhe, Shkodër, Deçan, etj.
Ata kishin edhe një “Grup të Rezistencës Shqiptare Kundër Sllavëve” (1941-1947).
Shqiptarët prej nga liqeni i Plavës tek ai i Shkodrës dhe nga lumi i Limit deri tek rrjedhat e Drinit, si dhe ardhacakë e okupues sllavë në Alpe, e thirrnin “Grupi i Selmanit e i Pulecit” apo “Grupi i Pulecit e i Selmanit”.
Këta, të dy, nuk u ndanë kurrë në jetë në vitet e rezistencës së tyre. Ata i kishin idealet kombëtare shqiptare të përbashkëta. Për ma tepër, ishin edhe baxhanak ndërveti, i kishin gratë motra. Edhe vdekjen e patën bashkë: në të njëjten ditë, në të njëjtin vend. Edhe varret iu mbetën pranë njëri-tjetrit në Bjeshkën e Memës.
Historiani tjetër i Plavë-Gucisë, Sulejman B. Ahmeti, ndër të tjera, konkludon: “Këta dy trima i patën rrugët e hapura. Ka qënë shumë e vështirë për t’u dalur atyre përpara. Tek pushtuesit serbë ishte krijuar bindja se ata nuk i merr pushka”.[4]
5.
Në këto vite, në krejt krahinën e Plavë-Gucisë, në burime të ndryshme dokumentare thuhet se vetëvepronin përkohor disa luftëtarë edhe në grupe nacionaliste.
Këta kishin lidhje të dyfishtë ndërveti: nga gjaku e nga ideali kombëtar, si grupi i Rrustem Mulajt e i Adem Shaban Gjonbalajt (ky i fundit, daja i Bruno Selimajt nga ana e nanës së tij), i Prelë Kolë Shytit, i Haxhajve të Hotit të Plavës, i Shemso Ferrit të Plavës, i Sali Ismail Nikoçit dhe i Hasan Isuf Kukajt, i Man Zekë Qosajt e i Ram Tole Hasangjekajt, i Imer Maliqit e i Mustaf Haxhisë, i Smajl dhe Haxhi Metë Martinaj, i Belo Hamëz Ahmetajt, të cilat përndiqeshin me hjekësi e pushkë nga tana anët: edhe nga Jugosllavia (Serbia e Mali i Zi), edhe nga Shqipëria Londineze.
Grupi nacionalist i Selmanit e i Pulecit ishte tejet i veçantë, ma aktivi ndër  të gjithë, veprimtar e qëndrestar deri në kufij të legjendave të kohës.
6.
Selman Faku Prelvukaj, trim i maleve që rriten trimni, kishte vra në përpjekje e atentate gjithato shkije me cene e akte antishqiptare, ndaj pas ripushtimit të egër sllav nga Jugosllavia e Dytë e Titos, tue kanë thep e ferkem në luftë të pandalune me ta, si shumë plavë-gucias të tjerë çohet e kapërcen kufinin e padrejtë të 1913-tës e 1945-ës dhe hyn në Shqipërinë Londineze, Republikën Popullore të Enverit, sistem e fytyrë kthyeme kah Beogradi e Moska e atëherit, dy nga kryeqëndrat prej kah i erdhën përjetësisht të kqijat e derisotme kombit shqiptar.
E lypte gjithkund Jugosllavia. Selmanit ia kishte ruejt qelinë e torturave e plumbin jetëmarrës.
Diku i ra në fije edhe Shqipëria. E kapën në kambë, në rrethin e Shkodrës. Ia lidhën duert, e mbyllën për disa ditë në burg. Ia dorëzuen palës jugosllave, sipas një Marrëveshje të përbashkët në mes qeverive komuniste të Shqipërisë të (pa)varur e të Jugosllavisë federaliste.
Vetë Selmani, për realitetin zyrtar shqiptar plot mbrapshti helmtë të asaj kohe me pabesi shtetërore shqiptare e ortaknitë me sllavët, shprehej: “Ne ishim të detyruem të kërkonim strehim në vendin tonë. Komunistët e Enverit nuk na pranonin, ata na thonin tradhtarë, reaksionarë.  Ata na prenë në besë. Na lidhën dhe na kthyen te vllaznit e tyne jugosllav”.[5]
 7.
Sigurimi oktapod shqiptar, fijelidhun edhe me sllavët e Beogradit e të Çetinës dhe prej 1946-tës me të Titogradit (Podgoricës), nuk harrojnë asnjë detaj të bashkpunimit ndërveprues.
Në Han të Hotit, teksa ua dorëzonin Selmanin ashtu të lidhun e të lodhur nga burgu i vështirë, i amanetojnë palës jugosllave: “Kujdes! Mos e shihni kështu trupshkurt se është njeri shumë i rrezikshëm…”.
Ia caktojnë një ushtarë sllav trupfortë me e përcjell përkrye maleve deri në Guci, i cili iu thotë eprorëve të vet e shoqëruesve shqiptarë të deriatyshëm: “Kush, ky i lidhun e unë me pushkë në dorë, me i pasë krahët nuk mundet me më ikë mue…”.
Rrugës për në Podgoricë Selmani ishte dhe hiqej si tepër i lodhur, ndaj ky ushtari shoqërues po i ndal hapat tek një farë ure me ujë të vrulltë e po gjuen në shenjë thëllanxat e malit. Selmani gjen rast e i thotë: “Ah, trim te je! Si i mbyll burri sytë kur rrudh me gisht në pushkë?!” Fjala ndjek fjalën. Selmani nuk ndal bisedë: Të kallzoj unë qysh me gjuejt kryeshenjë. Ndale frymën, mbylle një sy, qetësohu…”
Trupgjati ushtar merr huti çasti. Selmani mendje e sy mprehtë i avitet shpejt e i shkallmohet me prangat e duarve e t’i jep plastim e rreknim teposhtë në zallishtë. E vret ushtarin, dekun e në tokë. Ia merr atë armë.
 Ik’ tue u ruejt aq fort sa mos me e pa as zogjtë. Ecte tue ngatrrue ferkem. E kalon për të dytën herë brenda asaj dite kufinin shqiptaro-shqiptar.
Kur hyn në Hot trupi i merr krahë. I troket një dere hotjane. Kish pasë mikpritje, besë e burrni. E presin shqiptarisht, pa frikën e kohës. Aty merr ma shumë forcë e shpresë. Ia hjekin prangat duarve, që i kishin lanë shenja ajtjeje. Ia vlerësojnë idealin kombëtar e trimnitë. E mbajnë për nja dhjetë ditë si ma të mirin mik në kullën e tyre e, mbasandejna, mashkujt e fortë e bestar të saj e përcjellin deri tek Shtegu i Dhënve.
 8.Luftëtari kombëtar Selman Faku Prelvukaj prej atyhit shkon drejt e në krahinën e tij të Plavë-Gucisë, drejt e në malet e lirisë të pafjetun atë ditë e sot.
Prapë me grupin e tij, me “Grupin e Rezistencës Shqiptare kundër Sllavëve”. Ky grup prej kryeherit kishte deri në mbi dhjetë antarë: Pulec Hima Ahmetaj i Vuthajve; Zenel Mehmeti Ahmetaj i Vuthajve – një burrë i shkolluar e i sprovuar për mend e pushkë; Ibrahim Smajli Prelvukaj i Martinajve; Shaban Sadria Hasanaj i vllaznisë Gjonbalaj të Vuthajve; Kadri Salihi Ulaj i Katundit Sirm të Vuthajve; Mehmet Mustafa Kukaj i Kukajve të Vuthajve, dy rugovas, e të tjerë.
 9.Shenjat e natyrës tregonin se dimni i atij viti 1946-‘47 po vinte tepër i egër. Grupit të Selmanit e Pulecit iu duhej me i ba konak vetes në jetesen plot me sakrifica sfide deri në vetmohim.
E kishin gjet vendin krejt të sigurt: përmbi Jasenicë, në afri të Hotit të Plavës, bash në Sjapicë të Haxhisë, në një shpellë tek “Buni i Shtjerrave”.
Po një dimën tjetër antishqiptar ma i madh e ma i egër po vinte edhe në Plavë-Guci nga regjimi jugosllav i Titos, nga vet Beogradi i Serbisë me kryeministrin serb Blagoje Neskoviç dhe nga dy kryeqëndrat e Malit të Zi, nga Çetina e vjetër e fronit e nga Titogradi i ri me kryeministrin malazez Blazho Jovanoviçin.
 Cilido shqiptar etnik që ishte me rezistencën antisllave e luftonte për liri kombëtare në male, i cilësuar “kaçak”, “i arratisur”, “tradhtar”, etj., UDB-ja jugosllave ua torturonte e masakronte familjet me të madh e të vogël.
 10.Sapo kishte hy’ viti 1947. Dikush nga të afërmit e grupit, që fatalisht ishte thirrë ndihmatar në përgaditjen e konakut të atij dimni të ashpër, nuk mujti me iu durue gatë torturave antinjerëzore e me shpirt ndër dhambë iu kallxoi pabesisht armiqve të kombit “shtëpinë e dimnit” të luftëtarëve të Lirisë Kombëtare, të Shqipërisë Etnike.
Ky njeri i besuar i preu në besë, i tregoi UDB-së ku ndodhej i strehuar Grupi i Selmanit dhe i Pulecit…
Shteti jugosllav u ngrit në kambë sikur do të mësynte kufinin drejt Shqipërisë Londineze e jo drejt një shpelle tek “Buni i Shtjerrave” në Sjapicë, ku thuhej se ishin vetëm 14 luftëtarë plavë-gucias e të rrethinave. Sidoqoftë nuk merr aq randësi numri i atyre luftëtarëve po fakti se kësaj here po sulmohej ajka e qëndresës luftarake lavdiplote në kit’ krahinë etno-historike shqiptare, vatra e fundit e qëndresës së organizuar antisllave në Alpe nga lumi i Vermoshit e ai i Valbonës deri në Lim.
UDB-istë të atyhit e të ardhun nga larg, shumkush nga komunitete etno-kulturore ardhacake në krahinë, mjaft njerëz përtej kureshtisë, lëviznin gjithandej në dy qytetet Plavë e Guci, në Ultinën e Epërme të Limit, luginat e Jasenicës e të Plavës…Gjithkah.
Forcat policore të rendit e të ndjekjes dhe ato ushtarake, të cilat rrinin përditë në survejim e kryenin terror e genocid në Plavë-Guci, u shtuan me përforcime të reja.
Fjala e zezë cegmoi mbi borën e bardhë, ajo doli para krismave të pushkëve: I kanë rrethue Selman Fakun e Prelvukajve e Pulec Himën e Ahmetajve…”.
Forcat e Sigurimit Jugosllav – UDB-ja, sëbashku me ato të policisë e të ushtrisë republikane e federale, ua kishin frikën një përballje luftarake me grupin e Selmanit e të Pulecit, prandaj shkuan tek vendstrehimi i tyre në shpellë tek Buni i Shqerrave tue përdorë për mburojë trupa njerëzore civile të Plavë-Gucisë. I kishin mobilizue me forcë, me dhunën e kohës. Kishte aty burra e gra me autoritet në fshatra e krejt krahinë dhe deri në Malësi të Madhe e Rrafshin e Dukagjinit. Disa sish edhe pa lidhje të afërt genetike gjaku me të rrethuarit në atë shpellë.
I kishin sjellë edhe nga të trungut familiar, të afërm e miq të këtyre luftëtarëve kombëtar në rrethim të plotë. Në mes tyre, në ballë të tyre, ishte edhe Bjeshka, motra e Selman Fakut e gjyshja e Bruno Selimajt. Ajo kishte me veti edhe djalin e saj, Ymerin e të tjerë. Aty ishin edhe të familjes së Pulec Himës. Edhe të tjerëve.
Në disa burime dokumentare thuhet se ishin mbi 100 civilë plavë-gucias të moshave të ndryshme, të thyer në moshë e të rinj, burra e gra, etj., që shumë prej tyre i kishin sjellë aty  edhe si “pengje” për të rrethuarit. Një numër tejet i madh.
Diku, në një pjesë të rrethimit, në pjesën ballore, ku komunikohej edhe me luftëtarët në shpellë, ishin vendos deri në mbi tre rradhe me civil. I shtyjnë t’i afrohen konakut, shpellës.
Prej nga afër iu thërrasin të dorëzohen, po ka qëndresë. Kurrkush nuk po don me ra në dorë të shkjaut i gjallë. Situata e tensionuar fort, keq, e paparishikueshme zgjati bukur shumë.
 11.Civilët, realisht, ishin “pengje”. Në koft se patriotët e rrethuar do të kundërpërgjigjeshin me luftë, atëherë do të kryhej një masakër e madhe mbi gjithë ata njerëz të ndershëm, të pafajshëm, të gatshëm edhe për vetsakrifikim.
I pari nga ajo shpellë si shtëpi e kështjellë po del Zenel Mehmeti Ahmetaj i Vuthajve, që shpesh printe me fjalë e shembullin e tij. Po dvet si është puna. I thanë se qëndresa e tyne do të sillte masakrën e përgjakshme. Ai e lëshoi armën përtokë tue thanë sheshit: “Jo, jo, ma mirë ma shumë se 10 se sa ma shumë se 100”.
Pas tij, dolën të gjithë. Në intervale kohe. Njani pas tjetrit. 12 luftëtarë.
 12.Të fundit, nga shpella, dolën Selman Faku Prelvukaj dhe Pulec Hima Ahmetaj. Ia kanë qit’ pushkën njani-tjetrit në gjoks gati me dhanë jetën dhe u besatuan ndërveti e përballë të gjithëve se nuk dorëzohemi të gjallë. Ia kanë nis kuvendimit nga larg.
Selman Faku po iu selamet i pari:
-Ju e keni fitue Luftën e Dytë Botnore, po ne Shqiptarët luftojmë për tokën tonë…Ju e keni ditë se jena në shpellë. Pse na i keni marrë në qafë familjet tona e i keni pru deri këtu. Pse nuk erdhët me luftue me ne e me e pa se qysh zihen burrat rob…
I shtymun nga antishqiptari barbar, Mikail Bullotovi, naçallnik në Beranë, një shqiptar, i thirrun aty, po ia përcjell fjalët e tij kah dera e shpellës:
-Selman e Pulec, mos e vrani njani tjetrin, se nuk keni nevojë. Luftë a kanë…
Atëherë Selmani po dvet prej larg shqiptarin ndërlidhës:
-A asht Bullatoviçi ende në fuqi si naçallnik në Beranë. Në koft se asht ai atje nuk dorëzohem i gjallë, sepse e di se ka me më vra për hakmarrje. Në besë të shqiptarit po të them: mos më merr në qafë…
Shqiptari u fut me trina nëpër mal. I ktheu përgjigje sikur Mikail Bullatoviçi nuk ishte naçallnik në Beranë.
 Selmani i besoi atij.
U dorëzue sëbashku me Pulecin.
 13.Menjëherë i nisën 14 luftëtarët e Lirisë Kombëtare Shqiptare drejt qytetit të Plavës. Ashtu të lidhun dy e nga dy. Me dhjetra tyta armësh të drejtuara drejt tyre.
U shkrehën armë zjarri në ajër si sinjal fitorjeje për kapjen e tyre robër. Në fakt ata ishin ma shumë se robër lufte.
Iu del para Bullatoviçi.
Selmani e Puleci e kqyrën njani-tjetrin: A thue kanë ndonjë shteg me ik?! E panë se ishin të premë në besë si na “dikushi” që ua kishte tregue UDB-së vendstrehimin e tyre dhe tashti nga ky shqiptari nderlidhës që nuk iu tha të vërtetën për Bullatoviçin. Ata do të kishin vrarë veten e nuk do të ishin dorëzue të gjallë tek shpella te Buni i Shtjerrave.
-Ndani veç ata të dy – iu tha Bullatoviçi. -Mos i çoni poshtë me të tjerët…
Ashtu ndodhi: i ndalën aty ata të dy: Selmanin e Pulecin.
Sllavët ishin të etur për vrasjen e tyre.
Në bjeshkën e Memës, mbi dyqind metra poshtë shpellës i mbështetën për një pishë të madhe e derdhën mbi ta breshëri armësh.
I pushkatuan pa gjyq.
Një vrasje politike, barbare, shovene.
Një urrejtje bio-politike e etnike ndaj tyre, pasi ata ishin e mbetën shqiptarë të vërtetë, të rrallë, legjendar.
Naçallniku Bullatoviç e shpiku një farsë sikur gjoja ata donin të arratiseshin e qëlluan mbi ta pa paralajmërim.
Në fakt e vërteta qëndron ndryshe: edhe sot pas 70 vitesh në koft se ua përmend shkijeve këta dy emra të lavdisë shqiptare atyne ua prish në çast humorin e me kanë pramje i lenë pa gjumë.[6]
 14.Pulec Hima Ahmetaj i Vuthajve ka lanë trashëgimtarë. Një nga djalë të tij, Shemunin, e kam njoft personalisht. Ishte mësues emigrant në Elbasan. Mjaft i lidhun me tre djemtë e hallës time, Dadës Razë, djemtë e Sherif Dedushajt nga Vuthajt, edhe ata emigrantë në Elbasan.
Një herë në vitet ’80 teksa shetisnim me Shemunin e Avdyl Dedushaj, bash aty tek hotel “Skampa” po ndal hapin Shemuni e vikati me tanë forcën e shpirtit të tij: “Kosova Republikë”…Duart i mbante të lidhuna lart në formë shqiponje, simbol i bashkimit kombëtar. Ky nuk ishte rasti i parë e as i fundit. Ai kishte në gjakun e tij genin e martirit të kombit, Pulec Hima Ahmetaj.
Selman Faku Prelvukaj, i derës së Kasemçukajve, i lindur në Martinaj e jetues në Guci, i ka lanë dy çika, po geni i këtij martiri të kombit jeton edhe tek gjithata nipa të tij nga Selimajt e Nokshiqit. Një prej tyre është edhe Bruno Selimaj, një emër i kohës shqiptare, një njeri simbol për kontributet e tij për kombin shqiptar.


[1] Rexhep  Dedushaj. 100 Vjet Luftë. NY. 1999.
[2] Zekeria Cana.  Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913” (Dokumente). IAP. Prishtinë. 1997, fq. 34.
[3] Z. Cana. Po aty. f. 34.
[4] Sulejman B. Ahmeti.:  “Plava dhe Gucia – Ngjarje që nuk duhen harruar…”. Monografi. Tiranë, 2002, f. 78.
[5] S. B. Ahmetaj. Po aty. f. 81.

[6] Ramiz Lushaj: Referime dhe nga Dosja ime “Plava e Gucia” (Dokumente arkivore, shënime, dorëshkrime, takime e biseda, etj.)

Filed Under: ESSE Tagged With: DY LUFTËTARË MARTIRË, NGA PLAVË-GUCIA, Ramiz Lushaj

Avionët amerikanë e rusë fluturojnë 3 metra larg mbi Detin e Zi

September 8, 2016 by dgreca

Pentagoni njoftoi se një avion luftarak rus ka fluturuar vetëm 3 metra larg njërit prej avionëve të tij të gjurmimit që ndodhej mbi Detin e Zi. Zyrtarët amerikanë e përshkruan veprimin e SU-27 si joprofesional dhe të rrezikshëm. Ministria ruse e Mbrojtjes nuk vonoi të paraqiste variantin e saj të ngjarjes e tha se avioni amerikan ndodhej shumë pranë territorit rus. Sa i takon pilotëve të SU-27-s, ata për Moskën i janë përmbajtur rregullave ndërkombëtare të fluturimit e janë afruar sepse avioni amerikan e kishte të fikur transponderin sinjalizues që ndihmon në identifikimin e mjetit.
Avioni amerikan P-8A Poseidon nga ana tjetër, sipas shpjegimeve të Pentagonit, ishte duke kryer operacione rutinë në hapësirën ndërkombëtare kur avioni rus iu afrua rrezikshëm. Të tilla veprime bartin potencialin e përshkallëzimit të tensioneve e mund të çojnë më e pakta fare edhe në aksidente, ishte deklarata e zyrtarëve amerikanë. Rusia aktualisht është duke zhvilluar manovra ushtarake në Detin e Zi. Marrëdhëniet mes saj dhe Perëndimit janë ashpërsuar ndjeshëm që prej aneksionit të Krimesë marsin e vitit 2014. Prillin e këtij viti, Shtetet e Bashkuara u ankuan se avionët rusë ishin përballur në një mënyrë të ngjashme me këtë të fundit me avionët e saj të zbulimit që fluturonin mbi Detin Balltik. Edhe në atë rast, Moska përdori të njëjtin shfajësim: fikjen e transponderit sinjalizues.

Filed Under: Kronike Tagged With: Avionet amerikane, Deti i Zi, rus

NJERIU MODERN DHE MEKANIZMAT E ARRATISJES

September 8, 2016 by dgreca

Nga Mr.Sc Blerta Haxhiaj /

Si zgjedhje reale e njeriut eshte ajo mes jetes se mire dhe jetes se keqe sepse zgjedhja mes jetes dhe vdekjes eshte me shume dukje se sa reale. Njeriu modern , varet se si e konceptojme modernitetin apo bashkohoren sepse ne cdo periudhe kohore eshte moderne, eshte i prirur te kerkoje jeten e mire. Si te gjithe ne duke i ikur asaj si gjallese biologjike duke u mos mjaftuar vetem me te mirat qe jep natyra por edhe ato jane te domosdoshme; jane te tjetersuara duke ndikuar  ne mireqenien tone jetesore.

Si agjensi psiqike e shoqerise eshte – familja – femija fiton karakterin, qe me vone e afteson per detyrat qe duhet te kryeje ne jeten shoqerore. Edhe pse psikoanaliza e ka rritur jashtezakonisht shume njohjen tone per njeriun, ajo nuk e ka rritur njohjen tone per ate se si duhet te jetoje njeriu dhe cfare duhet te beje ai. ‘Hommo psychologicus’ i Freud eshte konstruksion jorealist sepse eshte e pamundur te kuptosh njeriun dhe çrregullimet e tij emocionale dhe mendore pa e kuptuar natyren e vleres dhe te konfliktit moral; Erich Fromm e paraqet kete si kthimi kah “tradita e madhe e etikes humaniste, e cila njeriun e vezhgonte ne suazat e totalitetit te tij fiziko-frymore, duke besuar se qellimi i njeriut eshte qe te jete njeri dhe se kusht i arritjes se ketij qellimi eshte ekzistenca e njeriut per vete”.

Kjo perkatesi sjell me vete ankthe te reja te shkaktuara nga pasigurite e shumta jo natyrore por nga vete njeriu si pjese e makro dhe mikro shoqerise ne te cilen ai ka zgjedhur te beje pjese ( Nietzsche – nese njerezit do te jetonin ne vetmi atehere te gjitha deget e pemeve do te mbusheshin me te vetevarur) edhe pse permes produktiviteti ai perpiqet te perparoje “njeriu modern eshte i shqetesuar dhe gjithnje e me i hutuar. Ai punon dhe perpiqet, por eshte i vetedijshem ne menyre te turbullt per padobine e aktivitetit te tij.” – “perkunder gjithe njohjes se tij per materien, ai eshte injorant lidhur me ceshtjet me te rendesishme dhe me thelbesore te ekzistences njerezore : Ceshte njeriu? Si duhet te jetoje ai dhe si mund  te clirohen dhe te perdoren ne menyre te frytshme energjite shume me te medha te njeriut”. Njeriu modern megjithese karakterizohet nga nje pohim i pezmatuar i Unit, ne realitet eshte i dobesuar dhe i reduktuar ne nje segment te Unit total – intelektit dhe vullnetit, duke u munduar te ike nga ky pezmatim ai kerkon treguesin se cfare mendojne te tjeret per te si popullariteti, fama, paraja, pushteti “Ne qoftese eshte i kerkuar eshte dikush; neqoftese nuk eshte popullor eshte askushi” (Erich From –Arratisje nga Liria) kjo shume mire na sherben si model ne te ardhmen nese synojme te jemi te famshen apo jo duke mos nenvleresuar ndikimi dhe rendesine qe ka familja ne rend te pare si “Tabulla Rasa” qe vijme dhe domosdoshmerisht kemi te nevojshem nje zanafille per tu qendisur.

Termi normal dhe jo normal apo neurotik dhe normal i’u mveshet atyre qe ne i konsoderojme si te tille nese jane normale apo neurotike ose jo normal…por si mund te bejme nje dallim te tille kur nuk dime normalen, pra qe te kuptojme te semuren duhet ditur e shendoshmja. Nje person normal konsiderohet si i tille kur eshte “afte per te kryer rolin e tij social qe i eshte ngarkuar ne kete shoqeri te caktuar’ te marre pjese ne produktivitetin e shoqerise dhe riprodhimin. Nderkohe me kete zhberje te Unit te tij ai kerkon te heqe dore nga liria e tij permes mekanizmave qe Fromm i ka analizuar 1) Autoritatizmi; 2) Shkaterrimi; 3) Konformizmi prej automatit;

E para perfshine ne vete Ikja nga nje vetmi e padurueshme duke pranuar nenshtrimin ; sadizmi dhe mazohizmi dy forma te lidhura me instiktin e vdekjes qe ne shoqeri ne normalitet merren format e buta te tyre, pra i nenshtruari pranon ti nenshtrohet nenshtruesit; eshte nje lloj dakordimi per kete relacion sepse vete autoriteti kerkon nenshtrimin;”Filozofia autoritare ne thelb eshte relativiste dhe nihiliste – ajo i ka rrenjet ne nje ndjenje deshperimi ekstrem, ne mungesen e plote te besimit, qe con ne nihilizem, ne mohimin e jetes”

E dyta: shkaterrimi perseri kemi dy format e prirjeve ato sadiste dhe mazohiste ku destruktiviteti e karakterizon kete relacion te prirjeve qe te arrihet inkorporimi i objektit, per ta shkaterruar dhe permes ketij shkaterrimi per ta larguar. Ky lloj dekstruktiviteti eshte nje prirje latente ne nje person qe vetem pret rastin per tu shprehur – “Dashuria, detyra, ndergjegjja, patriotizmi jane perdorur dhe perdoren si maska per te shkaterruar te tjeret ose veteveten” duke e mos ngaterruar me ate destruktivitetin qe shoqeron pohimin e jetes. Si shumesi e papercaktueshmerise se te percaktueshmes deshtruktiviteti eshte rezultat i jetes se pajetuar. Nje individ mund te kete prije per te shkaterruar veteveten ose ne radhe te pare te tjeret. “ ne boten bashkohore destruktiviteti i klases se mesme te ulet ka qene factor i rendesishem ne ngritjen e nazizmit”. Nietzsche paraqiti portretin e Mbinjeriut ku tregoi nihilizmin modern te ankthshem i cili ky  portret u be manifesti i nazisteve….

E  treta; permes dy rrugeve te mesiperme autoritatizmi dhe destruktivitetit; konfrontizmi prej automati ben qe individi pushon se qeni vetevetja duke u pershatur per vete krejt tipin e personalitetit qe i ofrohet nga modele kulturore dhe pastaj behet i njejte si te tjeret …pseudoparadigme….ai heq dore nga Uni individual dhe shnderrohet ne automat i njejte si automatet e tjere duke humbur Unin e tij por ky eshte nje cmim qe ai e paguan me kenaqesi sepse nuk eshte i vetmuar dhe ne ankth

Arratisu, arratisu dhe ik nga  e keqja dhe e mira tento te kalosh nga Pont Asinaram …

 

Filed Under: Analiza Tagged With: mekanizmat e arratisjes, Mr.Sc Blerta Haxhiaj, Njeriu modern

SHQIPTARJA EMINE LEKAJ PRIJASKAJ, KANDIDATE PER DEPUTETE NE KROACI

September 8, 2016 by dgreca

*Kandidatja shqiptare për deputete në Kroaci: Unë jam bijë hasjane, jam shqiptare e juaja
*Prljaskaj : “Të vazhdojmë aty ku kemi mbetur. Të punojmë për të mirën tonë!”/
14231779_1530579513635891_7732306409441830644_o.jpg

Nga Beqir SINA – Romë/

 ROME ITALI: Në një  bisedë  në Romë, Emina Lekaj Prljaskaj, kërkojë nga Shqiptarët me të drejtë vote në Kroaci, që të votojën atë  në zgjedhjet parlamentare me 11 Shtator në Koraci.
Me Eminën patëm rastin dhe biseduam gjatë koncertit, i cili mblodhi yjet shqiptare të skenave botërore dhe iu dedikua humanistes shqiptare Nënë Tereza, kapërceu kufijtë e një evenimenti të rëndomtë muzikor, në Romë.
Duke, e cilësuar kështu edhe si  imazhi pozitiv për Kosovën dhe gjithë shqiptarët. Kjo ngjarje, që zuri vend në Bazilikën Papnore të Shën Palit në Romë, i parapriu ceremonisë së shenjtërimit të Nënë Terezës, që u mbajt të dielën më 4 Shtator në Vatikan.
Të pranishëm në këtë ngjarje madhështore, ishin rreth 5 mijë veta, duke përfshirë këtu edhe delegacionet, e dy shteteve shqiptare, atë të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë.
Në mesin e personaliteteve nga të gjitha trojet shqiptare, ndodhej edhe deputetja shqiptare, në Parlamentin e Koracisë Ermina Lekaj Prljaskaj, e cila tani kandidon përsëri më 11 Shator.
Zonja Ermina Lekaj Prljaskaj, ka lindur në Kosovë, në vitin 1971 dhe jetonë në Selce në Primorje – Gorski Kotar County.
Shkollën fillore dhe të mesëme, ajo i kreu në Prizren, Kosovë, dhe shkollën e ligjit në Rijekë, nga e cila ka marr edhe nji diplomë si një e diplomuar i shkollës ligjit.
Ka edhe një Diplomë pasuniversitare në Menaxhim Marketing të marrë në vitin 2005 në Fakultetin e Ekonomisë në Rijeka.
Ndërsa, ka fitur provimin e jurisprudencës në Ministrinë e Drejtësisë dhe provimit Specialist i Prokurimit Publik.
Ajo rregullisht merr pjesë në seminare RRIF, prokurimet publike dhe procedurat e ekzekutimit.
Prljaskaj thuhet se është e punësuar që nga viti 1995 dhe është duke punuar si Drejtore e Çështjeve Ligjore dhe Departamentit të Personelit në Zhrnovnica të ujësjellësit në New Vinodolski.
Është përkthyese e autorizuar në gjyqësor për gjuhën shqipe.
Që nga viti 1994, ka filluar të marri pjesë aktivisht si një anëtare e Komunitetit të shqiptarëve PGC dhe bashkë-themelues  Qendres Culturale Shota.
Me 2004 ajo u zgjodh Presidente e Komunitetit të shqiptarëve PGC Rijekës, dhe që atëherë veprimet dhe aktivitetet e tyre ndihmuan vetë bashkatdhetarëve, në ndihmën e saj të ushtrimit të të drejtave të tyre si pakica.
Gjuhët që ajo flet janë ato amtare të saj janë kroate dhe shqipe, flet rrjedhshëm gjuhën angleze dhe pasive gjermane dhe turke.
Ajo tha për gazetën tonë se të gjithë shqipëtarët me të drejtë vote në Republikën e Kroacisë, duhet ta shfrytëzojnë të drejten e tyre, për të dalur në zgjedhjet e lira të parakohshme parlamentare, të dielen më 11 shtatorë 2016, dhe të votojnë për mua , thotë zonja Prljaskaj, duke shtuar se ajo ka të gjitha kapacitetet ,dhe të gjitha kompetencat intelektuale, dhe morale për kryerjen e kësaj detyre me përgjegjësi, si deputete në Parlamentin Kroat!
“Është, në interesin e të gjithë Shqipëtarëve të Kroacisë, që votat t’ia japin një kandidati dhe jo t’i shpërndajmë votat mes dy apo më shumë kandidatëve, sepse për të njejtin vend deputeti ne Parlamentin Kroat, konkurojnë edhe disa kandidat të disa pakicave tjera siq janë ajo: Maqedonase, Boshnjake, Sllovene dhe Malazeze, prandaj çdo votë, është me rëndësi, dhe mund të jetë vendimtare” u shprehë zonja Prljaskaj.
Këtu më poshtë po sjellim edhe deklaratën ftuese të Zonjës Prlajaskaj, që u drejtohet votuesëve shqiptarë në Kroaci.
Të dashur votues!: Sot po nisim bashkë fushatën zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme, që do të mbahen më 11 shtator. Uroj të arrijmë bashkë synimet tona për një mirëqenie të përbashkët në shoqërinë kroate. Gjatë mandatit tim gjashtëmujor si përfaqësuese, deputete e juaja në Parlamentin Kroat, arrita të vendos themelet e një pune të mirë për pakicat, ashtu edhe për shqiptarët e mi. Kam arritur të lidh marrëveshje të shumta në favor të shqiptarëve dhe pakicave të tjera, duke ndihmuar bizneset, punën dhe familjet e tyre. Kam identifikuar disa probleme me të cilat përballen pakicat në Kroaci dhe i kam adresuar disa prej tyre tashmë.
Këtë e sheh më së miri duke qenë vetëm brenda në Parlament, në institucionin më të lartë të vendit. Do të angazhohem të realizoj punët që kam nisur, duke qenë deputete. Do të kërkoj zgjidhjen e shumë problemeve, të cilat I kam parë që janë evidente. Për këtë kërkoj mbështetjen tuaj në këtë fushatë. Kohëve të fundit, kam dëgjuar disa zëra të cilat nuk na çojnë askund. Dua t’ju siguroj ju të dashur votues se nuk qëndrojnë deklarimet që keni pasur rast ndoshta t’i dëgjoni.
Ju kujtoj, sidomos ju shqiptarë të mi, se unë jam bijë hasjane, bijë e një zejtari shumë të devotshëm, bijë e juaja. Më së miri, unë mund t’ju kuptoj punën dhe sfidat me të cilat përballeni. Zotohem se do të vazhdoj përkrahjen për Ju, për familjet tuaja dhe për fëmijët tuaj, që të arsimohen edhe më shumë dhe të marrin vendin meritor në shoqërinë kroate. Kemi shumë të rinj të shkolluar, intelektualë, të cilët duhet të marrin pozitat që u takojnë në institucionet kroate.
Do të jem përfaqësuese e denjë edhe për të gjitha pakicat tjera. VAZHDOJMË ME TUTJE! Ju ftoj që më 11 shtator të kryejmë obligimin tonë qytetar dhe të votojmë numrin 4. Ju faleminderit! Ermina Lekaj Perlaskaj, deputete e juaja!”

maxresdefault.jpg

Ermina-Lekaj-Prljaskaj.jpg

Ermina.jpg

ermine-lekaj-perlaskaj-intervist-me-faton-ismajlin-foto1_1463240259-650982.jpg

Filed Under: Opinion Tagged With: Beqir Sina, Emina Lekaj Prljaskaj, kandidatja shqiptare, ne Kroaci, per deputete

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • …
  • 64
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT